Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2026Telegrafi

Lewandowski flet ‘pa doreza’: Yamal nuk e tregoi potencialin e tij në Botëror

22 July 2026 at 23:44


Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, beson se Lamine Yamal nuk e tregoi versionin e tij më të mirë në Kupën e Botës 2026, por është i lumtur që Spanja arriti ta fitojë trofeun.

"La Roja" u shpall kampione e botës për herë të dytë, pasi mposhti Argjentinën 1-0 në finale falë golit të Ferran Torres në vazhdime.

Spanja e mbylli turneun pa humbje dhe zgjati serinë e saj në 38 ndeshje radhazi pa disfatë në të gjitha garat, ndërsa gjatë gjithë Kupës së Botës pësoi vetëm një gol në tetë ndeshje.

Yamal zhvilloi shtatë ndeshje si titullar dhe u paraqit në të gjitha sfidat e Spanjës, pasi u rikthye nga një lëndim në muskujt e pasmë të kofshës që ia ndërpreu sezonin me Barcelonën në prill.

17-vjeçari shënoi vetëm një gol, në fitoren 4-0 ndaj Arabisë Saudite në fazën e grupeve, ndërsa nuk regjistroi asnjë asistim.

Lewandowski, megjithatë, beson se kjo nuk ishte forma më e mirë e bashkëlojtarit të tij.

“Sinqerisht, jo, nuk e pamë”.

“Për mua, versioni më i mirë i Lamines nuk ishte sezonin e kaluar, por dy sezone më parë. Ai ishte Lamine Yamal më i mirë që kam parë”.

“Ai është ende i ri. Erdhi në Kupën e Botës pas një lëndimi dhe nuk kishte luajtur për rreth tetë javë. Është shumë e vështirë të futesh direkt në një turne si Kupa e Botës, ku nuk ke kohë të stërvitesh mes ndeshjeve”.

“Megjithatë, ai tregoi cilësi shumë të mëdha. Lojtarët e Spanjës e ndihmuan Laminen dhe Lamine e ndihmoi skuadrën. Mendoj se ky bashkëpunim ishte perfekt”, deklaroi Lewandowski për ESPN./Telegrafi/

BILD jep prapaskenat: Mbappe e informon Perezin se e ka bindur Olisen t’i bashkohet Real Madridit

22 July 2026 at 23:19


Kylian Mbappe besohet se ka bindur Michael Olise të largohet nga Bayern Munich dhe t'i bashkohet Real Madridit gjatë afatit kalimtar të verës.

Sipas BILD, sulmuesi francez ka njoftuar presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, se ka arritur ta bindë bashkëlojtarin e tij te Kombëtarja e Francës për të zgjedhur "Santiago Bernabeun".

Raportohet se gjatë kohës që ishin së bashku me Francën në Kupën e Botës, Mbappe i ka prezantuar Olises projektin e Real Madridit dhe i ka folur për mundësinë që të formojnë një dyshe të frikshme në sulm.

Madje, Mbappe thuhet se i ka thënë mesfushorit ofensiv se së bashku mund të krijojnë "dyshen perfekte" te gjiganti spanjoll.

Sipas raportimit, Olise tashmë ka dhënë pëlqimin e tij për një transferim te Real Madridi.

Megjithatë, klubi madrilen përballet ende me një pengesë të madhe, pasi duhet të bindë Bayern Munichun të pranojë shitjen e 24-vjeçarit, i cili konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës bavareze./Telegrafi/

Yesterday — 22 July 2026Telegrafi

Skandal pas Botërorit? FBI ndalon presidentin e Federatës së Argjentinës në aeroport

22 July 2026 at 22:57


Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio "Chiqui" Tapia, raportohet se u ndalua nga agjentë të FBI-së në aeroportin JFK të Nju Jorkut pak para nisjes së fluturimit drejt Buenos Airesit, në kuadër të një hetimi për kontrata tregtare dhe transaksione financiare të lidhura me federatën.

Sidoqoftë, AFA ka mohuar kategorikisht që presidenti i saj të jetë marrë në pyetje apo t'i jenë sekuestruar pajisjet elektronike.

Sipas raportimeve nga media argjentinase, autoritetet amerikane po hetojnë kontrata komerciale me vlerë mbi 300 milionë dollarë, duke dyshuar për pastrim parash dhe mashtrim përmes bankave amerikane. Hetimet synojnë të përcaktojnë se ku kanë përfunduar fondet, kush i ka përfituar dhe nëse janë shkelur ligjet e SHBA-së.

Raportimet pretendojnë se Tapias iu kërkua të dorëzonte telefonin dhe pajisjet e tjera elektronike, ndërsa edhe disa zyrtarëve të tjerë të delegacionit argjentinas iu sekuestruan telefona dhe kompjuterë. Kjo procedurë thuhet se vonoi nisjen e avionit çarter me të cilin po udhëtonte delegacioni pas finales së Kupës së Botës.

Sipas dokumenteve të përmendura në raportime, hetimi lidhet edhe me kompaninë Tourprodenter, me bazë në Florida, e cila menaxhonte pagesa që lidhen me disa nga kontratat më të mëdha komerciale të futbollit argjentinas. Autoritetet amerikane po shqyrtojnë gjithashtu transferta shumë milionëshe, pagesa për fluturime private, transport, karburant dhe kompani me aktivitet të kufizuar tregtar.

Megjithatë, AFA reagoi menjëherë duke mohuar versionin e publikuar nga disa media.

"Është kategorikisht e pavërtetë. Asnjë nga incidentet e përshkruara nuk ka ndodhur", thuhet në deklaratën e federatës, e cila shton se Tapia dhe sekretari Pablo Toviggino nuk janë thirrur të dëshmojnë, nuk kanë detyrime procedurale ndaj autoriteteve amerikane dhe nuk u janë sekuestruar telefonat apo pajisjet elektronike. Federata pranoi vetëm se një palë e tretë është thirrur të dëshmojë para një jurie federale në SHBA.

Hetimet në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë dhe ende nuk është bërë e ditur nëse ndonjë prej transaksioneve të dyshuara përbën vepër penale sipas ligjit amerikan./Telegrafi/

Gjiganti arab synon transferimin e Ousmane Dembeles, gati ofertë marramendëse për PSG-në

22 July 2026 at 22:39


Gjiganti saudit Al-Hilal po punon për të realizuar një nga transferimet më të bujshme të verës, duke synuar yllin e Paris Saint-Germainit, Ousmane Dembele.

Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, klubi saudit ka nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e futbollistit francez për të mësuar nëse ai është i gatshëm të transferohet në Arabinë Saudite gjatë kësaj vere.

Nëse Dembele jep dritën jeshile për këtë lëvizje, Al-Hilal pritet të nisë negociatat zyrtare me PSG-në për transferimin e fituesit të Topit të Artë 2025.

Megjithatë, kampioni i Francës nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm. PSG po punon tashmë për t'i ofruar Dembeles një kontratë të re, me synimin për ta siguruar të ardhmen e tij afatgjatë në "Parkun e Princave".

Pavarësisht kësaj, Al-Hilal besohet se është i gatshëm të testojë vendosmërinë e PSG-së me një ofertë financiare marramendëse, e cila mund të bëhet një nga më të mëdhatë e kësaj vere./Telegrafi/

Kaos në Buenos Aires pas humbjes së Argjentinës, shpërthejnë trazira dhe përleshje me policinë

22 July 2026 at 21:43


Humbja e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 është shoqëruar me trazira të dhunshme në rrugët e Buenos Airesit, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për ta ndjekur ndeshjen.

Sipas mediumit argjentinas Infobae, incidentet nisën rreth orës 23:45, menjëherë pas përfundimit të finales, kur zhgënjimi i tifozëve u shndërrua në përleshje me forcat e policisë.

Të paktën 15 persona janë arrestuar, ndërsa disa civilë dhe shtatë efektivë policie kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve.

Ngjarja nisi pasi disa tifozë u ngjitën mbi gardhin mbrojtës pranë Obeliskut, monumentit simbolik 67.5 metra të lartë në qendër të Buenos Airesit.

Pak çaste më vonë, situata doli jashtë kontrollit, teksa tifozët nisën të hidhnin shishe qelqi dhe sende të tjera në drejtim të policisë.

Për të shpërndarë turmën, policia përdori gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Sipas raportimeve, përplasjet zgjatën rreth 20 minuta, ndërsa shtatë policë pësuan lëndime të ndryshme.

Edhe disa qytetarë mbetën të lënduar. Një burrë raportohet se u godit me shqelma në fytyrë nga një prej pjesëmarrësve në trazira, ndërsa një grua mori ndihmë mjekësore, megjithëse gjendja e saj nuk është bërë e ditur.

Pasi policia avancoi nga Avenue Corrientes drejt Avenue Belgrano dhe më pas në jug të qytetit, turma filloi të shpërndahej.

Pamjet e publikuara nga Buenos Airesi tregojnë efektivët e policisë me mburoja dhe shkopinj gome duke ndjekur protestuesit në rrugët e mbushura me mbeturina. Në një fotografi, një polic shihet duke goditur me shkelm një person të shtrirë në tokë.

Ndërkohë, tensionet nuk munguan as në fushën e lojës. Menjëherë pas fishkëllimës përfundimtare, lojtarët e Argjentinës u përfshinë në një përleshje masive me futbollistët spanjollë.

Leandro Paredes ishte në qendër të incidentit, pasi u përplas me Gavin, duke e shtyrë dhe rrëzuar në tokë. Për sjelljen e tij, gjyqtari Slavko Vinçiç e ndëshkoi me karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes./Telegrafi/

Mario Mitaj afër kalimit te skuadra e Serie A

22 July 2026 at 21:26


Mbrojtësi shqiptar Mario Mitaj është pranë kalimit në Serie A, pasi Genoa ka hyrë në negociata të avancuara me Al-Ittihadin për transferimin e tij.

Sipas mediumit saudit “Al-Riyadiyah”, dy klubet po diskutojnë një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje, ndërsa bisedimet po vazhdojnë me synimin që transferimi të finalizohet në të ardhmen e afërt.

Raporti shton se Al-Ittihadi është i gatshëm ta lejojë largimin e Mitajt, teksa po punon për të përforcuar repartin e mesfushës.

Në listën e objektivave të klubit saudit është përfshirë edhe Raphael Onyedka, mesfushori nigerian i Club Brugge. Futbollisti 25-vjeçar mund të luajë si mesfushor, por edhe si qendërmbrojtës, gjë që e bën një alternativë tërheqëse për drejtuesit e Al-Ittihadit.

Drejtuesit e Al-Ittihadit po vazhdojnë të analizojnë të gjitha opsionet përpara se të marrin vendimin përfundimtar mbi përforcimin e mesfushës, ndërsa largimi i Mitajt drejt Genoas duket se po afrohet gjithnjë e më shumë.

Mitaj gjithnjë është vlerësuar lartë nga klubet italiane, ku në të kaluarën edhe AC Milani kishte tentuar ta transferonte, por atëherë Al-Ittihad nuk konsideronte shitjen e yllit shqiptar./Telegrafi/

E konfirmon Fabrizio Romano: Man Utd i do dy yjet e Real Madridit

22 July 2026 at 21:08


Manchester United ka shfaqur interes serioz për transferimin e dy mesfushorëve të Real Madridit, Aurelien Tchouameni dhe Eduardo Camavinga, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano.

Megjithatë, Romano thekson se klubi anglez ka shumë pak gjasa të arrijë njërën prej këtyre marrëveshjeve, për arsye të ndryshme.

Sa i përket Tchouamenit, Real Madridi e konsideron francezin një nga lojtarët kyç të projektit dhe i ka ofruar tashmë një kontratë të re, të cilën mesfushori e ka pranuar.

Ndërkohë, edhe Camavinga nuk ka ndërmend të largohet nga "Santiago Bernabeu". Francezi dëshiron të vazhdojë te Real Madridi dhe të luftojë për vendin e titullarit nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.

Edhe pse interesimi për të është i madh nga disa klube evropiane, Camavinga mbetet i vendosur të qëndrojë në Madrid dhe të dëshmojë vlerat e tij në sezonin e ri.

Ndërkohë, Real Madridi ka nisur përgatitjet para se të fillojë sezonin e ri muajin e ardhshëm, sidoqoftë duan edhe më shumë përforcime, me Rodrin si opsion real./Telegrafi/

Ballkani pëson humbje me rikthim nga Bohemians, por gjithçka do të vendoset në Prishtinë

22 July 2026 at 20:56


Ballkani ka pësuar humbje në udhëtim te skuadra nga Irlanda, Bohemians, në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.

“Xhebrailat” e nisën mjaftë mirë edhe për ta marrë epërsinë, por pastaj vendasit e përmbysën për të fituar me rezultat 2-1.

Toni Domgjoni u tregua i saktë nga pika e bardhë për të kaluar Ballkanin në epërsi (29’).

Në pjesën e dytë, skuadra kosovare u tërhoq edhe më shumë në aspektin defansiv, kësisoj nikoqirët morën më shumë dominimin dhe shtuan presionin.

Ishte i inkuadruari James-Taylor që shënoi pas asistimit të Devoy për të barazuar rezultatin (76’).

James pastaj asistoi për Tierney, që përfitoi nga një tollovi dhe përmbysi rezultatin (90').

Kësisoj, Ballkanit i mbetet që në Prishtinë të provojë ta përmbysë ekipin irlandez me objektivin e vetëm për të avancuar tutje./Telegrafi/

Nuk e donte Xabi Alonson, Chelsea e largon yllin e skuadrës te rivali në Ligën Premier

22 July 2026 at 19:48


Chelsea ka arritur marrëveshje për të nënshkruar me yllin e skuadrës Alejandro Garnacho nga Aston Villa.

Trajneri i “Bluve” Xabi Alonso nuk e donte assesi argjentinasin në skuadër dhe ia bëri të qartë qysh në fillim, shkaku se nuk përshtatet me filozofinë e lojës së tij.

Gazetari italian Fabrizio Romano raporton se marrëveshja mes dy skuadrave është arritur për huazim me opsion blerje, që bëhet e obligueshme nëse plotësohen disa kërkesa.

“Aston Villa arrin marrëveshje për të nënshkruar me Alejandro Garnacho nga Chelsea, e kryer”.

🚨🟣🔵 EXCLUSIVE: Aston Villa agree deal to sign Alejandro Garnacho from Chelsea, here we go!

Club to club agreement done on loan with buy clause to become mandatory under certain conditions.

Unai Emery wanted Garnacho. Medical also booked. pic.twitter.com/qvBmt3z5TB
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) July 22, 2026

“Marrëveshja është huazim me opsion blerje që bëhet e obligueshme nën disa kushte. Unai Emery e donte Garnachon”, shkroi ai.

Deri vonë edhe Roma e kërkoi argjentinasin, megjithatë Chelsea kërkonte 50 milionë euro, vlerë që assesi klubi italian nuk do ta paguante./Telegrafi/

Kupa e Botës 2030 – si do të duket? Gjashtë vende organizatore, 20 qytete dhe mundësia që finalja të zhvillohet në Marok në vend të "Santiago Bernabeut"

22 July 2026 at 19:15


Kupa e Botës 2030 pritet të jetë edicioni më i veçantë në historinë e turneut, pasi ndeshjet do të zhvillohen në gjashtë shtete dhe në tri kontinente.

FIFA tashmë ka konfirmuar se organizatorët kryesorë do të jenë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa disa ndeshje do të luhen edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së Botës.

Turneu do të zgjasë më shumë se një muaj

Kupa e Botës 2030 do të nisë më 8 qershor dhe do të përfundojë më 21 korrik. Megjithatë, turneu do të ketë dy data zyrtare nisjeje.

Më 8 dhe 9 qershor do të zhvillohen tri ndeshjet përkujtimore në Amerikën e Jugut, ndërsa pjesa kryesore e turneut do të fillojë më 13 dhe 14 qershor në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Pas këtyre ndeshjeve, kombëtaret e përfshira do të kenë rreth 11 deri në 12 ditë kohë për të udhëtuar drejt Evropës dhe për t'u përshtatur me ndryshimin e orarit, përpara se të zhvillojnë ndeshjet e dyta të fazës së grupeve.

Uruguai, Argjentina dhe Paraguai fillimisht kishin kandiduar bashkërisht për të organizuar të gjithë turneun, por FIFA vendosi që pjesa më e madhe e Kupës së Botës t'i besohej Spanjës, Portugalisë dhe Marokut, ndërsa tri vendet e Amerikës së Jugut do të organizojnë vetëm ndeshje simbolike për të nderuar 100-vjetorin e kompeticionit.

Uruguai ishte vendi organizator dhe fitues i Kupës së parë të Botës në vitin 1930, Argjentina ishte finaliste e atij edicioni, ndërsa Paraguai u përfshi pasi aty u themelua CONMEBOL, konfederata e parë kontinentale e futbollit.

Stadiume me mbi 100 mijë vende

Një nga risitë më të mëdha do të jenë stadiumet gjigante.

Stadiumi Monumental në Buenos Aires pritet të zgjerohet në rreth 100 mijë vende, duke rikthyer një impiant me këtë kapacitet në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1986.

Camp Nou gjithashtu pritet të përfundojë rikonstruksionin deri në vitin 2030 dhe do të ketë kapacitet prej rreth 105 mijë spektatorësh.

Ndërkohë, Maroku po ndërton stadiumin Hassan II në Casablanca, i cili planifikohet të ketë plot 115 mijë vende dhe mund të bëhet stadiumi më i madh i përdorur ndonjëherë në historinë e Kupës së Botës.

Ky impiant është tashmë një kandidat serioz për të organizuar finalen, duke sfiduar "Santiago Bernabeun", që deri tani konsiderohej favorit.

Spanja do të ketë më shumë qytete organizatore

Portugalia pritet të përdorë tre stadiume, ndërsa Maroku gjashtë. Spanja do të jetë vendi me numrin më të madh të stadiumeve, me nëntë impiante të përzgjedhura.

Në listë pritet të jenë "Santiago Bernabeu" dhe "Metropolitano" në Madrid, "Camp Nou" dhe stadiumi i Espanyolit në Barcelonë, "La Cartuja" në Sevilla, si dhe stadiumet në Bilbao, San Sebastian, Zaragoza dhe Las Palmas.

Disa qytete, si Malaga dhe La Coruna, kanë hequr dorë nga organizimi, ndërsa Valencia vazhdon garën me projektin e stadiumit të ri Mestalla, ndërtimi i të cilit ka nisur që në vitin 2007 dhe pritet të përfundojë në vitin 2027.

A do të marrë pjesë 64 kombëtare?

Një tjetër risi që po shqyrtohet është zgjerimi i turneut nga 48 në 64 kombëtare.

Ideja u propozua nga CONMEBOL si një përjashtim vetëm për edicionin jubilar të vitit 2030.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se propozimi do të shqyrtohet pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

Sipas tij, zgjerimi do t'u jepte më shumë vendeve mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës dhe do të nxiste zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

Aktualisht, FIFA numëron 211 federata anëtare dhe pjesëmarrja e 64 kombëtareve do të përfshinte mbi 30 për qind të tyre.

Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, edhe pse suksesi i formatit me 48 skuadra në Kupën e Botës 2026 ka rritur ndjeshëm gjasat që turneu i vitit 2030 të zgjerohet edhe më shumë./Telegrafi/

Zyrtare: Casemiro kalon te Inter Miami

22 July 2026 at 19:04


Pas disa sezoneve te Manchester Unitedi, mesfushori Casemiro ka nënshkruar zyrtarisht me Inter Miamin.

Braziliani që ka luajtur për shumë vite me Cristiano Ronaldon, tani do ta ketë nderin të luajë edhe me Lionel Messin.

Miami përmes një komunikate zyrtare njoftoi afrimin e Casemiros, i cili ka nënshkruar kontratë për tri vite.

“Inter Miami njofton se ka nënshkruar me mesfushorin brazilian Casemiro. Pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve i bashkohet klubit si agjent i lirë deri në vitin 2027 me opsion për ta vazhduar deri më 2029”.

Casemiro ndërkohë thotë se është i motivuar për ta dëshmuar vetën.

Midfield, reinforced. Bem-vindo, @Casemiro! 🇧🇷https://t.co/1GW3A40qvD pic.twitter.com/ZmM0IXUXux
— Inter Miami CF (@InterMiamiCF) July 22, 2026

“Çfarë më motivon më së shumti është fitoret dhe vazhdimësia për t’u rritur. Projekti që më ka prezantuar klubi më ka bindur që të vijë këtu dhe kjo nënkupton shumë”.

“Jam shumë mirënjohës dhe mezi pres t’ia filloj që të paguaj besimin, jo vetëm gjatë 90 minutave, por edhe në stërvitje gjithashtu. E tëra që mund të them është faleminderit”, deklaroi ai.

Casemiro periudhën më të suksesshme e kishte padyshim te Real Madridi, ku fitoi të gjitha trofetë e mundshëm./Telegrafi/

Shfaqën banerin skandaloz “Kosova është Serbi”, reagon Larne: Nuk ishte tifoz i yni, politika s’ka vend në sport

22 July 2026 at 18:45


Klubi irlandez Larne ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndaj Crvena Zvezdës në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ku në stadium u shfaq një flamur me përmbajtje politike.

Në komunikatën e publikuar, Larne bëri të ditur se stafi i sigurisë reagoi menjëherë sapo e vuri re flamurin, duke e larguar atë nga tribuna.

“Larne FC është në dijeni të një fotografie që po qarkullon nga ndeshja e mbrëmshme e Ligës së Kampionëve kundër FK Crvena Zvezda në Inver Park”.

“Gjatë pjesës së parë, një flamur me përmbajtje politike u shfaq mbi tabelat reklamuese në tribunën McKay. Sapo kjo u vu re, stafi i sigurisë së stadiumit reagoi menjëherë për ta hequr flamurin”.

Club Statement: FK Crvena Zvezda (H)

↪️ https://t.co/X28NjiLkw2#HarbourBorn #MakingWaves pic.twitter.com/7j33Hd19tc
— Larne Football Club (C) 🏆 (@larnefc) July 22, 2026

“Mbrëmja e kaluar ishte historike për klubin, qytetin dhe gjithë komunitetin, duke mirëpritur një klub me madhësinë, reputacionin dhe historinë e FK Crvena Zvezda në stadiumin tonë. Kjo nuk duhet të zbehet nga veprimi i një individi të vetëm, i cili nuk është tifoz i Larne FC dhe ishte i pranishëm si neutral në tribunën vendase”.

“Si klub, theksojmë edhe një herë që simbolet dhe shfaqjet politike nuk kanë vend në futboll”, thuhet në njoftimin e klubit irlandez./Telegrafi/


Probleme për Barcelonën, do ta nisin sezonin pa yllin e skuadrës

22 July 2026 at 17:53


Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po përgatitet për sezonin e ri pa një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm, pasi Frenkie de Jong ka pësuar një lëndim serioz në gjurin e djathtë.

Sipas AS, ekzaminimet e para mjekësore u shtynë për shkak të ënjtjes së madhe në gju, ndërsa kontrollet e dyta zbuluan dëmtime të konsiderueshme që mund ta mbajnë mesfushorin holandez jashtë fushave për më shumë se katër muaj.

Operacioni tashmë shihet si zgjidhja e vetme, çka shpjegon edhe pse emri i De Jong është hequr plotësisht nga planet e Barcelonës për ndeshjet miqësore të verës.

Për të mbuluar mungesën në mesfushë, Flick pritet t'u besojë më shumë talenteve të rinj si Marc Bernal dhe mbrojtësit shumëfunksional Xavi Espart, të cilët mund të kenë rol shumë më të rëndësishëm gjatë sezonit.

Ndërkohë, drejtuesit e Barcelonës raportohet se janë të zemëruar me stafin teknik të Kombëtares së Holandës, pasi besojnë se De Jong u lejua të luante edhe pse kishte probleme ekzistuese me gjurin, gjë që mund të ketë përkeqësuar lëndimin.

Nëse rikuperimi i mesfushorit zgjat më shumë se katër muaj, Barcelona mund të përfitojë gati dy milionë euro kompensim financiar nga FIFA, në kuadër të programit të mbulimit për lëndimet e lojtarëve gjatë angazhimeve me kombëtaret./Telegrafi

Valverde rikthehet te Real Madridi dhe dërgon mesazh për Mourinhon: Dua të mësoj gjithçka prej tij

22 July 2026 at 17:28


Federico Valverde është rikthyer në qendrën stërvitore të Real Madridit pas pushimeve të gjata që mori pas përfundimit të Kupës së Botës 2026 me Uruguain.

Mesfushori uruguaian zhvilloi seancën e tij të parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri, Jose Mourinho, dhe nuk e fshehu entuziazmin për bashkëpunimin me portugezin.

“Jam i etur të mësoj prej tij, të dëgjoj çdo këshillë që më jep dhe të përfitoj sa më shumë nga çdo sekondë apo minutë e çdo seance stërvitore që ndaj me të dhe stafin e tij”.

“Do të përpiqem të mësoj dhe të rritem si njeri dhe si futbollist. Ai është një person i veçantë, prej të cilit mund të mësoj shumë. Shpresoj që të kemi një sezon të madh”, deklaroi Valverde.

27-vjeçari foli edhe për përgjegjësinë e re si kapiteni i parë i Real Madridit.

“Ndihem shumë emocional dhe i nderuar. Sa herë që dikush më ndalon në rrugë ose brenda rrethit tim dhe ma kujton këtë, mbushem me krenari dhe emocion”.

“Mendon për gjithçka që ke kaluar, për momentet e mira dhe të vështira... dhe më pas vjen dita kur bëhesh kapiteni i parë. Kam mësuar shumë nga të gjithë bashkëlojtarët që kanë mbajtur këtë shirit para meje”.

“Ata më kanë dhënë gjithmonë mbështetje të jashtëzakonshme dhe do ta përdor gjithë atë përvojë për t’u rritur së bashku me stafin teknik”, përfundoi uruguaiani./Telegrafi/

FIFA do t'u paguajë klubeve 305.3 milionë euro për lirimin e lojtarëve në Kupën e Botës 2026

22 July 2026 at 16:59


FIFA ka konfirmuar shumën që klubet do të përfitojnë si kompensim për lirimin e lojtarëve të tyre për të përfaqësuar kombëtaret në Kupën e Botës 2026.

Në kuadër të Programit të Përfitimeve për Klubet të FIFA-s, klubet do të kompensohen për çdo futbollist që ka qenë me kombëtaren e tij gjatë periudhës së Kupës së Botës, nga 1 qershori deri më 19 korrik 2026.

Kompensimi është caktuar në 4 mijë e 300 euro për lojtar në ditë.

Shuma do të shpërndahet në mënyrë proporcionale mes klubeve që futbollisti ka përfaqësuar gjatë dy sezoneve të fundit.

Në total, FIFA ka ndarë një fond prej 305 e 3 milionë eurosh për këtë program në Kupën e Botës 2026, duke shpërblyer klubet që kanë vënë në dispozicion lojtarët e tyre për kombëtaret gjatë turneut./Telegrafi/

Fundi i cirkut të "Galaktikëve": Jose Mourinho e detyroi Florentino Perezin të ndërtonte një ekip, jo të blinte vetëm yje individualë

22 July 2026 at 16:40


Tri nga transferimet më të rëndësishme të Real Madridit këtë verë nuk mbajnë fanellën me numrin 10, nuk janë kandidatë për Topin e Artë dhe me shumë gjasa nuk do të thyejnë rekorde në shitjen e fanellave.

Marc Cucurella është mbrojtës i majtë, Ibrahima Konate është qendërmbrojtës, ndërsa Denzel Dumfries vjen për krahun e djathtë.

Brenda vetëm tri javësh, Real Madridi ka ndërtuar praktikisht një repart të ri mbrojtës. Cucurella ka firmosur deri në vitin 2032, ndërsa Konate dhe Dumfries deri në vitin 2030. Në pamje të parë, kjo nuk i ngjan aspak politikës së klubit të Florentino Perezit, i cili dikur ndërtoi mitin e "Galaktikëve" me emra si Luis Figo, Zinedine Zidane, Ronaldo dhe David Beckham.

Sigurisht, gjatë presidencës së Perezit, Real Madridi ka transferuar gjithmonë mbrojtës cilësorë. Sergio Ramos, Eder Militao, Ferland Mendy, Antonio Rudiger, David Alaba dhe së fundmi Trent Alexander-Arnold nuk mbërritën rastësisht në "Santiago Bernabeu". Ajo që është e pazakontë këtë herë është përqendrimi i investimit: tre mbrojtës të gatshëm, fizikisht dominues dhe me përvojë të madhe ndërkombëtare në një verë të vetme, menjëherë pas rikthimit të Jose Mourinhos.

Në të kaluarën, çdo projekt i ri i Real Madridit zakonisht niste me një superyll. Këtë verë, ai nis me një strukturë.

Dikur gjithçka fillonte me një superyll

Florentino Perez nuk e ka parë kurrë Real Madridin vetëm si një klub futbolli. Për të, klubi ishte një projekt sportiv, një markë globale argëtimi dhe një koleksion i futbollistëve më të famshëm në botë.

Pas zgjedhjes së tij të parë si president, ai transferoi Luis Figon pikërisht nga Barcelona. Më pas erdhën Zidane, Ronaldo dhe Beckham. Së bashku me Raulin dhe Roberto Carlosin, ata krijuan versionin më të famshëm të "Galaktikëve", një skuadër që nuk ishte ndërtuar vetëm për të fituar ndeshje, por edhe për të dominuar vëmendjen globale.

Historia zyrtare e klubit i konsideron këto transferime si shtyllën kryesore të mandatit të parë të Perezit, ndërsa edhe UEFA e përshkruan atë periudhë si grumbullimin e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror.

Logjika ishte e thjeshtë. Një superyll sillte gola, tituj gazetash, sponsorë, tregje të reja dhe ndjesinë se në Madrid gjithmonë po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Trajnerit më pas i jepej detyra që t'i kthente këta individë në një skuadër funksionale. Ndonjëherë kjo funksiononte në mënyrë perfekte, ndërsa herë të tjera krijonte vetëm një grumbullim spektakolar talentesh individuale.

Më vonë, Perez ndryshoi strategjinë. Real Madridi nuk synonte më domosdoshmërisht yllin më të madh të momentit çdo verë, por filloi të investonte te yjet e së ardhmes. Vinicius Junior, Rodrygo, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni dhe Jude Bellingham mbërritën në moshë të re për të kaluar vitet më të mira të karrierës në Madrid.

Megjithatë, transferimi i Kylian Mbappe ishte rikthimi i ëndrrës së vjetër, sepse Real Madridi vazhdonte të dëshironte lojtarët që simbolizonin spektaklin dhe madhështinë individuale. Vetë Florentino Perez e kishte përmbledhur këtë filozofi me një fjali të vetme: "Real Madridi do të punojë gjithmonë për të pasur lojtarët më të mirë."

Tani sfida nuk është të shtosh yje, por të krijosh një ekip

Këtë verë situata është krejt ndryshe.

Me Mbappen, Viniciusin dhe Bellinghamin, Real Madridi tashmë i ka figurat kryesore të marketingut dhe futbollit. Klubi nuk ka më nevojë të transferojë një tjetër superyll për të dëshmuar rëndësinë globale.

Pyetja kryesore tani është: si mund të shndërrohen të gjithë këta emra në një skuadër të qëndrueshme?

Mourinho nuk kërkon lodra të reja, por mjete pune

Jose Mourinho u emërua zyrtarisht trajner më 11 qershor me kontratë trevjeçare.

Vetëm pak ditë më vonë, Real Madridi nisi transformimin e skuadrës. Cucurella u prezantua katër ditë pas emërimit të portugezit, Konate erdhi tri ditë më pas, ndërsa Dumfries në fillim të korrikut.

Kjo nuk provon domosdoshmërisht se Mourinho ka kërkuar personalisht secilin transferim, por tregon qartë se këtë herë klubi nuk po grumbullon emra të mëdhenj dhe më pas të mendojë si t'i përdorë. Përkundrazi, po ndërton një skuadër sipas një ideje të qartë futbollistike.

Cucurella nuk është një "Galaktik" klasik. Ai nuk sjell miliona ndjekës apo rekorde golash. Ai sjell intensitet, agresivitet, energji, presion të lartë dhe fleksibilitet në mbrojtje.

Sipas raportimeve britanike, Real Madridi pagoi deri në 51.8 milionë funte për një mbrojtës të majtë që nuk është luks, por një zgjidhje e menjëhershme.

Konate mbërriti si lojtar i lirë nga Liverpooli. Edhe ai nuk është një transferim marketingu, por një profil sportiv shumë i qartë: i gjatë, i shpejtë, fizikisht dominues dhe i mësuar të mbrojë hapësira të mëdha pas vijës së lartë të mbrojtjes.

Në vitet e fundit, Real Madridi është përballur shpesh me lëndime dhe ndryshime të vazhdueshme në qendër të mbrojtjes. Konate nuk është transferuar për të qenë fytyra e klubit, por për të garantuar stabilitet që yjet ofensivë të shkëlqejnë.

Nga ana tjetër, Dumfries sjell një dimension krejt tjetër. Ai nuk është vetëm mbrojtës krahu, por një lojtar që sulmon vazhdimisht zonën, vrapon pa top dhe krijon superioritet fizik.

Ai nuk është një artist teknik, por një futbollist që i jep Mourinhos një armë taktike që skuadra nuk e kishte./Telegrafi/

Xabi Alonso e do me patjetër, klubi anglez refuzon ofertën 64-milionëshe të Chelseas

22 July 2026 at 16:17


Chelsea nuk e ka ndërmend të ndalet në afatin kalimtar të verës. Pasi theu rekordin e klubit për transferimin e Morgan Rogers, "Blutë" raportohet se kanë bërë një tjetër lëvizje të madhe në merkato, por këtë herë kanë marrë një përgjigje negative nga Bournemouth për mesfushorin Alex Scott.

Sipas BBC Sport dhe mediave të tjera britanike, Chelsea paraqiti një ofertë prej 64 milionë funtesh (rreth 86 milionë dollarë) për 22-vjeçarin, por Bournemouth e refuzoi menjëherë, duke e bërë të qartë se dëshiron ta mbajë lojtarin edhe përtej kësaj vere.

Megjithatë, situata kontraktuale e Scott mund të komplikojë planet e Bournemouth. Mesfushori ka refuzuar ofertën për rinovim dhe kontrata e tij skadon pas dy vitesh. Klubi është i vetëdijshëm për këtë zhvillim, por nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk dëshiron ta shesë.

Chelsea sapo ka investuar 117 milionë funte për të transferuar Morgan Rogers nga Aston Villa, ndërsa gjatë kësaj vere ka afruar edhe Marco Palestra, Emmanuel Emegha, Geovany Quenda dhe Denner, duke vazhduar revolucionin e nisur nga trajneri Xabi Alonso.

Megjithatë, Scott nuk është objektiv vetëm i londinezëve. Arsenali, Manchester City dhe Manchester United gjithashtu kanë shfaqur interes për anglezin, ndërsa edhe Tottenhami e kishte ndjekur më herët përpara se të transferonte Mateus Fernandes dhe Sandro Tonalin.

Në letër, Chelsea tashmë ka një nga dyshet më të shtrenjta në mesfushë me Moises Caicedon dhe Enzo Fernandez. Megjithatë, e ardhmja e argjentinasit mbetet e paqartë.

Raportet bëjnë të ditur se Fernandez ka shprehur dëshirën për t'u larguar, ndërsa Chelsea është i gatshëm të dëgjojë oferta vetëm nëse arrijnë vlerën prej 120 milionë funtesh. Gjithsesi, mundësitë për një transferim janë zbehur ndjeshëm pasi Real Madridi ka bërë të ditur publikisht se nuk planifikon të transferojë mesfushorin.

Është përfolur gjithashtu për një ribashkim me ish-trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca, si dhe për një kalim te Atletico Madridi, por asnjë prej këtyre klubeve nuk pritet të afrohet me kërkesat financiare të londinezëve.

Interesimi për Scott duket se nuk lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Fernandez. Xabi Alonso dëshiron të shtojë konkurrencën në mesfushë, pasi problemet e shpeshta me lëndime të Romeo Lavias dhe Dario Essugos e kanë lënë shpesh skuadrën me mungesë alternativash./Telegrafi/

Zyrtare: Chelsea prezanton Morgan Rogersin

21 July 2026 at 23:20


Chelsea ka zyrtarizuar transferimin e yllit të Aston Villas Morgan Rogers, për një shumë rekord prej 117 milionë funtesh, duke e bërë atë futbollistin britanik më të shtrenjtë në histori.

Mesfushori ka firmosur një kontratë gjashtëvjeçare me klubin londinez, duke u bërë përforcimi më i madh i epokës së trajnerit të ri, Xabi Alonso.

Rogers i bashkohet Chelseat pasi zhvilloi gjashtë ndeshje me Anglinë në Kupën e Botës 2026, ndërsa paraqitjet e tij mbresëlënëse me Aston Villan i siguruan ftesën nga Thomas Tuchel për në kombëtare.

He chose Chelsea. pic.twitter.com/V6NrGsuZH9
— Chelsea FC (@ChelseaFC) July 21, 2026

Gjatë periudhës së tij te Aston Villa, 24-vjeçari zhvilloi 125 ndeshje, duke realizuar 31 gola dhe 29 asistime. Ai bëri një ngritje të madhe në karrierë pas aventurave të mëparshme te Middlesbrough, Lincoln City, Bournemouth dhe Blackpool.

Rogers është produkt i akademisë së Manchester Cityt dhe tani do të ribashkohet te Chelsea me ish-bashkëlojtarët e tij, Cole Palmer dhe Liam Delap.

Transferimi i tij tejkalon rekordin e mëparshëm të merkatos verore, të vendosur pas kalimit të Elliot Anderson te Manchester City për 116 milionë funte, duke e bërë Morgan Rogers afrimin më të shtrenjtë të një futbollisti britanik në histori./Telegrafi/

Aston Villa can confirm that Morgan Rogers has completed a permanent transfer to Chelsea.

Since joining from Middlesbrough in 2024, the midfielder has enjoyed a rapid rise to prominence, helping Villa to lift the UEFA Europa League last term, scoring the third goal in the final… pic.twitter.com/nYMT4LfoiD
— Aston Villa (@AVFCOfficial) July 21, 2026

“Urime miqve argjentinasë”, piloti spanjoll tallet keq me udhëtarët, iu thotë se fituan Kupën e Botës

21 July 2026 at 23:07


Ky është momenti qesharak kur një pilot spanjoll duket se mashtroi një avion plot me pasagjerë argjentinas, duke i bërë të besonin për pak çaste se Argjentina kishte fituar Kupën e Botës.

Ferran Torres shënoi golin e fitores në kohën shtesë të finales, duke i dhënë Spanjës triumfin 1-0 ndaj Argjentinës dhe duke lënë të dëshpëruar Lionel Messin me shokë.

Pamjet, të filmuara menjëherë pasi Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë, janë bërë virale në rrjetet sociale.

Në video shihen pasagjerë të veshur me fanellat e Argjentinës duke brohoritur dhe festuar pasi dëgjuan një njoftim të rremë nga piloti përmes altoparlantit të avionit gjatë një fluturimi nate.

Avioni ra në heshtje kur piloti tha: “Ishte një ndeshje shumë e luftuar deri në fund, përfshirë edhe kohën shtesë. Të dyja skuadrat dhanë gjithçka, por fatkeqësisht vetëm njëra mund ta fitojë finalen e Kupës së Botës”.

Spanish pilot pranks Argentine passengers into thinking they won World Cup pic.twitter.com/ztjgyfYKP0
— The Sun (@TheSun) July 21, 2026

Më pas ai shtoi: “Dëshirojmë t'i urojmë miqtë tanë argjentinas.”

Kjo deklaratë shkaktoi festë të madhe mes pasagjerëve, të cilët menduan se Argjentina ishte shpallur kampione.

Por, në pjesën e dytë të videos, avioni u mbulua nga heshtja kur piloti zbuloi të vërtetën. “Spanja ka fituar.”

Shumë media argjentinase nuk e pritën mirë këtë shaka, duke e cilësuar si një “shaka të sëmurë”.

Gazeta La Voz del Interior shkroi: “Gjatë një fluturimi, ndërsa finalja e Kupës së Botës po arrinte kulmin, një kapiten spanjoll njoftoi një rezultat të rremë që shkaktoi festë mes pasagjerëve, përpara se të zbulonte se kampione ishte Spanja”.

Një tjetër medium argjentinas e quajti veprimin e pilotit “të tmerrshëm”.

“Ai jo vetëm që bëri një veprim të papranueshëm me një sens humori të dyshimtë, por edhe e ekspozoi veten ndaj pasojave serioze në bord pasi e vërteta doli në pah”.

“Pasagjerët mund të kishin tentuar ta përballnin ose edhe të hynin në kabinën e pilotit. Ishte një gabim i madh”./Telegrafi/

Before yesterdayTelegrafi

Ylli i skuadrës dhe 50 milionë euro, Atletico Madridi pranon ofertën e Arsenalit

21 July 2026 at 22:13


Atletico Madridi thuhet se e ka pranuar ofertën e Arsenalit për sulmuesin Julian Alvarez.

Gjiganti londinez raportohet se ka ofruar 50 milionë euro dhe shërbimet e sulmuesit Viktor Gyokeres, gjë që ia ka plotësuar të gjitha kërkesat “Los Rijoblancos”.

“El Chiringuito” ndër të tjera raporton se tani ka mbetur vetëm që dy lojtarët të japin “dritën e gjelbër”, ngase aktualisht nuk kanë marrëveshje me klubet e përmendura.

🚨🚨| BREAKING: Atletico Madrid and Arsenal have reached 𝐀𝐆𝐑𝐄𝐄𝐌𝐄𝐍𝐓 over Julian Alvarez — €50m + Viktor Gyökeres. 🚨🔴

Alvarez is refusing personal terms as he wants Barcelona and is demanding Atletico honour a prior promise.

[@elchiringuitotv] pic.twitter.com/dfUfGITzOU
— CentreGoals. (@centregoals) July 21, 2026

Alvarez ëndërronte kalimin te Barcelona, e cila ofroi 100 milionë euro por që Atletico e refuzoi menjëherë ofertën.

Në anën tjetër, ende është e paqartë qëndrimi i Gyokeres duke qenë se edicionin e kaluar ishte ndër lojtarët kryesorë te “Topçinjtë” me të cilët fitoi titullin e Ligës Premier si dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve./Telegrafi/

❌
❌