Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2026Java News

Përpjekja për ta bërë edhe SPAK-un organ të revolucionit

By: Mero Baze
20 July 2026 at 19:43

Nga Mero Baze

Fatos Lubonja ka kërkuar që SPAK t’i bindet revolucionit. Në një farë mënyre, të zbatojë një axhendë që e “vendos” revolucioni në bulevard.

Deri tani SPAK ka boll probleme me politikën dhe jo gjithçka është në anën e SPAK-ut. Ka probleme me protagonizmin personal të ndonjë prokurori, që kthehet pastaj në problem politik; ka probleme me dilemat që ka ndaj veprave penale reale të Sali Berishës dhe kozmetikës së hetimit të tij, ashtu siç ka probleme edhe me paaftësinë e plotë të disa prokurorëve. Debati rreth tyre është në këto nivele.

Kjo kërkesë e revolucionit që SPAK të kthehet në organ të tyre dhe të marrë direktiva nga bulevardi se kush duhet të hetohet, kush duhet të burgoset, madje edhe se si duhet të hetohet, është një zhvillim i ri.

Deri tani, të gjithë ata që kanë vërejtje për SPAK-un i kanë për çështje konkrete dhe probleme konkrete të performancës së tij.

Kërkesa e revolucionit për SPAK-un është një hap më përpara. Ata i kërkojnë SPAK-ut të zbatojë axhendën e tyre.

Pra, gjithë reforma në drejtësi, që është në pikëpyetje nëse do të mbijetojë apo jo, e ka problemin se drejtësia është bërë e pavarur, por jo e aftë për të dhënë drejtësi. Tani këta të revolucionit kanë vendosur t’i heqin edhe pavarësinë dhe ta komandojnë vetë.

Dhe ka një arsye përse kërkojnë që SPAK-u të marrë axhendën e tyre dhe ta zbatojë.

Në fillim, kur protesta u maskua pas frymës qytetare, nuk i kishin këto kërkesa. Tani që protesta u kthye në identitetin e saj të vërtetë, e dominuar nga drejtues injorantë, shpeshherë edhe të çmendur, dhe të yshtur nga disa partiçka të vogla politike, që sa më të vogël e kanë shtatin, aq më të gjatë e kanë gjuhën e urrejtjes, revolucionarët kanë kuptuar se forca me të cilën donin t’i imponoheshin shoqërisë ka vdekur.

Dhe, me sa duket, e vetmja shpresë e tyre është ta kërcënojnë shoqërinë në emër të SPAK-ut, që të duken të fortë.

Në fillim kërcënonin me përmbysje, pastaj me rrahje, më vonë me kokra vezësh dhe tani, që të vazhdojnë të duken të fortë, po përpiqen ta paraqesin SPAK-un si organ të revolucionit.

Në të vërtetë, nëse donin ta përdornin SPAK-un për revolucionin, i kishin dhe i kanë të gjitha shanset, pasi SPAK-u, në ditën e katërt të protestave, bllokoi tokën në Zvërnec dhe çoi për hetim ish-pronarët për origjinën e dyshimtë të pronës.

Ndoshta ishte rastësi, por edhe nëse e kanë bërë qëllimisht për të mirën e revolucionit, e kanë bërë. Vetëm se revolucioni nuk kishte lidhje me Zvërnecin dhe as nuk e përdori fare punën e SPAK-ut.

Këta duan që SPAK-u të bëjë atë që thonë ata dhe jo që ata të përdorin punën që bën SPAK-u. Përfytyrimi i tyre për drejtësinë dhe SPAK-un është më i keq sesa ai i një kryetari fronti në kohën e komunizmit, ku drejtësi quhej ai gjyq që bëhej në kinoteatër për njerëzit që nuk u pëlqenin për shfaqje të huaja. Edhe atëherë, në emër të Shqipërisë së re, bëheshin.

Before yesterdayJava News

Gënjeshtra se PD po bojkoton Kuvendin

By: Mero Baze
19 July 2026 at 18:42

Nga Mero Baze

Partia Demokratike e Berishës ka bojkotuar dy seancat e fundit të Kuvendit, duke rritur shqetësimet false se mund të jemi para një bojkoti të ri parlamentar.

Nuk ka të bëjë fare me bojkotin.

E gjitha bëhet sepse protestuesit agresivë që kanë mbetur në rrugë dhe në rrjet si linçues janë një bandë ekstremistësh të Lëvizjes Bashkë, të cilët janë të vetmit që nuk harrojnë të thonë: “Rama në burg, Berisha në burg.”

Ajo që po e shmang Berishën nga shkuarja në Parlament është pikërisht parkalimi para Kuvendit dhe përsëritja e këtij refreni nga pesë a gjashtë protestues agresivë, që zënë pritë aty me vezë dhe megafonë.

Fabula e Berishës se është me protestën dhe duhet të marrë pjesë deri në fund, duke injoruar ata që sulmojnë Berishën, është një përpjekje serioze për ta relativizuar përmendjen e emrit të tij dhe zëvendësimin e opozitës së PD-së nga një opozitë e re.

Por skena para Kuvendit, kur hyjnë deputetët, i barazon në sytë e opinionit deputetët e PD-së me ata të PS-së dhe kjo i prish punë.

Politikisht, Partia Socialiste nuk ka asnjë problem nga protesta. Madje, përballja me ta e forcon më shumë si parti te elektorati i saj, pasi konsiderohen nën agresion verbal dhe fizik.

Kurse PD-ja, duke qenë opozitë, zhvlerësohet, pasi, nëse protesta synon rrëzimin e qeverisë, ajo konsiderohet se tanimë e ka rrëzuar opozitën e PD-së në sytë e demokratëve.

Dhe kjo nxit tension dhe dëshpërim.

Në këtë pikë, Berisha e ka të argumentuar vendimin përse nuk duhet shkuar në Kuvend. Natyrisht, ai e quan bojkot, se nuk do të thotë arsyen reale përse nuk shkon dot në Kuvend, për shkak të protestuesve agresivë të Qorrit, por kjo nuk do të thotë se ka marrë një vendim të gabuar.

Kjo retorikë kundër bojkotit është false, pasi nuk bëhet fjalë për bojkot, por për një taktikë, meqë është seanca e fundit e Kuvendit dhe nuk do të mbetet shija e një sulmi publik para pushimeve.

Boll po dëgjon pse ka rizgjedhur Flamurin; tani nuk mund të rrijë të sqarojë edhe pse nuk e duan as protestuesit Flamurin.

Për të shqetësuarit nga “review”-t negative për Erebarën

By: Mero Baze
16 July 2026 at 18:02

Nga Mero Baze

Disa persona të lidhur me rrjetin e ish OJF-ve të Sorosit dhe donatorëve të tjerë për disa media OJF në Shqipëri janë mobilizuar për të bërë review pozitive për Gjergj Erebarën, një nga drejtuesit e protestës që ka bërë thirrje për linçimin e biznesit të turizmit dhe personaliteteve publike, qofshin gazetarë apo politikanë, që nuk janë dakord me protestën e organizuar prej tij. Është qesharake se si ua shkruajnë vetë opinionet dhe ua shpërndajnë veprimtarëve të protestës, që shfaqen befas si mendimtarë. Madje, kësaj deputetes së Dukagjinit ia kishin shkruar dhe “toskërisht”. Shpresoj ta ketë kuptuar.

Kjo është një fushatë për të mbrojtur një përdhunues publik të lirive politike dhe ekonomike në vend. Gjergj Erebara, duke përdorur si pronë familjare edhe BIRN-in, nuk është se ka urdhëruar thjesht një fushatë linçuese mbi biznesin apo mbi gazetarë dhe politikanë. Ai ka qëndrime publike të postuara ku ndjen kënaqësi nga aktet përdhunuese të tij. Do të mjaftojë postimi i tij në stilin e gjuhës së dikurshme të Lul Bashës, ku shkruan: “O Rame, hë mo, ku i ke review?”, duke treguar se një prej bizneseve të sulmuara prej tij dhe bandës së tij ende nuk i ishte rikthyer klasifikimi që kishte më parë në Google. Kjo tregon shumë. Tregon se nuk është një përdhunues aksidental, “nga ata që i kap entuziazmi” kundër oligarkëve, por një përdhunues që e shijonte atë që kishte bërë dhe po gëzohej që viktima po jepte shpirt.

Meqë biznesi e fitoi betejën ndaj përdhunuesve shqiptarë falë Google, që zbuloi mashtrimin përmes fushatës, ai filloi përpjekjen për t’u viktimizuar pas sulmeve që u bënte politikanëve apo gazetarëve. Pasi postoi një “krijim digjital” kundër deputetit Taulant Balla dhe ai e përgënjeshtroi si fake, filloi të viktimizohej pse Taulant Balla nuk e pranon gënjeshtrën e tij. Dhe për këtë ka mobilizuar gjithë OJF-të e korruptuara të shtypit shqiptar dhe gjithë bashkëndarësit e honorareve me të, për të treguar që ai nuk është gazetar që gënjen.

Tani sulmi ndaj Erebarës nuk është bërë si gazetar, por si aktivistë, i cili ka marrë përsipër sulmet mbi biznesin dhe kolegë gazetarë apo politikanë.

Kur i jep vetes atributet e organizuesit të një fushate linçuese, si një përdhunues publik i biznesit duke bërë thirrje për review negative, nuk mund të viktimizohesh kur të tjerët japin opinione negative për ty. Ajo është më e pakta që mund të bëjnë. Shpërndarësi i review-ve negative false duhet të ketë mirësinë të pranojë dhe ndonjë review negative të vërtetë për veten. Sepse, ndryshe nga review-t false që bëhen nga Tirana për Velipojën dhe Dhërmiun, review-t për Erebarën bëhen nga ata që e shikojnë produktin e tij si drejtues proteste dhe fushatash kriminalizuese. Këto nuk janë false.

Nga ana tjetër, kjo ideja që ai është edhe gazetar dhe nuk duhet sulmuar është po aq banale. Atë nuk e ka sulmuar njeri si gazetar, se nuk ka bërë ndonjë gjë për të qenë as për t’u mburrur, as për t’u sulmuar. Një gazetar i mirë nuk shqetësohet nga sulmet. Madje as nga dhuna ndaj tij. Nëse një gazetar nuk është përballur me dhunën apo sulme në punën e tij si gazetar në Shqipëri, nuk ka qenë asnjë minutë gazetar.

Bashkëpunëtori më i afërt i Erebarës në protestë, që drejton edhe betejën online kundër gazetarëve, kishte postuar sot një shkrim ku jepte tërë skenarët se si mund të më vriste mua dhe sa shumë e shijonte kjo.

Për të shqetësuarit nga “review”-t negative për

Natyrisht nuk është hera e parë që ndeshem me shkrime manjakësh në këto 35 vite pune si gazetar. Jam ndeshur edhe me njerëz që më kanë qëlluar me plumba makinën, të tjerë që ma kanë djegur makinën, që më kanë zënë pusi rrugëve për të qëlluar etj. Nuk jam impresionuar kurrë prej tyre dhe as jam shpërqendruar nga puna ime. Kush vendos të rrojë si gazetar në Shqipëri, por edhe kudo në botë, duhet t’i llogarisë edhe plumbat dhe jo vetëm pështymat e “qorrave”.

Ana komike e problemit është se të njëjtët përdhunues që ka në krah Erebara, dhe që i angazhon sot për të treguar se si mund të vritem unë si gazetar, janë të njëjtët që ankohen pse bëni review negative për Erebarën. Dhe të njëjtat OJF gazetarësh të korruptuar që ankohen pse Taulant Balla ka sharë posterin fake të Erebarës, janë shokë dhe bashkëpunëtorë të këtyre që postojnë dhunë psikike kundër një gazetari vetëm se nuk është dakord me qorrat e protestës.

Tani merrni këtë shkrimin e shkruar sot nga shokët e Erebarës për mua, hiqeni emrin tim, vurini emrin e Erebarës dhe duartrokiteni, për të treguar se si e mbroni lirinë e mendimit të tjetrit. Atëherë mund të merrni ndonjë review pozitive. Por jo si gazetarë, si sadistë.

Pse biznesi shqiptar është i përçarë përballë gjobëvënies së revolucionit

By: Mero Baze
15 July 2026 at 18:26

Nga Mero Baze

Sulmi ndaj bizneseve të turizmit ishte një shenjë dëshpërimi. Vendimi për të sulmuar biznesin e turizmit u mor kur dështoi manuali i revolucionit dhe po u zbrazej bulevardi nga njerëzit. Ishte një lloj hakmarrjeje.

Por ajo që ishte e papritur për opinionin publik ishte klasa e përçarë e biznesit të madh shqiptar. Nuk po flas për bizneset e vogla e të mesme, që s’kanë shumë fuqi. Ata, edhe ashtu, reaguan më shumë se këta që “revolucioni” i quan oligarkë.

Biznesmenët e mëdhenj shqiptarë nuk arritën të mbronin as veten. Po të mos kishte reaguar Google, akoma do t’i kishe me review negative, flas për ato të bombarduara pas urdhrit të dhënë nga “Manuali Erebera” i revolucionit.

Sulmi ndaj tyre nuk është parimor, por një sistem i qartë i gjobëvënësve të bulevardit. Biznesmenët e mëdhenj nuk u sulmuan të gjithë, por sipas një liste mafioze të hartuar nga njerëzit e bulevardit. Pra, nuk është se mori dikush një listë “parimore”, sipas kriterit se kushdo që është, fjala vjen, investitor strategjik do të sulmohet, ose gjithkush që ka marrë përfitime publike përmes lejeve do të sulmohet. Jo. Janë sulmuar njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë, vetëm se dikush i urren në bulevard pse nuk i mbështesin, apo janë sulmuar vetëm disa prej atyre që bulevardi i quan oligarkë, ndërsa shokët “oligarkë” të atyre që janë në bulevard nuk janë prekur.

Kjo tregon se, më shumë sesa një luftë parimore, kjo ishte një luftë mafioze. Nuk po ua përmend emrat “oligarkëve” që nuk janë sulmuar, se nuk dua të zgjoj sulm ndaj tyre, por thjesht të tregoj se ata që shesin parime në bulevard, në fakt, janë thjesht duke mbledhur gjoba, se shkuan edhe 40 ditë pa punë dhe u duhen lekë.

Nga ana tjetër, ky selektim nga revolucioni ndaj biznesit reflekton edhe përçarjen mes biznesit. Disa prej tyre, dhe këta i di me emër, kanë filluar të paguajnë që të mos sulmohen. Është pak a shumë si situata në vitin 1944, kur disa prej bejlerëve të rëndësishëm të Shqipërisë filluan të paguajnë edhe për komisarët, me qëllim që t’i falnin pas lufte. Në fakt, ata i vranë të parët.

Kështu po sillen edhe këta biznesmenët e mëdhenj me gjobëvënësit e bulevardit. Për të mos thënë që disa e shikojnë si rast për të nxjerrë dufet ndaj njëri-tjetrit. Kjo tregon se klasa e lartë e biznesit tek ne ende nuk ka një koshiencë se çfarë përfaqëson në shoqëri dhe gjendet tërësisht e papërgatitur përballë një sulmi që, në fakt, buron në shoqëri nga zilia për ta.

Shqipëria sot po përjeton urrejtjen e klasës së mesme apo të njerëzve të dështuar ndaj biznesit të madh, që iu duket ëndrra e tyre e parealizuar. Të gjithë ata që bëjnë si të çmendur në rrugë nuk janë as fukarenj, as njerëz që dalin për bukën e gojës, por njerëz që kanë ëndërruar të jenë milionerë dhe kanë arritur të jenë vetëm të pasur, por pa miliona.

Dhe, si një revolucion i njerëzve të parealizuar, ai është padyshim agresiv, i lig, me energji negative dhe, mbi të gjitha, me tendencë për shkatërrimin e atyre që ata nuk ia kanë arritur dot të bëhen. Nuk ka të bëjë as me lëvizje popullore, as me flamingo, por me përpjekjen për të gjetur një alibi para shoqërisë pse nuk u bënë edhe ata milionerë.

Shiko sa agresivë janë disa ish-zyrtarë të pushtetit të Edi Ramës. Të gjithë ata kanë ëndërruar të ishin pak më shumë se ç’u dha pushteti dhe, natyrisht, sot të flitej për ta siç flitet për ish-ministra të PS-së të akuzuar për korrupsion. Në vend që të jenë të lumtur që “kanë ikur që këlysh pa u bërë qen”, janë të mërzitur pse nuk ia arritën asaj dite.

Po ashtu edhe rrjeti i njerëzve parazitë të këtij vendi, që kanë 30 vjet që jetojnë me para OJF-sh dhe që mendojnë se kjo gjë është profesion. Të njëjtë janë gazetarët e OJF-ve dhe adhuruesit e revolucionit, që mendojnë se, kur ndodh lufta, ata i ruan Zoti dhe vetëm e shikojnë, dhe janë të tjerë ata që luftojnë e vriten.

Është shumë normale të jesh gazetar dhe të mbijetosh në treg me punën tënde dhe të jesh edhe aktivist shoqëror, madje shumë më agresiv se këta që janë në bulevard. Fjala vjen, në shesh janë thuajse gjithë gazetarët e News 24 si protestues, por ata janë në të drejtën e tyre, pasi jetojnë nga një biznes që ndihet i rrezikuar nga ky pushtet, ndërsa, fjala vjen, BIRN është shitur si media mbi palët dhe profesionale, se paguhet nga donatorë evropianë. Për këtë arsye, kur përdor BIRN për qëllime personale, nuk je më aktivist, por edhe shpërdorues fondesh evropiane, nëse i qëndrojmë justifikimit se përse jepen ato fonde.

Përdorimi i kësaj vale protestash për t’u faktorizuar gjithë dështakët e Shqipërisë që duan alibi për dështimin e tyre, tani është kthyer në një gjobëvënie kolektive, duke shijuar fuqinë e ligësisë ndaj biznesit. Dhe kjo falë faktit që biznesi shqiptar është i çorganizuar dhe i pambrojtur nga valë të tilla goditjesh politike, që vijnë në emër të popullit nga dikush që nuk përfaqëson as familjen e vet.

Është tipike një gjobëvënie revolucionarësh, të cilët kanë zbuluar më në fund se si mund të rrish pa punë dhe të paguhesh nga ata që sulmon.

Përdhunuesit publikë të biznesit dhe OJF-të e shtypit që duan t’u ruajnë “nderin”

By: Mero Baze
13 July 2026 at 18:42

Nga Mero Baze

Sot na erdhën dy emaile në redaksi në emër të “dy shoqatave”.  Njëra quhej Këshilli Shqiptar i Medias, tjetra quhej Aleanca për Media Etike. Nuk i kisha dëgjuar kurrë.

Më ankoheshin për dy persona që kanë bërë thirrje për review të këqija mbi bizneset që ka shpallur armik Revolucioni .

Ankesa e parë ishte për një Sonila Sota, që ka bërë thirrje të hapur tek grupi i WhatsApp-it, formuar nga Fatos Lubonja, ku e thotë qartë që të lënë review të këqija. Ankesa ishte se ne i kemi ekspozuar kësaj emrin, fotografinë dhe numrin e telefonit. Me atë thirrje që ka bërë mund t’i dekonspironim dhe vendin e punës dhe “punët” që ka bërë në jetë, se e meriton, por jemi mjaftuar vetëm ta prezantojmë se kush ia ka borxh biznesit të turizmit shqiptar këtë makth njëjavor, derisa ndërhyri Google.

Ankesa e dytë ishte për një tip që quhet Enea Doku. Ky drejton një agjenci që trajnon të rinj si të përdorin rrjetet sociale dhe, në zbatim të direktivave të revolucionit, ka lënë gjashtë review negative për disa minuta, nga veriu në jug. Një prej tyre e ka lënë për biznesin e një pronari media, Artan Dulakut, që ka Vizion Plus, ndërkohë që në faqen e tij të biznesit ka reklamuar se trajnon stafin e një prej bizneseve të Dulakut, atë të Ford. D.m.th., mes të tjerash është dhe njeri i ndyrë, pasi sulmon atë që i ka dhënë punë biznesit të tij.

Tanimë ky është i kallëzuar në polici nga një prej subjekteve të dëmtuara. Do të ketë mundësi të mbrohet para prokurorit dhe gjykatës. Provat janë dokumentuar nga policia pas kallëzimeve, kështu që mund të rrijë i qetë.

Për të dy përdhunuesit e bizneseve thjesht kemi bërë detyrën që duhet të bëjë çdo media, e cila duhet të mbrojë interesin publik dhe jo emrin e një përdhunuesi në një ngjarje kriminale. Tani këta dy përdhunuesit duan edhe të përdhunojnë bizneset, edhe t’u ruhet anonimati, ndërkohë që me profile anonime përdhunojnë bizneset e shqiptarëve.

Problemin e kam me këto dy shoqata. Kërkova në ChatGPT se kush i drejtonte. Më doli që të dyja i drejtonte dikush që quhet Koloreto Cukali, me sa duket  dhe ky pjesë e kolorit revolucionar.

D.m.th., ndryshe nga këta përdhunuesit e bizneseve që me një emër vënë tetë review, ky me një emër mbulon dy organizata dhe të këshillon në emër të organizatave që të ruajmë etikën dhe të mos i ekspozojmë këta përdhunuesit.

Në çdo rast, organizatat që kanë lidhje me mediat dhe që vjedhin fonde gjoja për të mbrojtur median, duhet të jenë në anën e medias dhe interesit publik. Ky Koloretoja, me dy shoqata pa asnjë anëtar, është me përdhunuesit dhe kërkon që ne të mos i ekspozojmë se u shkaktojmë shqetësime.

Mendo lotët e drejtuesve të biznesit që kaluan ditë të tëra ankthi nga sulmi brutal i këtyre njerëzve të ndyrë. Përfytyro njerëz që kanë kredi, kanë familjarë të punësuar dhe rrezikojnë të falimentojnë, pse këta i kanë futur në listë të zezë meqë nuk mendojnë si Andi Bushati, Gjergj Erebara, Arlind Qorri dhe gjithë llumi që shkon pas tyre. Këta nuk i interesojnë. U intereson vetëm që objektivi i revolucionit të mos preket dhe revolucionarët të mos dekonspirohen.

Nuk jam kundër pse ky tip me dy shoqata është revolucionar dhe mbështet këtë aksion përdhunuesish. Liria e zgjedhjes së tij duhet respektuar. Por ai duhet të respektojë lirinë e të tjerëve për t’u mbrojtur prej tij dhe përdhunuesve të tij. Mbi të gjitha, ai nuk mund të flasë në emër të medias, në emrin tim dhe të shumë gazetarëve të tjerë, që nuk jetojmë me lekë shoqatash, por në tregun e shtypit me punën tonë.

Shpresoj që të shkojë dhe ky në gjyq kur të fillojnë të gjykohen aktet e këtyre përdhunuesve ndaj biznesit dhe të shpalosë atje talentin, duke i treguar gjyqtarit që të shkatërrosh një biznes është një ideal i lartë që të mbush me krenari, kurse të dekonspirosh një revolucionar përdhunues është mungesë etike.

Bota është e mbushur plot me shoqata parazitësh që përdoren për trafik influence dhe nuk përfaqësojnë kurrë gazetarët, por askund në botë nuk ka shoqata që regjistrohen për të mbrojtur gazetarët dhe mbrojnë përdhunuesit dhe anonimitetin e tyre. Tek ne ka dhe shoqata të tilla dhe gazetarë të tillë.

Për shembull, BIRN është i shqetësuar se kush janë disa gazetarë që u dalin emrat si pseudonime, kurse këta të OJF-ve të BIRN janë të shqetësuar pse zbulohen pseudonimet e përdhunuesve të biznesit nga media.

Kjo marrëzi, mes të tjerash, tregon se kush bën dhe review të këqija për shtypin shqiptar: ata që të vetmet shkrime në jetë quajnë review negative mbi gjithkënd që urrejnë.

Shumica e heshtur që u zgjua nga “këshilltarët” e protestës

By: Mero Baze
12 July 2026 at 20:44

Nga Mero Baze

Shqiptarët u vendosën dje para një sfide të panevojshme nga një grup delirantësh që kanë marrë nën kontroll protestën, duke vënë bast se do ta përdornin atë kundër koncertit të Kanye West në Tiranë dhe do ta shkatërronin atë, pasi shqiptarët do të zgjidhnin ata. Ishte rasti tipik kur një grup këshilltarësh të protestës, që masturbohen me video me IA dhe mendojnë se tani mund t’i urdhërojnë shqiptarët se çfarë duhet të bëjnë, çfarë duhet të hanë, çfarë muzike duhet të dëgjojnë, kë udhëheqës duhet të duan, kë biznes duhet të shkatërrojnë, kë gazetarë duhet të pushkatojnë, etj., marrëzira që burojnë nga frustrimet e njerëzve të dështuar, i vunë shqiptarët të zgjedhin ose Kanye West, ose Gjergj Erebarnë dhe Andi Bushatin.

Rezultati u pa qartë. Delirantët mblodhën 1 mijë vetë në bulevard, ndërsa koncerti 60 mijë vetë. Shumica e heshtur e shqiptarëve, e provokuar deri në palcë nga një grup njerëzish që, pasi provuan t’u tregojnë cilën shpend duhet të duan, pastaj cilat kafshë politike duhet të adhurojnë, cilat biznese duhet të shkatërrojnë, cilët gazetarë duhet të lexojnë, cilat blogere duhet të ndjekin, cilat rrjete sociale duhet të komentojnë, cilat vila duhet të preferojnë, cilat TV duhet të ndjekin, më në fund morën urdhër dhe cilët këngëtarë duhet të dëgjojnë.

As në kohët e komunizmit nuk ka pasur një axhendë publike censure dhe kufizimi lirie të tillë, edhe pse e kishin pushtetin pa kufi dhe mund të bënin çfarë të donin. Madje Shqipëria, si vend komunist, nuk kishte një sistem censure të certifikuar, por e kishte informal sistemin e censurës, pra ti duhet ta kuptoje vetë kë nuk donte partia. Këta enveristët e rinj ta tregojnë çfarë duhet të hash, si duhet të vishesh, çfarë duhet të lexosh, çfarë duhet të dëgjosh e çfarë muzike duhet të pëlqesh.

Ky është koncerti më i mallkuar në historinë e Shqipërisë, më i anatemuari nga njerëzit e zhurmshëm të këtij vendi, përfshi dhe ata që janë shumë herë më antisemitë se këngëtari.

Por shumica e heshtur doli nga shtëpia dhe shkoi në koncert, ndërsa një pakicë me 1 mijë vetë, që kishin premtuar madje që do prishnin dhe koncertin, mbetën në bulevard.

Ky dështim spektakolar nuk do të kishte ndodhur sikur protesta të merrej me hallet e protestës dhe jo me hallet e Kanye West. Këshilltarët që tentuan të matin forcat e protestës me Kanye West thjesht varrosën protestën dhe çuan njerëzit aty ku ndoshta dhe nuk do të kishin shkuar sikur të mos i bezdisnin vemjet që drejtojnë protestën duke i anatemuar.

Fenomeni i dytë kanë qenë sulmet ndaj bizneseve të turizmit shqiptar, të dirigjuara nga drejtuesit e protestës bazuar te Manuali Erebara. Pas publikimit të fakteve se si e nxitën këtë fushatë, si e stimuluan përmes llogarive të njerëzve të protestës dhe depozitimit të kallëzimit ndaj tyre në polici, reagimi në rrjet ka qenë më agresiv se kurrë kundër protestës. Mbrojtësit e sulmeve përmes review-ve negative u kufizuan vetëm te drejtuesit e protestës dhe frymëzuesit e tyre. Mospranimi ishte aq masiv dhe agresiv, sa ata ngjanin si kriminelë në kërkim të kapur në flagrancë.

Ky është rasti tjetër kur shumica e heshtur reagon ndaj manipuluesve të protestës, të cilët, pasi e shkatërruan atë, e kanë kthyer në një repart terrori përmes vrasësve me pagesë të Arlind Qorrit dhe disa bufonëve mediokër të OJF-ve që shfaqen aty, pa llogaritur njeriun më qesharak të protestës, Agron Shehajn.

Tani protestës i kanë ikur ujërat e tepërta dhe ka mbetur bërthama e saj organizatore, një grup gazetarësh mediokër që, meqenëse nuk u bënë dot të njohur duke shkruar, duan të bëhen të njohur duke kërcënuar, një guidë turizmi me qeleshe në kokë nga Luma, që të humbet turistët në mal dhe përpiqet të orientojë Shqipërinë në qendër të Tiranës, dhe një grup partish të vogla që arritën ta bëjnë protestën e madhe si partitë e tyre të vogla.

E vetmja gjë e mirë që arritën të bëjnë ata është se zgjuan shumicën e heshtur të shqiptarëve kundër tyre, me përpjekjen për të përdhunuar shoqërinë, për t’u treguar kufijtë e lirisë politike, ekonomike, kulturore dhe, mbi të gjitha, që zgjuan kujtesën e një sistemi që e kemi përmbysur më 1990 me fushatën e tyre linçuese ndaj çdokujt që nuk i mbështet ata. Mos i pengoni në këtë rrugë.

Koha ka provuar se çdo opozitë që ka dëgjuar sugjerimet për braktisje parlamenti, si me djegie mandatesh në shkurt 2019, bojkot zgjedhjesh si në qershor 2019, protesta të dhunshme dhe fushata linçuese në vazhdimësi, është vetëshkatërruar dhe të vetmit që kanë fituar, duke u paguar për këto këshilla, janë këta që po këshillojnë protestën të ecë në këtë rrugë, si grup terrorist i organizuar. PD më vonë e shpalli këtë gabim të jetës së saj, por ishte vonë për t’u korrigjuar, pasi Edi Rama i kishte mbaruar gjithë punët që i duheshin me shumicën e re kushtetuese që i ofruan. Tani të njëjtët po e çojnë protestën në rrugën e duhur për ta shkatërruar. Mos e pengoni!

BIRN dhe Gjergj Erebara po udhëheqin betejën kundër turizmit

By: Mero Baze
11 July 2026 at 19:20

Nga Mero Baze

BIRN, një OJF e sponsorizuar për gazetari investigative, është vënë në krye të betejës kundër bizneseve të turizmit në Shqipëri, duke iu gëzuar sulmit mbi bizneset dhe duke u përpjekur ta relativizojë dëmin financiar dhe moral që u shkaktohet atyre.

Kur fushata filloi një javë më parë, nën thirrjet herë publike e herë përmes koordinimit me grupin organizator të protestës, BIRN u shqetësua seriozisht përse policia njoftoi se po hetonte betejën e organizatorëve të protestës kundër biznesit të turizmit.

Në një shkrim propagandistik dhe spekulativ, Reporter.al, botim i BIRN në Tiranë, shprehte shqetësim pse policia po hetonte review-t dhe i relativizonte ato, duke i quajtur akte të lirisë së fjalës, edhe pse ishte e qartë që policia shprehte shqetësimin për fushatën terroriste mbi biznesin dhe jo për review-t e klientëve.

Shkrimi i BIRN ishte një shembull i gazetarisë propagandistike që i ngjante një fletushke të revolucionit, e cila shpallte pushkatimin e biznesit si arritje të revolucionit.

Duke qenë një OJF që ndër vite është sponsorizuar nga SOROS dhe disa përfaqësi perëndimore në Tiranë, shkrimi dukej sikur legjitimonte edhe qëndrimet e sponsorëve, çka është spekulim. Vite më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë ndërpreu grantet për BIRN, pikërisht për shkelje të standardeve të raportimit, ndërsa tani ajo ka si sponsorë disa përfaqësi të BE-së në Tiranë.

Shqetësimi i BIRN se pse po hetohet sulmi terrorist mbi biznesin tregon qartë qëndrimin e tij partizan dhe linçues ndaj kujtdo që nuk e mbështet këtë sulm.

Në një tjetër shkrim, ata sulmuan disa komentatorë shumëvjeçarë të gazetës Tema, duke u përpjekur të gjejnë se kush janë, pasi nuk u duken persona të vërtetë.

E njëjta media që stimulon review anonime negative kundër biznesit është e shqetësuar të njohë nga afër Altin Ketron, edhe pse e pranon se ai shkruan në gazetë prej vitit 2009.

Arsyeja është se gazeta Tema nuk mbështet revolucionin, edhe pse shumicën e redaksisë e ka pasur pjesëtare të protestës javët e para, kur ajo ende nuk ishte marrë nën kontroll nga banda e përdhunuesve të saj.

Prej dy ditësh, Google ka filluar të rishikojë review-t dhe shumë prej hoteleve dhe restoranteve kanë rifituar pikët që kishin.

Por sot, Gjergj Erebara, gazetar i BIRN dhe pjesë e strukturës organizative të protestës, duket se ka ende shpresë se Google nuk do t’ua fshijë të gjitha.

Në një postim të turpshëm sot, ai poston restorantin e Gjergj Lucës në Elbasan, i cili është ende nën sulm dhe të cilit i kanë zbritur review-t në 1.2 nga 4.7 që i kishte, dhe tenton të bëjë humor të zi, duke i treguar kryeministrit se beteja e tij e ndyrë ende po korr rezultate.

Këtu nuk bëhet më fjalë për një gazetar, por për një atentator që nxit terror mbi biznesin dhe krenohet me të.

I njëjti person ka nxitur sulme ndaj gazetarëve që nuk mbështesin protestën, duke orientuar shkrime dhe fushata online kundër tyre, përfshi gazetën Tema.

Natyrisht, nuk jemi të shqetësuar nga BIRN, pasi lexueshmëria e BIRN, falë mediokërve që punojnë aty, është e gjitha sa një shkrim periferik i gazetës sonë, nga ata që nuk i lexojmë as ne që i botojmë.

Por spekulimi se ata janë OJF me fonde nga ambasada perëndimore, ndaj dhe kanë të drejtë të sulmojnë biznesin shqiptar, është i ndyrë, pasi implikon sponsorët në një veprimtari që në thelb është terroriste dhe që do të ketë pasoja.

Se të njëjtën gjë e bën dhe Andi Bushati po ai të paktën sponsorizohet nga oligarkët dhe nga Berisha dhe pastaj bën policin e keq me ta dhe Berishën. Ata nuk mërziten se i kanë dhënë leje për këtë punë. Si ai kam parë dhe plot gazetarë të tjerë këto ditë që vazhdojnë të bëjnë të paditurin sikur po hetohen review klientësh dhe jo fushatë terroristësh digital. Duhej kjo fushatë për të njohur dhe anën kanibaleske të tyre.

Por nuk di si mund të ndihet kaq i ekzaltuar Gjergj Erebara dhe si nuk e kontrollon dot gëzimin e tij për shkatërrimin e biznesit të dikujt tjetër falë thirrjeve të tij. Me sa duket, ëndrra e tij është që dikush ta padisë e të bëhet i njohur si viktimë e bizneseve kundërrevolucionare.

Në fakt, viktima reale e tij është më shumë BIRN sesa bizneset që sulmon ai. Sulmet e tij tregojnë shumë se ku shkojnë milionat e Perëndimit për shtypin shqiptar: në një redaksi të mbyllur që mbahet nën kontrollin e një rrethi familjar dhe që përdoret tërësisht për sulme personale dhe politike për llogari të tyre.

Ruajuni nga ata që nuk ju çojnë në gjykatë për terrorizëm!

By: Mero Baze
10 July 2026 at 17:44
Nga Mero Baze

Kam pasur shumë reagime në inbox, email dhe telefon pasi kemi publikuar emrat e organizatorëve të fushatës kundër turizmit në Shqipëri. Që të mos u lë vend spekulantëve që e paraqesin si liri mendimi, nuk bëhet fjalë për ndonjë klient që shkon në një restorant, në ndonjë hotel apo diku tjetër dhe shpreh vlerësimin për shërbimin. Bëhet fjalë për disa veprimtarë të revolucionit, që kanë shpërndarë lista biznesesh që duhen masakruar dhe pas kësaj, brenda 12 orësh, mijëra review false, pa shkuar në asnjë biznes, kanë rrëzuar vlerësimet në Google nga 5 në 1, çka është terrorizëm mbi biznesin e turizmit.

E përsëris që nuk bëhet fjalë për ata që provojnë shërbimet e japin vlerësimet, por për ata që dëgjojnë Arlind Qorrin, Andi Bushatin, Agron Shehajn, Gjergj Erebarën, Andi Tepelenën, Arben Kolën e plot nxitës urrejtjesh ndaj biznesit, që mendojnë se po i shërbejnë Shqipërisë duke shkatërruar turizmin.

Në listën e WhatsApp-it të krijuar nga Fatos Lubonja për revolucionin, një vajzë bën thirrje të hapur për të sulmuar bizneset dhe shpërndan listën e tyre. Dhe qindra intelektualë aty nuk reagojnë asnjë. As këta deputetët e PD që janë pjesë e asaj liste dhe që gjoja janë të djathtë. Pra e dinë shumë mirë përse bëhet fjalë. E kanë shpërndarë vetë në listën e tyre. Bëhet fjalë për udhëzime për pushkatim kolektiv, jo për vlerësime individuale.

Kjo, përveçse terrorizëm i dënueshëm nga ligjet shqiptare dhe akoma më rëndë nga ligjet perëndimore, është një dimension i frikshëm i lirisë politike në vend, pasi ata janë me parimin që ata që nuk janë me ty duhen pushkatuar.

Ne e kemi pasur një sistem të tillë, por dhe ai kishte nxjerrë rregulla për pushkatime dhe internime. Nuk ishte në dorë të gjithkujt. Ishte në dorë të Enver Hoxhës të zgjidhte armikun, Manush Myftiut të të internonte, Hysni Kapos apo Mehmet Shehut të të pushkatonte. Tani këta enveristë e rinj të Shqipërisë ia kanë deleguar këtë kompetencë çdo idioti që mendon se ka në dorë fatet e shqiptarëve.

Në 100 për 100 të reagimeve që kam janë njerëz që kërkojnë ndjesë dhe kërkojnë t’ua heq emrin e ekspozuar, pasi janë gati të tërheqin review-t e shkruara me urdhër të komandës së revolucionit. Disa prej tyre i mirëkuptoj se dhe mund t’i ketë kapur vala e entuziazmit të revolucionit. Disa më rezultojnë që ishin të njohur dhe disa akoma më keq, njerëz që u kisha bërë dhe nder. Kjo është Shqipëria, por më vjen mirë që individualisht sillen si njerëz, kurse kolektivisht si banditë. Kjo është pasojë e frymëzuesve të tyre.

Tani kjo është çështje penale dhe do ta zgjidhë drejtësia, përkundër dëshirës së komandës së revolucionit që duhet ta zgjidhë rruga. Zgjidhja nga rruga ka pasoja të rënda, pasi nëse 100 kamikazë nga këta të revolucionit kanë bërë 1000 review dhe nuk dinë ku i kanë bërë, ata që janë të prekur i kanë gjurmët e vlerësimeve të tyre, nuk i harrojnë aq lehtë. Dhe në këtë rast, në vend që kriminelët të gjejnë strehë te drejtësia, të shpëtojnë me ndonjë dënim të lehtë, zgjedhin rrugën më të vështirë, atë të rrugës.

Ta bësh këtë gjë në kulmin e sezonit turistik, për llogari të Greqisë apo ku di unë të Turqisë, ka kuptim se merr dhe ndonjë lek siç bëjnë këta kosovarët cdo fillim sezoni  dhe me këtë rast nxjerrin dhe inatin me Shqipërinë. Po ta bësh këtë se të urdhërojnë disa njerëz që nesër duan të qeverisin Shqipërinë, do të thotë të mbjellësh në këtë vend farën e luftës civile dhe të mos lejosh më të zhvillohet asnjë biznes, pasi nëse palët politike angazhohen që përmes kamikazëve të tyre të shkatërrojnë bizneset e qytetarëve që nuk janë votues të tyre, atëherë këtu çdo gjë do bëhet hi.

Këta që flasin e nuk lënë gjë pa thënë për ata që i quajnë “patronazhistë” dhe që nënkuptojnë votues socialistë, po patronazhojnë ekonominë shqiptare për ta rrënuar, duke bërë njëkohësisht jo vetëm krim politik, por dhe ekonomik. Dhe janë këta që kërkojnë të qeverisin Shqipërinë me zor, duke i vënë flakën vendit dhe që duan të vijnë në pushtet me arkivole në krah.

T’i turrësh bizneseve me arsyetimin se do t’i shkatërrosh pse nuk je me revolucionin, ndërkohë që shumica e tyre nuk e njohin fare Edi Ramën, do të thotë të ndërtosh një Shqipëri të re ku duhet të njohësh Arlind Qorrin, Gon Shehun dhe bandën e këtyre gjobëvënësve të rinj, ndryshe duhet të ikësh nga ky vend.

Dmth Shqipëria e re që këta kërkojnë në bulevard, është njëqind herë më e keqe se Shqipëria e Sali Berishës, Fatos Nanos e Edi Ramës, pasi këta duan një Shqipëri që ti duhet të adhurosh këta terroristët, një Shqipëri pa liri politike, pa mendim ndryshe dhe mbi të gjitha pa biznese që nuk janë dakord me këta.

Mos u trembni nga hetimet dhe paditë që u janë bërë, pasi ato deri në gjashtë vite burg e kanë maksimumin për sulme të orientuara për dëmtim biznesi. Ruajuni nga reagimet personale të biznesmenëve ndaj secilit prej atyre që është përdorur në këtë histori, përfshi dhe organizatorët, që në shumicë vetë duan të jetojnë si milionerë, kurse njerëzve duan t’u imponojnë terrorizmin e tyre.

Ruajuni nga ata që nuk ju çojnë në gjykatë, që nuk merren me ju publikisht, pasi ata mund t’i keni nga pas dhe nuk e dini.

Falënderojini ata që ju çojnë në gjykatë, pasi përveçse ju çlirojnë nga kompleksi i fajit, ju shpëtojnë dhe jetën dhe ju bëjnë shembull pozitiv për shoqërinë. Të punësuarit si atentatorë ka qenë zanat i komunistëve për 4 deri 5 vetë si vrasës me pagesë. Një ushtri kaq e madhe e inkriminuar për qëllime politike, është një dhunim i shoqërisë shqiptare dhe mbjellja e një lufte që mund t’i vijë secilit te dera e shtëpisë.

Është e lehtë të thuash që kush është me Edi Ramën do ta paguajë, por është akoma më e lehtë të thuash që kush është me Arlind Qorrin apo Gon Shehun do ta paguajë, se ata janë dhe shumë pak. Ndaleni këtë masakër sa nuk është vonë për ata që e organizojnë, pasi nuk është sherr në Facebook për një dashnore adoleshentësh. Është terrorizëm që fut Shqipërinë në një spirale nga e cila do digjen të parët ata që po e ndjellin.

Shumë prej review-ve të tyre po anullohen prej Google pas reklamimeve dhe normaliteti do të vendoset brenda dy ditëve, por emrat e tyre nuk do harrohen kurrë nga ata që u ndjenë të sulmuar pa shkak prej tyre.

A mund të më thotë dikush çfarë lidhje ka Altini i Mrizit të Zanave me Edi Ramën, që duhet të sulmoni agroturizmin më të mirë të Shqipërisë? Çfarë lidhje ka Arbana Osmani me Edi Ramën që duhet t’ia sulmoni biznesin? Çfarë lidhje ka Kulla Hupi në Bulqizë, një ish-emigrant i kthyer në Shqipëri, që dënohet tani në emër të këtyre kamikazëve të bulevardit që thonë po vijmë nga diaspora? Ja ku e keni të kthyer nga diaspora që ka ndërtuar shtëpinë e babait të tij dhe po e sulmoni si qenë të tërbuar.

Dhe boll me këtë stilin që bëni ironi sikur po hetohen vlerësimet e review-ve. Po hetohen vrasës biznesi. Dhe nëse i fal drejtësia, secili i prekur prej tyre do t’i trajtojë përsëri si vrasës. Ndaj uroni të veprojë shpejt drejtësia dhe të jeni të sigurt për të ardhmen. Jo për Shqipërinë e re. Kjo është Shqipëria e vitit 1945, por dhe pa rregulla. E kemi parë një herë këtë Shqipëri. Nuk ka marrë malli askënd nga ata që e kanë pësuar prej saj. Përveç atyre që ishin në krye të saj.

Për ata që mendojnë se do të ndalojnë Samitin e NATO-s apo BE-së me protesta të dhunshme

By: Mero Baze
8 July 2026 at 19:49

Nga Mero Baze

Duket se ka një nervozëm të pajustifikuar nga konfirmimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, i cili po përpiqet të shikohet si një karshillëk ndaj protestive në Shqipëri dhe mbështetje për qeverinë. E njëjta gjë ndjehet dhe kur dikush nga krerët e Komisionit Evropian apo dhe Parlamentit Evropian shprehet për protestat pozitivisht duke i quajtur ato fenomen demokratik dhe duke bërë thirrje të jenë paqësore.

Nervozimi vjen nga një kulturë politike e rrënjosur në Shqipëri rreth protestave që është kultura që ka imponuar Partia Demokratike e Berishës, e cila i identifikon protestat me dhunën. Duke qenë se fillimisht protestat kanë qenë paqësore dhe të maskuara si aksion i shoqërisë civile, ato natyrisht që nuk i prishin punë Shqipërisë por e zbukurojnë imazhin e saj si vend demokratik.

Në Perëndim nuk ekziston kultura e të parit të protestave si revolucion i dhunshëm pasi në Perëndim qeveritë nuk rrëzohen nga protestat. Protestat dëgjohen dhe reflektohet mbi to kur kanë objektiv të qartë dhe të respektueshëm. Kurse në Shqipëri duan që dhe Perëndimi t’i shikojë protestat siç i shikon, apo më mirë të themi, siç i ëndërron Berisha, që të dalin njerëzit në rrugë, të marrin në krah një arkivol, të shqyejnë derën e kryeministrisë dhe pastaj të marrin pushtetin. Nuk është se ia ka dalë ndonjëherë me këtë skenar, por e ëndërron.

Pikërisht kjo kulturë e sfidimit përmes dhunës në protesta është fakti që provon se protestuesit që janë në shesh si pjesë e kulturës së Sali Berishës, ndaj nervozohen me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, me Marta Kos apo drejtues të Parlamentit Evropian që i përmendin protestat si fenomen pozitiv dhe vazhdojnë mbështetjen për Shqipërinë. Me sa duket protestuesve u duket sikur qeveria po i përdor si dekor demokratik.

Ky është dhe fakti më konkret që protesta qytetare ka vdekur dhe në shesh janë njerëzit e Sali Berishës, të cilët mendojnë se përmes protestave të dhunshme do t’i tregojnë Evropës, NATO-s apo SHBA-së se këtu nuk ka stabilitet pa ardhur ata në pushtet.

Nëse protesta do të ishte qytetare siç u tentua të fillonte, ata duhet t’i përdornin pozitivisht këto ngjarje. Duhet të përdorin pozitivisht faktin që NATO do të mbajë për herë të parë në histori Samitin e saj në Tiranë, do të përdornin pozitivisht ambicien e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe vlerësimet pozitive nga Brukseli, pasi vetëm kështu ata do të mund të sfidonin qeverinë si një alternativë perëndimore, paqësore dhe e vlefshme për Shqipërinë. Protesta nuk duhet të humbasë qetësinë nga ecja përpara e Shqipërisë, pasi nuk duhet të identifikohet me një lëvizje haxhiqamiliste.

Ky trendi që të sfidojnë ngjarje që e fusin Shqipërinë në axhendën e NATO-s apo Bashkimit Evropian, nuk është i ndaluar, por i përket një pakice që nuk ka lidhje me shoqërinë shqiptare. Si çdo vend dhe në Shqipëri ka pakica të dhunshme, pakica që marrin peng një protestë për të linçuar njerëz që nuk i duan si komshinj, por i paraqesin ata armiq të Shqipërisë, biznese që i kanë konkurrente, por i fusin në lista linçimi si armiq të Shqipërisë, personalitete publike me të cilët nuk konkurrojnë dot se janë mediokër ose të parealizuar dhe i fusin po ashtu në listën e armiqve të Shqipërisë, në emër të zemërimit të tyre. Por kjo e bën protestën përditë e më të vogël, si ata që e kanë marrë peng.

Protesta kështu si ka nisur po kthehet në një institucion mafioz gjobëvënës, ku secili mendon se ka ku të sulmojë komshiun, konkurentin, kolegun, ish-burrin, ish-gruan, biznesin që nuk e mund dot etj. Dhe ky është terrorizëm në emër të protestës, i cili mund t’u kushtojë edhe kolektivisht, edhe personalisht njerëzve të përfshirë në këtë pisllëk.

Protesta bëhet e madhe dhe mbetet e madhe kur ecën në të njëjtën rrugë ku do të ecë shumica e shqiptarëve.

Pakica të dhunshme, pakica konspiracioniste, pakica antisistem, pakica etnike apo pakica shërbimesh të huaja ka në çdo vend të botës, por ato edhe kur i bën bashkë bëhen më të vogla se kur janë veç e veç, se janë dhe kundër njëra-tjetrës. Dhe nëse ka ndonjë gjë që qeveria përdor me lehtësi janë pikërisht kjo racë. Këta që mendojnë se nuk po ia dalin dot të ndalojnë Samitin e NATO-s në Tiranë apo anëtarësimin në BE. A thua se shqiptarët mezi presin të të shpëtojnë nga rendi botëror i rregulluar përmes Bashkimit Evropian, NATO-s dhe SHBA-së, dhe të jenë të sigurt pastaj në dorë të këtyre që se kush i ka thënë që “antisistemi” është shpëtim për Shqipërinë.

Kur “dashnorët” e natyrës përdoren kundër natyrës

By: Mero Baze
7 July 2026 at 17:49

Nga Mero Baze

Disa ditë më parë, një grumbull banorësh të Nikaj-Mërturit u shfaqën të revoltuar si pjesë e frymës së protestës kombëtare për ambientin se qeveria po ndërhynte në lum dhe po bënte tri prita malore. Dukeshin aq të revoltuar sa ishin qartazi të pafajshëm si të manipuluar.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur zbatimin e një projekti për ndërtimin e tri pritave malore  në rrjedhën e këtij lumi.

Pritat malore janë struktura inxhinierike që ndërtohen tërthorazi mbi shtratin e lumit dhe shërbejnë si “sita” ose mure bllokuese që kapin këto inerte përpara se ato të përfundojnë në ujërat e liqenit.

Bashkë me aluvionet në Liqenin e Komanit përfundojnë gjithë mbetjet plastike të fshatrave të Nikaj-Mërturit dhe aktivitetit të turizmit, të cilat, duke u hedhur në lum, përfundojnë në Liqenin e Komanit. Çdo vit “të dashuruarit” pas natyrës postojnë foto horror nga Liqeni i Komanit ku mbetjet plastike notojnë në sipërfaqe të liqenit, dhe që një pjesë e tyre vijnë nga lumenjtë dhe përrenjtë malorë që derdhen në liqen.

Një fenomen i ngjashëm shikohet në “lumin e vetëm të egër” të Evropës, në Vjosë. Pasi shirat përfundojnë dhe Vjosa ul nivelin, gjithë Lugina e famshme e Vjosës ngjan si lum indian, nga plastmaset që mbeten në degët e rrënjëve të varura si flamuj të turpit shqiptar për mjedisin.

Banka Botërore e ka dhënë 80 milionë euro në një projekt që të bllokojë derdhjen në Vjosë të gjithë mbeturinave apo ujërave të zeza të lumenjve dhe përrenjve të zonës. Dhe sa më shpejt të bëhet, aq më shpejt do shpëtojmë nga ky turp që e bën lumin më të egër të Evropës si lumin më të ndotur të saj.

Mirë që nuk kemi turp që i kthejmë lumenjtë dhe përrenjtë në kanale ujërash të zeza dhe kosh mbeturinash, por të protestojmë dhe pse këto nuk duhen lejuar të derdhen në det apo liqen, është një turp dhe më i madh, pasi na bën popull primitiv.

Lumi i Currajve zbret nga Curraj i Epërm dhe përshkon luginat e thella dhe pranë fshatit Curraj i Poshtëm, ai bashkohet me Lumin e Nikajve. Pasi kalon përgjatë fshatit Lekbibaj, ai derdhet përfundimisht në Liqenin e Komanit.

Pritat malore të lumenjve janë historikisht masat më pro ambientit që merren në lumenjtë malorë, kundër aluvioneve dhe mbetjeve që përfundojnë në liqen.

Tani të manipulosh një masë të madhe njerëzish në emër të mjedisit, për një projekt shtetëror që është tërësisht pro mjedisit, dhe në favor të turizmit në zonë, do të thotë t’i fyesh ata njerëz duke i trajtuar si budallenj.

Pra merret një kauzë mjedisore dhe përdoret kundër një projekti që ndihmon mjedisin në emër të protestës.

Nëse kundërshtimi ndaj çdo lloj ndërhyrjeje bëhet trend për t’i dhënë kauza të rrema protestës, pa bërë dallim mes një projekti që dëmton natyrën dhe një projekti që synon ta mbrojë atë, atëherë protesta që frymëzon papërgjegjësi të tilla kthehet në një institucion populist pa logjikë që krijon kauza false dhe përpiqet të mbajë gjallë një dogmë që e ka paravendosur se çdo investim përbën rrezik për Shqipërinë.

Populizmi nuk ushqehet me fakte por me konflikte simbolike. Ai ka nevojë për një armik të dukshëm që tani e ka gjetur se është qeveria, ka nevojë edhe për një investim që të ilustrojë planin e veprimit të armikut, ndërsa nuk mban përgjegjësi për pasojat afatgjata të kësaj politike.

Ky është rasti kur kauzat mjedisore përdoren kundër vetë mjedisit.

Nuk e di kush i tall ata burrat dhe gratë që mblidhen në lëndinat e Nikaj-Mërturit në emër të mjedisit duke refuzuar ndërhyrjen që mbron mjedisin. Ata kanë plot arsye të tyre për të qenë kundër qeverisë. Kanë arsye të jenë kundër qeverisë për mungesë rrugësh, dritash apo infrastrukture, kushte favorizuese për turizëm etj., por nuk mund të mblidhen sikur ka rënë gjëma se qeveria po përpiqet të mbrojë Liqenin e Komanit nga prurjet e lumit dhe ndotjen që i shkakton liqenit me aluvione dhe mbetje plastike.

Kjo është një nga gjërat që qeveria e ka për detyrë ta bëjë. Gjatë komunizmit, pritat e përrenjve i bënim me punë vullnetare për të shpëtuar nga erozioni se mbetje plastike nuk kishte. Tani që këtë punë e bën qeveria me fondet e saj, manipulimi i njerëzve për t’i nxjerrë në protestë kundër është një nga strategjitë më të ndyra për ta shkatërruar mjedisin, që është e vetmja pasuri që ka ende ajo zonë.

Uroj që qeveria të mos tërhiqet nga projekti nën presionin e njerëzve të painformuar që “mamadhia” u ka mbushur mendjen se qeveria po u merr lumin. Në fakt lumi është aty, por ai duhet shpëtuar nga erozioni dhe mbetjet e hedhura aty nga njerëzit. Por mbi të gjitha duhet shpëtuar nga “mbetjet e politikës” në protestë, që duan që ai të shkatërrohet dhe të shkatërrojë edhe natyrën. E gjithë kjo në emër të mbrojtjes së natyrës

Ata që duan të fshehin Berishën në protestë

By: Mero Baze
6 July 2026 at 19:49

Nga Mero Baze

Ka një debat banal mbi dhunën në protestat e bulevardit dhe justifikimin e organizatorëve që të mos e pranojnë që dhuna është e planifikuar. Arsyeja është se të gjithë po përpiqen të bëjnë sikur Berisha nuk i ka marrë ende protestat nën kontroll dhe duan ta justifikojnë dhunën si provokim të policisë. Madje këtë e thotë dhe vetë Berisha, por me një fytyrë të kënaqur që i shndrin nga kënaqësia kur e mohon.

Le të marrim protestën e së shtunës. Që në fillim të saj ishin rreth 10–15 djem të rinj me maska në fytyrë, nga ata që vijnë të përgatitur për akte dhune. Disa prej tyre u identifikuan pastaj duke thyer dyert e komisariatit nr. 3 për të “nxjerrë çunat nga qelitë”. Pra të gjithë ata që përpiqen t’i justifikojnë se ata i provokoi policia, ndaj u bënë të dhunshëm papritur në fund të protestës, duhet të na shpjegojnë nëse dhe maskat ua ka blerë policia.

Ose si ta shpjegojmë që ata kanë blerë një arkivol dhe kanë shkuar në protestë me të? A e di sa e vështirë është të blesh një arkivol? Do shkosh tek një kompani funerale, të japësh një emër të vdekuri, ta marrësh, ta transportosh deri në bulevard dhe pastaj të caktosh dhe njerëz që ta mbajnë në krah. Është akt i paramenduar si një simbol i dhunës. Nuk them që është gabim. As nuk jam duke thënë se është krim. Por është një skenografi e parapërgatitur. Dhe nëse organizatorët e protestës bëjnë sikur nuk e marrin përsipër, ata ose nuk i pyet më njeri fare në shesh, ose janë hipokritë.

Ky është justifikim banal. Ata janë protestues që jo vetëm kanë ardhur të përgatitur për dhunë, por janë dhe njerëz shumë më politikë dhe më të vendosur për të rrëzuar qeverinë se kushdo tjetër në shesh. Ata janë kontingjent i Partisë Demokratike dhe nuk kanë asnjë lidhje me këta që mbajnë mikrofonin me pagesë dhe bëjnë thirrje për paqe, ndërkohë që shpërndajnë lista linçimesh publike për këdo që kanë inat apo që vendosin ta linçojnë. Kështu që ata që janë ushtrues të dhunës janë më të ndershëm dhe më të sinqertë se këta që bëjnë thirrje për paqe dhe nga ana tjetër ndërsejnë skalionet e dhunës kundër gazetarëve, artistëve apo figurave publike. Se ata së paku e kanë me pushtetin dhe qeverinë. Këta skuthat e mikrofonëve që bëjnë lista linçimesh, e kanë për zilitë e tyre të vogla, dështimet e tyre në jetë dhe urrejtjen ndaj atyre që nuk i arrijnë dot. Janë si dita me natën me ata djemtë që vijnë në protestë për t’u vrarë.

Së dyti ky miti se sheshin e mbush diaspora është një gënjeshtër. Në ditët e protestive mbarëkombëtare protesta pesëfishohet, ndërsa nga diaspora nuk vijnë dot më shumë se 500 vetë. Nuk është se kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 100 vetura ato ditë me protestues. Ajo që e mbush sheshin është ideja që do ketë dhunë, se do vijnë nga jashtë çunat e Londrës dhe prapë në rrugë janë në fakt njerëzit e PD-së së Berishës që mezi presin një ditë të tillë. Shumë herë më tepër se diaspora sjell Albin Kurti, dhe këto xhamitë e Maqedonisë, por ata përveç marshimit të dhunshëm nuk bëjnë dot gjë tjetër se sa hapin gojën, kuptohet nga janë. Kështu që dhe ai shesh atë ditë u mbush po nga PD, por që këta organizatorët nuk duan ta pranojnë dhe bëjnë sikur ka ardhur diaspora dhe ka pesëfishuar pjesëmarrjen.

Janë thjesht protestuesit klasikë të PD. Madje dhe ata që vijnë nga diaspora janë 100 për 100 të PD, por janë pak. Kështu që gënjeshtra se protestën po e bën diaspora apo forca të tjera të angazhuara është banale. Zemra e protestës është PD dhe fuqia e saj është forca.

Dhe më qesharakë në këto histori janë një kategori që gjithë fuqinë e protestës dhe mbijetesën e saj ia dedikojnë atyre që janë dhe kundër Berishës dhe kundër Ramës. Në fakt protestën e mban në këmbë Berisha. Dhe ata i mban në këmbë Berisha si opozitarë se nuk mund të bëhen për 24 orë kundër tij. Paguhen prej Berishës, marrin rroga nga media e familjes së Berishës, janë me Berishën dhe bëjnë sikur distancohen nga ai për të treguar që ka një fuqi të tretë politike në vend. Do ishte lajm i mirë sikur të kishte, por nuk ka akoma. Do t’i pres me gëzim kur të shfaqen në bulevard. Dhe shenja është që mos t’i lavdërojnë këta që janë me Berishën.

Pse fantazia e memeve përfundoi në arkivol?

By: Mero Baze
5 July 2026 at 20:13

Nga Mero Baze

Shikoj që ka shumë kritika nga zyrtarë të qeverisë rreth përdorimit të arkivolit si simbol në protestë. Natyrisht të gjithë i lidhin me 14 Shtatorin e 1998 kur arkivoli nuk ishte bosh, por kishte brenda udhëheqësin e Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari. Atëherë ai u përdor në mënyrë makabre për t’i treguar pushtetit se ai mund t’i përmbysë ata dhe i vdekur.

Dhe nëse ideatorët e këtij skenari të ri, që duket se janë të njëjtët, kanë pasur parasysh këtë gjë, nuk është se kanë bërë ndonjë gabim të madh, thjesht kanë përsëritur pikë më pikë simbolikën.

Nëse brenda arkivolit më 14 shtator 1998 ishte trupi i vdekur i atij që ngriti studentët në protestën më historike që përmbysi për katër ditë diktaturën komuniste, dhe këta kanë futur brenda arkivolit idetë e derisotme të protestës paqësore, memet e mrekullueshme me pelikanë dhe batutat gjithë humor për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Meqë kjo protestë nuk ka një lider si Azem Hajdari, atëherë udhëheqësit e panumërt të saj kanë marrë turpin e vdekur të protestës paqësore e futën në arkivol dhe me të marshuan në mënyrë simbolike.

Nuk mendoj se është një gjë për t’u alarmuar kaq shumë nga pushteti edhe pse vdiq protesta paqësore. Dhe aq më pak nuk është për të vajtuar pse u kalua në protesta të dhunshme. Në historinë e 36 viteve pas Lëvizjes së Dhjetorit të gjitha protestat thuajse kanë qenë të dhunshme. Kjo u duk se do bënte përjashtim, por nuk ia doli dot.

Arsyeja është e qartë. Nëse i identifikon ata që janë promotorë të dhunës në protesta, ata që bëjnë si udhëheqësa por dhe ata që duken si psikopat, ata që sulmojnë komisariatin e policisë apo ata që thyejnë xhamat e makinave të policisë, ata që linçojnë personalitete publike, gazetarët, artistët apo këdo tjetër që nuk u shkon pas, janë qartazi anëtarë dhe militantë të Partisë Demokratike. Mos kini iluzione se protestën po e bën shoqëria civile apo ato vajzat e memeve dhe daullave. Ata që po vijnë nga diaspora po ashtu janë njerëz të Partisë Demokratike. Ato grupet e dhunës në WhatsApp, i ke më shumicë me adresa paskuane Bathore, dhe në krye të tyre ke drejtues të PD.

Protesta është tërësisht e Partisë Demokratike. Këto grupet minore që thërrasin “Berisha në burg” janë kryesisht militantë të tre partive të vogla të cilët duke qenë si zëdhënës të protestës kanë dëshirë ta kenë atë si kapital të tyre. Por protesta nuk është më e tyre. Protesta është e atyre që kanë 35 vjet që protestojnë njësoj.

Është padrejtësi t’ua marrësh protestën dhe ta maskosh si protestë qytetare. Janë njerëzit e tyre ata që po dirigjojnë dhunën jo se duan patjetër dhunë por se nuk dinë si ta bëjnë ndryshe. Kanë vetëm një model. Ndaj mos u lodhni kot duke ua përmendur arkivolin, se ata atë e kanë kulmin e fuqisë që kanë treguar ndonjëherë në protestë. Një herë kanë mundur ta marrin për disa orë kryeministrinë pikërisht me arkivol.

Këta të tjerët që e nisën me meme, as nuk e dinë çfarë është ai arkivoli dhe as e dinë pse është përdorur në histori se kanë lindur pasi kishte ndodhur ajo histori.

Arkivoli ka pastruar protestën nga memet dhe nga maska e shoqërisë civile apo shtresës gri të shoqërisë. E ka çuar atë tek opozita e Sali Berisha. Tek pronari i arkivolit.

Gjithë këto manovrat e tjera qesharake sikur bëjnë Kuvend Kombëtar apo sikur po formojnë një shtet paralel, janë tallje e Sali Berisha me protestën që në fund t’u thotë siç u tha atyre që dërgoi me arkivol në kryeministri më 1998: Ju jeni agjentë të Fatos Nanos! Opozita jam unë.

Vezëvendosja, “klloçka” që nuk pjell më Flamingo

By: Mero Baze
3 July 2026 at 18:19

Nga Mero Baze

Një gazetare e re e Top News u sulmua nga një “grua” protestuese, ndërsa raportonte nga protesta . Arsyeja ishte se asaj gruas nuk i pëlqente Top Channel. Dy ditë më parë nga ajo tribunë ishte mallkuar Grida Duma dhe dy të ftuar të saj, të cilët nuk flasin që të pëlqehen nga gjithë shqiptarët, por vetëm nga ata që duan t’i besojnë. Mallkimi i tyre publik në atë shesh, çoi tek dhuna ndaj një reportereje të re të Top Channel që ka shumë mundësi të jetë dhe simpatizuese e protestës.

Agresiviteti me të cilin iu turr, më kujtoi një vajzë tjetër e cila duket që është trajnuar t’i heqë drojën vetes se mund ta marrin për të arratisur nga ndonjë klinikë, e cila ka disa ditë që ndjek deputetë të parlamentit, ndërsa hyjnë e dalin në Kuvend. Herë i fyen, herë i filmon duke i fyer, dhe pastaj duke i qëlluar me vezë dhe ndjehet krenare. Gjestin e saj e imiton dhe një grup më i gjerë që duket se kanë formuar një celulë të Vezëvendosjes në Tiranë.

Vite më parë këtë e pati aplikuar Vetëvendosje në Prishtinë. Ato vajzat e Vetëvendosjes, nuk linin vend të trupit pa futur gazin dhe vezët që të gjuanin Isa Mustafaën kur të hynte në sallë të Kuvendit apo duke ikur për shtëpi. Pastaj pati një episod kundërpërgjigjie, dhe bën sikur nuk kishte ndodhur gjë. Nuk e bën më atë marrëzi.

Vezëvendosja e Tiranës duket në delir nga ky zbatim i manualit të Vetëvendosjes së Prishtinë në Tiranë. Duke qenë se janë tek faqet e para të manualit ku flitet për “delegjitimimin” publik të armiqve, këta kanë krijuar një çetë linçuesish, të cilët dhunojnë deputetë që s’u pëlqejnë, gazetarë që s’u pëlqejnë, politikanë që s’u pëlqejnë apo figura publike dhe i kthejnë ata në objekt sulmesh.

Shikoja sot një video se si kjo vajza i fuste në fytyrë Erion Braçe telefonin duke e xhiruar me kamera ndërsa ai shkonte në zyrën e tij dhe i kërkonte llogari për gjithë botën. Erioni ishte nga ato ditët që ishte gdhirë mirë dhe qeshte, por mund të ishte dhe në ditët e tij të  zakonshme që gdhihet me xhinde dhe mund t’ia hidhte telefonin në plehra.

E sulmuan barbarisht publicistin Ilir Demalia, dy banditë që e identifikuan si “njeri të shtetit”, dhe qindra komente të Vezëvendosjes uronin vdekjen e tij sa më parë. As në Palestinë nuk ka pas kaq miratim për sulmin ndaj Kullave Binjake në SHBA, sa miratohet unanimisht vdekja nga “Flamingot” e Vezëvendosjes në Tiranë.

I njëjti grup sulmoi aktorin e talentuar Gaz Paja, me legjendat urbane që shpikin vetë nëpër Tiranë, vetëm pse ai nuk është shfaqur në krah të tyre. Vonë mora vesh që dhe mua më kishte filmuar nga pas duke ikur nëpër rrugë në krah të protestuesve, por që quhesha fajtor që nuk isha në mes të tyre. E pashë një si burrë të parruar me leshra që e kisha përballë, por e uli telefonin ngaqë e pashë që po filmonte. Kur u shkëmbyem nisi të filmonte nga pas dhe aty kuptova që ishte grua. Pyeta dhe më thanë se e quanin Anisa Caka dhe me dhanë sqarime si ishte hallexhije dhe me këtë punë jeton. Nuk mu deshën gjithë ato sqarime edhe pse vlenin për të kuptuar se pas sjelljeve të tilla shpesh fshihen histori halexhinjsh pa dinjitet, që përdoren për qëllime politike në emer të “dinjitetit”.

Unë kam së paku 35 vjet që punoj përditë si gazetar dhe nuk kam parë ndonjëherë ndonjë fushatë të tillë linçimi publik ndaj politikanëve dhe gazetarëve, apo personaliteteve publike si kjo e këtij grupit të Vezëvendosjes në Tiranë. Pak e ngjashme me këtë ka qenë situata me Komitetet e Shpëtimit Publik në vitin 1997, të cilët bënin lista për politikanë dhe gazetarë që duhehsin hequr qafe, por nuk është se bënin ndonjë kujdes ta mbanin fjalën. Kur i takoje, siç thoshte dhe Zani Caushi, si objektiv kishin “që duam të hamë, duam të pimë e duam të …”. Këta përveçse janë më banalë se Zani Caushi me shokë, janë dhe shoqërisht më të rrezikshëm pasi nuk e bëjnë këtë se duan të linçojnë disa deputetë apo politikanë që u dalin në rrugë. E bëjnë për të kundërtën. E bëjnë që dikush të reagojë ndaj tyre fizikisht dhe të krijojnë kauzë të re meqë revolucioni nuk mbahet pa viktima.

Është arritje e madhe që revolucioni ka mbërritur në këtë pikë, që të krijojë dhe njerëzit e gatshëm për vetëflijim të tij, disa duke menduar se në botën e përtejme ka 72 virgjëresha apo këto vajzat linçuese duke menduar se do ta shikojnë lapidarin e tyre në Instagram.

Por duhet të jenë të qart se Vezëvendosja është një klloçkë që nuk prodhon flamingo, por  korba që duan kërma. Dhe Shqipëria nuk është gati të kthehet në kufomë për të ushqyer këtë racë injorantësh, dhunuesish perversë dhe kamikazësh, që duan të kthejnë kulturën e urrejtjes në një normalitet.

Adresa e vërtetë e dhunuesve barbarë të Ilir Demaliaj-t

By: Mero Baze
1 July 2026 at 19:39

Nga Mero Baze

Sot në mëngjes dy banditë i kanë zënë pritë publicistit Ilir Demalia, dhe sapo ka dalë nga dera e shtëpisë e kanë përgjakur. Personat janë shpallur në kërkim dhe një hetim i thelluar do të nxjerrë shkaqet e këtij sulmi barbar. Por edhe pa përfunduar hetimi, arsyeja përse duhet dhunuar një figurë publike këto ditë është në modë.

Çdo mbrëmje në bulevard, shfaqen në tribunë një ose dy persona, që kanë një listë me fjalë kundër figurave publike që janë kritikë me “flamingot”. Dikush del denoncon një moderator të televizionit, dikush mban pankarta me gazetarë që duhen dhunuar, madje një faqe në internet në shërbim të revolucionit ka publikuar dhjetëra emra që duhen linçuar si armiq të revolucionit. Kjo e fundit duket se është vepër e guerilasve të revolucionit.

Fryma linçuese që përhapin individët që kontrollojnë protestën, e cila është në kundërshtim të plotë me arsyet përse nisi protesta si protestë paqësore, tani inkurajon çdo kënd që identifikon një figurë publike në rrugë, në shtëpi apo lagje, ta dhunojë atë. Dhe kjo mund të mos ketë lidhje fare as me kauzën e revolucionit anarkist në bulevard dhe as me ndonjë gabim personal të figurave publike. Një ushtri e tërë është organizuar online të linçojë çdo njeri publik që nuk është dakord me atë që ndodh, dhe kjo pastaj i jep të drejtë dhe dikujt në lagje apo pallat të të zërë pritë në mëngjes e të të bjerë me levë kokës.

Për të gjithë ata që thonë se po e teproj që sulmi barbar mbi Ilir Demalia nuk është i frymëzuar nga “guerilët” e revolucionit, shikoni komentet online plot urrejtje që miratojnë dhe shenjtërojnë sulmin mbi të. I kontrollova ato që shfaqeshin në Facebook me një gjuhë të tmerrshme urrejtjeje, që ishin të dëshpëruar pse ai nuk kishte vdekur. Po të hapje të gjithë profilet e tyre kishin në profil “flamingon”. Pra ishin pjesë e revolucionit. Tani nuk ka rëndësi fare si e ka emrin ai banditi që e ka qëlluar apo shoku i tij. Ata kanë një emër më të madh se emri personal, ata janë bindur se tani mund të vrasin dikë me të cilin nuk janë dakord.

Fryma linçuese e atyre që manipulojnë bulevardin, është shpërndarë në çdo qelizë të shoqërisë. Shikoni një politikan të shpifur si Agron Shehaj se si linçon çdo biznesmen apo investitor në Shqipëri pasi i duket sikur i kanë marrë pjesën e tij. Shikoni si shpërndan ata 20 anëtarë të partisë së tij nëpër turmë dhe i takon përsëri për t’i pyetur a do ta bëjnë atë kryeministër. Shikoni si bëhen axhenda për dhunë ndaj bizneseve nga Rrjolli në Kakome, në emër të revolucionit. Shikoni si shpiken kauza nga Bënja e Përmetit deri në lumin Cem në Tropojë, ku shteti bën investime duke dhënë kushtrimin t’i turremi t’i prishim se po i marrin oligarkët.

Por mbi të gjithë shikoni ata që heshtin për dhunën barbare ndaj Ilir Demalia. Janë të gjithë ata të ashtuquajtur gazetarë që mbajnë mikrofonat e “revolucionit” dhe bëjnë lista linçimi për kolegët e tyre. Asnjë fjalë ende për dhunën ndaj tij. Janë shoqatat e tyre false, të krijuara për të vjelur fonde, që nuk kanë ngritur zërin për asnjë linçim ndaj gazetarëve, publicistëve dhe figurave publike që anatmohen në emër të revolucionit.

Ajo është adresa e vërtetë e dhunuesve të Ilir Demalia. Kanë pak rëndësi emrat e ekzekutorëve realë apo arsyeve që ata mund të shpikin. Ata kanë kuptuar këto ditë se kush është kundër “flamingove” dhe mund të vritet në emër të “popullit”.

Në çdo revolucion vrasësit pagëzohen me emrin “atentatorë” për t’u fisnikëruar, pasi thjesht kanë zbatuar një porosi dhe kanë bërë një detyrë për revolucionin. Ata po përpiqen të frikësojnë shoqërinë dhe të dëshmojnë se kush është kundër tyre dhe mund të dhunohet. E bëjnë këtë dhe ndaj dikujt, që është ngritur i pari kundër komunizmit në Shqipëri në vitin 1990, që ka udhëhequr futjen në ambasadat perëndimore dhe i ka dhënë shpresë shoqërisë së atëhershme shqiptare për ndryshimet në Shqipëri përmes intervistave të tij tek Zeri i Amerikes nga arratia.

Është dikush që nuk është trembur nga tigrat dhe natyrisht nuk mund të trembet nga macet.

Protesta që dua(m)n!

By: Mero Baze
30 June 2026 at 18:37

Nga Mero Baze

Më në fund protestat u lodhën së shtiruri si protesta qytetare. Ditë pas dite, sa më shumë i largohen njerëzit, ajo po merr tiparet e protestës që ne e njohim mirë në Tiranë. Një natë më parë u shfaqën guerilasit me flakadanë në universitet, kurse të njëjtit sot para Kuvendit filluan ritualin e zakonshëm të sulmeve dhe linçimeve ndaj deputetëve. Për një grup gueril kjo është diçka argëtuese dhe e vetmja gjë që në fakt dinë të bëjnë. Njërin e qëllojnë me vezë, tjetrin e shoqërojnë duke linçuar dhe të tjerët bëjnë sikur duhet të hyjnë në Kuvend. Është pak a shumë ajo që ka bërë për vite të tëra Partia Demokratike. Vetëm se tani po e bën me ushtarët e një grupimi gueril.

Kjo në fakt është fundi i maskës së protestës qytetare, fundi i fantazisë për meme, pelikanë, flamingo dhe kthimi në identitetin e protestave të dhunshme të Tiranës, me të cilat ky qytet është ndoshta më i stërvituri në gjithë Evropën.

Kjo në fakt nuk është vetëm protesta që duan ata që e nisën, por dhe protesta e vërtetë që kishim të gjithë në mendje, pas maskave të protestës qytetare. Protesta që duam dhe ne që e kuptonim që ishte false.

Kështu të gjithë e kanë më lehtë.

Së pari, grupi gueril i protestës nuk rrezikohet që protestën t’ia vjedhin ambientalistët apo qytetarët e ngarkuar me halle që dalin të protestojnë. Duke qenë se dhunën e kanë identitet të tyre, atë nuk ua vjedh askush.

Së dyti, Partia Demokratike, që është shkolla më e madhe e protestave të dhunshme në Shqipëri, ka rastin të hyjë në lojë dhe të tregojë talentin e saj me molotov. Pashë disa grupe WhatsApp-i të protestës që tani dominohen nga gjithë kryesia e PD, që udhëzojnë se si duhet vepruar te policia ku janë ndaluar protestuesit e dhunshëm apo si duhet vazhduar dhe më tej. Në një farë mënyre i erdhi radha protestës që duan dhe ata. Dhe aty janë ekspertë.

Së treti, po ashtu policia e ka më të lehtë. Edhe ajo është e stërvitur me protestat e dhunshme dhe di të sillet në këto raste. Është skenë që e kemi parë dhjetëra herë dhe e dimë rezultatin.

Kështu secili hyn në llogoren e vet dhe gjërat janë më të qarta. Guerilasit që dikur bënin atentate tani qëllojnë me vezë, demokratët që kanë si armë të tyre molotovin tani po përpiqen të dalin në skalion të parë, ndërsa qytetarët që disa herë mbushën bulevardin, kanë më pak vend tani e tutje. Nuk është protesta që duan qytetarët, por protesta që duan ata që i keqpërdorën si maskë për të arritur këtu.

Iluzioni i forcës që po shpërndan urrejtje

By: Mero Baze
29 June 2026 at 19:19

Nga Mero Baze

Protesta e ka një arritje që nuk mund t’ia mohojmë. Çdo grup minor në Shqipëri, çdo i papërfaqësuar, çdo i frustruar, çdo i bullizuar, çdo i mënjanuar politikisht, çdo i dështuar profesionalisht, financiarisht, madje dhe dikush që ka dështuar në jetën private, ka iluzionin se tani ka një ushtri me vete në dispozicion të hallit të tij. Dhe kjo është protesta.

Po lexoja sot në mëngjes qindra mesazhe kërcënuese nga më të padëgjuarat në inbox që vinin nga të gjitha këto kategori që përmenda më lart. Dikush më premtonte se do më vriste fëmijët, dikush se do shkatërronte pronat, dikush se do më digjte shtëpinë, dikush se e dinte ku e parkoja makinën, dikush se do më përdhunonte gruan, dikush që do prishte varret e prindërve, e dhjetëra monstruozitete. Vetëm një i Albin Kurti ishte më i mëshirshëm. Ai do më vriste me kusht vetëm nëse e zija dhe një herë në gojë Albinin. Po të mos jesh njeri i mësuar me këto dhe mund t’i marrësh seriozisht, mund të përfundosh në çmendinë e tyre.

Pastaj po mendoja pse kaq shumë urrejtje nga njerëzit që duan të bëjnë Shqipërinë e Re.

Mendo një moment njerëzit që kanë vuajtur në diktaturë, që u kanë humbur prindërit apo fëmijët e s’i kanë parë kurrë, që ua kanë pushkatuar prindërit dhe të afërmit, që u kanë humbur eshtrat e s’i gjejnë dot dhe në vitin 1991, ishin njerëz të përvuajtur, që nuk thirrën kurrë për urrejtje. Ata besuan se shoqëria do merrte hak për ta dhe do bënte më të mirën. Ne në fakt nuk e bëmë. Nuk e vumë dot në vend dinjitetin e tyre, por ata ende janë njerëzit më tolerantë të Shqipërisë.

Duke i krahasuar me hallet e këtyre që janë në shesh përditë, që në fakt janë hallet e çdo njeriu në glob, përfshi dhe ne që nuk dalim në protestë, dhe shikon urrejtjen e tyre, kupton se ata kanë iluzionin se tani kanë një ushtri të tyre dhe ligjin e bën ajo.

Nëse i shikon marrëzitë që thonë, se si do bëjnë rendin e ri në Shqipëri, si do ta zgjedhin në protestë parlamentin e ri, qeverinë e re me letër me vrimë dhe pastaj gjykatat dhe prokurorët do lexojnë vendime në tribunë, e kupton pse e vetmja gjë që ata kanë pronë private është urrejtja dhe i vetmi iluzion i tyre që ata mund ta zbrazin urrejtjen është iluzioni se ata kanë protestën si ushtri.

Ky nuk është një iluzion vetëm i atyre që kërcënojnë në inbox, gazetarë apo personalitete publike që shprehin rezerva për broçkullat e protestës, por iluzion i çdo dështaku në këtë vend që mendon se tani ai mund të marrë hak.

Është iluzioni i partive të vogla, që duan të duken të mëdha. E shikoni si zgjat kokën Agron Shehaj pas çdo protestuesi duke e kapur nga xhaketa e duke pyetur: a të pëlqej unë për kryeministër? dhe ai i thotë po.

Është iluzioni i njerëzve të pakënaqur në Partinë Socialiste që tani mendojnë se do marrin hak ndaj Ramës me atë ushtri. Është iluzioni i njerëzve të xhindosur me Sali Berisha brenda Partisë Demorkatike, që mendojnë se tani ai është zëvendësuar me këta të rrugës.

Është iluzioni i njerëzve të pasur që urrejnë njerëzit edhe më të pasur, është iluzioni i njerëzve të dënuar nga drejtësia që mendojnë se po vjen epoka e artë e lirisë.

Por e përbashkëta e të gjithëve është iluzioni se për çdo hall të tyre e kanë atë ushtrinë e përbashkët në bulevard. Ajo herë bëhet 300 vetë e herë 3 mijë vetë, por dhe në u bëftë 30 mijë vetë një herë në muaj kur të mobilizohen, ajo nuk e ndryshon dot Shqipërinë. Shqipërinë nuk e ndryshon dot urrejtja dhe sidomos kur ajo buron nga pjesë të margjinalizuara të shoqërisë.

Iluzioni i forcës në emër të së cilës lëshojnë përditë mallkime dhe dënime, është thjesht iluzion. Pas pak kohësh kur të kthejnë kokën pas do shikojnë vetëm hijen e tyre. Dhe për këtë nuk ua ka fajin Shqipëria e vjetër, por pafuqia e tyre e vjetër për të qenë dikushi me këmbët e veta në këtë shoqëri.

Dhe boll me këtë adhurimin për fytyrën qytetare të protestës. Kurrë s’ka pasur ndonjë gjë më antiqytetare në tribunën e ndonjë proteste në Shqipëri. Dhe asnjëherë kaq njerëz banalë dhe të frustruar në krye të saj. Të tjerët, minjtë e vrimave që e nxisin këtë urrejtje, i njoh!

Tre paradokse tragjikomike që ka prodhuar protesta

By: Mero Baze
28 June 2026 at 18:54

Nga Mero Baze

Paradoksi i parë i protestës është diferenca mes atyre që janë në shesh dhe atyre që organizojnë protestën. Pas bërjes publike të grupit organizator, shikohet qartë se ata që janë në shesh, janë shumë më lart si nga pikëpamja kulturore, por dhe nga personaliteti, se ata që kanë marrë frenat e organizimit të protestës dhe përdorimit të saj.

Kjo tregon se protesta nuk ka zgjedhur përfaqësuesit e saj në krye të organizimit, por një grup organizatorësh kanë zgjedhur të privatizojnë protestën për llogari të tyre. Dhe ky paradoks prodhon pastaj gjithë anomalitë e tjera të protestës, gjuhën linçuese, psikopatët që marrin mikrofonin, broçkullat që këpusin duke i quajtur ide, keqpërdorimet fetare dhe deri tek deliret në emër të popullit.

Duke zgjedhur një grup organizatorësh nën nivelin e protestuesve, i vetmi shpjegim është që ose organizatorët e vërtetë duan të përdorin një listë mediokrish për t’i flakur kur të mbarojnë punë, ose askush nuk merr përsipër t’i vërë emrin e vet një proteste pa qenë të sigurt për rezultatin e saj. Në të dy rastet ky standard i grupit organizator do jetë një pikë referimi për protestën sa herë të themi që “ishte historike”. Budallëku shpeshherë është gjëja më historike në këtë vend.

Paradoksi i dytë i protestës është që zemra e protestës është Partia Demokratike dhe opozitarët e përhershëm të këtij vendi që nuk duan t’ia dinë as se thotë dikush “Berisha në burg”, as se protestën e kanë kapur të tjerët. Ata janë pjesa më e vendosur e protestës, kurse konkretisht protesta punon kundër PD dhe në favor të një të majte të re radikale, ku përzihen gjithë deliret e marksistëve, ambientalistëve dhe LGBTQ-ve si në gjithë botën, dhe një partie islamike antisemite që edhe pse nuk formalizohet ekziston dhe funksionon si një detashment ilegal në politikën e Shqipërisë duke mbështetur herë një krah e herë tjetrin sipas udhëzimeve që marrin.

Nuk është se kam shumë keqardhje që “PD po mban sheshin, kurse Qorri po ha përsheshin”, por është interesante të shikosh se si të majtët radikalë në shesh, sjellin një neokomunist italian në protestë, që të tregojnë se mbështetja evropiane për protestën i përket të majtës ekstreme neokomuniste. Mund të sillte dhe PD ndonjë deputet gjerman nga ata që i çon në zyrë Berishës. Jo se do ta bënte protestën më të madhe, por të paktën do t’i jepte PD shpërblimin për atë që po bën në mbushjen e sheshit. Se kështu po punojnë si argatë të së majtës radikale.

Paradoksi i tretë janë këta socialistët e zemëruar të Edi Ramës, apo të zemëruarit me Edi Ramën, si në parti dhe jashtë saj, që janë bërë idhtarë të mëdhenj të protestës.

Që të jenë kundër Edi Ramës janë brenda lirisë së tyre dhe mund të mos i lënë kusur pa bërë politikisht, por sjellja e tyre si pronarë të protestës për t’i treguar Ramës se tani kanë dhe këta ushtrinë e tyre që do mundin Ramën është qesharake. Nuk e kam fjalën për socialistët e vjetër që kanë keqkuptimin se kjo situatë zgjidhet duke rikthyer xhaketat e 97 në pushtet. Ata e kanë si rast t’i tregojnë Ramës që jemi akoma gjallë.

Protesta reale është protestë e njerëzve të papërfaqësuar nga Edi Rama dhe pushteti i tij dhe jo protestë e njerëzve që s’kanë realizuar dot aspiratat e tyre në pushtetin e Edi Ramës. Protesta nuk ka nisur të reformojë partinë Socialiste, por ka nisur si një “revolucion” kundër sistemit aktual politik, çka në fakt është një fjali që nuk e kuptojnë as ata që e thonë, e lë më këta që e adhurojnë. Por ata që janë në shesh, nuk janë të shqetësuar për karrierën e njerëzve brenda PS dhe për preferencat e Edi Ramës brenda pushtetit të tij.

Kështu që socialistët që duan të marrin hak ndaj Edi Ramës përmes protestës, më shumë ngjajnë me servilë të një pushteti të ri që mendojnë se do vijë se sa me heretikë të një pushteti të vjetër që mendojnë se do ikë. Këta janë dhe më tragjikomikët e gjithë kësaj historie.

Protesta nuk i bën punë PD-së edhe sikur ta udhëheqë vetë Berisha

By: Mero Baze
25 June 2026 at 19:26

Nga Mero Baze

Partia Demokratike aktualisht e dominon statistikisht protestën, përveç ditëve kur shpallet protestë mbarëkombëtare dhe vijnë shqiptarët e Albin Kurtit dhe ata të diasporës. Praktikisht, nëse u hedh një sy dhe fotove, ata që mblidhen gjatë javës tanimë në bulevard në masën 80 për qind janë thjesht protestuesit e Foltores dhe drejtuesit e PD. Madje pak nga pak u ka ikur dhe droja e javës së parë që shanin protestën dhe japin dhe intervista nga sheshi apo orientojnë protestën e radhës.

Fakti që Berisha i ka “falur” që dhe nëse dëgjojnë “Berisha në burg” të bëjnë sikur nuk e dëgjojnë, i ka lehtësuar shumë.

Nëse u hedh një sy fotove të tre ditëve të fundit, kur protestuesit janë rralluar ndjeshëm, të shfaqet portreti i Gjin Gjonit, Këlliçit, Balliut, Tabakut dhe gjithë bërthamës protestuesw të PD. Madje ai “protestuesi” që donte Rama ta thërriste në vathën e vet, duke e quajtur pjesë të protestës qytetare, është nga protestuesit më të rregullt dhe të vjetër të Foltores.

Kjo tregon se statistikisht sheshi tani është i pushtuar nga PD.

Por paradoksi është se kjo nuk i bën punë PD.

Nuk i bën punë për një arsye të thjeshtë. Protesta u bë popullore pasi ajo u ngjiz dhe ia arriti të paraqitej si një protestë e opozitës së përjashtuar nga sistemi, madje si opozitë që i kishte zënë hisen e diellit PD e Berishës. Kjo ishte arsyeja pse u bë popullore brenda vendit, pasi jashtë vendit e bëri të famshme Trumpi.

Tani ajo protestë ka vdekur, por sheshi i protestës dhe fryma e protestës jo.

Sheshi i protestës besoj se do të mbetet i hapur për shumë kohë, ku do promovohen partitë e reja ideologjike që do dalin nga protesta, ndërsa fryma e protestës do të vazhdojë të jetë kundër PD dhe PS, edhe pse PD e mban atë gjallë në shesh.

Në këtë fazë që është fryma e protestës, as PD nuk e ndal dot protestën të protestojë kundër saj, duke qenë në shesh.

Njësoj dhe për Partinë Socialiste. Çdo kush që del nga rreshti i Partisë Socialiste dhe i bashkohet protestës, me idenë që PS duhet reformuar, në fakt nuk e devijon dot frymën e protestës e cila nuk është për reformimin e PS e PD, por për eliminimin e tyre në një periudhë afatgjatë.

Kështu që të gjithë ata që i gënjen mendja nga PD dhe PS, që duke dalë në shesh do reformojnë PD dhe PS, në fakt duhet të jenë të vetëdijshëm që përmes rrugës i ngurtësojnë dhe i bëjnë më hermetike si parti. Kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet të ikin nga PD apo PS po qe se janë të bindur, por duhet të ikin të qartë që duhet t’i mundin ato parti e jo t’i reformojnë përmes presionit të protestës.

Nga kjo protestë nuk del dot ndonjë PD e re apo PS e re.

E vetmja gjë e re që mund të dalë nga protesta të tilla populiste dhe revolucionare janë parti të reja ideologjike dhe Shqipëria ka qartazi dy perspektiva për parti të reja ideologjike.

E para është një e majtë radikale e tipit Syriza në Greqi dhe vende të tjera të Evropës që duket e ka bërthamën rreth Arlind Qorrit. I ka të gjitha tiparet e Vetëvendosjes në Kosovë, parti me struktura militare, agresivë, fanatikë me ide fikse populiste të një të majte etatiste. Ata janë dhe bërthama kryesore organizative e protestës.

Partia e dytë ideologjike, por që mund të jetë më e madhe se e majta radikale, është partia islamike që duket qartazi që është në shesh, me më shumë para dhe më shumë përkushtim se e majta radikale. Nuk e kam fjalën për këto ndërhyrjet hibride të Iranit apo Turqisë, përmes njerëzve të xhamive, por realisht tek një frymë e islamit politik që konvertohet në shesh në antisemitizëm, në gjuhë urrejtjeje ndaj Izraelit e SHBA dhe një disiplinë fetare të frikshme në organizimin e tyre.

Nuk them se do lindë këtë javë apo këtë muaj apo vit, por në horizont ajo është partia tjetër ideologjike që po i afrohet Shqipërisë.

Të tjerët lodhen kot. Mund të kishim dhe një të djathtë radikale, por modelet evropiane dhe botërore të saj janë kryesisht partitë raciste, antiemigrant dhe nacionaliste, që këtu s’ka as interes publik. Madje më popullor se këta janë këta tifozët e teorive konspirative. Këtu më shumë gjen njerëz në shesh që besojnë se toka është e sheshtë se sa që sheshi Skënderbej ka për simbol heroin tonë kombëtar.

Ndaj mundimi i figurave kryesore të PD që po mbushin përditë sheshin është për t’u lavdëruar, por nuk është se i bën punë partisë së tyre. Thjesht nuk u quhet.

Madje dhe vetë Sali Berisha të dalë në shesh, do të jetë një dalje kundër Sali Berishës në SHQUP.

Është rasti fantastik, ku protestuesit nuk kanë arsye ta ruajnë protestën nga PD e PS. I kanë në favor edhe nëse u vijnë në shesh.

Është një ankand i hapur kundër tyre, ku lejohet që dhe ata të japin ofertën e tyre. Por jo për t’u reformuar si parti, por për t’u mundur.

Pse organizatorët u distancuan nga Goxhaj ndërsa protestuesit e mbështesin?

By: Mero Baze
24 June 2026 at 19:10

Nga Mero Baze

Në mitingun e së martës, një grua që foli në emër të grupit organizator të protestës tha se “vendimi që kërkesat të lexoheshin nga Dritan Goxhaj ishte një vendim konsensual i grupit”, ndërsa sqaroi se vetë Goxhaj nuk është pjesë e këtij mekanizmi koordinues. Pra, në një farë mënyre e paraqiti Goxhaj si spiker të protestës por jo organizator apo udhëheqës të saj.

Distancimi erdhi pas një fushate sulmesh ndaj tij, bazuar mbi spekullimin se ka qenë luftëtar i UÇK, deklaratave publike pro Hezbollahut apo gjuhës së egër për vrasje politike që ka përdorur më parë në daljet e tij publike. Nuk di nëse kishte parasysh këtu dhe projektin e tij personal për protestën dhe sidomos pikën ku udhëheqësit e rinj të qeverisë tranzitore do të zgjidheshin me short.

Por përpjekja për t’u distancuar nga Goxhaj ishte e qartë dhe ishte në emër të grupit organizator.

Tani nëse distancimi nga Goxhaj bëhet për shkak të sulmeve të qeverisë, shpeshherë edhe shumë të faktuara, ky është një precedent i rrezikshëm për udhëheqësin e radhës së protestës pasi mund të ketë të njëjtin fat. Kur dikush del e artikulon kërkesat e protestës ai është udhëheqësi i saj dhe nuk mund të jetë spikeri i një grupi njerëzish në hije. Politika është akt publik dhe nuk mund të bëhet me aktorë të marrë hua dhe njerëz në hije.

Ndryshe nga ajo zonja që e distancoi Goxhaj nga “udhëheqësit” e protestës, shumica e njerëzve që janë pro protestës apo në protestë e mbrojtën atë. Dhe pse ishin në hall për ca nga gjestet e tij, përsëri nuk u dorëzuan. Kjo tregon që Goxhaj ka më shumë mbështetje si udhëheqës brenda protestës se ata organizatorët në hije që e paskan caktuar spiker por jo udhëheqës.

Tani nëse pas çdo udhëheqësi që do caktojnë, ata do të dorëzohen përballë sulmeve nga kundërshtarët, sidomos nga pushteti, por dhe opozita e Berishës, ata do ta kenë të vështirë të “emërojnë” një udhëheqës të ri, pasi çdo kush do përballet me sulme. Madje udhëheqësit për këtë punë zgjidhen që të përballojnë sulmet.

Vetë protestuesit kanë frymë linçuese ndaj kujtdo që është kundër tyre, dhe nuk duhet të presin që të tjerët të duartrokasin udhëheqësin e tyre. Por pikërisht këtu duket merita e atij që do të jetë në krye të protestave, që të ketë mbështetjen e tyre përballë sulmeve.

Goxhaj duket se është më i mbështetur nga protestuesit dhe më pak i dëshiruar nga udhëheqësit në hije të protestës. Dhe kjo do një shpjegim. I vetmi shpjegim që i shpëton është ai mekanizmi që propozon vetë Goxhaj që thotë udhëheqësit t’i zgjedhim me “short”. Ndoshta i bie letra me vrimë dikujt tjetër dhe kështu organizatorët që nuk përballuan dot as 12 orë sulme ndaj Goxhaj, mund të justifikohen para protestuesve, që kanë dy ditë që mbrojnë Goxhajn pa u tërhequr. Por problemi është se protesta ka nisur të prodhoj një udhëheqje të re, jo një llotari të re.

Popullariteti i protestës ka forcuar më shumë antisemitizmin se sa opozitarizmin në Shqipëri

By: Mero Baze
22 June 2026 at 19:00
Nga Mero Baze
Sot rreth orës katër të mëngjesit disa mesazhe të pazakonta në telefon më nxorën gjumin. Maks Konomi, një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe ish-ministër i saj në vitet ’90, më kishte shkruar një mesazh të gjatë për një incident që i kishte ndodhur me një polic në Rinas. Maksi po udhëtonte drejt Francës, por me pasaportë të Izraelit, meqë ka dy shtetësi. Ai ndjehej tepër i fyer prej policit, i cili e kishte pyetur pse udhëton me pasaportë të Izraelit, a nuk të pëlqen ajo e Shqipërisë?

Dhe natyrisht kishte bërë debat me të. Madje i kishte marrë dhe numrin e identifikimit.

Por nuk është ky qëllimi pse po e shkruaj. Është pak më e gjerë dhe ka të bëjë me përhapjen e heshtur të antisemitizmit në një vend i cili është përpjekur të bëhet i famshëm në botë për të kundërtën e këtij fenomeni, për mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve, në një moment të errët të botës kundër tyre.

Këto gjeste antisemite që i bashkëngjiten protestave politike, pastaj heqja dhe poshtërimi i flamurit të Izraelit dhe guximi i shtuar për ta lidhur dhe protestën me faktin që Jared Kushner është hebre, i kanë dhënë legjitimitet frymës antisemite në vend.

Shumica e këtyre ngjarjeve që lidhen me fillimin e protestave antiqeveritare në vend kanë shtuar guximin publik për të qenë antisemit në Shqipëri. Organizatorët e protestës, në vend që të distancohen qartë nga kjo gjuhë, bullizojnë këdo që e ngre këtë shqetësim, ose përpiqen ta relativizojnë atë.

Një nga gazetarët e BIRN që javët e fundit është shpërndarës mikrofoni në protestë, bullizon këdo që ngre shqetësime për gjuhën antisemite, që ndjehet i shqetësuar kur protestuesit mbajnë veshur T-shirt me foton e Edi Ramës ku shkruhet “Çifut”, apo kur dikush shfaqet i shqetësuar pas heqjes së flamurit të Izraelit nga protestuesit.

Distancimi i organizatorëve të protestës nga gjestet antisemite thuajse nuk ekziston, përveç një fjalëfolësi, të cilin e shpallën agjent të SHIK-ut pse tha që ka grupe të huaja që duan të ndikojnë në protestë.

Protestat e mëdha dhe popullore janë një rast sa i mirë për të demonstruar fuqinë e shoqërisë kundër pushtetit, aq dhe një rast i keq për t’u keqpërdorur për kauza që dëmtojnë rëndë dinjitetin e shoqërisë. Protesta e Tiranës e ka përdorur popullaritetin e saj ndërkombëtar të jashtëzakonshëm, që në fakt lidhet me Donald Trump dhe familjen e tij, më shumë për të forcuar antisemitizmin se sa opozitarizmin në Shqipëri.

Duke e bërë legjitime këtë frymë, pastaj antisemitizmi përhapet vetiu në shoqëri, zë vend tek fanatikët fetarë, tek media sipërfaqësore, tek debatet në rrjetet sociale duke u shtrirë pastaj në jetën e përditshme deri tek polici i kufirit.

Maks Konomi është djali i Manol Konomi, ish-ministrit të Drejtësisë që refuzoi ekzekutimet pa gjyq pas bombës në ambasadën sovjetike, dhe natyrisht ndjehet i fyer që një polic kufiri e paragjykon për shkak se mban një pasaportë të Izraelit.

Por për të mbërritur deri tek polici i kufirit, nuk do t’ia kishim arritur kësaj dite, pa një keqpërdorim të shfrenuar të protestës më popullore të Shqipërisë, më shumë kundër Edi Ramës si “çifut” sesa kundër Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë.

Popullariteti i protestës  ka forcuar më shumë antisemitizmin se

❌
❌