Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Përgjigje për drejtorin e medias të Sali Berishës!

20 May 2026 at 16:20

Nga Nikoll Lesi

Një javë pas bashkëbisedimit me Edi Ramën, kur ishte 35 vjetori i daljes së gazetës Koha Jone si gazetë e lirë dhe e pavarur, u kujtua lideri demokrat Berisha të nxirrte, Alfred Lelën, drejtorin e medias së PD që të fliste në një video-status për Edi Ramën dhe mua.

Ti ke aftësitë për të kuptuar se kur është një emision debat, kur është intërvistë dhe natyrisht dallon bashkëbisedimin. Ndonëse kam filluar vonë një emision KOHA JONE-DEBAT, çdo të mërkurë ora 20.00, por prapë se prapë, duke qenë në një moshë (62 vjeç) krejt afër me moshën e Berishës, e kam nisur, pra emisionin.

Por nuk jam pa eksperiencë, Alfred!

Deri tani kam patur të ftuar Spartak Ngjelën, Ilir Alimehmetin, Luçiano Boçin, Ervin Salianji, Adriatik Lapaj dhe së fundmi Edi Ramën. Sonte kam deputetin Agron Shehaj.

Ajo që ju thoni, si me marifet duke me lartësuar, por me dinakerinë tuaj të më poshteroni se gjoja ishte një intervistë me vetveten apo që sikur po i bëja nder Ramës duke shigjetuar indirekt Berishën si diktator i medias, e gjitha ajo që thatë nuk ka sens.

Në fakt i nderuar Fredi, janë dy kohë që nuk krahasohen fare, po fare!

Asokohe sapo komunizmi kishte filluar të rrëzohej, por që akoma PD-ja nuk kishte ardhur në pushtet, unë me gazetarët lezhjanë Zef Shtjefni, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Aleksandër Frangaj, Marash Mirashi dhe Vera Ivanaj kemi shkruar pro PD-së si një shpresë për lirinë e shqiptarëve.

Aq sa kishim takat se ishte gazetë lokale e Lezhës, pasi botohej vetëm një herë në javë, me afro 400 kopje.

Ndërkohë filluam, siç shkruhet edhe në librin tim “Kështjella e Medias” (do ta dhuroj një kopje kur të vini te emisioni im me Berishën) të kritikonim edhe PD-në kur erdhi në pushtet. Por pushteti na e ktheu me raprezalje, dhunë, arrestime, kontrolle, bile është proverbiale fakti që parlamenti me shumicë berishiane krijoi Komision Hetimor Parlamentar për të parë financat e gazetës KOHA JONE, ku erdhën dy deputetë të PD-së me kontrollorë dhe pushtuan zyrat e gazetës për të gjetur “qenin e ngordhur”! Koha Jone ishte tashmë e përditshme dhe me 100 mijë kopje shitje në ditë.

Faksimile të vendimit të Parlamentit për të kontrolluar KOHA JONE

Nga ana tjetër, Fredi, TVSH si e vetmja media televizive, sulmonte përnatë gazetën KOHA JONE si e blerë nga agjenturat e huaja, derisa në 2 mars 1997, shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede akuzoi hapur në parlament, duke u vendosur Gjëndja e Jashtëzakonshme, se ne si gazetë na suportonte CIA!

Idiotsi këto veprime të pushtetit, Fredi, që kur ia tregon brezit të ri të gazetarëve të sotëm, u dukën si filma fantastiko-shkencorë të Hollivudit.

Ti e di se asokohe, nuk kishte as internet, natyrisht as rrjete sociale siç ka sot. Nuk kishte radio apo televizione private, apo jo Fredi?

I vetmi zë që oshëtinte dhe ndriçonte në botën e errët informative të viteve 1991-1997 ishte gazeta KOHA JONE.

Po vazhdoj prapë, Fredi, se do të vijë edhe koha e sotme e “diktatorit” Edi Rama. Por me lejo të them se nuk e di se si do ndiheshit ju, nëse, qoftë larg, segmente kriminale të pushtetit të të vendosnin tritol të dera e shtëpisë dhe të kishit brenda bashkëshorten me fëmijet brenda! Dhe, asokohe, kështu ka ndodhur me 1 nentor 1995, rreth orës 20.00, fati ishte me mua dhe familjen time, ndërsa pjesë të apartamentit kishin fluturuar bashkë me dyert e dy komshive ngjitur dhe për çudi edhe te komshiu poshtë meje.

Unë nuk kam akuzuar se erdhi presidenti Berisha të vinte tritolin, por ishte fryma e pushtetit që frymëzoi tritolvënësit.

Apo nëse ke harruar se kryeredaktori Aleksandër Frangaj (sot pronar i TV KLAN) dhe Martin Lekaj, bënë burg . Sandri afro një muaj, kurse Martini katër muaj. Në qeli, Fredi, në qeli!

Faksimile të urdhër arresteve për dy gazetarët e KOHA JONE

Dhe asokohe na erdhën prapë në ndihmë për gazetën, Dritero Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Lubonja, Kiço Blushi, Moikom Zeqo, Edi Rama, Blendi Gonxhe, etj.

Pa të vonuar, Fredi, se mos të duhet të merresh me fushatën e doktor Berishës sepse ka zgjedhjet për kryetar në PD e ku gara është e vështirë, po e mbyll këtë pjesë me djegien e redaksisë së gazetës me të madhe shqiptare, KOHA JONE, natën e 2 mars duke gshirë 3 mars 1997. Nuk e di sa je në dijeni, por atë natë kur u vendos Ligji i Gjëndjes së Jashtëzakonshme, e ku kontrollin e mori ushtria dhe SHIK-u (Shërbimi Sekret ) rreth orës 01.30 të natës forcat e policisë sekrete, policisë së Tiranës, pjestarë të Gardës së Republikës hynë dhe dogjën e shkatërruan redaksinë e KOHA JONE. Aty morën me vete në komisariatin e policisë nr.3 Tiranë gazetarin Zamir Dule dhe shoferin e gazetës Anesti Nikolla. I torturuan, derisa Zamir Dule nuk u bë më njeri nga rrahjet, ai ndërroi jetë me vonë.

Në foto: Redaksia e gazetës KOHA JONE me datë 3 mars 1997

Gazeta u rrënua, 42 ditë nuk doli më në treg dhe nuk kishim zyra pasi asnjeri nuk na jepte me qira nga frika se mos vinte prapë shteti të na digjte.

Tani, Fredi, nuk e di nëse e di, por pyet Ben Blushin, nëse do, se njërën prej dhomave të djemve të mi e kthyem në “redaksi” gazete, ku gazetarët mblidheshin kruspull për të shkruar në ato kompjetera që në solli dhuratë një botues italian emrin Nicola Grauso.

Pas disa viteve hetime prokuroria e Tiranës ka firmosur se ishte shteti shkaktar i djegies së gazetës, po kështu, nëse i bindeni drejtësisë, ka edhe një vendim të gjykatës së lartë, që ka vendosur në Kolegjin e saj se ishtin segmente të policisë sekrete e Gardës që rrënuan me flakë e armë gazetën që do apo nuk doni ju, Fredi, ka mbetur legjëndë.

Dhe legjendat nuk kanë nevojë për dekorata! Ajo është histori që nuk zhbëhet dot..

Unë e kuptoj se edhe Berisha, sot, ndihet keq për ato që i ka bërë gazetës KOHA JONE, pushteti i tij. Besoj se ka pendesë, sepse ai ka tipare burrnore, por nuk e di se kush e ka mikluar që të nxirrte ty të më sulmoje, kot se koti.

Unë, Fredi, disa kohë edhe kur zgjodha deputet, nuk kam folur me Berishën. Ai shmangej në koridoret e parlamentit, por Doktorin, pra Sali Berishën e pranova, duke mos harruar atë që i kishte bërë gazetës KOHA JONE, kur në pushtet erdhi Fatos Nano si kryeministër ndër vitet 2002-2005.

Pyet Doktorin, Fredi, se ti je i ri!

Mes dy të këqijave të atyre viteve, siç të thashë, zgjodha të keqen me të vogël, pra Berishën dhe sulmova Fatos Nanon. Dhe me privacione, e pësova luftën mediatike e politike ndaj tij, pra nga Nano. Pyeteni Doktorin, se çfarë kontributi dhashë për ta rrëzuar kryeministrin Nano.

Kryeministri socialist solli me anë të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, asokohe, dhe me Prokurorin e Përgjithshëm, kërkesën për heqjen e imunitetit tim si deputet dhe arrestimin tim, sapo të humbisja imunitetin. E pse? Akuza ishte se kisha shpifur ndaj kryeministrit dhe familjes së tij në gazetën KOHA JONE.

Faksimile të padive të kryeministrit Nano

Një absurditet-akuzë! Pyete Berishën!

Dhe Berisha, atëkohë (ka regjistrim nëse e doni), ku lideri demokrat iu drejtua në sallën e Kuvendit, kryeministrit Nano, se “ju po bëni presion dhe shantazh ndaj liderit të medias së lirë”.

Edhe mund të kisha bërë ndonjë pazar me kryeministrin, Fredi, dhe sot do kisha kulla në qendër të Tiranës apo resorte turistike në bregdet apo pazare të tjera, siç kanë bërë disa ish-kolegë të mijë, kur unë luftoja për fjalën e lirë, ata u bënë milionerë nga pushteti!!

Unë te bashkëbisedimi me Edi Ramën, isha vetvetja e jo siç nënkupton ti, se po kërkoja leje ndërtimi!

Nëse do, mund të ta them me plot gojën, se nga gazetarët VIP si botues (besoj futem këtu) unë, Ylli Rakipi dhe Mero Baze nuk kemi kërkuar dhe as marrë kurrë leje ndërtimi. Pyet dhe fut urdinë e gazetarëve të PD të hetojnë e kontrollojnë.

Unë edhe atë godinë mediatike që kam, e ndërtuar pas djegies së redaksisë nga PD, për ironi të fatit, Kryeministri Nano donte ta rrëzonte me fadroma dhe ishte Sali Berisha, kur erdhi kryeministër në vitin 2005 që urdhëroi të legalizohej! Sepse i kisha kërkuar kryebashkiakut Edi Rama që të më jepte leje ndërtimi, por nuk ma dha, pasi ishte KRT e kryeqyteti e dominuar nga qeveria e zotit Nano që nuk lejuan të merrja atë dreq leje për godinën e KOHA JONE.

Dikush që ishte deputet dhe gazetar i njohur, që nuk dua t’ia përmend emrin, pasi plas sherr i madh mes atij dhe Saliut, me tha “Doktori ta dogji, Saliu ta legalizoi!”.

Pra kjo është “leja e ndërtimit” që kam kërkuar dhe marr nga pushtetet, Fredi.

Në lidhje me bashkëbisedimin me Edi Ramën, mund të them vetëm një ndjesë, te ajo që ai sarkozoi Çim Pekën. Ndonëse nuk e prisja atë përgjigje të Ramës, por gjithsesi reagova duke e mbrojtur gazetarin kryesor të opozitës.

Por edhe mund të kisha bërë zgjidhje tjetër, në atë moment duhej të kisha ndërprerë bashkëbisedimin për festën e gazetës, duke i thënë STOP zoti kryeministër, nuk të lejoj të fyesh kolegët!

Nëse doni të vazhdojmë për dhunën dhe presionin ndaj mediave dhe gazetarëve, duhet të themi atë që pësoi Mero Baze dhe Gazeta Tema në vitet e Berishës Nr.2, pra kur u rikthye në pushtet. E masakruan Meron.

Ndërsa për atë me kujton ti se çfarë pësuan Irfani, Ylli Ndroqi e Bechetti….

(vijon nesër përgjigja për Alfred Lelën)

Nikoll Lesi: Nxirreni nga qelia e paraburgimit Ilir Metën

13 May 2026 at 13:00

Nga Nikoll Lesi

Çështja e Ilir Meta është kthyer tashmë jo vetëm në debat juridik, por edhe politik, institucional dhe njerëzor. Pas afro 18 muajsh në paraburgim, pyetja që shtrohet publikisht nuk është më vetëm nëse ai është fajtor apo jo — sepse këtë e vendos vetëm gjykata — por nëse masa e sigurisë po respekton standardet e proporcionalitetit, të drejtave të njeriut dhe prezumimit të pafajësisë.

Në çdo shtet demokratik, paraburgimi duhet të jetë masë përjashtimore dhe jo dënim i parakohshëm. Vetë jurisprudenca e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar vazhdimisht se zgjatja e tepërt e paraburgimit pa një arsyetim konkret dhe të vazhdueshëm cenon lirinë individuale dhe prezumimin e pafajësisë. Sidomos kur bëhet fjalë për persona publikë, ish-zyrtarë të lartë apo figura politike, drejtësia duhet të jetë dyfish e kujdesshme që të mos krijojë perceptimin e “dënimit pa vendim”.

Argumenti kryesor i avokatëve të Metës është se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, nuk mund të prishë prova në të njëjtën masë si në fillim të hetimit dhe se një masë më e butë, si arresti shtëpiak apo detyrimi për paraqitje, do të ishte e mjaftueshme për të garantuar procesin.

Nga ana tjetër, SPAK dhe gjykata argumentojnë se masa e sigurisë lidhet me rrezikun procedural, ndikimin e mundshëm në hetim dhe peshën e akuzave. Por sa më shumë zgjatet paraburgimi, aq më i fortë bëhet debati publik mbi proporcionalitetin e tij.

Një element që po ndikon fort në opinion është edhe mënyra e trajtimit publik të Metës gjatë seancave gjyqësore — pamjet në kafaz xhami, izolimi fizik dhe tensioni politik që shoqëron çdo dalje të tij. Aq me tepër që ish-presidenti ka deklaruar se keqtrajtohet në burg, duke i mohuar çdo të drejtë ligjore e kushtetuese prej administratës së burgjeve.

Ky është krim ligjor, si ndaj ish-presidentit ashtu ndaj çdo qytetari të Republikës, kur ka diferencim të hapur në paraburgim.

Për mbështetësit e Metës, kjo shihet si poshtërim politik dhe jo thjesht procedurë sigurie.

Por në fund, demokracitë maten jo nga mënyra si trajtojnë qytetarin e zakonshëm, por edhe nga mënyra si trajtojnë kundërshtarët politikë apo figurat e forta të sistemit. Pikërisht këtu nis debati real: a po përdoret paraburgimi si domosdoshmëri procedurale apo po perceptohet nga një pjesë e opinionit si një formë ndëshkimi para vendimit përfundimtar?

Në aspektin juridik dhe human, pas një periudhe kaq të gjatë paraburgimi, kërkesa për rivlerësim të masës së sigurisë duket legjitime. Nëse nuk ekziston më një rrezik konkret procedural, një masë alternative si arresti shtëpiak mund të konsiderohej nga gjykata pa cenuar procesin penal.

Por duket se një dorë e fshehtë e mban si hakmarrje në qeli, kur fare mirë pas gjithë kësaj kohe paraburgimi, Ilir Meta mund të gjykohej i lirë dhe bile gjyqi të ishte i hapur për publikun, pasi nuk flitet se ka vrasje apo grupe kriminale që mund ta shikojnë dhe prishin provat. Eshtë thjesht një gjyq me akuza korrupsioni, siç ka ndodhur në Francë, ku ish-presidenti francez u mbajt një natë në qeli dhe me pas gjykohet në gjëndje të lirë.

Gjykata dhe Prokuroria duke e mbajtur në qeli vetëm sa rrisin, me dashje apo dashje, idenë se Ilir Metën e mban dikush tjetër në qeli, pra politikisht, por e verteta nuk është se ka ndërhyrje nga PS, por thjesht një dëshirë spakore apo e gjyqtarit për tu bërë lajm se ne “nuk falim njeri”.

Po pse në Francë ish-presidenti francez hetohet në gjëndje të lirë? A nuk janë profesionistë prokurorët dhe gjyqtarët francezë? Apo rasti kur Trumpi ishte jo president dhe e hetuan në gjëndjen të lirë.

Ndaj Ilir Meta duhet liruar dhe nëse gjykata i jep vendim të formës së prerë, pas gjykimit, se ka kryer krim ligjor të futet jo në qeli, por në fund të dheut!

Pak fjalë për rrethimin e news24 dhe paralelizmin me djegien e redaksisë së Koha Jonë

9 August 2025 at 11:00

Nga Nikoll Lesi

Sot policia e shtetit nuk ka lejuar hyrjen e punonjësve dhe gazetarëve të news24 dhe mediave të tjera të Irfan Hysenbelliut në një ndertesë që është shtetrore.

Kjo historia e përplasjes së shtetit me news24 për këtë godinë shtetrore të dhënë me qera për shumë vite, ka kohë që thuhet nga mediat e Irfanit si inat qeveritar.

Një gazetar i njohur, opozitar, me mori në celular sot, fill pas kësaj ngjarje dhe me pyeti se “A ngjason ky rrethim i news24 me rrethimin e redaksisë së gazetës KOHA JONE natën e 3 marsit 1997?”.

Dhe iu përgjigja shkurt: JO!

Me pas kolegu i mirë mbylli celularin. Shikova nëse e ka publikuar përgjigjen time, dhe vërej se jo.

Meqënëse me pyeti miku im koleg, që punon për një media të Partisë Demokratike, me duhet të shpjegohem për publikun, edhe si botues i gazetës me të madhe të pavarur në historinë e medias shqiptare, gazetës KOHA JONE.

Përplasja e sotme polici-news24 ose me saktë polici-pronar media nuk ka të bëjë me zhurmën se shteti po dhunon median e lirë apo bërtimat e disave nga selia Blu apo edhe të mikes time të mirë, ish-deputetes Dhurata Çupi e cila tha se ”Heshtja sot për News 24 është heshtje për çdo media që mund të jetë nesër në të njëjtin fat. Prandaj duhet reagim shoqëror”.

Me lejoni ta them që të mos keqkuptohem nga ata që nuk lexojnë kurrë deri në fund një shkrim: Kurrsesi nuk jam dakort me hakmarrjet apo ndëshkimet qeveritare, kushdo që të jetë në pushtet!

E në këtë rast duhet një sqarim nga strukturat përgjegjëse shtetrore nëse ka patur lajmërim me shkrim ndaj kompanisë mediatike, ose me saktë ndaj pronarit të news24, etj zotit Irfan Hysenbelliu për lirimin e zyrave shtetrore të dhëna, dikur, me qera?

Ndërsa godina mbetet pronë e qeverisë dhe çdo qeveri e di se si e menaxhon pronën e saj!

Prapë pak fjalë për Irfan Hysenbelliun. Po e bëj se prapë ka disa që nuk durojnë deri në fund, të lexojnë!

Irfani, që është pronar i news24 dhe disa mediave të rëndësishme në vend, mbetet një nga pronarët mediatikë dashamirës dhe njerëzor me punonjësit e medias së tij. Njeri inisiatorë, kërkues dhe asnjëherë i kënaqur nga arritjet e tij të mëdha në jetë.

Por e verteta mbetet një; shteti e ka pronë të tij godinën e news24. Dhe ka një plan për ta kthyer në një objekt prodhimi ushtarak.

A ishte me paramendim qeveritar rimarrja e godinës, pra mbyllja e kontratës së qerasë, apo jo; kjo ha debat. Sikurse thuhet se kontrata e qirasë kishte mbaruar dhe ministria nuk ia ka ripërtërirë.

Dhe e bëri ligjërisht!

Ku është dhuna në këtë rast?!

Të lajmërova, mos hyjë brenda dhe nuk të lejojë!

Nëse ishte godinë private, atëhere dal dhe unë të dera e news24 me kolegët kundra Edi Ramës. Nëse i kanë hequr liecensen televizionit kanë të drejtë gazetarët e news24, jo vetëm të protestojnë, por edhe të hyjnë në kryeministri.

Shumë mirë, Irfani i famshëm, si ndërtues dhe mbetet një nga ndërtuesit me cilësorë në Tiranë, mund të kishte ndërtuar një godinë private për mediat e tij.

Nëse bashkia apo qeveria nuk do ti kishin dhënë leje ndërtimi për një godinë private mediatike, atëhere ka të drejtë Irfani. Nëse AMA, pra indirekt qeveria, do ti kishin hequr licensën e televizionit, atëhere ka të drejtë Irfani.

Ndaj krahasimi me rrethimin e djegien e plotë të redaksisë së gazetës KOHA JONE me 3 mars 1997 nuk ka asnjë krahasim me ngjarjen e sotme te news24.

Shumica e di, por sidomos rinia e sotme, e cila atëhere nuk kishte lindur, duhet t’ju them se ishte policia e shtetit, sherbimi sekret shtetror (SHIK) dhe Garda e Republikës me 3 mars 1997 që hynë me forcë në orën dy të natës në zyrat e gazetës KOHA JONE; qëlluan me automatik muret, dogjën me napalm kompjutera, tavolina; gjithçka. Morën me vete me dhunë gazetarin Zamir Dule që flinte në zyrat e KOHA JONE. Rrëmbyen shoferin e gazetës Anesti Nikolla. I dërguan me dhunë në komisariatin numër tre dhe i rrahen në qelitë e tyre. Zamir Dulen e sakatuan dhe nuk u bë më njeri, derisa ndërroi jetë në Korçë.

Zyrat e shkrumbuara të KOHA JONE sollën që gazeta për 42 ditë të mos dilte në treg.

Ishte shteti, autori. Dhe kjo e vertetuar nga gjykata e lartë pas 19 viteve nga ngjarja, në dhjetor 2016, u pranua se redaksia e gazetës më të madhe shqiptare u shkatërrua nga shteti.

Të mos përmend përplasjen e madhe me kryeministrin Fatos Nano ndër vitet 2003-2005, që çfarë nuk bëri ndaj gazetës KOHA JONE. Të gjitha poshtërsitë e botës!

Natyrisht që dhuna shtetrore ka forma e nuanca të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Jam krejt i qartë për këtë!

Por doja ta sqaroja kolegun tim që bëri krahasim të pakrahasueshëm.

The post Pak fjalë për rrethimin e news24 dhe paralelizmin me djegien e redaksisë së Koha Jonë first appeared on JavaNews.al.

Zelenski u soll si “garipi i lagjes”, Trump duhet ta nxirrte me shpulla nga Shtëpia e Bardhë

3 March 2025 at 13:45

Nga Nikoll Lesi

Ajo që Bota shikoi live nga Shtëpia e Bardhë kur Presidenti ukrainas Zelenski u soll si “garip lagje” ndaj Presidentit Trump dhe ndaj SHBA, e cila e ka ndihmuar me qindra miliardë dollarë gjatë kohës së luftës, meritonte që Zelenski të nxirrej me “shpulla” nga Trumpi. Presidenti ukrainas kishte shkuar për të firmosur Marrëveshjen me SHBA, ajo ishte përpiluar nga dyja palët dhe do firmosej në mënyrë simbolike, që ishte si parakusht Sigurie të shtetit të Ukrainës prej shtetit me të fuqishëm të botës.

Ajo që ndodhi ishte e paparashikuar. Nuk kishte pse live të flitej me atë mënyrë, sepse takimet parapërgatiten nga stafet përkatëse. Ka një gjuhë diplomatike të kujdesshme e cila ruhet edhe kur shtërngon nervat.

Më 19 shkurt të këtij viti në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti Trump tha për zotin Zelensky: “Ai refuzon të mbajë zgjedhje, gëzon popullaritet të ulët në anketimet ukrainase dhe e vetmja gjë ku është treguar i suksesshëm është ta manipulojë Biden-in. Një diktator pa zgjedhje, Zelensky është më mirë të veprojë me shpejtësi apo nuk do të ketë më shtet”.

Por me sa duket Zelenski shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ti kthyer përgjigjen e kësaj akuze. Pa përkrahjen e ndërhyrjen e Uashingtonit, Ukraina nuk gjen dot paqe, ndaj një sjellje e tillë pa asnjë etikë diplomatike, aq me tepër pa sjellje mirënjohje ndaj SHBA tregon se Ukraina humbi mbrëmë prej Zelenskit. Siç shkroi pas takimit, deputeti i parlamentit të Ukrainës, Alexander Dubinsky, se Presidenti Zelenski duhet shkarkuar, jo vetëm se është i paligjshëm, por edhe se shkatërroi marrëdhëniet me SHBA.

Ndonëse Trump nënvizoi, ndër të tjera, se “Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, por pak gjasa ka që Zelenski të pranohet më në Shtëpinë e Bardhë, veçse nëse kërkon falje publike.

Zelenski e dogji shansin që iu dha për të mbetur në histori si njeriu që bëri luftën, por edhe paqen.

Atë e pret një Europë që fërkon duart nga sherri live, por një Europë pa unitet prej konflikteve të brendshme dhe që nuk ka takat të mbrojë Ukrainën, nëse SHBA tërhiqet.

Ukraina, pas kësaj sjellje të Presidentit të tyre, rrezikon të mbetet e vetme përballë Rusisë.

Po me selinë e PS, ç’patët?!

8 October 2024 at 11:35

Nga Nikoll Lesi

Mbrëmë demonstrata e PD mbaroi pas afro 4 orësh djegie dhe shkatërrime nëpër kryeqytet. Pothuaj i njëjti skenar si dikur kur kishin Lulzim Bashën në krye. Edhe ai i sorollaste nëpër Tiranë derisa protestuesit nuk kishin më frymë dhe iknin.

Edhe atëherë bërtisnin sa herë hidhnin molotov se “Rama u rrëzua”!

Gaz Bardhi dhe Flamur Noka ecën mbrëmë nëpër Tiranë, edhe mes makinave, duke zbatuar një skenar të thurur keq nga Berisha.

Në të vertetë Berishën kot e mbajnë në arrest shtëpie, ai është më i begatë për Ramën, i lirë dhe jo të rrijë majë dritares për natë.

Edhe Salianji nuk ishte për burg. Ai ka thënë diçka që nuk vërtetohet, por deputeti atë detyrë ka, të denoncojë, ndonëse e mira e do që të kesh fakte të pakontestueshme. Por jetojmë në një Shqipëri që do akoma vite për demokratizim.

Për Berishën e kam bindjen se nuk është Rama që e mban aty, janë amerikanët.

Opozita fjalën dhe protestën ka, ndaj këto nuk duhet t’ia kufizojë asnjeri. Ndaj reagimi i mbrëmshëm mbetet disi i ligjshëm, por aspak efektiv për opozitën. Edi Rama ka shumicën e qytetarëve, ndaj prapë do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2025.

E pse?

Sepse Berisha nuk heq dorë nga lidershipi në PD. Ai në vend që të hapë partinë e ka mbyllur deri te Gaz Bardhi, të cilin aty e ka patur. Pra nuk kanë shtuar numra.

PD-ja duhej të dilte me një emër nga radhët e saj për kryeministër. Nuk kishte pse Berisha deklaronte se “unë jam kandidati për kryeministër”. Që këtu filmi mbaroi!

Edhe akuza se Rama kërkon mandatin e katërt, bie. Pse Berisha nuk po kërkon mandat të katërt?! Ai ka qenë president, bile fuqiplotë dhe djegëshpues. Ka qenë dy herë kryeministër dhe kërkon mandat të katërt.

Pra të dy, Rama dhe Berisha, duan mandat të katërt ku duket hapur se Rama prapë do të jetë kryeminisëtr në vitin 2025 e pas.

Pse?

Sepse Berisha gabon. Ai duhej të gjente një kandidat të besueshëm për kryeministër. Bile pak a shumë të thoshte se kjo do të jetë qeveria ime, por jo unë më!

Të thoshte se Luçiano Boçi, Gaz Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Edi Paloka, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Oerd Bylykbashi, etj. do të jenë qeveria e re demokrate e Shqipërisë.

Dhe në këtë rast mund të zgjonte pjesën gri të votuesve, që ta votoni këtë qeveri të re.

Por Berisha tha “do jem unë”!

Atëherë shumica thotë; më mirë Edi Ramën!

Edhe një pyetje: Pse dogjët vendqëndrimet në stacionet e autobusëve? Po me reklamat ç’patët? Ato janë pronë private.

E fundit, por jo pak kryesore: Pse sulmuat selinë qendrore të PS?! Nëse justifikimi juaj mund të jetë se “aty gatuhen krimet e Edi Ramës”, nuk ngjet aspak pasi ju preket “Mekën” apo “Selinë e Shenjtë” të socialistëve, selinë e tyre. Pas kësaj edhe socialistët që nuk do të votonin PS, për një mijë arsye, tani janë zgjuar, janë acaruar, janë gati për betejë me PD e tkurrur.

Gabim i madh ata që e ideuan djegien e selisë qendrore të PS. As në vitin e mbrapshtë, 1997 apo në shtator 1998, askush nga demokratët nuk shkoi të digjte Selinë Qendrore të PS. Keni thyer një KOD që ishte i pashkruar mes partive, keni sulmuar një parti politike.

Keni zgjuar “luanin” socialist! Ata janë “ushtri e kuqe” si dikur kur Hitleri iu sulmoi Moskën. Edhe Hitleri iu preku Moskën, ndaj e pësoi.

Nëse doni të rrëzoni Ramën dhe të keni qeverinë teknike ngrini në protestë paqësore 100 mijë veta dhe ditë-natë para kryeministrisë. Por nëse iu vinë 100 mijë veta! E mbani mend vitin 2004 dhe 2005? Asokohe kishte besim, frymëzim popullor kundër qeverisë socialiste; kishte njerëz të rinjë Saliu.

Ndaj e rrëzuam kryeministrin e PS, isha dhe unë mes jush, demokratë, sepse mu ngjall besimi për një qeverisje më të mirë, atëkohë. Nuk kemi djegur asgjë në atë vit, e mundëm me besim, shpresë dhe vota PS-në e Fatos Nanos.

Kjo është zgjidhja e jo duke djegur e shkatërruar sepse vetëm sa acaroni qytetarët.

❌
❌