Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tatimet: 1 265 fermerë aplikuan për kompensimin 10% përmes autofaturës

TIRANË, 23 korrik /ATSH/  Procesi i aplikimit online për përfitimin e kompensimit 10% përmes autofaturës po vijon normalisht, ndërsa deri më 20 korrik janë regjistruar 1 265 aplikime nga fermerët në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlera totale e kompensimit të kërkuar nga aplikimet e deritanishme arrin në rreth 3,5 milionë euro.

Tatimet u bëjnë thirrje fermerëve që nuk kanë aplikuar ende të kryejnë aplikimin përmes platformës e-Filing, për të përfituar nga skema e kompensimit 10%.

Institucioni njofton se fermerët që hasin paqartësi ose kanë nevojë për asistencë gjatë procesit të aplikimit mund të drejtohen pranë administratës tatimore përmes adresës elektronike [email protected].

Skema e kompensimit 10% përmes autofaturës është pjesë e masave mbështetëse për sektorin bujqësor dhe synon të lehtësojë formalizimin e transaksioneve të fermerëve, duke rritur njëkohësisht mbështetjen financiare për aktivitetin e tyre.

/e.xh/j.p/

The post Tatimet: 1 265 fermerë aplikuan për kompensimin 10% përmes autofaturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari forcohet në raport me lekun, euroja nuk ndryshon

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën monedha e gjelbër amerikane u forcua në raport me lekun, ndërsa euroja ruajti të njëjtën vlerë krahasuar me një ditë më parë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 82,05 lekë ose 0,09 lekë më shumë dhe euroja këmbehet me 93,62 lekë në të njëjtën vlerë sa një ditë më parë.

Paundi britanik këmbehet me 109,70 lekë ose 0,35 lekë më pak dhe franga zvicerane këmbehet me 101,08 lekë, 0,11 lekë më pak se ditën e martë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.05 +0.09
Euro EUR 93.62 0.00
Poundi Britanik GBP 109.70 -0.35
Franga Zvicerane CHF 101.08 -0.11
Jeni Japonez (100) JPY 50.34 -0.05
Dollari Australian AUD 57.40 -0.16
Dollari Kanadez CAD 58.22 -0.06
Korona Suedeze SEK 8.45 -0.03
Korona Norvegjeze NOK 8.54 +0.02
Korona Daneze DKK 12.53 +0.01
SDR SDR 111.48 +0.05
Ari(OZ 1) XAU 337831.85 +4,736.57
Argjend(OZ 1) XAG 4879.08 +31.56
Juani Kinez (onshore) CNY 12.12 +0.01
Juani Kinez (offshore) CNH 12.11 0.00
Lira Turke TRY 1.74 0.00

The post Dollari forcohet në raport me lekun, euroja nuk ndryshon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ismaili: Fondi fillestar i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” 250 milionë euro, aplikimet deri në nëntor 2027

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ka nisur programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e re mbështetjeje për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe për fermerët, me synim rritjen e investimeve dhe zhvillimin e sektorëve ekonomikë.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, përmes një video-mesazhi bëri të ditur se programi i qeverisë ofron financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, për të gjitha fushat e ekonomisë, me përparësi për bujqësinë, agro-përpunimin, prodhimin, teknologjinë, turizmin, tregtinë, logjistikën dhe shëndetësinë private.

Sipas saj, fondi fillestar i programit është 250 milionë euro, i çelur nga Banka e Shqipërisë, ndërsa financimi do të ofrohet me norma interesi preferenciale nga 2 deri në 3%. Nëpërmjet Garancisë Sovrane, shteti mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë.

Për të aplikuar, subjektet duhet të kenë një NIPT aktiv, vërtetim tatimor dhe plan biznesi. Për aplikantët që nuk e kanë ende një plan të tillë, institucionet përgjegjëse ofrojnë mbështetje për përgatitjen e tij përmes ekspertëve.

Ismaili bëri të ditur se, aplikimet kryhen pranë bankave partnere të programit dhe do të jenë të hapura deri më 20 nëntor 2027.

Sipas saj, për më shumë informacion mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit, të interesuarit mund të konsultojnë portalin zyrtar dyfisho.ekonomia.gov.al.

/e.xh/j.p/

The post Ismaili: Fondi fillestar i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” 250 milionë euro, aplikimet deri në nëntor 2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: 21 fidera jashtë funksionit nga moti i keq, mbi një mijë punonjës në terren për rikthimin e energjisë

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se grupet e punës të institucioneve në varësi kanë qenë në terren që në momentet e para të motit të keq që përfshiu vendin mbrëmjen e së martës, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Sipas raportit të ministrisë, reshjet intensive të shiut dhe era e fortë shkaktuan problematika në disa zona të vendit, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën për eliminimin e pasojave.

Në sektorin rrugor, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar monitoruan situatën dhe ndërhynë për pastrimin e akseve nga gurët dhe materialet e rëna. Të gjitha akset kombëtare mbetën të kalueshme dhe qarkullimi u zhvillua normalisht.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ministria njofton se aktualisht në rang vendi janë 21 fidera jashtë funksionit, kryesisht në rajonet e Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit. Në orët e para të mëngjesit u vu në punë nënstacioni i Livadhjasë, duke rikthyer energjinë elektrike në disa zona.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 000 punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ministria bën të ditur gjithashtu se rrjeti i transmetimit operon normalisht, ndërsa të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në funksion. Edhe situata në kaskadën e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.

Në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në Sarandë është rikthyer në funksionim normal Stacioni i Pompimit të Ujit të Ndotur, si edhe ai në Ksamil. Gjithashtu rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.

Në Durrës si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.

Ndërsa në Fier, rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.

Sa i takon transportit situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.

Në Portin e Durrësit si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.

Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Ndërsa në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.

/e.xh/

The post MIE: 21 fidera jashtë funksionit nga moti i keq, mbi një mijë punonjës në terren për rikthimin e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis digjitalizimi i hartave kadastrale në Korçë, përfshihen 271 zona

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur procesin e digjitalizimit të hartave kadastrale në Drejtorinë Vendore Korçë, në kuadër të modernizimit të shërbimeve kadastrale dhe përmirësimit të administrimit të të dhënave.

Sipas ASHK-së, procesi përfshin 271 zona kadastrale që administrohen nga Drejtoria Vendore Korçë dhe do të realizohet sipas kalendarit të punës të hartuar nga institucioni.

Në këtë fazë, po kryhet inventarizimi dhe skanimi i planshetave të hartave, për të vijuar më pas me gjeoreferimin, digjitalizimin dhe integrimin e materialeve në sistemin elektronik.

ASHK bën të ditur se, gjatë zhvillimit të punimeve, sipas zonave kadastrale përkatëse, shërbimet që kërkojnë veprime mbi hartën kadastrale do të pezullohen përkohësisht deri në 21 ditë.

Kadastra bën të ditur se, të gjitha shërbimet e tjera për qytetarët do të vijojnë të ofrohen normalisht gjatë gjithë periudhës së zbatimit të procesit.

/e.xh/j.p/

The post Nis digjitalizimi i hartave kadastrale në Korçë, përfshihen 271 zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Masa parandaluese ndaj Murtajës Afrikane të Derrave, forcohen kontrollet në kufi

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin në terren pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme veterinare në Republikën e Serbisë, për shkak të përhapjes së Murtajës Afrikane të Derrave (MAD).

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të derrave të gjallë, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë nga derri nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.

Në kuadër të zbatimit të këtyre masave, Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së, Rolandi Meçaj, zhvilloi një takim pune me strukturat e Shërbimit Veterinar Rajonal në Shkodër, ku u vlerësua situata epidemiologjike dhe u diskutuan masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjatë takimit u kërkua intensifikimi i monitorimit aktiv në të gjitha fermat e mbarështimit të derrave, si dhe raportimi i përditshëm pranë AKVMB-së mbi kontrollet e kryera dhe gjendjen shëndetësore të fermave.

Në vijim të vizitës, Meçaj inspektoi Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”, ku u zhvillua një takim me strukturat përgjegjëse të kontrollit kufitar. Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shërbimit Veterinar dhe inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për kryerjen e kontrolleve të plota fizike dhe dokumentare të çdo ngarkese me kafshë të gjalla.

Sipas AKVMB-së, kontrollet do të vijojnë për të garantuar zbatimin me rigorozitet të ndalimit të hyrjes së derrave dhe produkteve me origjinë nga vendet e prekura nga sëmundja.

Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së kërkoi gjithashtu monitorimin e mjeteve të transportit të kafshëve në akset kryesore rrugore dhe verifikimin e pajisjes së tyre me Certifikatën e Lëvizjes së Kafshëve.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zonave kufitare me Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat konsiderohen me rëndësi të veçantë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Gjithashtu, AKVMB theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes veterinerëve zyrtarë dhe shoqatave të gjuetarëve për evidentimin dhe raportimin e menjëhershëm të çdo derri të egër të ngordhur apo me shenja klinike të dyshimta, pasi derrat e egër konsiderohen një nga rezervuarët kryesorë të virusit të Murtajës Afrikane të Derrave.

/e.xh/j.p/

The post Masa parandaluese ndaj Murtajës Afrikane të Derrave, forcohen kontrollet në kufi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet leku, valutat humbasin terren

TIRANË, 21 korrik  /ATSH/ Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, të martën leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan sot u zhvlerësua lehtë me 0,01 lekë, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa monedha europiane zbriti me 0,05 lekë.

Dollari amerikan u këmbye me 81,96 lekë, ndërsa euroja u këmbye me 93,62 lekë.

Ndërkohë paundi britanik u këmbye me 110,05 lekë, ose 0,29 lekë më pak dhe franga zvicerane këmbehet me 101,19 lekë, ose 0,27 lekë më pak se ditën e hënë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.96 -0.01
Euro EUR 93.62 -0.05
Poundi Britanik GBP 110.05 -0.29
Franga Zvicerane CHF 101.19 -0.27
Jeni Japonez (100) JPY 50.39 -0.08
Dollari Australian AUD 57.56 +0.20
Dollari Kanadez CAD 58.28 -0.15
Korona Suedeze SEK 8.48 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.52 +0.03
Korona Daneze DKK 12.52 -0.01
SDR SDR 111.43 +0.04
Ari(OZ 1) XAU 333095.28 +3,561.13
Argjend(OZ 1) XAG 4847.52 +185.89
Juani Kinez (onshore) CNY 12.11 0.00
Juani Kinez (offshore) CNH 12.11 0.00
Lira Turke TRY 1.74 0.00

The post Forcohet leku, valutat humbasin terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Garancia sovrane rritet në 5 miliardë lekë, mbi 100 milionë euro për bujqësinë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Fondi i garancisë sovrane është rritur nga 3 në 5 miliardë lekë, me synim rritjen e aksesit në financim për sektorin e bujqësisë dhe sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha sot në komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat se rritja e këtij instrumenti financiar do t’u mundësojë bizneseve të përfitojnë kredi me interesa më të favorshme, ndërsa shteti do të garantojë deri në 70% të vlerës së kredisë.

“Përmes Aktit Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Buxhetin e vitit 2026”  rritëm fondin e garancisë sovrane nga 3 në 5 miliardë lekë. Kjo është bërë për të rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë, por edhe për të gjithë sektorët e ekonomisë, në mënyrë që të përfitojnë kredi me interesa më të buta dhe t’u garantohet kredia në masën 70%”, u shpreh Malaj.

Sipas ministrit, rreth 82% e ndërmarrjeve që punësojnë fuqinë punëtore në vend kanë nevojë për financim dhe kjo mbështetje synon të rrisë konkurrueshmërinë e tyre në raport me tregun europian.

“Është një mbështetje sot dhe një investim për të nesërmen, për përballjen me tregun europian”, tha Malaj.

Ai theksoi se viti 2026 do të sjellë një paketë të zgjeruar mbështetjeje për fermerët, përmes disa instrumenteve financiare.

“Në vitin 2026 kemi mbështetje si asnjëherë më parë për fermerët: garancia nga 3 në 5 miliardë lekë, mbështetje me grante prej 2 miliardë lekësh, skema e subvencioneve prej 3,2 miliardë lekësh dhe për herë të parë kemi skemën e kompensimit të TVSH-së. Të gjitha bashkë janë mbi 100 milionë euro në dispozicion të bujqësisë”, deklaroi ministri.

Malaj bëri të ditur gjithashtu se po vlerësohet mundësia e krijimit të një skeme kompensimi për fermerët e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

“Po vlerësohet skema e kompensimit ndaj fatkeqësive natyrore. Po punohet dhe synimi është t’u vijmë në ndihmë atyre që përballen me këto situata”, përfundoi ministri i Financave.

/e.xh/j.p/

The post Malaj: Garancia sovrane rritet në 5 miliardë lekë, mbi 100 milionë euro për bujqësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAYO nis në shtator prodhimin e dronëve, Veliu: Fabrika përfundoi, po trajnohet personeli

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO do të nisë në muajin shtator procesin e prodhimit të dronëve në Shqipëri.

Lajmin e bëri të ditur administratori i kompanisë KAYO, Ardi Veliu, gjatë një konference për mediat, ku u shpreh se prodhimi në fushën ushtarake është një proces kompleks që kërkon përmbushjen e standardeve të larta të sigurisë dhe licencimit.

“Procesi i prodhimit në fushën ushtarake është një proces i komplikuar, jo vetëm sepse produkti duhet të jetë i licencuar, por edhe mjedisi ku prodhohet duhet të jetë i licencuar”, deklaroi Veliu.

Ai bëri të ditur se ambientet e fabrikës së prodhimit janë përfunduar në partneritet me kompanitë bashkëpunuese, ndërsa aktualisht po vijon faza e trajnimit të personelit që do të angazhohet në këtë strukturë.

“Ambientet kanë përfunduar në partneritet me partnerët tanë. Kemi bërë thirrjen për të gjithë ata që donin të bëheshin pjesë e kësaj fabrike dhe tani jemi në fazën e trajnimit të personelit që do të punësohet aty”, tha Veliu.

Sipas tij, procesi i rekrutimit ka përfshirë të gjithë personat e interesuar për t’u bërë pjesë e fabrikës, ndërsa puna aktualisht është përqendruar në përgatitjen profesionale dhe trajnimin e stafit.

Administratori i KAYO u ndal edhe te ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në ecurinë e projektit, duke theksuar se konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë vonesa në furnizimin me lëndë të para.

“Konflikti në Lindjen e Mesme na ka vonuar sjelljen e lëndëve të para, por besoj që në fillim të shtatorit ne do të fillojmë procesin ku do të prodhohen dronët”, u shpreh Veliu.

Ai foli gjithashtu për shkollën e fluturimit, e cila është pjesë e bashkëpunimit të lidhur me kompaninë KAYO dhe shoqërinë Elbit, duke e cilësuar atë një qendër që do të rrisë kapacitetet e Shqipërisë në fushën e aviacionit.

“Shkolla e fluturimit është një kontratë e lidhur me KAYO dhe me shoqërinë Elbit. Ajo që ne po marrim nga ky partneritet është eksperienca në fushën e pilotimit përmes shkollës së aviacionit. Trajnimi i tyre do të bëhet në Shqipëri”, tha Veliu.

Sipas tij, shkolla do të funksionojë me kurrikula të hartuara sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe pilotët që do të diplomohen aty do të kenë nivel të krahasueshëm me standardet e diplomave të huaja.

“Kjo është një qendër unike dhe hapja e saj shton kapacitetet tona. Shkolla do të ketë të gjitha kurrikulat sipas standardeve më të mira dhe pilotët që do të diplomohen aty do të jenë me standardet e diplomave të huaja”, theksoi ai.

/e.xh/j.p/

The post KAYO nis në shtator prodhimin e dronëve, Veliu: Fabrika përfundoi, po trajnohet personeli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në 2025, rriten me 91% autoveturat elektrike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Numri i mjeteve rrugore të regjistruara në Shqipëri arriti në 1 048 092 mjete në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 9, 3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në rubrikën “Statistikat e karakteristikave të mjeteve rrugore 2025”.

Sipas raportit, autoveturat vijojnë të dominojnë strukturën e mjeteve rrugore, duke përbërë 80,8% të totalit. Numri i autoveturave për 1 mijë banorë është rritur në 361, nga 326 që ishte në vitin 2024.

Qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të mjeteve rrugore në vend, me 34,7% të totalit, i ndjekur nga Durrësi me 13, 6% dhe Fieri me 9,1%.

Ndërkohë, qarku i Durrësit regjistron nivelin më të lartë të motorizimit, me 535 autovetura për 1 mijë banorë.

Për sa i përket karakteristikave teknike, mjetet me kambio manuale përbëjnë 55, 9% të totalit të mjeteve rrugore, ndërsa automjetet e prodhuara gjatë periudhës 2000–2010 përbëjnë 55, 3% të flotës së mjeteve.

INSTAT bën të ditur se autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të numrit total të autoveturave në vend.

Sa i takon markave më të përhapura, Volkswagen renditet marka më e përdorur ndër autoveturat në Shqipëri, me 19, 7% të totalit, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18, 1%.

Nafta mbetet lënda djegëse kryesore për autoveturat, duke zënë 72, 1% të totalit në vitin 2025.

Ndërkohë, vijon rritja e mjeteve elektrike. Numri i autoveturave elektrike është rritur me 91, 2% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar zgjerimin gradual të përdorimit të automjeteve me energji alternative.

Të dhënat e INSTAT bazohen në inventarin e mjeteve rrugore sipas gjendjes më 31 dhjetor të çdo viti dhe burimi kryesor është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

/e.xh/j.p/

The post INSTAT: Mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në 2025, rriten me 91% autoveturat elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria lehtëson aksesin në kredi për bizneset e vogla dhe të mesme

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Programi i ri kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, është një skemë financimi që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes kredive të buta dhe garancisë shtetërore.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale një video-mesazh informues të realizuar me teknologji të inteligjencës artificiale, që bën të ditur se programi është i hapur për të gjitha bizneset që kanë një plan rritjeje, por përballen me mungesë financimi.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde është super-programi i ri kombëtar i financimit me kredi të butë e me garanci shtetërore për çdo ndërmarrje të vogël apo të mesme që ka një plan rritjeje dhe mungesë financimi”, shkroi Rama.

Sipas tij, bankat janë në pritje të interesimit të sipërmarrjeve, ndërsa bizneset mund të informohen më tej për kriteret dhe procedurat e aplikimit në platformën zyrtare të programit.

Në video-mesazhin informues bëhet e ditur se programi ofron financim deri në 200 milionë lekë, me garanci sovrane deri në 70% të principalit të kredisë, si dhe norma interesi preferenciale.

“Programi synon të lehtësojë aksesin në financim për SME-të, duke garantuar deri në 70% të principalit të kredisë. Çdo biznes mund të përfitojë financim deri në 200 milionë lekë, me norma interesi preferenciale 2–3% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite”, thuhet në prezantimin e programit.

Financimi do të orientohet drejt sektorëve me potencial të lartë zhvillimi dhe vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare, përfshirë bujqësinë, agro-përpunimin, industrinë, turizmin, ekonominë digjitale, energjinë dhe ekonominë e gjelbër.

Programi parashikon gjithashtu mbështetje teknike për sipërmarrësit, përfshirë asistencë në përgatitjen e planeve të biznesit dhe gjatë procesit të aplikimit, me qëllim rritjen e mundësive për përfitim nga financimi.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të nxisë investimet private, të mbështesë teknologjinë dhe inovacionin dhe të përgatisë bizneset shqiptare për konkurrencën në tregun unik europian.

“Çdo investim i ri kontribuon në forcimin e ekonomisë shqiptare”, theksohet në mesazhin informues të programit.

/e.xh/j.p/

The post “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria lehtëson aksesin në kredi për bizneset e vogla dhe të mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akti Normativ për Buxhetin 2026, Malaj: Indeksim i pensioneve, dyfishim i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Akti Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Buxhetin e vitit 2026” synon të garantojë zbatimin në kohë të politikave me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social, përmes financimit të masave për pensionistët, familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara, mbrojtjen, infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të Aktit Normativ në komisionin e Kuvendit, deklaroi se ndërhyrja në buxhet është bërë e domosdoshme si rezultat i zhvillimeve të reja financiare dhe fiskale të evidentuara gjatë zbatimit të buxhetit të vitit 2026.

“Urgjenca e kësaj ndërhyrjeje lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, të lidhura me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore”, tha Malaj.

Sipas ministrit, një nga masat kryesore të Aktit Normativ është afrimi i indeksimit të pensioneve, i cili do të ketë efekt financiar nga 1 korriku 2026, në vend të 1 tetorit, siç ishte parashikuar fillimisht.

“Indeksimi i pensioneve me 2,7% nis efektet nga 1 korriku. Plani është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin prill, siç ka qenë edhe më parë”, u shpreh Malaj.

Krahas pensioneve, Akti Normativ parashikon edhe masa të tjera sociale, përfshirë dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, me efekt financiar nga 1 korriku 2026.

Gjithashtu, shteti do të mbulojë pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 tetori 2026 dhe me një kosto të plotë vjetore prej 2 miliardë lekësh.

Ministri Malaj bëri të ditur se një tjetër prioritet i Aktit Normativ është financimi i shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s.

Në të njëjtën kohë, rëndësi e veçantë i është kushtuar investimeve infrastrukturore.

“Parashikohen 1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë dhe 6,5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare”, deklaroi Malaj.

Nga kjo shumë, sipas tij, 3 miliardë lekë do të përdoren për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake, me qëllim mbështetjen e bashkive me makineri, pajisje dhe logjistikë.

Shtesa fondesh për institucionet

Përmes Aktit Normativ, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit përfiton 1,6 miliardë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për:  872 milionë lekë për përshpejtimin e indeksimit të pensioneve, duke bërë të mundur që rritja prej 2,7% të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2026, në vend të 1 tetorit, siç ishte planifikuar fillimisht. (efekti financiar 6 -mujor 2,53 miliardë lekë, ndërsa efekti total vjetor 5 miliardë lekë);  300 milionë lekë shtesë për skemën e granteve Start-up, pasi numri i aplikimeve është trefishuar; 80 milionë lekë shtesë për programin “Dyfisho Biznesin Tënd”, për të zgjeruar aksesin e SME-ve në financim dhe 40 milionë lekë shtesë për organizimin e Forumit të Investimeve, në kuadër të forcimit të klimës së investimeve në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përfiton 3,9 miliardë lekë shtesë, ku përfshihen financime konkretisht: 750 milionë lekë për dyfishimin e pagesës për 10,720 fëmijë me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 korriku 2026 ( efekti vjetor 1,5 miliardë lekë); 674 milionë lekë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, nga 1 tetori 2026. ( kosto e plotë vjetore 2 miliardë lekë); 1;5 miliardë lekë për sigurimin e barnave onkologjike në spitalet publike; 150 milionë lekë për rritjen e pagave të rreth 400 mjekëve dhe 1,200 teknikëve të shkencave mjekësore në shërbimet e urgjencës. ( kosto vjetore 300 milionë lekë); 100 milionë lekë shtesë për fondin e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, bazuar në ecurinë pozitive të likuidimit të dosjeve. ( Buxheti vjetor i parashikuar rritet nga 1,5 mld në 1,6 mld lekë); 700 milionë lekë për pajisje spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale në shëndetësi, për vitin 2027 e në vijim.

Për Ministrinë e Mbrojtjes parashikohet financim shtesë prej rreth 10,3 miliardë lekësh, ndërsa Ministria e Arsimit përfiton 750 milionë lekë shtesë për arsimin bazë, tekstet falas, mbështetjen e studentëve dhe investimet në infrastrukturën arsimore.

Për Ministrinë e Arsimit parashikohet rreth 750 milionë lekë shtesë, nga të cilat: 500 milionë lekë për programin e arsimit bazë, tekstet falas dhe mbështetjen e studentëve dhe 250 milionë lekë për investime në infrastrukturën shkollore dhe universitare.

Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural/MBZHR adresohen 164 milionë lekë shtesë për projektet e ujitjes dhe kullimit, përfshirë rialokime me efekt neutral, dhe vijimi i tyre edhe gjatë viteve 2027–2028.

Ministria e Brendshme do të ketë rreth 704 milionë lekë shtesë, ndërsa SPAK 200 milionë lekë për forcimin e kapaciteteve, pajisje elektronike dhe sigurinë kibernetike.

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve parashikohen 99 milionë lekë shtesë për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, mirëmbajtjen e sistemeve IT dhe detyrime të tjera ligjore.

Ndërsa për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, adresohen 1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë; 6,5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare.

Për institucionet e tjera parashikohen rreth 300 milionë lekë shtesë për rritjen e kapaciteteve institucionale të disa institucioneve të pavarura, si ILDKPKI, AKSK, Autoriteti i Konkurrencës, ATSH dhe institucione të tjera.

Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e propozuara financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore dhe nuk ndryshojnë nivelin e deficitit, duke ruajtur trajektoren rënëse të borxhit publik dhe vijimin e konsolidimit fiskal.

/e.xh/j.p/

The post Akti Normativ për Buxhetin 2026, Malaj: Indeksim i pensioneve, dyfishim i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miraton dy projektligje

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në mbledhjen e së hënës mori në shqyrtim dhe miratoi dy projektligje të rëndësishme.

Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputetit Taulant Balla. Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë mendim mbi nismën ishte Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe stafi teknik i kësaj ministrie.

Në cilësinë e nismëtarit Taulant Balla, sqaroi se ndryshimet e propozuara në Kodin Civil, synojnë transpozimin e dy Direktivave të BE-së dhe synon adresiminin e disa problematikave të ngritura nga bizneset, sipërmarrjet dhe organizatat jofitimprurëse lidhur me vonesat në pagesa, duke garantuar më shumë siguri juridike në marrëdhëniet tregtare. Sipas Ballës projektligji sjell ndryshime për qartësimin e rregullave mbi kamatëvonesat, zgjeron rastet kur një produkt konsiderohet me mangësi në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe forcon mbrojtjen e personit të dëmtuar. Projektligji qartëson se përgjegjësia e prodhuesit ndaj personit të dëmtuar nuk mund të kufizohet apo të përjashtohet me marrëveshje kontraktore ose me ligj.

Deputeti Admir Kadeli në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës për harmonizimin e legjislacionit vendas me atë të BE, mbrojtjen e konsumatorit përmes rregullave më të qarta mbi përgjegjësinë mbi produktet me të meta, përshtatjen me zhvillimet teknologjike dhe produktet moderne, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj parashtroi se projektligji realizon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2011/7/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për luftën kundër vonesave në pagesat në transaksionet tregtare, si dhe përmbush detyrimet në kuadër të negociatave me BE për Kapitullin 20.

Ministrja sqaroi se projektligji sjell një sërë ndryshimesh të rëndësishme, duke zgjeruar mbrojtjen ligjore edhe për personat fizikë, tregtarët individë dhe profesionet e lira, të cilët përfshihen tashmë në përkufizimin e sipërmarrjes. Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu rregulla më të qarta për afatet e pagesave, kufizojnë mundësinë e zgjatjes së tyre, vendosin lindjen automatike të kamatëvonesës pas skadimit të afatit dhe harmonizojnë normat e interesit me standardet e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Ibrahimaj sqaroi se një risi e projekligjit lidhet me disiplinimin e pagesave nga autoritetet publike, duke përcaktuar si rregull afatin 30-ditor të pagesës, me mundësi zgjatjeje deri në 60 ditë vetëm në raste të justifikuara objektivisht nga natyra e kontratës. Po ashtu, projektligji forcon mekanizmat e zbatimit gjyqësor, duke vendosur afatin maksimal 90-ditor për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në rastet kur debitori nuk e kundërshton detyrimin.

Deputetja Zamira Sinaj në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e projektligjit për mbështetjen e sipërmarrjeve dhe profesioneve të lira, duke ftuar kolegët ta miratojnë. Gjatë diskutimeve nen për nen, Balla paraqiti një amendament për nenin 1, që lidhet me përkufizimet mbi subjektet tregtare.

Pas diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

/e.xh/j.p/

The post Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miraton dy projektligje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Valutat fitojnë terren në raport me lekun

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Monedhat e huaja kanë fituar terren ndaj lekut në tregun vendas të këmbimit valutor këtë të hënë, pas një periudhe më shumë se dyjavore gjatë së cilës ato shënuan një zhvlerësim gradual.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja këmbehet sot me 93,67 lekë, duke u rritur me 0,09 lekë krahasuar me një ditë më parë.

Edhe dollari amerikan ka shënuar rritje në raport me monedhën vendase. Ai këmbehet me 81,97 lekë, ose 0,15 lekë më shumë se fundjava.

Ndërkohë, paundi britanik dhe franga zvicerane kanë regjistruar gjithashtu rritje. Paundi këmbehet me 110,34 lekë, duke fituar 0,39 lekë, ndërsa franga zvicerane kuotohet në 101,46 lekë, me një rritje prej 0,10 lekësh.

Tregu valutor vendas vijon të reflektojë lëvizjet e kërkesës dhe ofertës për valutë, pas një periudhe të gjatë ku monedha vendase ishte forcuar gradualisht ndaj monedhave kryesore ndërkombëtare.

Që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me më shumë se 3%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në më shumë se 4%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se arsyeja kryesore e rënies së euros është përmirësimi i bilancit të pagesave, falë flukseve hyrëse të lidhura kryesisht me turizmin dhe investimet në pasuri të paluajtshme.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.97 +0.15
Euro EUR 93.67 +0.09
Poundi Britanik GBP 110.34 +0.39
Franga Zvicerane CHF 101.46 +0.10
Jeni Japonez (100) JPY 50.47 +0.10
Dollari Australian AUD 57.36 +0.33
Dollari Kanadez CAD 58.43 +0.12
Korona Suedeze SEK 8.49 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.49 +0.02
Korona Daneze DKK 12.53 +0.01
SDR SDR 111.39 +0.03
Ari(OZ 1) XAU 329534.15 +2,657.52
Argjend(OZ 1) XAG 4661.63 +119.80
Juani Kinez (onshore) CNY 12.11 +0.04
Juani Kinez (offshore) CNH 12.11 +0.04
Lira Turke TRY 1.74 0.00

 

/e.xh/j.p/

The post Valutat fitojnë terren në raport me lekun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë bleu 139,6 milionë euro në tremujorin e parë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka blerë 139,6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 320% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, blerjet e valutës janë realizuar përmes dy kanaleve kryesore: ankandeve të planifikuara, me qëllim rritjen e rezervës valutore, si dhe ndërhyrjeve direkte në treg për të zbutur mbiçmimin e lekut ndaj euros.

Në kuadër të ankandeve të planifikuara, Banka e Shqipërisë bleu gjatë tremujorit të parë 44,1 milionë euro, vlerë kjo në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, ndërhyrjet direkte në tregun valutor përbënë pjesën më të madhe të blerjeve. Gjatë muajve shkurt dhe mars, Banka e Shqipërisë bleu 95,5 milionë euro, me synim ngadalësimin e rënies së kursit të euros kundrejt monedhës vendase.

Blerjet valutore janë pjesë e politikës së Bankës së Shqipërisë për administrimin e rezervës valutore dhe ruajtjen e stabilitetit të tregut financiar.

Për këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës, duke synuar blerjen përmes ankandeve të një vlere prej 330 deri në 450 milionë eurosh, me objektiv forcimin e rezervës valutore të vendit.

/e.xh/j.p/

The post Banka e Shqipërisë bleu 139,6 milionë euro në tremujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

263 vendime të miratuara, Kadastra vijon shqyrtimin e 500 dosjeve në Shkodër

TIRANË, 20 korrik /ATSH/  Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën në terren për trajtimin e aplikimeve për shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim në qytetin e Shkodrës.

Në Shkodër, ekipet e Kadastrës janë të angazhuara aktualisht në lagjet Tophan, Xhabije, Ndocej, Rus, Dërgut, Gjuhadol, Tom Kola, Skënderbeg, Perash, Arra e Madhe dhe Draçin, me qëllim përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve dhe përfundimin e procedurave për qytetarët.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Kadastra Shqiptare, deri tani janë marrë 263 vendime, ndërsa vijon puna për trajtimin e rreth 500 dosjeve të tjera.

Kadastra i bën apel banorëve që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që procesi i shqyrtimit dhe përfundimit të çdo dosjeje të ecë me ritmet e parashikuara.

“Për të avancuar sa më shpejt me shqyrtimin dhe përfundimin e çdo dosjeje, është e rëndësishme që banorët të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm”, thekson Kadastra, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe duke i ftuar ata që ende nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin ta plotësojnë sa më parë.

/e.xh/j.p/

The post 263 vendime të miratuara, Kadastra vijon shqyrtimin e 500 dosjeve në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QSUT, tre shërbime të specializuara bashkohen në godinën e re të Kardiokirurgjisë

TIRANË, 20 korrik /ATSH/  Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijon puna për përfundimin e mobilimit dhe instalimin e pajisjeve mjekësore në godinën e re të Kardiokirurgjisë, Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezi-Reanimacionit, një investim që synon të rrisë kapacitetet e shërbimeve të specializuara dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.

Godina e re do të integrojë tre shërbimet në një hapësirë moderne, ku do të zhvillohen njëkohësisht aktiviteti klinik, edukimi universitar dhe praktika mësimore.

Drejtoresha e QSUT-së Rudina Degjoni, e cilësoi projektin një nga investimet më të rëndësishme për sistemin spitalor.

“Ky është një investim i rëndësishëm që bashkon në një godinë tre shërbime të specializuara, Kardiokirurgjisë, Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezi-Reanimacionit. Krahas infrastrukturës moderne, kemi investuar edhe në teknologji dhe pajisje bashkëkohore, të cilat do të rrisin cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Ky projekt rrit kapacitetet tona, si në sallat e operacionit, ashtu edhe në terapinë intensive, duke ofruar kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor”, u shpreh ajo.

Sipas saj, investimi do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së formimit të mjekëve të rinj, pasi godina do të shërbejë edhe si qendër për mësimdhënie dhe zhvillim profesional.

Nga ana e tij, shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë theksoi se zgjerimi i infrastrukturës dhe shtimi i një salle të re operative pritet të rrisë me rreth 15% numrin e ndërhyrjeve kardiake.

Godina e re ka një kapacitet prej 34 shtretërish, ndërsa shërbimi i Anestezi-Reanimacionit do të ofrojë kushte më të avancuara për kujdesin intensiv pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sipas ekipit mjekësor, synimi është zgjerimi i ndërhyrjeve mini-invazive në zemër dhe krijimi i një qendre të konsoliduar kardiokirurgjikale, e cila në të ardhmen do të jetë e gatshme edhe për kryerjen e transplanteve të zemrës, pas miratimit të kuadrit ligjor përkatës.

Drejtoresha Degjoni bëri të ditur gjithashtu se falë këtij investimi flotës së pajisjeve mjekësore i janë shtuar teknologji të reja bashkëkohore, ndërsa falë autonomisë spitalore, edhe buxheti i institucionit pritet të rritet, duke krijuar më shumë mundësi për investime të reja në shërbim të pacientëve.

/e.xh/j.p/

The post QSUT, tre shërbime të specializuara bashkohen në godinën e re të Kardiokirurgjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bregu: Pagesat me kartë tejkaluan tërheqjet cash

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, deklaroi se zbatimi i pagesave të menjëhershme (instant payments) do ta bëjë sistemin e pagesave më të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset, duke përshpejtuar më tej digjitalizimin e pagesave në vend.

Në një prononcim për mediet Bregu tha se në 3-mujorin e parë të këtij viti për herë të parë, pagesat me kartë në terminalet POS kanë tejkaluar tërheqjet e parasë cash në ATM, ndërsa zgjerimi i pagesave elektronike dhe zbatimi i pagesave të menjëhershme pritet ta bëjnë sistemin e pagesave edhe më të shpejtë, më efikas dhe më të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset.

Sipas saj, hyrja në fuqi gjatë tremujorit të fundit e detyrimit për pajisjen me terminale POS edhe të subjekteve që operojnë në sektorët e turizmit dhe transportit ka dhënë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e përdorimit të këtyre instrumenteve të pagesës.

Numri i terminaleve POS është rritur me mbi 6 mijë njësi, duke u dyfishuar krahasuar me periudhën e mëparshme. Bregu theksoi se pagesat me kartë janë ndër instrumentet më të shpejta dhe me kosto më të ulët, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë, krahasuar me përdorimin e parasë fizike.

Të dhënat tregojnë se pagesat me kartë janë rritur me 33% në numër dhe me 22% në vlerë, duke arritur në rreth 6,7 milionë transaksione me një vlerë prej afro 28 miliardë lekësh.

Bregu bëri të ditur gjithashtu se numri i transaksioneve bankare për frymë është rritur me 30%, duke reflektuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve elektronike të pagesave.

Në vijim të reformës së tregut të pagesave, ajo njoftoi se në nëntor të këtij viti edhe institucionet financiare që nuk janë banka do të bëhen pjesë e sistemit të pagesave të menjëhershme, një zhvillim që pritet të rrisë konkurrencën, të zgjerojë ofertën e shërbimeve dhe të përmirësojë më tej aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në pagesat elektronike.

/e.xh/j.p/

The post Bregu: Pagesat me kartë tejkaluan tërheqjet cash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK rriti me 31,7% të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) vijon të shënojë rezultate pozitive në administrimin e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e siguruara nga qiradhënia e tyre.

Gjatë periudhës janar–qershor 2026, të ardhurat nga qiradhënia arritën në 131.5 milionë lekë, krahasuar me 99.8 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej 31.7 milionë lekësh, ose 31.7% më shumë në raport me një vit më parë.

Rritja e të ardhurave është rezultat i administrimit më efikas të portofolit të pasurive, zgjerimit të pasurive të dhëna me qira, si dhe ndjekjes së një politike aktive për maksimizimin e vlerës ekonomike të aseteve që administrohen nga Agjencia.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, të ardhurat mujore nga qiradhënia kanë qenë vazhdimisht më të larta se në të njëjtët muaj të vitit 2025, duke reflektuar një trend të qëndrueshëm rritës. Në muajin qershor, të ardhurat arritën në rreth 22.9 milionë lekë, kundrejt 18.2 milionë lekëve në qershor 2025.

AAPSK mbetet e angazhuar për të garantuar administrimin transparent, profesional dhe efikas të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me synimin që këto asete të gjenerojnë të ardhura në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Rritja e vazhdueshme e të ardhurave nga qiradhënia konfirmon se administrimi aktiv i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është një instrument i rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e vlerës së tyre, por edhe për krijimin e të ardhurave që mbështesin financimin e institucioneve ligjzbatuese dhe projekteve me interes publik.

/e.xh/j.p/

The post AAPSK rriti me 31,7% të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, ndryshimet përgatisin kuadrin ligjor për anëtarësimin në BE

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Shqipëria po ndërmerr një tjetër hap në procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, përmes projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili përcakton kuadrin ligjor që do të zbatohet në rast të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe përmbushjes së kritereve për t’u bërë pjesë e Eurozonës.

Projektligji synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian, forcimin e pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë, si dhe konsolidimin e stabilitetit financiar, në përputhje me standardet europiane.

Agjencia për Media dhe Informim, bën të ditur se, ndryshimet e propozuara krijojnë bazën ligjore për funksionimin e Bankës së Shqipërisë në kuadër të Sistemit Europian të Bankave Qendrore, pasi vendi të anëtarësohet në BE dhe të plotësojë kriteret e konvergjencës ekonomike.

“Projektligji ka karakter përgatitor dhe nuk nënkupton adoptimin e menjëhershëm të monedhës euro”, thekson MIA, teksa nënvizon se, kalimi në euro do të realizohet vetëm pasi Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara për anëtarësimin në Eurozonë.

Sipas MIA-s, projektligji përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, duke synuar përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional të vendit me standardet e Bashkimit Europian.

e.xh/j.p/

The post Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, ndryshimet përgatisin kuadrin ligjor për anëtarësimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌