Normal view

Kur fjala të kushton miliarda: Elon Musk ‘u pendua’ papritur për deklaratat ndaj Trump, por ç’luhet pas?

11 June 2025 at 13:42

Ashtu siç filloi si një miqësi e papritur, përplasja mes Elon Musk dhe Donald Trump mori një kthesë të re, befasuese, por shumë amerikane: falje publike, heshtje strategjike dhe sinjale për një ribashkim të mundshëm. Pas disa javësh tensionesh, akuzash të ashpra dhe humbjesh marramendëse në tregje, duket se gjërat po kthehen në shinat e vjetra.

Musk, i cili vetëm pak ditë më parë quante projektligjin e Trump-it “një abominacion të neveritshëm” dhe mbështeste hapur thirrjet për shkarkimin e tij, papritur ndaloi. Në një postim të sotëm, ai shkroi:

“Më vjen keq për disa nga postimet që bëra për Presidentin Trump javën e kaluar. E teprova.”

Një frazë e shkurtër, por me shumë peshë politike dhe biznesi.

Por pendesa nuk u kufizua vetëm në fjalë. Musk filloi të ndryshojë edhe tonin e përmbajtjes që shpërndan në rrjet. Një nga postimet e tij më të spikatura pas faljes ishte një video nga protestat në Los Angeles, ku shkruante:

“Kjo është ajo që ndodh kur mungon rendi dhe ligji.”

Një frazë që përputhet plotësisht me diskursin politik të Trump-it mbi sigurinë dhe kontrollin publik – dhe që u interpretua gjerësisht si një sinjal për afrim të qëllimshëm pas përplasjes.

Me këtë lëvizje, Musk nuk u tërhoq vetëm nga konflikti, por dha një mesazh të heshtur se është gati të rihyjë në orbitën politike të Trump, ndoshta për të mbrojtur interesat e tij, ndoshta për të ruajtur fuqinë e ndikimit të vet personal.

Falja nuk erdhi pa arsye. Gjatë përplasjes, aksionet e Tesla-s ranë me 14%, duke i zhdukur Musk-ut rreth 34 miliardë dollarë pasuri në një javë të vetme. Ndërkohë, Trump kërcënoi me anulim kontratash qeveritare për kompanitë e tij, përfshirë Starlink dhe SpaceX. Gjithashtu, akuzat e Musk për përfshirjen e Trump në dosjet e Epstein, të publikuara në X (ish-Twitter), krijuan një tronditje të panevojshme që ndikoi si në imazhin e Musk, ashtu edhe në sigurinë e bizneseve të tij me Pentagonin.

Nga ana tjetër, Trump nuk i ngacmoi më tej plagët. Ai reagoi me një lloj falënderimi të heshtur: sipas burimeve pranë stafit të tij, “e vlerëson kthimin e Elon-it në arsyetim të shëndoshë.” Në disa deklarata të fundit, presidenti nuk e ka përmendur më Musk-un në kontekst negativ, dhe madje ka ripostuar disa publikime që lavdëronin sukseset e SpaceX.

Kjo zbutje mes palëve nuk ka kaluar pa u vënë re. Një takim telefonik mes tyre është në diskutim dhe analistët nuk përjashtojnë mundësinë që Musk të rikthehet si një zë me ndikim në orbitën politike të Trump për zgjedhjet e vitit 2026. Ai mbetet një nga individët më me ndikim në teknologji, opinion publik dhe, pavarësisht gjithçkaje, një aset i vlefshëm për çdo fushatë që kërkon të shfaqet “pro-biznes” dhe “anti-establishment”.

Por ky rikthim i marrëdhënies ka edhe hijet e veta. Shumë ndjekës në rrjete sociale e kanë kritikuar Musk-un për këtë kthesë, duke i kërkuar llogari për deklaratat e mëparshme, veçanërisht për përmendjen e dosjeve të Epstein-it. Një koment viral nën postimin e tij ishte: “A gënjeve për Trump-in apo po të kërcënojnë? Zgjidh një. Ai nuk ka dhënë ende një përgjigje të qartë.

Një gjë është e sigurt: aty ku ndërthuren politika, biznesi dhe egot më të mëdha të epokës moderne, gjithçka është e mundur – madje edhe që Musk dhe Trump të bëhen sërish aleatë në emër të interesit të përbashkët. Dhe nëse kjo ndodh, do të jetë më shumë se një pajtim personal. Do të jetë një lëvizje që mund të rishkruajë dinamikën e pushtetit në SHBA.

The post Kur fjala të kushton miliarda: Elon Musk ‘u pendua’ papritur për deklaratat ndaj Trump, por ç’luhet pas? appeared first on iconstyle.al.

‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd

11 June 2025 at 12:40

“Ju lutem, hajdeni!”. Klithma vjen nga Jala, nga një grua që filmon me duar që i dridhen ndërsa dikush tjetër nxirret me barrelë nga rrënojat e një ndërtese pa leje në bregdet, të shembur nga shteti. Në video, malli ende brenda. Pluhur, zhurmë, panik. E ndërsa zëri i saj përhapet në rrjet, një pyetje qëndron pezull: Kush të vijë?

Sepse në këtë vend, thirrjet për ndihmë janë të shumta, por përgjigjet gjithmonë të pakta. Nuk mungojnë rastet, por ndjeshmëria kolektive. Ajo ndjenjë që të shtyn të lësh shtëpinë, të dalësh në rrugë, të qëndrosh për dikë që nuk je ti.

Në Shqipëri, rrallëkush shfaqet kur diçka nuk e prek drejtpërdrejt. Kjo është fytyra e shoqërisë sonë: protestat janë gjithmonë me pak njerëz dhe shumë arsye. S’kanë munguar thirrjet për mësuesit, për TikTok-un, për fëmijët e helmuar në Gramsh, për bypass-in e Kaninës, për ujësjellësin e Dukatit, për banorët e Krujës e Fushë-Krujës që kërkonin dalje në autostradë, për gratë e dhunuara, për fshatrat që betoni po i gërryen. Por kush ka dalë për këto kauza, kur nuk është ndjerë i prekur personalisht?

Shqiptarët presin që dikush tjetër të shfaqet për ta. Dhe kur nuk shfaqet askush, tërhiqen edhe ata që ndoshta do donin të besonin. Të vetmit që qëndrojnë janë disa aktivistë të palodhur, zëri i të cilëve mbytet shpesh nga indiferenca e përgjithshme.

Në këtë realitet, thirrja e dëshpëruar “Ju lutem, hajdeni” është pasqyra ku shohim atë që jemi bërë: një shoqëri që ka humbur ndjeshmërinë e përbashkët, ndjesinë e bashkëjetesës në komunitet.

Brenda kësaj amullie, ka vend edhe për votën e shitur. Jo si çështje politike, por si simptomë e së njëjtës krizë. Sepse kur voton për një thes miell, nuk mendon për të nesërmen e askujt, as për tënden. Mjafton të jesh rehat tani. Pastaj, kur vjen rrëzimi, thërret. Por askush nuk përgjigjet.

Kështu ndodhi edhe në Jalë. Sot është ajo, nesër një tjetër. Por drama është njësoj. Klithma është e njëjtë. Heshtja është e zakonshme.

Shqipëria është një vend ku askush nuk vjen për askënd. Sepse të gjithë janë të zënë duke menduar për veten. Solidariteti nuk është një rrugë që shkel vetëm kur të djeg ty. Sepse kur ti nuk je për të tjerët, askush nuk do jetë asnjëherë për ty!

The post ‘Ju lutem, hajdeni!’/ Në një vend ku askush nuk vjen për askënd appeared first on iconstyle.al.

❌