Normal view

Rriten aksidentet rrugore, Tirana me numrin më të lartë të rasteve

By: A R
28 July 2026 at 09:47

Aksidentet rrugore në vend u rritën në qershor, ndërsa numri i tyre në gjysmën e parë të vitit u zgjerua me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë një kërcim të muajit të gjashtë të vitit ku edhe pasojat në plagosje dhe humbje jete kanë qenë më të larta.

Gjatë qershorit u regjistruan 132 aksidente, ku mbetën të vrarë ose të plagosur 186 persona, nga 107 aksidente dhe 140 të aksidentuar në të njëjtin muaj të vitit 2025. Në periudhën janar-qershor 2026 u regjistruan 679 aksidente rrugore, nga 636 një vit më parë.

 

Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 952, krahasuar me 883 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Sipas INSTAT, 93.9% e aksidenteve të regjistruara në qershor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 35–44 vjeç përbënte peshën më të madhe të drejtuesve të përfshirë në aksidente, me 28% të totalit.

Tirana regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve në vend gjatë gjashtëmujorit, me 277 raste dhe 345 persona të vrarë ose të plagosur. Pas saj renditen Lezha me 74 aksidente dhe Vlora me 67.

Një në katër aksidente ndodhi në intervalin 19:00–24:00, ndërsa dita me numrin më të lartë të rasteve ishte e marta, me 18.9% të totalit. E enjtja regjistroi incidencën më të ulët, me 7.6%.

INSTAT thekson se të dhënat janë paraprake dhe subjekt përditësimi./Monitor

BE mobilizon avionë dhe zjarrfikës për zjarret që po përfshijnë Francën dhe Spanjën

By: A R
28 July 2026 at 09:46

Bashkimi Evropian(BE) ka vendosur avionë zjarrfikës, helikopterë dhe personel në Francë dhe Spanjë, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen në të dy vendet, duke detyruar më shumë se 300.000 njerëz të evakuohen ose të strehohen në vend, tha të hënën Komisioni Evropian.

Ndihma, e mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, përfshin shtatë avionë dhe katër helikopterë të dërguar në Francë nga Republika Çeke, Kroacia, Gjermania, Portugalia, Sllovakia, Suedia dhe Turqia, sipas një deklarate të komisionit.

Për Spanjën, blloku ka mobilizuar gjashtë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Turqia, ndërsa Portugalia ka vendosur 134 personel dhe 41 automjete për të mbështetur përpjekjet e zjarrfikësve.

Një oficer ndërlidhës i Komisionit Evropian është vendosur gjithashtu në Bordo për të ndihmuar në koordinimin e ndihmës së BE-së me autoritetet franceze.

 

 

Komisioni i BE-së tha se ekipet e zjarrfikësve nga disa vende evropiane ishin vendosur tashmë në Francë dhe Spanjë përpara sezonit të zjarreve, si pjesë e masave të gatishmërisë së BE-së, duke i lejuar ata të përgjigjen menjëherë pas daljes së zjarreve.

Evropa po lufton me një valë zjarresh shkatërruese, veçanërisht në Francë, Spanjë dhe Greqi, pasi temperaturat në rritje nxisin zjarre të shumta në të gjithë kontinentin.

Në Spanjë, zjarret vazhduan të digjen gjatë natës në Avila dhe Madrid, duke djegur rreth 45.000 hektarë (111.200 hektarë) dhe duke detyruar rreth 100.000 njerëz të evakuohen ose të strehohen në vend.

Bombardime vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, tre të vrarë dhe gjashtë të plagosur në Dnipropetrovsk

By: A R
27 July 2026 at 22:37

Tre persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve ruse në rajonin e Dnipropetrovskut, në juglindje të Ukrainës.

Guvernatori i rajonit, Oleksandr Khanza, bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se forcat ruse kanë sulmuar me artileri dhe dronë disa zona të rajonit.

Sipas tij, dy persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në qytetin e Nikopolit. Një grua humbi jetën në zonën e Sinelnikovos, ndërsa një burrë mbeti i plagosur në qytetin e Pavlohradit.

Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë pasojat e sulmeve, me ndërtesa dhe infrastrukturë të dëmtuar.

Forcat ruse kanë bombarduar Ukrainën pothuajse çdo ditë që nga nisja e ofensivës ushtarake në shkurt të vitit 2022. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës konsiderohet konflikti më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje vijojnë të mbeten pa rezultat.

“Vija e kuqe u kalua!”, Gent Progni nga protesta: Polici civil tentoi të më godiste me thikë! Presion bizneseve, po fshijnë pamjet e kamerave

By: A R
27 July 2026 at 22:29

Aktivisti Gent Progni ka bërë deklarata të forta gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ndërsa deklaroi se një efektiv, civil, ka tentuar ta godasë me thikë sot nga tubimi që mbajt para Kuvendit. Ai shtoi se, sipas tij, po ushtrohet presion edhe ndaj bizneseve që mund të kenë regjistruar pamje të incidentit.

“E nisën dhunën në Zvërnec. U dhunuam nga bodyguardët e Ulsiut. Na fshinë kamerat. Sot një polic civil, Edison Duza, oficer pranë Drejtorisë së Policisë, më tërhoqi dhe më tha: ‘Pse po filmon?’. Nxori thikën dhe tentoi të më godiste.Po mundohen të fshijnë pamjet e argjendarive që kanë filmuar. U kanë shkuar dhe u bëjnë presion që të mos i publikojnë. Vija e kuqe është kaluar, nuk durojmë dot më. Nuk trembem nga plumbi e jo më nga thikat. Do të jemi këtu në shesh dhe do të jemi atje me vezë. Nuk trememi nga policia dhe nga asnjë skenar dhune që ata përgatisin”, u shpreh ai. Në përfundim, aktivisti theksoi se, sipas tij, protesta nuk zhvillohet për interesa personale apo poste politike, por për të kërkuar ndryshim të sistemit.

“Jemi aty për familjet tona, jo për poste apo për të ngritur mirëqenien aktuale, por që ky sistem të marrë fund, deri sa Edi Rama të japë dorëheqjen”, deklaroi Progni.

Protestë për mungesën e ujit të pijshëm në fshatin Zvezdë të Maliqit, banorët paralajmërojnë bllokim të rrugëve

By: A R
27 July 2026 at 22:15

Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, zhvilluan një protestë duke ngritur shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm, problem që sipas tyre vazhdon prej dekadash, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit.

Gjatë protestës, banorët pretenduan se investimi i realizuar për ujësjellësin nuk ka dhënë rezultat, ndërsa akuzuan institucionet vendore për mungesë kontrolli mbi punimet dhe cilësi të dobët të projektit. Sipas tyre, megjithëse janë shpenzuar qindra milionë lekë për këtë investim, fshati vijon të mbetet pa furnizim të rregullt me ujë.
“Këto rrugë kanë nga 10 tuba të shtrira që në kohën e Enver Hoxhës dhe ujë s’kemi pirë ne., Kështu na gënjejnë si këtë radhë. Ata vunë tuba pa hapur pusin, pompa u dogj” tha një prej tyre.

Protestuesit deklaruan se janë të gatshëm të financojnë vetë hapjen e puseve për të siguruar ujin, duke kërkuar që në këtë rast të mos paguajnë tarifën e furnizimit me ujë. Ata thanë se banorët detyrohen të mbushin ujë në një çezmë të vetme të fshatit, ku sipas tyre krijohen radhë që në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar edhe konflikte mes banorëve.
“Në çdo vend të Zvezdës të shposh ka ujë. Kjo protestë po bëhet për 20 milionë lekë që s’do të investojë Bashkia. Groposi 480 milionë lekë në dhe, u tall me lekët e fshatarëve dhe tani thonë s’ka ujë.  Ne do t’i hapim puset me lekët tona dhe nuk duam që të vijnë të na masin sahatin e ujit” tha një qytetar.
Në fjalën e tyre, protestuesit shprehën pakënaqësi edhe për mungesën e investimeve të tjera në infrastrukturë, duke përmendur rrugët, kanalizimet dhe furnizimin me energji elektrike. Ata pretenduan se premtimet e dhëna ndër vite nga drejtuesit vendorë nuk janë mbajtur.
“Kjo lagje, kemi një cezme të rrjedhshme dhe në 3:30 të mëngjes gratë janë atje dhe rrihen dhe pastaj dalim ne burrat. Jemi zënë dhe rrahur , s’kemi muhabet me njëri tjetrin, përse? Për ujë. Kemi 35 vjet që paguajmë taksa. Unë paguaja 2700 Lek vajti 5500 Lek. Ku shkojnë këto taksat tona?” tha një prej tyre.
Gjatë protestës pati edhe deklarata me tone të forta politike ndaj drejtuesve të Bashkisë Maliq dhe qeverisë, ndërsa disa prej protestuesve paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje, javën e ardhshme do të përshkallëzojnë protestën duke bllokuar akset kryesore rrugore në zonë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm, duke theksuar se ky është shqetësimi më i madh për rreth 2,200 banorët e fshatit.

FOTOLAJM/ Përplasjet me policinë para Parlamentit, protestuesit u lënë mesazhin gjigand në shesh: Ndalni dhunën!

By: A R
27 July 2026 at 22:09

Pas tensioneve dhe përplasjeve të shënuara gjatë protestës së sotme para Parlamentit, qytetarët kanë lënë një mesazh të madh në shesh, duke kërkuar ndalimin e dhunës.

Me shkronja të mëdha në bulevard është shkruar thirrja “NDALNI DHUNËN!”, si një reagim ndaj përballjes mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë tubimit të fundit.

Mesazhi është vendosur në hapësirën ku prej javësh zhvillohen protestat kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë akuzuar policinë për përdorim force ndaj qytetarëve.

Përplasjet para godinës së Parlamentit sollën edhe shoqërime të disa protestuesve, ndërsa aktivistët kanë kërkuar reagim nga institucionet për rastet që ata i kanë cilësuar si joproporcionale ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.

Shehaj mori dokumentin konfidencial të marrëveshjes me SHBA, reagon Rama: Prokuroria t’i tregojë vendin grabitësit

By: A R
27 July 2026 at 21:47

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me incidentin e ndodhur në Kuvend, ku Agron Shehaj mori një dokument konfidencial dhe u largua me vrap.

Në reagimin e tij, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj autorit të ngjarjes, duke e akuzuar për vjedhje dhe duke kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul ‘hajdut’ kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.

Uroj, po nuk shpresoj, që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje. Ndërkohë, i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme, duke falënderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama në Facebook.

Salianji sulmon Ramën: Shqiptarët luftojnë zjarret me degë pemësh, ai shitet si “shpëtimtari” i Europës

By: A R
27 July 2026 at 21:46

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit për gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar vendet europiane në përballimin e zjarreve. Në një postim në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi situatën “jo për të qeshur, por për të vënë duart në kokë”, duke akuzuar Ramën se ka dështuar në qeverisjen e vendit dhe se po përdor propagandën për të krijuar imazhin e një “shpëtimtari” të Europës.

Sipas tij, ndërsa zjarrfikësit shqiptarë përballen me mungesë mjetesh dhe pajisjesh, kryeministri promovon ndihmën për vende të tjera. Ai shton se qeveria ka lënë pas dore investimet, shërbimet publike dhe kapacitetet për përballimin e emergjencave, ndërsa i kërkon kryeministrit të japë dorëheqjen.

REAGIMI I SALIANJIT
Nuk është për të qeshur, por për të vënë duart në kokë. Njeriu që i ka vënë zjarrin Shqipërisë me keqqeverisje, mungesë investimesh, braktisje të shërbimeve publike, korrupsion dhe kriminalizim të administratës sot del e shitet si shpëtimtari i Europës.
Ndërsa zjarrfikësit shqiptarë lihen pa mjete, pa pajisje dhe në shumë raste detyrohen të luftojnë flakët me degë pemësh ose të presin derisa të bjerë shiu. Solidaritet me vendet mike por Edi Rama bën propagandë duke u vetëofruar si “shpëtimtar” për Francën dhe Spanjën. E ka degraduar qeverisjen e tij me pantallona nëpër këmbë e tani tallet me kapacitetet për të shpëtuar Evropén ??‍♂
Jep dorëheqjen që Shqipëria të ketë kapacitetet për të mbrojtur qytetarët, pyjet dhe pronat e tyre!

Ja çfarë parashikon kredia 302 mln USD nga SHBA-të: Shqipëria pritet të blejë pajisje e sisteme luftarake amerikane! Shlyerje brenda 12 vitesh

By: A R
27 July 2026 at 21:41

Foreign Military Financing (Financimi ushtarak i huaj) i njohur si FMF, është programi përmes të cilit Shqipëria do të marrë 302 milionë dollarët e parashikuar në marrëveshjen e miratuar sot. Ky program parashikohet nga Akti i Kontrollit të Eksportit të Armëve dhe u mundëson vendeve partnere të përshtatshme të blejnë artikuj, shërbime dhe trajnime të mbrojtjes së SHBA-së.

Është Sekretari i Shtetit ai që përcakton se cilat vende do të marrin FMF-në, së bashku me shumat përkatëse. Ndërsa, Sekretari i Mbrojtjes ekzekuton programet e Financimit përmes Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes, me seli në Pentagon, dhe lëshon grante dhe kredi për marrësit që plotësojnë kriteret në përputhje me Aktin.

Bisedimet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen e kredisë kanë nisur që në vitin 2024. Dhe e gjithë vlera e kredisë, do të përdoret për blerjen e prodhimeve amerikane. Shqipëria synon të marrë pajisje dhe sisteme luftarake, madje disa prej tyre edhe ofensive. Sipas marrëveshjes, dy vitet e para lihen si një dritare kohore për të negociuar llojet e pajisjeve dhe sasinë që synohet të blihet, pavarësisht se ky moment konsiderohet thuajse i ezauruar që gjatë bisedimeve paraprake.Kredisa do të lëvrohet pjesë pjesë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat do të duhet të përmbyllen brenda 4 vitesh.

Vetë kredia ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh. Ajo do të jetë me një interes që luhatet mes 4 dhe 5 përqind. Por nga ana tjetër ajo parashikon që të mund të shlyhet edhe përpara kohe, pa penalitete. Ministri i mbrojtjes Ermal Nufi e konsideron marrëveshjen një ngjarje historike

“Që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në në vitin 1990 dhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ky është akti më domethënës i mbështetjes ndaj Shqipërisë në terma konkretë dhe financiarë. Ajo nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik”, deklaroi Nufi.

Tenderi 700 mijë euro/ Përjashtimi i “Bonus” hedh hije mbi procedurën e Bashkisë së Kamzës

By: A R
27 July 2026 at 20:18

Procedurat e prokurimit publik në Bashkinë e Kamzës kanë rikthyer debatet mbi transparencën e tenderëve, pas zhvillimeve që lidhen me një kontratë me vlerë rreth 700 mijë euro për ndërtimin e rrugëve në zonat Bathore, Valias dhe Laknas.

Tenderi, me fond limit 67,954,583 lekë, u zhvillua gjatë vitit 2025 dhe synonte realizimin e punimeve infrastrukturore brenda një afati prej 115 ditësh. Në garë morën pjesë mbi dhjetë operatorë ekonomikë, ndërsa fituese u shpall kompania “Bonus” sh.p.k.

Gjatë fazës së zhvillimit të procedurës, një prej operatorëve pjesëmarrës paraqiti ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke pretenduar se disa nga kriteret e tenderit favorizonin një subjekt të caktuar. KPP pranoi pjesërisht ankesën dhe kërkoi nga autoriteti kontraktor rishikimin e dokumenteve të procedurës.

Pavarësisht ndryshimeve të kërkuara, tenderi përfundoi me shpalljen fituese të të njëjtës kompani, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe mbi transparencën e saj.

Çështja mori një tjetër zhvillim në korrik 2026, kur Agjencia e Prokurimit Publik vendosi të përjashtojë kompaninë “Bonus” nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë 6-mujore. Sipas vendimit të APP-së, masa u mor pasi gjatë procedimit administrativ u konstatua se operatori kishte paraqitur të dhëna të pasakta në dokumentacionin e përdorur për kualifikim në tenderin e Bashkisë së Kamzës.

Sipas njoftimit zyrtar të APP-së, procedimi nisi mbi bazën e informacionit të shkëmbyer me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Në përfundim të verifikimeve, Agjencia vendosi zbatimin e masës së parashikuar nga ligji për prokurimin publik, duke e përjashtuar kompaninë nga pjesëmarrja në tenderë për gjashtë muaj.

Nga të dhënat e prokurimeve publike rezulton se “Bonus” ka përfituar ndër vite një numër kontratash për punime infrastrukturore, kryesisht në Bashkinë e Kamzës, por edhe në bashki të tjera, si Dibra dhe Bulqiza. Kontratat kanë përfshirë ndërtim rrugësh, sistemime infrastrukturore dhe kanale ujitëse.

Protestues hedhin vezë ndaj automjetit të Ballës, pas deklaratës për marrëveshjen me SHBA-të

By: A R
27 July 2026 at 19:50

Menjëherë pas përfundimit të deklaratës për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për pajisje ushtarake, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste u përball me një incident.

Një grup protestuesish iu afruan automjetit të tij pranë zonës së xhamisë dhe hodhën vezë në drejtim të makinës.

Sot te Kuvendi ka pasur protestë, ndërsa brenda tij, seancë plenare.

Policia “skanon” rrugët e Dibrës, mbi 1800 gjoba vetëm në korrik, 8 shoferë në ndjekje penale!

By: A R
27 July 2026 at 14:15

Parkimi dhe ndalimi i automjeteve në kundërshtim me sinjalistikën rrugore mbetet shkelja më e përhapur në Dibër. Vetëm gjatë periudhës 1-26 korrik, Policia Rrugore ka vendosur 1586 masa administrative për këtë shkelje, në kuadër të 1858 gjobave të vendosura gjithsej.

Përveç tyre, gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 140 drejtues mjetesh për tejkalim të shpejtësisë, 45 për parakalime të gabuara, 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 11 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 7 për qarkullim me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, 5 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 53 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Sipas Policisë, gjatë të njëjtës periudhë janë proceduar penalisht edhe 8 drejtues mjetesh për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Balla: “Sorrat bërtasin, shqiponjat punojnë”, përplaset me Bardhin për marrëveshjen me SHBA

By: A R
27 July 2026 at 14:11

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka lexuar në Kuvend detaje nga projekt marrëveshja që pritet të nënshkruhet me shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes. Ndërkohë opozita krijonte gjatë të gjithë kohës kakofoni pasi pretendon se nuk i është vënë në dispozicion projekt-marrëveshja dhe detajet e saj.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Badhi u shpreh se po shkelet rregullorja e Kuvendit, pasi mesa duket socialistët janë vënë në dijeni të detajeve.

Pjesë nga diskutimi:

Balla: Zonja dhe zotërinj sorrat e korbat le të vijojnë të bërtasin, shqiponjat dhe flamengot do të vijojnë të punojnë për Shqipërinë.

Peleshi: Çdo deputet ka të drejtë të njihet me marrëveshjen, por duhet të firmoset marrëveshja e konfidencialitetit.

Bardhi: Na keni ftuar të diskutojmë për një marrëveshje për të cilën na njoftuar tani që mund ta marrim.
Ndërkohë rregullorja të detyron t’ia shpërndash deputetëve. Mendoni se Kuvendin do ta shndërroni si grupin tuaj parlamentar, ku Rama ju ka thënë se jeni vetëm kartona, nuk duhet të mendoni, por vetëm të votoni.
Kjo s’mund të jetë rregull për Kuvendin, aq më tepër për opozitën. Parafolësi tha detaje të marrëveshjes, pra një pjesë e deputetëve trajtohet ndryshe.
Na foli zotëria për marrëveshje historike, keni pasur vite kohë për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga hyrja në NATO. Kur ti protestoje kundër NATO-s ne nënshkruanim marrëveshjen e anëtarësimit. Mungesa e vizionit të qeverisë që e çoi vendin deri në momentin që të rrezikojë largimin nga Aleanca sepse nuk kishte plotësuar kushtet, është paaftësi jo urgjencë.
Jemi pro marrëveshjes që rit investimet në fushën e sigurisë dhe përmbush detyrimet e vendit tonë ndaj ANTO-s. Do ta votonim pro marrëveshjen, por ju në vend të NATO dhe partneritetit me SHBA zgjodhët inceneratorët. Nuk do të kishim nevojë të merrnim një hua të tilla. Propozoj që të martën e të mërkurën të shqyrtohet marrëveshja në Komisione dhe të premten të mblidhemi sërish për ta votuar.

“Çojeni në SPAK”/ Shehaj mori dokumentin e projekt-marrëveshjes me SHBA dhe u largua me vrap, PS kërkesë Kuvendit: Të përjashtohet me 60 ditë!

By: A R
27 July 2026 at 14:01

Partia Socialiste i ka kërkuar Kuvendit përjashtimin për 60 ditë të deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas incidentit të ndodhur gjatë seancës plenare të kësaj të hëne, ku po shqyrtohej projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kishte informuar deputetët se marrëveshja përmbante informacion të klasifikuar dhe se dokumenti mund të konsultohej vetëm në sallën “Gerti Bogdani”, pas firmosjes së një deklarate konfidencialiteti. Po ashtu, ishte ndaluar marrja ose riprodhimi i kopjeve të dokumentit.

Në kërkesë thuhet se Agron Shehaj ka insistuar ta marrë me vete kopjen fizike të dokumentit, pavarësisht sqarimeve të stafit të Kuvendit se materiali nuk mund të largohej nga salla. Sipas socialistëve, deputeti e mori me forcë dokumentin dhe u largua me të, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, që tentoi ta ndalonte dhe të rimerrte materialin, u rrëzua në shkallë duke pësuar lëndime.

 

 

PS e cilëson sjelljen e Shehajt si të dhunshme dhe agresive, duke argumentuar se ai ka rrezikuar sigurinë e stafit të Kuvendit dhe ka shkelur legjislacionin për informacionin e klasifikuar. Për këtë arsye, mazhoranca kërkon që ndaj deputetit të merret masa disiplinore e përjashtimit nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për 60 ditë, në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Po ashtu, në kërkesë kërkohet që rasti t’i referohet menjëherë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me dyshimet për disa vepra penale.

Kërkesa:
Në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 27 korrik 2026 e filluar ora 10.00, gjatë diskutimit të procedurës për shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)”, deputetët u informuan nga Kryetari i Kuvendit zoti Niko Peleshi se kjo Marrëveshje përmban informacion të klasifikuar e për pasojë deputetët që duan të njihen me të duhet të zbatojnë parashikimet dhe detyrimet e ligjit, duke u paraqitur pranë sekretarisë, në sallën “Gerti Bogdani”, ku të firmosin paraprakisht një Deklaratë Konfidencialiteti dhe se nuk mund të marrin ose të riprodhojnë kopje të këtij dokumenti.

Deputeti Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” dhe në shkelje të ligjit insistoi ta merrte kopjen fizike me vete. Stafi i Kuvendit e sqaroi se, në zbatim të ligjit materiali mund të lexohej vetëm brenda sallës dhe kopja nuk lejohej të dilte prej sallës. Deputeti nuk pranoi këtë sqarim ligjor, e grabiti me forcë materialin dhe u largua bashkë më të. Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese.

Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme.
Këto sjellje cënojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Sjellja e deputetit duke marrë më forcë dhe duke nxjerr jashtë sallës dokumentin e klasifikuar përbën shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.

Për sa më sipër, bazuar në nenin 63, dhe nenin 65/1 pika 1,6 dhe pika 7, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar; dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:

Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetin Agron Shehaj, për sjellje të përsëritura të dhunshme dhe agresive duke vënë në rrezik stafin e Kuvendit, dhe duke marrë më forcë dhe nxjerr jashtë sallës materialin e klasifikuar, që përbën shkelje flagrante të legjislacionit për informacionin e klasifikuar. Gjithashtu referuar parashikimeve të Kodit Penal, nenet 139-142, 294-296, 235, t’i referohet mënjëherë Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me dyshimet se shtetasi Agron Shehaj ka kryer veprat penale:

(i) përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
(ii) (ii) vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
(iii) (iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
(iv) (iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
(v) (v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.

Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit

By: A R
27 July 2026 at 10:35

Megjithëse Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e ekonomive të mëdha europiane, ajo renditet ndër vendet me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit. Me 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, vendi është i katërti në Europë për vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023.

Nivele më të larta se Shqipëria regjistrohen vetëm në Maqedoninë e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë-Hercegovinë, me 139, dhe Serbia, me 132.

Treguesi i Shqipërisë është më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Çfarë mat treguesi

Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, të njohura si PM2.5.

Këto grimca kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të shkaktojnë inflamacion ose përkeqësim të gjendjes së personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.

Vdekjet e parakohshme janë ato që ndodhin përpara moshës së pritshme të vdekjes, e llogaritur sipas jetëgjatësisë në secilin vend, gjinisë dhe grupmoshës. Vlerësimet mbështeten në metodologjinë e Agjencisë Europiane të Mjedisit.

PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale dhe transporti.

Ekspozimi nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve, djegien e mbetjeve dhe kushtet gjeografike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes.

Ballkani mban barrën më të rëndë

Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Europës.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 121 vdekje për 100 mijë banorë. Mali i Zi regjistron 89 vdekje, ndërsa Kroacia 75. Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian paraqiten me nivele të larta: Bullgaria ka 104 vdekje për 100 mijë banorë, Greqia 98 dhe Rumania 74.

Në skajin tjetër të renditjes janë vendet nordike. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër. Në Islandë treguesi është zero.

Shqipëria ka një normë rreth 129 herë më të lartë se Finlanda, mbi gjashtë herë më të lartë se Portugalia dhe pothuajse pesë herë më të lartë se Gjermania.

Pse Maqedonia e Veriut ka nivelin më të lartë

Maqedonia e Veriut kryeson renditjen europiane me 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Sipas OECD-së, përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 në këtë vend arriti në 22.3 mikrogramë për metër kub në vitin 2021, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe më shumë se katër herë mbi udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Burimet kryesore të ndotjes janë djegia e linjitit për prodhimin e energjisë, industria, automjetet e vjetra dhe të kontrolluara në mënyrë të pamjaftueshme, djegia e mbetjeve në mjedis të hapur dhe ngrohja e banesave.

Banka Botërore vlerëson se ngrohja e banesave është një nga burimet më të rëndësishme të ndotjes në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë dimrit. Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, sektori rezidencial gjeneron pothuajse gjysmën e emetimeve të PM2.5.

Pozita gjeografike e qyteteve, sidomos e Shkupit, përkeqëson situatën, pasi kushtet atmosferike dhe terreni favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes.

BE ka përgjysmuar vdekjet, por diferencat mbeten të mëdha

Në Bashkimin Europian, numri i vdekjeve të parakohshme që lidhen me PM2.5 ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2005, ndotja nga grimcat e imëta i atribuohej rreth 423,600 vdekjeve të parakohshme në BE. Numri ra në rreth 346,400 në vitin 2007, 286,600 në vitin 2018 dhe 182,400 në vitin 2023.

Pavarësisht përmirësimit në nivel europian, hendeku mes vendeve mbetet i gjerë. Vendet e Europës Juglindore dhe Lindore vazhdojnë të kenë një barrë shumë më të lartë shëndetësore se vendet nordike dhe ato të Europës Perëndimore.

Objektivi për vitin 2030

Treguesi lidhet me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm SDG 11, që synon qytete dhe komunitete më të qëndrueshme, dhe konkretisht me uljen e ndikimit negativ mjedisor të qyteteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë cilësisë së ajrit.

Objektivi europian është që deri në vitin 2030 të reduktohen me të paktën 55%, në krahasim me vitin 2005, ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit të shprehura përmes vdekjeve të parakohshme nga PM2.5.

Pragu i përcaktuar për BE-në është rreth 190,600 vdekje në vitin 2030. Me rreth 182,400 vdekje të regjistruara në vitin 2023, Bashkimi Europian në tërësi ka zbritur tashmë nën nivelin e synuar, por situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin./Monitor

Qytetarët rrethuan Kuvendin! Nis seanca plenare, në rend dite ndryshimet në përbërjen e komisioneve

By: A R
27 July 2026 at 10:30

Ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë seanca plenare, ku sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit të seancës së 23 korrikut, njoftimet, si dhe projektvendimin për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.

Projektvendimi do të miratohet me shumicë të thjeshtë votash, në mbështetje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Ndërkohë jashtë sallës, qytetarët kanë rrethuar Kuvendit, nën thirrjen: “Nuk na përfaqësoni, Parlament i krimit”.

Tentojnë të çajnë kordonin e efektivëve, shoqërohet aktivisti Arben Kola dhe një tjetër protestues

By: A R
27 July 2026 at 10:16

Aktivisti Arben Kola ka bërë thirrje që protesta që ishte lokalizuar para Kuvendit të nisë marshimin drejt Ministrisë së Brendshme. Qytetarët janë mbledhur sot para Kuvendit në protestën e 58 ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë së tij.

Ndërkohë pas pak pritet nisja e seancës plenare në Kuvend, ndërsa ka nisur hyrja e deputetëve në Kuvend.

Seancë dhe protestë/ “Blindohet” Kuvendi, bllokohet

By: A R
27 July 2026 at 09:45

Ditën e sotme zhvillohet seanca e radhës plenare e cilat pritet të nisë në orën 10:00. Qytetarët siç edhe paralajmëruan kanë nisur organizimin para Parlamentit.

Eshtë bllokuar edhe kalimi për qytetarët. Ndërsa për të kaluar te rruga e Elbasanit duhet të ndryshojnë destinacion.

Digjet Franca dhe Spanja, Macron thërret mbledhje krize, mbi 220 mijë qytetarë të evakuuar

By: A R
27 July 2026 at 08:44

Franca dhe Spanja po përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve pyjore të viteve të fundit, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta. Situata është veçanërisht kritike në jugperëndim të Francës, ku zjarri po i afrohet qytetit të Bordeaux.Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë këtë të hënë një mbledhje krize të kabinetit për të koordinuar përgjigjen ndaj emergjencës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën.

Kryebashkiaku i Bordeaux, Thomas Cazenave, tha se flakët ndodhen rreth 15 kilometra larg qytetit, por theksoi se aktualisht nuk ka plan për evakuimin e rreth 850 mijë banorëve. Megjithatë, dhjetëra mijëra persona janë larguar tashmë nga zonat përreth, ndërsa ministri i Brendshëm Laurent Nuñez e përshkroi situatën si “shumë të pafavorshme”, duke theksuar se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme drejt qytetit.

Parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat në disa rajone të Francës mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, çka pritet të vështirësojë edhe më shumë operacionet e zjarrfikësve.

 

 

Një fenomen i rrallë dhe i rrezikshëm, i njohur si “pyrocumulonimbus”, është krijuar mbi rajonin e Girondës. Bëhet fjalë për një stuhi gjigante të shkaktuar nga vetë zjarri, e ushqyer nga nxehtësia, erërat dhe vetëtimat që krijon. Federata Kombëtare e Zjarrfikësve të Francës paralajmëroi se fronti i flakëve ndryshon vazhdimisht, duke e bërë pothuajse të pamundur luftën e drejtpërdrejtë me zjarrin.

“Nuk e dimë se si do të përhapet zjarri. Është një betejë si Davidi kundër Goliathit,” deklaroi zëdhënësi i federatës, Eric Brocardi.

Sipas tij, vetëm reshje të dendura shiu për disa ditë ose drejtimi i flakëve drejt zonave ku mund të shuhen natyrshëm mund të ndalojnë përparimin e tyre.

Deri tani, rreth 42 mijë hektarë pyje janë djegur vetëm në jugperëndim të Francës, ndërsa që nga fillimi i vitit sipërfaqja e shkrumbuar ka arritur në 98 mijë hektarë. Autoritetet raportojnë se mbi 220 mijë persona janë evakuuar në këtë pjesë të vendit.

Edhe Spanja po përballet me një situatë dramatike. Një zjarr i ri pranë Valencias ka detyruar evakuimin e rreth 15 mijë banorëve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen.

Kryeministri Pedro Sánchez, gjatë një vizite në zonat e prekura në provincën Ávila, deklaroi se vendin e presin “orë shumë të vështira” dhe bëri thirrje për një pakt kombëtar për përballimin e emergjencës klimatike.

Ndërkohë, Mbreti Felipe VI tha se zjarret kanë shkaktuar dëme “të pallogaritshme” në trashëgiminë natyrore të Spanjës.

Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 77 mijë hektarë janë përfshirë nga flakët në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 90 mijë persona janë evakuuar nga rajonet e Madridit dhe Ávilës.

Në total, mbi 330 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë dhe Spanjë, ndërsa Evropa Jugore vijon të përballet me një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve të dekadave të fundit.

Karrotreci me një automjet të ngarkuar përfshihet në aksident në aksin Librazhd-Elbasan

By: A R
26 July 2026 at 19:54

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të diele në aksin kombëtar Librazhd–Elbasan, ku një karrotrec që transportonte një automjet është përfshirë në një incident, duke rrezikuar përkohësisht qarkullimin në këtë segment rrugor. Nuk ka ende konfirmim zyrtar për dinamikën e ngjarjes.

Whatsapp Image 2026 07 26 At 17.06.41 (1)

Foto

Sipas informacioneve paraprake, karrotreci kishte shkuar për të tërhequr një automjet që dyshohet se kishte pësuar më herët një defekt të rëndë gjatë lëvizjes në këtë aks rrugor. Gjatë transportimit të mjetit, karrotreci është përfshirë në një aksident, duke krijuar rrezik për drejtuesit e tjerë të mjeteve që qarkullonin në zonë. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohen persona të lënduar apo incidente të tjera, ndërsa dëmet paraprake duket se janë vetëm materiale. Lëvizja e automjeteve në këtë segment është zhvilluar me kujdes deri në normalizimin e situatës.

Rrethanat dhe shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Pritet që grupi hetimor të kryejë veprimet përkatëse për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet.

❌