I pabazë ky paralajmërim i Trump ndaj Vuçiç për Kosovën
Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar presidentin serb Vuçiç se përshkallëzimi ushtarak ndaj Kosovës do të sillte pasoja të rënda, duke përmendur edhe ndërhyrjen e NATO në 1999.
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————–
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një paralajmërim presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se çdo përshkallëzim ushtarak ndaj Kosovës do të sillte pasoja të rënda. Sipas pretendimeve, ai kishte përmendur edhe ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 si kujtesë e reagimit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Kosovë.

Megjithatë, postimet nuk ofrojnë ndonjë provë, burim apo referencë për këtë deklaratë. Nuk tregohet se kur dhe ku Trump ka bërë deklaratën e pretenduar.
Nga një kërkim me fjalë kyçe, Faktoje nuk arriti të gjejë ndonjë burim të besueshëm për deklaratën e pretenduar.
Megjithatë, ajo vjen pas Dialogut Strategjik mes ShBA dhe Serbisë, që u mbajt në Washington DC më 17 korrik 2026 mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm serb Marko Djuric.
Në deklaratën e përbashkët pas këtij takimi nuk përmendet Kosova. Megjithatë, në një deklaratë për mediat, Djuric tha se kishe transmetuar “përshëndetje nga njerëzit nga Kosova dhe Metohia, të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.”
Ndërkaq, në shtator 2025, ShBA pezulloi pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën. Sipas njoftimit të botuar në faqen e ambasadës amerikane në Prishtinë, kjo erdhi “për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.”
Këto pretendime me gjasa e kanë origjinën në disa video që duket se tregojnë Trump duke paralajmëruar Vuçiç në mënyrën e përshkruar. Megjithatë, siç kanë shpjeguar kolegët kosovarë të Hibrid, videot në fjalë nuk janë reale, por të gjeneruara me AI.
The post I pabazë ky paralajmërim i Trump ndaj Vuçiç për Kosovën appeared first on Faktoje.al.