Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayTelegrafi

Zvicra dhe Kosova forcojnë partneritetin: Cilat janë fushat kryesore të mbështetjes në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026-2029

30 April 2026 at 13:35


Gjatë 27 viteve të fundit, Zvicra dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet të bazuar në besim, vlera të përbashkëta dhe rezultate të prekshme. Gjatë kësaj jave, ky bashkëpunim ka hyrë në një fazë të re, duke u orientuar drejt një partneriteti më strategjik dhe të ndërsjellë mes dy vendeve.

Programi i ri i Bashkëpunimit Zviceran për Kosovën 2026-2029 pasqyron më së miri këtë transformim, duke vazhduar mbështetjen për zhvillimin e Kosovës, fuqizimin e institucioneve dhe qytetarëve përmes adresimit të sfidave të reja në një kontekst që po ndryshon me shpejtësi.

Një partneritet i ndërtuar mbi rezultate

Programi i ri i lansuar këtë javë ndërtohet mbi një bazë të fortë veçanërisht të krijuar gjatë katër viteve të fundit. Në krejt Kosovën, iniciativat e mbështetura nga Zvicra kanë përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve në mënyrë të dukshme dhe domethënëse.

Qeverisja lokale është forcuar me mbi 700,000 qytetarë që kanë përfituar nga infrastruktura dhe shërbimet më të mira komunale. Zhvillimi ekonomik është mbështetur përmes krijimit të vendeve të punës, ku mbi 10,000 persona kanë siguruar punësim të ri ose më të mirë, përfshirë gra dhe pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë.

Përmes programit të paqes, Zvicra ka mbështetur të drejtat e njeriut, përballjen me të kaluarën dhe procesin e normalizimit me Serbinë, duke nxitur besimin dhe dialogun.

Në të njëjtën kohë, investimet në shëndetësi kanë ndihmuar në orientimin e sistemit drejt parandalimit, duke mbështetur mbi 140,000 persona në menaxhimin e sëmundjeve kronike. Iniciativat në mjedis dhe ujë kanë përmirësuar qëndrueshmërinë dhe menaxhimin e burimeve ujore, ndërsa mbështetja për shoqërinë civile dhe përfshirjen e saj ka zgjeruar mundësitë për grupet e cenueshme. Bashkëpunimi në fushën e migrimit është forcuar, duke përmirësuar sistemet dhe kapacitetet në përputhje me strategjitë kombëtare.

Këto rezultate jo vetëm që kanë forcuar institucionet e Kosovës, por edhe kanë rritur besimin, kanë përmirësuar shërbimet dhe kanë krijuar mundësi të reja në të gjithë vendin.

Me shikimin nga e ardhmja: Një program i harmonizuar strategjikisht për 2026-2029

Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e saj të zhvillimit, partneriteti zvicerano-kosovar avancon përmes një programi të harmonizuar ngushtë me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës, duke forcuar prioritetet e përbashkëta dhe objektivat afatgjata.

Programi i ri fokusohet në tre fusha kryesore:

Qeverisja Demokratike dhe Paqja do të mbështesë forcimin e institucioneve, përmirësimin e llogaridhënies dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare. Ai gjithashtu do të vazhdojë të promovojë dialogun, pajtimin dhe proceset gjithëpërfshirëse që kontribuojnë në stabilitetin afatgjatë.

Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm dhe Tranzicioni i Gjelbër synon ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin mbështetjen e bizneseve, nxitjen e inovacionit dhe investimin në zgjidhje të qëndrueshme mjedisore, si zhvillimi urban i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe menaxhimi më i mirë i ujit.

Zhvillimi i Barabartë Njerëzor vendos në qendër qytetarin, duke përmirësuar qasjen në shërbimet shëndetësore, duke forcuar aftësitë dhe mundësitë për punësim, si dhe duke promovuar përfshirjen, veçanërisht për gratë dhe komunitetet në nevojë.

Në të njëjtën kohë, partneriteti i vazhdueshëm në fushën e migrimit ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të vazhdojë të forcojë sistemet e menaxhimit të migrimit dhe bashkëpunimin në këtë fushë të rëndësishme.

Ajo që e karakterizon këtë fazë të re nuk është vetëm niveli i investimit prej 70 milionë eurove gjatë katër viteve të ardhshme, por edhe natyra e këtij partneriteti të veçantë.

Zvicra dhe Kosova po avancojnë drejt një partneriteti më të balancuar dhe të vazhdueshëm, një partneritet i harmonizuar me prioritetet shtetërore të Kosovës, i udhëhequr nga institucionet e saj dhe i mbështetur nga Zvicra për të siguruar një ndikimmë afatgjatë.

Ndërsa Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt zhvillimit, Zvicra mbetet një partner i përkushtuar, duke qëndruar pranë institucioneve, komuniteteve dhe qytetarëve në ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe më prosperuese.

Për më shumë informacione mbi programin e bashkëpunimit, vizitoni:
https://www.eda.admin.ch/countries/kosovo/en/home/international-cooperation/strategy.html

Për Ademin, Indritin, Skerdin …

16 March 2026 at 08:09


Old Bailey, gjykata më e rëndësishme për krimet e rënda në Londër, në ndryshim nga misioni sublim, mban strukur aty brenda edhe dëshminë e gabimeve të drejtësisë. Në vitin 1750, nga bodrumet ngjitur me ndërtesën ku mbaheshin në mizerie higjiene të burgosurit, u ngjit deri në gjykatë një virus vdekjeprurës. Vetëm kur tifoja e lindur në këtë inkubator çnjerëzor shkaktoi vdekjen e gjyqtarëve disa kate më sipër, u kujtuan se në themelet e saj, të burgosurit vriteshin pa gjyq. Mu aty në sheshin përpara, mbreti Henri i VIII urdhëroi “vdekje me përvëlim” për Roose-n, kuzhinierin personal të peshkopit Fisher, sepse kishte helmuar darkën e të ftuarve të këtij të fundit, për inat të tij. Vdekja makabre ekzekutuar në një tenxhere gjigande mbi turrën e druve u urdhërua me një akt antiligjor. Por, ajo garantoi paranojën e Henrit për mospërsëritjen e shembullit, duke u dhënë një mësim kuzhinierëve në mbarë Mbretërinë, njëkohësisht. Kështu, ligji jo gjithmonë përligj drejtësinë, ndërkohë që drejtësia duhet të jetë ati dhe biri i ligjit.

E megjithatë, jo të gjithë kanë një model të së drejtës, e përsa e tillë, ajo mbetet mjeti më subjektiv për të ndarë të mirën nga e keqja. Vatikani ndaloi “Dialogu-n” dhe dënoi Galilein me burg, duke e detyruar astronomin e madh, për tri vjet rresht të recitonte psalmet e pendimit, një herë në javë. Idetë e tij Kopernikiane e heliocentriste, kundërshtonin dogmën fetare, por e drejta e fesë për të kundërshtuar shkencën kishte mësuar edhe më keq, djegien për së gjalli. Julius dhe Ethel Rozemberg vdiqën në karrige elektrike, duke pranuar heshtjen si idealin më të lartë të besnikërisë ndaj një burri, si Josif Stalini. Morali i së drejtës dhe ligji për ta mbërritur atë janë dy binarë që duhet të konvergjojnë, por kjo nuk ndodh rëndom. Modelet e gjyqeve të gabuara, edhe pse nisur nga kontekste të ndryshme, në thelb kanë treguar të njëjtën gjë: historia mëson se, njeriu nga historia nuk mëson asgjë.

Gjyq politik, apo qokë diplomatike?

Rasti i krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës do ta ketë të gjatë jehonën e debatit, në shumë auditorë universitetesh apo përplasje akademikësh. Thagma sui generis, do të jetë kazusi më i pazakontë në të drejtën ndërkombëtare penale, se si një popull i vogël i dhunuar me shekuj nga serbët, fiton një luftë çlirimtare me ndihmën e të huajve dhe po këta të huaj pas luftës i diktojnë të bëjnë një gjyq, me anë të së cilit të njollosin kauzën e përbashkët. Një narrativë e shkurtër është preludi i një prej paradokseve më të çuditshme që ligji material dhe procedural kanë njohur. Dick Marty bën një raport mbi të cilin Këshilli i Europës ngre një njësi hetimore, e cila pasi bën hetime, thotë se në Kosovë ka terren për të ngritur akuza, për krime kundra njerëzimit.

Sipas raportit, këto krime i kanë kryer anëtarë të ushtrisë jo të akuzuarit e sotshëm, të cilët janë pas hekurave për përgjegjësi komanduese. Europës për këtë i duhet një tribunal me juridiksion për krime të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare. Po si t’ia bëj? Kosova hesht, është e vogël dhe e pafuqishme. E sapodalë nga lufta, ajo nuk ka gjykata të veta të shqyrtojnë çështje të tilla, e për më tepër kundra luftës së saj të shenjtë. Por, diplomacia përdor shkopin dhe karotën: marrëveshja e stabilizim-asociimit është në tryezë, mos nënshkrimi është një tren që humb të ardhmen, e ndërkohë ndërgjegjja nuk e cek krimin për të cilin akuzohet. Shkopi? Ndryshimi i Kushtetutës kosovare për të hapur një gjykatë posaçërisht për këto krime.

Dhe, kështu u bë, gjykata e krijuar nga Parlamenti kosovar me gjyqtarë kushërinjtë e atyre që kishin për detyrë të ndalonin masakrën e Sebrenicës, u vendos në Hagë, një rastësi kjo shumë e parastësishme. Në Hagë, historia ka parë të krijohen gjykata ndërkombëtare, si fjala vjen ajo ICTY e krijuar nga OKB-ja dhe në bankën e të akuzuarve të vendosë kriminelët Millosheviq dhe Karaxhiq, për krime kundra njerëzimit, duke nisur nga Kroacia e duke shkuar deri në Kosovë. Sa për shembull, nja tetë mijë myslimanë boshnjakë, të therur. Në unison, tribunali ndërkombëtar i kishte akuzuar këta kriminelë, bazuar mbi mijëra dëshmi krimesh monstruoze, dhe çuditërisht proceset nuk kishin nisur mbi raporte komisionerësh. Gjykata Speciale është pjesë e juridiksionit të Kosovës, por trajton një çështje të së drejtës ndërkombëtare për krime kundra njerëzimit, sepse ligji që i diktuan, me ndryshime kushtetuese qeverisë kosovare, tashmë i dha kompetencë. Me fjalë të tjera, ndërkombëtarët i thanë Kosovës: urdhëro krimet që do akuzosh vetveten, hap gjykatën që lejon juridiksionin e krimeve ndërkombëtare që të dënosh vetveten, urdhëro edhe gjyqtarët po t’i japim ne, por gjykata do quhet e Kosovës. E thënë akoma më shqip, demek dënimin e krerëve të UÇK-së e do vetë Kosova, por kjo do të bëhet për hatër të Dick-ut, dhe me duart e ndërkombëtarëve, në emër të Kosovës.

E gjitha kjo akrobaci procedurale, duke detyruar Kosovën që të krijojë një gjykatë kombëtare për t’u marrë nderin ndërkombëtarisht liderëve të UÇK-së është njollosje indirekte, e gjithë kauzës për liri dhe e asaj pjese të ndërkombëtarëve, që me të drejtë për herë të parë në histori, u vunë në krah të kombit shqiptar. Dhe, e tëra kjo, e bërë me duart e vetë Kosovës, mbajtur peng për të shlyer haraçin e pavarësisë së merituar. Haga nuk është një rastësi, por edhe nëse do të ishte e tillë, për këdo që sheh një tribunal ndërkombëtar dhe që nuk di të vërtetën e kulisave juridikë, vendos në të njëjtin moral, liderët kriminelë të luftërave ekspansioniste, me liderët e një lufte mbrojtëse dhe çlirimtare, kur kriminelët i kishin bujtur në derë.

Për Ademin, Indritin dhe Skerdin

Në Prekaz dielli ka rënë mbi varret e Jasharajve, në Kosovë prehen djemtë e tjerë. Indriti, që la Londrën për kombin, iu kthye Shqipërisë hero, Skerdi prehet në Tiranën e tij. Shpirtrat e të rënëve në Kosovë kërkojnë drejtësi për Ademin, Indritin, Skerdin, Ilirin e mijëra bijë dhe bija nënash, që u vranë për të qenë zot të shtëpisë së tyre. Kushdo që ka kryer krime kundra njerëzimit, duhet dënuar, por ajo çfarë nuk duhet ngatërruar në të gjithë këtë histori është ideali dhe lufta e drejtë e Kosovës kundrejt mostrës Ballkanike me emrin Serbi. Duke bërë kështu, në mënyrë indirekte njolloset morali i UÇK-së dhe në mënyrë direkte në memorien e opinionit mbarë botëror, shtrembërimi i historisë zë dhe ulet shtruar.

Arsyetimi, kinse për mosintimidimin e dëshmitarëve dhe përdorimi i gjyqtarëve të huaj, është rezymeja më evidente e ndikimit kryekëput të një procesi politik, anormal, sa i rëndë aq edhe atipik, krahasuar me tribunalët e tjerë ndërkombëtarë për raste analoge akuzash. Por, nënteksti politik vjen natyrshëm në këtë katrahurë procedurale, ndoshta duke mbajtur nën mëngë, një qokë diplomatike. Këtu spekulimi merr krahë, sepse Serbia duhet mbajtur e urtë. Ti Kosovë ke shekuj që nënshtrohesh, ti mban. Serbia ka pak vite që ka reshtur gjakun, ajo duhet heshtur. Ty Kosovë pavarësinë ta kemi dhënë me çapa, prano situatën e momentit të lypësh qëndresën, përndryshe, një traktat larg je, nga goja e shkjaut.

Familja Jashari kërkon drejtësinë e sakrifikuar të fëmijëve të pafajshëm, e bombarduar për tridhjetë e gjashtë orë, vdekur aty brenda. Eshtrat e Skerdit dhe të Indritit nuk gjejnë paqe, kanë të drejtë, u këputën në lule të jetës, dhanë rininë për kombin. Iliri pyet ku shkoi e drejta dhe a ka Kosova paqen e merituar. Gjyqi i nëmur, mund të përmbysë turpësisht moralin dhe të drejtën e një lufte çlirimtare. Ankthi i pritjes qëndron pezull, për të mosdëgjuar një sentencë që mund të ndërrojë kursin e historisë. Shkjau pret me dorën në këmbëz. E deri në atë çast, Ademi i paqetë do rri duke pritur edhe një herë tjetër klithmën, “Bac, u kry”!

Çdo analizë me kujdes, çdo rezultat me përgjegjësi - me vetëm me eLAB

16 October 2025 at 09:53


Në një kohë kur kujdesi shëndetësor po bëhet gjithnjë e më i personalizuar dhe i bazuar në teknologji, Laboratori eLAB qëndron si një ndër emrat më të besueshëm në diagnostikën mjekësore në Kosovë.

Me një përvojë prej më shumë se 20 vitesh në Turqi dhe me mbi një dekadë ekspertize në Kosovë, eLAB ka ndërtuar reputacionin e një institucioni që kombinon ekspertizën profesionale, teknologjinë moderne dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pacientit.

I themeluar në vitin 2002, Laboratori eLAB ka një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë biokiminë klinike, hematologjinë, mikrobiologjinë, imunologjinë dhe gjenetikën, poashtu ofrojnë analiza të specializuara që kryhen sipas standardeve ndërkombëtare dhe me pajisje bashkëkohore që garantojnë saktësi dhe efikasitet.

eLAB zbaton sistemin e menaxhimit të cilësisë në përputhje me standardin ISO 15189, duke siguruar që çdo analizë të jetë e besueshme dhe e verifikuar.

Kontrollet e rregullta të brendshme dhe të jashtme garantojnë rezultate të qëndrueshme, ndërsa profesionalizmi dhe transparenca kanë bërë që laboratori të fitojë besimin e pacientëve dhe institucioneve partnere në mbarë Kosovën.

Ekipi i mjekëve dhe teknologëve laboratorikë ofron shërbime të personalizuara për çdo pacient, duke siguruar rezultate të sakta, komunikim të qartë dhe qasje të lehtë nëpërmjet platformës digjitale elab-ks.com, ku mund të bëhen rezervime dhe të merren rezultatet online.

Gjithashtu, shërbimi mobil për marrje gjaku në shtëpi e bën kujdesin laboratorik të qasshëm për të gjithë.

Përkushtimi i vazhdueshëm ndaj cilësisë dhe zhvillimit profesional, laboratori synon të mbetet partneri më i besueshëm në çdo hap drejt shëndetit më të mirë.

Për më shumë kontaktoni:

Facebook: ELAB Kosova

Instagram: elabkosovo

Email: [email protected]

Tel: 044 777 330

Website: elab-ks.com

KRM “Ambienti” bën pastrimin e hapësirave publike në Istog pas raportimit në Ndreqe.com

3 February 2025 at 13:31

Përmes platformës Ndreqe.com, KRM “Ambienti” në Komunën e Istogut ka realizuar një aksion pastrimi në disa hapësira të ndotura me mbeturina, përfshirë edhe fshatra të ndryshme.

Pas raportimeve të qytetarëve në Ndreqe.com, punëtorët e kompanisë kanë ndërhyrë duke larguar mbeturinat dhe duke përmirësuar gjendjen e këtyre hapësirave.

Foto: Ndreqe.com

Zyrtarët e kompanisë kanë ndarë fotografi nga terreni me ekipin e Ndreqe.com, si dëshmi e suksesit të këtij aksioni.

Platforma Ndreqe.com falënderon institucionet për bashkëpunimin dhe fton qytetarët të vazhdojnë raportimin e problemeve në mënyrë që ndërhyrjet të jenë më të shpejta dhe efektive.

Ky bashkëpunim mes Ndreqe.com, institucioneve dhe qytetarëve tregon rëndësinë e raportimit aktiv për një mjedis më të pastër dhe të rregulluar. /Telegrafi/

The post KRM “Ambienti” bën pastrimin e hapësirave publike në Istog pas raportimit në Ndreqe.com appeared first on Telegrafi.

Ilir Ferati përkujton babain e tij, ish-kryetarin e Istogut

30 January 2025 at 23:05

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka përkujtuar ish-kryetarin e kësaj komune dhe njëherësh babain e tij, Fadil Feratin, në 15-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një postimi në Facebook, Ferati ka shprehur mirënjohjen për trashëgiminë e lënë nga babai i tij dhe rëndësinë e përkushtimit të tij për qytetin dhe qytetarët e Istogut.

“Peshën që ndjej në përmbushjen e rrugës që u nis dekada më parë nga babai im, i mirënjohuri për ju, Kryetari i përjetshëm i Istogut, Fadil Ferati, e lehtëson përkrahja juaj në ditën e sotme që shënon 15-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta,” ka shkruar Ferati.

Ai ka vlerësuar kontributin e babait të tij në ndërtimin dhe zhvillimin e komunës, si dhe përkushtimin e tij ndaj qytetarëve, duke theksuar se vizioni dhe puna e Fadil Feratit do të mbeten gjithmonë të gjalla në kujtesën e qytetarëve të Istogut. /Telegrafi/

The post Ilir Ferati përkujton babain e tij, ish-kryetarin e Istogut appeared first on Telegrafi.

KRU “Hidrodrini” prezanton të arriturat dhe investimet madhore për vitet 2023-2024

20 January 2025 at 11:35

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka publikuar raportin e saj për periudhën 2023-2024, duke përfshirë investime të rëndësishme në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas tyre në këtë periudhë është shënuar një rritje prej 20% në të ardhura nga inkasimi, pavarësisht eliminimit të pagesave cash.

Po ashtu, është realizuar një rritje kolektive e pagave për punëtorët prej 26.3%, për herë të parë pas më shumë se një dekade.

Një tjetër arritje madhore është akreditimi i laboratorit kimik dhe mikrobiologjik nga DAK, që garanton cilësinë e ujit.

Ndër investimet më të rëndësishme përmenden ndërrimi i gypave të asbestit në Pejë me një investim prej 4.5 milionë euro, ndërtimi i objektit të fundrruesit në Klinë me një vlerë prej 850 mijë euro dhe shtrirja e rrjetit të kanalizimit me 500 kilometra të reja në të gjithë zonën e mbulueshmërisë.

Kompania gjithashtu ka pajisur konsumatorët me 5 mijë ujëmatës të rinj për përmirësimin e kontrollit dhe raportimit të konsumit të ujit.

KRU “Hidrodrini” mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe fton qytetarët të përmbushin detyrimet e tyre financiare për të mundësuar vazhdimin e investimeve dhe garantimin e shërbimeve cilësore. /Telegrafi/

The post KRU “Hidrodrini” prezanton të arriturat dhe investimet madhore për vitet 2023-2024 appeared first on Telegrafi.

21 foshnja të lindura në një javë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës

13 January 2025 at 10:55

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se viti 2025 ka nisur me rezultate pozitive, duke raportuar se gjatë javës së kaluar janë sjellë në jetë 12 vajza dhe 9 djem.

Lindjet shënojnë një moment të veçantë për komunitetin dhe janë dëshmi e përkushtimit të ekipit të maternitetit të Spitalit për të ofruar kujdes maksimal për nënat dhe të porsalindurit.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Facebook-ut, Spitali ka ndarë detaje shtesë për shërbimet e tjera të ofruara gjatë javës.

Në këtë njoftim, përveç lindjeve, janë publikuar edhe të dhëna që pasqyrojnë angazhimin dhe cilësinë e kujdesit mjekësor, duke përfshirë 3,038 vizita te mjekët specialistë, 228 pranime të reja, mesatarisht 180 pacientë të shtrirë çdo ditë, 21,658 analiza laboratorike të realizuara për 2,134 pacientë, 53 operacione të suksesshme, së bashku me qindra shërbime imazherie, fiziatrike dhe seanca dialize.

Spitali, në njoftimin e tij, thekson përkushtimin që ka ekipi shëndetësor për ofrimin e shërbimeve ndaj pacientëve.

“Jam krenare për ekipin tonë dhe përkushtimin e tyre. Këto shifra nuk janë vetëm statistika, por reflektim i përkushtimit tonë për t’iu shërbyer pacientëve me cilësi dhe dashuri”, kanë shkruar ata.

Stafi i Spitalit Rajonal të Pejës vazhdon të punojë pa ndërprerje për të ofruar kujdes cilësor 24/7, duke u kujdesur për çdo pacient me përkushtim dhe profesionalizëm. /Telegrafi/

The post 21 foshnja të lindura në një javë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës appeared first on Telegrafi.

Rrugëtimi i Safete Gacaferit, përtej paragjykimeve deri te krijimi i Shoqatës “Jeta” në ndihmë të grave të Deçanit

4 January 2025 at 08:15

Shoqata “Jeta” në Deçan ka shërbyer për më shumë se 20 vite si një dritare shprese dhe përkrahjeje për gratë e kësaj komune.

E themeluar menjëherë pas luftës nga Safete Gacaferi dhe disa gra të tjera të përkushtuara, kjo organizatë ka qenë një shtyllë kryesore e përmirësimit të jetës së grave dhe krijimit të mundësive të reja për to.

Për Safete Gacaferin, udhëtimi me Shoqatën “Jeta” nuk ka qenë aspak i lehtë.

Ajo rrëfen se fillimi ishte i mbushur me sfida, por vizioni për të ndihmuar gratë dhe për të sjellë ndryshime pozitive i dha forcë për të vazhduar përpara.

“Shoqata ‘Jeta’ nuk e ka pasur një rrugëtim të lehtë, siç dihet në Komunën e Deçanit menjëherë pas luftës do të thotë i kemi filluar aktivitetet e kemi bo regjistrimin e organizatës me vullnetin e disa grave për të bërë ndryshime pozitive në anën e femrave, të grave të moshave të ndryshme”, ka thënë Gacaferi.

Në bashkëpunim me Ambasadën e Amerikës në Kosovë, Shoqata “Jeta” ka realizuar projekte të rëndësishme që ndihmojnë gratë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

 

“Shoqata ‘Jeta’ është në një projekt me ambasadën amerikane, është projekt shumë i mirë dhe jemi duke i ofruar trajnimet për menaxhimin e biznesit, kontabilitetit po ashtu jemi duke ofruar edhe trajnime për floktari, për rrobaqepësi”, ka shtuar ajo.

Pavarësisht sfidave dhe paragjykimeve, Gacaferi ka qenë një shembull i forcës dhe vendosmërisë për gratë e Deçanit.

Ajo inkurajon gratë të mos dorëzohen përballë paragjykimeve, por t’i shohin ato si motivim për të ecur përpara.

“Paragjykimet nuk mund të them se janë vetëm në Kosovë, paragjykimet janë çdo kund. Në momentin që paragjykohesh është motiv për me të shty për të punuar edhe më shumë. Në momentin që ke paragjykime unë e di që jam duke ecur në rrugë të drejtë edhe i pengon ndoshta dikujt, por unë punoj edhe më shumë”, ka vazhduar ajo.

Shoqata “Jeta” ka qenë një derë e hapur për gratë e Komunës së Deçanit, duke ofruar mbështetje emocionale, psikologjike dhe profesionale.

Kjo organizatë ka krijuar një mjedis ku gratë mund të ndajnë shqetësimet e tyre dhe të marrin ndihmën e nevojshme për të përballuar sfidat e jetës.

“Duhet të jem e sinqertë, nuk ka qenë aspak e lehtë në gjithë këtë rrugëtim, i cili ka qenë i vështirë. Por në momentin që e don punën dhe ke vullnet të mirë, mundesh me arrit çdo synim tëndin në jetë”, ka përfunduar Gacaferi.

Shoqata “Jeta” vazhdon të jetë një burim frymëzimi dhe mbështetjeje për gratë, duke kontribuar në fuqizimin e tyre dhe përmirësimin e jetës në Komunën e Deçanit. /Telegrafi/

The post Rrugëtimi i Safete Gacaferit, përtej paragjykimeve deri te krijimi i Shoqatës “Jeta” në ndihmë të grave të Deçanit appeared first on Telegrafi.

Një pjesë e Pejës feston pa energji elektrike natën e ndërrimit të motmoteve

31 December 2024 at 21:11

Një pjesë e madhe e qytetit të Pejës është pa energji elektrike gjatë natës së ndërrimeve të motmoteve, duke sjellë zemërim dhe zhgënjim tek qytetarët.

Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta, ku banorët ndanë përvojat e tyre dhe kritikuan gjendjen e vazhdueshme me mungesë të energjisë elektrike.

Ky problem nuk është i ri për Pejën. Qyteti tash e disa javë po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, duke sjellë vështirësi në përditshmëri për banorët.

Javën e kaluar, qytetarët organizuan një protestë para zyrave të KEDS-it, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për këtë situatë.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe presionit nga komuniteti, zgjidhja për këto probleme ende nuk është bërë e qartë, duke e lënë Pejën në pritje të një përgjigje konkrete për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike. /Telegrafi/

The post Një pjesë e Pejës feston pa energji elektrike natën e ndërrimit të motmoteve appeared first on Telegrafi.

Kryetari Elezaj: Klina përsëri ndër komunat më të mira, fiton Grantin për Performancën Komunale

31 December 2024 at 14:56

Komuna e Klinës vazhdon të dëshmojë performancë të lartë në qeverisje, duke u renditur sërish ndër komunat më të mira për vitin 2023.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se edhe këtë vit, Klina nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është përfituese e Grantit të Performancës Komunale.

Foto: Komuna e Klinës

“Me ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, nënshkruam Memorandum bashkëpunimi për Grantin e Performancës, për vitin 2023, ku komuna e Klinë, si rezultat i punës së mirë, ka përfituar grant në vlerë mbi 378 000 euro”, ka shkruar Elezaj.

Kryetari Elezaj falënderoi Ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe vlerësimin e drejtë të performancës komunale, duke theksuar se kjo arritje është dëshmi e një qeverisjeje të mirë, transparente dhe të llogaridhënëse.

Ai shtoi se fondet e fituara do të përdoren për realizimin e projekteve infrastrukturore në përputhje me kërkesat e qytetarëve, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve lokale. /Telegrafi/

The post Kryetari Elezaj: Klina përsëri ndër komunat më të mira, fiton Grantin për Performancën Komunale appeared first on Telegrafi.

Kryetari i Klinës Zenun Elezaj uron besimtarët katolikë për krishtlindje

25 December 2024 at 15:25

Me rastin e Krishtlindjes, në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë u mbajt mesha e shenjtë, ku ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive dhe qytetarë.

Kryetari Zenun Elezaj, përmes Facebook-ut, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë Krishtlindjet duke ndarë edhe fotografi nga mesha.

“Në Kishën Zoja e Këshillit të Mirë në Klinë u mbajt mesha e Krishtlindjes, ku ishim të pranishëm bashkë me drejtorë të drejtorive dhe qytetarë. Me këtë rast, në emrin tim dhe të komunës së Klinës, kam uruar besimtarët e krishterë Krishtlindjen, duke ju dëshiruar paqe, shëndet, begati e harmoni në familje. Gëzuar e për shume mote!”, ka shkruar ai.

Urimi i Kryetarit Elezaj përforcon vlerat e harmonisë ndërfetare dhe respektit mes komuniteteve të ndryshme në Klinë. /Telegrafi/

The post Kryetari i Klinës Zenun Elezaj uron besimtarët katolikë për krishtlindje appeared first on Telegrafi.

Reshjet e dendura të borës mbulojnë qytetin e Pejës, shkaktojnë vështirësi në komunikacion

23 December 2024 at 12:53

Që nga orët e mëngjesit, qyteti i Pejës është mbuluar nga reshjet e dendura të borës, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e përditshme të banorëve.

Qytetarët kanë dërguar në redaksinë e Telegrafit fotografi që pasqyrojnë situatën aktuale në qytet, duke evidentuar gjendjen e rrugëve dhe vështirësitë e hasura në komunikacion.

Foto nga një qytetar

Sipas këtyre fotografive, reshjet e borës kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor, me shumë automjete që po përballen me vështirësi për të lëvizur në rrugët e qytetit dhe zonat përreth.

Foto nga një qytetar

Intensiteti i lartë i reshjeve është ende në vazhdim, duke e bërë sfiduese lëvizjen për këmbësorët dhe automjetet. /Telegrafi/

The post Reshjet e dendura të borës mbulojnë qytetin e Pejës, shkaktojnë vështirësi në komunikacion appeared first on Telegrafi.

Kryetari Elezaj inspekton punimet për përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat sociale në Klinë

20 December 2024 at 12:58

Projekti për përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat banesore sociale në Komunën e Klinës është në vijim.

Punimet po realizohen nga kompania e angazhuar, e cila po punon me përkushtim për të siguruar cilësi dhe për të përfunduar projektin brenda afateve.

Kryetari i Klinës,  Zenun Elezaj, përmes Facebookut e ka bërë të ditur se po realizohet një projekt i rëndësishëm që synon përmirësimin e jetesës në ndërtesat banesor.

“Sot, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qëndrim Millaku, kemi parë nga afër realizimin e punimeve në kuadër të projektit të përmirësimit të kushteve të jetesës, projekt i cili po realizohet me synim përmirësimin e kushteve të jetesës, kursimin e energjisë dhe ndikimin pozitiv në mjedis”, ka shkruar Elezaj.

Masat që po zbatohen përfshijnë ndërrimin e dritareve dhe dyerve, izolimin termik të fasadës dhe kulmit, instalimin e sistemeve moderne të ngrohjes dhe ftohjes, si dhe punime të tjera që synojnë përmirësimin e jetesës për banorët e këtyre ndërtesave. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të kushteve më të mira për qytetarët dhe ruajtjes së mjedisit. /Telegrafi/

The post Kryetari Elezaj inspekton punimet për përmirësimin e kushteve të jetesës në ndërtesat sociale në Klinë appeared first on Telegrafi.

Kryetari Muhaxheri dhe Lushaku-Sadriu diskutojnë për avancimin e arsimit në Pejë

19 December 2024 at 16:57

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka pritur në takim nënkryetaren e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht Drejtoreshën për Arsim, Jehona Lushaku-Sadriu.

Në takim morën pjesë edhe Drejtori për Arsim, Naser Gega; Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka Kelmendi; Drejtoresha për Mirëqenie Sociale, Albulena Mujaj Bajraktaraj; Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri; dhe Kryetarja e Forumit të Gruas nga Peja, Mikete Hajdari.

Sipas një postimi të bërë nga Komuna e Pejës në Facebook, ky takim kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave për projektet aktuale në arsim.

Foto: Komuna e Pejës

“Mësimi tërëditor u theksua si një qasje që krijon mundësi më të mëdha për realizimin e kurrikulës shkollore, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e nxënësve”, theksohet në postimin e shpërndarë në Facebook.

Pas diskutimeve, pjesëmarrësit vizituan disa institucione arsimore në Pejë, përfshirë qendrën inovative BONEVET, Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali” dhe Shkollën Fillore “Azdreni”.

Këto vizita theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për të avancuar cilësinë e arsimit dhe për të krijuar kushte më të mira për nxënësit.

The post Kryetari Muhaxheri dhe Lushaku-Sadriu diskutojnë për avancimin e arsimit në Pejë appeared first on Telegrafi.

Kryetari Muhaxheri inspekton ndërtimin e trotuarit Vitomericë-Novosellë të Pejës

19 December 2024 at 12:29

Në komunën e Pejës wshtw drejt përfundimit ndërtimi i trotuarit në rrugën Vitomericë-Novosellë, me gjatësi prej 1 mijë metrash.

Projekti përfshin ndërtimin dhe ndriçimin e trotuarit, duke mundësuar një qasje më të sigurt për këmbësorët në këtë zonë.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përmes platformës Facebook, ka bërë të ditur se ka inspektuar këto punime.

Foto: Komuna e Pejës

“Ndërtimi dhe ndriçimi i trotuarit në rrugën Vitomericë-Novosellë, me gjatësi prej 1000 metrave”.

Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës publike dhe rritjen e sigurisë për banorët e kësaj zone. /Telegrafi/

 

The post Kryetari Muhaxheri inspekton ndërtimin e trotuarit Vitomericë-Novosellë të Pejës appeared first on Telegrafi.

Bëhet përurimi i Këndit të Lojërave dhe hapësirave gjelbëruese në shkollën “Martin Camaj” në Istog

18 December 2024 at 12:58

Në shkollën fillore “Martin Camaj” në fshatin Serbobran është përuruar Këndi i Lojërave për fëmijë dhe rregullimi i hapësirave gjelbëruese në oborrin e shkollës.

Ky projekt është bashkëfinancuar nga Komuna e Istogut dhe Bashkimi Evropian, dhe është implementuar nga IOM-i.

Komuna e Istogut përmes Facebook-ut ka bërë të ditur për projektin i cili është financuar nga BE.

“Projekti është realizuar dhe financuar nga Bashkimi Evropian dhe Komuna e Istogut, të implementuar nga IOM-i”, kanë shkruar ata.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Drejtori i DKA-së, Naim Behlulaj, përfaqësues nga IOM-i, Drejtoresha e shkollës, Mimoza Kabashi, si dhe nxënës dhe mësimdhënës.

Ky investim pritet të ofrojë kushte më të mira për edukimin dhe argëtimin e nxënësve në këtë paralelje të ndarë. /Telegrafi/

The post Bëhet përurimi i Këndit të Lojërave dhe hapësirave gjelbëruese në shkollën “Martin Camaj” në Istog appeared first on Telegrafi.

Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së rëndë në Pejë

17 December 2024 at 12:40

Seanca fillestare e paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Edmond Lajqit, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti, është anuluar.

Mbrojtësja e Lajqit, avokatja Zana Krasniqi nuk ka mundur të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore.

Kështu bëri të ditur gjyqtari i rastit, Musë Povataj, i cili tha se Krasniqi e ka njoftuar mbrëmë përmes telefonit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë e pranishme në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Andaj, seanca e sotme është anuluar, ndërsa e radhës është caktuar për ditët në vijim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Lajqi akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., e i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në Polici duke iu thënë e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.

Me ç’rast, thuhet derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës, i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës.

“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë.

Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173, par. 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën (pistoletën model “Zoraki 917-T”) me karikator, në atë mënyrë që me të ka privuar nga jeta viktimën (bashkëshorten e tij) Gj.U.

Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /Telegrafi/

 

The post Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së rëndë në Pejë appeared first on Telegrafi.

Rruga Prishtinë-Pejë bllokohet përkohësisht gjatë ditës së mërkurë

16 December 2024 at 15:48

Rruga magjistrale Prishtinë-Pejë, në segmentin Kijevë-Dollc, do të bllokohet përkohësisht ditën e mërkurë,  për shkak të punimeve që përfshijnë minimimin e pestë të masave shkëmbore në këtë zonë.

Sipas njoftimit, qarkullimi i trafikut do të ndërpritet plotësisht në segmentin nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë deri te udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik.

Ndërprerja do të zgjasë nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

Autoritetet përgjegjëse kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe dhe falënderojnë për bashkëpunimin.

The post Rruga Prishtinë-Pejë bllokohet përkohësisht gjatë ditës së mërkurë appeared first on Telegrafi.

Fillon faza testuese e Fundërruesit të Klinës për ujin e pijshëm

13 December 2024 at 14:40

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Hidrodrini” Dri Cena, së bashku me Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kanë ndjekur nga afër fillimin e lëshimit në funksion të fazës testuese të Fundërruesit të Klinës.

Ky projekt ndërlidhet me Fabrikën e Ujit në Klinë dhe përfshin ndërrimin e 84 filtrave të ujit.

KRU “Hidrodrini” përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se keto faza testuese do te zgjasin për disa dite.

Foto: KRU “Hidrodrini”

“Faza e parë testuese, që pritet të zgjasë disa ditë, synon të sjellë përmirësime të menjëhershme në cilësinë dhe furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët e qytetit dhe zonave rurale përreth”, kanë shkruar ata.

Ky projekt madhor për ujin e pijshëm, nga i cili përfitojnë mbi 10 mijë konsumatorë, është realizuar falë një investimi të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), KRU “Hidrodrini” dhe Komunës së Klinës.

Vlen të theksohet se në Nëntor të vitit të kaluar, ishte vendosur gur themeli i këtij fundërruesi, në një ceremoni ku mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /Telegrafi/

The post Fillon faza testuese e Fundërruesit të Klinës për ujin e pijshëm appeared first on Telegrafi.

Vizitë studimore e studentëve të Univeristeti “Haxhi Zeka” në Peje, në Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura

13 December 2024 at 12:37

Studentët dhe profesorë të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” kanë vizituar Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura (ITUN), një prej projekteve më të suksesshme në rajon për mbrojtjen e mjedisit.

KRU Hidrodrini, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka dhënë detaje për këtë vizitë siç e quajnë ata shumë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit.

Vizita nga studentët e Univeristetit “Haxhi Zeka”/ Foto nga “Hidrodrini”, facebook

“Nga nikoqiri, të pranishmit janë njohur nga afër me proceset e ndryshme të operimit dhe rëndësinë e këtij sistemi për mbrojtjen e mjedisit”, kanë shkruar ata në Facebook.

Foto: KRU “Hidrodrini”

Gjatë vizitës, u përmend rëndësia e sensibilizimit të qytetarëve për shmangien e hedhjes së letrave të lagura dhe materialeve të tjera të papërshtatshme në sistemin e kanalizimit, si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e këtij sistemi. /Telegrafi/

The post Vizitë studimore e studentëve të Univeristeti “Haxhi Zeka” në Peje, në Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura appeared first on Telegrafi.

❌
❌