Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2026Opinion.al

PS ndryshon rendin e ditës në seancë, Berisha – Peleshit: Vasal  i Ramës

By: dan iela
20 July 2026 at 13:16

Partia Socialiste ka votuar ndryshimin e rendit të ditës në seancën plenare të këaaj të hëne, ndërsa kreu i PD Sali Berisha e cilësoi kryetarin Niko Peleshi si vasal të Ramës dhe armik të kushtetutës.

Peleshi u përgjigj duke u shprehur se do të merrte masa.

Pjesë nga debati:

Berisha: Do të mbetesh në historinë e vendit si vasali më i shpifur i Edi Ramës si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik I procesit të integrimit të vendit. Ka një muaj që janë dorëzuar amandamentet për amendimin e ligjit, për të cilat, BE, KE, PE kërkojnë të amendohen.

Protesta më e fuqishme që nga vitet 90 kërkon të anulohet ligji. Ti me përgjegjësi personale

Peleshi: Mu drejto me etikë, nuk të drejtohem me ti. Do t’u ndërpres sa herë që shkel rregulloren, madje do të marr edhe masa për të gjithë ata që përdorin një përrua fjalësh që nuk na takon.

Qytetarët protestë para kuvendit, deputetët devijojnë hyrjen në sallë

By: dan iela
20 July 2026 at 12:51

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në protestë përpara Kuvendit, këtë  të hënë me thirrjet “Parlamenti i krimit”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni”.

Protesta ka nisur në orën 10:30, ndërkohë që kuvendi do të niste seancën plenare të radhës. Edhe këtë herë qytetarët kanë sulmuar me vezë, ndërkohë që deputetet kanë zgjedhur të hyjnë në sallë përmes hyrjeve alternative për të shmangur përballjen.

 

Yesterday — 19 July 2026Opinion.al

Sulm i ri iranian në impiantin e energjisë në Kuvajt

By: dan iela
19 July 2026 at 17:06

Një sulm i ri iranian ndaj një impianti energjie dhe shkripëzimi të ujit në Kuvajt ka shkaktuar zjarr në objekt, duke shënuar sulmin e dytë ndaj të njëjtit sektor brenda dy ditësh.

Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit bëri të ditur se sulmi shkaktoi dëme në disa ambiente të impiantit, ndërsa ekipet e zjarrfikësve u angazhuan për vënien nën kontroll të flakëve.

“Sipas autoriteteve kuvajtiane, sulmi i kryer ndaj objektit energjetik shkaktoi zjarr, ndërsa forcat e emergjencës vijojnë punën për shuarjen e tij”, thuhet në deklaratën e ministrisë të publikuar në platformën X.

 

Përcillet në banesën e fundit gazetari Enrik Mehmeti

By: dan iela
19 July 2026 at 15:25

Është përcjellë në banesën e fundit gazetari Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti automobilistik në zonën e Zvërnecit.

Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit ka sjellë reagime të shumta nga bota e medias, ndërkohë që miq e të afërm janë bërë pjesë e homazheve për t’i dhënë nderimet e fundit, gazetarit nga Vlora që humbi jetën mbrëmjen e 18 korrikut, pas një aksidenti me një motomjet me katër rrota në zonën bregdetare të Zvërnecit.

Mehmeti dyshohet se humbi kontrollin e mjetit, i cili u përmbys, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Pavarësisht transportimit me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Enrik Mehmeti la pas bashkëshorten dhe 2 fëmijët.

 

 

Probleme teknike me Facebook dhe Instagram në të gjithë botën

By: dan iela
19 July 2026 at 13:14

Mijëra përdorues të Facebook dhe Instagram në të gjithë botën janë përballur me probleme teknike mëngjesin e së dielës, sipas të dhënave të faqes Downdetector.

Raportimet për ndërprerje nisën të shtohen rreth orës 09:30, ndërsa përdoruesit kanë raportuar pamundësi për t’u identifikuar në llogaritë e tyre, për të ngarkuar faqen kryesore dhe për të përdorur funksionet bazë të rrjeteve sociale.

­­Shumë përdorues që tentojnë të hyjnë në Facebook përmes shfletuesit marrin mesazhin: “Acount Temporarily Unavailable”, që tregon se bëhet fjalë për një problem teknik të platformës.

Ndërkohë, aplikacionet në celular hapen normalisht për disa përdorues, por përmbajtja nuk rifreskohet dhe postimet e reja nuk ngarkohen. Messenger gjithashtu është prekur nga ndërprerja, ndërsa ËhatsApp duket se vijon të funksionojë normalisht
Deri në këto momente, kompania Meta nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi shkakun e problemit apo kohën e rikthimit të plotë të shërbimeve.

 

 

Të shtëna me armë zjarri në Vaun e Dejës

By: dan iela
19 July 2026 at 09:40

Të shtëna me armë zjarri u raportuan mbrëmjen e djeshme në fshatin Barbullush të Vaut të Dejës. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti çasti mes disa personave. Njëri prej tyre, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Reagimi i Policisë
Më datë 18.07.2026, rreth orës 22:15, në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit mes disa perso, njëri prej tyre, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.

 

Aksident i rëndë në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti

By: e xh
18 July 2026 at 22:23

Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën në një aksident të ndodhur në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec mbrëmjen e sotme.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, ai po lëvizte me një motor me katër rrota, kur dyshohet se, si pasojë e një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit dhe motori u rrokullis disa herë.

Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 40-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Protesta e bulevardit kundër “Kuvendit Kombëtar”: Jo negociata nëpër zyra

By: e xh
18 July 2026 at 21:57

Për të 49-ën ditë, protestuesit janë mbledhur edhe sot para Kryeministrisë duke vijuar me 5 kërkesat e tyre, të cilat i lexojnë në çdo tubim përgjatë këtyre javëve.

“Nuk do lëvizim nga sheshi deri sa të plotësohen 5 kërkesat”, u shpreh një protestuesve.

Thirrjet për revolucion dhe ndryshimin e klasës politike, vijojnë.

5 kërkesat e tyre janë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj.
3. Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që sipas tij ka marrë peng vendin që prej vitit 2008.
4. Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike, pasi sipas deklaruesit, përmes tij financohen nga paraja e krimit dhe drogës.
5. Kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Kjo protestë vjen pas mbledhjes për herë të parë të “Kuvendit Kombëtar të Protestës”, i thirrur nga organizatorët. Kjo mbledhje në fakt pati mjaft tensione dhe përplasje mes tyre, pasi dukej se dakordësia për këtë takim nuk ishte e të gjithëve.

Nga sheshi protestuesit u distancuan nga kjo mbledhje dhe ky Kuvend duke thënë se përfaqësuesit janë në shesh dhe se nuk ka negociata nëpër zyra.

Before yesterdayOpinion.al

Ish-drejtoresha e Postës vodhi 69 mln lekë, çfarë zbuluan pamjet filmike

By: e xh
18 July 2026 at 20:46

Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku ish-drejtoresha është lënë në burg, ndërsa arrest shtëpie është vendosur për dy zyrtaret e tjera të përfshirë në këtë skemë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën, përfshirjen e mundshme të personave të tjerë dhe destinacionin përfundimtar të shumës së konsiderueshme financiare.

Në dosje zbulohen të gjithë ‘levizjet’ që ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e inancës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtarja Paola Dana kanë bërë.

Referuar pamjeve filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në ambientet e Filialit Durrës qendër (bashkëlidhur kallëzimit), rezulton se nga ana e punonjëseve të postës lëvizjet e vlerave monetare janë kryer në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe të rregullores së brendshme të Posta Shqiptare Sh.a.
Konkretisht më datë 02.04.2026 ora 15:15:29, në filialin e Postës Shqiptare Durrës vijnë vlerat monetare të shoqëruara nga një punonjës i postës dhe nga punonjësi i SHPSF “Nazeri”;
Ora 15:29:12, shefja e financës Valbona Duni, në ambientet e arkës, e pranishme Paola Dana dhe ndihmës arkëtarja, i bën me shenjë me dorë punonjësit të postës të marri thesin me vlera monetare;

Ora 15:29:22 shefja e financës Valbona Duni bashkë me një punonjës poste marrin në arkë, e pranishme Paola Dana, një thes me vlera monetare i porsaardhur me eskortë shoqërimi nga banka;

Ora 15:29:50 shefja e financës Valbona Duni i merr thesin me vlera monetare punonjësit të postës dhe hyn në zyrën e saj;

Ora 15:30:05 Valbona Duni çon thesin me vlera monetare në zyrën e Drejtores Elisabeta Mataj;
Ora 15:30:09 Valbona Duni hyn në zyrën e Drejtores Elisabeta Mataj
Ora 15:30:22 Valbona Duni del nga zyra e Drejtoreshës Elisabeta Mataj
Ora 15:31:16, Valbona Duni niset të largohet puna;
Ora 15:31:31 Elisabeta Mataj e thërret Valbona Dunin dhe së bashku shkojnë në zyrën e Elisabeta Mataj
Ora 15:33:04 nga zyra e Drejtores del e para Valbona Duni
Ora 15:33:27 Valbona Duni largohet nga puna;
Ora 15:39:08 Drejtoresha e Filialit Posta Shqiptare Durrës Elisabeta Mataj largohet nga zyra me një qese të bardhë transparente me sende që nuk mund të përcaktohen, thuhet në dosje.

Datës 2.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2330, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

2. Më datë 14.04.2026 në orën 13:05:52 shefja e financës Valbona Duni merr një thes me vlera monetare nga zyra e Arkës e pranishme Paola Dana.
13:06:04 shefja e finances Valbona Duni me thesin me vlera monetare futet në zyrën e saj
Dates 14.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2706, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).

3. Më datë 15.04.2026 në orën 14:13 shefja e finances Valbona Duni merr një thes me lekë nga arka e pranishme Paola Dana. Ora 14:14 Valbona Duni me thesin me vlera monetare shkon në zyrën e saj.

Dates 15.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2748, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).

4. Më datë 20.04.2026 në orën 13:39 nd/arkëtarja në prani të arkëtares Paola Dana, i jep shefes së financës Valbona Duni rreth 10 fasheta me prerje kartmonedhe 5.000 të reja në qese plastike, shefja e financës i merr dhe shkon në zyrën e saj. Ora 13:39:26 Valbona Duni me qesen me vlera monetare shkon në zyrën e saj

Datës 20.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2866, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

5. Më datë 24.04.2026 në orë 14:15 vjen punonjësi i shoqërimit të vlerave i “Nazerit” me dy thasë nga banka dhe i lë tek Arka, e pranishme Paola Dana. Në orën 14:18 njërin nga thasët e merr shefja e financës Valbona Duni dhe shkon tek zyra saj. Ora 14:16:51 Valbona Duni merr thesin me vlera monetare dhe shkon në zyrën e saj.

Datës 24.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 3002 (vendosur me shkrim dore numri 2997), vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

6. Më datë 30.04.2026 në orën 15:09:07 nd/arkëtarja në prani të arkëtares Paola Dana mbush një thes me vlera dhe ia jep shefes së financës Valbona Duni e cila e merr thesin e shkon në zyrën e saj. Ora 15:1:03 Valbona Duni me thesin me vlera monetare shkon në zyrën e saj

7. Më datë 7.5.2026, ora 14:41 shefja e finances Valbona Duni merr një thes me lekë nga Arka, e pranishme Paola Dana dhe hyn në zyrën e saj. Ora 14:41:18 Valbona Duni me thesin me vlera monetare pasi del nga arka shkon në zyrën e saj. Ora 14:42:27, nga e njëjta zyrë ku hyri më përpara Valbona Duni me thesin me vlera monetare, del Drejtoresha Elisabeta Mataj. Ora 14:42:35 Elisabeta Mataj hyn në zyrën e saj. Ora 14:42:45 Valbona Duni me të njëjtin thes me vlera monetare hyn në zyrën e Drejtoreshës Elisabeta Mataj. Ora 14:43:19 Valbona Duni dhe Elisabeta Mataj dalin nga zyra e kësaj të fundit pa thesin me vlera monetare dhe hyjnë në të njëjtën zyrë.

8. Më datë 08.05.2026 në orën 13:47:22 shefja e financës Valbona Duni merr një pako të madhe me kartmonedha prerje 5.000 të reja nga arka, e pranishme Paola Dana. Ora 13:47:36 Valbona Duni plikon me kartmonedha e mbështjell me mandat pagesën e prerë nga Paola Dana. Ora 13:47:43 Valbona Duni me plikon me kartmonedha mbështjellë me mandat pagesë shkon në zyrën e saj

Datës 8.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4320, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

9. Më datë 21.05.2026 në orën 15:24 shefja e financës merr rreth 12 fasheta me kartmonedha prerje 5.000 të reja nga arka, e pranishme Paola Dana dhe i çon tek zyra e drejtoreshës së Filialit.

Ora 15:24:46 Valbona Duni mbështjell me mandat pagesë pliko me kartmonedha ndërkohë që komunikon me Paola Danën që kryen veprime në kompjuter. Ora 15:24:59 Valbona Duni me plikon me kartmonedha të mbështjellë me mandat pagesë shkon në zyrë e Drejtoreshës Elisabeta Mataj. Ora 15:25:18 Valbona Duni del nga zyra e Drejtoreshës Elisabeta Mataj me mandate pagesën në dorë por pa plikot me kartmonedha. Ora 15:25:28, Elisabeta Mataj me telefon në dorë del nga zyra e saj pas Valbona Dunit dhe hyn në një zyrë tjetër.

Ndërkohë, drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, gjatë përballjes me gjykatën, nuk ka dhënë një shpjegim se ku kanë përfunduar paratë. E pyetur nga gjykata për destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, Mataj është përgjigjur se nuk e di.

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, gjendet një motor i braktisur

By: e xh
18 July 2026 at 18:52

Policia e Sarandës pas kontrolleve në lagjen “Baba Rexhepi”, zonë kjo ku u drejtuan autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, kanë gjetur një motor të braktisur.

Motori u gjet buzë detit, në një prej gjireve detare të zonës, pikërisht në zonën e quajtur “Kasollja”. Policia dyshon se motori i përket autorëve të atentatit të mbrëmjes të së premtes. Ai nuk ka pasur shenja dëmtimi ose djegieje, ç’ka mund t’i shërbejë grupit hetimor të mbledhë material gjenetik për të identifikuar autorët. Fakti që motori është gjetur buzë detit, e ka bërë grupin hetimor të dyshojë se autorët janë larguar me mjet lundrues ose të jenë fshehur në banesat e zonës periferike.

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, sipas dyshimeve, ka qenë i planifikuar dhe organizatori ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë kur djali i tij u konfliktua me një oficer policie, me qëllim ngatërresën e pistës së  hetimit. Madje ka informacione se autorët e dinin që policia kishte sekuestruar një natë më parë DVR e kamerave të zonës duke e shfrytëzuar këtë fakt për të kryer ngjarjen në një zonë të pambuluar me kamera.

Deri në këto momente, burimet bëjnë me dije se dy janë pistat kryesore të hetimit, njëra është konflikt pronësie dhe tjetra konflikt personal për motive të tjera. Të vakëta janë për grupin hetimor motivet për larje hesapesh apo hakmarrje, pasi indiciet janë minimale.

Vijojnë zjarret masive në Kanada, ushtria nis evakuimin e menjëhershëm

By: e xh
18 July 2026 at 18:02

Kanadaja po vijon të përballet me një situatë të rënduar nga zjarret masive pyjore, të cilat kanë detyruar autoritetet të angazhojnë ushtrinë për evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara.

Forcat e Armatosura kanadeze kanë nisur një operacion për evakuimin me avion të rreth 600 banorëve të komunitetit të izoluar Fort Hope, në veriperëndim të Ontarios, ku flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi.

Sipas autoriteteve kanadeze, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 69 zjarre të reja, duke e çuar në 955 numrin e vatrave aktive në të gjithë vendin. Mijëra persona janë evakuuar tashmë nga rajonet e prekura dhe janë transferuar në qytete më të sigurta në jug të Ontarios.

Situata ka ndikuar edhe përtej kufirit. Tymi i dendur i zjarreve është përhapur në disa shtete të SHBA-së, ku autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për përkeqësimin e cilësisë së ajrit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht grupeve më të rrezikuara, të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.

Ekspertët e klimës theksojnë se zjarret pyjore janë bërë një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë në Kanada, ndërsa temperaturat e larta dhe thatësira kanë krijuar kushte ideale për përhapjen e flakëve. Autoritetet vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarreve, ndërsa monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës.

Izraeli planifikon të përdorë krokodilë për të ruajtur të burgosurit palestinezë

By: e xh
18 July 2026 at 16:41

Izraeli thuhet se i ka riklasifikuar krokodilët e Nilit si kafshë “të kujdesura” , duke hapur potencialisht rrugën për përdorimin e tyre si pjesë e sigurisë së burgjeve.

Propozimi kontrovers për të rrethuar burgjet me hendeqe të mbushura me krokodilë thuhet se u propozua në fund të vitit të kaluar nga Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i cili argumentoi se zvarranikët do të forconin sigurinë dhe do të pengonin përpjekjet e arratisjes. Plani fillimisht u konsiderua ligjërisht i parealizueshëm nga Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit, sepse krokodilët e Nilit klasifikoheshin si kafshë të egra që mund të mbaheshin vetëm në kopshte zoologjike dhe rezervate të kafshëve të egra.

Kjo pengesë ligjore thuhet se u hoq këtë javë kur Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit Idit Silman e riemërtoi krokodilin e Nilit si një “kafshë të egër të kujdesur”, raportuan mediat izraelite të premten. Klasifikimi i ri lejon që zvarranikët të mbahen në një gamë më të gjerë ambientesh, duke përfshirë potencialisht edhe burgjet.

Emërtimi i ri thuhet se vjen pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarja ligjore e ministrisë, e cila i tha Silman se nuk kishte autoritet për të vendosur në mënyrë të njëanshme mbi statusin e krokodilëve dhe për të hedhur themelet për vendosjen e tyre në burgje. Disa javë më parë, Ben-Gvir dhe Silman thuhet se zhvilluan një takim me këshilltaren ligjore dhe shefen e Autoritetit të Natyrës dhe Parqeve, Raya Soraki, duke i shtyrë ata që të pranonin planin e dyshimtë.

Sipas raportimeve të medias izraelite, Ben-Gvir dëshiron t’i prezantojë fillimisht zvarranikët në burgun Ketziot, një qendër burgimi në Izraelin jugor që mban kryesisht të burgosur palestinezë. Pasi ai e paraqiti propozimin për herë të parë, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit (IPS) e shqyrtoi atë dhe dërgoi oficerë në fermën e krokodilëve Hamat Gader në fillim të janarit për t’u njohur me zvarranikët.

Sipas njoftimeve, IPS e priti propozimin e ministrit në mënyrë të favorshme, duke marrë në konsideratë zgjedhjen e ekzemplarëve më të vegjël që do të kushtonin rreth 8,000 dollarë për kokë, në vend të zvarranikëve më të vjetër që kushtonin rreth 20,000 dollarë. “Kjo është një shumë relativisht e vogël krahasuar me investimin në siguri që kërkon një burg, dhe rezultatet do të ishin edhe më të mira”, tha një burim i IPS për gazetën Maariv në atë kohë, duke shtuar se zvarranikët e vegjël “gjithashtu të rrezikshëm” përfundimisht do të rriteshin brenda kompleksit të burgut.

VIDEO/ U vodhën në Reggio Emilia, shezlongët shfaqen pas dy vitesh te Kepi i Rodonit

By: e xh
18 July 2026 at 14:41

Treqind shezlongë u zhdukën natën, në qershorin e dy viteve më parë, nga resorti i Onde Chiare në Reggio Emilia dhe u vodhën nga persona të panjohur.

Një vit më vonë, të njëjtët shezlongë u shfaqën “si me magji”, me logon e Onde Chiare ende të dukshme, në një plazh në Kepin e Rodonit në Shqipëri, shkruajnë mediat italiane.

I vuri re një grua nga Reggio Emilia, e cila ndodhej atje me pushime dhe u dërgoi menaxherëve të resortit një email me foto të bashkëngjitura, për t’i njoftuar për këtë gjetje të pazakontë, pasi ishte në dijeni të ngjarjes së dy viteve më parë.

Nuk është ende e qartë sesi shezlongët kanë përfunduar në këtë plazh. Ka disa hipoteza që mund të qëndrojnë në këtë rast pasi mund të jenë blerë pa ditur që janë të vjedhur. Gjithashtu verifikimet e blerjes mund të mos jenë bërë ende apo të kenë kaluar nga një pronar te tjetri deri në publikimin e videos.

Alberto Costoli dhe Enrico Cavazzoni, menaxherët e Onde Chiare, nuk humbën kohë. Ata caktuan avokatin Gianluca Dallari për të nisur procedurën për rikthimin e pajisjeve me vlerë mbi 45 mijë euro.

“Menduam të shkonim atje dhe t’i merrnim vetë, por më pas vendosëm të ndiqnim rrugën ligjore. Avokati ynë gjeti edhe një avokat në Shqipëri, i cili nisi procesin gjyqësor. Në teori, shezlongët tanë duhej të ishin sekuestruar dhe të vendoseshin në ruajtje nga autoritetet shqiptare. Por ndërkohë, një kliente tjetër e jona, e cila rastësisht ndodhej këto ditë në Durrës, na dërgoi një video të re, atë që më pas e publikuam në profilin tonë në Instagram, ku shihet qartë se ata janë ende në plazh, duke u përdorur nga klientët e kësaj strukture shqiptare. Jemi shumë të zemëruar”, thotë Costoli.

Pikërisht për këtë arsye vendosën ta bëjnë çështjen publike:

“Kemi etiketuar mediat lokale, i kemi dërguar një email redaksisë së programit ‘Le Iene’ të Italia Uno, i njohur për hetimet e tij mbi çështje të ndjeshme. Gjithashtu desha të etiketoja edhe Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, sepse shpesh bën deklarata për zhvillimin e turizmit në vendin e tij. E pra, vjedhja e shezlongëve në Itali nuk është aspak një kartëvizitë e mirë për turistët dhe për reputacionin kombëtar të Shqipërisë. Ne punojmë prej vitesh me disa furnitorë shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme. Shpresojmë që kryeministri shqiptar të interesohet për rastin tonë, sepse tashmë nuk dimë më se cilën rrugë të ndjekim”, thonë menaxherët.

Postimi i Onde Chiare:

“Përshëndetje të gjithëve, nëse dikush shkon me pushime në Kepin e Rodonit… të përshëndesë shezlongët tanë! Duket si shaka, por fatkeqësisht është e vërtetë.”

“Në qershorin e vitit 2024 na vodhën rreth 300 shezlongë, me një vlerë mbi 45.000 euro, nga Circolo Onde Chiare i Reggio Emilia-s”, shkruhet në postim. “Një vit më vonë, një e njohura jonë, gjatë pushimeve në Shqipëri, na dërgoi disa foto: ‘… por këta nuk janë tuajit?’

Dhe që nga ai moment fillon një histori pothuajse surreale. Denoncime, avokatë në Itali dhe Shqipëri, përkthime, verifikime, kohë dhe para të shpenzuara për të provuar të kthejmë atë që na është vjedhur.

Sot kjo video, e filmuar pak ditë më parë, tregon se ata shezlongë janë ende në të njëjtën strukturë plazhi. Ne thjesht duam të kuptojmë se si është e mundur që një vjedhje prej 45.000 eurosh, me sendet e identifikuara dhe të dokumentuara prej më shumë se një viti, ende nuk ka gjetur një zgjidhje.

Ndoshta kjo video do të arrijë te personi i duhur. Nëse njihni dikë që mund të na ndihmojë, një gazetar, një emision televiziv, ose thjesht mendoni se kjo histori meriton të rrëfehet… shpërndajeni”, shprehet më tej.

Ndërkohë, postimi në rrjetet sociale ka marrë vërtet shumë vëmendje, duke arritur dhjetëra shpërndarje dhe disa qindra pëlqime.

“Shpresojmë që pak zhurmë dhe presion mediatik të ndihmojnë për ta çuar çështjen përpara”, përfundon Costoli”, mendoni për shqetësimin që na shkaktoi kjo vjedhje dy vite më parë, pikërisht në fillim të sezonit veror.”

Sipas raportimeve për vjedhjen dy vite më parë, gjithçka ndodhi vetëm 30 minutave. Hajdutët nuk kishin lënë pas rreth 200 shezlongë.

Vodhi 69 milionë lekë, Gjykata lë në burg ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit

By: e xh
18 July 2026 at 14:38

Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre zyrtaret e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj.

Gjykata vendosi “arrest në burg” për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa caktoi masën “arrest në shtëpi” për ish-shefen e financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtaren Paola Dana.

Tre zyrtaret akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve, gjatë muajve prill dhe maj 2026 ato dyshohet se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

VENDIMI I PLOTË

Vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
2. Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.
3. Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
4. Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
5. Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
7. Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.
8. Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.
9. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
10. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026.

Paratë e Postës Shqiptare në kazino? Prokuroria akuzon ish-drejtoreshën në Durrës

By: e xh
18 July 2026 at 14:16

Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar nën akuzën se kanë abuzuar me rreth 69 milionë lekë të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Gjatë seancës gjyqësore, ku u shqyrtua masa e sigurisë, është përmendur edhe frekuentimi i kazinove nga drejtoresha e filialit.

Elisabeta Mataj ka pranuar fjalën e mbrojtjes dhe nuk ka mohuar se ka frekuentuar kazino, por është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në ambiente të tilla.

“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.

Ajo ka mohuar se i është shmangur drejtësisë, duke deklaruar se kishte planifikuar të udhëtonte jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në punë.

E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, Elisabeta Mataj është përgjigjur se nuk e di.

Hetimet pritet të zbardhin mënyrën se si është realizuar skema, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.

Tensione në Kuvendin Kombëtar të Protestës, të pranishmit përplasen me njëri-tjetrin

By: e xh
18 July 2026 at 13:43

Po mbahet në këto momente për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës dhe nuk kanë munguar tensionet.

Persona të ndryshëm që janë prezentë në sallë kanë dalë kundër mënyrës sesi po organizohet kjo mbledhje dhe personat që janë të pranishëm aty. “Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, shprehet një prej protesuesve në prapaskenë.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që kërkojnë fjalën dhe nuk u jepet. “Kemi një rend dite dhe nuk do të lejojmë të na prishni mbledhjen”, u shpreh një nga organizatorët pas këtij incidenti.

“Ky kuvend është i hapur për të gjithë qytetarët, do të kemi takim të hapur”, tha moderatorja e takimit. Ndërkohë, një prej organizatorëve, i cili në një moment po pengohej të fliste, nuk e kurseu përgjigjen e ashpër.

“Nuk ma ka ndier kur kam pasur 300 veta përballë, jo më juve. Prandaj mos na sfidoni, mos na merrni neve sikur jemi të butë”, u shpreh ai, duke shkaktuar më pas një reagim të ashpër në sallë.

Ndërkohë, një prej qytetarëve kërkoi të ulej në rreshtin e parë dhe tre djem nxituan për ta kundërshtuar me forcë. Pavarësisht këmbënguljes së organizatorëve, ai nuk u çua nga karrigia e rreshtit të parë.

“Duhet të shkojmë përtej sheshit. Në shesh e vramë frikën, por çfarë do të bëhet më pas? Nuk duhet të përsërisim rastin e Serbisë, ku protestuan pa fund dhe nuk ndryshuan asgjë”, shprehet një prej organizatorëve, pasi tensionet u qetësuan, të paktën për momentin.

Zgjedhjet në PD, Berisha: Procesi më i thellë i ripërtëritjes që nga themelimi

By: e xh
18 July 2026 at 13:08

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD ka përmbyllur procesin e riorganizimit të forumeve drejtuese, duke e cilësuar atë si “procesin më të thellë të ripërtëritjes” që nga themelimi i partisë.

Në një bashkëbisedim, Berisha tha se përbërja e re e strukturave drejtuese reflekton një përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave.

Ai theksoi se ndryshimet nuk janë vetëm numerike, por edhe cilësore, duke shtuar se partia tashmë ka një ekip drejtues të përgatitur për sfidat politike të ardhshme.

Ne lamë pas një javë të veçantë, në të cilën PD përfundoi institucionalizimin e plotë të forumeve të saj.

Me këtë rast, ajo çka dua t’u informoj të gjithë ju është se ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe u them me kënaqësi, jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti.

Kështu sot në Këshillin Kombëtar të PD, 60 përqind e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht.

Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë sikundër tre nënkryetarë të PD zgjidhen për herë të parë.

Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur. Pra, mund t’u informoj se ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj. Por nga ana tjetër janë vendosur proporcione të domosdoshme të përfaqësimit në këtë parti. Jam i bindur se kërkesa themelore për çdo qytetar dhe anëtar, mbështetës të kësaj partie ka qenë ripërtëritja. U siguroj se në këtë proces nuk kanë ndryshuar vetëm statistikat, por PD ka shpalosur kualitete dhe vlera ndër më të shquarat.

Kështu që në kilometrin e fundit të saj, ajo ka një ekip të pajisur me të gjitha aftësitë për të udhëhequr këtë parti për përmbushjen me sukses të misionit të saj.

Duhet të theksoj me këtë rast se ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë ruaj për ta vlerësimin më të lartë.

Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera shumë të rëndësishme në PD, grupin e saj parlamentar dhe misione në drejtim të reformave themelore në interes të kësaj partie dhe të vendit. Kjo është ajo çka unë desha t’u informoj ju. Por duhet të them prapë me kënaqësi se procesi i ripërtëritjes nuk ndalet dhe nuk do ndalet.

Në mënyrë të përsëritur u kisha pohuar se PD ka rreth saj personalitete të shquara, individë me vlera ekselentë në fushat e veta. Dhe jo pak prej tyre garuan me sukses në këtë proces. Por janë të tjerë të shumtë që kanë shprehur gatishmërinë dhe janë të lidhur me PD. Kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar, për të vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptare, vizionit të kësaj partie, të gjithë potencialin e tyre intelektual, profesional, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë dhe kudo që ndodhen.

Për herë të parë në këtë proces ripërtëritje, u institucionalizua roli dhe vendi i diasporës. Hapa të parë të rëndësishëm janë shënuar. Një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur.

Përpjekje të tjera do bëhen për ridimensionimin e rolit të diasporës në jetën politike të PD dhe të Shqipërisë. Pra, për të gjithë ata të cilët kërkonin me të drejtë dhe prisnin ripërtëritje si tipar kryesor, mendoj se hapa të rëndësishme janë shënuar dhe të tjera do vijnë.”, u shpreh Berisha.

Dhunuan dhe kërcënuan me thikë Policin në Sarandë, shpallen në kërkim 3 autorët

By: e xh
18 July 2026 at 12:27

Policia e Sarandës ka arritur të identifikojë 3 autorët e dyshuar të kanosjes dhe goditjes së oficerit të Policisë Mihal Velço, mbrëmjen e së enjtes në Sarandë. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për tre persona me precedentë penalë, të cilët janë shpallur në kërkim.

Të dyshuarit janë identifikuar si Andrea Rubati, 27 vjeç, Antonio Lefteri, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së enjtes, në lagjen nr. 4, pranë restorantit “Lindi”, në Sarandë. Sipas policisë, shtetasi Mihal Velço, 32 vjeç, oficer policie në Komisariatin e Policisë Sarandë, ka njoftuar sallën operative se tre persona që lëviznin me motomjete e kishin goditur për shkak të detyrës dhe e kishin kanosur me thikë, duke tentuar ta godisnin pasi ai u ishte prezantuar si punonjës policie dhe u kishte kërkuar të mos kryenin manovra të rrezikshme në qytet.

Menjëherë pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar me shpejtësi me motomjetet e tyre. Pas informacioneve të siguruara dhe pamjeve filmike të administruara, policia ka bërë të mundur identifikimin e tre personave të dyshuar.

Sipas burimeve zyrtare policore, oficeri i Policisë Mihal Velço është paraqitur pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ka depozituar kallëzim penal në lidhje me ngjarjen.

Me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar, gjatë natës janë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente ku dyshohej se mund të fshiheshin personat e shpallur në kërkim.

Kontroll është ushtruar në banesën e Andrea Rubatit, në rrugën “Mithat Hoxha”, Sarandë, por aty është gjetur vetëm nëna e tij dhe nuk është bërë e mundur kapja e tij. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e gjyshit të tij, shtetasit M. L., në fshatin Livadhja, Bashkia Finiq, por edhe aty nuk është gjetur.

Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Antonio Lefterit, në rrugën “Skënderbej”, Sarandë, ku ndodheshin prindërit e tij, por nuk është bërë e mundur gjetja e këtij shtetasi. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është kontrolluar edhe banesa e Engjëll Dalanajt në rrugën “Onhezmi”, ku nuk është gjetur asnjë person.

Tre shtetasit e shpallur në kërkim dyshohen për kryerjen e veprave penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 237 dhe 84 të Kodit Penal.

Ish-asistentja rrëfen jetën brenda rrethit të Jeffrey Epstein

By: e xh
18 July 2026 at 12:02

Një ish-asistente e Jeffrey Epstein ka rrëfyer për BBC detaje të reja mbi mënyrën se si financieri amerikan, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve, dyshohet se kontrollonte dhe manipulonte gratë që ndodheshin pranë tij.

Gruaja, e identifikuar me emrin e ndryshuar Anya për të mbrojtur identitetin e saj, tha se për vite me radhë kishte jetuar në një nga apartamentet në Manhattan që përdorej nga Epstein për të strehuar gra të cilat, sipas dëshmive të saj, ai i abuzonte seksualisht.

Ajo e përshkroi sistemin e krijuar nga Epstein si një “sekt”, ku ai ishte figura dominuese dhe ku kontrolli nuk bëhej përmes dhunës së dukshme, por përmes izolimit, varësisë financiare dhe presionit psikologjik.

“Zinxhirët ishin më pak të dukshëm, por ishin aty”, tha Anya për BBC, duke shpjeguar mënyrën se si, sipas saj, Epstein kufizonte lirinë e grave që punonin për të.

Premtime për karrierë në modë dhe një rrjet kontrolli

Sipas rrëfimit të saj, Anya u afrua me Epstein pasi punonte si modele në Evropë. Ajo thotë se fillimisht ai u prezantua si një person me lidhje të fuqishme në industrinë e modës dhe i premtoi mundësi të mëdha profesionale.

Por, sipas saj, marrëdhënia ndryshoi gradualisht. Epstein filloi të ndërhynte në jetën e saj personale, financat, mënyrën e veshjes dhe pamjen fizike.

Anya pretendon se ai e kritikonte vazhdimisht për trupin e saj dhe e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale që ajo i konsideron të panevojshme dhe që i lanë shenja.

“Ai të bënte të varur prej tij”

Një tjetër ish-asistente e Epstein, Sarah Kellen, ka mbështetur disa nga pretendimet për mënyrën e kontrollit psikologjik. Ajo ka deklaruar se Epstein ishte i aftë të shkatërronte ndjenjën e autonomisë së njerëzve dhe t’i bënte ata të vareshin prej tij.

Sipas Anya-s, Epstein kontrollonte edhe lëvizjet e grave që punonin për të, u monitoronte komunikimet dhe i mbante ato në një gjendje pasigurie të vazhdueshme.

Ajo pretendon se Epstein përdorte edhe materiale komprometuese, përfshirë fotografi intime, si një mënyrë për t’i frikësuar që të mos flisnin kundër tij.

Rekrutimi i grave të tjera

Në rrëfimin e saj, Anya thotë se një pjesë e dhimbshme e përvojës së saj ishte fakti që, sipas saj, asistentet nxiteshin të sillnin gra të tjera në rrethin e Epstein.

Ajo e përshkroi këtë si një “ekosistem abuzimi”, ku viktimat shpesh përfundonin duke u përfshirë në një sistem që shërbente për të zgjeruar kontrollin e tij.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin për akuzat federale për trafikim seksual të të miturve. Vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.

Rrëfimet e viktimave dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij kanë vazhduar të hedhin dritë mbi mënyrën se si funksiononte rrjeti i tij dhe mbi akuzat për abuzime të zgjatura ndër vite.

❌
❌