Normal view

Veshjet imitim të firmave luksoze ndalohen në Shqipëri: Ligji i ri i jep fund tregut “fake firmato”

21 August 2025 at 14:49

Nuk janë të pakta rastet që kanë mbërritur në redaksinë e Iconstyle vitet e fundit, ku qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar biznese të papërgjegjshme apo dashakeqe që përfitojnë duke shitur mallra të falsifikuara. Me premtimin e “firmave origjinale” dhe çmimeve të ulëta, shumë prej tyre kanë mashtruar konsumatorët shqiptarë, duke i pajisur me produkte pa cilësi, të cilat nuk kanë as garanci, as vlerë të vërtetë. Ky realitet ka kthyer Shqipërinë në një treg të mbushur me “imitime luksi”, ku Gucci, Louis Vuitton apo Dior janë bërë emra të zakonshëm në reklama online, por në fakt shumica e produkteve ishin “fake”.

Me hyrjen më në fund në fuqi të ligjit të ri për markat tregtare më 16 gusht, kjo situatë pritet të ndryshojë ndjeshëm. Teksa deri dje ishte e zakonshme të porositje online një çantë “imitim të parë” ose të gjeje në rrugicat e qyteteve dyqane që shisnin rroba të stampuara me logo firmash botërore, tani çdo mall i tillë do të ndalet në pikat doganore. Ligji i ri i bën të paligjshme importin dhe eksportin e produkteve që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, duke i dhënë fund një tregu të ndërtuar mbi mashtrim dhe fitim të padrejtë.

Përveç tregtarëve, rregullat prekin edhe udhëtarët. Kushdo që hyn në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësore apo detare, mund të ketë me vete vetëm mallra jo tregtare, brenda kufijve duty free dhe pa tregues të dyshimtë. Pra, edhe një çantë apo një palë këpucë të blera jashtë vendit, nëse janë imitime të markave të njohura, rrezikojnë të konfiskohen nga dogana.

Ky ligj sjell disa risi të rëndësishme. Ai i njeh pronarëve të markave të famshme jo vetëm të drejtën për të ngritur padi kundër imituesve, por edhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet që u janë shkaktuar. Në nenin 87 parashikohet qartë se çdo përdorim i paautorizuar i një marke të mbrojtur mund të penalizohet, duke detyruar abuzuesit të paguajnë shumat përkatëse. Për më tepër, pronarët e markave kanë mundësinë të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Pronësisë Industriale, nëse konstatojnë ngjashmëri të rrezikshme me markat e tyre.

Shqipëria ka vite që është kthyer në një “qendër tregtare” për mallrat e falsifikuara, duke rivalizuar tregje si ai turk. Dyqane fizike, por sidomos ato online në rrjete sociale, kanë ofruar çanta, syze, këpucë dhe veshje me logot e firmave luksoze, duke i prezantuar si “imitime të para”. Për shumë konsumatorë, këto produkte ishin e vetmja mundësi për të pasur një “luksoz” në garderobë, por në të vërtetë ishin një mashtrim i pastër.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2024 Dogana shqiptare ka sekuestruar mbi 40 mijë produkte të falsifikuara. Por ky numër tregon vetëm sipërfaqen e problemit, pasi pjesa më e madhe e mallrave kanë hyrë lirshëm dhe janë shitur pa kontroll.

Përfitimi nga tregu i produkteve “fake” nuk ka qenë vetëm një çështje estetike apo mode, por një problem serioz ekonomik. Nga njëra anë, bizneset e ndershme që importojnë mallra origjinale janë dëmtuar drejtpërdrejt, duke humbur klientë. Nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar, duke paguar për produkte të cilat nuk kanë as garanci dhe shpesh janë të dëmshme për shëndetin, sidomos në rastin e kozmetikës apo këpucëve me materiale toksike.

Një Shqipëri pa treg të mallrave “fake” do të thotë një treg më transparent, më i ndershëm dhe më i sigurt për konsumatorin.

Megjithatë, sfida e vërtetë do të jetë zbatimi. Ligjet janë vetëm në letër nëse institucionet nuk kanë kapacitetin dhe vullnetin për t’i zbatuar. Nëse doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale nuk do të kenë një kontroll të rreptë, ekziston rreziku që tregu “fake firmato” të gjejë sërish rrugë alternative.

Për momentin, vendimi është një goditje e rëndësishme ndaj gjithë atyre që kanë pasuruar veten duke shitur mashtrime të mbështjella me logot e firmave botërore. Dhe për konsumatorët shqiptarë, ky është një hap drejt një tregu më të pastër, më të drejtë dhe me më shumë garanci.

The post Veshjet imitim të firmave luksoze ndalohen në Shqipëri: Ligji i ri i jep fund tregut “fake firmato” appeared first on iconstyle.al.

Naun Shundi në betejë për jetën, heshtja e Teatrit Kombëtar dhe turpi i një shteti që i varros artistët gjallë

21 August 2025 at 13:59

Naun Shundi, një nga figurat më të dashura të teatrit dhe regjisë shqiptare, sot po lufton me sëmundjen më të rëndë. Ndodhet në një spital në Francë, ku po merr mjekim të specializuar, por përballja e tij nuk është vetëm me sëmundjen. Është edhe me heshtjen e një vendi që i ka duartrokitur aktorët e tij për dekada, por i harron në momentet më të vështira.

Vajza e tij, Rea Shundi, reagoi e tronditur publikisht, duke akuzuar Teatrin Kombëtar, institucionin ku i ati dha shpirt dhe jetë mbi 46 vite, për indiferencën e plotë.

“Babi im po përballet me të keqen më të madhe. Luftën mes jetës dhe vdekjes. Në konceptin tonë, kur e keqja të vjen në derë edhe armiku të bëhet më i ndjeshëm. Kjo nuk ndodhi me institucionin ku babi im i dha frymë dhe jetë shumë personazheve. Teatri Kombëtar. Në kohën kur solidariteti ishte dhe është nga gjithkush, nga institucioni ku babi im i dha jetë për më shumë se 46 vite, hesht. As dy rreshta tekst. Sa trishtim!”, shkroi ajo.

Ndërkohë, familja e tij është detyruar të hapë një llogari në “Gofundme” për të mbledhur fondet e mjekimit, sepse shpenzimet janë të papërballueshme. Ky fakt i hidhur na vendos përballë një realiteti të pashmangshëm: në Shqipëri, artistët që i dhanë shpirt kulturës, në pleqëri ose në sëmundje, mbeten vetëm.

Dhe nuk është hera e parë. Vetëm pak kohë më parë u mësua se Tinka Kurti, “zonja e madhe” e skenës dhe kinemasë shqiptare, një ikonë me mbi 260 role në teatër dhe 95 role në film, ndodhet sot në një shtëpi pleqsh. Një aktore që ndërtoi historinë e artit shqiptar, që na dha figura të paharrueshme dhe na mësoi ç’është shpirti, është sot e harruar nga shteti.

Por Tinka dhe Shundi nuk janë të vetmit. Historia shqiptare është e mbushur me artistë që u larguan nga kjo botë në harresë, pa një falënderim, pa një titull, pa një shenjë mirënjohjeje. Lista është e gjatë dhe e dhimbshme:

Mirush Kabashi, mjeshtër i poezisë dhe skenës, u nda nga jeta në dhjetor 2023, pa marrë as minimumin e kujdesit institucional. Mimika Luca, një nga themelueset e Teatrit Kombëtar, ndërroi jetë në shkurt 2023, duke u përcjellë me shumë më tepër heshtje sesa mirënjohje. Vladimir Prifti, regjisori dhe skenaristi i njohur, u largua në nëntor 2023, pothuajse i anashkaluar nga ata që dikur e kishin bashkëpunëtor.

Dhe vetëm pak ditë më parë, në gusht 2025, u nda nga jeta Zija Grapshi, aktor i dashur i Teatrit të Kukullave, që dha mbi gjysmë shekulli art për breza të tërë, por u harrua gjallë nga shteti. Margarita Xhepa, që edhe pse një ikonë e artit dhe ende gëzon jetë, shpesh është përdorur më shumë për propagandë sesa është mbështetur; Dhimitër Orgocka, që u shua në vetmi, e shumë e shumë të tjerë.

Ky është modeli i një shteti që i përdor artistët për festivale, për propagandë, për ceremoni, por nuk i qëndron pranë kur kanë më shumë nevojë. Një shtet që ndan dekorata pas vdekjes, por nuk ofron as minimumin e respektit gjallë. Një shtet që organizon homazhe me kurora lulesh, por nuk paguan as barnat e tyre kur jetojnë.

Kjo është fytyra e vërtetë e turpit tonë. Ne i kemi lënë artistët të varrosen gjallë në harresë dhe në mjerim. Dhe kur vdesin, mbajmë fjalime të bukura, qajmë lot publikë dhe e përdorim kujtimin e tyre për të bërë politikë.

Rasti i Naun Shundit është një thirrje e fortë: sa artistë të tjerë do të lëmë të ikin në këtë mënyrë? Sa Tinka të tjera do të përfundojnë në azile, sa Sandër Prosi të tjerë do të vdesin të harruar, sa herë do të përsërisim të njëjtin turp?

Sepse një komb që nuk i respekton artistët gjallë, është një komb që ka varrosur shpirtin e vet!

The post Naun Shundi në betejë për jetën, heshtja e Teatrit Kombëtar dhe turpi i një shteti që i varros artistët gjallë appeared first on iconstyle.al.

Ndahet nga jeta gjyqtari i famshëm i Tik-Tok, pas betejës me kancerin

21 August 2025 at 00:30

Frank Caprio, gjyqtari i dashur nga miliona njerëz në mbarë botën dhe i njohur për vendimet e tij të mbushura me mëshirë e humanizëm, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Ai u shua pas një beteje të gjatë me kancerin pankreatik.

Familja e tij bëri të ditur lajmin e hidhur përmes një deklarate ku theksohej se Caprio u nda nga jeta i qetë, i rrethuar nga më të dashurit e tij. “Ai ishte një bashkëshort i përkushtuar, baba, gjysh, stërgjysh dhe mik i paharrueshëm,” shkruhet në mesazhin e familjes.

Një gjyqtar që preku zemrat e miliona njerëzve

Caprio fitoi famë botërore përmes programit televiziv Caught in Providence (2018–2020), ku gjykonte çështje të vogla dhe gjoba duke i kthyer ato në momente prekëse, të mbushura me humor dhe mirëkuptim. Ai trajtonte çdo qytetar me dinjitet dhe nuk ngurronte të falte ose të tregonte dhembshuri kur rrethanat e justifikonin. Për këtë arsye, publiku i dha nofkën “gjyqtari më i mirë në botë”.

Beteja me sëmundjen

Në fund të vitit 2023, Caprio bëri publike diagnozën e tij dhe iu nënshtrua trajtimeve të gjata me kimioterapi dhe radioterapi. Në maj 2024 ai festoi përfundimin e trajtimit me një ceremoni simbolike, duke shpresuar për shërim. Megjithatë, pak ditë para vdekjes së tij, ai publikoi një video prekëse ku kërkonte lutje për shkak të një përkeqësimi shëndetësor. Vetëm pak ditë më pas, ai u shua.

Homazhe dhe trashëgimi

Guvernatori i Rhode Island, Dan McKee, urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtize në nder të tij, duke e cilësuar Caprion “një thesar të Rhode Island-it dhe një simbol të dhembshurisë në drejtësi”.

Frank Caprio shërbeu për gati katër dekada si kryetar i Gjykatës Bashkiake të Providence, nga viti 1985 deri në pensionimin e tij në vitin 2023. Trashëgimia e tij shkon përtej sallës së gjyqit: ai u bë frymëzim për miliona njerëz në mbarë botën, duke treguar se drejtësia mund të ushtrohet me humanizëm dhe dashuri për njeriun.

The post Ndahet nga jeta gjyqtari i famshëm i Tik-Tok, pas betejës me kancerin appeared first on iconstyle.al.

❌