Normal view

Dizajneri i njohur Festim Isufi plagos të dashurën dhe i jep fund jetës

9 May 2025 at 19:07

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme në Prishtinë, ku dizajneri i njohur nga Kosova, Festim Isufi, ka plagosur me thikë të dashurën e tij, Rina Maloku, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Ngjarja u regjistrua në “Rrugën B”, një nga zonat më të populluara dhe të frekuentuara të Prishtinës. Sipas informacionit fillestar, Isufi e ka sulmuar të dashurën duke e goditur me thikë në dorë dhe më pas ka qëlluar veten me të njëjtin mjet të mprehtë, duke ndërruar jetë në vendngjarje.

Policia e Kosovës dhe ekipet emergjente mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ku konstatuan vdekjen e 34-vjeçarit, ndërsa e plagosura, 30-vjeçarja Rina Maloku, u transportua me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, konfirmoi se bazuar në të dhënat paraprake, të dy personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë dhe se hetuesit po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti tragjik.

Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në vijim, ndërsa komuniteti artistik dhe publik shqiptar janë tronditur nga humbja e parakohshme e stilistit të njohur.

The post Dizajneri i njohur Festim Isufi plagos të dashurën dhe i jep fund jetës appeared first on iconstyle.al.

Historike! “Giro d’Italia” prek për herë të parë Shqipërinë

9 May 2025 at 16:52

Për herë të parë në histori, Shqipëria mikpriti një nga garat më të mëdha të çiklizmit në botë.

Më 9 maj 2025, pedalet e Giro d’Italia u rrotulluan për herë të parë në rrugët shqiptare, duke shënuar një kapitull historik për vendin tonë. Tre etapat e para të edicionit të 108-të të kësaj gare startuan në Durrës, vijuan në Tiranë dhe u mbyllën në Vlorë – me një emocion që u ndje në çdo kthesë dhe majë kodre.

Giro d’Italia, e themeluar në vitin 1909 nga gazeta La Gazzetta dello Sport, është një traditë italiane, një spektakël që udhëton nga qyteti në qytet duke sjellë me vete historinë, pasionin dhe garën në formatin më të bukur. Që prej 1909, kjo garë është zhvilluar çdo vit, përveç gjatë dy Luftërave Botërore.

Tradicionalisht, gara përfundon në Milano, megjithatë, fillimi i saj ka ndryshuar gjatë viteve, duke përfshirë qytete si San Marino, Monte Carlo, Athinë, Amsterdam, Belfast dhe tani për herë të parë, Shqipëria.

Fakti që Shqipëria u përzgjodh si “Grande Partenza” (Nisja e Madhe) është vetë një dëshmi e rëndësisë së saj në hartën e sporteve ndërkombëtare. Kjo ngjarje jo vetëm që promovon turizmin dhe kulturën shqiptare, por gjithashtu nxit zhvillimin e çiklizmit dhe sporteve në përgjithësi në vend.

Etapa 1: Durrës – Tiranë (160 km):

Rruga solli një miks të bukurisë mesdhetare me sfidat teknike të terrenit shqiptar. Ngjitja në Surrel – dy herë – me pjerrësi deri në 13%, ishte një sprovë serioze për atletët që sapo nisnin rrugëtimin.

Etapa 2: Tiranë (13.7 km, kohëmatje individuale):

Një kronometër në zemër të kryeqytetit, që prekte ikonat urbane si Sheshi Skënderbej dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Etapa 3: Vlorë – Llogara – Vlorë (160 km):

Kjo ishte etapa më panoramike dhe më sfiduese, me ngjitjen drejt Llogarasë që të merrte frymën – në të gjitha kuptimet.

Pas emocionit të nismës, realiteti shqiptar u përplas me pedalet. Gazeta prestigjioze Cycling News raportoi me shqetësim për kaosin dhe rrezikun që u përballën çiklistët ndërkombëtarë në ditët para garës.

Trafiku i çrregullt, punimet e papërfunduara në rrugë dhe gropat e papritura u kthyen në “kundërshtarët e padukshëm” të kësaj gare.

Gianni Meersman, drejtori sportiv i skuadrës Alpecin-Deceuninck, u shpreh pa hezitim: “Ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. E eksploruam me makinë, por sapo pamë çfarë ndodhte në rrugë, hoqëm dorë. Nuk ishte e sigurt për çiklistët.”

Ekipi i Visma, një prej më të mëdhenjve në botë, raportoi se çiklistët nuk kishin mundësi të testonin itinerarin për shkak të trafikut dhe ndërtimeve. Çiklisti belg Wout van Aert e përshkroi përvojën në Tiranë si “të paparashikueshme. Nuk e di ku mund të dalë një gropë rrugës.”

Madje, sipas medias daneze Feltet, rrugët vijonin të shtroheshin deri në mbrëmjen para garës. Një çiklist danez rezident në Shqipëri, Bjarke Vodder Nielsen, u shpreh: “Nuk kam parë kurrë kaq shumë punëtorë asfalti në një rrugë shqiptare.”

Qeveria shqiptare ka shpenzuar 7 milionë euro për sjelljen e Giro d’Italia në Shqipëri, pikërisht dy ditë para zgjedhjeve– por rrugët nuk ishin ende gati!

Bllokimi i akseve kryesore për ditë të tëra dhe kaosi në qarkullim kanë ngritur pikëpyetje tek shumë qytetarë: a ishte Shqipëria vërtet gati për një garë të këtij niveli?

Giro d’Italia 2025 në Shqipëri do të mbahet mend si një ngjarje madhështore – një moment që e vendos vendin tonë në një tjetër nivel vizibiliteti ndërkombëtar. Por ky sukses i madh u përball edhe me sfida të rënda dhe pyetje të thella: nga siguria në rrugë, te menaxhimi i qytetit, e deri te mënyra se si përdoren fondet publike.

Në fund, çiklistët mbërritën në finish. Por Shqipëria, për të qenë pjesë e skenës globale të sporteve, ka ende shumë rrugë për të asfaltuar – jo vetëm fizikisht, por edhe institucionalisht.

The post Historike! “Giro d’Italia” prek për herë të parë Shqipërinë appeared first on iconstyle.al.

❌