Normal view

Fitues është më ‘llumi’/ “Big Brother VIP” dhe standardi i ri i turpit në ekran

26 February 2026 at 16:04

Ka një pikë kur një format televiziv nuk është më thjesht i keq, por bëhet i rrezikshëm. Big Brother VIP në Shqipëri e ka kaluar prej kohësh atë pikë. Nuk është më një reality show ku testohen karaktere. Është kthyer në një laborator ku matet sa shumë mund të degradojë një njeri para se publiku ta shpërblejë me votë.

Sot, fitues nuk është më ai që ka integritet, që ka personalitet, që ka mendim. Fitues është ai që duron më shumë t’i shahet familja. Ai që e përtyp më gjatë poshtërimin. Ai që qëndron stoik ndërsa përmenden prindër, motra, gra, fëmijë. Kjo është valuta e re e formatit. Jo talenti, jo qytetaria, jo dinjiteti. Durimi ndaj baltës.

Ofendimet personale, familjare, fjalori banal dhe rrugaçëror janë bërë aq normale, sa nuk ka më as ndjesi turpi. Madje, sa më e rëndë fjala, aq më i gjatë klipi. Sa më e ulët goditja, aq më e madhe drama muzikore në sfond. Produksioni, në vend që të vendosë kufij, zgjedh t’i hedhë benzinë zjarrit. Mospezullim, moseliminim, relativizim i dhunës verbale dhe fizike.

Ne e kemi parë më herët në sa shumë pika çalon ky format. Sfida me këmbët në ujë me akull për 7 orë, që përfundoi me gjakderdhje, u tentua të fshihej me një “kujdes mikrofonin”. Dhuna fizike mes banorëve u relativizua me votime publike. Persona të përjashtuar me zarf të zi për dhunë apo gjuhë raciste u rikthyen si protagonistë të rinj.

Nëse sjell konflikt, je i dobishëm. Nëse sjell tension, je i vlefshëm. Nëse sjell përçarje, je i domosdoshëm.

Standardi i ri i fituesit është “llumi”. Sa më poshtë të biesh, aq më shumë qëndron në lojë. Sa më shumë të degradohesh, aq më shumë quhesh “i fortë”. Sa më shumë të tolerosh sharjen e vetes dhe familjes, aq më shumë perceptohesh si “hero”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, formati mban me krenari etiketën “VIP”. Very Important Person. Person shumë i rëndësishëm. Në çdo vend tjetër, ky term ka peshë. Nënkupton kontribut publik, arritje profesionale, rëndësi kulturore apo artistike. Këtu, mjafton një profil Instagrami me disa mijëra ndjekës dhe një histori të vogël virale. Mjafton pak zhurmë dhe futesh në shtëpinë e “VIP-ave”.

Problemi nuk është vetëm tek banorët. Problemi është edhe tek ekrani që e shpërblen degradimin. Tek televizioni që e sheh konfliktin si investim. Tek kultura mediatike që ka vendosur se antivlera shitet më mirë se çdo gjë tjetër.

Dhe po, përgjegjësia nuk është vetëm e produksionit. Është edhe e publikut që voton, që komenton, që përfshihet emocionalisht në një betejë sharjesh. Por ekrani ka fuqi. Formon standarde. Kur prime pas prime legjitimon dhunën, banalitetin dhe përçarjen si argëtim, ai bëhet katalizator i degradimit.

Po humbasim si shoqëri çdo herë që duartrokasim “llumin” si standard të ri suksesi…

/Iconstyle

The post Fitues është më ‘llumi’/ “Big Brother VIP” dhe standardi i ri i turpit në ekran appeared first on iconstyle.al.

Merkuri në prapavijë 2026 sapo nisi; përgatitu për një periudhë të thellë emocionale

26 February 2026 at 12:31

Periudha e parë e Merkuri­t në prapavijë për vitin 2026 nis sot. Para se të frikësohesh, ndalu një çast. Nuk është e thënë që kjo fazë të sjellë kaos apo trazira në jetën tënde. Ndonjëherë, ajo thjesht të fton të ngadalësosh ritmin dhe të dëgjosh veten.

Merkuri në prapavijë është një fenomen që shumëkush e lidh me luhatje, keqkuptime dhe ndjesinë se gjërat nuk ecin si zakonisht. Mund të vëresh tensione të vogla në komunikim, mesazhe që keqkuptohen, plane që shtyhen, ose një ndjesi të brendshme se je pak jashtë ekuilibrit. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka po shembet. Shpesh, do të thotë vetëm se duhet të jesh më e vëmendshme.

Në astrologji, Merkuri lidhet me komunikimin, mendimin, udhëtimet dhe teknologjinë. Kur hyn në prapavijë, besohet se këto fusha mund të bëhen më të brishta. Mund të përjetosh mjegull mendore, pasiguri në vendime, apo biseda që marrin kthesa të papritura. Mund të ndihesh më e ndjeshme ndaj fjalëve të të tjerëve, ose të kuptosh se edhe ti po reagon më emocionalisht se zakonisht.

Por ka edhe një anë tjetër. Kjo periudhë mund të jetë një moment reflektimi. Një kohë për të rishikuar zgjedhjet e tua, për të menduar se ku po investon energjinë dhe ndjenjat. Mund të kuptosh se disa marrëdhënie kanë nevojë për qartësi, disa projekte për durim dhe disa emocione për pranim.

Në 2026, Merkuri do të jetë në prapavijë tre herë:

26 shkurt – 20 mars, në shenjën e Peshqve
Kjo periudhë mund të të bëjë më introspektive. Emocionet do të jenë më të thella, intuita më e fortë. Mund të të rikthehen kujtime nga e kaluara, ose të ndihesh e shtyrë të lësh pas gjëra që nuk të shërbejnë më.

29 qershor – 23 korrik, në Gaforre dhe Luan
Fillimi mund të jetë shumë emocional. Do të duhet të jesh e kujdesshme me fjalët dhe reagimet. Më pas, energjia mund të bëhet më intensive. Shmang deklaratat e mëdha dhe vendimet impulsive.

24 tetor – 13 nëntor, në Akrep
Kjo fazë mund të të çojë drejt reflektimeve të thella. Mund të ndalesh te çështje që i ke shtyrë, te biseda që kanë mbetur pezull, apo te ndjenja që kërkojnë zgjidhje.

Si mund të të ndikojë kjo në përditshmëri?

Mund të përjetosh keqkuptime në marrëdhënie. Mund të ndihesh më e lodhur mendërisht, më e pasigurt për drejtimin që po merr. Plane që vonohen, email-e që dërgohen gabim, apo tensione të vogla që fryhen më shumë se ç’duhet. Por shpesh, këto ndodhin sepse je më e ndërgjegjshme, më vigjilente ndaj çdo detaji.

Nuk ka prova shkencore që Merkuri në prapavijë kontrollon jetën tënde. Por është e vërtetë që pritshmëritë dhe ankthi mund të ndikojnë në mënyrën si i përjeton gjërat. Nëse e pret kaosin, mund ta vëresh më shpejt. Nëse e pret si një kohë reflektimi, mund ta përdorësh në favorin tënd.

Çfarë mund të bësh?

Mos u alarmo. Qëndro e qetë. Rishiko mesazhet përpara se t’i dërgosh. Jepi vetes pak më shumë kohë për vendime të rëndësishme. Shty bisedat e mëdha nëse ndjen se emocionet janë shumë të forta. Dhe mbi të gjitha, dëgjo intuitën tënde, por mos lejo që ajo të të drejtojë pa reflektim.

Kjo periudhë mund të mos jetë e lehtë, por mund të jetë e vlefshme. Mund të të mësojë durimin, qartësinë dhe rëndësinë e komunikimit të sinqertë. Shëno datat, përgatitu mendërisht dhe mos harro: shpesh, ndryshimi nuk është armik. Është një ftesë për t’u rritur.

The post Merkuri në prapavijë 2026 sapo nisi; përgatitu për një periudhë të thellë emocionale appeared first on iconstyle.al.

Luftë e pandërprerë me jetën! Ndihmoje zemrën e Siarës 2 vjeç të vazhdojë të rrahë ende

26 February 2026 at 11:33

Vetëm 2 vjeç dhe prej dy vitesh në një betejë të pandërprerë për jetën. Siara, vogëlushja me sytë plot dritë dhe buzëqeshjen që shkrin çdo zemër, ka nevojë urgjente për ndihmën e të gjithëve ne.

Deri tani janë mbledhur 1,611 euro nga 50 mijë euro që nevojiten për trajtimin e saj. Shuma është ende shumë larg objektivit, ndërsa koha për një fëmijë me probleme të rënda shëndetësore nuk pret.

Siara është diagnostikuar me mikroftalmi multisistemike, një defekt i rrallë gjenetik që ka prekur disa organe jetike. Ajo ka lindur me probleme serioze në sy, përfshirë katarakt dhe dëmtim të retinës, që rrezikojnë shikimin e saj. Sfidë e madhe është edhe zemra. Valvula trikuspidale është e spostuar, një problem që kërkon ndërhyrje të specializuar dhe trajtim të kushtueshëm për t’i dhënë asaj mundësinë e një jete normale.

Prej dy vitesh, prindërit e saj nuk kanë ndalur asnjë ditë së luftuari. Dy njerëz të thjeshtë, punëtorë, që bëjnë gjithçka për të siguruar trajtimet, kontrollet dhe kujdesin e nevojshëm për vajzën e tyre. Siara është fëmija i tretë i familjes. Një familje modeste, që sot përballet me një barrë financiare të papërballueshme pa ndihmën e secilit prej nesh.

Shumë prej nesh, një kontribut i vogël nuk do të na ndryshonte jetën apo të na zbrazte xhepat, por për këta dy prindër dhe për Siarën e vogël mund të bëjë diferencën mes shpresës dhe dëshpërimit. Çdo dhurim është një hap më pranë operacionit, më pranë trajtimit, më pranë një frymëmarrjeje më të sigurt për këtë fëmijë.

Siara meriton të rritet. Të luajë me motrat e vëllezërit, të shkojë në kopsht, të vrapojë, të qeshë, të ëndërrojë. Ajo meriton një zemër që rreh fort dhe një të ardhme përpara.

I bëjmë thirrje të gjitha mediave, faqeve publike dhe çdo lexuesi ta shpërndajnë gjerësisht këtë rast dhe linkun e GoFundMe për Siarën.

KLIKO PËR LINKUN

Solidariteti ynë është forca e saj sot.

Le të bëhemi bashkë për t’i dhënë një shans në jetë një fëmije 2 vjeçar që po lufton çdo ditë me shumë guxim. Ndihmoje zemrën e Siarës të vazhdojë të rrahë.

The post Luftë e pandërprerë me jetën! Ndihmoje zemrën e Siarës 2 vjeç të vazhdojë të rrahë ende appeared first on iconstyle.al.

❌