Normal view

Ikona e papërsëritshme e “Dior” dhe “Margiela”, John Galliano, po vjen të ndryshojë ZARA-n

17 March 2026 at 19:29

Një nga emrat më të mëdhenj dhe më të papërsëritshëm të modës botërore po bën një lëvizje që askush nuk e priste. John Galliano, njeriu që dikur dominonte pasarelat e luksit me teatrin e tij ekstravagant dhe vizionin e guximshëm, po hyn në një partneritet dyvjeçar me ZARA-n. Një bashkëpunim jo “collab” i zakonshëm, por një eksperiment i madh mes artit të haute couture dhe fuqisë së tregut masiv.

Ky bashkëpunim nuk e vendos Galliano-n si drejtor kreativ të ZARA-s në mënyrën klasike. Përkundrazi, ai do të punojë mbi koleksione sezonale, duke marrë si bazë pjesë nga arkivat dhe koleksionet e mëparshme të ZARA-s.

Ideja është dekonstruktimi dhe rindërtimi i tyre në krijime të reja, një proces shumë i lidhur me ADN-në e tij artistike. Pra, nuk bëhet fjalë për një “koleksion Galliano” të pastër, por për një reinterpretim të ZARA-s përmes syrit të tij.

Pikërisht kjo e bën lajmin kaq të bujshëm. Sepse për herë të parë në këtë nivel, një figurë që ka ndërtuar identitetin e saj mbi luksin ekstrem dhe pasarelën spektakolare, po hyn në një nga markat më të mëdha të modës masive në botë. Është një përplasje mes dy botëve: njëra e rrallë, elitare dhe teatrale, tjetra e shpejtë, globale dhe e aksesueshme.

Për të kuptuar peshën e këtij momenti, duhet të kuptosh kush është John Galliano.

Ai është një nga mendjet më kreative që ka njohur moda në dekadat e fundit. U bë i njohur që në fillim me koleksionin e diplomës në Central Saint Martins, një punë aq e fortë sa u ble menjëherë dhe e vendosi në hartën e modës.

Kulmi i parë i madh erdhi në Paris. Fillimisht në Givenchy, si stilisti i parë britanik që drejtoi një shtëpi franceze të këtij niveli, dhe më pas në Dior, ku shkroi historinë.

Në Dior, Galliano krijoi spektakël, narrativë dhe imazhe që mbetën në kulturën pop. Koleksionet e tij ishin si teatro të gjalla, të mbushura me referenca historike, dramë dhe një sens të fortë identiteti.

Në atë periudhë lindën edhe disa nga ikonat më të njohura të modës. Dior Saddle Bag, printet e famshme si ai i gazetës, apo momentet e tapetit të kuq që ndryshuan mënyrën si moda lidhet me Hollywood-in. Ai e ktheu Dior në një makineri jo vetëm kreative, por edhe kulturore.

Pas një rënieje të fortë në 2011 që e largoi nga Dior dhe e la jashtë industrisë për një periudhë, Galliano bëri një rikthim që pak kush e besonte.

Në Maison Margiela, ai u shfaq ndryshe. Më i përmbajtur, më teknik, por po aq brilant. Koleksionet e tij të fundit në Margiela u vlerësuan si ndër më të fortat e karrierës së tij, një dëshmi se ai nuk ishte vetëm një yll i së kaluarës, por ende një forcë kreative në kulm.

Dhe pikërisht pas këtij kapitulli të suksesshëm, ai zgjedh të shkojë te ZARA. Një vend ku audienca është shumë më e gjerë, ritmi është më i shpejtë dhe loja është krejt tjetër. Kjo është ajo që e bën këtë bashkëpunim kaq intrigues. Është një artist që po hyn në një sistem krejt tjetër dhe po përpiqet ta rishkruajë nga brenda.

Koleksioni i parë pritet në shtator 2026 dhe tashmë industria po pret me kuriozitet. A do të shohim një ZARA më artistike, më të guximshme, më “Galliano”? Apo do të jetë një version i filtruar i tij për publikun e gjerë?

Një gjë është e sigurt. Kur një emër si John Galliano lëviz, moda nuk qëndron e njëjtë!

The post Ikona e papërsëritshme e “Dior” dhe “Margiela”, John Galliano, po vjen të ndryshojë ZARA-n appeared first on iconstyle.al.

Një javë në rrugë, korrierët e Wolt në protestë për pagën, mesazh paralajmërues për largim nga puna/ Mes ligjit, moralit dhe një tregu pa rregulla të qarta

17 March 2026 at 17:38

Prej një jave, korrierët që shpërndajnë porositë e Wolt në Tiranë janë në protestë. Çdo ditë në rrugë, mes trafikut dhe orëve të gjata, ata po kërkojnë pagesë më të drejtë dhe më shumë siguri për punën që bëjnë.

Pakënaqësia shpërtheu pasi vetë korrierët nisën të flasin hapur për mënyrën si paguhen. Sipas tyre, nuk ka rrogë bazë, por vetëm pagesë me përqindje, në varësi të dërgesave. Kjo do të thotë se një ditë mund të dalësh mirë, një tjetër mund të punosh po aq dhe të marrësh shumë më pak, ndërkohë që kostot mbeten po aty: karburanti, amortizimi i mjetit, koha në rrugë.

Situata u tensionua më shumë kur në qarkullim doli një mesazh i brendshëm, ku korrierëve u thuhej se nuk janë punonjës të drejtpërdrejtë të Wolt, por të një kompanie partnere, GMS. Në të njëjtin komunikim theksohej se pagesa është vetëm me përqindje dhe jepej një paralajmërim i qartë: kush merr pjesë në protestë do të konsiderohet i larguar automatikisht nga puna.

Nga ky moment, çështja nuk mbeti më vetëm te paga, por kthye në një përplasje të hapur për mënyrën se si funksionon ky sektor.

Çdo kompani private ka të drejtën e saj të organizimit të punës dhe modelit të pagesës. Por kur lind një konflikt i tillë, ai duhet parë në dy plane: ligjor dhe moral. Çfarë parashikon ligji dhe çfarë u është premtuar realisht punonjësve? Si janë informuar ata në fillim dhe a ka pasur ndryshim të rregullave gjatë rrugës?

Në planin ligjor, Kodi i Punës e lejon pagesën me përqindje (neni 110), por vetëm nëse ajo nuk e çon punëmarrësin nën pagën minimale (neni 111), e cila sot është 50 mijë lekë bruto në muaj. Mënyra e pagesës duhet të jetë e shkruar qartë në kontratë (neni 21), ndërsa shpenzimet e punës, përfshirë përdorimin e mjetit personal, nuk mund t’i kalohen punëmarrësit (nenet 126 dhe 127).

Edhe në rast se marrëdhënia kalon përmes një kompanie partnere, siç pretendohet në këtë rast, ligji kërkon që kushtet e punës të jenë të njëjta si për punonjësit e drejtpërdrejtë.

Ndërsa paralajmërimi për largim nga puna hap një çështje tjetër. Kodi nuk njeh “largime automatike”. Largimi kërkon procedurë të detyrueshme, ndërsa konsiderohet i pajustifikuar kur punëmarrësi ushtron të drejtat e tij. Po ashtu, ndalohet çdo presion apo ndëshkim për pjesëmarrje në protestë apo grevë, për sa kohë nuk ka një vendim gjykate që e shpall atë të paligjshme.

Por përtej ligjit, mbetet edhe një dimension tjetër: besimi. Nëse një punonjësi i është premtuar një model i caktuar pune dhe ai përballet me një realitet tjetër, atëherë kemi një problem që nuk zgjidhet vetëm me kontrata, por me transparencë.

Ky nuk është një treg pa probleme vetëm për punonjësit. Edhe vetë kompanitë e këtij sektori shpesh përballen me sfida të tjera: abuzime nga punonjës, mosrespektim i porosive, vonesa, apo probleme në zinxhirin me restorantet. Në shumë raste, tensioni nuk është njëkahësh.

Kemi të bëjmë me një treg që është rritur shpejt, por që ende nuk është formalizuar dhe rregulluar plotësisht. Kemi një sektor ku mungon balanca mes fleksibilitetit dhe mbrojtjes së punonjësit.

Korrierët thonë se nuk do të tërhiqen pa marrë përgjigje. Nga ana tjetër, deri tani mungon një sqarim i plotë publik për mënyrën e pagesës, kontratat dhe mesazhin që ka ndezur reagimin.

Ky rast është treguesi se  tregu ka nevojë për organizim, rregulla më të qarta, mbikëqyrje reale nga shteti dhe një balancë më të drejtë mes interesit të biznesit dhe dinjitetit të punës.

The post Një javë në rrugë, korrierët e Wolt në protestë për pagën, mesazh paralajmërues për largim nga puna/ Mes ligjit, moralit dhe një tregu pa rregulla të qarta appeared first on iconstyle.al.

❌