Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 June 2026Java News

Elektorati violet, blu etj, dhe gri

19 June 2026 at 10:48

Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 1 milion banorë të rritur të vendit do të kishin votuar, nga 1.9 milionë gjithsej – kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe nga 1 milion që do të votonin, rreth 670 mijë do t’ia jepnin votat PS-së, përkundër rreth 330 mijëve që do t’ia jepnin partive të tjera ekzistuese (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun e mëposhtëm).

Segmenti violet në grafikun e mësipërm përfaqësohet aktualisht në Kuvend nga 82 deputetë (se 1 i iku te kecat). Segmenti blu etj. përfaqësohet nga 54 deputetë. Ndërsa 3 deputetë përfaqësojnë segmentin autonom socialdemokrat (i papërfshirë në grafikun e mësipërm).

Po segmenti gri ku përfaqësohet?

Për sa kohë parrulla kryesore e protestave në bulevardin e Tiranës është “Rama n’burg – Berisha n’burg!”, segementi gri mund ta ndjejë veten të përfaqësuar nga to. Por ky është një përfaqësim shumë kaotik…

Në podiumin e protestave (të improvizuar me një shkallë bojaxhinjsh), dikush me borsalino në kokë deklaron se “lufta do gjak”. Dikush tjetër deklaron se duhet të ringjallim Lidhjen e Dytë të Prizerenit (që funksionoi vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore). Dikush tjetër qan hallin e kecave të tij që kanë mbetur pa ujë në një fshat të largët malor, etj. etj. etj. etj.

Ndërkohë, përrreth protestës, një listë personazhesh të njohur e të panjohur për publikun ka shpallur një peticion politik. Një listë “akademikësh” në emigracion ka shpallur një thirrje mbarëkombëtare. Një listë OJQ-istash kanë bërë kërkesë në KQZ për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Dhe protestat vazhdojnë të organizohen nga një treshe me origjinë nga Rrjolli, Kukësi e Lezha, të cilët marrin leje zyrtare në polici.

Me pak fjalë, nuk duken shenja tymi të bardhë përfaqësimi konkret për 900 mijët që nuk duan të votojnë asnjë nga partitë ekzistuese…

Before yesterdayJava News

E vërteta e numrave të protestës që (nuk) bëjnë cilësinë

18 June 2026 at 16:56

Nga Eduard Zaloshnja

Jo pak shqiptarë mund të kenë vënë bast mental (ose konkret) se protestat që morën shkas nga përplasja e dhunshme e disa rojeve private me disa protestues në Zvërnec, nuk do të zgjasnin shumë në bulevardin e Tiranës. Por pas 18 ditësh, protestat e kanë fituar bastin – ato vazhdojnë…

Bazuar në shuarjen graduale të protestave periodike berishiane, që filluan me shumë pjesëmarrës në janar e që përfunduan me vetëm një mijë protestues më 11 maj, si dhe në afrimin e Kampionatit Botëror e të sezonit të plazhit, ata që vunë bast për shuarjen e protestave aktuale nuk mund tëparagjykohen – tek e fundit, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë tonë që18 ditë rresht të protestonin shumë njerëz në bulevard.

Duke e quajtur të mbyllur bastin e vazhdimësisë, le të diskutojmë për madhësinë e protestave.

Sipas Sali Berishës, numri maksimal i protestuesve ka qenë 200 mijë. Sipas senatorit neomarksist amerikan Bernie Sanders, ka qenë 100 mijë. Sipas Edi Ramës ka qenë 8 mijë.

Nuk do t’i futem analizave numerike të fotove të marra me dron nga lart, apo të sondazheve që kam kryer, por thjesht do të diskutoj më poshtëbazuar në shikimin vizual që u kam bërëprotestave nga afër pas perëndimit të diellit (kur vapa bie).

Në shumicën dërrmuese të tyre, protestuesit kanë qenë të grumbulluar nga shkallët e kryeministrisë deri te fundi i Kullës Binjake veriore. Vetëm më 10 qershor, trupa e protestës arriti deri tek fillimi i ish-Hotel Dajtit.

Kuptohet që protestuesit asnjëherë nuk kanë qenë të ngjeshur 4 në 1 metër katror në gjatësinë e trupës së protestës – imagjinoni 4 veta të ngjeshur si sardele në një ashensor 1 metër katror! Por me atë dendësi mesatare që kanë patur, po ta kishin mbushur bulevardin nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut, do të arrinin numrin 85 mijë. Dhe në qoftë se 85 mijëprotestues do të qëndronin atje ditë e natë,ndoshta do ta kishin realizuar objektivin e tyre kryesor – dorëheqjen e Ramës.

Kaq për anën sasiore të protestave aktuale.

Për anën cilësore të protestave, thjesht dëgjoni fjalimet e atyre që kapin mikrofonin çdo 3 minuta në podiumin e improvizuar të protestës…

Vetëm 1 milion do të votonin në Shqipëri të dielën

17 June 2026 at 17:38

Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 52.6% e banorëve të rritur të vendit do të kishin votuar. Kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe meqë kampioni i sondazhit i përfaqësonte 1.9 milionë banorët e rritur demografikisht, gjeografikisht dhe politikisht, mund të ekstrapolohet me afërsi se vetëm 1 milionë prej tyre do të kishin votuar (52.6% e 1.9 milionë).

Nga 1 milion që ishin gati të votonin të djelën, rreth 670 mijë ia jepnin votën PS-së dhe rreth 330 mijë partive të tjera (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun 1).

Për krahasim, vjet më 11 maj, votuan në Shqipëri për PS-në rreth 765 mijë banorë të rritur (rreth 30 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme prej fletëvotimeve si fleta gazetash). Për partitë e tjera të sipërcituara votuan rreth 700 mijë (rreth 27 mijëve u rezultuan votat e pavlefshme). Kurse rreth 435 mijë nuk votuan fare (shihni grafikun 2).

Parti RiBi?

16 June 2026 at 08:40

 Nga Eduard Zaloshnja

Seria më e gjatë e protestave të përditshme në Tiranë ka qenë ajo e partisë së Lapajt – zgjati plot 151 ditë. Por filloi me 100 protestues dhe përfundoi me vetëm 1 – Lapajn të ulur në karrige para Kryeministrisë.
Seria aktuale e protestave të përdistshme në Tiranë ka zgjatuar 16 ditë, dhe nuk mbledh vetëm 100 protestues (si ajo e Lapajt), por disa mijëra.
Në fillim kjo aktualja nisi si protestë në mbrojtje të flamingove, që do t’i zhdukte nga Zvërneci Ivanka Tramp & Jared Kushner (dhe që vetëm të apasionuarit pas zogjve i kishin parë në Zvërnec). Por më pas u kthye në një protestë kundër Ramës dhe Berishës, kur thirrjet kryesore të protestuesve u bënë “Rama n’burg – Berisha n’burg”.
Aktualisht kjo thirrja jakobine me n’burg është zbutur, duke u kthyer në thirrjen më të civilizuar “Rama ik – Berisha ik”. Dhe pavarësisht se këtë thirrje e bëjnë pak mijra protestues në bulevardin e Tiranës, ajo rezonon tek rreth 37% e banorëve të rritur të vendit.
Shifra 37% nuk është një shifër e shpikur në hava – më rezulton nga sondazhi që realizova të shtunën, sipas të cilit, 37% e të anketuarve nuk kishin opinion pozitiv as për Ramën e as për Berishën.
Një parti RiBi (Rama ik – Berisha ik), në qoftë se krijohet, do të kishte një rezervuar të madh elektoral në dispozicion. Dhe në qoftë se do të arrinte ta thithte këtë elektorat, do të rezultonte partia e dytë në vend, sepse Berishën vetëm 18.9% e simpatizojnë (shihni grafikun e mëposhtëm).

Por nuk është aq kollaj që nga një protestë të krijohet një parti e sukseshme, kur protesta ka shumë këmbë dhe shumë koka…
Gjatë fjalës kur qytetarët po grumbulloheshin dje në sheshin ‘Skënderbej’, aktivisti Alben Kola bëri publike emrat e nismëtarëve të protestës. “3 personat nismëtarë që njihemi me letra nga policia: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Alben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha”, deklaroi aktivisti. Dhe në fakt këta të tre janë parë së fundmi të kontrollojnë mikrofonin në foltoren e protestave para Kryeministrisë.
Kurse para tre ditësh, qarkulloi në portale një peticion për krjimin e një qeverie teknike, me një listë të gjatë emrash të njohur e të panjohur – që kryesohej nga Fatos Lubonja, Dashamir Shehi dhe Armir Shkurti.
Dhe pyetja është a do të krijohet një parti RiBi nga organizatorët Kokaj-Kola-Lleshi, apo nga kryepeticionerët Lubonja-Shehi-Shkurti? Por deri më sot, as që nuk është ravijëzuar ndonjë hije e partisë që shumë e presin të krijohet…
Sidoqoftë, edhe në qoftë se ajo krijohet si një shartim i pak të njohurve Kokaj-Kola-Lleshi me shumë të njohurit Lubonja-Shehi-Shkurti, partia e re do të ketë një malore shumë të fortë përpara. Sepse 37% e shqiptarëve që janë edhe kundër Ramës edhe kundër Berishës kanë parë deri më sot të kenë lindur shumë parti, e më pas të jenë shuar.
Dhe Kokaj-Kola-Lleshi-Lubonja-Shehi-Shkurti nuk kanë dhënë ndonjë shkëndijë deri më sot se do të krijojnë një parti të re, që të paktën të konkurojë me partinë e Berishës…

Kë përkrahin shqiptarët përveç kombëtares sonë

15 June 2026 at 09:39

Nga Eduard Zaloshnja

Nuk vlen të pyetet në ndonjë sondazh nëse shqiptarët përkrahin kombëtaren tonë të futbollit. As për përfaqësuesen e futbollit të Kosovës nuk vlen të pyetet (edhe pse ajo nuk është kombëtare). Por në një sondazh rigoroz që drejtova në terren kohët e fundit nga Vermoshi në Konispol, bëra ndër të tjera edhe pyetjen “Cilën kombëtare përkrahni në futboll, përveç kombëtares sonë?”

Kombëtaren e Italisë e përkrahin rreth 30% e banorëve të rritur në Shqipëri, pavarësisht se ajo nuk arriti të shkonte në Botërorin që po fillon. Meqë Shqipëria ka 1.9 milionë banorë të rritur, i bie që rreth 570 mijë përkrahin Italinë, përveç Shqipërisë (shihni tabelën e mëopshtme).

E dyta renditet Gjermania me 12% ose rreth 228 mijë banorë të rritur, dhe pastaj vazhdojnë më poshtë Brazili, Anglia, Spanja, Hollanda dhe Argjentina. Ndërkohë, 27% ose 513 mijë nuk parkrahin asnjë nga kombëtaret e huaja të futbollit.

Vetëm 1.2% në protesta, vetëm 18.9% opinion pozitiv për Berishën

14 June 2026 at 09:19

Nga Eduard Zaloshnja

Në një sondazh që zhvillova gjatë së shtunës, 1382 banorë të rritur të vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes një linku me SMS krejt të rastësishme në të gjithë Shqipërinë, nga Vermoshi në Konispol. Kampioni u kolaudua statistikisht, që t’i përfaqësonte sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht.

Pyetja e parë në sondazh ishte: “A keni marrë pjesë në të paktën një nga protestat që janë zhvilluar dy javët e fundit në Shqipëri?”.

Vetëm 1.2% e të anketuarve u përgjigjën “Po”. Dhe meqë kampioni përfaqësonte statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me përafërsi se rreth 23 mijë banorë të rritur të vendit kanë shkuar në të paktën një nga protestestat që janë zhvilluar dy javët e fundit në Shqipëri (1.2% e 1.9 milionë banorëve të rritur).

Pyetja e dytë në sondazh ishte “Për cilin nga dy politikanët kryesorë keni opinionin MË pozitiv?”

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, vetëm 18.9% e të anketuarve zgjodhën Berishën. Ndërkohë, 44.1% zgjodhën Ramën, kurse 37% zgjodhën opsionin “Asnjë nga të dy”.
Meqë kampioni përfaqësonte statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me përafërsi se vetëm 360 mijë banorë të rritur të vendit kanë aktualisht opinion pozitiv për Berishën (18.9% e 1.9 milionë banorëve të rritur). Pra ai ka aktualisht simpatizantë rreth 140 mijë më pak se sa votuan vjet këtu për Aleancën për Shqipërinë Madhështore (ku përfshiheshin përveç PD-së, edhe parti të tjera si PL, PR, PDIU, PBDNJ, PAA etj.).

Një tjetër pyetje në sondazh (përveç atyre demografike, gjeografike dhe elektorale) ishte edhe: “A mendoni se do të bjerë qeveria Rama prej protestave aktuale?”

Rreth 33.3% e të anketuarve anonin nga përgjigjia “Po”, 60.2% nga përgjigjia “Jo”, dhe 6.5% ishin të dyzuar. Duke i analizuar në mënyrë individuale të anketuarit, rezulton se jo pak nga ata që nuk simpatizojnë as Ramën e as Berishën, nuk shpresojnë se do të bjerë qeveria nga protestat aktuale. Madje edhe disa nga simpatizantët e Berishës nuk kanë shpresë për këtë gjë…

Nga flamingot, te Rama-Berisha n’burg…

11 June 2026 at 12:36

Nga Eduard Zaloshnja

Mediat perëndimore e kanë etiketuar serinë e protestave të 11 ditëve të fundit në Shqipëri si “Revolucioni i Flamingove”. Kjo, nisur nga shumë pankarta në formën e flamingove që u shfaqën në protestat e para kundër investimit turistik në Zvërnec. Dhe sipas titujve të tyre, shqiptarët po protestonin kundër investimit të Ivanka Trumpit…

Nga dita në ditë, kjo narrativë e mediave perëndimore ka rënë poshtë katërcipërisht. Thirrja më e shpeshtë në protestat e fundit ka qenë “Rama n’burg, Berisha n’burg!”. Ndërsa pankartat në formën e flamingove pothuaj janë zhdukur, dhe për to nuk po flasin më ata që marrin mikrofonin në protesta – aq më pak për Ivanka Trumpin.

Mund të kenë shumë arsye për të protestuar ata që kanë dalë në protesta, por emëruesi i përbashkët është që janë të pakënaqur me dy liderat që kanë dominuar politikën në 35 vjetët e fundit (ca militantë berishistë duan vetëm Ramën n’burg, por ata dalin jashtë këtij emëruesi).

Bashkëpuntori im komjuterik i sondazheve tentoi të realizonte një sondazh live gjatë protestës, përmes shpërndarjes së linkut të pyetësorit me Blue Tooth dhe Air Drop, por realizimi rezultoi teknikisht i pamundur. Në pyetësor ishin renditur 10 arsye të ndryshme për pjesëmarrjen në protestë, të cilat mund të na jepnin një panoramë të motiveve të protestuesve. Sidoqoftë thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg!” është shumë domethënëse.

Në fakt, nga një sondazh që zhvillova të dielën, më rezultoi se rreth 35% e të anketuarve nuk kishin opinion pozitiv as për Ramën e as për Berishën. Por sidoqoftë, vetëm 1% e të anketuarve kishin marrë pjesë në të paktën një protestë. Dhe ç’është më dëshpëruese, atyre u mungon një grup udhëheqës, që t’a përkthejë thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg!” në një platormë konkrete politike…

Vetëm shqiptarë në protestë, por Irani, Greqia…

10 June 2026 at 12:38

Nga Eduard Zaloshnja

Nga ç’është parë deri më sot në dhjetra ekrane televizive, dhe nga komente që bëjnë pjesëmarrësit e protestave me shkas Zvërnecin, mund të thuhet pa frikë se protestuesit nuk janë iranianë, grekë, serbë apo rusë të maskuar si shqiptarë. Në protestë ka vetëm shqiptarë, përveç ndonjë turisti perëndimor që ka rastisur aty pari.

Po sa shqiptarë kanë marrë pjesë në protestat që filluan para 11 ditësh në Zvërrnec, ku u tërhoq zvarrë një protestues, tërheqja e të cilit shërbeu si shkëndijë për përhapjen e tyre në Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër, etj?

Nga sondazhi i fundit që bëra të dielën për ‘Zërin e Shqiptarëve’ rezultoi se 1% kishin marrë pjesë të paktën një herë në protestë (si protestues ose si sehirxhinj). Meqë popullsia e rritur e vendit është 1.9 milionë, i bie që rreth 19 mijë banorë të rritur kanë marrë pjesë të paktën një herë në protestat e ndryshme që janë zhvilluar pas ngjarjes së Zvërnecit.

Po çfarë mendojnë ata që janë Pro investimit të parashikuar në Zvërnec?

Nga sondazhi i sipërcituar rezultoi se 52.7% janë Pro investimit të parashikuar në Zvërnec. Meqë popullsia e rritur e vendit është 1.9 milionë, i bie që rreth 1 milionë banorë të rritur janë Pro investimit në Zvërnec. Dhe 42.5% e këtyre mendojnë se Irani i ka nxitur protestat në prapaskenë. Ndërsa 31.2% mendojnë se Greqia është në prapaskenë, 15.5% Soros, dhe 10.8% segmente brenda PS-së (shihni grafikun e mëposhtëm)

Përballja Albini-Vjosa

8 June 2026 at 11:14

Nga Eduard Zaloshnja

Përsëritja e zgjedhjeve kuvendore në Kosovë (për të disatën herë) kishte në thelb përplasjen e fortë të Albin Kurtit (Kryeministër i Kosovës) me Vjosa Osmanin (Presidente e Kosovës). Kjo e fundit, e përkrahur publikisht nga Presidenti Trump, ngjalli siç duket xhelozinë e Albinit, dhe ky nuk e kandidoi më për presidente (megjithëse ajo kishte qenë vendimtare në zgjedhjet që dikur e bënë Albinin kryeministër).

Pas asaj përplasje, Kuvendi i Kosovës nuk zgjodhi dot një president të ri, e për rrjedhojë, u kalua automatikisht në zgjedhjet e parakohëshme të djeshme. Ndërkohë, Vjosa u rikthye në shtëpinë e saj origjinale politike – LDK.

Kokëfortësia e Albinit për të mos rizgjedhur Vjosën presidente, dukej se bazohej në besimin e tij se do të merrte në zgjedhjet e 7 qershorit më shumë vota se më 28 dhjetor. Gjë që do t’ia lehtësonte vendosjen në presidencë të një të besuari të tij.

Por ç’na tregojnë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të djeshme?

Vetvendosja e Kurtit ka marrë 42.9% të votave, nga 51.1% që mori në dhjetor. Pra nga 57 mandate kuvendore që siguroi në dhjetor, tani mund të zbresë nën 49. Gjë që mund t’i vërë në pikëpyetje edhe postin e kryeministrit (në qoftë se partitë opozitare nxjerrin një kandidat të përbashkët për kryeministër).

Nga ana tjetër, rikthimi i Vjosës në LDK krijoi një sfidë të drejtpërdrejtë për Albinin. Në qoftë se LDK-ja do të dilte partia e parë opozitare, do të kishte të drejtën legjitime t’u kërkonte partive të tjera ta mbështesnin Vjosën për kryeministre.

Po LDK-ja siguroi vetëm 17.6% të votave gjithsej (sipas rezultateve paraprake), pavarësisht rezultatit të mirë në Komunën e Prishtinës. Ndërkohë, PDK-ja ka marrë 21.1% të votave në gjithë Kosovën. Në këto kushte, është e vështirë që Vjosa të mbështetet nga një parti më e madhe opozitare se sa partia e saj.

A do të arrijnë partitë opozitare të dalin me një kandidaturë kryeministrore të mbështetur nga të gjithë opozitarët në Kuvendin e Kosovës? Mbetet për t’u parë…

Goxha më shumë se në protestat e Berishës, por…

5 June 2026 at 09:10

Nga Eduard Zaloshnja

Krahasova një foto nga lart të protestës së mbrëmshme me foton e protestës së fundit të thirrur nga Berisha më 9 maj. Dhe nga krahsimi i fotove duket qartë se aktualisht ka goxha më shumë pjesëmarrës se në protestat e Berishës (SHIHNI FOTOT E MËPOSHTME).

Po le ta lëmë për një çast mënjanë Berishën (që nuk mledh më dot protestues si dikur), dhe të fokusohemi te protestuesit aktualë. Ka aty antisemitistë (që e portretizojnë Ramën si çifut me gërsheta kaçurrela), si armik të ambjetit (që don të zhdukë pelikanin kaçurrel), si laké të familjes Trump, si dashnor të Berishës etj, etj, por nuk ka molotovë. Sidoqoftë, turma fillon te shkallët e Kryeministrisë dhe mbaron te Kullat Binjake – nuk fillon tek Universiteti dhe mbaron te Monumenti i Skënderbeut…

Po çfarë na tregon historia botërore për protestat paqësore të suksesshme?

Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore ditë e natë (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Dhe në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua…

Në vitin 2003, qindra mijra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.

Pas disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.

Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra mijrave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sillin ndryshime të rëndësishme.

Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Dhe rezultat e një studimi shkencor të Profesores Erica Chenoweth, të Universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat jo të dhunëshme s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.

Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive ditë e natë në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj.

Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.

E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës. (Në analizën e saj të gjerë, ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja.) Profesorja Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bomba, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.

Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46%.

Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit

Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Profesores Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive ditë e natë në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.

Studimi i Profesores Chenoweth tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.
SHËNIM I RËNDËSISHËM: 3.5% e popullsisë në Shqipëri është rreth 82 mijë banorë. Po të dilnin kaq në bulevard, ai do të mbushej plot nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut…

Screenshot
Screenshot

Të rinjtë, më në qendër ideologjikisht dhe elektoralisht

4 June 2026 at 10:05

Nga Eduard Zaloshnja

Në prill drejtova një vrojtim statistikor në terren mbi vetidentifikimin ideologjik dhe bindjet/vlerat e banorëve të rritur të Shqipërisë. Studimi u financua nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS)* dhe u bazua në një kampion të rastësishëm dhe të shtresëzuar gjeografikisht prej 1119 të rriturish në të 12 qarqet, duke siguruar përfaqësim demografik, gjeografik dhe politik me një marzh gabimi statistikor nën 2.9%.

Ndër pyetjet e shumta në pyetësor, kishte edhe pyetje për moshën, mënyrën e votimit vjet dhe vetidentifikimit ideologjik (pavarësisht mënyrës së votimit). Duke kryqëzuar përgjigjet për këto pyetje, llogarita se sa të anketuar të çdo grupmoshe votuan ose nuk votuan vjet, apo për kë votuan ata që morën pjesë në zgjedhje. Gjithashtu llogarita edhe vetidentifikimin ideologjik sipas çdo grupmoshe.

Dhe meqë kampioni i vrojtimit përfaqësonte statistikisht të gjithë popullsinë e rritur të vendit, rezultatet japin një pasqyrë të përafërt të elektoratit në Shqipëri.
Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor, rezultoi se rreth 48% e të rinjve 18-34 vjeç nuk votuan fare vjet, ose votuan për parti të vogla. Nga ana tjetër, vetëm 24% e moshave 65 vjeç e sipër s’votuan fare ose votuan për parti të vogla. Siç duket qartë në Tabelën 1, sa më e madhe mosha, aq më i vogël ka qenë vjet numri i mosvotuesve apo votuesve të partive të vogla.

Screenshot

Pyetjes sesi e konsiderojnë veten ideologjikisht (pavarsisht mënyrës së votimit), 40% e të rinjve iu përgjigjën ‘të qendrës’. Nga ana tjetër, vetëm 19% e moshave 65 vjeç e sipër e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht. Siç duket qartë në Tabelën 2, sa më e madhe mosha, aq më i vogël është numri i atyre që e konsiderojnë veten të qendrës ideologjikisht.

Screenshot

*Studimin mund ta lexoni të plotë në faqen e KAS: https://www.kas.de/en/web/albanien/single-title/-/content/statistische-studie-zur-ideologischen-identitaet-in-albanien

Rrumpalla e pronësisë së tokës: Ligji 7501 apo Berisha-92?

2 June 2026 at 09:51

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit – fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.

Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të intersuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).

Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (të gjitha urbane).

Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të asaj qeverie (imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu shpërnda anëtarëve të tyre.

Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!

Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.

Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:

• Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

• Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, kur nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zënë, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

• I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).

• Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.

Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli.

Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…

Sesi janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.

Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të vendit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…

“Leku i Ramës”, “Leku i Enverit”, “Leku i Zogut”

31 May 2026 at 12:03

Vjet u futën në Shqipëri rreth 12.5 milionë vizitorë me pasaporta të huaja. Këtë vit priten rreth 13 milionë. Ç’heqin të shkretët me çmimet, që diku kuotohen me “lekë të rinj”, e diku me “lekë të vjetër”…

Nga Eduard Zaloshnja

Më 1926, kur në krye të vendit ishe Ahmet Zogu, doli në qarkullim monedha e parë shqiptare, e quajtur Lek. Atëherë, 100 lekë shkëmbeheshin me 1 napolon flori.
Më 1964, kur në krye të vendit ishe Enver Hoxha, doli në qarkullim leku i ri, në raport 1:10 me lekun e vjetër.

Tani që kanë kaluar 62 vjet nga koha kur leku i ri zëvendësoi të vjetrin (dhe në krye të vendit është 62-vjeçari Rama), ndoshta ka ardhur dita që të dalë në qarkullim një lek fringo i ri. Dhe kjo jo thjesht për të eliminuar konfuzionin e të huajve/diasporës me dyzimin e çuditshëm të lekëve të rinj e të vjetër – arsyeja kryesore për nxjerjen në qarkullim të një leku fringo të ri do të ishte futja e lekëve jashtëbankarë brenda sistemit bankar.

Sipas të dhënave në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, rreth 40% e të gjithë lekëve që qarkullojnë në ekonominë tonë ndodheshin në fund të vitit 2025 jashtë sistemit bankar. Në këto kushte, emetimi i lekëve fringo të rinj do të ishte një mjet efikas për të futur në banka pjesën dërrmuese të kartmonedhave shqiptare që qarkullojnë jashtë tyre.

Për t’u realizuar ky synim, mund të caktohet një datë, brenda së cilës të gjithë lekët që janë në qarkullim duhet të paraqiten për këmbim me lekët fringo të rinj, sipas një kursi zyrtar – le te themi 1 me 95 (sa ç’është kursi aktual i Euros me Lekun).

Për shuma mbi një kufi të caktuar, bankat mund të detyrohen me ligj që të hapin depozita për klientët që sjellin lekët aktualë për shkëmbim. Ndërsa për shuma nën atë kufi, mund të japin lekë fringo të rinj (në qoftë se klienti i do në dorë). Në këtë mënyrë, të gjitha lekët, të pastër e të pistë, nga janë e nga s’janë, do të detyrohen të kalojnë nëpër sistemin bankar. Dhe një pjesë e mirë e tyre patjetë që do të mbesin në të.

A do të justifikohej kostoja e prodhimit të kartomonedhave dhe monedhave të reja? Kësaj pyetje vlen t’i përgjigjen specialistët e Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë.

A do të ishte një hap i ndërmjetëm i kalimit gradual drejt adoptimit të Euros si monedhë kombetare në prag të antarësimit në BE? Patjetër, sepse shkëmbimi i “Lekëve të Enverit” me “Lekët e Ramës” do të bazohej në kursin aktual të Euros.

A do të shërbente si një masë për zbutjen e inflacionit? Patjetër, sepse kursi i ndërrimit do të jetë 1:95 dhe jo 1:100.

Sa për shqiptatarët e thjeshtë, dhe sidomos për turistët e huaj dhe vizitorët nga diaspora, varrosja përfundimtare e fjalëve “lekë të rinj” e “lekë të vjetër” do të ishte mëse e mirëpritur…

Mbi 70% me origjinë famijare myslimane, por vetëm 12% parktikantë të kësaj feje

28 May 2026 at 08:57

Nga Eduard Zaloshnja

Në bashkëpunim me shkrimtarin/studiuesin e mirënjohur Bashkim Shehu kryem vjet  studimin më të thellë për nivelin e besimit fetar në Shqipëri, mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS). Studimi u bazua në anketimin e 820 banorëve 18 vjeç e sipër, të intervistuar nga 30 anketues profesionistë të shpërndarë proporcionalisht në të gjithë vendin (studimin mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtë link: https://www.kas.de/sq/web/albanien/titujt/-/content/studim-statistikor-mbi-besimin-fetar-ne-shqiperi-1)

Rezultatet kryesore të studimit:

  • 59% e të anketuarve deklaruan se, bazuar në bindjet personale (pavarësisht nga prejardhja familjare), besojnë plotësisht në ndonjë fe të caktuar. Ndërkaq, 56% e të anketuarve besojnë në fenë e origjinës familjare (shihni në tabelën më poshtë përqindjet për secilën fe).
  • 21.7% e të anketuarve deklaruan se shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj.
  • Vetëm 6.8% e të anketuarve mund të konsiderohen thellësisht besimtarë të fesë që deklarojnë se besojnë, përcaktuar nga përgjigjet pozitive për të gjitha pyetjet në vijim: shkojnë të paktën një herë në javë në kishë/xhami/teqe/etj.; mendojnë se gjërat në botë ndodhin nga vullneti i Zotit; mendojnë se njeriu është krijesë e Zotit; mendojnë se, me vdekjen e njeriut, shpirti i tij vazhdon të jetojë në botën e përtejme; mendojnë se, në varësi të të mirave apo të këqijave që bën njeriu në jetë, shpirti i tij mund të shkojë në Parajsë ose në Ferr.
  • Të anketuarit që rregullisht agjërojnë/mbajnë kreshmë përbëjnë 22.2% të numrit të përgjithshëm.
  • Brezi i vjetër (65 vjeç e sipër), i cili e ka përjetuar periudhën para se të ndalohej feja, ka përqindjen më të lartë të atyre që shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj (23.5%), ndërsa brezi i mesëm (40-64 vjeç), i cili u formua gjatë asaj periudhe, ka përqindjen më të ulët (19%).
  • Pothuaj gjysma e atyre që nuk besojnë në asnjë fe të caktuar shkojnë, megjithatë, në kishë/xhami/teqe/etj. me shpresën se një gjë e tillë mund t’i ndihmojë për problemet e tyre jetësore/shëndetësore, dhe mbi gjysma e jofetarëve që shkojnë në kishë/xhami/teqe/etj. deklarojnë se ekzistojnë raste kur kjo i ka ndihmuar ata ose të njohur të tyre.
  • Pothuaj 40% e të anktetuarve kanë kryer ose dinë që prindërit apo gjyshërit e tyre kanë vazhduar të kryejnë fshehurazi rite fetare në periudhën kur kjo dënohej penalisht.
  • 79% e të anketuarve deklaruan se nuk e kanë problem që një pjesëtar i familjes (përfshirë dhe veten) të martohet apo të bashkëjetojë me dikë nga një familje me prejardhje fetare të ndryshme; një martesë/bashkëjetesë të tillë kanë realisht 21.6% e të anketuarve të martuar/bashkëjetues.
  • Vetëm 75% e të anketuarve besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse baballarët e tyre dhe 72% sikurse nënat e tyre. Ndër të martuarit/bashkëjetuesit, vetëm 69% besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse bashkëshortët/bashkëjetuesit e tyre.
  • Gjasat e dikujt me nënë që beson/te në ndonjë fe të caktuar janë 6.27 herë më të mëdha se të dikujt me nënë që nuk beson/te në asnjë fe të caktuar, kur të gjitha karakteristikat e tjera i kanë të njëjta. Në rastin e babait, ky koeficient është më i ulët: 4.2.

Konkluzionet kryesore të studimit:

  • Besimi fetar vazhdon të jetë mjaft i përhapur në Shqipëri, me një përqindje besimtarësh përafërsisht sa ajo e Europës Perëndimore.
  • Numri i atyre që mund të konsiderohen thellësisht besimtarë është relativisht i vogël, krahasuar me numrin e përgjithshëm të besimtarëve, gjë që vërehet sot edhe në ndonjë vend europian me histori diametralisht të kundërt në raportin e shtetit me fenë.
  • Ateizmi shtetëror jo vetëm që nuk e arriti qëllimin e çrrënjosjes së fesë, po edhe nuk solli ndonjë ndryshim të madh në këtë drejtim. Besimi fetar, me sa duket, është një nga shtresat më refraktare të botës së brendshme të njeriut përballë dhunës politike.

Krahasimi i përgjigjeve për dy nga pyetjet më të rëndësishme ndër 60 që ishin gjithsej në pyetësor:

Mandatet parlamentare, nëse do të votohej sot

26 May 2026 at 08:58

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhin tim të fundit për ‘Zërin e Shqiptarëve’, 1195 banorë të rritur të vendit e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes një linku me SMS krejt të rastësishme në të gjithë Shqipërinë. Kampioni u kolaudua statistikisht, që t’i përfaqësonte sa më afërsisht 1.9 milionë banorët e rritur të vendit gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht (me marzh gabimi statistikor +/-2.8%).

Nga përgjigjet e të anketuarve, mund të ekstrapolohet me përafërsi se sa dhe si do të votonin në Shqipëri, nëse do të ishin zhvilluar zgjedhje parlamentare (meqë kampioni përfaqëson statitistikisht popullsinë e rritur të vendit).

Kështu, nga rreth 1.9 milionë banorë të rritur që ka vendi, rreth 0.89 milion nuk do të votonin fare sot. Rreth 1/9 e mos-votuesve të sotëm votuan vjet për PS-në, rreth 2/9 votuan për PD-ASHM, rreth 2/9 votuan për partitë e tjera të vogla, dhe 4/9 nuk votuan as vjet.

Po 1 milion e ca banorët e rritur që janë gati të votojnë sot, kujt ia japin votën? Rreth 673 mijë do të votonin për PS-në, rreth 325 mijë për PD-ASHM, dhe rreth 14 mijë për partitë e tjera të vogla (shihni grafikun e mëposhtëm).

Në qoftë se do të kishim një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, do të ishte relativisht e lehtë të llogaritej shpërndarja e mandateve parlamentare bazuar në votat e mësipërme. Për këtë do të mjaftonte të shtoheshin votat nga emigracioni (duke presupozuar të njëjtën shpërndarje të tyre si vjet), dhe 140 mandatet e Kuvendit mund t’u shpërndaheshin përpjestimisht dy subjekteve kryesore elektorale (partitë e vogla nuk do të arrinin të merrnin mandat në nivel kombëtar). Konkretisht, PS do të merrte 94 mandate dhe PD-ASHM 46mandate. Duke faktorizuar marzhin e gabimit statistikor të sondazhit, do të kishim 94 +/- 2 mandate për PS-në, dhe 46 +/- 2 mandate për PD-ASHM.

Por në fakt ne kemi në fuqi një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin qark kemi një garë më vete mes partive. Për të llogaritur mandatet në çdo qark, në fakt, duhet nga një sondazh më vete për secilin prej tyre. Sidoqoftë, duke përcaktuar qarkun e secilit të anketuar në sondazhin tonë (përmes adresave IP të tyre), mundëm të llogarisnim me afërsi se në cilat qarqe njëra apo tjetra parti ka përqendrim më të madh votash.

Nga kjo analizë, na rezultoi se epërsinë e saj PS-ja e ka më të madhe në qarqet poshtë lumit Shkumbin, se sa mbi lumin Shkumbin. Duke faktorizuar këtë gjetje, arritëm në shifrën e përafërt 96 +/-3 mandate për PS-në, 43 +/-3 mandate për PD-ASHM, dhe 1 mandat për PSD (kjo e fundit del në radar në qarkun Shkodër, ku kishte një përqendrim të të anketuarve që ishin gati të votonin sot për një parti të vogël, dhe ne presupozuam se ata ishin votues të PSD-së).

Pas vitit 2030…

21 May 2026 at 13:25

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në vitin 2030, sipas Edi Ramës dhe sipas Marta Kos (Komisionere për Zgjerimin e BE-së), Shqipëria do të antarësohet në BE. Në qoftë se ky parashikim materializohet, Rama do të jetë atëherë 66 vjeç dhe kryeministër, sipas të gjitha gjasave. Ndërkohë, Berisha do të jetë 86 vjeç dhe përsëri kryeopozitar, sipas të gjitha gjasave.

Po si mund të vijojnë zhvillimet politike në Shqipëri pas antarësimit të shumëpritur në BE?

Në qoftë se do, Rama mund ta vazhdojë dominimin e PS-së dhe të qeverisë pa probleme edhe në vitet pas antarësimit në BE. Ai ka demonstruar se mund të largojë/afrojë këdo në parti/qeveri, pa asnjë trazirë në popullin socialist.

Në kampin e Berishës, gjërat duken të stabilizuara aktualisht – ai po “rizgjidhet” kryetar pa garë, ndërkohë që rivalët i ka shpallur “të vetpërjashtuar”. Por në vitin 2030, ai do të jetë 86 vjeç. Dhe sipas të gjitha gjasave, përsëri një humbës elektoral.

Nga disa sondazhe që kam parë, rezulton se Alimehmeti, Tabaku, ose Salianji shihen si politikanë të së ardhmes në elektoratin e gjerë opozitar. Por pyetja e madhe është nëse ata do të vazhdojnë të mbeten relevantë, kur Berisha të mbushë 86 vjeç (si një humbës serial elektoral).

Ndërkohë, “liderët” e partive të vogla nuk mund të merren në konsideratë për vitin 2030, sepse kuotat e tyre janë fikur qysh sot në sondazhet që kam zhvilluar për ‘Zërin e Shqiptarëve’…

Vetëm 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri – mbi 2/3 e tyre për PS-në

12 May 2026 at 11:21

Nga Eduard Zaloshnja

Nga sondazhi im i fundit për ‘Zërin e Shqiptarëve’, rezultoi se vetëm gjysma e gjithë të anketuarve (pavarësisht nëse votuan apo nuk votuan vjet) do të votonin sot për partitë ekzistuese (nqs zhvillohen zgjedhje të parakohëshme parlamentare). Kurse gjysma tjetër nuk do të votonte për asnjë nga to.

Dhe meqënëse kampioni i sondazhit i përfaqësonte statistikisht rreth 1.9 milionë banorët e rritur të vendit nga pikpamja demografike, gjeografike, arsimore dhe politike, mund të ekstrapolohet përafërsisht se rreth 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri, kurse rreth 950 mijë nuk do të votnin fare.

Po kujt ia japin votën ata që janë gati të votojnë sot, dhe që përbëjnë gjysmën më të vendorur të elektoratit në Shqipëri?

Ndër rreth 950 mijët që do të votonin sot këtu, rreth 645 mijë do t’ia jepnin votën PS-së, rreth 290 mijë PD-ASHM-së, dhe vetëm 15 mijë partive të tjera të vogla. Pra, mbi 2/3 do të votnin PS-në (shihni Grafikun 1).

Dhe si votuan vjet ata që nuk janë gati të votojnë sot për asnjë nga partitë ekzistuese?

Ndër rreth 950 mijët që nuk do të votonin sot në Shqipëri, rreth 120 mijë votuan vjet për PS-në, rreth 210 mijë votuan për PD-ASHM, rreth 185 mijë votuan për parti të tjera të vogla, dhe rreth 435 nuk votuan fare (shihni Grafikun 2).

Konkluzion

Janë pakësuar ndjeshëm ata që votojnë për partitë ekzistuese (vjet votuan për to mbi 1.46 milionë në Shqipëri, ndërsa sot do të votonin vetëm 0.95 milion). Por firoja tek elektorati josocialist është 3.3 herë më e madhe se tek elektorati socialist. Për rrjedhojë, PS-ja do ta rriste sot ndjeshëm epërsinë krahasuar me vjet, thjesht prej dobësisë së theksuar të partive ekzistuese në mejdanin elektoral.

Vetëm 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri –

Vetëm 950 mijë do të votonin sot në Shqipëri –

A ka më kuptim?

8 May 2026 at 22:12

Nga Eduard Zaloshnja

Nga 500 mijë që e votuan brenda vendit Aleancën për Shqipërinë Madhështore të PD-së, as 2% e “madhështorëve” nuk erdhën në protestën e 8-të kombëtare të saj. U thanë ca fjalë para Kryeministrisë, u tentua të shkohej pastaj drejt Ministrisë së Brendshme, por u pengua nga shiu i policisë. Dhe pasi u hodhën ca molotovë, Berisha deklaroi se në protestën tjetër policia dhe qeveria nuk do gjejnë dot vrimë ku të futen.

Një refren që po bëhet më i vjetër se vetë Berisha…

Protesta të tilla mund t’u shkojnë për shtat OJQ-ve radikale ose partive të vogla të ngjashme me to. Por një parti që arriti të marrë 500 mijë vota për aleancën e udhëhequr prej saj, kur nuk mbledh dot në shesh as 2% të tyre, nuk ka më kuptim ta vazhdojë këtë ritual. Thjesht u dëshmon votuesve të saj dhe gjithë publikut shqiptar se nuk ka më fuqi tërheqëse elektorale…

 

SPAK, kryefjala e Reformës në Drejtësi

7 May 2026 at 14:28

Nga Eduard Zaloshnja

Qysh nga fillimi i Reformës në Drejtësi një dekadë më parë, disa pyetje të shkëputura rreth sistemit të ri të drejtësisë janë përfshirë në sondazhe kombëtare. Anketa Kombëtare e IDRA-s (financuar nga IRI) përfshinte një pyetje për SPAK; Barometri i Sigurisë Shqiptare i CSDG-së (financuar nga FES) përfshinte tre pyetje për SPAK; Barometri i Data Centrum (financuar nga Euronews Albania) përfshinte një pyetje për SPAK; ‘Termometri Politik’ (financuar nga Report TV) përfshinte dy pyetje për SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese; dhe së fundmi, ‘Zëri i Shqiptarëve’ (financuar nga ABC News Albania) përfshinte tre pyetje për SPAK.

Me pak fjalë, SPAK është kryefjala e Reformës në Drejtësi në sondazhet e kryera deri më sot. Dhe opinioni pozitiv për SPAK-un luhatet rrotull 67-përqindëshit.

Po disa pyetje mbeten me pikëpyetje të pambyllura për SPAK-un. Të renditura në rend kronologjik pyetjet janë:

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zaptimit të institucioneve shtetërore më 14 shtator 1998?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që urdhëruan vrasjen e 4 protestuesve me duar në xhepa (dhe plagosjen e disa të tjerëve) më 21 janar 2011?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që lejuan tragjedinë e Gërdecit (ku humbën jetën 26 shqiptarë dhe u plagosën qindra të tjerë)?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që i mundësuan kompanisë energjetike çeke Çez të zhvaste qytetarët shqiptarë?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që lejuan kompaninë e naftës Bankers Petrolium t’i shmangej pagimit të qindra milionë eurove shtetit shqiptar?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që mundësuan skemën mashtruese të ndërtimit të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë?

• A do t’i shkohet deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve të lartë që mundësuan projekte rrugore mbi koston normale të tyre?

Kritike ndaj Ramës mbi treçereku i portaleve dhe faqeve të mediave në Shqipëri

6 May 2026 at 14:36

Nga Eduard Zaloshnja

I kërkova specialistit tim IT (nuk është shqiptar dhe di shumë pak se çfarë ka ndodhur e ndodh në Shqipëri), që të bënte një kërkim të zgjeruar në internet se çfarë është shkruar pas zgjedhjeve të majit të vjetshëm nëpër portalet e Shqipërisë dhe faqet e internetit të mediave të këtushme.

Duke e ndihmuar me disa fjalë kyçe shqip (që s’kishte nga t’i dinte), ai prodhoi një analizë koncize fare të ftohtë, që vijon më poshtë.

Mbi 75% e përmendjeve të Ramës apo të qeverisë së tij në titujt e portaleve të Shqipërisë dhe faqet e internetit të mediave të këtushme ishin negative.

Analiza e teksteve poshtë këtyre titujve do të ishte shumë e vështirë për një specialist të huaj IT (si specialisti im turk), por vetëm fakti i mësipërm tregon qartazi se kushdo që ka kritika ndaj Ramës dhe qeverisë së tij e ka dritaren të hapur pothuaj kudo në portalet/faqet e internetit të mediave në Shqipëri.

❌
❌