Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Humbja e kapacitetit për gjykim moral në opozitë është vrastare

20 July 2026 at 21:00

Nga Fitim Zekthi

Partia Demokratike zgjodhi ekipin drejtues, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët dhe gjithë sekretarët e tjerë. Veç faktit që ka një numër rekord nënkryetarësh dhe sekretarësh, vihet re edhe një përpjekje që në ekipin drejtues të ketë të rinj dhe përfaqësues të diasporës.

Partia Demokratike është në një përpjekje të vazhdueshme për të fshehur krizën e thellë sistemike brenda saj dhe një nga mënyrat është përpjekja për t’u sjellë si një parti që reformohet, që dëgjon shqetësimet apo nevojat e shoqërisë dhe që demokratizohet. Në të vërtetë këto përpjekje vetëm sa e bëjnë më të dukshme këtë krizë të thellë. Kur diçka është sistemike, kur diçka ka prekur thelbin dhe tërë mënyrën se si funksionon një organizëm, atëherë çdo përpjekje për t’u sjellë sikur kjo krizë nuk ekziston, çdo përpjekje për ta zhvendosur dhe zvogëluar thelbin e krizës e bën atë të duket edhe më në krizë.

Një parti politike, sidomos kur është në opozitë, përpiqet të identifikojë problemin dhe më pas të identifikojë zgjidhjen. Një parti politike, sidomos në opozitë, përpiqet të tregojë çfarë idesh politike ka, pse ka këto ide politike, pse këto ide politike janë më të mira se sa idetë e tjera për vendin dhe, më kryesorja, përpiqet të tregojë që këto ide politike nuk i ka marrë sa për të kaluar radhën nga ndonjë libër, por i ka pjesë të identitetit të saj politik dhe i ka të brendësuara në dejet e saj dhe të lidershipit të saj politik.

Kaq është e gjitha. Kur bëhet kjo nuk ka forcë, nuk ka qeveri (aq më tepër një qeveri të shpartalluar dhe plotësisht të korruptuar si kjo e jona) që të rrijë në pushtet dhe të pengojë opozitën të fitojë zgjedhjet.

Në përmbledhjen me ese dhe artikuj “Përgjegjësi dhe Gjykim”, në të cilën flitet gjerësisht për mënyrën se si bëhet politika, për llojin e lidershipit politik dhe për llojin e qeverisjes, Hannah Arendt thotë se një parti apo një qeverisje bie në krizë të thellë kur ajo humbet aftësinë për gjykim moral. Një parti ose një qeverisje humbet aftësinë për gjykim moral kur askush nuk guxon të kritikojë liderin, askush nuk guxon të shohë përgjegjësi tek lideri apo, më keq, kur askush nuk mund të mendojë se lideri gabon.

Partia Demokratike e Shqipërisë këtu e ka krizën. Ajo ka humbur kapacitetin për gjykim moral, ajo nuk mund të sillet më moralisht, ajo nuk ka fuqinë të shohë se lideri dhe lidershipi i saj mund të jenë gabim, mund të kritikohen, mund të shihen si problemi. Në Partinë Demokratike të Shqipërisë mund të jetë kushdo problemi, mund të jetë gjithçka problem, por lideri kurrë. Zgjedhjet janë humbur se i vjedh qeveria, populli nuk del në protestë se është apatik apo është i blerë apo është i frikësuar, organizimi çalon se fajin e ka Flamur Noka, komunikimi publik çalon se problem është Luçiano Boçi, degët janë të dobëta sepse kanë kryetarë servilë të Flamur Nokës apo i ka emëruar Flamur Noka sipas tekave të veta, kandidatët për deputetë nuk janë në nivelin e duhur fitues sepse i kanë caktuar Flamur Noka dhe Belind Këlliçi, marrëdhëniet ndërkombëtare janë keq sepse burokracia e partisë e emëruar nga Flamuri nuk punon etj.

Kjo është një teknikë shumë e njohur në historinë politike të botës, por edhe tonën. Në regjimin stalinist në Bashkimin Sovjetik, dështimet ekonomike, uria ose problemet e kolektivizimit u shpjeguan si rezultat i “sabotatorëve”, “kulakëve” ose zyrtarëve lokalë që kishin devijuar nga vija e Partisë. Vetë Stalini paraqitej si ai që zbulonte dhe ndëshkonte fajtorët. Në Kinën e Mao Ce Dunit, pas katastrofës së Hapit të Madh Përpara, ku vdiqën miliona njerëz nga uria, përgjegjësia iu faturua shpesh kuadrove lokalë që gjoja kishin falsifikuar statistikat ose kishin zbatuar gabim direktivat. Ideja bazë nuk vihej në diskutim. Nuk po përmend Enver Hoxhën apo raste të pafundme kudo në botë.

Partia ka vetëm një problem, vetëm një. Ky problem është mungesa totale e kapacitetit të saj për të bërë gjykime morale, sepse ajo ka humbur plotësisht kapacitetin për të kërkuar përgjegjësi tek lideri i saj, por në mënyrë të pamoralshme përpiqet t’i gjejë shkaqet tek përgjegjësitë e njerëzve poshtë. Sigurisht që Partia Demokratike natë e ditë bën deklarata morale, denoncon korrupsionin, flet për ndershmërinë në politikë, flet për braktisjen që i ka bërë qeveria njerëzve, hallexhinjve, flet për vuajtjet në spitale apo zyrat e shtetit, por asnjë nga këto nuk është gjykim moral; përkundrazi, është gjykim jomoral. Këto janë denoncime për qëllime të jetës së brendshme të partisë, në mënyrë që partia të sillet dhe të portretizohet si opozitë, por ajo kurrë nuk e fiton dot besimin e njerëzve. Kur Hannah Arendt flet për gjykim moral, ajo kërkon të thotë që një parti apo një qeverisje ka autoritet moral ta bëjë një gjykim të tillë.

Kësisoj, edhe shtimi i numrit të nënkryetarëve, shtimi i numrit të sekretarëve duke e bërë më të madh edhe se sa Partia Komuniste Kineze (e cila ka 100 milionë anëtarë dhe 5.3 milionë organizata. Partia Komuniste Kineze ka një sekretar të përgjithshëm dhe gjashtë sekretarë të tjerë), edhe futja e të rinjve, edhe përfshirja e diasporës janë truke të kota, pa asnjë vlerë.

A ka jetë pas referendumit?

25 May 2026 at 09:01

Nga Fitim Zekthi

Vdekja është prej gjërave me fuqi të pazakontë që ndikon në mënyrë po kaq të pazakontë në të gjithë jetën dhe sjelljen e njeriut. Që prej kohësh që nuk kujtohen, filozofë, teologë, mjekë, politikanë etj., kanë shkruar apo kanë bërë vepra të rëndësishme për vdekjen. Për vdekjen flitet thellësisht te Homeri, te Shekspiri, te Dante, për vdekjen flet thellësisht edhe Sigmund Freud, Karl Jung, Kurt Abraham. Për vdekjen kanë bërë vepra madhore Beethoven apo Wagner, Picasso apo Dostojevsky.

Pavarësisht se, siç thoshte Ciceroni, “askush nuk mendon se është aq i vjetër sa të mos mendojë se do të jetojë edhe një vit”, vdekja do të vijë për gjithkënd. Ka një tipar, ka një veçori, ndodh diçka gjithnjë kur vdekja afrohet. Filozofi amerikan Carl Trueman thotë se më mirë se kushdo këtë gjë e ka përshkruar Leon Tolstoi në romanin “Vdekja e Ivan Iliçit”.

Teksa sëmundja e Ivan Iliçit ecën, bëhet më e thekshme, rëndohet, ai bëhet vazhdimisht e më i izoluar. Ditë pas dite, javë pas jave, ai nis e braktiset nga njerëzit njëri pas tjetrit. I vetmi që rri me të është Gerasimi, shërbëtori që i plotëson nevojat bazë biologjike. Trueman thotë se kjo ndodh gjithmonë dhe, ndonëse personi i sëmurë është gjallë, ai është gjithnjë e më shumë i izoluar dhe ndarja ka nisur. Kjo përkon edhe me atë që thoshte Wittgenstein mbi vdekjen, se ajo nuk është një ngjarje në jetë, por një ngjarje në kufi, është një kufi që ndan të gjallën nga e vdekura.

Të gjitha llojet e vdekjeve janë njëlloj. Edhe vdekjet e sportistit (jo si person, por si sportist), edhe vdekjet e muzikantëve apo këngëtarëve, edhe vdekjet e shoqërisë, edhe vdekjet e kombit, edhe vdekjet e komunitetit, vdekjet e partive etj. Edhe vdekja politike e një sistemi, e një individi apo një partie, është një kufi që nis të ndajë të gjallën nga e pajeta në kuptimin politik, që nis të izolojë personin ose partinë që është prekur nga sëmundja ose sëmundjet që do t’i marrin jetën politike. Ky proces vijon dhe bëhet më i dukshëm, më i fortë dhe izolimi i ngadaltë, i përditshëm nis dhe shoqërohet me braktisjen derisa më në fund mbesin vetëm njerëzit më të afërt, shërbyesit të cilët i plotësojnë nevojat më bazë politike.

Kjo gjë ka nisur të ndodhë në Shqipëri me Partinë Demokratike në mënyrë lemerisht të dukshme prej disa vitesh. PD dhe Berisha në kryesim të saj ka nisur të izolohet gradualisht prej kohësh, por askush nuk donte ta vinte re në kampin e tij sepse ai vetë luftoi që kjo të mos vihej re. PD dhe kryetari, kohë pas kohe, javë pas jave, vit pas viti, ka nisur të braktiset në një proces të ngadalshëm. Ai premtoi rigjallërim të jetës së tij politike, rigjallërim të jetës së opozitës, protesta të fuqishme kundër Ramës, rrëzim të Ramës, fitore në gjyqin e Parisit, heqje të non gratës, marrëdhënie të fuqishme ndërkombëtare, përkrahje ndërkombëtare për të, bashkim të opozitës, rritje të vazhdueshme të përkrahjes së tij nga populli, revolucion dhe pjesëmarrje madhështore etj.

Në të vërtetë, me gjithë përpjekjen titanike, ai nuk mundi të bëjë dot asgjë nga këto. Dhe nuk do të mund t’i bënte kurrë këto. Ishte e qartë që në fillim. Gjërat kanë një kohë të tyren, kanë një logjikë të tyren kundër të cilës nuk del askush. PD i humbi të gjitha këto, Berisha i humbi të gjitha këto. Pas të gjitha këtyre, PD zhvilloi zgjedhje për kryetarin. Nuk pati kandidatë, nuk u lejuan, u gjetën shpjegime dhe justifikime komplet jopolitike, madje antipolitike, si vetëpërjashtimi apo si mospasja e fuqisë elektorale për t’u përballur me Berishën. Zgjedhjet në kushte të tilla, pas vitesh izolim, dobësim, mosreagim, mosreflektim, sëmundje politike dhe humbjesh, janë katastrofë.

Braktisja, ndarja, izolimi sundojnë tashmë jetën politike të Foltores dhe Berishës. Tashmë me të është vetëm Gerasimi, dmth ata që kanë rolin e tij politik. Nuk ka më asgjë, asgjë nuk kthehet pas. Të gjithë e dinë se jeta politike e lëvizjes së Foltoresdhe e Berishës është në fund. Edhe jeta e njeriut si e tillë nuk mund ta mundë dot vdekjen kur ajo vjen. Ka vetëm një mënyrë se si njeriu e mund vdekjen. Duke mos u kapur me gjithçka pas botës së këtushme, duke mos e parë botën e këtushme si gjithçka, duke u përgatitur për t’i humbur gjërat në mënyrë të ngadaltë, duke u përgatitur të largohesh nga pasuria, nga pushteti, nga politika dhe nga jeta ngadalë. Duke mos e parë politikën si diçka pas të cilës nuk duhet të ndahemi kurrë, duke mos e parë politikën si diçka që është fillimi dhe fundi, duke mos e parë politikën si e vërteta e vetme për të cilën ia vlen të jetosh. Vdekja mundet duke iu nënshtruar Zotit, duke kërkuar faljen dhe mëshirën e Tij dhe duke e parë botën e këtueshme si diçka kalimtare dhe sprovë për të fituar shpëtimin.

Rruga në të cilën po ecën PD të çon në arkën e drurit

11 May 2026 at 11:15

Nga Fitim Zekthi

Partia Demokratike ka hyrë prej kohësh në një trajektore mjaft të rrezikshme për të dhe për opozitarizmin në vend. Problemi më i rëndë i saj nuk është gjendja e rëndë, por pamundësia për të parë dhe për të njohur gjendjen e rëndë. Ajo është partia më e madhe dhe e vetmja që ka potencialin të shërbejë si forca që mund të rrëzojë ose si forca rreth të cilës mund të mblidhen të gjithë faktorët opozitarë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama.

Një parti në opozitë, parimisht, që ditën e parë që bie në opozitë përpiqet të bëjë disa gjëra bazë, të cilat kur të vijë dita e zgjedhjeve pas katër viteve të fitojë zgjedhjet.
Gjëja e parë, gjetja e narrativës së duhur, përcaktimi i diskursit të duhur, fokusimi tek problemi i duhur që ka vendi.
Gjëja e dytë është ndërtimi i një atmosfere demokratike brenda partisë, ndërtimi i një ambienti ku gjithkush ndihet mirë dhe i respektuar, ndërtimi i një hapësire të brendshme debati dhe diskutimi ku gjithçka thuhet lirisht dhe pa drojë.

Gjëja e tretë është marrja një e nga një e grupeve të votuesve të cilët parimisht votojnë partinë e opozitës dhe artikulimi i çështjeve që i bëjnë këto grupime të votojnë opozitën kur të vijë dita e zgjedhjeve.
Ka edhe shumë të tjera, por këto thoshte David Lidington, një ish-drejtues i Partisë Konservatore që fitoi zgjedhjet me David Cameron në Britani në vitin 2010. Ai sillte përvojën e partisë së tij, e cila vuajti 13 vite në opozitë, dhe thoshte se Partia Konservatore këto gjëra i bëri keq.

Partia Demokratike në Shqipëri dhe lideri i saj Sali Berisha nuk po i bëjnë keq këto gjëra. Ata nuk i kanë fare në llogari, nuk i kanë fare në rend të ditës. Ata po bëjnë prej kohësh të kundërtën, po i përkeqësojnë edhe më shumë gjërat vazhdimisht.

Partia Demokratike dhe kryetari i saj bëjnë gjithnjë të njëjtën gjë dhe e bëjnë keq. Gjuha politike e PD-së është konfliktuale, radikale, pa substancë mbi idetë dhe vlerat e djathta, është një gjuhë që nuk shenjon problemet dhe nuk identifikon zgjidhjet për vendin. Është një gjuhë që e zhvendos problemin, e zhvendos përgjegjësinë, është një gjuhë shfajësuese në lidhje me përgjegjësitë e PD-së dhe është një gjuhë totalisht denoncuese.

Duke qenë e tillë, kjo gjuhë nuk mund t’i drejtohet kurrë gjerësisht shoqërisë. Kjo gjuhë do t’i drejtohet gjithnjë e më shumë një pjese të shoqërisë që zvogëlohet. PD nuk ka identifikuar një çështje ose dy-tre çështje që të jenë zemra e problemeve të vendit dhe të identifikojë zgjidhjet për to. Këto duhet të jenë edhe çështjet që shqetësojnë më shumë shoqërinë. PD flet për korrupsionin dhe krimin, për drogën dhe mafien dhe denoncon pandalur njerëz të shumicës qeverisëse. Korrupsioni dhe krimi janë vërtet tmerrësisht të përhapur, por nuk mund të jetë kjo çështja kryesore e artikulimit politik të opozitës. Në qoftë se do të ishte kjo, kjo duhet të shoqërohej natë e ditë me mënyrën se si PD do ta zgjidhte dhe do të bindte njerëzit jo vetëm që kjo është çështja, por që zgjidhja që jep PD është zgjidhja më e mirë dhe e realizueshme nga PD. Kjo nuk ka ndodhur. PD nuk ka thënë asgjë serioze që të bindë shoqërinë se si do ta zgjidhë këtë.

Në lidhje me atmosferën e brendshme, PD nuk ka krijuar një ambient demokratik ku mbahen zgjedhje të lira, ku garohet lirisht, ku debatohet lirisht, ku flitet lirisht, ku nuk ka armiq dhe tradhtarë. Përkundrazi, PD ka ndërtuar një ambient të brendshëm helmues dhe acidik njëkohësisht. Ambienti nuk lejon të gjallojë asgjë ndryshe nga gjuha dhe narrativa e kryetarit. Në lidhje me grupet shoqërore që janë ose mund të jenë votues të natyrshëm të PD-së nuk kemi asgjë. PD nuk ka një gjuhë ose një regjistër të besueshëm as për bizneset, as për punëtorët, as për të persekutuarit, as për pronarët, as për fermerët dhe as për studentët. Ka vetëm fjalë ose fjali të shkëputura sipas kontekstit. Me mënyrën se si po shkon drejt zgjedhjes së kryetarit dhe me mënyrën se si po i përkeqëson gjërat, ajo i shëmbëllen dialogut të famshëm të Mikhail Bulgakov tek libri The Master and Margarita.

Në këtë vepër të mrekullueshme të Mikhail Bulgakov ka një dialog të jashtëzakonshëm mes Mikhail Alexandrovich Berlioz-it dhe Ivan Bezdomny-it, njëri shkrimtar dhe tjetri botues. Njëri thotë: “Imagjino të bëhesh kryetar, të jesh kryetar, të drejtosh, të komandosh, të kesh pushtet. Më pas mëson se të ka prekur kanceri i mushkërive. Nis e të kap tmerri. Bobo po humb gjithçka. Familjarët fillojnë të gënjejnë. Shkon te mjekët më të njohur.
Më pas shkon tek mjekët popullorë. Më pas shkon edhe te fallxhorët. Përpiqesh të gjesh derman në mënyrat më të çuditshme dhe më irracionale. Nuk të intereson më askush dhe nuk do t’ia dish as për njerëzit e familjes tënde. Vazhdon kjo lloj lëngate dhe më pas e gjen veten në një kuti prej druri. Kjo është rruga e pashmangshme.”

Kjo po ndodh në PD. Ajo ka mësuar se është me kancer në mushkëri. Është lebetitur dhe kërkon zgjidhje. Ajo duket se po ndjek në mënyrë komplet irracionale (duke dashur të mbrojë pushtetin e brendshëm që ka) këshilla dhe “kura” komplet qesharake, deri edhe me fallxhorë. Ajo dhe kryetari i saj janë mbushur dhe mbuluar me gënjeshtrat që i japin njerëzit e ekipit, që i bëjnë qejfin kot. Si në dialogun e Bulgakovit, PD dhe kryetari nuk e çajnë fare për njerëzit e ekipit, për anëtarët e PD-së dhe për Shqipërinë, por kujdesen vetëm për veten. Me këtë rrugë kryetari i PD-së dhe PD do të përfundojnë politikisht në arkën e drurit si tek dialogu i Bulgakovit./ Mapo.al

Partia Demokratike duhet të hyjë në politikë

13 April 2026 at 11:45

Nga Fitim Zekthi

Mes shumë të tjerash ka edhe një postulat mjaft të vlefshëm për politikën dhe partitë politike. Në qoftë se opozita politike nuk i fiton zgjedhjet, në qoftë se një parti që drejton opozitën politike nuk mund t’i fitojë zgjedhjet, atëherë ajo dhe drejtuesit e saj në mënyrë të pashmangshme do të dalin nga politikja, por do të mbesin në “politikë”.

Politikja, siç thotë Carl Schmitt, ka të bëjë, veç të tjerash, me gjakimin e vazhdueshëm për të fituar pushtetin, për të fituar qeverisjen. Në qoftë se një parti nuk e synon këtë, atëherë ajo përkufizohet nga jopolitikja. Gjithsesi ajo mbetet në politikë në kuptimin që merr pjesë në jetën politike, debaton, bën zhurmë dhe mbron interesa të caktuara që nuk kanë të bëjnë më me politiken, por kanë të bëjnë me interesat e saj të ditës ose interesa të sajat ekonomike dhe të mbijetesës apo ruajtjes së pozitës që ka.

Partia Demokratike e Shqipërisë është në një gjendje shumë të vështirë. Ajo sillet plotësisht si një parti që nuk synon të fitojë qeverisjen e vendit, nuk bën asgjë për të përfaqësuar ndryshimin dhe për të ofruar një model dhe një projekt politik i cili shihet me simpati nga shoqëria.

Kur vdes politikja, atëherë vdes edhe dikotomia themelore politike që është ajo mik-armik. Sipas Schmitt, një nga konceptet bazë të politikës është ekzistenca e një armiku, konstruktimi i një armiku, ekzistenca e një kundërshtari që duhet mundur. Nëse një parti apo një opozitë nuk është në garën apo luftën për të fituar zgjedhjet apo për të fituar qeverisjen, atëherë ajo opozitë apo ajo parti në mënyrë të pashmangshme nuk e ka më kundërshtar apo “armik” partinë në pushtet dhe qeverinë. Partia në pushtet dhe qeveria bëhen aleatë, partnere apo diçka e ngjashme. Me partinë në pushtet dhe me qeverinë bëhen marrëveshje të ndryshme për të ruajtur “pozitën në treg”, për të ruajtur të paprekur pozicionin e të qenit opozita.

Partia Demokratike në Shqipëri, për fat të keq, duket se është plotësisht në këtë gjendje. Ajo është e interesuar, si edhe qeveria, për një ligj zgjedhor që “i mundëson të ruajë pozitën në treg”, është e interesuar për një ligj për ndarjen administrative që i mundëson asaj ruajtjen e rolit të partisë që udhëheq opozitën, është e interesuar për një parlament me dy dhoma apo me një numër deputetësh që nuk u krijon mundësi partive të tjera të rrezikojnë pozitën e saj si opozita e vetme. Më e rëndësishmja është e interesuar për të ndikuar apo diktuar ndryshimet në reformën në drejtësi në mënyrë që kjo reformë të mos cenojë asfare pushtetin që ajo ka sot. Të njëjtat gjëra i dëshiron edhe më me shumë forcë edhe qeveria.

Partia Demokratike duhet të dalë nga kjo gjendje dhe mund të dalë nga kjo gjendje. Ajo mund t’i fitojë zgjedhjet, ajo mund të ndryshojë, ajo mund të jetë përfaqësuese e ndryshimit. Ideja e prodhuar prej saj se do të kandidojë me kandidatë politikë në zgjedhjet lokale është një ide e duhur. Garimi me njerëz të shoqërisë civile, me aktorë apo muzikantë është i papranueshëm dhe qesharak.

PD-ja, sidomos në kushtet kur PS është e dërrmuar nga korrupsioni dhe hetimet e SPAK, kur PS ka shpartalluar ndarjen e pushteteve dhe sundimin e të drejtës, kur ka përfshirë në qeverisje krimin e organizuar dhe biznesin klientelist, duhet të kthehet në një forcë shumë politike dhe të kandidojë me kandidatë që përfaqësojnë politikisht fort një model dhe projekt.

Ajo duhet të ndërtojë një koalicion me të gjithë opozitarët dhe t’u ofrojë atyre projektin politik të sajin, i cili duhet të ketë parasysh se synimi është që shoqëria ta shohë atë si të sajin. Duhet një ndryshim në gjuhë, në narrativë, në ekip, duhet një opozitë që thotë të vërtetën dhe sillet si e vërtetë. Duhet një opozitë që e sheh qeverinë si kundërshtar dhe sillet si kundërshtare e vërtetë, jo gjasme. Kjo është e vështirë për gjendjen ku është opozita, por jo e pamundur.

Namir Lapardhaja dhe kriza morale e një partie: kur zemërimi politik mbulon respektin për jetën dhe vdekjen

22 March 2026 at 17:08

Nga Fitim Zekthi

Vdekja është hak dhe do të vijë për të gjithë. E ka krijuar Zoti i madh me madhështinë e vet dhe lum ai që ikën nga kjo botë duke bërë gjëra të mira dhe duke fituar kënaqësinë e Zotit. Askush nuk ka nevojë që ta ngushëllojnë partitë apo politikanët. Ngushëllimi i partive dhe i politikanëve është diçka formale që bëhet nga vetë partitë dhe politikanët për të treguar se çfarë vlerash mbrojnë, çfarë janë ato në thelb. PD ka humbur prej kohësh drejtimin, ka vite, nuk dihet sa kohë ka. PD nuk di të vlerësojë as jetën dhe as vdekjen më. PD është kthyer në një parti që jeton vetëm në rrafshin dy dimensional.

Ikja nga bota e përkohshme e Namir Lapardhasë, e një njeriu të rrallë, e një embleme të butësisë dhe virtytit, e një embleme të qartësisë intelektuale dhe politike, e një njeriu që ka qenë familjarisht në PD që nga themelimi, e një njeriu që ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar dhe sekretar i degës së PD në Berat, e një figure shembullore publike e PD-së, duhet ta prekte sadopak lidershipin e PD-së, duhet ta bënte të shprehte një vlerësim dhe respekt për të. Mendimet e tij ndryshe nga lidershipi i PD-së bënë që PD dhe lidershipi të udhëhiqen nga zemërimi dhe gati urrejtja. PD dhe lidershipi i saj reagojnë dhe flasin për gjithçka, ngushëllojnë edhe amerikanët për humbjet e jetëve në një shkollë në Kolorado (dhe mirë bëjnë) dhe mbyten nga mllefi duke heshtur për Namirin. Sigurisht që as Namiri dhe askush në faqen e dheut nuk ka nevojë për çfarë thonë partitë, sidomos kur shkojnë në jetën e amshuar. Partitë kanë nevojë.

Nëse PD ndonjë ditë do të dojë të fitojë dhe të mundë PS, duhet të kuptojë që për të djathtën, për konservatorët, të shenjtat nuk janë partia dhe pushteti politik. E shenjta lidhet me mësimet e Zotit, me vlerat morale dhe ligjësitë që burojnë prej saj. Për të djathtën politika është diçka që duhet zhvilluar brenda këtyre kufizimeve dhe duhet të ndjekë domosdoshmërisht rregulla dhe moral që vijnë nga këto mësime. Për të djathtën e vërteta e vetme nuk është politika apo partia, madje politika dhe partia janë shumë të gabueshme. Për të djathtën udhëheqja nga zemërimi, sharja, fyerja, akuzat, linçimet, janë mëkate të dënueshme. Për të djathtët i vdekuri, komshiu, miku, babai, nëna, familja, nderi, respekti janë gjëra që kanë shenjtëri shumë më të lartë se sa politika dhe partia.

Këto nuk janë mësime morale kot që nuk kanë lidhje me politikën. Kjo është politika. Në qendër të veprimit të së djathtës konservatore gjendet civiliteti, nga aty buron gjithçka. Për të djathtën civiliteti, mirësjellja, maturia sjellin tre pasoja themelore në politikën e mirë, në atë që bëhet për njerëzit dhe shoqërinë. Civiliteti bën të mundur kohezionin civil, kohezionin shoqëror dhe ky kohezion i mbledh, i bën bashkë njerëzit rreth vlerave morale të cilat mundësojnë paqen sociale dhe vlerat morale me të cilat jetohet dhe rriten fëmijët. Kur civiliteti zhduket, atëherë jeta kthehet në një fushë beteje, konflikti merr dhenë, familjet dhe komuniteti nisin të përjetojnë thyerje të mëdha dhe çarje të rënda.

Së dyti, civiliteti, sjellja e matur, gjuha e kujdesshme, komunikimi me etikë dhe fisnikëri është shprehje e respektit për qeniet e tjera njerëzore. Kur ne sillemi në këtë mënyrë, ne tregojmë se jemi krijesa të Zotit i cili kërkon respekt për dinjitetin e çdo krijese të Tij. Respekti për çdo krijesë të Tij dhe për dinjitetin e tyre është detyrë. Mosrespekti është mosrespekt ndaj Zotit dhe njëherazi tregon se ne nuk pranojmë as të respektohemi vetë.

Dhe së treti, civiliteti, sjellja e mirë dhe gjuha e matur na ndihmojnë të zbulojmë të vërteta që mund të jenë tek dikush tjetër, që mund të jenë tek ana tjetër apo tek ata që kanë një mendim ndryshe nga ne. Kurrë e vërteta nuk mund të jetë diçka që e zotëron një njeri i vetëm.

Qeveria ndryshoi e gjitha për të ruajtur gjithçka ajo ishte

2 March 2026 at 09:58

Nga Fitim Zekthi

Kryeministri Rama ndryshoi në mënyrë gati të plotë të gjithë qeverinë. E goditur nga akuzat për korrupsion ndaj ministres Balluku, e dobësuar nga kërkesa e prokurorisë për të i hequr imunitetin dhe arrestuar ministren Balluku, e ndikuar nga ekspozimi i një korrupsioni të thellë sistemik që niste nga AKSH-i dhe dyshimet për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar, dhe nuk dihet se ku mbaron qeverisja e kryeministrit Rama, po luftonte dhe populli lufton për mbijetesë.

Ndryshimet në qeveri ishin të pritshme, por të kryera disa orë pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku u tha asgjë për to, dukej se synonin qartazi të krijonin një efekt spektakolar. Edhe herë të tjera më parë në këto vite kryeministri e ka përdorur këtë stil ndryshimesh, duke mos lajmëruar askënd nga ministrat apo drejtuesit e lartë të PS-së, por duke njoftuar befasisht ndryshimet.

Në thelb ndryshimet janë bërë plotësisht për të ruajtur. Në thelb Rama nuk ka ndryshuar asgjë. Ndryshimet dhe spektakolariteti i tyre synojnë të organizojnë më mirë pushtetin e tij, të forcojnë më mirë pushtetin e tij.

Pa hyrë te emrat e larguar dhe afruar, duhet bërë e qartë se kur flitet spektakli nuk do të thotë se është “i rremë” apo thjesht i sajuar. Spektakli, siç e thotë gjerësisht Jean Baudrillard, i referohet një mënyre të veçantë organizimi të politikës përmes dramës simbolike, përmes përplasjes së skenëzuar, përmes narrativave të ngarkuara emocionalisht apo edhe konflikteve të personalizuara (që në këtë rast janë po nuk duken), në mënyrë që analiza strukturore e politikës të zhvendoset në plan të dytë. Në një politikë të spektaklit, dukshmëria bëhet më e rëndësishme se përmbajtja; ajo e tejkalon politikën publike.

Spektakli nuk mohon ekzistencën e konflikteve reale; nuk mund t’i mohojë, por ama ai i riformëson ato. Krizat e thella strukturore të qeverisjes, korrupsionin e lartë te dyshuar te ministres Balluku, akuzat për përfshirjen e krimit të organizuar, marrëdhëniet e këqija me BE-në dhe Gjermaninë, luften e brendshme, luften ndaj drejtësisë, lodhjen e madhe e njerëzve, spektakli përpiqet të mos i trajtojë ose të mos i lejojë të trajtohen në nivelin e shkaqeve të tyre materiale dhe institucionale. Në vend të kësaj, ato dramatizohen, shndërrohen në rrëfime të moralizuara apo në ngjarje mediatike ose në fatet personale të ministrave.

Arkitektura e thellë e pushtetit, mënyra e shpërndarjes së të mirave apo privilegjeve, regjimet e shpërndarjes, vetë struktura e pushtetit dhe raporti me opozitën, mbeten kryesisht të paprekura.

Spektakli, pra, funksionon si një mekanizëm zhvendosjeje. Qytetarët bëhen spektatorë të një drame të vazhdueshme, duke interpretuar simbole, personalitete dhe narrativa, në vend që të jenë pjesëmarrës në një debat të qëndrueshëm mbi strukturat. Në njëfarë mënyre, këtë gjë e ka bërë dhe bën kryeministri Rama me ndryshimet në qeveri. Këtë herë kjo ishte në një shkallë shumë më të lartë, sepse u shkarkua një ministër shumë i fuqishëm si Balluku, por u emërua në vend të saj një njeri që ka punuar ngushtë me të si vartës i saj; sepse u shkarkua ministri i Mbrojtjes Vengu, i cili njihej si njeri i ministres Balluku, dhe u emërua një ndihmës i saj si Ermal Nufi; sepse u shkarkua një ministre si Spiropali, që konsiderohej një forcë reale në PS, dhe u emërua një prej ambasadorëve më të njohur të Shqipërisë në 30 vite.

Balluku ka ikur për të qendruar edhe më fort; qeveria ka ndryshuar plotësisht për të ruajtur edhe më shumë gjendjen e mëparshme, ndërkohë që kryeministri ia ka arritur të çlirojë tensionin publik, të lehtësojë peshën e qeverisë nga akuzat e prokurorisë dhe ka arritur të ndryshojë edhe temat e debatit publik në vend.

Ministra të rinj të emëruar si Nufi, Hoxha, Karakaci, por edhe Lamallari apo Ismaili (të cilët janë më të lidhur formalisht me strukturat e PS-së) nuk kanë asnjë të kaluar politike; askush nuk di asgjë për ta sa i takon ideve apo qëndrimeve politike. Në njëfarë mënyre Rama vazhdon ta depolitizojë qeverinë dhe kështu ne kemi ndoshta qeverinë më të depolitizuar formalisht që nga viti 1990. Gjithë ky depolitizim është në fakt funksion i një politizimi shumë më të lartë.

Ata do të shërbejnë për të ruajtur atë që ishte deri dje, për të ruajtur të gjithë strukturën e pushtetit, strukturën e ndarjes dhe kontrollit të pushtetit deri dje. Nuk ka asgjë më të plotë sesa atë që ruan strukturën e pushtetit, sepse atë ruan strukturën dhe mënyrën e ndarjes së pushteteve dhe privilegjeve (edhe korrupsionit ndoshta). Edhe kjo është në vetvete diçka e lidhur me spektaklin.

Ndryshimet në qeveri tregojnë se kryeministri Rama nuk mund të bëjë dot më asgjë. E gjitha është diçka shumë mediokre dhe padyshim joefektive. Rama zgjodhi të ruajë dhe mbrojë të pambrojtshmen, zgjodhi të veprojë për të kaluar thjesht një moment, jo për të zgjidhur një problem, jo për të ndërtuar diçka që kërkon të zgjidhet. Rama do të vazhdojë kësisoj kursin e përplasjes së fortë me prokurorinë SPAK dhe gjykatën kundër krimit dhe korrupsionit, zgjodhi të hyjë në përplasje me BE-në dhe Gjermaninë, zgjodhi të shtojë vuajtjet politike të veta por edhe vuajtjet politike dhe më tepër se politike për vendin. Të ndryshuarit për të ruajtur në këtë rast është vetëm shfaqës i pamundur.

Mbi islamofobinë si sëmundje

1 March 2026 at 13:47

Nga Fitim Zekthi

Islamofobia është një sëmundje e keqe, e poshtër, e shëmtuar. Ajo është një formë racizmi. Si çdo racizëm, ajo ka për burim frikën nga humbja e statusit, frikën për humbjen e rolit zakonisht dominues në shoqëri dhe komunitet etj.. Racizmi bën një kategorizim të menjëhershëm jologjik të njerëzve. Truri përdor stereotipa për të mos harxhuar shumë energji gjatë procesit të njohjes. Pra, në një farë mënyre, ai bën një lidhje të shkurtër (e cila, siç ndodh në fizikën e elektricitetit, bën masë dhe djeg qarkun) për shkak të pafuqisë dhe dembelizmit. Theodor Adorno thoshte se individët që kanë ankth të lartë, duan dominim, duan rend që i bën ata të sundojnë dhe janë shumë të prirur ndaj paragjykimeve. Kur këta “ndihen” të kërcënuar, këta kërkojnë gjithnjë fajtorë jashtë tyre. Kaq ishte e gjitha.

Shqipëria dhe Kosova (nuk po hyjmë në analizë për botën, se ajo nuk do të mbaronte kurrë) kanë një shkallë të lartë dhe shumë të shfrenuar racizmi në çdo drejtim.

Në Kosovë (në Shqipëri kjo shfaqet më e zbehtë në hapësirat publike padyshim, por ekziston), islamofobia ka kohë që është shtrirë gjerësisht dhe ka zënë vend në hapësirat publike. Gazetarë, profesorë, akademikë etj., dalin herë pas herë dhe flasin për Kosovën si një shtet laik, i cili nuk duhet të merret me fenë, flasin për fenë si diçka që duhet të jetë çështje private, flasin për islamin si një fe që ka ardhur nga pushtuesit, flasin për krishterimin si një fe më të lartë dhe më perëndimore, flasin kundër thirrjes së ezanit apo kundër mbajtjes së shamisë nga vajzat në shkolla, flasin për islamin si një fe nga e cila mund të lindë, sipas tyre, terrorizmi etj..

Është pak a shumë një sjellje pavloviane që shfaqet shpesh sapo del diçka që ka të bëjë me islamin. Në një rast disa vite më parë, kur po përcillej për në botën tjetër babai i futbollistit të kombëtares, Mërgim Mavraj, apo panë arkivolin e mbuluar me sexhaden me të cilën ai falet në të gjallë, vrapuan të thonë se po varroset me flamurin e ISIS-it. E njëjta gjë ndodh çdo vit kur është muaji i Ramazanit. Flasin të shqetësuar se njerëzit masivisht agjërojnë dhe mbyllin dyqanet gjatë ditës, apo se krijohet një atmosferë në një farë mase fetare. Ky vit nisi për arsye të orarit të shkollave, i cili u ndryshua në mënyrë që njerëzit në orën e iftarit të jenë në shtëpi. Një pjesë njerëzish të medias, të jetës publike apo edhe profesorë flasin për çështimin e laicizmit, flasin për Kosovën si vend perëndimor në të cilin feja është dhe duhet të jetë çështje private.

Është e habitshme se si nuk arritën të kuptojnë dot se çfarë do të thotë një shoqëri e lirë, një shoqëri plurale dhe demokratike. Është e habitshme se si edhe kaq vite pas çlirimit nga Serbia, ku vendi është bërë një shtet i lirë dhe demokratik, ekzistojnë këto mendësi të shëmtuara totalitare, përjashtuese, raciste.

Është e habitshme se si ka gazetarë dhe profesorë universiteti që nuk arrijnë të kuptojnë, që janë kaq mediokër, që në shumë raste janë edhe kaq injorantë sa nuk e kuptojnë se fete nuk ndahen dhe nuk duhet të ndahen nga shoqëria dhe shteti në të mira dhe të këqija, në perëndimore dhe lindore, në paqësore dhe terroriste. Fetë janë fe, janë pjesë e thellë dhe e pandashme e mënyrës se si ndërtohet identiteti i shumë njerëzve dhe i shoqërisë. Duke qenë kështu, shoqëritë zgjedhin të mos shajnë asnjë fe si e keqe në vetvete (kur individë të një besimi bëjnë budallallëqe është çështje tjetër. Ata duhen përbuzur, por jo feja).

Si nuk kuptuan dot asnjëherë se nuk ka kultura inferiore dhe kultura superiore. Çfarë gazetaresh apo çfarë profesorësh (ka pasur me titullin akademik që kanë thënë marrëzira të tilla) janë këta që nuk kanë lexuar, më sa duket, asgjë nga Edward Tylor Burnet apo Frantz Boas, Lewis Henry Morgan, James Frazer etj.. Kjo është bërë e qartë me kohë dhe bota e qytetëruar, profesorët dhe gazetarët apo universitetet e kësaj bote i kanë zhdukur me kohë tezat mbi kultura inferiore dhe kultura superiore, mbi fe të mira dhe fe të këqija, mbi fe perëndimore apo fe lindore, mbi fe “autoktone” apo fe të pushtuesit, mbi fe të kulturuar dhe fe të antikulturës. Këto janë anakronizma, këto janë qesharake. Këto i trumbetojnë sot vetëm ekstremistët dhe injorantët në botë. Këto i trumbetojnë fashistët dhe racistët që nuk kanë asnjë lidhje me seriozitetin dhe akademinë, si Magdi Alam apo si Pamela Geller, si Robert Spencer apo Laura Loomer etj.. Si nuk e kuptojnë këta gazetarë dhe profesorë që laiciteti ka kuptim në një vend ku lejohen fetë. Si nuk e kuptojnë këta që laiciteti është gjenet në një interval që nuk ka kufij ekzaktë. Nëse synon të ndryshosh një shoqëri dhe ta besh pa fe, nëse do të shtysh drejt një shoqërie që e sulmon dhe e lufton fenë, atëherë do të ndjekësh modelin jakobin, i cili i mbylli kishat dhe vrau mijëra priftërinj atëherë zgjidh laicitetin sipas revolucionit jakobin. Nuk duket se këta duan këtë variant se do ishte çmenduri. Ky është varianti ekstrem. Vetë Franca me ligjin për laicitetin të vitit 1905 e rrëzoi këtë qasje dhe e zbuti shumë qëndrimin, por mbetet vendi me laicitetin më strikt në botë. Italia, Gjermania, Anglia, Greqia, Spanja dhe dhjetëra vende të tjera kanë variante të tjera të laicitetit, kanë një variant ku kisha, xhamia apo besimi nuk janë çështje private, por janë të pranishme në shoqëri dhe shteti kujdeset që liritë fetare të njerëzve të mos preken madje kujdeset qe ti mbroje dhe garantoje ato. SHBA ka një model edhe më të gjerë. Në SHBA, ku fjala “laicitet” nuk ekziston fare (e cila në fakt nuk gjendet askund në botën anglosaksone), përdoret togfjalëshi “mur ndarës” i Thomas Jefferson-it. Ai në një letër që i dërgoi banorëve në Connecticut (Kontese Dunbury) në zgjedhjet e vitit 1800 u tha se do të ngrinte një mur ndarës mes shtetit dhe kishës në mënyrë që shteti te mos e kalojë kurrë, por kisha të flasë dhe t’i kërkojë shtetit shumëçka kur sheh që ai nuk është aty ku duhet. Pra, kisha, tha ai, do të hipë mbi këtë mur dhe do t’i flasë, madje bërtasë shtetit. Kjo traditë është e fortë edhe sot, aq e fortë sa feja, besimi fetar, gjendet kudo. Po përmendim vetëm një rast për ilustrim. Në çështjen Sherbert v. Verner (1963), ku një grua u refuzua për përfitimet e papunësisë, sepse refuzoi të punonte të shtunën për shkak të besimit të saj fetar, Gjykata Supreme vendosi se liria fetare mbrohet kundër ligjeve që pengojnë praktikën fetare. Pra, liria fetare prevalon. Si ky vendim janë edhe shumë e shumë të tjerë si psh. Burwell v. Hobby Lobby Stores, Inc. (2014), Church of the Lukumi Babalu Aye v. City of Hialeah (1993), Employment Division v. Smith (1990). Kaq sa i takon laicitetit.

Më anë tjetër, s’mund të jesh gazetar, profesor apo çfarëdo që mendon se Kosova apo Shqipëria, atdheu yt i shtrenjtë, e cilëson besimin e shumicës së popullit tënd besim pa kulturë, jo perëndimore, më të ulët se një besim tjetër apo besim që vjen prej pushtuesit. Nuk po përmendim ata që thonë se po nuk je i krishterë, nuk je fare shqiptar, ata pak syresh të mbytur në racizëm se kjo është lemeri fare. Një patriot, një atdhetar nuk do të vepronte kështu. Një patriot nuk do, nuk ka dashuri për malet dhe tokën, për shiun apo retë, për përrenjtë dhe pyjet, për shkurret apo për arat. Një patriot është ai që do njerëzit, popullin e tij, varret dhe kujtimet, sakrificat, shpirtin e njerëzve të vendit të tij. Si mund të flitet kështu me ton dhe gjuhë islamofobe kur je patriot? Nuk ka patriotë të udhëhequr nga racizmi. Racizmi është kundër gjithkujt, edhe kundër vetë atyre që janë raciste. Edhe ata vetë përvëlohen, pëlcasin në ethet e racizmit, vuajnë dhe tëhuajësohen prej tij.

Këto janë gjëra elementare të zgjidhura me kohë nga bota. Është faqja e zezë që ne kemi një kategori kaq mediokre, kaq banale që ka zënë në një farë mënyrë hapësirat publike. Hoxhallarët dhe priftërinjtë tanë më të mirë në histori kanë folur me një gjuhë kur vjen puna tek respekti për fenë dhe liritë e fesë. Ata janë vrarë në krahë të njëri-tjetrit, kanë sakrifikuar në krahë të njëri-tjetrit. Islami dhe krishterimi janë dy fe të shqiptarëve dhe po i shave ato, po kufizove liritë e jetuarit sipas besimit, je thjesht injorant ose antishqiptar, ose të dyja bashkë.

Llogaritë milimetrike të Ramës me Bordin e Paqes

24 February 2026 at 12:07

Nga Fitim Zekthi

Kryeministri Rama mori pjesë në takimin në Washington për Bordin e Paqes, firmosi anëtarësimin e Shqipërisë dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm atje. Gjithçka që ndodhi nga ana e kryeministrit Rama ishte e llogaritur me një kujdes ekstrem që t’i jepte atij rezultatet më të mira të mundshme në kuptimin personal. Në fjalën e tij ai foli dhe kërkoi lirimin e drejtuesve të UÇK-së, të ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve. Duke bërë këtë, ai ngriti në një tryezë shumë të lartë, përballë presidentit Trump, çështjen më të ndjeshme sot të interesit tonë kombëtar. Me këtë veprim ai u paraqit para shqiptarëve si një njeri që mbron në nivelet më të larta interesin kombëtar.

Ai e bëri kërkesën për lirimin e drejtuesve të UÇK-së duke përmendur faktin që prokurori ndërkombëtar në Hagë është dikush që paguhet me taksat e qytetarëve të SHBA dhe dikush që ka ngritur akuza politike për qëllime politike, siç ka bërë edhe ndaj vetë presidentit Trump. Rama e kishte fjalën për prokurorin federal Jack Smith, i cili ka mbi një vit që ka dhënë dorëheqjen nga detyra në SHBA. Ai ka qenë prokuror në Hagë nga viti 2020 deri në vitin 2022 dhe ka hetuar drejtuesit e UÇK-së. Rama e përmendi Jack Smith sepse ai konsiderohet si një armik i përbetuar i presidentit Trump nga vetë presidenti Trump, i cili e ka sulmuar atë shumë herë dhe shumë ashpër. Jack Smith dha dorëheqjen sapo Trump u zgjodh, pa e marrë ende detyrën e presidentit. Trump e ka akuzuar atë si një prokuror që e përndoqi politikisht. Rama kësisoj kërkoi të prekë tek Trump këtë ndjeshmëri. Trump do të kënaqej shumë me këtë gjë. Pra Rama paraqitet para shqiptarëve si një mbrojtës i fortë i interesit kombëtar, por edhe thotë diçka që e do shumë presidenti Trump, duke i thënë se ai është hetuar politikisht në SHBA nga prokurori Smith. Me këtë ai bëri një gabim serioz, sepse e konsideroi administratën Biden, demokratët dhe prokurorin si të shtyrë politikisht në gjyqin ndaj Trump, por Ramës i duhet një fitore e shpejtë.

Kjo ishte një fitore e Ramës në Bordin e Paqes, një fitore me hile, pa u nisur nga ndonjë kriter moral, por gjithsesi fitore.

Fitore më e madhe, padyshim me hile edhe më të madhe, ishte vetë pjesëmarrja në Bordin e Paqes. Bordi i Paqes është një organizëm i ngritur nga presidenti Trump brenda pikëpamjes së tij se organizmat e tanishëm ndërkombëtarë kanë rëndësi të dorës së dytë. Bordi është ngritur brenda qasjes së presidentit Trump se Europa po përjeton një krizë qytetërimore dhe ajo duhet të bëjë atë që bën Trump, pra të ndjekë axhendën e tij. Kjo do të thotë që duhet të rikthehemi tek mendësia e perandorive dhe kolonializmit, tek mendësia se të drejtat e njeriut nuk kanë rëndësi si kategori në rendin ndërkombëtar.

Bordi i Paqes është kundërshtuar në heshtje nga BE. Ato vende nuk marrin pjesë. Në Bordin e Paqes marrin pjesë dy kategori vendesh. Një grup janë vendet e Lindjes së Mesme të cilat kanë ndjeshmëri dhe interesa të larta për krizën në Gaza. Ato duan një zgjidhje, duan rindërtim, duan paqe në Gaza dhe Palestinë. Ato vende kanë edhe interesa të mëdha politike dhe gjeopolitike në rajon. Këto vende janë Egjipti, Jordania, Turqia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara e të tjerë.

Në grupin e dytë hyjnë vende me qeverisje autokratike dhe të korruptuara, liderët e të cilave thjesht duan të jenë pranë presidentit Trump për qëllime të politikës së tyre të brendshme dhe interesave të tyre të brendshme. Këtu hyjnë liderë të Kazakistanit, Kamboxhias, Vietnamit, Hungarisë, Argjentinës etj. Rama dhe Shqipëria kanë hyrë në grupin e dytë, sepse qeveria shqiptare nuk ka ndjeshmëri të tillë për krizën në Gaza dhe as interesa gjeopolitike të tilla që të jenë aty me patjetër. Rama është aty për të qenë pranë presidentit Trump. Këtë e arriti. Ai u vetëofrua dhe u afrua për të qenë madje themelues në Bordin e Paqes; bëri gjithçka që të ishte aty. Ai e paraqiti me nxitim dhe me një ndjenjë të thellë çlirimi lajmin që kishte ftesë për të qenë në Bordin e Paqes dhe më pas lajmin për të qenë në Washington. Kjo është një fitore e tij ndaj zhurmës në Tiranë dhe ndaj perceptimit se ai është në një marrëdhënie shumë të keqe me SHBA dhe se SHBA do të bëjë gjithçka që ai të largohet dhe të dënohet. Kjo është edhe një lloj fitoreje e lehtë ndaj drejtësisë në Shqipëri, së cilës mund t’i thotë: isha në Washington dhe jam aleat e partner i tyre.

Këto fitore kryeministri Rama i mori, dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim, duke u nisur vetëm nga çfarë fiton ai dhe qeverisja e tij dhe duke e futur vendin tonë jo vetëm në grupin e vendeve autokrate, por në një situatë vërtet të ngatërruar të marrëdhënieve ndërkombëtare. Bordi i Paqes është pjesë e një qasjeje që nuk e përfill, përkundrazi kërkon ta nënshtrojë Europën. Ai është pjesë e një qasjeje që nuk e quan asgjë të drejtën, por çmon forcën. E sheh arkitekturën e sigurisë në botë si diçka që mbahet nga balanca e fuqisë dhe se bota duhet të jetë tripolare, ku Rusia dhe Kina, së bashku me SHBA, do të kenë zonat e tyre. Kjo botë i jep Rusisë një peshë më të madhe dhe Europës një rol e peshë më të vogël.

Kjo botë e dobëson sigurinë tonë kombëtare, pavarësisht se sot për sot nuk duket kështu.

Në këtë kuptim, Rama ka bërë një veprim të cilit nuk i dihen pasojat. E sigurt është që kemi hyrë në një zonë të mjegullt, të paqartë, kundër asaj që do BE. Pra Rama fitoi, Rama i zhgënjeu kundërshtarët e vet politikë; këtë e bëri me llogari milimetrike, llogari në të cilat Shqipëria del keq./mapo.al

PD-së i ka ndalur koha, Ramën e rrëzon vetëm një pushtet i jashtëm

10 February 2026 at 11:46

Nga Fitim Zekthi

Politika në Shqipëri është në një ngërç të paimagjinueshëm. Duket sikur ka një konsensus jo vetëm në opinionin publik apo në debatin publik, por gati një konsensus popullor se qeveria e kryeministrit Rama është tërësisht e zhytur në korrupsion. Veç zhytjes në korrupsion, qeveria Rama hapur po lufton edhe kundër hetimit të këtij korrupsioni. Kjo luftë është bërë gati totale në rastin e çështjes së ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Rama ia ka dalë, me anë të kësaj lufte që nga nëntori, që ta bllokojë pezullimin e ministres, siç kishte vendosur Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit, dhe të bllokojë edhe heqjen e imunitetit të saj. Ai po përdor argumente shumë të dobëta politike dhe juridike për këtë bllokim. Gjithë opinionin publik e fajëson Ramën se ai po bën një luftë të ulët në mbrojtje të saj, por edhe të qeverisë së tij.

Nga një pikëpamje politike, kryeministri Rama, por edhe çdo kryeministër në vend të tij, do të bënte llogari dhe do të ndërmerrte veprime që nuk e nxjerrin kaq zbuluar në sytë e opinionit publik, që nuk e bëjnë kaq fajtor për mënyrën e sjelljes para opinionit publik. Sulmet ndaj Prokurorisë SPAK, ndaj Gjykatës GJKKO, dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, mosmbledhja e Komisionit të Mandateve për të shqyrtuar heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, për gjithkënd janë veprime të ulëta që nuk miratohen nga popullata. Asnjë program në media, asnjë zë sadopak serioz në media nuk mendon se Rama është i shqetësuar për çështje kushtetuese apo për çështje të funksionimit të shtetit të së drejtës në këtë luftë. Të gjithë mendojnë se ai po lufton për mbijetesë dhe po lufton në mënyrë të papranueshme.

Nga ana tjetër, veprimet e Prokurorisë SPAK dhe të GJKKO shihen me simpati nga njerëzit. Njerëzit e raskapitur prej vitesh dhe ndoshta dekadash nga pandëshkueshmëria dhe nga korrupsioni i qeveritarëve të lartë kanë vlerësim të madh për SPAK-un dhe veprimet e tij. Kjo nuk diskutohet.

Atëherë, si është e mundur që një politikan shumë i kujdesshëm si Rama sillet në mënyrë të tillë që të dëmtojë popullaritetin e tij dhe të ndihmojë popullaritetin e SPAK-ut të forcohet? Çdo luftë politike nga njerëz dhe politikanë që akuzohen për korrupsion nuk e dëmton aspak SPAK-un, përkundrazi e ndihmon atë. Pra Rama, në betejën për të fituar zemrën dhe mendjen e opinionit publik me luftën kundër SPAK-ut dhe GJKKO-së, humb, ndërsa ato fitojnë. Por Rama, në betejën për opinionin publik, për mendjen dhe zemrën e shoqërisë përballë PD-së në opozitë, nuk humb. Përballja mazhorancë–opozitë bëhet sipas rregullit të zero-sum game: aq sa fiton njëri, aq humbet tjetri.

Pra Rama, me mënyrën se si e trajton çështjen Balluku, me mënyrën se si sulmon drejtësinë dhe mbron qartazi moshetimin e korrupsionit, humbet popullaritet, humbet përkrahje, por këtë humbje ai e ka në përballje me drejtësinë. Në përballje me PD-në ai nuk humbet, sepse në qoftë se do të humbte, atëherë do të fitonte PD-ja. PD duket qartë se nuk po bëhet më popullore dhe më e pëlqyer në sytë e njerëzve. PD vijon të jetë në të njëjtat nivele prej kohësh. Në një farë mënyre, ajo ka kapur një pikë në të cilën koha nuk lëviz më; koha rri në vend, koha nuk ecën. Edhe popullariteti i PD-së rri në vend, pavarësisht tmerreve që kryen qeveria dhe luftës së paprinciptë që ajo bën me drejtësinë.

Kësisoj Rama, duke llogaritur që politikisht ai nuk garon me SPAK-un dhe GJKKO-në, por me PD-në, atëherë ai ka qetësinë dhe mundësinë të luftojë lirisht me to, duke qenë se PD-ja nuk rritet, nuk bëhet dot më popullore. Siç thotë De Jouvenel në librin e tij monumental Natyra e pushtetit, pushteti nuk rri kurrë në vend; ai ose rritet, ose zvogëlohet. Edhe pushteti i Ramës, i Berishës dhe i drejtësisë nuk rri kurrë në vend.

Kështu, pushteti i Ramës përballë drejtësisë mund të jetë duke u rritur, dhe ai po e lufton drejtësinë me gjithçka që ajo të mos rritet. Pushteti i Berishës përballë Ramës nuk rritet dhe ai kësisoj vjen duke u dobësuar, ndërsa pushteti i Ramës përballë Berishës, duke qenë se Berisha nuk rritet, vjen duke u rritur. Pushteti i Berishës përballë drejtësisë gjithashtu vjen duke u dobësuar, sepse drejtësia vjen e bëhet gjithnjë e më e besueshme.

Në këtë raport dinamik të tre palëve, Rama mendon që le të humbë besueshmëri përballë SPAK-ut, sepse kjo nuk e rrezikon për sa kohë PD-ja nuk rrit besueshmërinë. Rama mendon që nëse ai arrin ta bllokojë heqjen e imunitetit dhe pezullimin e Ballukut, ai do të krijojë idenë në shoqëri që SPAK-u nuk ka ç’të bëjë, nuk ka fuqi mbi Ramën. Në këtë pikë Rama mund të rrisë fort edhe pushtetin përballë SPAK-ut. Ky është edhe qëllimi i Ramës me këtë luftë ndaj SPAK-ut. Ai synon të sakrifikojë besueshmëri dhe fuqi në fazën e parë ndaj SPAK-ut, sepse kjo nuk e rrezikon përballë PD-së, dhe në fazën e dytë, nëse ai ia del, atëherë ai bëhet shumë i fortë edhe përballë SPAK-ut.

PD në këtë ekuacion thjesht rri me kohën e ndalur ose dobësohet gradualisht. Kundërshtari i vetëm i madh i Ramës është vetëm një pushtet shtesë ose i jashtëm që mund të ndihmojë SPAK-un në këtë luftë, që janë mbështetja amerikane. Kjo është një ndryshore e frikshme për të ardhmen e tij. Pa të, ai e shtron vetë ekuacionin, i përcakton vetë ndryshoret dhe i jep vetë zgjidhje. Opozita është një parametër fiks që lufton të ruajë vetëm vlerën algjebrike që ka.

Ftesa për Ramën nga SHBA dhe konspiracionizmi që mund ta shkatërrojë PD-në

20 January 2026 at 10:49

Nga Fitim Zekthi

Opozitën shqiptare do ta vrasë konspiracionizmi, asgjë tjetër. Atë nuk do ta vrasë humbja në zgjedhje, nuk do ta vrasë as mungesa e demokracisë së brendshme. Edhe humbjet e shpeshta, edhe mungesa e demokracisë së brendshme janë gjëra që një parti mund t’i tejkalojë dhe, pas reflektimeve të mundshme, të gjata dhe të vështira, arrin të ndryshojë dhe të fitojë.

Ajo që nuk e lejon kurrë një parti apo një organizatë të reflektojë, të shohë veten, të ndryshojë, është konspiracionizmi: shpjegimi i botës dhe i vetes, shpjegimi i gjendjes së vet dhe i zhvillimeve politike, ndërtimi i strategjisë së mbijetesës dhe fitores me anë të konspiracionit.

Dy ditë më parë u njoftua se kryeministri Rama, Shqipëria, ka marrë një ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për të qenë anëtar i Bordit të Paqes për Gazën. Siç dihet, pak kohë më parë, pas negociatash të vështira (dhe pas tre vitesh dhunë dhe gjenocid në Gaza), u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Izraelit, Hamasit dhe liderëve të disa vendeve: Egjiptit, Turqisë, Arabisë, Katarit etj., për paqe me disa faza. Pasi të përfundonte faza e parë, që tani mendohet si e përfunduar, e cila kishte të bënte me ndalimin e luftimeve dhe zgjidhjen e krizës humanitare në Gaza, do të niste faza e dytë, ajo e rindërtimit të Gazës, çarmatimit të Hamasit etj. Në fazën e dytë do të ngrihej një Bord që do të drejtohej nga presidenti Trump. Pak a shumë kjo gjë ka ndodhur, pa hyrë në detaje të mëdha të planit të paqes dhe funksionimit të tij.

Presidenti Trump shpalli Bordin e Paqes, ku janë ose do të jenë rreth 100 vende, secili prej tyre me përfaqësuesin e tij. Brenda këtij bordi gjigand politik, të drejtuar nga SHBA dhe Trump, do të ngrihet një bord ekzekutiv që do të drejtojë gjithë procesin në terren. Ky bord ekzekutiv ka disa emra të njohur të botës politike dhe asaj të ekonomisë dhe diplomacisë, duke nisur me sekretarin amerikan Rubio.

Pasi doli lajmi që kryeministri Rama ka marrë ftesë për të qenë anëtar i Bordit të Paqes, pati një konvulsion të madh në radhët e opozitës, të cilët nuk mund ta pranonin këtë gjë për shkak të narrativës konspiracioniste të ndërtuar deri më tani. Ftesa për Ramën dhe Shqipërinë është një gjë shumë e mirë dhe, inshalla, përdoret për mirë. Ajo tregon se vendi ynë është (kjo dihet) një aleat i SHBA-së dhe qeveria jonë po ashtu një partner i qeverisë amerikane.

Opozita deri më tani ka thënë dhe e thotë akoma (me siguri do ta vazhdojë këtë për një kohë të pacaktuar) se administrata demokrate e presidentit Biden, ajo e presidentit Obama gjithashtu (por sidomos ajo Biden), ishte nën kontroll nga Xhorxh Soros. Kryeministri Rama ishte dhe është, thotë opozita, një vegël e Xhorxh Soros. Xhorxh Soros, për t’i pastruar Ramës rrugën, loboi me anë të mjeteve dhe njerëzve të tij te sekretari Blinken dhe te gjithë administrata Biden (që ai e ka nën kontroll) që të shpallte non grata Sali Berishën, i cili ishte pengesa e vetme në Shqipëri për planet e Soros dhe veglës së tij Rama, pasi Lulzim Basha kishte rënë nën kontrollin e tyre dhe e kishte shitur opozitën. Për t’i hapur rrugën Ramës dhe për të shkatërruar PD-në dhe opozitën (Berishën) ishte krijuar SPAK-u, që udhëhiqej nga Rama dhe klani Soros, dhe ishte bërë gjithçka tjetër.

Opozita ka thënë dhe thotë se këtë komplot do ta shkatërrojë Trump sapo të vijë në pushtet. Opozita ka thënë se Trump dhe administrata e tij, zëvendëspresidenti J. D. Vance, sekretari Rubio, sekretarja e drejtësisë Bondi, zëvendëssekretari Landau, shefja e stafit Susie Wiles, zëvendësshefi Stephen Miller etj., do të shkatërrojnë kudo regjimet soroiste dhe, më kryesorin e tyre, Ramën. Për këtë ata e kanë bllokuar, e kanë izoluar, dhe ai do të ketë fatin e Maduros. Ndoshta nuk do ta marrin me helikopter, por do ta shkatërrojnë me SPAK-un, i cili tashmë nuk kontrollohet nga Soros, por nga administrata Trump.

Me këtë shpjegim komplotist opozita vijon që prej vitit 2021. Me shpjegime komplotiste ajo vijon prej dekadash, shpjegime të cilat ka ardhur duke i thelluar, duke hyrë vetë në krizë gjithnjë e edhe më të thellë.

Sigurisht që në politikë, edhe atë amerikane, ka lobime, ka faktorë që ndikojnë, ka aktorë që luajnë rol, por kurrë ato nuk dalin përtej ligjësive, kurrë konspiracionizmi nuk tejkalon logjikën e gjërave dhe parimet e funksionimit të tyre.

Pas daljes së lajmit, pra, opozita e tronditur që Rama merrka ftesë nga SHBA nisi të thotë që ajo është ftesë kot, që e kanë marrë 100 të tjerë, që nuk ka asnjë vlerë, që nuk tregon se Rama ka dalë nga izolimi dhe fati i tmerrshëm i ndëshkimit amerikan. Rama mund të jetë keq me ndërkombëtarët, dhe është keq sepse ka shkatërruar qeverisjen dhe ligjin në Shqipëri; Rama mund të ketë fat të tmerrshëm politik dhe sigurisht që do të ikë shumë keq si një njeri që dështoi egërsisht me qeverisjen dhe korrupsionin, por këto nuk kanë të bëjnë me konspiracionizmin.

Opozita ka zgjedhur konspiracionizmin si instrument pushteti ose mbijetese politike. Teorikisht kjo ndodh kur aktorët politikë humbin mbështetje, autoritet moral dhe besueshmëri. Atëherë konspiracioni shërben si mekanizëm mbrojtës. Në vend që të pranohet dështimi, përgjegjësia zhvendoset te “forca të fshehta”, “aktorë të jashtëm”, “rrjete të padukshme”. Kjo ruan narrativën se humbja nuk është reale, por e imponuar, thotë Richard Hofstadter në librin e famshëm “Stili paranoidal në politikën amerikane”. Konspiracioni gjithashtu thjeshton realitetin duke e bërë atë njëdimensional.

Proceset politike janë të ndërlikuara; hyjnë shumë lloje variablash nga sociologjia politike, ekonomia, institucionet, drejtësia dhe sinqeriteti i liderëve, interesat e shumëfishta. Teoritë konspirative e reduktojnë këtë kompleksitet në një shkak të vetëm, zakonisht një armik i identifikueshëm. Kjo e bën realitetin politik emocionalisht më të menaxhueshëm për bazen militante. Konspiracioni, nga ana tjetër, krijon frikë, zemërim dhe ndjenjë rrethimi. Këto emocione janë shumë më mobilizuese sesa argumentet racionale. Politika konspiracioniste prodhon një ndarje të fortë “ne kundër atyre”, duke forcuar identitetin e grupit dhe besnikërinë ndaj liderit. Këto gjëra e masakrojnë një organizatë, një parti apo edhe një qeveri. Këto mund të ndihmojnë për gjëra të vogla njerëz të caktuar, por jo organizatën apo lëvizjen. Sot opozita ka nevojë të jetë një lëvizje popullore për të rrëzuar një prej qeverive më të korruptuara në historinë 35-vjeçare dhe jo të shpresojë se SHBA (konspiracionizmi pra) do ta zhdukë Ramën nga pushteti.

Paralelizmi me Maduron ndihmon vetëm kryeministrin Rama

12 January 2026 at 21:23

Nga Fitim Zekthi

Partia Demokratike në opozitë ka paqartësi të jashtëzakonshme në shumë kuptime. Të gjitha këto paqartësi janë shkaku i krizës së saj të rëndë politike. Një prej këtyre paqartësive, ndoshta më e madhja, është mënyra se si ajo pret të rrëzohet qeveria dhe ajo të vijë në pushtet.

Partia Demokratike pret që qeveria të bjerë për shkaqe komplet të pavarura nga opozita dhe mënyra se si ajo zhvillon opozitarizmin. Partia Demokratike, ndonëse shprehet se ajo kërkon të fitojë me zgjedhje, duket qartë që pret që ajo të fitojë nga gremina e Partisë Socialiste.

Për të qenë e qartë që në krye, duhet thënë se Partia Socialiste duhet të kishte rënë nga pushteti kohë më parë për shkak të një qeverisjeje plotësisht shkatërrimtare dhe të korruptuar dhe për shkak të pakënaqësisë së dukshme tek njerëzit. Por nuk ka ndodhur dhe nuk duket se do të ndodhë shpejt, për shkak se partitë nuk bien nga pushteti thjesht për shkak të dështimit të tyre, por edhe për shkak se dikush më i mirë dhe më i aftë duhet gati të marrë pushtetin dhe ta rrëzojë atë.

Partia Demokratike ka vite që është në krizën e pritjes së rrëzimit të qeverisë nga skandalet e saj, nga dalja e përgjimeve, nga hetimet e prokurorisë, nga presionet ndërkombëtare. Partia Demokratike as që e ka çuar ndonjëherë ndërmend, se ajo vetë duhet të jetë një parti që fiton mendjen dhe zemrat e njerëzve.

Kohë pas kohe, prej vitesh, Partia Demokratike prodhon një “faktor” të madh që do ta rrëzojë Ramën shpejt. Në vitin 2019, një drejtues i lartë i PD-së tha në një takim me strukturat e partisë, kur u pyet se çfarë do të bëjmë (ishte koha e protestave të vazhdueshme të PD-së që nuk jepnin rezultat), tha: “do të prisnim të dalë ndonjë video e re” (kishte dalë më parë video e përgjimeve për Shijakun dhe Dibrën në gazetën Bild).

Më vonë priste që CDU të detyronte Ramën të pranonte kushtet e PD-së për qeveri teknike. Një herë tjetër PD priste që presidenti Trump të dilte kundër Ramës, meqë ky e kishte sharë në CNN. Një herë tjetër PD priste që Rama të rrëzohej sepse doli kaseta për vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Herë të tjera ka pritur që figura të mëdha në SHBA, si ish-presidenti Bush apo ish-sekretarja e shtetit Rice (me të cilët ka folur kryetari i PD-së), të bindin SHBA-të të rrëzojnë Ramën. Herë të tjera kanë pritur që Rama të bjerë sepse PD-ja po këshillohet nga njerëz të administratës Trump, të cilët kanë vajtur në Shtëpinë e Bardhë ose dalin në foto me drejtorin e FBI-së, Kesh Patel. Herë të tjera PD pret që të rrëzojë qeverinë e socialistëve sepse administrata Trump nuk i do “sorosistët” dhe ka dhënë urdhër që sorosistët të rrëzohen kudo. Lista me gjëra të tilla është shumë e gjatë dhe kjo ka vazhduar që prej vitit 1998. Sa më e rëndë gjendja e PD-së, aq më e theksuar bëhet kjo qasje e saj. Ata që e njohin mirë dhe nga brenda e dinë edhe më mirë se e jetojnë këtë përditë. Është një lloj modus vivendi.

Këto ditë, pas ndërhyrjes së forcave ushtarake amerikane në Venezuelë dhe arrestimit të presidentit Nikolas Maduro, PD ka rritur dozat e pritshmërisë së rrëzimit të qeverisë socialiste me anë të ndërhyrjes amerikane. PD ka ngritur në qiell paralelizmin që, sic ia bën Maduro-s, do ia bëjnë edhe Ramës, dmth “Ramaduros”.

Është e qartë që kjo është një vijimësi e paqartësisë së thellë të PD-së, një paqartësi strategjike, por edhe e imponuar nga paaftësia (mungesa e vullnetit për të parë veten) e saj për të qenë e qartë.

Ndërhyrja amerikane në Venezuelë dhe arrestimi i Maduros ishte një ndërhyrje në “kopshtin e pasmë të SHBA-së”, tha Richard Hass, kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe bëhet për të marrë nën kontroll Venezuelën në mënyrë që Rusia, Kina etj. të mos kenë kontroll mbi të. Marrja e Venezuelës është pjesë e strategjisë së politikës së jashtme amerikane që të gjitha Amerikën të jenë nën zonën amerikane të dominimit gjeopolitik. Shqipëria nuk është kopshti i pasmë i SHBA-së. Shqipëria nuk është nën kontroll të Rusisë apo Kinës.

Venezuela kishte vite që ishte nën sanksione nga SHBA. Shqipëria jo vetëm që nuk është nën sanksione, por është aleate e SHBA-së. Qeveria e Shqipërisë është aleate e qeverisë së SHBA-së. Qeveria e Venezuelës nuk njihej si legjitime nga SHBA. Në vitin 2019, presidenti Trump njohu për president Juan Guaidó dhe Maduros (edhe qeveria Rama njohu menjëherë Juan Guaidó si president të Venezuelës, sic bëri Trump). Presidenti Biden nuk e njohu fitoren (manipulimin) e Maduros në vitin 2014 dhe tha se fitues ishte Edmundo Gonzales i opozitës. As Trump, as Biden, as Obama, askush nuk ka thënë që qeveria shqiptare nuk ishte e ligjshme dhe kryeministri i saj ishte Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Lulzim Basha, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka apo dikush nga drejtuesit e opozitës.

Qeveria e Venezuelës dhe presidenti akuzohej si kryetar i një organizate mafioze të trafikut të drogës, si një njeri që kishte kryer akte kriminale ndaj SHBA-së etj. SHBA nuk ka thënë kurrë që qeveria shqiptare dhe kryeministri janë trafikantë dhe drejtues organizatash kriminale.

Qeveria amerikane ka thënë që Chavez dhe Maduro së bashku mund të kenë vrarë mbi 20 mijë njerëz, duke i rrëmbyer, torturuar apo varur në protesta. Këto shifra i ka pohuar OKB në vitin 2019. Qeveria amerikane nuk ka thënë që qeveria shqiptare ka vrarë në protesta apo ka vrarë në tortura pas rrëmbimeve 20 mijë vetë. Përafrimi është i madh. Sigurisht që kryeministri Rama dhe socialistët janë zhytur në korrupsion, kanë ndërtuar një qeverisje të tmerrshme, shkatërrimtare dhe duhet të ishin shporrur nga pushteti, por kjo nuk bëhet duke pritur “faktorë” jashtë ose duke prodhuar “faktorë” që nuk ekzistojnë. Ditën që opozita do të kuptojë se ky kurs është komplet gabim dhe duhet të shohë veten dhe të bëhet ajo forca që njerëzit duan të drejtojnë vendin, atëherë Rama bie. Nuk ka forcë që e ndalon atëherë rënien e tij. Çdo paralelizëm me Maduron dhe Venezuelën e mban opozitën në vend dhe ndihmon vetëm Ramën.

Një teori e re politike e “shpikur” nga PD që dëmton rëndë atë vetë

16 December 2025 at 19:54

Nga Fitim Zekthi

Shqipëria dallohet si një vend në të cilin partitë dhe politikanët “prodhojnë” vazhdimisht teori të reja politike për shkak të nevojës së tyre të vazhdueshme për të justifikuar depolitizimin (daljen totale nga dialektika politike e luftës së pushtetit dhe e mbajtjes së përgjegjësive apo dhënies së llogarive) të tyre të plotë. Një ndër këto “teori” është ajo e opozitës së opozitës si një mjet që i shërben pushtetit të qeverisë Rama. Këdo të thotë pak a shumë se të kritikosh Partinë Demokratike apo opozitën do të thotë se po i bën opozitë opozitës dhe po i shërben qeverisë së Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama.

Nga një pikëpamje praktike politike kjo duket si diçka normale, sepse partia demokratike kërkon që gjithçka, thelbi i debatit, duhet të mbahet tek lufta ndaj qeverisjes, ndaj kryeministrit dhe ndaj partisë socialiste. Çështja është ky është një thjeshtim shumë i madh, nuk prodhon asgjë, nuk mund të prodhojë asgjë. Përkundrazi, sjell probleme për vetë PD-në dhe opozitën. Një opozitë, cila do opozitë, PD-ja nuk mundet kurrë të pretendojë të mbajë në këmbë luftën ndaj qeverisë dhe qeverisjes duke shpikur një teori politike qesharake që kush kritikon opozitën po i bën opozitë opozitës dhe është me qeverinë. Opozita e mban fokusin e debatit tek qeveria, tek kritika ndaj qeverisë kur ajo u ka shpjeguar njerëzve dhe ata në shumicë e bëjnë se çfarë idesh politike ka, pse i ka këto ide politike dhe pse nuk ka të tjera, pse këto ide janë më të mirat për vendin dhe cilët janë njerëzit që drejtojnë opozitën, njerëz të cilët këto ide i kanë brenda vetes (dhuratë prej Zotit siç thoshte Edmund Burke). Vetëm në këtë rast opozita arrin të mbajë debatin vetëm tek qeveria dhe tek abuzimet e pazakonta dhe të tmerrshme që qeveria bën.

Nga një pikëpamje më e gjerë, të quash kritikën ndaj opozitës si opozitë ndaj opozitës dhe si shërbim ndaj qeverisë është gabim i rëndë dhe i trashë logjik. Nuk ka asgjë që nuk është e pakritikueshme. Çdo gjë mund të jetë e gabuar, çdo organizatë apo çdo individ. Vetëm profetët ka ruajtur Zoti nga gabimet dhe PD si një parti që pretendon të jetë e djathtë duhet ta ketë brendesuar këtë. Partia Demokratike është e kritikueshme si çdo parti tjetër. Edhe në kohë shumë të këqija, kur sipas saj të gjithë duhet të drejtohen kundër qeverisë të kritikuarit e opozitës është diçka e logjikshme.

Në qoftë se ti nuk pranon kritikën me arsyetimin “se kemi hallin e qeverisë”, atëherë i bie që vazhdimisht mund të kesh imunitete ndaj kritikës, sepse vazhdimisht një opozitë ka hallin e qeverisë. Pra rreziku i parë është se me këtë arsyetim logjikisht opozita mund të mos lejojë asnjëherë kritikën. Rreziku i dytë është se opozita në këtë mënyrë nuk lejon asnjëherë të flitet për gjërat e saj, për problemet e saj dhe në këtë mënyrë llogaridhënia bëhet e pamundur dhe askush nuk mban më përgjegjësi. Në këtë moment opozita me vetëdija dhe me dashje shkon drejt mbylljes, shkatërrimit dhe daljes së avashtë nga loja politike.

Një tjetër problem shumë i madh është ai i të quajturit të atij që bën kritikën si dikush që i shërben qeverisë apo kryeministrit. Në këtë moment gabimi logjik është shumë më i rëndë. Në këtë mbrojtje apo imunitet ndaj kritikës bëhet i plotë. Cila marrëdhënie shkakësore e lidh një kritikë ndaj opozitës me shërbimin ndaj qeverisë? Në qoftë se detyra e opozitës është të jetë e drejtë, të bëjë gjënë e duhur, të thotë të vërtetën për vetë dhe kundërshtarin, atëherë si mund të jetë shërbim ndaj qeverisë kritika ndaj opozitës?

Veç problemit me logjikën, e cila në një farë mënyre është diçka neutrale, është mjet apo aparat i ftohtë me të cilin njerëzit dhe shqipëtarët veprojnë, qëndrimi i PD-së ka edhe probleme të rënda morale. Moralisht, opozita jo vetëm kritikohet dhe duhet të kritikohet si çdo gjë tjetër në Shqipëri, por duhet të jetë e lirë dhe e hapur edhe në qoftë se i pranon ato me vështirësi, të mos shkojë tek akuza apo sulmi se kritika qenka diçka që i shërben qeverisë. Në këtë rast, kur çdo kritik sulmohet si shërbim ndaj qeverisë, opozita dhe PD por edhe kushdo që e bën një gjë të tillë, arrijnë një pikë shumë të ulët sepse i mveshin në mënyrë arbitrare, pa asnjë provë, dikujt diçka. Kjo bëhet me qëllim që ai të vihet përballë ndërgjegjes së tij dhe të heshtë, ose më e rënda (dhe kjo ndodh vazhdimisht) ai të vihet përballë militantëve dhe ata ti sulen dhe ta quajnë armik.

Kjo sjellje pastaj arrin tek sjelljet tipike komuniste apo ideologjive të tjera totalitare ku kushdo që nuk “është me mua është armik, i shërben armikut”. Partia Demokratike duhet të heqë dorë nga këto qëndrime totalisht të palogjikshme dhe të pamoralshme, por edhe shumë kundërproduktive. Nuk ka gjë të pakritikueshme, aq më tepër politikanët apo partitë.

The post Një teori e re politike e “shpikur” nga PD që dëmton rëndë atë vetë first appeared on JavaNews.al.

Pse opozita në Shqipëri nuk duket hiç e dëshpëruar dhe e zymtë?

13 September 2025 at 11:00

Nga Fitim Zekthi

Jeta në opozitë është e zymtë, e mbushur me dëshpërim.

David Lidington, një politikan jetëgjatë britanik dhe studiues i politikës, thotë se ai ka qëndruar 13 vjet në opozitë me konservatorët, nga viti 1997 deri në 2010, kur fitoi Cameron.

Ai thotë se jeta është e zymtë dhe plot dëshpërim, por ke luksin që ke shumë kohë dhe kjo të ndihmon të krijosh një alternativë.

Në ditët e para të parlamentit pas humbjeve, ai thotë se zymtësia dhe dëshpërimi shtohen edhe nga humbjet e kolegëve që nuk janë më deputetë dhe nga fitoret e mëdha të kundërshtarit.

Por, përpjekja me durim për të prodhuar alternativë është burimi i vetëm i forcës për të luftuar.

“Ne,” thotë ai, “u munduam 13 vite, ndërruam 5 kryetarë, ndërruam gati gjithë grupin e deputetëve, prodhuam ide dhe ligjërim qytetar dhe të besueshëm dhe fituam shumë vonë.

Fituam vonë sepse e nisëm keq opozitën, e nisëm keq sepse nuk pranonim dot humbjet dhe qenien tonë në krizë.”

Opozita në Shqipëri nuk duket hiç e dëshpëruar dhe e zymtë. Ajo duket njësoj, nuk ka tek deputetët e saj asnjë shenjë dëshpërimi apo melankolie.

Askush nuk duket se ka dhimbje për humbjet e kolegëve, për fitoren e thellë të kundërshtarit.

Le pastaj të ketë pranim të krizës, reflektim, largim të pesë kryetarëve apo largim të gjithë grupit. Fare.

Është po ajo gjuhë, po ajo trupë si para 12 vitesh dhe asnjë përpjekje për të qenë ndryshimi dhe alternativa.

Ndoshta kane te drejte, nuk ndjehen hic po hiç se jane opozita, se kane ndonje grime pergjegjesie opozitare.

The post Pse opozita në Shqipëri nuk duket hiç e dëshpëruar dhe e zymtë? first appeared on JavaNews.al.

Kriza e opozitës e ka një zgjidhje

10 August 2025 at 16:12

Nga Fitim Zekthi

Një nga gjërat më të rënda sot, që shfaqet me gjithë fuqinë e vet në Shqipëri dhe sidomos në opozitë, është fakti që njerëzit nuk janë të trajnuar ose të përgatitur që të mendojnë për të mirën e përbashkët, për të mirën e vendit dhe shoqërisë, por janë të aftë të mendojnë vetëm për mënyrën se si preket apo fiton grupi i tyre. Mark Lilla, një mendimtar amerikan, shkruan gjerësisht se kjo është një formë pushteti e injorancës, e padijes dhe madje e dëshirës për të mos ditur dhe për të mos mësuar.

Njerëzit, edhe qëllimisht, për shkak të interesit të tyre dhe grupit të tyre, humbin aftësinë të njohin dhe kuptojnë të vërtetën. Kjo sigurisht që shkatërron jo vetëm interesin e vendit dhe të mirën e shoqërisë, por edhe interesin e tyre dhe të grupit të tyre. Forcat e djathta apo konservatore gjatë gjithë historisë i janë trembur kësaj rruge, i janë frikësuar kësaj sjelljeje dhe kanë folur për maturi, për kujdes, për vetëkufizim, për largim dhe tërheqje nga emocioni dhe epshi.

Bash këtu, tek këto koordinata, është themeluar e djathta. Në Shqipëri, PD-ja, e cila ka pretenduar për vite më radhë se përfaqëson të djathtën, nuk ka qenë kurrë një forcë që u udhëhoq nga kujdesi, maturia, vetëpërmbajtja, vetëkufizimi, largimi nga epshi dhe emocionet e inatit apo zemërimit, dhe për pasojë nuk arriti të mendojë dot përtej mënyrës se si pushteti apo realiteti politik prek atë dhe njerëzit e saj – në një kohë kur duhet të mendonte (si forcë e djathtë) për mënyrën se si preket shoqëria dhe vendi.

Tani gjendja është shumë e vështirë. Duke lejuar që vit pas viti, madje dekadë pas dekade, të thellohet kjo mënyrë të ekzistuari dhe kjo mënyrë të kuptuari i politikës, gjërat kanë shkuar në një pikë shumë të largët, aq sa PD-ja përkufizohet plotësisht, i merr vendimet dhe sillet pikërisht duke bërë vetëm të kundërtën e asaj që do të duhej të bënte një forcë e djathtë.

Edhe i gjithë debati, ose gjithë diskutimet brenda saj sot, bëhen për gjëra të kota: bëhen nëse duhet të ikin disa drejtues apo të ikë kryetari, nëse duhet të bëhen analiza degë pas dege apo të bëhen seksion pas seksioni, nëse duhet hyrë në parlament apo duhet bojkotuar, nëse fajin e kanë disa deputetë, disa drejtues apo kryetari, nëse kanë infiltruar sorosianë, nëse ka pasur tradhti nga brenda, etj.

Sado e vështirë, sado tmerrësisht e vështirë, është e mundur që opozita të transformohet në një forcë të djathtë dhe konservatore që i brendëson realisht parimet e maturisë, vetëkufizimit, kritikës ndaj vetes, mosfajësimit të armikut apo kundërshtarit për gjithçka, decencës, respektit për dinjitetin e kujtdo qenieje njerëzore, besimit te liria politike, liria ekonomike, liria fetare.

Është e mundur që të kuptohet se nuk ka asgjë të mirë për opozitën si diçka e tillë në vetvete. E mirë për opozitën është gjithçka që është e mirë për vendin dhe për shoqërinë.

Këtu nis dhe, në fakt, këtu edhe mbaron roli dhe detyra e të djathtës. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është e kotë, po e kotë fare fare gjithcka tjeter.

The post Kriza e opozitës e ka një zgjidhje first appeared on JavaNews.al.

Shteti bektashi, qëndrimi i fqinjëve dhe qëndrimi i Turqisë

5 July 2025 at 15:54

Nga Fitim Zekthi

Çështja e krijimit të një shteti bektashi, e një shteti sovran që do t’i përkasë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane brenda territorit të Shqipërisë do të vijojë të endet si hije mbi politikën dhe vendin tonë. Vitin e kaluar këtë ide e paraqiti si propozim të tijin dhe të qeverisë shqiptare kryeministri Edi Rama. Ky propozim u pranua me entuziazëm nga Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror. Megjithë kundërshtitë e mëdha, kritikat e mëdha ideja e shtetit bektashi është aty, pret kohë e vet. Nuk dihet në do të vijë ajo kohë por forca të caktuara të cilat ose nuk kanë asnjë ide, asnjë njohje mbi çështje të tilla ose e bëjnë me qëllim dhe janë në anën e atyre që nuk duan këtë vend janë pas propozimi.

Arsyet e paraqitura nga kryeministri Rama dhe të mbrojtura e të përforcuara por në mënyrë të paqartë nga Kryegjyshata dhe Kryegjyshi Baba Mondi kanë të bëjnë me nevojën e madhe që ka komuniteti bektashi për t’u mbrojtur nga zhbërja, nga zhdukja. Sipas tyre komuniteti bektashi është në krizë ekonomike, nuk ka mundëis të përballojë nevojat, nuk mund të prodhojë dot klerikë të rinj, dervishë, dede, baballarë etj. Sipas tyre komuniteti bektashian duke patur qendrën botërore në Shqipëri duhet të ketë mundësi prej shtetit shqiptar që të krijojë një shtet sovran brenda territorit shqiptar në mënyrë që të sigurojë mbijetesën etj, dhe të kthehet në një komunitet vibrant, që lulëzon dhe përhap vizionin dhe kulturën e tij.

Mund të jetë e vërtetë që komuniteti bektashian është në vështirësi ekonomike, që nuk paguan dot punonjësit apo që nuk prodhon dot klerikë dhe rrezikon të përballet me ditë të vështira mbijetese. Çështja është se Shqipëria është një vend i cili nuk trajton asnjë fe ndryshe nga të tjerat, nuk i lejohet me kushtetutë as të përkrahë dhe as të pengojë një fe. Shqipëria është një vend ku çdo fe gëzon lirinë e saj dhe shteti, qeveria nuk promovon apo nuk ndërhyn fare në punët e fesë. Komuniteti bektashian nuk mund të ketë të drejtën e asnjë përkrahjeje nga shteti shqiptar ndryshe nga besimet e tjera. Kjo është qartësisht kundër asaj që thotë kushteteuta.

Në qoftëse një besim fetar, qoftë ai mysliman apo ai i krishterë, do të rrezikojë të humbasë besimtarët, të mos ketë fuqi të prodhojë klerikë apo edhe të zhduket fare etj, kjo është një çështje vetëm e besimtarëve, e shoqërisë dhe e vetë komunitetit por nuk është një çështje e qeverisë dhe e shtetit. Nuk mund të jetë kurrë një çështje e qeverisë dhe e shtetit. Qeveria nuk ka për detyrë të prodhojë hoxhallarë, priftërinj, baballarë, brahmanë apo rabinë. Qeveria nuk ka për detyrë, e ka të ndaluar, të punojë të rrisë apo zvogëlojë numrin e besimtarëve ose të shpëtojë një komunitet nga zhdukja. Gjatë gjithë historisë janë zhdukur besime. Pra kjo është arsye e kotë dhe antikushtetuese. Po të jetë për shtet sovran që i jepet një komuniteti besimi që rrezikon të zhduket në Shqipëri mund të krjohen shumë shtete. Ndoshta të gjitha besimet janë në vështirësi dhe duan një shtet.

Arsyeja tjetër se në Shqpëri ndodhet qendra botërore, ndodhet kryegjyshata botërore dhe ne duhet ta bëjmë atë një shtet sipas modelit të Vatikanit, siç tha kryeministri Rama dhe siç ka thënë baba Mondi, është gjithashtu shumë më e paarsyeshme. Së pari, krahasimi me Vatikanin është përsëri ose një padije e thellë ose përdorim i qëllimshëm dashakeq. Vatikani, në formën që është sot, është bërë shtet në periudhën mes dy luftërave botërore nga marrëveshja e kryeministrit fashist Benito Musolini i cili i gjeti një zgjidhje një çështjeje shumë të mprehtë në Itali që kishte filluar që nga koha e bashkimit të Italisë.

Vatikani ka qenë shtet ose më saktë Kisha dhe më pas Kisha Katolike (pas skizmës së shekullit të 11) ka patur shteten e saj që nga koha kur krishtërimi u bë feja zyrtare e perandorisë romake në shekullin e katërt. Pasi ra perandoria romake, gjatë viteve të mesjetës, Kisha katolike ka patur shtetin e saj ose disa shtete në gadishullin Apenin ishin shtete të kishës, shtetet papale. Edhe vetë Roma ishte pjesë e këtyre shteteve. Kreu, edhe politik i këtyre shteteve ishte papa. Kur u bashkua Italia në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të shtetet papale u bënë pjesë e Italisë. Edhe Roma gjithashtu. Kisha Katolike mbeti pa shtet, Vatikani nuk ishte më. Selia e Kishës Katolike ishte në territor të shtetit Italian. Pati një krizë aq të madhe sa Papa u ngujua në selinë e Shen Pjetrit në Vatikanin e sotëm për të treguar se Kisha ka territorin e saj sovran dhe nuk ia jep atë asnjë shteti. Vetëm pas 50 vitesh shteti italian, Musolini, e lejoi Kishën Katolike të kishte shtetin e saj sovran. Pra krahasimi që bën Rama apo Baba Mondi është një gabim i plotë logjik. Komuniteti Bektashi dhe Kryegjyshata Botërore nuk kanë qenë ndonjëherë zotërues të ndonjë shteti prej dy mijë vitesh si Vatikani dhe as iu mor ky shtet kur Shqipëria u bë e pavarur. Kryegjyshata e ka vendosur selinë e saj në Shqipëri në vitet 20-të, 100 vite më parë. Ajo u vendos brenda konceptit të lirive fetare dhe shtetit secular me të drejtat e çdo besimi tjetër. Ajo u vendos në Shqipëri pasi erdhi nga Turqia, pasi u përzu në një farë mënyre. Kryeqendra botërore bektashiane nuk ka qenë kurrë në Shqipëri para viteve 20-të.

Gjithashtu bektashizmi nuk është një besim fetar më vete, domethënë nuk është një fe e veçantë. Ai është një tarikat mysliman. Ka debate nëse është shiit apo suni por shumica e dijetarëve të njohur apo e klerikëve të vjetër bektashinj thonë që është tarikat suni, pjesë e komunitetit mysliman shqiptar. Vetë baballarrët e parë drejtues të Krygjyshatës që nga vitet 20-të si Baba Reshati, Baba Ahmeti, Baba Ali Tomorri etj, kanë thënë gjithnjë se janë pjesë e komunitetit mysliman shqiptar. Edhe themeluesit botërorë shekuj më parë e kanë quajtur tarikat suni. Duke qenë kështu i bie që kryeministri Rama po kërkon një shtet për një tarikat, për një urdhër fetar. Është njëlloj sikur të kërkosh shtet për dhjetëra tarikate myslimane si për shembull për Nakshibendi, Halveti, Tixhani, Alevi etj, ose si të kërkosh shtete për urdhëra si Jezuit, Franceskan, Domenikan apo Benediktin. Në botë ka aq shumë tarikate apo urdhëra (në vështirësi të mëdha ekonomike dhe në nevojë të madhe për klerikë) sa me siguri do të bëheshin mijëra shtete sovrane.

Arsyeja se ne duhet të krijojmë shtet bektashi sepse ky tarikat e ka qendrën botërore tek ne është absurd. Çdo tarikat apo urdhër e ka diku qendrën. Pra i bie që në Turqi të bëhen nja 20 shtete sovrane sepse atje janë qendrat e këtyre 20 tarikateve ose në Itali apo SHBA i bie të bëhen më dhjetëra në mos edhe qindra shtete sovrane sepse në to e kanë qendrën mjaft urdhëra apo denominacione. Në Irak, në Gjermani, në Angli, në Siri (lëre më në Indi) i bie të bëhen dhjetëra shtete sovrane sepse në to ka dhjetëra urdhëra apo tarikate apo sekte. Dhe mjaft prej tyre, sidosmos, denominacione të krishtera dhe urdhëra sufistë myslimanë janë në vështirësi ekstreme ekonomike, humbin besimtarë, nuk gjejnë dot udhëheqës, shehlerë apo pastorë.

Ka edhe arsye folklorike dhe qesharake si ato që thonë se bektashizmi ka promovuar kulturën apo patriotizmin dhe prandaj ne duhet të bëjmë një shtet sovran bektashi. Sigurisht që komuniteti bektashi ka vlerat e veta të qenësishme njerëzore, kulturore, kombëtare, patriotike dhe sigurisht që baballarë të mrekullueshëm në histori që nga baba Saliu e deri tek Baba Reshati kanë qenë njerëz patriotë dhe kanë punuar për këtë vend. Sigurisht që figura të Rilindjes kombëtare si Frashërllinjtë janë krenaria e vendit tonë dhe e patriotizmës por kjo gjë mund të thuhet edhe për hoxhallarë dhe priftërinj që nga Vehbi Dibra apo Nikollë Kaçori e deri tek Gjergj Fishta e Ali Krahja.

Pa u zgjatur shteti bektashi është një hije që endet mbi vendin tonë, mbi harmoninë fetare, mbi tërësinë e paprekshme territoriale të vendit. Kjo hije po ta arrijë atë që do, shtetin bektashi, do të hapë një plagë, do të hapë një të çarë të parikuperueshme mbi trupin e kombit dhe të unitetit të vendit. Ai, shteti bektashi, jo vetëm do të prekë territorin por do të prekë bashkëjetesën e mrekullueshme shqiptare. Ai do të hapë një precedent ku fetë të trajtohen sipas oreksit të shtetit por edhe sipas oreksit të vendeve që i kanë shkaktuar shumë drama vendit toinë në histori.

Fakti që një ide kaq problematike, një ide kaq e palogjikshme dhe kaq e rrezikshme mbahet ende gjallë, madje për të punohet në heshtje ndoshta tregon që ka forca jo të vogla pas saj. Në gjithë këtë çështje të çelur prej një viti meriton të falenderohet gati gjithë shoqëria jonë e cila nuk e ka pranuar, meriton të falenderohet edhe pjesa dërrmuese e mediave dhe e intelektualëve të vendit, gazetarë, historianë dhe profesorë të cilët nuk e kanë pranuar këtë ide. Vendet e tjera nuk kanë folur. Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut nuk kanë folur.

Ato nuk duhet ta pranojnë këtë ide. Turqia foli. Foli pak ditë më parë me anë të kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të parlamentit Fuat Oktai. Ajo e kundërshtoi fort këtë ide. Turqia meriton një falenderim për këtë qëndrim. Turqia është një vend me ndikim në rajon por edhe që në një mënyrë apo një tjetër preket dhe është e ndjeshme ndaj ideve dhe çështjeve të tilla. Turqia ka qenë dhe është një aleat, partner dhe mik shumë i shtrenjtë i vendit tonë.

Serbia dhe Greqia dhe vende të tjera janë të ndjeshme ndaj çështjeve të tilla por nuk po flasin ndonëse shpallja e një shteti bektashi, e një shteti sovran fetar sipas modelit të Vatikanit është diçka që i prek ato dhe që ka ndikime kudo. Ai është një model që po u legjitimua mund të përdoret si precedent gjithandej. Reagimi i Turqisë në një kohë kur duket sikur ka një qetësi është një lajm i mirë sepse tregon qëndrimi parimor të një shteti të fortë por ndoshta edhe një lajm jo i mirë, sepse mund të tregojë se ideja e shtetit bektashi vijon të vibrojë në zyra dhe skuta.

The post Shteti bektashi, qëndrimi i fqinjëve dhe qëndrimi i Turqisë first appeared on JavaNews.al.

Kriza e PD-së nuk është Berisha, kriza është kulturore

8 June 2025 at 11:48

Nga Fitim Zekthi

Është duke u diskutuar gjerësisht gjendja e opozitës në Shqipëri pas humbjes së rëndë në zgjedhje. Gati çdo ditë diskutimi kryesor politik në vend është Partia Demokratike dhe opozita. Kjo është e drejtë për shkak se opozita shihet si mjeti krysor që ka shoqëria për të ndryshuar qeverisjen apo për të bërë presion qeverisjes. Një opozitë e dobët, jo alternativë pushteti, nuk e luan dot këtë rol dhe për këtë shkak debati do të jetë i fokusuar tek opozita.

Vetë opozita ka rënë në një kurth dhe sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë forcon pozicionin e saj në këtë kurth. Ajo mendon se zgjedhjet ishin një farsë, një masakër e vërtetë ku qeveria vodhi, bleu përdori krimin dhe çdo formë tjetër perverse për të fituar.

Ky arsyetim i opozitës nuk ka patur rezonancë në shoqëri. Të gjithë e kanë të qartë se opozita ka arsye të tjera, jo politike, për të mbajtur këtë qëndrim.

Ata që mendojnë se opozita humbi thellë kërkojnë që ajo të mbajë përgjegjësi, të reflektojë dhe ndryshojë duke nisur që nga largimi i kryetarit të saj Sali Berisha siç e thotë në fakt edhe vetë statuti i PD-së.

Largimi i Sali i Berishës nga drejtimi i Partisë Demokratike nuk sjell asgjë. Kriza e PD-sa ka rrënjë apo shkaqe shumë më të thella. Ato janë tërësisht kulturore. PD duhet të hyjë në nëj proces meditimi dhe reflektimi shumë të thellë. Duhet të analizojë antrologjinë e saj politike, sociologjinë e saj politike dhe madje edhe psikologjinë e saj politike të gjithë këtyre viteve dhe të sotmen. Shkurt duhet diçka shumë e thellë, duhet shkuar tek kultura.

Kultura është shtrati ku ngjizen dhe marrin jetë sjelljet, veprimet, qëndrimet dhe personaliteti i një njeriu, një organizate apo çdo entiteti tjetër.

Ekzistojnë të paktën tre lloj kulturash bazë mbi të cilat, ose prej të cilave, lindin sjellje dhe qëndrime të caktuara politike. Bradley Campbell dhe Jason Manning kanë përshkruar në mënyrë shumë të imtësishme kulturat mbi të cilat shumë parti, sulkbjekte, individë ndërtojnë qëndrimet dhe sjelljet e tyre politike. Ata kërkonin në fakt të shihnin përmasën dhe shkaqet e kulturës së gjerë të viktimizimit që po përhapej në botën e viteve 60-70 të shekullit të kaluar dhe për këtë shkak bënë kërkime të gjera. Ata panë se ekzistojnë tre kultura bazë prej të cilave viktimizimi.

Viktimizimi përdorej gjerësisht nga e majta, ishte përdorur nga e majta që në filimet e saj. E majta fliste dhe flet për të shtypurit si viktima, për gruan si viktimë, për të varfërit si viktima, për personat homoseksualë si viktima etj. E majta përpiqet që nëpërmjet kësaj qasjeje të ndërtojë sjelljen dhe qëndrimet e saj dhe të tërheqë vëmendjen e shoqërisë. Një kulturë tjetër ishte kultura e “nderit”. Edhe kjo është një kulturë e përhapur shumë. Në kulturën e nderit burrat janë shumë të ndjeshëm ndaj fyerjeve apo sjelljeve që duan t’i anashkalojnë ata. Ata përpiqen ta fitojnë vëmendjen për aftësitë e tyre ose për tiparet e tyre në fusha që bartin rrezik. Ata nuk e bëjnë këtë vetëm përmes akteve të trimërisë apo të burrërisë por edhe përmes akteve të kokëfortësisë, krenarisë ekstreme. Ata e bëjnë këtë duke vlerësuar edhe akte si kumari, pija, dhënia pas femrave (gjuajtës apo gjahtar femrash i quajanë autorët duke u mburrur si trofe-fitues), rrahja me grushta ose përdirmi i armëve etj.

Cambell dhe Manning thonë se ishte kjo lloj kulture që dikur i bënte të shkonin në duel apo të rrinin natën bareve dhe pubeve shumë njerëz duke pirë. Kjo lloj kulture e “nderit” kërkon ta tërheqë vëmendjen me mburrjet për trimëri, për burrni, për arritjet e mëdha, për frikësimin për vdekje të kundërshtarit, për dominimin e plotë të zonës, lagjes, apo krahinës etj. Kjo lloj kulture sjelljeje përdor një gjuhë që nuk pranon asnjë dështim, asnjë humbje, që nuk i njeh kundërshtarit asnjë vlerë njerëzore, që e sheh kundërshtarin si armik, si vegël, si të shitur, si të mbaruar, si të tmerruar.

Në politikë këtë sjellje e kanë patur parti të vjetra dhe politikanë të dikurshëm në Europë apo në Jugun e SHBA-së, e kanë sot në vende të ndryshme të Afrikës apo Amerikës së Jugut etj. Zakonisht ky lloj nderi ka qenë i lidhur më shumë me të djathtën ose dëshironte të quhej e djathtë por në fakt nuk ka ndonjë anësi politike.

Kultura e tretë është ajo e dinjitetit thonë Bradley dhe Manning e sheh individin dhe njeriun si qenie të artë të pajisur me të mirën e brendshme dhe të patjetërsueshme. Këtë të mirë të brendshme të patjetërsueshme të qenies njerëzore njeriu e ka prej Zotit dhe nuk ka nevojë ta pohojë siç kërkojnë të bëjnë njerëzit në kulturën e “nderit”. Në kultuën e dinjitetit nuk shahet, nuk bërtitet, nuk pretendohet zotërimi i së vërtetës absolute por predikohet vetëpërmabjajtja, maturia dhe respekti për këdo. Kjo kulturë që gjendet tek e djathta është kultura që ka promovuar shtetin e të drejtës, respektimin e lirive themelore dhe të drejtave natyrore të njeriut.

Partia Demokratike në Shqipëri krizën e ka pikërisht tek fakti që ajo në masën dërrmuese përkufizohet nga kultura e “nderit”, kultura e të fortit, kultura e atij që e “tmerron kundërshtarin”, kultura e konsiderimit të kundërshtarit si diçka e keqe, e poshtër, që i shërben armikut, kultura e mosnjohjes së gjuhës së maturisë, sjelljes së përunjur, pranimit të të vërtetave. Partia Demokratike në mjaft raste adopton edhe kulturën e viktimizimit. PD nuk duhet të largojë Sali Berishën, duhet të heqë dorë nga kultura e “nderit” dhe nga kultura e viktimizimit dhe të hyjë gradualisht në kulturën e dinjitetit. Kjo është në fakt edhe e djathta.

The post Kriza e PD-së nuk është Berisha, kriza është kulturore first appeared on JavaNews.al.

Po s’je me ne, je armik…

31 May 2025 at 10:47

Nga Fitim Zekthi

Me kujtohet, kur pas vitit 2000 ne PD u afruan disa njerez te mençur dhe te afte ne profesionet e tyre, njerez qe mendonin dhe artikulonin si opozitare te qarte, si demokrate te vendosur.

Atëhere pati dhe nje shkrim i poetit te njohur Bardhyl Londo.

Londo thoshte se e shoh me shume optimizem luften tone si PD edhe per shkak te faktit qe ne te gjenden sot disa  njerez te pakorruptuar dhe nder me te aftet e fushave te tyre.

Ai permendte Ilir Rusmalin, sekretar i ceshtjeve kushtetuese ne PD.

Rusmali po bente nje nje pune te mrekullueshme dhe kishte vleresimin dhe respektin e te gjitheve ne PD, qe nga militantet e thjeshte e deri tek drejtuesit e larte dhe kryetari Berisha.

Vete Bardhyl Londo ishte nje prej figurave te respektuara, njeri i ardhur ne PD si anetar kryesie pas tmerrit te 1997-es.

Rusmali ndryshoi ne menyre radikale gjithe artikulimin e PD mbi ligjin, te drejten, kushtetuten dhe e beri gjuhen e PD te dominonte mbi qeverine dhe gjuhen e saj.

Ai fitoi si deputet ne gare mazhoritare ne zonen e Korçes, u be zv.kryeminister i qeverise se PD.

Sot shpallet armik.

Ai eshte po ai qe ishte konstitucionalist shume serioz dhe i ditur?

Por futja ne rrugen e kerkimit te armiqve nuk pyet cfare je.

The post Po s’je me ne, je armik… first appeared on JavaNews.al.

Rënia e PD-së njëlloj si rënia e August Andresë

18 May 2025 at 15:19

Nga Fitim Zekthi

August Andre, një inxhinier suedez, kishte kohë që ishte fiksuar të ishte personi i parë që do të shkonte në Polin e Veriut. Ai merrej me shitjet dhe ishte ekspert i shitjeve në zyrën që punonte dhe nuk kishte ndonjë dije dhe aftësi të madhe mbi udhëtimet në vende të tilla si Poli i Veriut dhe as mbi mundësitë që ekzistonin në atë kohë që një ekspeditë të dilte me sukses. Ishte vetëm fiksimi i tij për të qenë i pari që do ta bënte. Ai e kishte bindur publikun që do ta kryente këtë udhëtim kollaj dhe të gjithë do të bindeshin kur të kthehej triumfator.
Në vitin 1897, Andre, u nis së bashku me dy të tjerë me balonën me hidrogjen, ‘Eagle’, për në Polin e Veriut. Pas dy ditësh balona e tyre e tundur dhe shkundur nga erërat ra në akull. Andre dhe dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit morën ç’të mundin, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ata ecën dhe u përpoqën mbi masën gjigante të akullit të mbërrinin në tokë. Pas gjashtë javësh tmerr u mbaroi gjithçka. U ushqyen me midhje apo me kallamarë, por edhe me një ari të bardhë që arritën ta vrasin me armë. Pas një tmerri gati tre mujor, vdiqën.

Kjo është një ngjarje që është përdorur nga psikologët dhe sociologët për të treguar se ka raste kur njerëzit janë aq të bindur se mund të bëjnë diçka, sa ata e humbin krejtësisht arsyen dhe shkojnë të sigurt drejt shkatërrimit. Kjo ndodh sidomos kur ata kanë vlerësim shumë të lartë për veten, por kjo mund të ndodhë edhe kur ata duan me çdo kusht të shpëtojnë fytyrën. Ndodh që njeriu hyn në një rrugë ose gjendet në një situatë e cila e shtyn atë me forcë drejt veprimeve krejtësisht të paarsyeshme. Vetë njeriu e di fundin e keq dhe të turpshëm të rrugës në të cilën hyn, por ai nuk ka mundësi të veprojë ndryshe.

Ditarët, e zbuluara më vonë, të August Andre tregonin se ai e kuptoi që nuk ishte i aftë dhe nuk kishte mjetet e duhura për ta kryer atë udhëtim në Polin e Veriut, por ai e kishte bindur opinionin publik se kishte aftësi ta bënte shumë kollaj këtë udhëtim.
Regjisori i famshëm Ruben Ostlund e ka marrë këtë ngjarje dhe e ka trajtuar në mënyra të tjera për të treguar këtë anë vetëshkatërrimtare të njeriut kur ai hyn në një rrugë i shtyrë nga rrethana të tilla si ruajtja e profilit të “të fortit” e “triumfatorit”, e atij që ka “të drejtë”, e atij që nuk ka pengesë që e ndal. Gjithashtu është trajtuar, në mjaft raste, edhe lidhja e fortë që kanë rrethana të tilla si të mësipërmet me një gjendje fajësie apo krimi, duke të shtyrë të bësh krime të tjera dhe duke vijuar më pas në këtë rrugë deri sa “të nisesh për në Polin e Veriut”.

Kjo është saktësisht ajo që ndodhi me ish kryeministrin Berisha, me lëvizjen e tij politike të Foltores që prej shtatorit të vitit 2021.

Ish kryeministri ishte nisur si August Andre për në Polin e Veriut. Ai bindi bazën e PD-së se do t’ia dilte thuajse kollaj. Ai i tha asaj atëbotë se se do të zhvillonte protestat më të fuqishme, se do të trondiste pushtetin e qeverisë Rama, se do ta rrëzonte atë, se do të ndërtonte një opozitë të fuqishme, se do të mundte qeverinë socialiste.

Ishte qe qartë që në fillim se lëvizja e Berishës ishte e parsyeshme, ishte kundër kohës dhe kundër hirtorisë. Ishte e qartë se kjo lëvizje do të kishte një jetë të sajën derisa të përplasej me kokë pas murit, siç do të kishte një jetë të sajën rruga e August Andre-së derisa balona e tij të përplasej me akullin në Polin e Veriut. Në faqe të dheut gjërat e paarsyeshme nuk kanë dhënë dhe nuk japin kurrë rezultat të mirë. Kurrë në faqe të dheut gjërat e kundër kohës dhe kundër historisë nuk kanë dhënë e nuk mund të japin rezultat të mirë. Lëvizja e Berishës ishte e parsyeshme sepse ai kishte tetë vite që ishte larguar nga drejtimi i PD-së duke thënë që “mon depart est sans retour”, ikja ime është pa kthim. Ai kishte thënë që Basha ishte aq i mirë sa Ramës do i duheshin tre jetë të krahasohej me të. Dhe në një moment të caktuar tha do të rikthehem sepse Basha është peng, ka shitur opozitën. Këtu sigurisht që arsyeja nuk ka forcë të japë shpjegime. Lëvizja ishte kundër kohës dhe kundër historisë sepse dikush që është dorëhequr tetë vite më parë pasi ka humbur zgjedhjet si kryeministër me rezultat shumë të thellë (humbi edhe Shkodrën dhe fitoi vetëm në Kukës) nuk mund të rikthehet dhe të thotë se vetëm unë e mund kryeministrin Rama.

Gjithashtu dikush që ka qenë kryetar opozite dhe është bërë president, dikush që ka rënë në opozitë në 1997 dhe më pas bërë kryeministër në 2005, ka rënë përsëri në opozitë (madje i larguar me dorëheqje në 2013) nuk mund të bëhet kryeministër përsëri në 2025. Nuk i njeh historia dhe këto gjëra, koha ka ritmin dhe logjikën e saj. Koha nuk është ciklike, nuk është diçka që nuk ka fund, nuk është diçka në të cilën ne rrotulllohemi pa fund si në një karusel dhe mund të rikthehemi pa ndalur aty ku ishim. Jo koha është lineare, ka fillim dhe fund për këdo, për karrierën, për politikën, për ambicjet, për jetën.

Për t’i rënë shkurt rezultati i 11 majit dihej dhe ishte përfundimi logjik i një rruge të paarsyeshme. Ngjashmëria me atë që ndodhi August Andre-së është e thellë. Tani gjërat nuk mund të jenë më kurrë si kanë qenë. Berisha mund të vijojë, do të vijojë të ndjekë po logjikën e paarsyeshme, kundër kohës dhe kundër historisë që nisi në shtator të 2021-it. Ëshë në të drejtën e tij ta bëjë siç janë në të drejtën e tyre mbështetësit e tij që ta bëjnë. E sigurt është që në zgjedhjet e ardhshme mbështetja do të jetë më e vogël dhe përplasja pas murit më e ashpër. Edhe tani mund të jetë vonë, mund të ketë skaduar koha e një reflektimi të thellë për PD-në në mënyrë që ajo të ribëhet një alternativë. Gjithsesi një mundësi së paku teorike ajo e ka. Dhe kjo mundësi nuk ka të bëjë fare me dorëheqjen e Berishës. Dorëheqja e Berishës tani është një gjë kot. Berisha duhet të bëjë diçka (edhe kjo kundër historisë dhe palogjikshme) të padëgjuar. Duhet të udhëheqë një lëvizje kundër Foltores, kundër filozofisë së tij dhe të krijojë dhe mbështesë një lidership jo populist por popullor, të mbrojë një narrativë jo revolucionare me armiq të brendshëm dhe të jashtëm por qytetare dhe racionale, të nxisë një frymë të djathtë ku modestia dhe maturia janë tiparet bazë dhe jo një frymë arrogance dhe mburravecërie. Kjo është e pamundur por nëse e bën kjo do ta bënte Berishën një politiklan të rrallë. Këtë, paraimisht, e ka në dorë vetë, por duhet të mundë veten. Tani për tani dhe ndoshta për kohët në vijim jemi thjesht tek ao që i ndodhi August Andre-së.

The post Rënia e PD-së njëlloj si rënia e August Andresë first appeared on JavaNews.al.

Po me Ursula von der Leyen çfarë patët?

17 May 2025 at 10:20

Nga Fitim Zekthi

Aq rende eshte nje pjese e militantizuar e shoqerise sone sa nuk le njeri qe mendon ndryshe pa share.

Kjo pjese e shoqerise arrin dhe shan dhe perdor fjalor mjeran edhe per njerez apo figura si kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen apo lidere te tjere europiane.

Njerez qe nuk kane aftesine te bejne dicka virtuoze ne jete, njerez me formim intelektual dhe moral te diskutueshem thone qe ” von der Leyen eshte servile sorosiane apo nje politikane kot dhe e deshtuar”.

Von der Leyen eshte nje politikane qe nuk ka asnje akuze per vjedhje e abuzime jo e jo, por per asgje. Nje fjale fyese apo te keqe, nje sjellje fyese apo vulgare nuk e ka bere kurre.

Ne gati 40 vite politike nuk ka share askend, nuk ka genjyer apo mashtruar asnjehere askend. Ajo ka shkelqyer ne London School of economics, ka shkelqyer ne Universitetin e Mjekesise se Hanoverit.

Ka qene ministre e Familjes dhe Punes, ka qene ministre e Mbrojtjes ne qeverite Merkel. Ka qene zevendes kryeyare e CDU-se.

Kur merrte pjese ne Nato si ministre e Mbrojtjes, shtypi i madh nderkombetar thoshte se ajo “ishte nje prani yllesore”.

Si kryetare Komisioni eshte po ashtu pa asnje kritike per asnje lloj abuzimi dhe menaxhon Komisionin ne nje situate shume delikate.

Tani ne, nje pjese e jona, qe brohoret dhe vdes per politikane si tonet qe jane nder me vulgaret, me te korruptuarit, nder me sharesit, me zullumqaret e botes del shan Von der Leyen.

Kur mori kuroren e Mbretit Charls-i ne Angli pas vdekjes se Elisabetes, nje ish- punonjes i Komisionit te Kthimit te Pronave, njeri qe jeton me ate qe beti te zyra dikur dhe duke luajtur skedina nga qytet i vogel i Shqiperise tha “Charls-i eshte debil komplet, eshte nje rr…..”.

Imagjino mbreti Charls eshte nje njeri me dije dhe kulture te thelle, njeri qe di Shekspirin permendesh, njeri ekumenik, njeri i perkushtuar ndaj dijes dhe te drejtes dhe del e quan debil ky.

The post Po me Ursula von der Leyen çfarë patët? first appeared on JavaNews.al.

Papa Françesku dha një mësim të madh edhe për politikën dhe krizën e sotme

27 April 2025 at 18:35

Nga Fitim Zekthi

Tërë bota e krishterë, por edhe shumë më tepër se sa ajo, përcolli Papa Françeskun për në botën tjetër.  Ai u shndërrua në një figurë shumë të dashur për njerëz të ndryshëm nga e tërë bota dhe nga të tëra besimet për të gjithë atë që solli në krye të Kishës Katolike dhe për të gjithë atë që ai vetë ishte. Koha në të cilën ai qëndroi në krye të Kishës Katolike ishte një prej kohëve më sfiduese për krishtërimin por edhe besimet e tjera në përgjithësi. Koha ishte sfiduese edhe për shkaqe që lidhen me krizat politike, gjeopolitike, ekonomike dhe sidomos kulturore.

Papa Françesku i cili u kthye tek Zoti të hënën e kaluar u përpoq në shumëçka të gjente më të mirën për kishën dhe njerëzit dhe në shumëçka arriti të bëjë ndryshime të rëndësishme. Mbi të gjitha, duke qenë se drejtoi në një kohë tmerrësisht sfiduese, ai vendosi një piketë shumë të lartë në lidhje me dhembshurinë dhe dashurinë për të dobëtin, për atë që vuan apo lëngon nga mjerimi dhe dhuna, që masakrohet nga bombardimi, që sakatohet nga shpërthimet apo raketat, apo mbytja në dete.  E keqja ka qenë përherë e pranishme në botë, në një masë të madhe. Këto kohë ajo duket më e përhapur me intensitet shumë të lartë dhe në forma nga më të ndryshmet. Lufta  barbare në Siri deri edhe në përdorim të gazit kimik, milionat e refugjatëve që kalojnë Mesdheun nga Afrika apo Turqia, mbytjet masive të fëmijëve, grave dhe të moshuarve, lufta në Ukrainë dhe krimet e atjeshme, lufta shkatërrimtare në Gaza me bombardime apokaliptike kundra një populli që privohet nga buka dhe  uji, paqëndrueshmëritë e mëdha politike dhe lindja e partive populiste me ngjyra radikale apo ekstremiste etj, ishin disa nga gjërat që ishin në zemër të shqetësimeve të papatit të Françeskut.

Ai i dha një mësim të madh botës por sidomos politikanëve që sillen si të djathtë dhe si besimtarë të devotshëm dhe që duan ta lidhin të qenit i djathtë dhe gjasmë besimtar i devotshëm me sovranizmin, me nacionalizmin dhe në një farë mënyre prodhojnë ksenofobi apo sjellje të tjera politike të udhëhequra nga fobira dhe emocione të tjera problematike. Papa Francesku ishte një mbrojtës i madh i emigrantëve, i atyre që kalojnë rreziqe të mëdha, male, lumenj apo dete. Një damar hibrid dhe i rrezikshëm që del nga e djathta ose thotë se është i djathtë duke përdorur besimin e krishtere thotë që duhet të jemi të dhembshur dhe të dashur në fillim me veten dhe familjen tonë, me vendin tonë dhe vetëm në fund mund të kemi dashuri për të tjerët. Në fillim të këtij viti zëvendëspresidenti amerikan J D Vance tha se “koncepti Kristian për dashurinë fillon me familjen, zgjerohet tek fqinjët dhe kombi dhe vetëm në fund ai arrin tek qeniet e tjera njerëzore. J D Vance iu referua asaj që njihet si “ordo amoris” dhe madje foli edhe si teolog kur tha që këtë gjë thotë edhe Gjoni 15: 12-13. Edhe Orban, Salvini apo Wilders kane po te njëjtin qëndrim. Papa reagoi ndaj kësaj. Ai kërkoi një kuptim të drejtë të ordo amoris të formuluar nga Shën Agustini. Papa me një gjest të mrekullueshëm i dërgoi një letër peshkopëve katolikë në SHBA ku u kërkoi që ta shihnin dashurinë kristiane, ta shihni ordo amoris, jo si “një zgjerim koncentrik të interesave që pak nga pak zgjerohet tek njerëzit apo grupet e tjera. Ordo amoris e vërtetë kuptohet duke parë dhe duke kuptuar, duke zbuluar dhe duke medituar mbi Samaritanin e mirë.” Papa vetë por edhe kardinali Parolin të cilin papa e dërgoi pak para se të ikte nga kjo botë në takim me Vance pikërisht për të shpjeguar këtë gjë kishte mendimin se “personi njerëzor nuk është thjesht një individ, relativisht i zgjerueshëm ndaj të tjerëve, që ka disa ndjenja bamirësie. Është shumë më tepër. Papa tha që individi njerëzor, ne konceptin kristian, duhet te jete një Samaritan i mirë.

Tek Samaritani i mirë, një ekspert i ligjit pyet Jezusin “çfarë duhet të bëjë që të arrijë jetën e përjetshme”? Jezusi e pyeti se çfarë thotë ligji? Eksperti i tha që ligji thotë “duaje Zoitin me gjithë zemër, shpirt dhe mendje dhe duaje fqinjin siç do veten. Jezusi i tha “saktë, bëj këtë dhe do të fitosh”. Eksperti e pyeti Jezusin dhe “cili është fqinji im?”, Jezusi iu përgjigj: “një njeri po shkonte për në Jeruzalem. Disa grabitës e rrahin keq, e vjedhin dhe e hedhin anash rrugës gati të vdekur. Kalon një prift, e sheh të plagosurin, shmanget, ikën. Kalon një levit (një punonjës i tempullit), e sheh të plagosurin, shmanget, ikën. Kalon një samaritan (banor i zakonshëm i Samarias, Bregut Perëndimor) e ngre, e mjekon me ç’të mundet, e ngushëllon dhe e dërgon në krahë në shtëpi… Cili mendon se është fqinji i njeriut të plagosur?” Samaritani, ai është fqinji tha Jezusi. Nuk është as prifti, as leviti.

Këtë gjë tha papa Françesku ne letrën për peshkopët si reagim ndaj qëndrimeve të këtyre soj politikanësh. Me këtë mesazh ai iu tha nacionalistëve dhe sovranistëve, kësaj kategorie të çuditshme politike që përzien gjëra të papërzishme, që duan të mbështeten për idetë e tyre tek mësimet e Krishtërimit, që duan të legjitimojnë mbytjet apo përzëniet e emigrantëve me “ordo amoris”, që duan të justifikojnë bombardimet e fëmijëve dhe të pafajshmëve me mësime nga krishtërimi se janë krejtësisht gabim. Papa Françesku ngaqë kishte këtë kuptim për “konceptin e krishterë mbi dashurinë, ngaqë kishte kuptimin që vjen nga Samaritani i mirë ishte një piketë shumë e lartë e botës. Zoti e pastë në mbrojtje dhe do Zoti vjen një papë po me këtë dashuri për të dobëtit, të dhunuarit, të bombarduarit, të dënuarit me uri, të skamurit etj.

The post Papa Françesku dha një mësim të madh edhe për politikën dhe krizën e sotme first appeared on JavaNews.al.

❌
❌