Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2026Euronews

Ish-prokurori kritikon ligjin e amnistisë penale për nënën 34-vjeçare: Ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna

22 July 2026 at 22:33

Ish prokurori, Ervin Karanxha, i ftuar këtë të martë në “Now” me Erla Mëhillin në Euroneës Albania, ka folur lidhur me rezervat e tij mbi amnistinë dhe çështjen e nënës së burgosur të tre të miturve.

Sipas ish-prokurorit Karanxha, nëna duhet të lirohej nga amnistia penale, për arsyen se krimi për të cilën ajo është akuzuar nuk është aq i rëndë sa krimi i disa individëve, të cilët kanë përfituar nga amnistia.

“Ka diçka tjetër tek ndjekja penale. Amnistia e fal plagosjen e lehtë dhe e pushon çështjen ndërkohë për rrahje,jo.”, shprehet ai.

Më tej, Karanxha ngre shqetësimin lidhur me foshnjën dhe domosdoshmërisë që ai ka për të qëndruar me të ëmën. Sipas tij, problemi nis në hartimin e ligjeve.

“Ku ta çojë foshnjën, në befotrof? S’ke çfarë bën. Madje ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna sepse është në gji. Dhe këtu dalim edhe te ligjet e tjera se nuk është vetëm ky ligj që bëhet copë-copë. Këtu gjithmonë bëhen gjërat e njëanshme, të pastudiuara nga profesionistë dhe ja ku e ke pasojën e parë”, thotë ai .

Sipas ish-prokurorit, ditën e nesërme pritet lajmi i mire i lirimit të nënës 34-vjeçare të tre të miturve.

“Mund të pezullohet ekzekutimi i dënimit për shkaqe të veçanta”, shtoi ai.

34-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve vuan dënimin prej dy muajsh. Njëri prej fëmijëve është 4 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, i dyti 2 vjeç, ndërsa më i vogli, vetëm 11 muajsh, është akomoduar në ambientet e burgut për të mos u ndarë nga nëna.

The post Ish-prokurori kritikon ligjin e amnistisë penale për nënën 34-vjeçare: Ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna appeared first on Euronews Albania.

Shpërthime të shumta në Irak, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzojnë pesë dronë

22 July 2026 at 22:22

Pesë dronë vetëvrasës u rrëzuan mbi qytetin verior të Irakut, Erbil, pasi u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa shpërthime të shumta u dëgjuan në të gjithë qytetin, raportuan mediat lokale.

Sipas agjencisë Kurdistan24, sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan të pesë dronët në hapësirën ajrore mbi Erbil, duke shmangur goditjen e objektivave në qytet.

Ky është incidenti i dytë brenda pak ditësh, pasi një ditë më parë tre dronë vetëvrasës u interceptuan gjithashtu mbi Erbil.

Që nga përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, Teherani ka ndërmarrë sulme të përsëritura me raketa dhe dronë ndaj veriut të Irakut, duke shënjestruar qytetet Erbil dhe Sulaymaniyah.

Sipas raportimeve, objektivat e sulmeve kanë përfshirë kampet e grupeve opozitare kurde iraniane, si dhe bazën ushtarake amerikane dhe konsullatën e SHBA-së në Erbil

The post Shpërthime të shumta në Irak, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzojnë pesë dronë appeared first on Euronews Albania.

Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë

22 July 2026 at 22:19

Ushtarët e Polonisë dhe Gjermanisë po punojnë së bashku për të përforcuar kufirin polak me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar krahun lindor të NATO-s, njoftoi kryeministri polak Donald Tusk.

Në një postim në platformën X, Tusk bëri të ditur se forcat e të dy vendeve janë angazhuar në punime të përbashkëta përgjatë kufirit, duke e cilësuar bashkëpunimin si një shembull të koordinimit të ngushtë mes aleatëve.

Operacioni është pjesë e programit afatgjatë East Shield, me të cilin Polonia synon të forcojë kufijtë e saj lindorë përmes ndërtimit të fortifikimeve, sistemeve të mbikëqyrjes, infrastrukturës ushtarake dhe pengesave mbrojtëse.

Në një video të publikuar nga autoritetet, një ushtar gjerman tha se misioni synon forcimin e krahut lindor të NATO-s, ndërsa theksoi se trupat gjermane janë të vendosura në Poloni në bazë rotacioni. Nga ana tjetër, një ushtar polak u shpreh se njësitë po kryejnë punime inxhinierike dhe njëkohësisht po shkëmbejnë përvojë operacionale.

Polonia dhe Gjermania nënshkruan në qershor një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila parashikon koordinim më të ngushtë ushtarak, përfshirë bashkëpunimin në programin East Shield dhe përmirësimin e lëvizjes së forcave aleate në territorin polak.

The post Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë appeared first on Euronews Albania.

SHBA kërcënon me sanksione kompanitë kineze për vjedhjen në fushën e inteligjencës artificiale

22 July 2026 at 22:17

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, paralajmëroi se kompanitë kineze mund të përballen me sanksione dhe kufizime eksporti nëse përfshihen në vjedhje në shkallë të gjerë të pronësisë intelektuale amerikane në fushën e inteligjencës artificiale.

Në një postim në platformën X, Bessent tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale me burim të hapur, por theksoi se kjo nuk nënkupton lejimin e përvetësimit të teknologjisë amerikane.

Ai akuzoi disa kompani nga Kina për përpjekje të fshehta për të nxjerrë ose kopjuar modelet amerikane të inteligjencës artificiale përmes teknikave të njohura si “distilim” në shkallë industriale.

Sipas Bessent, nëse kompanitë kineze kalojnë kufirin e vjedhjes së pronësisë intelektuale, administrata amerikane është e gatshme të vendosë sanksione dhe t’i përfshijë ato në Listën e Entiteteve, duke kufizuar aksesin e tyre në teknologji dhe produkte amerikane.

The post SHBA kërcënon me sanksione kompanitë kineze për vjedhjen në fushën e inteligjencës artificiale appeared first on Euronews Albania.

Irani paralajmëron SHBA-në dhe aleatët: Çdo sulm do të marrë përgjigje të fortë

By: Besnik
22 July 2026 at 22:16

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i ka dërguar një mesazh paralajmërues Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke deklaruar se Teherani do të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi kundër territorit ose infrastrukturës së tij.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i diplomacisë iraniane theksoi se çdo veprim agresiv ndaj Iranit do të pasohet nga një “përgjigje e fortë dhe vendimtare”.

“Doktrina jonë e mbrojtjes është e qartë: sy për sy. Çdo sulm ndaj Iranit, përfshirë infrastrukturën tonë, do të kërkojë një përgjigje të fortë dhe vendimtare”, deklaroi Araghchi.

Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo vend apo palë që ndihmon ose mbështet një sulm ndaj Iranit do të konsiderohet objektiv legjitim nga Teherani.

“Ata që kontribuojnë në një akt të tillë agresiv, pavarësisht nga lloji i mbështetjes që ofrojnë, gjithashtu do të konsiderohen objektiva legjitime”, theksoi ministri i Jashtëm iranian.

Our defense doctrine is clear: eye for an eye.

Any aggression against Iran, including our infrastructure, will compel a powerful and decisive response.

Those who contribute to such aggression, whatever the kind of support, will also be considered as legitimate targets.

— Seyed Abbas Araghchi (@araghchi) July 22, 2026

The post Irani paralajmëron SHBA-në dhe aleatët: Çdo sulm do të marrë përgjigje të fortë appeared first on Euronews Albania.

SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje me Arabinë Saudite për programin bërthamor civil

22 July 2026 at 22:12

Shtetet e Bashkuara pritet të nënshkruajnë një marrëveshje me Arabinë Saudite që do t’i mundësojë mbretërisë të zhvillojë një program bërthamor civil, sipas CBS News, partner i BBC-së.

Sipas raportimeve, marrëveshja do t’u lejojë kompanive amerikane të ndërtojnë dhe të operojnë objekte për energji bërthamore në territorin saudit. Njoftimi zyrtar pritet të bëhet nga administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, ekspertë të çështjeve bërthamore dhe ish-zyrtarë izraelitë kanë shprehur shqetësime se një marrëveshje e tillë mund t’i hapë rrugë Arabisë Saudite për të zhvilluar në të ardhmen aftësi për prodhimin e armëve bërthamore.

Sipas tyre, nëse Riadi nis pasurimin e uraniumit në territorin e vet, kjo mund të nxisë elementë të linjës së ashpër në Iran që të përshpejtojnë fshehurazi përpjekjet për ndërtimin e një bombe bërthamore, duke rritur tensionet në rajon.

Marrëveshja, e raportuar fillimisht nga Wall Street Journal, parashikohet të ketë një afat prej 30 vitesh.

The post SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje me Arabinë Saudite për programin bërthamor civil appeared first on Euronews Albania.

Vjedhja në Postën e Durrësit, Llabani: Ish-drejtoresha njihej si frekuentuese kazinosh, pas saj ka persona të tjerë

22 July 2026 at 22:05

Gazetarja Anduena Llabani ka folur në “Now” lidhur me vjedhjen në Postën e Durrësit dhe hetimet që janë hapur për ish-drejtoreshën e saj.

Llabani thekson se ish-drejtoresha shihej si një person me probleme në menaxhimin e detyrës, si dhe njihej si frekuentuese e kazinove.

Ajo shton se kjo çështje mund të mos jetë e kufizuar vetëm te tre personat që ndodhen nën masa arresti, por tregon elemente të një skeme më të gjerë organizative.

“Kjo është një skemë e mirëfilltë më e gjerë, pra që shkon përtej këtyre tre grave. Jam e interesuar të pyes tek njerëz që kanë një lloj influence në qytetin e Durrësit dhe këtë drejtoreshën e shikonin si njeri me probleme në mënyrën se si e ka menaxhuar qoftë detyrën e saj në drejtimin e postës, por është e njohur për ta që ajo ishte një frekuentuese kazinosh.

Kështu që unë kam parë në karrierën time video të tilla ku hyjnë me maska dhe vjedhin, por nuk kisha parë drejtoreshë që vjedh brenda me sekretaren e vet.

Pra kemi një ndryshim të aktorëve në ngjarje të tilla dhe sigurisht që, aq më tepër, deklaratat e saj të dhëna përpara autoriteteve të drejtësisë që “mua nuk ma ndalon askush këtë gjë”, tregon që pas saj ka njerëz të tjerë që duket se kanë një lloj fuqie dhe një lloj atributi si një grup të strukturuar më shumë sesa veprime individuale të të dyjave”.

Gazetarja nënvizon se qëndrimi i ish-drejtoreshës përpara organeve hetimore përshkruhet si arrogante dhe pa frikë, gjë që ngre dyshime për përfshirje të njerëzve të tjerë.

“Ajo tregon që nuk ka frikë, është arroganca. Fakti që ajo vepron kaq hapur dhe deklaron përpara drejtuesve të organeve hetimore që “unë s’e kam problem dhe ti s’ma ndalon”, tregon që pas saj ka njerëz të tjerë më të fuqishëm. Ne nuk e dimë nëse ajo ka bërë herë tjetër një gjë të tillë”, tha Llabani.

Në përfundim gazetarja tha se Prokuroria e Durrësit po verifikon nëse ka pasur raste të tjera të ngjashme apo të padeklaruara më parë.

“Unë di që është në verifikim nga ana e Prokurorisë së Durrësit për të parë nëse ka patur raste të tjera të evidentuara, ose të padeklaruara, ose të padenoncuara nga njerëzit. Por është një gjë që në vite, edhe në profesion tjetër, kjo zonja e ka bërë”, tha ajo.

The post Vjedhja në Postën e Durrësit, Llabani: Ish-drejtoresha njihej si frekuentuese kazinosh, pas saj ka persona të tjerë appeared first on Euronews Albania.

Rama në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj: Deri në 2030 pagat e FA-së sa mesatarja e NATO-s

By: Besnik
22 July 2026 at 22:01

Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmjen e kësaj të mërkure në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Rama uroi prindërit e të diplomuarve dhe vlerësoi përkushtimin e të rinjve që nisën zyrtarisht shërbimin në uniformë për Shqipërinë dhe Kosovën. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë ditë si një moment krenarie për Forcat e Armatosura, duke sjellë në vëmendje edhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin ato në të kaluarën ndërsa theksoi se transformimi i Forcave të Armatosura ka ardhur pas një periudhe të vështirë.

“Nuk e ekzagjeroj kur them se sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, për trupën pedagogjike dhe Shtabin e Përgjithshëm. Është krenari sepse dihet në çfarë situate ka nisur ringritja e FA-së. Kjo fushë që na mirëpret ka qenë një fushë dheu e papërdorshme. Sot FA janë të mbështetura, të motivuara, jo vetëm me fjalë”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se dikur ushtarakët shqiptarë ishin ndër më të keqpaguarit në rajon, ndërsa sipas tij sot situata ka ndryshuar. Ai shtoi se rritja e pagave do të vijojë me objektivin që deri në vitin 2030, pagat e Forcave të Armatosura të arrijnë nivelin mesatar të vendeve të NATO-s.

“Kur kjo fushë ishte një pasqyrë dheu, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni dhe edukata. Ishin më të keqpaguarit në rajon dhe kishin një buxhet qesharak. Sot kemi forcat më të mirëpaguara dhe nuk do të ndalemi asnjë vit. Objektivi ynë është që deri në vitin 2030 Forcat e Armatosura të jenë të paguara mesatarisht sa ato të NATO-s”, deklaroi Rama.

Në përfundim të fjalimit, kryeministri bëri të ditur se qeveria ndodhet në fazën përfundimtare për miratimin e statusit të ushtarakut.

“Kemi një zotim për statusin e tyre, është raundi i fundit. Edhe këtë së shpejti do ta japim si lajm”, tha Rama.

The post Rama në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj: Deri në 2030 pagat e FA-së sa mesatarja e NATO-s appeared first on Euronews Albania.

Atentati me 3 të plagosur në Elbasan, gazetari: Dyshohet për lajthitje në objektiv

By: Besnik
22 July 2026 at 21:58

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati, ka sjellë detaje të reja lidhur me plagosjen e trefishtë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në Elbasan.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, kur tre persona ndodheshin të ulur në ambientet e jashtme të një lokali. Në atë moment është afruar një person i maskuar, i cili ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tyre.

Ferhati tha se grupi hetimor ka ngritur disa pista, mes tyre edhe mundësinë që autori të ketë gabuar objektivin. Sipas të dhënave paraprake, të plagosurit nuk kanë marrë plumba në mënyrë të drejtpërdrejtë në trup, por kanë pësuar dëmtime sipërfaqësore, çka, sipas gazetarit, ka shmangur një bilanc tragjik.

“Paraprakisht janë ngritur disa pista hetimore, por është edhe ajo e lajthitjes në objektiv. Të gjithë personat nuk kanë plumba të drejtpërdrejtë në trup, por dëmtime sipërfaqësore. Fatmirësisht nuk kemi pasur fatalitete”, tha ai.

Gazetari shtoi se po hetohet edhe pista sipas së cilës shënjestër mund të ketë qenë një person tjetër. Kjo pistë u lidh fillimisht me një të afërm të Elton Kilës, por ky i fundit e ka mohuar publikisht një gjë të tillë, duke deklaruar se nipi i tij nuk ka konflikte dhe ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.

Ferhati theksoi se mënyra e veprimit të autorit tregon se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar.

“Duket se ka qenë një atentat i organizuar. Autori ka qenë i maskuar dhe kjo është një metodë që përdoret shpesh në atentatet mafioze për të mos lënë gjurmë, qoftë për identitetin apo edhe karakteristikat fizike”, u shpreh ai.

Sipas Ferhatit, deri tani personat e plagosur nuk rezultojnë me precedentë penalë apo konflikte të njohura, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Prezenca e policit jashtë detyrës në ambientet e lokalit ka sjellë në një farë mënyre një parandalim, pasi autori ka qëlluar 6 herë dhe nuk ka pasur kundërpërgjigje. Kjo do të thotë se ai mund ta çonte deri në fund qëllimin e tij kriminal. Por reagimi i oficerit të policisë, edhe pse jashtë shërbimit, ka qenë një detyrim ligjor. Ai i është vënë në ndjekje autorit, duke bërë që ky i fundit të frikësohej dhe të largohej. Në të kundërt, mund të kishim pasur pasoja shumë më të rënda”, tha gazetari.

The post Atentati me 3 të plagosur në Elbasan, gazetari: Dyshohet për lajthitje në objektiv appeared first on Euronews Albania.

Mamdan i bën thirrje SHBA-së të zbatojë urdhër-arrestin mbi Netanyahun

22 July 2026 at 21:40

Në një video të postuar në mediat sociale, Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të veprojnë me urdhër arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte.

Gjatë fushatës së tij për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Mamdani e ka quajtur vazhdimisht Netanyahun “kriminel lufte” dhe e ka cilësuar luftën në Gaza një gjenocid.

Ndërkaq, këtë të martë ai u bëri thirrje autoriteteve federale të ekzekutojnë urdhrin e gjykatës për arrestimin e Benjamin Netanyahut nëse ai viziton qytetin në vjeshtë. Sipas Mamdanit, ekipi i tij kishte shqyrtuar të gjitha rrugët e disponueshme për ta arritur arrestimin e kryeministrit Netanyahu, por nuk kishin autoritetin ligjor për ta zbatuar.

“Megjithatë, qeveria federale e bën këtë,” deklaroi Mamdani. “Dhe unë u bëj thirrje atyre të bashkohen me GJPN-në dhe të ekzekutojnë këtë urdhër.”

Ndërkohë, në një postim në Truth Social të hënën, Trump ka kundërshtuar vazhdimisht deklaratat e shkuara të kryebashkiakut duke shprehur se kryeministri izraelit nuk do të arrestohet për sa kohë ndodhet në SHBA.

“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë apo formë, ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai po lufton kundër Republikës Islamike të Iranit, e cila kohët e fundit vrau 52,000 protestues të pafajshëm dhe ka kaluar 47 vitet e fundit duke vrarë ushtarë amerikanë dhe të tjerë. Të vetmit që duhet të arrestohen janë njerëzit që e çuan Iranin në këtë SPIRALE të paparë VDEKJEJE DHE SHKATËRRIMI, diçka që duhej të ishte trajtuar vite më parë, nga presidentët e mëparshëm!”, u shpreh Trump në postim.

The post Mamdan i bën thirrje SHBA-së të zbatojë urdhër-arrestin mbi Netanyahun appeared first on Euronews Albania.

Arrestohet në Bosnje luftëtari pro-rus, i akuzuar për tre vepra penale

22 July 2026 at 21:19

Danijell Grubaç nga Knezheva, si një nga personat që luftuan në anën e Rusisë në Ukrainë, është arrestuar më 21 korrik në Knezhevë, pranë Banjallukës, nën dyshimin për disa vepra penale.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska njoftoi se i dyshuari, i identifikuar vetëm me inicialet D.G., përballet me akuza për rrezikim të sigurisë, prodhim dhe trafikim të paautorizuar të narkotikëve, si dhe prodhim dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe eksplozivëve.

Sipas autoriteteve, policia ndërhyri pasi mori njoftim se ai kishte kërcënuar një person me armë zjarri në Knezhevë. Sipas Radio Evropa e Lirë, kallëzimi është bërë nga xhaxhai i Grubaçit, i cili deklaroi se ndihej i kërcënuar prej tij.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia sekuestroi një pushkë automatike, një pistoletë, 182 fishekë, 177 bimë të dyshuara si kanabis, si dhe tokë të përgatitur për kultivimin e mëtejshëm të tyre.

Bashkë me Grubaçin u arrestuan edhe tre shtetas serbë, të dyshuar për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të narkotikëve.

The post Arrestohet në Bosnje luftëtari pro-rus, i akuzuar për tre vepra penale appeared first on Euronews Albania.

Avioni i cili ndryshoi rregullat e sigurisë së linjave ajrore. Gjenden pas 72 vitesh mbetjet e Clipper Endeavor

22 July 2026 at 21:00

Mbetjet e një aeroplani të linjës ajrore Pan American Airways janë gjetur 74 vjet pasi ai u rrëzua në Oqeanin Atlantik,

Clipper Endeavor u gjet 610 metra nën nivelin e detit pranë brigjeve të Porto Rikos.

Ai u rrëzua në po të njëjtin vend, më 11 prill 1952 pas defekteve të shumta në motor, të cilat shkaktuan prishjen e tij 350 metra pas ngritjes nga San Juan në Porto Riko. Ngjarja nuk pati pasoja jetësore por më shumë se gjysma e individëve brenda avionit rrezikuan mbytjen në ujërat e Oqeanit Atlantik.

Zbulimi erdhi pasi studiuesit nxorrën të dhëna nga një seancë dëgjimore publike në Porto Riko, duke përfshirë një hartë të vizatuar nga pilotë të forcave ajrore që kishin qenë dëshmitarë të rrëzimit, gjë që ndihmoi në ngushtimin e zonës së kërkimit.

Studiuesit gjithashtu, përdorën të dhëna historike dhe të dhëna meteorologjike nga koha e rrëzimit.

Një dron gjeti rrënojat, të cilat ishin ndarë në dy pjesë gjatë kalimit të parë të zonës së kërkimit më 2 qershor.

Një studim fotografik pasues konfirmoi se rrënojat ishin të Clipper Endeavor, duke ofruar imazhe që zbuluan se logoja e Pan Am dhe emri i avionit ishin ende të dukshme në trup të avionit. “Të kesh një vend në rreshtin e parë në një ekspeditë si kjo, ndërsa ajo po zhvillohet, është e jashtëzakonshme, dhe kështu ndihem vërtet me fat që ishim në gjendje të ishim pjesë e saj”, tha Gates, i cili ishte në bordin e anijes sipërfaqësore kur rrënojat u shfaqën në ekran.

Katastrofa e 72 viteve më parë çoi në reforma të gjithanshme në sigurinë e aviacionit, duke përfshirë udhëzime të detyrueshme për sigurinë para fluturimit .

Sipas ekspertit te sigurisë së aviacionit John Cox, ngjarja e ndodhur para 64 vitesh shërbeu si një indikator për përmirësimin e rregulloreve të sigurisë në aeroplanë, duke iu referuar specifikisht pajisjeve të notimit.

“Konfuzioni që pasoi u bë një “katalizator” për rregulloret moderne që kërkojnë pajisje më të mira notimi në aeroplanë dhe udhëzime para fluturimit se si t’i përdorin ato” , tha ai.

Sot, para çdo fluturimi, ekuipazhi i kabinës duhet të përcaktojë se ku janë daljet e një avioni, si dhe vendndodhjen e jelekëve të shpëtimit dhe se si  të përdoren ato.

Mbetjet e avionit Clipper Endeavor

The post Avioni i cili ndryshoi rregullat e sigurisë së linjave ajrore. Gjenden pas 72 vitesh mbetjet e Clipper Endeavor appeared first on Euronews Albania.

VIDEO/ Momenti i aksidentit tragjik në Unazën e Madhe, betoniereja përplas makinën dhe bie nga ura

By: Besnik
22 July 2026 at 20:54

Euronews Albania ka siguruar videon e aksidentit tragjik që ndodhi pasditen e kësaj të mërkure pranë një rrethrrotullimi në Unazën e Madhe të Tiranës.

Si pasojë e aksidentit humbën jetën dy shtetas egjiptianë që udhëtonin me betonieren, ndërsa mbeti i plagosur një 28-vjeçar shqiptar, drejtuesi i automjetit tjetër, i cili u godit nga mjeti i tonazhit të rëndë pak çaste para se ai të binte nga ura.

Në pamjet e siguruara nga Euronews, betoniereja shihet duke lëvizur me shpejtësi të lartë, teksa përplaset nga pas me automjetin, duke e shkatërruar atë. Më pas, mjeti i tonazhit të rëndë çan barrierat metalike mbrojtëse të urës dhe përfundon në aksin rrugor poshtë saj, me pasoja fatale.

The post VIDEO/ Momenti i aksidentit tragjik në Unazën e Madhe, betoniereja përplas makinën dhe bie nga ura appeared first on Euronews Albania.

Pas kërcënimit të Trump, Irani: Askush nuk do të shesë naftë nëse Teherani nuk mundet

22 July 2026 at 20:42

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe kryenegociatori Mohammad Bagher Qalibaf tha të mërkurën se situata në Ngushticën e Hormuzit nuk do të kthehej në gjendjen e para luftës, duke paralajmëruar se asnjë vend në rajon nuk do të ishte në gjendje të shiste naftë nëse Iranit i ndalohej ta bënte këtë.

Në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X, Qalibaf tha se konflikti ishte bërë një ekuacion “gjithçka ose asgjë”.

«Në një rajon ku nuk mund të shesim naftë, askush nuk do të shesë naftë», paralajmëroi ai.

Qalibaf paralajmëroi gjithashtu se nëse siguria e Iranit nuk garantohet, “asnjë infrastrukturë nuk do të mbetet e sigurt”.

Ai argumentoi më tej se siguria në Ngushticën e Hormuzit varet nga mungesa e forcave amerikane, duke shtuar se Irani kishte deklaruar vazhdimisht se kushtet në rrugën ujore strategjike nuk do të ktheheshin në ato që ekzistonin para luftës.

Komentet erdhën disa orë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të bombardonte një urë ose termocentral iranian sa herë që Teherani sulmonte një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

The post Pas kërcënimit të Trump, Irani: Askush nuk do të shesë naftë nëse Teherani nuk mundet appeared first on Euronews Albania.

Dita e 53-të e protestës, qytetarët ndalen në Kryeministri për të marshuar në rrugët e Tiranës

22 July 2026 at 20:19

Protesta qytetare dhe e aktivistëve në Tiranë shënon sot ditën e 53-të të saj. Si çdo ditë, protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku më pas kanë vijuar marshimin e tyre përpara Kryeministrisë, aty ku po mbajnë edhe fjalimet e tyre kundër politikave aktuale.

Me thirrjen “Revolucion”, protestuesit kërkojnë ndryshime në skenën politike, duke bërë thirrje për rrëzimin e klasës politike dhe anulimin e ligjit 21/2024.

Tubimi vijon të zhvillohet prej 53 ditësh radhazi, ndërsa pjesëmarrësit shprehen se do të vazhdojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

The post Dita e 53-të e protestës, qytetarët ndalen në Kryeministri për të marshuar në rrugët e Tiranës appeared first on Euronews Albania.

Mbi 3 mijë persona evakuohen nga zjarret që përfshinë Kanadanë

22 July 2026 at 20:14

Më shumë se 3,000 persona janë evakuuar nga mbi 12 komunitete në veriperëndim të Ontarios, ndërsa Kanadaja po përballet me një nga sezonet më intensive të zjarreve në historinë e saj.

Sipas një deklarate të Zyrës së Kryeministrit Mark Carney, qeveria federale ka zhvilluar një mbledhje të Grupit të Reagimit ndaj Incidenteve për të shqyrtuar situatën e krijuar nga qindra zjarre aktive që po digjen në mbarë vendin, të nxitura nga valët ekstreme të të nxehtit dhe kushtet rekord të thatësirës.

Autoritetet federale po bashkëpunojnë me Qeverinë e Ontarios dhe drejtuesit e Kombeve të Para për të koordinuar operacionet e evakuimit, përfshirë mbështetjen ndaj kërkesës së Ontarios për ndihmë federale në transportin ajror të banorëve.

Në operacionet e reagimit janë angazhuar rreth 300 mjete ajrore, përfshirë avionë bombardues uji, helikopterë dhe avionë zbulimi e evakuimi. Ndërkohë, Forcat e Armatosura Kanadeze kanë dislokuar katër avionë transportues CC-130 Hercules për të mbështetur 13 fluturime evakuimi nga komuniteti Eabametoong (Fort Hope), në veriperëndim të Ontarios.

Zjarrfikësit po përdorin teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, analiza parashikuese, dronë, imazhe radarësh me rezolucion të lartë dhe kamera termike, për të përmirësuar zbulimin dhe menaxhimin e zjarreve në kohë reale.

The post Mbi 3 mijë persona evakuohen nga zjarret që përfshinë Kanadanë appeared first on Euronews Albania.

Presidenti i Nikaraguas: Nuk do të ketë më zgjedhje në vend

By: Besnik
22 July 2026 at 20:11

Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka deklaruar se vendi nuk do të mbajë më zgjedhje, duke sinjalizuar një tjetër hap drejt konsolidimit të pushtetit të tij.

Ortega, 80 vjeç, është në pushtet që nga viti 2007 dhe e drejton vendin së bashku me bashkëshorten e tij, Rosario Murillo. Ai kishte mbajtur më parë edhe një mandat presidencial gjatë viteve 1980, ndërsa mandati aktual, i zgjatur disa herë, pritej të përfundonte vitin e ardhshëm.

Kombet e Bashkuara e kanë akuzuar çiftin se po e shndërrojnë Nikaraguanë në një “shtet autoritar”, duke vlerësuar se pothuajse të gjitha institucionet kryesore, përfshirë ushtrinë dhe sistemin gjyqësor, janë nën kontrollin e tyre.

Ortega ka zgjatur mandatin presidencial në gjashtë vjet, ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 u shoqëruan me arrestimin e kundërshtarëve politikë dhe sipërmarrësve, si edhe me kriminalizimin e mospajtimit. Grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se edhe zgjedhjet e viteve 2011 dhe 2016 u zhvilluan pa një opozitë reale, pasi partitë kundërshtare u shtypën.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Ortegën një diktator dhe kanë vendosur sanksione ndaj mijëra zyrtarëve të administratës së tij.

Deklaratën e tij Ortega e bëri gjatë ceremonive për përkujtimin e Revolucionit Sandinist të vitit 1979, në të cilin ai mori pjesë në rrëzimin e diktaturës së Anastasio Somozës.

“Nuk do të ketë më zgjedhje këtu që ata të përpiqen të marrin qeverinë dhe pushtetin. Ditët kur partitë e mbështetura nga amerikanët dhe somozistët do të ktheheshin në pushtet kanë mbaruar, kurrë më”, deklaroi Ortega.

Ky ishte edhe dalja e tij e parë publike pas dy muajsh.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës, Felix Maradiaga, i cili u burgos në Nikaragua nga viti 2021 deri në vitin 2023 dhe më pas u dëbua në Shtetet e Bashkuara, e cilësoi deklaratën e presidentit si “një rrëfim frike”. Ai tha për Reuters se Ortega po përpiqet të shmangë rrezikun e një humbjeje zgjedhore, pasi, sipas tij, “e di që populli e refuzon”.

Në vitin 2018, qeveria e Ortegës reagoi me forcë ndaj protestave masive antiqeveritare, ku, sipas të dhënave ndërkombëtare, humbën jetën mbi 300 persona.

The post Presidenti i Nikaraguas: Nuk do të ketë më zgjedhje në vend appeared first on Euronews Albania.

Shtrëngatat rikthehen të premten, Anira Gjoni: Përplasja e masave të ajrit shkaktoi stuhitë në rajon

By: Besnik
22 July 2026 at 19:39

Specialistja e gjeoshkencës, Anira Gjoni, e ftuar në “Now” me Ilir Kazaferin, foli për reshjet dhe shtrëngatat që përfshinë rajonin gjatë ditës së djeshme, duke shpjeguar edhe shkaqet e këtij fenomeni atmosferik.

Sipas saj, stuhitë e papritura u shkaktuan nga përplasja e një mase të ftohtë ajri mbi rajon me masat e nxehta që vinin nga veriu i Saharasë.

“Kjo ndodhi për shkak të depërtimit të një mase të ftohtë mbi rajon, e cila në përballje me masën e nxehtë që vinte nga veriu i Saharasë, ashtu siç jemi mësuar të kemi zakonisht këtë periudhë, pasi aktivizohet anticikloni afrikan dhe vazhdimisht na vijnë masa të nxehta me origjinë nga veriu i Afrikës. Përgjatë këtyre ditëve, duke qenë se u përplasën këto dy masa, shkaktuan mbi rajonin tonë prezencën e stuhive dhe shtrëngatave, të cilat i kemi pasur prezente prej mbrëmjes së djeshme dhe do t’i kemi në vazhdim deri në fund të javës”, sqaroi Gjoni.

Më tej, specialistja bëri të ditur se gjatë ditës së enjte pritet një përmirësim afatshkurtër i motit, ndërsa të premten do të rikthehen sërish stuhitë dhe shtrëngatat në të gjithë vendin.

“Duket se ka një përmirësim afatshkurtër sa i takon ditës së enjte, por për vendin tonë do të rikthehen sërish stuhitë dhe shtrëngatat përgjatë ditës së premte, të cilat do të nisin në veri të vendit dhe do të vijojnë në qendër dhe drejt juglindjes. Aktivitetin më të madh pritet ta kenë Tirana, Elbasani, Librazhdi dhe juglindja. Pritet të kemi reshje në formën e shtrëngatave lokale dhe do të prekin pothuajse të gjitha qarqet”, shtoi ajo.

Megjithatë, Gjoni theksoi se ulja e temperaturave nuk do të jetë drastike dhe se kushtet atmosferike do të mbeten të favorshme për pushuesit.

“Nuk pritet të ketë një ndryshim drastik. Do të ketë një freskim të tyre, sigurisht që është një ulje e konsiderueshme, por mbetemi në muajin korrik dhe temperaturat janë të favorshme për të vazhduar plazhin”, u shpreh specialistja.

The post Shtrëngatat rikthehen të premten, Anira Gjoni: Përplasja e masave të ajrit shkaktoi stuhitë në rajon appeared first on Euronews Albania.

Aksidenti tek Unaza e Madhe, ndërron jetë edhe i plagosuri tjetër

22 July 2026 at 19:18

Ka humbur jetën shtetasi tjetër egjiptian i cili ndodhej në të njëjtin mjet me viktimën tjetër.

Viktima e dytë ishte transportuar në spital për mjekim më të specializuar por nuk ia ka dalë dot mbanë.

Ndërkohë, nga ky aksident ka mbetur i plagosur një 28-vjeçar shqiptar, drejtuesi i mjetit “Foristrade” që u përfshi në aksident.

Ngjarja ndodhi teksa kamioni i tonazhit të rëndë është përplasur me një automjet tip fuoristradë, e cila është shkatërruar plotësisht nga përplasja.

Pas aksidentit, mjeti i tonazhit të rëndë ka thyer barrierat mbrojtëse të urës dhe ka përfunduar duke rënë poshtë, në rrugën tjetër, ku edhe ai ka pësuar dëmtime të shumta.

The post Aksidenti tek Unaza e Madhe, ndërron jetë edhe i plagosuri tjetër appeared first on Euronews Albania.

Teherani akuzon SHBA-në: Po përdorin çështjen bërthamore si pretekst për të na shkatërruar

22 July 2026 at 19:12

Irani akuzoi Shtetet e Bashkuara të mërkurën se po përdorin programin e tyre bërthamor si pretekst për të shkaktuar shkatërrim në vend, duke thënë se sulmet dhe kërcënimet e përsëritura të Uashingtonit kundër objekteve bërthamore iraniane pasqyrojnë armiqësi ndaj përparimit shkencor dhe teknologjik të vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, tha se sulmet dhe kërcënimet e përsëritura të SHBA-së kundër objekteve bërthamore të Iranit shkelin Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Konferencës së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sulmet “zbulojnë armiqësinë e thellë të Shteteve të Bashkuara ndaj përparimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik të Iranit”, shtoi ai në lidhje me kompaninë amerikane të mediave sociale X.

Zëdhënësi tha se aktivitetet bërthamore të Iranit janë deklaruar plotësisht në IAEA në përputhje me detyrimet e saj të mbrojtjes.

Baqaei i hodhi poshtë pretendimet e SHBA-së mbi ekzistencën e një kompleksi të fshehtë bërthamor në Kolang Kouh, i njohur edhe si Mali Pickaxe, si “një pretekst të sajuar për agresion, shkatërrim dhe sabotim”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se SHBA-të do të sulmojnë zonën e Malit Pickaxe pranë impiantit të pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit qendror “shumë shpejt”.

“Populli iranian qëndron i vendosur dhe i bashkuar, i gatshëm të përballet me forcë të plotë çdo akt armiqësor të SHBA-së ose shkelje të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të vendit të tyre”, tha Baqaei.

The post Teherani akuzon SHBA-në: Po përdorin çështjen bërthamore si pretekst për të na shkatërruar appeared first on Euronews Albania.

❌
❌