Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Kur propaganda qeveritare flet për sovranitet e zhvillim, statistikat flasin për deficit dhe emigrim

19 May 2026 at 14:24

Nga Adri Nurellari

Argumenti i vetëm që kryeministri Kurti dhe oborrtarët e tij vazhdojnë të përdorin sa herë përballen me faktin se Kosova mbetet në fund të Europës për nga ekonomia është: “Po mirë, edhe më parë keq ka qenë.” Sikur të bëhej fjalë për një pacient që del nga terapia intensive me ethe e temperaturë më të lartë dhe mjeku Kurti të thotë gjithë krenari: “Po hajt mo, edhe kur erdhi ishte goxha keq.”

Po, është e vërtetë që Kosova historikisht ka pasur ekonomi të dobët. Mirëpo, pikërisht për këtë arsye pritshmëria e votuesve ishte që kjo qeveri (e cila erdhi me premtime për transformim, drejtësi sociale dhe sovranitet ekonomik) ta ndryshonte trajektoren. Problemi sot është se treguesit strukturorë të ekonomisë reale nuk tregojnë përmirësim konkret por degradim.

Dihet që ekonomia nuk funksionon me recitale patriotike, konferenca morale apo monologë revolucionarë. Ekonomia funksionon me prodhim, eksporte, konkurrueshmëri dhe produktivitet. Sot Kosova mbetet ndër ekonomitë më të dobëta të Europës pothuajse në çdo tregues strukturor serioz. Në renditje lë pas vetëm Ukrainën, një shtet që ndodhet në luftë të plotë, me territore të pushtuara, qytete të bombarduara dhe ekonomi lufte sfilitëse prej më shumë se një dekade.

Për të anashkaluar treguesit sipërfaqësorë dhe për të bërë një radiografi të saktë të modelit ekonomik të një vendi, indikatori më i besueshëm mbetet bilanci tregtar dhe shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet. Pikërisht ky tregues strukturor dëshmon dështimin e politikave ekonomike të qeverisë Kurti gjatë mandatit të plotë 2021–2024.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2021 Kosova importonte rreth 6.2 herë më shumë sesa eksportonte. Në vitin 2024 ky raport u përkeqësua në afro 6.8 herë.

Faktet zyrtare janë kokëforta dhe tregojnë se importet u rritën nga €4.68 miliardë në 2021 në €6.37 miliardë në 2024. Deficiti tregtar gjatë mandatit të tij të plotë shpërtheu nga €3.92 miliardë në €5.43 miliardë, duke  u thelluar me mbi €1.5 miliardë.

Kur propaganda qeveritare flet për sovranitet e zhvillim, statistikat

Nga ana tjetër eksportet u rritën vetëm nga €755 milionë në €941 milionë (kryesisht si rezultat i inflacionit global dhe jo i rritjes së vëllimit apo diversifikimit të prodhimit). Struktura e eksporteve të Kosovës mbetet e bllokuar në produkte me vlerë të ulët të shtuar (kryesisht mbetje të metaleve bazë, plastikë bazike dhe lëndë e parë), duke dështuar në tranzicionin drejt eksporteve industriale me vlerë të lartë të shtuar.

Pra jo vetëm që Kosova kishte një nga raportet më të këqija import/eksport në Ballkanin Perëndimor, por gjatë sundimit Kurti deficiti u thellua ndjeshëm. Për ta kuptuar sa rëndë është Kosova, duhet të bëjmë një krahasim me vendet fqinje, ku shohim se në vitin 2024 Serbia importonte vetëm rreth 1.2 herë më shumë sesa eksportonte, Maqedonia e Veriut rreth 1.5 herë, Bosnja rreth 2 herë, Shqipëria rreth 2.5 herë dhe Mali i Zi rreth 4.7 herë.

Po ta shohim retorikën qeveritare, në teori flitet pa ndalur për sovranitet ekonomik, siguri, zhvillim kombëtar dhe dinjitet social. Kjo do duhej të ishte përkthyer në rritje të prodhimin vendor, zgjerim të eksporteve, ulje të varësisë nga importet, në ndërtim të industrisë vendore konkurruese e eksportuese si dhe në garantim të sigurisë e pavarësisë në sektorët nevralgjik prodhues të energjetikës, ushqimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes. Në realitet kemi parë se ka ndodhur pothuajse plotësisht e kundërta.

Kosova sot funksionon si një ekonomi konsumi e mbajtur në këmbë nga diaspora. Duhet kuptuar se një ekonomi mund të rritet statistikisht edhe duke importuar më shumë, duke rritur çmimet apo duke konsumuar remitanca. Zhvillim real ka vetëm atëhere kur rritet aftësia e vendit për të prodhuar, eksportuar dhe krijuar vlerë të shtuar konkurruese.

Në thelb sot, vendi po konsumon me çmime europiane me para të fituara jashtë Kosovës. Kjo është arsyeja pse edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto mund të jape formalisht iluzion progresi. Konsumi rritet, qarkullimi rritet, importet rriten, TVSH-ja rritet, statistikat fiskale duken më mirë. Por kjo nuk do të thotë se ekonomia po bëhet më prodhuese apo më konkurruese.

Ironia bëhet pothuajse cinike kur sheh se “suksesi” më i madh eksportues i Kosovës gjatë kësaj periudhe të drejtimit nga Kurti duket të jetë eksporti i vetë njerëzve. Sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm gjatë viteve 2021–2024, plot 178,308 qytetarë të Kosovës kanë marrë për herë të parë rezidencë në vendet e Bashkimit Europian. Dhe kjo shifër nuk përfshin emigrantët ilegal, azilkërkuesit, ata sezonal dhe ata që mund të kenë shkuar jashtë BE-së në Zvicër, Britani të Madhe, Norvegji apo SHBA.

Këtu qëndron paradoksi tragjik i modelit ekonomik aktual. Të rinjtë largohen, punojnë jashtë, dërgojnë remitanca, remitancat financojnë konsumin, konsumi financon importet, importet fryjnë PBB-në nominale dhe më pas  e gjitha kjo paraqitet si “rritje ekonomike”. Thënë ndryshe, kemi krijuar një model ku emigracioni masiv po maskohet e shitet si zhvillim ekonomik. Në realitet, duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit në Kosovë, s’vjen nga rritja e produktivitetit, teknologjisë apo industrializimit, por nga eksporti masiv i kapitalit njerëzor. Në vend që të eksportojë produkte me vlerë të shtuar, po eksporton kapitalin njerëzor që i nevojitet për t’u zhvilluar.

Dhe kjo është arsyeja pse Kosova sot ngjan më shumë me një ekonomi transferte dhe remitancash sesa me një ekonomi moderne prodhuese. Një ekonomi që importon pothuajse gjithçka, nga ushqimi dhe energjia deri te materialet industriale e produktet e konsumit, ndërsa eksportet mbeten të përqendruara kryesisht në metale bazë, produkte me vlerë të ulët të shtuar dhe pak përpunim industrial.

Një pjesë disproporcionale e kapitalit në Kosovë vazhdon të orientohet drejt sektorëve joprodhues si tregtia, gastronomia, ndërtimi dhe importi, ndërsa industria përpunuese dhe teknologjia mbeten rudimentare. Kjo situatë i përshtatet një varianti të ‘Sëmundjes Holandeze’ (Dutch Disease) në ekonomi ku fluksi i madh i parave të gatshme nga diaspora (remitancat) mban artificialisht të lartë fuqinë blerëse dhe rrit çmimet e shërbimeve dhe patundshmërisë, duke e bërë prodhimin vendor jo-konkurrues dhe duke dekurajuar investimet në sektorët produktiv.

Historia bashkëkohore na ka treguar se asnjë shtet nuk është zhvilluar duke konsumuar remitanca. Shtetet që dolën nga varfëria në Azinë Juglindore apo Evropën Jugore e Lindore, e bënë këtë përmes industrializimit, eksporteve dhe produktivitetit.

Me pak fjalë,  ndërsa propaganda politike e Vetëvendosjes flet për “epokë të re”, “shtet social”, “dinjitet”, “barazi” dhe “zhvillim”, ekonomia reale po na jep një shuplakë të rëndë duke na demonstruar se Kosova po po prodhon si një periferi e prapambetur dhe e varur që mbijeton duke eksportuar të ardhmen e saj, rininë.

Albin Guevara dhe Mickoski: Defaktorizimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

12 May 2026 at 13:04

Nga Adri Nurellari

Ngjarjet e fundit politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut; nga debatet simbolike për himnin e munguar në Kuvendin e Vlen-it e deri tek protestat e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe; nuk janë thjesht episode të izoluara por maja e një ajsbergu të një strategjie më të vjetër dhe më të rrezikshme për një “de-albanizim” faktik dhe metaforik të shtetit, duke i kthyer shqiptarët nga faktorë shtetformues në dekor politik. Në thelb të kësaj dinamike qëndron një lloj “sado-mazokizmi politik” që ka karakterizuar ekstremistët e VMRO-DPMNE-së ndër vite. Kjo është një ndjenjë inferioriteti karshi ndërkombëtarëve perëndimorë dhe fqinjëve, e cila tentohet të kompensohet përmes një arrogance dhe shfaqjeje superioriteti ndaj shqiptarëve brenda shtëpisë.

Për vite me radhë, kjo elitë ndërtoi narracionin se shqiptarët “kanë marrë shumë pushtet”, se Marrëveshja e Ohrit ka shkuar “tepër larg” dhe se karakteri i shtetit po ndryshon. Sot, kjo propagandë po korr frutat e saj sepse po shohim se si po tentohet të krijohet një realitet ku shteti funksionon me shqiptarë të “disiplinuar” dhe të nënshtruar që nuk guxojnë as të vendosin himnin kombëtar brenda në kuvendin e partisë së tyre. Shqiptarët gjithashtu janë kthyer në kokë turku për çdo krizë, për çdo frustrim e bllokim, ndërkohë që problemet reale të shtetit mbeten korrupsioni, inflacioni, kapja partiake e institucioneve, mungesa e reformave dhe stagnimi i integrimit.

Në këtë klimë hyn edhe roli i Albin Kurtit, i cili në vend që ta fuqizonte subjektivitetin politik të shqiptarëve të RMV-së, në shumë raste e ka defaktorizuar atë. Duke e paketuar VLEN-in si një lloj dege lokale të LVV-së dhe duke u shfaqur si autoritet politik përmbi partitë shqiptare atje, ai ua ka zbehur autonominë politike dhe i ka bërë më të anashkalueshëm në raport me partnerin maqedonas. Sepse natyrshëm një faktor që perceptohet si satelit politik i Prishtinës nuk trajtohet si partner real shtetformues, por si vegël e ndikimit të jashtëm.

Kjo është pikërisht ajo që i ka munguar për vite narracionit nacionalist maqedonas, dëshmia konkrete se shqiptarët nuk janë faktor autentik shtetformues, por zgjatim i ndikimeve të jashtme të Tiranës apo Prishtinës. Sa herë Kurti shfaqet si “lider i shqiptarëve të rajonit” në Tetovë apo Shkup, ai ushqen paranojat nacionaliste dhe e bën më të lehtë relativizimin e rolit politik të shqiptarëve në shtet. Kjo sjellje e tij vetëm sa i ka dhënë oksigjen trillimit nacionalist dhe ekstremist maqedonas me gogolin e “Shqipërisë së Madhe”, paranojë që për vite është përdorur për mobilizim politik dhe për justifikimin e dobësimit të rolit shqiptar në shtet. Çdo perceptim se një komunitet etnik kontrollohet nga një kryeqytet tjetër, prodhon kundërreagim nacionalist defensiv nga komuniteti tjetër etnik, dhe këtë gjë e kemi parë në pafund raste analoge të Bosnje Hercegovinës; Moldavisë; Ukrainës; Gjeorgjisë, Qipros etj.

Dhe e gjitha kjo ndodh ndërkohë që qeveria Mickoski po zhbën gradualisht vetë themelet e bashkëjetesës ndëretnike nëpërmjet minimizimit apo pengimit të përdorimit të gjuhës shqipe, margjinalizim të përfaqësimit shqiptar në institucione, tentativa për zbehjen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe heqjen e mekanizmit të “balancuesit”, një nga instrumentet kryesore që garantonte përfaqësimin etnik në administratë. Lexuesi jashtë RMV-së duhet të kuptojë se ky shtet pas Ohrit nuk u konceptua si demokraci klasike numerike (fituesi merr gjithçka), por, siç do ta përkufizonte Arend Lijphart, nj shtet konsensual multi-etnik ku stabiliteti varet nga balancat mes komuniteteve. Pra, sulmi ndaj “balancuesit”, relativizimi i gjuhës shqipe apo minimizimi i partnerit shqiptar nuk janë thjesht vendime administrative, por cënim i vetë arkitekturës kushtetuese post-2001.

Në vend që ta shuante klimën e paranojës etnike dhe ta forconte pozitën e shqiptarëve si partnerë shtetformues, Kurti iu dha ultranacionalistëve maqedonas pikërisht “evidenën” propagandistike se shqiptarët qenkan projekt politik i importuar dhe jo hisedarë e faktor autentik vendas. Duke u vetëshpallur si lider mbarëshqiptar ai ushqeu dyshimin etnik dhe armatosi me prova qarqet më radikale anti-shqiptare. Sot, për një pjesë të opinionit maqedonas, VLEN nuk perceptohet si përfaqësues organik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por si zgjatim politik i Prishtinës; dhe kjo është katastrofë për pozitën afatgjatë të shqiptarëve atje. Njëherazi edhe për diplomatët ndërkombëtar të cilët kur shohin se partitë shqiptare në RMV perceptohen si degë të qendrave të jashtme politike (Prishtinë/Tiranë), ato njëherazi humbin atributin kryesor të aktorit shtetformues pra sovranitetin politik vendor dhe ndërkaq forcohet perceptimi se shqiptarët nuk janë bashkëpronarë  (co-owners) por  instrumente të ndikimit të jashtëm (proxy).

Problemi tjetër me revolucionin populist të eksportuar “à la Che Guevara” është se ajo e zëvendëson interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me folklor populist dhe spektakël emocional. Shqiptarët atje nuk kanë nevojë për mitologji politike dhe ekzibicionizëm egocentrik, por për institucione të forta, përfaqësim serioz dhe fuqi reale negociuese. Kurti transferoi në Maqedoninë e Veriut debatin e tij tipik anti-establishment për “luftën kundër elitave të vjetra” dhe korrupsionit, sikur problemi kryesor i shqiptarëve atje të ishte identik me atë të Kosovës. Por sfidat ekzistenciale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë para së gjithash etnike dhe kushtetuese. Pra janë përfaqësimi institucional, gjuha, balanca në administratë, Marrëveshja e Ohrit dhe ruajtja e statusit si faktor shtetformues. Duke imponuar një narrativë populiste nga Kosova, ai e zhvendosi debatin nga këto çështje thelbësore të shqiptarëve drejt një spektakli anti-elitë që në fund vetëm sa e dobësoi pozitën reale të shqiptarëve në shtet.

Shqiptarët atje nuk kanë nevojë për retorikë demagogjike populiste, por për zhbllokimin e integrimit evropian; institucione të forta, fuqi negociuese dhe stabilitet kushtetues. Në momentin kur liderët vendorë fillojnë të kërkojnë vulë nga Prishtina në vend të mandatit nga Tetova apo Struga, përfaqësimi shqiptar fillon të kalbet nga brenda. Partitë shqiptare do duhej ta ndërtonin autoritetin mbi figura lokale; ide, institucione dhe mbështetje qytetare e jo duke importuar legjitimitetin e Kurtit. Kjo i dobëson edhe në raport me aleatin maqedonas, sepse një partner që perceptohet si satelit politik nuk trajtohet kurrë si faktor real vendimmarrës.

Në një mënyrë paradoksale, marrëdhënia politike mes Kurtit dhe Mickoskit është bërë pothuajse e ngjashme dhe simbiotike. Të dy, secili në mënyrën e vet, shmangin ballafaqimin me problemet reale të qytetarëve duke e zhvendosur debatin tek marrazi për etninë tjetër që bashkëjeton në shtet. Mickoski shmang përgjegjësinë për stagnimin ekonomik, çmimet e larta, emigracionin masiv dhe bllokimin e integrimit europian duke mobilizuar frikën ndaj shqiptarëve. Kurti, në anën tjetër, ngjashëm me të, eksporton populizmin e tij identitar dhe e zhvendos vëmendjen nga problemet reale të Kosovës drejt protagonizmit rajonal dhe konfliktit permanent politik. Siç argumenton Chantal Mouffe, populizmi ushqehet kryesisht duke krijuar vazhdimisht një “armik” politik e emocional. Dhe pikërisht të dy ushqehen nga polarizimi etnik sepse ai i ndihmon të mbajnë gjallë propagandën me të cilën marrin vota e shmangin përgjegjësitë për dështimet.

Mirëpo, historia politike e kombit tonë ka treguar vazhdimisht se momentet më të rrezikshme nuk kanë ardhur vetëm nga nacionalizmat e fqinjëve, por edhe nga fenomeni i “Pošteni Albanci”; shqiptarët “e ndershëm”, “të pranueshëm”, që janë përdorur si noterë politikë për të validuar vendime kundër vetë interesit kombëtar shqiptar. Nga ata që në mars 1989 votonin suprimimin e autonomisë së Kosovës, e deri tek elitat që në prill 1939 i dorëzuan kurorën mbretërore Viktor Emanuelit duke e shitur servilizmin si realpolitikë. Ballkani ka prodhuar vazhdimisht shqiptarë që pushteti i promovon sepse janë të dobishëm për neutralizimin e vetë shqiptarëve. Këtu qëndron edhe rreziku më i madh me VLEN-in, me kryeministrin e Kosovës dhe me përfaqësuesit e partisë kryesore opozitare të Shqipërisë që preferuan fotografinë politike me Mickovskin edhe kur himni shqiptar mungonte.. Sepse sa herë elitat shqiptare relativizojnë dobësimin simbolik e institucional të shqiptarëve në emër të “pragmatizmit” apo “moderimit”, ato rrezikojnë të bëhen lubrifikant politik për ingranazhet e nënshtrimit, disiplinimit dhe defaktorizimit gradual të shqiptarëve në RMV.

Shqiptarët gjithashtu kanë paguar shpesh çmimin e pazareve gjeopolitike të kryeqyteteve të veta. Çamët u sakrifikuan në emër të ekuilibrave rajonalë dhe flirtit diplomatik me Athinën, ndërsa terrori shtetëror në Kosovë për dekada u trajtua si kosto e pranueshme në funksion të marrëdhënieve të Tiranës enveriste me Titon dhe Jugosllavinë. Ngjashëm ndihen sot shqiptarët në Mal të Zi kur shohin kryeministrin e Shqipërisë që bën fushatë elektorale për Gjukanoviçin e Abazoviqin e nuk nxit bashkimin e fuqizimin e partive shqiptare atje. Njësoj ndodh në Luginë të Preshevës kur shikojnë Kurtin që i përdor si gur shahu për dialogun apo e shohin Ramën që sillet si pobratin i Sandrit të Beogradit duke e justifikuar për mosvendosje sanksionesh ndaj Moskës apo duke bashkë-shkruajtur artikuj presioni ndaj Brukselit. Kjo është arsyeja pse shqiptarët në rajon kanë zhvilluar një ndjeshmëri të fortë ndaj çdo tentative për t’u përdorur si monedhë shkëmbimi në lojërat kryeministrore të protagonizmit rajonal.

Por në rastin  tonë, problemi është se Kurti, me këtë sjellje, nuk po i dëmton vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut por po dëmton gradualisht edhe vetë Kosovën e cila po humbet rolin që kishte dikur si pikë bashkimi për shqiptarët. Prishtina kishte ndikim sepse shihej si qendër morale dhe simbol solidariteti për gjithë shqiptarët e jo si sponsor i një partie kundër një tjetre. Duke hyrë hapur në garat politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (sikurse në Shqipëri e Luginën e Preshevës) dhe duke marrë anë kundër njërës palë shqiptare, ai ia ka humbur Prishtinës rolin tradicional të arbitrit moral dhe neutral që kishte ndikim mbi të gjithë spektrin politik shqiptar.

Për më tepër e dëmton Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare. Për vite me radhë, Prishtina është përpjekur të ndërtojë imazhin e një shteti të vogël paqe-dashës;vullnet-mirë që kërkon njohje, stabilitet dhe integrim euro-atlantik dhe që përpiqet t’i zgjidhë problemet e mbetura me fqinjët nëpërmjet dialogut. Por kur kryeministri i saj futet drejtpërdrejt në garat politike të shqiptarëve në shtetet fqinje dhe sillet si patron politik rajonal, krijohet perceptimi i një shteti që eksporton tension politik, polarizim etnik dhe jo stabilitet.

Kjo sjellje e dëmton edhe raportin me Perëndimin. SHBA-të dhe BE-ja kërkojnë stabilitet, pragmatizëm dhe koordinim në rajon. Kur Kosova fillon të shihet si vend që rrit tensionet politike dhe etnike te fqinjët, dobësohet edhe vullneti i disa partnerëve për ta mbështetur pa rezerva në temat e saj kryesore ndërkombëtare. Madje krijohet edhe perceptimi se Kurti po eksporton në rajon të njëjtën frymë përplasjeje që ka pasur shpesh me BE-në dhe SHBA-në në Kosovë. Kurti aktualisht është kumbari i një aleance shqiptare që është në koalicion me VMRO-DPMNE-në që po bllokon ndryshimet kushtetuese dhe po e mban të ngrirë rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut. Kjo krijon përshtypjen e rrezikshme se Prishtina zyrtare po mbështet direkt apo indirekt pikërisht ata faktorë që po e mbajnë rajonin jashtë BE-së.

Kjo politikë i bën dëm vetë idesë së shqiptarëve si faktor modern më pro-europian në mbarë Ballkanin. Në vend që shqiptarët të perceptohen si komunitet që kërkon institucione funksionale, integrim euro-atlantik dhe bashkëjetesë liberal-demokratike, rikthehet narrativa e vjetër ballkanike ku çdo mobilizim shqiptar interpretohet si projekt nacionalist rajonal destabilizues. Dhe kjo është dhurata më e madhe që mund t’u bëhet qarqeve anti-shqiptare në rajon duke nisur nga Beogradi.

Në përfundim, ironia është se nacionalistët maqedonas dhe populizmi rajonal i Kurtit sot ushqehen nga njëri-tjetri. Njëri ka nevojë për frikën ndaj shqiptarëve për të mbuluar dështimet e veta, tjetri ka nevojë për polarizim permanent etnik për t’u projektuar si figurë me peshë ndërkombëtare. Njëra palë i do shqiptarët të heshtur dhe të “disiplinuar”, pala tjetër i përdor si karburant për protagonizëm elektoral politik dhe pazar diplomatik.

Në këtë teatër polarizimi, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut rrezikojnë të mbeten thjesht “mish për top” elektoral. Shqiptarët atje nuk kanë nevojë as për paranojën e Mickovskit dhe as për narcizmin rajonal të Kurtit. Ata kanë nevojë për fuqi reale negociuese, institucione, integrim europian dhe elitë politike që merr mandat nga qytetarët e vetë e jo bekim nga Prishtina. Sepse kur politika shqiptare shndërrohet në filial dhe shqiptarët trajtohen si zgjatim i dikujt tjetër, fituesit e vetëm janë qarqet anti-shqiptare që prej dekadash pengojnë bashkëjetesën me shqiptarë të barabartë, por përpiqen të prodhojnë shqiptarë  të bindur, të menaxhueshëm dhe politikisht të kastruar.

Kur ish-revolucionari Albin bëhet autokrati Kurti

28 April 2026 at 12:44

Nga Adri Nurellari

Kosova po përballet sërish me të njëjtin modelit politik manipulativ të Albin Kurtit i cili prodhimin e krizës e ka teknikë pushteti sepse e ka përdorur rregullisht si mjet për të ruajtur dhe zgjeruar sundimin. Duke dashur të kontrollojë kalendarin zgjedhor, vitin e kaluar ai organizoi disa seanca parlamentare e vendime të kontestuara ligjërisht, me vetëdije të plotë se çështjet do të përfundonin në Gjykatën Kushtetuese. Qëllimi vjet ishte të fitohej kohë dhe të shtyheshin zgjedhjet. Ia doli, u zvarritën dhe më në fund u çuan më 28 dhjetor kur atij i leverdiste më së shumti.

`Skema është tashmë lehtësisht e lexueshme edhe për veprimet e djeshme. Krijohet konflikt procedural, prodhohet përplasje juridike, çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, koha konsumohet dhe kalendari zgjedhor spostohet më vonë nga data 7 qershor, kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Kësisoj jemi dëshmitarë të rishfaqes së të njëjtit mekanizëm manipulativ, duke ndërmarrë hapa me kosto të parashikueshme kushtetuese, duke e shtyrë opozitën drejt ankesës ligjore dhe duke futur procesin në një tjetër cikël vonesash. Efekti praktik është zhvendosja e zgjedhjeve drejt një periudhe më të favorshme për interesin elektoral të pushtetit personal të Kurtit.

Sikurse u vet-denoncua edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, data e zgjedhjeve nuk është aspak çështje neutrale administrative por skemë manipulimi elektoral. Data e përzgjedhur me kujdes përcakton nivelin e pjesëmarrjes dhe strukturën e trupës votuese. Në periudhën e verës duke nisur nga korriku diaspora hyn masivisht në Kosovë, ndërsa shumë qytetarë rezidentë largohen për pushime ose vizita familjare jashtë vendit (duke nisur nga mesi i qershorit kur fillojnë pushimet e fëmijëve të tyre).

Kjo ndryshon peshën relative të segmenteve elektorale dhe krijon terren të ri politik, sikurse u pa tek dallimi mes zgjedhjeve të 9 shkurtit me ato të 28 dhjetorit kur Kurti e thelloi rezultatin. Aq më tepër kur diferenca mes elektorateve është e qartë, rreth 40% mbështetje te banorët e përhershëm dhe 60% te diaspora, pra mbi 20% diferencë. Poashtu exit poll i UBO Consulting tregoi se 4.5% e atyre që votuan në Kosovë në 9 shkurt 2025 kishin ardhur nga diaspora ndërsa në 28 dhjetor mërgimtarët përbënin 15,5% të të anketuarve. Banorët e përhershëm kërkojnë rezultate konkrete, shërbime funksionale dhe janë lodhur nga krizat, dështimet e skandalet, ndërsa diaspora shpesh ushqehet më shumë me retorikë identitare e dogmatike dhe ka prirje të mbështesë figura populiste, një fenomen i njohur edhe në rajon ku vota e jashtme ka favorizuar shpesh liderë si Orbani, Vuçiçi, Tuxhmani apo Gruevski.

Pra caktimi i datës është një inxhinieri elektorale e qëllimshme që përbën një nivel të ri të degradimit të standardit politik dhe kulturës demokratike. Studiuesit e përmendin shpesh që forma më e pandershme, cinike dhe vulgare e ushtrimit të pushtetit është përdorimi i institucioneve jo për të qeverisur, por për të manipuluar rrethanat e garës duke synuar ruajtjen dhe shtimin e kontrollit. Levitski dhe Daniel Ziblatt, autorë të librit “Si Vdesin Demokracitë”, theksojnë se “demokracitë moderne rrallë bien me tanke; ato dëmtohen gradualisht nga liderë të zgjedhur që gërryejnë institucionet nga brenda”.

Francis Fukuyama ngs ana tjetër ka paralajmëruar se rënia politike nis atëherë kur institucionet pushojnë së shërbyeri interesit publik dhe kapen nga interesa personale ose partiake. Kur administrata, parlamenti, presidenca dhe ritmi kushtetues trajtohen si mjete taktike, shteti fillon të dobësohet ndjeshëm nga brenda ndonëse vazhdon ta mbajë pamjen formale të normalitetit. Pikërisht ky është rreziku kur procedurat përdoren si armë politike dhe shteti vihet në shërbim të një njeriu.

Dhe posaçërisht këtu zbulohet thelbi i fenomenit Kurti, rrëshqitja graduale drejt nivelit më të ulët të politikës. Një njeri që e kërkoi pushtetin duke premtuar standarde të reja dhe po përfundon duke përdorur truket më të vjetra të Ballkanit. Erdhi në qeverisje para 7 vjetësh si udhëheqës anti-sistem ndërsa po përfundon si kopja më e rëndomtë e tij. Ironia më therëse e politikës kosovare është se njeriu që më 29 shtator 2018 mobilizonte turmat me thirrjen “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” kundër Thaçit, sot është bërë vetë ai njeri që kërkon nënshtrimin e institucioneve ndaj vullnetit të tij. Albin Kurti dikur luftonte kultin e individit sot po e ushqen atë.

Më absurdja është se Kurti tashmë ka pushtet tejet të madh sikurse nuk e ka pasur ndonjëherë as Thaçi e as Rugova. Ka poste, vota, kontroll, ndikim dhe kapital politik si asnjë lider politik tjetër që nga epoka e Titos. Por duket se nuk di çfarë të bëjë me to, përveçse të kërkojë edhe më shumë. Në vend që këtë fuqi ta kthente në reforma, zhvillim ekonomik dhe forcim shteti; i gjithë obsesioni i tij duket të jetë vetëm zgjerimi i hegjemonisë politike. Pushteti trajtohet si qëllim në vetvete, jo si instrument për vepra. Pra Kurti kërkon më shumë pushtet për hir të pushtetit, pa vizion, pa projekt dhe pa rezultat.

Prandaj, është trishtuese ta shohësh Kosovën të katandiset në këtë nivel. Një vend që ka paguar aq shtrenjtë për liri, pavarësi, demokraci dhe pluralizëm nuk meriton të reduktohet në skena manovrash procedurale, kalkulimesh elektorale dhe etjes së një njeriu për dominim. Historia na ka mësuar se regjimet që vendosin veten mbi ligjin dhe interesin nacional, herët a vonë, shemben nën peshën e gabimeve të veta. Por pyetja që mbetet është: sa do të jetë kostoja që do të paguajë ky popull derisa të kuptohet se liria në 1999 nuk u fitua për t’a zëvendësuar me një tjetër formë nënshtrimi?

❌
❌