Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 June 2026Abc News

Trump: Nuk garantova që nuk do të ketë luftë

7 June 2026 at 22:37

Presidenti Donald Trump kundërshtoi pohimin se kishte thyer premtimin e tij të fushatës për t’i mbajtur Shtetet e Bashkuara larg çdo konflikti të ri ushtarak.

“Epo, mirë. Para së gjithash, nuk garantova asnjë luftë”, tha ai në një intervistë të pararegjistruar në “Meet the Press” të NBC-së, të dielën.

“Pse do të kisha ndërtuar ushtrinë më të fortë në botë”, shtoi presidenti amerikan.

Trump mbrojti përpjekjet e tij ushtarake në Venezuelë dhe Iran, duke thënë se ato nuk janë aq të gjata sa angazhimet e SHBA-së në Irak dhe Vietnam.

“Ne jemi atje për disa muaj. Dhe kërcënimi ka mbaruar kryesisht. Së shpejti, do të mbarojë. Por nuk mund ta lini Iranin të ketë një armë bërthamore, përndryshe do t’ju hedhin në erë”, tha Trump.

Sulm i armatosur në qendër të Izraelit, një i vrarë dhe pesë të plagosur

7 June 2026 at 22:11

Një person humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi terrorist të ndodhur të dielën në zonën e Kochav Yair, një vendbanim izraelit pranë kufirit me Bregun Perëndimor.

Sipas autoriteteve izraelite, sulmi nisi pranë një stacioni karburanti, ku agresori hapi zjarr ndaj civilëve, duke shkaktuar plagosjen e disa personave.

Pas të shtënave të para, agresori vazhdoi lëvizjen drejt zonave të tjera përreth. Në vendbanimin fqinj Tzur Natan, një burrë 30-vjeçar u vra, ndërsa një tjetër, rreth 40 vjeç, u plagos rëndë. Të shtëna pati edhe pranë hyrjes së vendbanimit Sal’it, ku forcat e sigurisë reaguan menjëherë duke iu kundërpërgjigjur zjarrit. Edhe në këtë zonë raportohet për persona të plagosur.

Rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, pasi ekzistojnë versione të ndryshme nga institucionet që po hetojnë sulmin. Policia izraelite deklaroi se bëhej fjalë për një sulmues të vetëm, i cili u lokalizua dhe u neutralizua nga forcat e sigurisë. Sipas policisë, autori ishte një shtetas arab izraelit nga qyteti Tayibe, megjithëse identiteti i tij nuk është bërë publik.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite raportoi fillimisht se mund të ketë pasur edhe një agresor të dytë që ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas ishte vrarë. Megjithatë, media izraelite ka ngritur dyshime mbi këtë version, duke sugjeruar se mund të ketë pasur një keqkuptim dhe se sulmi mund të jetë kryer vetëm nga një person.

Hetimet paraprake tregojnë se arma e përdorur ishte një mitraloz artizanal i njohur si “Carlo”, një armë e prodhuar në mënyrë të paligjshme dhe e frymëzuar nga modeli suedez Carl Gustav M45. Këto armë janë përdorur edhe në sulme të tjera në të kaluarën dhe konsiderohen të përhapura në tregun e zi për shkak të kostos së ulët dhe lehtësisë së prodhimit.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në zonat pranë kufirit me Bregun Perëndimor, ndërsa autoritetet izraelite kanë shtuar masat e sigurisë dhe po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht motivet dhe dinamikën e sulmit.

“Shënim i detyruar”, Rama: Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit nuk ndalet! Protestë e situr, pa ambientalizëm!

7 June 2026 at 22:09

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj protestes per projektet e zhvillimit në Zvërnec dhe Sazan, duke i cilësuar protestat kundër tyre si të nxitura nga “tradhëtarë imagjinarë”, “projekte imagjinare” dhe pretendime të pabazuara për dëmtimin e natyrës.

Në postimin e tij, Rama kritikoi ashpër pjesëmarrësit në protestat e fundit, mes tyre blogerë, influencues dhe aktivistë, duke i akuzuar se po përdorin kauzën e mbrojtjes së mjedisit për interesa të tjera dhe për të fituar vëmendje në rrjetet sociale.

Sipas kreut të qeverisë, ndërsa protestuesit flasin për mbrojtjen e natyrës dhe flamingove, ata përdorin një gjuhë fyese dhe denigruese ndaj qytetarëve që kanë mendime të ndryshme.

Rama publikoi gjithashtu disa komente që, sipas tij, janë drejtuar ndaj mbështetësve socialistë në Elbasan, duke argumentuar se ato tregojnë se protestat kanë humbur karakterin ambientalist që pretendojnë të kenë.

Kryeministri siguroi se projektet në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit do të vijojnë sipas planit dhe nuk do të ndalen.

Krisje besimi mes aleatëve? SHBA dyshon se Izraeli spiunon politikat ndaj Iranit

7 June 2026 at 21:46

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit po kalojnë një periudhë të pazakontë tensioni dhe mosbesimi, sipas raportimeve të fundit të mediave amerikane.

Edhe pse dy vendet konsiderohen aleatë strategjikë prej dekadash, burime nga inteligjenca amerikane kanë ngritur shqetësime serioze për aktivitetet e kundërspiunazhit izraelit ndaj zyrtarëve të lartë të administratës amerikane.

Sipas një raporti të publikuar nga New York Times, agjencitë amerikane të sigurisë dyshojnë se shërbimet sekrete izraelite po përpiqen të monitorojnë dhe përgjojnë Steve Uitkoff, përfaqësuesin e presidentit Donald Trump në negociatat me Iranin. Përveç tij, në fokus të operacioneve të dyshuara të inteligjencës izraelite thuhet se janë edhe Elbridge Colby, zyrtar i lartë në Pentagon, si dhe Michael P. Dimino IV, një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Ndërkohë, NBC News raportoi se Defense Intelligence Agency (DIA) ka rritur nivelin e kërcënimit të kundërspiunazhit që vjen nga Izraeli nga “i lartë” në “kritik”. Sipas burimeve të televizionit amerikan, ky vlerësim është bërë pas zbulimit se në disa telefona të personelit amerikan të mbrojtjes që operon në Izrael ishte instaluar një program i aftë për të përgjuar komunikimet.

Raporti i DIA-s, i përbërë nga shtatë faqe, thuhet se shpreh shqetësim të madh për përpjekjet e Izraelit për të siguruar informacione mbi strategjinë e administratës Trump në negociatat me Iranin dhe mbi ndryshimet e mundshme të qëndrimeve amerikane në procesin diplomatic, që synon përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit.

Ambasada izraelite në Uashington ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “plotësisht të pavërteta”. Në reagimin e saj, ambasada theksoi se Izraeli nuk zhvillon operacione spiunazhi kundër Shteteve të Bashkuara dhe se aktivitetet e inteligjencës së vendit fokusohen vetëm ndaj aktorëve armiqësorë. Sipas autoriteteve izraelite, pretendimet e publikuara në media bazohen në informacione të pasakta ose në motive politike.

Edhe Shtëpia e Bardhë ka minimizuar rëndësinë e raportimeve, ndërsa Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë publikisht mbi çështjen.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se aktivitetet e ndërsjella të mbikëqyrjes dhe kundërspiunazhit mes SHBA-ve dhe Izraelit nuk janë të reja. Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë ushtarak dhe të inteligjencës, të dyja palët prej vitesh monitorojnë njëra-tjetrën në mënyrë diskrete. Personeli amerikan që viziton Izraelin shpesh përdor masa të veçanta sigurie për mbrojtjen e komunikimeve dhe pajisjeve elektronike.

Sipas raportimeve, incidentet e lidhura me kundërspiunazhin janë shtuar që nga fundi i vitit 2024, kur administrata Biden ushtronte presion ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahu për të kufizuar operacionet ushtarake në Gaza. Tensionet vazhduan edhe gjatë vitit 2025, kur administrata Trump shqyrtonte mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Iranit.

Burime të inteligjencës amerikane vlerësojnë se situata aktuale ka kaluar kufijtë e zakonshëm të rivalitetit mes shërbimeve sekrete të vendeve aleate dhe se niveli i mosbesimit mes Uashingtonit dhe Tel Avivit është më i lartë se në vitet e fundit. Pavarësisht mohimeve zyrtare, çështja pritet të mbetet një temë e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy partnerëve strategjikë.

Zgjedhjet në Kosovë/ Numërohen mbi 90 për qind e kutive, rezultatet paraprake

7 June 2026 at 21:29

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas të dhënave të fundit, deri më tani janë numëruar mbi 90 për qind e kutive të votimit.

Bazuar në këto rezultate, partitë politike kanë fituar kaq vota:

Lëvizja Vetëvendosje: 43.71%;

Partia Demokratike e Kosovës: 21.58%;

Lidhja Demokratike e Kosovës: 17.99%, dhe

Aleanca: 7.28%.

Trump thotë se ai dhe Netanyahu janë në të njëjtën linjë pavarësisht mosmarrëveshjeve

7 June 2026 at 21:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ai dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, janë në të njëjtën linjë ndërsa konflikti në Iran shtrihet në ditën e 100-të, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve midis udhëheqësve mbi ofensivën ushtarake të Izraelit në Liban.

“Ne shkojmë shumë mirë”, tha Trump në emisionin “Meet the Press” të NBC-së, në një intervistë të pararegjistruar që u transmetua të dielën në mëngjes, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi qenë shokë të shkëlqyer. Ne bëmë një numër shumë, shumë të madh në një vend të caktuar që nuk ishte gjë tjetër veçse problem për 47 vjet. Nuk pajtohem me të për disa gjëra”, tha Trump.

Kur u pyet nëse nuk pajtohet me bombardimet e vazhdueshme të Libanit nga Izraeli, Trump tha se do të donte të shihte një “sulm më kirurgjikal ndaj Hezbollahut”.

“Ne mund t’i ndihmojmë ata me këtë, ose mund të rekomandojmë Sirinë,” tha ai, duke shtuar lëvdata për qeverinë e re siriane.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 3,593 njerëz dhe kanë plagosur 10,990 të tjerë në të gjithë Libanin që nga 2 marsi, tha Ministria e Shëndetit Publik e Libanit në një përditësim të shtunën.

Luftimet midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut, grupit militant të mbështetur nga Irani, janë intensifikuar në Libanin jugor pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis qeverive izraelite dhe libaneze. Hezbollahu nuk ishte palë në negociata dhe e ka refuzuar armëpushimin.

Trump kishte thënë javën e kaluar se ishte “i shqetësuar” me Netanyahun për planet e Izraelit për operacione ushtarake në Liban, ndërsa SHBA-të po punonin drejt një marrëveshjeje paqeje me Iranin.

Gjërat Tona/ Plumba Policisë, operacioni fatal

7 June 2026 at 20:50

Për nëntë vite jetoi në arrati.

U shpëtoi katër operacioneve të forcave speciale RENEA, e disa të tjerave nga Policia lokale.

Një ish-ushtarak i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në mungesë me 10 vite burg.

Dhe sot, në një fshat të Maliqit, historia e gjatë e kërkimit të tij mori fund në mënyrën më tragjike të mundshme.

Një operacion policor që kishte për qëllim arrestimin e të shumëkërkuarit, u shndërrua brenda pak minutash në një përballje të armatosur. Plumbat nuk kursyen askënd.

Një efektiv i Forcave “Shqiponja” të Policisë së Korçës humbi jetën në krye të detyrës. Kolegu i tij u plagos rëndë.

Ndërsa edhe vetë personi në kërkim u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit që tronditi zonën dhe riktheu në qendër të debatit pyetjet mbi mënyrën se si organizohen operacionet kundër personave me rrezikshmëri të lartë.

Si mundi ky person të qëndronte për nëntë vite larg prangave?

Pse katër operacione të mëparshme të RENEA-s nuk arritën ta neutralizonin?

A ishte vlerësuar siç duhet rreziku që paraqiste?

Dhe mbi të gjitha, a mund të ishte shmangur humbja e jetës së një punonjësi policie?

Një histori që nis me një kërkim nëntëvjeçar dhe përfundon me një uniformë të mbuluar nga flamuri.

Kjo është ngjarja që tronditi Shqipërinë.

 

OPERACIONI FATAL

Pasditen e datës 3 qershor 2026, Policia e Korçës ka marrë një sinjalizim nga një banor i zonës, se në fshatin Lozhan të Maliqit, ka parë shtetasin Violand Braçellari. Ky person, ishte në kërkim prej 9 vitesh dhe Policia nuk kishte të dhëna të sakta për vendndodhjen e tij. Informacioni është vlerësuar maksimalisht dhe është formuar grupi, duke bërë edhe një plan të shpejtë operacional, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, Policia ka mbajtur vazhdimisht kontakt me personin që kishte dhënë informacion, në mënyrë që t’i vinte në dijeni për lëvizjet e tij. Drejt adresës së dhënë janë nisur fillimisht forcat e Komisariatit të Maliqit e më pas edhe ato të Komisariatit të Korçës, forcat “Shqiponja”, si dhe titullarët, përfshirë edhe drejtorin e Policisë së Korçës e zëvendësdrejtorët.

Të paktën siç deklaroi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skërnder Hita, në operacion kanë marrë pjesë rreth 40 forca policore.

Fillimisht personi në kërkim është mbajtur në vëzhgim derisa është futur në stanin e tij, ku qëndronte bashkë me të ëmën, në malin Boden, që ndodhet rreth një orë larg fshatin Lozhan, ku ai ishte konstatuar në fillim. Operacioni ka nisur rreth orës 4 të mëngjesit të datës 4 qershor 2026 dhe rreth orës 07:00, forcat e Policisë që kishin rrethuar objektin ku ai ndodhej, kanë nisur t’i bëjnë thirrje që të dorëzohet.

Violand Braçellari nuk i është bindur thirrjes për t’u dorëzuar, përkundrazi, me një armë kallashnikov ka hapur zjarr në drejtim të forcave të Policisë. Për pasojë ka mbetur i vrarë efektivi Enea Mekolli, 34 vjeç, efektiv i “Shqiponjave”. Në këtë moment edhe forcat e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë të kërkuarit. Për disa momente ka pasur shkëmbim zjarri, duke u qëlluar nga të dy krahët. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë edhe një tjetër efektiv i “Shqiponjave”, Edison Adri, 36 vjeç, por edhe vetë autori i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari. Në fund ai është arritur të arrestohet.

 

Policia e Korçës

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq. Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Për shkak të terrenit të vështirë malor, dhe largësisë nga qendra më e afërt shëndetësore, drejt vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë, që ka bërë transportin e të plagosurve, drejt Spitalit të Korçës. Më pas efektivi i plagosur është transportuar për mjekim më të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Efektivi Edison Adri, paraqitet në gjendje kritike për jetën dhe është dërguar i intubuar në spital, për shkak të një plage në qafë dhe një tjetre në nofull. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, është dërguar me plagë në bark dhe në gjymtyrë dhe po ashtu pas mjekimit të parë në Spitalin e Korçës, u transportua në Spitalin e Traumës.

Nga ana tjetër, grupi hetimor ka vijuar me veprimet në vendin e ngjarjes, ku brenda në stanin, në të cilin ishte fshehur i kërkuari Braçellari, është gjetur edhe nëna e tij. Ajo është shoqëruar për të dhënë shpjegime në Policinë e Korçës, si dëshmitarja e vetme e përplasjes me armë zjarri. Është bërë kontrolli i të gjithë zonës dhe ambienteve të tjera përreth vendngjarjes, nisur edhe nga precedentët e autorit në drejtim të kultivimit të narkotikëve, por nuk është konstatuar asgjë e paligjshme, vetëm bagëtitë që ai mbante bashkë me të ëmën. Megjithatë hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse Violand Braçellari e përdorte stanin në malin Boden vetëm për strehim dhe për t’iu shmangur drejtësisë, apo edhe për qëllime të tjera kriminale.

 

AUTORI I NGJARJES

Violand Braçellari, 43 vjeç, autor i dyshuar i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në Maliq dhe plagosjes me kallashnikov të efektivit tjetër rezulton një person me precedentë të theksuar kriminal që prej vitit 2011.

Violand Braçellari në vitin 2013 është dënuar me 3 vite e 4 muaj për kultivim narkotikësh dhe vetëm dy vite më vonë u ndalua sërish po për të njëjtën akuzë. Më 29 shtator të vitit 2015 pas informacioneve të marra asokohe nga Policia e Korçës se dy automjete të ngarkuara me bimë narkotike po qarkullonin në vendin e quajtur “Çezma e Senishtit”, Policia ndaloi Braçellarin dhe disa persona të tjerë.

Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Mercedes Benz” ku ndodhej edhe Violand Braçellari u gjetën qese plastike dhe doreza të cilat hetuesit i konsideruan si sende që mund të përdoreshin në aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të lëndës narkotike.

Lidhur me këtë çështje, pas të cilës dyshohej se fshiheshin edhe persona të tjerë të paidentifikuar, Policia ushtroi kontrolle në disa banesa përfshirë dhe banesën e Violand Braçellarit, ku u gjetën 10.8 gramë mbetje të thara cannabis sativa dhe një kalorifer elektrik. Këto mbetje të lëndës narkotike u konsideruan nga organi i akuzës si pjesë e një aktiviteti më të gjerë kriminal, që më pas do të provohej dhe nga gjetjet në telefonin e tij.

Dosja e Prokurorisë

Nga kontrolli i ushtruar në banesë, e cila është në pronësi të Shefqet Braçellarit, por në posedim të të pandehurit Violand Braçellari dhe familjes së tij, është konstatuar se në katin e dytë të saj dhe pikërisht në një dhomë në anën perëndimore, ndodhej një kalorifer dhe në sipërfaqen poshtë dyshemesë së kësaj dhome u gjetën mbetje bimësh të thata me aromë dhe ngjyrë të ngjashme me atë të bimës narkotike, të llojit cannabis sattiva. Këto sende janë marrë dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale nga ana e policisë gjyqësore. Nga peshimi i sasisë së bimës së gjetur në vendin e mësipërm, ka rezultuar se ajo peshonte 10.8 gramë. Nga akti i ekspertimit kimik, datë 24.05.2026, ka rezultuar se ky material bimor është përzierje pjesë bime me cannabis, produkt herbal bime cannabis sattiva. Nga këqyrja e kësaj banese ka rezultuar se ajo furnizohej me energji elektrike, me të cilën ndizej kaloriferi, nga banesa në posedim të të pandehurit dhe familjes së tij, në pronësi të Mitat Braçes.

Nga telefoni celular “Black Berry”, i sekuestruar nga Policia, dolën në pah komunikime me dy persona të regjistruar me emrat “Sandri” dhe “Toni”. Sipas dosjes hetimore në këtë aparat celular përveç bisedave që autori bënte me personat e tjerë për kontrollin e bimëve, procesin e tharjes, transportin dhe peshimin e lëndës narkotike u gjetën edhe fotografi që provonin aktivitetin e tij të jashtëligjshëm.

Në lidhje me këtë ka dhënë deklarime për Prokurorinë oficeri i policisë gjyqësore, njëkohësisht ish-shefi i Antidrogës.

Dosja e Prokurorisë

Në video të personit kishte pamje filmike që ishin të ngarkuar kafshët e buta me lëndë narkotike. Tek një banesë tjetër mbanin bagëti, nuk kemi gjetur gjë dhe tek një banesë tjetër përsëri kishte bagëti dhe një nga pjesëtarët e grupit ka konstatuar se ishte një kalorifer dhe kishte mbetje të lëndëve narkotike. Nuk bëmë kontroll specifik duke kaluar nga një ndërtesë në tjetrën, pasi mendonim se do të kishte sasi të madhe lënde narkotike, bazuar tek fotot e celularit. Eksperti ka ardhur më pas. Babai nuk ka qenë, vetëm nëna dhe kryeplaku. Të pandehurin nuk e kam njohur, hera e dytë që e shoh. Informacionin për kontrollin e banesës ma komunikuar zv.drejtori. Kemi shkuar tek kryeplaku dhe më pas tek banesa e Sabriut, aty afër. Aty gjetëm prindërit. Tek banesa e tyre nuk gjetëm gjë. Kemi hartuar vetëm një procesverbal kontrolli për të gjitha. Kur u gjet lënda narkotike, kanë qenë të gjithë personat që kanë firmosur, përveç babait.

Sipas dosjes hetimore autori pasi kishte kultivuar lëndën narkotike e transportonte me kafshë për të vijuar me tharjen dhe paketimin e në fund shitjen. Gjykata e Korçës e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim, vendim që u la në fuqi nga Apeli dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë në janar të vitit 2024. Por vendimi ndaj tij është dhënë në mungesë, pasi Gjykata e Apelit në Korçë i kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” dhe më pas që nga ajo kohë ai i ishte shmangur drejtësisë. Emri i tij rezulton i përfshirë edhe në procedime të tjera penale. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur për plagosje të lehtë me dashje, ndërsa në fillim të vitit 2026 Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për një proces gjyqësor, pasi nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar të banimit.

Në përfundim, duke mbajtur në konsideratë të gjitha provat, rrethanat dhe dëshmitë, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, më 19 dhjetor 2017, vendosi të shpallë fajtor Violand Braçellarin dhe ai u dënua me 10 vjet burgim.

Vendimi i Gjykatës

Duke marrë në konsideratë qëndrimin e tij konsistent mohues ndaj veprës penale; faktin se pavarësisht sasisë së vogël të lëndës narkotike të gjetur, sasia e saj ka qenë e konsiderueshmë, por nuk është zbuluar se ku ndodhej; faktin se kjo vepër penale ka një përhapje mjaft të lartë, etj. Nisur nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se i pandehuri ndodhet në pozita rënduese. Duke vlerësuar në kompleksitet rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit, rrezikshmërinë e veprës penale, rrethanat e mësipërme, që vlerësohen si të rëndësishme për individualizimin e dënimit, masën e dënimit që parashikon dispozita 7-15 vjet burgim, Gjykata vlerëson se i pandehuri duhet të dënohet me 10 vjet burgim për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme dhe do të fillojë nga data e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur edhe periudha e paraburgimit të vuajtur prej të pandehurit gjatë hetimeve paraprake.

Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Korçë, më 17 korrik 2018. Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, i pandehuri Violand Braçellari, i cili ndër të tjera pretendon se:

 

Avokati i Violand Braçellarit

Është shpjeguar se aparati telefonik është blerë nga i  pandehuri  i përdoruar dhe ky i pandehur jo vetëm që nuk e ka ditur për ekzistencën e atyre pamjeve në atë aparat telefonik, por as dhe nuk di ta përdorë atë aparat, i cili është jo i zakonshëm dhe jo lehtësisht i përdorshëm. Por edhe sikur ai të kishte dijeni për ato pamje, për aq kohë sa nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se ato pamje janë filmimi nga vetë ai celular dhe jo të dërguara në atë celular nga njëra anë dhe nga ana tjetër për aq  kohë sa aty nuk ka asnjë shfaqje të këtij të pandehuri në ato pamje, si mundet që kjo e dhënë të përdoret si provë për ngritjen e një akuze të tillë që nuk lidhet aspak me ato pamje, pasi bëhet fjalë në rastin konkret që ky i pandehur nuk akuzohet për lëndën narkotike që evidentohet në ato pamje por për një sasi prej 10 gram mbetje të gjetura në një banesë të braktisur në fshatin Lozhan, por në pronësi të shtetasit Shefqet Braçellari. Pra lehtësisht rezulton se në gjykim, pala akuzatore nuk  paraqiti asnjë provë logjike, procedurialisht të vlefshme në funksion të vërtetimit të akuzës që vetë ka ngritur ndaj këtij të pandehuri. Procesverbali i kontrollit është firmosur në mënyrë abuzive nga persona të cilët nuk kanë marrë pjesë në kontroll siç ishte dhe babai i të pandehurit shtetasi Luan Braçellari, i cili objektivisht nuk  mund të merrte pjesë, për shkak së ai është një njeri pa këmbë i cili nuk mund të ecë.

Por me gjithë pretendimet e palës mbrojtëse, Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Violand Braçellarit dhe me një vendim të datës 25 janar 2024 ka lënë në fuqi vendimin e Apelit.

E megjithatë, i akuzuari i është shmangur vazhdimisht drejtësisë dhe ka vijuar të qëndrojë në arrati për afro 9 vite, që nga momenti kur Apeli i Korçës i kishte ndryshuar masën e sigurisë, duke e lënë në “detyrim paraqitje”, në vitin 2017.

 

OPERACIONET E DËSHTUARA

Violand Braçellari, që nga momentet e para që i është shmangur drejtësisë, nga vetë vepra penale për të cilën akuzohej, por edhe e shkuara e tij si ish-ushtarak profesionist, është vlerësuar nga Policia e Korçës si person me rrezikshmëri të lartë. Për arrestimin e tij dhe vënien para drejtësisë, janë zhvilluar disa operacione Policore, të cilat në fakt kanë dështuar. Madje rezulton që 4 prej këtyre operacioneve janë organizuar nga forcat speciale RENEA. Për shkak të mosfinalizimit të tyre, të gjitha këto aksione nuk janë bërë publike, por të gjitha strukturat Policore, ato vendore dhe qendrore kanë qenë në dijeni për dështimet e tyre. Faktin e zhvillimit të këtyre operacioneve e konfirmoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita Gjatë konferencës për shtyp, megjithatë ai disa herë artikuloi faktin se për aksionin e datës 4 qershor nuk kishte marrë dijeni nga Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës.

Pas ngjarjes së rëndë, ku një efektiv mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, tashmë ka nisur një analizë e thelluar, jo vetëm për të kuptuar se çfarë shkoi keq në operacionin e fundit, por edhe në ato të mëparshmet kur ai nuk u arrit të arrestohej. Një analizë për të kuptuar se përse ato operacione nuk u finalizuan, çfarë e bënte objektivin kaq të vështirë, nëse ai kishte informacion të brendshëm apo edhe nëse ishte vlerësuar saktë niveli i rrezikut që ai paraqiste.

Tashmë ka nisur një hetim disiplinor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për faktin e kushteve se si u vendos që operacioni të kryhej nga Drejtoria e Policisë Korçë, pa sinjalizuar drejtorin e Përgjithshëm, apo edhe atë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, siç ndodh në operacione që vlerësohen me risk të lartë. Por nga ana tjetër edhe një hetim penal nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Korçës, për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi ligjore në lidhje me këtë që ndodhi.

Në operacione të ngjashme, kur objektivi konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, janë forcat speciale RENEA ato që ngarkohen me detyrë nga Drejtoria e Forcës Kombëtare të Sigurisë për të zhvilluar operacionin. Protokolli e përcakton qartë ndërhyrjen. Drejtori i Policisë Vendore i bën kërkesë drejtorit të Forcës Kombëtare të Sigurisë, ky i fundit urdhëron komandantin e forcave speciale RENEA dhe bëhet gati gjithçka për nisjen e operacionit. Mund të marrin pjesë një ose dy njësi, që kanë në përbërje negociatorë, snajperistë dhe forca me pajisjet e nevojshme që mbajnë nën kontroll situatën, qëndrojnë në kontakt për orë të tëra me personin e rrethuar dhe më pas ndërhyjnë. Historia ka treguar se operacione të tilla kanë qenë të suksesshme edhe për shkak të taktikave, eksperiencës dhe praktikës që ndjek RENEA. Ndodh që të ketë dhe pasoja por jo nga radhët e Policisë. Megjithatë, në operacionin e 4 qershorit, nuk u ndoq kjo praktikë. Motivet priten të sqarohen në përfundim të hetimit dhe analizës që tashmë po zhvillohet.

Hetimet për ngjarjen e rëndë në Lozhan, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbuluar në stanin ku fshihej Violandi Braçellari 3 armë zjarri. Kallashnikovin, me të cilën qëlloi mbi Policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte. Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij. Në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe një radio policie dhe, gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit.

 

EFEKTIVI I VRARË

Për familjen Mekolli, vrasja në krye të detyrës e 34-vjeçarit Enea Mekolli, është tragjedia e dytë që iu ndodh brenda 10 viteve. Në vitin 2016, vëllai i Eneas, Edison Mekolli, humbi betejën e një sëmundje të rëndë, kur ishte vetëm 25 vjeç. Edhe ai ishte efektiv Policie. Madje sipas të afërmve, edhe Enea iu bashkua radhëve të uniformave blu, për të plotësuar dëshirën e vëllait të tij. Kjo ishte edhe arsyeja, pse familja vendosi që pavarësisht nisjes së menjëhershme të procedurave për ta shpallur “Dëshmor të Atdheut”, djali i tyre të varrosej pranë të vëllait, në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Blacë të Pogradecit.

Më 5 qershor Enea Mekolli, efektivi 34-vjeçar i Policisë së Shtetit, rënë në krye të detyrës, u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve e dhimbjes.

Homazhet u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, drejtues të lartë të policisë, autoritete vendore, kolegë dhe qindra qytetarë.

Familjarët nuk i fshehën pakënaqësitë për operacionin e zhvilluar ku u vra Enea Mekolli. Në prani të Presidentit Bajram Begaj, xhaxhai i efektivit të vrarë shpërtheu në lot dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën si ishte organizuar operacioni.

Në homazhe ranë në sy dhjetëra efektivë të cilët qëndronin të rreshtuar në heshtje, shumë prej tyre nuk i mbanin lotët për kolegun e vrarë në në krye të detyrës detyrë.

Të afërmit e përshkruajnë Enea Mekollin si djalë të përkushtuar ndaj familjes, besimtar, korrekt në detyrë. Fillimisht kishte shërbyer në Policinë Rrugore, ndërsa prej rreth dy vitesh ishte pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”. Enea Mekolli la pas prindërit, motrën, bashkëshorten dhe djalin e mitur, vetëm 9-muajsh. Megjithëse protokolli parashikonte të prehej në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, dëshira e familjes ishte që dy vëllezërit të qëndronin pranë njëri-tjetrit edhe pas vdekjes.

Nën një atmosferë dhimbjeje dhe respekti të thellë, qyteti i Pogradecit i dha lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli. Qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe banorë të zonës zhvilluan homazhe në Qendrën Kulturore të Pogradecit, duke nderuar sakrificën e policit që ra në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve. Arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u shoqërua nga nderimet e kolegëve të tij, ndërsa pjesëmarrja e jashtëzakonshme e qytetarëve dëshmoi respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e Enea Mekollit. Për aktin e tij të lartë heroik të shërbimit dhe sakrificës, ai është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Në fund, përtej debateve mbi mënyrën si u organizua operacioni, përtej pyetjeve që presin përgjigje nga hetimet dhe përtej profilit të personit që kërkohej prej vitesh, mbetet një fakt i pamohueshëm.

Një tjetër punonjës policie humbi jetën në krye të detyrës.

Dhe kjo është ana më e rëndë e uniformës. Një uniformë që çdo ditë përballet me rrezikun, shpesh larg vëmendjes së publikut, në operacione që nuk bëhen kurrë lajm dhe në përballje ku ndarja mes jetës dhe vdekjes mund të zgjasë vetëm pak sekonda.

Historia e Policisë së Shtetit është e mbushur me emra efektivësh, që kanë paguar çmimin më të lartë në shërbim të qytetarëve. Deri më sot, 232 efektivë të Policisë së Shtetit janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, pasi kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës apo për shkak të saj.

Pas çdo numri qëndron një histori. Një familje. Një jetë e ndërprerë. Një sakrificë që nuk duhet harruar.

Ngjarja e fundit në Maliq i shtohet kësaj historie dhimbjeje, por edhe historie shërbimi e përkushtimi. Ajo na kujton se siguria që gëzojmë çdo ditë ka një kosto. Se pas çdo operacioni, pas çdo arrestimi dhe pas çdo përballjeje me krimin, janë njerëz që vendosin jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur jetën e të tjerëve.

Hetimet do të zbardhin përgjegjësitë, do të analizojnë vendimet operacionale dhe do të japin përgjigje për shumë nga pyetjet që ngjarja fundit ka ngritur.

Por një gjë është e sigurt.

Një familje ka humbur njeriun e saj të dashur.

Policia e Shtetit ka humbur një koleg.

Dhe Shqipëria ka humbur një tjetër shërbëtor të ligjit në krye të detyrës.

Në respekt të të gjithë atyre që nuk u kthyen më në shtëpi pas një shërbimi, dhe në nderim të 232 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, kujtojmë se sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin ngrihet besimi te ligji, rendi dhe siguria e qytetarëve.

 

Humbi jetën tragjikisht në aksident/ Elbasan, homazhe në nder të të riut futbollist Fatjon Bunjaku

7 June 2026 at 20:26

Në qytetin e Elbasanit u mbajtën homazhe në nder të futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor.

Familjarë, miq, tifozë, sportdashës dhe figura të njohura të sportit u mblodhën pranë stadiumit për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të nderuar kujtimin e tij.

Të pranishmit shprehën dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e të ndjerit, ndërsa vlerësuan kontributin e Fatjon Bunjakut në futboll dhe shembullin që ai la pas si sportist dhe qytetar.

Atmosfera ishte e mbushur me emocione, ku qindra qytetarë vendosën lule dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim të tij.

Plagosja në Shijak, detaje të reja/ Shkak një konflikt i vjetër, autori u largua me biçikletë

7 June 2026 at 20:17

Mësohen detaje të reja me dinamikë të plotë nga plagosja e ndodhur në Shijak, ku i plagosur ka mbetur Bjondi Guri, ndërsa autori i dyshuar është Elton Beqiri. Sipas informacioneve të zbardhura nga ABC News, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të vjetër mes dy personave.

Dinamika e saj ka qenë e shpejtë dhe e papritur. Në momentin e ngjarjes, Bjondi Guri ndodhej në vendin e tij të punës në një lokal, kur autori ka mbërritur me biçikletë. Ai është futur menjëherë brenda ambienteve dhe, pa shkëmbyer asnjë fjalë, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Menjëherë pas të shtënës, autori është larguar po me biçikletë nga vendngjarja. Policia është vënë në ndjekje të tij dhe ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e dyshuar, ndërsa po zhvillohen negociata për dorëzimin e tij.

Ndërkohë, i plagosuri është transportuar në spital, ku ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi është qëlluar me një plumb në këmbë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e motivit.

Nis numërimi i votave në Kosovë/ Dalin rezultatet e para

7 June 2026 at 20:01

Në Kosovë ka nisur procesi i numërimit të votave për zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përditësimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme, të mbajtura sot, 7 qershor, në Kosovë.

Nga votat e numëruara në 72 kutitë e para, ajo që kryeson është Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit me 34.18%.

Pas saj vjen PDK me 19.95%, ndërsa LDK e treta me 14.76%. Ndërkohë, Lista Serbe numëron 9.83%.

 

“Detyra e parë e qeverisë, zgjedhja e presidentit”, Gazetarja: Fushata e Kurtit, gjuhë linçuese

7 June 2026 at 19:53

Gazetarja Habi Hoxha tha se detyra e parë e qeverisë së re në Kosovë do të jetë zgjedhja e presidentit.

Ajo tha se Presidentja aktuale Vjosa Osmani përmendet si një nga figurat e mundshme për një mandat të ri, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shihet si kandidat për postin e kryeministrit në skenarë të ndryshëm politikë.

Sipas Hoxhës, mbetet e paqartë se si do të pozicionohen subjektet opozitare, të cilat sipas saj kanë rezultate të afërta dhe mund të eksplorojnë marrëveshje apo rishpërndarje të roleve brenda Kuvendit.

Gazetarja komentoi gjithashtu edhe klimën politike gjatë fushatës, duke thënë se gjuha e urrejtjes dhe linçimit ka qenë më e ulët në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndonëse sipas saj Kurti më herët ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj opozitës.

“Detyra e parë e qeverisë së re do të jetë zgjedhja e presidentit.
Vjosa Osmani është kandidatja e tyre për presidente dhe Abdixhiku për kryeministër. Nuk dihet për subjektet që do jenë në opozitë; mund të bëjnë ndonjë marrëveshje pasi shkojnë në përqindje të ngjashme, mund të bëjnë ndonjë rokadë brenda parlamentit. Nëse partitë opozitare do të votonin për presidenten Osmani, do të ishte fitore e tyre dhe goditje për Kurtin.

Gjuha e urrejtjes dhe linçimit ka qenë pak në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kurti përdori atëherë një gjuhë të ashpër, duke quajtur opozitën “hajvanë”. Disa gjëra ndryshuan në dhjetor, por në këto zgjedhje ka pasur goditje ndaj zonjës Osmani, e cila ka qenë në krye të shtetit. Është goditur përmes subjekteve në rrjetet sociale, gjë që ul shumë pikë.”

Zgjedhjet në Kosovë/ Nura: Shanset janë të humbura! Përgjegjësia bie mbi Kurtin!

7 June 2026 at 19:43

Analisti Artur Nura tha se përgjegjësia politike për situatën e krijuar në Kosovë bie mbi partinë më të madhe dhe kryeministrin, veçanërisht në kushtet kur vendi po shkon sërish drejt zgjedhjeve.

Sipas tij, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është një sinjal i qartë i pakënaqësisë qytetare dhe i mungesës së menaxhimit të duhur të situatës politike.

Sipas analistit, rritja e LDK-së reflekton një nivel skepticizmi të opinionit publik, përfshirë edhe ndaj rikthimit të Osmanit në skenën politike në këtë formë.

Nura paralajmëroi se mungesa e stabilitetit politik mund të ketë pasoja si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke theksuar se “gjasat janë të humbura” për një stabilitet të shpejtë.

“ Përgjegjësinë politike e merr partia më e madhe, kryeministri, që ndodhen sërish zgjedhje. Goditja e mospjesëmarrjes i shkon Kurtit, që nuk ka ditur të menaxhojë situatën, por ka luftuar të marrë pushtet sa më shumë. Osmani i dha pushtetin Vetëvendosjes dhe divorci i tyre solli këtë situatë.

Fakti që LDK ka rritje ka një skepticizëm për rikthimin e Osmanit. Gjasat janë të mos kemi stabilitetin për qytetarët dhe në aspektin ndërkombëtar. Shanset janë të humbura. Qytetarët e kanë kuptuar dhe gjasat janë të mos kemi projektet e BE-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës.”

Zjarr pranë “Vila L” në Astir/ Përfshihet nga flakët një garazh

7 June 2026 at 19:26

Një zjarr është raportuar pak më parë në zonën e Tiranë, në Astir, pranë “Vila L”.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një garazh, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre në zonën përreth.

Exit poll-et e para në Kosovë/ Gazetarja: Pjesëmarrje e ulët, qytetarët braktisin zgjedhjet. Bie mbështetja ndaj Kurtit

7 June 2026 at 19:20

Gazetarja Habi Hoxha komentoi zhvillimet e fundit politike në Kosovë duke thënë se vendi po kalon një periudhë lodhjeje nga proceset e shpeshta zgjedhore, duke theksuar mungesën e stabilitetit politik dhe të një qeverie të besueshme.

Sipas saj, rezultatet e exit poll-eve të fundit tregojnë ndryshime në mbështetjen për partitë kryesore në vend.

Lëvizja Vetëvendosje rezulton me 42.3 për qind të votave, duke shënuar rënie nga 51 për qind në zgjedhjet e mëparshme. Sipas Hoxhës, kjo tregon një ulje të besimit të qytetarëve në aftësinë e  Kurtit për nxjerrjen e vendit nga kriza.

“ Kosova është e lodhur nga zgjedhjet e fundit. Nuk janë prodhuar stabilitet politik apo një qeveri serioze dhe e besueshme. Rezultatet e exit polleve të fundit për VV 42.3 për qind kanë një rënie të mbështetjes nga 51 për qind.

Qytetarët nuk i besojnë më Kurtit për nxjerrjen nga kriza. Për PDK ka votëbesuar 21.6 për qind. Pjesëmarrja është e ulët, 31.27 për qind. Për LDK, 17.3 për qind, Aleanca 6.8 për qind.”

Plagosje me armë në lagjen ’24 maji’ në Vlorë/ Autori lëvizte me motor, qëlloi 27 vjeçarin sapo doli nga lokali

7 June 2026 at 18:41

Një ngjarje me armë zjarri është regjistruar pak minuta më parë në Vlorë, pranë rrethrrotullimit të Çoles, në lagjen “24 Maji”.

Sipas informacioneve paraprake, personi i plagosur i identifikuar si Kevi Lazaj ka dalë nga një lokal bar-kafe në zonë dhe është afruar pranë automjetit të tij tip Ford i bardhë.

Në atë moment, autori Turi Aligjoni, 55 vjeç, dyshohet se është afruar me motor dhe me skafandër, duke hapur zjarr ndaj tij.

I plagosuri ka marrë një plagë në këmbë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore.

 

Kapen 110 kg marijuanë në Igumenicë/ Detaje, droga u nis nga fshatrat e Sarandës. Transportuesi, shtetas turk

7 June 2026 at 18:27

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me kapjen e një sasie të madhe lëndësh narkotike mëngjesin e sotëm pranë kufirit greko-shqiptar. Sipas burimeve policore, automjeti u ngarkuar me drogë është ndaluar në Nea Selefkia, zonë kjo pa u futur në qytetin e Igumenicës.

Droga dyshohet se ka kaluar nga Saranda përmes fshtarave të Konispolit për në kufirin e gjelbër dhe është ngarkuar më pas në automjetin tip “BMË”, i cili drejtohej nga një shtetas turk 43-vjecar. Ky i fundit dyshohet të jetë paguar si transportues i grupit kriminal, për ta cuar drogën në Athinë. Sasi prej 109 kg 364 gramë ishte e ndarë në 102 pako dhe e vendosur në canta sportive të zeza.

“Flamingot, jo rastësisht në ngjyrën e PS”/ Protesta, Rama: Blogerët janë në Palasë, moralistët ata që s’kanë paguar një euro taksë

7 June 2026 at 18:23

Gjatë një takimi në Elbasan, Rama tha se flamingot “edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht të PS-së”, ndërsa theksoi se shtimi i tyre është rezultat i politikave për mbrojtjen e faunës dhe mjedisit.

Ai shtoi se kritikët e qeverisë nuk mund të paraqiten si mbrojtës të interesave të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rolin që, sipas tij, Partia Socialiste ka luajtur në transformimin e vendit.

“Flamingot edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht të PS-së.

Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë lek pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar i ri, dhe një euro taksë nuk paguajnë. Disa analistë dhe gazetarë që paguhen me lekë nën dorë u qajnë hallin flamingove. Moral mua dhe PS-së të maten mirë kush e bën. Po nuk pati blogerë sot, kanë qenë në Palasë. Do mbrojnë Shqipërinë këta nga një forcë që vendin e gjeti në llum, e mori në krahë kur nuk I hapej asnjë derë. E bëri Shqipërinë një vend ku kushdo e thotë me krenari është shqiptarë.”

“PS shpëtimtare, jo tradhtare e Shqipërisë”, Rama: Kur morëm detyrën, flamingot vriteshin me çifte

7 June 2026 at 18:17

Kryeministri Edi Rama nga Elbasani tha se mbështetja e marrë nga qytetarët ndër vite dëshmon se PS dhe qeveria e tij nuk mund të cilësohen si tradhtarë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mbi 800 mijë qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora kanë votuar për Partinë Socialiste, duke e konsideruar këtë një dëshmi të besimit që qytetarët vazhdojnë t’i japin qeverisë.

Sipas Ramës, në të kaluarën specie të ndryshme, përfshirë flamingot, ishin të rrezikuara për shkak të gjuetisë së pakontrolluar, ndërsa sot situata ka ndryshuar falë masave mbrojtëse të ndërmarra nga qeveria.

“Nëse unë dhe ju do të ishim tradhtarët, nuk do të kishim pritur njerëzit 35 vjet ta merrnin vesh, nuk do të kishin ardhur për të votuar për PS mbi 800 mijë njerëz nga Shqipëria e diaspora. Nëse unë dhe ju do të ishim tradhtarët, atëherë nuk ka patronazhist apo organizatë që mund të përmbajë një popull të shkojë në votim.

Ne jemi shpëtimtarët, jo tradhtarët. Kur morëm detyrën, ishte një vend i zhytur në llum. Vriteshin me çifte flamingot për qejf. Jemi shpëtimtarët e faunës së Shqipërisë, vumë moratoriumin 10-vjeçar kundër gjuetisë. Regjistrat ku janë të regjistruar shpendët dhe kafshët e Shqipërisë tregojnë se si janë shtuar. Flamingot nuk vinin fare, ata janë zogj shtegtarë, sepse i prisnin horrat me pushkë e çifte dhe kishin liri të bënin masakër. “

Kosova në zgjedhje/ Nurellari: ‘Lodhje elektorale’, pjesëmarrje më e ulët se në zgjedhjet e fundit

7 June 2026 at 18:12

Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel, më 7 qershor, qendrave të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në procesin e tretë zgjedhor parlamentar të organizuar brenda vetëm 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi po zhvillon sërish zgjedhje parlamentare, të shkaktuara nga dështimi i forcave politike për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Analisti Adri Nurellari ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit kanë shënuar një rritje të pjesëmarrjes së diasporës, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme e votuesve ka qenë më e ulët krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore.

Sipas Nurellarit, vota e diasporës është rritur me rreth 30 mijë votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e zhvilluara në dhjetor dhe shkurt.

“Pati një rritje të votës së diasporës krahasuar me dhjetorin dhe shkurtin, janë 30 mijë më shumë. Shohim një pjesëmarrje më të ulët; të dhënat e orës tre thonë se janë 8 për qind më pak se në zgjedhjet e fundit. Kjo është e natyrshme pas tre ciklesh zgjedhore, lodhja elektorale është e mundshme. Ka një rënie dhe kjo është e kuptueshme. Për serbët e veriut, ata kanë qenë të kontrolluar dhe të shantazhuar nga strukturat paralele. Në të kaluarën, kushdo që ka tentuar të kandidojë pa miratimin e Beogradit, është kërcënuar.”

❌
❌