Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 June 2026Java News

FOTOLAJM/ Nis protesta para Kryeministrisë, ja sa është pjesëmarrja

By: E B
10 June 2026 at 18:58

Ka nisur protesta e paralajmëruar para Kryeministrisë, por pamjet e transmetuara nga ajri tregojnë një pjesëmarrje më të ulët nga sa ishte paralajmëruar nga organizatorët.

Në foton e kapur me dron duken grupe protestuesish të shpërndara përgjatë bulevardit, ndërsa pjesë të konsiderueshme të zonës përballë Kryeministrisë mbeten të pambushura. Pavarësisht thirrjeve për mobilizim masiv, tubimi i sotëm duket se ka nisur me ritme të ngadalta dhe pa fluksin e pritur të qytetarëve.

Vëzhgimi i pamjeve nga lart tregon se turma është e fragmentuar dhe larg skenarëve të protestave masive që organizatorët kanë paralajmëruar prej ditësh.

Mbetet për t’u parë nëse pjesëmarrja do të rritet në vijim.

FOTO LIVE NGA PROTESTA

“Irani e shpalli hapur se është pas protestave”, Çupi: Po ushtron ndikim përmes financimeve

By: E B
10 June 2026 at 18:42

Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh se Irani po ushtron ndikim në protestat e fundit në Shqipëri dhe se institucionet shtetërore duhet të reagojnë për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Sipas Çupit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte “i detyruar të mbronte dhe të përkrahte Iranin kundër Shqipërisë”.

Analisti pretendoi se Irani është i pranishëm përmes financimeve, ndikimeve ideologjike dhe rrjeteve të personave e agjencive ndërmjetëse që, sipas tij, po përpiqen të ndikojnë protestën.

Ai ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si rrezik të depërtimit të influencës iraniane dhe të ekstremizmit fetar në Shqipëri, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore.

“Sot Sali Berisha ishte i detyruar me patjetër të mbronte Iranin dhe të përkrahte Iranin kundër Shqipërisë. Irani është prezent me pagesa, me pagesa me njerëz që shërbejnë, prezente me ndikime fetare, me ideologji fetare.

Me njerëz konkrete dhe agjenci të ndërmjetme që infiltrojnë në këtë protestë. Nuk ka dilema që Irani është në përkrahje dhe sponsorizim, brenda kësaj proteste. Me mesazhe që vijnë për mbështetje të protestës.

E gjithë fizionomia, e gjitha arkitektura e kësaj proteste është iraniane. Irani e shpalli hapur: unë jam prapa këtyre protestave.

Frika është në faktin që mos të majiset influenca iraniane në Tiranë, të mos majiset terrorizimi islamik iranian në rrugët e Tiranë.

E keni parë që ata përdorin fëmijë në protestë, me qëllim, sipas udhëzimeve iraniane, që të mësohen me këtë gjë, që të hyjë lufta dhe he të hyjë islamizimi ekstremist.

Të gjithë institucionet e shtetit duhet të veprojnë. Presidenti i Republikës duhet të mbledhë Këshillin e Sigurimit, Gjykata Kushtetuese duhet ta shpallë jo kushtetuese çdo lëvizje iraniane në Shqipëri për thyerje të stabilitetit”, tha ai.

Zvërneci/ Dita e 11-të e protestës, qytetarët mblidhen tek sheshi “Skënderbej”, do të marshojnë drejt Kryeministrisë

By: E B
10 June 2026 at 18:33

Qytetarët janë mbledhur sërish sot, 10 qershor, për të 11-tën ditë për të protestuar kundër investimit në Zvërnec dhe kundër qeverisë.

Qytetarët u mblodhën  në sheshin “Skënderbej”, e më pas do të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë.

As këtë herë nuk kanë munguar pankartat dhe thirrjet e protestës për kundërshtimin e projektit të Zvërnecit.

Protestuesit me më herët kanë paraqitur 5 kërkesa:

-Dorëheqjen e qeverisë;
-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
-Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Protestat/ Tur-operatorët: Do të dëmtojë sezonin turistik në Shqipëri

By: E B
10 June 2026 at 18:23

Sezoni turistik 2026 ka nisur me ritme pozitive në bregdetin shqiptar dhe në destinacionet kulturore e malore.

Operatorët raportojnë rritje të prenotimeve krahasuar me një vit më parë, ndërsa tregje të reja europiane po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë.

“Sezoni ka nisur më mirë se vjet, në shifra janë më tepër se vjet e vjen si rezultat i përmirësimit të shërbimit vit pas viti”, tha kryetari i Hoteleri-Turizmit në Durrës, Eduart Xhepa.

Në Durrës, hotelierët vlerësojnë se investimet në cilësi dhe standarde kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e fluksit të turistëve.

“Sezoni ka nisur më herët se zakonisht në prill me turistët e parë nga Austria dhe besnikët polakë, çekë e sllovakë. Risi janë francezët dhe anglezët që po vijnë masivisht. Gjermanët më të shqetësuar për atë që po ndodh presim frenim të prenotimieve nga ky rajon”, tha operatori turistik, Blerim Norja.

Ndërsa jugu i vendit vijon të mbetet motori kryesor i sezonit, pritshmëritë janë për një tjetër vit rekord.

“Ka rritje me 5% të vizitorëve që kanë prenotuar ketë sezon, tërhiqen nga turizmi malor historik dhe kulturor, evropianët dominojnë dhe së fundmi shtim nga Angli e Franca”, tha operatorja turistike, Fjorinda Zani.

Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit pranojnë se protestat që po vijojnë prej më shumë se 10 ditësh mund të ndikojnë perceptimin e turistëve të huaj, veçanërisht të atyre që zgjedhin Shqipërinë për herë të parë.

“Protestat nuk i bëjnë mirë turistit. Strukturat janë të prenotuara, por nuk duam që ata të përballen me imazhe negative…”

“Nuk ka tërheqje nga ata që kanë rezervuar, por protestat kanë krijuar ndjeshmëri te gjermanët. “

“Tetëdhjetë për qind e turistëve janë për herë të parë dhe kjo ndikon në perceptimin e tyre…”

Sipas tur-operatorëve, ruajtja e imazhit pozitiv të Shqipërisë mbetet sfidë, në një kohë kur konkurrenca në rajon po bëhet gjithnjë e më e fortë.

“Irani kërkon destabilizimin e Shqipërisë”, analisti: Manipulojnë me inteligjencë artificiale dhe numrin e protestuesve

By: E B
10 June 2026 at 18:11

Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në “Faqja 4” në ABC News, ka deklaruar se Irani po zhvillon një luftë hibride të sofistikuar për të destabilizuar Shqipërinë.

Sipas tij, Teherani po shfrytëzon protestat qytetare kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec për të nxitur përplasje brezash dhe çarje brenda shoqërisë sonë.

Rexhaj sqaroi se kjo fushatë përfshin manipulime të imazheve me inteligjencë artificiale dhe montime me zhurma lufte civile për të dëmtuar imazhin e vendit. Synimi kryesor i këtij sulmi është dobësimi i autoritetit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe mbajtja e një presioni të vazhdueshëm politik mbi qeverinë.

“Destabiliteti i Shqipërisë është në favor të Iranit. Kjo është më e thellë nga sa duket. Irani synon destabilizim. Nuk ka më asnjë dyshim që janë pas luftës hibride. Kjo luftë targeton të gjithë këto elemente, prandaj dhe shfaqen këto përplasje brenda brezave. Kërkojnë që të nxisin përplasje mes brezave.

 Lufta hibride synon që të krijojë çarje brenda shoqërisë. Qytetarët jashtë bien pre e luftën hibride. Irani tenton që të prishë imazhin e vendit tonë. Marrin foto që janë në vende të tjera dhe nuk janë fare në Shqipëri dhe në bacground vendosin zhurma me mitraloz sikur ka një luftë civile. Qëllimi është që të dobësohet pesha dhe autoriteti i Shqipërisë. Kanë qëllim që ta dobësojnë në planin ndërkombëtar.

Duke manipuluar edhe me inteligjencë artificiale, edhe për numrin e protestuesve. Kjo është një gjë shumë e sofistikuar dhe e menduar shumë mirë. E treta është mbajtja e presionit politik mbi qeverinë. Irani nuk është i vetmi që bën luftë hibride, e ka edhe Rusia, por ata sulmojnë Perëndimin”, u shpreh Rexhaj.

Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimin e naftës, Brent ngjitet në 93 dollarë për fuçi

By: E B
10 June 2026 at 17:54

Çmimet e naftës u rritën të mërkurën, me Brent që u rrit me rreth 1.5% në 93 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët vlerësuan zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Nafta bruto amerikane WTI u rrit me 2% në rreth 90 dollarë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani kishte vonuar shumë në arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara dhe tani “do të duhet të paguajë çmimin”.

Komentet e tij vijnë pas raportimeve për sulme iraniane ndaj objektivave në vendet e Gjirit, përfshirë Bahreinin, Jordaninë dhe Kuvajtin.

Incidentet thuhet se pasuan sulmet amerikane që Uashingtoni i përshkroi si akte vetëmbrojtëse pas rrëzimit të një helikopteri amerikan në rajon.

Ndërkohë, transporti detar në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të përballet me probleme serioze.

Sipas raportimeve, Irani vazhdon të kufizojë pjesën më të madhe të trafikut tregtar përmes këtij kalimi strategjik, ndërsa SHBA-të kanë mbajtur kufizime në portet iraniane.

Këto zhvillime vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim në tregje, pasi Hormuzi është një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Megjithatë, Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright, u shfaq më qetësues, duke vënë në dukje se trafiku i anijeve në Gjirin Persik dhe eksportet e naftës përmes Hormuzit po rriten gradualisht pavarësisht problemeve të vazhdueshme.

Çmimet e naftës u mbështetën gjithashtu nga të dhënat nga Instituti Amerikan i Naftës (API), të cilat treguan një rënie të ndjeshme të inventarëve të naftës bruto në SHBA.

Konkretisht, inventarët ranë me 9.1 milionë fuçi javën e kaluar, duke arritur nivelin e tyre më të ulët në katër muaj.

Rënia i atribuohet rritjes së kërkesës nga blerësit që kërkojnë të zëvendësojnë vëllimet e naftës të prekura nga ndërprerjet në eksportet nga Gjiri Persik.

“Berisha është sjellë si një Ajatollah”, analisti: Irani dhe qarqe shoviniste greke po zhvillojnë luftë hibride në Shqipëri

By: E B
10 June 2026 at 17:43

Analisti Martin Leka ka lëshuar deklarata të forta gjatë një interviste në “Balkan Update” në ABC News, ku ka denoncuar një ndërhyrje të rrezikshme të Iranit dhe qarqeve shoviniste greke në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, përmes asaj që ai e cilësoi si një “luftë hibride të sofistikuar” për destabilizimin e vendit.

Duke marrë shkas nga organizimi i protestave të opozitës, Leka hodhi akuza të rënda ndaj liderit të vetëshpallur të PD-së, Sali Berisha, të cilin e krahasoi me një “Ajatollah modern” që po e çon forcën e tij politike drejt shkërmoqjes pas 35 viteve në krye të saj.

Sipas analistit, përfshirja e Iranit, një shtet në konflikt të hapur me SHBA-në dhe Izraelin, në protestat paqësore në Shqipëri është një sinjal alarmant që tregon se pas këtyre tubimeve fshihen skenarë të tjerë, duke u bërë thirrje publike organizatorëve që të dalin hapur dhe të sqarojnë pozicionin e tyre përballë kësaj lufte hibride.

“Problemi kryeso i Saliut është që kërkon të dërgojë mbështetësit e vet në protestë, por si do të ndjehet kur protestuesit të thërrasin ‘Berisha në burg’. Berisha është sjellë me popullin e vet si një Ajatollah, duke e çuar partinë e tij nga njëra humbje në tjetrën. Ka 35 vite që nuk ikën nga partia deri në shkërmoqjen e plotë të saj.

Berisha është një Ajatollah modern, në vitet e tranzicionit. Është interesante fakti që përfshihet një shtet, që ka një luftë të hapur me SHBA dhe Izraelin dhe i del kohë që të merret me protestat në Shqipëri. Lufta hibride është e pashmangshme. Ne kemi ndërpre marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Lufta hibride, organizatorët të dalin në pah.

Të përfshirë në luftën hibride janë edhe qarqe shoviniste greke. Fakti që Irani është përfshirë në një protestë paqësore në Shqipëri, tregon që diçka nuk shkon në këtë lloj proteste. Organizatorët e protestës të dalin hapur për gjithçka po ndodh në këtë luftë hibride”, tha Leka.

“Sazani, ishulli i fortifikuar që kontrollonte hyrjen në Adriatik në vitet ’50”, dokumenti i deklasifikuar i CIA-s

By: E B
10 June 2026 at 17:36

Një dokument i deklasifikuar i Central Intelligence Agency (CIA), i përgatitur në bashkëpunim me Photographic Intelligence Center të Marinës Amerikane, hedh dritë mbi rëndësinë strategjike që kishte Ishulli i Sazanit për strukturat ushtarake shqiptare në fundin e viteve ’50.

Raporti sekret, i titulluar “Sazan Island, Albania” dhe i datës korrik 1959, paraqet një analizë të detajuar të bazuar në zbulimin fotografik ajror. Në dokument, Sazani përshkruhet si një pikë kyçe ushtarake, e pozicionuar në hyrje të Gjirit të Vlorës, me rol të rëndësishëm në kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik.

Sipas raportit, i gjithë ishulli ishte nën kontroll të plotë ushtarak, me prani të përhershme të njësive të ushtrisë dhe marinës shqiptare. CIA evidenton se mbrojtja e Sazanit përfshinte disa bateri artilerie bregdetare dhe kundërajrore të kalibrit 85-100 mm, të pajisura me sisteme drejtimi radarik.

Dokumenti përmend gjithashtu identifikimin e një pozicioni të mundshëm të radarit të paralajmërimit të hershëm të tipit “TOKEN”, i cili konsiderohej pjesë e infrastrukturës së mbrojtjes së ishullit.

Sipas analizës së inteligjencës amerikane, në të gjithë territorin e Sazanit ishin shpërndarë pozicione mitralozësh, bunkerë dhe ambiente magazinimi nëntokësore. Këto elemente, sipas autorëve të raportit, e shndërronin ishullin në një kompleks të fortifikuar me rëndësi të veçantë strategjike.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Portit të Shën Kollit (San Nicolo Harbor), në anën lindore të ishullit. CIA raportonte se aty funksiononte një bazë e vogël detare, ku ishin dislokuar mjete patrulluese të klasit “Kronshtadt” dhe disa silurues të vegjël.

Raporti përmend gjithashtu ekzistencën e një strukture rreth 220 këmbë të gjatë, e cila mendohej se përdorej për riparime nënujore të mjeteve patrulluese.

Megjithatë, dokumenti rrëzon disa nga dyshimet e kohës. Sipas inteligjencës amerikane, nuk kishte prova fotografike që të konfirmonin ekzistencën e një baze nëndetësesh apo të një depoje nëntokësore karburantesh në Sazan.

Po ashtu, raporti nënvizon se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i madh apo ndryshim i rëndësishëm në infrastrukturën ushtarake të ishullit, krahasuar me vëzhgimet e mëparshme.

Dokumenti shoqërohet me harta, skica dhe fotografi ajrore, ku identifikohen objektet kryesore ushtarake të ishullit. Ai dëshmon interesin e lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës për monitorimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, periudhë në të cilën Sazani konsiderohej një pikë me rëndësi të veçantë strategjike për kontrollin e Adriatikut.

GJKKO dënon Marjus Tafanin me 2 vite e 4 muaj burg, Kristi Bixheku fajtor për përkrahje të autorit të krimit

By: E B
10 June 2026 at 17:28

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përmbyllur procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Artan (Marjus) Tafani dhe Kristi Bixheku. Për të pandehurin Artan (Marjus) Tafani, gjykata ka konfirmuar fajësinë për veprat penale të sigurimit të kushteve për vrasje dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Në vendimin e gjykatës theksohet:

“Në aplikim të nenit 37/a, pika 4 të K.Pr.Penale dhe nenit 28 pika 7 të K.Penal të pandehurit Artan (Marjus) Tafani, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim.”

Në të njëjtën seancë, situata ligjore e të pandehurit Kristi Bixheku ka pësuar ndryshime të rëndësishme, pasi trupi gjykues e ka shpallur atë të pafajshëm për akuzat fillestare të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtjes së armëve pa leje. Gjykata ka ndryshuar kualifikimin e veprës për Bixhekun, duke u shprehur se:

“Në bazë të nenit 375 të K.Pr.Penale, ndryshimin e kualifikimit ligjor të faktit penal, deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Bixheku, për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302, pg 1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.”

Pas aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, i pandehuri Kristi Bixheku është dënuar përfundimisht me 2 vite e 4 muaj burgim.

Sipas vendimit, shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të kryera gjatë procesit i ngarkohen të pandehurve. Palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati 15-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Gjendet një armë zjarri në shëtitoren e Sarandës

By: E B
10 June 2026 at 10:54

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin bregdetar të Sarandës, ku është gjetur një armë zjarri e hedhur në një zonë publike.

Arma e llojit pistoletë, tip “Glock”, u gjet e braktisur në një nga lulishtet përgjatë shëtitores “Naim Frashëri”, në zonën sipër plazhit të njohur si “Centrali”.

Kanë qenë efektivët e Policisë Bashkiake të Sarandës ata që kanë pikasur të parët armën e zjarrit gjatë patrullimit të tyre.

Pas konstatimit, punonjësit e policisë bashkiake kanë rrethuar dhe kanë siguruar vendin e ngjarjes për të mos lejuar prishjen e provave.

Grupi hetimor ka nisur punën në terren dhe kanë filluar hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit që ka hedhur pistoletën në lulishte.

 

Shtyhet Ministeriali Ukrainë–Evropa Juglindore që do të mbahej më 12 qershor në Tiranë

By: E B
10 June 2026 at 10:47

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se ka shtyrë në një moment të dytë Ministerialin Ukrainë-Evropa Juglindore, i planifikuar që të zhvillohej më 12 qershor në Tiranë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon se Ministeriali Ukrainë-Evropa Juglindore, i planifikuar që të zhvillohej më 12 qershor 2026 në Tiranë, do të mbahet në një datë të mëvonshme.

Shtyrja e këtij takimi në nivel të ministrave të punëve të jashtme vjen si pasojë e situatës së sigurisë në Ukrainë dhe e angazhimeve në këtë kuadër, të Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Sh.T. z. Andrii Sybiha, bashkëorganizator i Ministerialit të Tiranës.

Data e re e zhvillimit të Ministerialit do të bëhet e ditur në një moment të dytë“, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Tragjike në Gjirokastër! Mbytet në pishinë 15-vjeçari

By: E B
10 June 2026 at 10:42

Një 15-vjeçar ka humbur jetën paraditen e kësaj të mërkure, në një pishinë në Gjirokastër.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri ishte futur për tu larë, kur në rrethana ende të paqarta ka humbur jetën.

Paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë infarkt, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të sqaruar shkaqet e sakta të ngjarjes.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur hetimet dhe po shoqëron disa persona për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Protestat për Zvërnecin/ Rama i përgjigjet zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane: Nuk keni pikën e turpit!

By: E B
10 June 2026 at 10:35

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me situatën në Shqipëri dhe protestat e zhvilluara së fundmi.

Ky i fundit, postoi një video të protestës për Zvërnecin, ku shkruan: “Qetësohuni, Z. Kryeministër @ediramaal.

Ishte JU, zotëri, ai që e nisët këtë. Pra… duhet të përballeni me pasojat!

Do të ishte më e mençur të tregonit pak respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare. Ata janë të vëmendshëm ndaj gënjeshtrave. Nëse vendosni të shisni sovranitetin tuaj kombëtar, kjo është zgjedhja juaj. Nuk na detyroni për asnjë shpjegim. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikën e qytetarëve tuaj, ju lutem mos përdorni të tjerët si viktima të përshtatshme për të shmangur përgjegjësinë.

Në vend që të shkruani një broshurë të gjatë plot akuza të pabazuara ndaj Iranit, merrni një moment për të dëgjuar popullin tuaj që thërret në rrugë: ‘Jo korrupsionit!’; ‘Duam drejtësi!’; ‘Rama ik!’”.

Ndërkohë, Rama shkruan se qeveria e ajatallohëve të Teheranit i është bashkuar zyrtarisht protestës, ndërkohë bashkëngjitur ka shkruar dhe replikën e tij për Baqaei.

Postimi i Ramës:

Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!

Bashkëngjitur edhe replika ime për ajatollahët, edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysëm të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!

Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë…

REPLIKA

“Oh, i dashur, ju njerëz jeni vërtet pa pikë turpi!

Gjithsesi, ju falënderoj për shqetësimin që tregoni për inteligjencën e popullit shqiptar.

Do të ishte shumë më bindëse nëse ky shqetësim do të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet rregullisht qytetarët e vet me censurë, frikësim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të çdo zëri kundërshtues.

Sa i përket sovranitetit, Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike kundër shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, çka çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit.

Ju citoni protestues shqiptarë që thërrasin në rrugë. Shumë mirë. Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri, njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë Kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe të bëjnë thirrje për zgjedhje pa pasur frikë nga burgosja.

A mund të thuhet e njëjta gjë për njerëzit në emër të të cilëve pretendoni se flisni?

Dhe është veçanërisht domethënëse që papritur keni zbuluar një shqetësim kaq të madh për protestuesit në Tiranë, ndërkohë që gjaku i dhjetëra mijëra njerëzve të popullit tuaj rëndon mbi ndërgjegjen e regjimit tuaj, ndërsa të panumërt të tjerë vazhdojnë të vuajnë përndjekjen, represionin dhe burgosjen, dhe ndërsa dhjetëra milionë mbeten të bllokuar në kushte që i përkasin më shumë Mesjetës sesa shekullit të njëzetenjëtë.

Populli shqiptar është vërtet mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ai është në gjendje të bëjë dallimin mes një argumenti demokratik dhe propagandës. Botët tuaja, profilet e rreme dhe videot e manipuluara me teknologjinë deepfake mund t’i shtojnë konfuzionit të përgjithshëm digjital helmin e regjimit tuaj të urrejtjes, por nuk do t’ia dalin askund, sepse pavarësisht dallimeve që mund të kemi mes nesh si shqiptarë, të gjithë jemi të qartë dhe të bashkuar në bindjen se çdo lloj regjimi që e mban popullin e vet në errësirë dhe varfëri është armik i mënyrës sonë të jetesës, i maskuar si shqetësim.

Dhe i juaji është më i keqi nga të gjithë: një shtet terrorist sipas vetë përkufizimit.”

Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!

Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty… https://t.co/v35elkH66Z

— Edi Rama (@ediramaal) June 10, 2026

 

Avokatja tregon shkaqet e divorceve në Shqipëri: Tradhtia është kthyer në trend!

By: E B
10 June 2026 at 10:16

Avokatja Aurora Marku, duke folur në emisionin “Dita Jonë” theksoi se ka një rritje të numrit të divorceve në Shqipëri vitet e fundit, sidomos pas pandemisë.

Sipas saj tradhtia në vendin tonë është kthyer në trend dhe është një nga arsyet e divorceve, përveç pjesës ekonomike, që ka ekzistuar gjithmonë.

Kemi numër në rritje të divorceve. Sidomos këto vitet e fundit dhe pas pandemive, numri i divorceve është rritur shumë. Përveç pjesës së ekonomisë që ka ekzistuar gjithmonë, kohët e fundit në Shqipëri tradhtia është bërë trend. Kush tradhton më shumë s’di ta them. Duke qenë se më shumë divorcin e kërkojnë gratë, dalim në konkluzionin që më shumë tradhtojnë burrat, por edhe ata burra me gra tradhtojnë, kështu që është reciproke ajo pjesa në shumicën e rasteve, sidomos në institucione. Kam raste që për një drejtor janë ndarë dy familje. Drejtori vazhdon të jetë me familjen e vet shumë i lumtur, por dy divorce janë shkaktuar prej tij. Në momentin që njëri nga partnerët ka ekonomi të mire, partneri tjetër zgjedh të heshtë dhe automatikisht pranohet kjo tradhtia”, u shpreh Marku.

“Përgatituni!”, shkencëtarët: Valët e të nxehtit afrikan do bëhen normale në Evropë

By: E B
10 June 2026 at 10:06

Rekordet u thyen në Britani, Francë, Irlandë dhe Portugali muajin e kaluar, ndërsa një “kupolë nxehtësie” e ajrit të ngrohtë nga Afrika veriore i shtyu temperaturat shumë mbi nivelet normale në të gjithë Evropën perëndimore.

Evropa përjetoi një nga muajt më të nxehtë të Majit të regjistruar ndonjëherë muajin e kaluar, nën një valë të nxehti jashtëzakonisht të hershme, për të cilën Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Koperniku i BE-së paralajmëroi se po bëhet “normalja e re”.

Ishte maji i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, dhe Britania, Franca, Irlanda dhe Portugalia thyen rekordet e tyre ndërsa një “kupolë nxehtësie” e ajrit të ngrohtë nga Afrika veriore i shtyu temperaturat shumë mbi nivelet normale në të gjithë Evropën perëndimore.

“Muaji u shënua nga një tranzicion i shpejtë nga kushte shumë më të ftohta se mesatarja në një nga valët më intensive të nxehtësisë të vërejtura ndonjëherë në këtë fillim të vitit në Evropën Perëndimore”, tha Shërbimi i Ndryshimit Klimatik Koperniku në buletinin e tij të majit.

“Vala e të nxehtit jashtëzakonisht e hershme dhe intensive tregon se sa shpejt ekstremet klimatike po bëhen normaliteti i ri dhe jo përjashtim”, tha Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm (ECMWF), e cila operon Copernicus.

Temperaturat “të ndjeshme” arritën 35 deri në 40 gradë Celsius në pjesë të mëdha të Evropës, tha Copernicus.

“Tranzicioni i shpejtë ka të ngjarë të ketë rritur ndikimet në popullata, duke lënë pak kohë për njerëzit, si dhe për të korrat dhe ekosistemet, që të aklimatizohen me temperatura shumë më të larta”, tha ai.

Globalisht, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe arriti në 15.81°C, e dyta vetëm pas majit 2024, sipas Copernicus.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit ishte gjithashtu e dyta më e lartë e regjistruar ndonjëherë, pas majit 2024, ndërsa kushtet ndryshojnë drejt modelit të motit El Niño që po ngrohet.

Parashikimet paralajmërojnë se El Niño që po vjen mund të jetë një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, duke i çuar temperaturat globale në nivele historike në vitin 2027.

Temperaturat mbetën në “nivele jashtëzakonisht të larta” në një pjesë të Paqësorit tropikal, tha Copernicus.

El Niño ka një shans 80% të zhvillohet midis qershorit dhe gushtit, duke rritur rrezikun e ngjarjeve ekstreme të motit, tha Organizata Botërore Meteorologjike javën e kaluar.

El Niño i fundit kontribuoi që viti 2023 të ishte viti i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë dhe viti 2024 të ishte temperatura më e lartë e të gjitha kohërave.

SHBA: Muri në kufirin me Meksikën pritet të përfundojë në fund të vitit 2027

By: E B
10 June 2026 at 09:58

Shtetet e Bashkuara pritet të përfundojnë ndërtimin e murit përgjatë kufirit jugor me Meksikën deri në fund të vitit 2027, sipas Komisionerit të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP), Rodney Scott.

Në një deklaratë të bërë të martën në Washington, 9 qershor, Scott tha se barriera e shumëpërfolur nga presidenti Donald Trump, e cila shtrihet përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, po ndërtohet me trarë metalikë të përforcuar dhe do të shkojë nga San Diego deri në Gjirin e Meksikës, me disa përjashtime në zona të veçanta.

“Shtylla kryesore e murit do të përfundojë deri në fund të vitit 2027”, tha ai.

Sipas tij, në disa zona nuk po ndërtohet mur, pasi autoritetet kanë vlerësuar se nuk është i nevojshëm, si për shembull në Parkun Kombëtar Big Bend, një zonë shumë e izoluar me shkëmbinj të thepisur.

Scott shtoi se projekti do të plotësohet edhe me sisteme elektronike mbikëqyrjeje dhe pajisje të tjera teknologjike, të cilat pritet të instalohen deri në mesin e vitit 2028.

Ai tha se përgjatë lumit Rio Grande, i cili shërben si kufi natyror mes SHBA-ve dhe Meksikës në pjesë të gjata të Teksasit, do të vendosen barriera shtesë fizike dhe teknologjike aty ku është e nevojshme.

Sipas tij, qëllimi i murit është frenimi i emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të drogës nga Meksika, megjithëse këto fenomene, sipas të dhënave zyrtare, kanë shënuar rënie.

Megjithatë, Scott theksoi se vetëm muri nuk mjafton për të ndalur aktivitetet ilegale, pasi trafikantët përdorin tashmë metoda të reja si tunele dhe dronë për të shmangur patrullimet kufitare.

“Ne shohim dronë që fluturojnë përgjatë Rio Grandes duke vëzhguar pozicionet tona. Ata janë pjesë e modelit të tyre të punës, dhe po përdoren gjithashtu për të kaluar drogë“, tha ai.

Sipas tij, këto teknologji e bëjnë më të lehtë trafikun e paligjshëm, duke sfiduar masat e sigurisë në kufi.

Programi Botëror i Ushqimit ngre alarmin: Mbyllja e Hormuzit po rrit rrezikun e urisë për miliona njerëz

By: E B
10 June 2026 at 09:49

Përshkallëzimi i konfliktit në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po rrisin rrezikun e urisë për miliona njerëz në mbarë botën, paralajmëron Programi Botëror i Ushqimit (WFP).

Drejtori Ekzekutiv në detyrë i organizatës, Carl Skau, tha se bllokimi i një prej rrugëve më të rëndësishme detare në botë ka shkaktuar rritje të ndjeshme të kostove të karburantit, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e ushqimeve.

Sipas tij, operacionet humanitare janë bërë shumë më të kushtueshme, ndërsa furnizimet me plehra bujqësore drejt vendeve të varfra, si Sudani, janë penguar ndjeshëm. Skau theksoi se familjet në vendet më të prekura po përballen me pasoja të menjëhershme. “Kur çmimet e ushqimeve rriten me 20-30%, njerëzit hanë 20-30% më pak”, u shpreh ai.

Situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e fondeve për organizatat humanitare. Programi Botëror i Ushqimit ka regjistruar një rënie të ndjeshme të donacioneve, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh i organizatës.

WFP kishte paralajmëruar më herët se deri në 45 milionë njerëz të tjerë mund të përballen me uri akute nëse çmimi i naftës mbetet mbi 100 dollarë për fuçi.

Sipas organizatës, edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet së shpejti, pasojat ekonomike dhe humanitare të krizës do të vazhdojnë të ndihen për një kohë të gjatë.

“Çmontohet” grupi kriminal që tregtonte armë dhe eksploziv në Tiranë! Arrestohen 4 persona, në kërkim 2 të tjerë

By: E B
10 June 2026 at 09:32

Policia ka arrestuar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë, pas finalizimit të operacionit “Rrjeti”, ku u godit një grup kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë.

Dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.

6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë. Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë. Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.  Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak. 6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, vijon njoftimi

Before yesterdayJava News

Tensione të reja SHBA-Iran! Trump: Duhet t’i përgjigjemi sulmit ndaj helikopterit Apache

By: E B
9 June 2026 at 19:50

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani qëndron pas rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache mbrëmjen e kaluar mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.

Sipas presidentit amerikan, helikopteri po patrullonte në zonë kur u godit, ndërsa në bord ndodheshin dy pilotë që kanë mbetur “të sigurt dhe të padëmtuar”.

“Jam informuar nga ushtria jonë e madhe se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë Apache shumë të sofistikuar gjatë patrullimit mbi Ngushticën e Hormuzit. Dy pilotët janë të sigurt dhe të palënduar. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet domosdoshmërisht të përgjigjen ndaj këtij sulmi”, ka deklaruar Trump përmes rrjeteve sociale.

SHBA dhe Irani kanë shkëmbyer gjithashtu sulme të kufizuara në javët e fundit, përfshirë rrëzimin e dronëve iranianë dhe goditje ndaj objekteve të lidhura me raketa, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj bazave amerikane në rajon.

Pavarësisht akuzave të ndërsjella për shkelje të armëpushimit, deri tani situata nuk ka çuar në prishjen e plotë të marrëveshjes.

PS Fier feston sot 35-vjetorin e themelimit, Rama dhe socialistët mblidhen në Parkun e Apolonisë

By: E B
9 June 2026 at 19:38

Partia Socialiste dega Fier feston sot 35-vjetorin e themelimit, në një aktivitet të zhvilluar në parkun arkeologjik të Apolonisë.

Me qindra socialistë, mes të cilëve personalitete të rëndësishme të kësaj force politike në qarkun e Fierit, por edhe kryeministri Edi Rama, marrin pjesë në këtë aktivitet, për të përkujtuar ditën e themelimit të PS në këtë degë.

Aktiviteti është shoqëruar me këngë patriotike popullore, por edhe me një historik të rrugëtimit të PS në këtë qark.

Mbledhja e socialistëve për të festuar në Fier, vjen në të njëjtin moment që në Tiranë po protestohet kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.

❌
❌