Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2026Gazeta Si

Ervis Martinaj dërgohet për gjykim nga SPAK

22 July 2026 at 16:55

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nëntë të pandehur, mes tyre edhe Ervis Martinajn.

Hetimet janë drejtuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti dhe përfshijnë Ervis Martinajn, Denis Bajrajn, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrajn, Eljon Haton, Arsad Bashlin dhe Nuredin Dumanin.

Sipas SPAK, Martinaj akuzohet për “vrasje me paramendim” në dëm të Gjin Ndojit (Borici), ngjarje e ndodhur më 9 gusht 2020 në Shkodër, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ai akuzohet gjithashtu për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Kleant Musabelliut, si edhe për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, armësh shpërthyese dhe municioni, gjithashtu në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Ndaj Denis Bajrajt janë ngritur akuza për vrasjen e Gjin Ndojit, sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Nuredin Dumani dhe Bardhyl Mavraj akuzohen, në role të ndryshme, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve ndaj Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Kleant Musabelliut, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në të njëjtën dosje, Eljon Hato dhe Arsad Bashli janë dërguar për gjykim për akuzat e “vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë ndaj Taulant Pepës, armëmbajtje pa leje dhe “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Për të njëjtën vepër penale të korrupsionit akuzohet edhe Bardhyl Mavraj.

Sipas SPAK, tetë nga nëntë të pandehurit janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej afro tre vitesh.

I vetmi që ndodhet në paraburgim është Nuredin Dumani, i cili po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”, me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Me përfundimin e hetimeve, dosja i ka kaluar GJKKO-së, ku pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes në gjykim.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka vendosur ndarjen e çështjes për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në aktivitet kriminal, për të cilët hetimet paraprake vijojnë.

The post Ervis Martinaj dërgohet për gjykim nga SPAK appeared first on Gazeta Si.

Zgjedhorja/ Vokshi përplaset me Gjiknurin: Mos më thuaj mua ‘e dashur’!

22 July 2026 at 12:01

Nga Gazeta ‘Si’- Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, pasi deputetët opozitarë kërkuan që në diskutime të ishte i pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Përfaqësuesit e opozitës argumentuan se prania e kreut të Policisë do të ishte e nevojshme për të diskutuar çështje që lidhen me procesin zgjedhor dhe rolin e institucioneve ligjzbatuese.

Debati u tensionua gjatë diskutimit mes bashkëkryetarit të komisionit, Damian Gjiknuri, dhe deputetes demokrate Albana Vokshi.

Gjiknuri, gjatë përplasjes verbale, iu drejtua Vokshit me shprehjen “e dashur”, çka solli reagimin e menjëhershëm të deputetes së opozitës.

Pjesë nga debati:

Gjiknuri: “Duro, jeta nuk është bardh e zi, e dashur!”

Vokshi: “Mos më thuaj mua e dashur ti. Mos më thuaj mua ashtu, e dashur. Jam anëtare e komisionit.”

Gjiknuri: “Po çfarë të them? E nderuar, zonjë, për ta bërë jetën me ngjyra.”

Vokshi: “Mos u merr me jetën time personale.”

Gjiknuri: “S’po merrem me jetën personale. Janë batuta për ta shtensionuar situatën.”

Vokshi i cilësoi komentet e Gjiknurit si “batuta të kota”, ndërsa kërkoi që diskutimi të fokusohej te çështjet e komisionit.

Nga ana e tij, Gjiknuri tha se Policia e Shtetit është një institucion i centralizuar dhe se nuk kishte kuptim që në komision të thirreshin drejtues lokalë të policisë.

“Çfarë pune kam me drejtorët e rretheve? Policia është organ i centralizuar. E mira do të ishte që të ishte drejtori i policisë këtu. Mirë, dakord, të bëjmë kërkesë”, deklaroi Gjiknuri.

Debati u mbyll me dakordësimin për të shqyrtuar kërkesën për thirrjen e kreut të Policisë së Shtetit në komision, ndërsa përplasja mes deputetëve u bë pjesë e diskutimeve politike të ditës.

The post Zgjedhorja/ Vokshi përplaset me Gjiknurin: Mos më thuaj mua ‘e dashur’! appeared first on Gazeta Si.

Gogu: Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të shëndetit mendor për të dënuarit

22 July 2026 at 11:55

Nga Gazeta ‘Si’- Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në një institucion për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor.

Deklarata u bë nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i cili theksoi se qeveria ka një plan konkret që po e zbaton, dhe trajtimi i të dënuarve do të jetë i ngjashëm me vendet e BE.

“Një nga sfidat me të cilat do të ndeshemi dhe do të raportojmë në vijimësi do të jetë gjendja e të dënuarve, të cilët kanë vendim gjykate dhe vuajnë nga shëndeti mendor, pra janë të paaftë mendërisht, dhe megjithëse janë të dënuar duhet të trajtohen si të pamundur fizikisht.

E kam fjalën për Shënkollin, që sot është burg, por ne po punojmë, dhe kemi një plan që po e zbatojmë, dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor, atje do të trajtohen të dënuarit, ashtu siç trajtohen në çdo vend të BE-së”, tha Gogu në konferencën për mediat.

Duke u ndalur te Raporti i fundit i Sundimit të Ligjit, ai e cilësoi atë si një etapë historike që sipas tij konfirmon konsolidimin e sistemit, ndonëse theksoi nevojën për më shumë përpjekje në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimin e vakancave.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të re, ku përjetesa matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në organet e drejtësisë. Jemi këtu për të thënë atë se çfarë ka ndodhur, të mirat dhe të këqijat në sistem. Pak më parë u publikua raporti i Sundimit të Ligjit. Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi, ky është pohimi kryesor i atij raporti. Raporti e vlerëson si një etapë historike. Progresi nuk është arsye për t’u kënaqur, sepse raporti ka edhe kritika: lufta ndaj korrupsionit të fuqizohet më shumë, të plotësohen vakancat”, tha ai.

The post Gogu: Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të shëndetit mendor për të dënuarit appeared first on Gazeta Si.

Çfarë është ‘Mali i Kazmës’, objekti sekret i Iranit që Trump thotë se SHBA do ta sulmojë së shpejti?

22 July 2026 at 11:34

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se SHBA-ja mund të sulmojë së shpejti “Malin e Kazmës” (Pickaxe Mountain), një objekt i dyshuar bërthamor i Iranit, ku Izraeli beson se Teherani mund të ketë zhvendosur një pjesë të rezervave të uraniumit të pasuruar dhe centrifuga të avancuara.

“Do ta godasim atë zonë shumë shpejt, me shumë gjasa. Dhe nuk ka asgjë që ata mund të bëjnë për ta ndaluar”, tha Trump të martën.

Irani reagoi duke paralajmëruar se çdo sulm amerikan ndaj objekteve bërthamore do të konsiderohej si zgjerim i luftës në rajon.

Çfarë është “Mali i Kazmës”?

“Pickaxe Mountain” është një kompleks shumë i fortifikuar, i ndërtuar thellë nën tokë në qendër të Iranit, rreth 1.6 kilometra në jug të uzinës së pasurimit të uraniumit në Natanz.

Objekti ndodhet të paktën 100 metra nën një mal të quajtur Kuh-e Kolang Gaz La, ku fjala “Kolang” në persisht do të thotë “kazmë”.

Ndërtimi nisi në vitin 2020. Irani e deklaroi atë para Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) si një objekt të ardhshëm për montimin e centrifugave që përdoren për prodhimin e karburantit bërthamor.

Megjithatë, objekti mbetet kryesisht misterioz. Nuk ka plane publike të tij dhe ekspertët janë mbështetur kryesisht te analizat e imazheve satelitore. Sipas tyre, ai përfshin tunele të shumta, perimetër të madh sigurie dhe hyrje të përforcuara me beton për t’i rezistuar sulmeve ajrore.

A ka uranium të pasuruar aty?

Izraeli beson se pas sulmeve të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane, Teherani zhvendosi në “Malin e Kazmës” një pjesë të uraniumit të pasuruar dhe centrifugat më të avancuara.

Gjatë luftës 12-ditore, Izraeli goditi objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow, ndërsa SHBA-ja iu bashkua më vonë sulmeve duke përdorur bomba shumë të fuqishme. Trump pretendoi se aftësitë bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht”.

Por as SHBA-ja dhe as Izraeli nuk sulmuan “Malin e Kazmës”. Inteligjenca amerikane dhe ajo e OKB-së më pas vlerësuan se pjesë të programit bërthamor iranian mbetën ende funksionale, megjithëse të dëmtuara.

Kur u pyet nëse centrifugat e avancuara ishin zhvendosur atje, Trump tha se SHBA-ja “nuk e ka të regjistruar” këtë informacion.

Irani mohon se objekti lidhet me armë bërthamore dhe këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime civile për prodhimin e energjisë.

A mund të shkatërrohet nga SHBA-ja ose Izraeli?

Ekspertët janë të ndarë.

Disa argumentojnë se objekti duhet neutralizuar për të penguar Iranin të rikthejë kapacitetet e pasurimit të uraniumit. Por të tjerë thonë se thellësia e tij e bën një sulm shumë të vështirë.

Sipas ekspertëve, edhe nëse goditet nga ajri, pjesa kryesore e kompleksit mund të mbetet e paprekur. Një operacion tokësor do të ishte jashtëzakonisht kompleks.

Një dobësi e mundshme janë elementët mbështetës të objektit: furnizimi me energji, ventilimi, hyrjet, logjistika dhe personeli.

Një ekspert i politikave bërthamore, James Acton, ka argumentuar se SHBA-ja mund të arrijë më së shumti të bllokojë tunelet hyrëse të objektit por jo domosdoshmërisht ta eliminojë programin bërthamor iranian./ CNN

The post Çfarë është ‘Mali i Kazmës’, objekti sekret i Iranit që Trump thotë se SHBA do ta sulmojë së shpejti? appeared first on Gazeta Si.

Trump vendos tarifë deri në 200% për ilaçet gjenerike të importuara

22 July 2026 at 11:15

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një plan për vendosjen e tarifave deri në 200% ndaj ilaçeve gjenerike të importuara, me synimin për të nxitur kompanitë farmaceutike që ta zhvendosin prodhimin e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Sipas planit të bërë publik nga Trump në rrjetin e tij social Truth Social, ilaçet gjenerike do të vazhdojnë të hyjnë në SHBA me tarifë zero për një periudhë dyvjeçare, duke nisur nga 1 gushti 2026. Më pas, tarifa do të rritet në 100% për një vit dhe më tej në 200%.

“Qëllimi është të rikthejmë prodhimin e ilaçeve gjenerike në Amerikë, duke penalizuar kompanitë që nuk ndërtojnë fabrika dhe pajisje prodhuese brenda afatit të përcaktuar”, shkroi Trump.

Administrata amerikane pritet të përdorë nenin 232 të Aktit të Zgjerimit të Tregtisë të vitit 1962, një mekanizëm që lejon vendosjen e tarifave për arsye të sigurisë kombëtare, veçanërisht kur SHBA varet shumë nga importet.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ende nuk ka publikuar një urdhër zyrtar për zbatimin e këtyre tarifave.

Vendimi vjen pas një hetimi të Departamentit të Tregtisë mbi ndikimin e prodhimit të barnave jashtë SHBA-së në sigurinë kombëtare. Në bazë të këtij hetimi, administrata Trump ka vendosur më herët tarifa deri në 100% për disa ilaçe me emër tregtar, ndërsa ilaçet gjenerike ishin përjashtuar deri tani.

Administrata ka parashikuar gjithashtu përjashtime për kompanitë që angazhohen të ndërtojnë fabrika në SHBA dhe tarifa më të ulëta për disa vende me të cilat Uashingtoni ka arritur marrëveshje tregtare.

Prodhues të mëdhenj farmaceutikë si Pfizer, Merck, Bristol Myers Squibb dhe AstraZeneca kanë shmangur tarifat e reja pasi kanë arritur marrëveshje të veçanta me Shtëpinë e Bardhë për çmimet e ilaçeve.

Trump e ka bërë uljen e kostos së ilaçeve një nga prioritetet kryesore të politikës së tij ekonomike, duke argumentuar se prodhimi duhet të rikthehet në SHBA dhe se vendi nuk duhet të varet nga zinxhirët e furnizimit jashtë tij.

Shoqata për Ilaçet e Aksesueshme, që përfaqëson prodhuesit e barnave gjenerike, tha se kërkon më shumë detaje për planin dhe paralajmëroi se duhen trajtuar edhe pengesa të tjera që ndikojnë në zgjerimin e prodhimit vendas.

“Industria e gjenerikëve është e angazhuar për politika që mbështesin stabilitetin e tregut dhe sigurojnë akses në ilaçe të përballueshme”, tha drejtuesi i shoqatës, John Murphy III, duke kërkuar dialog me administratën dhe Kongresin amerikan.

Ndërkohë, Zyra e Përfaqësuesit Amerikan të Tregtisë po ushtron presion edhe ndaj vendeve të tjera për politikat e tyre të çmimeve të ilaçeve. Administrata Trump ka nisur hetime tregtare ndaj disa vendeve, përfshirë Gjermaninë, ndërsa ka arritur një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për ndryshime në sistemin e çmimeve farmaceutike.

The post Trump vendos tarifë deri në 200% për ilaçet gjenerike të importuara appeared first on Gazeta Si.

Hegseth: Lufta me Iranin i ka kushtuar SHBA-së 37.5 miliardë dollarë

22 July 2026 at 10:57

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha Kongresit më 21 korrik se lufta me Iranin i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara 37.5 miliardë dollarë deri më tani, nga pothuajse 29 miliardë dollarë sa ishte vlerësuar në mes të majit.

Ai e mbrojti kërkesën e Pentagonit për rreth 67 miliardë dollarë fonde shtesë.

Duke dëshmuar para Komitetit për Ndarje Buxhetore të Senatit, Hegseth dhe gjenerali Dan Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm, thanë se financimi shtesë ishte “urgjent” dhe “i nevojshëm” për të mbuluar kostot e operacioneve ushtarake deri në fund të shtatorit.

Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, vuri në pikëpyetje kërkesën për fonde shtesë, duke argumentuar se Pentagoni ende ka 75 miliardë dollarë të pashpenzuara dhe pyeti pse po kërkohen më shumë para “në vend se të kërkohet autorizim për transferim” të fondeve.

Hegseth u përgjigj se këto fonde veçse janë alokuar për prioritete të tjera përfshirë edhe për projektin e mbrojtjes raketore të quajtur “Golden Dome for America” (Kupola e Artë për Amerikën).

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë po ashtu i kërkuan administratës amerikane më shumë qartësi për strategjinë e saj në Lindjen e Mesme, pasi lufta në Iran nisi në fund të shkurtit me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) tha se me “sukses kemi përfunduar” natën e 11-të me radhë të sulmeve më 21 korrik, duke shënjestruar “qendrat operacionale iraniane, aftësitë detare, hangarët e aeroplanëve, ndërtesa ku mbahen dronët dhe infrastrukturën logjistike ushtarake”.

CENTCOM tha se kishin për qëllim ta dobësonin edhe më shumë aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, pas më shumë se 30 sulmeve ndaj anijeve tregtare gjatë tre muajve të fundit.

Komanda tha se kjo rrugë ujore mbetet e hapur dhe përsëriti pretendimin se forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të rreth 900 anijeve tregtare dhe 450 milionë fuçive naftë të papërpunuar përmes Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i majit.

Ndërkaq, më 22 korrik ushtria iraniane tha se ka kryer sulme ndaj një baze amerikane në Kuvajt. Sipas njoftimit, ushtria iraniane “kreu sulme me dronë orë më parë ndaj depove të municioneve dhe pajisjeve logjistike në selinë e forcave tokësore të ushtrisë amerikane në Kampin Doha, që gjendet në perëndim të Kuvajtit, në kundërpërgjigje të sulmeve të vazhdueshme amerikane ndaj Iranit”.

Ushtria amerikane ende nuk ka komentuar për këtë pretendim të Iranit.

The post Hegseth: Lufta me Iranin i ka kushtuar SHBA-së 37.5 miliardë dollarë appeared first on Gazeta Si.

Trump kërkon të bëjë Infantinon shef të OKB-së

22 July 2026 at 10:54

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të jetë kandidati i tij i preferuar për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, pas përfundimit të mandatit të António Guterres në fund të këtij viti.

Sipas burimeve pranë Shtëpisë së Bardhë, të cituara nga “New York Post”, Trump beson se Infantino ka një profil ndërkombëtar të veçantë dhe aftësinë për të bashkuar palë të ndryshme në skenën globale.

Infantino, 56 vjeç, është afruar ndjeshëm me Trump gjatë organizimit të Kupës së Botës 2026, ku dy figurat kanë zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë publike. Presidenti i FIFA-s ka qenë shpesh pranë liderit amerikan gjatë aktiviteteve të turneut, ndërsa në dhjetor FIFA i dha Trumpit çmimin e parë të paqes të organizatës.

“Trump beson se Infantino respektohet nga të gjithë në botë dhe se ai ka një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”, tha një burim pranë presidentit amerikan.

Nëse do të synonte këtë post, Infantino do të duhej të siguronte mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku pesë anëtarët e përhershëm- Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar- kanë të drejtën e vetos. Pas kësaj, kandidatura do të duhej të miratohej nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Ende nuk është e qartë nëse Infantino dëshiron të largohet nga drejtimi i FIFA-s dhe të kandidojë për postin më të lartë diplomatik të OKB-së, apo nëse Trump e ka diskutuar drejtpërdrejt këtë ide me të.

Megjithatë, mbështetësit e kësaj ideje argumentojnë se përvoja e Infantinos në drejtimin e FIFA-s mund të jetë një avantazh. Organizata Botërore e Futbollit ka 211 federata anëtare, një numër më i madh se 193 shtetet anëtare të OKB-së.

Paolo Zampolli, biznesmen italo-amerikan dhe i dërguar special i Trumpit për partneritetet globale, e cilësoi idenë si një lëvizje tipike të presidentit amerikan.

“Vetëm presidenti Trump mund të ketë një ide kaq gjeniale”, tha Zampolli, duke shtuar se Infantino do të sillte energji të re në një organizatë të madhe burokratike dhe do të përdorte sportin si një mjet për të krijuar ura mes vendeve.

Sipas tij, ekziston një ngjashmëri mes roleve të presidentit të FIFA-s dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, pasi të dy pozicionet kërkojnë menaxhimin e një numri të madh anëtarësh me interesa të ndryshme.

Një kandidaturë e Infantinos do të ndryshonte gjithashtu pritshmëritë tradicionale për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Aktualisht, disa nga emrat më të përfolur vijnë nga Amerika Latine dhe Karaibet, rajon që nuk ka pasur një sekretar të përgjithshëm që nga Javier Pérez de Cuéllar i Perusë, i cili drejtoi organizatën nga viti 1982 deri në 1991.

Mes kandidatëve të tjerë të përmendur janë ish-presidentja socialiste e Kilit, Michelle Bachelet, e cila mund të përballet me kundërshtime nga Washingtoni, dhe Rafael Grossi, drejtori aktual i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, kandidatura e të cilit mund të përballet me rezerva nga Britania për shkak të çështjes së ishujve Falkland.

Një kandidaturë e mbështetur nga Trump do të ishte gjithashtu një ndryshim i madh në marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe OKB-së. Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka kritikuar vazhdimisht organizatën për atë që ai e konsideron si mungesë efikasiteti në trajtimin e konflikteve globale.

Administrata amerikane ka reduktuar kontributet financiare për OKB-në dhe është tërhequr nga disa prej strukturave të saj, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNESCO-n dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

Emërimi i Infantinos në krye të OKB-së do të mund të shërbente si një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes Trumpit dhe organizatës ndërkombëtare.

Megjithatë, për presidentin e FIFA-s do të kishte edhe një kosto personale: paga e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së është dukshëm më e ulët se të ardhurat e tij aktuale në FIFA, ku Infantino raportohet se fiton rreth 6 milionë dollarë në vit.

Nëse kjo ide do të shndërrohet në një kandidaturë reale, ajo do të përbënte një nga zgjedhjet më të pazakonta në historinë e garës për drejtimin e Kombeve të Bashkuara, duke sjellë për herë të parë një drejtues të një organizate sportive globale në garën për postin kryesor diplomatik të botës.

The post Trump kërkon të bëjë Infantinon shef të OKB-së appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayGazeta Si

Trump përgatit valën e re të tarifave ndaj 60 vendeve

21 July 2026 at 18:37

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përgatitet të shpallë një paketë të re tarifash doganore ndaj rreth 60 vendeve që prej kësaj jave, ndërsa administrata e tij përballet me paralajmërime të brendshme për ndikimin që masa mund të ketë në ekonomi përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Sipas Financial Times, zyrtarët amerikanë kanë përgatitur disa skenarë, pasi tarifat e përkohshme globale prej 10% skadojnë në fund të kësaj jave. Paketa e re parashikon tarifa nga 10% deri në 12.5% për mallrat që importohen nga dhjetëra vende.

Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, këshilltarë të administratës i kanë rekomanduar Trumpit të ruajë stabilitetin në marrëdhëniet tregtare dhe të respektojë marrëveshjet ekzistuese, për të shmangur tronditje ekonomike në prag të zgjedhjeve.

Pas hetimeve mbi furnizimin me lëndë të para kritike dhe komponentë të industrisë së aviacionit, këshilltarët e presidentit kanë sugjeruar që Washingtoni të vazhdojë negociatat me partnerët tregtarë, në vend të vendosjes së tarifave të reja.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë po vijon hetime të tjera tregtare, të cilat mund t’i krijojnë presidentit bazë ligjore për të vendosur tarifa edhe më të larta në të ardhmen.

Hetimet e nisura në mars, në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, përfshijnë një numër ekonomish të mëdha, mes tyre Bashkimin Evropian, Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Vietnamin, Tajvanin, Meksikën, Bangladeshin, Singaporin, Zvicrën, Norvegjinë, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian dhe Tajlandën.

Lajmi vjen një ditë pasi Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, një vendim që pritet të hyjë në fuqi 30 ditë pas shpalljes dhe që shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve tregtare mes Washington-it dhe Otavës.

The post Trump përgatit valën e re të tarifave ndaj 60 vendeve appeared first on Gazeta Si.

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt për afatet e paraburgimit

21 July 2026 at 14:28

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kishte kundërshtuar vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Me këtë vendim mbetet në fuqi qëndrimi i Apelit të GJKKO, i marrë më 29 prill, që konfirmoi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Vendimi për pezullimin e afateve ishte marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas mungesës së Veliajt në disa seanca gjyqësore. Kryebashkiaku kishte pretenduar se mungesa e tij lidhej me probleme të njoftimit nga Drejtoria e Burgut të Durrësit.

Veliaj e kishte cilësuar të padrejtë këtë vendim, duke argumentuar se ai ishte përfaqësuar rregullisht në proces përmes avokatit të tij dhe se nuk duhej të penalizohej për vonesat procedurale.

Çështja e pezullimit të afateve të paraburgimit ka shkaktuar debat edhe në radhët e profesionistëve të drejtësisë. Disa avokatë kanë kërkuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se pezullimi i afateve për të gjithë të pandehurit për shkak të mungesës së njërit prej tyre mund të cenojë të drejtat individuale.

Sipas legjislacionit në fuqi, koha e qëndrimit në paraburgim llogaritet me koeficient të ndryshëm në raport me dënimin përfundimtar, duke pasur ndikim në kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit në rast të një vendimi fajësie.

Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur shtyrjen e seancës së radhës të gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në këtë proces.

The post Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt për afatet e paraburgimit appeared first on Gazeta Si.

Trump kërkon të dhënat telefonike të gazetarëve të NY Times për të zbuluar burimet e tyre

21 July 2026 at 12:56

Nga Gazeta ‘Si’- Administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kritika pasi u zbulua se kishte kërkuar të dhënat telefonike të disa gazetarëve të The New York Times dhe të afërmve të tyre, në një përpjekje për të identifikuar burimet konfidenciale që kishin zbuluar informacione mbi avionin e ri presidencial Air Force One.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara në SHBA, Departamenti i Drejtësisë u ka dërguar urdhra kompanive të telefonisë për të siguruar regjistrat e telefonatave dhe mesazheve të gazetarëve.

Mes personave të përfshirë në kërkesë janë edhe familjarë të tyre, përfshirë nënën e një reporteri dhe bashkëshortët e dy gazetarëve.

Veprimi erdhi pasi The New York Times publikoi një artikull ku zyrtarë federalë shpreheshin të shqetësuar për aftësitë e sigurisë së avionit të ri Air Force One, një dhuratë nga Katari për presidentin Trump.

Raportimi shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit, ndërsa Shtëpia e Bardhë ngarkoi drejtorin e FBI-së, Kash Patel, të mbikëqyrte hetimin për rrjedhjen e informacionit.

Avokatët e The New York Times kanë kërkuar në gjykatë anulimin e urdhrave, duke argumentuar se Departamenti i Drejtësisë ka shkelur rregullat e veta për mbrojtjen e mediave. Sipas tyre, gazeta u njoftua për kërkesat ndaj kompanive telefonike vetëm një javë pasi ato ishin lëshuar, gjë që e cilësuan si një veprim “thellësisht shqetësues”.

Për momentin, të gjitha urdhrat janë pezulluar deri në vendimin e gjykatës federale. Seanca për shqyrtimin e çështjes pritet të zhvillohet këtë të enjte në Manhattan.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kiersten Pels, deklaroi se çdo urdhër është lëshuar në përputhje të plotë me ligjin federal dhe politikat e brendshme të institucionit, ndërsa The New York Times nuk ka bërë komente të tjera përtej padisë së depozituar në gjykatë.

The post Trump kërkon të dhënat telefonike të gazetarëve të NY Times për të zbuluar burimet e tyre appeared first on Gazeta Si.

‘Kanye West’ përplas Zhupën me Gonxhen: Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat?

21 July 2026 at 12:45

Nga Gazeta ‘Si’- Financimi me 4.3 milionë euro nga qeveria për koncertin e Kanye West ka sjellë debate në Komisionin për Turizmin mes ministit Blendi Gonxhja dhe kryetares së komisionit, Ina Zhupa.

Zhupa kërkoi shpjegime për arsyen e alokimit të fondeve publike për një ngjarje private, duke ngritur pyetjen se ku qëndronte urgjenca për një koncert të planifikuar.

“Ju keni dhënë 4.3 milionë euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para?”, pyeti Zhupa.

Ajo kërkoi gjithashtu sqarime se çfarë do të ndodhte me fondet nëse Parlamenti nuk do ta miratonte financimin.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se procedura sipas tij ishte ndjekur sipas aktit normativ dhe se mbështetja ishte dhënë pasi ekzistonte rreziku që ngjarja të mos realizohej.

“Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nëse do të kishte mosmbarëvajtje të koncertit dhe koncerti nuk do të ishte realizuar, atëherë do të hynim në pyetjen tuaj se si do t’i merrnim lekët”, tha Gonxhja.

Sipas ministrit, qeveria kishte qenë në dijeni për organizimin e koncertit prej rreth një viti dhe fillimisht kishte ofruar mbështetje për aspekte të tjera të ngjarjes, pasi promotorët kishin garantuar se shitja e biletave do të mbulonte një pjesë të rëndësishme të kostove.

“Nuk kemi qenë në dijeni, nuk ishim të përgatitur për financim pjesor të këtij eventi”, deklaroi Gonxhja.

Ai sqaroi se problemi lindi pasi ngjarja nuk garantonte më vetëfinancimin.

“Ishte në rrezik mos organizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancim. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet edhe nga sponsorë etj. Ishte një situatë e paparashikuar”, u shpreh ministri.

Gonxhja shtoi se Shqipëria nuk mund të krahasohet me tregje më të mëdha ndërkombëtare ku evente të tilla mund të anulohen pa pasoja të mëdha.

“Nuk kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia”, tha ai.

Gjatë debatit, ministri komentoi edhe çështjen e koncertit të Jennifer Lopez në Tiranë, duke deklaruar se ai ishte refuzuar për momentin, pasi artistja kishte kërkuar një garanci prej 2 milionë eurosh në rast protestash.

“Kjo është kostoja e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan JLo në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci”, tha Gonxhja.

The post ‘Kanye West’ përplas Zhupën me Gonxhen: Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat? appeared first on Gazeta Si.

FIFA nis hetim ndaj Argjentinës pas përleshjeve në fund të finales së Botërorit

21 July 2026 at 12:29

Nga Gazeta ‘Si’- FIFA ka hapur një hetim disiplinor ndaj Argjentinës, pas skenave të tensionuara që shoqëruan përfundimin e finales së Kupës së Botës, ku lojtarë dhe pjesëtarë të stafit argjentinas u përfshinë në përplasje me futbollistët e Spanjës.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka caktuar një prokuror disiplinor dhe etik për të analizuar ngjarjet pas vërshëllimës së fundit në stadiumin MetLife, pas fitores 1-0 të Spanjës në finale.

Sipas FIFA-s, çdo lojtar apo trajner i përfshirë në incident mund të përballet me pezullime, ndërsa Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) mund të gjobitet.

Pas përfundimit të ndeshjes, disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit të Argjentinës u përfshinë në përplasje me lojtarët spanjollë, të cilët po festonin triumfin e tyre në Botëror. Mes emrave të përmendur janë Nahuel Molina, Leandro Paredes, Thiago Almada dhe ndihmësi i trajnerit Roberto Ayala.

Sipas pamjeve të publikuara, tensioni nisi pasi mesfushori spanjoll Rodri, i cili ishte zëvendësuar gjatë kohës shtesë, iu bashkua festimeve të skuadrës së tij dhe pati një përplasje me Molinën. Situata u përshkallëzua më tej me ndërhyrjen e Paredes dhe lojtarëve të tjerë.

Paredes u akuzua fillimisht se kishte goditur në fyt mbrojtësin spanjoll Eric Garcia dhe FIFA raportoi për një karton të kuq, por më pas vendimi u hoq nga regjistrat dhe organizmi konfirmoi se nuk kishte pasur masë disiplinore gjatë ndeshjes.

Argjentina kishte marrë ndërkohë një karton të kuq gjatë finales, pasi Enzo Fernandez u përjashtua pas dy kartonësh të verdhë në minutat shtesë.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i cili u përpoq të qetësonte situatën në fushë, e minimizoi incidentin pas ndeshjes duke deklaruar se skuadra e tij di të pranojë humbjen.

Megjithatë, FIFA pritet të shqyrtojë nëse veprimet e lojtarëve dhe stafit kanë shkelur nenet që lidhen me sjelljen fyese, fair-play-in dhe dëmtimin e imazhit të futbollit.

Organi qeverisës i futbollit botëror ka mundësi të vendosë pezullime me efekt ndërkombëtar dhe gjoba. Në raste të mëparshme, FIFA ka marrë masa të ashpra ndaj sjelljeve që konsiderohen jashtë standardeve sportive.

Ky nuk është rasti i parë që Argjentina përballet me masa disiplinore. Federata argjentinase ishte gjobitur edhe pas Botërorit 2022 për sjelljen gjatë festimeve pas triumfit ndaj Francës, ndërsa më vonë portieri Emiliano Martinez u pezullua për sjellje të papërshtatshme në ndeshje kualifikuese.

Hetimi i ri vjen gjithashtu në një kohë kur AFA po përballet me një proces tjetër disiplinor për një pankartë të shfaqur pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale, ku përsëritej pretendimi argjentinas mbi ishujt Falkland.

FIFA nuk ka përcaktuar ende një afat për përfundimin e hetimit dhe vendimin përfundimtar ndaj lojtarëve apo Federatës Argjentinase.

The post FIFA nis hetim ndaj Argjentinës pas përleshjeve në fund të finales së Botërorit appeared first on Gazeta Si.

Pse ‘Odisea’ e Nolanit ka zemëruar grekët

21 July 2026 at 12:22

Nga Gazeta ‘Si’- Nga kohët e lashta deri në ditët e sotme, grekët kanë qenë gjithmonë të gatshëm të debatojnë për gjithçka që lidhet me trashëgiminë e tyre- nga pronësia mbi figurën e Helenës së Trojës, te Sparta dhe simbolet e mitologjisë së tyre.

Publikimi i filmit të ri “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, ka sjellë një sukses të menjëhershëm në kinematë ndërkombëtare, por në tokën e Homerit ka hapur edhe një valë polemikash.

Në një vend ku fëmijët njihen me epet e Homerit që në klasën e shtatë, çdo përshtatje e tyre bëhet objekt diskutimi të gjerë: Sa besnik është Nolan ndaj historisë origjinale? Pse në kast nuk ka aktorë grekë? Dhe pse Helenën, “fytyrën që nisi një mijë anije”, e interpreton një aktore me origjinë afrikane?

Filmi hollivudian, ku Matt Damon luan rolin e mbretit Odise, ndjek linjën e eposit të Homerit: udhëtimin dhjetëvjeçar të heroit pas Luftës së Trojës për t’u kthyer te gruaja e tij Penelopa, gjatë të cilit përballet me perëndi, përbindësha dhe sfida mitologjike, për të gjetur në fund pallatin e tij të pushtuar nga rivalët.

Pjesë të filmit janë xhiruar në Greqi, duke përfshirë disa prej vendeve më simbolike të vendit: Pallatin e Nestorit në Pilos, plazhin Voidokilia, Kalanë e Methonit dhe Akrokorinthin. Grekët prisnin që trashëgimia e tyre natyrore të merrte vëmendje globale, ndërsa shihnin edhe një mundësi për të treguar se një epope 3 mijëvjeçare vazhdon të jetojë.

Produksioni përfitoi rreth 6.5 milionë euro subvencione nga shteti grek, në kuadër të skemës së rimbursimit për prodhimet filmike që realizohen në vend. Buxheti total i filmit arrin rreth 250 milionë euro.

Por debati shpërtheu pas zgjedhjes së aktores Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës- gruas, rrëmbimi i së cilës nga princi trojan Paris u bë shkak për nisjen e luftës legjendare.

Kritikat nuk vonuan. Elon Musk e akuzoi Nolanin se kishte “shkelur” trashëgiminë e Homerit për t’iu përshtatur rregullave moderne të industrisë së filmit.

Edhe mediat greke zhvilluan debate të gjera mes historianëve, regjisorëve dhe kritikëve të filmit. Mbështetësit e zgjedhjes argumentojnë se mitet greke janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe se artistët kanë liri krijuese për t’i interpretuar ato.

Kundërshtarët, ndërkohë, theksojnë se Homeri e përshkruan Helenën me tipare që lidhen me bukurinë- flokë të bukur, fytyrë të bukur dhe veshje elegante- por përmend vetëm një detaj fizik: “krahët e bardhë” të saj, duke lënë hapësirë për interpretim.

Partia e vogël opozitare ultra-ortodokse greke Niki kundërshtoi si zgjedhjen e aktores, ashtu edhe financimin publik të filmit, duke pretenduar se taksapaguesit grekë po financojnë imponimin e një “ideologjie woke” mbi historinë dhe identitetin kulturor grek.

Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, e hodhi poshtë idenë e ndërhyrjes shtetërore në zgjedhjet artistike.

“Roli i shtetit nuk është t’i diktojë një krijuesi se si duhet të interpretojë një vepër apo një mit. A mund të diskutojmë seriozisht nëse shteti duhet të censurojë Christopher Nolan?” tha ajo.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, tha se nuk kundërshton financimin publik të filmit, por pranoi se e ka të vështirë të kuptojë disa prej zgjedhjeve të regjisorit.

“Nolan ka shkuar shumë larg; nuk e di nëse po e bën për të fituar një Oscar”, tha ai për televizionin grek ANT1.

Një tjetër pikë debati ka qenë mungesa e aktorëve grekë në një film që trajton një prej veprave më të rëndësishme të kulturës greke. Faqja e diasporës Greek City Times i drejtoi një letër të hapur kastit dhe ekipit krijues, duke argumentuar se “Greqia nuk është vetëm një skenë e antikitetit. Është një vend i gjallë. Grekët nuk janë figura historike, janë bashkëkohës”.

Edhe Endy Zemenides, drejtues i Hellenic American Leadership Council, e quajti mungesën e aktorëve grekë një “mundësi të humbur” për Nolanin.

“Homeri u përket të gjithëve, por pse grekët mungojnë në ‘Odisean’ e Nolanit?” pyet revista greke Lifo.

Pavarësisht polemikave, filmi pritet të jetë një sukses global edhe në Greqi. Premiera u zhvillua të enjten dhe biletat u shitën me shpejtësi, ndërsa adaptimi i ri ka sjellë edhe rritje të interesit për botimet origjinale të eposit të Homerit./ Politico

The post Pse ‘Odisea’ e Nolanit ka zemëruar grekët appeared first on Gazeta Si.

Protestat/ Rama: Sorrat dhe korbat kanë marrë peng bulevardin

21 July 2026 at 11:47

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj protestave të fundit, duke deklaruar se ato, sipas tij, janë “marrë peng” nga individë që i kanë dhënë një tjetër drejtim dhe i kanë kthyer në një pasqyrim të opozitës.

Gjatë një deklarate publike, Rama tha se protesta sipas tij është larguar nga qëllimi fillestar dhe është shndërruar në atë që ai e cilësoi si një “shëmbëlltyrë simetrike” me opozitën.

“Ai bulevard është i ndarë për histori. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozite që tani nuk dihet më ku është”, deklaroi Rama.

Kryeministri pretendoi se protestat përfaqësojnë, sipas tij, rikthimin e fenomeneve të së shkuarës dhe paralajmëroi për rrezikun që, sipas tij, vjen nga ekstremet politike.

“Është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese”, u shpreh ai, duke kritikuar mbështetësit e protestave si persona që, sipas tij, nxiten nga qëndrime ekstreme.

Rama tha gjithashtu se në ditët në vijim do të bëjë publike reflektimet e tij pas protestës, të cilën ai e përmendi si “protesta e flamingove”.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një periudhë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej javësh, me kërkesa për dorëheqjen e Ramës dhe kundërshtime ndaj disa nismave ligjore të mazhorancës.

The post Protestat/ Rama: Sorrat dhe korbat kanë marrë peng bulevardin appeared first on Gazeta Si.

Rama mbron Paketën e Maleve: Do ta kthejmë Shqipërinë në ‘Zvicrën e Vogël’

21 July 2026 at 11:40

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave që prej javësh kanë përfshirë vendin, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke kundërshtuar kritikat ndaj kësaj nisme.

Në një komunikim në media sociale, gjatë një vizite në Theth, Rama tha se kundërshtarët e ligjit shpesh nuk e njohin përmbajtjen e tij dhe e gjykojnë situatën nga larg.

“Malet i shohin nga qyteti, politikën e gjykojnë nga kafeneja”, u shpreh kryeministri, duke argumentuar se paketa ka lindur për të zgjidhur probleme të hershme të pronësisë në disa zona malore të vendit.

Sipas Ramës, në disa territore, veçanërisht në veri të Shqipërisë, komunitetet nuk e kanë njohur apo zbatuar plotësisht ndarjen ligjore të tokës, duke krijuar ndër vite ndarje faktike mes banorëve.

Ai deklaroi se ligji synon të trajtojë këto problematika dhe të sjellë një zgjidhje për zonat ku konfliktet mbi pronësinë kanë vazhduar prej dekadash.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej më shumë se 50 ditësh. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e disa nismave ligjore, përfshirë “Paketën e Maleve” dhe ligjin për Investimet Strategjike.

Kundërshtarët e këtyre nismave kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të pronës, transparencën dhe ndikimin e mundshëm ndaj komuniteteve lokale, ndërsa qeveria argumenton se masat synojnë zhvillimin ekonomik dhe rregullimin e çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.

Rama ka reaguar gjithashtu ndaj kritikave të një qytetari gjatë një komunikimi live në media sociale, duke mbrojtur punën e qeverisë dhe veçanërisht “Paketën e Maleve”.

Gjatë transmetimit, një komentues e akuzoi Ramën se “mashtron dhe gënjen”, ndërsa kryeministri iu përgjigj duke thënë se vlerësimi për punën e tij duhet të bazohet te rezultatet dhe jo te akuzat.

“Për mua flet puna, faktet, për më tepër nuk flasin sharjet”, u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria e tij punon për qytetarët dhe familjet shqiptare.

Duke iu referuar kritikave ndaj “Paketës së Maleve”, kryeministri deklaroi se kjo nismë synon t’u japë banorëve të zonave malore mundësinë për të përdorur pronat e tyre si burim zhvillimi dhe mirëqenieje.

Sipas Ramës, kundërshtimet ndaj kësaj pakete janë të nxitura nga keqkuptime dhe akuza, ndërsa ai e cilësoi atë si një projekt me rëndësi afatgjatë për vendin.

“Paketa e Maleve do të jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të bërë Zvicrën e vogël”, tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur “Paketa e Maleve” është bërë një nga çështjet kryesore të debatit publik dhe protestave të fundit, ku kundërshtarët e saj kanë ngritur shqetësime për çështjet e pronësisë dhe transparencën e zbatimit të saj.

The post Rama mbron Paketën e Maleve: Do ta kthejmë Shqipërinë në ‘Zvicrën e Vogël’ appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Rama prishi akordin për Territorialen

20 July 2026 at 14:26

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se ka prishur dakordësimin për punën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të ndryshuar qëndrimin e socialistëve.

Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha deklaroi se mes palëve kishte një marrëveshje për zgjatjen e afatit të komisionit, por me kusht që në proces të përfshihej ekspertiza ndërkombëtare.

Sipas tij, ky kusht ishte i panegociueshëm nga opozita dhe ndryshimi i qëndrimit të mazhorancës erdhi pas ndërhyrjes së kryeministrit.

“Boçi, që do të flasë, ka bërë përpjekje maksimale me Maznikun, apo pengun. Kishte një ujdi për të zgjatur afatin e komisionit. Kushti për të marrë ekspertizën e evropianëve është i panegociueshëm nga ne. Ishte Rama ai që urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se projekti i diskutuar nga mazhoranca për ndryshimet territoriale synon reduktimin e numrit të bashkive.

“Projekti i diskutuar nga ju shkurton të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri akuzoi qeverinë se ka ndërmarrë vetëm “antireforma” dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestat kundër mazhorancës.

Berisha tha se opozita kishte marrë pjesë në grupet e punës për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale me kushtin që proceset të bazoheshin në ekspertizën ndërkombëtare.

“Me Edi Ramën ka vetëm antireformë. Në mbështetje të përpjekjeve tona për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore, Territoriale dhe Zgjedhore, me një kusht të vetëm. Për reformën zgjedhore të merret ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe për Territorialen ekspertiza e konferencës rajonale”, u shpreh ai.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për mungesë transparence dhe tha se reforma territoriale duhet të zhvillohet duke marrë parasysh ekspertizën evropiane dhe interesat e komuniteteve lokale.

Në fund të deklaratës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një reagim qytetar ndaj qeverisjes aktuale.

The post Berisha: Rama prishi akordin për Territorialen appeared first on Gazeta Si.

‘Partizani’, dëshmon Bamir Topi: Malltezin e njoh vetëm si dhëndrin e Berishës

20 July 2026 at 12:48

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-Presidenti Bamir Topi, ishte dëshmitari radhës i SPAK në gjyqin ndaj të akuzuarve të dosjes “Partizani”.

Topi u shpreh se me Malltezin ka një njohje në distancë, dhe nuk është ulur kurrë për kafe.

“Malltezin e njoh si dhëndrin e dr. Berishës me të cilin kam bashkëpunuar një kohë të gjatë. Kurrë nuk jemi ulur për një kafe, njohje ne distancë. Me Xhimo Begenë e njoh si një pjesëtar të një familjeje të njohur. Kemi jetuar afër tek lagjja e vjetër, por nuk jemi ulur ndonjëherë bashkë.

Bektashin e njoh si personazh dikur të përfshirë në politikë. Mbaj mend që ka qenë zv.ministër dikur. Kam përshtypjen në qeverinë Meksi. President kam qenë 24 korrik 2007- 24 korrik 2012”, u shpreh ish-Presidenti. 

Gjatë dëshmisë, Topi foli edhe për një takim që kishte zhvilluar në vitin 2009 me ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, gjeneral Vladimir Qirjazi, i cili i kishte paraqitur shqetësime lidhur me çështjen e kompleksit “Partizani”.

Dëshmia e Bamir Topit

Prokurorja Enkeleda Millonai: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashin, Andia Pustinën, Xhiki Begejan dhe Jamarbër Malltezin?

Bamir Topi: Malltezin e njoh si dhëndrin e Berishës. Nuk kemi pirë asnjë kafe, e njoh vetëm nga distanca. Me zotin Begeja kemi jetuar në lagjen e vjetër, në një distancë rreth 400 metra. Nuk jemi ulur ndonjëherë apo të kemi konsumuar bisedë. E njoh si pjesëtar të një familjeje të njohur. Bektashin e njoh sepse ka qenë zëvendësministër në një ministri, por nuk kam pasur asnjë kontakt me të. Me Andia Pustinën nuk kam asnjë njohje. Për Bektashin kam përshtypjen se ka qenë zëvendësministër në qeverinë Meksi, por nuk më kujtohet saktësisht. Kam qenë President i Republikës në vitet 2007-2012.

Millonai: Për planin e përhapjes, cilat ishin strukturat që bënin propozimin përpara se ju ta miratonit?

Topi: Presidenti ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Plani i përhapjes ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Në atë kohë punohej intensivisht për anëtarësimin në NATO. I gjithë procesi asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Tek unë vinte vetëm për t’u mbyllur juridikisht.

Millonai: Sa herë keni pasur veprime për planin e përhapjes, për miratime apo ndryshime?

Topi: Presidenti kishte edhe kompetencë, por edhe detyrim t’i nënshkruante.

Millonai: Keni pasur dijeni për ndonjë problem me “Partizanin”?

Topi: Tek Presidenti vinte vetëm për miratim. Kur plani i përhapjes dilte nga Shtabi i Përgjithshëm, nuk ishte më përgjegjësi e Presidentit. Në vitin 2009 ka ardhur një herë gjeneral Vladimir Qirjazi. Ai ekspozoi shqetësimin. I kam thënë shefit të kabinetit ta asistonte me grupin e këshilltarëve. Unë njoftohesha për rezultatet. Kam marrë informacion nga shefi i kabinetit se ishin konsultuar dhe kishin ndarë mendimet, por kishin konstatuar se nuk ishte kompetencë e Presidentit, pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes që në vitin 2007. Është dhënë asistenca normale që mund të jepte një kryetar shteti, por ishte një problem që nuk kishte të bënte me Presidencën.

Millonai: Keni qenë në dijeni në lidhje me procedurën e privatizimit?

Topi: E kam dëgjuar, por ishte jashtë kompetencës së Presidencës.

Millonai: Shkresërisht jeni njoftuar nga Vladimir Qirjazi lidhur me ndonjë problematikë?

Topi: Unë këtë mbaj mend, që i organizuam edhe konsultën për të parë se çfarë problemesh kishte.

Millonai: Ju keni shkarkuar Vladimir Qirjazin nga detyra e komandantit të Komandës Mbështetëse, duke e emëruar më vonë si zëvendëskomandant. Kush i bënte propozimet?

Topi: Nuk më kujtohet mirë, por ndoshta Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Jamarbër Malltezi: Keni qenë në dijeni se prona kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2004?

Topi: Jo, nuk e di.

Malltezi: Nga doli që kishte dalë në korrik 2007? Jua tha Qirjazi?

Topi: Nuk e di. Presidenti nuk futet të analizojë si është përgatitur shkresa. Aty ku përgatitet plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm. Presidenti nuk ka nga ta dijë.

Malltezi: Për këtë datë të vitit 2007, që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e mësuat?

Topi: Ka qenë një prezantim i bërë te Presidenti, ku kanë qenë edhe ekspertë të NATO-s. Presidenti mund të bëjë ndonjë pyetje.

Malltezi: Nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2004. Ju paraqes një shkresë të Shtabit të Përgjithshëm që tregon se nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2006. Kush jua tha se kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2007?

Topi: Presidenti nuk komunikon me “të thashë e më the”. Gjuha është institucionale.

Malltezi: Nuk ka asnjë shkresë që ta ketë pasur në planin e përhapjes dhe ju thatë se ka dalë në vitin 2007. Nga e mësuat?

Topi: Vjen nga Shtabi i Përgjithshëm dhe shqyrtohet nga këshilltarët e ekspertët e NATO-s.

Ndërkohë që për Mediun është ende e paqartë se kur do të paraqitet. Për Isa Taren, i cili deri më tani nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi pasi familjarët pretendojnë se vuan nga demenca, GJKKO vendosi të ripërsërisë thirrjen pasi SPAK pretendoi se “nuk ka një akt që vërteton se Isa Tares i është hequr e drejta e për të vepruar (dmth i paaftë për shkak te sëmundjes), por është thjesht i biri që e pretendon. Kështu që duhet përsëritur thirrja”.

Paro Laçi nga ana tjetër që ka bërë akuza të forta ndaj familjes Berisha emri i tij ka qenë në disa seanca në listë për t’u pyetur por nuk është paraqitur.

The post ‘Partizani’, dëshmon Bamir Topi: Malltezin e njoh vetëm si dhëndrin e Berishës appeared first on Gazeta Si.

A duhet vërtet të hamë 30 lloje ushqimesh bimore në javë?

20 July 2026 at 12:42

Nga Gazeta ‘Si’- Ideja për të konsumuar 30 lloje bimësh në javë buron nga një studim i vitit 2018, ku morën pjesë më shumë se 10 mijë persona nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia.

Pjesëmarrësit dorëzuan mostra të jashtëqitjes dhe raportuan ushqimet që konsumonin zakonisht.

Studiuesit analizuan mikroorganizmat në këto mostra dhe zbuluan se personat që konsumonin mbi 30 lloje të ndryshme ushqimesh me origjinë bimore në javë kishin, në përgjithësi, një mikrobiomë më të larmishme të zorrëve sesa ata që konsumonin më pak se 10.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se numri 30 është një kufi shkencor i përcaktuar.

Sipas profesorit Daniel M. Davis, drejtues i Departamentit të Shkencave të Jetës në Imperial College London dhe autor i librit Immune Health: A Myth-Busting Guide, ndryshimi mes konsumimit të 25 apo 30 llojeve të bimëve në javë nuk ka gjasa të jetë vendimtar.

“Numri 30 është mjaft arbitrar,” thotë Davis. “Studiuesit nuk krahasuan sistematikisht njerëzit që konsumonin 10, 20, 30 apo 35 lloje bimësh për të identifikuar një pikë të qartë ku përfitimet ndryshojnë.”

Ai thekson gjithashtu se studimi nuk provon se konsumimi i 30 llojeve të bimëve përmirëson drejtpërdrejt shëndetin.

Edhe pse një mikrobiomë më e larmishme është lidhur me një rrezik më të ulët për disa sëmundje, shkencëtarët ende nuk e dinë me saktësi se si duket një mikrobiomë “e shëndetshme”.

Sipas Davis, njerëzit që konsumojnë mbi 30 lloje ushqimesh bimore në javë zakonisht kanë edhe zakone të tjera më të shëndetshme.

Aktiviteti fizik, cilësia e gjumit dhe niveli i stresit ndikojnë gjithashtu në mikrobiomën e zorrëve, duke e bërë të vështirë përcaktimin e ndikimit të secilit faktor veçmas.

Eksperti paralajmëron gjithashtu të tregohet kujdes ndaj produkteve që përdorin këtë rekomandim për qëllime tregtare.

Ideja e “30 bimëve në javë” ka nxitur shitjen e suplementeve të shtrenjta që pretendojnë se ndihmojnë njerëzit të arrijnë këtë objektiv, por sipas tij ka shumë pak prova të pavarura që vërtetojnë efektivitetin e tyre.

“Nuk është provuar se konsumimi i 30 llojeve të bimëve në javë parandalon sëmundjet ose sjell përfitime të caktuara shëndetësore,” thotë Davis.

“Ajo që dimë me siguri është se një dietë e larmishme me fruta, perime, bishtajore, arra dhe drithëra të plota është përgjithësisht e dobishme për shëndetin.”/ The Guardian

The post A duhet vërtet të hamë 30 lloje ushqimesh bimore në javë? appeared first on Gazeta Si.

Bardhi akuza mazhorancës: Po mbani të bllokuara propozimet e opozitës

20 July 2026 at 12:41

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj mazhorancës se po mban prej javësh të bllokuara disa propozime të opozitës.

Ai deklaroi se Kuvendi ka marrë në shqyrtim propozime të deputetëve socialistë, që janë dorëzuar pas atyre të opozitës.

Sipas tij në këtë mënyrë mazhoranca po cenon jetën parlamentare, ndërsa shtoi se kuvendi duhet të marrë menjëherë në shqyrtim propozimet e tyre që kanë të bëjnë me shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, për trashëgiminë kulturore dhe Paketën e Maleve.

“Dua të ngre një shqetësim që tregon se rendin e ditës e bëni sipas qejfit tuaj. Keni 7 javë që mbani të bllokuara 4 iniciativa të deputetëve të opozitës, i keni futur në kalendar si ligje pa datë për seancë plenare dhe nuk pranoni t’i shqyrtoni në komisionet parlamentare.

Ka nisur puna për çdo projektligj të depozituar nga kolegë të mazhorancës javë më vonë inicitative të propozuara nga opozita, pranoni të shqyrtoni këto iniciativa, dhe ju ato i merrni në shqyrtim ndërkohë 4 tonat, që kërkojnë me detyrime për integrimin, nuk pranoni t’i shqyrtoni. Cenim i rëndë i parlamentarizmi. Nuk mund t’i trajtoni deputetët si ca të nënës dhe të njerkës. Iniciativat tuaja i fusni sipas qejfit, ndërsa 4 ligje që presin prej javësh refuzoni t’i shqyrtoni. Meqenëse hoqëm për hatër të integrimit një projektligj, të fusim për hatër të integrimit 4 iniciativat tona, ligjin për investimet strategjike, zonat e mbrojtura, paketën e maleve dhe trashëgiminë kulturore.”, tha Bardhi.

Qytetarët jashte sot kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të disa ligjvënësve, ndërsa kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe deputetëve. Mesazhet kryesore të protestuesve kanë qenë se ata nuk ndihen të përfaqësuar nga Kuvendi dhe kërkojnë ndryshim politik.

“Do t’i tregojmë Kuvendit se nuk ndihemi të përfaqësuar dhe se qytetarët kërkojnë ndryshim”, është shprehur një prej aktivistëve gjatë protestave të zhvilluara më herët.

Ndërkohë, opozita ka thyer bojkotin e seancave plenare dhe është paraqitur në sallën e Kuvendit për të marrë pjesë në punimet e kësaj seance.

The post Bardhi akuza mazhorancës: Po mbani të bllokuara propozimet e opozitës appeared first on Gazeta Si.

Formula që e çoi Argjentinën në finale ishte arsyeja pse humbi trofeun

20 July 2026 at 10:58

Nga Gazeta ‘Si’- Një gol i Ferran Torres në minutat e para të kohës shtesë i dha Spanjës fitoren 1-0 ndaj Argjentinës në stadiumin MetLife të New York/New Jersey, duke i siguruar titullin e dytë kampion bote.

Sulmuesi i Barcelonës realizoi pas një krosimi të Pedro Porro dhe një devijimi me kokë nga Nico Williams. Deri në atë moment, Spanja kishte dominuar ndeshjen, duke mbajtur kontrollin e topit dhe duke krijuar rastet më të rrezikshme. Portieri argjentinas Emiliano “Dibu” Martínez ishte lojtari që mbajti gjallë ekipin e Lionel Scalonit, me një sërë pritjesh vendimtare, përfshirë një ndërhyrje spektakolare ndaj Nico Williams në fillimin e kohës shtesë.

Finalja ndoqi skenarin e parashikuar nga shumë analistë: Spanja kontrolloi posedimin, ndërsa Argjentina priti momentin për të aktivizuar Lionel Messin.

Megjithatë, spanjollët u treguan më të freskët fizikisht dhe teknikisht superiorë. Statistikat pasqyrojnë qartë dominimin: Argjentina regjistroi goditjen e saj të parë vetëm në minutën e 115-të, një rekord negativ në historinë e finaleve të Kupës së Botës.

Ndeshja u karakterizua edhe nga loja e fortë fizike. Gjyqtari Slavko Vinçiç lejoi shpesh vazhdimin e lojës, por në kohën shtesë Enzo Fernández u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Argjentinën me 10 lojtarë.

Për Lionel Messin kjo ishte paraqitja e fundit në një Kupë Bote. Ai e mbylli turneun me tetë gola dhe katër asistime, por në finale nuk arriti të bënte diferencën. Argjentina mbërriti për herë të tretë në finale në katër Botërorët e fundit, pasi humbi në vitin 2014 ndaj Gjermanisë dhe triumfoi ndaj Francës në vitin 2022.

Nga ana tjetër, Spanja, që mbante edhe titullin e kampiones së Europës, e mbylli turneun duke pësuar vetëm një gol në tetë ndeshje. Trajneri Luis de la Fuente u kritikua para ndeshjes për disa zgjedhje në formacion, përfshirë lënien sërish në stol të Pedrit, por vendimet e tij rezultuan të suksesshme.

Fitorja e këmbënguljes

Sipas analizës së ESPN, Spanja e meritoi plotësisht trofeun, ndonëse iu desh të fitonte një finale të fortë dhe të lodhshme. Edhe pse ndeshja u cilësua nga disa komentues si një nga finalet më pak spektakolare të viteve të fundit, spanjollët ruajtën qetësinë dhe besimin se cilësia e tyre do të bënte diferencën.

Në fund, Spanja regjistroi 20 goditje drejt portës kundrejt vetëm dy të Argjentinës. Madje kampionët në fuqi nuk arritën të godisnin asnjëherë në kuadratin e portës.

Analiza thekson se skuadra e Luis de la Fuente mund të mos ketë shpërthimin individual të Francës apo aftësinë e Argjentinës për të fituar përmes momenteve të një ylli, por zotëron diçka po aq të rëndësishme: kontrollin absolut të topit dhe ritmit të lojës. Pikërisht ky identitet e ka çuar Spanjën në një seri prej 38 ndeshjesh pa humbje.

Formula që e çoi Argjentinën në finale u kthye në dobësinë e saj

ESPN argumenton se mënyra se si Lionel Scaloni ndërtoi skuadrën rreth Messit funksionoi gjatë gjithë turneut, por dështoi në finale.

Në moshën 39-vjeçare, Messi nuk mund të kontribuonte më pa top si dikur, ndaj Argjentina u organizua për ta mbrojtur dhe për t’i krijuar hapësira. Megjithatë, ndaj një Spanje që dominoi posedimin dhe ushtroi presion të vazhdueshëm, kjo formulë nuk funksionoi.

Argjentina e mbylli kohën e rregullt pa asnjë goditje drejt portës, ndërsa disa prej lojtarëve më kreativë mbetën në stol. Sipas analizës, skema që e çoi ekipin deri në finale nuk ofroi një alternativë kur ndeshja mori drejtimin që dëshironte Spanja.

Vetëm “Dibu” Martínez mbajti gjallë Argjentinën

Portieri Emiliano Martínez ishte lojtari më i spikatur i Argjentinës. Ai realizoi 11 pritje gjatë 120 minutave, një nga shifrat më të larta në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës në dekadat e fundit.

Martínez luajti edhe pse kishte një dëmtim në gishtin e dorës së djathtë, duke shmangur ndërhyrjen kirurgjikale për të qenë pjesë e Botërorit.

Fundi i një epoke

Për Messin, finalja ishte mbyllja e një karriere të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Ai preku topin vetëm 54 herë, pati vetëm një goditje të bllokuar dhe nuk arriti të krijonte asnjë moment vendimtar.

Megjithatë, pavarësisht largimit të qetë nga skena botërore, trashëgimia e tij mbetet e paprekur: një Kupë Bote, dy Copa América dhe më shumë se 1.100 ndeshje me klubin dhe kombëtaren, që e kanë vendosur mes legjendave më të mëdha të futbollit.

The post Formula që e çoi Argjentinën në finale ishte arsyeja pse humbi trofeun appeared first on Gazeta Si.

❌
❌