Normal view

Received today — 28 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fluks i lartë turistësh në Ksamil, bukuritë e Jonit tërheqin vizitorë nga e gjithë bota

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Sezoni turistik veror ka sjellë një fluks të lartë pushuesish në këto ditë të fundit të korrikut në Ksamil, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.

Ujërat e kristalta të detit Jon, ishujt e vegjël përballë bregut dhe peizazhi natyror vijojnë të jenë ndër arsyet kryesore që turistët zgjedhin Ksamili për pushimet verore.

Që në orët e para të mëngjesit, plazhet mbushen me pushues, të cilët shijojnë detin, diellin dhe aktivitetet turistike që ofron zona.

Gjatë këtij sezoni, në Ksamil vërehet një prani e lartë e turistëve nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga rajoni. Familje dhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur këtë zonë për të kaluar pushimet, duke ndikuar edhe në rritjen e aktivitetit të strukturave akomoduese dhe bizneseve lokale.

Ksamil mbetet një destinacion që kombinon detin e pastër, natyrën dhe atmosferën karakteristike të një zone turistike mesdhetare.

Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit, por edhe vende te ndryshme të botës.

Vizitorët po zgjedhin Ksamilin jo vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë në periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor.

Ksamil vijon të mbetet një nga pikat kryesore turistike të Shqipërisë, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme dh duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në jug të vendit.

/k.s/

The post Fluks i lartë turistësh në Ksamil, bukuritë e Jonit tërheqin vizitorë nga e gjithë bota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 28.7.2026

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Funerali i senatorit amerikan Lindsey Graham.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Takimi i Komitetit të Politikës Monetare të Rezervës Federale.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Çështjen Izraelito-Palestineze.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Publikimi i listës së ngushtë të kandidatëve për çmimin ”Booker”.

IRLANDA – Vizita e kancelarit gjerman Friedrich Merz.

LIMA (Peru) – Keiko Fujimori betohet si presidente e Perusë.

PARIZ (Francë) – Futboll: Philippe Diallo prezanton trajnerin e ri të ekipit kombëtar francez para FFF-së./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 28.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët me vranësira të pakta, rriten temperaturat

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime ndërsa vranësirat të pakta deri mesatare kalimtare në orët e mesditës përgjatë relieveve malore.

Reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët përgjatë relieveve malore në lindje në orët e mesditës.

Era pritet të fryjë me drejtim kryesor verilindje – veriperëndim me shpejtësi 7m/s, përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimorë e zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-3 ballë.

1 nga 2

 

The post Mot i kthjellët me vranësira të pakta, rriten temperaturat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Qindra dronë ukrainas godasin Moskën dhe rajonet përreth

MOSKË, 28 korrik /ATSH –ANSA/ –  Ukraina ka lëshuar qindra dronë kundër Moskës dhe disa rajoneve përreth.

Sipas burimeve të ndryshme, numri i përgjithshëm i dronëve të përdorur është mbi 390.

Disa prej tyre janë rrëzuar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, ndërsa të tjerë kanë arritur objektivat e tyre.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergej Sobjanin, kishte deklaruar fillimisht se 12 dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit ishin rrëzuar, por gjatë natës dhe orëve të mëngjesit sulmet u intensifikuan.

Ndër objektivat e goditura thuhet se ishte edhe një qendër logjistike e kompanisë Wildberries, operatori më i madh rus i tregtisë elektronike, i cili, sipas burimeve ukrainase, ishte vënë në shënjestër edhe në sulme të mëparshme.

Autoritetet ruse kanë njoftuar se kanë rrëzuar një numër të madh dronësh në rajone të ndryshme, si edhe kanë raportuar për ndërprerje të përkohshme, përfshirë ngadalësimin ose pezullimin e trafikut ajror në disa aeroporte të zonës së Moskës.  /os/

The post FOKUS – Qindra dronë ukrainas godasin Moskën dhe rajonet përreth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë

27 July 2026 at 22:57

BORDO, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Zjarret e mëdha pyjore që kanë përfshirë rajonin e Bordosë në Francë po godasin rëndë edhe sektorin e turizmit, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale.

Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje pushuesve të mos udhëtojnë drejt departamentit të Zhirondes, pasi flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit dhe mund të përkeqësojnë situatën.

Qeveria thekson se kufizimi i lëvizjes është i nevojshëm për t’u dhënë përparësi shërbimeve të emergjencës.

Sipas Patrick Seguin, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Zhirondes, sezoni turistik është ndalur pothuajse plotësisht.

Ai paralajmëroi se kjo përbën një goditje të rëndë ekonomike për rajonin, ku mijëra biznese dhe punonjës varen nga vizitorët gjatë muajve të verës.

Prefektja e Bordosë, Sophie Brocas, u bëri thirrje turistëve që planifikonin të niseshin për pushime në këtë zonë të shtynin udhëtimin derisa situata të vihej nën kontroll.

Ajo u kërkoi edhe vizitorëve që ndodhen tashmë në rajon të marrin në konsideratë destinacione të tjera, pasi ekziston rreziku që evakuimet të zgjerohen nëse zjarret përhapen më tej.

Deri tani, rreth 220 mijë persona, përfshirë shumë turistë, janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu organizimin e kampeve verore për të rinjtë dhe aktiviteteve të pushimit për personat me aftësi të kufizuara, për të garantuar sigurinë e tyre.

Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë dhe restoranteve theksojnë se jo i gjithë rajoni është i prekur nga flakët.

Ata sqarojnë se thirrjet për të shmangur udhëtimet synojnë kryesisht të mbajnë të lira rrugët në zonat e prekura, në mënyrë që automjetet e emergjencës dhe ekipet e zjarrfikësve të mund të veprojnë sa më shpejt dhe pa pengesa.

Turizmi përbën rreth 7% të ekonomisë së rajonit të Zhirondes, duke mbështetur mbi 40 mijë vende pune dhe duke gjeneruar të ardhura vjetore prej rreth 3,2 miliardë eurosh.

Nëse zjarret vazhdojnë, humbjet ekonomike pritet të jenë të konsiderueshme, duke prekur jo vetëm industrinë e turizmit, por edhe bizneset lokale që varen nga sezoni veror./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania në pritje të 39 gradëve Celsius

27 July 2026 at 22:33

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë ditëve në vijim, me temperatura që mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius, sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD).

Meteorologët parashikojnë se nesër pjesa jugperëndimore e vendit do të regjistrojë temperatura deri në 33 gradë Celsius, ndërsa veriu do të mbetet më i freskët, me rreth 22 gradë Celsius dhe më shumë vranësira.

Nga e mërkura, moti do të jetë kryesisht me diell në të gjithë vendin, ndërsa në jugperëndim temperaturat do të ngjiten deri në 37°C.

Kulmi i valës së të nxehtit pritet të jetë të enjten, kur në rajonin e Rinit të Sipërm dhe në Bavari termometri mund të shënojë 39 gradë Celsius.

Edhe zonat bregdetare do të përjetojnë temperatura të larta, deri në 31 gradë Celsius.

Megjithatë, moti i nxehtë do të shoqërohet edhe me rrezik për stuhi të forta.

Të premten priten reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të fuqishme, veçanërisht në jug të vendit, ndërsa Bavarisë mund t’i rikthehen sërish temperatura deri në 37 gradë Celsius.

Sipas meteorologëve, moti shumë i ngrohtë pritet të vazhdojë edhe pas fundjavës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post METEO – Gjermania në pritje të 39 gradëve Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received yesterday — 27 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

QIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010

27 July 2026 at 22:12

ATHINË, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pritet të mbërrijë sonte në Qipro për një vizitë treditore, e para e një kreu të OKB-së në ishull që nga viti 2010.

Vizita synon t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve mes komunitetit grekoqipriot dhe atij turkoqipriot, të cilat prej vitesh kanë mbetur në ngërç.

Kjo mund të jetë përpjekja e fundit e Guterres për të ndërmjetësuar një zgjidhje, pasi mandati i tij si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së përfundon në fund të këtij viti.

Ai pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja palëve dhe të nxisë dialogun për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti i gjatë.

Qiproja mbetet e ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti i nacionalistëve grekoqipriotë u pasua nga ndërhyrja ushtarake e Turqisë.

Ndarja çoi në krijimin e Republikës Turke të Qipros Veriore në vitin 1983, e cila njihet zyrtarisht vetëm nga Turqia.

Edhe pse Bashkimi Evropian e pranoi të gjithë ishullin si shtet anëtar në vitin 2004, legjislacioni i BE-së zbatohet vetëm në pjesën jugore të kontrolluar nga Republika e Qipros. Kryeqyteti Nikozia vazhdon të jetë i vetmi kryeqytet i ndarë në Evropë, me një zonë tampon të mbikëqyrur nga paqeruajtësit e OKB-së. /Ad.Ab./ a.jor.

The post QIPRO – Guterres në vizitën e parë që nga viti 2010 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përshëndeti marrëveshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë në rajon, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm në kushtet e sfidave të reja globale.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se Shqipëria përballet me një realitet të ri sigurie, ku kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, teknologjitë e reja ushtarake dhe cenueshmëria e infrastrukturës kritike kërkojnë rritje të kapaciteteve kombëtare dhe një NATO më të aftë për të vepruar.

Ajo theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO si një garanci për sigurinë e vendit, por nënvizoi se Shqipëria duhet të marrë më shumë përgjegjësi si aleate dhe të investojë në kapacitete reale mbrojtëse.

“Anëtarësimi në NATO ka qenë dhe mbetet një nga objektivat jetikë të Shqipërisë dhe një garanci e pazëvendësueshme për sigurinë e shqiptarëve. Por Aleanca po ndryshon dhe bashkë me të duhet të ndryshojë edhe mënyra se si ne i kuptojmë dhe i përmbushim përgjegjësitë tona”, tha ajo.

“Çdo hap që forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe kapacitetet tona brenda NATO-s meriton mbështetje. Detyra e opozitës është të mbështesë drejtimin strategjik, por njëkohësisht të kërkojë seriozitet, përgjegjësi, transparencë dhe rezultate në zbatimin e tij. Shqipëria nuk duhet ta shohë NATO-n vetëm si një garanci që të tjerët i japin vendit tonë. Ne duhet të jemi një aleat që kontribuon, përmbush detyrimet dhe ndërton kapacitete që i shërbejnë sigurisë së përbashkët”, shkruan ajo.

Sipas saj, investimet në mbrojtje duhet të përqendrohen në fusha strategjike si siguria kibernetike, mbrojtja ajrore, kapacitetet detare, sistemet pa pilot, inteligjenca dhe infrastruktura strategjike.

Tabaku kërkoi që përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë dhe kontroll institucional, duke theksuar se konfidencialiteti për çështjet operacionale nuk duhet të kthehet në mungesë llogaridhënieje për përdorimin e parave publike.

Tabaku kërkoi që fondet të drejtohen te partnerë të besueshëm dhe investime që lidhen me nevojat reale të Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s.

“Parlamenti dhe institucionet përgjegjëse duhet të kenë mundësi të ushtrojnë kontroll real mbi zbatimin financiar dhe institucional të marrëveshjes. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se cilat janë objektivat e përgjithshme, çfarë kapacitetesh synohen të ndërtohen dhe si ndikojnë këto angazhime në sigurinë e vendit.

“Fondet për mbrojtjen duhet të shkojnë te partnerë seriozë, të besueshëm dhe me standarde të provuara. Në këtë sektor nuk ka vend për improvizim, klientelizëm apo interesa të ngushta. Çdo kontratë dhe çdo investim duhet të udhëhiqet nga nevojat reale të Forcave të Armatosura, ndërveprueshmëria me NATO-n dhe interesi kombëtar”, theksoi Tabaku.

Tabaku u ndal edhe te sfidat e reja të Aleancës, duke theksuar se Shqipëria duhet të përshtatet me një NATO më kërkuese dhe të ndërtojë projekte konkrete me rezultate të matshme.

“Në këtë realitet të ri, Shqipëria duhet të përshtatet dhe të forcohet për një NATO të re, me projekte konkrete dhe rezultate të matshme. Asambleja e NATO-s në Ankara dëshmoi se sfidat e Aleancës janë bërë më të vështira. Për Shqipërinë, ato janë dyfishuar nga mungesa e investimeve serioze dhe nga keqmenaxhimi i sektorit të mbrojtjes. Kjo nis nga modernizimi i Forcave të Armatosura dhe mbrojtja kibernetike, por përfshin edhe infrastrukturën strategjike rrugore, hekurudhore, portuale dhe detare, e cila është lënë pas dore ose është dëmtuar nga projekte korruptive”, tha ajo.

Sipas saj, një Shqipëri më e fortë brenda NATO-s është edhe një garanci më e madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, për sigurinë e Kosovës dhe për orientimin euroatlantik të rajonit.

“Angazhimi ynë ndaj NATO-s nuk është një detyrim formal. Por është në interesin jetik të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të gjithë rajonit”, shkruan Tabaku.

/m.q/

The post Tabaku: Përdorimi i fondeve për mbrojtjen të shoqërohet me transparencë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermania ashpërson ligjet e sigurisë pas sulmit terrorist

27 July 2026 at 21:43

BERLIN, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane ka premtuar masa më të ashpra sigurie pas sulmit vdekjeprurës të së shtunës pranë Paradës së Krenarisë në Berlin, ku një 21-vjeçar i njohur nga autoritetet për lidhje me ekstremizmin islamik vrau një grua 65-vjeçare dhe plagosi 29 persona.

Sipas hetimeve, autori, Abdul Ballout, fillimisht përplasi një minibus me turmën dhe më pas sulmoi kalimtarët me një hanxhar.

Ai u vra nga policia një ditë më vonë gjatë një operacioni në Berlin, pasi iu afrua efektivëve i armatosur me një armë të ftohtë.

Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt njoftoi se qeveria do të forcojë legjislacionin, duke zgjeruar përdorimin e byzylykëve elektronikë dhe paraburgimin parandalues për personat që konsiderohen kërcënim për sigurinë.

Ai kërkoi gjithashtu  ndryshime në ligjin për të miturit, duke argumentuar se nuk duhet të zbatohet për persona të rritur që paraqesin rrezik të lartë.

Rasti ka shkaktuar debat të fortë në Gjermani, pasi Ballout kishte qenë i dënuar më parë për dhunë, grabitje dhe përpjekje për t’iu bashkuar grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), por ishte liruar me kusht.

Ekspertët e sigurisë dhe sindikatat e policisë e kanë cilësuar lirimin e tij si një gabim të rëndë, duke kërkuar mbikëqyrje shumë më të rreptë për individët e radikalizuar.

Sulmi ka rritur edhe tensionet politike në prag të zgjedhjeve në Berlin, me partitë opozitare që kërkojnë masa më të forta kundër ekstremizmit dhe dhunës.

Kancelari Friedrich Merz deklaroi se autoritetet duhet të shpjegojnë se si një person me një profil të tillë arriti të afrohej pa pengesa pranë një aktiviteti me pjesëmarrje masive. /Ad.Ab./  a.jor.

The post BERLIN – Gjermania ashpërson ligjet e sigurisë pas sulmit terrorist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Veprime ushtarake nëse dështojnë bisedimet me Iranin

27 July 2026 at 21:12

UASHINGTON, 27 korrik /ATSH/ Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni është në “bisedime shumë të thella” me Iranin, por paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë veprime të forta ushtarake nëse përpjekjet diplomatike nuk japin rezultat, sipas Reuters.

Në një intervistë për “Axios”, Trump tha se koha për arritjen e një marrëveshjeje është e kufizuar.

“Nuk ka shumë kohë. Ose ecën shpejt, ose nuk ecën fare”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se administrata amerikane nuk është e gatshme për negociata të zgjatura.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike për të zbutur krizën vazhdojnë.

Presidenti Trump nuk dha detaje mbi afatin e bisedimeve apo mbi natyrën e mundshme të veprimit ushtarak, por theksoi se të gjitha opsionet mbeten në tryezë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Veprime ushtarake nëse dështojnë bisedimet me Iranin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Marrëveshja me SHBA-në, me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF), duke i hapur rrugë një investimi prej 302 milionë dollarësh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Kështu bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Malaj tha se procedura e përshpejtuar ishte e lidhur me natyrën e ndjeshme të dokumentit dhe detyrimet që burojnë nga bashkëpunimi me SHBA-në dhe NATO-n. Ai deklaroi se dokumentacioni i plotë i marrëveshjes ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit.

“Edhe pse gjatë seancës pati debate mbi procedurën e shqyrtimit, askush nuk e vuri në diskutim rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për sigurinë kombëtare. Procedura e përshpejtuar u diktua nga natyra e ndjeshme e marrëveshjes dhe detyrimet që burojnë nga partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca e NATO-s. Për këtë arsye, dokumentacioni i plotë ishte i aksesueshëm vetëm për deputetët që pranuan të respektonin rregullat e konfidencialitetit”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja është negociuar me kushte që synojnë një administrim të kontrolluar të financave publike.

“Si Ministri e Financave, kemi negociuar një marrëveshje me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike: disbursim vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes, fleksibilitet në administrimin e huasë dhe monitorim të plotë nga autoritetet amerikane”, shkruan Malaj.

Malaj shtoi se “siguria nuk është çështje retorike. Është përgjegjësi. Sot Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm që forcon partneritetin strategjik me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, dhe konfirmon besimin që partnerët tanë kanë tek Shqipëria si një faktor stabiliteti dhe një aleate e denjë në NATO”.

/m.q/

The post Malaj: Marrëveshja me SHBA-në, me kushte që garantojnë administrim të kujdesshëm të financave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Canal+ një miliard euro për kinemanë franceze dhe evropiane

PARIS, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Grupi Canal+ do të investojë gati një miliard euro midis viteve 2028 dhe 2032 në kinemanë franceze dhe evropiane, njoftoi sot në rrjetin social X, CEO i tij Maxime Saada, pas një marrëveshjeje me organizatat e industrisë.

”Kjo është një marrëveshje e re historike”, deklaroi ai duke vënë në dukje se çështja e financimit kishte shkaktuar polemika të konsiderueshme gjatë Festivalit të Filmit në Kanë në maj.

Në atë kohë, Saada kishte deklaruar se grupi i tij nuk dëshironte më të financonte filma nga nënshkruesit e një letre të hapur që denonconte “ndikimin në rritje të së djathtës ekstreme” në kinema, duke synuar konkretisht miliarderin konservator Vincent Bolloré, një aksionar kryesor në grupin e tij.

Më vonë ai mohoi çdo qëllim për të krijuar një “listë të zezë”.

Me vlerë 980 milionë euro, marrëveshja e njoftuar të hënën “do t’i lejojë Canal+ të vazhdojë t’u ofrojë abonentëve të tij filmat më të mëdhenj francezë, evropianë dhe ndërkombëtarë vetëm gjashtë muaj pas publikimit të tyre në kinema”, deklaroi kompania në një njoftim për shtyp.

Maxime Saada pohoi se Canal+ është “partneri kryesor i kinemasë franceze dhe evropiane për një kohë të gjatë”.

Kinemaja franceze “meriton të mbështetet, financohet dhe të kultivohet” dhe “kjo është ajo që ne kemi bërë për më shumë se 40 vjet”, theksoi ai./  a.jor.

The post KINEMA – Canal+ një miliard euro për kinemanë franceze dhe evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agroturizmi “Hani i Qerosit” në Kuçovë, destinacion i ri për turizmin rural

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Agroturizmet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në qendra të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social në rajone të ndryshme të vendit, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe forcimin e ekonomisë rurale.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot pamje nga agroturizmi “Hani i Qerosit”, në Kuçovë, Berat, i cili po kthehet në një pikë tërheqëse për vizitorët që kërkojnë një përvojë të lidhur me natyrën, traditat dhe jetën në fermë.

Rama thekson se agroturizmi ofron një përvojë të veçantë për të gjithë ata që duan të njihen më nga afër me mikpritjen dhe traditat shqiptare.

“Agroturizëm “Hani i Qerosit”, në Kuçovë, Berat, ku çdo vizitor ka mundësinë të bëhet pjesë e jetës në fermë përmes aktiviteteve të ndryshme, si kalërimi, ushqyerja e kafshëve dhe përgatitja e recetave tradicionale me produkte të freskëta të zones. Një përvojë e veçantë që të afron me natyrën, traditat dhe mikpritjen shqiptare”, shkruan Rama.

Sipas Ramës, investimi në agroturizmin “Hani i Qerosit” është realizuar me mbështetjen e Programit IPARD, duke krijuar një destinacion turistik dhe promovimi të turizmit rural.

/m.q/j.p/

The post Agroturizmi “Hani i Qerosit” në Kuçovë, destinacion i ri për turizmin rural appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Macron kërkon unitet për të fituar betejën kundër zjarreve më të këqija që nga LIIB

PARIS, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje sot për unitet dhe një përpjekje të përbashkët për të fituar betejën kundër zjarreve, duke pranuar nevojën për përulësi dhe duke pranuar se javët e ardhshme do të jenë të vështira.

“Ne nuk i zbatojmë mësimet e nxjerra nga beteja me vapën. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë për të fituar betejën kudo”, deklaroi presidenti nga dhoma e krizës e Qendrës së Operacioneve të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Departamentit të Bordeaux (CODIS).

“Ne do të jemi atje, do ta fitojmë këtë betejë së bashku dhe do të jemi atje për një kohë të gjatë”, shtoi ai, ndërsa zjarri masiv në rajonin e Gironde shkatërroi 42 000 hektarë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se javët e ardhshme do të jenë të vështira dhe vuri në dukje se këto zjarre janë më të këqijat në Francë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore./  a.jor.

The post FRANCË – Macron kërkon unitet për të fituar betejën kundër zjarreve më të këqija që nga LIIB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta për Zvërnecin në ditën e 58-të

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Qytetarët janë mbledhur sërish sot për të protestuar në ditën e 58-të të tubimit, i cili nisi kundër investimit në zonën e Zvërnecit.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku mbajtën pankarta dhe parulla me kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin.

Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Një protestues tha se policia kishte blinduar sot  zonën pranë Parlamentit gjatë protestës së paradites së sotme, duke e cilësuar praninë e madhe të efektivëve të policisë si një shenjë frike të deputetëve nga vezët që do i hidhnin qytetarët.

Duke folur para Kryeministrisë, qytetari tha se autoritetet kishin mobilizuar efektivë nga disa qarqe të vendit për të siguruar godinën e Kuvendit.

“Sot është dita e 58-të e qëndresës sonë. E nisëm si në çdo seancë parlamentare, duke parë se si ishte rrethuar “nusja” dhe shtetrrethimi, se po xhirohej filmi atje te Parlamenti sot. Dhe sa të trembur ishin nga vezët tona, sa kishin sjellë mbi 1 mijë policë nga të gjitha rrethet”, tha ai.

Aktivisti Arben Kola reagoi pas protestës së sotme para Parlementit, teksa theksoi se mazhoranca po përdor policinë kundër qytetarëve, ndërsa e cilësoi reagimin e tyre si një shenjë frike.

“Siç e patë edhe sot, qeveria e krimit, narkoshteti, ishin të tmerruar nga vezët dhe qytetarët shqiptarë. Ata po mundohen me çdo mjet të sulmojnë aktivistët, protestuesit, përmes shantazheve, mafies e të tjerë, por nuk do ia dalin. Ju duhet ta vazhdoni këtë revolucion deri në rrëzimin e kësaj palo qeverie. Nuk mund të lejojmë shitjen e Shqipërisë, nuk i dorëzohet Shqipëria tradhtarëve. Shqipëria do të lirohet njëherë e mirë nga klika komuniste bolshevike e Tiranës”, tha ai.

Pas fjalimeve të rastit, protestuesit zhvilluan marshimin e tyre të përnatshme nëpër rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e qeverisë.

Protesta e 58 për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 11

/j.p/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 58-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj mori kopjen e marrëveshjes me SHBA-në, Rama: Vodhi dokument të klasifikuar, prokuroria t’i tregojë vendin

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, reagoi sot pasi kryetari i partisë “Mundësia”, deputeti Agron Shehaj, mori pa leje nga ambientet e Kuvendit, një kopje të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të klasifikuar si sekrete, duke e cilësuar veprimin si “vjedhje të një dokumenti të klasifikuar”.

Rama publikoi një video teksa shihet një punonjëse e Kuvendit duke ndjekur deputetin, e cila rrëzohet nga shkallët.

Kryeministri u shpreh se pret që prokuroria të zbatojë ligjin për rastin, ndërsa shprehu keqardhje për punonjësen e administratës që u përfshi në situatë gjatë incidentit.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, u shpreh Rama.

“Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuar këtij personazhi të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama.

/m.q/j.p/

The post Shehaj mori kopjen e marrëveshjes me SHBA-në, Rama: Vodhi dokument të klasifikuar, prokuroria t’i tregojë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – “Porsche” shkurton edhe 5 000 vende të tjera pune

27 July 2026 at 19:39

SHTUTGART, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Prodhuesi i njohur gjerman i makinave sportive “Porsche” ka njoftuar se do të shkurtojë edhe 5 000 vende pune në Gjermani deri në fund të vitit 2035, si pjesë e një plani ristrukturimi me vlerë 2,1 miliardë euro për të rikthyer fitimet e kompanisë.

Megjithatë, kompania garanton se nuk do të ketë pushime të detyruara nga puna gjatë kësaj periudhe.

Shkurtimet do të prekin kryesisht fabrikën kryesore në Stuttgart-Zuffenhausen dhe qendrën e kërkimit dhe zhvillimit në Weissach.

Sipas “Porsche”, reduktimi i stafit do të realizohet përmes daljes natyrore në pension, skemave të pensionit të parakohshëm dhe largimeve vullnetare, në marrëveshje me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Paketa e re parashikon gjithashtu masa kursimi për punonjësit, duke përfshirë shtyrjen e një pjese të rritjes së pagave deri në vitin 2035, uljen e shpërblimeve të fundvitit dhe lidhjen më të ngushtë të bonuseve me rezultatet financiare të kompanisë.

Ndërkohë, menaxherët nuk do të kenë rritje të pagës bazë në vitet 2027 dhe 2028, ndërsa puna nga shtëpia do të kufizohet në tetë ditë në muaj.

“Porsche” po përballet me rënie të ndjeshme të fitimeve për shkak të kostove në rritje, konkurrencës së fortë në tregun kinez, tarifave amerikane dhe kërkesës më të ulët se parashikimet për automjetet elektrike.

Në vitin 2025, fitimi neto i kompanisë ra me 91%, në 310 milionë euro, ndërsa shitjet globale u ulën me 10%, duke arritur në rreth 279 mijë automjete, niveli më i ulët që nga pandemia e COVID-19./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post GJERMANI – “Porsche” shkurton edhe 5 000 vende të tjera pune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Radman: Potencial për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, të punojmë për lidhje direkte Shqipëri-Kroaci

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, Gordan Grlić Radman, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm ekonomik, duke theksuar nevojën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit hoxha, Radman u shpreh se ekziston një potencial i madh për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në fushat e transportit, infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.

Radman theksoi edhe nevojën për përmirësimin e lidhjeve direkte mes dy vendeve.

“Shqipëria mbetet partneri i rëndësishëm dhe i besueshëm ekonomik i Kroacisë. Jemi të bindur se ekziston një hapësirë e konsiderueshme për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ekonomik, veçanërisht përmes përmirësimit të lidhjeve të transportit dhe bashkëpunimit më të ngushtë në fushat e infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.

“Me ministrin Hoxha biseduam për të sqaruar sesi dje isha në Dubrovnik dhe Dubrovniku nga Tirana është vetëm 270 km larg. Por për të arritur në Tiranë më duheshin 6 orë. Shpesh më është dashur që për të arritur në Tiranë të shkoj në Vjenë dhe më pas të marr avionin për të arritur në Tiranë. Mendoj se duhet të punojmë rreth lidhjeve direkte. Mund të takoheshim me shpesh nëse do të ishim më mirë të lidhur. Për fat të keq ne kishim hapur një kompani e cila për arsye të ndryshme shkoi drejt mbylljes”, tha ai.

Ministri kroat bëri të ditur se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së detit Adriatik. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Kroacisë për zhvillimin e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe projekteve energjetike, përfshirë gazsjellësin Adriatiko-Jonian, të cilat sipas tij do të forcojnë ndërlidhjen rajonale, sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë bisedimeve u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë partneritetin trepalësh mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimin policor, menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve.

“Një rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë mbrojtjes dhe vazhdimit të bashkëpunimit për mbrojtjen e detit Adriatik. Gjithashtu Kroacia është e përkushtuar ndaj zhvillimit të korridorit Adriatiko-Jonian dhe mbështet projekte si gazsjellësi Adriatiko-Jonian të cilat do të kontribuojnë në forcimin e ndërlidhjes rajonale, sigurisë energjetike dhe rritje ekonomike. Biseduam dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes duke përfshirë partneritetin trepalësh ndërmjet Koracisë, Shqipërisë dhe Kosovës si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer policor, menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve”, tha ai.

Radman falënderoi Shqipërinë për pjesëmarrjen aktive në nismën “Tri Detet”, duke vlerësuar praninë e presidentit Bajram Begaj dhe të kompanive shqiptare në forumin e biznesit të zhvilluar në Dubrovnik. Sipas tij, kjo dëshmon angazhimin në rritje të Shqipërisë në drejtim të ndërlidhjes rajonale, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

“Dua të falënderoj Shqipërinë për pjesëmarrjen aktive në nismën e Tri Deteve në Dubrovnik. Pjesëmarrje e presidentit të RSH-së, Bajram Begajt, si dhe një numër kompanish shqiptare në forumin e biznesit tregoi qartë angazhimin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në fushën ndërlidhjes rajonale, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik”, tha ministri.

Ministri kroat u ndal edhe te zhvillimet rajonale dhe globale, duke theksuar mbështetjen e Kroacisë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në parimin e meritës dhe përparimit individual të secilit shtet.

“Bisedimet e sotme u përqendruan dhe në zhvillimet rajonale dhe globale, duke përfshirë krizat aktual ndërkombëtare si dhe rolin transformues të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kroacia mbështet fuqishëm vazhdimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por duke u bazuar në parimin e arritjeve individuale dhe përparimin e secilit shtet. I gëzohem bashkëpunimit me Hoxhën dhe jam i bindur se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësinë që të intensifikojmë marrëdhëniet tona dhe të vazhdojmë të zhvillojmë partneritetin ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë”, tha Radman.

/m.q/j.p/

The post Radman: Potencial për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, të punojmë për lidhje direkte Shqipëri-Kroaci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JEMEN – Rebelët Houthi pretendojnë sulme të reja me dronë ndaj infrastrukturës saudite të naftës

27 July 2026 at 19:00

SANAA, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë deklaruar se kanë kryer sot sulme të reja me dronë kundër infrastrukturës naftësjellëse të Arabisë Saudite.

Sipas tyre, sulmet janë një kundërpërgjigje ndaj inkursioneve me dronë që, sipas rebelëve  Houthi, janë kryer nga mbretëria saudite.

Zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Saree, tha se janë goditur “disa objektiva të ndjeshme” dhe pika të përfshira në transportin e naftës bruto nga lindja e Arabisë Saudite drejt portit të Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq.

Ky qytet është pika fundore e tubacionit strategjik Lindje–Perëndim, i cili shërben për eksportin e naftës saudite.

Deri tani nuk ka konfirmim të pavarur nga autoritetet saudite për sulmet apo për dëmet e mundshme. Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku objektet energjetike saudite kanë qenë shpesh në shënjestër të sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post JEMEN – Rebelët Houthi pretendojnë sulme të reja me dronë ndaj infrastrukturës saudite të naftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për sigurinë rajonale nuk duhet të shqetësojë askënd

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet e diskutuara në takimin mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dhe homologut të tij kroat, Gordan Grlić Radman gjatë një takimi në Tiranë.

Në daljen e përbashkët për mediet, Hoxha u shpreh se me ministrin kroat ndanë vlerësimin e përbashkët se perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve evropiane, përbën një investim strategjik për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

“Theksuam rëndësinë e veçantë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, konsolidimin e paqes dhe përmbylljen e një kapitulli të vështirë të së kaluarës, në interes të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, deklaroi Hoxha.

Kryediplomati shqiptar deklaroi se ku proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë, justifikojnë ose u japin jehonë krimeve të luftës dhe politikave të dënuara si nga drejtësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ndërgjegjja njerëzore.

“Një qasje e tillë nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat evropiane, me frymën e bashkëpunimit rajonal dhe me përpjekjet për pajtim të vërtetë. E ardhmja e përbashkët evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndërtohet duke u kthyer pas në konfliktet e së kaluarës, por duke u përballur me historinë me përgjegjësi dhe duke ndërtuar marrëdhënie të reja mbi bazën e respektit, besimit dhe bashkëpunimit”, theksoi ai duke shtuar se pajtimi është një akt i guximshëm dhe fisnik që kërkon forcë politike, vizion, përgjegjësi dhe përkushtim për të tejkaluar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës.

“Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia kanë përgjegjësi dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen e stabilitetin rajonal, si dhe atë ndërkombëtar, duke përfshirë pjesëmarrjen në KFOR në Kosovë dhe EUFOR ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë”, vijoi më tej Hoxha

“Prandaj çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale”, theksoi Hoxha.

“Kushdo që ëndërron një kthim pas në histori duhet të kuptojë se në të vërtetë ka mbetur pas në kohë dhe në mendësi. Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, shtoi ai

Shqipëria, sipas tij, do të vazhdojë të investojë me vendosmëri, vullnet politik dhe angazhim konkret për ta orientuar bashkëpunimin rajonal, si atë dypalësh ashtu edhe atë shumëpalësh, drejt mekanizmave që forcojnë dialogun e hapur dhe të sinqertë, mirëbesimin ndërmjet vendeve dhe ndërtimin e një hapësire të përbashkët zhvillimi.

“Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal synojmë të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset tona, të integrojmë ekonomitë tona me njëra-tjetrën dhe t’i afrojmë ato gjithnjë e më shumë me Tregun e Përbashkët Evropian, duke përshpejtuar rrugëtimin tonë drejt BE”, tha Hoxha.

“Shqipëria do të mbetet e angazhuar për një Ballkan Perëndimor të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit, tërësisht të orientuar drejt familjes evropiane ku i takon.
Në këtë rrugë, Kroacia, si vend anëtar i BE-së, mbetet një partnere aktive, e besueshme dhe domosdoshme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit”, përfundoi Hoxha.

The post Hoxha: Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për sigurinë rajonale nuk duhet të shqetësojë askënd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌