Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2026Telegrafi

“Ekonomia private e financon shtetin” – Ramosaj me mesazh të drejtpërdrejtë për pushtetarët

22 July 2026 at 11:32


Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka deklaruar se ekonomia private është baza që e mban dhe e financon shtetin.

Në një diskutim në “Përballje Podcast”, Ramosaj tha se historia e zhvillimit ekonomik dhe vetë mendimi ekonomik kanë dëshmuar rolin vendimtar të sektorit privat në funksionimin e një vendi.

“Unë ende besoj se shtetin dhe ekonominë e një vendi e mban ekonomia private. Këtë na e kanë treguar edhe historia e zhvillimit ekonomik, por edhe zhvillimi i mendimit ekonomik”, ka deklaruar Ramosaj shkruan Telegrafi.

Ai ka thënë se ekonomia private është burimi kryesor prej nga financohet buxheti i shtetit.

“Privatët, ose ekonomia private, faktikisht e financojnë shtetin. Ekonomia publike nuk e financon shtetin, absolutisht”, është shprehur ai.

Sipas Ramosajt, taksat që paguhen nga bizneset dhe qytetarët mblidhen në buxhetin e shtetit, ndërsa institucionet publike kanë përgjegjësinë për t’i menaxhuar ato.

“Këto taksa të privatëve mblidhen në një buxhet”, ka thënë ai.

Profesori i ekonomisë ka kritikuar mënyrën se si përfaqësuesit e institucioneve i paraqesin shpesh investimet publike si arritje personale.

“Kur del një kryetar komune dhe thotë: ‘Unë po jua shtroj këtë rrugë’, ose del kryeministri dhe thotë: ‘Unë po e bëj këtë rrugë apo këtë urë’, kjo është dëshmi se ende nuk e kuptojmë jetën normale”, ka deklaruar Ramosaj.

- YouTube www.youtube.com

Ai ka theksuar se rrugët, urat dhe projektet e tjera publike nuk financohen me paratë personale të politikanëve, por me tatimet dhe taksat e qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas tij, politikanët nuk janë pronarë të parave publike, por vetëm menaxherë të mjeteve që u janë besuar nga qytetarët përmes votës dhe institucioneve.

Ramosaj ka vlerësuar se sektori privat duhet të trajtohet si partner kryesor në hartimin e politikave ekonomike, pasi ai krijon vende pune, gjeneron të hyra dhe mban pjesën kryesore të barrës së financimit të shtetit./Telegrafi/.

Before yesterdayTelegrafi

Ramosaj për lidershipin e LDK-së: Nuk po e mbroj – ka shumë gabime dhe një lloj narcizmi

21 July 2026 at 17:20


Berim Ramosaj, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar edhe mënyrën e organizimit dhe sjelljen e lidershipit aktual të këtij subjekti, duke thënë se brenda udhëheqjes ka mungesë bashkëpunimi dhe elemente të “narcizmit grupor ose individual”.

Në “Përballje Podcast”, Ramosaj tha se nuk synon ta marrë në mbrojtje udhëheqjen aktuale, pasi, sipas tij, edhe ajo ka bërë gabime të shumta.

“Nuk po duam ta marrim në mbrojtje këtë udhëheqje, sepse edhe kjo ka mjaft gabime në organizim dhe në sjelljen e lidershipit. Ka mungesë bashkëpunimi me të tjerët dhe, në njëfarë forme, narcizëm të grupit ose të individit”, ka deklaruar Ramosaj shkruan Telegrafi.


Megjithatë, ai ka vlerësuar se kërkesa për rishikimin e lidershipit në këtë moment mund të prodhojë pasoja politike që do ta vinin në pikëpyetje edhe mundësinë e arritjes së koalicioneve.

Sipas tij, një përplasje e re brenda LDK-së mund ta rikthejë partinë në pozicione të ngurta dhe ta çojë drejt një barikadimi të ngjashëm me atë të mëhershëm të partive opozitare.


“Në këtë moment, të kërkosh rishikim të udhëheqjes mund të prodhojë rezultate që e vënë në pikëpyetje edhe mundësinë për koalicione. Mund të çojë sërish te barikadimi i partive opozitare për të mos hyrë në koalicione”, ka thënë ai.

Ramosaj ka theksuar se opozitarizmi është pjesë legjitime e demokracisë, por vetëm për aq kohë sa nuk dëmton interesin institucional dhe nacional të vendit.

- YouTube www.youtube.com

“Opozitarizmi në dëm të institucioneve të Kosovës nuk do të duhej të bëhej. Ka forma legjitime të opozitarizmit, por nuk është legjitime kur dëmtohet interesi nacional në emër të rezultatit të një grupi, të disa individëve apo të një partie politike”, ka deklaruar Ramosaj.

Ai ka shtuar se pakënaqësitë, mllefi apo zelli për përplasje politike nuk duhet të vendosen mbi nevojën për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës./Telegrafi/.

Përparim Rama në krye të LDK-së? Ramosaj: Nëse partia udhëhiqet nga persona pa kontribut e përvojë brenda saj, vetëm mund t’u dëshiroj sukses

20 July 2026 at 13:24


Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka komentuar mundësinë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të synojë drejtimin e LDK-së.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” nw Telegrafi, Ramosaj tha se Përparim Rama dhe mbështetësit e tij mund ta bazojnë këtë ambicie në historinë e partisë, ku drejtimin e LDK-së e kanë marrë edhe figura që nuk kanë kaluar nëpër të gjitha nivelet e organizimit partiak.

“Edhe ai, sipas të gjitha gjasave, edhe ata që e përkrahin, bazohen në këtë histori të Lidhjes Demokratike, që në vazhdimësi ka ndodhur që udhëheqjen e LDK-së pas Ibrahim Rugovës ta marrin njerëz pa ndonjë kontribut dhe pa e kaluar atë fazën ‘junior-senior’ deri te pozita”, ka thënë Ramosaj shkruan Telegrafi.

Sipas tij, praktikat e mëhershme brenda LDK-së i japin Përparim Ramës të drejtën politike dhe demokratike që ta mendojë mundësinë e kandidimit për kryetar të partisë.


“Edhe ai ka të drejtë të mendojë, sepse kështu e ka marrë edhe Isa Mustafa më herët dhe kështu e kanë marrë shumë të tjerë atë pozicion. Në fakt, është e drejtë, në fund të fundit edhe njerëzore dhe demokratike, të mendojë”, ka deklaruar Ramosaj.

Megjithatë, ai ka ngritur dilema për raportin e Përparim Ramës me strukturat e LDK-së dhe mungesën e përvojës së tij brenda partisë.

“Nuk duhet të lëshohemi tani në atë se sa ka të drejtë apo nuk ka të drejtë, duke u bazuar në faktin se nuk ka pranuar asnjëherë të jetë anëtar i Lidhjes Demokratike”, ka thënë Ramosaj.

- YouTube www.youtube.com

Ai ka shtuar se nëse LDK-ja ka ardhur në një situatë ku drejtimin mund ta marrin persona pa përvojë dhe kontribut të veçantë në strukturat e saj, atëherë atyre mund t’u urohet vetëm sukses.

“Nëse Lidhja Demokratike ka ardhur në këtë pozicion që udhëheqjen ta marrin edhe njerëz që nuk kanë ndonjë kontribut të veçantë në parti, nuk kanë librezë të saj ose nuk kanë përvojë politike brenda LDK-së, atëherë unë vetëm mund t’u dëshiroj sukses”, është shprehur Ramosaj.

Emri i Përparim Ramës është përmendur në diskutimet publike si një nga figurat e mundshme për drejtimin e ardhshëm të LDK-së, në kohën kur brenda partisë po vazhdon debati për të ardhmen e lidershipit aktual./Telegrafi/.

Kandiq: Paunoviq është nga Peja dhe i njeh krimet – deklaratat e saj tregojnë se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur

16 July 2026 at 12:24


Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ajo e di mirë se çfarë ka ndodhur në Pejë gjatë luftës në Kosovë.

Kandiq ka rikujtuar se Paunoviq është e lindur në Pejë dhe se është në dijeni se më 27 mars të vitit 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.

Sipas saj, qytetarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa të tjerë u deportuan me autobusë në Shqipëri.

“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiq.

Ministarka Paunović je iz Peći. Dobro zna da je srpska policija 27. marta 1999. godine iz Peći proterala gotovo celokupno albansko stanovništvo – da su ljudi peške u kolonama odlazili prema Crnoj Gori, a autobusima deportovani u Albaniju. Zna i za zločine u selima Ćuška, Pavljan,… https://t.co/wX4WVqv9jj
— Natasa Kandic (@natasakandic) July 15, 2026


Ajo ka përmendur edhe krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë, ndërsa trupat e tyre u dogjën.

Kandiq ka thënë se, pavarësisht njohurive për këto ngjarje, Paunoviq e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk ishte zbatuar në vitin 1998.

“Ajo i di të gjitha këto, por pavarësisht kësaj, e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që nuk ishte zbatuar në vitin 1998”, ka shtuar ajo.

Në fund, Kandiq ka paralajmëruar se deklaratat e ministres serbe nuk duhet të shihen vetëm si një koment për të kaluarën, por si dëshmi se ideologjia që qëndron pas spastrimit etnik vazhdon të jetë e pranishme.

“Fjalët e saj nuk i përjetoj si një diskutim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur”, ka përfunduar Kandiq shkruan Telegrafi.


Por, kush është Snezhana Paunoviq?

Snezhana Paunoviq është ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë. Ajo është e lindur në Pejë dhe, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë që drejton, është ekonomiste e diplomuar.

Paunoviq është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992. Kjo parti njihet si partia e ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ndërsa aktualisht udhëhiqet nga Ivica Daçiq.


Reagimet ndaj saj erdhën pasi Paunoviq deklaroi për median serbe “Kurir” se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Pas kësaj deklarate, institucionet e Kosovës e shpallën Paunoviqin “persona non grata”, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës./Telegrafi/.

Kush është Snezhana Paunoviq, ministrja serbe që u shpall “persona non grata” nga Kosova?

15 July 2026 at 09:39


Kosova e ka shpallur “persona non grata” zyrtaren e lartë shtetërore të Serbisë.

Snezhana Paunoviqit, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Kosova ia ka ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë pasi Paunoviq deklaroi se, “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”.


Ironikisht, këtë deklaratë ajo e bëri për median serbe “Kurir”, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinë.

Kjo deklaratë nxiti reagime të ashpra në Kosovë, si nga politikanët, ashtu edhe nga institucionet, të cilat kundërshtuan gjuhën dhe qasjen e saj. Reagime të ashpra pati edhe nga Bashkimi Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.

Por, kush është Snezhana Paunoviq?

E lindur në Pejë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë që udhëheq në Serbi, ajo është ekonomiste e diplomuar.

Që nga viti 1992 është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë, e njohur si partia e Sllobodan Millosheviqit, personit përgjegjës për masakrat dhe luftërat në Ballkan. Kjo parti tani udhëhiqet nga Ivica Daçiq.


Ajo ka mbajtur pozita të rëndësishme në këtë parti. Në dy mandate, Paunoviq mbajti pozitën e nënkryetares së Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë dhe të shefes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS).

Që nga viti 2017, ajo është anëtare e Kryesisë së SPS-së, ndërsa nga viti 2024 mban pozitën e nënkryetares së Partisë Socialiste të Serbisë.

Në dhjetor të vitit 2021, ajo kishte vizituar edhe komunën e Shtërpcës, së bashku me disa deputete të tjera nga Serbia, ku ishin takuar me kryetarin e kësaj komune, i cili vjen nga Lista Serbe.

"Kështu njihet se sa shumë Lista Serbe i përket Republikës së Serbisë dhe se si institucionalisht, në këtë rast si Parlamenti i Serbisë, është krenare për këta njerëz që bëjnë një punë identike vetëm në një nivel pak më të ulët, shumë më të vështirë se ne në Parlamentin tonë, dhe mendoj se kjo mbështetje e ndërsjellë është pafundësisht e rëndësishme", kishte deklaruar mes tjerash Paunoviq.


Tani, ajo është shpallur “persona non grata” nga Kosova.

Por, kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serbë përdorin gjuhë fyese dhe linçuese ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Luginën e Preshevës.

Vite më parë, ish-ministri serb me qasje proruse, Aleksandar Vulin, i kishte quajtur shqiptarët “šiptari” në një emision televiziv, duke deklaruar se “bandat nga Kosova po vjedhin pyjet dhe po qëllojnë mbi policinë serbe”. /Telegrafi/

Kosova dhe Ballkani ishin jashtë agjendës së Samitit në Ankara – Hajrullahu tregon çfarë i thanë zyrtarët e NATO-s

14 July 2026 at 08:34


Ballkani Perëndimor nuk ishte pjesë e agjendës kryesore të Samitit të NATO-s në Ankara, ndërsa Kosova nuk pati përfaqësues në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dhe për këtë ka pasur qëndrime e reagime të ndryshme në vend.

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, i cili e përcolli samitin nga vendi i ngjarjes, tha se për këtë çështje Telegrafi kishte pyetur drejtpërdrejt përfaqësues të lartë të Aleancës Veri-Atlantike gjatë një takimi të mbyllur me media nga Ballkani, Ukraina, Bjellorisia e vende tjera.

“Ballkani nuk ka qenë në agjendën kryesore të këtij samiti. Në pyetjen e Telegrafit pse nuk ishte pjesë e agjendës, u tha se Ballkani Perëndimor mbetet në agjendën e përgjithshme sa i përket stabilitetit”, deklaroi Hajrullahu në podcastin “Përballje”.

- YouTube www.youtube.com


Sipas tij, mesazhi i NATO-s ishte se Aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë në rajon, ndërsa KFOR-i vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

“NATO nuk do të lejojë vakuum të sigurisë në rajon. KFOR-i është këtu për të ofruar siguri dhe stabilitet”, theksoi ai.

Hajrullahu shpjegoi se Kosova nuk ishte vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa përfaqësim në samit. Të pranishme ishin vendet e rajonit që janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia nuk kishin delegacione.

“Kosova nuk ishte e përfaqësuar, Bosnjë-Hercegovina nuk ishte e përfaqësuar dhe Serbia gjithashtu nuk ishte e përfaqësuar. Aty ishin shtetet anëtare të NATO-s: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut”, tha Hajrullahu.


Megjithëse, Ballkani Perëndimor nuk ishte në qendër të diskutimeve të samitit, NATO ka bërë të qartë se stabiliteti i rajonit vazhdon të jetë pjesë e angazhimit të saj të përgjithshëm, veçanërisht përmes pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Ndryshe, Kosova u përmend në Samit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se Turqia udhëheq misionin e KFOR-it në Kosovë dhe se ka një prani të konsiderueshme ushtarake në vendin tonë. /Telegrafi/

Rexha: Qeveria Kurti ka pasur e ka raport toksik me mediat, i sheh si armiq dhe i portretizon si fajtore

13 July 2026 at 14:54


Gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka kritikuar raportin e Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje me mediat, duke e cilësuar atë si “shumë toksik”.

I ftuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rexha tha se kjo qasje ndaj mediave është për keqardhje, sidomos për një parti politike e cila, sipas tij, është rritur në pushtet duke bashkëpunuar me mediat.

“Qeveria e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, që prej fillimit të mandatit dhe me kalimin e viteve, ka pasur dhe ka një relacion shumë toksik në raport me mediat, që është për keqardhje”, tha Rexha shkruan Telergafi.


Ai deklaroi se pushteti i sheh mediat si kundërshtarë dhe, sipas tij, i portretizon qëllimshëm si të tilla para elektoratit të vet.

“I sheh si armiq, i portretizon qëllimshëm në formë të tillë, në mënyrë që elektoratit të vet, votuesve të vet, t’u thotë që mediat i kanë fajet kur gjërat nuk shkojnë mirë në Kosovë”, u shpreh Rexha

Sipas tij, kjo qasje është problematike për një parti që, gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte përfituar nga hapësira mediale dhe nga raportimi i mediave.

“Kjo është për keqardhje për një parti politike e cila është rritur në opozitë duke bashkëpunuar me mediat”, tha ai.

Rexha foli edhe për atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në raportin e Vetëvendosjes me mediat, duke thënë se përfaqësuesit e saj i bojkotojnë apo i sulmojnë ato, por kthehen në të njëjtat media gjatë fushatave zgjedhore.

“Nëse po u thonë që nuk janë të mira, prapë në të njëjtat media dalin e flasin kur kanë nevojë gjatë zgjedhjeve. Është standard i dyfishtë”, deklaroi Rexha.

Ai shtoi se mediat kanë bërë punën e tyre si kur Vetëvendosje ishte në opozitë, ashtu edhe tani kur është në pushtet.

“Mediat e kanë bërë punën e tyre kur Vetëvendosje ka qenë në opozitë dhe e bëjnë punën e tyre kur Vetëvendosje është në pushtet”, tha Rexha.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Rexhës, përpjekjet për kontrollimin e informacionit dhe narrativës nuk janë të reja në Kosovë, por ai vlerëson se presioni ndaj mediave nuk ka qenë asnjëherë më i madh.

“Edhe qeveritë e tjera kanë provuar ta kontrollojnë informacionin, narrativën, po e bën edhe Vetëvendosje, por absolutisht asnjëherë nuk ka qenë më keq”, tha Rexha.

“Asnjëherë presioni nuk ka qenë më i madh. Asnjëherë denigrimi publik nuk ka qenë më i madh”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Rexha në Përballje: Samiti i NATO-s në Ankara me rëndësi historike, Turqia doli fituesja më e madhe

13 July 2026 at 09:00


Gazetari dhe kryetari i Asociacionit tëGazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka vlerësuar se Samiti i NATO-s në Ankaraishte një nga më të rëndësishmit në historinë e re të Aleancës Veriatlantike.

I ftuar në "Përballje Podcast" në Telegrafi, Rexha tha se pesha e këtij samiti lidhet me disa zhvillime kyçe: vendin ku u mbajt, rolin e Turqisë brenda NATO-s, praninë e presidentit amerikan Donald Trump, rikonfirmimin e Nenit 5 dhe identifikimin e Rusisë si kërcënimin kryesor për Aleancën.

“Absolutisht ndër më të rëndësishmit në historinë e re të NATO-s në dekadën e fundit”, tha Rexha, duke shtuar se samiti ishte historik edhe për faktin që u mbajt në Ankara, në një vend që ka rëndësi të jashtëzakonshme për Aleancën.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, Turqia ka një peshë të veçantë brenda NATO-s, si një nga fuqitë më të mëdha ushtarake të Aleancës në Evropë.

“Për rëndësinë kruciale që Turqia ka në NATO, si aleati më i fuqishëm në Evropë dhe i dyti menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket kapaciteteve ushtarake, madhësisë së ushtrisë së saj dhe kapaciteteve të armatimit, ka qenë absolutisht një samit historik”, deklaroi Rexha.

Ai theksoi se një nga elementet më të rëndësishme të deklaratës përfundimtare ishte ritheksimi i Nenit 5, sipas të cilit sulmi ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve.

“Ritheksimi kaq i fuqishëm i Nenit 5, që një sulm ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve, edhe fakti që Rusia është identifikuar në formë të qartë si armiku kryesor, e bën këtë takim të jashtëzakonshëm historik”, u shpreh Rexha.

Duke folur për rolin e Turqisë, Rexha tha se Ankaraja doli si fituesja më e madhe e këtij samiti, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të industrisë së mbrojtjes.

“Nëse ka diçka që mund të veçohet, Turqia ka fituar shumë me këtë samit për ta përforcuar pozicionin e vet ndërkombëtar si një prej shteteve më të rëndësishme të botës, pa diskutim të Aleancës, por edhe të botës”, tha ai.

Sipas Rexhës, Turqia e shfrytëzoi samitin edhe për të ekspozuar kapacitetet e saj në industrinë ushtarake, përfshirë dronët dhe pajisjet e reja të mbrojtjes.

“Me organizimin, me industrinë ku i ekspozoi dronët e rinj, me marrëveshjet që u arritën, Turqia do t’u shesë akoma më shumë armatim vendeve të tjera të NATO-s”, theksoi Rexha.

Ai shtoi se në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes u nënshkruan marrëveshje të shumta ndërmjet shteteve dhe se miliarda dollarë investime në armatim pritet të vijnë si rrjedhojë e këtij samiti.

“Turqia, duke e marrë përkrahjen e parezervë të presidentit Trump, e ka fituar këtë samit dhe është fituesi më i madh i këtij samiti”, deklaroi Rexha.

Sipas tij, Erdogan e përmendi Kosovën në hapje të samitit, duke folur për praninë dhe angazhimin e Turqisë në kuadër të misioneve të NATO-s, si dhe në konferencën për shtyp, ku përmendi komandën turke të KFOR-it.

“Zoti Erdogan e përmendi të parën Kosovën, kur tha se ka prani të rëndësishme turke në Kosovë, në Baltik dhe në Detin e Zi. Në fund, në konferencën për shtyp, tha se Turqia e ka komandën e KFOR-it”, tha Rexha.

Në fund, Rexha e cilësoi si historike edhe vendimin që Samiti i ardhshëm i NATO-s të mbahet në Tiranë, duke e parë këtë si moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin.

“Për Shqipërinë është absolutisht historik. Fakti që samiti do të mbahet në Tiranë është një arritje shumë e madhe ndërkombëtare”, përfundoi Rexha./Telegrafi/.

Erdogan në Samitin e NATO-s: Turqia kontribuon në misionet e Aleancës, përfshirë edhe në Kosovë

8 July 2026 at 11:56


Në hapje të takimit zyrtar të Samitit të NATO-s në Ankara, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia vazhdon të jetë ndër vendet kryesore që kontribuojnë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e Aleancës, shkruan Telegrafi.

Në fjalimin e tij, Erdogan theksoi se Turqia, si vendi me ushtrinë më të madhe në Evropë, është e gatshme t’i vendosë kapacitetet e saj në shërbim të NATO-s sa herë që kjo është e nevojshme.

“Si vendi që ka ushtrinë më të madhe në Evropë, ne përpiqemi t’i vëmë kapacitetet tona në shërbim të Aleancës në çdo fazë kur kjo është e nevojshme”, ka deklaruar Erdogan.

Ai përmendi edhe Kosovën si një nga vendet ku Turqia kontribuon në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

“Në Kosovë, në Detin e Zi, në zonën e Baltikut dhe në rajone të tjera gjeografike, ne jemi ndër aleatët kryesorë që kontribuojnë në operacionet, misionet dhe stërvitjet e Aleancës”, tha presidenti turk.



Erdogan foli edhe për investimet e Turqisë në mbrojtjen ajrore dhe raketore, duke bërë të ditur se Ankaraja ka ndarë një buxhet shtesë prej 24 miliardë dollarësh.

Në fjalimin e tij, presidenti turk foli edhe për luftën në Ukrainë, krizën iraniane, sigurinë në Lindjen e Mesme dhe nevojën për solidaritet të plotë kundër të gjitha formave të terrorizmit.


Ai u shpreh se shpreson që Samiti i NATO-s në Ankara të sjellë rezultate të suksesshme për Aleancën./Telegrafi/

Ekskluzive nga Ankaraja, NATO i përgjigjet Telegrafit: Nuk do të lejojmë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor

7 July 2026 at 16:58


Një zyrtar i lartë i NATO-s ka deklaruar se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e brishtë dhe e ndjeshme, por stabile.

Këto komente zyrtari i bëri pas pyetjes së Telegrafit, duke folur në një panel në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara me një grup gazetarësh nga Ballkani, Ukraina, Bjellorusia dhe vende të tjera.

Zyrtari i lartë i NATO-s theksoi se Ballkani Perëndimor mund të mos jetë pjesë e drejtpërdrejtë e agjendës së samitit, por mbetet lart në agjendën e përgjithshme të Aleancës.

“Sa i përket Ballkanit Perëndimor, ne vazhdojmë ta shohim situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si të brishtë dhe të ndjeshme, por stabile. Mendoj se kjo është mënyra se si do ta shohim, ose ka gjasa ta shohim, edhe për një kohë të konsiderueshme në vazhdim”, ka deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e përgjithshme të NATO-s.

“Mund të mos jetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në agjendën tonë këtu në samit, por Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e përgjithshme të NATO-s, si një nga çështjet që e përcjellim vazhdimisht”, shtoi ai në përgjigje të pyetjes së Telegrafit.

Sipas zyrtarit të lartë të NATO-s, Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, ndërsa përkushtimi i NATO-s ndaj stabilitetit të rajonit mbetet i palëkundur.

“Është, natyrisht, një zonë, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe përkushtimi i NATO-s ndaj stabilitetit të rajonit është i palëkundur. Ne nuk do të lejojmë që atje të krijohet një vakum sigurie”, ka theksuar zyrtari i NATO-s.

Ai foli edhe për rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për sigurinë.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian...”, përfundoi zyrtari i lartë i NATO-s.

Telegrafi edhe në ditët në vazhdim do të sjellë materiale ekskluzive dhe speciale nga Ankaraja, ku po mbahet Samiti i NATO-s 2026. /Telegrafi/

Kroacia planifikon rritjen e trupave në KFOR, Anushiq: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet kyç

7 July 2026 at 15:26


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka deklaruar në Ankara se Kroacia tashmë ka përmbushur një nga objektivat kryesore të NATO-s, të marrë në Samitin e vitit të kaluar në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, Anushiq tha se Kroacia aktualisht ndan 2.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje dhe tashmë ka tejkaluar edhe objektivin prej 1.5 për qind për investime në infrastrukturë të lidhur me sigurinë.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne tashmë kemi ndarë më shumë se 1.5 për qind për projekte të lidhura me mbrojtjen në sektorin civil. Kroacia e ka përmbushur tashmë obligimin e marrë vitin e kaluar në Hagë”, ka deklaruar ai në konferencë për media.

Sipas tij, në këto investime përfshihen korridoret e transportit, spitalet, aeroportet, portet detare dhe infrastruktura tjetër që, në rast krize, mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake.


Ministri kroat bëri të ditur se Kroacia po shqyrton rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.

“Planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë deri në 200, aq sa na e lejon vendimi i Parlamentit kroat”, deklaroi Anushiq.

Ai shtoi se brenda NATO-s po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të ushtarëve në KFOR, por theksoi se Kroacia konsideron se stabiliteti në rajon mbetet një nga çështjet kryesore të sigurisë.

“Gjithmonë e theksoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të mbetet fuqishëm e pranishme në këtë zonë”, tha Anushiq.


Ndryshe, sot zyrtarisht ka filluar Samiti i NATO-s në Ankara, ndërsa Telegrafi po e përcjell nga afër çdo zhvillim që po ndodh në kohë reale. /Telegrafi/

Gazetarja estoneze Kaldoja: Samiti i Ankarasë do të tregojë nëse NATO po i kthen premtimet në veprime

7 July 2026 at 12:13


Udhëheqësja për Politikë të Jashtme në median “Postimees” të Estonisë, Evelyn Kaldoja, ka vlerësuar se Samiti i NATO-s në Ankara është i rëndësishëm për të parë nëse aleatët do të arrijnë të ruajnë unitetin dhe t’i kthejnë zotimet në veprime konkrete.

Duke folur për rëndësinë e këtij takimi, Kaldoja tha se për Evropën është thelbësore që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, sidomos në një kohë kur siguria e kontinentit vazhdon të sfidohet nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus.

“Mendoj se për Evropën është e rëndësishme që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, si dhe të ndërmerren hapa konkretë, të jepen premtime konkrete dhe ato premtime edhe të mbahen”, ka deklaruar Kaldoja shkruan Telegrafi.


Sipas saj, një nga çështjet kryesore të samitit do të jetë vlerësimi nëse vendet anëtare kanë nisur realisht të lëvizin drejt objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind.

“Siç e kuptoj unë, do të matet nëse aleatët realisht kanë nisur të lëvizin drejt objektivit prej 5 për qind. Pra, mendoj se thelbësore janë uniteti dhe përmbushja e zotimeve”, u shpreh ajo.

Kaldoja theksoi se tashmë ka sinjale se proceset kanë filluar të lëvizin, veçanërisht në drejtim të fuqizimit të industrisë së mbrojtjes. Ajo tha se vëmendja e madhe ndaj kësaj industrie mund të sjellë më shumë prodhim, por kjo kërkon edhe porosi konkrete nga shtetet.

“Tani gjërat kanë filluar të lëvizin dhe shpresoj që po lëvizin në drejtimin e duhur. Duke qenë se ka kaq shumë vëmendje ndaj industrisë, ndoshta industria do të fillojë të funksionojë më fuqishëm, ndërsa vendet mund të nisin porositjen e armëve dhe pajisjeve, në mënyrë që industria të ketë realisht fonde për të punuar”, tha Kaldoja.


Ajo shtoi se industria e mbrojtjes nuk mund të prodhojë pa mbështetje financiare dhe pa kërkesa të qarta nga vendet anëtare.

“Sepse ajo nuk mund të prodhojë nga asgjëja dhe pa asnjë qëllim konkret”, deklaroi ajo.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Kaldoja tha se NATO mbetet një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes ukrainase, edhe pse Aleanca si organizatë nuk dërgon drejtpërdrejt armë në Ukrainë.

“NATO-ja është një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Në fakt, NATO-ja po organizon furnizimet dhe po ndihmon në pajisjen e ushtrisë ukrainase, edhe nëse nuk i dërgon drejtpërdrejt armë Ukrainës”, tha ajo.

Sipas saj, roli i NATO-s nuk lidhet vetëm me Ukrainën, por edhe me frenimin e ambicieve të Rusisë për të lëvizur më tej drejt Perëndimit.

“Mendoj se NATO-ja është elementi kyç që po e ndal Rusinë të lëvizë më tej drejt Perëndimit. Prandaj, të shpresojmë që parandalimi i NATO-s të funksionojë”, përfundoi Kaldoja./Telegrafi/

NATO mbledh industrinë e mbrojtjes në Ankara, çfarë pritet nga forumi i 7 korrikut?

7 July 2026 at 08:04


Forumi i Industrisë së Mbrojtjes i Samitit të NATO-s po mbahet sot në Ankara të Turqisë.

Sipas NATO-s, kjo është ngjarja kryesore e nivelit të lartë e Aleancës për prodhimin, investimet dhe inovacionin në mbrojtjen transatlantike.

Forumi është pjesë e Samitit të NATO-s 2026 dhe do të mbledhë zyrtarë të lartë të NATO-s, përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, liderë të industrisë së mbrojtjes dhe inovacionit shkruan Telegrafi.

Në fokus do të jetë progresi i aleatëve drejt planit historik të NATO-s për investime në mbrojtje prej 5 për qind, si dhe mënyra se si këto mjete po kthehen në rritje të prodhimit ushtarak, bashkëpunim më të madh dhe prokurim të përbashkët.



Forumi njëditor do të përfshijë gjashtë sesione të mbyllura gjatë paradites dhe seanca plenare të transmetuara drejtpërdrejt gjatë pasdites.

Për herë të parë, në këtë forum do të ketë edhe njoftime të nivelit të lartë për marrëveshje, iniciativa dhe rezultate konkrete nga shtetet, industria dhe bashkëpunimet shumëpalëshe.

Sipas programit, temat do të përfshijnë hapësirën dhe mbikëqyrjen, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, kapacitetet goditëse, bashkëprodhimin transatlantik, inovacionin, bashkëpunimin NATO-industri dhe garantimin e investimeve konkrete në mbrojtje.


Telegrafi po e përcjell nga afër këtë ngjarje të rëndësishme në Ankara dhe po raporton nga vendi i ngjarjes, duke sjellë zhvillimet kryesore, deklaratat dhe vendimet që pritet të dalin nga Forumi i Industrisë së Mbrojtjes dhe Samiti i NATO-s. /Telegrafi/

Gazetari nga Bosnja e Hercegovina, Milaviq: Samiti i NATO-s në Ankara ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit, Ballkani nuk pritet të jetë në fokus

6 July 2026 at 17:31


Redaktori i politikës së jashtme në televizonin “N1 në Bosnje e Hercegovinë” Esmir Milaviq, ka deklaruar se Samiti i NATO-s në Ankara pritet të jetë një nga më rëndësishmit në historinë e fundit të Aleancës, për shkak të situatës së ndërlikuar globale dhe zhvillimeve politike brenda vetë NATO-s.

Sipas tij, një nga arsyet kryesore është se samiti po mbahet në një kohë kur bota po përballet me disa konflikte të mëdha, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme.

“Ky samit pritet të jetë një nga më interesantët në historinë e fundit, sepse aktualisht kemi disa konflikte në botë, si lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme”, ka thënë Milaviq, shkruan Telegrafi.

Ai ka shtuar se një rol të rëndësishëm në këtë takim pritet ta ketë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, jo vetëm për shkak të pozitës së tij, por edhe për raportet e ndërlikuara me disa liderë të NATO-s.


Sipas Milaviq, këto raporte mund të ndikojnë edhe në ecurinë dhe suksesin e samitit.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është Turqia si vend nikoqir, pasi Ankaraja synon të luajë një rol më të madh gjeopolitik.

Duke folur për Ballkanin, Milaviq ka vlerësuar se rajoni me shumë gjasë nuk do të jetë pjesë e agjendës zyrtare të samitit.

Ai ka theksuar se as vendet që aktualisht janë jashtë NATO-s, përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, nuk pritet të jenë temë qendrore.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që Ballkani të përmendet në diskutime, veçanërisht për shkak të pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe reduktimit të numrit të trupave.

Sipas tij, pas vendimit të mëhershëm për rritjen e pranisë ushtarake, tani vlerësimi është se situata në Kosovë është përmirësuar, ndaj edhe numri i ushtarëve po zvogëlohet.

Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Milaviq ka thënë se muajt e fundit nuk ka pasur zhvillime konkrete që do ta vendosnin këtë vend në qendër të agjendës së NATO-s.

Ai ka përfunduar se Ballkani, për momentin, nuk po trajtohet si çështje e “rëndësisë së parë”, por rajoni mbetet nën vëzhgim dhe mund të rikthehet në agjendën e Aleancës në të ardhmen./Telegrafi/.

Telegrafi në Ankara: Samiti i NATO-s nis me masa të shtuara sigurie, Kosova pa përfaqësues në takim

6 July 2026 at 11:31


NATO hap samitin në Ankara nën masa të shtuara sigurie, ndërsa përfaqësues të mediave ndërkombëtare tashmë janë akredituar dhe kanë nisur raportimet e para nga një prej ngjarjeve më të rëndësishme të Aleancës Veriatlantike.

Samiti i NATO-s në kryeqytetin turk po mbahet në një atmosferë të kontrolluar sigurie, me masa të rrepta dhe ndalim të tubimeve publike në Ankara.


Siç ka raportuar Telegrafi ditë më parë, para nisjes së samitit janë shënuar arrestime të shumta. Sipas autoriteteve dhe raportimeve, gjithsej janë arrestuar 225 persona, prej të cilëve 178 aktualisht ndodhen në paraburgim.


Në mesin e të ndaluarve raportohet se ka aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë, aktivistë mjedisorë, gazetarë dhe studentë. Në Ankara është në fuqi edhe një ndalim dyjavor i tubimeve publike.

Në samit pritet të marrin pjesë liderë të vendeve anëtare të Aleancës, dhjetëra zyrtarë shtetërorë, ministra, diplomatë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.


Në fokus të diskutimeve do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, mbështetja për Ukrainën, teknologjitë e reja ushtarake dhe forcimi i bashkëpunimit mes aleatëve.


Sipas raportimit të Telegrafit nga Ankara, Ballkani Perëndimor nuk pritet të jetë në fokus të këtij samiti, ndërsa në punimet e sivjetme nuk ka përfaqësues nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia./Telegrafi/

NATO nesër në Ankara, në tryezë miliardat për mbrojtje dhe prodhimi ushtarak

6 July 2026 at 07:28


Forumi i Industrisë së Mbrojtjes i Samitit të NATO-s do të mbahet më 7 korrik 2026 në Ankara të Turqisë, si pjesë e Samitit të NATO-s për këtë vit.

Ngjarja cilësohet nga Aleanca si forumi kryesor i nivelit të lartë për prodhimin, investimet dhe inovacionin në mbrojtjen transatlantike shkruan Telegrafi.

Sipas NATO-s, forumi do të mbledhë zyrtarë të lartë të Aleancës, përfaqësues të vendeve aleate dhe partnere, liderë të industrisë së mbrojtjes dhe komunitete të inovacionit, për të diskutuar sfidat më urgjente në këtë fushë.

Fokusi kryesor do të jetë progresi i aleatëve drejt planit historik të NATO-s për investime në mbrojtje prej 5 për qind, si dhe mënyra se si këto mjete po shndërrohen në rritje të prodhimit, bashkëpunim më të madh dhe prokurim të përbashkët.

Programi parasheh sesione të mbyllura gjatë paradites dhe seanca plenare gjatë pasdites, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt për publikun dhe do të jenë të hapura për mediat. Për herë të parë, në kuadër të forumit do të ketë edhe njoftime të nivelit të lartë për marrëveshje, iniciativa dhe rezultate konkrete në fushën e mbrojtjes.


Temat pritet të përfshijnë bashkëprodhimin transatlantik, inovacionin, bashkëpunimin praktik mes NATO-s dhe industrisë, hapësirën dhe mbikëqyrjen, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, si dhe kapacitetet goditëse.

Samiti mbahet në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe debatet për rolin e Evropës në sigurinë e saj si tema që po peshojnë mbi Aleancën.

Sipas mediave ndërkombëtare, takimi i Ankarasë shihet edhe si test për unitetin transatlantik, ndërsa pritet të rikonfirmohet mbështetja për Ukrainën dhe të theksohet nevoja për një NATO më të unifikuar dhe më të vendosur.

Telegrafi po e përcjell ngjarjen nga Ankaraja dhe do të sjellë informacione në kohë reale. /Telegrafi/.

NATO mblidhet në Ankara, Telegrafi do ta përcjellë nga afër samitin ku pritet të vendosen prioritetet e reja të sigurisë

5 July 2026 at 17:15


Ankaraja do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare më 7 dhe 8 korrik, kur liderët e vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen në një nga samitet më të rëndësishme të Aleancës në vitet e fundit.

Samiti i NATO-s për vitin 2026 do të mbahet në Kompleksin Presidencial Beştepe, ndërsa Telegrafi do ta përcjellë nga afër këtë ngjarje të rëndësishme, ku pritet të diskutohen çështje kyçe për sigurinë evropiane dhe globale.

Në fokus të takimit do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i industrisë ushtarake, ndarja e barrës mes aleatëve dhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, në një kohë kur lufta ruse kundër Kievit vazhdon të mbetet sfidë qendrore për sigurinë e kontinentit.

Sipas NATO-s, samiti do të shërbejë për të vlerësuar progresin e bërë pas Samitit të vitit 2025 në Hagë dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në zbatimin e objektivave të Aleancës. Një nga çështjet kryesore pritet të jetë zotimi i vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se sfida kryesore tashmë është që zotimet politike të kthehen në rezultate konkrete, përmes investimeve më të mëdha, prodhimit më të lartë industrial dhe mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.

Pjesë e rëndësishme e samitit do të jetë edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili do të mbahet më 7 korrik në Ankara. Në këtë forum pritet të marrin pjesë zyrtarë të NATO-s, përfaqësues të qeverive aleate dhe partnerëve, si dhe drejtues të kompanive të industrisë së mbrojtjes dhe inovacionit.

Foto: NATO

Qëllimi i forumit është të diskutohet se si investimet e shtuara në mbrojtje mund të përkthehen në prodhim më të madh ushtarak, zinxhirë më të fortë furnizimi, bashkëpunim më të ngushtë dhe prokurim të përbashkët mes vendeve aleate. Mesazhi kryesor i NATO-s në këtë drejtim është se nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes.

Mbështetja për Ukrainën pritet të mbetet një nga temat më të ndjeshme të samitit. NATO e konsideron sigurinë e Ukrainës të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Aleancës, ndërsa aleatët pritet të diskutojnë për mënyrat se si ndihma ushtarake për Kievin të mbetet e qëndrueshme edhe në periudhën afatgjatë.

Ndryshe NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.

Në një përgjigje për Telegrafin javën e kaluar, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.


“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.

Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.

Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.

“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për Telegrafin.

Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.

“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.

Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizoi se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.

Samiti i Ankarasë ka edhe rëndësi simbolike për Turqinë, pasi kjo është hera e dytë që vendi pret një takim të tillë të NATO-s. Herën e parë, Turqia ishte nikoqire e Samitit të Stambollit në vitin 2004, pak muaj pas zgjerimit më të madh të Aleancës deri atëherë.

Përveç vendimeve të mundshme politike dhe ushtarake, samiti pritet të jetë edhe një test i unitetit të aleatëve përballë sfidave të reja gjeopolitike, nga lufta në Ukrainë e deri te nevoja që Evropa të marrë rol më të madh në sigurinë e saj.

Telegrafi do të përcjellë nga afër zhvillimet nga Samiti i NATO-s në Ankara, me raportime për temat kryesore, deklaratat e liderëve dhe vendimet që pritet të ndikojnë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike./Telegrafi/.

Zulfaj: Me SEPA-n, diaspora dhe bizneset do të kursenin rreth 60 milionë euro nga kostot e pagesave

5 July 2026 at 09:05


Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në SEPA do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë për diasporën dhe bizneset, duke ulur kostot e remitancave dhe transaksioneve ndërkombëtare.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se Kosova kishte dërguar në Kuvend dy ligje që lidhen me SEPA-n, por vetëm njëri prej tyre ka kaluar.

Sipas tij, bëhet fjalë për ligje të rëndësishme që lidhen me integrimin e Kosovës në Zonën Unike Evropiane të Pagesave, e njohur si SEPA.

- YouTube youtu.be

“U dërguan disa ligje, duke përfshirë edhe dy ligjet që ishin për SEPA-n. SEPA është zona për kryerjen e pagesave, Single European Payment Area, domethënë zona e vetme ose unike për kryerjen e pagesave”, deklaroi Zulfaj shkruan Telegrafi.

Ai tha se përfshirja e Kosovës në SEPA do të ulte ndjeshëm kostot që sot i paguajnë qytetarët, diaspora dhe bizneset për dërgesa e transaksione ndërkombëtare.

“Te remitancat që dërgon diaspora dhe te transaksionet që kryejnë bizneset tona, Oda Ekonomike Gjermane llogarit se afër 60 milionë euro janë kostot, të cilat reduktohen në momentin kur bëhemi pjesë e SEPA-s”, u shpreh ai.

Zulfaj tregoi se nga dy ligjet e dërguara në Kuvend, Ligji për Shërbimin e Pagesave ka kaluar, ndërsa ligji që lidhet me financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave nuk është miratuar.

“Të dy ligjet shkuan në Kuvend dhe njëri kaloi, ai për shërbimin e pagesave. Ky për financimin kundër terrorizmit dhe shpëlarjes së parave nuk kaloi”, tha Zulfaj.

Sipas tij, arsyetimi se ligji po kërkohej të kalonte me procedurë të shpejtë nuk qëndron, pasi Kuvendi nuk ishte duke funksionuar me ritëm të rregullt dhe koha për miratimin e reformave ishte e kufizuar.

“Arsyetimi ishte i keq, se po kërkohet të kalojë me procedurë të shpejtë. Mirëpo në kohën kur Kuvendi nuk do të funksionojë dymbëdhjetë muaj, por vetëm një muaj, sigurisht se gjërat duhet të përshpejtohen”, deklaroi ai.

Zulfaj tha se vonesat në miratimin e ligjeve të tilla ndikojnë edhe në humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes, pasi reformat janë të lidhura me afate të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Nëse nuk duam që të humbim mjete nga Plani i Rritjes, gjërat duhet të përshpejtohen”, u shpreh Zulfaj.

Ai shtoi se ngadalësimi në kryerjen e reformave duhet të lidhet me bllokadën në Kuvend, pasi shumë prej reformave kërkojnë miratim ligjor.

“Mendoj që ngadalësimi në kryerjen e reformave duhet t’i adresohet shumë Kuvendit, bllokadës që ka ndodhur në Kuvend”, tha ai.

Çka është SEPA dhe si funksionon?

SEPA, apo Zona Unike Evropiane e Pagesave, është një mekanizëm evropian që synon t’i bëjë pagesat në euro ndërmjet shteteve pjesëmarrëse po aq të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta sa pagesat brenda një vendi. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset mund të dërgojnë ose pranojnë para në euro me kushte dhe standarde të unifikuara, pavarësisht nëse pagesa bëhet brenda shtetit apo drejt një vendi tjetër pjesëmarrës.

Në praktikë, SEPA funksionon përmes rregullave dhe standardeve të përbashkëta bankare për transfere, debitime direkte dhe pagesa të tjera në euro. Qëllimi është të ulen dallimet mes pagesave vendore dhe atyre ndërkufitare, duke i bërë transaksionet më efikase dhe më të lira për qytetarët, diasporën dhe bizneset.

Për Kosovën, përfshirja në SEPA do të ishte e rëndësishme sidomos për remitancat nga diaspora dhe pagesat ndërkombëtare të bizneseve. Nëse Kosova bëhet pjesë e këtij sistemi, dërgimi i parave dhe pagesat në euro drejt vendeve pjesëmarrëse do të mund të bëheshin me kosto më të ulëta dhe me procedura më të standardizuara. /Telegrafi/

❌
❌