Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 June 2026Telegrafi

Kurti flet pas shpalljes së rezultateve: Do t’i takojmë të gjitha subjektet politike

8 June 2026 at 00:15


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para mbështetësve të kësaj partie në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka uruar simpatizantët për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e Lëvizjes në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti para një numri të madh qytetarësh.

Ai ka vlerësuar se rezultati zgjedhor përbën konfirmim se kjo dekadë do të jetë dekadë e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të gjithë garojnë, por vetëm ne fitojmë”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka falënderuar mbështetësit për besimin e dhënë edhe në këtë cikël zgjedhor, duke theksuar se sfidat e deritanishme janë tejkaluar.

“Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt”, ka thënë ai.

Kurti ka siguruar qytetarët se “shteti është në duar të sigurta”, ndërsa ka deklaruar se puna e institucioneve ekzekutive do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Më keni mua si kryeministër dhe e keni zonjën Haxhiu si presidente. Ne nga nesër në ora 08:00 do të jemi në punë. Kosovës i mungon Kuvendi, jo qeveria e presidenca”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë takime me të gjitha subjektet politike, duke theksuar se prioritet mbetet interesi i qytetarëve.

“Do t’i takojmë të gjitha subjektet politike, pasi ne para së gjithash e shohim interesin e qytetarit të Kosovës”, ka thënë Kurti./Telegrafi/

Socialistët Evropianë urojnë LVV-në: Presim të ardhmen evropiane të Kosovës

7 June 2026 at 23:51


Socialistët Evropianë kanë uruar Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin zgjedhor.

“Presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për përparimin shoqëror, reformat demokratike dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në urimin në Facebook.


Yesterday — 7 June 2026Telegrafi

Një 18-vjeçar vritet në Gjakovë, dy të tjerë të lënduar

7 June 2026 at 22:53


Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjakovë.

Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës ka njoftuar se rreth orës 21:30 ka pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën “Ali Ibra”.

Si pasojë e incidentit, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë.

Njëri prej tyre ka ndërruar jetë nga plagët e marra, të cilat dyshohet se janë shkaktuar me një mjet të mprehtë.

Sipas Policisë së Kosovës, në mesin e të lënduarve ndodhet edhe personi i dyshuar për rastin.

“Rreth orës 21:30 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën ‘Ali Ibra’ në Gjakovë. Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë. Njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, që dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar”, ka deklaruar tutje Krasniqi./Telegrafi/

Osmani: LVV-ja nuk ka më asnjë arsye të më refuzojë për presidente

7 June 2026 at 22:41


Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e saj për një mandat tjetër në postin e presidentes së Kosovës.

Në një konferencë për media, krah kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Osmani tha se rezultati i zgjedhjeve është vetëm hapi i parë drejt ringritjes së partisë.

“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. E më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet në muajt dhe vitet në vijim”, tha Osmani.

Ajo shtoi se procesi i rikthimit të LDK-së sapo ka nisur.

“Koha e ringritjes vetëm ka filluar. S’ka asgjë që e ndal”, u shpreh Osmani.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, LDK-ja ka ruajtur bazën e saj elektorale dhe është rritur në përqindje për shkak të rënies së numrit total të votuesve, duke u renditur si forca e tretë politike me rreth 18 për qind të votave.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje po prin në nivel vendi me mbi 43 për qind të votave të numëruara.


Peci: Presim votat e mërgatës, koalicioni LVV i ka votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë

7 June 2026 at 22:32


Kryetari i Guxo, Faton Peci i është drejtuar mediave pasi koalicioni ku bën pjesë edhe partia e tij, fituan zgjedhjet nacionale me 43 për qind të votave.

Ai tha se rezultati është fantastikë dhe se koalicioni VV i ka votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë.

"44 për qind është në nivel vendi, tash të shohim edhe numrin e votave nga mërgata. Sipas gjitha projeksioneve, koalicioni VV i ka votat e mjaftueshme për ta bërë vetë qeverinë e radhës".

"Unë jam i bindur që vendi nuk do të shkoj në zgjedhje, unë mendoj që në skenën politike duhet me ju rikthye racionalitetit dhe leximit të rezultatit zgjedhor. Prapë koalicioni VV dhe Albin Kurti e ka fitu besimin e qytetarëve për të qenë kryeministër i vendit. Rezultati është fantastikë. Tri herë radhazi për 1 vit e diçka ne kemi fituar, rezultati është shumë i bukur", ka deklaruar Peci para zgjedhjeve.

Çitaku: Gara ishte e pabarabartë, por PDK e rikonfirmoi pozicionin

7 June 2026 at 22:21


Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se PDK po e rikonfirmon pozicionin e saj përfaqësues, përkundër që gara zgjedhore ka qenë e pabarabartë.

Çitaku në një konferencë për media, tha se pushteti i deritashëm i ka lodhur qytetarët me kriza të njëpasnjëshme dhe mospjesëmarrja e qytetarëve “është mesazh politik, që duhet të merret seriozisht, sidomos nga ky pushtet abuziv”.

“Qeverisja e Kurtit prodhoi zhgënjim të madh qytetar, prodhoi kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me këtë protestë zgjedhore, sepse mosdalja e rreth 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur mos të bënte blerje masive të votave me qindra miliona euro, me premtime për punësim, kërcënime ndaj punonjësve shtetërorë, me milionë euro për bileta për diasporën dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky do të pësonte fiasko politike. Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave, PDK-ja po e rikonfirmon pozicionon e saj përfaqësues, me përqindje dhe me numër të deputetëve”, shtoi ajo.

Ajo bëri të ditur PDK e pret numërimin e plotë të votave për të bërë publike qëndrimet e saj, duke bërë thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes, të ruhet me integritet.

“Ne e presim rezultatin përfundimtar. E presim numërimin e plotë të votave. Dhe, më pas, do t’i bëjmë publike qëndrimet tona. Juve si media ju falënderojmë për raportimin korrekt. Po ashtu, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor. Por, i falënderojmë KQZ-në, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij. Tani është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes, të ruhet me integritet dhe të respektohet vullneti i qytetarëve”, shtoi ajo.

Molliqaj i zhgënjyer për rezultatin: Kjo nuk është as afër asaj që e kemi pritur

7 June 2026 at 22:16


Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se rezultati i partisë së tij në zgjedhje nuk është as afër asaj që kishin pritur.

Në Debat Plus, Molliqaj deklaroi se PSD kishte pritur mbështetje dukshëm më të madhe nga qytetarët, por theksoi se partia do ta analizojë rezultatin në aspektin politik në ditët në vijim.

“Nuk është ky rezultat që e kemi pritur, sepse kemi pritur qartazi mbështetje shumë më të madhe për neve. Dhe analizat shumë shpejt do t’i bëjmë, ajo që po shohim se rezultati ka lëvizur pak të të gjitha subjektet por për neve që kemi garu për herën e parë është ky rezultat…”, ka theksuar ai.

Ai u shpreh se nuk pret që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke vlerësuar se do të ketë bashkëpunim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve.

Sipas Molliqajt, rezultatet kanë shënuar lëvizje të vogla te të gjitha subjektet politike, ndërsa PSD, si subjekt që garoi për herë të parë në këtë formë, do të bëjë vlerësimin e performancës së saj pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Haradinaj reagon pas numërimit të mbi 95% të votave: Kur sovrani flet, të tjerët heshtin

7 June 2026 at 22:07


Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare, kur janë numëruar mbi 90 për qind e votave të zgjedhjeve parlamentare.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve në Kosovë dhe diasporë, Haradinaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Aleancës, duke theksuar se vota e fituar është më shumë sesa një përkrahje politike.

“Kur Sovrani flet, të tjerët heshtin!”, ka shkruar Haradinaj, duke falënderuar qytetarët që, sipas tij, i besuan vizionit për një Kosovë të sigurt dhe të zhvilluar.

Ai ka vlerësuar se mbështetësit e AAK-së “nuk ranë pre e propagandës dhe luftës hibride”, ndërsa ka theksuar se vota për Aleancën përfaqëson një vlerësim për punën e bërë dhe për drejtimin politik që partia synon të ndjekë.

Haradinaj ka shprehur mirënjohje edhe për listën zgjedhore të AAK-së, duke veçuar faktin se kësaj radhe asaj i priu Ardian Gjini.

Në fund, ai uroi qytetarët dhe institucionet e përfshira në organizimin e procesit zgjedhor, duke shprehur besimin se zgjedhjet kanë qenë “të lira, të ndershme dhe demokratike”.

“Pas kësaj beteje elektorale jemi më të fokusuar se asnjëherë dhe më të vendosur se kurrë që t’i përmbushim detyrat që na presin, gjithmonë në interes të shtetit e të kombit”, ka shkruar Haradinaj.


Hasanpapaj reagon pas numërimit të mbi 94% të votave: LDK e para në rritje, VV e para në zbritje

7 June 2026 at 21:55


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Bardhyl Hasanpapaj, ka reaguar pas numërimit të mbi 94 për qind të votave të zgjedhjeve parlamentare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasanpapaj ka vlerësuar se LDK është në trend rritës, ndërsa ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po shënon rënie.

“LDK e para në rritje, VV e para në zbritje! Ky është vetëm fillimi! S’keni parë gjë akoma 🙂 Populli nuk blihet, vota nuk shitet!”, ka shkruar Hasanpapaj.

Deklarata e tij vjen në kohën kur procesi i numërimit të votave po i afrohet përfundimit, ndërsa partitë politike po vazhdojnë të ndjekin nga afër rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare./Telegrafi/


Numërimi i votave drejt fundit, LVV dominon komunat, PDK forcë e parë në 3 komuna

7 June 2026 at 20:46


Pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje po rezulton forcë e parë në pjesën dërrmuese të komunave të Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme, LVV kryeson në Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Podujevë, Kaçanik, Lipjan, Vushtrri, Suharekë, Rahovec, Dragash, Kamenicë, Obiliq, Han të Elezit, Shtime, Fushë Kosovë, Klinë dhe Viti.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po mban epërsinë në tri komuna, përkatësisht në Skenderaj, Drenas dhe Malishevë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kryeson në Deçan dhe Junik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani po prin vetëm në Istog.

Ndërkaq, Lista Serbe vazhdon të kryesojë në dhjetë komunat me shumicë serbe.

Rezultatet mund dhe pritet të ndryshojnë me vazhdimin e procesit të numërimit të votave në të gjitha komunat e vendit./Telegrafi/

Gjini bën thirrje për numërim korrekt pas mbylljes së vendvotimeve

7 June 2026 at 20:02


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në të gjithë vendin, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe duke kërkuar kujdes maksimal gjatë numërimit të votave.

Përmes një mesazhi në Facebook, Gjini u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të jenë korrektë dhe të sigurojnë që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve.

“Të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit duhet të kujdesen që demokracia që populli e ka vendosur në kutitë e votimit të jetë ajo e vërteta dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës”, ka deklaruar ai.

Gjini theksoi se respektimi i vullnetit të sovranit është thelbësor për forcimin e demokracisë, duke përmbyllur mesazhin me falënderime për qytetarët dhe urimin: “Mbarësi e përjetshme për demokracinë tonë.”

Si bëhet ndarja e ulëseve në Kuvend sipas EXIT POLL-it nga Albanian Post

7 June 2026 at 19:30


Vetëvendosje pritet të ketë 49 deri në 51 deputetë, sipas projeksionit të Albanian Post dhe Baton Haxhiut.

PDK parashihet të ketë 24 deri në 25 deputetë.

LDK pritet të ketë 19 deri në 20 deputetë, ndërsa AAK shtatë deri në tetë deputetë.

Projeksioni i Bleron Baraliut në Kanal 10: LVV - 48.7%

7 June 2026 at 19:11


Pas mbylljes së vendvotimeve, Bleron Baraliu prezantoi projeksionin e zgjedhjeve të 7 qershorit në Kanal 10.

Sipas këtij projeksioni, Vetvendosje prin me 48.7% , pasur nga PDK me 20.0%, LDK me 17.4% dhe AAK me 6.2%.

Ai theksoi se bëhej fjalë për projeksione të ndërtuara mbi pritshmëritë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Rezultati që do ta japim në ora 7 nuk janë exit poll-a e as analiza të daljes sot. Janë projeksione mbi pritshmëritë e daljes. Në kushte normale, dalja e ulët e favorizon pushtetin, sepse kur ka dalje të ulët nuk ka aktivizim për të ndryshuar qeveri. Mirëpo në rastin tonë, mendoj që entuziazmi i madh i dëgjuar nënkupton që votuesit e parë që mund të mos dalin janë ata që kanë qenë më së shumti entuziastë”, tha ai.

KQZ pritet pas pak të fillojë publikimin e rezultateve zyrtare.

Exit Poll-i i Albanian Post: LVV - 43% , PDK - 22% , LDK - 18% , AAK - 7%

7 June 2026 at 19:03


Zgjedhjet në Kosovë kanë përfunduar dhe qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre për orientimin e ardhshëm politik të vendit. Në bazë të exit poll-it të realizuar nga Albanian Post, partitë kryesore në Kosovë kanë regjistruar përqindjet e mëposhtme të votave, të cilat mund të ndikojnë në formimin e qeverisë së ardhshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë rreth 43% votave, Partia Demokratike e Kosovës 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës 18%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 %, si dhe rreth 10% të tjera ku përfshihen partitë e minoriteteve.

Këto rezultate mund të ndryshojnë pas përfshirjes së votave të diasporës.

Sipas projeksioneve, për LVV-në pritet një rritje prej +1.5 deri në +2.2 pikë përqindjeje (pp), PDK-ja nuk pritet të ketë ndryshime, LDK-ja mund të pësojë një ndryshim prej 0.3 deri në 0.5 pp, ndërsa as AAK-ja nuk pritet të ketë ndryshim nga votat e diasporës.

DnV: Dalja në votime, 10% më e ulët se në zgjedhjet e 2025-tës

7 June 2026 at 18:24


Demokracia në Veprim njofton se dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat nga terreni tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.

Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29%. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njejtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.

Regjionet me dalje më të madhe janë komunat me shumicë serbe (42%), pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është 33%. Dalje më e vogël në zgjedhje është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, 23% respektivisht 24%.

Demokracia në Veprim njofton se edhe në pjesën e dytë të ditës, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës kjo dukuri ka qenë e shprehur edhe deri në 30 raste (në 12% të vendvotimeve).

Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka qenë i konsiderueshëm sipas KQZ-së.

Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste.

Deri në orën 17:00, raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve.

Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre, por që të gjitha janë trajtuar nga policia në mënyrë profesionale.

​“S’je për presidente”/ Osmani zbulon reagimin e qeverisë kur u prezantoi planin 7-pikësh për ushtarët

6 June 2026 at 23:55


Presidentja e gjashtë Kosovës, Vjosa Osmani, dhe njëherit kandidatja e LDK-së për presidente, e cila është bartëse e listës së kësaj partie në zgjedhjet e nesërme, në një intervistë në “Debat Plus”, ka folur edhe për kushtet e ushtarëve të Kosovës.

Ajo ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Kurti nuk ua ka dhënë shtesat e rrezikshmërisë, ani pse ato u takojnë ushtarakëve.

“Mëditjet për trajnime, të cilat zakonisht janë mbi një muaj, nuk u jepen dhe detyrohen ushtarakët, të cilët fitojnë bursë në disa prej akademive më të njohura në botë e që janë në Amerikë dhe Angli, mos me shku, thjeshtë sepse nuk kanë me çka me pagu ushqimin”.

“Janë edhe shtesat për ushtarakët të cilët punojnë me ndërrime dhe detyrohet ushtari i FSK-së me shku me punu si bodyguard në klub të natës për me mbajt familjen gjallë, kjo është turp”, ka thënë ajo.

Tutje, Osmani ka thënë se kur e ka ngritur si çështje përmes një plani shtatëpikësh, është përdorur si arsyetim me i thënë që s’je për presidente.

Ajo ka treguar se mbi 1000 ushtarakë janë detyruar me e çu shtetin në gjykatë për atë çka u takon.

“Na duhet me mendu se qysh me i ngrit pagat e jo me ardh aty para meje me u kesh e me thanë hajt se nuk meritojnë ata më shumë. Me ardh para meje e me thanë me mburrje ‘jau kemi ulë gjeneralëve pagat’”, ka thënë Osmani.

“E nesërmja e Kosovës është e bukur” – mesazhi i Abdixhikut në fund të fushatës

6 June 2026 at 23:43


Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës, në një mesazh të publikuar mbrëmjen para nisjes së heshtjes zgjedhore.

Përmes një postimi, Abdixhiku shprehu mirënjohje për, siç tha ai, inkurajimin, dorështrëngimet, fjalët e mira dhe besimin, si dhe për takimet “në rrugë, në lagje e në shesh”.

“Për çdo buzëqeshje, për çdo përqafim, për çdo kritikë të sinqertë e çdo shpresë të ndarë bashkë”, ka shkruar ai, duke theksuar se fushata, sipas tij, nuk u ndërtua mbi ndarje, por mbi bashkim.

“Këtë rrugëtim nuk e bëmë duke ndarë njerëz. E bëmë duke i bashkuar… Nuk e bëmë me zhurmë e mllef. E bëmë me besim se Kosova ka një rrugë të ndritur përpara”, u shpreh Abdixhiku.

Në fund, ai tha se vendimi tani është në duart e qytetarëve, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “E nesërmja e Kosovës është e bukur! Dritë do të ketë!”


Gjermania me numrin më të madh të votuesve në ambasada e konsullata

6 June 2026 at 23:38


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë dhe të fundit për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ku u prezantuan të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës që votuan jashtë vendit.

Sipas të dhënave të publikuara, deri në orën 19:00 pjesëmarrja e përgjithshme në votim në përfaqësitë diplomatike arriti në 22 mijë e 414 votues, ose 80.85 për qind nga gjithsej 27 mijë e 724 qytetarë të regjistruar për të votuar në ambasada dhe konsullata.

Interesimi më i madh për votim u regjistrua në qendrat diplomatike në Gjermani, ku në Dyseldorf votuan 2 mijë e 977 qytetarë (81.21%), në Mynih 2 mijë e 222 (79.05%), në Shtutgart 2 mijë e 200 (77.90%), ndërsa në Frankfurt 1 mijë e 590 votues (84.08%).

Pjesëmarrje të lartë pati edhe në Zvicër, ku në Gjenevë votuan 1 mijë e 291 qytetarë (86.30%), në Bernë 1 mijë e 270 (85.18%) dhe në Cyrih 1 mijë e 758 votues (84.07%).

Në Mbretërinë e Bashkuar, në Ambasadën e Kosovës në Londër votuan 1 mijë e 211 qytetarë, që përbën 86.81 për qind të votuesve të regjistruar. Pjesëmarrje mbi 86 për qind u regjistrua edhe në Bruksel (86.12%), Oslo (86.54%) dhe Stokholm (86.43%).

Ndërkohë, përfaqësitë diplomatike me përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes ishin Haga me 93.10 për qind, Praga me 93.55 për qind dhe Kopenhaga me 90.77 për qind.

Në konferencën e tretë dhe përmbyllëse, KQZ-ja bëri të ditur se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike është zhvilluar pa probleme dhe se të dhënat e prezantuara pasqyrojnë interesimin e lartë të mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat mbahen më 7 qershor 2026.

Osmani: Qasja e pushtetit po cenon funksionimin e Republikës së Kosovës

6 June 2026 at 23:24


Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se në vend ekziston një krizë e thellë në mënyrën se si pushteti aktual e kupton shtetin dhe funksionimin e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus”, Osmani u pyet nëse zgjedhjet janë pasojë e refuzimit për ta përkrahur atë si presidente apo e një krize më të thellë të konceptit të shtetit.

Sipas saj, bëhet fjalë për një keqkuptim fundamental rreth mënyrës se si duhet të funksionojë shteti.

“Është një krizë vërtet shumë e thellë e asaj se si kuptohet shteti nga pushteti aktual, është një keqkuptim fundamental rreth asaj se si duhet me funksionu Republika e Kosovës. Mendojnë se e kanë të drejtën pronësore rreth asaj sesi duhet të interpretohet Kushtetuta dhe koncepti i shtetit”, tha Osmani.

Ajo shtoi se kur pushteti e konsideron shtetin si pronë të një partie, kjo, sipas saj, nuk nënkupton vetëm ushtrimin e pushtetit, por edhe ndikimin në mënyrën se si mendojnë të tjerët.

“Kur pushteti mendon se gjithçka duhet me qenë pronë e një partie dhe kur flas për pronë nuk nënkuptoj vetëm ushtrimin e të drejtës së qeverisjes, por mbi të gjitha pronën për mënyrën se si mendojnë të tjerët, kjo pastaj ka pasoja shumë të thella afatgjate”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se kjo qasje, sipas saj, është reflektuar edhe në marrëdhëniet e saj me pushtetin si presidente.

“Natyrisht kjo pastaj është reflektuar në mënyrën sesi e kanë prishur bashkëpunimin me mua si presidente”, deklaroi ajo.

Ajo tha se problemi nuk lidhet vetëm me individët, por me një keqkuptim më të gjerë për vetë shtetin, duke përmendur tendencën për kontroll dhe përjashtim të mendimeve të ndryshme.

“Një tendencë me kontrollu gjithçka, një tendencë me pas gjithçka si pronë të tyre, një tendencë që çdo mendim sado pak ndryshe që mund të jetë, duhet patjetër të kapet, të kontrollohet, të eliminohet”, tha Osmani.

Sipas saj, kjo nuk është modeli i shtetit që synohet në Kosovë dhe as ai i paraparë nga Kushtetuta apo themeluesit e shtetit.

“Ky nuk është shteti të cilin ne dëshirojmë me e shty përpara, ky nuk është shteti që e kanë paraparë themeluesit e vendit tonë dhe ky nuk është shteti që e parasheh edhe vet Kushtetuta e shtetit tonë”, theksoi ajo.

Osmani tha se ka pasur një tendencë që Presidenca të trajtohet vetëm si institucion formal, pa rol aktiv në mbrojtjen e interesit të Kosovës.

“Pra tendenca e pushtetit ka qenë që Presidenca të jetë thjesht një OJQ, të mos intervenojë kur mbrohet interesi i Kosovës”, u shpreh ajo.

Abdixhiku: Kosova duhet ta marr linjën e gazit amerikan para Serbisë

6 June 2026 at 23:03


Kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë emisionit Debat Plus në RTV Dukagjini deklaroi se LDK ka ambicie shumë më të madhe se ajo çfarë po ndodhë në Kosovë.

Sipas tij, LDK ka ambicie të madhe zhvillimore, të shëndetësisë e në shumë fusha të tjera.

“Kemi ambicie shumë më të madhe se sa çfarë po ndodhë në Kosovë. Kemi ambicie të madhe zhvillimore, të shëndetësisë, të arsimit. Mendojmë që politika duhet të bëhet për këto çështje, politika nuk është për të mundur dikënd, për të shkatërrua dikën, për të prerë dikën, të shkurtuar dikën. Politika matet se çfarë ke bërë për këtë vend”, tha Abdixhiku.

Kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku duke folur për gazin amerikan, të cilin e ka premtuar kjo parti që sa kohë tha se Kosova duhet ta marr linjen e gazit amerikan para Serbisë.

Sipas tij, duhet kjo gjë të ndodhë sa më parë, e që Serbia të furnizohet prej neve.

“Serbia është tu prit me e bë para neve. Kosova duhet me e marr linjen e gazit amerikan para Serbisë, Serbia me u furnizu prej Kosovës. Koha është në pyetje, prandaj duhet ta marrim sa më shpejt”, tha Abdixhiku.

❌
❌