Normal view

Pamjet tronditëse në Egje: Roja greke përplas qëllimisht varkën me emigrantë për t’i mbytur në det, pse Europa hesht sërish?

23 November 2025 at 20:35

Ka vite që ne e ndjekim këtë histori. Ka vite që shohim të njëjtat pamje, dëgjojmë të njëjtin mohim, lexojmë të njëjtat deklarata dhe presim të njëjtat “hetime që janë në proces”. Ka vite që Greqia bën të njëjtën gjë: Merr jetë njerëzish në det dhe ia hedh pa asnjë pasojë. Dhe nëse dikush do të kishte dyshime pse kjo histori u përsërit sërish, përgjigjja është e kuptueshme: sepse asnjëherë nuk u ndëshkua.

Ngjarja e fundit është treguesi i pastër i kësaj kulture shtetërore. Një anije e rojes bregdetare greke i afrohet një varke të vogël me emigrantë, burra, gra e fëmijë dhe e përplas me qëllim. Këta njerëz nuk kishin armë, nuk kërcënonin askënd, nuk po shkelnin ligje që justifikojnë dhunë fizike.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Turning Point UK 🇬🇧 (@tpointuk)

Ky veprim është i paligjshëm në çdo nivel të së drejtës ndërkombëtare.

Neni 33 i Konventës së Gjenevës ndalon kthimin e refugjatëve drejt rrezikut. Është krim ndërkombëtar. Çdo shtet që e bën mban përgjegjësi të plotë. Dënimi? Padi ndërkombëtare dhe dëmshpërblime që arrijnë qindra mijëra euro për viktimë.

Neni 18 i Kartës së BE-së garanton të drejtën për të kërkuar azil. Greqia, me këtë veprim, ua mohoi këtë të drejtë. BE mund të hapë procedura shkeljeje, të vendosë gjoba milionëshe, të bllokojë fonde. Por nuk e ka bërë. Asnjëherë.

Protokolli 4 i KEDNJ ndalon dëbimet kolektive. Kjo që bën Greqia është fiks kjo: marrje dhe shtyrje e një grupi të tërë njerëzish me dhunë. GJEDNJ parashikon dëmshpërblime me mijëra euro për person. Por Greqia nuk është prekur kurrë, sepse nuk ka dashur askush ta çojë deri në fund.

Neni 98 i UNCLOS detyron çdo anije shtetërore të shpëtojë persona në rrezik. E kundërta e shpëtimit është sulmi. Ajo që u pa në video është shkelje e qartë e këtij neni, që në ligj çon në hetime ndërkombëtare dhe dënime shtetërore. Nuk është marrë asnjë masë.

Konventat SOLAS dhe SAR thonë qartë: shpëtimi i jetëve në det është detyrim absolut. Nëse sjellja e oficerëve shkakton vdekje, ata mund të dënohen deri në 20 vite burg për mosdhënie ndihme.

Neni 3 i KEDNJ ndalon trajtimin çnjerëzor dhe degradues. Kur përplas një barkë me gra e fëmijë, ky është trajtim çnjerëzor. Dënimi? Burgim i rëndë për individët. Por përsëri: zero pasoja.

Pra, në vetëm disa sekonda video, Greqia ka shkelur të gjitha ligjet që ekzistojnë për të mbrojtur jetën. Dhe për ironi, të gjitha këto ligje Greqia i ka nënshkruar vetë.

Fatkeqësisht, kjo ngjarje nuk është e vetmja.

Në 2024, BBC zbuloi se rojet greke i kishin hedhur emigrantët në det. I kishin rrahur. I kishin futur në gomone të çara dhe i kishin braktisur. Të paktën 40 vdiqën. Greqia i mohoi, si gjithmonë.

Në 2023, Adriana u mbyt me rreth 600 persona. Rojet greke thanë se “nuk kishte nevojë për ndihmë”. BBC Verify provoi se anija ishte në rrezik për orë të tëra. Të mbijetuarit thanë se u intimiduan që të mos tregonin të vërtetën. Asnjë hetim i mirëfilltë, asnjë përgjegjësi.

Në 2020, NYT tregoi se Greqia kishte marrë me forcë më shumë se 1,000 njerëz nga tokat e veta dhe i kishte braktisur në det në gomone pa motor. Prapë, asnjë ndëshkim.

Shqiptarët e kanë përjetuar këtë mentalitet në kurriz shumë më herët. Nga rrahjet, braktisjet, djegiet e dokumenteve, trajtimet çnjerëzore në Kakavijë e Kapshticë, rasti shqiptar është i dokumentuar prej vitesh. Greqia i ka keqtrajtuar shqiptarët gjatë krizës së tyre më të madhe, i ka trajtuar me nënçmim institucional dhe as sot nuk është shkëputur dot nga ky mentalitet. Historia e dhunës së rojeve greke ndaj shqiptarëve është pjesë e të njëjtës praktikë. Ndryshon vetëm kombësia e viktimës, jo sjellja e autorit.

Ana morale rëndon njësoj në këtë histori. Sepse nuk është vetëm shkelje e ligjit, por tallje me jetën. Është humbje totale e ndjenjës së humanizmit. Nuk ka dilema ideologjike. Ka vetëm një realitet: të rrezikosh jetë njerëzish në det është akt i ulët, i pamoralshëm, i papranueshëm për një vend që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Europa e di këtë. E ka kritikuar Greqinë dhjetëra herë, por nuk ka marrë masa. Asnjë sanksion, asnjë pezullim fondesh, asnjë hetim serioz. Fjalë shumë, veprime zero.

Ky është realiteti. I zhveshur. I pistë. I patolerueshëm. Dhe ka ardhur koha të thuhet siç është: Greqia po shkel ligjin, po shkel moralin dhe po shkel njerëzit. Dhe po e bën sepse askush nuk e ka ndalur. Ende.

The post Pamjet tronditëse në Egje: Roja greke përplas qëllimisht varkën me emigrantë për t’i mbytur në det, pse Europa hesht sërish? appeared first on iconstyle.al.

Justin zhduket sërish kur është radha e Hailey-t: xhelozi, sabotim emocional apo një krizë që s’fshihet dot më?

23 November 2025 at 14:02

Në vend që ditëlindja e 29-të Hailey Bieber të ishte një festë e qetë dhe e bukur për çiftin më të komentuar të showbiz-it, u kthye në një skenë tjetër të çuditshme, të diskutueshme dhe të përsëritur, ku Justin Bieber u zhduk pikërisht në momentin kur duhej të ishte më i dukshëm se kurrë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Hailey Rhode Bieber (@haileybieber)

Teksa Hailey festonte me stafin e saj të Rhode, Justin nuk u pa askund: as në festë, as në ndonjë postim urimi, as në një gjest minimal të partnerit mbështetës. Asgjë. Heshtje totale. Dhe më pas, kur dikush do të mendonte se ai po ruhej për të shfaqur ndonjë surprizë private apo ndonjë urim publik, doli se Justin thjesht kishte qëndruar në shtëpi duke kënduar në livestream-in e tij. Ndërsa gruaja e tij festonte, ai zgjodhi të mos jetë pjesë e asnjë momenti. Ditëlindja kaloi, festa përfundoi dhe Justin vazhdoi të mos shfaqej.

Kjo sjellje e tij është një model i përsëritur sa herë që vëmendja shkon te Hailey.

Kohët e fundit, tabloidet kanë shtuar zërat për tensione të brendshme në martesën e tyre. Raportime të Globe Magazine pretendojnë se Hailey i është drejtuar babait të saj, Stephen Baldwin, për mbështetje në një moment të vështirë, ndërsa çifti po përpiqej të përballonte presionin e ardhjes së foshnjës së tyre, Jack Blues.

Sipas burimeve, ndryshimi i menjëhershëm drejt prindërimit e ka tronditur Justin-in, i cili është përballur me frikë, pasiguri emocionale dhe një barrë që nuk ka ditur si ta menaxhojë. Të njëjtat burime flasin për këshillim të përbashkët, për të gjetur një ekuilibër mes punës, jetës me një të porsalindur dhe marrëdhënies së tyre.

Por nëse këto raporte mbeten të pakonfirmuara, ajo që është e dukshme është sjellja publike e Justin-it. Kjo nuk është hera e parë që ai hesht në momentet e Hailey-t. Vetëm pak kohë më parë, kur ajo doli në kopertinën e Vogue, në vend të një urimi të qartë e të pastër, ai postoi një kujtim të hidhur nga e kaluara, ku i thoshte Hailey-t se “nuk do të ishte kurrë në kopertinë të Vogue”. (LEXO KËTU)

Një koment pasiv-agresiv që i riktheu botërisht një pasiguri, në një ditë që duhej të ishte triumf i saj. Me Kendall Jenner-in, në të njëjtën situatë, ai pati shkruar një urim të ngrohtë, të thjeshtë dhe të admiruar. Me Hailey-n, ai zgjodhi dramën dhe kujtimet negative.

Këto veprime të Bieber krijojnë një model ku suksesi i Hailey-t e vendos atë në prapavijë dhe i nxit sjellje mbizotëruese të xhelozisë dhe pasigurisë. Ndërkohë që Hailey punon, rrit markën e saj, shfaqet në kopertina, ndërton imazh profesional dhe ruan qetësi publike, Justin shfaq një lloj reagimi emocional që shpesh e devijon vëmendjen nga ajo drejt tij.

Heshtja e tij në ditëlindjen e saj, mosprezenca në festë, mungesa e një postimi urimi dhe fakti që preferoi të këndonte live nga shtëpia, flasin shumë më tepër sesa çdo status i munguar. Kjo është një sjellje që shihet shpesh në marrëdhënie ku partneri ndien nevojën të mbajë kontroll emocional duke u tërhequr pikërisht kur tjetri shkëlqen.

Në publik, Justin dhe Hailey shfaqen shpesh të lumtur, por këto detaje të vogla, të shpeshta dhe të përsëritura krijojnë kontrast të mprehtë me imazhin që duan të transmetojnë. Në momentet kur Hailey ka më shumë të drejtë se kurrë të ndjehet e mbështetur, ajo shfaqet e vetme, ndërsa ai ose zhduket, ose përdor momentet e saj për të rrëfyer gabimet e veta. Nuk është çudi që fansat po ngrenë sërish pyetjen që nuk shuhet dot: mos vallë kjo martesë ka më shumë krisje sesa pranojnë?

Në fund të ditës, partneriteti i vërtetë tregohet në momente të thjeshta: në një urim, në një praninë, në një gjest që nuk kërkon vëmendje por jep vëmendje. Dhe Justin, për të disatën herë, zgjodhi të mos jetë aty kur Hailey kishte ditën e saj.

/Iconstyle

The post Justin zhduket sërish kur është radha e Hailey-t: xhelozi, sabotim emocional apo një krizë që s’fshihet dot më? appeared first on iconstyle.al.

Rihapet dosja e turizmit makabër “Sarajevo safari”: Presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzohet për pjesëmarrje në pozicionet e snajperëve/ Të pasurit paguanin për të vrarë civilë boshnjakë, me çmim më të lartë për fëmijët

23 November 2025 at 12:00

Ka ngjarje që i mbijetojnë kohës dhe ka krime që nuk shuhen kurrë. Historia e “Sarajevo Safari” është një prej plagëve më të errëta të ndërgjegjes sonë kolektive, një dëshmi e një poshtërimi njerëzor që sfidon çdo kuptim të moralit, çdo pritshmëri të logjikës dhe çdo ndjesi të humanizmit.

Në qendër të zhvillimeve të fundit, që kanë rikthyer këtë histori në mediat ndërkombëtare, qëndron edhe emri i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili sipas gazetarit investigativ kroat Domagoj Margetiq, ka qenë i pranishëm në një prej pozicioneve të snajperëve në Sarajevë në vitet 1992–1993, në periudhën kur fenomeni i “safarit njerëzor” dyshohet të ketë ndodhur. Vuçiçi i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se në atë kohë punonte si gazetar dhe se pamjet që qarkullojnë janë keqinterpretuar. Megjithatë, hetimi penal i Milanos i ka marrë këto pretendime seriozisht, duke verifikuar çdo provë të dorëzuar nga Margetiq.

E kemi trajtuar këtë temë edhe kur u publikua dokumentari slloven në vitin 2022, por sot, me zhvillimet e reja, me hetime zyrtare dhe me emra të përfshirë në qendër të skandalit, historia merr përmasa të tjera, shumë më të rënda, shumë më të pakapërcyeshme.

Në thelbin e kësaj historie të tmerrshme qëndron një praktikë e paimagjinueshme: të pasur nga Italia, Rusia, SHBA, Franca, Gjermania e Britania udhëtonin drejt Bosnjës për “safari njerëzore”, ku paguanin shuma të mëdha parash për të qëlluar me snajper mbi civilë boshnjakë. Sipas hetimeve që po zhvillohen në Milano, disa prej tyre udhëtonin nga Trieste për në Beograd, prej nga milicitë serbo-boshnjake i shoqëronin drejt kodrave të Sarajevës. Aty, mbi qytetin e rrethuar, vendosej çmimi i jetës. Një njeri. Një nënë. Një prind. Një fëmijë. Dhe për një fëmijë, sipas dëshmive, çmimi ishte më i larti.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 44 muaj, më i gjati në historinë moderne, më i gjatë edhe se rrethimi nazist i Leningradit. Mbi 11.000 civilë u vranë, prej të cilëve 1.600 fëmijë. Një në dhjetë fëmijë u vra nga snajperët. Fëmijë që vraponin nëpër rrugë, që luanin, që kërkonin bukë, që mbanin duart e nënave të tyre. Për ta, dikush kishte paguar para. Dhe dikush shtinte mbi ta.

Në vitet 1990, gazetarët e “Oslobodjenje” alarmonin publikun për fenomenin makabër, por bota nuk reagoi. Më pas, shërbimi sekret italian SISMI informoi se të paktën pesë italianë ndodheshin në kodrat rreth Sarajevës për të qëlluar civilë. Një serb i arrestuar deklaroi se kishte shoqëruar të huajt nga Beogradi në pozicionet e snajperëve. Dëshmi të shumta flasin për një rrjet të tërë “turizmi lufte”. Por vitet kaluan dhe çështja ra në heshtje.

Deri tani.

Historia shpërtheu përsëri pas kallëzimit të gazetarit investigativ kroat Domagoj Margetiq, i cili i ka dorëzuar Prokurorisë së Milanos prova, fotografi, video, dëshmi dhe materiale të tjera që, sipas tij, lidhin presidentin serb Aleksandar Vuçiç me pozicionet e snajperëve në Sarajevë në vitet 1992–1993. Ai pretendon se Vuçiçi ishte pjesë e një formacioni paramilitar të Partisë Radikale Serbe dhe se ka qenë i pranishëm tek Varrezat Hebraike, një nga pikat kryesore të snajperëve serbë.

Në qarkullim janë dy video të viteve ’90: njëra e tregon atë në një automjet ku është vendosur një kafkë njeriu me helmetë të OKB-së. Tjetra interpretohet nga disa si moment kur ai mban një pushkë snajperi. Vuçiçi i mohon kategorikisht akuzat, herë duke thënë se ishte gazetar dhe se objekti ishte “një tripod kamere” e herë se ishte “një çadër”. Zëdhënësja e tij i quan akuzat “dezinformim politik”.

Por Prokuroria e Milanos nuk po heton politikë. Po heton vrasje me paramendim, të rënduara nga mizoria dhe motivet e ulëta. Po heton nëse turistë të pasur, italianë, rusë, amerikanë, kanë paguar për të vrarë civilë, gra, burra, dhe fëmijë. Po heton se kush i çonte atje. Kush i udhëhiqte. Kush përfitonte. Kush ishte prezent. Kush mbante armë. Kush shënjestroi. Kush shtiu.

Kjo është një prej pikave më të ulëta ku ka rënë ndonjëherë qenia njerëzore, momenti kur jeta kthehet në një objekt argëtimi për një njeri të pasur nga një vend tjetër.

Gazetari boshnjak Dragan Bursaq thotë:

 “Po, është e vërtetë. Të huaj të pasur vinin në Sarajevë dhe nga pozicionet serbe vrisnin njerëz. ‘Sarajevo Safari’ është dëshmia më morbide e pamëshirës njerëzore.”

Regjisori boshnjak Dino Mustafiq e përmblodhi në mënyrë të dhimbshme:

“Edhe nëse gjysma e kësaj është e vërtetë, është një aktakuzë ndaj vetë civilizimit që pa dhe heshti.”

Ku ishte bota atëherë?
Ku janë institucionet sot?
Si ka mundësi që Prokuroria e Bosnjës ka heshtur për 30 vite?
Si ka mundësi që kjo çështje të rikthehet vetëm falë këmbënguljes së disa gazetarëve, shkrimtarëve dhe hetuesve italianë?

Hetimi i Milanos ka forcën të rikthejë drejtësinë. Të nxjerrë emrat e atyre që kanë paguar për të vrarë fëmijë. Të sqarojë nëse Aleksandar Vuçiçi ka qenë apo jo pjesë e një prej momenteve më të errëta të historisë moderne. Të hapë dosje në disa vende njëkohësisht. Të vendosë para përgjegjësisë një krim që nuk duhet të harruar, që nuk duhet relativizuar, që nuk duhet normalizuar.

Dhe mbi të gjitha, të kujtojë se në Sarajevë, në ato muaj të gjatë terrori, jeta u bë mall tregu. U shit. U ble. U vra.

Kjo është pika ku historia dhe ndërgjegjja ndahen. Dhe në këtë pikë, nuk ka vend për harresë. Nuk ka vend për justifikim. Vetëm përballje.

The post Rihapet dosja e turizmit makabër “Sarajevo safari”: Presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzohet për pjesëmarrje në pozicionet e snajperëve/ Të pasurit paguanin për të vrarë civilë boshnjakë, me çmim më të lartë për fëmijët appeared first on iconstyle.al.

❌