Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayPublik Media

Ti vetëm ik!

By: Andi M.
1 June 2026 at 19:48

Nga Irena Beqiraj

Ik sot po munde se mund të mbrohemi nga të huajt më lehtë sesa ç’mund të mbrohemi nga budallallëku funksional që e ke përhapur në çdo qelizë .

Ti vetëm ik të shpëtojmë nga pushtimi i injorancës se Zeqinesë edhe Sarës, të cilat i ke ngritur në argument.

Ti vetëm Ik, të shpëtojmë nga shkretëtirizimi i vendit i cili pse i bekuar nga natyra e bukur, klima , edhe burimet natyrore , u mallkua nga shpura jote përtace , shfrytëzuese e pa vizion .

Por ti nuk ikën dot, të ka mbytur etja për pushtetin. Je sëmurur rëndë nga ky ves i poshtër. Dhe si çdo i varur, me kalimin e kohës, zhytesh gjithnjë e më thellë. Je i nervozuar, i pështjelluar, je bërë i pasigurtë dhe jotolerant. Flet gjëra kot të cilat askush nuk t’i beson , as ti vetë.

Ti vetëm ik që ky vend të shpëtojë nga kapja më e egër e shtetit që pas diktaturës, por ti nuk je në gjendje ta ofrosh këtë ! ! Etja për pushtet është e tmerrshme. Krijon varësi më shumë se kokaina.Etja për pushtet, kjo sëmundje malinjë të ka gërryer edhe grimcën e fundit të njerzillëkut.

Mos na mbro nga të huajt na shpëto nga pushtimi yt . Por ti nuk ikën dot se i je nënshtruar i tëri nevojës për pushtet . I shërben vetëm pushtetit , betohesh për të. Ti je gatshëm të shesësh jo vetëm të gjallët edhe interesat e tyre por, edhe kockat e të vdekurve dhe kujtimin e tyre për pushtetin tënd.

Ti vetëm ik ! Por ti e ke të pamundur të ndahesh siç i ka hije një burrë shtetasi nga pushteti , sepse ti nuk ke më askënd për të të ndihmuar, këshilluar apo ngushëlluar . Ti je i frikësuar edhe vetëm. Ata që kishe më afër gjithë këto vite të lanë vetëm , të lëshuan teposhtë rrymës së zullumit për të mos u mbytur bashkë me ty. Të tjerët janë duke t’a thurur rrjetën.

Ti nuk na mbron dot nga askush sepse nuk je në gjendje të mbrosh askënd , ndaj ti vetëm ik . Por fatkeqësisht për ty ti nuk ikën dot më …….

Fati yt është i përcaktuar ti MUND të numërosh vetëm ditët.

The post Ti vetëm ik! appeared first on Publik Media.

Ikën Paparizo, Rudina Degjoni emërohet në krye të QSUT-së

By: Andi M.
1 June 2026 at 15:26

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pritur sot Drejtuesen e re të institucionit, znj. Rudina Degjoni.

Ajo merr drejtimin e QSUT pas një eksperience të gjatë në menaxhimin dhe administrimin spitalor, duke sjellë një profil të konsoliduar në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore.

Emërimi i saj vjen pas lirimit nga detyra të Drejtoreshës së Përgjithshme, znj. Anxhela Paparizo.

Pritet që drejtimi i ri të fokusohet në përmirësimin e shërbimeve dhe menaxhimin më efikas të institucionit më të madh shëndetësor në vend.

The post Ikën Paparizo, Rudina Degjoni emërohet në krye të QSUT-së appeared first on Publik Media.

Shpërthim i fuqishëm në fabrikën e fishekzjarreve në Maltë

By: Andi M.
1 June 2026 at 15:16

Një shpërthim i fortë tronditi mëngjesin e së hënës zonën e Magħtabit, në veri të Maltës, ku një fabrikë fishekzjarresh u përfshi nga një seri detonimesh që shkaktuan panik te banorët përreth.

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:30–06:35, kur një shpërthim i fuqishëm fillestar u pasua nga disa shpërthime më të vogla brenda fabrikës “Ta’ Lourdes”. Forca e goditjes ishte e tillë që theu xhamat e ndërtesave përreth dhe shkaktoi lëkundje të ndjeshme, ndërsa fragmente u përhapën në një sipërfaqe të gjerë.

Sipas autoriteteve, në momentin e incidentit nuk kishte punonjës të licencuar brenda objektit, çka shmangu pasoja më të rënda. Megjithatë, dy persona, 67 dhe 47 vjeç, banorë të zonës së St. Paul’s Bay, të cilët ndodheshin në afërsi duke punuar në fusha, u prekën nga vala shpërthyese. Ata pësuan lëndime të lehta dhe u dërguan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Banorë të zonës tregojnë se shpërthimi i parë ishte aq i fuqishëm sa i zgjoi nga gjumi, ndërsa një re e dendur tymi u ngrit mbi fabrikë dhe u pa nga distanca të mëdha. Sipas raportimeve lokale, shpërthime të vogla dytësore vazhduan për disa orë, duke mbajtur në alarm ekipet e emergjencës.

Kryeministri i Maltës, Robert Abela, reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke shprehur solidaritet me të prekurit dhe duke konfirmuar se shërbimet emergjente ndërhynë pa vonesë për të vënë situatën nën kontroll.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit, ndërsa zona është siguruar për të shmangur rreziqe të tjera të mundshme.

The post Shpërthim i fuqishëm në fabrikën e fishekzjarreve në Maltë appeared first on Publik Media.

Përplasjet në Zvërnec, Hita: Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale

By: Andi M.
1 June 2026 at 15:12

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Zvërnec, duke kritikuar hapur performancën e strukturave vendore të policisë në Vlorë. Në një dalje për mediat, ai e cilësoi reagimin e uniformave blu si të papranueshëm, duke theksuar se në momentin kritik ato u shfaqën të papërgatitura dhe jo profesionale.

Sipas tij, dështimi për të ndërhyrë në kohë, ndërkohë që një qytetar dhunohej nga roje private, përbën një shkelje serioze të detyrës dhe cenon drejtpërdrejt besimin e publikut tek Policia e Shtetit.

“Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale”, deklaroi Hita, duke shtuar se standardet e kërkuara nuk janë respektuar dhe se kjo situatë nuk do të tolerohet.

Menjëherë pas ngjarjes, sipas tij, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke nisur hetime të plota si në aspektin penal, ashtu edhe në atë administrativ. Paralelisht, është bërë edhe riorganizimi i drejtimit të Policisë së Vlorës, ku është komanduar në detyrë drejtuesi i ri, Edvin Ndreu, me misionin për të rikthyer rendin, disiplinën dhe profesionalizmin në këtë strukturë.

Hita bëri të ditur se ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës është shkarkuar për shkak të dështimit në menaxhimin e situatës së 30 majit, por edhe për shpërndarjen e informacionit të pasaktë lidhur me incidentin. Ai nënvizoi se përveç mungesës së reagimit, problematik ishte edhe komunikimi i gabuar me publikun.

Në fokus të hetimeve është i gjithë zinxhiri komandues, ndërsa një grup i posaçëm po analizon çdo veprim të kryer gjatë protestës. Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një proces të thelluar disiplinor për të identifikuar përgjegjësit dhe për të vendosur masa konkrete.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me kompanitë private të sigurisë të përfshira në incident. Sipas verifikimeve, dy subjektet kanë rezultuar me shkelje dhe për këtë arsye u është hequr licenca e ushtrimit të aktivitetit.

Drejtori i Policisë kërkoi ndjesë publike për informacionin e pasaktë të dhënë fillimisht, duke e cilësuar besimin e qytetarëve si elementin më të rëndësishëm për institucionin që ai drejton. Ai theksoi se Vlora dhe qytetarët e saj meritojnë respekt maksimal dhe një polici në lartësinë e detyrës.

Në deklaratën e tij, Hita rikujtoi gjithashtu se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë si rendin dhe sigurinë gjatë protestave, ashtu edhe mbrojtjen e pronës private. Ai sqaroi se territori ku ndodhi incidenti rezulton të jetë pronë private me dokumentacion të rregullt, duke u bërë thirrje qytetarëve që çdo pretendim ta ndjekin përmes rrugëve ligjore dhe jo përmes përplasjeve fizike.

Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e 30 majit vijojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike në vijim.

Në përfundim, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të jetë e pranishme dhe aktive në çdo cep të vendit, sidomos gjatë sezonit turistik, duke vënë theksin te parandalimi i krimit, rritja e sigurisë rrugore dhe detare, si dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve.

Fjala e plotë:

Ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht, kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga Policia e Shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë.

Për këtë arsye kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore e administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.

Po ashtu, sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Siç e dini, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura dhe me të gjitha strukturat policore në varësi të saj duhet të identifikojë problematikat, si edhe të bëjë propozimet përkatëse, qoftë për masa administrative të reja, qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate, sipas nevojave.

Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe i problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi, integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve, janë elemente bazë të vlerësimit për ta, por edhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit, dhe të mos përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut, me dobësinë e papranueshme të tri ditëve më parë në Zvërnec, ku Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve.

Prandaj, siç jeni në dijeni, kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF.

I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë.

Nga ana tjetër, dua te nënvizoj përsëri se Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo natyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.

Konkretisht, territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik.

Veprimet hetimore dhe administrative në lidhje me ngjarjen e datës 30 maj vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rezultatet përfundimtare do t’i bëhen të njohura opinionit publik.

Standardi im si Drejtor i Përgjithshëm është standardi që kërkojnë qytetarët e ndershëm dhe që kërkon ligji: një polici profesionale, me integritet, garante për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe të jetës e pronës së qytetarëve.

Ndërkohë, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe zbardhja e atyre të ndodhura më parë, siguria gjatë sezonit turistik, siguria rrugore, rritja e sigurisë detare, mbrojtja nga ndotja akustike, ndjekja në dinamikë e shqetësimeve dhe e denoncimeve të qytetarëve, goditja e armëmbajtjes pa leje, e krimeve mjedisore, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditja e trafiqeve të paligjshme, janë në fokus të punës së Policisë së Shtetit përgjatë sezonit turistik veror 2026.

Në përfundim, dua t’iu drejtohem qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë:

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme, aktive dhe e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit për këdo, pa dallim.

Asnjë shkelje e ligjit, asnjë cenim i interesit publik dhe asnjë neglizhencë në përmbushjen e detyrës nuk do të tolerohet.

Besimi i qytetarëve fitohet vetëm me punë, profesionalizëm dhe integritet. Ky është standardi që kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj nga çdo punonjës policie në të gjithë vendin. Kush i shërben me ndershmëri qytetarëve do të ketë mbështetjen time të plotë, kush cenon ligjin, standardet profesionale apo besimin e publikut do të përballet me ndëshkimin. Ky është standardi që kam vendosur për veten time dhe këtë standard do të kërkoj pa kompromis nga çdo drejtues dhe punonjës policie në të gjithë vendin.

Ndërsa hyjmë në kulmin e sezonit turistik, prioriteti ynë mbetet siguria e qytetarëve, turistëve dhe komuniteteve lokale. Strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në terren 24/7, për të parandaluar paligjshmëritë, për të reaguar ndaj çdo shqetësimi dhe për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë.

The post Përplasjet në Zvërnec, Hita: Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale appeared first on Publik Media.

I ati ndërroi jetë, a do marrë pjesë Ilir Meta në varrim?

By: Andi M.
1 June 2026 at 13:27

Rexhep Meta, babai i ish-Presidentit të Republikës dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është ndarë nga jeta. Lajmi ka sjellë reagime dhe ngushëllime, ndërsa familja Meta përgatitet për ceremoninë e fundit të lamtumirës.

Sipas informacioneve zyrtare, homazhet dhe varrimi do të zhvillohen në vendlindjen e familjes, në fshatin Çepan të Skraparit, ku pritet të marrin pjesë të afërm, miq dhe bashkëpunëtorë të familjes.

Burime pranë institucioneve bëjnë me dije se Ilir Meta do të marrë pjesë në ceremoninë mortore, pasi i është dhënë një leje e posaçme nga organet përkatëse. Shoqërimi i tij drejt vendit të ceremonisë pritet të realizohet nën masa të rrepta sigurie, të koordinuara nga autoritetet penitenciare dhe strukturat ligjzbatuese.

Leja për pjesëmarrjen e ish-kreut të shtetit është miratuar nga Prokuroria e Posaçme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë të gjitha hapat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së ceremonisë.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, pas arrestimit në kuadër të një hetimi të ndërmarrë nga organet e drejtësisë. Megjithatë, legjislacioni shqiptar parashikon mundësinë e dhënies së lejeve të veçanta në raste të humbjes së familjarëve të ngushtë, duke i mundësuar të marrë pjesë në ceremoni të tilla.

The post I ati ndërroi jetë, a do marrë pjesë Ilir Meta në varrim? appeared first on Publik Media.

Ndërron jetë Rexhep Meta, babai i Ilir Metës

By: Andi M.
1 June 2026 at 12:32

Është ndarë nga jeta Rexhep Meta, babai i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se ish-Presidenti i Republikës do të shoqërohet ditën e nesërme drejt fshatit Çepan, në Skrapar, ku pritet të zhvillohet ceremonia mortore.

Familjarë, të afërm dhe bashkëfshatarë do t’i japin lamtumirën e fundit të ndjerit në vendlindjen e tij, sipas riteve tradicionale.

Humbja e Rexhep Metës vjen si një moment i vështirë për familjen Meta, ndërsa pritet që figura publike dhe përfaqësues të politikës të marrin pjesë në ceremoninë e përcjelljes.

The post Ndërron jetë Rexhep Meta, babai i Ilir Metës appeared first on Publik Media.

Kur mbreti Rama bën “viktimën” dhe opozita kërkon një busull?

By: Andi M.
1 June 2026 at 12:29

Nga Naim Noka

Teatri politik shqiptar sapo ka hapur siparin e një tjetër akti absurd. Në skenë është Zvërneci, një investim i projektuar prej 4 miliardë eurosh nga Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump), dhe një protestë që pritet të trazojë planet e regjisorit të vjetër: Edi Rama, i cili aktroi me monologun e tij të radhës prej “martiri të keqkuptuar”, duke kërcënuar mes lotësh hipokritë se “do të ikë në katund” nëse nuk e lejojnë t’i bëjë shqiptarët kampionë të turizmit. Edhe më budallai e di shumë mirë se “mbreti” nuk largohet vetë.

Por përpara se të prekemi nga përlotja kryeministrore në mbledhjen e Grupit Socialist, vlen të bëjmë një pyetje të ftohtë: Pse po protestohet pikërisht sot, dhe pikërisht për këtë investim?

E reja në këtë revoltë të papritur është prania e qytetarëve me shpirt e zemër që dalin në shesh. Pse po dalin jashtë ndikimit të gardhit të “Rilindjes” dhe “Ripërtëritjes”? Ka vetëm një arsye: zhgënjimi nga “mbreti” Rama dhe mosbesimi te rithemeluesi i PD-së, Berisha.

Mbreti Rama ndryshon çdo ligj në këtë vend, siç bëri me ligjin për zonat e mbrojtura. Ndryshe nga mbretërit e kombeve të tjera me gjak blu, që e kanë të shenjtë atdheun, ky i yni bën pazare duke ngrënë supë, mjaft të sigurojë qëndrimin në karrige. Ai fal Portin 2000-vjeçar të Durrësit një kompanie të Emirateve dhe ngre kampe refugjatësh në Gjadër nën juridiksion italian. Tallet me Butrintin duke kafshuar kilometra vijë bregdetare e duke i mbushur me resorte për pastrim parash.

Vetë Edi Ramës, i gjendur nën presionin e skandaleve të AKSHI-t dhe Ballukut, dhe me rrugë të ngrira në Uashington, i intereson kjo protestë, por vetëm me kushtin që ta kontrollojë dhe pastaj ta shuajë, siç di dhe ka bërë në këto 13 vite mbretërim.

Mbreti demagog nuk po ngjit më! Vlora turistike nuk ka ujë dhe drita. Ekonomia është ku thërret qameti! Opozita që zgjedh e rizgjedh veten nuk ka bërë betejat e saj institucionale, ekonomia është në duart e 10 oligarkëve patronazhistë!

Thithja e investitorëve të huaj seriozë dhe legjitimë, siç është familja Trump, është me interes kombëtar dhe e mirëpritur, por vetëm me transparencë! Nxirreni dosjen në publik!

Monopoli i protestave nuk i përket as Rilindjes e as “Ripërtëritjes”.

Nuk bëhesh kampion turizmi serioz perëndimor mbas tokave të Tur Shehut, Pëllumbit sekser, apo qitapeve të manipuluara nga mercenarët e kadastrave tona, për turp!

Ne rrezikojmë ta nxjerrim Shqipërinë përfundimisht nga harta e kapitalit serioz perëndimor, nëse SPAK-u dhe drejtësia do të gjenin një mal me falsifikime të pronave në Zvërnec dhe Pishë-Poro!

Kjo nuk është thjesht një betejë për ca pemë në Zvërnec. Kjo është një betejë me shtetin ligjor privat të mbretit. Ekonomia e tregut dhe shenjtëria e pronës private nuk kanë pikën e vlerës nën mbretërinë e Padishahut!

Protestuesit e zemëruar e kanë betejën e vërtetë me narko-shtetin e Ramës dhe korrupsionin e tij strukturor. Nuk besoj se janë kundër projekteve miliardere që mund të zhvillojnë ekonominë tonë të rrënuar, por kjo duhet bërë me transparencë, ligj dhe drejtësi.

Rama nuk e ka për herë të parë aktrimin nëpër mbledhje grupi, duke kërcënuar se do të ikë në “katund”. Ai thjesht është dëshpërimisht peng i shumë interesave dhe do të largohet vetëm me revolta të mëdha dhe të pakthyeshme, nëse do të mund të shpëtohet ky vend. Pas largimit, edhe ai vetë e di vendin: jo në Surrel, por diku tjetër ose i arratisur!

The post Kur mbreti Rama bën “viktimën” dhe opozita kërkon një busull? appeared first on Publik Media.

Komandohet Drejtori i ri i Policisë së Vlorës

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:58

Edvin Ndreu merr drejtimin e përkohshëm

Një lëvizje e re në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit ka sjellë ndryshime në qarkun e Vlorës, ku drejtimi i institucionit vendor i është besuar përkohësisht Edvin Ndreut.

Ai vjen në këtë detyrë pas eksperiencës së tij si drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, një pozicion kyç në menaxhimin e flukseve hyrëse dhe dalëse në vend. Emërimi i tij në Vlorë shihet si pjesë e një riorganizimi më të gjerë në nivelet drejtuese të policisë në këtë qark.

Ndryshimi në krye të Policisë së Vlorës pason largimin e Elidon Çelës, duke hapur rrugën për një fazë të re drejtimi në këtë zonë me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe rendin publik.

Ndreu do ta ushtrojë këtë funksion në mënyrë të përkohshme, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Vlora mbetet një nga qarqet me dinamikë të lartë, sidomos gjatë sezonit turistik, çka e bën edhe më të rëndësishëm stabilitetin dhe efektivitetin në drejtimin e forcave të rendit.

The post Komandohet Drejtori i ri i Policisë së Vlorës appeared first on Publik Media.

Geraldo Biba, ish-mister Shqipëria 2012 pronari në hije i ‘Major Security’?

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:56

Kompania në emër të vjehrrës, Shpresa Myzyri

Ish-mister Shqipëria për vitin 2012, Geraldo Biba, u arrestua nga policia e Vlorës për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”, pasi ishte protagonisti kryesor i dhunës së ushtruar ndaj qytetarit me inicialet E.S.

Ndërkohë që ditën e sotme ai dhe dy anëtarët e tjerë të policisë private “Major Security” që u arrestuan, shtetasit Artur Grami dhe Gazmend Vathi, pritet të dalin para gjykatës së Vlorës për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se Geraldo Biba, nuk është një punojës i thjeshtë tek kompania e sigurisë “Major” që vepron në qytetin e Durrësit.

Ai duket se është pronari në hije i kësaj kompanie, pavarësisht se në letra del vjehrra e tij, 58-vjeçare nga Durrësi me emrin, Shpresa Myzyri, pa asnjë eksperiencë dhe njohuri për situatën e rendit, menaxhimin e situatave me turma apo zgjidhjen e problematikave sipas standarteve dhe rregulloreve.

Image

Zvernec, 30 maj 2026

Në Durrës shumë e dinë që pronari në hije i kësaj kompanie është pikërisht, Geraldo Biba, i cili lidh kontratat e sigurisë me bizneset dhe emrat e ndryshëm të personazheve të show-bizzit në Shqipëri.

Një amator në këtë fushë, i cili nga garantimi i sigurisë së klubeve të natës në Tiranë dhe Durrës si dhe disa këngëtarëve të njohur në Shqipëri,  “Stresi-Noizy”, hyri në një kontratë ekonomikisht të majme për garantimin e sigurisë tek shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”.

Nga dokumentat e shqyrtuara nga gazetari Qyno, rezulton se kompania “MAJOR” është themeluar në muajin Nëntor 2016 në qytetin e Durrësit, ku pronare e saj, që prej asaj kohe ishte 58-vjeçaria Shpresa Myzyri. Ndërsa drejtues teknik rezulton të jetë Filip Llaka.

Image

Foto: Akti i themelimit te “Major Security”

Rezulton se nga nëntori 2016 dhe deri në nëntor 2021, Geraldo Biba, ka shërbyer si administrator i kësaj kompanie të policimit privat.

Por pavarësisht se ai është larguar me letra nga administrimi i kësaj kompanie, sërish ai ka vijuar me pjesën e administrimit, sigurimin e klientëve të rinj dhe paracaktimit të kushteve të kontratës së shërbimit.

Shoqëria e policimit privat, nuk ka qënë ndonjëherë e dëgjuar, megjithëse dhjetëra truproje të saj, janë parë të shoqërojnë personazhe të njohur publikë.

Tashmë shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” mësohet se ka vendosur të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme kontratën me “Major Security”, duke kërkuar njëherësh dhe ndjesë publike për pamjet e rënda që u transmetuan në rrjetet sociale.

Sipas saj, kompania e sigurisë nuk ka pasur në asnjë moment instruksione për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo në cenim të të drejtave të qytetarëve.

“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht”, thuhet në reagimin e kompanisë.

“Zvërnec South Adriatic Development” ka kërkuar ndjesë për incidentin dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke ndëshkuar sipas ligjit personat përgjegjës. Kompania deklaron se do të jetë në dispozicion të autoriteteve dhe palëve të interesuara me transparencë të plotë./Elton Qyno

The post Geraldo Biba, ish-mister Shqipëria 2012 pronari në hije i ‘Major Security’? appeared first on Publik Media.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, uron fëmijët për 1 Qershorin

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:51

“Jeni e ardhmja e kombit”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve për të përcjellë një mesazh të veçantë për vogëlushët, duke theksuar rolin e tyre si e ardhmja e vendit dhe angazhimin e institucioneve për sigurinë e tyre.

Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast, Hita u shpreh se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë pranë fëmijëve në çdo hap të jetës së tyre, duke garantuar mbrojtje dhe siguri në shkollë, në rrugë, në komunitet dhe në hapësirën digjitale.

“Ju jeni e ardhmja e vendit tonë dhe arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt. Dëshira jonë është që ju të rriteni të lumtur, të shëndetshëm, të arsimuar dhe të ndiheni gjithmonë të mbrojtur”, u shpreh Hita në mesazhin e tij.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me rastin e 1 Qershorit

Të dashur fëmijë,

Sot është dita juaj, dita që na kujton neve të rriturve se sa e bukur dhe e pastër është bota që shihet përmes syve tuaj.

Ju jeni e ardhmja e vendit tonë dhe arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për një Shqipëri më të sigurt. Dëshira jonë është që ju të rriteni të lumtur, të shëndetshëm, të arsimuar dhe të ndiheni gjithmonë të mbrojtur.

Si prind dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ju siguroj se punonjësit tanë do të vazhdojnë të jenë pranë jush, duke u angazhuar çdo ditë për sigurinë tuaj në shkollë, në rrugë, në komunitet, si dhe në internet, ku kujdesi dhe mbrojtja janë po aq të rëndësishme.

Mos hezitoni kurrë të na zgjatni dorën kur keni nevojë për ndihmë, këshillë apo mbështetje. Punonjësi i Policisë është dhe do të jetë gjithmonë pranë jush, si një mik i besuar.  

Në këtë ditë të veçantë për ju, ju uroj nga zemra gëzuar festën dhe paçi gjithmonë diell në rrugëtimin e jetës suaj!”  

Ditën e sotme, një grup fëmijësh, nxënës të shkollës 9-vjeçari “1 Maji”, u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili bisedoi me ta, i uroi për festën dhe iu dha dhurata të përgatitura enkas për ta, për festën e 1 Qershorit.

The post Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, uron fëmijët për 1 Qershorin appeared first on Publik Media.

‘Prag kritik’: Si po i ndryshon klimën Tiranës ndërtimi pa kriter

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:40

Nga qendra e Tiranës deri në periferitë dikur të freskëta, temperaturat po rriten gradualisht në një trajektore të re urbane që studiuesit e lidhin me betonizimin, densifikimin e ndërtimeve dhe reduktimin e sipërfaqeve të gjelbra.

Studimi i fundit që mban autorësinë e tre studiuesve nga universiteti Polis del në përfundimin se Tirana po zhvillon bërthama të reja mbinxehjeje jashtë qendrës tradicionale të qytetit, ndërsa modeli aktual i urbanizimit po ndikon drejtpërdrejt në mikroklimën, konsumin energjetik dhe cilësinë e jetesës urbane.

Matjet e kryera gjatë verës së vitit 2025 nga studiuesit Besnik Aliaj, Klodjan Xhexhi dhe Blerim Nika,  tregojnë se zona që deri pak vite më parë konsideroheshin periferike dhe relativisht më të freskëta, si Paskuqani apo Qyteti Studenti, po fitojnë karakteristika termike të ngjashme me qendrën e Tiranës.

Në një qytet që prej vitesh po rritet me ritme të shpejta vertikalisht dhe horizontalisht, studiuesit argumentojnë se transformimi urban nuk po ndryshon vetëm peizazhin, por edhe mënyrën sesi ai merr frymë dhe se janë shtuar zonat e nxehta, që në gjuhën shkencore njihen si fenomeni i ‘Ishujve urbanë të nxehtësisë’.

Rezultatet e studimit tregojnë se qendra urbane e Tiranës është më e nxehtë, më e thatë dhe më e ndotur se periferitë, ndërsa zonat me densitet të lartë ndërtimi dhe sipërfaqe të asfaltuara krijojnë kushte që favorizojnë akumulimin dhe shpërndarjen e nxehtësisë gjatë gjithë ditës.

Në sheshin “Skënderbej” dhe zonën e Qytetit Studenti temperaturat mesatare të regjistruara gjatë monitorimit arritën mbi 32 gradë Celsius, ndërsa në zona më periferike si Sauku dhe Shkoza ato rezultuan rreth 30-31 gradë.

“Përputhja me hartën termike të Tiranës e konfirmon këtë model: zonat me dendësi të lartë ndërtimi dhe sipërfaqe betoni apo asfalti shfaqen me ngjyra të kuqe dhe portokalli, duke treguar temperatura më të larta, ndërsa periferitë më të gjelbra dhe zonat pranë liqeneve paraqiten me nuanca jeshile, që tregojnë temperatura më të ulëta,” thuhet në studim.

Po ashtu, matjet në terren treguan diferenca temperaturash prej rreth 2°C mes zonave urbane dhe suburbane, si edhe zhvillimin e ishujve të rinj të nxehtësisë në Paskuqan dhe Qytetin Studenti, krahas atyre që konsiderohen si ‘ishuj nxehtësie’ të konsoliduar tashmë në qendrën e qytetit.

Paralajmërimet për mbinxehjen urbane të Tiranës nuk janë të reja.

Dy studime të mëparshme të referuar nga autorët e studimit të fundit tregojnë se zonat urbane të Tiranës kanë një diferencë deri në 5 gradë celcius se zonat rurale përreth.

Drejt pragut kritik

Analiza historike e temperaturave tregon se Tirana ka kaluar nga një temperaturë mesatare vjetore prej rreth 14.46 gradësh Celsius në vitin 1990 në rreth 15.4-15.5 gradë në vitet e fundit.

Për studiuesit, kjo rritje nuk mund të shpjegohet vetëm nga ndryshimet klimatike globale.

Urbanizimi i shpejtë dhe i madh i Tiranës po kthen qytetin në një sipërfaqe të pamatë betoni duke kontribuar si një nga shkaqet kryesore të rritjes së temperaturave klimaterike, rritje që ka pasoja të drejtëpërdretja në shëndetin dhe cilësinë e jetës.

Klodjan Xhexhi, një prej autorëve të studimit, thotë se Tirana po kalon një transformim të qartë mikroklimatik që nuk lidhet vetëm me ndryshimet globale të klimës, por edhe me mënyrën sesi është zhvilluar qyteti dhe se pasojat e këtij transformimi nuk lidhen vetëm me rritjen e temperaturave, por edhe me shëndetin publik, konsumin energjetik dhe cilësinë e jetesës.

“Studimi ynë evidenton qartë se Tirana tashmë po zhvillon një gradient të dukshëm termik, ku qendra dhe zonat me intensitet të lartë urbanizimi paraqiten më të nxehta se periferia,” tha Xhexhi për BIRN, duke shtuar se “këto zona po shfaqin karakteristika mikroklimatike gjithnjë e më të ngjashme me qendrën e qytetit, si pasojë e densifikimit të ndërtimeve, rritjes së trafikut dhe reduktimit të sipërfaqeve të gjelbra”.

Xhexhi vlerëson se Tirana e ka tejkaluar plotësisht kapacitetin e saj klimatik.

“Më tepër do të thosha se qyteti po afrohet drejt një pragu kritik, ku nëse zhvillimi urban nuk shoqërohet me masa klimatike dhe planifikim më të kujdesshëm, efekti i nxehtësisë urbane do të intensifikohet ndjeshëm në vitet e ardhshme, me pasoja për shëndetin publik, konsumin energjetik dhe cilësinë e jetesës,” thotë ai.

Studime paralele të kryera në vitin 2019 nga Banka Botërore dhe dy profesorë të universitetit Epoka tregonin një diferencë mesatare nga 4.5 gradë Celsius deri në 5 gradë nga qendra në periferi.

Matjet e reja tregojnë se kjo diferencë është ngushtuar në 2 gradë, duke sugjeruar se periferitë po marrin gradualisht karakteristika termike të ngjashme me qendrën urbane.

Kjo vjen pasi po shtohen sipërfaqe që funksionojnë si “magnetë” të nxehtësisë, si asfalti, betoni, gurët natyrorë dhe fasadat me ngjyra të errëta, të cilat absorbojnë energjinë diellore gjatë ditës dhe e lëshojnë atë ngadalë gjatë orëve të mbrëmjes, duke mbajtur temperaturat e qytetit më të larta për periudha më të gjata.

Qendra e Tiranës, veçanërisht zona e sheshit Skënderbej, konsiderohet një nga hapësirat më të ndjeshme ndaj efektit të mbinxehjes urbane.

“Përdorimi i materialeve si gurët natyrorë dhe mermeri favorizon absorbimin e një sasie të konsiderueshme të rrezatimit diellor dhe rishpërndarjen graduale të tij gjatë orëve të vona,” shpjegon Xhexhi.

Sipas tij, mungesa e hijezimit natyror dhe dominimi i sipërfaqeve të forta minerale e bëjnë këtë zonë më të ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme.

Në krijimin e këtyre zonave të nxehta ndikojnë ndërtimet e larta dhe ritmi i shpejtë i zhvillimit urban duke reduktuar ventilimin natyror dhe zëvendësimin e hapësirat e lira me sipërfaqe të papërshkueshme dhe përdorimi i materialeve të ndërtimit që thithin nxehtësinë.

“Në këtë kontekst, politikat urbane dhe lejet e ndërtimit kanë një rol të rëndësishëm, pasi mënyra se si lejohet densifikimi urban, ruajtja e sipërfaqeve të gjelbra, raporti ndërtesë–hapësirë publike dhe kriteret për performancë klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në mikroklimën e qytetit,” vlerëson Xhexhi.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi politikat konkrete apo masat që janë marrë për të reduktuar efektet e “Ishujve urbanë të nxehtësisë” në Tiranë, ndërsa në dokumentet strategjike të qeverisë pranohet se urbanizimi dhe trafiku po rrisin presionin klimatik mbi qytetet.

Gjelbërimi mund ta shpëtojë qytetin

Tirana rrezikon të bëhet gradualisht një qytet gjithnjë e më i nxehtë, më pak i ventiluar dhe më i vështirë për t’u jetuar gjatë stinës së verës, nëse do të vijohet me ritmin e ndërtimeve pa kriter dhe pa zbatuar politike urbane që do të minimizojnë efektet klimatike.

Për Klodjan Xhexhin, trajektorja klimatike e Tiranës mund të korrigjohet, por kjo kërkon ndërhyrje të hershme dhe politika urbane të orientuara qartë drejt reziliencës klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë konteskt, ai sugjeron si të domosdoshme rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, jo vetëm përmes parqeve dhe mbjelljes së pemëve, por edhe përmes krijimit të korridoreve të gjelbra që ndihmojnë ventilimin natyror të qytetit, dhe në një gjelbërim vertikal të fasadave.

“Po aq e rëndësishme është shtimi i sipërfaqeve ujore apo baseneve ujore në brendësi të qytetit, të cilat kontribuojnë në uljen e temperaturave lokale përmes efektit ftohës të avullimit dhe përmirësimit të mikroklimës urbane,” shton Xhexhi.

Ndryshimi në standardet e ndërtimit është një tjetër masë që mund të korigjojë situatën, dhe në këtë konteskt Xhexhi sugjeron përdorimin e materiale me albedo më të lartë, të cilat reflektojnë më shumë rrezatim diellor dhe reduktojnë akumulimin e nxehtësisë në qytet,  integrimin e fasadave ujore dhe krijimin e blloqeve rezidenciale me oborre të brendshme.

Po ashtu, reduktimi i trafikut dhe zvogëlimi gradual i përdorimit të automjeteve me motor me djegie të brendshme mbetet një masë kyçe.

“Pasi ato jo vetëm ndikojnë në ndotjen e ajrit, por kontribuojnë edhe në gjenerimin e nxehtësisë shtesë urbane,” përfundon ai./ BIRN

The post ‘Prag kritik’: Si po i ndryshon klimën Tiranës ndërtimi pa kriter appeared first on Publik Media.

Protesta e dhunshme në Zvërnec, Rama ‘shfryn nervat’ te Arlind Qori

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:38

Kryeministri bullizon kreun e Lëvizjes Bashkë: Zgjidhni, ose me mua ose me Arlind ‘Dritëgjatin’

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve personale që, sipas tij, janë drejtuar ndaj tij dhe familjes së tij në kuadër të debatit për projektet zhvillimore në zonën e Zvërnecit.

Ai shtoi se nëse qytetarët ndajnë të njëjtin qëndrim me kritikët e tij, atëherë janë të lirë të mbështesin alternativa të tjera politike.

“Më thoni që keni një vizion tjetër dhe doni të shkoni me Sazo Gurin dhe Arlindo Dritëgjatin, jam ok unë Është zgjedhja juaj, ma thoni dhe unë adaptohem se jam këtu me votën tuaj. I duroj të gjitha ato që më thonë perversitete që për fat të keq kanë rënë të jenë kundërshtarë politikë dhe të mitë, i duroj, por jo se i pranoj, duroj dhunë mbi kockat e tim eti. Mendoj se jemi këtu për ju dhe me ju. Nëse dhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni me këdo tjetër që dëshironi. Unë këtu nuk rri të vegjetoj, o do ta bëjmë Shqipërinë për atë vizion që më keni mbështetur, ose më thoni që keni një vizion tjetër dhe doni të shkoni me Sazo Gurin dhe Arlindo Dritëgjatin, jam ok unë,” u shpreh Rama.

The post Protesta e dhunshme në Zvërnec, Rama ‘shfryn nervat’ te Arlind Qori appeared first on Publik Media.

Kaosi në Zvërnec, Rama i kthehet “flakë për flakë” Athinës

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:34

“Nuk ishte akt dhune shtetërore, siç ndodh me të burgosurit shqiptarë në Greqi”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të autoriteteve greke lidhur me ngjarjet në Zvërnec, duke komentuar edhe pretendimet për përbërjen etnike të zonës dhe natyrën e incidentit të ndodhur.

Në deklaratën e tij, Rama u shpreh i habitur nga referencat për një popullsi homogjene greke në këtë zonë, ndërsa theksoi se ngjarja nuk mund të konsiderohet si dhunë e ushtruar nga shteti shqiptar.

Rama: Për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta sepse ja injorant. U mahnita nga deklarate Ministrisë së Jashtme greke. Nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë, apo në rrugët e Greqisë.

Kreu i qeverisë sqaroi se bëhej fjalë për një incident të shkaktuar nga subjekte private dhe jo nga institucionet shtetërore, duke e konsideruar të papërshtatshëm theksimin e përkatësisë etnike të protestuesve në këtë kontekst.

Ishte një akt dhune nga një grup rojesh privatë, dhe që të ngrihej shteti në këmbe dhe të nënvizojë etninë e protestuesit, mendoj sipas meje nuk i shërben marrëdhënieve tona që janë në ditët e tyre më të mira. Por këtë e futa këtu për të thënë diçka tjetër, që pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Sepse ndërkohë titujt e p[pronësisë janë baza e çdo veprimtarie.

Duke iu referuar çështjeve të pronësisë, Rama theksoi rëndësinë e dokumentacionit ligjor si bazë për zhvillimin dhe investimet, duke sjellë edhe një shembull konkret nga zona të tjera të vendit.

Siç ndodhi edhe në Baks-Rrjoll, ku toka ishe e blerë nga pronarët atje që kishin letrat. Por nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbesim pezull në titujt e pronësisë, pas një katrahure që kemi trashëguar për fat të keq.

“Për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke, nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta sepse ja injorant. U mahnita nga deklarate Ministrisë së Jashtme greke. Nuk ishte një akt dhune shtetërore, siç ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë, apo në rrugët e Greqisë.

Ishte një akt dhune nga një grup rojesh privatë, dhe që të ngrihej shteti në këmbe dhe të nënvizojë etninë e protestuesit, mendoj sipas meje nuk i shërben marrëdhënieve tona që janë në ditët e tyre më të mira. Por këtë e futa këtu për të thënë diçka tjetër, që pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Sepse ndërkohë titujt e p[pronësisë janë baza e çdo veprimtarie. Siç ndodhi edhe në Baks-Rrjoll, ku toka ishe e blerë nga pronarët atje që kishin letrat. Por nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbesim pezull në titujt e pronësisë, pas një katrahure që kemi trashëguar për fat të keq,” u shpreh Rama.

The post Kaosi në Zvërnec, Rama i kthehet “flakë për flakë” Athinës appeared first on Publik Media.

Sali Berisha kujtohet më në fund për skandalin e ndodhur në Zvërnec

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:24

“Nuk jam kundër investimeve të huaja, por dënoj dhunën ndaj protestuesve”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për mediat pas paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, ku u pyet edhe në lidhje me projektin e debatueshëm në Zvërnec dhe protestat e fundit në zonë.

Në fjalën e tij, Berisha sqaroi se nuk kishte informacion të detajuar mbi projektin konkret, por nënvizoi se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e pronës private.

“Unë këtu përgjigjem vetëm për çështje të lidhura me SPAK. Unë jam shumë i hapur, por ky nuk është vendi, mund të flasim te selia e PD. Nëse është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj, ishte rrëmbim në duart e policisë, akt i shëmtuar i Policisë së Shtetit.

Së dyti, nuk kam asnjë faqe të atij projekti, megjithëse kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë. Së treti, PD është një parti që mbështet shumë investimet e huaja dhe qeveria ime ka pasur një ligj që zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjet e pronësisë.

Ai thoshte se nëse qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale kadastrale, për çdo problem që lind, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Këtë e vumë sepse me investitorët e huaj vraponin pas pengmarrjes.

Kjo e linte vendin pa investime. Nëse ty si pronar të kanë shkelur të drejtën e pronës, shteti do të të përgjigjet ty me vlerën e tregut. Që kur kemi miratuar këtë ligj, ka pasur zero probleme. Jemi shumë respektuar për çështjen e pronësisë, por mbështesim edhe investimet e huaja.

PD është partia që proteston më fuqishëm se kurrë, por mbështet investimet e huaja, garanton pronat dhe pronarët më një ligj të drejtë. Nuk ka interes më të mbrapshtë se përpjekja për të përzënë investitorët e huaj”, tha Berisha mes të tjerash.

Foltorja dhe protesta për Zvërnecin, vendimi pritet

Ndërkohë, Partia Demokratike pritet të mos zhvillojë foltoren e përjavshme para Kryeministrisë, pasi në të njëjtën orë është paralajmëruar një protestë nga qytetarët e Zvërnecit.

I pyetur nëse do të mbajë foltoren, Berisha u shpreh se vendimi do të merret në vijim, duke theksuar se fokusi i ditës mund të jetë një tjetër aktivitet.

Zoti Berisha, sot në orën 19:00 keni lajmëruar çdo të hënë foltore. Në të njëjtën kohë edhe ka një protestë për Zvërnecin. Do ta zhvilloni në foltore, apo do jeni në të njëjtin vend?

Sali Berisha: Do të diskutohet, sot ka disa aktivitete tani, kemi disa probleme sot. Sot është dita e fëmijëve, por Koalicioni për Familjen ka vendosur, më thonë se edhe ai do bëjë një protestë. Dhe shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e koalicionit për familjen. Sepse, është 1 qershori. Ju e patë që, po kjo do njoftohet. Ju e patë domethënë, se në ç’mënyrë më kriminale, perverse, Edi Rama me Salën, me këtë ministren, vendosën që të përdorin terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët. Jashtë çdo lloj, jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, qoftë sociologjik, qoftë të përgjegjësisë. Kjo është t’ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre.

Dhe ky është një akt i shëmtuar, antiligjor, nuk jemi kundër, më fal, ka një moshë të caktuar në të cilën fëmija, se nuk jemi t’i injorojmë, diskriminojmë, jo. Por jemi, mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor. Dhe unë shpreh solidaritetin tim me aleancën për familjen.”

The post Sali Berisha kujtohet më në fund për skandalin e ndodhur në Zvërnec appeared first on Publik Media.

Rama ‘tërbohet’ dhe i bie tavolinës. Nuk tërhiqemi nga projekti për Zvërnecin

By: Andi M.
1 June 2026 at 11:15

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një komunikimi me mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se projekti i planifikuar për zonën e Zvërnecit do të zhvillohet ekskluzivisht në prona private që disponojnë tituj të rregullt pronësie.

Sipas tij, pas refuzimit të një versioni të mëparshëm të projektit, investitorët kanë ndërmarrë hapa të rinj duke angazhuar ekspertizë ndërkombëtare për rikonceptimin e plotë të planit dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës.

“Pasi u refuzua projekti investitorët angazhuan 5 studio ndërkombëtare ndër më të mirat në botë, dhe një grup inxhinierësh nga më të mirët në botë që ende po punojnë të paraqesin studimin mjedisor që nuk e kemi ende.”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te polemikat lidhur me gardhin e vendosur në zonë, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë dhe duke paralajmëruar masa ndaj kompanisë përgjegjëse.

“Lufta deri tani po bëhet me një gardh të shëmtuar skandaloz me tela me gjemba për të cilën kompania do të paguajë një gjobë të majme dhe për dhunën e ushtruar nga ajo kompania që nuk do të punojë më në republikën e Shipërisë.”

Rama bëri të ditur se investitorët kanë zhvilluar takime në terren, konkretisht në Vlorë, ku janë konsultuar me ekspertë dhe përfaqësues të botës akademike për të trajtuar të gjitha aspektet e projektit.

“Kanë ardhur investitorët, ka ardhur edhe ajo zonja në Vlorë jo për të bërë foto apo pushime, por me inxhinierë dhe grupin e arkitektëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë që kanë folur për të gjithë aspektet.”

Duke folur për ecurinë e projektit, kryeministri njoftoi se një variant i ri është paraqitur në muajin mars të vitit 2026, duke reflektuar ndryshime thelbësore nga konceptet e mëparshme.

“Në mars 2026 është paraqitur një projekt tjetër komplet i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe.”

Ai theksoi gjithashtu se projekti nuk ka marrë miratim të plotë dhe se institucionet përkatëse kanë vendosur kushte të qarta për vijimin e tij.

“Këshilli Kombëtar i Territorit, tregtarët pra që për llogari timen shesin Shqipërinë, nuk e kanë miratuar të gjithin por kanë vendosur kushte dhe kufizime.”

Në lidhje me ndryshimet konkrete, Rama sqaroi se ndërhyrjet janë kufizuar ndjeshëm për të mbrojtur zonën natyrore, duke përjashtuar ndërtimet në lagunë dhe eliminimin e projektit për marinë.

“Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë. Ishte në versionin 1 dhe 2 por u hoq.”

Kreu i qeverisë nënvizoi se investitorët janë përballur me kërkesa të forta ligjore dhe standarde të rrepta në raport me projektin.

“Nuk po ju them që investitorët thonë nuk e kemi pritur kurrë që në Shqipëri shteti do të jetë kaq rigoroz dhe pse kanë kërkuar të veprojnë konform ligjit. Duan të investojnë jo të sjellin barcaleta.”

Në përmbyllje, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave natyrorë dhe standardeve mjedisore në çdo fazë të zhvillimit.

“Projekti duhet të ruaje peizazhin natyror cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike të habitatit”, tha ai.

The post Rama ‘tërbohet’ dhe i bie tavolinës. Nuk tërhiqemi nga projekti për Zvërnecin appeared first on Publik Media.

Regjizori Petri Bozo përplas për vdekjen 7-vjeçarin në Elbasan

By: PUBLIK.al
25 May 2026 at 10:44

 

Shoqërohet në polici regjizori Petri Bozo

ELBASAN – Një ngjarje e rëndë dhe me pasojë tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Mengël të Elbasanit. Një fëmijë 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet, teksa ndodhej pranë shkollës ku studionte.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00 në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”. Pavarësisht ndihmës së parë, i mituri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Shoqërohet në polici drejtuesi i mjetit
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se automjeti që shkaktoi aksidentin fatal drejtohej nga shtetasi P. B., 61 vjeç. Ai është identifikuar si regjisori dhe producenti i njohur Petri Bozo, njëherësh djali i Luljeta Bozos, inxhiniere, pedagoge dhe ish-deputete e Partisë Socialiste.
Menjëherë pas ngjarjes, Bozo është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale dhe për të dhënë shpjegime të plota mbi rrethanat e aksidentit.

Regjisori dhe producenti Petri Bozo dyshohet se përplasi për vdekje një fëmijë 7-vjeçar mëngjesin e kësaj të hëne në fshatin Mengël të Elbasanit. Aksidenti tragjik ndodhi në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë shkollës së fëmijës, ndërsa i mituri po shkonte në mësim i shoqëruar nga nëna e tij.

Sipas informacioneve paraprake, 7-vjeçari dyshohet se iu shkëput nga dora nënës në momentin që po kalonin rrugën dhe u përplas nga automjeti që drejtohej nga 61-vjeçari. Përplasja rezultoi fatale, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

Një dëshmitar i ngjarjes deklaroi se pas aksidentit një i ri nxori me kujdes fëmijën nga poshtë makinës, ndërsa shoferi shprehej se ndodhej në rrugë nacionale dhe kishte përparësi. Banori theksoi gjithashtu se automjetet në këtë aks lëvizin shpesh me shpejtësi të lartë, duke e bërë zonën të rrezikshme për banorët dhe nxënësit e shkollës pranë rrugës.

Njoftimi paraprak i Policisë:
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor ‘Elbasan-Librazhd’, në fshatin Mengël, automjeti me drejtues shtetasin P. B. ka përplasur një të mitur 7 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.”
Hetimet në vendngjarje
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë grupi hetimor dhe ekspertët autoteknikë. Ata po punojnë intensivisht për të kryer ekspertizën rrugore dhe për të zbardhur dinamikën e plotë, si dhe shkaqet që çuan në këtë aksident me pasojë humbjen e jetës së një të mituri.

The post Regjizori Petri Bozo përplas për vdekjen 7-vjeçarin në Elbasan appeared first on Publik Media.

Shpërthim me tritol në një lokal pranë Komisariatit 4 në Tiranë

By: Andi M.
25 May 2026 at 09:30

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Ngjarja ka ndodhur në një lokal të vendosur në katin përdhes të një pallati, në territorin e Komisariatit nr. 4, ku fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se sasia e tritolit është vendosur si pasojë e një konflikti të mëparshëm. Hetimet janë në vijim, ndërsa deri më tani pronarët e lokalit nuk kanë dhënë deklarime për rrethanat që mund të kenë çuar në këtë akt.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar një person që afrohet pranë lokalit, vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, duke analizuar çdo detaj që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të përcaktuar saktësisht motivet dhe autorësinë e shpërthimit.

The post Shpërthim me tritol në një lokal pranë Komisariatit 4 në Tiranë appeared first on Publik Media.

Si u infiltruan uniformat blu në rrjetet kriminale në Shqipëri

By: Andi M.
25 May 2026 at 09:13

Zbulimi që “erdhi” nga qielli

Policë që dolën në bisedat e koduara, bashkëpunuan me krimin e organizuar

Fushëbeteja e luftës mes të mirës dhe të keqes, mund të shndërrohet shumë lehtë në një fushë bashkëpunimi.

Një bashkëpunim që kthehet në një makinë korrupsioni dhe ha koka edhe nga e mira edhe nga e keqja, duke lejuar kështu që të rritet një e keqe akoma më e madhe.

Ata e nisën marshimin e tyre drejt rrugës së ligjit në krahun e të mirës. Drejtues policie, efektiv të thjeshtë, apo edhe prokurorë, me shumë gjasë në nisje të detyrës, nuk e kishin menduar se sa shumë do t’i ngjanin armikut të tyre.

Ata shkuan edhe më tej, teksa në kulmin e luftimeve, në fushëbetejë, të kamufluar, punuan për të dhe u bënë pjesë e tij, madje shpeshherë edhe duke iu vetëofruar.

E para që ekspozoi anën më të errët të oficerëve të Policisë por edhe prokurorëve që ishin vënë në dispozicion të krimit, ishte dosja “Metamorofoza”, e hetuar nga SPAK që prej janarit 2023. Nëpërmjet dhjetëra biseda të siguruara nga thyerja e rrjeteve të komunikimit të enkriptuara të aplikacionit Sky, nxori lidhjen e ngushtë të krimit me antikrimin.

Por mbrëmja e 20 nëntorit të po atij viti tregoi se metamorfozë kishin pësuar edhe të tjerë efektivë të Policisë së Shtetit dhe dukej se aplikacioni SKY, po e kthente tashmë këtë fenomen në një çështje numrash. Ato që dukeshin si raste sporadike, në fakt po rezultonin një trend në realitetin shqiptar. Komunikimet pa dorashka të eksponentëve të botës së krimit, nisën të nxjerrin zbuluar miqtë e tyre të antikrimit.

Vit pas viti e muaj pas muaji, eksponentë të caktuar nga radhët e Policisë nisën të dalin në sipërfaqe nga bota e nëndheshme e krimit, ku ishin implikuar.

Pas çdo ngjarjeje të rëndë kriminale në Shqipëri, kryesisht ato që kryhen nga krimi i organizuar, mbetet pas jo vetëm hija e autorëve, por edhe dyshimi i pashmangshëm se kush i ndihmoi.

Nga vrasja e Gilmando Dani, tek goditjet ndaj grupeve të strukturuara kriminale, e deri te ndërtimet pa leje që lulëzuan nën sytë e institucioneve, një emërues rikthehet vazhdimisht në dosje, përgjime dhe hetime. Oficerë të Policisë së Shtetit.

Jo gjithmonë si forca që ndalin krimin, por ndonjëherë si hallka që e kanë ndihmuar atë të mbijetojë.

Disa oficerë akuzohen se kanë informuar grupet kriminale për operacionet e tyre të paligjshme. Të tjerë dyshohet se kanë mbyllur sytë përballë trafikut, kultivimit të drogës apo aktiviteteve të tjera. Në rastet më të rënda, efektivë dhe drejtues policie rezultojnë të kenë bashkëpunuar drejtpërdrejt me organizatat kriminale, duke nxjerrë njerëz në pritë, duke manipuluar prova apo duke garantuar mbrojtje.

E në ndonjë rast tjetër i kanë trajnuar e mësuar edhe se si të përdorin armët e zjarrit dhe si të realizojnë qitje.

Zbërthimi i komunikimeve në SKY ekspozoi një realitet tronditës. Nga polici i thjeshtë, tek shefat e Komisariateve, oficerët e krimeve, drejtues të operacionales e deri në nivelet më të larta, siç ishin drejtues Policie, emra që duhej të luftonin krimin, shfaqeshin në biseda me eksponentë të tij.

Herë për para, herë për favore, pushtet apo lidhje të errëta që kishin vite që funksiononin në heshtje.

Qëllimi i një krimineli dihet, por shqetësues është momenti kur uniforma pushon së përfaqësuari ligjin dhe bëhet pjesë e botës që duhet të godasë.

ALARMI NË SARANDË

Prej vitesh, në jug të Shqipërisë janë shtuar konfliktet për prona bregdetare, shfrytëzimin e bizneseve turistike, investimet informale dhe zonat e influencës.

Një pjesë e këtyre përplasjeve nuk mbyllen aty për aty, por kalojnë në kërcënime, dhunë, madje dhe atentate mafioze me armë e eksploziv.

Afërsia me kufirin grek e ka kthyer Sarandën edhe në një nyje të rëndësishme lëvizjeje për trafik droge, kontrabandë dhe grupe kriminale që operojnë mes dy vendeve.

Shumë emra të njohur për Policinë shqiptare kanë pasur lidhje me rrjete kriminale në Greqi. Të tjerë janë përfshirë në trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave apo konfliktet për kontroll territori.

Në një qytet që dikur identifikohej me qetësinë dhe turizmin familjar, sot gjithnjë e më shpesh dëgjohen histori për atentate, të shtëna me armë, shpërthime tritoli dhe konflikte të armatosura.

Dhe shpesh, aty ku qarkullojnë shumë para, lind edhe lufta për kontroll, influencë dhe favore.

Një realitet që sipas hetimeve të fundit, duket se nuk prek vetëm grupet kriminale, por ngre pikëpyetje edhe mbi lidhjet e njerëzve të ligjit me personazhe të botës së krimit.

Ndërsa hetimet për vrasjen në Qafë Gjashtë vazhdojnë, një tjetër zhvillim i rëndë ka tronditur së fundmi Sarandën.

Një operacion i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore çoi në arrestimin e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe efektivëve të tjerë të policisë, ndërsa shefi i Krimeve, Blerim Tafçiu, u shpall në kërkim.

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:

  • Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
  • Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
  • Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
  • Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;

ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale: “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.

Policia e Shtetit

Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.

Prona ku po kryheshin punime pa leje, rezulton të ketë qenë më parë e Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me eksploziv mbrëmjen e 5 tetorit 2025 në Sarandë. Pronë, e cila dyshohet se i është marrë me forcë viktimës nga një grup kriminal, por ende nuk është saktësuar nëse Policia e Sarandës ka qenë në dijeni apo ka ndikuar në tjetërsimin e kësaj prone. Megjithatë, pas operacionit të AMP tashmë gjithçka shihet me dyshim.

Ndërkohe më 13 maj, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për një sipërfaqe të dyshuar të ndërtuar pa leje mbi objektin ekzistues “Hotel Oasis”, në lagjen nr. 1 të qytetit të Sarandës. Sipas organit të akuzës, masa është vendosur mbi një strukturë me përmasa 22.9 metra x 13.4 metra x 3.5 metra, e ngritur mbi tarracën e hotelit 6-katësh, në pronësi të shtetasit Alqi Papa. Nga verifikimet dhe inspektimet në terren rezulton se mbi objektin ekzistues është krijuar një volum i ri ndërtimor funksional. Punimet konsistojnë në ngritjen e strukturës metalike mbajtëse, realizimin e mbulimit dhe soletës me llamarinë të valëzuar dhe shtresë betoni, ndarjen e ambienteve të brendshme, si dhe përfundimin e fasadës dhe vendosjen e vetratave. Sipas Prokurorisë, veprimet ndërtimore janë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12 maj 2025 dhe deri më 31 mars 2026.

Edhe arrestimet e 14 majit nga AMP, duket se janë vazhdim i këtij hetimi.

Hetimet lidhen me dyshime për favorizim apo tolerim të ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare, pikërisht në zonat ku qarkullojnë interesat më të mëdha ekonomike të jugut.

Edhe pse kjo çështje nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e Rexhep Ismailit, ajo duket se prek të njëjtin realitet që po shfaqet gjithnjë e më qartë në Sarandë. Ndërthurjen mes kriminalitetit, interesave ekonomike, luftës për territor dhe dyshimeve për lidhje apo ndikim mbi struktura të caktuara të rendit. Sepse në një qytet ku toka në bregdet vlen miliona euro, ku konfliktet për prona, hotele, beach bar-e dhe resorte janë shtuar ndjeshëm, çdo dyshim për komprometim të institucioneve e bën edhe më të fortë dilemën se kush e kontrollon realisht sot Sarandën.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, me fokus sigurinë, zbatimin e ligjit dhe rritjen e forcës reaguese të strukturave vendore të Policisë.

Gjatë takimit, Hita kërkoi që strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë të reflektojnë menjëherë për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.

Skënder Hita

Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia. Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të. Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit. Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet. Policia Kufitare duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese. Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë.  

Vetëm pak ditë pas arrestimit të drejtuesve të Komisariatit të Sarandës, të dyshuar për përfitime të paligjshme nga lejimi i ndërtimeve pa leje, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, zhvilluan një takim në Sarandë me drejtues të IKMT-së, pushtetit vendor dhe institucioneve lokale. Ata theksuan se askush nën uniformën e policisë nuk do të tolerohet të bashkëpunojë me paligjshmërinë, ndërsa ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike u cilësuan “vijë e kuqe”. Hita kërkoi bashkëpunim mes policisë, IKMT-së dhe institucioneve vendore për të parandaluar në kohë çdo rast abuzimi.

Ndërkohë, Gjykata caktoi “arrest me burg” për 30 ditë, për Gëzim Bashllarin dhe Robert Çullajn, si dhe “arrest shtëpie” për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron, të dyshuar për lidhje me një ndërtim pa leje në zonën e plazhit të Sarandës. Ministri Lamallari reagoi duke deklaruar se në Policinë e Shtetit nuk do të ketë vend për efektivë që abuzojnë me detyrën apo bashkëpunojnë me elementë kriminalë, duke paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj çdo shkeljeje.

Pak ditë më vonë, AMP arrestoi edhe nënkomisarin Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Sarandë, i dyshuar për korrupsion pasiv. Hetimi nisi pas arrestimit të dy personave për shpërndarje droge, ndërsa përgjimet e kryera në ambientet e shoqërimit zbuluan komunikime që implikonin oficerin në veprime korruptive.

Arrestimet e njëpasnjëshme të drejtuesve dhe efektivëve të Policisë së Sarandës kanë ngritur dyshime se problemi nuk lidhet vetëm me tolerimin e ndërtimeve pa leje në bregdet, por me një skemë më të thellë inkriminimi të strukturave të policisë lokale. Fillimisht hetimet zbuluan dyshime për bashkëpunim të punonjësve të policisë me ndërtues të paligjshëm dhe mosveprim përballë zaptimit të hapësirave publike, ndërsa më pas arrestimi i një oficeri të krimeve për korrupsion në një çështje narkotikësh shtoi dyshimet se segmente të policisë mund të kenë qenë të implikuara edhe në veprimtari të tjera kriminale. Përplasja e këtyre episodeve në një kohë të shkurtër ka krijuar bindjen se në Sarandë mund të mos bëhet fjalë për raste të izoluara abuzimi, por për një rrjet ndikimi dhe bashkëpunimi mes elementëve të kriminalizuar dhe zyrtarëve të policisë, në një nga zonat më të ndjeshme turistike të vendit.

POLICI QITJE ME “BAJRAT”

Por rasti i Sarandës duket se nuk është një episod i izoluar. Ndërsa hetimet për lidhjet mes punonjësve të policisë dhe paligjshmërisë në jug të vendit vijojnë, një tjetër dosje e rëndë ka nxjerrë sërish në pah dyshimet për infiltrimin e elementëve të kriminalizuar brenda uniformave blu. Këtë herë, emri i një efektivi policie del në dosjen e grupit “Bajri”, një nga grupet kriminale më të njohura në vend.

Pas sekuestrimit të telefonit të Izmir Sakicës, hetuesit zbuluan foto dhe video ku shfaqeshin persona duke kryer qitje me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm. Në materialet filmike, mes personave të pranishëm, identifikohet edhe një efektiv policie, i cili në dosjen hetimore përmendet fillimisht si “person i paidentifikuar”. Sipas burimeve, bëhet fjalë për Mikel Kodrën, oficer i patrullës së përgjithshme në Malësinë e Madhe.

Identiteti i tij u zbulua vetëm pasi pamjet u publikuan në media. Pas kësaj, AMP e thirri për verifikime, por ai nuk u paraqit. Kontrollet në banesë rezultuan negative, ndërsa efektivi nuk është kthyer më në punë dhe ka fikur telefonin celular, duke ngritur dyshime se mund të jetë larguar për t’iu shmangur hetimit.

Dyshimet bëhen edhe më të forta për shkak të lidhjeve familjare të policit. Mikel Kodra është nipi i Prekë Kodrës, i njohur si “snajperisti” i grupeve kriminale dhe i shpallur në kërkim prej vitesh si pjesë e dosjes “Metamorfoza”, por edhe për lidhje me grupin e Suel Çelës dhe planet për eliminimin e Ardjan Çapjas. Sipas të dhënave hetimore, videot e gjetura në telefon tregojnë persona që stërviteshin në përdorimin e armëve, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse roli i efektivit ka qenë vetëm në stërvitje apo edhe më i thellë në aktivitetin kriminal.

Fakti që këto pamje kanë qarkulluar prej muajsh në duart e strukturave ligjzbatuese, ndërsa identifikimi i policit ndodhi vetëm pas publikimit në media, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi nivelin e depërtimit të grupeve kriminale dhe lidhjeve të tyre me segmente të policisë së shtetit.

Më 15 maj 2026, SPAK mbylli hetimet për përplasjen me armë në Rranxë të Bushatit, një ngjarje e regjistruar në gusht 2024, duke dërguar në GJKKO dosjen ndaj Izmir Sakicës, Samuel Troshanit dhe Franko Lekës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, të pandehurit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishin organizuar një atentat për vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij. Ata dyshohet se udhëtuan të armatosur me mjete të blinduara drejt fshatit Rranxë në Bushat, por sapo hynë në zonë u përballën me zjarrin e armëve nga vetë Prendi, duke sjellë një shkëmbim të fortë zjarri. Nga hetimet rezulton se nuk pati të plagosur, por u dëmtuan automjetet e përdorura nga grupi, njëri prej të cilëve ishte i paregjistruar dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin mjetit. SPAK akuzon Sakicën, Troshanin dhe Lekën për “vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa edhe Aleksandër Prendi është marrë i pandehur për “vrasje të mbetur në tentativë”. Franko Leka dhe Prendi vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa dy të tjerët ndodhen në arrest me burg.

Pasditen e 30 tetorit 2024, Shkodra, por jo vetëm, u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, që shkaktoi 4 viktima. Një makinë tip “Benz” me xhama të zinj, e drejtuar nga Hamza Lici, me pasagjer Arlind Bushatin, që udhëtonte drejt rrugës nacionale Shkodër-Koplik, në lagjen Dobraç, u sharrua nga plumbat. Nga pas, i ndiqte një fuoristradë “Land Rover”, ku mendohet se ndodheshin 3 persona. Sapo u ndodhën paralelisht, nga fuoristrada drejt makinës që drejtohej nga 23-vjecari Lici nisi një breshëri kallashnikovi.

Të shtënat vijuan pa u ndalur përgjatë 300 metrave në ecje e sipër derisa shoferi humbi vetëdijen dhe makina u përplas në gjendje të lirë te muri rrethues i një objekti. Hamza Lici, djali i vogël i familjes Lici ndërroi jetë në vend. Pak orë më vonë, humbi jetën në spital edhe miku i tij, 32-vjeçari Arlind Bushati.

Atentati ishte i pamëshirshëm, me objektiv të qartë, eliminimin fizik të personave që ishin në makinën “Benz”. Drejtuesi i “Land Rover”-it dhe dy qitësit nuk morën parasysh as qytetarët e rastësishëm në vendngjarje. Të gjendur në vendin dhe kohën e gabuar, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, që po udhëtonin në atë moment me motor, humbën jetën në atë ngjarje. Automjeti që drejtonte Hamza Lici, humbi kontrollin pas breshërisë së plumbave dhe përplasi motorin e çiftit Basha. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa Bashkimi u plagos rëndë në kokë, duke ndërruar jetë më vonë në spitalin e Shkodrës. Ata ishin viktima të pafajshme që nuk kishin asnjë lodhje me atentatorët dhe objektivin e tyre.

Dosja e ngjarjes që mori emrin “Masakra e Dobraçit”, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, por më 11 shtator, organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe çështja tashmë është në duart e SPAK, pasi ka dyshime se vrasja e 4-fishtë është vepër e një grupi të strukturuar kriminal.

Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, por edhe një person tjetër që mendohet se udhëtonte me ta në makinë dhe që dita ditës pas hetimeve ka dyshime të ketë qenë Ibrahim Lici. Prezenca e tij në automjet nisi të diskutohej pas pamjeve që u publikuan në media, ku një person i gjakosur shihej pranë trupit të pajetë të Hamza Licit. Burimet konfirmuan se ky person ishte pikërisht Ibrahim Lici, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer ilegalisht në Shqipëri. Ai supozohej të ishte në Turqi, nën masën e “arrestit të shtëpisë”, ku ishte në pritje të ekstradimit, duke qenë person i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Megjithatë, as efektivët e Shqiponjave që ndodheshin shumë pranë tij në vendngjarje, nuk arritën të vepronin. Veprim që në fakt u kushtoi prangat 4 efektivëve, të cilët më vonë u liruan nga Gjykata.

Disa javë pas atentatit, kur dosja ishte në duart e SPAK, prokurorët e Posaçëm, i kërkuan Gjykatës leje për të ushtruar kontroll në zonën e “Dobraçit”, ku jetojnë anëtarët e fisit Bajri, të njohur për hasmërinë me familjen Lici. Një operacion i nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 dhjetor 2024, solli rrethimin e Shkodrës nga forcat speciale RENEA, që kryen veprime në zbatim të urdhrit të SPAK. Kontrolle u kryen edhe në Kiras, ku jeton familja Lici, por edhe në disa zona përreth. Megjithatë operacioni u mbyll me sekuestrimin e 5 automjeteve, një e blinduar me targa ruse, si dhe një shumë parash e disa telefona. Safet Bajri u shoqërua dhe u la i lirë pak më vonë e po ashtu edhe disa persona të tjerë. Ndërsa askush nuk ra në gjurmët e Ibrahim Licit.

Kjo ngjarje po hetohet bashkë me dy procedime të tjera që duket se SPAK do i bashkojë në një të vetëm. Fillimisht, në Policinë e Shkodrës, më 22 janar 2025 u vetëdorëzuan dy persona. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët njihen në Shkodër si persona pranë fisit Bajri. Të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiri, ata u paraqitën në Drejtorinë e Policisë, pasi ndaj tyre kishte një masë sigurie “arrest me burg” nga Prokuroria e Shkodrës, për plagosjen e Vladimir Bruçit. Më 3 qershor të vitit 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vend parkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicën, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni, Arlind Kajoshi dhe Alban Bruçi.

Por teksa ndodheshin në qeli për këtë ngjarje, për Izmir Sakicën e Samuel Troshanin, vendoset një tjetër masë sigurie, kësaj here nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa RENEA, me urdhër të SPAK zhvillon një operacion në Shkodër më 18 shkurt 2025. Një prej personave që pritej të shoqërohej ishte edhe Safet Bajri, por atë ditë nuk u gjet. SPAK urdhëroi arrestimin e 4 personave të dyshuar për përplasjen me armë në Bushat të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 23 gusht të vitit 2024.

Një ditë pas aksionit në Shkodër, Prokuroria e Posaçme dha informacion zyrtar, duke konfirmuar se operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica. Por, burime nga grupi hetimor thonë se paralelisht me këtë procedim, për disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë, po kryhen hetime edhe në lidhje me “Masakrën e Dobraçit”. Madje deri në këtë fazë ka emra konkret personash të dyshuar që kanë marrë pjesë në atë ngjarje, por ende nuk janë mbledhur provat e nevojshme.

INKRIMINIMI QË U ZBULUA NGA SKY

Operacioni “Metamorfoza”, i zhvilluar në vitin 2023, ishte i pari që zbuloi lidhjet e oficerëve të Policisë me krimin e organizuar, nisur nga bisedat që ata kishin zhvilluar në platformën SKY.

Në dosjen e SPAK, ai që shfaqet në rolin më aktiv duke u shërbyer me informacion dhe gjithçka tjetër grupi Bajri e biznesmenit Pëllumb Gjoka, është ish-shefi i Krimeve të Shkodrës Ardrit Hasanbegaj. Nga bisedat e zbardhura në dosjen “Metamorfoza”, rezulton se Hasanbegaj nuk ka shpërdoruar thjesht detyrën por ka ndihmuar për realizimin e vrasjeve nga grupi që ai i shërbente.

Nga dosja hetimore e SPAK duket qartë se oficerë të Policisë së Shkodrës, si edhe prokurorë e gjyqtarë ishin vënë në shërbim të bandave duke shërbyer si informatorë për lëvizjen e kundërshtarëve të tyre dhe në rast të arrestoheshin apo kapeshin nga kamerat në atentate, si persona që i lehtësonin përballë ligjit.

SPAK ka vërtetuar se prokurori Xhevahir Lita është shërbëtor i Bajrajve, po ashtu si edhe shefi i Krimeve, Ardrit Hasanbegaj, i cili merr përsipër të përgjojë numrin e telefonit të Ibrahim Licit për të gjetur se ku është ai. Po ashtu, nga dosja rezulton se Hasanbegaj jep informacione për lëvizjet e bashkëshortes shtatëzënë të Dorian Dulit, ndërkohë që Behar Bajri bëhet gati që ta vrasë.

Në momentin e arrestimit, për llogari të dosjes “Metamorfoza”, Hasanbegaj nuk ishte më pjesë e Policisë së Shtetit. Në nëntor të vitit 2022, kohë kur ai ishte shef i Seksionit të Krimeve në Berat, ai ishte përjashtuar nga Policia për shkelje të rënda, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku.

Behar Bajri menjëherë pasi ka dalë nga burgu është angazhuar me qëllim vrasjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, për shkak të interesave të tij personale dhe të interesave të fisit. Me qëllim realizimin e vrasjes, shtetasi Behar Bajri ka bashkëpunuar me shtetasit Astmer Bilali, Denis Bajri, Bardhyl Mavraj dhe persona të tjerë ende pa identifikuar.

Behar Bajri ka bashkëpunuar me biznesmenin Pëllumb Gjoka për grumbullimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici. Ardrit Hasanbegaj, duke pasur dijeni për qëllimet e Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, por edhe akses për shkak të detyrës dhe kontakteve të tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, jep informacione të përftuara nga hetimet që zhvillohen nga Policia dhe nga përgjimet telefonike.

Në një rast Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet se përdorej nga Ibrahim Lici dhe ia ka dhënë Behar Bajrit. Më pas Behari numrin ia ka dhënë Pëllumb Gjokës me qëllim që t’ia japë Hasanbegajt.

Zbulimi i Policëve të inkriminuar nga mesazhet e shkëmbyer në SKY, sapo kishte nisur. Një tjetër dosje, zbuloi lidhje të tjera. Kësaj here jo nga platforma e enkriptuar, por nga hetimet dhe një operacion ku mori pjesë edhe DEA amerikane.

Një informacion se sasi lëndësh narkotike do të vinin në Shqipëri nga Turqia në rrugë detare dhe tokësore e më pas nga Shqipëria do të nisej drejt vendeve të Bashkimit Europian, vuri në lëvizje Policinë Shqiptare në mesin e gushtit 2023. Policia gjyqësore siguroi të dhëna se më 14 gusht do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit kanabis, që do të nisej me mjete lundruese nga Patoku dhe në det të hapur do të shkëmbehej me kokainë, e cila do të transportohej me një tjetër mjet lundrues me ekuipazh shtetas ukrainas.

Më datë 15 gusht, një gomone u pikas në dalje të Lagunës së Patokut. Kjo gomone po udhëtonte me shpejtësi drejt një veliere me flamur të huaj që ishte në det të hapur, thuajse 12 milje nga bregu. Kjo velierë kishte hyrë pa njoftuar në ujërat shqiptare dhe ndodhej në afërsi të Kepit të Rodonit. Policia ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me forcat e policisë italiane të Guaria di Finanza, që operojnë në Shqipëri dhe Itali, me qëllim kapjen e dy mjeteve. Të dy mjetet lundruese janë mbajtur nën vëzhgim dhe ne momentin që mjetet e policisë janë pikasur nga dy ukrainasit që ndodheshin në velierë, Kirilo Pomarenko dhe Konstandit Belon, i kanë vënë flakën velierës. Aty ndodhej edhe lënda narkotike e llojit kanabis. Policia kishte të dhëna se në atë kohë ishte bërë shkëmbimi. Ukrainasit kishin dorëzuar sasinë e kokainës tek personat që ishin nisur me gomone nga Patoku dhe kishin marrë kanabisin. Pasi i kanë vënë flakën velierës ata kanë hipur në një mjet shpëtimi ku më pas edhe janë arrestuar, ndërsa gomonia ku dyshohet se ndodhej sasia e kokainës, që drejtohej nga shqiptarë, është larguar me shpejtësi duke u ndjekur nga Policia. Gomonia është sekuestruar etëm pas disa orësh ndjekje, por në atë moment ishte e boshatisur. Është ndaluar vetëm personi që e drejtonte, Besnik Brokeri.

Të njëjtën ditë, në kohën kur një grup po monitoronte mjetet lundruese, një grup tjetër ka kryer kontroll në restorantin “Royal Blue”, që është në pronësi të Gëzim Çelës në Patok, ku ishte dhe baza nga ku ishte nisur gomonia me kanabis. Sipas informacioneve, pasi të bëhej shkëmbimi i kanabisit me kokainë, gomonia do të kthehej sërish në bazë, tek lojali “Royal Blue”. Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia konstatoi Nerim Çelë, i cili u prezantua si pronari. Në fakt Nerim Çela është djali i xhaxhait të Gëzim Çelës e njëkohësisht është daja i Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinajt. Aty u gjetën dy pistoleta, fishekë e një sasi parash. Kur po kryheshin kontrolle, në oborrin e lokalit Policia shquan një mjet Audi që drejtohej nga Arlind Ismailukaj, një ish-oficer Policie dhe pasagjer ishte Armando Mema. Edhe në këtë mjet u gjet një sasi parash.

Nga këqyrja e celularit të Arlind Ismailukajt rezultoi se më dsatë 15 gusht, rreth orës 3 të mëngjesit, ai kishte komunikuar me një person me pseudonimin “Kapelja”. Sipas të dhënave të grupit hetimor ky person është Arben Dalipaj nga Vlora dhe ishte drejtuesi i gomones që u nis nga Patoku për të marrë kokainën. Dalipaj bashkë me të arrestuarin Besnik Brokeri, lëndën narkotike do ta dorëzonin në lokalin “Royal Blue”. Të gjithë këta persona u arrestuan, pasi dyshohet të kenë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.

Por hetimet vijuan për persona të tjerë të përfshirë, pasi atë ditë, pati dyshime se pak momente para ndërhyrjes së Policisë, Gëzim Çela ishte larguar sërish, si gjithmonë i sinjalizuar në kohë.

Rezultatet e këtij hetimi u njoftuan më 9 tetor 2023 nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili tha se nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, ishte ekzekutuar vetëm një. Në pranga ishte vënë shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj.

Pra edhe këtë herë Gëzim Çela ishte arratisur. Nëse është larguar ditën që do të arrestohej, apo ishte larguar që prej datës 15 gusht kur u zhvillua operacioni “Flakë në det”, kjo mbetet për t’u sqaruar. Shefi i Policisë së Kurbinit e pranoi që e kishte ndihmuar. Nuk është çudi që ndihma e tij të ketë qenë edhe në këtë drejtim. Një sinjal për t’i thënë “largohu se të kanë rrethuar”, siç e kishte lajmëruar dikush edhe në vitin 2014.

Nga 4 urdhër-arreste të firmosura nga Gjykata e Posaçme, vetëm një urdhër u ekzekutua. Veprimet e datës 9 tetor 2023 ishin në vazhdim të operacionit “Flakë në det”, të datës 15 gusht 2023, ku u sekuestruan 23 kg kanabis e nisur nga Patoku, që do të shkëmbehej me kokainë 12 milje nga bregu. Ai që u vu në pranga ishte shefi i Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj. Ndërsa 3 të tjerët, përfshirë Gëzim Çelën, që për vite me radhë është konsideruar “baroni i drogës”, u shpallën në kërkim. Shefi i Komisariatit, Metaj, rezulton të ketë pasur rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal, mes tyre edhe Gëzim Çela, duke shfrytëzuar postin e tij. Ai u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, i akuzuar për trafikim lëndësh narkotike. Shefi i Komisariatit pranoi ta ketë ndihmuar Gëzim Çelën duke thënë se kishte njohje të hershme me të.

SKY zbuloi të tjerë oficerë Policie të lidhur me grupet kriminale gjatë vitit 2023. Një nga episodet më të rënda të zbuluara nga komunikimet në SKY lidhet me planin për eliminimin e dy vëllezërve, të cilët jetonin në Angli. Sipas SPAK, atentati ishte organizuar nga Ismail Zeneli, i njohur edhe me emrat Luan Sadria dhe Xhem Krasniqi, si hakmarrje për vrasjen e të vëllait në Britani në vitin 2013. Në këtë plan dyshohet se u përfshi edhe Dedan Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin nr. 6, i cili sipas hetimeve përdori strukturat dhe sistemet e Policisë së Shtetit në funksion të grupit kriminal.

Vëllezërit Albert dhe Edmond Nela ishin vënë në shënjestër për t’u ekzekutuar nga anëtarët e grupit kriminal që u goditën nga SPAK pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY. Sipas hetimeve ka rezultuar se Bujar Gërmizi, që është vënë në pranga si dhe Ismail Zeneli, që është shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjonin për të vrarë 2 vëllezërit që jetojnë në Angli. Nga hetimet ka rezultuar se shefi i krimeve, që në kohën kur ka ndodhu ngjarja ishte me detyrë në Policinë e Elbasanit, ka kryer veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e vëllezërve Nela dhe tenton të vendosë një GPS në makinë. Po kështu ka rezultuar se Gjoni ka nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS për Albert dhe Edmond Nelën për t’ua dhënë më pas anëtarëve të grupit.

Vrasja e vëllezërve ishte porositur si hakmarrje nga Ismail Zeneli, që më përpara ka pasur emrin Luan Sadria apo dhe Xhem Krasniqi. Edmond dhe Albert Nela dyshoheshin se në vitin 2013, në Britani kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Luan Sadrisë, i cili atje kishte emrin Xhem Krasniqi. Në shenjë hakmarrje ai kërkon eliminimin e tyre dhe këtë e merr përsipër Bujar Gërmizi, një ish-efektiv i forcave speciale dhe i Gardës.

Gjykata e Posaçme, ne vendimin për masat e sigurisë, argumenton se, Ismail Zeneli, Bujar Gërmizi dhe Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete për sigurimin e kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e Edmond Albert e Silvi Nela, me qëllim kryerjen e vrasjes së vëllezërve Nela. Veprimet e tyre interpretohen vetëm në drejtim të vrasjes së vëllezërve  Edmond e Albert Nela. Nga bisedat përftohen të dhëna vetëm në ekzistenvcën e një konflikti dhe jo arsye të tjera. Dedan Gjoni, punonjës Policie, ka përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka pasur akses për shkak të detyrës që ushtronte, në shërbim të Ismail Zenelit. Rezulton se Dedan Gjoni ka vepruar në shkelje të plotë të detyrave funksionale, duke krijuar kushte që mund të cënojnë jetën e Edmon e Albert Nelës. Ai dyshohet se ka qenë në dijeni të plotë të qëllimeve të Ismail Zenelit, pasi me të nuk ka pasur njohje të mëparshme, por në një periudhë të shkurtër kanë komunikuar shumë shpesh, vetëm me një qëlim. Zbulimin e vendndodhjes së vëllezërve Nela.

Por emri i Dedan Gjonit del edhe në një tjetër dosje të SPAK, që hetoi disa persona, të cilët kishin planifikuar vrasjen e Xhevdet Plakut. Për më shumë se 25 vite, emri i Xhevdet Plakut, i njohur si “Deti” apo “Akili”, ka qarkulluar në dosjet kriminale të Italisë, Shqipërisë dhe Holandës. I akuzuar për vrasje, trafik droge dhe i mbijetuar i disa atentateve, ai ka arritur t’i shpëtojë vazhdimisht drejtësisë, mes ekstradimeve, pushimeve të hetimeve dhe gabimeve proceduriale. Por ajo që e bën edhe më të rëndë historinë e tij është fakti se planet për eliminimin e Plakut zbuluan jo vetëm konfliktet mes grupeve kriminale, por edhe përfshirjen e njerëzve nga strukturat e policisë. Në dosjen e SPAK rezulton se ish-shefi i Krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni, u bë pjesë e skemës për ta nxjerrë në pritë dhe për të ndihmuar grupin që synonte eliminimin e tij. Për këtë çështje u dënuan Rexhep Rapi, i njohur si Kep Arapi, nipi i tij Algert Rapi, vetë Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermëni. Dosja nxori në pah një tjetër dimension të errët të depërtimit të krimit në polici, ku uniforma dyshohet se është përdorur jo për të parandaluar atentatet, por për të ndihmuar në organizimin e tyre.

Një tjetër dosje e SPAK ka nxjerrë në pah përfshirjen e efektivëve të policisë në bashkëpunim me grupet kriminale. Në hetime u përmendën dy drejtues policie, Henerigert Mitri, ish-drejtor i Policisë së Lezhës, dhe Klodian Shahini, ish-shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Lezhë, të dyshuar se në vitin 2020 bashkëpunonin me eksponentë të krimit për organizimin e kultivimit të kanabisit dhe aktivitetit të lojërave të fatit. “Revanshi” zbuloi përmes bisedave në aplikacionin SKY lidhjet mes grupeve kriminale dhe personave me të kaluar në strukturat e sigurisë, përfshirë edhe një ish-oficer të forcave speciale RENEA. Operacioni, i zhvilluar gjatë vitit 2024, çoi në arrestimin e dhjetëra personave dhe goditjen e 7 grupeve kriminale që vepronin në disa qytete të vendit dhe kishin krijuar aleanca të ndërtuara mbi trafikun e drogës, hakmarrjen, atentatet dhe interesat financiare. Sipas SPAK, përgjimet zbuluan një rrjet të strukturuar kriminal, ku urdhrat për vrasje, tradhtitë dhe koordinimi i aktiviteteve kriminale kryheshin edhe nga burgjet e sigurisë së lartë, duke nxjerrë në pah nivelin e depërtimit të krimit në institucione dhe lidhjet e tij me persona që kishin ushtruar funksione në strukturat ligjzbatuese.

Në kohën kur Elbasani ishte nën “kthetrat” e krimit dhe kur shumë vrasje po tronditnin vendin, “fajtorët” kërkoheshin në radhët e Policisë. E ndoshta, siç po dëshmojnë të penduarit dhe bisedat në SKY, jo pa qëllim. Deklaratat e vazhdueshme politike etiketonin si përgjegjëse të “luftës” atje, dy grupe kryesore. Çapjat dhe Çelët.

Por edhe ndikimin që ata kishin përmes “shërbëtorëve” që kishin krijuar në strukturat e rendit.

Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ndoshta me të drejtë deklaronte publikisht në vitin 2017 se as Çapjat dhe as Çelët nuk mund të simbolizonin qytetin.

Në fakt, edhe pse jo në kontekstin që shprehej mininstri i kohës, këto dy grupe nuk ishin të vetmit që kishin shkaktuar përplasjet në Elbasan. Vit pas viti në skenë dolën edhe grupi Çopja e më tej edhe Alibej, ndonëse këta të fundit nuk e kishin fuqinë e tre të tjerëve.

Pasi bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi dëshminë e tij gjatë disa seancave të procesit “Plumbi i artë”, më 29 maj 2025 ishte radha e një tjetër të penduari. Erion Alibejt.

Rrëfimi i tij në sallën e gjyqit ishin një dëshmi, që shpjegonte jo vetëm si bëhej trafiku i drogës, si bëheshin vrasjet e si kontraktoheshin killerat por edhe se si bliheshin oficerët e Policisë.

Një roman i tërë kriminal, me histori gangsterësh, trafikantësh kokaine, killerash me pagesë, policë e shefa Policie që i shërbenin krimit, duke u vënë në dispozicion edhe sistemin TIMS e duke komunikuar në SKY.

Nga Saranda, te dosjet e SKY, nga ndërtimet pa leje te atentatet e organizuara, një detaj përsëritet vazhdimisht. Përfshirja e njerëzve me uniformë në krah të botës së krimit. Në disa raste, policë të dyshuar për korrupsion. Në raste të tjera, efektivë që akuzohen se kanë nxjerrë informacione sekrete, kanë ndihmuar grupe kriminale apo janë bërë pjesë e planeve për vrasje. Dosjet e SPAK kanë zbuluar një realitet të rëndë, ku segmente të strukturave ligjzbatuese dyshohet se nuk kanë luftuar krimin, por kanë bashkëjetuar me të.

Për vite me radhë, grupet kriminale kanë ndërtuar aleanca, kanë përdorur teknologji të koduara, kanë organizuar atentate dhe kanë shtrirë ndikimin e tyre në disa qytete të vendit. Por ajo që i bën këto dosje edhe më alarmante është dyshimi se, në disa raste, mbështetja ka ardhur nga brenda vetë institucioneve që duhet t’i godisnin.

Sot, shumë prej këtyre çështjeve janë ende nën hetim. Disa persona janë arrestuar, të tjerë janë në kërkim dhe të tjerë janë të dyshuar. Por një gjë duket se është e qartë.

Beteja nuk është më vetëm mes shtetit dhe krimit. Sfida më e madhe mbetet pastrimi i vetë strukturave të rendit nga njerëzit që dyshohet se kanë tradhtuar ligjin dhe besimin e qytetarëve./Gjërat Tona

The post Si u infiltruan uniformat blu në rrjetet kriminale në Shqipëri appeared first on Publik Media.

Milionat e Bashkisë së Bulqizës rrjedhin drejt tenderit korruptiv të ujësjellësit

By: Andi M.
25 May 2026 at 09:08

Në fushën e Vajkalit në Bulqizë, tubacionet masive të betonit shtrihen thuajse në sipërfaqe. Të mbuluara shkarazi me shtresa dheu, një pjesë e tyre kanë filluar të plasariten nën peshën e kohës dhe ekspozimit pa mbrojtje ndaj agjentëve atmosferikë.

Një rrjet i ri kanalizimesh për ujërat e zeza shkarkon gjithashtu direkt në zallin e lumit të Bulqizës, duke anashkaluar ndërtimin e një impianti të nevojshëm trajtimi.

Ky peizazh mjedisor dhe urban është sot trashëgimia e dukshme e një tenderi korruptiv prej 387.8 milionë lekësh [rreth 3.8 milionë euro] i Bashkisë së Bulqizës, i nisur në vitin 2021 me premtimin për të ndërtuar një rrjet ujësjellësi për lagjen Allmete dhe rrjetin e kanalizimeve për Lagjen e Vjetër.

Tenderi i fituar nga bashkimi i operatorëve “EGLAND & BE-IS” përbën dosjen më të bujshme të korrupsionit për Bashkinë e Bulqizës, për të cilën dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryebashkiakun Lefter Alla u dënuan në dhjetor të vitit 2023 për veprat penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorimit të detyrës.

Gjykata e Posaçme urdhëroi gjithashtu asgjësimin e situacioneve të punimeve, ditarin e objektit dhe një sërë dokumentesh të tjera – pasi vlerësoi se ishin dokumente të falsifikuara të një projekti të kryer në shkelje të ligjit “në të gjithë segmentet e tij”.

Por Bashkia e Bulqizës vazhdoi të paguante miliona lekë në favor të kompanive private, në shkelje të vendimit të gjykatës dhe ligjit të “Prokurimit Publik”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Bashkia e Bulqizës i pagoi kompanisë “EGLAND” 103 milionë lekë në periudhën nëntor 2025-janar 2026, duke shlyer në total 272 milionë lekë ose rreth 70% të fondit të parashikuar për tenderin.

Pagesat u bazuan në situacione të përpiluara nga e njëjta kompani mbikëqyrëse, përfaqësuesit e së cilës janë dënuar tashmë për falsifikim.

Kryetarja e bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri dhe kompania që mbikëqyr punimet, “Arabel Studio” nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN për koment mbi pagesat dhe problemet e konstatuara.

Në një përgjigje me shkrim, Agjencia e Prokurimit Publik tha se përgjegjësia për zgjidhjen e kontratës i takonte bashkisë dhe se APP nuk ishte njohur me një vendim gjykate në këtë rast. Sipas drejtueses së APP, Reida Kashta, në rast të një vendimi gjykate të formës së prerë “që ka dënuar administratorin dhe/ose operatorin ekonomik si person juridik po për këtë procedurë, atëherë autoriteti kontraktor është në kushtet e nenit 128/b të ligjit të prokurimit për zgjidhjen e kontratës”.

Kompania “Egland” mohoi parregullsi në lidhje me punimet dhe volumin e tyre dhe pohoi se pagesat bazoheshin në kontratë.

“Kontrata nuk është konsideruar e ndërprerë nga palët gjatë kësaj periudhe,” tha kompania në një përgjigje me shkrim.

Manipulimi i tenderit

Ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla. Foto: LSA.

Sipas vendimit të 27 dhjetorit 2023 të Gjykatës së Posaçme, tenderi i ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimeve i Bashkisë së Bulqizës u manipulua në disa nivele me përfshirjen e ish-kryetarit të Bashkisë, Lefter Alla, gjashtë zyrtarëve të tjerë lokalë si dhe tre përfaqësuesve të kompanive private.

Në një çështje të dytë të gjykuar në Dibër, dy persona të përfshirë në mbikëqyrjen e punimeve u shpallën gjithashtu fajtorë.

Sipas vendimit, Alla në bashkëpunim me vartësit e tij paracaktoi si fitues bashkimin e operatorëve “EGLAND & BE-IS”, por punën në terren nuk e bëri asnjëra prej tyre. Egland është një kompani e vogël ndërtimi në pronësi të Rasim Dacit, ndërsa kompania BE-IS në pronësi të Hamz Islamajt.

Menjëherë pas fitimit të tenderit, kompania “BE-IS” – edhe pse aksionere në shumicë – ia kaloi të gjitha punimet kompanisë “Egland”.  Në mungesë të një kontrate, kompania “Egland” ia kaloi “de facto” punimet kompanisë 2AF Albania Group në pronësi të Aqif Koneshës – një person i afërt me ish-kreun e Bashkisë, Lefter Alla.

Hetimi gjeti gjithashtu se “2AF ALBANIA GROUP” nuk kishte as licensat e duhura dhe as punonjës të specializuar.

I gjithë procesi i prokurimit ishte ngritur mbi një procedurë të llogaritur për këtë rezultat. Madje për t’u siguruar që tenderin do ta fitonte kompania “EGLAND”, kriteret e tenderit sipas gjykatës u manipuluan haptazi.

Kriteri standard ligjor që kërkonte nga kompania fituese të kishte përvojë në punime të ngjashme në masën 50% të vlerës, u ul në mënyrë të pajustifikuar në 33%. Kjo lëvizje i shkoi përshtat vetëm kompanisë fituese.

Për më tepër, dosja hetimore provoi se punimet e ngjashme që operatori ekonomik paraqiti si përvojë nga bashki të tjera, në fakt nuk ishin as të përfunduara dhe as të marra në dorëzim.

Gjykata ekspozoi një zinxhir zyrtarësh bashkiakë që kishin mbyllur sytë përballë dokumenteve fiktive, duke e paracaktuar fituesin që para se të hapeshin zarfet.

“Kjo procedurë prokurimi është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore nga AK Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të pandehurit me veprime aktive që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për nxjerrjen fituese të një firme në lidhje me procedurat e prokurimit të zhvilluara në Bashkinë Bulqizë,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

Ish-kryebashkiaku Lefter Alla u shpall fajtor për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera” dhe u dënua me 1 vit e 9 muaj burgim. Fajtorë u shpallën edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Administratorët e kompanive të përfshira, Rasim Daci, Dali Gazidedja dhe Aqif Konesha u dënuan për falsifikim dokumentesh. Në një proces paralel në Dibër, për falsifikim u dënuan edhe Ana Nishku e Kastriot Ibrahimaj nga kompania “ARABEL-STUDIO” – përgjegjëse për procesin e mbikëqyrjes.

Pagesat pas dënimit

cebe7933b7ce020d78ac660f2f50e1138a39bb25837258e96382a553e50b55f1
Punimet e kryera për ndërtimin e ujësjellësit në Bulqizë. Foto: Sami Curri.

Legjislacioni për prokurimin publik në Shqipëri i detyron institucionet që të zgjidhin kontratat nëse këto të fundit janë fituar në shkelje të rënda të ligjit. Sipas nenit 128 të ligjit, një vendim gjyqësor i formës së prerë hyn në kategorinë e zgjidhjes së kontratës.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, detyrimi në këtë rast binte mbi autoritetin kontraktor.

“Neni 128 i LPP parashikon detyrimet e autoritetit kontraktor për zgjidhjen e kontratës në rast se ndodhet në një nga kushtet e kësaj dispozite ligjore. Në bazë të LPP, APP nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në zgjidhjen e kontratës,” deklaroi Agjencia.

Por ndryshe nga sa shkruhet në ligj, Bashkia e Bulqizës jo vetëm që nuk ka kryer asnjë veprim për zgjidhjen e kontratës, por ka vazhduar pagesat për kompaninë Egland sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit provojnë se, shumë kohë pasi vendimi i Gjykatës së Posaçme mori formë të prerë, pagesat në llogaritë e kompanisë kanë rrjedhur pa pengesa.

Më 25 nëntor 2025, Bashkia Bulqizë ka autorizuar kalimin e 47,500,000 lekëve (rreth 470 mijë euro) drejt “EGLAND” me përshkrimin: Likuidim situacion pjesor nr.4. Një pagesë e dytë me të njëjtën shumë u krye në dhjetor 2025, ndërkohë që më 12 janar 2026 u pagua një faturë me vlerë 8,146,915 lekë.

Pagesat janë bazuar në situacionet e paraqitura nga e njëjta kompani mbikëqyrëse, përfaqësuesit e së cilës u dënuan për falsifikim.

Kompania “Egland” këmbënguli se situacionet ishin reale.

“Situacionet e punimeve janë hartuar mbi bazën e volumeve reale të realizuara në terren dhe jo për punime të pakryera,” thuhet në përgjigjen që ata i dhanë BIRN.

Ky nuk është tenderi i vetëm me probleme që kjo kompani ka në Bulqizë. Ajo është ndërtuesja e një tjetër ujësjellësi në Gjoricë, i cili siç denoncuan banorët në një dëgjesë publike me bashkinë, vijon të mos sjellë ujë dhe ka një mori problemesh.

Punime me defekte

ed24a42f6d2089721ce4dbc590ff0b84c7d6add38ca83922da487599b5f7979c
Tubacionet e pambuluara me dhe rrezikojnë dëmtimin dhe amortizimin. Foto: Sami Curri.

Problemet me cilësinë e punimeve nuk shihen veçse me sy; ato kanë qenë të qarta për zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës që prej vitit 2022.

Sipas dosjes gjyqësore, kryebashkiaku i atëhershëm i Bulqizës, Lefter Alla, i dërgonte mesazhe i revoltuar një vartësit të tij në nëntor 2022 për problemet e ujësjellësit të ri.

“Viçishtin e kam pa ujë… duhet mbuluar tuba nga Qifi. Është prerë në Lladomericë se janë tubat shtruar në sipërfaqe… Pa pikë përgjegjësie ky mor. Se di,” ankohej Alla.

“Qifi” në këto mesazhe prezantohet si Aqif Konesha, biznesmeni që sipas hetimeve ishte i lidhur me kryebashkiakun dhe që de facto po kryente punimet e ujësjellësit, pavarësisht se nuk ishte ai fituesi i tenderit. Tubat e ujësjellësit të lëna mbi tokë ishin dëshmia fizike se puna po bëhej shkel e shko.

Provat e cilësisë së punimeve janë ende në terren. Tubacionet vijojnë të jenë të ekspozuara dhe në vend të tubave plastikë me rezistencë të lartë, një një pjesë të mirë janë përdorur tuba të lirë betonarmeje.

Për më tepër, banorët e lagjeve të prekura janë ankuar herë pas here në Këshillin Bashkiak për punime të parealizuara apo për problemet me ujësjellësin dhe kanalizimet e ujërave të zeza.

Ndërsa pohon se projekti nuk është marrë ende në dorëzim, Bashkia mohon problemet teknike.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Bashkia Bulqizë deklaroi se kishte bërë verifikime me sy të situatës.

“Bashkia Bulqizë nëpërmjet specialistëve të fushës, ka bërë kontrolle dhe evidentime në terren për objektin në fjalë… mirëpo këto verifikime janë bërë vizualisht dhe nuk është mbajtur ndonjë dokumentacion për këtë pjesë,” tha Bashkia për BIRN.

Bashkia deklaroi gjithashtu se nuk ka konstatuar devijime nga projekti dhe se mbikëqyrësi nuk ka raportuar asgjë të tillë.

Ndërkohë, kompania Egland pretendon se projekti nuk ka përfunduar vetëm për 50 metrat e fundit, për shkak të një konflikti pronësie.

“Aktualisht, objekti nuk është marrë ende përfundimisht në dorëzim dhe mbeten procedura administrative e teknike për t’u përmbyllur,” deklaroi Egland në përgjigjen me shkrim për BIRN./BIRN

The post Milionat e Bashkisë së Bulqizës rrjedhin drejt tenderit korruptiv të ujësjellësit appeared first on Publik Media.

Shqiptarët “mjeshtër” të ryshfetit, renditen të dytët në Europë

By: Andi M.
25 May 2026 at 09:04

Pas viteve ’90, kultura e ryshfetit në Shqipëri u bë një dukuri e zakonshme. Percpetimi ishte që nëse nuk paguan nuk mbaron asnjë punë në administratë, nuk të shërbehet në spitale, apo në institucione të tjera.

Ndonëse vitet e fundit shumë shërbime janë online, të dhënat e fundit të Eurostat treguan se veprat penale të regjistruara për dhënie ryshfeti në Shqipëri për vitin 2024 mbeten të larta në raport me popullsinë.

Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Europë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë, pas Hungarisë, që ka një rekord prej 39 procedime për 100 mijë banorë.

Hungaria kryeson dukshëm renditjen, me 38.99 procedime për 100 mijë banorë, një nivel shumë më i lartë se të gjitha vendet e tjera. Hungaria është përballur prej vitesh me kritika ndërkombëtare për korrupsionin dhe dobësitë në zbatimin e masave kundër ryshfetit.

OECD ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjit ndaj ryshfetit ndërkombëtar në Hungari dhe për mungesën e progresit në rekomandimet e mëparshmeMegjithatë, Eurostat thekson se të dhënat për veprat penale të regjistruara nga policia duhet të interpretohen me kujdes, pasi ato ndikohen nga ndryshimet në legjislacion, mënyrat e regjistrimit, praktikat e raportimit dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin vend.

Në rastin e Hungarisë, niveli i lartë mund të lidhet edhe me mënyrën se si autoritetet regjistrojnë rastet e ryshfetit dhe me fokusin më të madh të organeve ligjzbatuese te kjo kategori veprash.

Në rastin e Shqipërisë, niveli i lartë i procedimeve për ryshfet lidhet me një kombinim faktorësh: prani të fortë të korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturë të gjatë informaliteti dhe rritje të fokusit të institucioneve ligjzbatuese te veprat e korrupsionit.

Komisioni Europian ka theksuar se korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi për Shqipërinë, pavarësisht progresit të reformës në drejtësi dhe rolit në rritje të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Edhe të dhënat e Transparency International tregojnë se perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet problematik.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024, Shqipëria mori 42 pikë nga 100 dhe u rendit e 80-ta globalisht, çka e vendos ende larg vendeve të Europës Perëndimore. Një studim i mëparshëm i UNODC dhe INSTAT për korrupsionin në Shqipëri tregonte se ryshfeti shihej nga shumë qytetarë si praktikë e zakonshme, ndërsa më pak se 1% e atyre që përballeshin me ryshfet e raportonin rastin.

Në Shqipëri, që nga 2016-a kur raportohen të dhënat, numri më i lartë i procedimeve u shënua në vitin 2022 me 495 të tilla.

Në rajon, Shqipëria qëndron ndjeshëm më lart se vendet e tjera. Mali i Zi ka 4.01 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83, Maqedonia e Veriut 1.2, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk shfaqet në këtë grafik për këtë kategori. Diferenca e madhe e Shqipërisë me vendet fqinje tregon se ryshfeti mbetet një fenomen i pranishëm në marrëdhënien mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike.

Në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, procedimet për ryshfet janë shumë më të ulëta në raport me popullsinë. Italia ka 0.52 procedime për 100 mijë banorë, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41, Danimarka 0.32 dhe Spanja vetëm 0.18. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni mungon, por tregon se ryshfeti i drejtpërdrejtë në shërbime të përditshme është më pak i përhapur ose më pak i regjistruar si vepër penale.

Në këto vende, korrupsioni shpesh shfaqet në forma më të sofistikuara, si konflikt interesi, ndikim në tendera, lobim i pandershëm apo favorizim në kontrata publike. Ndërsa në vendet me institucione më të dobëta, ryshfeti mbetet më i prekshëm për qytetarin e zakonshëm, në shërbime administrative, shëndetësi, polici, arsim apo marrëdhënie me pushtetin vendor./ Monitor

The post Shqiptarët “mjeshtër” të ryshfetit, renditen të dytët në Europë appeared first on Publik Media.

❌
❌