Normal view

Rihapet gara për stolin e Italisë pas dështimit me Pirlon, Mancini parakalon Conten

28 July 2026 at 09:54

Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen pas zhvillimeve të fundit. Ish-trajneri i axurrëve duket shumë pranë rikthimit.

U duk se ishte vendosur gjithçka, por në fakt e ardhmja e stolit të Italisë është ende e paqartë. Andrea Pirlo bëri me dije se nuk është më kandidat, Paolo Maldini dhe Leonardo më pas dhanë dorëheqjen nga postet drejtuese. Dhe tani duket se është hapur rruga për rikthimin e Roberto Mancini-t në stolin e kombëtares italiane.

“Mancio” është kandidati i preferuar i Malagò dhe me largimin e drejtorit teknik dhe Leonardo, ai është në “pole position” për të marrë drejtimin e Italisë, duke parakaluar kështu edhe Antonio Conte-n.

Pas refuzimit të Pep Guardiola-s dhe Carlo Ancelotti-t, si dhe kaosit me Pirlo-n, çështja e trajnerit është bërë më komplekse. Para “Maestros”, emrat në listë ishin Roberto Mancini dhe Antonio Conte. Trajneri kampion i Euro 2021 për momentin duket më afër. Conte ka deklaruar se nuk është kontaktuar asnjëherë për të marrë drejtimin e Italisë, megjithatë ai është kandidati i preferuar i presidentëve të Serie A, që kanë pasur një peshë të rëndësishme në zgjedhjen e Malagò president federate.

Një rol vendimtar për zgjedhjen e Conte-s mund të ketë emërimi i Chiellini-t në postin e drejtorit teknik të Italisë, në vend të Maldini-t.

“Baza e Iranit në Shqipëri e ka emrin Sali Berisha”, Beqiri: Agron Shehaj rrezikon 35 vite burg!

28 July 2026 at 09:45

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se Shqipëria po përballet me një formë lufte hibride, e cila sipas tij ka nisur në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian.

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se sulmet ndaj vendit lidhen me përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me rritjen e investimeve të huaja.

“Jemi në luftë dhe këtë luftë na e hapën pasi i hapëm të gjithë kapitujt në BE dhe nisën mbylljet e tyre. Dhe po ashtu nisi kur investime të mëdha filluan të vërshonin në Shqipëri. Në momentin që u caktuan datat kur do të mbylleshin 3 kapitujt e parë, pamë që u sajua i ashtuquajturi incidenti i rëndë në Zvërnec dhe u mbushën rrugët e Tiranës, gjë që kurrë nuk kishte ndodhur më parë. Sepse, me thënë të drejtën, ne e dimë se çfarë shoqërie kemi. Po ashtu, ne e dimë lidhjen që ka ndërtuar Berisha me Beogradin, Hamasin dhe Bin Ladenin. Se si i stërviste kundër SHBA-ve… Por tashmë kanë rekrutuar edhe të rinj si Agron Shehaj me shokë, që edhe bizneset i kanë të dyshimta. Edhe të tjerë që fshihen pas protestës. E kanë ngrënë çorbën e prishur që është serbofile, grekofile, rusofile dhe e Iranit. Janë bërë armiku më i betuar i Shqipërisë dhe kanë vënë në shërbim gjithë agjenturën që kanë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri”, tha avokati.

Gjithashtu, gjatë intervistës, avokati komentoi edhe aktin e kryetarit të Partisë Mundësia dhe deputetit Agron Shehaj, i cili mori në sekretariatin e Kuvendit dokumentin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, duke u larguar me vrap.

Duke komentuar ngjarjen dhe marrjen e dokumentit të marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Beqiri e cilësoi një akt shumë të rëndë dhe kërkoi hetim penal.

Sipas tij, Shehaj duhet të përballet me drejtësinë për disa vepra penale, ndërsa SPAK duhet të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit për nisjen e hetimeve.

“Ky është një akt i rëndë. Një akt tradhtie kombëtare dhe tregon që agjenturat e huaja nuk të kursejnë, por të hedhin në veprim. Kur të paralajmërohesh që dokumenti vetëm do të lexohet, është një marrëveshje nga më historiket. Këtë dokument Irani e donte fizikisht dhe që ta kishte fizikisht, ata futën atje Agron Shehajn. Sikur të bëhet kallëzim penal, ai dënohet për grabitje dhe grabitja e ka deri në 15 vite burg. Ai duhet çuar për ndjekje penale sepse ka siguruar një dokument sekret, dhe sigurimi i një dokumenti të tillë, ai e mori për ta dhënë diku dhe kjo dënohet me 20 vite burg sipas nenit 213 të Kodit Penal të Shqipërisë. Për të paktën pesë vepra penale ai i ka kryer dhe rrezikon 35 vite burg. Puna e parë që duhet të bëjë SPAK është t’i kërkojë Parlamentit heqjen e imunitetit dhe nënshtrimin e hetimit”, tha mes të tjerash ai.

Tentativa për marrjen e llogarive WhatsApp, Policia thirrje qytetarëve: Mos klikoni në linke të dyshimta

28 July 2026 at 09:37

Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për rritjen e tentativave për marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp përmes mesazheve dhe lidhjeve mashtruese.

Sipas njoftimit të policisë, janë konstatuar raste kur përdoruesve u dërgohen linke me pretendime të ndryshme, si pjesëmarrje në konkurse online apo konfirmime veprimesh, me qëllim marrjen e kodit 6-shifror të verifikimit të aplikacionit.

Pasi përdoruesi vendos këtë kod, autorët e mashtrimit mund ta përdorin atë për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.

Sakaq, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur. Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp dhe të aktivizojnë funksionin “Two-Step Verification” (Verifikimi me dy hapa).

Në rast se dyshohet se një llogari është komprometuar, policia rekomandon ndërhyrjen e menjëhershme për rikuperimin e saj dhe njoftimin e kontakteve përkatëse.

“Mbrotja e të dhënave tuaja nis me kujdesin tuaj”, apelon Policia e Shtetit, duke theksuar se vigjilenca mbetet mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.

Pa zë në Washington? Kosova përballet me një sfidë të re diplomatike

28 July 2026 at 09:30

Kosova aktualisht nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një situatë që ka hapur debat mbi mënyrën se si vendi po e menaxhon marrëdhënien me aleatin e tij më të rëndësishëm politik dhe të sigurisë.

Mungesa e kontratave të lobimit shihet nga disa njohës të politikës amerikane si një dobësim i pranisë së Kosovës në Washington, ndërsa të tjerë vlerësojnë se problemi kryesor nuk lidhet me kompanitë lobuese, por me mungesën e një strategjie të qartë diplomatike dhe një angazhimi më të madh institucional.

Lobimi në SHBA është përdorur prej vitesh nga shumë shtete për të krijuar kontakte me vendimmarrësit, për të promovuar interesat e tyre dhe për të ndërtuar marrëdhënie politike. Edhe Kosova ka një histori të gjatë të angazhimit të kompanive lobuese në SHBA, veçanërisht që nga vitet 1990 dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Megjithatë, që nga viti 2024, institucionet e Kosovës nuk figurojnë më me kontrata aktive në regjistrin amerikan të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA), ligji që kërkon deklarimin e aktiviteteve të individëve dhe kompanive që përfaqësojnë interesa të huaja në SHBA.

Debati për lobimin zhvillohet në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve kanë kaluar disa sfida. Washingtoni ka kërkuar vazhdimisht uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe përparim në dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e një partneriteti të qëndrueshëm dhe funksional.

Sipas disa ish-zyrtarëve dhe ekspertëve, Kosova duhet të forcojë jo vetëm praninë diplomatike në Ambasadën e saj në Washington, por edhe komunikimin strategjik dhe marrëdhëniet me institucionet amerikane.

Një pjesë e ekspertëve argumentojnë se diplomacia duhet të jetë baza kryesore e përfaqësimit të një shteti, ndërsa lobimi duhet të përdoret vetëm si një mjet shtesë për çështje të caktuara. Sipas tyre, investimi kryesor duhet të jetë në ambasada më të fuqishme, staf diplomatik më të përgatitur dhe një strategji të qartë të politikës së jashtme.

Një tjetër qasje sugjeron se Kosova duhet të ndërtojë një kombinim mes diplomacisë zyrtare, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kompanive të specializuara të lobimit, duke pasur objektiva të qarta dhe koordinim më të mirë mes institucioneve.

Ekspertët theksojnë se ndryshimet në mënyrën e funksionimit të administratës amerikane kërkojnë një qasje më aktive nga shtetet e vogla, të cilat duhet të jenë vazhdimisht të pranishme në qendrat e vendimmarrjes.

Në krahasim me Kosovën, Serbia vazhdon të ketë një prani më të madhe lobimi në Washington. Sipas regjistrave amerikanë, institucionet serbe dhe subjektet e lidhura me to kanë disa kontrata aktive lobimi që lidhen me interesa politike, ekonomike dhe energjetike.

Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i Serbisë në SHBA nuk vjen vetëm nga kontratat e lobimit, por edhe nga një prani më e madhe diplomatike dhe një angazhim i vazhdueshëm me institucionet amerikane.

Rasti i Bosnje-Hercegovinës përmendet si një shembull se lobimi, nëse nuk shoqërohet me një strategji të qartë shtetërore, mund të përdoret edhe për interesa të ngushta politike.

Në fund, debati për Kosovën nuk lidhet vetëm me pyetjen nëse duhet të ketë apo jo kompani lobimi në SHBA, por me mënyrën se si vendi ndërton një politikë të qëndrueshme për të mbrojtur dhe promovuar interesat e tij në arenën ndërkombëtare.

/Analiza e marrë nga REL

Braçe: Marrëveshja ushtarake me SHBA është historike, Shehaj e ktheu në banalitet

28 July 2026 at 09:19

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj deputetit Agron Shehaj, i cili dje arriti të vjedhë nga Kuvendi një dokument sekret, marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA, e cila më pas u miratua me votat e socialistëve.

Në reagimin e tij, Braçe akuzon Shehajn se ka shkelur protokollet e ruajtjes së dokumenteve të klasifikuara, duke e cilësuar veprimin e tij si “krim”. Ai thekson se një deputet mund të njihet me një dokument të klasifikuar, por nuk ka të drejtë ta disponojë, kopjojë apo fotografojë atë.

Braçe dënon gjithashtu sulmet në rrjetet sociale ndaj nëpunëses publike përgjegjëse për ruajtjen e dokumentit, duke i cilësuar ato një tjetër shkelje të rëndë. Sipas tij, burimi i kësaj fushate urrejtjeje është vetë Shehaj.

Deputeti socialist akuzon gjithashtu Shehajn për ushtrim dhune ndaj nëpunëses, duke pretenduar se ai e shtyu dhe e goditi me bërryl për t’u larguar, pa i dhënë ndihmë pasi ajo u rrëzua në shkallë.

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

Marrëveshja më e rëndësishme ushtarake me Amerikën në 114 vite të shtetit shqiptar;

Banaliteti i përditshëm që e bën qesharake politikën dhe pyetja 36-vjeçare – kur do të bëhemi seriozë?;

Urrejtja online ndaj një nëpunëseje publike që dëshmoi sa qesharake është politika;

Kultura e ligjit që nuk ekziston në këtë vend!

Shkurt:

Marrëveshja ushtarake me SHBA është marrëveshja më e rëndësishme në këtë fushë me Amerikën në 114 vite të shtetit shqiptar; dëshmon jo vetëm nivelin e bashkëpunimit ushtarak – jo të gjithë e kanë këtë – por nivelin e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerin strategjik jetik të saj. Banaliteti “po blejnë Samitin e NATO-s” dhe çdo dezinformim tjetër afërmendsh është sulm ndaj marrëveshjes në emër të çdokujt që nuk e do këtë marrëdhënie.

Akti i sotëm në Kuvend, në shkelje të protokollit të ruajtjes së një dokumenti të klasifikuar – deputeti njihet me të, por nuk mund ta disponojë atë, nuk është i tij as si i tillë, as si kopje, as si foto – është krim; banaliteti i një deputeti, i banalitetit të politikës, nuk e relativizon si krim, as e bën të tolerueshëm, përkundrazi!

Urrejtja online ndaj një nëpunëseje publike, e ngarkuar me përgjegjësi për ruajtjen e një dokumenti të klasifikuar, është një tjetër krim, për më tepër kur ushtrohet nga gra kundër një gruaje; është tmerr. Ka këtë deputetin si burim – ai zotëron një armë urrejtjeje për sulm ndaj kujtdo dhe për mbrojtje të byçës së tij; urrejtja që përhapi këtë herë dhe që bëhet e gjithkujt në nivelin e tij, kërkoi të relativizonte krimin e tij, por edhe bulin që është kur në fillim e shtyn, e godet me bërryl për t’i ikur dhe as kthehet t’i japë ndihmë kur ajo copëtohet kur bie nga ato shkallë!

Të merresh me pamjet dhe aspak me aktet e një deputeti, përfshi edhe dhunën ndaj një gruaje, natyrisht është e padrejtë, në kuadër të relativizimit të krimit të deputetit!

Sot vendoset ‘fati’ i Agron Shehajt! PS kërkon përjashtim dhe hetim nga SPAK: Rrëmbeu marrëveshjen sekrete me SHBA

28 July 2026 at 09:07

Partia Socialiste kërkoi dje përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi për Agron Shehajn, pasi vodhi marrëveshjen konfidenciale me SHBA dhe iku me vrap. Përveç përjashtimit, PS kërkon edhe referimin e çështjes në SPAK. Vendimi për kërkesën e mazhorancës do të merret sot në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës, që pritet të nisë në orën 09:30.

Në kërkesën për përjashtimin e Shehajt, PS thotë se “Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese.”

PS thotë se Shehaj ka kryer përvetësim të informacionit të klasifikuar dhe ka cenuar sigurinë kombëtare.

Ata kërkojnë referimin në SPAK duke thënë se Shehaj ka kryer veprat penale si më poshtë:

(i) përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;

(ii)vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;

(iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;

(iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;

(v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.

Nga qelia amerikane në shtëpi, historia e bujshme e ish-presidentit të Hondurasit

28 July 2026 at 09:00

Gati 4 vite pasi u ekstradua në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për trafik droge, ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, është kthyer në vendin e tij pas një faljeje nga presidenti amerikan Donald Trump në fund të vitit të kaluar.

Trump pretendoi se gjyqi ndaj Hernandezit ishte një “kurth” i organizuar nga administrata e ish-presidentit Joe Biden dhe se ai nuk kishte marrë një proces të drejtë gjyqësor.

Hernandez u lirua nga një burg amerikan pas faljes presidenciale dhe më pas u pezullua edhe urdhri i arrestit ndaj tij në Honduras. Ai mbërriti në aeroportin Palmerola, ku u prit nga familjarë dhe mbështetës të Partisë Kombëtare, forcës politike ku ai bënte pjesë.

Hernandez drejtoi Hondurasin nga viti 2014 deri në vitin 2022. Pas largimit nga detyra, ai u ekstradua në SHBA, ku një gjykatë federale e shpalli fajtor dhe e dënoi me 45 vite burg për përfshirje në një skemë të madhe të trafikut të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.

Prokurorët amerikanë e akuzuan se kishte marrë miliona dollarë ryshfete nga organizata të fuqishme të trafikut të drogës gjatë viteve të tij në politikë dhe se kishte ndihmuar në futjen e qindra tonëve kokainë në tregun amerikan.

Ish-presidenti honduras i ka mohuar gjithmonë akuzat, duke thënë se kishte luftuar trafikun e drogës dhe se administrata e tij kishte bashkëpunuar me SHBA-të në luftën kundër narkotikëve.

Pas kthimit në vend, Hernandez tha se ndiente gëzim të madh për t’u ribashkuar me familjen, por përshkroi periudhën në burg si një përvojë shumë të vështirë.

Megjithatë, ai pritet të përballet sërish me drejtësinë në Honduras, ku më 3 gusht duhet të dalë në gjykatë për akuza që lidhen me korrupsionin.

Pse e fali Trump?

Donald Trump e fali Hernandez në dhjetor, duke deklaruar se ish-presidenti honduras ishte trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe se procesi ndaj tij ishte i manipuluar nga administrata Biden.

Në të njëjtën kohë, Trump mbështeti edhe kandidatin konservator honduras Nasry “Tito” Asfura, i cili më vonë fitoi zgjedhjet presidenciale në Honduras.

Vendimi i Trump për të falur Hernandez ka shkaktuar kritika, sidomos për shkak të qëndrimit të ndryshëm ndaj figurave të tjera politike të akuzuara për trafik droge.

Kritikët kanë ngritur pyetje se përse disa persona marrin falje presidenciale, ndërsa të tjerë përballen me ndëshkime të ashpra. Gjatë mandatit të tij të dytë, Trump ka dhënë shumë falje presidenciale për figura të ndryshme, përfshirë politikanë të dënuar dhe mbështetës të tij politikë.

Ekspertë të ligjit amerikan kanë paralajmëruar se përdorimi i fuqisë së faljes për të mbrojtur aleatë politikë ose për qëllime personale mund të shkaktojë debate të mëdha politike dhe ligjore në SHBA.

Franca vazhdon luftën me flakët, Macron: Situata më e vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore

28 July 2026 at 08:51

Franca po përballet me situatën më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore, deklaroi presidenti Macron teksa vizitoi rajonin e prekur nga zjarret në jug të vendit.

Ai bëri të ditur se një vatër ishte vënë nën kontroll, por të tjera mbeten intensive dhe kërkojnë një kujdes të jashtëzakonshëm.

Më herët, autoritetet nxituan të krijonin breza të mëdhenj natyrorë për të parandaluar flakët të futeshin në qytetin Bordo, i cili u rrezikua drejtpërdrejt këtë të hënë.

Sipas zyrtarëve, flakët që iu afruan rreth 15 kilometra zonës metropolitane janë stabël, por nuk janë ende nën kontroll. Me mbi 115 mijë hektarë të djegur dhe rreth 250 mijë banorë të evakuuar që prej datës 3 korrik si pasojë e zjarreve. Ndërsa 80 zjarrfikës janë lënduar në përpjekje për shuarjen e flakëve. Autoritetet bëjnë të ditur gjithashtu se që nga 6 korriku, janë bërë 162 arrestime për zjarrvënie të qëllimshme.

Situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku zjarret masive rreth Madridit dhe rajonit të Avilës po përballen me dy ditë vendimtare përpara përkeqësimit të motit.

Një valë tjetër e të nxehtit që mund të përkeqësojë situatën do të përfshijë vendin nga e mërkura deri të paktën ditën e diel. Që nga 22 korriku, rreth 100 njerëz janë evakuuar nga zonat e banuara pranë zjarreve që konsiderohen si më të rëndat e dekadave të fundit.

Alarm nga zjarret edhe në jug të Italisë, ku flakët që iu afruan hoteleve në Gargano detyruan evakuimin e qindra turistëve me anije, si dhe ndërprerjen e lidhjeve kryesore rrugore e hekurudhore përgjatë Adriatikut.

Shkolla, larg tregut! Mbi 17 mijë persona me arsim të lartë nuk gjejnë punë, shumica të rinj

28 July 2026 at 08:42

Edhe pse tregu i punës në Shqipëri vijoi të përmirësohej gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar mbeten jashtë tregut edhe pse janë në kërkim të punës.

Të dhënat e publikuara në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë, ndërsa pesha më e madhe e tyre i përket grup-moshave të reja, duke treguar vështirësitë që hasin të diplomuarit në gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve.

Sipas statistikave, nga 17,800 të papunët me arsim të lartë në kërkim të punës, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 i përkasin grup-moshës 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida më e madhe është hyrjen e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.

Grupi më i madh pas të rinjve është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet shumë më i ulët.

Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë, nga të cilët 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend që duan të punojnë por nuk gjejnë punë.

Fakti që mbi gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç tregon se kalimi nga arsimi i lartë drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.

Arsyet kryesore lidhen me mospërputhjen mes diplomave dhe kërkesës reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar dalin nga universitetet me profile që nuk përkojnë gjithmonë me nevojat e bizneseve.

Një tjetër faktor është mungesa e përvojës, pasi të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.

Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve përballen me pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin, duke mos pranuar punë që nuk lidhen me profesionin apo që ofrojnë paga të ulëta dhe kjo e zgjat periudhën e papunësisë pas diplomimit.

Kryesore mbetet mungesa e lidhjes se arsimit me nevojat e tregut. Praktikat profesionale, orientimi i karrierës dhe bashkëpunimi me kompanitë nuk janë ende të mjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla në punë më të shpejtë./ Monitor.al

Mundësi investimi, rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare

28 July 2026 at 08:33

Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë.

Ankandi do të jetë rihapje e atij të muajit qershor, që pati shënuar një rritje të mëtejshme në yield-in e këtyre instrumenteve.

Kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të muajit prill. Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankandin e fundit u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e zhvilluar të mërkurën kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit prill.

Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankand u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare kanë shënuar një korrigjim në rritje duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, pas një tendence në rënie të vazhdueshme prej afërsisht dy vjetësh.

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe inflacioni kanë forcuar pritshmëritë për rritje të normave të interesit.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin qershor inflacioni arriti nivelin 3.2%, më i larti që prej fundit të vitit 2023.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë edhe në mbledhjen e fundit, në fillim të këtij muaji, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%, me argumentimin se goditja e ofertës nga kriza në Lindjen e Mesme do të jetë kalimtare.

Por, rikthimi i shtrenjtimit të çmimeve të naftës gjatë muajit korrik ka krijuar premisa për rritje të mëtejshme të inflacionit në afatin e shkurtër, ndërsa një zgjidhje përfundimtare e konfliktit mes SHBA dhe Iranit nuk duket ende në horizont.

Nga ana tjetër, edhe inflacioni bazë, po shënon nivele të larta dhe në rritje. Në qershor, inflacioni bazë arriti në 3.54%, niveli më i lartë që prej vitit 2023.

Në këto kushte, gjasat për një rritje të afërme të normave të interesit duket se po shtohen.

Kjo pritet të ushtrojë presione rritëse mbi yield-et e titujve qeveritarë, sidomos të atyre me maturim më afatgjatë. Edhe për këtë arsye, ankandi i obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që kërkojnë të rrisin kthimet nga kursimet ose portofolet e tyre të investimeve.

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand./ Marrë nga Monitor

Nahaylo ngre alarmin: Ja si Rusia synon të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan

By: E B
27 July 2026 at 23:00

Kryeredaktori i Kyiv Post, Bohdan Nahaylo, deklaroi ne War Report se Rusia synon të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan duke dobësuar influencën e vendeve perëndimore dhe institucioneve demokratike.

Sipas tij, Moska kërkon të zbehë ndikimin e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë në rajon, ndërsa përveç objektivave politike, ndjek edhe interesa ekonomike.

Ai tha se për dekada Rusia është paraqitur si furnizuesi kryesor i energjisë në Evropën Lindore, duke e përdorur këtë rol edhe për të promovuar politikat e saj.

Nahaylo u shpreh se Rusia përfiton nga konfliktet dhe tensionet mes vendeve fqinje, duke synuar të ndërhyjë dhe të paraqitet si faktor zgjidhjeje. Sipas tij, krijimi dhe shfrytëzimi i tensioneve është pjesë e strategjisë së Moskës për të rritur ndikimin e saj në rajon.

“ Duan të kenë ndikimin e tyre në Ballkan, të zbehin influencat demokratike nga SHBA-ja, Brukseli apo Britania. Është politike, por ka edhe interesa ekonomike, sepse për dekada Rusia e ka prezantuar veten si furnizuesi kryesor i energjisë dhe jemi në tregun e Evropës Lindore, duke promovuar politikat e tyre, por edhe veten si mundësuesit gjenerozë të energjisë. Rusia shpërbën dhe pushton, janë të interesuar në konflikte për të vendosur fqinjët kundër njëri-tjetrit dhe të përfitojnë nga tensionet. Nëse ka tensione, duan të ndërhyjnë për të thënë se janë një mundësi.”, tha ai.

Rumania dëbon ambasadorin rus, Bukureshti e shpall “person të padëshiruar” pas rrëzimit të dronëve

By: E B
27 July 2026 at 22:54

Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë njoftoi sot se ambasadori rus, Vladimir Lipaev, u shpall person i padëshiruar, pasi ushtria rumune rrëzoi tre dronë mbi territorin e Rumanisë, të cilët u përcaktua se ishin rusë.

Në njoftim thuhet se ambasadori rus ka pesë ditë kohë për të lënë Rumaninë, si dhe se ambasadori rumun në Rusi do të ftohet në Bukuresht për konsultime.

Ambasadori rus u ftua në një takim nga ministrja rumune Oana Coju, dhe në takim atij iu dorëzua një notë verbale me anë të së cilës pala rumune e informonte atë për zbatimin e deklaratës mbi statusin e papranueshëm të një anëtari të misionit të Federatës Ruse në Bukuresht.

BE gati të ndryshojë rregullat e lojës, në shqyrtim plani për të kufizuar veton pas përplasjeve për sanksionet ndaj Rusisë

By: E B
27 July 2026 at 22:47

Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra për t’i bërë shtetet anëtare më pak të prirura të përdorin veton. Greqia bllokoi miratimin e paketës së 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke kërkuar një përjashtim për anijet Dinagas.

Athina ka kërkuar prej javësh një përjashtim nga sanksionet për anijet Dinagas që të vazhdojnë transportin e gazit natyror të lëngshëm rus (LNG) fitimprurës, si kusht që Greqia të bjerë dakord për një sërë masash të tjera që synojnë sistemin financiar të Rusisë dhe të ardhurat nga eksporti i naftës.

Sipas gazetës, tre zyrtarët thanë se aktualisht po punohet për të gjetur mënyra për të kufizuar taktikën, e cila po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në negociatat e sanksioneve të BE-së, ndërsa shtetet anëtare kërkojnë të mbrojnë kompanitë që ende bëjnë biznes me Rusinë.

“Mos bëj cubin me administratën”, Manjani kritikon Shehajn: Dokumentet u grabitën me dhunë

By: E B
27 July 2026 at 22:38

Ish-ministri Ylli Manjani, i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, në Euronews Albania, ka folur në lidhje me veprimin e sotëm të deputetit Agron Shehaj, për të cilin tha se nuk është mirë që “të bësh cubin” me punonjësin e administratës.

Manjani e quan gjestin e Shehajt jo thjeshtë vjedhje por grabitje, e cila është një shkallë më e lartë dhune, prandaj sipas tij veprimi është “i papranueshëm pa diskutim”, si civilisht ashtu edhe politikisht.

“Çështja, po, pra, por çështja është kjo që asgjë e dhunshme nuk legjitimohet. Sepse, në qoftë se ne i legjitimojmë kamikazët sepse dikush ma bën me të padrejtë dhe unë duhet të vendos bomba që të shkoj në parlament, apo të shkoj të zihem me gardistin apo me punonjësen e administratës, aq më tepër nuk legjitimohet të vjedhësh dokumente. Në fakt nuk i ka vjedhur, i ka grabitur. Është në një shkallë më të lartë se vjedhja, sa i ka marrë me dhunë. Kështu që ai veprim është i papranueshëm, është pa diskutim i papranueshëm në kuptimin civil dhe politik të fjalës.

Tani, kur je deputet në parlament, domethënë duhet të bashkëjetosh me rregullat e përbashkëta, dhe në qoftë se rregullat e përbashkëta nuk janë të ndershme, kur nuk janë të drejta, do të bashkëjetosh me to, ose përndryshe ik, vëlla, se ajo nuk të shkon, nuk të përshtatet parlamenti. Ik, shiko një punë tjetër. Kjo është fakt. Unë nuk jam për përjashtime ekstreme të deputetëve. Kam qenë kundër ndryshimeve të rregullores që u bënë atëherë për këto përjashtime afatgjata.

Duhet të jetë subjekt për t’u parë, për t’u hetuar dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, çfarë ka qenë qëllimi, çfarë ka qenë historia, si ndodhi faktikisht, duhet të ketë një hetim. Unë nuk po të them ta vëmë në hekura, se edhe këtë s’ta them. Ju e dini që unë jam kundër hekurave. Kam qenë kundër hekurave në jetë të jetëve.”, tha Manjani.

Shënim/ Heshtja cinike e grave të opozitës për aktin e rëndë të Agron Shehajt ndaj një gruaje

By: E B
27 July 2026 at 22:30

Akti i Agron Shehajt në Kuvend ishte i rëndë, përpos aspektit ligjor, ishte skandaloz në nivelin njerëzor.

Marrja e dokumentit në zyrën, në prani të një vajze që kishte për detyrë të ruante sipas protokollit, është një veprim i ulët, i paedukatë dhe cinik.

Së paku, vendi i punës së vajzës është rrezikuar seriozisht vetëm nga akti i grabitjes së dokumentit. E tronditur ajo e ka ndjekur deputetin duke ju lutur, por Shehaj ka vrapuar, duke u future në sallën e seancave plenare, duke rrëshqitur me vrap.

Punonjësja e administratës, duke rendur për ta takuar është rrëzuar nëpër shkallë, padyshim e tronditur më shumë shpirtërisht e psikologjikisht sesa fizikisht.

Ka shumë gjasa, që euphoria e Agron Shehajt, i ekzituar nga dalldia për ta nxjerrë në reels një copë letër që të bënte bujë, as nuk e ka pasur mendjen tek trazimi i një vajze që punon për deputetët.

Pamjet bënë xhiron e rrjetit, e deri tani askush nga koleget gra e vajza të opozitës nuk e ka thënë asnjë fjalë. Kur për ëdo gjë që verbalisht ndodh në seancë, ku ndonjë deputet thotë ndonjë fjalë jo politicaly correct bëhet nami.

Fillon stuhia online për diskriminimin dhe fyerjet ndaj grave që nuk pushon një jave. Sot dikush nga gratë e PD-së, së paku duhet të thoshte një fjalë, që lufta politike e ashpër nuk duhet të prekë njerëzit e administratës.

Ndërkohë përpara asaj ngjarje që është më e rëndë psikologjikisht, koleget deputete nga të gjitha partitë, duhet të dilnin në kor për ta mbështetur atë nëpunëse, për të cilën tmerri fillon që nesër.

Kur sië ndodh tek ne eprorët do ta akuzojnë se nuk e ka ruajtur dokumentin e klasifikuar, mund të marrin edhe masë, ndërkohë që dalja në rrjet e asaj shëmtire është një odise më vete.

Mirëpo asnjë fjalë nga organizatat e shoqërisë civile që bërtasin me të madhe në rrugë se kush i përfaqëson apo jo, ndërkohë që Agron Shehaj, pa asnjë arsye, pa asnjë dobi, kamarrë nëpër këmbë një punonjëse të administratës, e cila është në punën e saj. E gjendur në furtunën e luftës politike, ku rrezikoi të thyejë qafën, e askush nuk ka shprehur keqardhje. Nesër do të shpikin viktima të reja, duke lëshuar lot krokodili…./Tema

SHBA-Iran, tensionet mbeten të larta! Teherani mbyll derën e bisedimeve, Hormuzi vijon i bllokuar

By: E B
27 July 2026 at 22:26

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë të mbeten të larta, teksa Teherani ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të bisedimeve direkte me Uashingtonin dhe ka konfirmuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur për lundrimin normal.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se mesazhet mes dy vendeve po transmetohen vetëm përmes ndërmjetësve ndërkombëtarë, përfshirë Omanin. Qëndrimi i Teheranit vjen në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi nga Uashingtoni se dritarja e diplomacisë po mbyllet me shpejtësi.

“Nuk ka shumë kohë. Ose do të shkojë shpejt ose aspak,” u shpreh Trump gjatë një deklarate për median Axios, duke e bërë të qartë se SHBA-ja është e gatshme për “veprime të forta ushtarake” nëse kanalizimi diplomatik dështon.

Bllokada në Ngushticën e Hormuzit dhe incidentet detare

Situata në Ngushticën e Hormuzit — një nga pikat më kritike të tranzitit global të energjisë — mbetet tejet e ndjeshme. Televizioni shtetëror iranian raportoi se Marina e Gardës Revolucionare (IRGC) ndaloi gjashtë anije gjatë natës, pasi ato tentuan të lundronin përmes rrugëve të pamiratuara nga autoritetet e Teheranit, duke përdorur edhe të shtëna paralajmëruese.

Pavarësisht bllokadës, çmimet e naftës së papërpunuar (Brent) pësuan një rënie të përkohshme prej 7% në tregjet ndërkombëtare, duke zbritur nën 90 dollarë për fuçi, si pasojë e një pauze dyditore në goditjet ushtarake mes palëve.

Trazirat detare u përhapën gjithashtu edhe në Detin Kaspik, ku Irani paralajmëroi për pasoja “të paparashikueshme” pasi Ukraina ndërmori sulme me rreze të gjatë veprimi ndaj anijeve iraniane që transportonin ngarkesa ushtarake.

Pasoja humanitare dhe reagimet rajonale

Ndikimi i përplasjes ushtarake po rëndon së tepërmi mbi popullsinë civile dhe vendet fqinje. Kriza e ujit në Iran, zyrtarët në provincën Hormozgan raportuan se sulmet e fundit ajrore amerikane kanë dëmtuar 18 objekte të shkripëzimit të ujit të detit (10 prej të cilave janë shkatërruar tërësisht), duke lënë pa ujë të pijshëm mbi 120,000 banorë në kushtet e nxehtësisë extreme ku temperaturat kalojnë 40 gradë Celsius.

Mbrojtja ajrore e Arabisë Saudite njoftoi se ka shkatërruar disa dronë të nisur nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, të cilët kishin në shënjestër impiantet e naftës në Provincën Lindore dhe në Riad. Kryeministri irakian, Ali Faleh al-Zaidi, urdhëroi hetimin e menjëhershëm të incidentit, duke premtuar ndjekje penale për çdo grup që përdor territorin irakian për të sulmuar vendet fqinje.

Masat emergjente në Evropë

Valët e krizës energjetike kanë prekur drejtpërdrejt ekonomitë evropiane. Qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni miratoi me dekret emergjent uljen e taksave mbi naftën me 17 centë për litër deri më 6 gusht, në një përpjekje për të lehtësuar barrën mbi sektorin e transportit dhe bujqësisë.

Gjersa diplomacia ndërkombëtare vazhdon përpjekjet prapa skenës për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak, situata në Gjirin Persik mbetet e paqëndrueshme.

“Shkelje e Kushtetutës dhe arrogancë”, analisti kritikon miratimin e huasë me SHBA-në

By: E B
27 July 2026 at 22:19

Analisiti Artan Hoxha i ftuar këtë të hënë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me miratimin e marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha u shpreh se neni 83 i Kushtetutës kërkon që edhe për miratime të përshpejtuara të zbatohet afati prej të paktën 7 ditësh, ç’ka shtoi se miratimi i sotëm përbën një shkelje të procedurës kushtetuese nga mazhoranca.

Ndër të tjera, ai e ka cilësuar marrjen e dokumentit nga deputeti Agron Shehaj si një ‘mosbindje civile’. Hoxha e ka cilësuar rezultatin e sotëm si arrogancë të mazhorancës dhe mosdhënies së të drejtës për të lexuar atë që po votohet.

“Me datë 24 korrik, Këshilli i Ministrave miraton një projekt-marrëveshje dhe ja përcjell po atë datë si projektligj Kuvendit. 24 i shtati i këtij viti, firmosur nga vetë Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i Shqipërisë.

Kushtetuta në nenin 83 thotë: mund të bëhet miratim i përshpejtuar, por asnjëherë jo më pak se një javë. Tani sot jemi me datë 27. A jemi përballë një shkeljeje ashiqare të Kushtetutës? Nga 24 në 27? Çfarë urgjence paska patur që duhet me patjetër sot?

Përsëritet ngjarja kur ishte marrëveshja për Bordin e Paqes. Pra, e njëjta arrogancë në këtë rast sot është edhe në shkelje ashiqare të Kushtetutës. Kushtetuta thotë 7 ditë minimumi, jo më pak se 7 ditë! Këta e bëjnë me 3.

Pse e bën? Për të demonstruar zell prej shërbëtori, për të demonstruar dhunë prej autoritari në shtëpi dhe shërbëtori në raport me Shtetet e Bashkuara, s’ka shpjegim tjetër! Dhe të dyja anët e së njëjtës medalje janë, natyra e autokratit.

Opozita thotë shumë qartë, respektojmë marrëveshjen, respektojmë dhe Kushtetutën. Pse nuk e pranojnë këta? Sepse duan edhe që në një mënyrë a një tjetër ta vendosin opozitën në pozicionin antiamerikan. Po nuk e pësoi opozita fare, asgjë.

Sepse dhe ata amerikanët atje në fakt çuditen me qeverinë, sepse atyre ç’u duhet miratimi i marrëveshjes së Amerikës në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë.

Një marrëdhënie ndërshtetërore i vihet një dampë, dhe po që se do kishte nevojë Amerika për një urgjencë kaq të madhe nga Shqipëria, ore ne dhe Kushtetutën e ndërronim. E ndërronim atë nenin, bëhen 96 vota më shumë dhe e ndërronim. Shteti serioz e respekton Kushtetutën e vet.

Pra, rezultati i kësaj gjëje është karagjozllëk nga një krah dhe arrogancë nga krahu tjetër. E dyta, çfarë sekreti ka në atë marrëveshje që u rruaka me 7 palë zinxhirë? Ku është argumentimi i sekretit të kësaj marrëveshjeje?”, tha ai ndër të tjera.

Gazetari për marrëveshjen me SHBA-në: Opozita po bën teatër, por mazhoranca duhej t’i jepte edhe një javë kohë

By: E B
27 July 2026 at 22:10

Gazetari Mentor Nazarko duke analizuar marrëveshjen e huasë së Shqipërisë me SHBA-të, thotë se opozita po bën teatër, megjithatë mazhoranca duhet t’ia jepte PD-së edhe një javë kohë. Sipas Nazarkos një vendim i tillë nga PS nuk do të cenonte seriozisht afatin e shtatorit, sikurse pretendon deputeti Vengu.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nazarko vuri në dukje se ka një farë arbitrariteti në sjelljen e mazhorancës në sjelljen e saj në raport me opozitën. Sipas gazetarit Shqipëria do të duhej të ndiqte modelin kroat, ku në kuadër të integrimit të kishte një mirëkuptim parlamentar, ose më të gjerë.

Kjo nuk përjashton që qeveria është sjellë gjatë një viti e pak në mënyrë triumfaliste me opozitën. Kjo opozitë e drejtuar nga z.Berisha e ka ndryshuar faqen, s’është ajo e fundit të mandatit të tretë. Kishte kuptim që mazhoranca t’i ofronte kësaj opozite, pa filluar protesta, se tani që ka filluar protesta është tjetër dinamikë…Unë e kuptoj që opozita s’do të dali konsensuale as për marrëveshjen me Amerikën, as për Reformën Territoriale apo Zgjedhore. Por në periudhën para protestës kishim mundësi të ndiqnim modelin kroat, që në kuadër të integrimit të kishim një lloj mirëkuptimi parlamentar, apo edhe më gjerë, dhe t’i përgjigjeshim kësaj sjellje të opozitës, e cila ka qenë përgjithësisht konstruktive. Unë mendoj që edhe opozita po bën teatër. Ose duhet të na tregojë z.Vengu që shiko po ta shtynim edhe një javë…Unë mendoj që duhet t’ia jepnit edhe një javë deri të premten tjetër, atëherë kjo cenonte seriozisht afatin e shtatorit, por unë s’besoj se është kështu. Unë mendoj që ka një farë arbitrariteti, ka qenë sistematike kjo, edhe mohimi i komisioneve hetimore, përjashtimet nga Parlamenti”, tha Nazarko.

Terrori në Paris! Sulmoi me thika tre gra në rrugë, 31-vjeçari: Më urdhëroi Allahu ta bëj!

By: E B
27 July 2026 at 21:58

Tre gra, njëra prej tyre shtatzënë, u sulmuan me thikë pranë një stacioni tramvaji, në veri të Parisit.

Autoritetet franceze raportuan se dy nga të plagosurat u dërguan në spital në gjendje të rëndë, ndërsa njëra pësoi lëndime më të lehta.
Për ngjarjen u arrestua një 31-vjeçar, i cili sulmoi gratë në rrugë me dy thika kuzhine. Sipas policisë, të plagosurat në veri të kryeqytetit ishin të moshës 19, 24 dhe 36 vjeçe.

“Pamë një burrë që kaloi me dy thika dhe goditi tre persona. Pastaj një i ri e goditi autorin me çantën e tij, duke e rrëzuar përtokë”, thanë dëshmitarët nga vendngjarja.

Ndërkohë, një oficer policie jashtë detyrës ndërhyri menjëherë, duke neutralizuar dhe arrestuar autorin. Identiteti i të dyshuarit dhe motivi i sulmit nuk janë ende të qarta.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se i dyshuari ka bërë deklarata të paqarta para grupit hetimor, ndërsa kërkoi të mos nxirreshin përfundime të nxituara mbi motivin e sulmit.

Referuar dëshmive dhe videove nga vendngjarja, Reuters shkruan se menjëherë pas sulmit, autori i dyshuar është dëgjuar të thotë “Allahu më urdhëroi ta bëj këtë”.
Zyra e Antiterrorizmit në Francë bëri të ditur se po ndjek procedurën e zhvilluar nga Prokuroria e Parisit.

“Nuk publikohen shifrat”, alarm në Uashington për stokun e raketave amerikane në përballjen me Iranin

By: E B
27 July 2026 at 21:47

Raketat përdoren si në mënyrë ofensive, për të goditur objektiva, ashtu edhe në mbrojtje, për të ndërprerë sulmet iraniane.

Burime për prestigjiozen amerikane Wall Street Journal theksojnë se në Uashington ka shqetësime në lidhje me numrin e raketave që i kanë mbetur ushtrisë amerikane.

Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, mund të duhen nga tre deri në pesë vjet për prodhimin e një rakete të re, në varësi të llojit të raketës. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni po u bëjnë presion kontraktorëve të mbrojtjes që ta përshpejtojnë këtë proces, por prodhimi mund të rritet vetëm deri në një nivel të caktuar. Prodhimi i një rakete është shumë më i ndërlikuar sesa prodhimi i një kositëseje bari.

Qeveria nuk dëshiron të zbulojë se sa raketa i kanë mbetur, pasi nuk dëshiron t’i tregojë Iranit, Rusisë, Kinës apo Koresë së Veriut se Shtetet e Bashkuara mund të kenë dobësi. Për të qenë të qartë, këto janë shifra që qeveria nuk dëshiron t’i publikojë kurrë, madje as në kohë paqeje.

Stoqet e municioneve ruhen me kujdes. Në një shenjë të epokës në të cilën ndodhemi, nëse u kërkoni platformave të inteligjencës artificiale të profilit të lartë të vlerësojnë stokun e mbetur të raketave amerikane, do të merrni një përgjigje. Sigurisht, ky nuk është grupi i të dhënave aktuale të qeverisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nga ana e tij, ka deklaruar se SHBA-të kanë raketa më se të mjaftueshme. Megjithatë, brenda qeverisë amerikane ekziston shqetësimi se, nëse lufta me Iranin përshkallëzohet me shpejtësi, ky tension mund të bëhet edhe më i madh.

Kjo është arsyeja pse, me SHBA-të në një pikë të re kthese në përballjen me Iranin, zyrtarët po përpiqen të përcaktojnë mënyrën më të mirë të veprimit, edhe pse nuk do të zbulojnë shifrat specifike që qëndrojnë në themel të këtij shqetësimi.

❌