Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës i është drejtuar me kërkesë zyrtare Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, duke kërkuar sqarime për afatet e ekzekutimit të pagesës prej 100 eurosh, të paraparë në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Në kërkesën e datës 10 qershor 2026, të nënshkruar nga kryetari i FSPTSPK-së, Jusuf Azemi, thuhet se pas miratimit të kësaj pakoje nga Qeveria e Kosovës, punëtorët teknikë janë duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa nga anëtarësia lidhur me kohën e realizimit të pagesës.
“Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pas miratimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarim nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të pagesës prej 100 eurove të parapara me këtë pako”, thuhet në kërkesë.
Për këtë arsye, FSPTSPK ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të japin sqarime zyrtare se kur pritet të bëhet shpërndarja e kësaj mbështetjeje financiare për përfituesit.
Kërkesa i është adresuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve. /Telegrafi/
Debati për Gazin e Lëngshëm Amerikan është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Berat Rukiqi thekson se gazi amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare dhe pozicionimit gjeopolitik të Kosovës në dekadat e ardhshme.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Historia me Gazin e Lëngshëm Amerikan ka filluar në Administratën e parë Trump, si pjesë e një politike gjeopolitike me dy shtylla:
Largim nga teknologjitë 5G kineze;
Largim nga burimet e energjisë ruse dhe proxy-t e saj.
Në rajon, qëllimi ka qenë shfrytëzimi i Greqisë, në kuadër të një etape të re të marrëdhënieve me Amerikën, dhe prej aty të shtrihej infrastruktura e nevojshme për furnizime me LNG për vendet e cenuara nga ndikimi rus: Maqedonia e Veriut, Rumania, Bullgaria, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
Fillimisht, çështja e LNG-së u përfshi në Marrëveshjen e Washingtonit, e më pas në disa vizita të kompanive amerikane, EXIM Bankës dhe Korporatës Financiare Zhvillimore Amerikane në rajon, përfshirë edhe Kosovën.
Kjo u është thënë qartë kompanive nga Kosova dhe secilës qeveri: çdo bashkëpunim strategjik me Amerikën nënkupton largim nga ndikimi rus në energji dhe nga teknologjitë kineze 5G.
Në vizitën time, atëherë si Kryetar i Odës Ekonomike, në selinë e DFC-së dhe në takimet me zyrtarët e EXIM Bankës në tetor 2020, na është bërë e qartë se Administrata Trump I do të bënte çmos që Kosovës t’ia financonte edhe gazifikimin për nevoja të industrisë dhe ngrohjes, edhe infrastrukturën për t’u lidhur me portin e Alexandroupolis.
Madje, për t’i dhënë Kosovës përparësi strategjike, furnizimi potencial i Serbisë me LNG do të kalonte përmes Kosovës. Në të njëjtën pako ishte edhe njohja nga Greqia.
Në vazhdën e kësaj politike gjeostrategjike amerikane në rajon, në kuadër të programit Compact të MCC-së, pas të gjitha studimeve, ishte planifikuar dhe dakorduar përkrahja amerikane prej 200 milionë eurosh për infrastrukturën e LNG-së, përfshirë edhe centralin me Gaz Amerikan.
Me ardhjen e Qeverisë Kurti në vitin 2021, pa ndonjë arsye të fortë ekonomike dhe pa u mbështetur në ndonjë fizibilitet serioz, Qeveria e refuzoi Gazin Amerikan, për t’i investuar 200 milionë euro në bateri.
Fast forward: tani, me Administratën e re Trump, kjo çështje është riaktualizuar.
Prapë e gjithë Evropa Lindore dhe Qendrore janë në garë për LNG, për t’u larguar nga ndikimi rus. Dhe prapë, të vetmit refuzues jemi ne. E tha me gojën e vet Kryeministri në detyrë.
Pse?
Nuk ka asnjë analizë ekonomike e as teknike për t’i thënë JO. Tek e fundit, siguria kombëtare nuk kërkon shumë numra. Gazi Amerikan është shtyllë e sigurisë kombëtare të Kosovës për dekadat në vijim.
Çka nëse e pranon Serbia, e ne mbetemi vrima e zezë e rajonit - të vetmit jashtë kësaj ombrelle të rëndësishme strategjike?
Në çdo rrethanë, çdo koalicion qeverisës dhe çdo program qeverisës duhet të kushtëzohet me projektin e centralit me Gaz të Lëngshëm Amerikan. /Telegrafi/
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në qytetin e Gjirokastrës.
Sipas raportimeve paraprake, një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur në një pishinë, raporton euronews.al.
Mësohet se i mituri është A.P., 15 vjeç, i cili ishte hedhur për t’u larë dhe më pas ka ndërruar jetë. Pas ngjarjes së rëndë, janë shoqëruar në polici disa persona.
Ndërkohë, policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.
KQZ njofton se qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
“Deri më tani (10 qershor 2026, ora 10:00) nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërkaq janë refuzuar 142.
Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, thuhet në njoftim.
Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën 16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar.
Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
KQZ njofton tutje se gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.
Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellë në Kosovë. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton deri më tani procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 13 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 1,379 nga 2,498 vendvotime apo 55.20%.
Qendrat Komunale të Numërimit të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: (e hënë, 8 qershor, 24:00) Junik (6/6); Shtërpcë (17/17); Hani i Elezit (11/11); Partesh (7/7); Mamushë (5/5), (e martë, 9 qershor, 24:00) Zubin Potok (15); Zveçan (11); Kllokot (8); Novobërdë (23/23); Obiliq (34/34); Shtime (33/33); Ranillug (10/10); dhe Mitrovicë e Veriut (21/21).
Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 25 QKN-të tjera: Leposaviq (19/25), Graçanicë (27/33), Kaçanik (34/44), Kamenicë (43/46), Deçan (39/48), Dragash (42/57), Istog (42/60), Fushë Kosovë (31/62), Klinë (44/62), Viti (49/62), Skenderaj (41/71), Malishevë (39/72), Drenas (44/73), Rahovec (54/75), Lipjan (49/83), Suharekë (43/86), Vushtrri (38/89), Mitrovicë e Jugut (60/100), Podujevë (58/103), Gjilan (48/127), Pejë (62/135), Gjakovë (59/144), Ferizaj (76/146), Prizren (77/232), Prishtinë (60/262)
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
"Deri më tani (10 qershor 2026, ora 10:00) nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërkaq janë refuzuar 142. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ", thuhet në njoftim.
Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar.
Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
KQZ njofton tutje se gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.
Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellë në Kosovë.
Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues. /Telegrafi/
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) po realizohen me shumë sukses intervenimet kirurgjike te veshit ku shumë pacientëve i’u është rikthyer dëgjimi.
Një nga rastet e suksesshme është ai i pacientes R.H. (1981), e cila për 18 vjet ishte përballur me humbje të rëndë të dëgjimit dhe vështirësi të mëdha në komunikim.
“Pacientja kishte kërkuar trajtim në qendra të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, pa arritur përmirësimin e dëshiruar. Pas vlerësimeve të detajuara klinike, ekzaminimeve diagnostike dhe analizës multidisiplinare të rastit, ajo iu nënshtrua me sukses ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Otorinolaringologjisë”, thuhet në njoftim.
Operacioni u realizua nga ekipi mjekësor i Klinikës së ORL-së, nën udhëheqjen e doktor Refki Krasniqi, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve të udhëhequr nga doktor Arian Ademi.
Pas trajtimit dhe qëndrimit disa ditor në Klinikën e ORL-së, pacientja u lirua në gjendje të mirë shëndetësore.
“Testet e dëgjimit të realizuara pas operacionit treguan përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe të aftësisë së komunikimit.
Ky rast paraqet një rezultat të rëndësishëm të punës profesionale të ekipit të Klinikës së Otorinolaringologjisë dhe dëshmon për kapacitetet profesionale të QKUK-së në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të dëgjimit, duke zbatuar metoda bashkëkohore të mjekësisë”, thuhet tutje. /Telegrafi/
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu udhëton në Sofje për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)
Samiti mbledh udhëheqësit e vendeve të Evropës Juglindore për të diskutuar për bashkëpunimin rajonal, sigurinë, lidhshmërinë, integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Në këtë samit, U.D. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për bashkëpunim rajonal të barabartë, trajtim të drejtë në procesin e integrimit evropian, si dhe forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon. /Telegrafi/
Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash më të theksuara përgjatë relieveve malore të vendit.
Në orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, hera-herës reshje në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/s.
Deti – Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-2 ballë.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
IHK njofton se gjatë pjesës së dytë të ditës, vranësirat do të dendësohen dhe vende-vende do të krijojnë kushte për reshje shiu me karakter lokal, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të breshrit.
Temperaturat minimale: 13 deri në 17 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 26 deri në 29 gradë.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–11 m/s. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar në stacionin policor katër persona për shkak se kanë kaluar kufirin ilegalisht.
Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
“Fsh. Prapashticë, Prishtinë, 08.06.2026 – 17:00. Janë shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuari meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia për në Kosovë”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pas një kontrolli të detajuar të një veture në dalje të Kosovës, saktësisht në Bërnjak ka zbuluar një shumë prej mbi 30 mijë eurove te personat, të cilët nuk i kishin raportuar.
Dogana bën të ditur se vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara është 30,328 euro.
“Gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në dalje të territorit të Kosovës, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë selektuar për kontroll të vijës së dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj.
Gjatë intervistimit fillestar, personat e ndaluar janë pyetur nëse posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim, me ç’rast kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Pas kësaj, është kryer një kontroll i detajuar i automjetit, përfshirë hapësirën e brendshme, bagazhin dhe një çantë personale krahu që përdorej për ruajtjen e dokumenteve, mjeteve monetare dhe sendeve të tjera personale”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara.
Dogana njofton se pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.
Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: 25,515 euro (EUR) dhe 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro.
“Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komnunikatë.
Dogana tutje sqaron se në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra.
“Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në pesë Qendra Komunale të Numërimit.
Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: Junik (6/6); Shtërpcë (17/17); Hani i Elezit (11/11); Partesh (7/7); Mamushë (5/5).
“Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit nga 10 vendvotime, mirëpo rezultatet e numëruara nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave të QKN-së për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit.
Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve.
Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është: 486 nga 2,498 vendvotime apo 19.46%.
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e cila aktualisht është në mesin e më të votuarve në LDK në zgjedhjet e 7 qershorit theksoi se mosdalja në votime e qytetarëve është mesazh për secilin politikan.
Bajrami në një postim në Facebook shkruan se rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim të thellë.
“Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”, shkruan ajo.
Lexoni të plotë postimin e Bajramit:
Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare!
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerëzve tanë në struktura që punuan ditë e natë.
Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!
Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje.
Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit.
Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje.
Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet.
Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një shishe me narkotikë është gjetur në një rrugë në Prizren.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Tahir Gashi” në Prizren, të hënën në ora 22:25.
“Nga një dëshmitar është raportuar se në tokë ka vërejtur një shishe në të cilën dyshohet të ketë substancë narkotike dhe një kamerë”, thuhet në raport.
Njësiti policor ka konfiskuar shishen plastike brenda me substancë narkotike marihuanë me peshë 23.5 gramë dhe kamerën. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur dy raste të sulmit ndaj personit zyrtar, policëve.
Rastet e sulmit kanë ndodhur të hënën, në Deçan dhe Klinë, gjersa policët kanë marr edhe tretman mjekësor.
“Deçan, 08.06.2026—16:09. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar dy zyrtarët policorë meshkuj kosovarë, në shenjë revolte për shqiptimin e tiketës për kundërvajtje”, thuhet në raport.
Gjatë arrestimit është përdorë sprej ndaj të dyshuarit.
Zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër ka ndodhur në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë të hënën, në ora 23:13.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë. Gjatë ballafaqimit dhe arrestimit, zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë zjarri pistoletë me një karikator me nëntë fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Shqipëria të martën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash më të theksuara përgjatë relieveve malore të vendit.
Në orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, hera-herës reshje në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/s.
Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/