Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 June 2026Abc News

Samiti në Tivat/ Von der Leyen: Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë të mirë në rrugën drejt BE

By: xhir jeta
5 June 2026 at 13:29

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë shumë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të fillimit të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

“Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit”, tha Von der Leyen.

Ajo iu referua procesit të zgjerimit të BE-së, për të cilin do të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në samit, duke thënë se “BE-ja po i hap dyert, kandidatët duhet të përmbushin reformat. Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e diskutimeve të sotme”.

“Procesi i zgjerimit duhet të jetë më i shpejtë dhe kredibil”, tha zyrtarja evropiane duke folur për hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian lidhur me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor. Ajo shtoi se ky proces në vendet kandidate duhet të jetë “më i dukshëm” në mënyrë që “t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit”, të cilat nënkuptojnë “më shumë siguri dhe përparim”.

Tenis, finalja “surreale” në Paris/ Dy sportiste të veçanta do të synojnë titullin në “Roland Garros”

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:57

Një duel krejtësisht i pazakontë. Do të jenë dy teniste tepër të habitshme që do të dalin në fushën qendrore të Grand Slemit të “Roland Garosit” Titulli i dytë i lavdishëm i këtij sporti për 2026-ën do të diskutohet nga një adoleshente si Mira Andrejeva, dhe një e panjohur e plotë si Maja Hvalinska.

Rusja Andrejeva është vetëm 19 vjeç, dhe është e pesta finaliste më e re për femra në Paris në 30 vjet. Ajo fitoi derbin e egër dhe armiqësor ndaj ukrainases, Marta Kostiuk, duke arritur fitoren e parë ndaj rivales pas dy humbjeve.

Nuk pati shtrëngim dore, as foto të përbashkëta, por vetëm tenis të ndarë nga rrjeta dhe rusja u tregua tepër e fortë. Andrejeva ia doli 2-0, me rezultatin 6-1 e 6-3, në vetëm një orë e 17 minuta lojë.

Ajo do të synojë titullin e parë Grand Slem në karrierë në finalen e parë. Polakja Maja Hvalinska është një e papritur edhe më e madhe. Tenistja numër 114 në botë kur nisi “Rolan Garosi” u bë e dyta që arrin finalen që nga faza kualifikuese në Epokën e Hapur, pra nga viti 1968. E para ishte britanikja Radukanu që e fitoi titullin. Hvalinska mundi në gjysmëfinale rusen tjetër, Shnaider gjithashtu në dy sete, 7-6 e 6-4./abcnews.al

 

Inter “blindon” Chivu/ Kampionët e Italisë rinovojnë kontratën me trajnerin rumun

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:54

Inter nuk heq dorë nga Kristian Chivu dhe për triumfin në Serinë A i ka si dhuratë një kontratë të re. Nuk është se kishte dyshime, por mediat italiane kanë zbuluar detajet e marrëveshjes së re mes klubit zikaltër dhe teknikut rumun.

Kontrata e re e Chivu do të jetë deri në qershor të vitit 2028, me klauzolë zgjatjen edhe për një tjetër vit. Po ashtu, kampionët italianë kanë vendosur të rrisin ndjeshëm të ardhurat e teknikut, që do të arkëtojë 4 milion euro në sezon.

Një vlerësim maksimal për trajnerin që u ul  në pankinën zikaltër si një zgjedhje emergjente, pasi kishte drejtuar vetëm 13 ndeshje në Serinë A me Parmën.

Por në sezonin e parë me Inter, ai tregoi të gjitha aftësitë e tij, duke ngritur një skuadër që kishte marrë një goditje të rëndë pas sezonit 2024/2025 të mbyllur pa trofe.

Me menaxhimin e tij ,Chivu mundi edhe skeptikët e shumtë, duke fituar trofeun e titullit kampion në Serinë A. Për këtë arsye, klubi zikaltër ka vendosur ta largojë atë nga të gjitha joshjet e rivalëve në Itali dhe Europë.

Përveç kontratës me rritje të rëndësishme, Inter i ka premtuar Kristian Kivu edhe shpenzime të rëndësishme në merkaton e verës, në mënyrë që sezonin e ardhshëm mision të jetë Champions League.

Liverpool zgjedh Iraola/ Trajneri 43 vjeçar zyrtarizohet në pankinën e gjigandëve anglezë

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:52

Zërat që qarkullonin prej ditësh janë konfirmuar. Andoni Iraola është zyrtarisht trajneri i ri i Liverpulit. Klubi i kuq i Premier Ligës zyrtarizoi arritjen e marrëveshjes me teknikun spanjoll, i cili ka hedhur firmën deri në vitin 2028.

Iraola do të zëvendësojë në pankinën e Liverpul, Arne Slot, i cili u largua nga detyra pas një sezoni larg pritshmërive. “Ju e njihni madhështinë e këtij klubi dhe nuk duhet shumë për t’u bindur. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të filloj punën”, ishin fjalët e para të teknikut 43 vjeçar të përcjella nga “Reds”, bashkë me njoftimin për firmosjen e kontratës me trajnerin e ri.

Në këtë mënyrë, Andoni Iraola ka bërë kapërcimin e madh në karrierën e tij duke u ulur në pankinën e një prej skuadrave më të mëdha të futbollit anglez dhe atij botëror.

Ky promovim vjen pas një sezoni fantastik në pankinën e Burnemuth, ku për herë të parë në histori drejtoi këtë ekip modest të Premier Ligës drejt kualifikimit në Europa Ligë.

Më parë, trajneri bask kishte drejtuar ekipe si Rajo Vajekano në Spanjë dhe AEK Larnaka në Qiprio, përpara se të merrte drejtimin e Burnemuth në kampionatin anglez.

Por asnjë prej këtyre skuadrave nuk është në nivelin dhe historinë e Liverpul. Puna e parë e Andoni Iraola është të fitojë zemrën e tifozëve në “Anfilld” dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke luftuar për trofe në Angli dhe Europë.

Italia e futbollit është “gjallë”/ Të Kaltrit arrijnë finalen e Kampionatit Europian deri 17 vjeç

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:50

Jo më kot janë bijtë, nipat apo stërnipat e heronjve. Italia është katër herë kampione e botës, ka dalë edhe kampione e Europës, dhe fakti që tri herë radhazi nuk shkon dot në Botëror nuk e zhduk dot të gjithë historinë.

Të Kaltrit arritën në finalen e Kampionatit Europian U17 duke u dhënë tifozëve një kënaqësi sado të vogël, e duke I dhënë vendit të shquar mesdhetar shpresë se jo gjithçka është e humbur.

Adoleshentët e drejtuar nga trajneri Daniele Françeskini mundën në gjysmëfinale Spanjën tepër të fortë, edhe pse vuajtën jo pak.

Kualifikimi u arrit vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave në stadiumin e Talinit në Estoni, dhe këtë herë u sollën fat italianëve të rinj, ndryshe nga sa ndodhi në gjysmëfinalen e vitit të kaluar ndaj Portugalisë në “Arenën Air Albania” të Tiranës.

I shkëlqyer portieri Kristian Lupo, një italian nga Pulja, nga Bari, e që luajti për të rinjtë e Leçes. Kroçi shënoi me penallti për Italinë U17 gjatë ndeshjes në 42’, dhe Urrestarazu barazoi për “Furitë e Kuqe” në 77’.

Tek penalltitë, të kaltrit i shënuan të katërta, ndërsa Spanja humbi dy. Italianët shpresojnë të fitojnë titullin e dytë në tre vjet. Në finale edhe Belgjika që arriti më në fund të fitojë një duel me rivalin e përjetshëm, Francën. Sukses 2-1 dhe tani pritet finalja e së dielës së 7 qershorit po në stadiumin e Talinit në Estoni.

Spanja, me “frena” drejt Botërorit/ Kampionët e Europës barazuan 1-1 me Irakun në miqësoren e parë

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:46

Shihet si një nga favoritet e mëdha të “Botërorit 2026”, por Spanja nuk i shpërbleu këto parashikime në miqësoren e parë përgatitore, përpara nisjes për finalet e turneut që do të nisë më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kampionët e Europës nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 kundër Irakut. Një rezultat që nuk është pritur mirë nga mediat iberike, që janë munduar të gjejnë shkaqet e paraqitjes në stadiumin e La Korunja, larg pritshmërive.

Skuadra e drejtuar nga Luis De La Fuente u mundua dhe bëri atë që di të bëjë më mirë, mbajti topin në një përqindje shumë të lartë dhe rrezikoi më shumë se rivalët.

Madje golin e epërsisë e gjeti shumë shpejt me Ferran Torres që në minutën e 16-të. Realizimi i sulmuesit të Barcelonës dha përshtypjen e një sfide që do të zgjidhej shpejt nga “Furitë e Kuqe”.

Pror edhe këto pritshmëri u rrëuan që në pjesën e parë. në minutën e 27-të, Doski barazoi shifrat dhe vendosi shifrat derisa skuadrat u kthyen për pushimin në dhomat e zhveshjes.

Në fraksionin e dytë, Spanja ndryshoi të gjithë skuadrën në fushë. Stili i lojës ishte i njëjtë, por goli mungoi deri në vërshëllimën e fundit, që ka në fuqi barazimin 1-1 në këtë ndeshje.

Asnjë alarm për Spanjën, por gjithsesi një barazim ndaj një skuadre si Iraku, edhe pse ajo është finaliste e Botërorit, nuk është se le një shije të mirë përapar turneut.

“Gjelat” nuk këndojnë para Kupës së Botës/ Franca nuk i shpërblen parashikimet, Bregu i Fildishtë e mund 2-1

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:44

Në letër ka skuadrën më të mirë të “Botërorit 2026”. Edhe parashikimet e shohin Francën si një prej pretendentëve kryesorë për të fituar Kupën e Botës, pas finales së humbur katër vite më parë.

Por futbolli luhet në fushë dhe “Gjelat” e Didië Deshamp nuk kanë se çfarë të marrin me vete drejt turneut nga miqësorja e parë përgatitore.

Kombëtarja franceze u mund me përmbsje 2-1 nga Bregu i Fildishtë, në sfidën e luajtur në stadiumin e Nantës. Në pjesën e parë, të zotët e shtëpisë zbritën në fushë me të gjithë arsenalin e rendë.

Por vetëm në minutën e 45-të, Sherki arriti të ndalë topin në rrjetë për epërsinë e francezëve.

Pas pushimit, Deshamp la në dushe yjet e skuadrës së tij si Mbape, Olize apo Teo Hernandez, ndërsa me vijimin e sfidës ndryshoi të gjithë skuadrën në fushë.

Por këto lëvizje nuk sollën efektet e kërkuara nga trajneri. Due, i cili mban të njëjtin mbiemër si ylli i Francës dhe Paris Sent Zhërmen, barazoi shifrat për Bregun e Fildishtë në minutën e 53-të. Të zotët e shtëpisë provuan me të gjitha forcat për t’u prezantuar me fitore përpara “Botërorit 2026”, por pa rezultat.

Në fund, për të papriturën e të gjithëve festa do të ishte për skuadrën afrikane. Ylli i saj, që luan te Mançester Junajtid, Amad Dialo shënoi edhe golin e dytë për Bregun e Fildishtë, që ndoshta dhuron suprizën më të madhe në këtë vigjilje të Kupës së Botës.

Francës nuk i mbetet gjë tjetër, përveçëse të rimbledhë forcat dhe të rregullojë statistikat përpara Botërorit me miqësoren e fundit që ka në program më 8 qershor kundër Irlandës së Veriut.

Irani, gati udhëtimi për në Botëror/ Kombëtarja e Gjirit Persik fluturon këtë të shtunë në Meksikë

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:42

Është padyshim historia më e jashtëzakonshme e këtij viti. Irani është i kualifikuar për në fazën finale të Kupës së Botës, por ende nuk ka marrë vizat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë të shtunë, kombëtarja e këtij vendi gjithsesi do të fluturojë për në Meksikë, ku do të ketë bazën e qendrimit gjatë turneut, veçse paqartësia mbetet e plotë.

Udhëtimi do të jetë këtë të shtunë që nga Antalia e Turqisë, me një ndalesë në Spanjë, për të kaluar më pas Atlantikun e për të mbërritur në Tihuana të Meksikës të dielën e 7 qershorit.

Konflikti në Gjirin Persik mes Iranit në një krah dhe Shteteve të Bashkuara e Izraelit në krahun tjetër vazhdon, pavarësisht një armëpushimi tepër të brishtë që është shkelur disa herë.

Armiqësia që kaloi në sulm të hapur ushtarak në fund të muajit shkurt ka bërë që pjesëmarrja e Iranit në Botëror të jetë e varur në fijen e perit, siç thuhet.

Të treja ndeshjet e grupit G do të luhen në tokën amerikane, në 16 qershor ndaj Zelandës së Re në stadiumin e Ingëlvudit në Los Anxhëelos, e dyta në 21 qershor kundër Belgjikës në të njëjtin stadium, dhe e fundit në 27 të këtij muaji përballë Egjiptit në Siatëll.

Shpresojmë që çështja e vizave të zgjidhet deri në 15 qershor, një ditë para ndeshjes së parë të Iranit në Kupën e Botës.

 

Luis Hasa “shtohet” me 1.5 milionë/ Lojtari më i ri i Kombëtares është më i shtrenjtë në treg

By: xhir jeta
5 June 2026 at 12:40

Nuk është se na deshi që në fillim, por tani është i yni. Luis Hasa debutoi për kombëtare e Shqipërisë pasi vendosi të braktiste Italinë, dhe vlera e tij në treg po njeh rritje.

Sulmuesi 22-vjeçar që luan pikërisht në Apenine, tani vlen 4.5 milionë euro sipas agjencisë së specializuar “transfermarkt”.

Rritja është e rëndësishme, me 1.5 milionë euro apo me mbi 33 për qind që nga marsi, ndërsa është më shumë se e dyfishuar nëse e krahason me atë të dhjetorit të vitit të kaluar.

Pra, ka shkuar në 2 në 4.5 milionë euro në vetëm 6 muaj.

Një përmirësim tepër I madh besohet për faktin se këtë edicion u paraqit shumë mirë në Serinë B me Karrarezen.

Hasa shënoi 5 gola e shërbeu 4 asistë në 31 ndeshje, duke mos qenë sulmues tipik, por lojtar që luan më prapa.

Kartonin e tij e ka Napoli, ndërsa huazimi te Karrareze përfundon në fund të këtij muaji, e duhet pritur se çfarë do të ndodhë, ndërsa në stadiumin “Maradona” besohet se do të jetë trajneri Masimiliano Alegri, që mund të ketë një politikë të ndryshme nga Antonio Konte.

Hasa ka qenë më parë në Akademinë e Juventusit, ndërsa me Italinë U19 u shpall kampion i Europës./abcnews.al

Yesterday — 4 June 2026Abc News

Zvërneci/ Rama zbulon arkitektin: I kontraktuar nga investitorët për arkitekturën e peizazhit! Forca të caktuara po bëjnë çmos ta bllokojnë

By: xhir jeta
4 June 2026 at 16:50

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar arkitektin me famë botërore të peizazhit Dong Yugan, pasuesin e legjendarit Kungjan Yu dhe udhëheqësin e konsulencës mbi peizazhin e mbrojtur në projektin e Zvërnecit.


Reagimi i plotë i Ramës

JA NJERIU QË INVESTITORËT E ZVËRNECIT KANË KONTRAKTUAR PËR ARKITEKTURËN E PEJZAZHIT

Njihuni me artistin e madh të natyrës, arkitektin e pejsazhit Dong Yugan, nxënësin pasues të legjendarit Kungjan Yu dhe udhëheqësin e konsulencës mbi pejzazhin e mbrojtur në projektin e Zvërnecit

Ai sot prezantoi përpara një audience me plot arkitektë ndërkombëtarë në Festivalin Bread&Heart në Tiranë, vizionin dhe shumë gjetje të studios prestigjioze ndërkombëtare Turanscape, duke i mbresuar të gjithë me prezantimin e tij

Nëse do të shihni më shumë nga krijimtaria e studios Turanscape.com do ta krijoni vetë ndjesinë e sigurisë së brendshme, se falë edhe këtij talenti në skuadrën e yjeve që kanë formuar investitorët e projektit të Zvërnecit, ato 4 miliardë Euro që forca të caktuara po bëjnë çmos t’ia heqin nga duart Shqipërisë, nuk mundet kurrësesi të sjellin pasoja negative për natyrën, përkundrazi, do të sjellin një nivel të harmonisë me zhvillimin e natyrës që do të jetë një krenari për Shqipërinë dhe një dhuratë e Shqipërisë për vetë Europën.

Vrasja e efektivit/ Lamallari nga Korça: Ngushëllime familjarëve, mbështetje maksimale për kolegët e Eneas

By: xhir jeta
4 June 2026 at 16:16

Ngushëllime për familjarët dhe mbështetje për kolegët e efektivit të rënë në krye të detyrës shprehu sot ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

“I shpreh ngushëllimet më të ndjera efektivit të vrarë, vetëm 34 vjec Enea Mekolli.

I njëjti ngushëllim shkon për cdo efektiv të drejtorisë vendore të policisë Korcë, kolegëve të Eneas. Jam këtu për t’iu shprehur përkrahje dhe mbështetjen time si ministër i Punëve të Brendshme në këto momente shumë të vështira për ta.

Gjithashtu pasi vizitova edhe kolegun e tij Edisonin, u sigurova nga stafi mjekësor se kanë vëmendjen maksimale dhe mbështetjen maksimale për ta trajtuar në mënyrën më të specializuar të mundshme dhe këto momente janë të rëndësishme që ne të jemi pranë familjarëve të tyre, për tu shprehur atyre mbështetjen tonë” u shpreh Lamallari.

Pap test falas për tre muaj/ Fushatë nga Ministria e Shëndetësisë kundër kancerit të qafës së mitrës

By: xhir jeta
4 June 2026 at 15:53

Gratë nga mosha 35 deri në 55 vjeçe mund të testohen për virusin që shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe të kryejnë pap test –in  pa pagesë në dy maternitetet në Tiranë.   Me fillimin e qershorit  autoritetet  shëndetësore kanë nisur një fushatë depistimi  që do të zgjasë  deri  në muajin gusht.

“Konsiston në vlerësimin e infeksioneve specifike që mund të rezultojnë më tej  që shkaktojnë sëmundje neoplazike tek femrat. Konkretisht është një program për depistimin e pozitivitetit për HPV  një virus I konfirmuar që është në korelacion me shkakësinë e kancerit të qafës së mitrës.  Përfitojnë të gjitha femrat e moshës 35- 55 vjeçe të cilat në mënyrë vullnetare ose për indikacione mjekësore kanë të nevojshme ose kanë   dëshirë të vlerësojnë situatën.” u shpreh mjeku Hoxhallari.

Testimi sipas mjekëve ofron mundësinë e zbulimit të  qelizave prekanceroze  para zhvillimit të sëmundjes.

“I trajtojmë  në kohë dhe trajtimi është më i mirë dhe me pasoja  inkzistente” shtoi ai.

Kanceri i qafës së mitrës sipas mjekëve në fazë të avancuar ka  vdekshmëri të lartë.   Shqipëria është  një ndër shtetet me incidencë të ulët të këtij tumori. Ndërkohë programet depistuese  aplikohen dhe në sistemin parësor ku nëse një paciente rezulton me risk të lartë ajo referohen për konsultë më të specializuar.

GJKKO i kthen SPAK dosjen për ish kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi

By: xhir jeta
4 June 2026 at 15:33

Gjykata e Posaçme i kthen SPAK dosjen për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, me kërkesën që prokurori Elvin Gokaj të qartësojë akuzën që ka ngritur ndaj tij.

Vendimi u dha këtë të enjte nga gjyqtare Rudina Palloj, e cili i la afat kohorë 2 javë organit të akuzës të shpjegoi pse e ndryshoi veprën penale të Rroshit nga “shkelje e barazisë në tenderq” në “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Posaçme më herët kërkoi pushimin e 6 episodeve të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Megjithatë Rroshi nuk do t’i shpëtojë ndjekjes penale pasi ai akuzohet nga SPAK edhe për 5 episode të tjera për shpërdorim detyre.

Bëhet fjalë për një dosje të vjetër pas një auditi te KLSH lidhur me abuzimet me tenderat në Bashkinë Kavajë, çështje e cila kishte shkuar për pushim në gjykatën e Durrësit, por kjo e fundit shpalli moskompetencën duke ia deleguar materialet GJKKO.

“Shpresë te Trump për marrëveshje me Kosovën”, Vuçiç: Të kthejë vëmendjen te dokumenti i firmosur në zyrën e tij në 2020

By: xhir jeta
4 June 2026 at 13:29

Kthimi i vëmendjes nga Marrëveshja e Uashingtonit mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte një lajm vërtet i madh.

Kështu e quan presidenti serb Aleksandër Vuçiç një ridiskutim për marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e parë të presidentit Trump.

“Nëse do të jemi në gjendje të arrijmë një kompromis, kjo do të ishte një arritje e madhe. Trump është padyshim i përqendruar në përfundimin e luftës me Iranin dhe në sigurimin e një marrëveshjeje që siguron që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore. Por kur kjo të mbarojë, Trump duhet të kthej vëmendjen tek ai dokument,” thotë ai.

Vuçiç, për median amerikane Breitbart News nuk hezitoi të deklaronte se presidenti amerikan Trump gëzon mbështetje në shkallë të gjerë në Serbi sepse është “pragmatik” dhe “racional” dhe se nëse ai do të vinte në Beograd do ta priste më se paku një turmë prej 100 000 njërëzish.

Prishtina gjithashtu ka ruajtur marrëdhënie të mira me Trump. Presidentja Osmani e cila pak përpara se të largohej nga zyra konfirmoi angazhimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Thelbi i Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar më 4 shtator 2020 ishte normalizimi ekonomik i marrëdhënieve, ndërsa pikat kryesore përfshinin: zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, bashkëpunimin për projekte ekonomike, studimin e mundësive për ndarjen e burimeve energjetike dhe ujore, njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, ndërsa angazhime të veçanta në politikën e jashtme sollën vendosjen e ambasadës së Serbisë në Jeruzalem dhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Edhe pse marrëveshje nuk përfshinte njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ajo u konsiderua një nga afrimet më të mëdha mes dy vendeve që nga përfundimi i luftës.

Një rikthim i saj në vëmendje vjen teksa Beogradi dhe Kosova kanë ngecur në bisedimet e drejtuara nga Brukseli dhe bashkë me të edhe në rrugën integruese, por edhe në kohën kur pritet një vendim për ish krerët e UÇK në Hagë. Ishte pikërisht ai moment kur Jack Smith, prokuror i Hagës paditi dhe arrestoi Presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

Smith më vonë do të bëhej Këshilltari Special i cili ndoqi Trumpin direkt në emër të Departamentit të Drejtësisë të Presidentit të atëhershëm Joe Biden. Element të cilin kryeministri Rama ja kujtoi live presidentit Trump gjatë pritjes së tij në Uashington në vazhdën e takimeve për Bordin e Paqes. Nese Trump riaktivizon marreveshjen, dhe pas deklarimit te presidentit serb, e gjithe vemendja do spostohej mbi Albin Kurtin dhe si do ti pergjigjej ai kerkeses se presidentit Trump.

29 vite në media / Në “arkivin” e jetës dhe karrierës së gazetares Beti Njuma

By: xhir jeta
4 June 2026 at 13:14

Në studion e ABC-së ishte sot gazetarja dhe moderatorja e njohur Beti Njuma, një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare, e cila prej gati tre dekadash ka qenë dëshmitare dhe protagoniste e zhvillimeve më të rëndësishme të gazetarisë në vend. Rrugëtimi i saj në media nisi në vitin 1997, në Radio Koha, për të vazhduar më pas në Radio Tirana, ku nga viti 1999 deri në 2002 drejtoi emisionin e mëngjesit. E diplomuar në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, Beti kujton me nostalgji vitet e fëmijërisë, kur babai e shoqëronte me biçikletë dhe ditët kalonin mes lojërave, lirisë dhe kujtimeve që i konsideron pasurinë më të bukur të jetës së saj.

Për të, gazetaria nuk ka qenë thjesht një profesion, por një mënyrë për të kuptuar shoqërinë dhe për t’u dhënë zë çështjeve që prekin njerëzit. Kureshtja, kërkimi i së vërtetës dhe dëshira për të kuptuar realitetin kanë qenë motivimi kryesor gjatë gjithë karrierës së saj. Duke parë pas në kohë, ajo vëren se media shqiptare ka kaluar transformime të mëdha, veçanërisht me zhvillimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Sot ka më shumë mundësi informimi se kurrë më parë, por njëkohësisht edhe më shumë sfida për verifikimin e lajmit dhe ruajtjen e profesionalizmit. Sipas saj, integriteti mbetet themeli i gazetarisë dhe pa të ky profesion humbet kuptimin e vet. Një intervistë e mirë, thotë Beti, nuk është ajo ku gazetari flet më shumë, por ajo ku arrin të nxjerrë informacionin që publiku pret të dëgjojë. Përgatitja, njohja e temës dhe guximi për të bërë pyetjet e duhura janë çelësi i suksesit në këtë profesion.

Prej vitesh, publiku e ndjek në emisionin “Ora e Betit”, ku trajton aktualitetin dhe çështje sociale me interes publik. Brenda kësaj hapësire ka lindur edhe “Një Grusht Librash”, një rubrikë e dashur për lexuesit, e cila promovon autorë dhe botime të reja. Për Betin, kultura dhe libri janë pasuri të pazëvendësueshme që formojnë identitetin tonë dhe promovimi i leximit është një investim për të ardhmen. Dashuria për librin vjen që nga fëmijëria. E rritur mes librave falë profesionit të të atit në shtypshkronjë, ajo e konsideron përkthimin një pasion dhe një kontribut të rëndësishëm kulturor. Megjithatë, nuk e fsheh shqetësimin për kohët moderne, ku rrjetet sociale dhe ritmi i shpejtë i jetës kanë larguar shumë njerëz nga leximi dhe letërsia.

Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e saj mbetet edhe eksperienca mbi tetëvjeçare në Ora Neës, të cilën e konsideron një hap të rëndësishëm profesional dhe personal. Por Beti Njuma nuk është vetëm gazetare. Ajo është edhe një grua me pasione të forta dhe sfida të pazakonta. Dashuria për malin dhe alpinizmin e ka çuar deri në kampin bazë të Everestit, duke realizuar një ëndërr që dikur kishte qenë edhe ëndrra e të atit. Mali, sipas saj, të mëson durimin, disiplinën dhe respektin për natyrën, ndërsa çdo ngjitje është një sfidë me vetveten dhe një mundësi reflektimi.

Përtej ekranit, ajo është edhe nënë e dy djemve binjakë, Frenkit dhe Heldit, të cilët sot janë rritur dhe kanë ndërtuar jetën e tyre. Rritja e tyre nuk ka qenë e lehtë, por është ndër arritjet për të cilat ndihet më krenare. Ajo ka tentuar gjithmonë t’u transmetojë dashurinë për dijen, librin dhe mendimin kritik, duke i mësuar të mos kënaqen me përgjigje sipërfaqësore. Sot, edhe pse koha nuk u lejon të kalojnë aq shumë momente bashkë sa dikur, Beti ndien krenari dhe lumturi kur sheh respektin dhe vlerësimin e djemve të saj. Dashuria për ta, thotë ajo, nuk ndryshon kurrë.
Pas 29 vitesh në media, Beti Njuma vazhdon të besojë se besueshmëria është kapitali më i madh i një gazetari. Ndërsa në jetën personale, filozofia e saj mbetet e thjeshtë: të gabojë sa më pak, të mësojë nga çdo përvojë dhe të jetojë me paqe, lumturi dhe mirënjohje për gjithçka që ka ndërtuar ndër vite./abcnews.al

Nga shërimi i traumave personale tek ai kolektiv. Rrugëtimi i Kajal Kanakias dhe Lea Gjolekës

By: xhir jeta
4 June 2026 at 13:12

Në studion e ABC-së mirëpresim sot Kajal Kanakian, Master i Shkencave në Yoga, Meditim dhe Terapi Holistike, si edhe Lea Gjolekën, mësuese yoga dhe medituese, dy gra që i kanë kushtuar jetën mirëqenies emocionale, shpirtërore dhe transformimit personal.

Për më shumë se 15 vjet, Kajal ka ndjekur një rrugëtim të thellë shpirtëror, i cili nisi nga përjetimet dhe traumat e saj personale. Kërkimi për shërim e çoi në vende të shenjta në mbarë Indinë, nga manastiret e qeta malore deri te tempujt e lashtë plot energji dhe traditë. Ajo ka përfunduar studimet Master në Yoga dhe Meditim dhe ka kaluar më shumë se një dekadë duke jetuar e studiuar në ashrame, ku është njohur me mësime të lashta shpirtërore dhe qasje moderne ndaj mirëqenies.

Sot, përmes punës së saj, Kajal ndihmon njerëzit të gjejnë më shumë ekuilibër, qartësi mendore, qëndrueshmëri emocionale dhe paqe të brendshme. Ishin pikërisht disa miq shqiptarë që morën pjesë në seancat e saj në Indi dhe e ftuan të vizitonte Shqipërinë, një vend ku, siç thotë vetë ajo, është ndjerë menjëherë si në shtëpinë e saj të dytë.

Shumë prej njerëzve që kërkojnë ndihmën e saj vijnë të lodhur emocionalisht, të mbingarkuar nga ankthi, pikëllimi, rraskapitja apo vështirësitë në marrëdhënie. Shpesh ata nuk kanë një përgjigje të qartë për atë që po përjetojnë, por ndiejnë se diçka në jetën e tyre nuk po funksionon siç duhet. Pikërisht aty nis puna e saj, duke kombinuar metoda të ndryshme të personalizuara sipas nevojave të secilit individ.

Në qendër të filozofisë së saj qëndron ideja se shërimi nuk vjen vetëm përmes bisedës, por edhe përmes praktikave që ndihmojnë të prekim shtresat më të thella të vetes. Nga traditat e lashta indiane te praktika havajane Ho’oponopono, nga mantra dhe tingujt e shenjtë deri te teknikat moderne të vetëdijesimit dhe relaksimit, çdo seancë synon të krijojë një hapësirë transformimi të sigurt dhe të thellë.

Një nga praktikat që ajo përdor është Ho’oponopono, një metodë e lashtë havajane e faljes dhe pajtimit, e bazuar në katër fraza të thjeshta por të fuqishme: “Më vjen keq. Të lutem më fal. Faleminderit. Të dua.” Sipas Kajal, këto fjalë ndihmojnë në çlirimin e ngarkesave emocionale dhe modeleve të pavetëdijshme që ndikojnë në jetën tonë.
Po ashtu, mantra dhe tingujt e shenjtë luajnë një rol të rëndësishëm në seancat e saj. Ajo shpjegon se përsëritja e tyre ndihmon në qetësimin e mendjes, rregullimin e frymëmarrjes dhe aktivizimin e sistemit nervor parasimpatik, duke krijuar një gjendje të thellë relaksimi dhe harmonie.

Një tjetër aspekt i punës së saj është hipnoza me pëlqim të plotë, një proces gjatë të cilit personi mbetet plotësisht i vetëdijshëm dhe në kontroll. Përmes frymëmarrjes dhe udhëzimit verbal, krijohet një gjendje e qetë meditative ku mund të punohet me mendjen e nënvetëdijshme, aty ku, sipas saj, ndodh transformimi i vërtetë.

Në këtë rrugëtim bashkohet edhe Lea Gjoleka, e cila ka nisur praktikën e meditimit dhe yogës që në vitin 2003. E certifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e diplomuar gjithashtu në “Energy Healing”, Lea ka ndihmuar shumë njerëz të gjejnë qetësi, vetëdijesim dhe balancë në jetën e tyre. Përmes seancave që zhvillon në Shqipëri, ajo vëren një interes gjithnjë e më të madh të shqiptarëve për praktikat që ndihmojnë mendjen dhe trupin të funksionojnë në harmoni. Sot flasim për nevojën e shërimit emocional në një botë gjithnjë e më të ngarkuar, për fuqinë e meditimit, yogës dhe praktikave holistike, si edhe për mënyrat se si mund të gjejmë më shumë paqe, ekuilibër dhe lidhje me veten./abcnews.al

❌
❌