Normal view

Markat luksoze po dalin nga moda! 5 arsyet pse njerëzit po i blejnë gjithnjë e më pak

26 August 2025 at 13:17

Cilësia po bie

Shumë konsumatorë mendojnë se produktet e luksit nuk justifikojnë më çmimet gjithnjë në rritje. Çanta apo veshje që dikur zgjatnin për vite, sot fillojnë të konsumohen pas vetëm disa muajsh. Përdorimi i materialeve më të lira dhe prodhimi i zhvendosur jashtë ka zhdukur atë kujdes artizanal që dikur e bënte luksin të veçantë.

Mbiekspozimi

Ekskluziviteti i luksit po humbet nga reklamat e pafundme dhe nga prania e tepërt e influencuesve. Të njëjtat produkte shfaqen kudo në rrjete sociale, duke i bërë të duken të zakonshme. Në vend që të frymëzojnë ëndrra, kjo mbingopje i ka bërë markat të humbasin atë ndjesi të veçantë që kishin dikur.

Çmimet e paarsyeshme

Çmimet janë rritur disa herë gjatë dekadës së fundit, shpesh pa një përmirësim të dukshëm në dizajn apo cilësi. Përkundrazi, shumë blerës shohin një ulje të standardeve. Kjo ka krijuar një boshllëk mes asaj që paguan dhe asaj që realisht merr, një ndjenjë që po largon gjithnjë e më shumë klientë.

Humbja e kreativitetit

Shumë koleksione sot duken të ngjashme me njëri-tjetrin, duke humbur origjinalitetin dhe vizionin artistik. Presioni për të nxjerrë vazhdimisht koleksione të reja ka çuar në ide të ricikluara, që shpesh perceptohen si të mërzitshme. Në një industri ku arti dhe kreativiteti janë thelbi i vlerës, kjo mungesë është e rrezikshme.

Kur fitimi vlen më shumë se produkti

Gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se kompanitë gjigante të luksit mendojnë vetëm për fitimin dhe jo për produktin. Identiteti i markave është zbehur, cilësia është sakrifikuar, ndërsa marketingu i tepruar duket si një mashtrim për të mbajtur shitjet. Ky zhgënjim ka krijuar një shkëputje emocionale nga markat që dikur respektoheshin për mjeshtërinë e tyre.

Mesa duket, “luks” nuk është më një logo në çantë apo një fustan që kushton një pasuri. Luks është të ndihesh mirë me atë që vesh, të dish që ka vlerë, që ka histori dhe që nuk ka nevojë të të bërtasë për të të bindur!

 

The post Markat luksoze po dalin nga moda! 5 arsyet pse njerëzit po i blejnë gjithnjë e më pak appeared first on iconstyle.al.

Alarmante! Nga 1 shtatori, BE dhe Zvicra ndalojnë lloje kancerogjene të manikyrit xhel

25 August 2025 at 23:12

Nga 1 shtatori, BE dhe Zvicra do të ndalojnë disa lloje manikyri me xhel, sepse përmbajnë një përbërës kimik të quajtur TPO. Ky përbërës përdoret për ta tharë më shpejt xhelin nën dritën UV, por është shpallur i rrezikshëm për shëndetin. Është klasifikuar si i dëmshëm, veçanërisht për sistemin riprodhues. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur që ai të mos lejohet më në produktet kozmetike.

TPO (Trimethylbenzoyl Diphenylphosphine Oxide) është një fotoiniciator, pra një substancë kimike që aktivizohet nën dritë UV ose LED dhe shkakton ngurtësimin e materialeve si xheli i thonjve. Për shkak të kësaj aftësie, ai është përdorur gjerësisht në industrinë e manikyrit me xhel. Megjithatë, studime toksikologjike kanë treguar se TPO ka veti të rrezikshme për shëndetin. Ai është kategorizuar nga Bashkimi Evropian si substancë CMR të kategorisë 1B – që do të thotë se konsiderohet kancerogjen, mutagjen ose toksik për riprodhimin.

Në rastin e TPO, shqetësimi kryesor lidhet me fertilitetin dhe shëndetin e sistemit riprodhues. Studimet laboratorike kanë treguar se ekspozimi ndaj këtij përbërësi mund të ndikojë negativisht në aftësinë për riprodhim. Megjithëse shumica e përdoruesve ekspozohen në doza të vogla përmes manikyrit me xhel, autoritetet evropiane e konsideruan të nevojshëm ndalimin, për shkak se rreziku akumulohet me përdorim të vazhdueshëm dhe afatgjatë.

Një tjetër shqetësim është se TPO mund të shkaktojë irritime të lëkurës dhe reaksione alergjike tek personat që janë të ndjeshëm. Në disa raste janë raportuar dermatite kontakti nga përdorimi i zgjatur i produkteve që e përmbajnë këtë përbërës. Përveç kësaj, për shkak të vetive të tij kimike, ekziston frika se mund të çlirojë përbërës të tjerë toksikë gjatë procesit të ngurtësimit me llambë UV.

Ndalimi i TPO është pjesë e një qasjeje më të gjerë të BE-së për të eliminuar gradualisht substancat e rrezikshme nga produktet kozmetike. Ky vendim nuk synon vetëm industrinë e bukurisë, por është pjesë e një politike të rreptë për mbrojtjen e shëndetit publik. Pas hyrjes në fuqi të rregullores, produktet që përmbajnë TPO nuk do të lejohen më në treg dhe përdorimi i tyre në sallonet e bukurisë do të konsiderohet i paligjshëm.

Ky ndryshim tregon qartë se edhe produkte që duken të padëmshme, si manikyri me xhel, mund të mbajnë pas vetes rreziqe serioze shëndetësore. Autoritetet ndërkombëtare paralajmërojnë se konsumatorët duhet të jenë gjithnjë më të vëmendshëm përbërësve që përmbajnë produktet e tyre të përditshme të bukurisë dhe të informohen mbi efektet e tyre afatgjata.

The post Alarmante! Nga 1 shtatori, BE dhe Zvicra ndalojnë lloje kancerogjene të manikyrit xhel appeared first on iconstyle.al.

❌