Normal view

Ata pak personazhe publikë që folën në fillim për protestën, pse papritur po heshtin tani?

19 June 2026 at 20:41

Në fillim, kur protesta nisi të merrte vëmendje dhe qytetarët po dilnin çdo ditë në shesh, pjesa më e madhe e personazheve publikë heshti. Si zakonisht.

Heshtën ata që për çdo temë tjetër kanë mendim. Ata që flasin për modë, për pushime, për marka, për evente, për moral, për gjithçka që ua mban rehatinë të paprekur. Por kur erdhi momenti për të folur për një kauzë qytetare, për pushtet, oligarkë, interesa dhe përgjegjësi publike, zëri i tyre u zhduk.

Dihet pse.

Prandaj ata pak që reaguan u vunë re. Dhe u vlerësuan. Sepse, të paktën në atë moment, zgjodhën të dilnin nga zona e rehatisë. Folën, postuan, mbështetën protestën dhe krijuan përshtypjen se po vendoseshin në krah të qytetarëve.

Mirëpo më vonë çfarë ndodhi?

Sepse dy ditët e fundit edhe ata pak zëra që u dëgjuan në fillim, po shuhen pa kuptuar. Më pak reagime. Më pak qëndrim. Më tepër distancim.

Dhe heshtja, kur vjen menjëherë pas një pozicionimi publik, bie më shumë në sy.

Kur një protestë prek pushtetin, oligarkët, mediat, interesat ekonomike dhe lidhjet e vjetra, tërheqja e papritur lë të kuptohet se diku ka mbërritur mesazhi. Duket sikur telefonatat, presioni, frika apo interesat kanë bërë punën e tyre.

U trembët? U bindët? U blenë vallë zërat tuaj? Apo thjesht e kuptuat se mbështetja e protestës kishte kosto më të madhe se një story?

Akuzat kërkojnë prova. Fjala tradhtar kërkon përgjegjësi. Por publiku ka të drejtë të pyesë. Sepse kur ke ndikim, kur ke ndjekës, kur ke mikrofon dhe kur zgjedh të flasësh një ditë, heshtja jote ditën tjetër ka kuptim.

Protesta kërkon zë edhe kur sjell kosto. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje edhe kur presioni rritet. Një postim në fillim u vlerësua, por qëndrimi matet me vazhdimësi.

Ata pak që folën në fillim patën peshë.

Prandaj heshtja e tyre sot peshon edhe më shumë.

Kur folët, u patë. Kur heshtët, po shiheni prapë. Ku jeni tani?

The post Ata pak personazhe publikë që folën në fillim për protestën, pse papritur po heshtin tani? appeared first on iconstyle.al.

“S’më lejoi ta çoja Elionën në gjyq për hir të fëmijëve”/ Fill pas ndarjes nga jeta të Dr. Edi Tushes, drejtuesja e klinikës kryqëzohet nga rrjeti: “Turp, nuk ke respekt as për vdekjen”

19 June 2026 at 16:04

Vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të mjekut të njohur pediatër dhe neonatolog, Dr. Edi Tushe, drejtuesja e klinikës “Vera-Virhov”, Genta Dedej, është shfaqur në dy intervista televizive, por daljet e saj nuk janë pritur aspak mirë në rrjet.

Në një moment kur publiku priste që fokusi të ishte te figura e mjekut të ndjerë, kontributi i tij dhe dhimbja për humbjen e tij, Genta ka rikthyer në vëmendje përplasjen e mëparshme mes klinikës dhe influencueses Eliona Pitarka.

Deklarata që ka ndezur më shumë reagime ishte ajo ku ajo u shpreh se Dr. Edi Tushe nuk e kishte lejuar ta çonte Elionën në gjyq “për hir të fëmijëve”. Por nuk u ndal vetëm këtu. Genta la të kuptohej, sipas versionit të saj, se përplasja me Elionën e kishte goditur rëndë mjekun edhe shpirtërisht, duke e paraqitur këtë histori si një barrë që ai e kishte mbajtur gjatë.

Pikërisht kjo mënyrë e të folurit, vetëm tre ditë pas ndarjes së tij nga jeta, u pa nga shumë ndjekës si e pavend dhe e rëndë. Kjo u interpretua si tentativë për t’i lënë Elionës një peshë morale mbi humbjen e mjekut, në vend që ky moment t’i kushtohej kujtimit dhe respektit për Dr. Edi Tushen.

Komentet ishin të ashpra. Ndjekësit kërkuan që emri i mjekut të mos përfshihej në debate të vjetra televizive kaq shpejt pas humbjes së tij, ndërsa shumë prej tyre e cilësuan intervistën “të turpshme”, “të panevojshme” dhe pa respekt për momentin e zisë.

“Doktori akoma s’ka bërë të shtatat, ti del merresh me llafe gjyqesh”, shkruan një komentues. Një tjetër shton se Dr. Edi e kishte sqaruar vetë me shumë elegancë këtë situatë më herët dhe se sot duhej kujtuar si mjeku dhe njeriu që ishte, jo të rikthehej në mes të një debati me Elionën. Të tjerë komentues shkruajnë se “ka kohë për këto gjëra më vonë”, por jo në ditët e para pas ndarjes nga jeta të një bashkëpunëtori dhe miku.

Përplasja me Eliona Pitarkën nisi më herët, kur Dr. Edi Tushe reagoi publikisht duke deklaruar se emri i tij po përdorej pa autorizim për këshilla ushqimore për fëmijë, dieta apo promovime. Ai theksoi se nuk kishte autorizuar askënd të përdorte emrin e tij në këtë formë dhe u bëri thirrje prindërve të mos orientohen nga rrjetet sociale për çështje që lidhen me shëndetin e fëmijëve.

Nga ana tjetër, Eliona Pitarka pati reaguar duke mohuar se kishte përdorur emrin e mjekut për përfitime personale apo bashkëpunime, ndërsa deklaroi se kishte ndarë vetëm informacione të përgjithshme për të ndihmuar prindërit që nuk kanë mundësi të përballojnë shpesh vizitat në klinika private.

Megjithatë, rikthimi i këtij debati fill pas ndarjes nga jeta të Dr. Edi Tushes ka mjaftuar që rrjeti të shpërthejë. Për shumë ndjekës, ky nuk ishte momenti për gjyqe, akuza apo rikthim konfliktesh, por për heshtje, dinjitet dhe respekt ndaj kujtimit të një mjeku që për vite me radhë iu shërbeu fëmijëve dhe familjeve shqiptare.

The post “S’më lejoi ta çoja Elionën në gjyq për hir të fëmijëve”/ Fill pas ndarjes nga jeta të Dr. Edi Tushes, drejtuesja e klinikës kryqëzohet nga rrjeti: “Turp, nuk ke respekt as për vdekjen” appeared first on iconstyle.al.

❌