Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kritika pasi u zbulua se kishte kërkuar të dhënat telefonike të disa gazetarëve të The New York Times dhe të afërmve të tyre, në një përpjekje për të identifikuar burimet konfidenciale që kishin zbuluar informacione mbi avionin e ri presidencial Air Force One.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në SHBA, Departamenti i Drejtësisë u ka dërguar urdhra kompanive të telefonisë për të siguruar regjistrat e telefonatave dhe mesazheve të gazetarëve. Mes personave të përfshirë në kërkesë janë edhe familjarë të tyre, përfshirë nënën e një reporteri dhe bashkëshortët e dy gazetarëve.
Veprimi erdhi pasi The New York Times publikoi një artikull ku zyrtarë federalë shpreheshin të shqetësuar për aftësitë e sigurisë së avionit të ri Air Force One, një dhuratë nga Katari për presidentin Trump. Raportimi shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ngarkoi drejtorin e FBI-së, Kash Patel, të mbikëqyrte hetimin për rrjedhjen e informacionit.
Avokatët e The New York Times kanë kërkuar në gjykatë anulimin e urdhrave, duke argumentuar se Departamenti i Drejtësisë ka shkelur rregullat e veta për mbrojtjen e mediave. Sipas tyre, gazeta u njoftua për kërkesat ndaj kompanive telefonike vetëm një javë pasi ato ishin lëshuar, gjë që e cilësuan si një veprim “thellësisht shqetësues”.
Për momentin, të gjitha urdhrat janë pezulluar deri në vendimin e gjykatës federale. Seanca për shqyrtimin e çështjes pritet të zhvillohet këtë të enjte në Manhattan.
Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kiersten Pels, deklaroi se çdo urdhër është lëshuar në përputhje të plotë me ligjin federal dhe politikat e brendshme të institucionit, ndërsa The New York Times nuk ka bërë komente të tjera përtej padisë së depozituar në gjykatë.
Mjekët stomatologë po konstatojnë një rritje të rasteve të prishjes së dhëmbëve te fëmijët dhe të rinjtë. Mënyra e të ushqyerit, konsumi i lartë i sheqernave dhe mungesa e higjienës orale mbeten ndër faktorët kryesorë. Specialistët paralajmërojnë se edhe pijet energjike po shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e dhëmbëve.
“Faktorët kryesorë që është akoma më problematik është lloji i orizit, i miellit apo i bukës që përdoret te pjesa e fëmijëve, marka të ndryshme produktesh që është shporta e përditshme e ushqimeve. Ne shikojmë që kjo ndikon më shumë sesa vetë çokollatat apo ëmbëlsirat që prindërit merakosen më shumë”, u shpreh mjeku stomatolog, Fatjon Yzeiraj.
Mjekët stomatologë po konstatojnë një rritje të rasteve të prishjes së dhëmbëve te fëmijët dhe të rinjtë, një problem që lidhet ngushtë me mënyrën e të ushqyerit dhe mungesën e kujdesit të rregullt për higjienën orale. Mjeku stomatolog Fatjon Yzeiraj përmend faktorët kryesorë që ndikojnë në këto problematika.
“Pijet energjike nuk duhet të merren fare në konsideratë për t’u përdorur nga të rinjtë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Fëmijët kanë nevojë për një stil jetese të shëndetshëm dhe kujdes të shtuar për shëndetin e tyre. Duhet të kemi parasysh se pijet energjike kanë përbërës të ndryshëm, të cilët mund të ndikojnë ndryshe në organizëm. Prandaj, ajo që mund të jetë e përshtatshme për një të rritur nuk është domosdoshmërish e përshtatshme për një fëmijë”, tha ai.
Stomatologët u bëjnë thirrje prindërve dhe të rinjve t’i kushtojnë më shumë rëndësi higjienës orale, të kufizojnë konsumimin e pijeve energjike dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri, si dhe të kryejnë kontrolle të rregullta dentare për të parandaluar problemet që në fazat e hershme.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm, 21 korrik, në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, ku një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë konstatuar se brenda automjetit, në sediljen e parë të pasagjerit, ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit, por rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë të qarta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Raportohet se 66-vjeçari jetonte i vetëm, pasi gruan dhe fëmijët i kishte në Greqi.
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me nismën “Paketa e Maleve”, duke theksuar se kjo është një mundësi konkrete për zhvillimin e zonave malore, rikthimin e të rinjve dhe nxitjen e investimeve në harmoni me natyrën.
Rama theksoi se “Paketa e Maleve” nuk parashikon shitjen e zonave malore, por krijimin e mundësive që pronarët legjitimë të zhvillojnë pronat e tyre dhe t’i kthejnë ato në burim të ardhurash.
“Nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Jemi në kushtet kur mijëra emigrantë kanë shprehur interes, sepse duan të investojnë. Turizmi do të shkojë duke u bërë një ekonomi gjithnjë e më domethënëse. ‘Paketa e Maleve’ është politikë për njerëzit, për të drejtën e pronës dhe zhvillimin e saj. Është një politikë që u shkon për shtat atyre që për vite me radhë nuk kanë mundur ta kthejnë pronën në një aset financiar. Kur kërkohet anulimi i ‘Paketës së Maleve’, në fakt kërkohet që këta njerëz të mbeten pezull, vetëm sepse disa që malet i shohin nga qyteti e kundërshtojnë. Nuk kam parë asnjë komunitet që preket drejtpërdrejt nga kjo paketë të ngrihet e të thotë se po i merren pronat. Megjithatë, kjo shitet si një tjetër akt tradhtie”, tha Rama.
Sipas Ramës, vizioni për një “Zvicër të vogël” nuk lidhet vetëm me bukuritë natyrore, por me krijimin e një ekonomie të qëndrueshme që bazohet te turizmi cilësor.
“Po na bëhet një Zvicër e vogël dhe këtë e ndihmon edhe ‘Paketa e Maleve’. Zvicra e madhe është një vend që, për shkak të maleve, ka zhvilluar turizmin. Dhe nuk është thjesht turizëm i njerëzve që ecin me një shkop në dorë, por është turizëm elitar, ku vizitorët konsumojnë shumë dhe krijojnë ekonomi. Kjo ‘Zvicër e vogël’ bëhet pikërisht duke u dhënë mundësi njerëzve që jetojnë në male të investojnë në harmoni me natyrën, të krijojnë mirëqenie dhe të mos i braktisin këto zona. Gjithashtu, u jepet mundësi edhe të rinjve që jetojnë në Tiranë, Shkodër, Kukës apo gjetkë, por që kanë trashëguar prona në zonat malore, të rikthehen dhe të investojnë aty. Kjo do të thotë më shumë ekonomi dhe më shumë të ardhura. Historia e atyre që e kanë bërë tashmë këtë e tregon qartë se funksionon”, tha Rama.
Rama hodhi poshtë pretendimet se “Paketa e Maleve” është një nismë propagandistike, duke theksuar se rezultatet e para janë tashmë të dukshme.
“Kjo paketë nuk është propagandë, sepse copëzat e ‘Zvicrës së vogël’ kanë filluar të lindin dhe kjo tregon se malet tona mund të shndërrohen në një destinacion të zhvilluar. Është një paketë edhe për emigrantët, të cilët prej vitesh nuk kanë pasur mundësi të gëzojnë pronat e tyre për shkak të mungesës së dokumentacionit. Tani po krijohen kushtet që edhe ata të investojnë në pronat e trashëguara dhe të bëhen pjesë e zhvillimit të zonave malore”, tha ai.
Rama shtoi se “Paketa e Maleve” synon të lehtësojë procedurat për zhvillimin e investimeve në zonat malore dhe “të zgjidhë problematikat që lidhen me pronësinë dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët dhe emigrantët që zotërojnë prona në këto zona”.
Andy Burnham ka nisur zyrtarisht mandatin si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, duke prezantuar kabinetin e tij të ri qeveritar dhe duke premtuar një fillim të ri për vendin. Në fjalimin e tij të parë përpara Downing Street, Burnham deklaroi se synimi i qeverisë së tij është të “rikthejë shpresën”, të rivendosë besimin e qytetarëve te politika dhe të ndërtojë një ekonomi më të fortë e më të drejtë.
Njw nga emërimet më të rëndësishme tw qeverisw sw tij ishte ai i John Healey në postin e Kancelarit të Thesarit, një zgjedhje që u konsiderua surprizë, por që shihet si një figurë me përvojë dhe stabilitet për drejtimin e ekonomisë britanike.
Kabineti i ri përfshin gjithashtu Ed Miliband si Sekretar të Jashtëm, Shabana Mahmood në krye të Ministrisë së Brendshme, Louise Haigh si Sekretare e Parë e Shtetit dhe Kancelare e Dukatit të Lancaster, Yvette Cooper si Sekretare e Shëndetësisë, Pat McFadden në krye të Departamentit të Punës dhe Pensioneve, si dhe Angela Rayner, e cila rikthehet si Sekretare e Strehimit.
Në fjalimin e tij, Burnham pranoi se qytetarët janë lodhur nga paqëndrueshmëria politike e viteve të fundit, duke theksuar se qeveria e tij duhet të “bëjë më mirë” për të sjellë ndryshime reale. Ai u zotua për një qasje të kujdesshme ndaj ekonomisë, duke respektuar rregullat fiskale, por duke shfrytëzuar çdo mundësi për të investuar më shumë në infrastrukturë dhe zhvillim.
Kryeministri i ri njoftoi se ditët në vijim do të prezantohet një paketë mbështetëse për përballimin e kostos së jetesës, e cila pritet të përfshijë uljen e faturave të energjisë, mbështetje për transportin publik dhe masa të tjera për familjet britanike.
Burnham vendosi gjithashtu në qendër të programit të tij decentralizimin e pushtetit, riindustrializimin e vendit, reformimin e sistemit të kujdesit social dhe luftën kundër varfërisë. Një nga vendimet e para të qeverisë së tij do të jetë hartimi i një plani për t’i dhënë fund fenomenit të fjetjes në rrugë.
Në arenën ndërkombëtare, telefonatat e para të Burnham si kryeministër ishin me presidentin amerikan Donald Trump, presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke sinjalizuar se politika e jashtme do të mbetet një prioritet i rëndësishëm i qeverisë së re.
Përbërja e qeverisë së re
Kryeministër: Andy Burnham
Kancelar i Thesarit: John Healey
Sekretar i Jashtëm: Ed Miliband
Sekretare e Brendshme: Shabana Mahmood
Sekretare e Parë e Shtetit & Kancelare e Dukatit të Lancaster: Louise Haigh
Arrestimi i 52-vjeçarit Petrit Çeça me një sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse ka ngritur dyshime se eksplozivi ishte destinuar për atentate të mundshme të grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë dhe në zonën e Fushë-Krujës.
Detajet mbi operacionin u bënë të ditura nga gazetari Esido Barkaj në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus.
Operacioni policor i koduar “Porosia” u zhvillua nga Drejtoria e Policisë së Tiranës pas një informacioni të siguruar në rrugë operative. Në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, efektivët lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë 52-vjeçarin në rrugën “Kastriotët”, teksa lëvizte me automjetin e tij.
Gjatë kontrollit në mjet u sekuestruan dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse tritol, një pjesë e së cilës ishte e pajisur me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore gati për shpërthim, si edhe gjashtë kapsolla të tjera detonatore.
Sipas hetimeve paraprake, ekzistojnë dyshime të forta se lëndët plasëse do të përdoreshin për atentate të planifikuara nga grupe kriminale. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse eksplozivi ishte siguruar për llogari të personave të tjerë ose kishte si destinacion shitjen.
52-vjeçari është marrë në pyetje, por nuk ka dhënë shpjegime për origjinën e lëndëve plasëse apo personat që i kishin porositur. Ndërkohë, policia ka sekuestruar telefonin e tij celular dhe ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në Fushë-Krujë, si dhe në ambiente të tjera me interes për hetimin.
Grupi hetimor ka disa persona të dyshuar, por identiteti i tyre mbahet sekret për shkak të fazës delikate të hetimeve. Fokusi mbetet identifikimi i bashkëpunëtorëve që kanë siguruar dhe transportuar lëndët plasëse, si dhe zbulimi i porositësve.
Petrit Çeça rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, pasi më herët është arrestuar për kultivim kanabisi në zonën e Fushë-Krujës. Sipas policisë, ai dyshohet se nuk ka vepruar i vetëm, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe zbardhjen e rrjetit të personave të përfshirë.
Një tjetër goditje ndaj veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike është ndërmarrë nga Policia e Tepelenës. Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjedha”, është arrestuar në flagrancë një 57-vjeçar, i cili kishte kultivuar bimë narkotike në vazo, mes kanioneve në fshatin Progonat.
“Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në mes të kanioneve në fshatin Progonat, arrestohet në vendngjarje, 57-vjeçari. Asgjësohen 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të një hetimi me metoda proaktive, të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në koordinim me Prokurorinë, për të dokumentuar me prova ligjore, veprimtarinë kriminale të një shtetasi të dyshuar të përfshirë në kultivim të bimëve narkotike, u finalizua operacioni i koduar ‘Rrjedha’”, thuhet në njoftim.
“Si rezultat i ndjekjes dhe ndërhyrjes profesionale policore, i dyshuari, shtetasi I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, u arrestua në flagrancë, në thellësi të kanioneve në fshatin Progonat, në mes të të cilave kishte kultivuar në vazo, 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Kontrollet anticannabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Pas temperaturave përvëluese të ditëve të fundit, moti në Shqipëri pritet të pësojë një freskim të ndjeshëm duke nisur nga dita e mërkurë. Meteorologia Tanja Porja, në një lidhje për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, tha se sot do të mbizotërojë mot i kthjellët me temperatura shumë të larta, por në vijim termometri do të shënojë ulje graduale.
“Diell dhe temperatura të larta gjatë ditës së sotme. Vranësiat do të jenë krejt të lehta dhe kalimtare deri vonë pas dite kur presim fuqizim të vranësirave dhe prezencë e rreshjeve krejt të pakta dhe afatshkurtra në zonat kufitare në veri të territorit shqiptar. Ndërkohë nesër dhe në vijim presim freskim të ndjeshëm të kushteve të motit.
Që nga mesdita e nesërme termometri zbret me 4-5 gradë. Pra nga 39-40 maksimumi që presim në ditën e sotme se kemi jo më shumë se 35 gradë celsius, maksimum ky i cili pritet pikërisht në zonën Elbasan-Berat aty ku pritet dhe sot maksimumi vijon dhe nesër rreth 35 apo lehtësisht mbi 35°C maksimumi në rang territori. Vijon rënja e lehtë e temperaturave për mesditën e së enjtes.
Më pas e premtja dhe fundjava në kushte termike mjaft të favorshme, pra me një mjaft të freskët në orët e mëngjesit, por edhe në orët e mesditës, ku maksimumet zbresin në 30 gradë celisius, ndërsa vlerat minimale, nesër mëngjesi vijon pak a shumë në të njëjtat vlera termike me një rënjë krejt të lehtë të vlerave termike. Është dita e enjte e cila sjell tre të paktën 3 gradë rënje në mëngjes.
Një mëngjes mjaft i freskët ky i së enjtes, ndërsa e premtja dhe deri të dielën mëngjese mjaft të freskëta, pasi vlerat minimale në rang territori zbresin 8 apo 9 gradë për mëngjesin e së shtunës, një mëngjes mjaft i freskët”.
Brenda çdo sistemi që duket kompleks, në fund ekziston një thjeshtësi e madhe: njeriu. Sot flasim çdo ditë për Inteligjencën Artificiale. E dëgjojmë në konferenca, e lexojmë në media, e shohim në aplikacione. Por për shumicën prej nesh, AI vazhdon të mbetet një koncept që diskutohet më shumë sesa përjetohet. Vodafone Albania po teston një qasje krejt tjetër. Jo duke folur për Inteligjencën Artificiale, por duke e bërë atë pjesë të padukshme të jetës sonë të përditshme.
Imagjinoni një antenë celulare që nuk transmeton vetëm sinjal. Ajo “vëzhgon” vazhdimisht mënyrën si lëvizin njerëzit, ku rritet trafiku i internetit dhe si ndryshojnë kushtet përreth. Më pas vendos vetë të ndryshojë pozicion, duke u rrotulluar ose anuar drejt zonës ku nevoja është më e madhe. Dhe e bën këtë pa pritur që një inxhinier të ngjitet në kullën e antenës.
Ky është një nga shembujt e parë të asaj që industria e telekomunikacionit e quan Physical AI: Inteligjencë Artificiale që nuk kufizohet vetëm në analizimin e të dhënave, por ndërhyn fizikisht në infrastrukturë për të përmirësuar performancën e rrjetit pa patur nevojë për ndërhyjen e njeriut.
Përmes një projekti pilot në Tiranë, Vodafone Albania po sjell për herë të parë këtë teknologji në vend. Zgjidhja kombinon një “tru” të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale me një krah robotik të zhvilluar në partneritet me HUMAX Networks, i aftë të rrotullojë dhe anojë antenat aktive 4G dhe 5G në kohë reale, në mënyrë që rrjeti të përshtatet vazhdimisht me nevojat e përdoruesve.
Ky projekt është pjesë e vizionit të Vodafone Group për ndërtimin e rrjeteve autonome dhe AI-native: rrjete që nuk presin më komandat e njeriut, por perceptojnë, mësojnë dhe përshtaten vetë.
“Duke kombinuar Inteligjencën Artificiale, automatizimin dhe robotikën, rrjeti ynë tashmë mund të ndjekë në mënyrë dinamike lëvizjen e përdoruesve dhe ndryshimet e kërkesës për shërbime, duke ofruar lidhje më cilësore dhe një eksperiencë më të mirë për klientët,” – shprehet Francisco (Paco) Martin Pignatelli, Drejtor i Mobile Access Engineering në Vodafone.
Por çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Imagjinoni një të shtunë pasdite. Fillimisht jeni në shtëpi duke parë video, duke ndarë reels me miqtë apo duke bërë një telefonatë. Pak më vonë gjendeni në një koncert me mijëra njerëz. Brenda pak minutash, kërkesa për internet shumëfishohet.
Deri më sot, përshtatja e rrjetit në situata të tilla kërkonte ndërhyrje manuale nga inxhinierët e Vodafone Albania, të cilët rikonfiguronin antenat sipas nevojës. Ishte një proces që mund të zgjaste ditë, madje edhe javë. Me teknologjinë e re, e njëjta përshtatje mund të ndodhë brenda vetëm 20–30 minutash.
Sistemi analizon vazhdimisht trafikun, parashikon se ku do të nevojitet më shumë kapacitet dhe udhëzon në mënyrë autonome krahun robotik të ndryshojë pozicionin e antenës. Gjithçka ndodh ndërkohë që përdoruesit vazhdojnë të përdorin rrjetin normalisht, pa ndërprerje dhe pa e kuptuar se në sfond po zhvillohet një proces kompleks optimizimi.
Madje, sistemi nuk mbështetet vetëm te të dhënat e trafikut. Ai merr në konsideratë edhe faktorë si kushtet atmosferike. Nëse moti ndryshon ose parashikohet një rritje e fluksit në një zonë të caktuar, rrjeti mund të përshtatet paraprakisht, përpara se të krijohet mbingarkesa.
Për përdoruesit, e gjithë kjo përkthehet në diçka shumë të thjeshtë: internet më të qëndrueshëm, mbulim më të mirë dhe një eksperiencë më cilësore. Pa aplikacione për të instaluar. Pa cilësime për të ndryshuar. Pa njoftime që shpjegojnë çfarë po ndodh. Rrjeti thjesht bëhet më inteligjent.
Ky projekt është pjesë e strategjisë më të gjerë të Vodafone për modernizimin e rrjeteve radio (RAN) përmes arkitekturave të hapura dhe të bazuara në softuer. Duke bashkuar Inteligjencën Artificiale, automatizimin dhe dixhitalizimin e infrastrukturës, kompania po ndërton themelet e gjeneratës së ardhshme të rrjeteve: rrjete që marrin vendime gjithnjë e më inteligjente me ndërhyrje minimale njerëzore.
Testimi në Tiranë konfirmon gjithashtu rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që Shqipëria po merr brenda ekosistemit të inovacionit të Vodafone Group. Pas demonstrimit të teknologjisë AI-powered Network Slicing të Vodafone Albania në partneritet me Nokia, Shqipëria po shndërrohet në një vend ku zhvillohen teknologjitë që do të formësojnë të ardhmen e konektivitetit.
Ndoshta ky është kuptimi i vërtetë i Inteligjencës Artificiale, jo ta vërejmë më shumë, por ta ndiejmë më pak, sepse ajo punon në sfond që gjithçka të funksionojë më mirë.
Kryeqyteti i Shqipërisë renditet ndër destinacionet urbane më ekonomike në Evropë. Por çfarë u ofron Tirana vizitorëve? Këtë pyetje shtron media britanike “Daily Mail” në një artikull kushtuar kryeqytetit shqiptar dhe qytetit bregdetar të Durrësit.
Kur një arkeolog në portin shqiptar të Durrësit vuri re se një pemë fiku ishte rrëzuar në një gropë pranë mureve të qytetit, fillimisht nuk e kuptoi rëndësinë e zbulimit që kishte bërë.
Gjatë gërmimeve të mëtejshme u zbuluan disa gurë të lashtë, të cilët rezultuan të ishin pjesë e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë romake në Shqipëri: një amfiteatër madhështor me kapacitet rreth 20 mijë spektatorë, i ndërtuar rreth vitit 100 pas Krishtit.
Ishte viti 1966 dhe, pas një nisme të gjerë arkeologjike, Durrësi nxori në dritë një arenë të lashtë rreth 20 metra të lartë, duke i shtuar qytetit një tjetër dëshmi të rëndësisë së tij historike.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, dhe Durrësi, qyteti-port rreth 40 kilometra në perëndim të saj, janë vende ku historia, kultura dhe zbulimet e papritura ndërthuren vazhdimisht.
Durrës
Por ato kanë edhe një tjetër të përbashkët: ofrojnë një raport të jashtëzakonshëm mes cilësisë dhe kostos.
Tirana është renditur së fundmi si qyteti i tretë më i lirë në Evropë, sipas Barometrit të Kostove të Qyteteve për vitin 2026, të publikuar nga kompania britanike e shërbimeve postare dhe financiare “Post Office”.
Vizita në Amfiteatrin e Durrësit kushton vetëm 2.30 paund.
Një biletë për një shfaqje në Teatrin e Operës në Tiranë kushton rreth 3.50 paund.
Hyrja në muzetë kryesorë kushton rreth 6 paund.
Ndërsa një vakt me tre pjata, i shoqëruar me verë, në një restorant të nivelit të lartë me kuzhinë tradicionale shqiptare kushton rreth 25 paund.
Edhe akomodimi mbetet me çmime të përballueshme. Një dhomë dyshe në një hotel cilësor në Tiranë kushton rreth 65 paund, ndërsa fluturimet vajtje-ardhje mund të gjenden edhe për rreth 30 paund.
Për këtë arsye, shumë ekspertë e konsiderojnë Tiranën një nga destinacionet më të leverdishme për një pushim urban në Evropë.
Analistët e kompanisë së kartave të kreditit “Zable” e kanë vlerësuar gjithashtu Tiranën për raportin e lartë mes përvojës së ofruar dhe kostos, duke e renditur përpara qyteteve si Plovdivi në Bullgari dhe Talini në Estoni në një studim mbi destinacionet që ofrojnë “më shumë vlerë për paratë e shpenzuara”.
Një fundjavë në Tiranë dhe Durrës është një mënyrë ideale për të njohur këtë vend ende relativisht pak të eksploruar nga turistët ndërkombëtarë.
Durrësi, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, është një zgjedhje e shkëlqyer për një udhëtim njëditor.
Një biletë autobusi vajtje-ardhje kushton vetëm 2.70 paund.
Shëtitorja pranë marinës dhe Amfiteatrit të Durrësit ofron një atmosferë të këndshme, me ajrin e freskët që vjen nga Deti Adriatik.
Përgjatë bregdetit ndodhet një park i zbukuruar me statuja gladiatorësh, peshkatarësh të lashtë, por edhe figura të artistëve të njohur ndërkombëtarë si John Lennon, Tina Turner, Bob Dylan dhe Mick Jagger.
Këto vepra janë kthyer në një element të veçantë të qytetit.
Jagger është paraqitur në lëvizje, Lennon duke luajtur kitarën, Dylan me një pamje të menduar, ndërsa Tina Turner në një pozë plot energji skenike.
Statujat u vendosën si simbol i hapjes kulturore pas rënies së komunizmit, një periudhë që përfundoi rreth 35 vjet më parë, me rrëzimin e regjimit të izoluar të udhëhequr nga Enver Hoxha.
Vizita vazhdon me Kullën Veneciane, ku një picë kushton rreth 4.50 paund dhe një birrë Korça rreth 2.70 paund.
Është një përvojë që ndërthur çmimet e përballueshme me qetësinë, larg turmave masive turistike të destinacioneve të tjera mesdhetare.
Në Tiranë, një ndalesë e rëndësishme është Shtëpia me Gjethe, ish-qendra e hetimeve e përdorur nga Sigurimi, policia sekrete e regjimit komunist.
Aty dokumentohen historitë e mijëra viktimave, përndjekjet politike, përgjimet masive dhe kontrolli i rreptë mbi jetën private të qytetarëve.
Gjatë regjimit të tij, Enver Hoxha ndërtoi rreth 175 mijë bunkerë, të projektuar për t’u përdorur në rast lufte ose sulmi bërthamor.
Njëri prej tyre ndodhet pranë Sheshit Skënderbej dhe sot njihet si Bunk’Art 2.
Brenda këtij kompleksi, dhomat e izoluara dhe ekspozitat tregojnë historinë e represionit komunist, ndërsa elementet e artit modern krijojnë një kontrast me atmosferën e rëndë të së kaluarës.
Një tjetër objekt i rëndësishëm është Bunk’Art 1, një strehim shumë më i madh, i projektuar si seli e udhëheqjes komuniste në rast të një sulmi bërthamor.
Vizitorët mund të shohin edhe ambientet personale të Enver Hoxhës, përfshirë dhomën e gjumit dhe zyrën e tij me panele druri, ku ruhet edhe një fotografi e Josif Stalinit.
Pranë këtij kompleksi ndodhet teleferiku që të çon në malin e Dajtit, rreth 900 metra mbi nivelin e detit.
Nga aty ofrohet një nga pamjet panoramike më të bukura të Tiranës, e rrethuar nga vargmale mbresëlënëse.
Ajo që e bën Tiranën të veçantë është atmosfera e saj sociale: një qytet i gjallë, i hapur dhe i çlirët, ku ende ndihet kontrasti mes energjisë së sotme dhe së kaluarës së vështirë komuniste.
Edhe skena gastronomike është një nga pikat e forta të kryeqytetit.
Në zonën e Bllokut, dikur lagjja e rezervuar për elitën komuniste, vizitorët mund të shijojnë gatime tradicionale dhe verë shqiptare.
Banorët e Tiranës flasin me dashuri për qytetin e tyre.
Edhe vizitorët shpesh arrijnë në të njëjtin përfundim: Tirana është një qytet plot energji, surpriza dhe kontraste./Marrë nga ATSH
E marta do të sjellë sfida interesante që do t’ju motivojnë të jepni më të mirën. Në punë do të keni mundësinë ideale për të treguar aftësitë tuaja dhe për të lënë pas një rival që ka tentuar t’ju errësojë. Vendosmëria dhe profesionalizmi do të shpërblehen. Në dashuri, pasioni do të jetë i fortë, por mos lini vend për xhelozinë e tepruar. Besimi dhe sinqeriteti janë baza e një marrëdhënieje të qëndrueshme.
Demi
Ju pret një ditë e karakterizuar nga prakticiteti dhe mundësi të mira në aspektin ekonomik. Yjet favorizojnë negociatat, investimet për shtëpinë dhe nënshkrimin e marrëveshjeve afatgjata. Nëse keni një çështje ligjore apo burokratike të pazgjidhur, e marta është momenti i duhur për t’i dhënë zgjidhje. Në dashuri mbizotëron qetësia dhe stabiliteti, duke ju dhuruar siguri dhe mirëkuptim me partnerin.
Binjakët
Mërkuri vazhdon të jetë aleati juaj më i madh, duke ju dhuruar zgjuarsi, komunikim të shkëlqyer dhe reagim të shpejtë. Do të jeni në qendër të vëmendjes në takime, intervista, udhëtime pune apo bashkëpunime të reja. Aftësia juaj për të bindur të tjerët do të jetë e admirueshme. Në dashuri, dëgjoni më shumë partnerin dhe mos u përpiqni që gjithmonë të keni fjalën e fundit.
Gaforrja
Edhe pse Dielli është gati të largohet nga shenja juaj, ai vazhdon t’ju dhurojë forcë të brendshme dhe një magnetizëm të veçantë. E marta mund të sjellë një ofertë financiare të papritur ose një vlerësim për punën dhe përkushtimin tuaj të javëve të fundit. Në dashuri, hapini zemrën shpresës dhe shijoni çdo moment të bukur që ju ofron e tashmja.
Luani
Ka ardhur momenti juaj për të shkëlqyer. Energjia do të rritet nga ora në orë dhe afrimi i sezonit tuaj astrologjik ju bën edhe më tërheqës. Në punë do të tërhiqni vëmendjen e eprorëve, ndërsa në mbrëmje nuk do t’ju mungojë admirimi nga njerëzit që ju rrethojnë. Shfrytëzojeni këtë periudhë të favorshme për të nisur projekte dhe iniciativa të reja.
Virgjëresha
Yjet ju këshillojnë ta përdorni të martën për të planifikuar me kujdes dhe për t’i dhënë pak pushim mendjes. Nuk është dita e duhur për vendime impulsive apo për përplasje me kolegët dhe eprorët. Veproni me qetësi dhe punoni në prapaskenë, sepse rezultatet do të vijnë në momentin e duhur. Në dashuri, lini mënjanë ndrojtjen dhe besojini intuitës suaj.
Peshorja
Një e martë shumë e favorshme për jetën sociale dhe miqësinë. Do të rrethoheni nga njerëz pozitivë që do t’ju rikthejnë humorin e mirë pas disa ditësh më të lodhshme. Në punë, bashkëpunimi do të jetë çelësi i suksesit, ndaj mos hezitoni të ndani përgjegjësitë me të tjerët. Mbrëmja premton romantizëm, qetësi dhe momente të bukura.
Akrepi
Yjet ju këshillojnë të tregoheni të kujdesshëm në ambientin e punës. Konkurrenca mund të jetë më e fortë se zakonisht dhe afatet e ngushta mund t’ju krijojnë stres. Ruani qetësinë dhe mos reagoni ndaj provokimeve. Në dashuri, situata do të jetë shumë më e favorshme dhe mbrëmja premton emocione të forta dhe pasion.
Shigjetari
Qielli i së martës ju mbush me dëshirën për të udhëtuar, eksploruar dhe zgjeruar horizontet. Nëse jeni me pushime, do të përjetoni momente të paharrueshme. Nëse jeni ende në punë, mund të realizoni marrëveshje të rëndësishme me persona nga qytete apo vende të tjera. Në dashuri, beqarët do të kenë mundësi për njohje shumë interesante.
Bricjapi
Planetet ju ftojnë të vendosni më shumë rregull në menaxhimin e financave, sidomos për shpenzimet e përbashkëta ose çështjet që lidhen me trashëgiminë. Para se të firmosni dokumente të rëndësishme, lexojini me kujdes. Në marrëdhëniet personale tregohuni më fleksibël dhe shmangni debatet e kota me partnerin duke zgjedhur dialogun.
Ujori
Vëmendja e yjeve përqendrohet te marrëdhëniet dhe bashkëpunimet më të rëndësishme. E marta kërkon që të dëgjoni edhe mendimin e të tjerëve dhe të mos këmbëngulni vetëm te pikëpamjet tuaja. Një qasje diplomatike do t’ju ndihmojë të arrini një marrëveshje të favorshme ose të riktheni harmoninë në çift. Kujdesuni gjithashtu për hidratimin dhe mirëqenien fizike.
Peshqit
Përditshmëria do të jetë e mbushur me angazhime dhe detyra që kërkojnë zgjidhje të shpejta. Fatmirësisht, krijimtaria juaj do t’ju ndihmojë të gjeni mënyra të zgjuara për të punuar më me efikasitet. Në dashuri, yjet premtojnë një atmosferë shumë romantike. Lëreni veten të udhëhiqet nga ndjenjat dhe mos kini frikë të ëndërroni për të ardhmen.
Dalin detaje të reja nga atentati që ndodhi mbrëmë në Elbasan.
Sipas burimeve autori ka qenë i veshur me xhup dhe dyshohet se edhe i maskuar me paruke. Sapo është afruar në verandën e lokalit ka qëlluar 7 herë më armë zjarri pistoletë duke plagosur Renaldo Mançen 31 vjeç dhe Armand Tomorricën 32 vjeç. Plumbat kanë prekur edhe kamarierin e lokalit 19-vjeçarin Bjorgi Hoxha.
Autori sapo ka kryer atentatin është larguar, por brenda në lokal ka qenë edhe një oficer policie jashtë shërbimit, i cili ka pasur ne vete edhe dy fëmijët e tij. Kur ka parë ngjarjen në verandën e lokalit polici edhe pse nuk ka pasur armën e shërbimit me vete është vënë pas autorit duke e ndjekur.
Gjatë ndjekjes nga polici, autori ka hedhur pistoletën në tokë. Ngjarja ndodhi në lagjen e quajtur “Banesa” që në Elbasan njihet si problematike.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga projekti Lungomare 4, në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, duke bërë të ditur se punimet po i afrohen fundit.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë pamje nga Lungomare 4, në Plazhin e Vjetër të Vlorës, ku punimet po shkojnë drejt përfundimit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në një postim në Facebook.
Projekti Lungomare 4 është pjesë e investimeve për zgjerimin dhe sistemimin e vijës bregdetare të Vlorës, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën, hapësirat publike dhe ofertën turistike të qytetit.
Ligjvënësit francezë kanë arritur një kompromis të rëndësishëm që pritet t’i hapë rrugën hyrjes në fuqi të një projektligji për ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç, përpara fillimit të vitit të ri shkollor në shtator. Pasi Komisioni Evropian konstatoi se versioni fillestar mbivendosej me ligjet e BE-së, anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe Senatit ndryshuan draftin përpara votimit përfundimtar.
Nisma ligjore mbështetet fuqimisht nga Presidenti Emmanuel Macron dhe parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme. Përplasja fillestare mes dy dhomave të parlamentit lidhej me fushëveprimin e platformave; Asamebleja Kombëtare kërkoi një ndalim të përgjithshëm, ndërsa Senati synonte krijimin e një liste të zezë. Në fund u pranua propozimi për një ndalim të përgjithshëm, duke ua lënë autoritetet të BE-së përgjegjësinë për të monitoruar përputhshmërinë e platformave me kufizimin e moshës. Ligji i ri specifikon se nuk do të përfshihen në ndalim enciklopeditë online, drejtoritë arsimore apo platformat e softuerëve me burim të hapur.
Shqetësimet për shëndetin e të rinjve dhe vala globale e kufizimeve
Nevoja për këtë ndërhyrje legjislative vjen pas raporteve shqetësuese nga organet e shëndetësisë në Francë. Të dhënat tregojnë se rreth 90% e fëmijëve të moshës 12 deri në 17 vjeç përdorin telefona inteligjentë çdo ditë, dhe gjysma e adoleshentëve kalojnë nga dy deri në pesë orë në ditë përpara ekranit. Ekspertët shëndetësorë kanë ngritur alarmin se ky përdorim i tepërt çon në uljen e vetëvlerësimit dhe rrit ekspozimin ndaj përmbajtjeve që nxisin sjellje të rrezikshme, si përdorimi i drogës, vetëdëmtimi dhe vetëvrasja. Në Francë, disa familje kanë paditur tashmë platformën TikTok për raste vetëvrasjesh të adoleshentëve që lidhen me këtë problematikë.
Kjo nismë franceze është pjesë e një tendence globale që po fiton terren. Vende si Australia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Indonezia kanë miratuar tashmë kufizime të ngjashme të moshës për përdorimin e platformave si TikTok, YouTube dhe Instagram.
Edhe në nivel qendror të Bashkimit Evropian, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar vendosjen e kufizimeve të moshës, duke theksuar se fëmijët nën 3 vjeç nuk duhet të ekspozohen fare ndaj ekraneve dhe se praktika e lëvizjes së pafundme në ekran (endless scrolling) nxit varësinë tek të rinjtë. Nëse projektligji francez kalon me sukses votimin parlamentar, ligji pritet të miratohet zyrtarisht pas datës 10 gusht, për shkak të periudhave të detyrueshme të njoftimit që kërkon BE-ja.
Shqipëria ka arritur rekord për punësimin e shtetasve të huaj, të cilët arrijnë në mbi 22 mijë deri në qershor 2026, nga 18 mijë që ishte numri i tyre deri në dhjetor 2025.
Konkretisht, sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), dhënë për Monitor nga Policia e Shtetit, numri i të huajve të punësuar në vend arriti në 22,693 shtetas deri më 30 qershor 2026.
Nga totali i tyre, të pajisur me leje unike si punëmarrës janë 20 332 shtetas të huaj, ndërsa 2,361 shtetas të huaj janë të regjistruar me leje unike si të vetëpunësuar.
Numrin e të huajve të pajisur me leje unike si punëmarrës e kryesojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku 10 258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të të huajve të punësuar në vend.
Konkretisht, numri i shtetasve nga Filipinet deri në qershor 2026 arriti në 3 552 të pajisur me leje pune, duke përbërë rreth 16% të totalit të të huajve të punësuar në vend.
Pas tyre renditen shtetasit nga India me 3 423 të punësuar, ose 15% të totalit. Shtetasit nga Egjipti arritën në 3,283 të punësuar.
Më pas renditet Turqia me 1 503 leje unike për punëmarrës dhe Italia me 1,306 leje.
Ndër shtetet e tjera me numrin më të lartë të punëmarrësve të huaj të pajisur me leje unike janë SHBA-ja me 619 leje, Indonezia me 229 shtetas dhe Kina me 212 shtetas të pajisur me leje unike si punëmarrës, etj.
Vitet e fundit, shumë sipërmarrës, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, si baret dhe restorantet, kanë pohuar për Monitor se kanë rritur ndjeshëm punësimin e shtetasve të huaj nga Filipinet dhe India.
Shumë shtetas nga këto vende janë të punësuar në bare dhe restorante në pozicione pune si kamerierë, pastrues apo kuzhinierë. Punësime të tjera janë bërë edhe në fabrikat e prodhimit, të cilat po punësojnë inxhinierë të rinj nga India.
Ndërsa shtetasit nga Egjipti punësohen kryesisht në sektorin e transportit, blegtorisë dhe agroturizmit.
Po ashtu, punësimi i të huajve është zgjeruar edhe në familje. Shtetase nga Filipinet po punësohen si personel për kujdesin ndaj fëmijëve (dado), të moshuarve ose për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Italianët dhe shqiptarët e Kosovës vijojnë të kryesojnë vetëpunësimin
Ndryshe nga lejet unike për punëmarrës, të cilat dominohen nga shtetasit e Filipineve, Indisë dhe Egjiptit, lejet unike për të vetëpunësuar kryesohen nga shtetasit italianë.
Nga gjithsej 2 361 leje unike për të vetëpunësuar, 868 u përkasin shtetasve italianë, ose rreth 37% e totalit.
Pas Italisë renditet Kosova me 283 leje, e ndjekur nga Turqia me 199, SHBA-të me 198, Ukraina me 92, Siria me 68, Gjermania me 67 dhe Polonia me 65 leje unike për të vetëpunësuar, etj…
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk njoftoi dhjetëra lëndime ushtarake dhe dëmtime të pajisjeve të shkaktuara nga sulmet iraniane në javën para një sulmi fatal të premten, raportoi gazeta “New York Times”.
Lajmi, duke cituar disa zyrtarë amerikanë, pretendonte se Teherani ekzekutoi tre sulme kundër forcave amerikane në Jordani përpara sulmit që vrau dy ushtarë dhe la një tjetër të zhdukur.
Këto incidente të mëparshme supozohet se rezultuan në lëndime të shumta të pjesëtarëve të shërbimit dhe dëmtime të disa helikopterëve. Megjithatë, Pentagoni mbajti heshtje në lidhje me këto viktima, duke përmendur domosdoshmërinë e sigurisë operacionale.
Një zyrtar ushtarak vuri në dukje se Komanda Qendrore (CENTCOM) nuk është e mandatuar ligjërisht për të raportuar lëndime, veçanërisht kur personeli kthehet shpejt në detyrë.
Numri i përgjithshëm i personelit amerikan të vrarë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt ka arritur në 16 ndërsa më shumë se 400 të tjerë janë plagosur.
As Pentagoni dhe as CENTCOM-i nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Anadolu-t për koment mbi raportin.
Kupa e Botës me 64 ekipe po bëhet gjithnjë e më shumë realitet. Në një postim në llogarinë e tij X, Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), njoftoi zgjerimin me 64 ekipe për edicionin e ardhshëm:
“Edicioni tjetër do të luhet në shtëpi. Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të presin Kupën e Botës 2030. Një mundësi e shkëlqyer për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me një garë me 64 ekipe”.
Këto fjalë tingëllojnë si një njoftim zyrtar, duke pasur parasysh se vetë Dominguez është një nga mbështetësit kryesorë të garës së zgjeruar.
Koha e njoftimit është praktikisht perfekte, duke pasur parasysh se disa ditë më parë, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se ideja po diskutohet dhe se ka një hapje të madhe ndaj mundësisë për një numër të tillë:
“Të gjithë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në Kupën e Botës, jo vetëm Evropa apo Amerika Latine. Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet brenda komiteteve përkatëse pas këtij Botërori”.
Ndërsa CONMEBOL po shtyn përpara një Kupë Bote me 64 ekipe (ideja u hodh për herë të parë në mars 2025 nga presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait, Ignacio Alonso), ka nga ata, siç është Presidenti i UEFA-s, Ceferin, të cilët argumentojnë se është “një ide e keqe”.
Për më tepër, presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani, kishte shprehur gjithashtu kundërshtimin e tij. Përtej një zgjedhjeje sportive, është edhe politike: në fakt, CONMEBOL, mbështetësi kryesor i Kupës së Botës të zgjeruar, tashmë ka mbështetur Infantinon në përpjekjen e tij për t’u rizgjedhur në vitin 2027. Kjo është arsyeja pse tema e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 mund të bëhet një çështje kyçe.
Zhvillimet rreth qëndrueshmërisë, organizimit dhe natyrës së protestave qytetare kanë qenë sërish pjesë e debateve në emisionin “3D” në RTSH, të drejtuar nga gazetari Alban Dudushi. Gjatë diskutimit mbi këtë temë, polemisti Arben Meçe ka ndarë analizën e tij, duke u ndalur te sjellja e kryeministrit Edi Rama, faktorët ndërkombëtarë në organizim dhe ndryshimi radikal i përbërjes së protestuesve nga qershori në korrik.
Në fillim të fjalës së tij, Meçe u shpreh kritik ndaj reagimeve të kreut të qeverisë përgjatë kësaj periudhe, duke e cilësuar sjelljen e tij si agresive. Sipas analistit, nuk po përballemi me një ndryshim strategjik të profilit të kryeministrit, por janë rrethanat e jashtme ato që kanë diktuar reagimet e tij.
Organizimi jashtë vendit dhe ndikimi në turizëm
Meçe solli në vëmendje të dhënat e muajit qershor, periudhë në të cilën, sipas tij, u shënua një rënie prej 12% e turizmit në vend. Ai e klasifikoi këtë shifër si suksesin e parë të një proteste që kishte një prapavijë specifike organizative.
“Kemi informacion të mjaftueshëm për të pohuar se protesta nuk u organizua në Shqipëri. U organizua përtej Shqipërisë, ndonëse aktorët ishin këtu. Ata aktorë jashtë Shqipërisë erdhën këtu, shkuan edhe në Parlamentin Evropian dhe futën ca amendamente atje”, deklaroi Meçe, duke shtuar se pjesëmarrësit e huaj apo jorezidentë nuk duhet të përfshihen në tubime ku kërkohet rrëzimi i qeverisë.
Sipas polemistit, muaji korrik solli një ndryshim të plotë të situatës në terren. Duke iu referuar një deklarate të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Meçe shpjegoi se pozicioni politik i mazhorancës ka mbetur i prerë për shkak të ndryshimit të profilit të pjesëmarrësve.
Në optikën e tij, qytetarët e thjeshtë – të cilët ai i emërtoi në mënyrë metaforike si “flamingot” – janë larguar tashmë nga sheshi, duke lënë pas vetëm faktorë tërësisht politikë.
“Ky është qëndrimi i djeshëm, i sotëm dhe vazhdon të jetë i tillë. Sorrat janë sot; me këta nuk negociojmë ne. Pse? Sepse flamingot kanë ikur, nuk është më qytetari këtu. Kjo protestë tashmë është politike”, nënvizoi Meçe, duke saktësuar se në shesh kanë mbetur vetëm grupime që synojnë pushtetin.
Në mbyllje të analizës së tij, Meçe iu përgjigj pikëpyetjeve se përse kryeministri Edi Rama refuzon të ulet në bisedime. Sipas tij, natyra taksative e kërkesës “Largohu” mbetet aq ekstreme sa nuk lë asnjë hapësirë për kompromis apo negocim dypalësh. Ai shtoi se në një sistem demokratik, rruga e vetme për ndryshimin e pushtetit kalon përmes organizimit politik, përfshirjes në fushatë dhe fitores në proceset zgjedhore.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj, ka thyer heshtjen përmes një interviste të gjatë të dhënë për Albania Newscast me gazetarin Arbër Hitaj. Haklaj ka bërë një analizë te fortë të aktualitetit politik në vend, zhvillimeve rreth protestave, aksionit të SPAK-ut ndaj figurave politike, si dhe betejës së brendshme për drejtimin e PD-së.
”Presin më kot në PD, Berisha do ia lërë partinë familjes”
Duke komentuar lëvizjet e fundit brenda grupit të Sali Berishës dhe pozicionimin e figurave të ndryshme, Haklaj u shpreh se shpresat e disave për të marrë drejtimin e partisë janë të kotë.
”E kanë të kotë në PD që presin të ikë Berisha e ta marrin partinë. Është afruar në pozicione Belind Këlliçi. Ndërkohë është larguar Edi Paloka, Luciano Boçi, apo u rri përsëri mbrapa Flamur Noka. Por ata presin më kot se nuk e njohin mirë Sali Berishën. Ai do ta trashëgojë te familja e tij partine, dhe Argita Berisha do të jetë ajo që do e marrë këtë forcë e ta drejtojë. Mbajeni mend këtë që po ju them!” — deklaroi Haklaj.
Prapaskena e “non-gratës”: Sanksionet nuk janë hequr
Lidhur me pretendimet e fundit për heqjen e sanksioneve dhe statusit “non-grata” ndaj Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-deputeti u shpreh prerë se bëhet fjalë për një dezinformim.
”Në lidhje me ‘non-gratën’, Berisha gënjen. Nuk i është hequr, thjesht e kanë si hapësirë për probleme me shëndetin që të mund të shkojë për vizitë, por sanksionet nuk janë hequr. Nëse do të ishin hequr, Berisha do kishte ikur që sot në SHBA — lekët i ka dhe me bollëk,” tha ai gjatë intervistës.
”Basha dhe euroatlantikët do të rikthehen fuqishëm”
Në pjesën tjetër të bisedës, Haklaj ndaloi te pozicionimi i demokratëve euroatlantikë dhe beteja ligjore për vulën e Partisë Demokratike. Ai konfirmoi se aksioni politik do të vijojë krah Lulzim Bashës, duke pritur vendimmarrjen e ardhshme nga Gjykata e Lartë pas rekursit të dorëzuar.
Sipas Haklajt, grupi i euroatlantikëve nuk është tërhequr nga skena politike, përkundrazi, ai parashikon një rikthim të fuqishëm të Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij në përballjen e ardhshme politike në vend.
Ecuria, struktura dhe tentativat për organizimin e protestës qytetare kanë qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “3D” në RTSH, të drejtuar nga gazetari Alban Dudushi. Gjatë analizës mbi temën “Përplasjet mbi protestën”, analisti Fitim Zekthi ndau pikëpamjet e tij lidhur me natyrën heterogjene të tubimeve dhe përpjekjet e fundit të disa grupimeve për të krijuar një strukturë drejtuese apo një kuvend përfaqësues.
Sipas Zekthit, iniciativa e disa individëve për t’u organizuar në një kuvend hyn te liritë normale njerëzore dhe synon të galvanizojë më mirë kauzën, megjithatë ai u shpreh skeptik për arritjen e një rezultati domethënës nga kjo tentativë.
Pamundësia e sinkronizimit dhe natyra e larmishme e tubimit
Analisti argumentoi se struktura aktuale e protestës përbëhet nga një larmi e madhe rrymash, grupimesh dhe ngjyrash, çka sipas tij e bën të pamundur vendosjen e një drejtimi unik. Zekthi nënvizoi se pikërisht mungesa e një organizimi formal ka shërbyer deri më tani si forca kryesore e kësaj lëvizjeje popullore, ku marrin pjesë shtresa të ndryshme si studentë, punëtorë, familjarë, mjekë e inxhinierë.
Në këndvështrimin e tij, rënia relative e pjesëmarrjes gjatë këtyre ditëve është një efekt i pritshëm i stinës së verës dhe kohëzgjatjes së tubimeve, ndërsa parashikoi një ripërtëritje masive të lëvizjes sapo të nisë vjeshta.
“Në qoftë se do të kemi një rigalvanizim, një ripërtëritje masive në shtator — që besoj se do të ndodhë — sigurisht që kuvendi do të jetë një gjë që protesta nuk do ta marrë fare parasysh, mendoj unë. Pra, në këtë kuptim, është një tentativë që do të tretet në një të shtunë të nxehtë”, u shpreh Zekthi.
Gjatë analizës së tij, Zekthi vuri në dukje një paradoks që karakterizon tubimet pa lider. Nga njëra anë, mungesa e drejtimit e mbron protestën nga goditjet e përqendruara, por nga ana tjetër, kjo gjë shërben edhe si dobësi, pasi e ekspozon atë ndaj debateve të brendshme që mund të shfrytëzohen nga pushteti politik.
Sipas tij, makineritë e propagandës përpiqen të kapin grupime apo individë të veçantë për t’i vënë kundër njëri-tjetrit, duke përdorur narrativat e përçarjes për të zbehur mesazhin bazik përbashkues, i cili mbetet largimi i sistemit aktual politik dhe politikave korrupsioniste.
Pavarësisht këtyre sfidave, analisti e cilësoi faktin e mbijetesës së deritanishme të protestës si një sukses të jashtëzakonshëm dhe të rrallë në historinë e tranzicionit shqiptar, duke ritheksuar bindjen se përgjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor ajo pritet të rimarrë përmasa akoma më të mëdha.