Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 June 2026Telegrafi

Rrezikoi pushuesit në Borsh, policia bllokon mjetin lundrues dhe gjobit drejtuesin me rreth 5 mijë euro

7 June 2026 at 14:50


Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në zonën e Borshit, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i mjetit kishte hyrë në zonën ku po laheshin qytetarët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Për shkeljen e konstatuar, ndaj tij u vendos një gjobë prej 5 mijë euro, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

“Shkeli perimetrinë e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe ndëshkon drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë të rinj. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se në përfundim të veprimeve administrative, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues u vendos masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.

“Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetrat e sigurisë, drejtuesit e mjeteve lundruese nuk duhet të afrohen në bregdet apo të kryejnë manovra hyrje-daljeje në vende ku ka pushues, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/


Shqyen fletëvotimet në Drenas dhe Prishtinë, dy persona dërgohen në mbajtje

7 June 2026 at 14:27


Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste “Asgjësim i dokumentit të votimit”, në Drenas dhe në Prishtinë, ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste 'Asgjësim i dokumentit të votimit", në Drenas dhe në Prishtinë ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/

Zhduket i riu në Tiranë, kërkimet për 34-vjeçarin vijojnë prej katër ditësh

7 June 2026 at 14:09


Një 34-vjeçar është raportuar i zhdukur në Tiranë, pasi prej katër ditësh nuk ka pasur kontakte me familjarët e tij.

Bëhet fjalë për shtetasin Eglant Koçi, i datëlindjes 17 shtator 1991, i cili është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Wilson”, në kryeqytet, teksa lëvizte me një motomjet me targa “CT969”.

Familjarët kanë bërë denoncimin në Komisariatin Nr. 2, ku është kërkuar ndihmë për gjetjen e tij ndërsa janë shprehur se 34-vjeçari nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se policia ka gjetur motomjetin me të cilin lëvizte i riu, si dhe ka identifikuar vendndodhjen e tij të fundit.

Policia po vijon punën me verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë ndërsa kërkimet vijojnë. /Euronews.al/

Elbert Krasniqi merret në pyetje pas denoncimit nga Veton Berisha për ndikim në zgjedhje, policia: S'ka elemente të shkeljes

7 June 2026 at 13:56


Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK) dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është intervistuar nga Policia e Kosovës pas pretendimeve për ushtrim presioni ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian gjatë procesit zgjedhor.

Sipas raportimeve në media, ndaj Krasniqit janë ngritur dyshime se ka ushtruar ndikim mbi votuesit e komunitetit egjiptian.

Pretendimet janë bërë publike pas një denoncimi të paraqitur nga Veton Berisha.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka zhvilluar procedurat hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa Krasniqi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Ankuesi e ka raportuar rastin, hetuesit e kanë trajtuar rastin në koordinim me prokurorinë e shtetit. Masi janë kryer procedurat është konstatuar se s’ka elemente të shkeljes”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Policisë, pas trajtimit të rastit dhe verifikimit të rrethanave të raportuara, nuk janë gjetur elemente që do të përbënin shkelje ligjore. /Telegrafi/

Zgjedhjet në Kosovë, DnV publikon të gjeturat e fundit

7 June 2026 at 13:28


Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar të dhënat e para nga monitorimi i procesit zgjedhor, duke bërë të ditur se deri në orën 12:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka arritur në 12.2 për qind, me një margjinë gabimi prej plus/minus 0.4 për qind.

Në një konferencë për media, Cakolli tha se procesi i votimit po zhvillohet kryesisht i qetë në të gjithë vendin që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00.

Sipas të dhënave të DnV-së, komunat me shumicë serbe në veri të vendit kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në votime, me mbi 24 për qind të qytetarëve që kanë votuar deri në mesditë, pothuajse dyfish më shumë se mesatarja në nivel vendi.

Prishtina dhe Ferizaj kryesojnë për nga pjesëmarrja me 13.2 për qind, ndërsa rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës kanë regjistruar daljen më të ulët, me rreth 9 për qind.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,959,962 qytetarë. Për krahasim, në të njëjtën periudhë kohore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, pjesëmarrja kishte qenë 13.7 për qind.

Për më shumë lexoni të gjetura e DNV-së nga procesi i deritanishëm zgjedhor:

Dalja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë është 12,2%, votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake

Pjesëmarrja në votime

Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 12% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,4%).

Në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, me 13,2%. Dalja më e vogël është në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, 9%.

Të drejtë votimi në Kosovë në këto zgjedhje kanë 1,959,962 qytetarë.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ishte 13.7%.

Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit

Votues në vendovotime të gabuara

Pavarësisht afateve të shkurtra për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ ka informuar me kohë votuesit për qendrën e tyre të votimit dhe ka ofruar mundësi për ndryshimin e tyre përmes platformës online ose Komisioneve Komunale Zgjedhore. Megjithatë nga terreni po raportohet se ka mjaft ankesa në këtë drejtim.

Deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 48% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

Por ka pasur edhe vendvotime, ku numri i atyre nuk e kanë gjetur emrin në Listë ka arritur deri në 30. Në këto përmasa, kjo është hasur në 2% të vendvotimeve, Për të evituar vonesa dhe pakënaqësi ftojmë votuesit që para se të nisen për të votuar të verifikojnë edhe njëherë Qendren ku janë caktuar për të votuar përmes linkut https://qv.kqz-ks.org.

Votimi me asistencë

Në përpjekje për të administruar më mirë votimin me asistencë, KQZ po obligon të gjithë ata që duan të votojnë me asistencë të prezantojnë paraprakisht një dokument mjekësor ose librezë të lëshuar nga specialist i fushës apo institucioni përkatës. Kjo për të dëshmuar së ata nuk janë në gjendje të votojnë vetë, pa ndihmës.

Zbatimi më strikt i rregullave për votimin me asistencë që ka filluar qysh në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 po rezulton me ulje të theksuar të këtij fenomeni krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore. Raportohet se deri në orën 12:00 më pak se 0,1% e votuesve kanë votuar me asistencë, çka tregon për efektivitet të këtyre masave dhe për kufizim të keqpërdorimeve të mundshme. Ky fenomen është evidentuar në 33% të vendvotimeve edhepse në raste shumë të izoluara.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e 28 shkurtit, sipas DnV-së, 1% e të gjithë qytetarëve kanë votuar me asistencë në intervalin e njejtë kohor. Krahasimisht në 9 shkurt kjo përqindje ishte edhe më e lartë, rreth 6%.

Deri në mesditë, komisionerët në shumicën dërmuese të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 32% të vendvotimeve, edhepse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjkësore.

Si trend i përgjitshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 3% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit. Si fenomen i.është më i shprehur në rajonin e Prizrenit, gati dyfish më i lartë se në nivel vendi.

Rikujtojmë se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.

Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 9 % të vendvotimeve.

Votimi me dokumente të pavlefshme

DnV ka gjetur se në 14% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumenta të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumenta me afat të skaduar. Ky fenomen është më i shprehur në rajonin e Prizrenit. /Telegrafi/

Dëmtoi fletëvotimin dhe tentoi të votojë në emër të gruas së tij, policia nis hetimet për një qytetar në Shtime

7 June 2026 at 13:21


Një qytetar në një shkollë të Shtimes ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Rreth orës 12:22 jemi njoftuar nga zyrtarët policorë të angazhuar në një qendrën të votimit në një shkollë në Shtime, se një qytetar ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij. Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit rajonalë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Për informata dhe zhvillime të tjera lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me raport vijues’, tha ai. /Telegrafi/

Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të pa banuar në Zubin Potok

7 June 2026 at 12:04


Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut, ka pranuar informacion se në një shtëpi të pa banuar në fshatin Mala Jabuka, komuna e Zubin Potokut, mund të gjendeshin armë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se [as pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:

- 1 (një) armë AK-47,

- 2 (dy) karikatorë të zbrazët të armës AK-47

- 422 (katërqind e njëzet e dy) fishekë të kalibrit 7.62 mm,

- 13 (trembëdhjetë) fishek të kalibrit të panjohur,

- 1 (një) fishek të kalibrit 9X19 mm,

- 2 (dy) granata-hedhës (tromblon) dhe

- 1 (një) uniformë ushtrake me emblemë Serbe

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192.



Rama thirrje protestuesve: Po dëmtoni turizmin çuna dhe goca, kanë nisur çregjistrimet

7 June 2026 at 12:02


Gjatë podkastit “Flasim” kryeministri Edi Rama foli për takimin që pati me banorët e Zvërnecit, pas protestave për kundërshtimin e projektit atje.

Ai u shpreh se aty ka takuar njerëz që u fyen, që sipas tij “u masakruan nga “flamingot online” si të mbledhur me zor”.

"Por kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë", ka thënë Rama.

Më poshtë lexoni deklaratën e Ramës në podcast:

Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”, tha Rama.“Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.



Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar. Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: “Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë”.

Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.

Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.

Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.

Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.

Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem. /Telegrafi/

Largohet flamuri serb nga qendra e votimit në Gorazhdec të Pejës

7 June 2026 at 11:26


Në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës është raportuar vendosja e një flamuri serb në një qendër votimi, duke nxitur reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Sipas raportimeve të Tv Dukagjini, në momentin kur është vërejtur flamuri, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka larguar atë nga hapësira e qendrës së votimit.

Pas këtij veprimi, është bërë e ditur se flamuri do të zëvendësohet me atë të Republikës së Kosovës, në përputhje me rregullat për përdorimin e simboleve shtetërore në institucionet zgjedhore. /Telegrafi/


Voton Osmani, bën thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve

7 June 2026 at 10:04


Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik.

Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili i kontribuon demokracisë dhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, tha ajo.

Ajo e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një ditë të rëndësishme për Kosovën, duke shprehur besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të festojë dhe do të fitojë”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, vota e qytetarëve do të krijojë rrugën për formimin e institucioneve të reja dhe për tejkalimin e situatës politike në vend.

“Jam e bindur se me votën e qytetarëve do të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe që qytetarët ta nxjerrin vendin nga kriza. Pas publikimit të rezultateve, do të kemi arsye ta shohim Kosovën gjithnjë e më lart”, deklaroi Osmani. /Telegrafi/

Kurti voton në zgjedhjet e parakohshme, fton qytetarët të dalin sa më masivisht në votime

7 June 2026 at 09:45


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin zgjedhor.

Pas votimit, Kurti deklaroi se dita e zgjedhjeve është një ditë e rëndësishme për vendin, ndërsa inkurajoi qytetarët që paraprakisht të verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, një e diel me diell. E verifikova në ueb-faqen e KQZ-së se ku e kam saktësisht vendvotimin dhe pasi e konfirmova u nisa për të votuar. Bëj apel që edhe qytetarët ta verifikojnë qendrën e tyre të votimit”, tha Kurti.

Ai theksoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin e institucioneve të vendit.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve”, u shpreh ai.

Kryeministri në detyrë shtoi se vendimmarrja për të ardhmen e vendit u takon qytetarëve që marrin pjesë në votim, duke i ftuar ata të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

“Sot vendosin ata që votojnë. U bëj thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/

KQZ funksionalizon platformën për pjesëmarrjen në votime rezultatet preliminare

7 June 2026 at 09:20


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vënë në funksion platformën elektronike për publikimin e statistikave të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare.

Përmes kësaj platforme, qytetarët, mediat dhe subjektet politike mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit zgjedhor në të gjithë Kosovën.

Sipas KQZ-së, në platformë publikohen të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve nga 911 qendra të votimit me gjithsej 2,498 vendvotime, si dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas përfundimit të numërimit të votave në vendvotime.

Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tani në procesin e votimit kanë marrë pjesë 2.67 për qind e votuesve me të drejtë vote.

KQZ ka bërë të ditur se statistikat për pjesëmarrjen do të përditësohen periodikisht gjatë gjithë ditës, duke ofruar një pasqyrë të vazhdueshme mbi daljen e qytetarëve në votime.

Platforma për rezultatet preliminare dhe statistikat e pjesëmarrjes mund të aksesohet në: resultsparliamentary2026.kqz-ks.org. /Telegrafi/


Ia dëmton veturën për shkak të një borxhi në Zubin Potok, rasti po hetohet

7 June 2026 at 09:09


Një person ii ka dëmtuar veturën një personi tjetër për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi që viktima kishte ndaj të dyshuarit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:10, në Zubin Potok.

Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.

“Zubin Potok / 06.06.2026 – 20:10. Ankuesi m/k ka raportuar se, i dyshuari m/k, i ka dëmtuar veturën, dyshohet për shkak të mosmarrëveshje rreth një borxhi që viktima kishte ndaj të dyshuarit. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Rama: Kur të shkoni në breg për t’u qarë hallin flamingove, mos i bëni për të qarë -largoni rrotat nga plazhi

7 June 2026 at 08:21


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me vizitat e qytetarëve në zonat ku qëndrojnë flamingot, duke bërë thirrje për më shumë kujdes ndaj natyrës dhe ekosistemit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u kërkoi qytetarëve që, gjatë vizitave në habitatet e flamingove, të mos futen me automjete në plazh, pasi kjo mund të shqetësojë shpendët dhe të dëmtojë mjedisin ku ata qëndrojnë.

"Mirëmëngjes, dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre - se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë - po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë", ka shkruar Rama në Facebook. /Telegrafi/


Hapen vendvotimet me kohë, Elezi: Ftojmë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar

7 June 2026 at 08:12


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, pasi materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet është shpërndarë me kohë gjatë orëve të hershme të mëngjesit.

Në një konferencë për media, Elezi bëri të ditur se në listën e votuesve janë të regjistruar 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, duke i ftuar ata që të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“KQZ fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha ai.

Sipas Elezit, në këto zgjedhje garojnë gjithsej 21 subjekte politike, prej të cilave 17 janë parti politike, tri koalicione dhe një kandidat i pavarur.

"Në garë janë 902 kandidatë për deputetë, përkatësisht 593 burra dhe 309 gra", tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së rikujtoi gjithashtu se qytetarët mund ta verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës elektronike të KQZ-së, ku mjafton të vendosin numrin personal dhe datën e lindjes për të marrë informacionin e nevojshëm mbi vendvotimin.

Po ashtu, Elezi njoftoi se KQZ ka vënë në funksion dhomën operative, e cila monitoron mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe funksionon në bashkëpunim me zyrtarë të KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Si mund ta verifikoni online qendrën tuaj të votimit?

7 June 2026 at 07:57


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të gjithë qytetarët me të drejtë vote mund të kontrollojnë lehtësisht vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit përmes platformës elektronike të institucionit.

Për të verifikuar vendvotimin, votuesit duhet të fusin numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes në sistemin online të KQZ-së.

Pas përfundimit të verifikimit, platforma shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë edhe adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku ai është i regjistruar për të votuar.

Për verifikimin e qendrës së votimit mund të përdoret platforma: qv.kqz-ks.org. /Telegrafi/

Radoniqi voton në Pejë, bën thirrje për respektimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor

7 June 2026 at 07:23


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka ushtruar të drejtën e votës në Pejë, me ç’rast u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore.

Radoniqi tha se KQZ-ja ka qenë e angazhuar intensivisht në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve dhe se të gjitha procedurat e nevojshme janë përmbyllur me kohë.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve. Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar për përgatitje dhe të gjitha përgatitjet deri më sot kanë përfunduar. Besoj që edhe në të gjithë territorin e Kosovës ka filluar në orën 7:00 procesi zgjedhor. Ju bëj thirrje qytetarëve që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dje është votuar në përfaqësitë tona diplomatike”, ka thënë ai.

Radoniqi po ashtu përsëriti thirrjen për respektim të plotë të ligjit dhe procedurave zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët dhe të gjithë akterët e përfshirë që procesi të zhvillohet në frymë demokratike dhe në përputhje me rregullat në fuqi. /Telegrafi/

Mot me vranësira dhe intervale me diell

7 June 2026 at 07:04


Instiuti Hidrometereologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se vendi sot do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, duke sjellë mot të vranët me intervale të herëpashershme me diell.

Sipas njoftimit thuhet se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë 24-27 gradë Celsius.

“Parashihet mot i vranët me intervale me diell. Vranësirat vende-vende pritet të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë 24-27 gradë Celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1–7 m/s. Indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Before yesterdayTelegrafi

Nga Inteligjenca Artificiale te mirëqenia e mësuesve, konferenca e “Dukagjinit” dhe "Pearson" mbledh profesionistët e arsimit

6 June 2026 at 20:32


Mësimdhënës të gjuhës angleze nga mbarë Kosova u mblodhën në konferencën më të madhe profesionale të organizuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me Pearson, ku në fokus ishin sfidat dhe mundësitë që sjell Inteligjenca Artificiale në arsim, aftësitë që u nevojiten nxënësve për të ardhmen dhe roli i mësimdhënësit në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta.

Konferenca solli sesione të shumta profesionale, të udhëhequra nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim mbështetjen e zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe ofrimin e metodave të reja të mësimdhënies në epokën digjitale.

Përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”, Jeta Zymberi tha se kjo është një nga konferencat më të rëndësishme që organizohet për mësimdhënësit në Kosovë dhe synon t’u ofrojë atyre njohuri të reja dhe mundësi për avancim profesional.

“Jetojmë në një kohë kur Inteligjenca Artificiale dhe teknologjia po zhvillohen me shpejtësi. Për këtë arsye, edhe mësimdhënësit duhet të ecin paralelisht me këto ndryshime, duke përvetësuar metoda të reja dhe duke u përshtatur me nevojat e kohës”, tha Zymberi.

Ajo theksoi se konferenca përfshiu tema të ndryshme, duke nisur nga inovacionet në mësimdhënie e deri te mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve.

Sipas saj, në konferencë ligjëroi edhe eksperti i njohur ndërkombëtarë, Grant Kempton, një nga emrat më të njohur në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze, si dhe psikologia klinike Emirëjeta Kumnova-Hoxha.

Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve “Dukë Talks”, një iniciativë e organizuar nga Shtëpia Botuese “Dukagjini”, e cila ka angazhuar nxënës nga klasat e para deri në klasën e 12-ta në mbarë Kosovën.

“Në këtë proces, mësimdhënësit kanë pasur një rol kyç në mbështetjen dhe motivimin e nxënësve. Për këtë arsye janë përzgjedhur nëntë mësimdhënës fitues, të cilët do të shpërblehen me një udhëtim tërësisht të financuar në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të marrin pjesë në një konferencë profesionale”, bëri të ditur Zymberi.

Ajo shtoi se Shtëpia Botuese “Dukagjini” vazhdon të mbështesë mësimdhënësit jo vetëm me tekste dhe materiale mësimore, por edhe përmes trajnimeve, aktiviteteve profesionale dhe iniciativave që synojnë ngritjen e cilësisë në arsim.

Pjesëmarrësit vlerësuan lart organizimin dhe rëndësinë e konferencës për zhvillimin e tyre profesional.

Mësimdhënësi i gjuhës angleze, Kemajl Islami tha se aktivitetet e tilla janë shumë të dobishme pasi u mundësojnë mësimdhënësve të përfitojnë njohuri të reja dhe të krijojnë bashkëpunime me kolegë nga institucione të ndryshme arsimore.

“Konferenca të tilla janë shumë produktive. Përveç njohurive të reja, ato ofrojnë mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim profesional mes mësimdhënësve”, tha ai.

Edhe mësimdhënësja Yllka Radoniqi e konsideroi konferencën një mundësi të mirë për komunikim dhe shkëmbim informacionesh mes kolegëve.

“Evente të tilla janë gjithmonë të mirëseardhura. Përveç takimeve me kolegët, marrim edhe informacione dhe praktika të reja që na ndihmojnë në punën tonë të përditshme”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, mësimdhënësja Pranvera Preniqi tha se pjesëmarrja në trajnime dhe konferenca profesionale është e domosdoshme për çdo mësimdhënës.

“Gjithmonë mundohem të ndjek trajnime të tilla, sepse fitojmë njohuri të reja dhe informacione të vlefshme që na ndihmojnë të avancojmë në profesion”, tha Preniqi. /Telegrafi/

“Bota nuk përmbyset, vullneti është çelësi për ta mposhtur kancerin”, mesazhi i të mbijetuarës në aktivitetin e IPKO-s

5 June 2026 at 20:07


Në një aktivitet të organizuar nga IPKO me sloganin “Bashkë Kundër Kancerit”, e mbijetuara nga kanceri, Fatmira Haxhiu dha një mesazh frymëzues për të gjithë qytetarët: “Bota nuk përmbyset, vullneti është çelësi për ta mposhtur kancerin”.

Haxhiu, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe konsultave të hershme.

Fatime Haxhiu, e mbijetuara nga kanceri Foto: Ridvan Slivova

“Është shumë e rëndësishme që çdo femër dhe mashkull të kenë mundësinë për konsultime të hershme me mjekë onkologë. Mesazhi im është që vullneti dhe qëndrueshmëria janë çelësi; bota nuk përmbyset, gjithçka është në dorën e Zotit”, u shpreh Haxhiu.



Afrika Zyferi, udhëheqëse e Komunikimit në IPKO tha se aktiviteti ka për qëllim jo vetëm ngritjen e vetëdijes, por edhe për të festuar forcën e të mbijetuarve nga kanceri.

Afrika Zyferi , nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

“Zakonisht aktivitetin e organizojmë në tetor, gjatë muajit ndërkombëtar të kancerit, por këtë herë e kemi vendosur në qershor, muajin e të mbijetuarve. Synimi ynë është që ata të ndajnë përvojat e tyre dhe të ofrojnë mbështetje për personat që kanë nevojë”, tha Zyferi.

Ajo shtoi se organizimi në ambient të hapur siguron qasje të lehtë për të gjithë, pa nevojën e terminëve apo procedurave të komplikuara.

“Bashkë Kundër Kancerit”, nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

Ndërsa, Egzona Bytyqi, specialiste e Onkologjisë, nënvizoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrollave rutinore.

Egzona Bytyqi, specialiste e OnkologjisëFoto: Ridvan Slivova

“Është kënaqësi të jem pjesë e këtij aktiviteti dhe të flas me qytetarët për parandalimin e sëmundjeve malinje. Dua të inkurajoj të gjithë që të mos neglizhojnë asnjë shqetësim shëndetësor, sepse diagnostikimi i hershëm është çelësi i suksesit”, tha Bytyqi.

“Bashkë Kundër Kancerit”, nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

Ngjarja po zhvillohet në Ring Mall në Ferizaj, në një ambient të hapur që lehtëson pjesëmarrjen e qytetarëve dhe mundëson afrimin direkt me profesionistët e fushës.

Në aktivitet marrin pjesë mjekë profesionistë dhe përfaqësues të shoqatës “Have Hope”, të cilët ndajnë përvojat, njohuritë dhe këshillat e tyre mbi përballimin e sëmundjes dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.


“Bashkë Kundër Kancerit”, nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

Ky aktivitet i IPKO-s tregon angazhimin e vazhdueshëm të kompanisë në promovimin e shëndetit publik dhe përkrahjen e komunitetit të të mbijetuarve nga kanceri, duke ofruar një hapësirë për ndarje eksperiencash dhe këshilla të drejtpërdrejta nga profesionistët. /Telegrafi/


“Bashkë Kundër Kancerit”, nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

“Bashkë Kundër Kancerit”, IPKOFoto: Ridvan Slivova

“Bashkë Kundër Kancerit”, nga IPKOFoto: Ridvan Slivova

❌
❌