Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 June 2026Java News

Elektorati violet, blu etj, dhe gri

19 June 2026 at 10:48

Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 1 milion banorë të rritur të vendit do të kishin votuar, nga 1.9 milionë gjithsej – kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe nga 1 milion që do të votonin, rreth 670 mijë do t’ia jepnin votat PS-së, përkundër rreth 330 mijëve që do t’ia jepnin partive të tjera ekzistuese (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun e mëposhtëm).

Segmenti violet në grafikun e mësipërm përfaqësohet aktualisht në Kuvend nga 82 deputetë (se 1 i iku te kecat). Segmenti blu etj. përfaqësohet nga 54 deputetë. Ndërsa 3 deputetë përfaqësojnë segmentin autonom socialdemokrat (i papërfshirë në grafikun e mësipërm).

Po segmenti gri ku përfaqësohet?

Për sa kohë parrulla kryesore e protestave në bulevardin e Tiranës është “Rama n’burg – Berisha n’burg!”, segementi gri mund ta ndjejë veten të përfaqësuar nga to. Por ky është një përfaqësim shumë kaotik…

Në podiumin e protestave (të improvizuar me një shkallë bojaxhinjsh), dikush me borsalino në kokë deklaron se “lufta do gjak”. Dikush tjetër deklaron se duhet të ringjallim Lidhjen e Dytë të Prizerenit (që funksionoi vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore). Dikush tjetër qan hallin e kecave të tij që kanë mbetur pa ujë në një fshat të largët malor, etj. etj. etj. etj.

Ndërkohë, përrreth protestës, një listë personazhesh të njohur e të panjohur për publikun ka shpallur një peticion politik. Një listë “akademikësh” në emigracion ka shpallur një thirrje mbarëkombëtare. Një listë OJQ-istash kanë bërë kërkesë në KQZ për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Dhe protestat vazhdojnë të organizohen nga një treshe me origjinë nga Rrjolli, Kukësi e Lezha, të cilët marrin leje zyrtare në polici.

Me pak fjalë, nuk duken shenja tymi të bardhë përfaqësimi konkret për 900 mijët që nuk duan të votojnë asnjë nga partitë ekzistuese…

Before yesterdayJava News

E vërteta e numrave të protestës që (nuk) bëjnë cilësinë

18 June 2026 at 16:56

Nga Eduard Zaloshnja

Jo pak shqiptarë mund të kenë vënë bast mental (ose konkret) se protestat që morën shkas nga përplasja e dhunshme e disa rojeve private me disa protestues në Zvërnec, nuk do të zgjasnin shumë në bulevardin e Tiranës. Por pas 18 ditësh, protestat e kanë fituar bastin – ato vazhdojnë…

Bazuar në shuarjen graduale të protestave periodike berishiane, që filluan me shumë pjesëmarrës në janar e që përfunduan me vetëm një mijë protestues më 11 maj, si dhe në afrimin e Kampionatit Botëror e të sezonit të plazhit, ata që vunë bast për shuarjen e protestave aktuale nuk mund tëparagjykohen – tek e fundit, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë tonë që18 ditë rresht të protestonin shumë njerëz në bulevard.

Duke e quajtur të mbyllur bastin e vazhdimësisë, le të diskutojmë për madhësinë e protestave.

Sipas Sali Berishës, numri maksimal i protestuesve ka qenë 200 mijë. Sipas senatorit neomarksist amerikan Bernie Sanders, ka qenë 100 mijë. Sipas Edi Ramës ka qenë 8 mijë.

Nuk do t’i futem analizave numerike të fotove të marra me dron nga lart, apo të sondazheve që kam kryer, por thjesht do të diskutoj më poshtëbazuar në shikimin vizual që u kam bërëprotestave nga afër pas perëndimit të diellit (kur vapa bie).

Në shumicën dërrmuese të tyre, protestuesit kanë qenë të grumbulluar nga shkallët e kryeministrisë deri te fundi i Kullës Binjake veriore. Vetëm më 10 qershor, trupa e protestës arriti deri tek fillimi i ish-Hotel Dajtit.

Kuptohet që protestuesit asnjëherë nuk kanë qenë të ngjeshur 4 në 1 metër katror në gjatësinë e trupës së protestës – imagjinoni 4 veta të ngjeshur si sardele në një ashensor 1 metër katror! Por me atë dendësi mesatare që kanë patur, po ta kishin mbushur bulevardin nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut, do të arrinin numrin 85 mijë. Dhe në qoftë se 85 mijëprotestues do të qëndronin atje ditë e natë,ndoshta do ta kishin realizuar objektivin e tyre kryesor – dorëheqjen e Ramës.

Kaq për anën sasiore të protestave aktuale.

Për anën cilësore të protestave, thjesht dëgjoni fjalimet e atyre që kapin mikrofonin çdo 3 minuta në podiumin e improvizuar të protestës…

Vetëm 1 milion do të votonin në Shqipëri të dielën

17 June 2026 at 17:38

Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 52.6% e banorëve të rritur të vendit do të kishin votuar. Kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe meqë kampioni i sondazhit i përfaqësonte 1.9 milionë banorët e rritur demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht, mund të ekstrapolohet me afërsi se vetëm 1 milionë prej tyre do të kishin votuar (52.6% e 1.9 milionë).

Nga 1 milion që ishin gati të votonin të djelën, rreth 670 mijë ia jepnin votën PS-së dhe rreth 330 mijë partive të tjera (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun 1).

Për krahasim, vjet më 11 maj, votuan në Shqipëri për PS-në rreth 765 mijë banorë të rritur (rreth 30 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme prej fletëvotimeve si fleta gazetash). Për partitë e tjera të sipërcituara votuan rreth 700 mijë (rreth 27 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme). Kurse rreth 435 mijë nuk votuan fare (shihni grafikun 2).

Rruga dritë, Maratonomaku im!

16 June 2026 at 17:59

Sot, më 16 qershor 2026, doli nga shtypi libri i Alban Shehut “LUTJA” (Eseistikë), botuar në 45- vjetorin e lindjes së tij. Me këtë rast po botoj parathënien e librit.

Nga Xhevdet Shehu

Ishte 25 nëntori i vitit 1992. E mërkurë. Një ditë fundvjeshte e ftohtë dhe e ngarkuar me re të zymta gati të shpërthenin nga çasti në çast në shira të rrëmbyeshëm. Fëmijët e shkollës “Jeronim De Rada” në Tiranë, pas rreshtimit para shkollës u futën nëpër klasa… Nxënësit e klasës së pestë kishin hartim. Mësuesja Sofika Konomi (Çobani) dha temën e hartimit. Tema ishte e thjeshtë: “Një ndodhi në klasë”. Në bankën e parë ishe ulur ti Alban. U përqendrove dhe e bëre hartimin që mësuesja e vlerësoi shumë. Ishe 11 vjeç. Po atë vit shkollor ti bëre dhe disa hartime të tjera, pesë nga të cilët mësuesja jote e pasionuar i kishte ruajtur me kujdes dhe 10 vjet më vonë i botoi në një libërth…

Biri im! E dija dhe e njihja shumë mirë intelektin dhe zgjuarësinë tënde qysh në fëmijëri, por asnjëherë nuk kam biseduar kaq hapur si sot. Kurrsesi publikisht. E marr me mend, biri im, se do të inatoseshe, nuk do të ma miratoje këtë sjellje. Sepse ti nuk e doje dukjen publike, të sipërfaqshme, ndërsa kishe planet e tua dhe ambicjet pozitive për të arritur të përkryerën në jetën tënde. Por unë nuk kam rrugë tjetër. Pasi gjeta dorëshkrimet e tua, desha t’i shpërfaq publikisht. A do të më falësh? Nuk e di. Por unë nuk kam rrugë tjetër, o bir!

Në ditën e përcjelljes tënde, ndërsa ne prindërit e tu ishim drunjëzuar, shumëkujt i ngelën në mendje këto fjalë të vëllait tënd, Gencit, që foli në emër të familjes dhe që unë po i përmbledh shkurtimisht këtu:

“I pazëvendësueshmi vëllai im, Albani, ishte një copëz hyjnore që eci mbi tokë. Lum ata që patën fatin ta njihnin nga afër dhe të ishin bashkudhëtarë me të. Ata kanë ndjerë zemërbadhësinë dhe shpirtin e tij të madh, pozitivitetin e tij. Albani ishte mendjehapur dhe i drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me ata që e rrethonin. Ai punoi me vetmohim, donte të drejtën dhe të vërtetën dhe nuk bëri kurrë kompromis me padrejtësitë!”

Nuk po shtoj asnjë fjalë këtu, pasi nuk ka asnjë teprim. I tillë ishte Albani. Mendonte dhe punonte me një qëllim thuajse utopik për ta bërë më të mirë këtë botë, qoftë edhe përmes shembullit të tij. Sakrifikoi shumë për këtë ideal të ngulitur thellësisht tek ai. Në këtë kontekst, po bashkangjis këtu edhe konsideratat që më kanë dërguar shumë shokë e miq, të Albanit dhe të mitë, pas botimit të shkrimit “Lutja”. Ata të gjithë e kanë portretizuar Albanin më mirë se ç’mund ta bëja unë dhe ne, familja e tij, ndihemi krenarë nga ky fakt. Duke i falënderuar të gjithë, u them se shumë nga ju, edhe pa e njohur Albanin keni evidentuar me shumë dashuri personalitetin e Albanit, shpirtin e madh dhe pozitivitetin  e mrekullueshëm të tij, bashkë me zgjuarësinë e veçantë, pasi keni zbuluar thelbin e karakterit, botëkuptimin dhe talentin. Miqtë e mi, keni bërë një portret tejet realist dhe më keni lehtësuar jashtëzakonisht dhimbjen për Albanin.

Prandaj dhe vendosëm që këto konsiderata t’i fusim në këtë libër, të cilat e përplotin portretin tënd, tashmë të patjetërsueshëm, o Bir!

Mesazhi ngushëllues i dërguar me email nga Prishtina nga Akademiku Rexhep Qosja mban datën 5 korrik 2023.

I nderuari Xhevdet,

Posa e mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të djalit tënd Albanit. Kjo e papritur na shkaktoi shumë dhembje dhe pikëllim. Ty dhe krejt familjes sate ju shprehim ngushëllimet më të thella për këtë të papritur tragjike. Malli dhe kujtimi për Albanin që do ta shënojnë përgjithmonë jetën tuaj do të jenë mall e kujtim për të gjithë ne. I qoftë i lehtë dheu i Nënës Shqipëri!

Rexhep Qosja me familjen.”

Biri im! Pas asaj dite të kobshme të 4 korrikut 2023, më është kujtuar gjithnjë ky mesazh i Profesor Rexhepit: Malli dhe kujtimi për ty po shënojnë dhe do ta shënojnë përgjithnjë jetën tonë. Drejt! Shumë saktë e ka thënë miku im i shquar.

Ne tashmë po e përjetojmë maksimalisht këtë gjendje, duke bashkudhëtuar me Albanin në përjetësinë dhe përditshmërinë e tij kozmike.

Jam përpjekur ta përshkruaj poetikisht këtë gjendje pas ikjes tënde, Alban. Është e pamundur,. Ulem dhe ngrihem para kompjuterit me dhjetëra herë, por është e pamundur. Papritmas, më erdhi në ndihmë poeti i madh i Labërisë, Ali Asllani. Po i përshtas vargjet e tij në kontekstin e dhembjes sime:

Alban bir, o shpirt!

Të kam thelp në zemër,

Ditën të kam dritë,

Natën të kam ëndërr…

Dhe kudo që isha,

Dhe kudo që jam,

Këngë në buzë të kisha,

Lot në sy të kam!

Tani erdhi koha që bashkë me Lutjen të botoj me rastin e 45 vjetorit të lindjes tënde, në një libër disa nga krijimet e tua më të mira, kryesisht të periudhës 1992-2000. Janë shkrime që kanë të bëjnë me psikologjinë, letërsinë, dhe filozofinë, doemos. Është diagrama e rritjes dhe pjekurisë tënde në moshën e rinisë. Nuk po iu referohem shkrimeve dhe studimeve të tua në fushë të fizikës, astronomisë dhe informatikës, për të cilat ti u diplomove dhe punove deri në ditën e fundit. Janë mbi 20 vëllime, blloqe të shkruara me shkrim dore, me qindra faqe secili, me formula matematikore të kokolepsura, kryesisht në fushën e #Fractal Universe Revolution, që unë nuk i marr vesh dhe nuk guxoj t’u afrohem. Të gjitha të shkruara në anglisht, gjuhë të cilën ti e përdorje njëlloj si shqipen.

Gjithsesi, portreti yt i mrekullueshëm shpërfaqet edhe në këto dorëshkrime që na le në shqip në moshën e rinisë tënde. Lexuesi nuk e ka të vështirë ta kuptojë dhe ndjejë këtë rritje vit pas viti e ditë pas dite, fantazinë dhe konceptet që kishe për jetën si dhe talentin tënd të spikatur për t’i artikuluar dhe shprehur idetë dhe mendimet e tua. Faleminderit edhe për kaq, Biri im!

Të gjithë këtë trashëgimi që na ke lënë ne e ruajmë dhe do ta ruajmë si një pasuri tejet të çmuar dhe të patjetërsueshme. Ajo është bota ku ti jetove mes nesh dhe udhëton pambarimisht në një botë sa reale, aq dhe virtuale. Je përherë mes nesh, o Bir!

Unë mund të them vetëm kaq: Të përfytyroj Biri im me sy të qeshur dhe depërtues, duke rendur e rendur pambarimisht drejt hapësirave të diturisë në disa fusha, drejt të panjohurave të kësaj bote të cilën ti doje ta eksploroje maksimalisht dhe doje ta përmirësosje dhe përsosje atë. Në kilometrin e 42-të jetës, ashtu si maratonomaku i lashtësisë, ti e ndërpreve këtë rendje përkohësisht, sa për t’u çlodhur paksa, për të vazhduar në përjetësi rrugëtimin tënd.

Rent, or rent, o Alban maratonomaku!

Edhe diçka tjetër dua të shtoj këtu: Nuk janë të paktë ata që më shkruajnë se ti, Alban, ke rilindur me Lutjen tënde. Unë dua ta besoj këtë rilindje dhe them se bashkë me shkrimet e tjera do të kesh një profil të veçantë dhe një individualitet krijues që do të udhëtojë gjatë për të mbetur përgjithmonë i paharruar. Ndaj dhe bashkangjita, menjëherë pas Lutjes, poezinë e bukur të shkrimtares së njohur amerikane Mary Elizabeth Frye, që duket si e shkruar enkas për dhimbjen tonë.

Rruga dritë, Maratonomaku im!

 

Kush do të ndryshojë (marshin) i pari?

16 June 2026 at 11:55

Nga Lutfi Dervishi

Pas më shumë se dy javësh protestë të pandërprerë, pyetja nuk është më sa do të zgjasë rezistenca në rrugë, por si do të reagojë sistemi politik.
Mes sloganeve të shumta, ai që përcakton këtë moment është “Shqipëria e Re”, – një kërkesë e qartë për ndryshim modeli.

Historia politike tregon se kur në shoqëri krijohet një masë kritike pakënaqësie, ajo herët a vonë gjen përfaqësim. Pyetja që do të përcaktojë javët e ardhshme është: Kush do ta lexojë dhe kush do ta “kapë” i pari këtë ndryshim?
Dinamika aktuale dikton katër skenare të mundshme:

1. Kooptimi nga pushteti: Ndryshimi i rregullave të lojës pa ndryshuar aktorët.
Ky është skenari më pragmatik për Partinë në pushtet. Nëse qeveria vazhdon ta trajtojë protestën si një “dalldi/dallgë” kalimtare, ajo rrezikon të keqkuptojë thellësinë dhe perimetrin e krizës.
Pakënaqësia, veç të tjerash, buron nga lodhja me përqendrimin e pushtetit, babëzia dhe arroganca.
Për të mbijetuar, pushteti mund të zgjedhë të ndryshojë i pari, jo duke u terhequr, por duke hapur lojën; ndryshime në kodin zgjedhor, hapje të listave, apo mekanizma të rinj të demokracisë direkte (referendume). Për PS-në, ky do të ishte një proces “vetëkorrigjimi” i detyruar për të rikuperuar terrenin e humbur përpara se të përplaset me valën.

2. Sfida nga e reja:
Lëvizja qytetare (bashkë me partite e reja) që po ushqehen nga kjo protestë kanë avantazhin moral, por vuajnë nga fragmentimi dhe sëmundja gjenetike që gjithkush e mendon veten “të parin”. Aktualisht, ato rrezikojnë të konkurrojnë me njëra-tjetrën për vendin e dytë apo të tretë në një garë ku ende nuk janë korrigjuar rregullat e lojës.
Që ky pol (pa përjashtuar një parti të re) të jetë fituesi i këtij momenti, duhet të kalojë nga faza e frymës dhe zemërimit në fazën e strukturës dhe koordinimit. Nëse arrijnë të ndërtojnë një platformë minimale të përbashkët dhe të thithin, kanalizojnë e strukturojnë energjinë e sheshit, ato mund të kthehen në përfitueset kryesore të këtij ekuacioni. Nëse jo, energjia do të shpërndahet dhe do të kthehet sërish në apati e zhgënjim.

3. Opozita konvencionale
Partia më e madhe e opozitës gjendet para një paradoksi: kjo është protesta më e madhe post-komuniste, por ajo nuk po zhvillohet nën siglën e saj. Shoqëria në shesh po proteston sa kundër qeverisë, aq edhe kundër mënyrës së vjetër të të bërit politikë, pjesë e së cilës është edhe opozita tradicionale.
Opozita mund të përfitojë vetëm nëse kupton se deklaratat e “mbështetjes” nuk mjaftojnë. Ajo duhet të ndryshojë veten përpara se të pretendojë të riciklojë pushtetin. Kjo kërkon një hapje radikale ndaj figurave të reja, mbylljen e llogarive të vjetra të sherreve të brendshme dhe një program që rezonon me pjesën që deri dje nuk dilte në shesh.

Skenari më i rrezikshëm mbetet ai i status-quo-së: përpjekja për ta injoruar, përqeshur kompromentuar, apo grabitur protestën, duke pritur që ajo të shuhet nga konsumi i kohës apo lodhja.

4. Radikalizimi

Ekziston një pikë thyerjeje ku strategjia e pushtetit për të rraskapitur protestën kthehet në bumerang. Nëse vijohet me “ne punën tonë, ju tuajën”, situata mund të dalë jashtë kontrollit, nga një incident sado banal.
Në momentin që qytetarët ndiejnë se me marshim nuk i dëgjon kush, mund të vendosin të ndryshojnë marsh dhe, kur askush nuk është më në gjendje të kontrollojë protestën skena zhvendoset drejt një përplasjejes.
Në këtë pikë, kostoja nuk është më thjesht politike për një parti, por ekzistenciale për stabilitetin e vendit.
Çfarëdo ecurie të marrë , kjo protestë tashmë ka prodhuar një rezultat që nuk e zhbën koha: ka thyer frikën e apatinë dhe ka krijuar një klimë të re politike. Hapësira publike është rikonfiguruar dhe qytetarët kanë kuptuar se nuk janë vetëm.
Në këtë realitet të ri, nuk do të fitojë ai që reziston më gjatë, por ai aktor politik që do të kuptojë më shpejt se vendi ka ndryshuar përgjithmonë.

Parti RiBi?

16 June 2026 at 08:40

 Nga Eduard Zaloshnja

Seria më e gjatë e protestave të përditshme në Tiranë ka qenë ajo e partisë së Lapajt – zgjati plot 151 ditë. Por filloi me 100 protestues dhe përfundoi me vetëm 1 – Lapajn të ulur në karrige para Kryeministrisë.
Seria aktuale e protestave të përdistshme në Tiranë ka zgjatuar 16 ditë, dhe nuk mbledh vetëm 100 protestues (si ajo e Lapajt), por disa mijëra.
Në fillim kjo aktualja nisi si protestë në mbrojtje të flamingove, që do t’i zhdukte nga Zvërneci Ivanka Tramp & Jared Kushner (dhe që vetëm të apasionuarit pas zogjve i kishin parë në Zvërnec). Por më pas u kthye në një protestë kundër Ramës dhe Berishës, kur thirrjet kryesore të protestuesve u bënë “Rama n’burg – Berisha n’burg”.
Aktualisht kjo thirrja jakobine me n’burg është zbutur, duke u kthyer në thirrjen më të civilizuar “Rama ik – Berisha ik”. Dhe pavarësisht se këtë thirrje e bëjnë pak mijra protestues në bulevardin e Tiranës, ajo rezonon tek rreth 37% e banorëve të rritur të vendit.
Shifra 37% nuk është një shifër e shpikur në hava – më rezulton nga sondazhi që realizova të shtunën, sipas të cilit, 37% e të anketuarve nuk kishin opinion pozitiv as për Ramën e as për Berishën.
Një parti RiBi (Rama ik – Berisha ik), në qoftë se krijohet, do të kishte një rezervuar të madh elektoral në dispozicion. Dhe në qoftë se do të arrinte ta thithte këtë elektorat, do të rezultonte partia e dytë në vend, sepse Berishën vetëm 18.9% e simpatizojnë (shihni grafikun e mëposhtëm).

Por nuk është aq kollaj që nga një protestë të krijohet një parti e sukseshme, kur protesta ka shumë këmbë dhe shumë koka…
Gjatë fjalës kur qytetarët po grumbulloheshin dje në sheshin ‘Skënderbej’, aktivisti Alben Kola bëri publike emrat e nismëtarëve të protestës. “3 personat nismëtarë që njihemi me letra nga policia: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Alben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha”, deklaroi aktivisti. Dhe në fakt këta të tre janë parë së fundmi të kontrollojnë mikrofonin në foltoren e protestave para Kryeministrisë.
Kurse para tre ditësh, qarkulloi në portale një peticion për krjimin e një qeverie teknike, me një listë të gjatë emrash të njohur e të panjohur – që kryesohej nga Fatos Lubonja, Dashamir Shehi dhe Armir Shkurti.
Dhe pyetja është a do të krijohet një parti RiBi nga organizatorët Kokaj-Kola-Lleshi, apo nga kryepeticionerët Lubonja-Shehi-Shkurti? Por deri më sot, as që nuk është ravijëzuar ndonjë hije e partisë që shumë e presin të krijohet…
Sidoqoftë, edhe në qoftë se ajo krijohet si një shartim i pak të njohurve Kokaj-Kola-Lleshi me shumë të njohurit Lubonja-Shehi-Shkurti, partia e re do të ketë një malore shumë të fortë përpara. Sepse 37% e shqiptarëve që janë edhe kundër Ramës edhe kundër Berishës kanë parë deri më sot të kenë lindur shumë parti, e më pas të jenë shuar.
Dhe Kokaj-Kola-Lleshi-Lubonja-Shehi-Shkurti nuk kanë dhënë ndonjë shkëndijë deri më sot se do të krijojnë një parti të re, që të paktën të konkurojë me partinë e Berishës…

Kë përkrahin shqiptarët përveç kombëtares sonë

15 June 2026 at 09:39

Nga Eduard Zaloshnja

Nuk vlen të pyetet në ndonjë sondazh nëse shqiptarët përkrahin kombëtaren tonë të futbollit. As për përfaqësuesen e futbollit të Kosovës nuk vlen të pyetet (edhe pse ajo nuk është kombëtare). Por në një sondazh rigoroz që drejtova në terren kohët e fundit nga Vermoshi në Konispol, bëra ndër të tjera edhe pyetjen “Cilën kombëtare përkrahni në futboll, përveç kombëtares sonë?”

Kombëtaren e Italisë e përkrahin rreth 30% e banorëve të rritur në Shqipëri, pavarësisht se ajo nuk arriti të shkonte në Botërorin që po fillon. Meqë Shqipëria ka 1.9 milionë banorë të rritur, i bie që rreth 570 mijë përkrahin Italinë, përveç Shqipërisë (shihni tabelën e mëopshtme).

E dyta renditet Gjermania me 12% ose rreth 228 mijë banorë të rritur, dhe pastaj vazhdojnë më poshtë Brazili, Anglia, Spanja, Hollanda dhe Argjentina. Ndërkohë, 27% ose 513 mijë nuk parkrahin asnjë nga kombëtaret e huaja të futbollit.

Protestat si pasqyrë për Lapajn dhe partitë e reja

14 June 2026 at 21:17

Nga Shpëtim Luku

Protestat po i afrohen javës së tretë që nga nisja e tyre dhe, paradoksalisht, personi më i dëshpëruar nga kjo situatë mund të mos jetë Edi Rama, ndaj të cilit adresohet kërkesa për dorëheqje. Më të shqetësuar se ai mund të jenë pikërisht Adriatik Lapaj dhe drejtues të tjerë të forcave të reja politike.
Këto protesta po shërbejnë si një pasqyrë e qartë e peshës reale që aktorët e rinj politikë kanë në aftësinë për të mobilizuar qytetarët. Për muaj të tërë, Lapaj qëndroi në bulevard, duke organizuar takime të përditshme dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje. Megjithatë, përgjigjja qytetare ishte mospërfillje totale. Pavarësisht se kjo këmbëngulje mund të interpretohet si idealizëm apo vendosmëri, ajo shërbeu edhe si konfirmim i një fakti të pakëndshëm: shumica e qytetarëve nuk u ndje e frymëzuar për të protestuar nën drejtimin dhe organizimin e tij.

Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për Arlind Qorrin. Në momentin kur në qendër të Tiranës nisi të ngrihej ajo që u quajt simbolikisht “Mali i Dajtit”, ai u vu në krye të disa protestave, por ato mbetën të kufizuara në pjesëmarrje dhe pa ndikim të dukshëm në zhvillimet politike të vendit.

Sot ekziston ende paqartësi, por edhe një kureshtje e madhe, mbi organizatorët realë të protestave që kanë përfshirë Tiranën. Megjithatë, një gjë mund të thuhet me siguri: masa e madhe e njerëzve që po merr pjesë në to nuk duket se po vepron nën drejtimin e Lapajt, Qorrit, Agron Shehajt apo të ndonjë figure tjetër të partive të reja.

Arsyeja është e thjeshtë. Këta aktorë politikë e kanë testuar tashmë aftësinë e tyre mobilizuese në terren dhe rezultatet kanë qenë, deri më tani, të kufizuara. Impakti i tyre në elektoratin shqiptar ka ekzistuar, por në përmasa modeste, larg pretendimit për të përfaqësuar shumicën e pakënaqur.
Pikërisht për këtë arsye, protestat aktuale përbëjnë një sfidë të dyfishtë për Lapajn, Qorrin, Shehajn dhe forcat që ata drejtojnë. Nga njëra anë, ata nuk mund të pozicionohen kundër një lëvizjeje qytetare që artikulon pakënaqësinë ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, ata e kuptojnë se, nëse kjo energji shoqërore arrin të strukturohet politikisht jashtë tyre, ajo mund të prodhojë një alternativë të re, duke i lënë ata vetë në periferi.

Në këtë kuptim duhet parë edhe qëndrimi i Adriatik Lapajt, kur ai kërkon që flamujt partiakë të mos jenë të pranishëm në protestë. Në pamje të parë, kjo mund të interpretohet si dëshmi e dëshirës për ta ruajtur protestën nga instrumentalizimi politik dhe për t’i garantuar asaj një shtrirje sa më të gjerë qytetare. Por mund të lexohet edhe ndryshe. Mund të lexohet si shprehje e frikës se një identifikim i qartë politik i protestës mund të çojë në lindjen e një subjekti të ri opozitar, jashtë kontrollit të partive ekzistuese.

Sepse, në mënyrë krejt të natyrshme, një kontingjent i madh protestues krijon nevojën për përfaqësim elektoral. Nëse kjo energji kanalizohet drejt krijimit të një opozite të re, perspektivat politike të partive të Lapajt, Qorrit dhe Shehajt do të errësoheshin edhe më tej. Madje, një zhvillim i tillë do të vinte në pikëpyetje edhe rolin e Partisë Demokratike si forca kryesore e opozitës zyrtare.
Për këtë arsye, sado protagonistë të përpiqen të shfaqen në raport me protestat, aq më të shqetësuar mund të jenë në planin e brendshëm. Sepse mbarëvajtja e protestës dhe interesi politik i partive të tyre nuk ecin domosdoshmërisht në të njëjtin drejtim. Sa më shumë të rritet mundësia që pakënaqësia qytetare të prodhojë një përfaqësim të ri politik, aq më shumë zbehen perspektivat e aktorëve që, deri dje, pretendonin se ishin vetë alternativa e re.

Vetëm 1.2% në protesta, vetëm 18.9% opinion pozitiv për Berishën

14 June 2026 at 09:19

Nga Eduard Zaloshnja

Në një sondazh që zhvillova gjatë së shtunës, 1382 banorë të rritur të vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes një linku me SMS krejt të rastësishme në të gjithë Shqipërinë, nga Vermoshi në Konispol. Kampioni u kolaudua statistikisht, që t’i përfaqësonte sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.

Pyetja e parë në sondazh ishte: “A keni marrë pjesë në të paktën një nga protestat që janë zhvilluar dy javët e fundit në Shqipëri?”.

Vetëm 1.2% e të anketuarve u përgjigjën “Po”. Dhe meqë kampioni përfaqësonte statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me përafërsi se rreth 23 mijë banorë të rritur të vendit kanë shkuar në të paktën një nga protestestat që janë zhvilluar dy javët e fundit në Shqipëri (1.2% e 1.9 milionë banorëve të rritur).

Pyetja e dytë në sondazh ishte “Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinionin MË pozitiv?”

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, vetëm 18.9% e të anketuarve zgjodhën Berishën. Ndërkohë, 44.1% zgjodhën Ramën, kurse 37% zgjodhën opsionin “Asnjë nga të dy”.
Meqë kampioni përfaqësonte statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me përafërsi se vetëm 360 mijë banorë të rritur të vendit kanë aktualisht opinion pozitiv për Berishën (18.9% e 1.9 milionë banorëve të rritur). Pra ai ka aktualisht simpatizantë rreth 140 mijë më pak se sa votuan vjet këtu për Aleancën për Shqipërinë Madhështore (ku përfshiheshin përveç PD-së, edhe parti të tjera si PL, PR, PDIU, PBDNJ, PAA etj.).

Një tjetër pyetje në sondazh (përveç atyre demografike, gjeografike dhe elektorale) ishte edhe: “A mendoni se do të bjerë qeveria Rama prej protestave aktuale?”

Rreth 33.3% e të anketuarve anonin nga përgjigjia “Po”, 60.2% nga përgjigjia “Jo”, dhe 6.5% ishin të dyzuar. Duke i analizuar në mënyrë individuale të anketuarit, rezulton se jo pak nga ata që nuk simpatizojnë as Ramën e as Berishën, nuk shpresojnë se do të bjerë qeveria nga protestat aktuale. Madje edhe disa nga simpatizantët e Berishës nuk kanë shpresë për këtë gjë…

Nga flamingot, te Rama-Berisha n’burg…

11 June 2026 at 12:36

Nga Eduard Zaloshnja

Mediat perëndimore e kanë etiketuar serinë e protestave të 11 ditëve të fundit në Shqipëri si “Revolucioni i Flamingove”. Kjo, nisur nga shumë pankarta në formën e flamingove që u shfaqën në protestat e para kundër investimit turistik në Zvërnec. Dhe sipas titujve të tyre, shqiptarët po protestonin kundër investimit të Ivanka Trumpit…

Nga dita në ditë, kjo narrativë e mediave perëndimore ka rënë poshtë katërcipërisht. Thirrja më e shpeshtë në protestat e fundit ka qenë “Rama n’burg, Berisha n’burg!”. Ndërsa pankartat në formën e flamingove pothuaj janë zhdukur, dhe për to nuk po flasin më ata që marrin mikrofonin në protesta – aq më pak për Ivanka Trumpin.

Mund të kenë shumë arsye për të protestuar ata që kanë dalë në protesta, por emëruesi i përbashkët është që janë të pakënaqur me dy liderat që kanë dominuar politikën në 35 vjetët e fundit (ca militantë berishistë duan vetëm Ramën n’burg, por ata dalin jashtë këtij emëruesi).

Bashkëpuntori im komjuterik i sondazheve tentoi të realizonte një sondazh live gjatë protestës, përmes shpërndarjes së linkut të pyetësorit me Blue Tooth dhe Air Drop, por realizimi rezultoi teknikisht i pamundur. Në pyetësor ishin renditur 10 arsye të ndryshme për pjesëmarrjen në protestë, të cilat mund të na jepnin një panoramë të motiveve të protestuesve. Sidoqoftë thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg!” është shumë domethënëse.

Në fakt, nga një sondazh që zhvillova të dielën, më rezultoi se rreth 35% e të anketuarve nuk kishin opinion pozitiv as për Ramën e as për Berishën. Por sidoqoftë, vetëm 1% e të anketuarve kishin marrë pjesë në të paktën një protestë. Dhe ç’është më dëshpëruese, atyre u mungon një grup udhëheqës, që t’a përkthejë thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg!” në një platormë konkrete politike…

Unë do ta votoj partinë e re që do të krijojë protesta

11 June 2026 at 10:22

Nga Kreshnik Spahiu

Ideja e protestës për një Kuvend Kombëtar pa partitë politike duhet të mbështetet!

* Do të ndalojë që çdo politikan aktual të jetë pjesë

* Do të ndalojë përdorimin nga partitë aktuale.

* Do të strukturojë lëvizjen.

* Do të identifikojë liderë të rinj.

* Do të thyejë establishmentin e vjetër.

* Do të përgatisë zgjedhje të reja.

* Do të bashkojë shumë shqiptarë.

* Do të jetë themeli i një partie të re.

* Do të hartojë një program ndryshe nga PD-PS

* Do të shmangë një konflikt të mundshëm.

* Do të përgatisë platformën dhe programin.

* Do t’i përfaqësojë protestuesit me ndërkombëtarët.

* Do të hyjë në garë për të fituar zgjedhjet.

* Do të përgatisë ekipin për qeverinë e re.

* Do t’i kërkojë popullit votën.

Unë do ta votoja lëvizjen e re, nëse ajo nuk përdoret nga forcat e vjetra politike. Por nuk do ta mbështes aspak nëse përdoret nga partitë aktuale.

Shqipëria ka nevojë për brezin e ri dhe elitat e reja.

Po ju, a do ta votonit?

Vetëm shqiptarë në protestë, por Irani, Greqia…

10 June 2026 at 12:38

Nga Eduard Zaloshnja

Nga ç’është parë deri më sot në dhjetra ekrane televizive, dhe nga komente që bëjnë pjesëmarrësit e protestave me shkas Zvërnecin, mund të thuhet pa frikë se protestuesit nuk janë iranianë, grekë, serbë apo rusë të maskuar si shqiptarë. Në protestë ka vetëm shqiptarë, përveç ndonjë turisti perëndimor që ka rastisur aty pari.

Po sa shqiptarë kanë marrë pjesë në protestat që filluan para 11 ditësh në Zvërrnec, ku u tërhoq zvarrë një protestues, tërheqja e të cilit shërbeu si shkëndijë për përhapjen e tyre në Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër, etj?

Nga sondazhi i fundit që bëra të dielën për ‘Zërin e Shqiptarëve’ rezultoi se 1% kishin marrë pjesë të paktën një herë në protestë (si protestues ose si sehirxhinj). Meqë popullsia e rritur e vendit është 1.9 milionë, i bie që rreth 19 mijë banorë të rritur kanë marrë pjesë të paktën një herë në protestat e ndryshme që janë zhvilluar pas ngjarjes së Zvërnecit.

Po çfarë mendojnë ata që janë Pro investimit të parashikuar në Zvërnec?

Nga sondazhi i sipërcituar rezultoi se 52.7% janë Pro investimit të parashikuar në Zvërnec. Meqë popullsia e rritur e vendit është 1.9 milionë, i bie që rreth 1 milionë banorë të rritur janë Pro investimit në Zvërnec. Dhe 42.5% e këtyre mendojnë se Irani i ka nxitur protestat në prapaskenë. Ndërsa 31.2% mendojnë se Greqia është në prapaskenë, 15.5% Soros, dhe 10.8% segmente brenda PS-së (shihni grafikun e mëposhtëm)

Pse 1 milion protestues nuk e rrëzuan Vuçiçin edhe pas 2 vjet protestash?

10 June 2026 at 09:40
Nga Kreshnik Spahiu
Në Beograd u protestua 2 vjet çdo ditë, por Vuçiç nuk dha dorëheqje dhe, fatkeqësisht, është në pushtet.

A e dini pse dështuan 1 milion protestues në Serbi?

* Protesta nuk prodhoi një kandidat të ri për president apo kryeministër për të garuar dhe fituar me vota përballë Vuçiçit.
* Studentët serbë nuk arritën të gjenin lidershipin dhe nuk zgjodhën dot një strukturë drejtuese.
* Ata nuk krijuan parti të re politike por kërkonin zgjidhje sërish me partitë e vjetra.
* Ata nuk krijuan një platformë të qartë kërkesash politike për të sjellë ndryshime politike.
* Ata u bashkuan me protestues të partive të ndryshme dhe u përdorën prej tyre.
* Protestat rriteshin, por elektorati i Vuçiçit nuk ndryshonte.
* Me kalimin e kohës u lodhën dhe nuk kishin financime për t’i vazhduar.
* Në protestë merrnin pjesë dhjetëra grupime politike me interesa të ndryshme dhe kjo pamundësonte krijimin e një organizate politike të re.

A e dini pse u larguan Ivanka dhe Kushner një vit më parë nga projekti i investimit në Beograd?

* Në dhjetor të vitit 2025 Ivanka Trump u largua nga projekti në Serbi. Kompania Affinity Partners në pronësi të Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump) njoftoi tërheqjen zyrtare nga aplikimi dhe dorëzimin nga projekti. Kompania deklaroi se projekte të tilla duhet të bashkojnë njerëzit dhe jo t’i ndajnë ata. Protestat dhe sulmet mediatike e detyruan të largohet.

Analiza nuk është për të treguar se në Shqipëri po përdoret i njejti skenar serb, por për të informuar dhe orientuar ata që energjinë e protestave madhështore në Shqipëri mund ta çojnë dëm.
Mos harroni, protesta është fillimi dhe jo mbarimi.
Në politikë dhe në futboll suksesi matet me rezultat.
Madje kur ndeshja dështon, populli të kryqëzon dhe akuzon shpesh edhe pa të drejtë duke thënë:

* ishin të paaftë
* ishin të futur
* ishin kalamaj
* ishin të shitur
* ishin vegla

Për këto arsye duhet fituar lufta, se në të kundërt veç do e forconi Ramën dhe Berishën.
Jo në burg nuk do i çoni, por do na i bëni peshqesh edhe 10 vite të tjera.

“Historia shkruhet nga fituesit.” na ka mësuar dikur Winston Churchill

Përballja Albini-Vjosa

8 June 2026 at 11:14

Nga Eduard Zaloshnja

Përsëritja e zgjedhjeve kuvendore në Kosovë (për të disatën herë) kishte në thelb përplasjen e fortë të Albin Kurtit (Kryeministër i Kosovës) me Vjosa Osmanin (Presidente e Kosovës). Kjo e fundit, e përkrahur publikisht nga Presidenti Trump, ngjalli siç duket xhelozinë e Albinit, dhe ky nuk e kandidoi më për presidente (megjithëse ajo kishte qenë vendimtare në zgjedhjet që dikur e bënë Albinin kryeministër).

Pas asaj përplasje, Kuvendi i Kosovës nuk zgjodhi dot një president të ri, e për rrjedhojë, u kalua automatikisht në zgjedhjet e parakohëshme të djeshme. Ndërkohë, Vjosa u rikthye në shtëpinë e saj origjinale politike – LDK.

Kokëfortësia e Albinit për të mos rizgjedhur Vjosën presidente, dukej se bazohej në besimin e tij se do të merrte në zgjedhjet e 7 qershorit më shumë vota se më 28 dhjetor. Gjë që do t’ia lehtësonte vendosjen në presidencë të një të besuari të tij.

Por ç’na tregojnë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të djeshme?

Vetvendosja e Kurtit ka marrë 42.9% të votave, nga 51.1% që mori në dhjetor. Pra nga 57 mandate kuvendore që siguroi në dhjetor, tani mund të zbresë nën 49. Gjë që mund t’i vërë në pikëpyetje edhe postin e kryeministrit (në qoftë se partitë opozitare nxjerrin një kandidat të përbashkët për kryeministër).

Nga ana tjetër, rikthimi i Vjosës në LDK krijoi një sfidë të drejtpërdrejtë për Albinin. Në qoftë se LDK-ja do të dilte partia e parë opozitare, do të kishte të drejtën legjitime t’u kërkonte partive të tjera ta mbështesnin Vjosën për kryeministre.

Po LDK-ja siguroi vetëm 17.6% të votave gjithsej (sipas rezultateve paraprake), pavarësisht rezultatit të mirë në Komunën e Prishtinës. Ndërkohë, PDK-ja ka marrë 21.1% të votave në gjithë Kosovën. Në këto kushte, është e vështirë që Vjosa të mbështetet nga një parti më e madhe opozitare se sa partia e saj.

A do të arrijnë partitë opozitare të dalin me një kandidaturë kryeministrore të mbështetur nga të gjithë opozitarët në Kuvendin e Kosovës? Mbetet për t’u parë…

Kur nuk kalon stekën nuk i kërkohet Duplantis të tërhiqet

7 June 2026 at 20:08

Nga Shpëtim Luku

Pak kohë më parë kam bërë një krahasim mes kryeministrit Edi Rama dhe atletit suedez Armand Duplantis. Për ata që nuk e njohin, Duplantis është kërcyesi me shkop që ka thyer mbi 15 rekorde botërore. Është një nga më të mirët e historisë së atletikë, një atlet fenomenal. Ai nuk hyn në garë për të pyetur e sqaruar veten nëse do të fitojë apo jo. Kjo është pothuajse e ditur. Sfida e tij është nëse do të thyejë edhe një rekord tjetër.

Shumë vetë mund të nënqeshin me këtë krahasim. Por ai nuk synon të ngrejë në piedestal një figurë politike. Ai synon të përshkruajë një realitet. Në CV-në politike të Edi Ramës figurojnë tre fitore si kryetar bashkie dhe katër fitore si kryeministër, pa llogaritur beteja të tjera elektorale të fituara në krye të Partisë Socialiste. Ai regjistron vetëm një humbje, edhe atë në një garë ku rezultati fillestar e nxirrte fitues me një diferencë minimale ndaj Lulëzim Bashës, për t’u përmbysur më pas në një proces administrativ tepër të debatueshëm.

Mund të ketë shumë njerëz që nuk e pëlqejnë Edi Ramën. Mund të ketë të tjerë që e konsiderojnë përgjegjës për një sërë problemesh të vendit. Këto janë qëndrime legjitime në një shoqëri demokratike. Por një gjë mbetet fakt: në terrenin politik shqiptar, ai është lojtari më i fortë i dy dekadave të fundit.

Të mos e pranosh këtë realitet do të thotë të gënjesh veten. Por politika është fusha ku vetëgënjimi ndëshkohet më shpejt se kudo tjetër.

Pikërisht për këtë arsye, nuk mund t’i kërkohet atij të largohet. Nuk mund t’i thuhet: “Ik!”. Jo sepse është i pazëvendësueshëm, por sepse në demokraci askush nuk zëvendësohet duke i kërkuar të lërë vendin bosh. Kundërshtari duhet mundur në fushë.

Në sport askush nuk do ta merrte seriozisht një atlet që, duke mos qenë në gjendje të kapërcejë stekën, do t’i kërkonte Duplantisit të tërhiqej nga garat. Askush nuk do të pranonte që kampioni të largohej vetëm sepse të tjerët nuk arrijnë të konkurrojnë me të. Përkundrazi, atletët përpiqen të stërviten më shumë, të përmirësohen dhe të gjejnë mënyra për t’u afruar me nivelin e tij.

Politika nuk funksionon ndryshe. Nëse mendon se qeverisja është e gabuar, atëherë duhet të ndërtosh një alternativë më të mirë. Nëse beson se një lider ka konsumuar misionin e tij, atëherë duhet të prodhosh një lider më bindës. Nëse pretendon se shumica e shqiptarëve duan ndryshim, atëherë duhet t’i bindësh ata me ide, me ekip dhe me vizion.

T’i kërkosh kundërshtarit të largohet pa e mundur është, në thelb, pranimi i paaftësisë për ta sfiduar atë.

Protestat e fundit në Tiranë tregojnë se ekziston një pakënaqësi reale dhe se ka ende “brumë” për të gatuar një forcë të re politike. Por mes pakënaqësisë dhe pushtetit ekziston një rrugë e gjatë. Zemërimi nuk mjafton. As entuziazmi nuk mjafton. Thirrjet për largim jo e jo.

Duhet organizim. Duhet program. Duhet lidership. Duhet besueshmëri. Dhe, mbi të gjitha, duhet aftësia për të fituar besimin e shumicës.

Demokracia nuk është arti për të zbrazur fushën e lojës nga kundërshtari. Demokracia është aftësia për ta mundur atë në një garë të ndershme, duke respektuar rregullat që vetë loja ka vendosur.

Derisa kjo të ndodhë, Edi Rama do të vazhdojë të jetë ai që është sot: lojtari që fiton garat. Dhe ata që duan ta zëvendësojnë do të duhet të bëjnë atë që bëjnë të gjithë sfidantët e vërtetë: të përgatiten për ta mundur, jo t’i kërkojnë të largohet.

Sepse kampionët nuk ikin nga pista. Ata zbresin prej saj vetëm kur dikush arrin t’i mposhtë.

Protestat, “lënda e parë” pa “makineri”

5 June 2026 at 12:11

Nga Shpëtim Luku

Edi Rama nuk ka pse të jetë i habitur nga përmasat e protestës që vijon prej pesë ditësh në Tiranë dhe që pati si shkak fillestar Zvërnecin.

Nuk ka pse të mundohet të identifikojë motivimet apo organizatorët e saj. Sepse ai duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër se sa i madh është rezervuari i pakënaqësisë që është krijuar gjatë viteve të fundit.

Një qeverisje e shoqëruar nga perceptimi i një korrupsioni të përhapur, nga polarizimi i skajshëm social, nga përqendrimi i pasurisë në duart e një grupi të vogël njerëzish, nga shërbime publike që vazhdojnë të mbeten të dobëta, nga një sistem drejtësie i korruptuar dhe i paralizuar, nga investime infrastrukturore që gllabërojnë fonde pa sjellë përmirësime proporcionale në jetën e qytetarëve, prodhon në mënyrë të pashmangshme masa të mëdha të pakënaqurish.

Në fakt, kjo pakënaqësi nuk është ndonjë zbulim i ditëve të fundit. Ajo është evidentuar sistematikisht edhe në proceset zgjedhore. Prej vitesh, mbi gjysma e elektoratit shqiptar refuzon të marrë pjesë në votime. Ky nuk është thjesht tregues apatie politike.

Në masën më të madhe është tregues i mungesës së përfaqësimit. Janë qindra mijëra qytetarë që nuk gjejnë veten as tek qeveria dhe as tek opozita tradicionale.

Pikërisht këtu gjendet ajo që mund të quhet “lënda e parë” e një opozite të re. Një rezervuar i madh energjie politike që pret të marrë formë. Por historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se ekzistenca e lëndës së parë nuk mjafton. Për ta kthyer atë në forcë elektorale nevojitet “makineria”. Nevojiten autoritete morale, figura me besueshmëri publike, njerëz që jo vetëm artikulojnë pakënaqësinë, por janë në gjendje ta organizojnë dhe ta drejtojnë atë drejt një objektivi politik.

Dhe pikërisht këtu ka ngecur vazhdimisht Shqipëria.

Pakënaqësia ka ekzistuar pothuajse gjithmonë. Revolta sociale nuk ka munguar. Por ndërmjet revoltës dhe alternativës ka ekzistuar një hendek i madh. Shpesh protestuesit kanë ditur shumë mirë kundër kujt janë, por shumë më pak se me kë janë.

Edhe protestat e tanishme duket se përballen me të njëjtin problem. Suksesi i tyre maksimal mund të jetë krijimi i një krize politike që do të çonte në zgjedhje të parakohshme. Por kush do ta përfaqësojë politikisht këtë energji?

Sepse si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike mbeten organizata të konsoliduara, me struktura, militantë, financa dhe elektorate relativisht të qëndrueshme. Ato mund të humbin ose të fitojnë mbështetje, por vazhdojnë të jenë makineri politike funksionale.

Ndërsa energjia që po shfaqet në protestë nuk është ende organizatë. Nuk është ende alternativë. Nuk është ende ofertë elektorale.

Nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme, pyetja nuk është nëse ekziston një elektorat i pakënaqur. Kjo ka qenë dhe është e qartë. Por kush do ta kanalizojë atë. Kush do ta shndërrojë pakënaqësinë në projekt politik. Kush do ta kthejë revoltën në votë.

Kjo është dilema që Shqipërinë e ka shoqëruar prej dekadash. Vendi ka prodhuar vazhdimisht lëndë të parë politike, por shumë rrallë ka prodhuar autoritetet morale dhe lidershipin që mund ta përpunojnë atë. Ka pasur energji, por jo gjithmonë drejtim. Ka pasur pakënaqësi, por jo domosdoshmërisht alternativë.

Prandaj sfida reale e protestave nuk është mbushja e shesheve. Ajo është lindja e një autoriteti të ri politik e moral që të jetë në gjendje të përfaqësojë atë pjesë të Shqipërisë që prej vitesh ka zgjedhur të mos votojë. Vetëm atëherë lënda e parë mund të shndërrohet në forcë transformuese. Përndryshe, edhe kjo valë pakënaqësie rrezikon të mbetet thjesht një tjetër shpërthim energjie që prodhon zhurmë politike, por jo ndryshim politik.

Goxha më shumë se në protestat e Berishës, por…

5 June 2026 at 09:10

Nga Eduard Zaloshnja

Krahasova një foto nga lart të protestës së mbrëmshme me foton e protestës së fundit të thirrur nga Berisha më 9 maj. Dhe nga krahsimi i fotove duket qartë se aktualisht ka goxha më shumë pjesëmarrës se në protestat e Berishës (SHIHNI FOTOT E MËPOSHTME).

Po le ta lëmë për një çast mënjanë Berishën (që nuk mledh më dot protestues si dikur), dhe të fokusohemi te protestuesit aktualë. Ka aty antisemitistë (që e portretizojnë Ramën si çifut me gërsheta kaçurrela), si armik të ambjetit (që don të zhdukë pelikanin kaçurrel), si laké të familjes Trump, si dashnor të Berishës etj, etj, por nuk ka molotovë. Sidoqoftë, turma fillon te shkallët e Kryeministrisë dhe mbaron te Kullat Binjake – nuk fillon tek Universiteti dhe mbaron te Monumenti i Skënderbeut…

Po çfarë na tregon historia botërore për protestat paqësore të suksesshme?

Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore ditë e natë (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Dhe në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua…

Në vitin 2003, qindra mijra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.

Pas disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.

Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra mijrave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sillin ndryshime të rëndësishme.

Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Dhe rezultat e një studimi shkencor të Profesores Erica Chenoweth, të Universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat jo të dhunëshme s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.

Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive ditë e natë në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj.

Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.

E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës. (Në analizën e saj të gjerë, ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja.) Profesorja Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bomba, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.

Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46%.

Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit

Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Profesores Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive ditë e natë në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.

Studimi i Profesores Chenoweth tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.
SHËNIM I RËNDËSISHËM: 3.5% e popullsisë në Shqipëri është rreth 82 mijë banorë. Po të dilnin kaq në bulevard, ai do të mbushej plot nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut…

Screenshot
Screenshot

Të rinjtë, më në qendër ideologjikisht dhe elektoralisht

4 June 2026 at 10:05

Nga Eduard Zaloshnja

Në prill drejtova një vrojtim statistikor në terren mbi vetidentifikimin ideologjik dhe bindjet/vlerat e banorëve të rritur të Shqipërisë. Studimi u financua nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS)* dhe u bazua në një kampion të rastësishëm dhe të shtresëzuar gjeografikisht prej 1119 të rriturish në të 12 qarqet, duke siguruar përfaqësim demografik, gjeografik dhe politik me një marzh gabimi statistikor nën 2.9%.

Ndër pyetjet e shumta në pyetësor, kishte edhe pyetje për moshën, mënyrën e votimit vjet dhe vetidentifikimit ideologjik (pavarësisht mënyrës së votimit). Duke kryqëzuar përgjigjet për këto pyetje, llogarita se sa të anketuar të çdo grupmoshe votuan ose nuk votuan vjet, apo për kë votuan ata që morën pjesë në zgjedhje. Gjithashtu llogarita edhe vetidentifikimin ideologjik sipas çdo grupmoshe.

Dhe meqë kampioni i vrojtimit përfaqësonte statistikisht të gjithë popullsinë e rritur të vendit, rezultatet japin një pasqyrë të përafërt të elektoratit në Shqipëri.
Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor, rezultoi se rreth 48% e të rinjve 18-34 vjeç nuk votuan fare vjet, ose votuan për parti të vogla. Nga ana tjetër, vetëm 24% e moshave 65 vjeç e sipër s’votuan fare ose votuan për parti të vogla. Siç duket qartë në Tabelën 1, sa më e madhe mosha, aq më i vogël ka qenë vjet numri i mosvotuesve apo votuesve të partive të vogla.

Screenshot

Pyetjes sesi e konsiderojnë veten ideologjikisht (pavarsisht mënyrës së votimit), 40% e të rinjve iu përgjigjën ‘të qendrës’. Nga ana tjetër, vetëm 19% e moshave 65 vjeç e sipër e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht. Siç duket qartë në Tabelën 2, sa më e madhe mosha, aq më i vogël është numri i atyre që e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht.

Screenshot

*Studimin mund ta lexoni të plotë në faqen e KAS: https://www.kas.de/en/web/albanien/single-title/-/content/statistische-studie-zur-ideologischen-identitaet-in-albanien

Rrumpalla e pronësisë së tokës: Ligji 7501 apo Berisha-92?

2 June 2026 at 09:51

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit – fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.

Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të intersuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).

Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (të gjitha urbane).

Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të asaj qeverie (imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu shpërnda anëtarëve të tyre.

Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!

Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.

Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:

• Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

• Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, kur nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zënë, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

• I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).

• Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.

Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli.

Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…

Sesi janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.

Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të vendit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…

“Leku i Ramës”, “Leku i Enverit”, “Leku i Zogut”

31 May 2026 at 12:03

Vjet u futën në Shqipëri rreth 12.5 milionë vizitorë me pasaporta të huaja. Këtë vit priten rreth 13 milionë. Ç’heqin të shkretët me çmimet, që diku kuotohen me “lekë të rinj”, e diku me “lekë të vjetër”…

Nga Eduard Zaloshnja

Më 1926, kur në krye të vendit ishe Ahmet Zogu, doli në qarkullim monedha e parë shqiptare, e quajtur Lek. Atëherë, 100 lekë shkëmbeheshin me 1 napolon flori.
Më 1964, kur në krye të vendit ishe Enver Hoxha, doli në qarkullim leku i ri, në raport 1:10 me lekun e vjetër.

Tani që kanë kaluar 62 vjet nga koha kur leku i ri zëvendësoi të vjetrin (dhe në krye të vendit është 62-vjeçari Rama), ndoshta ka ardhur dita që të dalë në qarkullim një lek fringo i ri. Dhe kjo jo thjesht për të eliminuar konfuzionin e të huajve/diasporës me dyzimin e çuditshëm të lekëve të rinj e të vjetër – arsyeja kryesore për nxjerjen në qarkullim të një leku fringo të ri do të ishte futja e lekëve jashtëbankarë brenda sistemit bankar.

Sipas të dhënave në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, rreth 40% e të gjithë lekëve që qarkullojnë në ekonominë tonë ndodheshin në fund të vitit 2025 jashtë sistemit bankar. Në këto kushte, emetimi i lekëve fringo të rinj do të ishte një mjet efikas për të futur në banka pjesën dërrmuese të kartmonedhave shqiptare që qarkullojnë jashtë tyre.

Për t’u realizuar ky synim, mund të caktohet një datë, brenda së cilës të gjithë lekët që janë në qarkullim duhet të paraqiten për këmbim me lekët fringo të rinj, sipas një kursi zyrtar – le te themi 1 me 95 (sa ç’është kursi aktual i Euros me Lekun).

Për shuma mbi një kufi të caktuar, bankat mund të detyrohen me ligj që të hapin depozita për klientët që sjellin lekët aktualë për shkëmbim. Ndërsa për shuma nën atë kufi, mund të japin lekë fringo të rinj (në qoftë se klienti i do në dorë). Në këtë mënyrë, të gjitha lekët, të pastër e të pistë, nga janë e nga s’janë, do të detyrohen të kalojnë nëpër sistemin bankar. Dhe një pjesë e mirë e tyre patjetë që do të mbesin në të.

A do të justifikohej kostoja e prodhimit të kartomonedhave dhe monedhave të reja? Kësaj pyetje vlen t’i përgjigjen specialistët e Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë.

A do të ishte një hap i ndërmjetëm i kalimit gradual drejt adoptimit të Euros si monedhë kombetare në prag të antarësimit në BE? Patjetër, sepse shkëmbimi i “Lekëve të Enverit” me “Lekët e Ramës” do të bazohej në kursin aktual të Euros.

A do të shërbente si një masë për zbutjen e inflacionit? Patjetër, sepse kursi i ndërrimit do të jetë 1:95 dhe jo 1:100.

Sa për shqiptatarët e thjeshtë, dhe sidomos për turistët e huaj dhe vizitorët nga diaspora, varrosja përfundimtare e fjalëve “lekë të rinj” e “lekë të vjetër” do të ishte mëse e mirëpritur…

❌
❌