Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 July 2026Telegrafi

Vetëm 7 qytetarë në dëgjimin për buxhetin e arsimit, Sveçla kritikon ekzekutivin komunal

21 July 2026 at 15:20


Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në dëgjimin publik për buxhetin e Komunës së Prishtinës në fushën e arsimit.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se në këtë dëgjim kanë marrë pjesë vetëm shtatë qytetarë, ndërsa ka pretenduar se dy prej tyre kanë qenë asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

"7 QYTETARË. VETËM 7. Ky është 'interesimi' për dëgjimin publik për buxhetin e Prishtinës në fushën e arsimit. Nga 7 qytetarët e pranishëm, 2 janë asamblistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!", ka shkruar Sveçla.

Ai ka kritikuar mungesën e përfaqësuesve të ekzekutivit komunal në këtë takim, duke thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetarët nuk kanë marrë pjesë.

"As Kryetari. As dy nënkryetarët. Vetëm 2 drejtorë, nga mbi 20 sa ka Komuna e Prishtinës", ka deklaruar ai.

Sveçla ka akuzuar drejtuesit e Komunës së Prishtinës se kanë humbur besimin e qytetarëve, duke e lidhur këtë me pjesëmarrjen e ulët në dëgjimet publike.

"Përparim Rama dhe Uran Ismaili, P’LDK-ja dhe PDK-ja, i kanë lënë qytetarët në lloç. Qytetarët e dinë këtë. Nuk presin më asgjë prej tyre. Prandaj nuk kanë më kërkesa. Prandaj nuk vijnë më as në dëgjime publike", ka shkruar ai.

Sipas asamblistit të LVV-së, mungesa e pjesëmarrjes e ka kthyer procesin e konsultimeve publike në një formalitet.

"Kur humbet besimi i qytetarëve, dëgjimet publike mbeten vetëm një formalitet. Sot, kjo u dëshmua qartë", ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/


Rreth 100 familje përfitojnë çdo muaj nga Dyqani i Bamirësisë në Prishtinë

21 July 2026 at 15:14


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen çdo muaj me produkte esenciale përmes Dyqanit të Bamirësisë të Kryeqytetit.

Sipas Ramës, ky shërbim synon të lehtësojë barrën e përditshme për familjet në nevojë, ndërsa së fundmi është përfunduar edhe inventarizimi i plotë i këtij dyqani me qëllim të përmirësimit të organizimit dhe funksionimit të tij.

"Në Dyqanin e Bamirësisë të Kryeqytetit, çdo muaj, rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen me produkte esenciale, duke u lehtësuar barrën e përditshme", ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se inventarizimi i realizuar do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit të këtij shërbimi.

"Së fundmi, kemi përfunduar edhe inventarizimin e plotë të dyqanit, për ta bërë funksionimin e tij edhe më të organizuar, më transparent dhe më efikas", ka deklaruar kryetari i Prishtinës.

Rama ka falënderuar organizatën bamirëse Bereqeti për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

"Ky projekt u realizua në bashkëpunim me organizatën bamirëse Bereqeti, të cilën e falënderoj për partneritetin dhe përkushtimin e vazhdueshëm", ka shkruar ai. /Telegrafi/


Zhuri furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, Totaj: U zgjidh një problem jetësor për banorët

21 July 2026 at 15:01


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se fshati Zhur nga sot do të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Sipas Totajt, projekti i realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka përfshirë ndërtimin dhe instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, me qëllim të zgjidhjes së problemit të furnizimit me ujë për banorët e këtij fshati.

"Pas shumë viteve, Zhuri nga sot do të furnizohet me ujë të pijshëm 24/7", ka shkruar Totaj në një postim në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të këtij projekti janë vendosur rreth 42 mijë e 500 metra gypa të polietilenit dhe janë instaluar afro 1 mijë e 400 ujëmatës jashtë pronave private.

"Ky projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka përfshirë ndërtimin dhe instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, vendosjen e rreth 42.500 metrave gypa të polietilenit dhe instalimin e afro 1.400 ujëmatësve jashtë pronave private, që më në fund e ka zgjidhur këtë problem jetësor për banorët e fshatit Zhur", ka deklaruar kryetari i Prizrenit.

Totaj ka uruar banorët e Zhurit për përfundimin e këtij projekti, duke shkruar: "Ta gëzoni, zhurianë!". /Telegrafi/


Pronari kundërshton rrënimin e shtëpisë në rrugën A në Prishtinë: Nuk largohem pa u kompensuar

21 July 2026 at 14:21


Faruk Manxhuni, pronari i shtëpisë që parashihet të rrënohet për shkak të punimeve në rrugën A në Prishtinë, ka kundërshtuar të martën ekzekutimin e vendimit të Inspektoratit.

Në shenjë kundërshtimi, ai ka qëndruar brenda objektit, duke refuzuar të largohet pavarësisht pranisë së inspektorëve, të cilët kishin dalë në terren për të realizuar rrënimin.

Manxhuni ka deklaruar se nuk do të largohet nga shtëpia derisa të kompensohet për dëmin që, sipas tij, i është shkaktuar.

Pas rezistencës së pronarit, zyrtarët e Inspektoratit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë tërhequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa procesi i rrënimit nuk është realizuar. /Telegrafi/

telegrafi.com


Çfarë po ndodh me deponinë e mbeturinave në Sferkë? KRM Ambienti del me reagim

21 July 2026 at 14:02


Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave (KRM) Ambienti ka njoftuar se, pas angazhimit të pandërprerë të ekipeve në terren, vatrat e zjarrit janë vënë pothuajse tërësisht nën kontroll.

Përmes një postimi në Facebook, kompania bëri të ditur se, megjithëse zjarri është shuar në masë të madhe, tymi dhe smogu vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonë.

"Pamje nga gjendja aktuale e vatrave të zjarrit pas intervenimit të pandërprerë të ekipeve të ndërmarrjes. Falë angazhimit të vazhdueshëm, zjarri tashmë është shuar pothuajse tërësisht. Megjithatë, tymi dhe smogu vazhdojnë të jenë të pranishëm, duke shkaktuar shqetësim të madh për banorët e zonës, disa prej të cilëve kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestës", thuhet në njoftim.

KRM Ambienti falënderoi të gjithë akterët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e treguar gjatë intervenimit, duke theksuar se puna në terren do të vazhdojë deri në normalizimin e plotë të situatës.

"Falënderojmë të gjithë akterët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e treguar. Ekipet tona do të vazhdojnë punën pa ndërprerje deri në eliminimin e plotë të tymit dhe normalizimin e situatës", thuhet në njoftimin e KRM Ambienti. /Telegrafi/


Breshëri shkatërron plantacionin në Dubravë të Istogut, dëmtohen arrat - rrushi dhe perimet

21 July 2026 at 13:57


Plantacioni në Dubravë të Istogut ka pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e motit të ligë, ku breshëri ka goditur rëndë kulturat bujqësore.

Pamjet e publikuara tregojnë se arrat janë dëmtuar në masë të madhe, me fruta të shpuara dhe të copëtuara nga goditjet e breshërit.

Po ashtu, dëme të dukshme kanë pësuar edhe specat, të cilët kanë vrima dhe plagë të shumta në sipërfaqe, si dhe vreshtat, ku kokrrat e rrushit janë çarë dhe dëmtuar rëndë.

Sipas fotografive, intensiteti i breshërit ka shkaktuar humbje të mëdha në prodhim, duke goditur disa prej kulturave kryesore të plantacionit.

Dëmet e shkaktuara pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rendimentin e sivjetmë, ndërsa fermerët mbeten në pritje të vlerësimit të plotë të pasojave të motit të keq. /Telegrafi/

Kryetari Vishi shpreh ngushëllime për familjen Raka pas vdekjes tragjike të Rea Rakës

21 July 2026 at 12:40


Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Raka, pas ndarjes së parakohshme nga jeta të bashkëqytetares Rea Raka, e cila humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik.

Në telegramin e ngushëllimit, Vishi ka shprehur solidarizimin me familjen, miqtë dhe qytetarët e Komunës së Kaçanikut, duke theksuar dhimbjen për humbjen e saj.

“Bashkëndjejmë me dhimbjen tuaj dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe. Kujtimi për të qoftë i përjetshëm, ndërsa shpirti i saj u prehtë në paqe në botën e amshueshme”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Vishi.

Kryetari i Kaçanikut ka shprehur ngushëllime edhe për të gjithë të afërmit dhe miqtë e familjes Raka, duke ndarë dhimbjen me ta në këto momente të vështira. /Telegrafi/


Ministri i Bujqësisë viziton Kovragën pas dëmeve nga breshëri

21 July 2026 at 11:47


Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar këtë të martë fshatin Kovragë të Istogut, i cili u godit nga stuhia e fuqishme me breshër që shkaktoi dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore dhe pemishtet e zonës.

Gjatë vizitës, ministri u takua me fermerët e prekur dhe pa nga afër pasojat e motit të lig, duke dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me humbjet e pësuara.

Ai u informua për shkallën e dëmtimeve në arat dhe prodhimet bujqësore, të cilat në shumë raste janë dëmtuar rëndë.

Muja theksoi se institucionet përgjegjëse do të angazhohen për vlerësimin e dëmeve në terren, në mënyrë që fermerët e prekur të trajtohen sipas procedurave dhe mekanizmave në fuqi.

Fermerët kërkuan mbështetje institucionale për tejkalimin e pasojave të stuhisë, duke theksuar se dëmet e shkaktuara nga breshëri kanë rrezikuar seriozisht prodhimin e këtij sezoni.

Vizita në Kovragë vjen pas reshjeve intensive me breshër që goditën disa pjesë të Komunës së Istogut, duke lënë pas dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë. /Telegrafi/

Komuna e Istogut nis pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga breshëri

21 July 2026 at 11:29


Komuna e Istogut ka njoftuar qytetarët e prekur nga dëmet e shkaktuara prej breshërit se ka nisur procesi i pranimit të kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore.

Sipas njoftimit të Komunës, kërkesat do të mund të dorëzohen nga 21 deri më 28 korrik 2026, ndërsa pas përfundimit të këtij afati aplikimet për vlerësimin e dëmeve nuk do të pranohen.

“Kryetari i Komunës, në bashkëpunim me Komisionin Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore, njofton të gjithë qytetarët e prekur se pranimi i kërkesave për vlerësimin e dëmeve do të bëhet në periudhën 21.07.2026 - 28.07.2026”, thuhet në njoftimin e Komunës së Istogut.

Kërkesat mund të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në Zyrën për Shërbime me Qytetarë, në katin përdhes të objektit të Komunës së Istogut.

Aplikimet duhet t’i drejtohen Drejtorisë për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Komisionit Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore.

Komuna ka bërë të ditur se qytetarët duhet t’i bashkëngjisin kërkesës disa dokumente, përfshirë kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e fermerit (NIF), konfirmimin e llogarisë bankare, dëshmi për dëmin e shkaktuar nga breshëri përmes fotografive, si dhe certifikatën e biznesit për personat juridikë.

Breshëri i fuqishëm që goditi së fundmi territorin e Komunës së Istogut shkaktoi dëme të konsiderueshme në kultura të ndryshme bujqësore, ndërsa institucionet lokale kanë paralajmëruar evidentimin dhe vlerësimin e pasojave në terren. /Telegrafi/


Ibër-Lepenci po rikthen pronat në Ujman, Mujka: Kjo është vala e dytë e aksionit

21 July 2026 at 10:47


Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” ka nisur aksionin për lirimin e pronave të uzurpuara në zonën përreth liqenit të Ujmanit, ku po rrënohen 11 objekte të ndërtuara në pronën e kësaj ndërmarrjeje.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, ka deklaruar për Telegrafin se aksioni është vazhdim i një procesi të nisur rreth një muaj më parë, ndërsa kjo përbën fazën e dytë të lirimit të pronave.

“Kjo është në vazhdën e aksionit që ka filluar para një muaji, ku janë rrënuar disa objekte në pronën e Ibër-Lepencit. Këtu është vala e dytë e 11 shtëpive, me lajmërimin e dorëzuar më 3 korrik për lirimin e pronës”, deklaroi Mujka për Telegrafin.

Sipas tij, personat që i shfrytëzonin këto objekte nuk kanë ndërmarrë veprime për lirimin e pronave, pavarësisht njoftimeve të bëra nga ndërmarrja.

“Personat nuk janë lajmëruar, nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion për të liruar këto vila, andaj sot ka filluar rrënimi i tyre”, tha ai.

Mujka bëri të ditur se aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe deri tani nuk janë evidentuar probleme gjatë zhvillimit të tij.

“Aksioni ka filluar herët në mëngjes, nuk kemi pasur probleme. Ka filluar largimi i gjësendeve nga vilat dhe magazinimi i tyre, për të filluar më pas me rrëzimin e tyre”, shtoi kryeshefi i “Ibër-Lepencit”.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Telegrafin se policia është duke asistuar në këtë aksion.

“Rreth orës 07:00 kemi filluar asistencën për Ibër-Lepencin dhe Ministrinë e Mjedisit në lirimin e pronave tek vendi i njohur si ‘Plazha e Shqiptarëve’”, ka thënë Elshani.

Ai ka shtuar se deri tani nuk janë hasur pengesa dhe se aksioni po zhvillohet pa probleme.

“Nuk kemi hasur në pengesa, andaj si Ibër-Lepenci ashtu edhe Ministria janë duke e zhvilluar aksionin pa probleme”, ka deklaruar Elshani.

Aksioni në zonën përreth liqenit të Ujmanit është ndërmarrë me kërkesë të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për lirimin e disa parcelave që, sipas saj, janë uzurpuar dhe ndodhen në pronësi të kësaj ndërmarrjeje. /Telegrafi/


Vidhen gjashtë karrige nga oborri i Shtëpisë Muze “Ymer Elshani”

21 July 2026 at 10:12


Nga oborri i Shtëpisë Muze “Ymer Elshani” që ndodhet në Korroticë e Ulët të Drenasit, janë vjedhur gjashtë karrige plastike, një rast që ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe mbrojtjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.

Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, përfaqësues të muzeut kanë bërë të ditur se, ndonëse dëmi material konsiderohet i vogël, ngjarja paraqet një problem më të gjerë sa i përket ruajtjes së hapësirave muzeale.

“Me shqetësim të madh njoftoj se mbrëmë, nga oborri i Shtëpisë Muze ‘Ymer Elshani’, janë vjedhur gjashtë karrige plastike”, thuhet në reagim.

Sipas muzeut, ky rast është një tregues se objekti nuk ka siguri të mjaftueshme dhe se trashëgimia kulturore mbetet e cenueshme.

“Edhe pse në vlerë materiale mund të duken të parëndësishme, ky akt është një sinjal serioz se Shtëpia Muze nuk është e sigurt dhe se trashëgimia jonë kulturore mbetet e pambrojtur”, thuhet në reagim.

Nga muzeu kanë theksuar se Shtëpia Muze “Ymer Elshani” ka rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, pasi nuk paraqet vetëm një objekt fizik, por një hapësirë të kujtesës kolektive.

“Shtëpia Muze ‘Ymer Elshani’ nuk është pronë private e zakonshme. Ajo është një vend i kujtesës, i historisë dhe i kulturës sonë, i ngritur për të ruajtur veprën e shkrimtarit Ymer Elshani dhe për të dëshmuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet më tej.

Përfaqësuesit e muzeut u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për rritjen e sigurisë në këtë objekt.

“U bëj thirrje Ministrisë së Kulturës, Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Komunës së Drenasit dhe organeve të sigurisë që të marrin masa urgjente për mbrojtjen e Shtëpisë Muze, duke siguruar mbikëqyrje dhe mekanizma të përhershëm të ruajtjes”, thuhet në reagim.

Në fund, muzeu ka theksuar se ndërhyrja duhet të bëhet para se të ndodhin dëme më të mëdha ndaj kësaj pasurie kulturore.

“Nuk duhet të presim që të ndodhë një dëm edhe më i madh për të vepruar. Mbrojtja e kujtesës sonë është përgjegjësi e përbashkët dhe obligim institucional”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


​Ibër Lepenci me aksion “rrënimi” në Ujman, i liron pronat e veta që ishin uzurpuar që 20 vjet

21 July 2026 at 09:43


Me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar një aksion për lirimin e disa pronave të uzurpuara në një parcelë të kësaj ndërmarrje, në këtë zonë të Kosovës.

Aksioni, siç merr vesh KosovaPress nga burimet e veta, ka nisur në orën 7 e 30 të mëngjesit.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar se policia është duke asistuar në këtë aksion.

Ky veprim vjen pas një paralajmërimi dhe kërkese paraprake që Ibër Lepenci u ka bërë 11 “pronarëve” që kanë ndërtuar objekte të ndryshme e shtëpi pushimi në hisen e ndërmarrjes, te Ujmani.

Ibër Lepenci me aksion “rrënimi” në Ujman, i liron pronat e veta që ishin uzurpuar që 20 vjet telegrafi.com

"Bazuar në regjistrat zyrtarë dhe dokumentet e pronësisë, Ndërmarrja Publike e Ujërave 'Ibër-Lepenc' Sh.A. është pronare ligjore e parcelës kadastrale nr. P-72908033-02631-2, me sipërfaqe 32.998 m², e regjistruar në Zonën Kadastrale të Veli Bregut, Komuna e Zubin Potokut", thuhet në kërkesë, e cila mban datën 3 korrik.

Në këtë kërkesë, siç kishte raportuar Mitropol më herët, personave në fjalë u ishte dhënë një afat prej 15 ditëve për të liruar menjëherë pronën e uzurpuar, për të hequr të gjitha sendet dhe ndërtimet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme".

Në të kundërtën, siç thuhej në kërkesë, pas skadimit të afatit, "Ibër-Lepenci" do të detyrohet të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe për të liruar pronën, pa ndonjë paralajmërim të mëtejshëm; në këtë rast, të gjitha kostot dhe pasojat ligjore do të bien mbi pronarët”. /kp/

Situata me deponinë në Sferkë, Kelmendi i bën thirrje Muhaxherit: Gazi, kthehu në Pejë

21 July 2026 at 09:04


Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë dhe deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në kohën kur banorët po protestojnë për situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë.

Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi ka kritikuar Muhaxherin, duke thënë se ai nuk po qëndron pranë qytetarëve në një situatë që, sipas tij, ka prekur banorët e zonës.

“Derisa banorët po protestojnë për zjarrin në Deponinë e Sferkës, Gazmend Muhaxheri e ka hallin tjetërkund. Në vend që të jetë në Pejë, pranë qytetarëve që po përballen me pasojat e tymit dhe kësaj situate, ai po merret me skena prapa shpine dhe me pazare politike me partnerët e koalicionit të tij në Pejë (PDK-në), për ta goditur kryetarin e LDK-së”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka ngritur kritika edhe për mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në qytet, duke përmendur përgjegjësinë e pushtetit lokal gjatë viteve të fundit.

“Për 13 vjet ka qenë në krye të qytetit tonë. Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Ambienti” menaxhohet nga LDK-ja dhe PDK-ja. Berllog gjithandej. Tash edhe zjarr e tym. E Gazi, si zakonisht, struket, viktimizohet dhe gjen fajtorë të tjerë”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, Kelmendi i ka bërë thirrje Muhaxherit që të rikthehet në Pejë dhe të angazhohet për situatën e krijuar.

“Kthehu në Pejë. Na telefono dhe na u drejto për çkado që vlerëson se duhet të bëjmë për t'i ndihmuar banorët e Sferkës dhe rrethinës. Lëre mllefin!”, ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/


Breshëri shkakton dëme të mëdha në plantacionin me mollë në fshatin Kovragë të Istogut

21 July 2026 at 08:59


Breshëri i fuqishëm që goditi Komunën e Istogut ka lënë pas dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë, ndërsa ndër zonat më të prekura është edhe fshati Kovragë, ku janë dëmtuar rëndë pemishtet me mollë.

Pamjet nga terreni tregojnë pasojat e stuhisë, me frutat dhe degët e dëmtuara si pasojë e breshrit, duke rrezikuar prodhimin e këtij sezoni dhe duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët, raporton Telegrafi.

Dëmet në kulturën e mollës vijnë në një periudhë vendimtare për zhvillimin e prodhimit, ndërsa fermerët shprehen të shqetësuar për pasojat ekonomike që pritet të kenë.

Autoritetet komunale kanë paralajmëruar formimin e komisioneve për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren, ndërsa fermerët kërkojnë mbështetje institucionale për tejkalimin e pasojave të shkaktuara nga moti i lig. /Telegrafi/

Before yesterdayTelegrafi

Komuna e Drenasit kërkon kujdes të shtuar për parandalimin e zjarreve gjatë temperaturave të larta

20 July 2026 at 16:00


Komuna e Drenasit ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë ditëve me temperatura të larta dhe thatësi të madhe, pas regjistrimit të disa vatrave të zjarrit në territorin e kësaj komune.

Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar vazhdimisht në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve.

“Ekipet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë intervenuar pa ndërprerje dhe vazhdojnë të jenë në terren për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, djegien e hamulloreve, barit të thatë, mbeturinave apo mbetjeve bujqësore.

Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë, përgjatë rrugëve apo në sipërfaqe me bimësi të thatë, si dhe të mos lënë pa mbikëqyrje burime të zjarrit.

“Çdo pakujdesi, sado e vogël, mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën, tokat bujqësore, pyjet dhe mjedisin. Parandalimi është përgjegjësi e secilit prej nesh”, ka theksuar Komuna.

Në rast të vërejtjes së zjarreve apo rrezikut për përhapjen e tyre, qytetarët janë ftuar që të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente dhe autoritetet përkatëse, pasi reagimi i shpejtë mund të parandalojë dëme më të mëdha.

Komuna e Drenasit ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, institucionet përkatëse dhe qytetarët që po kontribuojnë në përballimin e situatës me zjarret. /Telegrafi/



Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec apelon fermerët të marrin masa mbrojtëse para stuhive të paralajmëruara

20 July 2026 at 15:48


Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit u ka bërë thirrje fermerëve që të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e kulturave bujqësore dhe infrastrukturës, pas paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm në ditët në vijim.

Përmes një njoftimi në Facebook, drejtoria ka bërë të ditur se, sipas parashikimeve meteorologjike, veçanërisht gjatë orëve të pasdites priten stuhi të forta, erëra të fuqishme, reshje intensive dhe mundësi për breshër.

“Të nderuar fermerë, sipas parashikimeve meteorologjike, ditët në vazhdim, veçanërisht në orët e pasdites, pritet të karakterizohen me stuhi të forta, erëra të fuqishme, reshje intensive dhe mundësi për breshër”, thuhet në njoftim.

Drejtoria ka rekomanduar që fermerët të sigurojnë serat duke përforcuar konstruksionin, lidhëset dhe mbulesën plastike, si dhe të mbyllin të gjitha hapjet para fillimit të stuhisë.

Po ashtu, është kërkuar pastrimi i kanaleve kulluese për të shmangur përmbytjet, largimi ose fiksimi i materialeve që mund të merren nga era, si dhe shtyrja e spërkatjeve, plehërimeve dhe punimeve të tjera bujqësore deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.

Sipas Drejtorisë së Bujqësisë, për kulturat në fushë të hapur mundësitë për mbrojtje janë më të kufizuara.

“Për kulturat në fushë të hapur mundësitë për mbrojtje janë të kufizuara, prandaj monitoroni situatën dhe aty ku është e mundur, siguroni sistemet e ujitjes, mbështetëset dhe elementet që mund të dëmtohen nga era”, thuhet në apel.

Në fund, drejtoria thekson se ndërmarrja e masave parandaluese mund të zvogëlojë pasojat e motit të keq.

“Kujdesi dhe masat parandaluese të marra me kohë mund të ndihmojnë që dëmet të jenë më të vogla. Ju urojmë sa më pak pasoja nga kjo valë e motit të keq”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


Bulliqi: Nënshkruhet marrëveshja për Parkun Industrial në Livadicë

20 July 2026 at 15:29


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për realizimin e projektit “Parku Industrial në Livadicë të Podujevës”, investim me vlerë prej 3,118,295.56 euro.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi bëri të ditur se marrëveshja është nënshkruar së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila.

“Sot, bashkë me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, nënshkruam marrëveshjen për realizimin e projektit ‘Parku Industrial në Livadicë të Podujevës’, me vlerë prej 3,118,295.56 euro”, ka shkruar Bulliqi.

Sipas tij, projekti tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit dhe punimet në terren pritet të nisin së shpejti.

“Projekti ka hyrë në fazën e zbatimit dhe shumë shpejt do të nisin punimet për realizimin e tij në terren. Projekti i Parkut Industrial do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mundësive për investime”, ka deklaruar ai.

Bulliqi ka falënderuar ministren në detyrë Mimoza Kusari Lila për mbështetjen në realizimin e projektit.

“Falënderoj ministren për gatishmërinë për nisjen e këtij projekti kaq të madh për Podujevën”, ka theksuar kryetari i Podujevës.

Në fund, ai ka uruar qytetarët për fillimin e këtij investimi.

“Urime të gjithë qytetarëve të komunës sonë!”, ka përfunduar Bulliqi. /Telegrafi/


MIT: Komuna e Ferizajt të ndërmarrë masa urgjente për normalizimin e trafikut

20 July 2026 at 14:28


Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka deklaruar se projekti i rrugës nga ura në qytetin e Ferizajt deri te hyrja e autostradës është realizuar nga Komuna e Ferizajt, ndërsa ministria ka financuar projektin.

Sipas njoftimit, Komuna e Ferizajt ka hartuar projektin, ka zhvilluar procedurat e prokurimit dhe ka mbikëqyrur realizimin e punimeve, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka siguruar mjetet financiare për zbatimin e tij.

Ministria thekson se në projektin e hartuar nga komuna nuk kanë qenë të parapara ndërtimi i rrethrrotullimit në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës.

Sipas ministrisë, ministri ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Komunës së Ferizajt, ku ka kërkuar sqarime lidhur me projektin, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme deri në realizimin e riprojektimit nga ministria.

“Në projektin e hartuar nga Komuna nuk kanë qenë të parapara rrethrrotullimi në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Komuna ka propozuar vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, i cili, sipas saj, ishte testuar paraprakisht edhe përmes simulimit.

“Megjithatë, gjendja në terren po tregon se kjo zgjidhje nuk po funksionon siç ishte paraparë dhe po shkakton kolona të gjata”, thuhet më tej.

Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Ferizajt që, si institucion mbikëqyrës i projektit, të analizojë me urgjencë situatën dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për normalizimin e qarkullimit.

“Duke qenë se Komuna e ka në mbikëqyrje këtë projekt, i bëjmë thirrje që ta analizojë urgjentisht situatën dhe t’i ndërmarrë masat e nevojshme për lirimin dhe normalizimin e trafikut”, thuhet në reagim.

Në fund, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti rrugor.

“Ministria do ta marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti dhe, përmes tij, do t’i adresojë të gjitha problemet dhe mangësitë e evidentuara”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


Drejtori i Arsimit në Prishtinë: Nis programi falas i mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike

20 July 2026 at 14:00


Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar nisjen e programit falas të mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të kryeqytetit, të moshës 9 deri në 11 vjeç.

Përmes një postimi në Facebook, Elshani bëri të ditur se programi është nisur në bashkëpunim me Drejtorinë e Sportit dhe Sport Marketing.

“Çdo nxënës i Prishtinës meriton ta ketë mundësinë ta mësojë notin”, ka shkruar Elshani.

Ai ka bërë të ditur se mësimet do të zhvillohen nga 27 korriku deri më 21 gusht në Pishinën e Gërmisë.

“Sot, bashkë me Drejtorin e Sportit, Granit Geci dhe Sport Marketing, e nisëm programin e mësimit të notit për nxënësit e shkollave publike të Prishtinës, për grupmoshat 9-11 vjeç. Nga 27 korriku deri më 21 gusht, nxënësit e Prishtinës do të kenë mundësinë të ndjekin mësimet e notit falas në Pishinën e Gërmisë”, ka deklaruar ai.

Sipas Elshanit, përveçse aktivitet sportiv, noti është edhe një aftësi e rëndësishme jetësore për fëmijët.

“Noti nuk është vetëm sport. Është një aftësi jetësore që çdo fëmijë duhet ta ketë”, ka theksuar drejtori i Arsimit. /Telegrafi/


PrizrenFest hap siparin e edicionit të pestë me spektaklin ndërkombëtar "Borderless Body"

20 July 2026 at 12:03


Qyteti historik i Prizrenit është gati të mirëpresë edicionin e pestë të PrizrenFest – Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur, i cili nga 21 deri më 27 korrik do ta shndërrojë qytetin në një skenë të madhe artistike, ku teatri, vallëzimi, muzika, performanca dhe hapësirat publike bashkohen në një përvojë të veçantë kulturore.

Drejtori i Përgjithshëm i PrizrenFest, Shkelzen Veseli thotë se edicioni i pestë shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e festivalit si një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore dhe kulturore në rajon. Sipas tij, rritja e vazhdueshme e festivalit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me artistë, partnerë institucionalë, sponsorë dhe komunitetin, duke e shndërruar PrizrenFest në një platformë ndërkombëtare që promovon dialogun kulturor, krijimtarinë artistike dhe imazhin e Prizrenit në arenën Evropiane.

Drejtori Artistik i PrizrenFest, Adrian Morina, thekson se edicioni i pestë është ndërtuar mbi idenë se teatri nuk është vetëm argëtim, por edhe një hapësirë reflektimi, kujtese dhe dialogu.

"PrizrenFest ka lindur me bindjen se teatri mund ta transformojë mënyrën se si e përjetojmë qytetin dhe mënyrën se si komunikojmë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye edhe këtë vit kemi përzgjedhur shfaqje që jo vetëm mahnitin estetikisht, por edhe sfidojnë ndërgjegjen tonë kolektive.

Për shtatë ditë me radhë, PrizrenFest do të mirëpresë mbi 250 artistë, regjisorë, performerë dhe teknikë artistikë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të prezantojnë mbi 20 shfaqje, performanca, punëtori dhe aktivitete artistike, duke e bërë këtë edicion më të madhin dhe më ambiciozin që nga themelimi i festivalit.

Edicioni i pestë do të hapet me spektaklin ndërkombëtar "Borderless Body", një performancë magjike e teatrit fizik dhe vallëzimit bashkëkohor, e interpretuar nga 16 performues, të cilët do të ngjiten në një skenë të ndërtuar enkas mbi Lumbardh, duke krijuar një dialog unik mes trupit, ujit, dritës dhe arkitekturës së qytetit. Me një estetikë spektakolare dhe një gjuhë universale artistike, "Borderless Body" eksploron idenë e kufijve fizikë, emocionalë dhe shoqërorë, duke dëshmuar se arti është hapësira ku kufijtë humbin kuptimin. Nuk është rastësi që kjo performancë u zgjodh edhe për të hapur ceremoninë zyrtare të Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2025, në qytetet Gorizia (Itali) dhe Nova Gorica (Slloveni). Tashmë, kjo vepër vjen në Prizren për të inauguruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e festivalit.

Programi i këtij viti sjell produksione që trajtojnë çështje sociale, historike dhe njerëzore, duke dëshmuar fuqinë e teatrit për të reflektuar mbi realitetin dhe për të krijuar dialog.

Nder shfaqjet e vecanta Morina tregon se: shfaqja “Scream in the dark”, nga Brazili, Është një shfaqje që nuk të lë të dalësh nga salla i njëjti njeri që ke hyrë. Ajo rrëfen historitë e grave të torturuara dhe të dhunuara gjatë diktaturës ushtarake në Brazil, por për ne në Kosovë kjo vepër merr një kuptim edhe më të thellë. Është e pamundur të mos kujtojmë dhimbjen e grave shqiptare që u burgosën, u torturuan dhe u dhunuan gjatë regjimit të ish-Jugosllavisë. Këto plagë ende presin drejtësi, ndërsa arti ka detyrimin moral të mos lejojë që kujtesa të zbehet. Pikërisht për këtë arsye kemi zgjedhur që kjo shfaqje të luhet në Burgun e Qytetit, sepse hapësira dhe rrëfimi bëhen një, duke krijuar një përvojë që shkon përtej teatrit."

Një tjetër produksion me mesazh të fuqishëm është "Mission Roosevelt", një shfaqje e dedikuar personave që lëvizin me karrocë. Përmes një qasjeje artistike plot humor, ndjeshmëri dhe emocione, ajo ngre një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve lokale dhe qendrore për të krijuar qytete më të qasshme, infrastrukturë pa barriera dhe politika që garantojnë lirinë e lëvizjes dhe pjesëmarrjen e barabartë në jetën publike për personat me aftësi të kufizuara.

Një moment shume i rendesishem për festivalin dhe publikun kosovar do të jetë edhe ardhja për herë të parë në Kosovë e Teatrit Kombëtar të Stambollit, me komedinë klasike "Lysistrata" të Aristofanit. Me një kastë të përbërë ekskluzivisht nga aktore gra, kjo vepër ikonike rikthehet në skenë me një interpretim bashkëkohor që trajton luftën, paqen dhe fuqinë e grave përmes humorit dhe satirës.

Nga Italia vjen "Darkness Picnic", një produksion i Teatrit të Sardenjës, i cili do të zhvillohet në Parkun e Qytetit. Në këtë performancë publiku nuk do të jetë vetëm spektator. Të ulur në një piknik të vërtetë, pjesëmarrësit do të bëhen gradualisht pjesë e rrëfimit skenik, duke u shndërruar në aktorë të përvojës artistike.

Nga Madridi vjen produksioni "Última Planta", me regji të José Warletta, i cili do të interpretohet në ambientet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke krijuar një dialog mes teatrit bashkëkohor dhe një prej monumenteve më të rëndësishme të historisë shqiptare.

PrizrenFest vazhdon t'i kushtojë rëndësi të veçantë edhe publikut më të ri. Programi përfshin punëtori krijuese, aktivitete edukative dhe një seri shfaqjesh për fëmijë, të cilat do të hapen me baletin klasik "Liqeni i Mjellmave", duke krijuar një urë të bukur mes artit klasik dhe brezave të rinj.

Një nga veçoritë që e dallon PrizrenFest është mënyra se si qyteti shndërrohet në skenë.

"Nga një skenë e ndërtuar mbi lumin Lumbardh, te Burgu i Qytetit, Kisha Katolike 'Zoja Ndihmëtare', Autostrada Hangar, Parku i Qytetit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kej I Sinan Pashes ne kemi dashur që çdo hapësirë të flasë bashkë me artistët. PrizrenFest nuk është vetëm një festival shfaqjesh; është një mënyrë për ta jetuar qytetin ndryshe dhe për ta kthyer çdo cep të tij në një vend takimi mes artit dhe publikut”, thote drejtori artistik Adrian Morina.


Për vetëm shtatë ditë, PrizrenFest do të sjellë në qytet një intensitet të jashtëzakonshëm artistik, me mbi 20 ngjarje dhe qindra artistë që do ta bëjnë Prizrenin një pikëtakim të rëndësishëm të teatrit bashkëkohor në Evropën Juglindore.

Programi i plotë i festivalit, oraret e shfaqjeve dhe informacionet për të gjitha aktivitetet mund të gjenden në faqen zyrtare të festivalit www.prizrenfest.com dhe në platformat zyrtare të PrizrenFest në rrjetet sociale.

Edicioni i pestë i PrizrenFest realizohet me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sponsorit gjeneral Banka Ekonomike, si dhe një numri të madh partnerësh e biznesesh vendore që vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e artit dhe kulturës.

Një falënderim i veçantë u shkon Ambasadës së Italisë, Ambasadës së Francës, Ambasadës së Sllovenisë, Presidencës së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, partnerëve institucionalë, donatorëve dhe të gjithë mbështetësve që kanë bërë të mundur realizimin e këtij edicioni.

Mirë se vini në PrizrenFest 2026 – shtatë ditë ku qyteti bëhet skenë, arti nuk njeh kufij dhe Prizreni bëhet sërish kryeqyteti i teatrit në rajon.

❌
❌