Ushtria amerikane ka thënë se ka nisur të ndërmarrë “sulme vetëmbrojtjeje” kundër Iranit.
Një deklaratë e Komandës Qendrore të SHBA-së tha se ato u kryen me urdhër të presidentit amerika, Donald Trumpit “në përgjigje të rrëzimit të djeshëm të një helikopteri Apache të Ushtrisë amerikane”.
“Misioni është një përgjigje proporcionale ndaj agresionit të pajustifikuar iranian”, shtohet në deklaratë.
Një nga enigmat më të mëdha të ekonomisë globale mbetet fakti pse tregu i naftës ka qëndruar kaq i qetë, pavarësisht një prej ndërprerjeve më serioze të furnizimit në histori.
Ngushtica e Hormuzit është paralizuar prej tre muajsh lufte — një skenar “i zi” që pak kush e kishte konsideruar të mundshëm para konfliktit me Iranin.
Megjithatë, trafiku i dukshëm përmes kësaj ngushtice mbetet i rrallë dhe vlerësohet të jetë vetëm rreth 15 për qind e niveleve para luftës, sipas të dhënave të JPMorgan.
Pavarësisht kësaj tkurrjeje të madhe, çmimet e naftës deri tani nuk kanë arritur nivelet alarmuese që shumë analistë i kishin parashikuar me shqetësim, shkruan CNN.
“Rrjedhje” të fshehta të naftës
Një nga teoritë është se një sasi shumë më e madhe e naftës së papërpunuar po kalon përmes bllokadës së dyfishtë në Ngushticën e Hormuzit sesa mendohej fillimisht, duke ndihmuar kështu sistemin global energjetik të përballojë këtë goditje historike.
Ekspertët i kanë deklaruar CNN-it se anijet cisternë që transportojnë këto të ashtuquajtura “rrjedha të fshehta” mund të jenë duke anashkaluar bllokadën duke fikur transponderët e tyre, në mënyrë që të mos zbulohen.
Sipas vlerësimeve të JPMorgan, gjatë dy javëve të fundit të majit, këto rrjedha të fshehta kanë arritur në rreth 2.1 milionë fuçi naftë në ditë, transmeton Telegrafi.
Kjo përbën një pjesë të vogël, por të rëndësishme, të 15.6 milionë fuçive naftë që para shpërthimit të luftës kalonin çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Duket se, pavarësisht bllokadës detare dhe rënies drastike të trafikut tregtar, përmes ngushticës vazhdon të kalojë një sasi çuditërisht e madhe e naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj”, shkroi javën e kaluar në një raport për klientët Natasha Kaneva, drejtuese e strategjisë globale të mallrave në JPMorgan.
Sipas saj, këto flukse të fshehta të naftës mund të jenë një nga arsyet kryesore pse tregjet energjetike globale kanë arritur të shmangin deri tani një krizë më të thellë të furnizimit.
“Lundrime fantazmë”
Bob McNally, themelues dhe president i kompanisë Rapidan Energy Group, i tha CNN-it se pajtohet me vlerësimin se rrjedhat e fshehta të naftës mund ta kenë shtyrë ose zbutur pjesërisht krizën.
“Ne nisemi nga supozimi se trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit ka rënë në vetëm 0 deri në 10 për qind të nivelit para luftës. Megjithatë, për shkak të kësaj ‘rrjedhjeje’, shifra reale mund të jetë disi më e lartë”, tha McNally.
Ai theksoi se këto sasi shtesë nuk janë të mjaftueshme për të shmangur shterimin e konsiderueshëm të rezervave globale të naftës, por megjithatë ndihmojnë në uljen e presionit mbi tregjet.
“Kjo nuk mjafton për të shmangur një tërheqje të madhe të rezervave, por sigurisht që e lehtëson disi situatën”, shtoi ai.
Jan Stuart, ekonomist global i energjisë dhe strateg në bankën investuese Piper Sandler, vlerëson se në maj nga Ngushtica e Hormuzit kanë dalë rreth 2.9 milionë fuçi naftë e papërpunuar në ditë.
Ky vlerësim përfshin rreth 2.1 milionë fuçi në anije që duket se kanë paguar tarifa ndaj subjekteve iraniane.
Pjesa tjetër, rreth 900 mijë fuçi, i referohet “lundrimeve fantazmë”, pra anijeve që kanë kaluar nëpër rrugën detare në errësirë, me transponderët e fikur.
“Këto dërgesa ‘fantazmë’ ose të fshehta po ndihmojnë”, tha Stuart dhe shtoi se “Kriza është zbutur shumë më mirë sesa mendoja se ishte e mundur”.
Edhe faktorë të tjerë po i mbajnë çmimet nën kontroll
Kontratat e ardhshme për naftën Brent, e cila shërben si standard ndërkombëtar, të premten ranë në 93 dollarë për fuçi. Kjo është dukshëm mbi nivelin para luftës prej rreth 70 dollarësh, por edhe ndjeshëm nën kulmin e fundit prej 114 dollarësh.
Megjithatë, rrjedhat e fshehta nuk janë arsyeja kryesore e qetësisë në treg. Piper Sandler vlerëson se rreth 4.5 milionë fuçi naftë e papërpunuar në ditë kanë dalë nga Gjiri Persik përmes rrugëve të tjera, kryesisht përmes naftësjellësit Lindje–Perëndim që lidh fushat naftëmbajtëse saudite me portin Yanbu në Detin e Kuq.
Edhe më e rëndësishme është se Kina ka ulur ndjeshëm importet e naftës së papërpunuar dhe është kthyer te rezervat e saj të mëdha. Kërkesa më e ulët nga Kina, një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në botë, ka ndihmuar në zbutjen e krizës së furnizimit.
Kaneva nga JPMorgan thotë se faktorë të tjerë përfshijnë edhe një rënie më të madhe të kërkesës sesa pritej, si dhe rezerva më të mëdha nga sa janë raportuar.
“Të gjitha këto përshtatje së bashku ndihmojnë të shpjegojnë pse çmimet pranë 100 dollarëve nuk do të thonë se ndërprerja është e vogël”, ka shkruar Kaneva dhe shtoi se “përkundrazi, ato tregojnë se tregu ka gjetur mënyra — edhe pse të kushtueshme — për ta absorbuar atë”.
“Gjërat do të përkeqësohen”
Disa veteranë të industrisë së naftës shprehin shqetësimin se tregu, i qetësuar nga këto zgjidhje të përkohshme, mund të jetë duke e nënvlerësuar ndikimin real të krizës.
Rezervat komerciale të naftës kanë rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës, ndërsa rezervat strategjike të naftës së papërpunuar në SHBA po afrohen shpejt drejt niveleve më të ulëta që nga fillimi i viteve 1980.
“Gjërat do të përkeqësohen”, tha Jan Stuart nga Piper Sandler, duke paralajmëruar një presion të ri mbi tregjet energjetike.
Sipas tij, çmimi mesatar i naftës Brent gjatë muajve korrik dhe gusht mund të arrijë deri në 130 dollarë për fuçi, nëse kushtet aktuale të furnizimit vazhdojnë të përkeqësohen.
Nëse ky parashikim rezulton i saktë, atëherë çmimet e karburantit në SHBA këtë verë mund të rriten ndjeshëm, duke kaluar mbi 5 dollarë për gallon, krahasuar me rreth 4.20 dollarë sa janë aktualisht.
Sipas Jan Stuart nga Piper Sandler, çmimet e naftës do të duhet të rriten shpejt për të nxitur lirimin e mëtejshëm të rezervave emergjente dhe për të detyruar një ulje të konsumit global.
“Duhet t’i bindësh njerëzit. Dhe kjo është shumë më e lehtë kur çmimet janë të larta”, tha ai, duke nënkuptuar se vetëm përmes presionit të çmimeve mund të stabilizohet kërkesa në tregun e energjisë.
Ndërkohë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë rënë drejt nivelit të 90 dollarëve për fuçi, pasi investitorët janë inkurajuar nga armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit, si dhe nga sinjalet e Uashingtonit për rritje të furnizimeve me energji përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në tregun e Londrës, pasdite nafta u tregtua rreth katër dollarë më lirë se mbyllja e një dite më parë, duke arritur në 90,20 dollarë për fuçi. Ndërsa në tregun amerikan, çmimi ra me 4,54 dollarë, në 86,76 dollarë për fuçi. /Telegrafi/
Shërbimet ruse të sigurisë kanë çaktivizuar përkohësisht disa pjesë të sistemit të mbikëqyrjes që përdoret për mbrojtjen e presidentit rus, Vladimir Putinit.
Masa thuhet se është marrë nga shqetësimi se kamerat mund të shfrytëzohen për të gjurmuar lëvizjet e liderit rus dhe të rrethit të tij të ngushtë.
Ky vendim pasqyron një rritje të ankthit brenda Kremlinit, shkruajnë mediat.
Megjithatë, Putin mund të ketë më shumë arsye për t’u shqetësuar nga kërcënimet brenda vendit sesa nga ato të jashtme.
Një pjesë e konsiderueshme e elitës politike dhe biznesore në Rusi besohet se është në favor të përfundimit të luftës, ndërsa lideri i Kremlinit vazhdon të refuzojë çdo kompromis domethënës.
Historia ruse tregon se luftërat e zgjatura dhe pakënaqësia në rritje e elitave shpesh përfundojnë keq për pushtetin.
Nëse ndarjet brenda klasës sunduese vazhdojnë të thellohen, Putin mund të përballet jo vetëm me izolim politik, por edhe me një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kontrollit të tij mbi pushtetin. /Telegrafi/
Një nga ikonat më të mëdha të automobilizmit evropian është rikthyer. Modeli i ri Ford Escort Mk1 RS është prezantuar zyrtarisht në Londër, duke shënuar rikthimin e emrit legjendar Escort RS pas më shumë se pesë dekadash. Automjeti është zhvilluar nga kompania britanike Boreham Motorworks me licencë zyrtare të Fordit.
Ndryshe nga restaurimet klasike (restomod), Escort RS i ri është ndërtuar tërësisht nga komponentë të rinj dhe konsiderohet një model vazhdimësie (continuation car). Vetëm 150 njësi do të prodhohen dhe secila do të pajiset me numër shasie zyrtar të Fordit.
Dizajni ruan linjat karakteristike të Escort RS1600 origjinal, por me elemente moderne si dritat LED, përmirësime aerodinamike dhe komponentë të rinj të karrocerisë.
Blerësit do të kenë në dispozicion dy motorë. Versioni bazë përdor një motor 1.8-litërsh me rreth 185 kuaj/fuqi, ndërsa varianti më i fuqishëm është i pajisur me një motor 2.1-litërsh që zhvillon 296 kuaj fuqi dhe arrin deri në 10.000 rrotullime në minutë. Fuqia transmetohet në rrotat e pasme përmes një kambie manuale, duke ruajtur karakterin tradicional sportiv të modelit.
Inxhinierët kanë vendosur të mos përdorin sisteme moderne si servo drejtimi, ABS apo kontrollin e tërheqjes, me qëllim që makina të ofrojë një përvojë sa më autentike dhe të pastër të drejtimit.
Pavarësisht pamjes klasike, kabina përfshin pajisje moderne si klimatizim, sistem infotainment, materiale premium dhe kafaz sigurie të integruar.
Çmimi fillestar i Escort RS të ri është rreth 341 mijë euro, ndërsa prodhimi do të kufizohet në vetëm 150 ekzemplarë për koleksionistët dhe adhuruesit e modeleve klasike Ford. /Telegrafi/
Ushtria amerikane që në muajin shkurt ka dislokuar një pjesë të trupave të Divizionit 82 Ajror në Izrael, në kuadër të, siç thuhet, planifikimeve më të gjera për operacione të mundshme kundër Iranit, përfshirë edhe skenarin e marrjes së ishullit strategjik Kharg, i cili është një qendër kyçe e eksportit të naftës iraniane.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, bëhet fjalë për pjesëtarë të të ashtuquajturës “Forca e Reagimit të Menjëhershëm” të kësaj njësie elitare, e cila numëron rreth 3000 ushtarë dhe mund të dislokohet në çdo pjesë të botës brenda 18 orësh.
Vendosja e tyre në rajon lidhet me përgatitje për operacione të mundshme të përbashkëta të forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Planet, sipas burimeve, përfshijnë edhe mundësinë e përfshirjes së njësive të tjera, si marinsat amerikanë, me qëllim sigurimin e pikave dhe infrastrukturës strategjike në rast të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Megjithatë, zyrtarisht nga Pentagoni dhe Komanda Qendrore e SHBA-së nuk është konfirmuar ndonjë vendim për nisjen e ndonjë operacioni në territorin iranian, dhe e gjithë situata përshkruhet si pjesë e planifikimeve dhe përgatitjeve për skenarë krize.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje armëpushimi pa afat të caktuar. /Telegrafi/
Në Stamboll ka ndodhur një aksident trafiku që ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik.
Një burrë me veturë doli në trotuar dhe goditi një këmbësor nga pas. Megjithatë, vëmendjen më të madhe e ka tërhequr sjellja skandaloze e shoferit menjëherë pas aksidentit.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur një automjet gri del në trotuar, godet një shtyllë dhe më pas edhe këmbësorin që në atë moment po ecte në trotuar.
Pamjet e aksidentit po shpërndahen masivisht në rrjetet sociale.
Siç shihet në video, nga forca e goditjes, burri është hedhur dhe ka rënë në tokë. Mediat turke raportojnë se këmbësori në këtë aksident ka kaluar vetëm me gërvishtje të lehta.
Megjithatë, ajo që ndodhi pas përplasjes ka shokuar dëshmitarët, por edhe përdoruesit në rrjetet sociale. Ndërsa i plagosuri, i tronditur dhe me dhimbje, ishte ulur në tokë, shoferi doli nga vetura dhe e injoroi plotësisht. Në vend që t’i jepte ndihmën e parë, ai shkoi menjëherë te pjesa e përparme e veturës për të kontrolluar dëmet materiale, duke u ankuar për dëmtimet në makinë.
Në ndihmë të këmbësorit të lënduar u vërsulën kalimtarët dhe tregtarët lokalë që ndodheshin afër.
Pasi iu dha ndihma, qytetari i zemëruar shkoi në stacionin e policisë dhe paraqiti kallëzim kundër shoferit të papërgjegjshëm.
“Ai nuk më tha as ‘shërim të shpejtë’, mendonte vetëm për makinën e tij,” deklaroi këmbësori i lënduar.
Ndryshe, autoritetet turke kanë njoftuar se kanë nisur tashmë hetimet. /Telegrafi/
Në këtë galeri paraqiten 17 shembuj interesantë të dizajnit urban nga vende të ndryshme, që tregojnë se si zgjidhjet e thjeshta mund të përmirësojnë ndjeshëm jetën në qytete dhe hapësirat publike.
Ideja kryesore është që qytetet mund të jenë më funksionale, më kreative dhe më të përshtatshme për njerëzit, nëse planifikohen me kujdes dhe me mendim praktik.
Shembujt përfshijnë zgjidhje të ndryshme inovative në hapësira publike, si parkime të rregulluara për biçikleta, stacione për riparimin e tyre në qytet, si dhe ndriçim të veçantë të shtigjeve për biçikleta për siguri më të madhe gjatë natës.
Në disa vende, janë krijuar edhe zgjidhje për kalim më të lehtë të rrugëve për persona të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, si kartela që mundësojnë zgjatjen e kohës së semaforit për kalimtarët. Kjo e bën qytetin më të aksesueshëm dhe më gjithëpërfshirës.
Po ashtu, disa ide tregojnë kreativitet në përdorimin e elementeve të thjeshta urbane, si stola të adaptuara për persona me karrocë, apo struktura që mund të shërbejnë si ulëse të improvizuara në hapësirat publike.
Disa nga konceptet më të avancuara përfshijnë edhe shtigje që prodhojnë energji elektrike kur njerëzit ecin mbi to, si dhe stacione publike për shërbime të ndryshme në qytet, duke e bërë jetën urbane më praktike dhe më të qëndrueshme.
Këto ide tregojnë se me pak kreativitet dhe planifikim të mirë, qytetet mund të bëhen më të bukura, më funksionale dhe më miqësore për qytetarët. /Telegrafi/
Pas prezantimit të iOS 27, macOS 27 Golden Gate, iPadOS 27 dhe watchOS 27 në konferencën WWDC 2026, Apple publikoi zyrtarisht listën e pajisjeve që do t’i mbështesin sistemet e reja operative.
Lajmi i mirë është se asnjë model i mbështetur nga versionet aktuale nuk është hequr nga lista, megjithëse funksionet më të avancuara të inteligjencës artificiale do të jenë të rezervuara për pajisjet më të reja.
iPhone (iOS 27)
iOS 27 do të jetë i disponueshëm për të gjithë telefonat që mbështesin iOS 26, përfshirë:
iPhone SE (gjenerata e dytë dhe më të rinjtë)
Serinë iPhone 11 (iPhone 11, 11 Pro dhe 11 Pro Max)
Të gjitha modelet e serive iPhone 12, 13, 14, 15, 16 dhe 17.
iPad (iPadOS 27)
Përditësimi i ri do të jetë i disponueshëm për:
iPad mini (gjenerata e 6-të dhe më të rinjtë)
iPad standard (gjenerata e 9-të dhe më të rinjtë)
iPad Air (gjenerata e 4-të dhe më të rinjtë)
iPad Pro 11-inç (gjenerata e 2-të dhe më të rinjtë)
iPad Pro 12.9-inç (gjenerata e 4-të dhe më të rinjtë)
Të gjithë modelet iPad Pro me çip M4 ose më të ri.
Mac (macOS 27 Golden Gate)
Nga ky vit, macOS 27 Golden Gate mbështet vetëm kompjuterët Mac me çipa Apple Silicon (seria M). Pajisjet e përputhshme janë:
MacBook Air (2020 e më të rinj)
MacBook Pro (2020 e më të rinj)
Mac mini (2020 e më të rinj)
iMac (2021 e më të rinj)
Mac Studio (2022 e më të rinj)
Mac Pro me Apple Silicon
MacBook Neo i ri.
Apple Watch (watchOS 27)
Sistemi i ri watchOS 27 do të mbështetet nga:
Apple Watch SE 3
Apple Watch Series 9 dhe modelet më të reja
Apple Watch Ultra 2 dhe Ultra 3.
Apple ka paralajmëruar se funksionet e reja të Apple Intelligence dhe Siri AI do të kërkojnë pajisje më të fuqishme, ndaj jo të gjitha veçoritë do të jenë të disponueshme në çdo model të mbështetur. /Telegrafi/
Shefi i Shtabit të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir, thotë se përpjekjet e Iranit për “të diktuar ekuacione do të dështojnë” dhe se Izraeli ka planifikuar një “goditje më të madhe dhe më të ashpër” ndaj regjimit.
“Përpjekja iraniane për të diktuar ekuacione dhe për të ndryshuar realitetin do të dështojë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë dhe të thellojmë dëmin ndaj organizatës terroriste Hezbollah dhe të mbrojmë komunitetet në veri”, tha ai gjatë një vizite në një stërvitje ushtarake.
“IDF ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë gatishmëri të menjëhershme dhe përgatitje për rikthim në luftime në Iran”, pohoi shefi i ushtrisë izraelite, raporton timesofisrael.
Duke iu referuar shkëmbimit të fundit të zjarrit mes Izraelit dhe Iranit, ai shton se “të gjitha sistemet tona mbrojtëse dhe ofensive ishin në gatishmëri dhe të përgatitura. Ne i kemi interceptuar kërcënimet e lëshuara ndaj nesh dhe kemi goditur Iranin shpejt dhe fuqishëm”.
Gjenerali thotë se “goditja që kemi kryer në Iran ishte përgatitje për një goditje shumë më të madhe dhe më të ashpër. Jemi të përgatitur të kthehemi dhe të japim një tjetër goditje të fortë dhe të thellë ndaj Iranit”.
Ndryshe, raportohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kishte miratuar një sulm më të thellë ndaj Iranit, por e ka anuluar atë nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump. /Telegrafi/
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka tërhequr vëmendje me një video të pazakontë pas fitores bindëse të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare.
Në videon e publikuar në stil hip-hop, Pashinyan përdor një gjuhë sfiduese dhe provokuese, përfshirë vargjet “E thashë atë që e thashë! […] Nuk më intereson, e ndez qytetin me të kuqe”.
Reagimi i Moskës nuk ka munguar, por është e ftohtë.
Kremlini nuk ka nxituar ta përgëzojë kryeministrin armen për rezultatin, duke përmendur “momente të paqarta” dhe pretendime për shkelje gjatë procesit zgjedhor në Armeni.
Ndërkohë, Pashinyan ka deklaruar synimin e partisë për të forcuar afrimin me institucionet evropiane, përfshirë edhe Parlamentin Evropian.
Ndryshe, Partia e Pashinyanit fitoi 49.8 për qind të votave me të gjitha vendvotimet e numëruara nga votimi i së dielës, mjaftueshëm për të siguruar shumicën parlamentare sipas sistemit zgjedhor të Armenisë. /Telegrafi/
Volkswagen ka prezantuar versionin e përditësuar të modelit të njohur Caddy, i cili për vitin model 2027 vjen me disa ndryshime në dizajn, por risia më e rëndësishme gjendet në kabinë.
Nga jashtë, Caddy i ri dallon për parakolpin e ridizajnuar, ngjyra të reja të karrocerisë dhe rrota të reja aliazh me madhësi nga 16 deri në 18 inç. Ndryshimet vizuale janë relativisht të moderuara, duke ruajtur pamjen karakteristike të modelit.
Megjithatë, transformimi i vërtetë është bërë në brendësi. Volkswagen ka instaluar një ekran qendror të pavarur me diagonale 13 inç, ndërsa si pajisje standarde tani ofrohen instrumentet digjitale Digital Cockpit Pro, karikuesi pa tela me fuqi 25 W dhe tre porta USB-C me kapacitet karikimi deri në 60 W.
Për kontrollin e klimës është shtuar një panel i ri me komandim me prekje (touch slider), ndërsa kabina përfiton gjithashtu tapiceri dhe elemente dekorative të reja, duke e afruar më shumë me modelet më moderne të markës gjermane.
Sa i përket motorëve, oferta mbetet e pandryshuar dhe përfshin versione me benzinë, naftë dhe eHybrid (plug-in hybrid). Varianti hibrid plug-in ofron autonomi elektrike deri në 122 kilometra.
Volkswagen do ta ofrojë Caddy-n në versionet Cargo, Life, Style, Edition dhe California, si dhe në variante me bazë standarde ose të zgjatur (Maxi). Modeli vazhdon të prodhohet në fabrikën e Poznańit në Poloni.
Çmimet në Gjermani nisin nga 31.528 euro për versionin Cargo dhe nga 34.235 euro për versionin e pasagjerëve. /Telegrafi/
Ministri i mbrojtjes i Bullgarisë ka njoftuar se vendi i tij nuk do ta furnizojë më me armë Ukrainën.
Kjo thekson kundërshtimin e qeverisë së re bullgare ndaj mbështetjes së BE-së për Ukrainën – kryeministri i ri Rumen Radev, i cili fitoi me një fitore të thellë në muajin prill, ka kundërshtuar armatosjen e Ukrainës prej vitesh, duke bërë thirrje në vend të kësaj për “zgjidhje diplomatike”.
“Ne e kemi bërë tashmë të qartë se lufta në Ukrainë nuk do të zgjidhet në fushëbetejë”, tha për gazetarët sot ministri i Mbrojtjes, Dimitar Stojanov, raporton skynews.
“Ajo që po shohim është një luftë e konsumimit, dhe pavarësisht sa shumë armë grumbullohen, rezultati i vetëm është humbja e jetëve njerëzore”, deklaroi Stojanov gjersa shtoi se Ukraina ka nevojë për “më shumë njerëz, jo më shumë armë”.
“Ata kanë mjaft armë, prandaj ne nuk parashikojmë të furnizojmë më armë për ushtrinë ukrainase,” pohoi ai.
Bullgaria nuk është një furnizues i madh armësh për Ukrainën, por qeveria e mëparshme kishte miratuar disa paketa ndihme ushtarake gjatë rrjedhës së luftës. /Telegrafi/
Çmimet e naftës sot në tregjet ndërkombëtare kanë rënë drejt 90 dollarëve për fuçi, pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, investitorët janë inkurajuar nga sinjalet e Uashingtonit për rritje të furnizimeve me energji përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në tregun e Londrës, pasdite nafta tregtohej rreth katër dollarë më lirë se mbyllja e djeshme e tregut, me çmim 90,20 dollarë. Në tregun amerikan, çmimi ra me 4,54 dollarë, në 86,76 dollarë.
Gjendja në tregje sot është karakterizuar nga armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit.
Ushtria izraelite gjatë fundjavës ka sulmuar sërish periferinë jugore të kryeqytetit libanez Bejrut, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj objektivave në Izrael.
Teherani javën e kaluar kishte pezulluar shkëmbimin e propozimeve për armëpushim me Uashingtonin, duke paralajmëruar përmes një burimi anonim se armëpushimi është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë Libanin dhe Gazën, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.
Pezullimi i sulmeve izraelite në Liban ishte një nga kushtet iraniane për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me SHBA-në.
Izraeli iu përgjigj raketave iraniane me një valë sulmesh ndaj objektivave në Iran, përfshirë një objekt petrokimik, ndërsa Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se ka goditur një objekt petrokimik në Haifa. /Telegrafi/
Donald Trump ka deklaruar se Irani qëndron pas rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache mbrëmë mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Sipas presidentit amerikan, helikopteri po patrullonte në zonë kur u godit, ndërsa në bord ndodheshin dy pilotë që kanë mbetur “të sigurt dhe të padëmtuar”.
“Jam informuar nga ushtria jonë e madhe se mbrëmë iranianët rrëzuan një nga helikopterët tanë Apache shumë të sofistikuar gjatë patrullimit mbi Ngushticën e Hormuzit. Dy pilotët janë të sigurt dhe të palënduar. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet domosdoshmërisht të përgjigjen ndaj këtij sulmi”, ka thënë 79-vjeçar përmes rrjeteve sociale.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, pavarësisht se një armëpushim mes palëve ishte rivendosur së fundmi pas shkëmbimeve të zjarrit me Izraelin.
Sipas raportimeve, Irani kishte ndërmarrë sulme ndaj Izraelit në përgjigje të ofensivës izraelite në Liban, ku Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po luftojnë grupin Hezbollah, aleat i Teheranit.
SHBA dhe Irani kanë shkëmbyer gjithashtu sulme të kufizuara në javët e fundit, përfshirë rrëzimin e dronëve iranianë dhe goditje ndaj objekteve të lidhura me raketa, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj bazave amerikane në rajon.
Pavarësisht akuzave të ndërsjella për shkelje të armëpushimit, deri tani situata nuk ka çuar në prishjen e plotë të marrëveshjes. /Telegrafi/
Një dasmë është kthyer në një tragjedi të rëndë në distriktin Qilla Abdullah të Balochistanit, Pakistan, pasi të shtëna festive në ajër morën jetën e dy të rinjve, ka konfirmuar policia.
Ngjarja ndodhi natën vonë të së shtunës në zonën Gulistan, ku po zhvillohej një dasmë dhe të ftuarit po festonin me entuziazëm tradicional. Sipas zyrtarëve policorë, situata u bë fatale kur gjatë të shtënave në ajër u qëllua me armë, dhe plumba të humbur goditën dy të rinj që ndodheshin mes të ftuarve.
Të dy viktimat u dërguan me urgjencë në një qendër mjekësore pranë, por ndërruan jetë para se të merrnin trajtimin e plotë, kanë thënë autoritetet. Humbja e papritur e ktheu festën në zi, duke lënë familjet dhe të pranishmit në tronditje.
Policia deklaroi se hetimet fillestare tregojnë se të shtënat ishin pjesë e praktikës së qitjes festive në ajër, një zakon që ende haset në disa zona rurale dhe gjysmë-urbane, pavarësisht paralajmërimeve dhe kufizimeve ligjore. Autoritetet kanë nisur hetime dhe po përpiqen të identifikojnë personat përgjegjës për përdorimin e armëve.
Ekipet e rendit kanë filluar gjithashtu mbledhjen e provave në vendngjarje, ndërsa po merren deklarata nga të pranishmit për të kuptuar se si eskaloi ngjarja dhe kush i mbante armët në atë moment.
Zyrtarët e kanë dënuar incidentin, duke e quajtur një tragjedi të parandalueshme të shkaktuar nga sjellje e pakujdesshme. Ata theksuan se qitja në ajër është vepër e dënueshme me ligj dhe u bënë thirrje qytetarëve të shmangin praktika të tilla të rrezikshme gjatë festimeve.
Banorët lokalë shprehën dhimbje për humbjen e dy jetëve të reja, duke thënë se atmosfera festive u kthye në panik brenda pak çastesh. Ajo që nisi si natë gëzimi përfundoi në zi, me familjet që tani po përgatiten për varrime në vend të festimeve.
Autoritetet kanë premtuar masa të ashpra ndaj të përfshirëve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësinë. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te problemi i vazhdueshëm i të shtënave festive në dasma në disa pjesë të Balochistanit, ku zbatimi i ligjit mbetet i vështirë pavarësisht fushatave të përsëritura ndërgjegjësuese.
Ndërsa komuniteti mban zi, zyrtarët shpresojnë që kjo tragjedi të shërbejë si një kujtesë e fortë për pasojat vdekjeprurëse të qitjes së pakontrolluar festive. /Telegrafi/
Një Golden Retriver është bërë hit në internet pasi ka treguar një sjellje krejt të pazakontë – në vend që të luajë me qentë e tjerë, ai ka “marrë përsipër” rolin e rojtarit të pulave dhe nuk largohet nga ato.
Pronarët kanë vërejtur se qeni i tyre kalon shumicën e kohës pranë pulave dhe zogjve të vegjël, të cilët i ndjek me kujdes dhe i “ruan”, sikur të ishin tufë e tij.
Sjellja e tij ka habitur shumë njerëz, pasi retriverët njihen si qen shumë socialë që zakonisht duan të luajnë me qen të tjerë.
Një video e publikuar në rrjetet sociale e tregon qenin duke qëndruar i qetë pranë pulave, pa interes për lojëra apo aktivitete të tjera tipike për racën e tij.
Ekspertët theksojnë se retriverët, megjithëse janë shumë të shoqërueshëm, shpesh krijojnë një lidhje të fortë me atë që e perceptojnë si “detyrën e tyre” ose “grupin e tyre”, ndaj mund të shfaqin instinkt mbrojtës edhe ndaj kafshëve si shpendët.
Kjo situatë e pazakontë ka shkaktuar shumë reagime në internet, ku përdoruesit komentojnë me humor se “qeni e ka gjetur profesionin e tij” dhe duket shumë i përkushtuar në rolin e ri. /Telegrafi/
Konferenca vjetore e zhvilluesve WWDC 2026 shënoi jo vetëm prezantimin e risive të reja në inteligjencën artificiale të Apple, por edhe fundin e një epoke për kompaninë.
Kjo njëkohësisht ishte paraqitja e fundit e Tim Cook si drejtor ekzekutiv i Apple, pas 15 vitesh në krye të kompanisë.
Apple prezantoi versionin e ri të asistentit Siri të bazuar në inteligjencë artificiale, i cili do të jetë më i integruar në ekosistemin e kompanisë, do të kuptojë më mirë kontekstin, do të analizojë imazhe dhe do të përdorë ndërveprimet e mëparshme të përdoruesve për të ofruar përgjigje më natyrale. Kompania theksoi se privatësia mbetet një nga shtyllat kryesore të këtij sistemi.
Gjatë konferencës, drejtuesi i inxhinierisë së softuerit, Craig Federighi, deklaroi se inteligjenca artificiale duhet t’u shërbejë njerëzve dhe jo të ekzistojë vetëm për hir të teknologjisë.
Pjesa më emocionale e ngjarjes ishte largimi i Cook. Ai u prit me ovacione nga të pranishmit dhe në fjalimin e tij të fundit tha se drejtimi i Apple ka qenë “nderi i jetës së tij”.
Sipas raportit, në vjeshtë Cook do të zëvendësohet nga John Ternus, i cili deri më tani ka mbajtur poste të larta drejtuese në kompani.
Analistët vlerësojnë se ardhja e tij mund të shënojë një fazë të re për Apple, me fokus më të madh te inteligjenca artificiale dhe integrimi më i thellë i harduerit me softuerin.
Nëse Apple arrin të realizojë premtimet e bëra në WWDC 2026, Siri AI mund të shndërrohet në një nga momentet më të rëndësishme në evolucionin e ekosistemit iPhone dhe të hapë një kapitull të ri për kompaninë. /Telegrafi/
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sulme ajrore ndaj Iranit, por ka theksuar se një opsion i tillë do të kishte pasoja të rënda humanitare dhe strategjike.
“Ne mund të bombardojmë shumë lehtë nëse duam, dhe nëse vazhdojmë për dy apo tre javë, ata nuk do të kenë absolutisht asgjë të mbetur”, tha ai.
Megjithatë, lideri amerikan paralajmëroi se një konflikt i tillë do të kishte kosto të lartë në jetë njerëzish dhe do të ndikonte në stabilitetin rajonal, përfshirë edhe çështjen e ngushticave strategjike detare.
Ndërsa Bullgaria po tërhiqet një hap prapa, Finlanda, Norvegjia, Letonia dhe Gjermania vazhdojnë ta mbështesin Kievin.
Zelensky tha se ka diskutuar me liderët e Finlandës dhe Norvegjisë për dërgesa shtesë të raketave për mbrojtje ajrore dhe për zhvillimin e një sistemi evropian të mbrojtjes raketore.
Ukraina dhe Letonia gjithashtu kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e dronëve.
Për më tepër, Gjermania do të ndajë edhe 300 milionë euro shtesë për blerjen e municioneve.
Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, kjo do të mundësojë dërgimin e edhe 50 mijë predhave artilerie me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/
Autoritetet në Kili kanë njoftuar sekuestrimin më të madh të drogës në historinë e vendit, pasi zbuluan mbi 100 tonë lëndë narkotike të fshehura brenda ngarkesave me dru të destinuara për eksport drejt Evropës.
Sipas Doganës së Kilit, rreth 1,080 tonë dru u gjetën të kontaminuar me kokainë dhe ketaminë në disa porte kryesore, përfshirë Arikën, San Antonion dhe Valparaison. Operacioni u zhvillua pas një hetimi gjashtëmujor që çoi në identifikimin e 45 kontejnerëve të dyshuar.
Autoritetet e kanë cilësuar aksionin si një “goditje historike” ndaj rrjeteve të krimit të organizuar, duke theksuar nivelin e lartë të sofistikimit të trafikantëve që përdorin metoda të reja për të fshehur drogën në mallra legale, shkruan cbsnews.
Ngarkesa, sipas autoriteteve kiliane, ishte e destinuar për tregun evropian dhe vlerësohet se mund të arrinte një vlerë deri në 8.3 miliardë dollarë nëse do të kalonte pa u zbuluar.
Ministri i Sigurisë në Kili deklaroi se rasti tregon “shkallën dhe kompleksitetin” e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës, të cilat po përdorin gjithnjë e më shpesh metoda të kamuflimit industrial për të shmangur kontrollet doganore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e rrjetit përgjegjës për transportin e drogës dhe lidhjet e tij ndërkombëtare. /Telegrafi/