Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 5 June 2026Telegrafi

Florentino Perez konfirmon tri afrime dhe paralajmëron “Galaktikun” rekord, ofertë mbi 150 milionë euro

4 June 2026 at 23:39


Florentino Pérez ka rritur edhe më shumë pritshmëritë te tifozët e Real Madridit, duke konfirmuar tri emra konkretë dhe duke paralajmëruar një transferim gjigant që, sipas tij, do të ishte më i shtrenjti në historinë e klubit.

Presidenti i Real Madridit, që po kërkon edhe një mandat në krye të klubit në zgjedhjet e së dielës, ka bërë premtime të mëdha në emisionin Horizont.

“Mund t’ju tregoj për tre transferime: Mourinho, Konaté dhe Dumfries. Por do të ketë edhe më shumë. Të martën, do t’i bëj një ofertë të rëndësishme një ekipi të nivelit të lartë të Ligës së Kampionëve për një lojtar të shkëlqyer. Do të ishte shuma më e madhe e transferimit që Real Madridi ka paguar ndonjëherë. Të paktën 150 milionë”, ka deklaruar Pérez.

🚨🚨 Florentino Pérez: "The fans will find out NEXT WEEK what superstar player I'm going to make an offer for.

He will cost AT LEAST 150 million euros." pic.twitter.com/nAbrdHUTGr
— Madrid Zone (@theMadridZone) June 4, 2026


Presidenti madrilen shtoi se afrimi i madh do të jetë i një profili “Galaktik”, duke e krahasuar me emra legjendarë të historisë së Realit.

“Kur nënshkruajmë me dikë, e bëjmë për të krijuar emocione. Figo, Zidane, Ronaldo, Cristiano, Kaká. Lojtari do të jetë i atij kalibri dhe nuk është nga Premier League. Një Galaktik i vërtetë”, u shpreh Pérez.

Ai po ashtu i hodhi poshtë spekulimet se bëhet fjalë për Michael Olise, duke sqaruar se, edhe pse e vlerëson, nuk është objektivi që ka në mendje, ndërsa përmendi edhe disa emra të tjerë vetëm për t’i përjashtuar.

“Lidhur me Olisen: Ai është një lojtar i shkëlqyer, por nuk është emri që po mendoj. Ai nuk është as Doku apo Haaland. Nga mesfusha”, shtoi Pérez, duke lënë të kuptohet se “bomba” e paralajmëruar vjen reparti ku ka nevojë më shumë klubi .

Në fund, Pérez përsëriti edhe mesazhin e tij në prag të zgjedhjeve, duke theksuar rolin e tij në mbrojtjen e interesave të klubit.

“Askush nuk do ta mbrojë Real Madridin më mirë se unë”, deklaroi ai.

Tashmë mbetet të shihet nëse oferta e paralajmëruar për “një ekip të nivelit të lartë të Ligës së Kampionëve” do të konkretizohet dhe cili do të jetë emri i “Galaktikut” që pritet ta tronditë tregun. /Telegrafi/

Futbolli saudit, një vitrinë globale - Kampionati Botëror, konfirmim i kësaj

4 June 2026 at 23:21


Kur Cristiano Ronaldo u largua nga futbolli evropian për t’u transferuar në Arabinë Saudite, shumë e konsideruan atë hap si sinjal se karriera e tij në kombëtare do të ftohej, me idenë se kampionati saudit nuk ishte në nivelin e kërkuar për futbollin elitar.

Mirëpo, me kalimin e kohës, Saudi Pro League jo vetëm që u mbush me yje si Neymar, Benzema, Milinkovic-Savic e Cancelo, por nisi të shihet gjithnjë e më shumë si një skenë ku lojtarët mund të jenë ende relevantë edhe për ekipet e tyre kombëtare.

Edhe pse Ronaldo deklaroi se “liga saudite është shumë më e mirë se ligat portugeze dhe franceze… në Francë gjithçka sillet rreth PSG-së”, kjo u prit me skepticizëm në Evropë.

Për një kohë, futbolli në Lindjen e Mesme u trajtua si një nivel dytësor krahasuar me pesë ligat e mëdha evropiane, duke u krijuar bindja se lojtarët që shkonin atje do ta humbnin shansin për t’u thirrur në kombëtare.

Nuk “mbyll” domosdoshmërisht derën e kombëtares

MARCA shkruan se realiteti i viteve të fundit e ka rrëzuar këtë perceptim. Në Evropë u përhap ideja se futbollistët që transferohen në Arabinë Saudite e mbyllin kapitullin me kombëtaren, por koha ka treguar se kjo nuk është bërë normë.

Si shembull përmendet deklarata e Ronald Koemanit, i cili në vitin 2024 tha se “libri i tij me ekipin kombëtar është mbyllur” për Steven Bergwijn pas kalimit të tij te Al-Ittihad.

Megjithatë, thirrjet e fundit në kombëtare për lojtarë që luajnë në SPL tregojnë se trajnerët po i vlerësojnë edhe këta futbollistë, nëse janë në formë dhe kanë rol të rëndësishëm në ekipet e tyre.

Ivan Toney dhe debatet në Angli

Rasti më i diskutuar së fundmi është ai i Ivan Toney. Sulmuesi i Al-Ahli u përfshi në skuadrën e Thomas Tuchel për Kupën e Botës 2026, duke shkaktuar debat në Angli, sidomos për faktin se u preferua ndaj disa opsioneve vendase.

“Përfshirja e tij ishte gjithashtu një surprizë për ne. Ai ka një prani të natyrshme në zonë dhe është një finalizues i natyrshëm".

"Ai është i mirë në goditjet standarde. Dhe të mos harrojmë, ai është një specialist i penalltive i klasit botëror”, deklaroi Tuchel pas shpalljes së listës.

🦁Thomas Tuchel on Ivan Toney: "It was also a surprise to us (his inclusion). I had fantastic feedback from his coach, who was my player. He still collects fantastic numbers. He has qualities for when we are chasing a goal. He can take attention off other strikers. He has a… pic.twitter.com/7OSOAmSHVt
— Craig Hope (@CraigHope_DM) May 22, 2026


Shembuj nga Brazili e Spanja - Franca dhe Portugalia, fenomeni merr formë

MARCA përmend edhe raste të tjera: Roger Ibáñez është ftuar nga Carlo Ancelotti për Brazilin, ndonëse deri tani kishte pasur një minutazh të kufizuar me kombëtaren.

Në Spanjë, debati u përqendrua te Aymeric Laporte (për periudhën e tij në Arabinë Saudite), ndërsa trajneri Luis de la Fuente ishte i prerë.

“Të luash në Arabinë Saudite nuk është përcaktuese. Unë preferoj një ekip që luan 90 minuta në Arabinë Saudite sesa një që luan 15 ose 20 minuta në Ligën Premier”, kishte thënë ai në vitin 2024.

Në Francë, N’Golo Kanté u rikthye dhe u përdor rregullisht edhe gjatë kohës te Al-Ittihad, ndërsa për Botërorin 2026 është përmendur edhe Theo Hernández, aktualisht pjesë e Al-Hilal.

Sipas shkrimit, fenomeni mori formë sidomos në Portugali, ku vazhdoi besimi te Cristiano Ronaldo edhe pas kalimit të tij në Arabinë Saudite.

Për më tepër, emra si João Félix (Al-Nassr), Rúben Neves dhe João Cancelo (Al-Hilal) vazhdojnë të jenë lojtarë të rëndësishëm për Roberto Martínez dhe pritet të jenë pjesë e Botërorit në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Lista e plotë e lojtarëve nga futbolli saudit në Botërorin 2026

Sipas listës së përmendur, në Botërorin 2026 do të ketë një numër të konsiderueshëm futbollistësh që luajnë në Arabinë Saudite dhe do të përfaqësojnë kombëtaret e tyre: Bregu i Fildishtë – Franck Kessié (Al Ahli); Franca – Theo Hernandez (Al Hilal); Brazili – Roger Ibáñez (Al Ahli) dhe Fabinho (Al Ittihad); Curaçao – Jurien Gaari (Abha Club); Portugalia – Rúben Neves (Al Hilal), João Félix (Al Nassr) dhe Cristiano Ronaldo (Al Nassr); Anglia – Ivan Toney (Al Ahli); Panama – Orlando Mosquera (Al Fayha); Maroku – Yassine Bono (Al Hilal); Senegali – Édouard Mendy (Al Ahli), Kalidou Koulibaly (Al Hilal) dhe Sadio Mané (Al Nassr); Egjipti – Nabil Dunga (Al Najma); Algjeria – Riyad Mahrez (Al Ahli) dhe Houssem Aouar (Al Ittihad); Iraku – Ali Jasim (Al Najma); Meksika – Julián Quiñones (Al Qadisiyah); Turqia – Merih Demiral (Al Ahli); Tunizia – Aymen Dahmen (Al Hazem); Uruguai – Darwin Núñez (Al Hilal); Jordania – Ali Al-Azaizeh (Al Shabab); Gana – Cristopher Bonsu Baah (Al Kadisiyah).

Në fund, mesazhi i përgjithshëm i shkrimit është i qartë: futbolli saudit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një “vitrinë” të rëndësishme, ku lojtarët mund të ruajnë statusin e tyre ndërkombëtar dhe të jenë pjesë e skenës më të madhe, Kupës së Botës. /Telegrafi/

Before yesterdayTelegrafi

"Të rishikohet vendimi skandaloz, kjo qasje na shtyn të tërhiqemi" - Shkëndija me reagim të fortë pas dënimeve nga federata

4 June 2026 at 21:59


KF Shkëndija e Tetovës ka marrë të martën një dënim të rëndë nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFM), pas incidentit në finalen e Kupës së Maqedonisë, ndërsa sot klubi shqiptar ka reaguar në lidhje me dënimin.

Komisioni Disiplinor i FFM-së i ka shqiptuar klubit tetovar një gjobë prej 105 mijë eurosh, ndërsa Shkëndija është dënuar edhe me përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27, për shkak të refuzimit për t’i pranuar medaljet në ceremoninë zyrtare pas finales.

Ndërkaq, të mërkurën ka reaguar klubi, duke kërkuar që vendimi të rishikohet dhe të korrigjohet urgjentisht, teksa e ka cilësuar atë si të papranueshëm dhe të padrejtë.

Në komunikatën e saj, Shkëndija thekson se ka funksionuar ndër vite “me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare”, duke nënvizuar se kontributi i klubit ka ardhur me “kosto, mund dhe sakrifica të mëdha”.

Klubi kujton gjithashtu se paraqitjet e tij në Evropë kanë ndikuar në rritjen e koeficientit të ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha ekipet vendore dhe falë të cilit, nga edicioni i ardhshëm, futbolli i Maqedonisë së Veriut do të ketë edhe një vend shtesë në garat evropiane.

“Është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme”, thuhet në reagim.

Shkëndija paralajmëron se, nëse FFM nuk e tërheq vendimin, sponsori i klubit do të shqyrtojë edhe opsione më radikale, përfshirë tërheqjen nga klubi/futbolli në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thekson komunikata.


Në fund, klubi kërkon që organet e FFM-së të reflektojnë “me urgjencë”, në interes të drejtësisë sportive dhe të ardhmes së futbollit në vend. /Telegrafi/

Prishtina me krenari e prezanton Malsor Gjonbalajn si udhëheqës i Këshillit Profesional

4 June 2026 at 21:36


FC Prishtina ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Prof. Malsor Gjonbalajn, i cili i është bashkuar klubit si udhëheqës i Këshillit Profesional.

Në komunikatën e klubit theksohet se, përveç angazhimit akademik, prof. Gjonbalaj ka dhënë prej vitesh kontribut të rëndësishëm në futbollin kosovar, ndërsa kualifikimet e tij në fushën akademike, shkencore dhe profesionale konsiderohen si dëshmi e profilit të tij dhe e synimit të klubit për të afruar figura të rëndësishme në strukturat drejtuese.

Sipas FC Prishtinës, Prof. Gjonbalaj do të ketë rol të rëndësishëm në hartimin e planeve të përgjithshme zhvillimore të klubit, me fokus të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve, si pjesë e objektivave afatgjata të “bardhekaltërve”.

Klubi shpreh bindjen se angazhimi dhe vizioni i tij do të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të FC Prishtinës dhe në arritjen e synimeve për suksese më të mëdha në të ardhmen.

Gjonbalaj ka luajtur te Prishtina për disa sezone, në periudha të ndryshme, ku ishte i njohur për lojërat e tij në sulm dhe golat e shumtë.

“Mirë se u ktheve në familjen bardhekaltër, Prof. Gjonbalaj!”, përfundon komunikata e FC Prishtinës. /Telegrafi/

Liverpooli me Andoni Iraolan: Katër gjërat që duhet t'i rregullojë spanjolli, pasi dy vite shkojnë shpejtë

4 June 2026 at 21:17


Liverpooli e ka zyrtarizuar Andoni Iraolën si trajnerin e ri me kontratë dyvjeçare, duke hapur një epokë të re pas largimit të Arne Slot.

Spanjolli vjen me reputacionin e një trajneri që ndërton ekipe agresive, me presing dhe “futboll sulmuese”, por “Anfield” do t’i kërkojë rezultat të shpejtë dhe identitet të qartë.

Për ta arritur këtë, Iraola po hyn në punë me disa dosje urgjente që duhet t’i mbyllë para nisjes së sezonit të ri.

Bëje Isakun të “ringjallet”

Një nga sfidat e para është Alexander Isak. Sezoni i parë i suedezit u shënua nga dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë, duke mos e justifikuar peshën e pritjeve.

Në këtë kontekst, Botërori mund të shndërrohet në “shansin e fundit” për të marrë minuta, ritëm dhe besim, nëse kthehet i padëmtuar dhe me gola në këmbë.

Për Iraolën, versioni i Isakut që bënte diferencën me lëvizje, presing dhe finalizim është jetik, sepse një tjetër sezon me pak gola do të ishte i papranueshëm për profilin dhe koston e tij.

Çfarë të bësh me Wirtzin dhe rregullo mesfushën

Nëse Isaku duhet të ringrihet, atëherë Liverpooli duhet të gjejë edhe mënyrën si ta shfrytëzojë maksimalisht Florian Wirtz.

Gjermani ka dhënë shkëndija, por edhe ka pasur periudha ku është zhdukur, sidomos në ndeshje të mëdha. Iraola pritet të luajë shpesh me 4-2-3-1, skemë ku Wirtz do të ishte logjikisht “numri 10” dhe qendra e krijimit.

Por kjo kërkon strukturë: ai duhet të ketë rreth vetes lëvizje, opsione dhe një ekip që e mbron tranzicionin kur Liverpooli humb topin.

Për Iraolën, mesfusha është pika ku Liverpooli e humbi shpesh kontrollin sezonin e kaluar. Alexis Mac Allister u pa i lodhur në faza, ndërsa Ryan Gravenberch jep më shumë rrezik në sulm sesa mbulim në prapavijë.

Nëse Wirtz luan si 10, atëherë dyshja poshtë tij duhet të jetë më e fortë dhe më e balancuar. Prandaj nuk do të ishte surprizë që Iraola t’i kërkojë klubit një mesfushor mbrojtës specialist (nr.6), për ta stabilizuar ekipin, për ta ulur barrën e të tjerëve dhe për t’i dhënë Wirtz-it liri reale për të krijuar.

Zhvillo pasardhësin e Salahut

Një problem po aq i madh është krahu i djathtë. Pavarësisht zërave, Mohamed Salah nuk pritet të rikthehet menjëherë dhe Liverpooli duhet të mendojë seriozisht për një zëvendësues të denjë.

Ky nuk është vetëm problem “emri”, por problem funksioni: pa një kërcënim konstant nga e djathta, sulmi bëhet më i lexueshëm, Isaku izolohet, Wirtz ka më pak lëvizje përpara dhe presingu humb një armë kryesore.

Përparësia e Iraolës është se ai ka treguar se di t’i rrisë anësorët dhe t’i bëjë vendimtarë në intensitet e në tranzicion, por klubi duhet t’i sjellë profilin e duhur.

Rregullo prapavijën për futbollin e Iraolës

Stili i Iraolës kërkon vijë më të lartë, presing më agresiv dhe rikuperim të shpejtë pas humbjes së topit. Kjo funksionon vetëm nëse mbrojtja është e shpejtë, e sinkronizuar dhe e vendosur mirë në duele.

Liverpooli duhet të vendosë qartësi në role, të shmangë luhatjet dhe të krijojë stabilitet, sepse pa një bazë të fortë mbrapa, çdo ide sulmuese kthehet në rrezik në kundërsulm.

Kontrata dyvjeçare e bën projektin të duket “me afat”, jo pa kufi. Kjo do të thotë se Iraola duhet të japë shenja të qarta përmirësimi shpejt: intensitet, strukturë, më shumë gola dhe më pak ndeshje ku Liverpooli duket i pafuqishëm mendërisht e fizikisht.

Nëse ai arrin ta ringjallë Isakun, ta vendosë Wirtzin në kushtet ku dominon dhe ta ndërtojë një identitet të ri pas Salahut, atëherë Liverpooli mund të kthehet shpejt në skuadrën që e imponon ritmin. Nëse jo, “Anfield” nuk pret gjatë. /Telegrafi/

Zyrtare: Andoni Iraola, trajner i Liverpoolit

4 June 2026 at 20:35


Liverpooli e ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Andoni Iraolas si trajnerin e ri të ekipit, me spanjollin që ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin nga “Anfield”.

Iraola vjen te “Reds” pasi ishte kandidati kryesor për ta zëvendësuar Arne Slot, i cili u shkarkua të shtunën, më 30 maj, pas dy sezonesh në krye të skuadrës.

Trajneri spanjoll vjen pas një periudhe të suksesshme te Bournemouth, ku qëndroi për tre sezone dhe arriti ta udhëheqë klubin drejt kualifikimit në Evropë për herë të parë në histori.

"I want to become one more of you." ✊ pic.twitter.com/EN38rKmKRz
— Liverpool FC (@LFC) June 4, 2026


Sezoni 2025/26 shënoi edhe fundin e aventurës së tij në bregdetin jugor të Anglisë, ndërsa puna e Iraolas u vlerësua gjerësisht për mënyrën se si e rriti nivelin konkurrues të ekipit në Ligën Premier.

Bournemouth e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, vetëm tri pikë prapa Liverpoolit që përfundoi në pozitën e pestë, çka e bëri edhe më të dukshme ndikimin e tij në elitën angleze.

We can confirm Andoni Iraola has agreed a deal to become the club’s new head coach ahead of the 2026-27 season 🤝
— Liverpool FC (@LFC) June 4, 2026


Tash, Iraola merr drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në Angli, me synimin që Liverpooli të rikthehet në garën për trofe dhe të ketë stabilitet në sezonet e ardhshme. /Telegrafi/

Franca “fabrikë” për Kampionatin Botëror: 98 futbollistë të lindur atje do të luajnë me 11 kombëtare të ndryshme

4 June 2026 at 19:39


Franca do të jetë një nga favoritët kryesorë për titullin në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por edhe vendi që “dhuron” më së shumti pjesëmarrës në turneun më të madh në historinë e futbollit.

Përzgjedhësit e 48 përfaqësueseve kishin të drejtë të regjistronin nga 26 lojtarë, pra gjithsej 1.248 futbollistë. Prej tyre, plot 98 janë të lindur në Francë, që do të thotë se praktikisht çdo i 13-ti pjesëmarrës i Botërorit ka lindur në territorin e “gjelave”.

Numri më i madh, natyrisht, është te vetë Franca: 23 lojtarë. Megjithatë, edhe brenda listës së “trikolorëve” ka disa raste të veçanta.

Portieri rezervë Brice Samba, ka ardhur në Francë si fëmijë nga Kongo, ndërsa Marcus Thuram ka lindur në Parma të Italisë, ku luante babi i tij.

Një nga emrat më të përfolur të ekipit, Michael Olise, ka lindur në Hammersmith të Londrës. Babai i tij është britanik me origjinë nigeriane, nëna algjeriane nga Franca, por ai ka zgjedhur të veshë fanellën franceze.

Përveç këtyre, në Evropë nuk ka lindur as portieri i parë Mike Maignan, por në Cayenne të Guajanës Franceze. Megjithatë, Guajana Franceze është territor francez përtej detit, ashtu si Guadeloupe, Martinique, Mayotte dhe Réunion, ndaj edhe këto konsiderohen pjesë e Francës në kuptimin administrativ.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë statistikë është shpërndarja e futbollistëve të lindur në Francë në përfaqësuese të tjera.

Për Algjerinë luajnë saktësisht 13 futbollistë të lindur në Francë, pra gjysma e ekipit, ndërsa Haiti do t’i ketë 12, Kongo 11, Senegali 10, Bregu i Fildishtë tetë, Tunizia shtatë dhe Maroku gjashtë.

Kepi i Gjelbër dhe Gana kanë nga tre lojtarë të lindur në Francë, ndërsa edhe Egjipti ka një të tillë.

Shembull simbolik i këtij fenomeni është edhe kapiteni i Algjerisë, Riyad Mahrez, i lindur në Clichy, i cili megjithatë ka zgjedhur ta përfaqësojë vendin e origjinës së familjes së tij.

Në këtë mënyrë, Franca jo vetëm që hyn në Botëror me një skuadër të mbushur me talent, por vazhdon të jetë edhe “fabrika” më e madhe e lojtarëve që përbëjnë kombëtare të ndryshme në skenën më të madhe të futbollit botëror. /Telegrafi/

Zyrtare: Benfica e zbulon shumën që Real Madridi ka paguar për Jose Mourinhon

4 June 2026 at 19:14


Deri te zgjedhjet presidenciale në Real Madrid kanë mbetur edhe tre ditë dhe, nëse fiton Florentino Pérez, trajner i ri i “Los Blancos” pritet të jetë José Mourinho.

Prej kohësh është raportuar se “Special One” e ka arritur marrëveshjen për rikthim në “Santiago Bernabéu” dhe se po pritet vetëm që magnati i ndërtimit ta sigurojë një mandat të ri.

Tani këtë e ka konfirmuar zyrtarisht edhe Benfica, e cila ka bërë të ditur se Real Madridi – në rast të fitores së Pérez – do të paguajë 15 milionë euro për lirimin e trajnerit portugez.

Klubi nga Lisbona, si kompani me aksione që tregtohen në bursën portugeze, ka detyrim ligjor të informojë publikun për transaksione të tilla financiare.

Pérez, ndërkohë, e “zbuloi” marrëveshjen me Mourinhon të mërkurën mbrëma përmes një videoje të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale nga shtabi i tij zgjedhor.

Në pamje shfaqej Mourinho me fanellën e Real Madridit dhe vetëm një fjalë: “Po”, ndërsa mesazhi shoqërues ishte: “Ka ende shumë histori për t’u shkruar”.

Klauzola e lirimit të Mourinhos ka qenë një nga pikat më të diskutuara për rikthimin e tij të mundshëm në Madrid. Fillimisht ishte përfolur shifra 7 milionë euro, por për shkak të vonesës së realizimit të marrëveshjes si pasojë e shpalljes së zgjedhjeve, Real Madridi – nëse Pérez fiton – do të duhet të paguajë më shumë se dyfish për ta angazhuar trajnerin.

Sipas raportimit, pas largimit të Mourinhos, Marco Silva do të jetë pasuesi i tij te Benfica. /Telegrafi/

10 përballjet më të pritura në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026

4 June 2026 at 18:32


Me formatin e zgjeruar me 48 kombëtare, faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 pritet të jetë e mbushur me ndeshje të mëdha dhe përplasje stilesh.

“Flashscore” ka përzgjedhur dhjetë duelet që, sipas tyre, nuk duhen humbur në këtë Botëror.

Në një Kampionat Botëror me 48 ekipe dhe me më shumë ndeshje se kurrë, këto janë disa nga duelet që pritet të japin temperaturën e vërtetë të turneut që nis në Amerikën e Veriut.

10) Turqi – Shtetet e Bashkuara

Edhe pse kanë luajtur disa miqësore ndër vite, kjo do të jetë hera e parë që Turqia dhe SHBA-ja përballen në një Kampionat Botëror. Turqit kanë fituar 2-1 një miqësore rreth një vit më parë, por në një stadium të mbushur në Los Angeles pritet një sfidë e vështirë, me amerikanët që do të mbështeten te atletizmi, presingu dhe shpejtësia në sulm, ndërsa Turqia te kreativiteti teknik dhe menaxhimi i momenteve të ndeshjes.

9) Gana – Kroaci

Gana, e etur të harrojë një fushatë zhgënjyese në Katar, do të përballet në Filadelfia me Kroacinë, një ekip që ka marrë vendin e dytë dhe të tretë në dy Botërorët e fundit. Ganezët vijnë pas një periudhe të trazuar, pasi ish-përzgjedhësi Otto Addo u shkarkua më 31 mars pas rezultateve të rënda, por gjithsesi mund t’i hapin shumë probleme kroatëve, të cilët mbështeten te përvoja dhe cilësia e lojtarëve veteranë.

8) Argjentinë – Austri

Për herë të parë në një Kupë Bote, Argjentina dhe Austria do të ndeshen mes vete. Për shumë, kjo është thjesht një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit nga Argjentina, por puna taktike e Ralf Rangnickut te Austria mund të sjellë surpriza. Stili i pasimeve të shkurtra i argjentinasve do të vihet në provë nga presingu agresiv austriak, duke krijuar një kontrast interesant.

7) Uruguai – Spanjë

Spanja vjen si kampione e Evropës dhe me një rekord të jashtëzakonshëm në kualifikime, ndërsa Luis de la Fuente ka ruajtur identitetin e lojës me posedim. Por Uruguai mund t’i shkaktojë telashe me intensitetin, fizikalitetin dhe qasjen më direkte në sulm. Është një duel mes dy identiteteve krejtësisht të ndryshme futbolli.

6) Brazil – Maroku

Brazil-Maroku ka potencial të jetë një nga ndeshjet më atraktive të fazës së grupeve. Brazili vjen me talentin dhe kreativitetin e zakonshëm ofensiv, por raporti thekson se ata patën vështirësi në finalizim në fazën kualifikuese. Kjo mund të jetë problem ndaj një Maroku të organizuar defensivisht dhe shumë të rrezikshëm në kundërsulm. “Atlas Lions” vazhdojnë të mbajnë reputacionin e ekipit të rrezikshëm pas vendit të katërt në Katar 2022.

5) Francë – Senegal

Një përballje me histori, në ndeshjen hapëse të Botërorit 2002, Senegali e mposhti Francën 1-0 në një nga surprizat më të mëdha. Tani pyetja është nëse historia mund të përsëritet 24 vjet më vonë. Franca vjen pas një fushate të qetë kualifikuese dhe kërkon start perfekt, ndërsa Senegali, që ka humbur vetëm dy ndeshje që nga dhjetori 2024, synon të shkojë më larg se në Katar, ku u eliminua në 1/8 e finales.

4) Kolumbi – Portugali

Një duel që premton shumë. Portugalia hyn në turne me thellësi të madhe në sulm dhe me përvojë, ndërsa Kolumbia me një skuadër të balancuar dhe fizike, që mund të synojë vendin e parë në grup. Mesfusha portugeze me emra si Rafael Leao, Bernardo Silva, Bruno Fernandes dhe Joao Neves do të ketë punë, pasi Kolumbia pritet të jetë e fortë në mbrojtje dhe e rrezikshme në tranzicion përmes shpejtësisë së Luis Diaz.

3) Gjermani – Bregu i Fildishtë

Për herë të parë ndonjëherë, Gjermania dhe Bregu i Fildishtë do të përballen në Botëror. Gjermanët, katër herë kampionë të botës, u eliminuan surprizueshëm në fazën e grupeve në 2018 dhe 2022 dhe duan ta largojnë atë hijë nën drejtimin e Julian Nagelsmannit. Ndërkohë, Bregu i Fildishtë rikthehet në Botëror për herë të parë që nga 2014 dhe konsiderohet ekip shumë i rrezikshëm menjëherë pas fitimit të topit.

2) Francë – Norvegji

Kjo shihet si një nga përballjet më shpërthyese të fazës së grupeve, falë arsenaleve sulmuese në të dyja anët. Franca mbështetet te shpejtësia, atletizmi dhe cilësia individuale, por Norvegjia – që e rrënoi Italinë në kualifikime – vjen me një treshe shumë të frikshme në sulm: Erling Haaland, Martin Odegaard dhe Antonio Nusa.

1) Angli – Kroaci

Anglia dhe Kroacia pritet të luftojnë për vendin e parë në Grupin L (me Ganën që mund të ketë rol), ndërsa historia mes dy kombëtareve e bën këtë duel edhe më të madh. Anglia duket më e fortë se në vitin 2018 kur u eliminua nga Kroacia në gjysmëfinale, falë emrave si Jude Bellingham, Morgan Rogers, Marcus Rashford dhe Bukayo Saka. Kroatët, nga ana tjetër, do të mbështeten sërish te Luka Modric 40-vjeçar për të udhëhequr një skuadër që po plaket, por që di të luajë turnetë. /Telegrafi/

Visar Bekaj mund të jetë titullar ndaj Andorrës

4 June 2026 at 17:46


Kombëtarja e Kosovës pritet të paraqitet pa portierin Arijanet Muriq në ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, pasi gardiani “dardan” po përballet me një lëndim dhe ende nuk është marrë vendim përfundimtar nëse do të lirohet nga grumbullimi.

Në anën tjetër, portieri i dytë Amir Shaipi nuk është ftuar fare, çka e bën Visar Bekajn kandidatin kryesor për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë kundër Andorrës.

Ndërkohë, Kosovës i është bashkuar edhe portieri i Kosovës U21, Altin Gjokaj, i cili është thirrur si opsion shtesë në repartin e portës.

Bekaj ka folur edhe për paraqitjen e Kosovës në miqësoren e parë ndaj Çekisë në Pragë, e cila përfundoi me humbjen 2-1.

“Në pjesën e parë ndoshta nuk kemi luajtur shumë mirë, por në pjesën e dytë jemi rikthyer. Janë ndeshje testuese dhe po besoj që disa lojtarë mund të vijnë në shprehje, të cilët nuk kanë ardhur më herët. Ndeshja me Andorrën ndoshta duket e lehtë në letër, por nuk ka kundërshtar të lehtë në arenën ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi, të japim 100% nga vetja dhe në fund e shohim rezultatin”, ka thënë Bekaj.

Portieri 29-vjeçar, i cili është pjesë e Tiranës, ka shprehur dëshirën që ta marrë shansin në këtë ndeshje, duke theksuar se është nder të përfaqësosh Kosovën.

“E kam thënë shumë herë që është nder të jesh pjesë e kombëtares, pastaj po të erdhi rasti mirë, nëse jo…”, u shpreh Bekaj, i cili me fanellën e Kosovës ka nëntë paraqitje.


Kosova ka vazhduar përgatitjet për duelin me Andorrën, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se futbollistët po punojnë me “përkushtim dhe seriozitet maksimal” në seancat stërvitore. /Telegrafi/

Real Madridi ka pasur kontakte me mbrojtësin e Arsenalit

4 June 2026 at 17:16


Fabrizio Romano ka konfirmuar se Real Madridi është i interesuar për mbrojtësin e Arsenalit, Riccardo Calafiori, por paralajmëron se marrëveshja nuk do të jetë e lehtë, pasi londinezët e shohin italianin si pjesë të rëndësishme të projektit.

Italiani mund të ndërrojë mjedis vetëm nëse kompletohet disa kushte rreth marrëveshjes.

“Real Madridi nuk e ka mbyllur punën me mbrojtësit, sepse situata lidhet me pozicionin e qendërmbrojtësit dhe të mbrojtësit të majtë”.

“Në thelb, te Real Madridi në krahun e majtë kanë Alvaro Carreras dhe pastaj Ferland Mendy, i cili është i lënduar tani dhe ka pasur shumë lëndime gjatë viteve të fundit".

“Ideja e Real Madridit është që nëse ka një mundësi për një lojtar që mund të ndihmojë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i majtë, dhe Riccardo Calafiori, për shembull, është ai lloj profili, për Real Madridin mund të jetë një opsion interesant për t’u ndjekur në treg".

“Për Calafiorin, ajo që mund t’ju zbuloj është se ka pasur kontakt me njerëz pranë Calafiorit disa javë më parë, me Real Madridin që ka kërkuar informacion rreth mbrojtësit italian".

calafiori

“Ai është ende një lojtar shumë i rëndësishëm për Arsenalin. Pra, nuk është aspak i lehtë. Dhe për Arsenalin, Calafiori është vërtet një pjesë e rëndësishme e projektit. Pra, të shohim çfarë do të ndodhë aty. Por Real Madridi po kërkon një lojtar të atij profili”,” përfundoi Romano. /Telegrafi/

Jose Mourinho e paditë Turqinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

4 June 2026 at 17:04


Ish-trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka paraqitur padi kundër Turqisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar sanksionet disiplinore që iu shqiptuan gjatë periudhës sa e drejtonte klubin nga Stambolli.

Sipas mediave turke, Gjykata në Strasburg e ka pranuar padinë për shqyrtim dhe ka kërkuar zyrtarisht një deklaratë nga qeveria turke, e cila ka afat gjashtë muaj për t’u përgjigjur.

Çështja lidhet me dënimet e vendosura ndaj portugezit nga Bordi Disiplinor i Futbollit Profesional (PFDK) i Federatës Turke të Futbollit, pas komenteve që ai kishte bërë pas një ndeshjeje ndaj Trabzonsporit në nëntor të vitit 2024.

Si pasojë e atyre deklaratave, Mourinho u ndëshkua me masa disiplinore, u përjashtua nga dhoma e zhveshjes dhe u gjobit me disa qindra mijëra lira turke.

Më pas, edhe Bordi i Arbitrazhit i federatës turke e la në fuqi vendimin, duke e shtyrë trajnerin të ndjekë rrugë ligjore ndërkombëtare.

Argumentet e Mourinhos

Në padinë e tij, Mourinho pretendon se organet disiplinore të Federatës Turke të Futbollit nuk janë të pavarura, ndërsa thekson se dënimet e dhëna ndaj tij kanë shkelur të drejtën për lirinë e shprehjes.

Po ashtu, ai argumenton se nuk i është dorëzuar në mënyrë të rregullt vendimi i arsyetuar për dënimin, çka – sipas tij – i ka mohuar të drejtën për gjykim të drejtë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, sipas raportimeve, ka sqaruar se kërkesa drejtuar qeverisë turke nuk e paragjykon epilogun, por shënon nisjen e procedurës zyrtare të shqyrtimit.

Mourinho u emërua trajner i Fenerbahçes në vitin 2024 dhe u largua nga klubi në gusht 2025. Gjatë periudhës në Turqi, ai e udhëhoqi ekipin në 62 ndeshje, me një mesatare prej 2.02 pikësh për ndeshje.

Aktualisht ai është në stolin e Benficas, ndërsa mediat e kanë lidhur edhe me një rikthim të mundshëm te Real Madridi, në rast se Florentino Pérez siguron mandat të ri në krye të klubit. /Telegrafi/

E kryer, Iraola ka nënshkruar kontratën me Liverpool

4 June 2026 at 16:40


Liverpooli ka bërë gati trajnerin e ri, pasi Andoni Iraola raportohet se tashmë e ka nënshkruar kontratën me klubin nga “Anfield”.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili ka shkruar se gjithçka është mbyllur.

“Andoni Iraola ka vendosur firmën sot në Merseyside si trajneri i ri i Liverpoolit. Kontratë deri në qershor 2028, gjithçka e përfunduar dhe e dorëzuar”, ka postuar Romano në Instagram.

Nëse ky raportim konfirmohet zyrtarisht, atëherë Liverpooli mund ta prezantojë Iraolan në çdo moment si pasuesin e fundit në stolin e “Reds”, teksa klubi synon ta nisë sa më shpejt planifikimin për sezonin e ri.

Trajneri bask vlerësohet për stilin e tij intensiv të lojës te Bournemouth, presingun e lartë dhe organizimin taktik, ndërsa emërimi i tij shihet si pjesë e një projekti për ta rikthyer Liverpoolin në garën për trofe, pas një sezoni që nuk i përmbushi pritjet.

Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet së shpejti, ndërsa më pas pritet të fillojë edhe puna për afatin kalimtar dhe ndërtimin e skuadrës sipas kërkesave të trajnerit të ri. /Telegrafi/

Misteri më i madh i futbollit botëror: Mendohej se Cruyff po bojkotonte Argjentinën, por e vërteta ishte shumë më e frikshme

3 June 2026 at 23:59


Ka histori futbolli që nuk vjetrohen kurrë. Ato përcillen si legjenda – përmes pëshpëritjeve nga tribunat dhe debateve nëpër bare – dhe njëra prej tyre ishte misteri pse Johan Cruyff, njeriu që e shndërroi futbollin në art, nuk luajti për Holandën në Kupën e Botës 1978 në Argjentinë.

Për gati tri dekada u përfolën shumë arsye. Disa pretendonin se kishte konflikt me Federatën Holandeze për çështje sponsorësh, të tjerë se nuk donte të luante në një vend të sunduar nga junta ushtarake. Megjithatë, e vërteta doli shumë më e errët dhe më personale.

Vetëm në vitin 2008, 30 vjet pas Botërorit, Cruyff vendosi ta thyejë heshtjen dhe të tregojë publikisht se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.

Arsyeja e vërtet ishte shokuese

Ish-ylli i Ajaxit dhe Barcelonës rrëfeu se ai dhe familja e tij kishin qenë viktima të një tentative rrëmbimi në shtëpinë e tyre në Barcelonë, disa muaj para Kupës së Botës.

Sipas tij, persona të armatosur hynë natën në banesë, e lidhën atë dhe bashkëshorten para fëmijëve dhe i mbajtën nën kërcënimin e armës.

“Dikush më mbajti një armë në kokë. Më lidhën mua dhe gruan time para fëmijëve në apartamentin tonë në Barcelonë”, kujtoi Cruyff në një intervistë për Catalunya Ràdio.

Edhe pse tentativa dështoi, pasojat ishin të mëdha. Për muaj me radhë, policia e ruajti familjen, fëmijët shoqëroheshin në shkollë dhe Cruyff nuk mund të jetonte e të luante më me qetësinë e dikurshme.

“Këto gjëra ta ndryshojnë perspektivën për jetën. Në një moment e kupton se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli”, kishte thënë ai.

Holanda ishte favoriti kryesor

Kjo ishte arsyeja pse Cruyff vendosi të mos udhëtonte për në Argjentinë, edhe pse Holanda konsiderohej një nga favoritët kryesorë të turneut.

“Tulipanët” arritën deri në finale edhe pa të, por humbën nga Argjentina me rezultat 3-1, dhe shumë holandezë vazhdojnë të besojnë se me Cruyff në fushë, historia mund të kishte marrë një tjetër drejtim.

Për vite me radhë, mungesa e tij u shoqërua edhe me një tjetër version të përfolur, se bashkëshortja e tij, Danny Coster, e kishte bindur të tërhiqej.

Por Cruyff i hodhi poshtë këto thashetheme, duke theksuar se vendimi nuk ishte as tekë, as presion familjar, por pasojë e frikës dhe traumës që po përjetonin.

Cruyff, mbetet si njëri prej më të mëdhenjve

Cruyff mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave: simbol i “futbollit total”, një mendje që e shihte lojën disa hapa përpara dhe një figurë që e ndryshoi përgjithmonë mënyrën si kuptohet futbolli.

Ai fitoi tre Kupa Evropiane radhazi me Ajaxin dhe më vonë, si trajner, i solli Barcelonës titullin e parë evropian.

Megjithatë, pas gjenialitetit dhe famës fshihej edhe historia e një njeriu që, për një moment, u detyrua të largohej nga skena për të mbrojtur atë që kishte më të rëndësishme: familjen.

Ndërkohë, Holanda e sotme, në prag të Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, shpreson ta thyejë më në fund “mallkimin” e finaleve dhe të fitojë titullin botëror – duke e korrigjuar padrejtësinë e brezit të Cruyffit, që mbeti pa kurorë në vitet 1974 dhe 1978, pas humbjeve në finale ndaj Gjermanisë Perëndimore dhe Argjentinës. /Telegrafi/

Dumfries kaloi testet mjekësore, Real Madridi ia paguan Interit shumën e kërkuar në klauzolë

3 June 2026 at 23:49


Real Madridi e informoi zyrtarisht Interin sot se po aktivizon klauzolën e lirimit për mbrojtësin e djathtë holandez Denzel Dumfries.

Drejtuesit e Klubit Mbretëror i dërguan të gjithë dokumentacionin e nevojshëm klubit italian, duke e nisur transferimin e mbrojtësit.

Futbollisti i njohur tashmë ka përfunduar me sukses të gjitha ekzaminimet mjekësore në Holandë gjatë ditës së sotme, dhe e vetmja gjë që mbetet është të zyrtarizohet bashkëpunimi me gjigantin spanjoll.

Ekipi nga "Giuseppe Meazza" do të arkëtojë rreth 20 milionë euro për këtë shitje, sa ishte klauzola e lojtarit.

Fabrizio Romano e konfirmoi këtë lajm, duke njoftuar se tashmë gjithçka tashmë është mbyllur.

🚨 Understand Real Madrid have officially informed Inter with document about activating release clause to sign Denzel Dumfries today!

Dumfries completed medical tests in the Netherlands as new Real Madrid player today. All done. ✅🔐

Inter receive €20m. Here we go, confirmed. pic.twitter.com/QZdEiQm3qD
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) June 3, 2026

Dumfries do të sjellë një dozë të madhe agresiviteti dhe shpejtësie në anën e djathtë të ekipit të Madridit, gjë që është pikërisht ajo që u ka munguar.

Tifozët e Realit mezi presin prezantimin zyrtar të përforcimeve të reja në stadiumin "Santiago Bernabeu", i cili pritet të ndodhë në ditët në vijim. /Telegrafi/

Asllani me fjalë të mëdha për trajneri Maran

3 June 2026 at 23:10


Për përzgjedhësin e Shqipërisë, Rolando Maran, ishte ndeshja e parë në krye të “kuqezinjve”, e cila edhe pse u mbyll me humbje, italiani u lavdërua nga lojtarët.

Shqipëria pësoi humbje 1-0 nga Izraeli në “Air Albania”, por lojtarët kishin komente positive, prej tyre ishte edhe mesfushori Kristjan Asllani.

“Trajneri është njeri i mirë. Dëshiron presing të lartë dhe agresivitet. Kishim vështirësi në pjesën e parë sepse ishin me dy mesfushorë dhe unë me Ramadanin ishim pak, do dalim apo jo. Në të dytën shkuam një kundër një”.

“Pësuam atë gol dhe na vjen keq sepse besoj se kemi bërë ndeshje të mirë sot. Zgjedhjet i bën trajneri, por të gjithë janë gati. Është e vështirë të luash dy ndeshjet e fundit pasi ka mbaruar kampionati. Jemi stërvitur të gjithë mirë. Tani presim Luksemburgun”, theksoi Asllani, i cili ishte pjesë e Besiktasit.

Asllani që është i huazuar nga Interi te klubi turk, nuk e di ende të ardhmen.

“Të ardhmen nuk e di. Besiktasi e ka të drejtën blerjen deri më datën 15. Jam ambientuar mirë, kam luajtur në të gjitha ndeshjet. Shpresoj të rri atje, nuk i dihet”, deklaroi Asllani. /Telegrafi/

Florentino Perez 'zyrtarizon' Jose Mourinhon te Real Madridi, por kjo ndodh vetëm nëse fiton zgjedhjet presidenciale

3 June 2026 at 22:44


Florentino Pérez ka bërë të ditur se José Mourinho do të jetë trajneri i ri i Real Madridit në rast se ai fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Kandidatura e tij ka shpërndarë në rrjetet sociale një video me portugezin, të shoqëruar me mesazhin: “Ka ende shumë histori për t’u shkruar”.

Në klipin e shkurtër, Mourinho shqipton vetëm një fjalë: “Po”. Njoftimi u publikua në të njëjtën kohë kur një tjetër kandidat për president, Enrique Riquelme, po shfaqej në emisionin “El Hormiguero”, ku pritej të prezantonte planet e tij për përforcime.

MOUcha historia por hacer. pic.twitter.com/7wLmDk8r2M
— Florentino 2026 (@Florentino2026_) June 3, 2026


Detajet e marrëveshjes

Sipas raportimeve, nëse Pérez fiton, lëvizja e parë do të jetë konfirmimi zyrtar i rikthimit të Mourinhos – një operacion që thuhet se ka qenë në proces prej gati dy javësh gjatë periudhës parazgjedhore. Marrëveshja mes trajnerit dhe klubit është arritur më herët, ndërsa Jorge Mendes raportohet se ka negociuar detajet me Benficën.

Edhe pse klauzola e lirimit prej 7 milionë eurosh kishte skaduar më 26 maj, Benfica në fund ka pranuar të lëshojë pe. Klubi nga Lisbona fillimisht kërkonte 15 milionë euro, shifër e barabartë me pagën vjetore bruto të Mourinhos, por raportohet se është tërhequr për të hapur rrugën e afrimit të trajnerit të preferuar, Marco Silva (Fulham), i cili përfaqësohet po ashtu nga Mendes.

Mourinho pritet të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me Real Madridin, me mundësinë e një zgjatjeje automatike edhe për vitin e tretë nëse klubi fiton La Ligën. Synimi kryesor i tij dhe arsyeja e rikthimit në Madrid mbetet Liga e Kampionëve.

Në mandatin e parë (2010-2013), ai fitoi kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Spanjës, por u ndal tri herë radhazi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, Pérez ka theksuar vazhdimisht se Mourinho ishte trajneri që “vendosi themelet” për epokën e mëvonshme të sukseseve, kur Reali fitoi gjashtë Liga të Kampionëve në 11 vjet.

Plani për blerje dhe profilin e lojtarëve

Zyrtarizimi i rikthimit të Mourinhos pritet të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, nëse Pérez fiton të dielën. Portugezi dëshiron të nisë punën sa më shpejt të jetë e mundur, duke qenë i vetëdijshëm se periudha e zgjedhjeve ka konsumuar kohë të rëndësishme në planifikimin e merkatos.

Kërkesat e tij thuhet se janë të qarta: ai synon një ose dy qendërmbrojtës, një mbrojtës të djathtë, një mbrojtës të majtë, si dhe dy mesfushorë – një krijues dhe një shkatërrues/mbrojtës.

Disa lëvizje raportohet se janë përgatitur tashmë, siç është marrëveshja me Ibrahima Konaté, kontrata e të cilit me Liverpoolin thuhet se po shkon drejt skadimit, me Realin që synon ta marrë si lojtar të lirë, në një skenar të ngjashëm me afrimet e dikurshme të Alabas dhe Rüdigerit.

Për krahun e djathtë të mbrojtjes, është përmendur emri i Denzel Dumfries, por Mourinho thuhet se dëshiron të presë fillimin e parasezonit për të vlerësuar skuadrën përpara vendimeve përfundimtare mbi përforcimet. /Telegrafi/

Maran debuton me humbje, Shqipëria pëson minimalisht në shtëpi nga Izraeli

3 June 2026 at 22:05


Kombëtarja e Shqipërisë u mposht 0-1 nga Izraeli në miqësoren e luajtur në “Air Albania”, në një ndeshje që shërbeu edhe si debutim për përzgjedhësin Rolando Maran në stolin kuqezi.

Shqipëria e nisi takimin me presing të lartë dhe ritëm të mirë, duke tentuar ta mbajë Izraelin larg zonës. Qasja agresive në minutat e para u shoqërua edhe me disa dalje të shpejta në sulm, por pa finalizim.

Rasti më i pastër për kuqezinjtë në pjesën e parë erdhi pas një krosimi nga krahu i djathtë, ku sulmuesi i Shqipërisë, Adis Mehmeti u gjend i vetëm para portës, por goditja përfundoi mbi traversë. Më pas, ekipi provoi edhe me disa gjuajtje nga distanca, por mbrojtja izraelite i menaxhoi mirë situatat.

Izraeli rrezikoi në disa momente me aksione nga krahët dhe tentativa nga jashtë zone, por pa e vënë seriozisht në vështirësi portierin shqiptar në pjesën e parë. 45 minutat e para u mbyllën pa gola, me përshtypjen se Shqipëria kishte qenë më pranë zhbllokimit.

Në pjesën e dytë, ritmi u rrit dhe Izraeli u bë më kërcënues, sidomos në kundërsulm. Portieri i Shqipërisë, Allen Sherri pati dy ndërhyrje vendimtare që e mbajtën ekipin në lojë, duke shmangur gola të sigurt.

Megjithatë, në minutën e 73-të, Izraeli shënoi pas një kundërsulmi të shpejtë, me një goditje diagonale që e zhbllokoi ndeshjen. Goli ndryshoi rrjedhën e takimit dhe e detyroi Shqipërinë të rrezikojë më shumë.

Pas golit pati edhe tension në fushë, pasi autori i golit u konsiderua se provokoi tifozët gjatë festës, ndërsa një lojtar i Shqipërisë reagoi menjëherë. Gjyqtari i ndëshkoi të dy me karton të verdhë dhe situata u qetësua shpejt.

Në minutat e fundit, Shqipëria u përpoq të barazojë me ndryshime dhe shtim të presionit, por nuk arriti të krijojë rast të pastër. Në shtesë, një gabim në prapavijë mund t’i kushtonte kuqezinjve golin e dytë, por portieri ndërhyri sërish dhe shmangu më të keqen, duke e lënë rezultatin përfundimtar 0-1. /Telegrafi/

Momente tensioni në "Air Albania": Futbollisti i Izraelit provokon tifozët, përplaset menjëherë me Hysajn

3 June 2026 at 21:49


Miqësorja Shqipëri–Izrael nuk ka kaluar pa tension në stadiumin “Air Albania”, mes lojtarësh që u zunë pas golit të izraelitëve.

Gjithçka ndodhi në minutën e 73-të, kur Oscar Gloukh zhbllokoi rezultatin për Izraelin dhe gjatë festës së golit vendosi të provokonte tifozët shqiptarë.

Reagimi erdhi menjëherë nga Elseid Hysaj, i cili iu afrua Gloukh dhe i kërkoi llogari për veprimin e tij. Situata u tensionua për disa çaste, por ndërhyrja e gjyqtarit e qetësoi shpejt episodin.

bandicam 2026-06-03 21-35-51-462

Video bandicam 2026-06-03 21-35-51-462 was uploaded to Streamin.me on Jun 04, 2026.

Të dy futbollistët, Oscar Gloukh dhe Elseid Hysaj, u ndëshkuan me karton të verdhë.

Pas incidentit, Izraeli vendosi ta largojë Gloukh nga fusha, duke e zëvendësuar. Më pas ndeshja në “Air Albania” vijoi pa probleme të tjera. /Telegrafi/

Messi e “përfundoi futbollin” në vitin 2022 – çfarë e shtyn ende të luajë?

3 June 2026 at 21:37


Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, e përfshiu të enjten Lionel Messin në listën për Kupën e Botës 2026, edhe pse kapiteni i “Albiceleste” nuk është “plotësisht i gatshëm”. Në fakt, asnjëra prej këtyre nuk është ndonjë surprizë e madhe: Messi pritej të ishte pjesë e mbrojtjes së titullit, po aq sa ishte e pritshme që, në këtë fazë të karrierës, të mos ishte në gjendjen optimale fizike.

Messi është 38 vjeç dhe do t’i mbushë 39 më vonë gjatë këtij muaji. Inter Miami ka bërë të ditur se ai aktualisht po vuan nga “mbingarkesë e lidhur me lodhje muskulore në kërdhokullën e majtë” – një muskul që, pas më shumë se dy dekadash në nivelin më të lartë, ka qenë vazhdimisht nën ngarkesë.

Kjo e bën të arsyeshme pyetjen: pse Messi vazhdon ta shtyjë trupin në limit, në një kohë kur shumica e futbollistëve tashmë janë pensionuar? Ai nuk ka më asgjë për të provuar – as për të fituar.

Në vitin 2022, ai e fitoi Kupën e Botës në Katar dhe, për shumëkënd, “e mbylli debatin” e më të madhit të të gjitha kohërave.

Atëherë, çfarë mund të fitojë Messi nga pjesëmarrja në një Botëror të gjashtë? Apo thjesht tani është aq i sigurt në statusin e tij sa mendon se nuk ka asgjë për të humbur?

Ëndrra e realizuar – por jo fundi

Shumica e lojtarëve nuk e zgjedhin vetë se kur përfundon karriera e tyre ndërkombëtare. Zakonisht e vendos trajneri, ose e vendos një dëmtim. Edhe ata që e kanë luksin të vendosin vetë, rrallëherë largohen në kulm.

Te Messi, mundësia ishte aty, të tërhiqej në momentin më të lartë të mundshëm, menjëherë pas fitimit të Kupës së Botës. Trofeu kishte qenë objektivi i tij kryesor dhe për vite me radhë fakti që nuk kishte arritur ta fitojë ishte përdorur kundër tij – sikur kjo t’ia zbehte gjithë periudhën e jashtëzakonshme të dominimit në futboll.

Madje, pas eliminimit në 1/8 e finales në Botërorin 2018 në Rusi, dukej sikur ëndrra e fëmijërisë po shuhej. Por në Katar, Messi e ktheu gjithçka në realitet – dhe në rrethana thuajse të pabesueshme.

Gjeni “surreal” në Katar

Ajo që Messi bëri në vitin 2022 sfidoi logjikën sportive. Ishte 35 vjeç, por i “silluni rrotull” lojtarëve 15 vite më të rinj, si Josko Gvardiol, i cili pas gjysmëfinales u shpreh se ishte më shumë i nderuar sesa i turpëruar.

“Nesër do t’u them fëmijëve se e kam markuar Messin për 90 minuta”, tha kroati pas humbjes në Lusail.

Nuk ishte i vetmi që e përjetoi kështu. Mesfushori australian Keanu Baccus e përshkroi ndjesinë në mënyrë të pazakontë: “Në fushë duket sikur është i rremë. Është surreal sa i mirë është”.

E gjitha kjo u bë edhe më e jashtëzakonshme sepse ndodhi nën presion ekstrem. Argjentina shkoi në Katar me 36 ndeshje pa humbje, por u trondit në start nga disfata ndaj Arabisë Saudite, duke e vënë ekipin në prag eliminimi të turpshëm – dhe duke rihapur edhe një herë diskutimet mbi liderin dhe kapitenin Messi.

“Hollywood” deri në fund… dhe prapë vazhdon

Kur Argjentina kishte më së shumti nevojë, Messi u përgjigj. Ai shënoi golin vendimtar ndaj Meksikës dhe më pas u bë lojtari i parë që shënonte në fazën e grupeve, në 1/8, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale – teksa Argjentina fitoi titullin e parë botëror që nga viti 1986.

Pas turneut, Messi e kishte një “fund të përsosur”: pesë çmime “Lojtari i ndeshjes” në tetë takime dhe trofeu që i mungonte. Ai vetë e përshkroi momentin me emocione të forta, duke thënë se e kishte arritur gjithçka dhe se “nuk mund të kërkonte më asgjë tjetër”.

Por, ndryshe nga skenari klasik i largimit në perëndim të diellit, Messi vendosi të mos e mbyllë aty.

Tash, me Botërorin 2026 në horizont dhe me trupin që po i dërgon sinjale lodhjeje, pyetja mbetet e hapur: a është kjo thjesht dëshira për ta mbrojtur kurorën, apo një kapitull i fundit i një legjende që ende nuk e sheh veten të ndalur? /Telegrafi/

❌
❌