Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Harresë e turpshme dhe e frikshme

31 July 2025 at 08:53

Nga Besnik Bakiu

Muaji korrik është muaj i bekuar për ne shqiptarët, pasi kanë ndodhur 4 nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë.

Ky muaj është muaji i pagëzimit të shteteve shqiptare, pasi më 29 korrikut 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin shqiptar të shpallur të pavarur më 28 nëntor 1912, si ”…principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive”, kurse më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e quajti të ligjshëm Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe deklaroi se: “nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare e as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”, por është në përputhje të plotë me to. Me këtë vendim GJND (organ gjyqësor i OKB) vërtetoi kufijtë dhe shtetësinë e Kosovës.

Muaji korrik është muaj kur u vendosen marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, aleatit tonë të madh strategjik.

Kujtojmë edhe 2 korrikun 1990 e ambasadave, ku filloi shembja e regjimit komunist.

Pritshmëria ime ishte që të gjitha këto ngjarje të kremtoheshin siç e meritonin shqiptarët kudo ndodhen. Por me heshtjen që i shoqëroi, treguam se edhe këtë radhë ne shqiptarët nuk “zhgënjejmë” kurrë, apo nuk na intereson shumë të bërit shtet. Këto 3 ngjarje në sytë e historisë duhej të ishin shumë të rëndësishëm, por kaluan pothuajse pa u përmendur fare, si në hapësirën publike ashtu edhe atë politike shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. E vetmja që u kujtua ishte ambasada e SHBA, kur deklaroi se: “Jemi krenarë për partneritetin tonë me Shqipërinë për të çuar përpara sigurinë, forcën dhe mirëqenien tonë të përbashkët”. Lum ata që na kanë ne, se kush e di sa probleme mund t’u dilnin, pa mbështetjen tonë!?

Mirë politika në dy anët e kufirit shqiptaro shqiptar ishte e zëne me “probleme te mëdha”. Ajo e Kosovës për votimin e 50 për zgjedhjen e kryeparlamentares, kurse ajo e Tiranës me gjetjen e hajdutit mes vedi, hajdutët që i kishin vjedhur vota shokut dhe mikut të tyre, apo me policin që nuk ndërhyri për të ndarë një sherr të turpshëm në një lokal të Vlorës. Po media, institucionet shkencore e kulturore që paguhen me taksat tona për këto punë, ku ishin?, apo është koha plazhi dhe janë “lodhur nga te punuarit”?

Harresa, miqtë e mi, është një dukuri e zakonshme në përditshmërinë e rutinës tonë njerëzore dhe është e dukshme tek individët. Siç thonë shkencëtarët, ajo është një fenomen që shkaktohet nga shkalla e interesit për të mbajtur mend, nga emocionet që shkakton një ngjarje, një dukuri, një lajm, një e dhënë, si dhe nga rëndësia që merr zhvillimi i asaj që quhet “proces i ndodhive”

Po a mund të ndodh që procesi i harresës të ngjizet te grupet shoqërore, te popujt dhe kombet, tek elita politike dhe intelektuale e tyre, si në këtë rast?

Kjo është sa e turpshme aq dhe e frikshme. Për të amnistuar sado pak këtë harresë po sjellë në vëmendje të lexuesit diçka për këto ngjarje.

PAGËZIMI I SHTETEVE SHQIPTARE

Në 22 korrik 2010 u shpall Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada tha mes tjerash se: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Me 10 vota pro dhe 4 kundër (Rusia, Sllovakia, Maroku, Sierra Leone) gjykata vendosi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.

Sot Republikën e Kosovës e kanë njohur formalisht 119 nga 193 shtete anëtare të OKB-së dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB.

Më 29 korrikut 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin shqiptar të shpallur të pavarur më 28 nëntor 1912, si ”…principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive”.

Me gjithë kufizimet e mëdha të këtij vendimi (legalizoi faktin që shqiptarët të ishin i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohej me vetveten), ai pati një rëndësi të veçantë për fatet e Shqipërisë, pasi edhe pse territori dhe popullsia shqiptare u copëtuan rëndë e në shifra të frikshme, përsëri arriti të mbijetojë, nëpërmjet gjakut dhe sakrificave shekullore te burrave te cilëve iu dhëmbi kombi i tyre.

Ishin këto padrejtësi ulëritëse, që detyruan Imzot At Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë

Më 28 korrikut 1922 u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri. Në telegramin e 25 korrikut 1922, Sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes informonte Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, se më 28 korrik 1922, Blake “mund t’i dërgojë Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.” Më 4 dhjetor 1922, i dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë Ulysses Grant-Smith i dorëzoi kredencialet qeverisë së Shqipërisë në Tiranë.

Në vitin 1922 SHBA i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve statusin e kombit më të favorizuar. Përpara njohjes së ndërsjellë zyrtare, komisioneri amerikan Maxwell Blake shkëmbeu nota me Presidentin e Këshillit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Z. Xhafer Upi për të siguruar statusin e ndërsjellë të kombit më të favorizuar në traktatet e ardhshme tregtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 1945 themelohet nga SHBA, Trupa për Asistencë shtesë dhe Ndihmë, që tregon kujdesin e shtuar amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve përkundër orientimit kah lindja dhe sistemi komunist nga lidershipi i Shqipërisë së atëhershme.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë dhe i pasuar nga Ambasadori i SHBA William Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha: ”Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Willson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Në themelin e këtyre marrëdhënieve qëndrojnë figurat më të ndritura të kombit tonë, në fillimet e shek.XX, si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Petro Nini Luarasi, Mehmet Konica, Mihal Gramenja, Kostë Çekrezi apo Parashqevi Qiriazi, etj.

Në ndryshim nga ne shqiptarët e sotëm, Federata “Vatra”, në letrën e mirënjohjes, që i dërgon Presidentit Wilson, i shkruan: “Zotëri, a do të na lejoje ne, përfaqësuesve të një kombi të vogël, që gjithmonë i ka vlerësuar nderin, drejtësinë dhe guximin si virtytet më të larta, që t’u shprehim Juve mirënjohjen më të thellë për ndjesitë tuaja fisnike, të cilave ju i keni dhënë shprehje të tilla kaq të fuqishme? Në to ne shohim shpalljen e lirisë …”.

Miqtë e mi, siç ka thënë Presidenti Roland Reagan: ”Amerika është më shumë një ide, sesa një vend, është dashuria për liri për dinjitet, që qëndron thellë brenda zemrës të secilit prej nesh”.

Në përfundim dua të sjell në vëmendjen e lexuesit Walt Whitman, një nga zërat më të fuqishëm të poezisë amerikane, e njeh dhe e eksploroi në thellësi konceptin e harresës kolektive, veçanërisht në lidhje me pafundësinë e përvojës dhe zbehjen e kujtesës mirënjohëse dhe kalimin e kohës. Vërtet që mirënjohja dhe kujtesa kolektive ka natyrë kalimtare, ajo mund të zbehet, por nuk zhduket kurrë, pasi jeton si te individi ashtu edhe te narrativa e rrëfimit më të madh dhe të vazhdueshëm të kombit, që tregon dhe arsyet e qendrueshmërisë së një kombi, falë kujtesës dhe mirënjohjes së përjetshme. Falë kujtetesës dhe mirënjohjes kombet meritojnë respektin. Këtë marrëdhënie, mes kujtesës individuale dhe kolektive e shpreh mjaft mirë edhe poeti Mahmud Darwish, kur shkruan: përfaqëso vetëm vetven, por vetvetja është plot me kujtesë kolektive.

The post Harresë e turpshme dhe e frikshme first appeared on JavaNews.al.

Defunksionalizimi i familjes shqiptare

7 March 2025 at 09:07

Nga Besnik Bakiu

Para disa ditësh lexova se rastet e dhunës në familje janë rritur në shifra shqetësuese. Në prokurori janë referuar 20139 raste të kësaj dhune. Lajmi i ka dy anët e medaljes, e para tregon ndërgjegjësimin e shoqërisë për të denoncuar dhe e dyta, është kambanë alarmi, ku po shkon familja shqiptare?

Ne akoma nuk duam që ta kuptojmë se familja shqiptare është në depresion, se kriza më e madhe shoqërore që kalon shoqëria jonë është “defunksionalizimi i familjes”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se familja po tkurret dhe zvogëlohet nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka shfaqur prirjen e shpërbërjes. Numri i personave për familje ka zbritur nën 4 persona, pra çiftet nuk po riprodhojnë as vetveten.

Ndërkaq, shtimi marramendës i divorceve me një rritje vjetore dyshifrore jo rrallë nxit konflikte e krime në familje. Këto nuk janë shenja, janë provat e tronditjes së thellë të marrëdhënies sociale të shoqërisë shqiptare.

Familja, e cila tek ne historikisht ka përbërë bazën e njësisë, duke zëvendësuar jo rrallë shoqërinë edhe vetë shtetin, familja që duhet të ishte shembull për shoqërinë në tërësi, ka humbur dhe po e humb dita-ditës këtë rol, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale. Sot (për fat të keq) mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më…

Ky depresion ka kohë që troket kërcënueshëm në dyert e shoqërisë shqiptare, duke rrezikuar të ardhmen e saj, e cila u gjend e papërgatitur për të përballuar pasojat që solli kalimi i shoqërisë nga një shoqëri e mbyllur, në një shoqëri të hapur, në këtë tranzicion të pafund. Duket sikur terapinë shock që kaloi ekonomia, e pësoi edhe familja.

Disa studiues të shkencave sociale, psikologë e sociologë pretendojnë dhe përpiqen ta justifikojnë këtë gjendje me argumentin se këto nuk janë fenomene vetëm shqiptare, por mbarë botërore, si rrjedhojë janë çështje të modernizimit të familjes. Vërtetë shoqëria perëndimore duket sikur e ka “vrarë familjen tradicionale”, por është organizuar në mënyrë të tillë që individi ta ketë të mundur ekzistencën edhe jashtë gjirit të familjes.

Progresi i bërë nga shoqëria perëndimore në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe përkrahjes sociale të njerëzve synon plotësimin e zbrazëtisë së krijuar nga kriza e familjes: njeriu e humb familjen, por shoqëria i gjendet me krijimin e disa kushteve duke mos e lënë në mëshirën e fatit. Kurse shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të kushteve të tilla dhe kjo është arsyeja pse kriza e familjes shqiptare bëhet edhe më e mprehtë.

Defunksionalizimi i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes). Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes.

Raportet zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje rritet vit pas viti. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin, babai që përdhunon të bijën, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai që vret vëllanë, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që braktis foshnjën etj.. Nëse Thomas Hobbes do e merrte në shqyrtim shoqërinë tonë, do e cilësonte shqiptarin e sotëm si individ në “gjendje natyrore”, të përfshirë nga instinktet dhe jo nga rregullat e të jetuarit në shoqëri.

Nga ana tjetër, pasqyrimi në media në kronikën e zezë pa kriter i ngjarjeve të tilla e rëndon akoma më shumë psikikën tonë dhe atmosferën në jetën e qytetarit të thjeshtë. Edhe pa këto ngjarje është i traumatizuar e i mbingarkuar me streset e përditshmërisë për përballimin e mbijetesës biologjike dhe nuk është në gjendje të përballojë edhe një ngarkesë të tillë emocionale.

Studiuesit rendisin si shkaqe të këtij fenomeni gjendjen ekonomike, xhelozinë, konsumimin e alkoolit, bixhozin, papunësinë, shkollimin e pakët, mosmarrëveshjet për pasuri dhe prona, bashkëjetesën pas zgjidhjes së martesës, mospërballimin e kushteve të jetesës. Sipas tyre, shteti nuk ofron mundësi për parandalimin e këtij krimi, por përkundrazi, ka krijuar liri të tepruar edhe për “kriminelët”.

Disa të tjerë akuzojnë abuzivisht “Kanunin e maleve”. Por po të lexosh me vëmendje dhe pozitivisht Kanunin e Lek Dukagjinit, rezulton e kundërta. Kanuni (nyja 9: 19 ) sanksionon, se: “Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qellimi i të cillvet asht të shtuemit e gjindes nepermjet të martesës, të mkabunit te tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises”;…. “Familjen e perbajn gjindja e shpise; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Komb, e kan nji atdhe, nji gjak, nji gjuhë, e doke”.

Të gjithë mund të rendisim 1001 arsye, por problemi qëndron të përgjigja e pyetjes: Çfarë duhet të bëjmë? Sot, kur jemi ende në kohë të reflektojmë mbi këto probleme e shqetësime, pa i lënë ato të rëndohen dhe të bëhen të pashërueshme; duhet urgjentisht të mos vazhdojmë si struci t’i fshihemi realitetit me pseudoarsye, duke i kërkuar shkaqet e të keqes larg nesh.

Hapi i parë duhet të jetë ai i pranimit të realitetit; se deri më sot shteti shqiptar me gjithë organizmat politike e shoqërore kanë dështuar t’ia dalin për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes. Ky nuk do të ishte vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthese, një lëvizje që do të ndizte dritëzën e shpresës për frenimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes.

Procesi i rimëkëmbjes së familjes dhe si rrjedhojë edhe ai i shoqërisë shqiptare, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, atij juridik e ligjor, atë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner.

Shteti dhe qeveria kanë detyrë të kujdesen për të krijuar e zbatuar projekte konkrete e afatgjata, ku të përfshihen shtresat me të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Sigurisht, familja perfekte nuk ekziston dhe as që duhet kërkuar, por familja reale, familja funksionale po. Për ta pasur këtë familje duhen luftuar shkaqet që e vënë atë në rrezik: injoranca, varfëria, padrejtësia, pasiguria, humbja e moralit shoqëror dhe e ndjeshmërisë dhe e nderimit për pjesëtarët e familjes. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të fillosh ta krijosh atë.

Miqtë e mi duhet të punojmë të gjithë që sensibilizimi i popullsisë të jetë më i madh. Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve fjalët e Papa Françesku (Zoti i shtoftë jetën): “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur.

Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”. Kjo, që familja, nga faktor dëshpërimi të shndërrohet në faktor shprese. Kjo që ta përjetojmë vlerën e të pasurit familje. Zoti na ndihmoftë!

I paharruari, burri i shtetit humanist, Presidenti Karter

9 January 2025 at 10:05

Nga Besnik Bakiu

Sot më 9 janar zhvillohet funerali shtetëror në Uashington, DC të SHBA, për Presidentin e 39-të Xhimi Karter, i cili ndërroi jetë më 29 dhjetor 2024.

Presidenti Karter, lindi më 1 tetor 1924 në qytetin e vogël rural të Plains, Georgia dhe u rrit në komunitetin e afërt të Archery. Babai i tij, Xhimi Earl Karter, ishte fermer dhe biznesmen, nëna e tij, Lillian Gordy Karter, ishte infermiere.

Ai u shkollua në shkollat publike të Plains, ndoqi Kolegjin Jugperëndimor të Gjeorgjisë dhe Institutin e Teknologjisë në Xhorxhia dhe mori një diplomë bachelor nga Akademia Detare e Shteteve të Bashkuara në vitin 1946. Më pas, shërbeu në flotën e Atlantikut dhe të Paqësorit duke arritur gradën e togerit.

I përzgjedhur nga admirali Hyman Rickover për programin e nëndetëseve bërthamore, ai u stacionua në Schenectady, Nju Jork, ku ndoqi studimet pasuniversitare në Union College në teknologjinë e reaktorëve dhe fizikën bërthamore dhe shërbeu si oficer i lartë i ekuipazhit përpara çmontimit të Seawolf, nëndetësja e dytë bërthamore.

Në vitin 1953, ai dha dorëheqjen nga komisioni i tij detar dhe u kthye me familjen e tij në Gjeorgji. Ai mori përsipër Carter Farms dhe drejtoi Carter’s Warehouse, një kompani me qëllime të përgjithshme për furnizimin me fara të fermave në Plains.

Ai u bë shumë shpejt një udhëheqës komuniteti, duke shërbyer në këshillat e qarqeve që mbikëqyrnin arsimin, autoritetin e spitalit dhe bibliotekën. Në vitin 1962 ai fitoi zgjedhjet për Senatin e Gjeorgjisë. Ai humbi fushatën e tij të parë për guvernator në vitin 1966, por fitoi zgjedhjet e ardhshme për t’u bërë guvernatori i 76-të i Gjeorgjisë më 12 janar 1971. Ai ishte kryetar i fushatës së Komitetit Kombëtar Demokratik për zgjedhjet e kongresit dhe guvernatorit të vitit 1974. Karter fitoi garat e tij duke tërhequr votuesit zezakë dhe të bardhët kulturalisht konservatorë. Pasi erdhi në detyrë, ai ishte më i drejtpërdrejtë: “Unë ju them sinqerisht se koha e diskriminimit racor ka mbaruar”,-deklaroi ai në fjalimin e tij inaugurues të vitit 1971.

Gjatë periudhës 1977-1981 shërbeu vetëm për një mandat në Shtëpinë e Bardhë, pasi u mund nga Ronald Reagan.

Karriera e Presidentit Karter që nga fermeri i kikirikut, me një jetë modeste, në një shtëpi pa energji elektrike apo pajisje hidraulike të brendshme, arriti të jetë jo vetëm President i vendit më të fuqishëm të botës, por edhe të qëndroj në skenën botërore përgjatë dy shekujve, tregon që SHBA mbetet vend i mundësive për çdo njeri.

Ai shpalli Ditën e Martin Luther King Jr në shtetin e origjinës së liderit të vrarë të të drejtave civile.

Presidenti Karter ka një karrierë të çuditshme, nga biznesmen, oficer marine, ungjilltar, politikan, negociator, autor, punues druri, qytetar i botës, etj.

Bashkëkohësit e vlerësojnë si personalitet me intelekt të mprehtë, besim të thellë fetar dhe etikë të jashtëzakonshme pune, duke kryer misione diplomatike dhe duke ndërtuar shtëpi për të varfrit deri në të vitet 90, etj, etj. “Besimi im kërkon – kjo nuk është fakultative – që të bëj gjithçka që mundem, kudo që të jem, kurdo që të mundem, për aq kohë sa të mundem, me çdo gjë që duhet të përpiqem të bëj një ndryshim”.

Megjithëse fitorja e zgjedhjeve presidenciale ishte relativisht e lehtë, pas skandalit të Watergatit të Presidentit Richard Nixon dhe humbjes së SHBA-së në Azinë juglindore, duhet pranuar që Presidenca e Karterit ishte në një kohë shumë të vështirë, mes presioneve të Luftës së Ftohtë, tregjeve të trazuara të naftës dhe trazirave sociale mbi racizmin, të drejtat e grave dhe rolin global të Amerikës. Siç e quan me të drejtë edhe Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump “Sfidat me të cilat u përball Xhimi si president erdhën në moment vendimtar për vendin tonë dhe ai bëri gjithçka ishte në fuqinë e tij për t’i përmirësuar jetët e të gjithë amerikanëve. Prandaj i kemi borxh një falënderim”.

Presidenti Joe Biden ka thënë se: “Sot Amerika dhe bota humbën një lider të shkëlqyeshëm, burrështetas dhe humanist. Mbi gjashtë dekada e patëm nderin ta quajmë Xhimi Karterin mik të dashur. Por, ajo që është e jashtëzakonshme për Xhimi Karter, është se miliona njerëz në SHBA dhe në mbarë botën, të cilët nuk e njohën asnjëherë, gjithashtu e konsideronin mik të dashur”

Arritjet kryesore të politikës së jashtme të administratës së tij ishin Traktatet e Kanalit të Panamasë, Marrëveshja e Camp David, Traktati i Paqes Egjipt-Izrael, ku Ai ndërmjetësoi duke mbajtur presidentin egjiptian Anvar Sadat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin në tryezën e bisedimeve për 13 ditë në 1978, SALT II me Bashkimin Sovjetik dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike amerikane me Republikën Popullore të Kinës. Ai nënshkroi traktatin e ri të armëve strategjike me Leonid Brezhnev e Bashkimit Sovjetik, vetëm për ta tërhequr atë, për të vendosur sanksione tregtare dhe për të urdhëruar një bojkot të SHBAsë për Lojërat Olimpike të Moskës pasi sovjetikët pushtuan Afganistanin.

Ai mbrojti të drejtat e njeriut në mbarë botën. Brenda vendit, arritjet e qeverisë përfshinin një program gjithëpërfshirës energjetik.

Ndër dështimet e Presidentit Karter kujtohet kriza 444-ditore e pengjeve në Iran, kur tetë amerikanë vdiqën në një shpëtim të dështuar të pengjeve në prill 1980. Kjo krizë erdhi pasi SHBA pranuan Shahun e mërguar të Iranit për trajtim mjekësor. Ambasada Amerikane në Teheran u pushtua në vitin 1979 nga ndjekësit e Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Pas presidencës, në vitin 1982 themeloi Qendrën Karter, si qendër paqebërëse ndërkombëtare dhe kampione i demokracisë, shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut. Ai realizoi lehtësimin e tensioneve bërthamore në Korenë e Veriut dhe Jugut, ndihmoi në shmangien e një pushtimi të Haitit nga SHBA dhe negocimin e armëpushimit në Bosnje dhe Sudan. Deri në vitin 2022, Qendra Karter kishte shpallur të paktën 113 zgjedhje në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë si të lira ose mashtruese.

Presidenti Karter citonte se Ai ishte “aty ku të tjerët nuk po shkelin”, kur vizitonte vende shumë problematike si Etiopia, Liberia dhe Koreja e Veriut, ku siguroi lirimin e një amerikani që ishte ende përtej kufirit në vitin 2010.

“Mund të them atë që më pëlqen. Mund të takoj kë të dua. Mund të ndërmarr projekte që më kënaqin dhe të refuzoj ato që nuk më kënaqin”- shprehej Ai.

Qasja e tij e përgjithshme ishte “të mbrojë sigurinë dhe interesat e kombit tonë në mënyrë paqësore” dhe “të rrisë të drejtat e njeriut këtu dhe jashtë vendit”, si dhe në fushën e bamirësisë, në strehimin e njerëzve në mbarë botën, në luftën globale kundër varfërisë etj.

Me të drejtë Presidentit Karter i është dhënë Çmimi i Paqes i Komitetit Nobel për vitin 2002 me motivacionin, “Për përpjekjet e tija të palodhura, prej dekadash, për gjetjen e zgjidhjeve paqësore ndaj konflikteve ndërkombëtare, për avancimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, si dhe për promovimin e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore”

Lidhjet e Tij me Shqipërinë nuk kanë qenë aq aktive gjatë mandatit presidencial, për shkak të faktit se Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike me regjimin komunist të Enver Hoxhës, por Ai ka mbajtur lidhje shumë të ngrohta me përfaqësues të shqiptarëve me banim në SHBA. Ne shqiptarët i detyrohemi Presidentit Karter pasi ishte i pari President i Amerikës (ndonëse jo në detyrë) që ka vizituar Shqipërinë. Në shtator 1993 Xhimi Karter ka vizituar për disa ditë Shqipërinë, ku objekti kryesor i bisedimeve me përfaqësuesit shqiptarë – ishte Kosova dhe konflikti i atëhershëm në ish-Jugosllavi. Ishte ky President që hapi rrugën për të vizituar vendin tonë shumë Presidentë të tjerë të SHBA-ve.

❌
❌