Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Avokati i Popullit: Nëse nëna me foshnjë nuk lirohet nesër, kemi shkelje procedurale

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ – Një grua, e cila po udhëtonte nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” së bashku me foshnjën e saj 1-vjeçare, është arrestuar nga policia, pasi ndaj saj rëndon një dënim për dhunë në familje, akuzë e ngritur nga vjehrri i saj.

Pas arrestimit, gruaja dhe foshnja e saj po mbahen në burgun e Pojskës.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i cili ka inspektuar kushtet në të cilat ndodhet gruaja.

Ai tha se ajo duhet të lirohet nesër dhe se, nëse kjo nuk ndodh, do të kemi të bëjmë me shkelje të procedurave.

“Që kur jemi vënë në dijeni nga gazetarja Anila Hoxha, kemi nisur verifikimet dhe kemi dërguar një grup për të shqyrtuar fazën e parë, ku dyshojmë se kemi të bëjmë me shkelje të procedurës, pasi një nënë me fëmijë në gji është mbajtur për 72 orë në Bllokun e Sigurisë, edhe pse ndaj saj kishte dalë një vendim i formës së prerë. Kjo ka qenë e panevojshme.

Ndërkohë, kemi inspektuar edhe kushtet ku po mbahen nëna dhe fëmija në burgun e Pojskës. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet dhe i kemi paraqitur kërkesë edhe gjykatës. Në bindjen time, nëna do të lirohet nesër. Nëse kjo nuk ndodh, do të jemi përballë shkeljeve procedurale, pasi një nënë me fëmijë në gji nuk mund të mbahet në burg për veprën penale për të cilën është dënuar”, tha Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit ndau dhe pamje nga vendi ku po qendron gruaja.

1 nga 3

The post Avokati i Popullit: Nëse nëna me foshnjë nuk lirohet nesër, kemi shkelje procedurale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Betonierja bie nga mbikalimi në Tiranë, humb jetën një person

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në afërsi të një qendre tregtare, në dalje të Tiranës.

Një betoniere, e cila ndodhej në mbikalimin e një prej nyjeve të Unazës së Madhe, dyshohet se ka goditur një automjet që lëvizte përpara saj. Më pas, mjeti ka rënë nga mbikalimi, duke shkaktuar humbjen e jetës së një prej dy personave që ndodheshin tek betonierja.

Policia e Tiranës në një njoftim paraprak sqaron se:

Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Foto nga mediat

…Vijon

The post Betonierja bie nga mbikalimi në Tiranë, humb jetën një person appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkura sjell reshje shiu dhe erëra në zonat bregdetare

TIRANE, 21 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e mërkurë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht në jug dhe alternime vranësirash mesatare e lokalisht të dendura. Vranësirat në orët e para të mëngjesit do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në veri e qendër, shtrëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike. Prej orëve të mesditës deri pasdite vonë reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët, përgjatë relieveve malore nuk do të mungojnë reshje në formën e shtrëngatave afatshkurta në orët e pasdites në formën e shtrëngatave afatshkurta.

Era do të fryjë me drejtim kryesor  verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s,ndërsa në bregdet në veriperëndim hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 16m/s.

Valëzimi në dete parashikohet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 16/32 Diell re shi
Kukës 22/33 Diell re shi
Lezhë 20/32 Diell re shi
Dibër 16/30 Diell re shi
Durrës 19/32 Diell re shi
Tiranë 23/35 Diell re shi
Elbasan 23/35 Diell re shi
Berat 18/35 Diell re shi
Vlorë 20/34 Diell re
Korçë 17/33 Diell re
Gjirokastër 16/36 Diell re
Sarandë 21/32 Diell re

 

 

 

 

The post E mërkura sjell reshje shiu dhe erëra në zonat bregdetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Duka uron Presidentin e Federatës Spanjolle për triumfin historik në Kupën e Botës 2026

TIRANE, 21 korrik/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, pas suksesit historik të Spanjës, që u shpall kampione e Kupës së Botës 2026.

Në mesazhin e tij, Presidenti Duka vlerëson paraqitjen e jashtëzakonshme të përfaqësueses spanjolle gjatë gjithë turneut, duke theksuar se ky triumf ishte plotësisht i merituar dhe një dëshmi e cilësisë, punës dhe vizionit të futbollit spanjoll.

“Urime për fitimin e Kupës së Botës FIFA 2026! Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe një triumf plotësisht i merituar. Spanja tregoi futbollin më të mirë gjatë gjithë turneut dhe fitoi me meritë trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror”, – shprehet Presidenti Duka në mesazhin e tij

Në vijim, Presidenti i FSHF-së i uron Federatës Spanjolle suksese të mëtejshme, duke vlerësuar punën e bërë në zhvillimin e futbollit dhe rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare.

“Ju uroj juve, ekipit kombëtar dhe gjithë futbollit spanjoll suksese të mëtejshme në vitet që vijnë”, – përfundon mesazhi i Presidentit Duka.

The post Duka uron Presidentin e Federatës Spanjolle për triumfin historik në Kupën e Botës 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stuhi në komunën e Suharekës, dëme në qytet dhe fshatra

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Një stuhi e fortë e përfshiu Komunën e Suharekës, duke shkaktuar dëme në qytet dhe në disa fshatra përreth.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj,  doli në terren dhe publikoi disa fotografi në Facebook, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të motit.

“Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes”, shkroi ai.

/KosovaPress/

The post Stuhi në komunën e Suharekës, dëme në qytet dhe fshatra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE kritikon vendimin e Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë riintegrimin

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Bashkimi Evropian kritikoi vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i bllokut evropian tha se vendimi i Haxhiut, por edhe i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk “duket të jenë në përputhje me ligjin”, duke kujtuar se prokurorët veçse kishin njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, tha zëdhënësi i BE-së.

Më herët gjatë ditës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi këtë javë kërkesën e prorkurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

/Kosovapress/

The post BE kritikon vendimin e Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë riintegrimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve, Roka: Aplikuesit do të asistohen nga fillimi i procedurave deri në finalizimin e marrëveshjeve

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ – Drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, e pranishme në takimin e Kryeministrit Edi Rama me banorët e Thethit, ku u diskutua mbi Paketën e Maleve, deklaroi se asistenca e Agjencisë që ajo drejton do të jetë e pranishme që nga momenti i parë i aplikimit deri në finalizimin e marrëveshjes mes pronarëve dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Roka u bëri apel aplikuesve të Paketës së Maleve që t’u qëndrojnë besnikë projekteve të paraqitura në aplikim, pasi ligji nuk lejon ndryshime të projektit gjatë zbatimit dhe çdo devijim do të konsiderohet shkelje ligjore.

“Duam të vijojmë me një lehtësi shumë të madhe për të gjithë ata që aplikojnë për Paketën e Maleve. Pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, e cila funksionon si sekretariat me qëllim koordinimin e të gjithë procedurës dhe lehtësimin sa më shumë të saj, qoftë edhe për nënshkrimin e marrëveshjes me ministrin dhe më pas certifikimin, kemi ngritur një strukturë të dedikuar për ju.

Qëllimi është që të merrni lejet përkatëse brenda një afati kohor proceduralisht në favorin tuaj. Kemi përcaktuar një afat për secilin aplikant që plotëson dokumentacionin, i cili do të jetë i asistuar nga ne. Kemi pasur kërkesa dhe takime me grupe zhvilluesish nga Vau i Dejës dhe zona të tjera, ku kemi dëgjuar problematikat tuaja, jo vetëm për hartimin e projektit, i cili duhet të jetë cilësor, por edhe për procesin vijues të pajisjes me leje”, tha Roka.

Ajo theksoi se aplikuesit duhet të tregojnë kujdes gjatë hartimit të projekteve, pasi ato duhet të përputhen me zbatimin përfundimtar.

“Shumë prej jush që keni aplikuar, ndoshta të orientuar gabimisht nga arkitektët lokalë, ju kërkojmë që të na lejoni t’ju ndihmojmë. Ligji ju lejon të aplikoni drejtpërdrejt për lejen e ndërtimit. Asistenca jonë do të jetë në të gjitha hallkat e tjera.

Do të asistoheni nga Agjencia për marrjen e të gjitha autorizimeve dhe për t’u pajisur me leje. Projekti në AZHT duhet të jetë i njëjtë me atë që do të aplikohet dhe realizohet, pasi kemi pasur raste të ndryshimeve që për ju mund të duken të vogla, por që ligji nuk i lejon.

Kemi arkitektë dhe një pjesë të stafit të Agjencisë që do t’ju asistojnë deri në momentin kur do të nënshkruani marrëveshjen me Ministrinë e Ekonomisë”, përfundoi Roka.

The post Paketa e Maleve, Roka: Aplikuesit do të asistohen nga fillimi i procedurave deri në finalizimin e marrëveshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga pezullimi te kthimi, ja çfarë kërkon SHBA nga Kosova për dialogun strategjik

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin hapa konkretë nga Kosova për të çpezulluar dhe nisur sërish, më pastaj, dialogun strategjik me njëra-tjetrën.

Sipas përfaqësisë së SHBA-së në Prishtinë, gjithçka do të varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme dhe nga funksionalizimi i plotë i institucioneve në vend, ndërsa që potencohet, po ashtu, edhe përmbushja e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.

Në një përgjigje për KosovaPress, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë thotë se ekziston potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si energjia, siguria kibernetike, mbrojtja, infrastruktura dhe teknologjia.

Megjithatë, ai rikujton se dialogu strategjik SHBA–Kosovë u pezullua në mënyrë të pacaktuar në shtator të vitit 2025 për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë.

“Ne presim që të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura. Ekziston një mundësi e madhe për zgjerimin e marrëdhënieve tona dypalëshe në shumë fusha që do të përfitonin nga kuadri i një dialogu strategjik, nga energjia dhe siguria kibernetike te bashkëpunimi në mbrojtje, zhvillimi i infrastrukturës dhe sektori i teknologjisë. Një bashkëpunim i tillë i thelluar kërkon që të gjitha institucionet qeverisëse të jenë plotësisht të konstituuara dhe funksionale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. ” Shtetet e Bashkuara pezulluan në mënyrë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria në detyrë. Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”.

KosovaPress ka dërguar pyetje te qeveria në detyrë, në lidhje me atë se çfarë hapa konkretë ka bërë Kosova për të kthyer diskutimet për dialogun strategjik me SHBA-në. Përgjigje nuk mori, që nga e hëna.

/Kosovapress/

The post Nga pezullimi te kthimi, ja çfarë kërkon SHBA nga Kosova për dialogun strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria nën ndikimin e motit të nxehtë, temperaturat deri në 40°C

TIRANË, 19 korrik/ATSH/Vendi ynë ditën e diel do  të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me mot të kthjellët e të nxehtë në të gjithë vendin.

Shërbimi meteorologjik ushtarak njofton se vranësirat do të jenë të pakta kalimtare në male në veri.

Era parashikohet të fryjë me drejtim nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare 6 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër 23/37 Diell pak re

Kukës 20/35 Diell pak re

Lezhë 21/36 Diell

Dibër 18/35 Diell re

Durrës 22/37 Diell

Tiranë 25/39 Diell pak re

Elbasan 24/40 Diell pak re

Berat 18/40 Diell

Vlorë 22/37 Diell

Korçë 19/34 Diell re

Gjirokastër 19/40 Diell

Sarandë 23/37 Diell

 

The post Shqipëria nën ndikimin e motit të nxehtë, temperaturat deri në 40°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Tatimet” arkëtojnë 236.1 miliardë lekë në 6 muaj, 11% më shumë se një vit më parë

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Administrata Tatimore, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, arkëtoi 236.1 miliardë lekë të ardhura neto, 3.2% mbi planin dhe 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në një publikim në rrjetet sociale, Administrata Tatimore bën të ditur se rezultati i arritur ka ardhur si rezultat i masave të ndërmarra nga ky institucion, të cilat po japin rezultate pozitive.

“Masat e ndërmarra nga Administrata Tatimore vijojnë të japin rezultate pozitive në mbledhjen e të ardhurave.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026 u arkëtuan 236.1 miliardë lekë të ardhura neto, 3.2% mbi planin dhe 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rezultatet pasqyrojnë efektivitetin e masave për forcimin e administrimit tatimor, rritjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve dhe luftën kundër evazionit fiskal”, thuhet në njoftim.

/a.f/

The post “Tatimet” arkëtojnë 236.1 miliardë lekë në 6 muaj, 11% më shumë se një vit më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu: Datën e seancës konstituive e caktoj javën e ardhshme

PRISHTINË, 17 korrik /ATSH/ Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u zotua sot se “javën e ardhshme do ta bëj të ditur ditën dhe orën e saktë për mbajtjen e seancës konstituive, në mënyrë që të jenë të pranishëm të gjithë 120 deputetët ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Ajo, bëri me dije se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë këtë seancë, ashtu siç e parashikohet në afatin prej 30 ditësh.

“Duke pasur parasysh që në momentin kur Kuvendi i Republikës së Kosovës konstituohet, e duke i pasur parasysh numrat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai do të konstituohet, pra nuk do ta kemi problemin e fillimit të vitit apo të prillit të vitit të kaluar, pra duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Haxhiu tha se zgjedhjet eventuale nuk do të ishin të mira as për qytetarët e Republikës së Kosovës e as për subjektet politike apo individë përbrenda subjekteve politike. Prandaj tha se i përkra bisedimet e iniciuara nga partia fituese e zgjedhjeve.

“Prandaj, si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotin Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa patur takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime është rruga për të patur një marrëveshje”, tha ajo.

/Kosovapress/

The post Haxhiu: Datën e seancës konstituive e caktoj javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vrasja e efektivit Santiago Malko, Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot të lërë në fuqi vendimin për dënimin me 28 vite burg të Ilir Selmanit, i cili u shpall fajtor për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët e caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Dritan Hasani (kryesues), Miranda Andoni (anëtare) dhe Arbër Çela (anëtar), sot, më 17.07.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 23, të regjistruar më 16.02.2026. Kjo çështje u regjistrua pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 48, datë 16.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit të saj për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues, mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri Ilir Selmani kundër vendimit nr. 28, datë 03.05.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 28, datë 03.05.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin Ilir Selmani.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit. Vendimi u shpall në Tiranë, sot, më 17.07.2026.

Çështja u rigjykua në Apelin e Posaçëm pas vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë. Me vendimin e dhënë, Ilir Selmani do të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin me 28 vite burg, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 19 qershor, ndryshimin e masës së sigurisë për Ilir Selmanin. Apeli i GJKKO-së caktoi masën “arrest në shtëpi”, duke urdhëruar që ai të qëndrojë në banesën e tij në Tiranë nën mbikëqyrje të policisë gjyqësore.

Selmani ishte dënuar më 16 nëntor 2023 nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 28 vite burg për vrasjen e ish-policit, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Sipas vendimit të atëhershëm të gjykatës, Selmani (pjesë e grupit të njohur si “Klani Duka”), së bashku me një person tjetër kishte mbajtur nën vëzhgim Malkon para vrasjes.

/a.f/

The post Vrasja e efektivit Santiago Malko, Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E diel me mot të kthjellët dhe temperatura vere në të gjithë vendin

TIRANË, 5 korrik /ATSH/Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me mbizotërim të motit të kthjellët në të gjithë territorin.

Era do të fryjë e me drejtim kryesor veriperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8m/s, ndërsa në lugina, male dhe bregdet, kryesisht veriperëndim era pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 18/33 Diell
Kukës 14/30 Diell
Lezhë 17/33 Diell
Dibër 12/30 Diell
Durrës 19/34 Diell
Tiranë 20/35 Diell
Elbasan 19/35 Diell
Berat 17/35 Diell
Vlorë 20/34 Diell
Korçë 13/28 Diell
Gjirokastër 15/35 Diell
Sarandë 20/34 Diell

 

 

The post E diel me mot të kthjellët dhe temperatura vere në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në një njoftim për mediet, KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.

“KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës. Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare.

Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim. “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces”.

Po ashtu, “KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin”, vijon njoftimi

“Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ. Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare”, thuhet në njoftim

“KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë”, lexohet në njoftim.

Në këtë kuadër, KShH u bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

“Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm; Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar”, përfundon njoftimi.

The post Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova hap dy skema të reja grantesh për bizneset, mbi 1.5 milion euro në dispozicion

PRISHTINË, 3 korrik /ATSH/ Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe me mbështetjen e Luksemburgut, ka çelur dy skema të reja grantesh, të destinuara për të nxitur inovacionin teknologjik, tranzicionin energjetik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve mikro, të vogla, të mesme dhe bizneseve startup në Kosovë.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema e granteve për inovacion synon të mbështesë zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi fazën e dytë të skemës së granteve për energji të pastër, e cila mbështet investimet në burime të ripërtëritshme të energjisë, efiçiencën e ndërtesave dhe modernizimin e pajisjeve të prodhimit.

I ngarkuari me punë i Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se të dyja skemat janë pjesë e përpjekjeve për të mbështetur transformimin teknologjik dhe energjetik të sektorit privat.

Bizneset që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë për të dyja skemat përmes platformës e-Kosova.

/KosovaPress/

The post Kosova hap dy skema të reja grantesh për bizneset, mbi 1.5 milion euro në dispozicion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë

PRISHTINË, 30 qershor /ATSH/ Gjykata në Prishtinë e ka dënuar të premten me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ’99.

Bajroviq u shpall fajtor përsëri për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatrat tjera përreth të Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.

Ai u dënua në rigjykim pasi rasti kundër tij ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.

Gjykata Themelore e kishte dënuar me 12 vjet burgim atë edhe në korrik të vitit 2024 dhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar atë aktgjykim duke e hedhur poshtë ankesën e palës mbrojtëse më 2025.

Megjithatë, Gjykata Supreme e pranoi ankesën e mbrojtjes më 2025 dhe e rrëzoi aktgjykimin ndaj Bajroviçit, duke thënë se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se për këtë rast kishin dhënë deklarata edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por ato nuk ndodheshin në shkresat e lëndës.

Gjykata kishte vlerësuar se këto deklarata duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.

Bajroviq ka të drejtë ankese edhe ndaj dënimit të tanishëm në shkallë të parë.

Për çfarë krimesh u dënua Bajroviçi?

Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, Bajroviç mori pjesë në një aksioni të forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat e Istogut, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.

Bajroviq i ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan ata në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të kombësisë shqiptare”, sipas gjykatës.

Po ashtu, sipas gjykatës, më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të kombësisë shqiptare, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.

Ndërsa, më 8 maj 1999, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe” i akuzuari Bajroviç.

Bajroviqit, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Gjykata në Prishtinë i dënon me burgim dy persona për krime lufte në Kosovë më 1999

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

/REL/

The post Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i paqëndrueshëm të premten, priten reshje lokale shiu

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se vendi ynë ditën e sotme do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet fillimisht kthjellët ndërsa më pas gradualisht pritet shtim vranësirash mesatare e hera-herës deri të dendura të cilat do të shoqërohen me reshje shiu lokale në pjesën më të madhe të territorit, por dhe shtrëngata të izoluara, kryesisht në relievet malore.

Era parashikohet të fryjë e me drejtim kryesor veriperëndim-perëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në lugina, male dhe bregdet, kryesisht veriperëndim era pritet të fitojë shpejtësi deri 14 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 21/34 Diell re shi
Kukës 18/31 Diell re shi
Lezhë 23/34 Diell re
Dibër 16/30 Diell re shi
Durrës 23/34 Diell re
Tiranë 24/35 Diell re shi
Elbasan 23/36 Diell re shi
Berat 22/36 Diell re shi
Vlorë 23/34 Diell re
Korçë 15/29 Diell re shi
Gjirokastër 19/35 Diell re shi
Sarandë 23/34 Diell re

/r.e/

The post Mot i paqëndrueshëm të premten, priten reshje lokale shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Thaçi mesazh për qytetarët e Kosovës

PRISHTINË, 2 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me presidentin Hashim Thaçi, nga i cili ka përcjellë një mesazh për qytetarët e Kosovës.

Përmes një postimi, Hamza tha se Thaçi i ka kërkuar t’ua përcjellë të gjithëve përshëndetjet e tij më të përzemërta.

“Presidenti Hashim Thaçi më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve. Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.

Në fund të postimit, kryetari i PDK-së ka shtuar edhe mesazhin: “Dielli do të lindë përsëri!”, duke e përmbyllur me fjalët: “Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”.

/KosovaPress/

The post Thaçi mesazh për qytetarët e Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të shpallet më 16 shtator

PRISHTINË, 1 korrik/ATSH/ Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

Në një njoftim për medie, gjykata tha se trupi gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e aktgjykimit për 16 shtator 2026, në orën 10:00.

“Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtynte këtë afat deri më 20 korrik 2026 dhe tani vendosi përfundimisht për 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara. /REL/

The post Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të shpallet më 16 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Thaçit: Specialja sapo miratoi një apel tjetër të Prokurorisë, apelet tona janë refuzuar

PRISHTINË, 1 korrik/ATSH/ Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi në një postim në X se Apeli i Gjykatës Speciale sapo miratoi edhe një apel tjetër të Prokurorisë.

Ai vuri në dukje se të gjitha apelet e Prokurorisë janë miratuar, ndërsa të gjitha apelet e palës mbrojtëse janë refuzuar nga Paneli i Apelit.

“Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit për mosrespektim të gjykatës sapo miratoi edhe një apel tjetër të Prokurorisë. Bilanci aktual në dy çështjet e tij që janë ende në shqyrtim: Apele të Prokurorisë: 3 nga 3 të miratuara (100% sukses), Apele të Mbrojtjes: 44 nga 44 të refuzuara (100% dështim)”, shkroi ai.

Avokati tha se Gjykata Speciale duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi pas përfundimit të mandatit të saj, duke vënë në dyshim drejtësinë e kësaj gjykate.

“Kur Dhomat e Specializuara të Kosovës t’i nënshtrohen një vlerësimi të pashmangshëm pas përfundimit të mandatit të tyre, drejtësia gjyqësore do të jetë një nga temat kryesore të debatit”, shkroi ai.

/KosovaPress/

The post Avokati i Thaçit: Specialja sapo miratoi një apel tjetër të Prokurorisë, apelet tona janë refuzuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌