Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të djeshëm të  Këshillit Prokurorial të Kosovës për refuzimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

Haxhiu  theksoi se ky veprim është ndërmarrë në zbatim të vendimit të institucionit kompetent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

 

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, shkroi ajo në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë  prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit./KosovaPress/

 

The post Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Conference League, Dinamo City mëson rivalin e mundshëm të raundit të tretë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Dinamo City ka mësuar emrin e kundërshtarit të mundshëm të raundit të tretë të UEFA Conference League.

Në shortin e hedhur mesditën e sotme në Nion, skuadra shqiptare mësoi se do të përballet me fituesin e çiftit FCSB – Auda, nëse arrin të eliminojë sllovenët e NK Aluminij në raundin e dytë.

Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja do ta luajë ndeshjen e parë ndaj NK Aluminij në transfertë, më 23 korrik, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 30 korrik, në orën 21:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në rast kualifikimi, Dinamo City do të përballet me fituesin e çiftit FCSB – Auda. Ndeshja e parë e raundit të tretë është planifikuar të luhet më 6 gusht, ndërsa ajo e kthimit më 13 gusht.

/gj.m/j.p/

The post Conference League, Dinamo City mëson rivalin e mundshëm të raundit të tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla pret përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Zvicër: Diaspora, vlerë e çmuar për vendin

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë, Altin Markun, përfaqësues të diasporës shqiptare në Zvicër dhe drejtues i platformës “Fol Shqip Show”, e cila promovon historitë e suksesit të shqiptarëve në diasporë.

Gjatë takimit, Balla shprehu vlerësimin për kontributin e diasporës në forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe promovimin e imazhit të vendit jashtë kufijve.

Balla falënderoi Altin Markun për punën e tij në evidentimin e figurave të suksesshme shqiptare përmes platformës “Fol Shqip Show”, duke e cilësuar këtë një nismë me vlerë për komunitetin shqiptar dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

/gj.m/j.p/

The post Balla pret përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Zvicër: Diaspora, vlerë e çmuar për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KILI – 10 viktima dhe mbi 100 mijë persona të izoluar për shkak të stuhisë

21 July 2026 at 10:41

SANTIAGO, 21 korrik /ATSH-AFP/ – Një stuhi e fuqishme që ka goditur Kilin ka shkaktuar të paktën 10 viktima, ndërsa rreth 100 mijë persona kanë mbetur të izoluar për shkak të ndërprerjes së rrugëve të komunikimit.

Përballë situatës së rëndë, qeveria ka shpallur gjendjen e katastrofës dhe ka angazhuar ushtrinë në operacionet e shpëtimit.

Stuhia, e cila nisi më 15 korrik, ka prekur veçanërisht rajonet veriore të Coquimbo dhe Atacamas, zona ku reshjet e dendura janë jashtëzakonisht të rralla.

Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Emergjencave (Senapred), Alicia Cebrián, bëri të ditur se deri tani janë konfirmuar 10 të vdekur, katër persona të zhdukur dhe 17 të plagosur, ndërsa 2 422 banorë janë prekur drejtpërdrejt nga katastrofa. Bilanci i mëparshëm gjatë ditës raportonte vetëm pesë viktima.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se rreth 2 200 banesa janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Dalja nga shtrati e lumenjve ka ndërprerë rrugët që lidhin shumë fshatra, duke lënë të izoluara mbi 100 mijë persona.

Në zonat rurale të Coquimbo-s, rreth 460 kilometra në veri të Santiagos, ushtria përdori traktorë për të shpëtuar banorët e bllokuar nga përmbytjet, ndërsa disa persona u evakuuan me helikopter nga çatitë e shtëpive të tyre.

Guvernatori i Coquimbo-s, Cristobal Julia, deklaroi se lagje të tëra janë mbuluar nga balta dhe uji. Sipas tij, shumë familje kanë humbur shtëpitë dhe pasuritë e tyre, ndërsa banorët ndodhen në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të katastrofës.

Presidenti i Kilit, Jose Antonio Kast, shpalli gjendjen e katastrofës në një pjesë të veriut të vendit. Ky vendim lejon dislokimin e ushtrisë, kufizimin e lëvizjes në zonat e prekura dhe përshpejtimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare për komunitetet e goditura nga stuhia. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KILI – 10 viktima dhe mbi 100 mijë persona të izoluar për shkak të stuhisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Hapja e Liceut Francez të Korçës do të ushqejë linjën e universiteteve me profile teknike e shkencore

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vizitoi mjediset e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, në një bisedë të hapur për sfidat e ndërkombëtarizimit dhe ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë. Gjatë takimit ku u shoqërua nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministrja Kumbaro bisedoi me rektorin e Universitetit “Fan Noli” Lorenc Ekonomi, dekanët e fakulteteve, si dhe pedagogë e stafin akademik mbi ndryshimet në draftin për ligjin e rishikuar të arsimit të lartë, si dhe përparësitë e hapjes së Liceut Francez të Korçës me orientim shkencor e teknologjik.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, siç është rishikimi i Ligjit të Arsimit, punë e cila ka filluar që në Nëntor të vitit 2025, kur Ministria e Arsimit u është drejtuar përmes një letre të gjitha universiteteve shqiptare, publike dhe jopublike për t’iu kërkuar mendime, opinione dhe sugjerime lidhur me efikasitetin dhe aktualitetin e ligjit ekzistues. Ka kaluar një periudhë dhjetëvjeçare që nga ligji i vitit 2015, gjatë së cilës të gjitha universitetet kanë pasur përvojat dhe sugjerimet e tyre, por edhe mundësi të konstatojnë se ku ky ligj ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe standardeve, por edhe për të përmirësuar aspekte të ndryshme ligjore që ndryshojnë dhe bëjnë më cilësore jetën e arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

“Dua të theksoj që nuk bëhet fjalë për një ligj të ri, por për një rishikim të disa aspekteve të ligjit ekzistues,  në radhë të parë me ndërkombëtarizimin, i cili është sfida e të gjithë universiteteve, përfshirë edhe Universitetin e Korçës, në shumë nivele. Nuk jemi ende në draftin përfundimtar të rishikimit të ligjit dhe dua të theksoj se nuk bëhet  fjalë për një ligj të ri, si sugjerim i të gjithë Universiteteve, përfshirë edhe universitetin e Korçës”, tha ministrja Kumbaro.

Më tej, ajo tha se ky universitet është model i një programi investimi dhe filozofie në gjithë qarkun e Korçës, me synimin për t’u kthyer në një pol ndërkombëtar dijeje, ndërsa hapja e liceut francez të Korçës do të ushqejë linjën e universiteteve me profile teknike e shkencore.

“Universiteti i Korçës  është pjesë e një ekosistemi arsimor shumë të rëndësishëm, si model i një programi investimi dhe filozofie në qarkun e Korçës, ku universiteti, me zhvillimin që do të marrë si një pol dijeje duke u bërë pikë atraktive e universiteteve ndërkombëtare, bashkë me investimin për  liceun francez të Korçës  i cili do të jetë një lice me orientim teknologjik dhe shkencor, e do të jetë një bazë shumë e mirë për të ushqyer linjën  e Universitetit të Korçës si dhe universitetet e tjera me profile tekniko-shkencore të teknologjisë së informacionit e kështu me radhë”, vijoi Kumbaro.

Gjatë vizitës në Korçë, ajo inspektoi edhe punimet në shkollën 9-vjeçare “Sotir Gurra” e cila do të hapë dyert e rikonstruktuar në vitin e ri shkollor për më shumë se 600 nxënës.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro: Hapja e Liceut Francez të Korçës do të ushqejë linjën e universiteteve me profile teknike e shkencore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paketa e Maleve zhvillon zonat malore me investime në harmoni me natyrën

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj kritikave dhe kërkesave për shfuqizimin e Paketës së Maleve duke theksuar se nisma synon t’u japë mundësi banorëve të zonave malore të zhvillojnë pronat e tyre dhe të tërheqin investime.

Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Rama u shpreh se Paketa e Maleve nuk parashikon shitjen e maleve, por krijon mundësi për ata që kanë trashëguar prona ose që prej vitesh mirëmbajnë pemëtore e sipërfaqe bujqësore, por nuk kanë mundur të pajisen me dokumentacionin përkatës.

“Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë”, tha Rama.

Sipas tij, paketa u krijon mundësi qytetarëve të pajisen me leje për aktivitete agropërpunimi dhe investime në turizëm, duke e kthyer pronën në një aset ekonomik.

Kryeministri theksoi se mijëra emigrantë kanë shprehur interes për të investuar në zonat malore dhe se turizmi do të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Ai shtoi se Paketa e Maleve është rezultat i konsultimeve dhe përpjekjeve të gjata me komunitetet lokale, duke kundërshtuar pretendimet se ajo cenon pronësinë.

“Nuk kam parë ndonjë komunitet që preket nga kjo paketë të thotë se po i merren pronat. Ata mezi e presin”, u shpreh Rama.

Duke iu përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale që shkruante “Zvicra e vogël do bëhet, se s’bën”, Rama tha se zhvillimi i zonave malore arrihet duke u krijuar mundësi banorëve të investojnë në harmoni me natyrën.

“Bëhet pikërisht duke u dhënë mundësi njerëzve që të investojnë në harmoni me natyrën dhe të krijojnë mirëqenie pa qenë të detyruar t’i braktisin ato male”, deklaroi ai.

Rama komentoi edhe kritikat dhe komentet në rrjetet sociale, duke u shprehur se ato nuk ndikojnë tek ai, por, sipas tij, “i bëhen shëndet e forcë”.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Paketa e Maleve zhvillon zonat malore me investime në harmoni me natyrën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Mbi një milion tifozë presin kampionët e botës në futboll

21 July 2026 at 10:05

MADRID, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Mbi një milion njerëz mbushën dje në mbrëmje rrugët e Madridit për të pritur kombëtaren e Spanjës, e cila u shpall kampione e botës pas triumfit në Kupën e Botës të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Futbollistët festuan mbi një autobus të hapur, duke kënduar, vallëzuar dhe ngritur lart trofeun e Kupës së Botës ndërsa kalonin nëpër qendrën e qytetit.

Vetëm në sheshin “Cibeles”, autoritetet vlerësuan se ishin mbledhur rreth 120 mijë tifozë, ku festimet arritën kulmin.

Heroi i finales, sulmuesi Ferran Torres, autor i golit të fitores 1-0 ndaj Argjentinës pas kohës shtesë, u shpreh para paradës se “ishte fjalë për fjalë në qiellin e shtatë”.

Tifozët, të veshur kryesisht me ngjyrat e kuqe të Spanjës, kishin nisur festimet që në orët e para të mbrëmjes, pavarësisht temperaturave mbi 30 gradë Celsius.

Skuadra u kthye dje nga SHBA-ja, ku kapiteni Rodri zbriti nga avioni duke mbajtur trofeun. Më pas, futbollistët u pritën në Pallatin Mbretëror nga Felipe VI, i cili i përgëzoi për një fitore që e cilësoi “epike”.

Ai u tha lojtarëve se kishin hyrë në histori dhe i ftoi të shijonin çdo moment të vlerësimit që po merrnin nga populli spanjoll.

Mbreti kujtoi gjithashtu se Spanja është tashmë vendi i parë që mban njëkohësisht titullin e kampionit të botës si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

Familja mbretërore kishte qenë e pranishme edhe në finalen e luajtur në Nju Xhersi, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të trofeut.

Pas pritjes në pallat, ekipi zhvilloi edhe një vizitë zyrtare te kryeministri Pedro Sánchez, i cili përgëzoi kombëtaren duke shkruar në rrjetet sociale: “Jemi kampionë të Botës. Kombëtarja jonë është e jashtëzakonshme”.

Spanja fitoi titullin e saj të dytë botëror, 16 vjet pas suksesit të parë në Afrikën e Jugut.

Megjithatë, festimet në mbarë vendin u shoqëruan edhe me një ngjarje tragjike.

Sipas mediave lokale, një djalë 13-vjeçar humbi jetën në qytetin Ciudad Rodrigo, pasi një shtyllë guri e një shatërvani u shemb nën peshën e njerëzve që po festonin mbi të.

Dy persona të tjerë mbetën të plagosur dhe autoritetet shpallën tre ditë zie.

Festimet madhështore në Madrid shënuan përfundimin e ceremonive zyrtare të kombëtares, ndërsa lojtarët do të nisin pushimet verore duke filluar nga sot./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MADRID – Mbi një milion tifozë presin kampionët e botës në futboll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurohet Kulla e Turanit, Gonxhja: U respektuan teknikat tradicionale të ndërtimit

21 July 2026 at 10:00


TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dha sot lajmin se përfunduan me sukses punimet restauruese në Kullën e Turanit, në fshatin Turan të Korçës.

Ndërhyrja emergjente u përqendrua në masa konsoliduese dhe restauruese, pasi Kulla e Turanit ishte e përfshirë në listën e objekteve në rrezik të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë.

Ministri Gonxhja tha se, çdo ndërhyrje është kryer duke respektuar autenticitetin e monumentit dhe teknikat tradicionale të ndërtimit, me synimin për të ruajtur vlerat e tij historike dhe kulturore.

Restaurimi u arrit falë investimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe zbatimit të projektit në bashkëpunim me DRTK Korçë.

Ky restaurim përfaqëson një hap të rëndësishëm në misionin e IKTK-së për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke garantuar që monumente me vlera të veçanta t’u përcillen të ruajtura brezave të ardhshëm.

E ndërtuar në shekullin XIX, Kulla e Turanit përfaqëson tipologjinë karakteristike të kullave fushore të juglindjes së vendit.

Ajo ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe një mjedis në çdo kat, me funksion të përqendruar kryesisht në mbrojtje, gjë që vihet re edhe nga mungesa e dritareve dhe volumi i mbyllur. Ajo ka një lartësi prej 15 metrash dhe ndahet në katër kate. /j.p/

The post Restaurohet Kulla e Turanit, Gonxhja: U respektuan teknikat tradicionale të ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – FMN miraton 690 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme për Ukrainën

21 July 2026 at 09:33

UASHINGTON, 21 korrik /ATSH-AFP/ – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar një disbursim të menjëhershëm prej rreth 690 milionë dollarësh (rreth 600 milionë euro) për Ukrainën, në kuadër të programit të huasë që mbështet ekonominë e vendit gjatë luftës me Rusinë.

Me këtë këst të ri, shuma totale e fondeve të lëvruara nga FMN-ja për Kievin arrin në 2,2 miliardë dollarë, nga një paketë financimi që kap vlerën e përgjithshme prej 8,1 miliardë dollarësh.

Pagesa vjen pas një rishikimi të programit të reformave, në të cilin Ukraina është angazhuar të ruajë stabilitetin ekonomik dhe të zbatojë ndryshime në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit, sistemi tatimor dhe politika monetare.

Sipas FMN-së, pavarësisht luftës që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022 dhe sulmeve të përditshme ruse, Ukraina ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Institucioni vlerësoi se rezultatet e deritanishme të programit kanë qenë “në përgjithësi të kënaqshme”.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, deklaroi se Ukraina vazhdon të tregojë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe theksoi se ruajtja e stabilitetit makroekonomik mbetet prioriteti kryesor i vendit në kushtet e luftës./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – FMN miraton 690 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Champions League, Egnatia mëson kundërshtarin e mundshëm në raundin e tretë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Në selinë e UEFA-s në Nyon është hedhur shorti i raundit të tretë kualifikues të UEFA Champions League, ku Egnatia ka mësuar kundërshtarin e mundshëm nëse arrin të kalojë me sukses raundin e dytë.

Kampionët e Shqipërisë, të cilët siguruan një kualifikim historik pas fitores bindëse ndaj Petrocub, do të përballen fillimisht me skuadrën sllovene NK Celje në raundin e dytë kualifikues të kompeticionit.

Sipas shortit të hedhur nga UEFA, fituesi i çiftit Egnatia – NK Celje do të përballet në raundin e tretë me fituesin e përballjes FC Ararat-Armenia – Shamrock Rovers F.C. .

Ndërkohë, edhe në rast të eliminimit nga skuadra sllovene, kampionët e Shqipërisë do të vijojnë rrugëtimin europian. Egnatia do të kalonte në raundin e tretë kualifikues të UEFA Europa League, ku do të përballej me humbësin e çiftit Ararat Armenia – Shamrock Rovers.

Ndeshja e parë e raundit të dytë mes Egnatias dhe NK Celje do të zhvillohet më 22 korrik në “Arena Egnatia”, në orën 21:00, ndërsa sfida e kthimit do të luhet një javë më vonë në Slloveni.

Pas paraqitjeve mbresëlënëse në raundin e parë, Egnatia do të synojë të vazhdojë rrugëtimin e saj historik në UEFA Champions League dhe të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm në arenën europiane, duke përfaqësuar futbollin shqiptar në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë.

/gj.m/j.p/

The post Champions League, Egnatia mëson kundërshtarin e mundshëm në raundin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit punimet për Lungomare 4 në Plazhin e Vjetër të Vlorës

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Punimet për zgjerimin e shëtitores bregdetare “Lungomare 4” në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë po shkojnë drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama bëri me dije lajmin, ndërsa në një postim në rrjetet sociale ndau pamje nga ky investim në qytetin bregdetar.

Ky projekt është një tjetër investim i rëndësishëm për qytetin turistik, i cili synon të shtrijë standardet moderne të infrastrukturës dhe të japë një impuls të ri zhvillimit urban.

Ndërhyrja në këtë zonë, do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e hapësirave publike dhe në rritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët, si dhe në forcimin e potencialit turistik të Vlorës.

Lungomare që nisi në qytetin e Vlorës, tashmë është zgjatur edhe në drejtim të Orikumit duke sjellë hapësira rekreative për pushuesit.

“Lungomare 4” është vazhdimi i shëtitores ekzistuese në krahun perëndimor, me një gjatësi fillestare prej rreth 500 metrash linear.

Projekti parashikon ndërtimin e një promenade me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të integruar për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

/e.i/j.p/

The post Drejt përfundimit punimet për Lungomare 4 në Plazhin e Vjetër të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump njofton tarifa të reja prej 50% për importet kanadeze

UASHINGTON, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Shtëpia e Bardhë njoftoi një tarifë të re prej 50% për një gamë të gjerë importesh kanadeze, duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje tregtare me një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, tarifat do të zbatohen për rreth 20 miliardë dollarë importe nga Kanadaja, duke përfshirë produkte të tilla si shkopinj hokeji, verë dhe çimento.

Ato do të hyjnë në fuqi më 19 gusht, 30 ditë pas nënshkrimit të shpalljes nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se ky veprim ishte një përgjigje ndaj asaj që e quajti “skemë tarifore diskriminuese, e pabarabartë dhe e paarsyeshme” e Kanadasë dhe kishte për qëllim përmirësimin e kushteve për eksportet e automobilave të prodhuara në SHBA.

Tarifat shënojnë përshkallëzimin e fundit në një mosmarrëveshje të gjatë tregtare midis dy fqinjëve.

Trump ka akuzuar vazhdimisht Kanadanë, së bashku me partnerë të tjerë tregtarë, për mbajtjen e marrëdhënieve të padrejta tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe i ka bërë tarifat një pjesë qendrore të axhendës së tij tregtare të mandatit të dytë.

Ndërkohë, Kanadaja thotë se tarifat shkelin marrëveshjen e tregtisë së lirë të vendeve.

Njoftimi vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së i ndaloi Trumpit përdorimin e kompetencave të emergjencës për të vendosur tarifa të gjera mbi importet nga shumë vende, duke e detyruar administratën e tij të ndjekë rrugë alternative ligjore.

Trump gjithashtu ka kërcënuar më parë me tarifa që në fund nuk u zbatuan.

Duke reaguar ndaj njoftimit, kryeministri kanadez Mark Carney tha në një deklaratë në X se Kanadaja “është e gatshme të angazhohet intensivisht për të adresuar çështjet e pazgjidhura me SHBA-në në dobi të ndërsjellë të qytetarëve tanë”.

Ai shtoi se Kanadaja do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndërtuar forcën e saj në vend.

Javën e kaluar, Trump kërcënoi Kanadanë me tarifa më të larta për shkak të tymit nga zjarret që u përhapën në Shtetet e Bashkuara verilindore, duke thënë se ndotja e ajrit i kishte imponuar vendit kosto që duhet t’i shtohen tarifave ekzistuese mbi importet kanadeze./ a.jor.

The post SHBA – Trump njofton tarifa të reja prej 50% për importet kanadeze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ulet ndjeshëm koha e pritjes për CT, MRI dhe koronarografinë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot, se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po sjellin rezultate konkrete për qytetarët.

Treguesit e 6-mujorit të parë të vitit 2026 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale konfirmojnë se reformat e ndërmarra së fundmi në sistemin shëndetësor po japin rezultate konkrete, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes për disa nga shërbimet më të kërkuara diagnostikuese dhe procedurat e specializuara.

Sipas të dhënave, koha mesatare e pritjes për kryerjen e skanerit është ulur në 7.8 ditë, nga 24.3 ditë që ishte në vitin 2025.

Edhe për rezonancën magnetike, koha e pritjes është reduktuar nga 80.3 ditë në vitin 2025 në 72.3 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.

Përmirësimi më i ndjeshëm është regjistruar në shërbimin e koronarografisë, ku koha e pritjes ka rënë nga 111 ditë në vitin 2025 në 46 ditë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026.

Reduktimi i kohës së pritjes është rezultat i masave të ndërmarra për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e organizimit të shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në sistemin shëndetësor, me qëllim garantimin e një aksesi më të shpejtë dhe cilësor për qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Ulet ndjeshëm koha e pritjes për CT, MRI dhe koronarografinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Cili është “sfungjeri” natyral që pastron arteriet nga yndyrat?

ROMË, 21 korrik /ATSH/ – Ndoshta e ke pyetur shpesh veten pse, gjatë një vizite kontrolli ose duke lexuar një artikull për shëndetin, theksohet kaq shumë rëndësia e fibrave.

Në fakt, jo të gjitha fibrat janë të njëjta dhe ato që quhen fibra të tretshme meritojnë një vëmendje të veçantë, sidomos nëse synon të mbrosh shëndetin e zemrës dhe të arterieve.

Ndryshe nga fibrat e patretshme, të cilat gjenden kryesisht në krundet e grurit dhe në lëkurën e perimeve dhe shërbejnë kryesisht për të rregulluar funksionimin e zorrëve, fibrat e tretshme veprojnë si një mbrojtëse e heshtur e metabolizmit.

Kur bien në kontakt me ujin në stomak dhe në zorrë, ato shndërrohen në një lloj xheli viskoz, i cili ngadalëson procese të ndryshme të tretjes dhe sjell përfitime që shkojnë shumë përtej rregullsisë së zorrëve.

Si i pastrojnë fibrat gjakun?

Efekti më i rëndësishëm i fibrave të tretshme lidhet me kontrollin e kolesterolit.

Mendoje këtë xhel si një sfungjer që, ndërsa kalon nëpër zorrë, kap një pjesë të yndyrave dhe të acideve biliare të pasura me kolesterol përpara se ato të ripërthithen në gjak.

Mëlçia, duke vënë re se rezervat e acideve biliare po pakësohen, detyrohet të marrë kolesterolin LDL (i njohur si kolesteroli “i keq”) nga qarkullimi i gjakut për të prodhuar acide biliare të reja.

Në këtë mënyrë, niveli i kolesterolit dhe i yndyrave në gjak ulet në mënyrë natyrale.

Studimet shkencore tregojnë se rritja e konsumit të ushqimeve të pasura me fibra, si bishtajoret ose tërshëra, ndihmon në përmirësimin e profilit lipidik.

Kjo mënyrë ushqyerjeje është një element kyç në strategjitë parandaluese dhe ndihmon në uljen e rrezikut që muret e arterieve të ngurtësohen ose të bllokohen.

Një frenues natyral për sheqerin në gjak

Nëse ke prirje për nivel të lartë të sheqerit në gjak ose dëshiron të shmangësh rritjet e menjëhershme të energjisë të ndjekura nga lodhja pas vakteve, fibrat e tretshme janë një aleat i rëndësishëm.

Xheli që formohet në aparatin tretës mbështjell molekulat e sheqerit, duke e bërë kalimin e tyre në gjak shumë më të ngadaltë dhe gradual.

Ky mekanizëm pengon pankreasin të prodhojë sasi të mëdha insuline në një kohë të shkurtër, duke mbrojtur në afat të gjatë ndjeshmërinë ndaj insulinës.

Përthithja më e ngadaltë e lëndëve ushqyese ndihmon gjithashtu që të ndihesh i ngopur për më gjatë, një aspekt që mund të bëjë diferencën nëse po përpiqesh të kontrollosh peshën trupore pa ndier vazhdimisht uri.

Ku mund t’i gjesh këto aleate në ushqimet e përditshme?

Burime shumë të mira të fibrave të tretshme gjenden në ushqime të zakonshme që ndoshta i konsumon tashmë, por që mund t’i përfshish në dietën tënde me më shumë ndërgjegjësim.

Bishtajoret, si thjerrëzat, fasulet dhe qiqrat, janë shumë të pasura me fibra të tretshme dhe përfaqësojnë një nga zgjedhjet më të mira për shëndetin kardiovaskular.

Edhe tërshëra dhe elbi janë drithëra të shkëlqyera për këtë qëllim falë pranisë së fibrave të veçanta të quajtura beta-glukane.

Sa i përket frutave, mund të zgjedhësh mollët, agrumet dhe frutat e pyllit, ndërsa ndër perimet dallohen lakrat e Brukselit, karotat dhe patëllxhanët.

Udhëzimet më të fundit rekomandojnë konsumimin e përditshëm dhe në sasi të mjaftueshme të këtyre ushqimeve për të arritur marrjen optimale të fibrave dhe për t’i siguruar organizmit mjetet e nevojshme për mbrojtjen e sistemit kardiovaskular.

Këshilla për t’i shtuar fibrat pa shqetësime

Nëse vendos të rrisësh sasinë e fibrave në dietën tënde, është normale të shqetësohesh për fryrjen e barkut ose shqetësime të tjera abdominale.

Shumë njerëz heqin dorë sapo shfaqen shenjat e para të gazrave, por sekreti për t’i shmangur këto probleme është rritja graduale.

Mikrobiota e zorrëve, pra bashkësia e baktereve që jetojnë në zorrë, ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me një sasi më të madhe fibrash. Fillo duke shtuar porcione të vogla dhe, mbi të gjitha, pi shumë ujë.

Fibrat e tretshme funksionojnë siç duhet vetëm nëse kanë lëngje të mjaftueshme për të formuar xhelin mbrojtës për të cilin folëm.

Pa një hidratim të mirë, ky efekt nuk mund të realizohet dhe mund të ndodhë e kundërta, duke ngadalësuar tepër kalimin e ushqimit nëpër zorrë.

Nëse ndjek këto këshilla të thjeshta, brenda pak javësh mund të vësh re një përmirësim të përgjithshëm të mirëqenies, tretjes dhe vitalitetit tënd, shkruan thewom.com./os/

 

The post FOKUS – Cili është “sfungjeri” natyral që pastron arteriet nga yndyrat? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Daily Mail”: Tirana në sytë e turistëve: Një nga qytetet më ekonomike dhe më interesante të Evropës

21 July 2026 at 08:05

TIRANË, 21 korrik /ATSH/- Kryeqyteti i Shqipërisë renditet ndër destinacionet urbane më ekonomike në Evropë. Por çfarë ofron Tirana për vizitorët?, shkruan media britanike “Daily Mail”.

Kur një arkeolog në portin shqiptar të Durrësit vuri re se një pemë fiku ishte rrëzuar në një gropë pranë mureve të qytetit, ai nuk e kishte kuptuar fillimisht se çfarë zbulimi të rëndësishëm kishte bërë.

Gjatë gërmimeve të mëtejshme, ai zbuloi disa gurë të lashtë, të cilët rezultuan të ishin pjesë e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë romake në Shqipëri: një amfiteatri madhështor me kapacitet rreth 20 mijë spektatorë, i ndërtuar rreth vitit 100 pas Krishtit.

Ishte viti 1966 dhe, pas një nisme të gjerë arkeologjike, Durrësi zbuloi një arenë të lashtë rreth 20 metra të lartë, duke i shtuar qytetit një tjetër dëshmi të rëndësisë së tij historike.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, dhe Durrësi, qyteti port rreth 40 kilometra në perëndim të saj, janë vende ku historia, kultura dhe zbulimet e papritura ndërthuren vazhdimisht.

Por ato kanë edhe një tjetër të përbashkët: ofrojnë një raport të jashtëzakonshëm mes cilësisë dhe kostos.

Tirana është renditur së fundmi, si qyteti i tretë më i lirë në Evropë, sipas Barometrit të Kostove të Qyteteve të kompanisë britanike të shërbimeve postare dhe financiare “Post Office”, për vitin 2026.

Vizita në amfiteatrin e Durrësit kushton vetëm 2,30 paund.

Një biletë për një shfaqje në Teatrin e Operas në Tiranë rreth 3,50 paund.

Hyrja në muzetë kryesorë rreth 6 paund.

Ndërsa një vakt me tre pjata dhe verë, në një restorant të nivelit të lartë me kuzhinë tradicionale shqiptare kushton rreth 25 paund.

Edhe akomodimi mbetet me çmime të përballueshme: një dhomë dyshe në një hotel cilësor në Tiranë, kushton rreth 65 paund, ndërsa fluturimet vajtje-ardhje mund të gjenden edhe për rreth 30 paund.

Për këtë arsye, shumë ekspertë e konsiderojnë Tiranën një nga destinacionet më të leverdishme për një pushim urban në Evropë.

Analistët e kompanisë së kartave të kreditit “Zable” e kanë vlerësuar gjithashtu Tiranën për raportin e lartë mes përvojës së ofruar dhe kostos, duke e renditur përpara qyteteve si Plovdivi në Bullgari dhe Talini në Estoni në një studim mbi destinacionet që ofrojnë “më shumë vlerë për paratë e shpenzuara”.

Një fundjavë në Tiranë dhe Durrës është një mënyrë ideale, për të njohur këtë vend ende relativisht pak të eksploruar nga turistët ndërkombëtarë.

Durrësi, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, është një zgjedhje e shkëlqyer për një udhëtim njëditor.

Një biletë autobusi vajtje-ardhje kushton vetëm 2,70 paund.

Shëtitorja pranë marinës dhe amfiteatrit ofron një atmosferë të këndshme, me ajrin e freskët që vjen nga deti Adriatik.

Përgjatë bregdetit ndodhet një park i zbukuruar me statuja gladiatorësh, peshkatarësh të lashtë, por edhe figura të artistëve të famshëm ndërkombëtarë si John Lennon, Tina Turner, Bob Dylan dhe Mick Jagger.

Këto vepra janë një element veçantë i qytetit.

Jagger është paraqitur në lëvizje, Lennon duke luajtur kitarën, Dylan me një pamje të menduar, ndërsa Tina Turner në një pozë energjike skenike.

Statujat u vendosën si simbol i hapjes kulturore pas rënies së komunizmit, një periudhë që përfundoi vetëm rreth 35 vite më parë, me shembjen e regjimit të izoluar të udhëhequr nga Enver Hoxha.

Vizita vazhdon me Kullën Veneciane, ku një picë kushton rreth 4,50 paund dhe një birrë Korça rreth 2,70 paund.

Një përvojë që ndërthur çmimet e përballueshme, me qetësinë larg turmave masive turistike të destinacioneve të tjera mesdhetare.

Në Tiranë, një ndalesë e rëndësishme është Shtëpia me Gjethe, ish-qendra e hetimeve e përdorur nga Sigurimi, policia sekrete e regjimit komunist.

Aty dokumentohen historitë e mijëra viktimave, përndjekjet politike, përgjimet masive dhe kontrolli i rreptë mbi jetën private të qytetarëve.

Gjatë regjimit të tij, Enver Hoxha ndërtoi rreth 175 mijë bunkerë, të projektuar për t’u përdorur në rast lufte apo sulmi bërthamor.

Një prej tyre ndodhet pranë Sheshit Skënderbej dhe sot njihet si Bunk’Art 2.

Brenda këtij kompleksi, dhomat e izoluara dhe ekspozitat tregojnë historinë e represionit komunist, ndërsa elementët e artit modern, krijojnë një kontrast me atmosferën e rëndë të së kaluarës.

Një tjetër objekt i rëndësishëm është Bunk’Art 1, një strehim shumë më i madh që ishte projektuar si seli e udhëheqjes komuniste, në rast të një sulmi bërthamor.

Vizitorët mund të shohin edhe ambientet personale të Hoxhës, përfshirë dhomën e gjumit dhe zyrën e tij me panele druri, ku ruhet edhe një fotografi e Josif Stalinit.

Pranë këtij kompleksi ndodhet teleferiku që të çon në malin e Dajtit, rreth 900 metra mbi nivelin e detit.

Nga aty ofrohet një nga pamjet më të bukura panoramike të Tiranës, e rrethuar nga vargmale mbresëlënëse.

Ajo që e bën Tiranën të veçantë është atmosfera e saj sociale: një qytet i gjallë, i hapur dhe i çlirët, ku ende ndihet kontrasti mes energjisë së sotme dhe së kaluarës së vështirë komuniste.

Edhe gastronomia është një nga pikat e forta të kryeqytetit.

Në zonën Blloku, dikur lagjja e rezervuar për elitën komuniste, vizitorët mund të shijojnë gatime tradicionale dhe verë shqiptare.

Banorët e Tiranës flasin me dashuri për qytetin e tyre.

Dhe vizitorët shpesh arrijnë në të njëjtin përfundim: Tirana është një qytet plot energji, surpriza dhe kontraste. //a.i/

The post “Daily Mail”: Tirana në sytë e turistëve: Një nga qytetet më ekonomike dhe më interesante të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 21.7.2026

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë.

HELSINKI (Finlandë) – Kryeministri Petteri Orpo i drejtohet parlamentit në lidhje me financimin kontrovers të një projekti pasurish të paluajtshme.

BRUKSEL (Belgjikë) – Paradë ushtarake dhe civile për Ditën Kombëtare Belge.

KISHINEV (Moldavi) – Parlamenti moldav voton në favor të qeverisë së Vasile Tofan.

BERLIN (Gjermani) – Presidenti Frank-Walter Steinmeier takon presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

MANILA (Filipine) – Takimi i 59-të i ministrave të Jashtëm të ASEAN-it.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Presidenti libanez, Joseph Aoun takohet me homologun amerikane, Donald Trump.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Pete Hegseth, Dan Caine dhe Brooke Rollins dëshmojnë para një komisioni të Senatit në lidhje me kërkesën për financim shtesë të qershorit 2026./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 21.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht në jug dhe alternime vranësirash mesatare e lokalisht të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në veri e qendër, e lokalisht shtrëngata të izoluara afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim kryesor  veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s,ndërsa në bregdet në veriperëndim hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s.

Valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/37 Diell re shi
Kukës 20/36 Diell re shi
Lezhë 21/35 Diell re shi
Dibër 19/35 Diell re shi
Durrës 21/33 Diell re shi
Tiranë 25/39 Diell re shi
Elbasan 24/40 Diell re shi
Berat 20/40 Diell re
Vlorë 23/38 Diell re
Korçë 18/36 Diell re
Gjirokastër 17/40 Diell re
Sarandë 23/38 Diell re

 

The post Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Dorëhiqet kreu i agjencisë amerikane për sigurinë e IA-së

20 July 2026 at 22:53

UASHINGTON, 20 korrik /ATSH/- Kreu i Qendrës amerikane për Standardet dhe Inovacionin në Inteligjencën Artificiale, Chris Fall, ka dhënë dorëheqjen vetëm tre muaj pasi u emërua në krye të institutit federal, që merret me testimin e inteligjencës artificiale pranë Departamentit amerikan të Tregtisë, njoftoi sot një zëdhënës i departamentit, sipas “Reuters”.

Largimi i tij shënon ndryshimin më të fundit, në planet e administratës Trump për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Përkohësisht, detyrën e Fall do ta marrë Arvind Raman, i cili drejton zyrën e Departamentit të Tregtisë, që mbikëqyr institutin e testimit të inteligjencës artificiale.

Raman ka qenë më herët, dekan i inxhinierisë në Universitetin Purdue.

Departamenti i Tregtisë nuk dha një arsye për largimin e Fall.

Largimi i Fall është ndryshimi i fundit në qasjen e administratës Trump ndaj inteligjencës artificiale.

Pas rikthimit në detyrë në vitin 2025, Trump deklaroi se qeveria federale duhet të ndërhynte sa më pak, në sektorin e teknologjisë.

Megjithatë, më vonë ai ka marrë një rol më aktiv në monitorimin e kësaj fushe, ndërsa deklaratat dhe politikat e tij për inteligjencën artificiale kanë ndryshuar shpesh.

Instituti amerikan për testimin e inteligjencës artificiale, ka për detyrë të bashkëpunojë me kompanitë kryesore të teknologjisë, si Anthropic, Google DeepMind dhe OpenAI, për të kontrolluar modelet e reja të inteligjencës artificiale, përpara se ato të dalin në përdorim publik dhe për të zbuluar dobësitë e mundshme të tyre.

Instituti përbëhet nga shkencëtarë dhe inxhinierë, që analizojnë rreziqet konkrete që mund të sjellin sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale.

Një nga shqetësimet kryesore është parandalimi, që kundërshtarët e SHBA-së të përdorin IA-në për ndërtimin e armëve kimike apo biologjike, ose për manipulimin e të dhënave – me të cilat trajnohen sistemet amerikane të inteligjencës artificiale.

Instituti bashkëpunon gjithashtu me Microsoft dhe kompaninë e Elon Musk, xAI, për testimin e modeleve të tyre të inteligjencës artificiale. //a.i/

The post SHBA – Dorëhiqet kreu i agjencisë amerikane për sigurinë e IA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërcënon Iranin: Çdo sulm ndaj ushtarëve amerikanë do të paguhet shtrenjtë

UASHINGTON, 20 korrik /ATSH – AA/ – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani do të përballet me pasoja të rënda nëse vriten ushtarë amerikanë.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi: “Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, do ta paguajë shumëfish për atë vdekje.”

Ai shtoi se ua ka dhënë këtë urdhër sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, kryetarit të Shefave të Shtabit të Përbashkët, Daniel Caine, si edhe të gjithë drejtuesve të ushtrisë amerikane.

Deklarata e Trump vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke sinjalizuar një qëndrim të ashpër të administratës amerikane ndaj çdo sulmi që mund të prekë forcat e saj ushtarake.  /os/

The post SHBA – Trump kërcënon Iranin: Çdo sulm ndaj ushtarëve amerikanë do të paguhet shtrenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ukraina lëshon 400 dronë drejt Moskës, ndërsa Zelensky përballet me protesta

20 July 2026 at 22:29

KIEV, 20 korrik /ATSH/- Ukraina ka lëshuar më shumë se 400 dronë drejt Moskës, në sulmin e saj të fundit të madh ndaj kryeqytetit rus, njoftoi sot kryebashkiaku i Moskës, sipas AP.

Sulmi masiv erdhi vetëm disa orë, pasi Rusia bombardoi Kievin dhe qytetet e tjera ukrainase me raketa balistike.

Kjo valë sulmesh të ndërsjella, ka thelluar ciklin e përplasjeve mes dy vendeve dhe e ka bërë edhe më të largët mundësinë e një marrëveshjeje, për t’i dhënë fund pushtimit të gjithanshëm rus në Ukrainë, që ka zgjatur më shumë se katër vjet.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se do të zhvillojë sot “bisedime të rëndësishme”, ndërsa përpiqet të zbusë krizën e brendshme politike.

Kjo krizë shpërtheu pas riorganizimit të qeverisë javën e kaluar, i cili nxori në pah një mosmarrëveshje të thellë, mes figurave të vjetra të ushtrisë dhe reformatorëve të rinj mbi mënyrën se si duhet të zhvillohet lufta.

Zelensky duhet të bindë ukrainasit se largimi i 35-vjeçarit Mykhailo Fedorov nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe vazhdimi i mbështetjes për gjeneralin 60-vjeçar Oleksandr Syrskyi, i trajnuar në kohën sovjetike dhe që drejton forcat e armatosura, nuk do të dëmtojë përpjekjet e Ukrainës kundër Rusisë.

Pas vendimit të Zelensky, në ditët e fundit janë zhvilluar protesta në rrugë, në mbështetje të Fedorov dhe kundër Syrskyi.

Ukraina godet një tjetër depo nafte ruse

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se më shumë se 400 dronë ukrainas u nisën drejt kryeqytetit rus nga mbrëmja e djeshme deri sot në mëngjes.

Sipas tij, shumica e tyre u rrëzuan larg qytetit, ndërsa 85 u interceptuan pranë Moskës.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, deklaroi se 10 persona u plagosën nga sulmet me dronë, ndërsa u dëmtuan disa ndërtesa banimi dhe objekte të infrastrukturës civile.

Sulmi shkaktoi një zjarr në parkun industrial “Yuzhnye Vrata”, rreth 30 kilometra në jug të Moskës, sipas Yevgeniya Khrustaleva, drejtuese e zonës Domodedovo në rajonin e Moskës.

Media ruse “Astra” raportoi gjithashtu se sulmi shkaktoi zjarr në një depo nafte në Podolsk, rreth 20 kilometra në jug të Moskës, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht. //a.i/

The post FOKUS – Ukraina lëshon 400 dronë drejt Moskës, ndërsa Zelensky përballet me protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌