Normal view

Reklamat valojnë! Dita Botërore Kundër Duhanit kaloi në heshtje në Shqipëri, ndërsa bota ndalon cigaret elektronike

1 June 2025 at 20:25

Dita Botërore Kundër Duhanit u shënua dje në të gjithë botën me thirrje të forta për mbrojtjen e brezave të rinj dhe ndërgjegjësimin për rreziqet e duhanpirjes. Në vende si Mbretëria e Bashkuar, kjo ditë erdhi me një masë konkrete dhe të guximshme: nga sot, 1 qershor 2025, do të ndalohet plotësisht shitja dhe furnizimi i cigareve elektronike njëpërdorimëshe.

Ky ndalim përfshin të gjitha pajisjet njëpërdorimëshe, me ose pa nikotinë dhe zbatohet si për shitjet në dyqane, ashtu edhe për ato online. Qëllimi është i qartë: të mbrohet shëndeti i të rinjve dhe të ndalet ndotja mjedisore nga miliona pajisje të tilla që përfundojnë çdo javë në mbeturina. Dhe Mbretëria e Bashkuar nuk është e vetme. Masa të ngjashme janë ndërmarrë nga Franca, Gjermania, Belgjika, Australia, Zelanda e Re, Filipinet dhe qytete si New York dhe Roma.

Ndërkohë në Shqipëri? Asnjë masë. Asnjë reflektim. Asnjë reagim institucional. Edhe këtë vit, Dita Botërore Kundër Duhanit kaloi pa asnjë fjalë nga institucionet shtetërore, pa ndonjë nismë konkrete, pa ndërgjegjësim dhe pa asnjë përpjekje për të ndalur një epidemi të re: promovimin agresiv të cigareve elektronike dhe produkteve të avullimit, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Ligji nr. 9636, datë 6.11.2006, i ndryshuar me ligjin nr. 56/2019 dhe së fundmi me ligjin nr. 92/2024, ndalon çdo formë reklamimi, promovimi apo sponsorizimi të produkteve të duhanit, përfshirë cigaret elektronike dhe pajisje si iQOS, si në media të shkruara, transmetime televizive, platforma online, ashtu edhe në hapësira publike.

Në realitet, produktet si iQOS reklamohen lirshëm në rrugët e Tiranës, në televizione kombëtare, në portale online dhe rrjete sociale. Reklamat shfaqen në hapësira publike me kontrata të dyshimta, të zbukuruara me mesazhe që i shesin këto produkte si “më të sigurta” apo “më të sofistikuara”. Në fakt, kjo fushatë e gjerë reklamimi është bërë e mundur përmes një aleance të qartë mes kompanive të mëdha dhe një pjese të mirë të mediave shqiptare.

Janë vetë mediat ato që janë bërë pjesë aktive e shkeljes së ligjit. Jo vetëm që transmetojnë dhe publikojnë reklama të ndaluara me ligj, por përfitojnë drejtpërdrejt nga kompani të fuqishme që operojnë me fonde publike, tenderë bashkiakë apo sponsorizime të lidhura me pushtetin. Këto media nuk janë më thjesht vëzhguese: ato janë bashkëpjesëmarrëse në një sistem ku ligji në fuqi shpërfillet, në këmbim të përfitimeve financiare dhe ndikimit politik.

Reklamat e cigareve elektronike nuk janë më incidente të izoluara. Ato janë pjesë e një infrastrukture të ndërtuar me qëllim të qartë: të krijojë një treg fitimprurës, të mbajë të varura redaksitë dhe gazetarët dhe të shtrembërojë realitetin. Disa prej mediave që shfaqin këto reklama janë të njëjtat që janë përmendur në hetimet e SPAK për ndërhyrje në drejtësi, manipulim tenderash, pastrim parash dhe përdorim abuziv të fondeve publike.

Në këtë mjedis të kalbur, kompanitë që shpërndajnë produkte si iQOS, të financuara shpesh nga rrjete ndërkombëtare me interesa të mëdha tregtare, kanë gjetur terren të përkryer. Asnjë institucion nuk i ndalon. Asnjë autoritet nuk i kontrollon. Dhe kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të mungesës së vullnetit për zbatim dhe për shkak të bashkëfajësisë së atyre që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët.

Kujtojmë se cigaret elektronike nuk janë “më të sigurta”. Studime të shumta, përfshirë ato të botuara në Journal of the American College of Cardiology, kanë treguar qartë se pajisje si iQOS rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, dëmtim të qelizave të enëve të gjakut, madje edhe rrezik të shtuar për atak kardiak. OBSH ka paralajmëruar prej kohësh se këto produkte nuk të ndihmojnë të heqësh dorë nga nikotina. Përkundrazi: janë dizajnuar për të forcuar varësinë.

Ndërkohë, në Shqipëri, këto paralajmërime shpërfillen çdo ditë. Çdo cep i Tiranës, përfshirë zona të frekuentuara nga të rinjtë si ajo përreth Piramidës, është zaptuar nga reklama për iQOS.

Dje ishte Dita Botërore Kundër Duhanit. Shqipëria nuk tha asgjë. As Ministria e Shëndetësisë, as ndonjë institucion tjetër nuk dha asnjë mesazh. Asnjë masë. Asnjë aksion. SPAK, që ka në dorë dosje të tëra për abuzime të ngjashme, deri më tani nuk ka marrë asnjë hap konkret për këtë shkelje flagrante të ligjit.

Ndërkohë, qytetarët po ekspozohen çdo ditë ndaj reklamave të ndaluara, produktet e rrezikshme po shiten lirshëm, të miturit i konsumojnë si lodra dhe kompanitë ndërkombëtare si Philip Morris, përfaqësuesit e të cilit janë të lidhur me çdo hallkë të pushtetit vendor dhe mediatik, forcojnë çdo ditë ndikimin e tyre në Shqipëri.

Një gjë është e sigurt: në këtë vend, ku ligji zbatohet vetëm për të dobëtit dhe ku shëndeti publik shitet për një fushatë marketingu, qytetarët janë ata që humbasin. Përballë një skeme që po helmon një brez të tërë, heshtja institucionale është bashkëfajësi.Ky është krim shëndetësor dhe duhet trajtuar si i tillë!

The post Reklamat valojnë! Dita Botërore Kundër Duhanit kaloi në heshtje në Shqipëri, ndërsa bota ndalon cigaret elektronike appeared first on iconstyle.al.

FBI premton të publikojë videon tronditëse që provon se Jeffrey Epstein nuk u vra, por i dha vetë fund jetës së tij!

1 June 2025 at 15:17

FBI do të publikojë së shpejti një video që rrëzon çdo teori konspiracioni: Jeffrey Epstein nuk e vranë, por vdiq nga vetëvrasja. Ky ishte premtimi që zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, bëri të enjten në emisionin “Fox & Friends”. “Do të shihni me sytë tuaj: ai ishte i vetëm në qeli kur ndodhi gjithçka,” tha ai, duke nënvizuar se do të jepet versioni origjinal i incizimit, pa manipulime. Edhe pse ky lajm duket qetësues në sipërfaqe, historia e Epstein-it mbetet e mbushur me mister, akuza dhe dyshime që nuk kanë marrë kurrë prehje.

Jeffrey Epstein nuk ishte thjesht një emër në botën e financës; ai përfaqësonte një rrjet interesash politike dhe miliarderësh. Rrëmujat nisën pas arrestimit të tij në korrik 2019, kur akuzohej për trafikimin e minoreneve për përfitime seksuale. Para se gjyqi të niste, ai u gjend i vdekur në qelinë e tij në Metropolitan Correctional Center në Manhattan më 10 gusht 2019. Autoritetet federale deklaruan menjëherë se shkaku ishte vetëvrasja; por mënyra se si ndodhi vdekja dhe disa pakujdesi proceduriale zgjuan dyshime të mëdha.

Së pari, dy gardianë u zbuluan të “përgjumur” në momentin që duhej të kontrollonin qelinë e tij çdo 30 minuta. Së dyti, dy kamerat në korridorin përballë qelisë, që do të regjistronin çdo lëvizje, ishin “jashtë funksioni” ose kishin probleme teknike ditët përpara. Për më tepër, Epstein kishte tentuar të kryente vetëvrasje rreth tre javë më parë, ndaj kishte qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm, por ky vëzhgim u hoq pak ditë më parë.

Kur trupi i tij u gjet me një çarçaf të lidhur rreth qafës, mjeku ekzaminues e klasifikoi menjëherë si vetëvrasje. Megjithatë, familja e tij nuk pranoi menjëherë këtë version. Ata sollën patologun e njohur Michael Baden, i cili, duke iu referuar shenjave në qafë dhe formës së plagëve, deklaroi se “shanset për një vrasje ishin shumë më të larta se ato të vetëvrasjes”. Ky konkluzion i dha flakë edhe më shumë spekulimeve: nëse dikush donte ta heshtte, kush përfitonte nga humbja e një burri që mund të ekspozonte zërin e shumë politikanëve e biznesmenëve të lidhur me rrjetin e tij?

Megjithatë, hetuesit federalë mbetën te teoritë zyrtare. Ata thonë se nuk u gjetën asnjë gjurmë ADN-je të huaj në qeli, asnjë provë audio, as gishta të tjerë në vendngjarje, as dëshmi të komplotit. “Nëse keni ndonjë informacion, jepeni; por aty nuk kishte askënd tjetër”, tha Dan Bongino, duke insistuar se nuk ekzistonte asgjë që të mbështeste një skenar tjetër. Sidoqoftë, ato pyetje mbetën pezull, sepse publiku tashmë nuk besonte si më parë versionin zyrtar të “Misterit të Qelisë 9W”.

Edhe pse në 2008 Epstein kishte shpëtuar nga akuzat për trafikim seksual në Florida me një marrëveshje tepër të diskutueshme (një dënim prej vetëm 13 muajsh burgu) ai vazhdoi të lëvizte me lehtësi nëpër sallonet e elitës. Miliarderë, politikanë e figura të larta kishin ruajtur miqësi me të, madje dhe bënin “udhëtime të veçanta” në pronat e tij luksoze. Kur u arrestua sërish në korrik 2019, pas një hetimi që zbardhi rrjetin e tij global të trafikimit të minoreneve, bota u trondit keq.

Në mëngjesin e 10 gushtit 2019, trupi i tij u gjet i varur me një çarçaf në qeli. Edhe familja besonte se “diçka nuk shkonte” dhe kërkoi sqarime të mëtejshme. Michael Baden deklaroi publikisht se të dhënat i bindnin drejt një vrasjeje. “S’ka dyshim se dikush donte ta ndalte, sepse ai kishte shumë informacion”, thoshte ai.

Sidoqoftë, dyshimet nuk zbehen vetëm me një video.

Ndërsa presim çdo deklaratë e çdo detaj të ri nga zyrtarët, mbetet një realitet i pamohueshëm: çdo informacion i vogël mund të jetë çelësi që ndriçon të gjithë këtë intrigë.

A do na bindë video se vërtet Epstein ndërmori atë veprim fatal i vetëdijshëm, apo do të ngrejë edhe më shumë dyshime për ata që ishin gati të bënin gjithçka për ta ndalur? Kush na siguron se në këtë periudhë ku Inteligjenca Artificiale po “pushton” botën, video nuk do të jetë e krijuar me AI?

The post FBI premton të publikojë videon tronditëse që provon se Jeffrey Epstein nuk u vra, por i dha vetë fund jetës së tij! appeared first on iconstyle.al.

10 vite më parë festoi në fushë me të/ Luis Enrique nderoi të bijën e ndjerë pas fitores së Ligës së Kampionëve dhe bota shpërtheu në lot

1 June 2025 at 10:08

Herën e fundit që Luis Enrique ishte në një finale të Ligës së Kampioneve, vajza e tij, Xana, ishte ende gjallë. Një fëmijë plot jetë, që mbante një flamur të Barcelonës në fushën e Berlinit pas finales së vitit 2015;  një moment që do të ngjizej përgjithmonë në kujtesën e trajnerit spanjoll.

Dhjetë vjet më vonë, historia përsëritet… por me boshllëk. Këtë herë, Xana nuk është më aty për të vrapuar drejt tij, por është në çdo hap, në çdo frymëmarrje, në çdo kujtim që e shtyn përpara.

Në vitin 2019, Xana u diagnostikua me kancer në kocka. Ajo ishte vetëm nëntë vjeç. Brenda pesë muajve fatkeqësisht ndërroi jetë. Luis Enrique hoqi dorë nga posti i trajnerit të Spanjës, pa bujë, pa deklarata. U zhduk nga dritat e kamerave për të qenë pranë saj. Dhe kur ajo u largua, bota e tij nuk ishte më ajo që ishte. Por Enrique vendosi që nuk do të qëndronte në errësirë. Ai do ta kthente dhimbjen në një dritë që udhëzon të tjerët.

Së bashku me familjen, krijuan Fondacionin “Xana”, që ofron mbështetje për familjet me fëmijë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Ishte një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin e saj, për ta shndërruar tragjedinë në diçka të dobishme, në një kauzë që nuk vdes.

Dhe tani, në vitin 2025, Luis Enrique shkruan përsëri historinë. Ai i prin Paris Saint-Germain drejt një fitoreje historike në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Inter Milan, me rezultatin spektakolar 5–0. Është hera e parë që PSG fiton këtë trofe dhe është më shumë se një triumf sportiv: është një histori shprese, dhimbjeje dhe dashurie që nuk shuhet.

Pas ndeshjes, gjatë festimeve në stadium, Enrique shihej me një bluzë ku ishte ilustrimi i tij me Xana-n. Një homazh i heshtur, por rrënjësisht i fuqishëm. Kujtimi i finales së Berlinit ishte ende gjallë, por këtë herë, flamuri nuk u mboll fizikisht në fushë. Ai u mboll në zemrën e një babai që nuk harroi kurrë.

“Nuk është më fizikisht me ne,” ka thënë Luis Enrique më parë, “por e kujtojmë çdo ditë.”

Fitorja e PSG-së nuk është thjesht një trofe në vitrinën e klubit, por një nderim për një vajzë që u bë simbol i forcës së heshtur dhe dashurisë që mbijeton gjithçka. Pa Mbappé, pa yje të mëdhenj në skuadër, vetëm një ekip i bashkuar, i udhëhequr nga një njeri që e di çfarë do të thotë të luftosh deri në fund.

Kjo është historia e një babai që e çoi vajzën e tij në një tjetër finale, këtë herë jo për dore, por në zemër.

Dhe aty, në zemër, Xana do të jetë gjithmonë.

/iconstyle.al

The post 10 vite më parë festoi në fushë me të/ Luis Enrique nderoi të bijën e ndjerë pas fitores së Ligës së Kampionëve dhe bota shpërtheu në lot appeared first on iconstyle.al.

❌