Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2026KultPlus

Më 20 korrik 1883 nisi botimin “Fiamuri i Arbërit”, zëri i Rilindjes Kombëtare

By: KultPlus
20 July 2026 at 20:55

Më 20 korrik të vitit 1883 doli numri i parë i revistës “Fiamuri i Arbërit”, një nga botimet më të rëndësishme në historinë e shtypit shqiptar dhe një tribunë e fuqishme e ideve të Rilindjes Kombëtare. Revista u themelua dhe u drejtua nga Jeronim de Rada, një prej figurave më të shquara të letërsisë dhe kulturës arbëreshe, duke u botuar fillimisht në Corigliano Calabro të Italisë.

“Fiamuri i Arbërit” ishte një revistë mujore me karakter politik, kulturor, letrar dhe historik. Ajo botohej në gjuhën arbëreshe me alfabet latin të hartuar nga De Rada, ndërsa më vonë përmbante edhe përkthime në italisht, me synimin për ta bërë më të njohur çështjen shqiptare në opinionin evropian.

Në faqet e saj trajtoheshin tema që lidhnin shqiptarët me historinë, gjuhën, folklorin dhe kulturën e tyre, por mbi të gjitha ngrihej zëri për të drejtat kombëtare dhe për autonominë e Shqipërisë. Revista u bë një mjet i rëndësishëm për forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, brenda dhe jashtë trojeve të tyre.

Rreth “Fiamuri i Arbërit” u mblodhën shumë personalitete të shquara të kohës, ndër ta arbëreshë, rilindës shqiptarë dhe albanologë evropianë, të cilët kontribuuan me shkrime letrare, historike dhe publicistike. Vetë Jeronim de Rada mbante barrën kryesore të botimit, duke qenë njëherazi drejtues, redaktor, përkthyes dhe korrektues i revistës.

Për shkak të përmbajtjes së saj kombëtare dhe politike, revista hasi në censurë dhe pengesa nga autoritetet e Perandorisë Osmane dhe të disa shteteve fqinje, të cilat kufizuan qarkullimin e saj. Megjithatë, “Fiamuri i Arbërit” arriti të shpërndahej gjerësisht mes shqiptarëve dhe arbëreshëve, duke ushtruar ndikim të madh në përhapjen e ideve rilindëse. Botimi vazhdoi deri në vitin 1887, duke lënë një trashëgimi të çmuar në historinë e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. /KultPlus.com

Screenshot

’Në s’qenkësh dashuri, ç’ndjekam pra, vallë’

By: KultPlus
20 July 2026 at 20:22

Poezi nga Francesco Petrarka

Në s’qenkësh dashuri, ç’ndjekam pra, vallë?
E dashuri në qoftë, Zot, cila e çfarë?
N’e mirë, për mua pse helm vdekatar?
N’e ligë, pse aq i ëmbël çdo zavall?

Në me dashje digjem, ç’ne ky-vaj-ky-hall?
E nëse me pahir, ç’vleka një e qarë?
O vdekje e gjallë, o sfilì gaztare,
ç’kallke te mua teksa po-në s’ta shpall?

E në e shpallkam, vuaj pa të drejtë.
Mes erërash skundra me anijë q’u humb
gjendem në det të hapur pa një busull,

me urtì – pëndë, me gabime – plumb
që se çfarë kërkoj s’e di as vetë
pa digjem dimrit, në verë rri kruspull./KultPlus.com

Përpara ‘The Odyssey’ e Christopher Nolan, ishte seriali legjendar i RAI-t që solli në ekran Odisenë e Homerit

By: KultPlus
20 July 2026 at 19:46

Shumë përpara se “The Odyssey” i Christopher Nolan të bëhej një nga filmat më mezipritur të vitit, publiku ka njohur një nga adaptimet më të famshme të poemës së Homerit përmes ekranit të vogël.

Në vitin 1968, televizioni publik italian RAI transmetoi serialin “L’Odissea”, me regji të Franco Rossi, një përshtatje besnike e veprës klasike. Në rolin e Odiseut interpretoi aktori Bekim Fehmiu, ndërsa Penelopa u luajt nga Irene Papas.

Për miliona shikues, ky ishte kontakti i parë me personazhe mitologjike si Ciklopi Polifem, Çirçe, Sirenat dhe Kalipso, si edhe me udhëtimin e gjatë të Odiseut drejt Itakës.

Gati gjashtë dekada më vonë, historia e heroit mitologjik vazhdon të frymëzojë kineastë dhe artistë. Ndërsa publiku pret vizionin e Christopher Nolan për “The Odyssey”, seriali i RAI-t mbetet një nga ekranizimet më të dashura dhe më të vlerësuara të poemës së Homerit, duke dëshmuar se kjo vepër klasike vijon të flasë me të njëjtën forcë për çdo brez./KultPlus.com

Arshi Pipa, disidenti që u arratis nga regjimi komunist

By: KultPlus
20 July 2026 at 19:12

Më 28 korrik 1920, në Shkodër lindi Arshi Pipa, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe mendimit shqiptar. Ai ishte arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog.

Pipa ishte djali i Mustafa Nuriut dhe Hatixhesë, me prejardhje nga Libohova, por të vendosur në Shkodër.

Arsimin fillor e ndoqi në Kolegjin Saverian, ndërsa më pas vazhdoi studimet për tetë vjet në Gjimnazin e Shkodrës, në degën klasike, të cilin e përfundoi në vitin 1938. Me përkujdesjen e të atit për edukimin fetar, ai ndiqte edhe mësime në medrese gjatë pasditeve.

Studimet e larta për Letërsi dhe Filozofi i kreu në Universitetin e Firences. Pas kthimit në Shqipëri, nga viti 1941 deri në fund të vitit 1944, dha mësim filozofi në liceet shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit.

Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e revistës “Bota e Re”, Arshi Pipa dhe Mitrush Kuteli ishin të vetmit anëtarë jokomunistë të këshillit drejtues. Ai mori pjesë edhe në Kongresin e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve në tetor të vitit 1945, i drejtuar nga Skënder Luarasi.

Në vitin 1946 u arrestua nga regjimi komunist me akuzën për veprimtari antishtetërore. Pas dhjetë vitesh burg, u lirua më 26 prill 1956. Një vit më vonë, në verën e vitit 1957, u arratis nga Shqipëria së bashku me motrën e tij, Fehimen.

Fillimisht u vendos në Sarajevë, ku jetoi deri në vitin 1959. Më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij akademike dhe shkencore.

Arshi Pipa ndërroi jetë më 20 korrik 1997 në Uashington, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në letërsinë, gjuhësinë dhe mendimin kritik shqiptar./ KultPlus.com

Screenshot

Jeta dhe vepra e Francesco Petrarkës, poeti që i dha zë humanizmit evropian

By: KultPlus
20 July 2026 at 18:30

Francesco Petrarka (Francesco Petrarca, 1304–1374) konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë italiane dhe një prej themeluesve të humanizmit evropian. Së bashku me Dante Alighierin dhe Giovanni Boccaccion, ai përbën treshen e madhe të letërsisë italiane mesjetare, ndërsa ndikimi i tij shtrihet përtej kufijve të Italisë, duke formësuar zhvillimin e poezisë lirike dhe mendimit humanist në të gjithë Evropën, transmeton KultPlus.

Petrarka lindi më 20 korrik 1304 në Arezzo të Italisë, në një familje të dëbuar nga Firence për shkak të trazirave politike. Fëmijërinë e kaloi fillimisht në Itali, e më pas në Avinjon të Francës, ku ishte vendosur oborri papnor. Me dëshirën e të atit nisi studimet për drejtësi në Montpellier dhe më vonë në Bolonjë, por ligji nuk ishte pasioni i tij. Ai e braktisi këtë fushë për t’iu kushtuar letërsisë, filozofisë dhe studimit të autorëve klasikë latinë, të cilët do të bëheshin burimi kryesor i frymëzimit të tij.

Pas vdekjes së të atit, Petrarka mori urdhra të vegjël kishtarë, gjë që i siguroi të ardhura dhe mundësinë për t’iu përkushtuar shkrimit, studimit dhe udhëtimeve nëpër Evropë. Ai zhvilloi lidhje me oborre mbretërore, figura kishtare dhe intelektualë të kohës, duke u bërë një nga mendimtarët më të respektuar të shekullit XIV.

Një nga momentet më të njohura të jetës së Petrarkës lidhet me takimin e tij me Laurën në vitin 1327, në një kishë në Avinjon. Identiteti i saj mbetet edhe sot objekt debatesh, por në letërsi ajo u shndërrua në simbolin e dashurisë ideale dhe të paarritshme.

Dashuria për Laurën u bë boshti rreth të cilit u ndërtua pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij poetike. Edhe pas vdekjes së saj, Petrarka vazhdoi t’i kushtonte vargje, duke e kthyer figurën e saj në një simbol të bukurisë, virtytit dhe kalueshmërisë së jetës.

Vepra më e njohur e Petrarkës është “Canzoniere” (Rerum vulgarium fragmenta), një përmbledhje me 366 poezi, ku përfshihen mbi 300 sonete, si dhe balada, këngë dhe forma të tjera poetike.

Në këtë vepër ai trajton:

-dashurinë e idealizuar;

-konfliktin mes dëshirës tokësore dhe aspiratës shpirtërore;

-vetminë dhe introspeksionin;

-kalimin e kohës;

-vdekjen dhe përjetësinë.

“Canzoniere” konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore dhe u bë model për poetët evropianë për disa shekuj. Nga ajo lindi edhe fenomeni i njohur si petrarkizëm, një rrymë letrare që ndikoi fuqishëm poezinë e Rilindjes në Itali, Francë, Spanjë dhe Angli.

Megjithëse sot njihet kryesisht për poezinë në italishten popullore, vetë Petrarka i vlerësonte më shumë veprat e tij në latinisht.

Ndër më të rëndësishmet janë:

 “Africa”, poemë epike kushtuar Scipion Afrikanit;

 “Secretum”, dialog filozofik me Shën Augustinin mbi moralin, besimin dhe dobësitë njerëzore;

 “De vita solitaria”, kushtuar jetës së vetmuar dhe reflektimit;

 “De remediis utriusque fortunae”, vepër filozofike mbi mënyrën se si njeriu duhet të përballet me fatin e mirë dhe të keq;

 “Epistolae familiares”, një përmbledhje letrash që përbën një burim të rëndësishëm për mendimin humanist.

Petrarka njihet si “babai i humanizmit”, sepse riktheu interesimin për autorët klasikë grekë dhe romakë në një kohë kur mendimi mesjetar dominohej nga teologjia. Ai kërkoi dorëshkrime të humbura, studioi veprat e Ciceronit, Virgjilit dhe Senekës dhe promovoi idenë se njeriu duhet të zhvillojë dijen, moralin dhe aftësitë e tij përmes studimit të klasikëve.

Për Petrarkën, letërsia nuk ishte vetëm art, por edhe një mënyrë për të kuptuar natyrën njerëzore. Pikërisht kjo qasje e vendosi atë në themel të Rilindjes evropiane.

Në vitin 1341, Petrarka u kurorëzua poet në Romë, një nderim i rrallë që kujtonte traditën e poetëve të Antikitetit. Ky moment simbolizoi jo vetëm famën e tij personale, por edhe rilindjen e idealeve klasike që ai përfaqësonte.

Francesco Petrarka ndërroi jetë më 19 korrik 1374 në Arquà të Italisë, vetëm një ditë para se të mbushte 70 vjeç. Pas vdekjes së tij, ndikimi nuk u zbeh; përkundrazi, u bë edhe më i madh.

Punishtja me mbështetjen e BE-së, gratë e Tropojës ruajnë trashëgiminë kulturore

By: KultPlus
20 July 2026 at 18:00

Një punishte artizanale në qendër të Tropojës po kthehet në një shembull të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fuqizimit ekonomik të grave.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit EU4Innovation, gratë artizane po mbajnë gjallë zanatet tradicionale, ndërsa krijojnë mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi për komunitetin. Në këtë punishte, leshi dhe pambuku përpunohen në qilima, tapiceri, veshje tradicionale, pëlhura të qëndisura, mbulesa shtrati, çanta dhe produkte të tjera artizanale. Krahas punimeve tekstile, gratë prodhojnë edhe sapunë të punuar me dorë me përbërës natyralë si vaj ulliri, sherebelë dhe trumzë.

Përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian, projekti ka siguruar tezgjahë, makina qepëse, pajisje digjitale dhe një platformë elektronike që u mundëson artizaneve të promovojnë dhe të shesin produktet e tyre edhe përtej Tropojës. Punimet dallohen për motivet tradicionale që pasqyrojnë identitetin kulturor të zonës. Figurat gjeometrike, shqiponjat, lulet shumëngjyrëshe dhe elementët e frymëzuar nga Alpet Shqiptare ruajnë simbolikën dhe historinë e trashëguar ndër breza.

Për shumë prej grave, kjo punishte është më shumë sesa një vend pune. Ajo u ofron një burim të qëndrueshëm të ardhurash, një hapësirë bashkëpunimi dhe një mundësi për t’ua transmetuar mjeshtërinë brezave të rinj.

Nisma synon të ndërthurë traditën me inovacionin, duke ruajtur zanatet shekullore dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik për gratë dhe komunitetin lokal./atsh/KultPlus.com

Ministrja Bogujevci priti në takim Osman Shehun, liderin e grupit ‘Fontana’

By: KultPlus
20 July 2026 at 17:30

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, priti në takim Osman Shehun, liderin e grupit “Fontana”, një prej grupeve më të hershme të muzikës pop rock në Kosovë.

Gjatë takimit u bisedua për rrugëtimin e “Fontanës” që nga themelimi, për përvojat e grupit në skenën muzikore vendore ndër vite, si dhe për koncertin jubilar që do të mbahet me rastin e 50-vjetorit të themelimit.

Ministrja Bogujevci vlerësoi angazhimin për ruajtjen e traditës së muzikës vendore dhe organizimin e këtij aktiviteti jubilar./KultPlus.com

‘The Odyssey’ si udhërrëfyes për jetën moderne: Psikologia britanike flet për ‘mentalitetin e Odisesë’

By: KultPlus
20 July 2026 at 17:00

Filmi i shumëpritur The Odyssey i Christopher Nolan po rikthen në qendër të vëmendjes jo vetëm epikën e Homerit, por edhe mesazhet e saj të përjetshme. Sipas një analize të publikuar nga The Independent, “Odisea” mbetet një nga veprat më aktuale për të kuptuar sfidat e jetës moderne, duke ofruar mësime mbi qëndrueshmërinë, identitetin dhe aftësinë për të kapërcyer vështirësitë. 

Psikologia klinike dhe studiuesja e letërsisë klasike, Dr. Sam Akbar, autore e librit The Odyssey Mindset, argumenton se udhëtimi i Odiseut është shumë më tepër sesa një aventurë mitologjike. Sipas saj, ai përfaqëson një rrugëtim të zbulimit të vetes dhe të përballjes me humbjen, traumën, dështimin dhe shpresën, përvoja që mbeten universale edhe sot. 

Akbar thekson se “Odisea” trajton tema psikologjike shumë kohë përpara se të ekzistonin konceptet moderne të traumës, qëndrueshmërisë apo identitetit. Ajo e përshkruan poemën si një pasqyrë të natyrës njerëzore, ku gërshetohen gëzimi, dashuria, zemërimi, pikëllimi, suksesi dhe dështimi. 

Sipas autores, edhe pse Odiseu është një personazh moralisht kompleks dhe jo gjithmonë heroik, pikërisht kjo e bën atë të afërt me njeriun e zakonshëm. Mësimi kryesor nuk është përsosmëria, por këmbëngulja dhe aftësia për të vazhduar rrugën drejt “Itakës”, pavarësisht pengesave. Ajo e quan këtë qasje “mentaliteti i Odisesë”, një kombinim i optimizmit realist, durimit dhe vendosmërisë përballë vështirësive.

Interesi për veprën e Homerit është rritur ndjeshëm pas  premierës së filmit të Nolan, ndërsa libri i Akbar propozon shtatë mësime praktike të frymëzuara nga udhëtimi i Odiseut për t’u përballur me sfidat e jetës bashkëkohore. /KultPlus.com

200 mijë kristale dhe 120 orë punë, detaji që e bëri Shakirën yllin e finales së Kupës së Botës

By: KultPlus
20 July 2026 at 16:30

Me 200 mijë kristale që reflektonin dritat e stadiumit dhe një krijim unik couture të dizajnuar posaçërisht për të, Shakira la gjurmën e saj në spektaklin e pjesës së parë të finales së Kupës së Botës.

Këngëtarja e famshme u ngjit të dielën, më 19 korrik, në skenën e stadiumit New York New Jersey, duke mahnitur publikun me një veshje të veçantë nga shtëpia e modës Roberto Cavalli. Krijimi i personalizuar, i realizuar nga drejtori artistik Fausto Puglisi, kërkoi më shumë se dy javë punë për t’u përfunduar.

Veshja përmbante mbi 200 mijë kristale Swarovski dhe rreth 120 orë punë artizanale. Ajo përbëhej nga një trupore e mbuluar me kristale dhe një fund spektakolar me thekë, në nuanca të verdha dhe rozë.

Dizajni u bazua në modelin e krijuar posaçërisht “Ray of Sunset”, një referencë ndaj krijimit ikonë “Ray of Gold” të shtëpisë Roberto Cavalli.

Në skenë me Shakirën u bashkuan edhe 34 kërcimtarët e saj, të cilët kishin veshje të frymëzuara nga look-u i këngëtares, me të njëjtat tone të ngjyrave të perëndimit të diellit.

Shakira performoi në skenën e stadiumit New York New Jersey në East Rutherford, New Jersey, së bashku me Burna Boy, ku interpretuan këngën “Dai Dai”, pjesa zyrtare muzikore e Kupës së Botës 2026./ KultPlus.com

Spanja kampione e botës, shpërblim rekord për Federatën dhe lojtarët

By: KultPlus
20 July 2026 at 15:30

Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 nuk ka sjellë vetëm lavdi sportive, por edhe një përfitim të madh financiar për Federatën Spanjolle të Futbollit.

Suksesi i arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada pritet t’i sjellë federatës iberike rreth 50 milionë dollarë (afërsisht 44 milionë euro) shpërblim, një shumë që e konsolidon edhe më shumë pozitën e futbollit spanjoll në arenën ndërkombëtare.

Përveç aspektit ekonomik, titulli botëror ka një ndikim të madh në imazhin dhe prestigjin e futbollit spanjoll. Triumfi i “La Roja”-s pritet të rrisë vlerën e markës së kombëtares dhe të sjellë përfitime shtesë përmes marrëveshjeve me sponsorët.

Shumë prej kontratave të Federatës Spanjolle me kompanitë partnere përmbajnë klauzola të veçanta që aktivizohen pas sukseseve të mëdha sportive, duke e bërë këtë triumf edhe më të rëndësishëm në aspektin financiar.

Një pjesë e konsiderueshme e shpërblimit do t’u takojë edhe futbollistëve të drejtuar nga Luis de la Fuente. Sipas marrëveshjeve, rreth 45 për qind e bonusit të federatës do të ndahet mes lojtarëve të grumbulluar për Botërorin.

Nga përllogaritjet, rreth 19.67 milionë dollarë pritet t’u shpërndahen futbollistëve të Spanjës, ndërsa secili prej 26 lojtarëve të skuadrës mund të përfitojë afërsisht 756 mijë euro bruto për triumfin historik.

Ky sukses ka larguar edhe shqetësimet e mëparshme financiare të federatës, pas anulimit të një finaleje të planifikuar me Argjentinën në një tjetër kompeticion, ndërsa tani Spanja shijon jo vetëm titullin e dytë botëror në histori, por edhe një rikthim të fuqishëm ekonomik dhe institucional./ RTK/ KultPlus.com

Korrieri i ushqimeve fiton çmimin më të lartë kinez për letërsi

By: KultPlus
20 July 2026 at 14:56

Një korrier ushqimesh nga Kina ka fituar një nga nderimet më të mëdha letrare në vend, falë një përmbledhjeje me poezi të frymëzuara nga jeta e përditshme e punëtorëve të ekonomisë së platformave.

Wang Jibing, 56 vjeç, është shpallur fitues i Çmimit Letrar “Lu Xun” për librin e tij me poezi “Low Flight” (Fluturim i ulët). Vepra përshkruan vështirësitë, presionet dhe përvojat e korrierëve që shpërndajnë ushqime në qytetet e mëdha kineze.

Wang nisi punën si shpërndarës ushqimesh rreth vitit 2019, pas dekadash punësh të ndryshme për shkak të vështirësive ekonomike. Ai kishte punuar në ndërtim, kishte mbledhur materiale të riciklueshme dhe kishte shitur produkte në rrugë, por gjatë gjithë kësaj kohe ruajti pasionin për leximin dhe shkrimin.

Për vite me radhë, ai publikoi poezi dhe ese në media sociale, derisa një nga poezitë e tij, “Njeriu me nxitim”, u bë virale në vitin 2022. Poezia ishte frymëzuar nga një përvojë reale gjatë një dërgese të vështirë, kur një adresë e gabuar nga klienti i shkaktoi orë të tëra vonesash.

Në vitin 2023, Wang botoi librin e tij të parë me poezi, ndërsa një vit më vonë publikoi “Low Flight”, një përmbledhje e bazuar në intervista dhe biseda me rreth 200 korrierë të tjerë.

“Fluturimi i ulët është gjithashtu fluturim”, shkruan Wang në një nga poezitë e tij, duke përcjellë idenë se edhe njerëzit me profesione të zakonshme mund të kenë histori dhe ëndrra të rëndësishme.

Pas shpalljes së çmimit, Wang pranoi se ndjeu shumë presion nga vëmendja mediatike, por tha se suksesi nuk do ta ndryshojë mënyrën e tij të jetesës. Ai deklaroi se dëshiron të vazhdojë punën si korrier deri në moshën 60-vjeçare, sepse e pëlqen ritmin e kësaj pune dhe jetën e thjeshtë.

Çmimi Letrar Lu Xun mban emrin e shkrimtarit të madh kinez Lu Xun, i cilësuar si një nga themeluesit e letërsisë moderne kineze. Veprat e tij njihen për kritikën ndaj shoqërisë tradicionale kineze përmes satirës dhe tregimeve.

Fitorja e Wang vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë punëtorë të zakonshëm në Kinë po marrin vëmendje për krijimtarinë e tyre letrare. Historitë e tyre pasqyrojnë jetën, vështirësitë dhe presionet e miliona njerëzve që punojnë në ekonominë moderne të shërbimeve./ Koha/ KultPlus.com

Kam arritur kufijtë e mi: Pas suksesit rekord me “Odisea”, Christopher Nolan paralajmëron pritje të gjatë për film të ri

By: KultPlus
20 July 2026 at 14:11

Regjisori i Christopher Nolan, “Odisea”, po shënon një sukses të madh në kinematë botërore, por admiruesit e regjisorit britanik do të duhet të presin disa vite për projektin e tij të ardhshëm.

Nolan ka zbuluar se nuk pritet të sjellë një film të ri përpara të paktën tre viteve. Në një intervistë për emisionin “Today” të NBC, ai tha se ritmi i punës së tij kërkon një periudhë të gjatë përgatitjeje, veçanërisht për projekte me përmasa të mëdha.

Regjisori, i cili vitet e fundit ka publikuar filma pothuajse çdo tre vjet si “Interstellar”, “Dunkirk”, “Tenet” dhe “Oppenheimer”, pranoi se realizimi i “Odisea” ka qenë një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.

“Kam arritur kufijtë e qëndrueshmërisë sime dhe mendoj se edhe të gjithë të tjerëve”, u shpreh Nolan, duke theksuar se një projekt i tillë duhej të ishte jashtëzakonisht sfidues.

“Odisea”, një adaptim i veprës së Homerit, është xhiruar tërësisht me teknologjinë IMAX 70 milimetër, një zgjedhje që sipas Nolan ishte mënyra për të realizuar një ëndërr të vjetër kinematografike.

Filmi, me një kast të yjeve ku përfshihen Matt Damon, Anne Hathaway, Tom Holland, Zendaya, Robert Pattinson dhe Charlize Theron, pritet të arrijë mbi 257 milionë dollarë të ardhura globale./ KultPlus.com

Sukses i jashtëzakonshëm i KF 2 Korriku në Gothia Cup 2026

By: KultPlus
20 July 2026 at 13:30

Klubi futbollistik 2 Korriku nga Prishtina ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen në Gothia Cup 2026, turneun më të madh ndërkombëtar të futbollit për grupmoshat e reja, i cili po mbahet në Göteborg të Suedisë.

Në konkurrencën e 252 ekipeve në kategorinë B15, futbollistët e rinj të 2 Korrikut u renditën ndër tetë ekipet më të mira të turneut, duke dëshmuar talent, cilësi dhe përkushtim në arenën ndërkombëtare.

Përveç suksesit sportiv, klubi arriti edhe një vlerësim të veçantë, duke u shpallur fitues i çmimit “Best Outfit Award 2026” në ceremoninë hapëse të turneut, mes ekipeve nga dhjetëra shtete të botës, për paraqitjen më të mirë me kostume kombëtare.

Ministria e Sportit dhe Rinisë përgëzon KF 2 Korriku për këtë paraqitje të shkëlqyer, e cila promovon me dinjitet sportin, kulturën dhe identitetin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Urime lojtarëve, trajnerëve dhe gjithë stafit të klubit për këtë sukses të merituar!/ KultPlus.com

Nga Beckham te Beyonce, yjet që ndoqën nga afër finalen e Kupës së Botës 2026

By: KultPlus
20 July 2026 at 13:00

Finalja e Kupës së Botës FIFA 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk mblodhi vetëm emrat më të mëdhenj të futbollit, por edhe një numër të madh personazhesh të njohur nga muzika, kinemaja, sporti dhe moda.

Finalja e Kupës së Botës FIFA 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk mblodhi vetëm emrat më të mëdhenj të futbollit, por edhe një numër të madh personazhesh të njohur nga muzika, kinemaja, sporti dhe moda.

Në tribunat e stadiumit “MetLife” në New Jersey u panë David dhe Victoria Beckham me djemtë e tyre, Jay-Z dhe Beyonce, Timothee Chalamet me Kylie Jenner, Rihanna me A$AP Rocky, Dua Lipa me bashkëshortin Callum Turner, Tom Brady, Javier Bardem, Jessica Alba, Sarah Jessica Parker dhe Matthew Broderick, Serena Williams, Matt Damon, Mick Jagger, Ed Sheeran dhe shumë emra të tjerë të njohur.

Spektakli u pasurua edhe nga performancat muzikore, me Jennifer Hudson që interpretoi himnin amerikan para ndeshjes, ndërsa në shfaqjen historike të pjesës së parë performuan Madonna, Shakira, Justin Bieber, BTS dhe Coldplay, nën drejtimin artistik të Chris Martin. Në ceremoninë e mbylljes u ngjitën në skenë edhe Post Malone dhe Robbie Williams.

Finalja u fitua nga Spanja, e cila mposhti Argjentinën dhe ngriti për herë të dytë në histori trofeun e Kupës së Botës.

Scaloni me lot pas finales: Më dhemb në zemër

By: KultPlus
20 July 2026 at 12:38

Lionel Scaloni nuk i fshehu emocionet pas humbjes në finalen e Kupës së Botës 2026, duke u shfaqur me lot në sy gjatë konferencës për media.

“Më dhemb në zemër. Këta djem dhanë gjithçka. Nuk kam asgjë për t’u qortuar. Futbolli ndonjëherë është i tillë dhe duhet ta pranojmë”, tha ai.

Trajneri i Argjentinës la të kuptohet se rrugëtimi i tij në stolin e “Albicelestes” po shkon drejt fundit, duke konfirmuar se do të vazhdojë në detyrë deri në muajin dhjetor.

“Do të qëndroj deri në dhjetor. Pastaj do të vijë momenti për të menduar me qetësi. Ky grup dhe kjo fanellë do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”, theksoi ai.

48-vjeçari largohet si një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e Argjentinës, pasi gjatë drejtimit të tij fitoi katër trofe madhorë.

“Kur erdha këtu, thashë se do të krijonim një familje. Mendoj se e bëmë këtë. Kjo është gjëja për të cilën jam më krenar. Trofetë janë të rëndësishëm, por grupi që ndërtuam do të mbetet përgjithmonë”, deklaroi ai.

Nën drejtimin e Scalonit, Argjentina fitoi:

Copa America 2021 – triumfoi ndaj Brazilit me rezultat 1-0 në finale, duke i dhënë fund pritjes 28-vjeçare për një trofe madhor.

Finalissima 2022 – mposhti Italinë me rezultat 3-0.

Kupa e Botës 2022 – fitoi finalen ndaj Francës pas penalltive, duke siguruar titullin e tretë botëror për Argjentinën pas 36 vitesh.

Copa America 2024 – mbrojti titullin kontinental me fitoren 1-0 ndaj Kolumbisë në finale./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Shahut

By: KultPlus
20 July 2026 at 11:59

Organizata e Kombeve të Bashkuara e njeh 20 Korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Shahut.

Shahu është një nga lojërat më të lashta, intelektuale dhe kulturore, që ndërthur sportin, të menduarit shkencor dhe elemente të artit. Si një aktivitet i përballueshëm dhe gjithëpërfshirës, ai mund të praktikohet kudo dhe të luhet nga të gjithë, duke kapërcyer barrierat e gjuhës, moshës, gjinisë, aftësive fizike apo statusit social.

OKB-ja thotë se shahu është një lojë globale që promovon drejtësinë, përfshirjen dhe respektin reciprok, duke pasur parasysh se ai mund të kontribuojë në krijimin e një klime tolerance dhe mirëkuptimi midis popujve dhe kombeve.

Kombet e Bashkuara e njohin faktin se sporti, arti dhe aktiviteti fizik kanë fuqinë të ndryshojnë perceptimet, paragjykimet dhe sjelljet, si dhe të frymëzojnë njerëzit, të shembin barrierat racore e politike, të luftojnë diskriminimin dhe të zbusin konfliktet; rrjedhimisht, ato kontribuojnë në promovimin e arsimit, zhvillimit të qëndrueshëm, paqes, bashkëpunimit, solidaritetit, përfshirjes sociale dhe shëndetit në nivele lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

Historiku pa humbje nga Spanja

By: KultPlus
20 July 2026 at 11:31

Pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit, “La Roja” ka shkuar në kuotën e 38 ndeshjeve radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, një seri historike për një kombëtare evropiane ose amerikano-jugore.

Spanja e ka kurorëzuar suksesin në Kupën e Botës 2026 jo vetëm me trofeun e dytë botëror në histori, por edhe me një rekord të jashtëzakonshëm.

Pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit, “La Roja” ka shkuar në kuotën e 38 ndeshjeve radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, një seri historike për një kombëtare evropiane ose amerikano-jugore.Kjo ecuri e jashtëzakonshme e vendos Spanjën në një nivel të veçantë në historinë e futbollit ndërkombëtar, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm për një skuadër nga këto dy kontinente.

Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka treguar vazhdimësi, stabilitet dhe një identitet të qartë loje, duke e shoqëruar titullin e dytë të Kupës së Botës me një seri rezultatesh që tashmë janë pjesë e historisë së futbollit./ KultPlus.com

Në RLIOF sonte do të prezantohen Young Classics, këtë vit më e pasur se kurrë 

By: KultPlus
20 July 2026 at 10:30

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, në skenë do të ngjiten pianisti i ri virtuoz Ermes Balili, sopranot Ana Tafani dhe Anita Kerhani, tenori Rizah Jahaj, si edhe solistet e talentuar të shkollës së muzikës “Amadeus”, Elsa Halilaj, Anna Krasniqi dhe Urata Muhadri

Young Classics, mbrëmja e dedikuar audiencave të së ardhmes dhe jo vetem, vjen këtë vit më e pasur se kurrë, bëhet e ditur nga Rame Lahaj International Opera Festival, mbrëmje që do të mbahet sonte prej orës 20:00 në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Në bashkëpunim me Orkestrën dhe Korin e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ky aktivitet do t’i japë brezit të ri të artistëve, mundësinë për të sjellië në skenë, një program plot ngjyra dhe gjallëri, duke udhëtuar nga kryeveprat e repertorit klasik deri te kolonat zanore më të dashura të filmave Disney”, thuhet mes tjerash.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, në skenë do të ngjiten pianisti i ri virtuoz Ermes Balili, sopranot Ana Tafani dhe Anita Kerhani, tenori Rizah Jahaj, si edhe solistet e talentuar të shkollës së muzikës “Amadeus”, Elsa Halilaj, Anna Krasniqi dhe Urata Muhadri./ KultPlus.com 

Shkodra bëhet “skenë” filmi, rezidenca “Kino on the Road” sjell 10 ditë krijimtarie kinematografike

By: KultPlus
20 July 2026 at 10:00

Për herë të parë, 16 regjisorë nga vende të ndryshme të botës do të qëndrojnë për dhjetë ditë në Shkodër, në kuadër të rezidencës ndërkombëtare kinematografike “Kino on the Road”.

Gjatë qëndrimit të tyre, pjesëmarrësit do të realizojnë filma me metrazh të shkurtër, të frymëzuar edhe nga qyteti, të cilët do të shfaqen në përfundim në Kinema “Republika”.

 Organizatorët bënë të ditur se projekti realizohet në bashkëpunim mes Teatrit “Migjeni” dhe qendrës “Sloë Mill” në Milano.

Kjo nismë sjell për herë të parë në Shkodër një grup të gjerë kineastësh ndërkombëtarë, të cilët do të punojnë së bashku për krijimin e filmave të shkurtër.

“Projekti kinematografik është shumë i rëndësishëm. Është hera e parë që zhvillohet në Shqipëri dhe shpresojmë që të bëhet çdo vit. Janë 16 regjisorë që vijnë nga shtete të ndryshme të botës. Për 10 ditë do të qëndrojnë në Teatrin “Migjeni”, do të qëndrojnë në Shkodër dhe do të xhirojnë rreth pesë ose gjashtë filma me metrazh të shkurtër”, tha Gerti Palali. Drejtor, Teatri “Migjeni”.

Nuk kemi një temë të caktuar. Në nivel makro, do të thoja se tema është promovimi i qytetit tonë, qoftë përmes muzeve, lokaleve apo Kalasë”, tha Besmir Rrjoli, themelues, “Slow Mill”

Kjo rezidencë shërben si një përvojë me vlerë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët do të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë përmes praktikës.

Nuk është një festival kompetitiv, nuk fitohet asgjë. Fitohet vetëm bashkëpunimi dhe studimi. Disa prej tyre janë profesionistë, ndërsa disa janë ende studentë. Edhe fakti që mund të punojnë së bashku dhe të shkëmbejnë njohuri me njëri-tjetrin ka një vlerë të madhe”, tha Mateo Çili, përgjegjës, Kino Movement Milano.

Filmat e realizuar gjatë rezidencës ndërkombëtare do të prezantohen në një shfaqje përmbyllëse në Kinema “Republika”./ RTSH/ KultPlus.com

“Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit

By: KultPlus
20 July 2026 at 09:30

Jemi në një stinë dasmash, në ditshmëritë e gazmimeve dhe dritshmërinë e shpirtrave që e kurorëzojnë yjësinë e tyre të dashurimit në krijimin e një planeti shpirti dhe ëndrrash, që nis të llamburis ndijimeve të tyre si një vërshim drite, për të ardhur deri tekkëtu ku shndërrohet në kremte, në solemnitet.

Çmendemi të gjithë, teksa urtësohen zemrat në altar, dhe gazmimi kalon skajet, cek tek çdo çast me prekje drite, për të lejuar të gjithë të vijnë në kësi kulmimesh të mrekullimit të celebrimit.

E si mund të mbetej më madhështore, se sa duke u ngjitur lart, në eterin e përjetësisë ky kulmim, në art, po në memorien e atyre ngjyrave dhe atij ceremoniali, që mjeshtria e një mjeshtri e sjell sot të gjallë, në “Dasma shkodrane”, ikona e një shekulli më parë që na gazmon edhe sot.

Sepse ka vepra që nuk mjaftohen të jenë piktura. Ato shndërrohen në kujtesë, në testament, në një mënyrë të heshtur për ta sfiduar harresën. Ato nuk rrëfejnë vetëm atë që syri sheh, por atë që një qytet ndien, atë që një popull beson dhe atë që koha rrezikon ta humbasë. E tillë është “Dasma shkodrane” e Kol Idromenos (1924), një nga kulmet e pikturës shqiptare, një monument i gjallë i traditës, i identitetit dhe i shpirtit krijues të Shkodrës.

Realizuar në vaj mbi kanavacë (94.5 × 133.5 cm), kjo tablo nuk është vetëm një skenë ceremoniale. Ajo është një epope e qetë, ku çdo figurë, çdo ngjyrë, çdo dritë dhe çdo hije bart peshën e një bote të tërë. Idromeno nuk pikturon një dasmë; ai pikturon mënyrën shqiptare të të qenit, ritmin e jetës, solemnitetin e bashkimit, etikën e një bashkësie dhe estetikën e një qytetërimi.

Në këtë vepër, ngjyra nuk shërben vetëm për të ndërtuar formën, por për të krijuar atmosferën e shpirtit. Drita nuk bie mbi figurat si një efekt piktorik; ajo i bekon ato, sikur të ishte vetë drita e kujtesës që nuk lejon të zbehen. Gjithçka rrjedh me një qetësi ceremoniale, me atë ritëm të ngadaltë që kanë vetëm ngjarjet që janë më të mëdha se vetë njerëzit që i jetojnë.

Duket sikur Idromeno e sodit këtë ceremonial nga një largësi poetike. Si përmes një xhami të tejdukshëm, ku koha nuk pengon shikimin, por e pastron atë. Ose, siç do ta përfytyronte një shkodran i vjetër, sikur piktori të ishte ngjitur mbi kumbullën e oborrit të komshiut, për të përfshirë me një vështrim të vetëm gjithë gëzimin, krenarinë dhe hijeshinë e kësaj dite të madhe. Kjo perspektivë e çliruar e bën tablonë të marrë frymë. Ajo nuk kufizohet nga muret e një kompozimi; ajo zgjerohet si vetë kujtesa.

Por madhështia e “Dasmës shkodrane” nuk qëndron vetëm në mjeshtërinë e realizimit. Ajo qëndron në aftësinë për ta shndërruar një ngjarje të përditshme në një simbol të përjetshëm. Kjo është arsyeja pse kjo tablo nuk është vetëm art; është antropologji, histori, sociologji, etnografi dhe poezi, të gjitha të mishëruara në një gjuhë universale: atë të pikturës.

Antropologu amerikan Clifford James Geertz e përkufizon artin si një mekanizëm të zhvilluar për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore, për të mbështetur rregullat dhe për të forcuar vlerat e një bashkësie. Sipas tij, studimi i një vepre arti është në të vërtetë eksplorim i një ndjeshmërie kolektive, sepse themeli i saj është vetë qenia shoqërore.

Vështirë se një vepër e artit shqiptar e mishëron më mirë këtë mendim sesa “Dasma shkodrane”. Në të nuk lexojmë vetëm ndjeshmërinë e Kol Idromenos; lexojmë ndjeshmërinë e një qyteti të tërë. Ajo është autobiografia e Shkodrës e shkruar me penelin e një mjeshtri.

Çdo figurë në tablo flet. Veshjet nuk janë vetëm kostume festive; ato janë kode identiteti. Qëndrimet trupore nuk janë vetëm poza; ato janë gjuhë sociale. Distancat mes njerëzve, mënyra si ecin, si shohin, si heshtin, si marrin pjesë në ceremonial, zbulojnë një rend të ndërtuar mbi respektin, fisnikërinë dhe hierarkinë morale të bashkësisë.

Në këtë tablo mund të lexohen marrëdhëniet midis familjeve, lidhjet fisnore, raportet ekonomike, vendi i burrit dhe i gruas, pesha e nderit, domethënia e martesës dhe rëndësia e ritit si akt themelues i vazhdimësisë së jetës. Dasma nuk është vetëm bashkimi i dy të rinjve; është aleanca e dy familjeve, ripërtëritja e kujtesës kolektive dhe riafirmimi i rendit shoqëror.

Megjithatë, ajo që ne shohim sot nuk është ajo që shihnin bashkëkohësit e Idromenos.

Ata nuk sodisnin një pikturë; ata shihnin jetën e tyre. Ata nuk kërkonin simbolikë; ata jetonin simbolin. Çdo gjest në këtë ceremoni kishte një kuptim të vetëkuptueshëm, çdo kostum ishte pjesë e identitetit të tyre, çdo ritual ishte pjesë e frymëmarrjes së përditshme. Ne, përkundrazi, e shohim këtë tablo me mallin e asaj që nuk e kemi jetuar. Emocioni ynë lind nga largësia historike; emocioni i tyre lindte nga përkatësia.

Prandaj “Dasma shkodrane” është bërë më shumë se një kryevepër artistike. Ajo është një dritare drejt një bote që vazhdon të jetojë vetëm falë kujtesës. Një botë ku martesa ishte rit i shenjtë, ku komuniteti ishte një trup i vetëm dhe ku bukuria nuk ishte luks, por mënyrë jetese.

Në këtë kuptim, Kol Idromeno nuk pikturoi vetëm Shkodrën e vitit 1924. Ai pikturoi Shkodrën e përjetshme. Ai na la një testament në ngjyra, një dorëshkrim pa fjalë, ku çdo penelatë është një kujtesë dhe çdo dritë një lutje kundër harresës.

Sot, kur e sodisim këtë tablo, nuk admirojmë vetëm virtuozitetin e një mjeshtri. Ne përulemi para një bote që vazhdon të marrë frymë në heshtjen e kanavacës. Dhe ndoshta ky është triumfi më i madh i artit: të bëjë që ajo që koha e ka marrë me vete, të mbetet e gjallë përmes bukurisë.

Albert Vata/ KultPlus.com

❌
❌