Dy persona janë arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit, meshkuj kosovarë, dyshohet se gjatë muajit prill të vitit 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku si pasojë janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
"Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se gjatë luftës në vitin 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë", thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim. /Telegrafi/
Partneriteti komercial i Andrea Pirlos me kompaninë ruse të basteve Fonbet është arsyeja e kaosit që vazhdon të mbretërojë në futbollin italian.
Kombëtarja e madhe evropiane humbi Kupën e Botës për të tretën herë radhazi dhe Pirlo u zgjodh si trajneri që do t'ua rikthente lavdinë katër herë kampionëve të botës dhe dy herë kampionëve të Evropës. Historia sportive u bë politike dhe Pirlo mbeti pa punë.
Përpara se të ndodhte kjo, ai kishte rënë dakord për një kontratë katërvjeçare me Federatën Italiane të Futbollit me vlerë rreth 1.5 milion euro në sezon, plus bonuse.
Ai u zgjodh pasi Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola refuzuan ofertat dhe ranë dakord për një projekt që do të zgjaste të paktën deri në Kupën e Botës 2030. Pas kësaj, lindi çështja e bashkëpunimit të tij me Fonbet, për të cilën ai është ambasador global.
Bashkëpunimi në vetvete nuk ishte i paligjshëm. Pirlo, si një profesionist i pavarur, u lejua të lidhte një kontratë tregtare me Fonbet. Megjithatë, pozicioni i trajnerit të Italisë është i papajtueshëm me një kontratë aktive reklamimi me një kompani bastesh, kështu që ai do të duhej ta ndërpriste atë bashkëpunim përpara se të nënshkruante me Federatën Italiane të Futbollit.
Rasti mori një notë politike me reagimet e politikanëve italianë. Kreu i partisë Azione, Carlo Calenda, tha se njerëzit që morën pjesë në propagandën ruse pas vitit 2022 nuk duhet të mbajnë funksione kombëtare.
Kritikave iu bashkua edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, e cila beson se reputacioni i Pirlos ka kontribuar në normalizimin e regjimit të Vladimir Putinit.
Benedetto Della Vedova nga partia +Europa bëri thirrje që ai të ndërpresë kontratën me Fonbet, ndërsa Mauro Berruto nga Partia Demokratike theksoi se lidhja e trajnerit të ardhshëm me vetë industrinë e basteve është problematike.
Reagimi i Pirlos
E gjithë kjo histori e shtyu Pirlon të reagonte pasi mësoi se nuk ishte më kandidat për këtë pozicion.
“Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, kam vendosur të hesht, por pasi mësova mbrëmë se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane, ndiej se duhet të sqaroj disa gjëra”.
“Bashkëpunimi profesional që ka shkaktuar polemika së fundmi lindi gjatë punës sime në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës komerciale dhe sportive. T'i atribuosh rëndësi politike këtij bashkëpunimi është si t'i atribuosh mua bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk janë të miat”.
“Më vjen keq që një vendim me natyrë sportive u shndërrua kaq shpejt në një debat publik në të cilin më u atribuuan pikëpamje dhe qëllime që nuk janë të miat", shkroi Pirlo në profilin e tij në Instagram.
Italia është ende në kërkim të një trajneri. Sipas informacioneve që vijnë nga ai vend, favoritët kryesorë për këtë pozicion janë tani Roberto Mancini dhe Antonio Conte. /Telegrafi/
Një person i kërkuar me urdhër të Gjykatës është arrestuar mbrëmjen e së hënës në Fushë Kosovë dhe është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Kushtrim Rakën (32-vjeç).
Sipas informacioneve, arrestimi është kryer më 27 korrik, rreth orës 21:50, në rrugën “Drenica” në Fushë Kosovë, nga njësitë policore për realizimin e urdhëresave.
Pas verifikimeve, Policia ka konstatuar se ndaj Kushtrim Rakës ishin lëshuar dy urdhërarreste nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Fushë Kosovë, lidhur me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i substancave psikotrope ose analoge”.
Pas arrestimit, ai është dërguar në Burgun e Hajvalisë, ku do të vuajë dënimin me burgim, në ekzekutim të vendimit të formës së prerë të gjykatës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
KRUN "Hidromorava" Gjilan ka njoftuar se për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit, është ndërprerë furnizimi me ujë për konsumatorët në disa zona.
Sipas njoftimit, ndërprerja ka prekur banorët në: Rrugën “Mulla Idrizi”, Rrugën “Esat Berisha”, Rrugën “Elez Agushi”, Lagjen “Bujanina”.
Ekipet teknike janë angazhuar në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë në kohën më të shkurtër të mundshme.
Nga kompania bëhet e ditur se për çdo ndryshim apo informacion shtesë, konsumatorët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Konsumatorëve u është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kohës së intervenimit. /Telegrafi/
Ka nisur zyrtarisht puna e Grupit Punues Ndërinstitucional dhe Profesional, i cili do të hartojë detyrën projektuese dhe do të përcaktojë kushtet, kriteret teknike dhe standardet profesionale për hartimin e projektit të konservimit, restaurimit dhe muzealizimit të ish-"Shtëpisë së Armatës" në Mitrovicë.
Sipas njoftimit të Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, objekti, bazuar në vendimin e Kuvendit Komunal, do të shërbejë si selia e përhershme e Muzeut të Mitrovicës.
Ai ka bërë të ditur se ky është një hap i rëndësishëm, pasi për herë të parë në Komunën e Mitrovicës po zhvillohet një proces i tillë me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushave përkatëse dhe institucioneve përgjegjëse.
Sipas tij, puna e grupit do të krijojë bazën për realizimin e një projekti të mirëfilltë, i cili do të mundësojë ruajtjen, restaurimin dhe promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit të qytetit.
Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka përshëndetur fillimin e këtij procesi, duke u uruar punë të mbarë anëtarëve të Grupit Punues.
"Mitrovica e meriton një muze dinjitoz dhe funksional. Sot hodhëm një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij vizioni", ka deklaruar ai. /Telegrafi/
Sean “P. Diddy” Combs mund të përballet me pasoja të reja pas një incidenti të raportuar brenda burgut federal Fort Dix në New Jersey, ku reperi po vuan dënimin e tij.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Combs dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike me një të burgosur tjetër pas një debati verbal. Për shkak të situatës, zyrtarët e burgut kanë ndërhyrë dhe më pas reperi është vendosur në izolim.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të plota për ngjarjen dhe ende nuk është konfirmuar nëse masa e izolimit është marrë si ndëshkim disiplinor apo si masë e përkohshme gjatë hetimeve të brendshme.
Mbrojtja e Combs ka pretenduar se ai ka vepruar në vetëmbrojtje, ndërsa çdo shkelje e rregullave të burgut mund të ndikojë në kërkesat e tij për lehtësime të mundshme të dënimit.
Reperi aktualisht po vuan një dënim prej më shumë se katër vitesh burg, pasi u shpall fajtor për transportimin e personave për qëllime prostitucioni. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda që lidhen me trafikimin seksual.
Real Madridi po monitoron Renato Veigën, mbrojtësin qendror 22-vjeçar me këmbë të majtë të Villarrealit, në këtë afat kalimtar veror, me kërkesë direkte nga Jose Mourinho. Trajneri portugez dëshiron të ketë një rotacion të fortë për të konkurruar për të gjithë trofetë.
Drejtuesit e klubit madrilen e vlerësojnë afrimin e reprezentuesit portugez, i cili sipas Transfermarkt vlerësohet me 30 milionë euro dhe ka kontratë me Villarrealin deri në qershor të vitit 2032, si një opsion për të forcuar mbrojtjen për sezonin e ardhshëm.
Sipas gazetarit Ben Fernandes Santos, interesimi i Real Madridit lidhet me dëshirën e Jose Mourinhos për të pasur një mbrojtës të majtë me potencial, i cili mund të ofrojë rotacion si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi portugez, i cili më herët ka pasur përvojë te Juventusi, iu bashkua Villarrealit në gusht të vitit 2025 dhe deri tani ka zhvilluar 18 ndeshje me kombëtaren e Portugalisë, duke shënuar edhe një gol.
Paraqitjet e tij kanë bindur skautët e Real Madridit që ta vendosin emrin e tij në mesin e prioriteteve kryesore, në rast se klubi vendos të ndërhyjë në afatin kalimtar.
Me një vlerë tregu prej 30 milionë eurosh, Veiga përshtatet me strategjinë e Real Madridit për të afruar lojtarë të rinj me potencial për të përforcuar repartin defensiv.
Megjithatë, pavarësisht monitorimit të mbrojtësit të Villarrealit, operacioni varet nga largimet e mundshme në skuadrën e Real Madridit.
Transferimi i Veigës do të aktivizohej vetëm nëse finalizohet largimi i Asencios, i cili është një nga emrat në listën e lojtarëve që stafi teknik planifikon t'i largojë për sezonin 2026/2027./Telegrafi/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ekzistojnë mundësi të mira për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke theksuar se bisedimet mes palëve po zhvillohen në një frymë pozitive.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se negociatat janë “shumë miqësore” dhe shprehu bindjen se konflikti mund të përfundojë së shpejti.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, Shtetet e Bashkuara mund t’u rikthehen veprimeve ushtarake.
Ndërkohë, Irani ka mohuar se po zhvillon negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin, ndërsa palët ndërmjetësuese kanë kërkuar vazhdimin e përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve.
Trump bëri të ditur se vendimi për pezullimin e sulmeve amerikane ndaj Iranit erdhi pas kërkesave nga ndërmjetësuesit për t’i dhënë një mundësi dialogut.
Pezullimi i luftimeve ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, me çmimet e naftës që kanë shënuar rënie, ndërsa investitorët po presin sinjale për një zgjidhje të mundshme të krizës.
Presidenti amerikan gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për mungesë municionesh në ushtrinë amerikane, duke deklaruar se rezervat janë të mjaftueshme dhe se prodhimi i sistemeve të mbrojtjes vazhdon me ritme të larta.
Supermodelja Irina Shayk dhe ylli i Phoenix Suns, Devin Booker, kanë nxitur spekulime për një lidhje romantike, pasi u panë së bashku gjatë fundjavës në Hamptons.
Sipas raportimeve të faqes së njohur të thashethemeve Deuxmoi, modelja ruse dhe basketbollisti 29-vjeçar kaluan kohë së bashku në Long Island.
Të dy u panë duke dalë nga Tutto Caffe në East Hampton të dielën në mëngjes, ndërsa disa burime pretenduan se ishin pothuajse të pandashëm gjatë fundjavës, shkruan DailyMail.
Më vonë, Shayk dhe Booker morën pjesë edhe në një festë në lokalin e njohur Delilah, ku një video e publikuar në rrjetet sociale thuhet se i tregon duke biseduar pranë njëri-tjetrit.
Megjithatë, sipas dëshmitarëve okularë, Booker u pa gjithashtu duke biseduar me gra të tjera gjatë mbrëmjes, gjë që, sipas raportimeve, nuk është pritur mirë nga modelja.
As Irina Shayk dhe as Devin Booker nuk kanë reaguar ndaj spekulimeve, ndërsa të dy kanë qenë më parë në qendër të vëmendjes për lidhjet e tyre me emra të njohur të showbiz-it dhe sportit. /Telegrafi/
Në një aksion të doganierëve në pikën kufitare Bogorodicë, gjatë kontrollit të një automjeti transportues me vlerë nëntë milionë denarë, u zbuluan dhe u sekuestruan pesë mijë kuti cigare me vlerë nëntë milionë denarë, njoftojnë nga Doganat e Maqedonisë. Nga atje thonë se shoferi i kamionit, një shtetas serb, i cili u përpoq të kontrabandonte cigaret, është ndaluar dhe kundër tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Gjevgjelisë për kryerjen e veprës penale të kontrabandës.
"Kamioni i deklaruar për tranzit nga Greqia në Serbi, sipas dokumentacionit të bashkangjitur, po transportonte materiale ndërtim, lesh guri. Gjatë kontrollit të detajuar, doganierët zbuluan 100 kuti të pashënuara me nga 50 kuti cigare secila, pra gjithsej 5,000 kuti cigare pa pulla akcize, të cilat nuk ishin deklaruar, në paletat me mallrat e deklaruara.
Me këtë aksion, Drejtoria Doganore konfirmon angazhimin e saj për të shtypur tregtinë e paligjshme të cigareve dhe për të parandaluar krimin ndërkufitar në shkallë ndërkombëtare", njoftojnë nga Doganat e Maqedonisë./Telegrafi/
Aksionet e Policisë kundër narkotikëve po vazhdojnë në Gjakovë. Brenda një periudhe të shkurtër, hetuesit e antidrogës kanë proceduar edhe një person tjetër, pasi iu gjet substancë e dyshuar narkotike.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ervi Vehapin (22-vjeç).
Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 27 korrikut, rreth orës 20:45, në rrugën “Gasper Karaqi”, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar të riun për kontroll.
Gjatë kontrollit, në posedim të tij është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas peshimit ka rezultuar të jetë 0.71 gram. Substanca është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë, ku është intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Ervi Vehapit është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas përfundimit të procedurave ai është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Fenomeni i përdorimit dhe posedimit të drogës mes të rinjve në Kosovë po vazhdon të alarmojë. Rasti i fundit është regjistruar në Gjakovë, ku dy të rinj kanë përfunduar në duart e Policisë pasi u kapën me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Uralb Fazlijën rreth 19 vjeç dhe Megzon Rogovën rreth 25 vjeç.
Sipas informacioneve, aksioni është zhvilluar mbrëmjen e 27 korrikut, rreth orës 20:45, në rrugën “Gasper Karaqi”, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar dy të rinjtë për kontroll.
Gjatë kontrollit, te Uralb Fazlija janë gjetur pesë qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme prej 2.15 gramësh.
Të dy janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë, ndërsa substanca është sekuestruar dhe, pas testit fushor, ka rezultuar pozitive për kokainë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti vjen në një periudhë kur autoritetet po regjistrojnë gjithnjë e më shumë raste të përfshirjes së të rinjve në veprat penale që lidhen me narkotikët, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e drogave në mesin e kësaj grupmoshe.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Goditjet e Policisë ndaj poseduesve të narkotikëve po vazhdojnë në Gjakovë. Rasti i radhës është regjistruar pak para mesnatës, kur hetuesit e antidrogës ndaluan një person dhe i gjetën substancë të dyshuar narkotike.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Albinot Alidemajn (38 vjeç).
Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur më 27 korrik, rreth orës 23:50, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar të dyshuarin për kontroll.
Gjatë kontrollit, në posedim të tij është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas peshimit ka rezultuar me 2.72 gramë. Substanca është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë, ku është intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Albinot Alidemajt është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa pas intervistimit ai është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një konflikt fizik në Shtime ka përfunduar me lëndimin e një personi, i cili pas trajtimit fillestar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa i dyshuari ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Mergim Fadil Avdyli (27 vjeç), ndërsa viktimë është F. Ruhani.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 27 korrikut, rreth orës 22:00, në rrugën “Imer Devetaku” në Shtime.
Pas raportimit për një rrahje, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit, të cilët kanë shoqëruar në stacion policor Mergim Avdylin.
Ndërkohë, i lënduari F. Ruhani është transportuar fillimisht në Emergjencën e Shtimes, më pas në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Pas intervistimit të të dyshuarit, në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Mergim Fadil Avdyli është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rrethanat e incidentit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e martë, 28 korrik 2026, duke konfirmuar vazhdimin e rritjes së çmimit të naftës.
Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është caktuar në 1.73 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.52 euro për litër dhe gazi deri në 0.60 euro për litër.
Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë përcaktuar në bazë të vendimit të MINT-it për caktimin e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo parregullsi në zbatimin e çmimeve ta raportojnë përmes kanaleve zyrtare. /Telegrafi/
Pas më shumë se 27 vjetësh, hetimet për një nga krimet e luftës në veri të Kosovës kanë shënuar zhvillim të rëndësishëm. Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona që dyshohen për përfshirje në vrasjen dhe varrosjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit janë Momir Jakšić (80 vjeç) dhe Miljko Biševac (65 vjeç).
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, rasti lidhet me ngjarjen tragjike të 19 prillit 1999, kur një grup civilësh shqiptarë të paarmatosur, që po lëviznin në drejtim të Malit të Zi, u ndaluan në vendin e quajtur Kalludra e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, nga pjesëtarë të Mbrojtjes Territoriale që vepronin në kuadër të Ushtrisë Jugosllave.
Sipas dyshimeve, civilët fillimisht u plaçkitën, duke iu marrë paratë dhe sendet me vlerë, e më pas 23 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa trupat u varrosën në një lokacion pranë lumit në Kalludër të Vogël.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 27 korrik 2026, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës arritën të lokalizojnë vendin ku dyshohet se ndodhet varreza masive. Gjatë ekzaminimeve në terren janë gjetur mbetje eshtërore njerëzore, përfshirë pjesë të kafkës dhe fragmente të tjera skeletore, si dhe pjesë të veshjeve që dyshohet se u përkasin viktimave.
Bazuar në provat e mbledhura dhe dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, janë identifikuar Momir Jakšić, ish-pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale, dhe Miljko Biševac, ish-komandant i Mbrojtjes Territoriale të Komunës së Zubin Potokut, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në ndalimin, plaçkitjen, vrasjen dhe varrosjen e 23 civilëve shqiptarë të paarmatosur.
Aktualisht, lokacioni është nën sigurimin e Njësisë për Reagim të Shpejtë, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore pritet të zhvillohen gërmime dhe ekzaminime mjeko-ligjore.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Momir Jakšić dhe Miljko Biševac janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Ish-kapiteni i Barcelonës, Gerard Pique, e rindezi debatin me një krahasim të ri me rivalin e përbetuar, Real Madridin, mes ndryshimeve që po kalojnë të dy klubet para fillimit të sezonit të ri 2026/27.
Pique beson se Barcelona ende ka një avantazh ndaj Real Madridit në prag të sezonit të ri, pavarësisht transferimeve që Los Blancos i sollën këtë verë.
“Mendoj se Barcelona, edhe sot, ka ende avantazhin", ka thënë fillimisht Pique.
“Mendoj se fitimi i dy kampionateve të fundit të jep statusin dhe besimin për të hyrë në sezon si favoriti më i madh. Por pas kësaj duhet ta provosh këtë në fushë”.
Ai thekson se një nga pikat e forta më të mëdha të Barcelonës është trajneri Hansi Flick.
"Fakti që ai po hyn në sezonin e tij të tretë në stol përfaqëson një nga pikat e forta më të mëdha të Barcelonës. Ekipi dhe lojtarët janë përshtatur plotësisht me këtë projekt”.
“Puna e vazhdueshme e Flick dhe hyrja në sezonin e tretë, së bashku me kuptimin e plotë të lojtarit për filozofinë dhe stilin e tij të lojës, i jep Barcelonës një avantazh në fillim të sezonit", përfundoi ish-mbrojtësi spanjoll. /Telegrafi/
Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ndërsa Policia tashmë ka identifikuar dy personat që dyshohen për rastin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuar janë Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti, ndërsa viktimë është K. M. (30 vjeç).
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:50 në rrugën “Xheladin Hana”, pranë Picerisë “Doro”, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Kur njësitë policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë hasur një BMW X6 me targa 01-999-HV, të braktisur, për të cilën dyshohet se është përdorur nga autorët para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetimeve fillestare, Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti dyshohet se kanë shtënë me armë në drejtim të K. M, i cili më pas është paraqitur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti ndodhen në arrati, ndërsa Policia është duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga plagosja me armë zjarri që ndodhi në orët e para të mëngjesit pranë Picerisë “Doro” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi që mbeti i plagosur është Kreshnik Maloku (30 vjeç).
Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi rreth orës 01:50 në rrugën “Xheladin Hana”, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri.
Viktima u paraqit për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Burimet nga Emergjenca thonë se gjendja e të plagosurit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, Sinjali ka raportuar se Policia ka identifikuar si të dyshuar për rastin Amar Xhemshitin dhe Amir Xhemshitin, të cilët dyshohet se pas të shtënave janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje është gjetur e braktisur edhe një veturë BMW X6 me targa 01-999-HV, për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa Policia është duke vazhduar hetimet dhe kërkimin e personave të dyshuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Gurrakoc të Istogut.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
"Sot, më 28.07.2026, rreth orës 00:40, Policia është njoftuar për një aksident trafiku që ka ndodhur në fshatin Gurrakoc-Istog. Në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë e Policisë dhe një veturë civile. Si pasojë e aksidentit janë lënduar dy zyrtarë policorë të Rajonit të Mitrovicës dhe tre persona të tjerë. Të gjithë të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor", tha Rugova.
Ai bëri të ditur se rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë./Telegrafi/