Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 June 2026Telegrafi

Dhjetë fitoret e deritanishme të Revolucionit të Flamingove

11 June 2026 at 10:29


Për Revolucionin e Flamingove, ende jemi herët për të gjykuar nëse lëvizja do të arrijë objektivat e saj maksimaliste apo se si do të zhvillohet përplasja në javët dhe muajt e ardhshëm. Megjithatë, pavarësisht rezultatit përfundimtar, ajo ka prodhuar tashmë së paku dhjetë pasoja politike, shoqërore dhe simbolike, që vështirë se mund të zhbëhen. Brenda kaq pak ditësh, Revolucioni i Flamingove ka arritur një sërë suksesesh që shumë lëvizje qytetare nuk arrijnë t'i realizojnë as pas vitesh mobilizimi. Pikërisht këto dhjetë arritje ndihmojnë të kuptohet pse një protestë e nisur në periferi të Vlorës është shndërruar në fenomenin më domethënës qytetar dhe politik që ka njohur Shqipëria prej dekadash.

1. Përhapja e shpejtë nga periferia në qendër

Lëvizja arriti të kapërcejë me sukses një hendek të madh gjeografik. Është jashtëzakonisht e vështirë të kalosh nga një protestë rurale e bregdetare, shumë e lokalizuar (nga Zvërneci dhe Narta), në një mobilizim masiv urban. Nga fillimi i qershorit, organizatorët zhvendosën me sukses epiqendrën në Sheshin Skënderbej të Tiranës, duke e kthyer një pakënaqësi rajonale në një prioritet kombëtar. Shumica e protestave lokale mbeten të tilla, sepse nuk arrijnë ta bindin publikun kombëtar se problemi i tyre është një problem i përbashkët.

Ndryshe nga Kakomeja, Tragjasi, Rrjolli, Zall-Gjoçaj, hidrocentralet në Valbonë apo konfliktet e shumta territoriale të dy dekadave të fundit, të cilat mbetën kryesisht beteja të komuniteteve të prekura drejtpërdrejt, Revolucioni i Flamingove duket se ka arritur atë që literatura e lëvizjeve shoqërore, në termat e McAdamit dhe Tarrowit, e konsideron një rast klasik të "ndryshimit të shkallës së konfliktit", ku një çështje lokale fiton rëndësi kombëtare dhe fillon të perceptohet si simptomë e problemeve më të gjera të sistemit politik. Historikisht, shumica e lëvizjeve nuk arrijnë ta kalojnë këtë faze, por Revolucioni i Flamingove e kaloi me sukses.

2. Ndërtimi i një koalicioni të pazakontë shoqëror duke ruajtur karakterin jopartiak

Një nga arritjet më të rralla të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të ndërtuar një koalicion jashtëzakonisht të gjerë shoqëror pa u shndërruar në instrument të ndonjë partie politike. Dy studiuesit e sipërpërmendur argumentojnë se aftësia për të zgjeruar koalicionin, përtej grupit fillestar të të prekurve, është një nga kushtet themelore për kalimin nga një protestë e zakonshme në një lëvizje me ndikim kombëtar. Shumica e mobilizimeve dështojnë pikërisht sepse mbeten të kufizuara brenda një grupi të vetëm interesi, një komuniteti lokal, një profesioni apo një identiteti politik. Sa më e ngushtë të jetë baza sociale, aq më i lehtë bëhet izolimi, stigmatizimi ose neutralizimi i saj.

Revolucioni i Flamingove arriti të prodhojë të kundërtën. Ai bashkoi ambientalistë dhe patriotë, studentë dhe pensionistë, artistë dhe sipërmarrës, akademikë dhe banorë lokalë, emigrantë dhe rezidentë, votues të majtë dhe të djathtë, si dhe shumë qytetarë që nuk identifikohen më me asnjë forcë politike. Kjo e transformoi lëvizjen nga një kauzë sektoriale në një hapësirë të gjerë identifikimi qytetar.

Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e karakterit të saj jopartiak. Në Shqipëri, pothuajse çdo protestë e madhe përfundon duke u përthithur nga logjika e konfliktit mes partive. Sapo një mobilizim identifikohet me njërin krah politik, ai humbet aftësinë për të tërhequr mbështetës nga kampi tjetër dhe reduktohet në një kapitull të radhës të polarizimit ekzistues. Revolucioni i Flamingove shmangu me vetëdije këtë kurth. Mungesa e flamujve partiakë, refuzimi i protagonizmit të figurave tradicionale politike dhe insistimi për të ruajtur një identitet qytetar autonom, i lejoi lëvizjes të ndërtojë një bazë mbështetëse shumë më të gjerë sesa do të ishte e mundur nëse do të identifikohej me një kamp të caktuar.

Nga perspektiva teorike, kjo përbën një formë të ruajtjes së autonomisë së lëvizjes, një element që studiuesit e lëvizjeve shoqërore e konsiderojnë thelbësor për mbijetesën dhe zgjerimin e mobilizimit. Në vend që të shndërrohej në zgjatim të opozitës, lëvizja ruajti aftësinë për të kritikuar njëkohësisht qeverinë, opozitën dhe vetë logjikën e sistemit politik. Kjo e bëri shumë më të vështirë delegjitimimin e saj përmes etiketave partiake dhe shumë më të lehtë identifikimin e qytetarëve të zakonshëm me kauzën.

Duke ndërtuar një koalicion kaq të gjerë shoqëror, lëvizja rriti ndjeshëm koston e indiferencës, e detyroi qeverinë të kalojë nga shpërfillja në mbrojtje të vazhdueshme të projektit dhe krijoi rreziqe serioze reputacionale për të gjithë protagonistët e përfshirë, brenda dhe jashtë vendit, duke prodhuar një klimë politike e publike që i ngjan gjithnjë e më shumë asaj që çoi edhe në tërheqjen e Kushnerit në dhjetorin e kaluar nga një investim i ngjashëm kontrovers në Beograd.

3. Thyerja e monopolit të opozitës së kontrolluar

Një nga arritjet më të rëndësishme të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për t'i rezistuar kooptimit nga opozita tradicionale dhe për të sfiduar një nga mekanizmat më të qëndrueshëm të politikës shqiptare pas viteve 1990. Për më shumë se tri dekada, sistemi politik shqiptar është organizuar rreth një duopoli të qëndrueshëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Përtej retorikës së ashpër publike, këto dy parti kanë funksionuar si kastë, si dy krahë të të njëjtit rend politik, duke alternuar pushtetin, por duke ruajtur monopolin mbi përfaqësimin e pakënaqësisë shoqërore dhe duke aplikuar të njëjtin model abuziv qeverisje; duke bashkëpunuar me të njëjtit oligarkë e duke manifestuar të njëjtat tendenca autoritare.

Roli historik i opozitës nuk ka qenë të rrëzojë status quo-në, por shpesh të kanalizojë, kontrollojë dhe neutralizojë energjinë e pakënaqësisë brenda kufijve që nuk rrezikojnë vetë arkitekturën e sistemit. Pra, opozita tradicionale është parë si menaxhuese e zemërimit qytetar pa e lënë të kthehet në kërcënim real për sistemin, dhe për këtë rol shpërblehet me pazare, favore, poste, leje, imunitet, tenderë dhe pjesën e vet në plaçkën e pushtetit. Pikërisht për këtë arsye, shfaqja e një lëvizjeje autonome qytetare u perceptua si kërcënim jo vetëm nga pushteti, por edhe nga ata që prej vitesh kanë pretenduar monopolin e kundërshtimit ndaj tij.

Kjo logjikë i afrohet asaj që Peter Mair e përshkruante si fenomeni i "kartelizimit të partive", ku rivaliteti elektoral bashkëjeton me interesa të përbashkëta të elitave politike për ruajtjen e kontrollit mbi sistemin. Në këto kushte, zemërimi qytetar nuk sfidon domosdoshmërisht rendin ekzistues, por kanalizohet përmes aktorëve që kanë interes në riprodhimin e tij. Pikërisht për këtë arsye, fakti që Revolucioni i Flamingove refuzoi të identifikohej me opozitën tradicionale, përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë. Protestuesit nuk kufizuan kritikat vetëm ndaj qeverisë së Edi Ramës, por protestuan edhe përpara selisë së Partisë Demokratike dhe artikuluan kritika të drejtpërdrejta ndaj lidershipit opozitar. Në terma teorikë, kjo përfaqëson një refuzim të rolit tradicional të opozitës si ndërmjetëse ekskluzive e pakënaqësisë shoqërore.

Ndoshta jo rastësisht, reagimet e para më agresive ndaj lëvizjes nuk erdhën vetëm nga pushteti, por edhe nga segmente të opozitës tradicionale. Përpjekjet për ta delegjitimuar lëvizjen, anti-mitingu i parë kundër nismës së hormoneve dhe etiketimet e protestuesve si soroistë apo ushtarë të Erion Veliajt, nuk janë gjë tjetër përveçse si shenja të shqetësimit përballë një lëvizje që po sfidon jo vetëm qeverinë, por edhe monopolin tradicional të partive mbi përfaqësimin e pakënaqësisë publike. Për herë të parë, publiku pa atë që mund të përshkruhet si fenomeni i një opozite që i bën opozitë vetë opozitarizmit apo reagimi i një alternative që s'do alternativa. Në këtë kuptim, Revolucioni i Flamingove nuk përbën vetëm një sfidë ndaj një qeverie të caktuar, por ndaj vetë modelit të ndërmjetësimit politik dhe mbarë elitës politike që ka dominuar Shqipërinë gjatë tranzicionit.

4. Thyerja e monopolit mediatik

Një nga sukseset më të rëndësishme të Revolucionit të Flamingove ka qenë depërtimi në një hapësirë publike që prej vitesh kontrollohet jo vetëm përmes pushtetit politik, por edhe përmes ndërmjetësimit mediatik. Nëse opozita tradicionale ka shërbyer për administrimin e zemërimit qytetar, media dhe një pjesë e opinionbërësve kanë luajtur rolin e administratorëve të opinionit publik. Përmes përqendrimit të pronësisë mediatike, varësisë ekonomike nga shteti, kooptimit të elitave intelektuale dhe rrjeteve të patronazhit, është krijuar ajo që Herman dhe Chomsky e quajnë "prodhim i konsensusit": një sistem ku nuk kontrollohen vetëm institucionet, por edhe mënyra se si qytetarët i kuptojnë ato.

Në fazat e para, një pjesë e mirë e mediave tradicionale zgjodhën strategjinë klasike të injorimit me bindje se "nëse nuk mbulohet, nuk ekziston". Por, lëvizja u rrit me një ritëm të tillë sa u bë gradualisht tepër e madhe për t'u injoruar. Në momentin kur protestat filluan të dominojnë rrjetet sociale, të mobilizojnë mijëra qytetarë dhe të tërheqin vëmendje ndërkombëtare, edhe mediat tradicionale u detyruan ta pasqyronin atë realitet që nuk kishin arritur dot ta parandalonin.

Nuk është rastësi që Shqipëria prej vitesh renditet problematikisht në raportet e Reporters Without Borders për lirinë e medias. Pikërisht në mjedise ku informacioni filtrohet nga pak qendra pushteti, rrjetet sociale, gazetaria qytetare dhe mediat alternative marrin rëndësi disproporcionale si mekanizma kundër-hegjemonikë. Revolucioni i Flamingove arriti ta çajë këtë mur nga të dyja anët njëkohësisht; nga poshtë, përmes rrjeteve sociale mediave alternative dhe komunikimit të decentralizuar qytetar; dhe, nga lart, përmes depërtimit në mediat ndërkombëtare. Për herë të parë pas shumë kohësh, një lëvizje qytetare shqiptare arriti të anashkalojë njëkohësisht filtrat e sistemit politik, mediatik dhe opozitar, duke e imponuar veten drejtpërdrejt në debatin kombëtar dhe ndërkombëtar.

5. Thyerja e murit të heshtjes dhe apatisë duke mobilizuar Gjeneratën Z

Një nga arritjet më domethënëse të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të riangazhuar segmente të shoqërisë që prej kohësh shfaqnin shenja të forta të tërheqjes nga pjesëmarrja politike. Në veprën e tij klasike Exit, Voice and Loyalty (Largim, reagim apo besnikëri), Albert O. Hirschman argumenton se individët që përballen me pakënaqësi ndaj institucioneve kanë tri alternativa themelore: largimin (exit), shprehjen e pakënaqësisë (voice) ose besnikërinë pasive (loyalty). Për vite me radhë, perceptimi dominues në Shqipëri ka qenë se një pjesë e madhe e të rinjve kishte zgjedhur variantin e parë; përballë zhgënjimit me elitën politike, mungesës së besimit te institucionet dhe ndjenjës së kufizuar të ndikimit qytetar, përgjigjja më e zakonshme dukej të ishte emigrimi ose thjesht apatia. Në këtë kuptim, emigracioni masiv i dekadës së fundit mund të lexohet jo vetëm si fenomen ekonomik, por edhe si forma më radikale e exit-it politik. Një pjesë tjetër e mirë e rinisë u orientuan drejt besnikërisë, nënshtrimit, konformimi apo edhe implikimit me sistemin. Ngarendja për të kandiduar te nisma socialiste "Deputeti që duam", për të zëvendësuar vakancat e krijuara nga goditjet e SPAK-ut e dëshmojnë më së miri që një pjesë e rinisë nuk zgjodhi sfidimin e sistemit, por përshtatjen dhe integrimin brenda tij.

Nëse për një kohë të gjatë pyetja kryesore për Gjeneratën Z në Shqipëri ishte ku dhe kur do të emigronte, në pjesën më të madhe të botës i njëjti brez po organizonte protestat më të mëdha të dekadës. Nga protestat kundër korrupsionit në Serbi, Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Çeki, te lëvizja “Grua, Jetë, Liri” në Iran, protestat prodemokratike në Hong-Kong, Tajlandë dhe Korenë e Jugut, mobilizimet studentore në Indonezi, protestat sociale në Kili, Kolumbi dhe Meksikë, lëvizjet klimatike në Gjermani, Suedi, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe demonstratat për drejtësi sociale në Shtetet e Bashkuara, Gjenerata Z është shndërruar në protagonistin kryesor të mobilizimeve qytetare në mbarë botën.

Pikërisht për këtë arsye, Revolucioni i Flamingove paraqet një zhvillim interesant. Ai ka arritur të transformojë, të paktën pjesërisht, një kulturë të tërheqjes dhe indiferencës në pjesëmarrje aktive qytetare. Mobilizimi i Gjeneratës Z, studentëve, profesionistëve të rinj dhe segmenteve të shoqërisë civile urbane sugjeron një zhvendosje nga logjika e exit drejt logjikës së voice, pra nga largimi fizik ose dorëzimi psikologjik nga jeta publike drejt artikulimit të drejtpërdrejtë të pakënaqësisë në hapësirën publike. Në terma sociologjikë, kjo nuk përfaqëson thjesht zgjerim numerik të protestës, por rikthimin në sferën publike të një grupi demografik me kapital të konsiderueshëm kulturor, profesional dhe komunikues, i cili deri vonë perceptohej si i depolitizuar, cinik ose i orientuar kryesisht drejt emigrimit. Pikërisht ky transformim nga exitvoice përbën një nga treguesit më domethënës të potencialit afatgjatë të lëvizjes.

6. Ndërkombëtarizimi i kauzës dhe fitimi i legjitimitetit ndërkombëtar

Një nga sukseset më të mëdha të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për ta transformuar një konflikt lokal në një çështje me rezonancë ndërkombëtare. Sipas teorisë së Margaret Keckut dhe Kathryn Sikkinkut mbi rrjetet transnacionale të advokimit, kur institucionet vendase nuk reagojnë, lëvizjet kërkojnë aleatë jashtë vendit dhe e rikthejnë presionin nga jashtë përmes të ashtuquajturit "efekt bumerang". Pikërisht kjo ndodhi. Brenda pak ditësh, një konflikt që qeveria përpiqej ta paraqiste si debat lokal u kthye në objekt reagimesh nga organizata ndërkombëtare mjedisore, rrjete akademike, eurodeputetë, Partia e Gjelbër Evropiane dhe institucione evropiane. Vetë nevoja e qeverisë për t'iu përgjigjur pyetjeve të Reuters-it dhe për ta siguruar Komisionin Evropian se po respekton standardet mjedisore, tregon se beteja kishte dalë prej kohësh jashtë kufijve të politikës shqiptare.

Por, ndoshta rezultati më i papritur ishte një tjetër. Kundërshtarët e protestës pretendonin se ajo po dëmtonte imazhin turistik të Shqipërisë dhe po largonte investitorët. Po ndodh krejt kundërta. Protesta prodhoi ndoshta operacionin më të suksesshëm të ribrendimit kombëtar që Shqipëria ka pasur prej dekadash. Për vite me radhë, vendi është shfaqur në media dhe kinematografi ndërkombëtare përmes stereotipave të mafias, trafikut, korrupsionit dhe shtetit të dështuar. Revolucioni i Flamingove projektoi një imazh krejt tjetër të një populli të vogël që i bën ballë interesave të mëdha, të një shoqërie që ndonëse është boll e varfër sot, po refuzon të shesë trashëgiminë dhe të ardhmen e saj për hir të miliardave të premtuara, të një komunitet qytetar që kërkon dinjitet përpara se të kërkojë para.

Madje, forca e lëvizjes nuk qëndroi vetëm te kauza, por edhe te forma. Kreativiteti, simbolika e flamingos, mungesa e flamujve partiakë, pjesëmarrja e familjeve me fëmijë, artistëve, akademikëve, ambientalistëve, patriotëve dhe diasporës krijuan një lëvizje që jo vetëm tërhoqi vëmendjen e botës, por fitoi simpatinë e saj. Në vend të imazhit të zakonshëm të një Ballkani të zhurmshëm e konfliktual, të protestave me dhunë, gaz lotsjellës e molotov, publiku ndërkombëtar pa një qytetari moderne, kreative dhe gjithëpërfshirëse. Paradoksi është se ajo që u akuzua se po dëmtonte Shqipërinë, rezultoi të ishte ndoshta reklama më e mirë që vendi ka pasur prej vitesh. Për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria nuk po identifikohej me oligarkë, trafikantë apo skandale korrupsioni, por me qytetarë që vendosën se jo gjithçka mund të shitet.

7. Krijimi i një ikone proteste tejet ngjitëse dhe jopartiake

Një nga arritjet më të rëndësishme të lëvizjes ka qenë krijimi i flamingos rozë si simbol qendror mobilizues gjë që përbën një leksion të goditur të brendimit të protestës moderne. Nga perspektiva e teorisë së kornizimit simbolik (framing theory), David Snow dhe Robert Benford argumentojnë se lëvizjet më të suksesshme janë ato që arrijnë të ndërtojnë simbole me kapacitet të lartë rezonance kulturore, të afta të komunikojnë mesazhe komplekse në mënyrë të menjëhershme dhe të kuptueshme për publikun e gjerë.

Flamingoja e përmbush këtë funksion në disa nivele njëkohësisht. Së pari, ajo krijon një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të prekshme me ekosistemin e Vjosë-Nartës, duke personifikuar në një figurë të vetme abstraksionin e biodiversitetit dhe mbrojtjes së natyrës. Së dyti, forma e saj vizualisht e dallueshme, përdorimi i maketeve gjigante dhe instalacioneve performative prodhon atë që studiuesit e komunikimit digjital e quajnë "përparësi algoritmike" për t’u bërë virale, pra aftësinë për të gjeneruar imazhe me potencial të lartë shpërndarjeje në rrjetet sociale dhe mediat vizive. Së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja në kontekstin shqiptar, flamingoja funksionon si një simbol politikisht neutral, i çliruar nga bagazhi identitar i partive tradicionale. Kjo i ka mundësuar lëvizjes të shmangë polarizimin klasik partiak dhe të krijojë një hapësirë mobilizimi ku mund të bashkëjetojnë individë të kategorive të ndryshme sociale dhe me orientime të ndryshme ideologjike, por me një shqetësim të përbashkët qytetar.

Studimet mbi lëvizjet shoqërore janë të mbushura me shembuj ku një simbol i vetëm ka arritur të përmbledhë aspirata dhe pakënaqësi shumë më të gjera sesa kuptimi i tij fillestar. Karafili në Revolucionin kundër regjimit Estado Novo, portokallia në përmbysjen e Jushçenkos në Ukrainë, çadrat për të mbrojtur autonominë e Hong-Kongut apo së fundmi Jelek-Verdhët në Francë. Në këtë kuptim edhe flamingoja është shndërruar në një simbol ombrellë brenda të cilit mund të artikulohen shqetësime shumë më të gjera se vetë çështja mjedisore: transparenca, sovraniteti mbi territorin, mbrojtja e pasurive të përbashkëta, pjesëmarrja qytetare dhe kufijtë e pushtetit ekzekutiv.

8. Refuzimi i kooptimit, forcimi i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe ruajtja e momentumit qytetar

Një nga vendimet më të zgjuara dhe më pak të vlerësuara nëpër media të Revolucionit të Flamingove ishte refuzimi për ta zhvendosur konfliktin nga hapësira publike në korridoret e pushtetit dhe kalendat greke të burokracisë. Kur kryeministri propozoi një takim me një grup të kufizuar përfaqësuesish të protestës, lëvizja e refuzoi. Mbase në pamje të parë kjo mund të dukej si refuzim i dialogut, por në realitet ishte refuzim i një mekanizmi shumë më të sofistikuar dashakeq që synon absorbimin institucional të kundërshtimit.

Historia e protestave tregon se pushtetet rrallëherë i neutralizojnë lëvizjet vetëm përmes represionit. Shumë më shpesh i neutralizojnë përmes procesit. Fillimisht ofrohet një takim. Pastaj krijohet një grup pune. Mandej një tryezë konsultimi. Më pas një komision ekspertësh. Në fund premtohen analiza shtesë, verifikime teknike dhe studime të reja. Konflikti largohet nga rruga e rrugës dhe transferohet e hallakatet në rrugë pa krye në labirintet e burokracisë. Nga një çështje urgjente shndërrohet në një procedurë administrative. Nga një problem politik bëhet një proces teknik. Nga një lëvizje qytetare kthehet në një dosje.

Kjo është arsyeja pse shumë protesta nuk vdesin nga represioni policor, por vdesin nga administrimi. Sistemi nuk i shtyp, por i përthith; nuk i ndalon, por i tret. Nuk i përjashton, por i integron në një proces që gradualisht ua shuan energjinë. Në literaturën sociologjike ky fenomen njihet si kooptim apo absorbim institucional. Në praktikë do të thotë që pushteti nuk zgjidh problemin por krijon iluzionin se po merret me të derisa publiku të humbasë interesin dhe protestuesit të humbasin momentin.

Shqipëria e ka parë disa herë këtë skenar. Protesta studentore e vitit 2018 ishte ndoshta shembulli më i qartë. Ajo filloi si një nga mobilizimet më autentike dhe më të fuqishme të tranzicionit, por gradualisht energjia e saj u shpërnda mes negociatave, fragmentimit, pritjes dhe proceseve pa fund. Jo sepse kërkesat u zgjidhën plotësisht, por sepse momentumi politik u shfry. Sistemi fitoi kohë. Dhe, shpeshherë, në politikë, koha është fitorja më e madhe e pushtetit.

Pikërisht këtë kurth duket se e kuptuan organizatorët e Revolucionit të Flamingove kur refuzuan të pranonin se problemi ishte mungesa e komunikimit. Problemi nuk ishte se qeveria nuk po dëgjonte hallet e qytetarëve apo problemet e shqetësimet. Problemi është që qeveria ka qenë e vetëdijshme për çfarë ka bërë sepse ka menduar se nuk do paguante asnjë kosto, sikurse kishte ndodhur me herët e tjera. Prandaj, nëse konflikti ka të bëjë me mungesën e transparencës, një bisedë me dyer të mbyllura nuk është transparencë. Nëse kauza ka të bëjë me pjesëmarrjen qytetare, përzgjedhja e një grupi të vogël negociatorësh nuk mund të zëvendësojë vullnetin e mijëra qytetarëve që ndodhen në shesh.

Në këtë kuptim, lëvizja artikuloi një formë të demokracisë së drejtpërdrejtë. Ajo refuzoi logjikën sipas së cilës qytetarët duhet të delegojnë menjëherë zërin e tyre te një grup ndërmjetësuesish dhe insistoi që çështja të mbetej në hapësirën publike, përballë opinionit publik dhe jo pas dyerve të mbyllura të institucioneve. Më e rëndësishmja, lëvizja refuzoi të shkëmbente substancën me simbolikën. Shumë protesta bien në kurthin e fotografisë së përbashkët, të deklaratës optimiste pas takimit apo të premtimit se çështja do të shqyrtohet. Këto momente krijojnë përshtypjen e suksesit pikërisht në momentin kur energjia e protestës fillon të tretet. Revolucioni i Flamingove zgjodhi të mos pranonte këtë shkëmbim; refuzoi të zëvendësonte një kërkesë konkrete me një ritual politik. Edhe pse kaloi, besoj se ky ishte ndoshta një nga momentet vendimtare të lëvizjes. Për herë të parë pas shumë kohësh, një protestë qytetare në Shqipëri nuk pranoi të transformohej në një proces të pafund administrativ, nuk pranoi të futej në kalendat greke të institucioneve dhe nuk pranoi të zëvendësonte presionin publik me premtimin e dialogut. Përballë një sistemi që kërkonte ta kthente revoltën në procedurë, lëvizja i dha jetë demokracisë së drejtpërdrejtë duke këmbëngulur se zëri i qytetarëve nuk ishte mall i negociueshëm mes pak individësh dhe pushtetit.

Dhe, pikërisht duke refuzuar të përthithej nga sistemi, arriti të ruajë atë që shumica e lëvizjeve humbasin më shpejt; besueshmërinë, transparencën, kohezionin dhe momentin politik. Pikërisht sepse kooptimi dështoi, Rama po kalon te kapitulli pasues i manualit të autokratëve; tek anti-mitingu apo kundër-mobilizimi. Në vend që të zvogëlojë protestën përmes dialogut, pushteti përpiqet ta balancojë atë përmes prodhimit të një mobilizimi paralel, duke e zhvendosur debatin nga legjitimiteti i kërkesave te raporti numerik i forcave në rrugë.

9. Riaktivizimi politik i diasporës dhe rikthimi i lidhjes me atdheun

Një nga aspektet më interesante të Revolucionit të Flamingove ka qenë aftësia për të mobilizuar segmente të diasporës shqiptare që prej kohësh dukeshin politikisht të shkëputura nga zhvillimet në vend. Në teorinë e nacionalizmit transnacional, diaspora shpesh përshkruhet si një komunitet që ruan lidhje emocionale me vendin e origjinës, por që me kalimin e kohës largohet gradualisht nga pjesëmarrja aktive në jetën e tij politike. Mirëpo, duke përdorur qasjen e Benedict Andersonit, Revolucioni i Flamingove i rikujtoi diasporës se, pavarësisht pasaportave, gjuhëve apo jetëve të reja të ndërtuara jashtë vendit, ajo mbetet pjesë e të njëjtit "komunitet të imagjinuar" që quhet Shqipëri.

Megjithëse shqiptarët jashtë vendit përbëjnë mbi gjysmën e kombit në terma demografikë, niveli i përfshirjes së tyre politike ka mbetur relativisht i ulët. Njerëz që, megjithëse përbëjnë më shumë se gjysmën listë së votimit, kanë marrë pjesë shumë pak në proceset zgjedhore dhe që edhe kur votuan me postë, e bënë kryesisht pas nxitjeve dhe mobilizimit të partive politike në Shqipëri. Po flasim për njerëz që kishin ndërtuar jetën me prona e pasaporta të reja në Londër, Milano, Firence, Bruksel, Berlin, Munih, Vjenë, Cyrih, Nju-Jork, Toronto etj. Kjo është arsyeja pse reagimi i diasporës është kaq domethënës. Në një farë kuptimi, ishte rikthimi në hapësirën publike shqiptare i një grupi që shpesh perceptohej se i kishte mbyllur derën vendit, e kishte lënë pas dhe e kishte reduktuar marrëdhënien me të në kujtime, remitanca ose vizita sezonale për turizëm apo halle familjare.

Në terma teorikë, lëvizja arriti të transformojë diasporën nga një rezervuar pasiv emocional në një aktor aktiv politik. Në terminologjinë e Hirschmanit, kemi të bëjmë me një kalim nga "largimi" drejt "zërit". Thënë ndryshe, protesta aktivizoi jo vetëm identitetin kombëtar, por edhe ndjenjën e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit. Ky mobilizim i diasporës rreth një kauze qytetare dhe mjedisore, tregoi se lidhja me Shqipërinë nuk kalon domosdoshmërisht vetëm përmes votës apo partive politike, por edhe përmes mbrojtjes së pasurive dhe vlerave që perceptohen si të përbashkëta. Në këtë kuptim, protestat në diasporë nuk ishin thjesht zgjerim gjeografik i lëvizjes, por tregues se lëvizja kishte arritur të prekë një nerv të thellë identitar dhe emocional. Kemi të bëjmë me rikrijimin e një lidhjeje politike dhe morale mes diasporës dhe vendit që shumëkush përfshi mua mendonte se ishte dobësuar në mënyrë të pakthyeshme.

10. Shembja e mitologjisë së zhvillimit dhe rikthimi i sovranitetit në qendër të debatit

Ndoshta arritja më e rëndësishme e Revolucionit të Flamingove nuk ka qenë as numri i protestuesve, as mbulimi mediatik, por transformimi i vetë mënyrës se si publiku e kupton konfliktin. Për vite me radhë, debati publik është dominuar nga një logjikë e thjeshtë: sa para do të sjellë një projekt, sa investime do të tërheqë dhe sa vende pune do të krijojë. Brenda kësaj kornize, çdo kundërshtim paraqitej si pengesë ndaj zhvillimit. Revolucioni i Flamingove arriti ta përmbysë këtë logjikë.

Në këtë rast kemi një zhvendosje nga vlerat monetare materiale, tek vlerat shpirtërore e etike që nuk kanë çmim. Në terma teorikë, kemi të bëjmë me atë që literatura e quan transformimin e kornizës së konfliktit nga një çështje teknike në një çështje politike dhe morale. Për herë të parë pas shumë kohësh, debati nuk u zhvillua më rreth miliardave që premtohen, por rreth asaj që nuk duhet të jetë në shitje. Çështja pushoi së qeni për një shpend me pupla rozë, një resort, një lagunë apo një investitor i caktuar me lidhje familjare me njeriun më të fuqishëm në botë. Ajo u shndërrua në një debat mbi dinjitetin kombëtar, mbi të drejtën e qytetarëve për t'u dëgjuar, mbi barazinë para ligjit; mbi kufijtë e pushtetit dhe mbi pyetjen nëse një vend i vogël ka të drejtë të vendosë vetë për trashëgiminë dhe të ardhmen e tij.

Në këtë kuptim, lëvizja nuk sfidoi thjesht një projekt një filozofi të tërë qeverisjeje sipas së cilës gjithçka ka një çmim dhe çdo vendim abuziv jo-transparent mund të justifikohet në emër të zhvillimit. Protesta e zhvendosi debatin nga pyetja "sa do të fitojmë?" te pyetja shumë më e thellë "çfarë jemi të gatshëm të humbasim?" Në vend që publiku të pyeste sa miliarda do të investoheshin, filloi të pyesë kush vendos, në emër të kujt vendos dhe çfarë nuk duhet të jetë në shitje. Dhe, pikërisht në momentin kur një shoqëri fillon të bëjë këtë pyetje, konflikti nuk ka të bëjë më me ekonominë; ka të bëjë me sovranitetin e me krenarinë kombëtare. Me të drejtën për të vendosur vetë se kush jemi, çfarë ruajmë dhe çfarë refuzojmë të shesim.

Before yesterdayTelegrafi

Ra ky flamingo dhe u pamë!

8 June 2026 at 09:29


Sado që duket si humor vlonjat me pendë, e vërteta është se ky zogu i gjorë rozë na mblodhi të gjithë të pakënaqurit bashkë, duke bërë në këtë mënyrë atë që nuk e bëri dot asnjë tryezë rrumbullakët e shoqërisë civile apo partive opozitare. Por, kurrsesi nuk duhet reduktuar e gjithë kjo protestë thjesht te ndjeshmëria mjedisore; sepse këtu çështja është shumë më e thellë. Përtej ekologjisë, përtej mjedisit, protesta reflekton një revoltë ndaj perceptimit se shteti po sillet më shumë si ndërmjetës i interesave të veçanta sesa si kujdestar i pasurisë së përbashkët. Pas kaq shumë koncesionesh, PPP-sh, përjashtimesh ligjore dhe trajtimesh preferenciale, skandalesh korruptive, çdo projekt i ri nuk gjykohet më në izolim, por si pjesë e një historie më të gjatë privilegjesh, përqendrimi përfitimesh dhe transferimi gradual i aseteve publike drejt interesave private.

Prandaj, nuk duhet nënvlerësuar flamingoja i shkretë! Historia e njerëzimit ka treguar se përmbysjet e mëdha dhe lëvizjet për liri, pavarësi e demokraci gjithmonë kanë nisur nga gjëra që në pamje të parë dukeshin krejt periferike apo banale. Më 16 dhjetor 1773, Etërit Themelues të ShBA-së ndezën shkëndijën e revolucionit të pavarësisë revoltën e çajit duke hedhur ngarkesat e çajit në det për shkak të taksave të mbretit. Në vitin 1930, Mahatma Gandi e fitoi pavarësinë e Indisë duke nisur Marshimin e Kripës - një ecje 24-ditore thjesht për të protestuar kundër taksës britanike mbi kripën. Më 25 prill 1974, Portugalia përmbysi diktaturën e saj 40-vjeçare të Salazarit përmes Revolucionit të Karafilit, ku armët e ushtarëve u bllokuan me lulet e kuqe që iu dhuroi një shitëse rruge.

Në vitet 1987-1989, Republikat Baltike (Estonia, Letonia, Lituania) nisën rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik pikërisht përmes lëvizjeve ambientaliste që kundërshtonin ndërtimin e centraleve bërthamore dhe minierave të fosfatit. Në vitet 1988-1989, Hungaria nisi çarjen e Perdes së Hekurt dhe rrëzimin e regjimit komunist përmes protestave masive të "Rrethit të Danubit", ku qytetarët mbrojtën ekosistemin e lumit nga projekti i hidrocentralit të Nagymarosit.

Lista e rasteve analoge është goxha e gjatë, kështu që, mos të çuditemi fare për peshën që po merr heroi ynë me pupla. Sociologu amerikan Charles Tilly argumentonte se lëvizjet shoqërore nuk lindin thjesht nga një problem konkret, por nga aftësia e një problemi për të përfaqësuar shumë probleme të tjera njëkohësisht. Në këtë kuptim, flamingoja nuk është shkaku i protestës. Ajo është gjuha përmes së cilës po shprehet një pakënaqësi shumë më e gjerë. Njësoj siç një akt i vetëm policor mund të shndërrohet në simbol të padrejtësive racore në Shtetet e Bashkuara apo një rritje tarife mund të ndezë protesta masive në Francë, edhe në Shqipëri një debat mbi një projekt turistik ka filluar të funksionojë si kanal për shqetësime që shkojnë shumë përtej mjedisit.

Në thelb, ajo që po shfaqet në Zvërnec është një krizë shumë më e thellë; është kulminimi i erozionit gradual të besimit publik ndaj mënyrës se si shteti shqiptar menaxhon pasuritë e përbashkëta, zbaton ligjin dhe rregullat dhe shpërndan kostot dhe përfitimet e zhvillimit ekonomik. Flamingot kanë shërbyer vetëm si katalizator simbolik për artikulimin e një pakënaqësie që është akumuluar prej vitesh përmes përvojave të ndryshme, shpesh të palidhura drejtpërdrejt me mjedisin. Për të kuptuar këtë fenomen duhet parë historia e premtimeve të zhvillimit në Shqipërinë postkomuniste. Për më shumë se tri dekada, projekte të shumta janë prezantuar si motorë të rritjes ekonomike, modernizimit dhe integrimit në tregjet globale.

Megjithatë, perceptimi publik mbi rezultatet e tyre është shpesh i ndryshëm nga narrativa zyrtare. Në zonat minerare, komunitetet lokale kanë parë degradim mjedisor aksidente fatale pa përjetuar domosdoshmërisht nivele të reja mirëqenieje apo rritje të sigurisë teknike në punë. Në rajonet e nxjerrjes së naftës, shumë banorë vazhdojnë të jetojnë pranë ndotjes industriale pa ndier se pasuria që prodhohet nga territori i tyre është reflektuar proporcionalisht në cilësinë e jetës së komunitetit. Madje, përkundrazi shohin që nafta përbën një aferë të madhe korruptive që sot është në SPAK.

Njësoj në SPAK është edhe afera e tunelit 200 milionë eurosh, që thjesht afron 15 minuta më shpejt investitorët dhe pronarët me vilave e tyre në fshatra ekskluzive me dyer të mbyllura si ato që po synohen në Zvërnec. E njëjta shumë do të kishte mjaftuar për të rehabilituar qindra kilometra rrugë rurale e dytësore në të gjithë vendin. Ndërsa një rrjet më i mirë rrugësh rurale do të kishte rritur produktivitetin bujqësor, do të kishte ulur kostot e transportit për fermerët dhe do t'i kishte dhënë një impuls të drejtpërdrejtë turizmit rural në dhjetëra bashki. Prandaj, në sytë e qytetarëve qeveria aktuale shfaq një efikasitet të admirueshëm kur bëhet fjalë për projekte elitare të biznesmenëve afër saj, por një ngadalësi të pafundme kur bëhet fjalë për investime që prekin drejtpërdrejt jetën e shumicës. Ky selektivitet vetëm sa forcon bindjen se prioritetet e zhvillimit po përcaktohen nga interesat e një pakice dhe jo nga nevojat e shumicës.

Këtu qëndron një nga konceptet më të rëndësishme të ekonomisë politike modern që quhet legjitimiteti i zhvillimit. Ekonomisti dhe nobelisti Douglass North argumentonte se institucionet nuk gjykohen vetëm nga rezultatet që prodhojnë, por nga mënyra se si qytetarët perceptojnë drejtësinë dhe parashikueshmërinë e rregullave. Nëse njerëzit besojnë se rregullat zbatohen në mënyrë të barabartë, ata pranojnë edhe vendime me të cilat nuk bien dakord. Kur krijohet bindja se rregullat mund të ndryshojnë sipas interesave të aktorëve më të fuqishëm, çdo projekt i ri fillon të shihet përmes filtrit të dyshimit.

Në këtë pikë bëhet e qartë pse narrativa zyrtare ka hasur vështirësi. Përpjekja për ta paraqitur debatin si një konflikt midis progresit dhe ambientalizmit nuk arrin të shpjegojë përbërjen e vetë protestës. Midis kundërshtarëve të projektit gjenden individë me bindje të ndryshme politike, profesionistë, sipërmarrës, studentë, emigrantë dhe qytetarë që nuk kanë qenë pjesë e aktivizmit mjedisor. Një koalicion kaq heterogjen rrallë formohet rreth një çështjeje teknike. Ai formohet kur njerëz me shqetësime të ndryshme arrijnë të njohin të njëjtin problem në një simbol të përbashkët.

Kjo është ajo që sociologu Ernesto Laclau e quante "signifikuesi bosh" duke nënkuptuar një simbol që bëhet mjaftueshëm i gjerë për të përfaqësuar shumë kërkesa të ndryshme njëkohësisht. Për disa protestues, flamingoja përfaqëson mbrojtjen e natyrës. Për të tjerë përfaqëson mbrojtjen e pronës publike. Për disa të tjerë është simbol i kundërshtimit ndaj privilegjeve, përjashtimeve ligjore apo vendimmarrjes së centralizuar. Pikërisht sepse secili sheh diçka të ndryshme tek i njëjti simbol, lëvizja arrin të marrë dimensione më të mëdha sesa vetë objekti i protestës.

Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e flamingos nuk qëndron tek vetë objekti i protestës, por tek aftësia e saj për të nxjerrë në sipërfaqe dinamika që ekzistonin prej kohësh. Debati për Zvërnecin nuk krijoi mosbesimin ndaj institucioneve, ndaj proceseve të vendimmarrjes apo ndaj modelit të zhvillimit që është ndjekur gjatë dekadave të fundit; ai thjesht e bëri atë të dukshëm. Ai reflekton bindjen në rritje se shteti është bërë më i shpejtë në dhënien e privilegjeve sesa në zgjidhjen e problemeve, më efikas në shërbimin ndaj projekteve elitare sesa ndaj nevojave të përditshme të qytetarëve.

Shprehja "ra ky flamingo dhe u pamë" përshkruan pikërisht këtë moment zbulimi kolektiv. Jo sepse një çështje mjedisore ndryshoi papritur realitetin politik të vendit, por sepse ajo ekspozoi një akumulim pakënaqësish, dyshimesh dhe perceptimesh të krijuara nga përvoja të mëparshme. Në këtë kuptim, flamingoja funksionoi si një katalizator jo vetëm si revoltë mjedisore, por si një aktakuzë shumë më e gjerë ndaj modelit të qeverisjes që e prodhoi atë mosbesim.

Fasadat e "progresit" në Shqipëri, varrezat e betonit dhe përrallat me "armiq të jashtëm"

4 June 2026 at 09:43


Në përpjekjet e para për të menaxhuar krizën e fundit publike, makineria e propagandës qeveritare nxori nga sirtari narrativën e saj të preferuar; portretizimin e protestës si një përpjekje e "regresit" që kërkon të bllokojë "progresin". Sipas këtij skenari të konsumuar, ata që ngrenë zërin për mjedisin, ligjin, pronën private dhe transparencën janë thjesht ca nostalgjikë të prapambetur që duan ta lënë Shqipërinë të izoluar, ndërsa ata që vizatojnë projekte 3D janë korifenjtë e modernizimit.

Por, këtë herë, kjo gënjeshtër nuk ngjiti. Nuk ngjiti sepse qytetarët nuk vuajnë nga amnezia kolektive; memoria e shqiptarëve është tejet e freskët dhe e dokumentuar. Vitet e fundit kanë treguar qartë se çfarë fshihet pas eufemizmave të bukur si "resorte ekologjike", "fshatra turistikë të gjelbër" apo "investime strategjike". Faktet e zhveshura tregojnë se këto projekte nuk janë as hapësira publike dhe as motorë të turizmit elitar. Ato janë, në masën më dërrmuese, geto të mbyllura me mure dhe roje private, të mbushura me vila të shtrenjta që blihen kryesisht nga elita e korruptuar e pushtetit dhe trafikantët të cilët e kanë vështirë të blejnë kësilloj pronash në një vend luksi perëndimor. Sikurse është parë tashmë, ato perla të bregdetit janë thjesht parajsa të izoluara private, ku pastrohen paratë e korrupsionit me pothuajse zero ndikim në turizmin e huaj të mirëfilltë që viziton Shqipërinë. Këto resorte nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar domethënëse në zinxhirin ekonomik të vendit; ato nuk gjenerojnë punësim real afatgjatë dhe nuk mbështesin ekonominë lokale. Përkundrazi, ato privatizojnë të mirën publike; pjesën më të bukur të bregdetit; dhe ua shesin atë mbrapsht qytetarëve me çmime të paarritshme.

Pavarësisht se paguajnë studio ndërkombëtare për t'u vënë emra ekologjikë, sapo i hiqet filtri i propagandës, lakmia e tyre e ngjeshur zbulon një shëmti të vjetër. Në vend të hapësirës dhe arkitekturës që harmonizohet me natyrën, këto projekte janë aq të ngjeshura mbi njëri-tjetrin sa të kujtojnë kapanonet prej kompensatoje që ka pasur Durrësi dikur për pushimet e punëtorëve në kohën e komunizmit. Ndryshimi i vetëm është se ato të dikurshmet ishin prej tallashi, ndërsa këto të sotmet janë prej betoni e xhami të shtrenjtë. Nëse dëshiron të shohësh të vërtetën pa drita PR-i, mjafton të hapësh Google Maps dhe t'i shikosh këto resorte nga lart. Pamja satelitore nuk gënjen sepse ajo dendësi mbytëse nga lart ngjan frikshëm me varreza gjigante betoni mbi bregdetin shqiptar. Varreza ku është varrosur natyra dhe oportuniteti për të ndërtuar vepra që kanë me të vërtetë efekt tek turizmi me standard ndërkombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kur panë që kjo përrallë e dështuar e "progresit" nuk po gëlltitej më, pushtetarët ricikluan taktikën shekullore despotike; shpikjen e komplotit të armikut të jashtëm. Papritur, na u tha se pas protestave qytetare fshihen interesa të huaja gjeopolitike. Sipas kësaj balade qesharake, Greqia, një fuqi globale turistike me mbi gjashtë mijë ishuj dhe 13 mijë kilometra vijë bregdetare po dridhet nga frika prej konkurrencës së investimeve tona në Zvërnec apo Sazan, dhe prandaj po financon revoltën mjedisore në Shqipëri!

Për ta bërë këtë gënjeshtër më "të besueshme", makineria e propagandës shkoi deri te fabrikimi i fotove me Inteligjencë Artificiale (AI), duke shpërndarë nëpër rrjete kolona imagjinare autobusësh që gjoja po sillnin protestues të ushqyer nga Greqia. Ndryshojnë skenaristët, por skenari mbetet i njëjtë; para 15 vjetësh fabrikoheshin çadra me thika e stilolapsa pistoletë, sot dyndje autobusësh me inteligjencë artificiale, duke dëshmuar se propaganda e këtij vendi riciklon të njëjtat mjete dëshpërimi sa herë që përballet me të vërtetën e qytetarëve.

Por, as kjo lojë digjitale nuk pi ujë. Mjafton të ecësh qoftë edhe dy minuta mes njerëzve në shesh për të parë se kush po proteston realisht: bëhet fjalë për të rinj kozmopolitë, profesionistë urbanë, prindër të rinj me fëmijë në krahë; një masë qytetarësh të lirë që kanë dekada pa marrë pjesë në manifestime partiake, por që sot i ka nxjerrë në rrugë revolta ndaj padrejtësisë.

Nëse do të kishte vërtet diçka në Shqipëri që do t'i bënte konkurrencë reale dhe ballore Greqisë (e cila dominon transportin detar botëror), ky do të ishte zhvillimi strategjik i Korridorit 8 dhe kthimi i porteve tona në nyje të fuqishme tregtare e strategjike për të gjithë rajonin. Ky po që do të ishte një projekt kombëtar që do të ndryshonte ekuilibrat e Ballkanit. Por, çfarë ka bërë kjo qeveri? Pikërisht këto asete strategjike kombëtare, Kryeministri ua ka falur miqve të vet oligarkë për t'i kthyer në marina jahtesh private dhe komplekse vilash luksoze. Pasi shkatërroi portet kryesore ekzistuese tregtare për interesa biznesi privat, ai tani kërkon që portet e reja tregtare t'i ndërtojë nga e para me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në vijim, në dëshpërim e sipër për të mbytur këtë skandal, ditët e fundit po bëhet një përpjekje tjetër banale e që ka të bëj reduktimi i të gjithë kësaj proteste të madhe qytetare në një thirrje "romantike" për mbrojtjen e flamengove, ose akoma më keq, etiketimi i saj si manifestim "antiamerikan". Kjo është një fyerje tjetër për inteligjencën tonë. Flamengot dhe ekosistemi i Zvërnecit janë padyshim pasuri që duhen mbrojtur, por kjo kauzë nuk është thjesht një debat biologjik për faunën dhe florën dhe aq më pak është antiamerikanizëm. Mbrojtja e mjedisit dhe e zonave të mbrojtura nuk është thjesht një detyrim moral apo një garanci për të ardhmen e brezave të rinj, por përbën një kriter strikt në rrugëtimin tonë të integrimit evropian, të cilin kjo qeveri po pretendon se e ka mision jetësor. Po ashtu, të jesh kundër një marrëdhënieje të korruptuar transaksionale, ku paratë e Katarit mbulohen me emra perëndimorë për të blerë imunitet politik për një kryeministër të konsumuar ballkanik, nuk është antiamerikanizëm, por është mbrojtje e shtetit të së drejtës, vlerës më të lartë pikërisht të demokracisë amerikane.

Për t’u çmitizuar përfundimisht përralla qeveritare, mjafton të ndjekim rrugën e parave dhe gjeografinë e këtyre bizneseve të Jared Kushnerit. Për të kuptuar se sa realisht "amerikane" janë këto projekte të Kushnerit, mjafton të shikosh se nga buron kapitali i fondit të tij Affinity Partners. Pjesa dërrmuese e miliardave vjen nga Katari dhe Arabia Saudite. Emri i dhëndrit të presidentit përdoret thjesht si një mburojë diplomatike dhe fasadë PR-i për të mbyllur gojën e opinionit publik, ndërsa burimi i financimit mbetet i njëjti kapitull i errët i fondeve të Gjirit Persik ku vjehrri e ka emëruar si të dërguar special.

Për të parë se sa serioze dhe mbi çfarë parimesh tregu ngrihet kjo marrëdhënie, mjafton të shfletosh hartën se ku ky dhëndër ka zgjedhur të shtrijë shumicën e sipërmarrjeve të tij të fundit: Shqipëri, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Katar, Bahrejni, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Izrael. Shtrohet pyetja pse ky investitor nuk ndërton në vende perëndimore me klimë të konsoliduar biznesi, por zgjedh pikërisht rajonin tonë duke shfrytëzuar paratë e vendeve arabe dhe skemat ballkanike si një formë ryshfeti të maskuar politik për të blerë mburojë diplomatike? Kjo padyshim që nuk është harta e një korporate që kërkon tregje të lira e konkurruese me rregulla perëndimore. Kjo është ekskluzivisht harta e vendeve me probleme të thella të sundimit të ligjit, rajoneve në konflikt, apo autokracive ku vendimet merren në tavolina të mbyllura me një të rënë të lapsit nga liderët lokalë.

Nuk kemi të bëjmë me investim strategjik, por me kapitalizëm transaksional (ku pasuria kombëtare e tri parqeve dhe asetet tona më të çmuara ekologjike përdoren si monedhë shkëmbimi nga Rama për të blerë mbrojtje, ndikim dhe favore politike personale për pushtetin e tij në Uashington. Pra, skema është e qartë; fitimet nga pronat publike strategjike shkojnë në xhepat e miqve të qeverisë dhe "dhëndurëve" të huaj, ndërsa faturat e dëmeve dhe ndërtimeve të reja u lihen si barrë qytetarëve të thjeshtë.

Në fund, por jo nga rëndësia, përtej ndjeshmërisë ambientaliste dhe dhunës së manifestuar, thelbi kryesor i protestës lidhet me standardin e dyfishtë dhe kalbësirën e këtij sistemi. Qytetarët po shohin se nëse je një shqiptar i thjeshtë, që jeton në tokën tënde denbabaden prej shekujsh, shteti të trajton si armik sikurse u pa vjet në këtë kohë në Theth dhe anembanë bregdetit. Po guxove të vësh një tullë pa leje e hapësh një dritare në bujtinën tënde për të mbijetuar, të vjen fadroma në oborr, të vënë prangat e të kalbin në burg. Nga njëra anë, policia përdoret egërsisht për të prishur tarraca të mbyllura apo hapësira biznesesh të vogla për të cilat pronarët paguajnë rregullisht taksa në shtet, ndërsa nga ana tjetër, po kjo polici çohet si repart privat për të mbrojtur me dhunë rrethimin e një projekti të dyshimtë në Zvërnec, i cili ende nuk ka marrë as lejen më minimale të zhvillimit; dhe, për rrjedhojë, çdo rrethim aty është plotësisht i paligjshëm! Por, nëse je vajza dhe dhëndri i presidentit më të fuqishëm në botë, rregullat zhduken e ligjet fshihen. Me një të rënë të lapsit të qeverisë, të falet një ishull, një lagunë dhe një grykëderdhje; një paketë e plotë me tre parqe kombëtare brenda!

Dhe, ky është thelbi i revoltës qytetare. Protesta nuk është mes regresit dhe progresit, as mes patriotëve dhe "agjentëve të huaj". Nga njëra anë e këtij ekuacioni qëndron një masë qytetarësh të lirë, profesionistësh dhe të rinjsh që refuzojnë të dorëzojnë dinjitetin, mjedisin dhe të ardhmen e tyre evropiane. Janë ata që besojnë se pasuritë natyrore, portet, lagunat, ishujt dhe bregdeti janë asete strategjike kombëtare që duhen ruajtur, zhvilluar me kujdes dhe trashëguar te brezat e ardhshëm. Nga ana tjetër qëndron një klasë mujsharësh abuzues që çdo pasuri publike, çdo ishull, lagunë e grykëderdhje e shohin thjesht si monedhë shkëmbimi për të blerë aleanca, favore, ndikim dhe mbijetesë politike.

Ata po përpiqen të mbulojnë këtë grabitje dhe abuzim me tymin e nacionalizmit fals, me "antiamerikanizëm" të shpikur dhe me foto të sajuara me inteligjencë artificiale kanë mbuluar këtë grabitje me patriotizëm plastik, me projekte luksoze të vizatuara në kompjuter dhe me iluzione të prodhuara nga inteligjenca artificiale. Por, asnjë teknologji nuk është aq e avancuar sa të fshijë realitetin. Dhe, realiteti është se pas fasadës së "progresit amerikan" po zhduket një pasuri që nuk mund të rikrijohet më. Prandaj, kauza e sotme nuk është thjesht një betejë për mjedisin apo një debat romantik për shpendët; kjo është një betejë ekzistenciale për dinjitetin, për barazinë para ligjit që na u vodh dhe për të ndaluar që pjesa më unike e bregdetit tonë të kthehet në një tjetër varrezë betoni.

Anatomia e një iluzioni: Si u shndërrua "Shqipëria 2030" në Republikën e Përjashtimeve

2 June 2026 at 07:45


Kur Edi Rama mori pushtetin në vitin 2013, ai premtoi një ndryshim radikal të modelit të qeverisjes duke synuar që Shqipëria të ndahej një herë e mirë nga epoka e kaosit duke u zhvilluar sipas planeve e jo improvizimeve. Kjo filozofi mori formë institucionale përmes Ministrisë së Zhvillimit Urban të drejtuar nga Eglantina Gjermeni, e cila ndërmori ndoshta përpjekjen më ambicioze të historisë moderne për të planifikuar territorin. U hartuaPlani i Përgjithshëm Kombëtar "Shqipëria 2030", dokumenti strategjik që përcaktonte vizionin afatgjatë të zhvillimit territorial të vendit. Paralelisht, u përgatitënPlanet e Përgjithshme Vendore (PPV)për pothuajse të gjitha bashkitë e Shqipërisë, duke përcaktuar zonat e zhvillimit, zonat e mbrojtura, korridoret infrastrukturore dhe përdorimin e tokës për dekadat e ardhshme. PërmesAgjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT)dheKëshillit Kombëtar të Territorit (KKT)u ndërtua një arkitekturë e re institucionale që synonte ta zhvendoste vendimmarrjen nga improvizimi te planifikimi.

Në letër, filozofia ishte që zhvillimi do të drejtohej nga planet dhe jo nga interesat e momentit. Bregdeti, zonat natyrore, qytetet dhe infrastruktura do të zhvilloheshin sipas një vizioni kombëtar të integruar. Për herë të parë pas rënies së komunizmit, Shqipëria kishte jo vetëm plane urbanistike lokale, por një sistem të tërë dokumentesh strategjike që premtonin ta kthenin territorin në objekt qeverisjeje dhe jo të negociatave individuale. Në dokumentet strategjike të shtetit shqiptar, Laguna e Mbrojtur e Nartës, Parku Detar Kombëtar Karaburun-Sazan dhe më vonë Parku Kombëtar i Lumit Vjosa nuk paraqiteshin si rezerva të ardhshme ndërtimi, por si asete strategjike kombëtare. Pikërisht mbi këto pasuri duhej të ndërtohej marka e Shqipërisë si destinacion i natyrës, biodiversitetit dhe turizmit të qëndrueshëm. Kur UNESCO njohu Rezervën e Biosferës Vjosë-Aoos, qeveria e paraqiti me krenari si provë se Shqipëria po fitonte reputacion ndërkombëtar falë mbrojtjes së natyrës.

Paradoksi është se i njëjti shtet që e promovon natyrën si avantazh strategjik, e trajton gjithnjë e më shpesh territorin si lëndë të parë për urbanizim. Sa më e plotë u bë kjo arkitekturë planifikimi, aq më shumë zhvillimi real filloi të kalonte përmes përjashtimeve, statuseve speciale dhe vendimeve politike që anashkalonin plotësisht logjikën mbi të cilën këto dokumente ishin ndërtuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse Bashkimi Europian vazhdon të insistojë te shteti i së drejtës; jo sepse mungojnë ligjet, por sepse ato ndryshohen, anashkalohen ose pezullohen sapo bien ndesh me interesat e pushtetit.

Nuk duhet harruar të vihet në dukje se debati për zhvillimin e bregdetit nuk fillon me qeverinë Rama, por me atë të Berishës. Që në vitin 2005 u emërua dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi, në krye të Projektit për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare, një program i mbështetur nga Banka Botërore që synonte të krijonte një kuadër afatgjatë për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të bregdetit. Projekti parashikonte planifikim të qëndrueshëm të territorit, përqendrim të zhvillimit pranë qendrave ekzistuese të banuara, pjesëmarrje të komuniteteve lokale dhe ruajtje të ekuilibrit mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. Ironikisht, pas dy dekadash, Shqipëria vazhdon të diskutojë të njëjtat dilema themelore, pra se si të balancojë zhvillimin ekonomik me ruajtjen e territorit dhe nëse avantazhi i saj konkurrues qëndron te ruajtja e peizazhit apo te monetizimi i shpejtë i tij nëpërmjet betonizimit të çdo pëllëmbë bregdeti.

Këtu duhet theksuar se asokohe logjika bazë e atij projekti ishte që zhvillimi turistik të lidhej kryesisht me qendrat ekzistuese të banuara, infrastrukturën dhe fshatrat e konsoliduara, duke shmangur urbanizimin linear të gjithë vijës bregdetare. Objektivi ishte ruajtja e peizazhit natyror, biodiversitetit dhe identitetit lokal, si dhe shmangia e modelit që ka transformuar pjesë të Bullgarisë, Maltës, Spanjës apo segmente të Adriatikut italian në korridore të dendura ndërtimi.

Kjo qasje nuk buronte vetëm nga shqetësime mjedisore, por nga një logjikë ekonomike afatgjatë. Ideja ishte se Shqipëria nuk mund të fitonte duke konkurruar në turizëm masiv me destinacione që prej dekadash kanë ndërtuar mijëra hotele përgjatë çdo metri të bregdetit. Avantazhi i saj konkurrues qëndronte pikërisht tek ajo që pjesë të mëdha të Mesdheut kanë humbur tashmë; tek hapësira, natyra, autenticiteti dhe ekskluziviteti. Për këtë arsye, propozimet e atij projekti kishin të bënin me rehabilitimin e vendbanimeve ekzistuese, ripërdorimin e fshatrave historikë dhe zhvillime me densitet më të kontrolluar, në vend të gllabërimit të pakthyeshëm të territorit bregdetar.

Megjithatë, si në rastin e planeve të hershme të menaxhimit të bregdetit të qeverisë Berisha ashtu edhe në rastin e "Shqipërisë 2030" të qeverisë Rama, strategjitë, ligjet dhe zotimet e shpallura me solemnitet u treguan më të brishta se interesat që duhej të kufizonin. Përballë miliardave të betonit, etheve të spekulimit imobiliar dhe pushtetit që buron nga kontrolli i lejeve dhe i tokës, çdo parim u bë i negociueshëm, çdo kufizim i kapërcyeshëm dhe çdo vizion afatgjatë i rishikueshëm. Në fund, territori nuk u trajtua si pasuri kombëtare për t'u ruajtur, por si mall për t'u monetizuar. Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, sa më i madh interesi ekonomik, aq më elastike bëhen ligjet, institucionet dhe bindjet e shpallura me solemnitet vetëm pak vite më parë.

Ajo që po dëshmojmë sot në Shqipëri është një paradoks klasik i qeverisjes fasadë nëpërmjet bashkëjetesës skizofrenike midis dokumenteve të kururuara europiane dhe një realiteti të egër në terren. Institucionet e krijuara për të menaxhuar dhe mbrojtur territorin si dhe dokumentet strategjikë e humbën gradualisht peshën e tyre. Zhvillimi real i vendit nuk udhëhiqet më nga ligji apo vizionet afatgjata, por nga një dimension krejtësisht tjetër i "projekteve individuale, përjashtimeve, statuseve speciale dhe negociatave të drejtpërdrejta politike". Ligji nuk është më një mburojë e interesit publik, por një pengesë administrative që anashkalohet apo rishkruhet përmes dritareve ekskluzive për klientët e përzgjedhur të pushtetit.

Dhe, tundimi është i madh, sepse me administratën aktuale në ShBA duket se kjo strategji po funksionon sikurse na e dëshmoi rasti i Milorad Dodikut. Më 29 tetor 2025, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj liderit pro-rus të serbëve të Bosnjës, dikur simbol i izolimit politik dhe përplasjes me Perëndimin. Për shumë politikanë të rajonit ai veprim dëshmoi se me lidhjet e duhura, me lobimin e duhur dhe me njerëzit e duhur në orbitën e pushtetit amerikan, edhe pengesat më serioze mund të kapërcehen. Në një klimë të tillë, nuk është e vështirë të kuptohet pse disa qeveri si ajo e Serbisë, Izraelit, Katarit dhe jona janë të gatshme të ofrojnë territore, privilegje, statuse speciale apo projekte gjigante në këmbim të aksesit politik dhe blerjes së indulgjencave ndërkombëtare.

Mirëpo, për t’u kthyer tek halli ynë, paradoksi kryesor është fakti që pothuajse i gjithë brandimi turistik i Shqipërisë gjatë dekadës së fundit është ndërtuar pikërisht mbi idenë e ruajtjes dhe promovimit të asaj që sot rrezikon të humbasë për t’iu servilosur Kushnerit. Që nga sloganet si “Albania, Go Your Own Way”, “A New Mediterranean Love”, “Be Taken by Albania”, deri te fushatat më të fundit “Albania - All You Need Is Here” dhe “Albania All Senses”, mesazhi qendror ka qenë pothuajse gjithmonë i njëjti. Flitet për Shqipërinë si destinacion ende autentik, ende i pazbuluar, ende natyror, ende ndryshe nga Mesdheu i mbingarkuar. E gjithë narrativa e promovimit ndërkombëtar është mbështetur mbi idenë e “sekretit të fundit”, të “Mesdheut të fundit autentik”, të vijës bregdetare ende të paprekur dhe të natyrës që Europa ka humbur prej kohësh për shkak të babëzisë së pakontrolluar të betonizimit.

Natyrisht që ka fitues ekonomik edhe nga ky model. Ka pronarë tokash që pasurohen, zhvillues që realizojnë fitime të jashtëzakonshme, ndërmjetës që përfitojnë dhe politikanë që grumbullojnë kapital elektoral e ndikim përmes kontrollit të territorit. Por, pyetja që mungon pothuajse gjithmonë në debatin publik është: me çfarë kostoje oportune? Çfarë humbet Shqipëria në këmbim të këtyre përfitimeve afatshkurtra? Dhe, mbi të gjitha, në kurriz të kujt realizohen ato? Po shitet një trashëgimi kombëtare e krijuar nga natyra gjatë mijëra vjetëve për një situatë ku përfitimet janë private, ndërsa humbjet janë kombëtare. Pra, në thelb, po privatizohen fitimet dhe po kolektivizohen humbjet.Sepse çdo kilometër park i betonizuar sot nuk është thjesht një fitim privat; është një mundësi e humbur për brezat e ardhshëm, një pjesë e kapitalit natyror kombëtar që nuk mund të rikrijohet më dhe një faturë që nuk paguhet nga përfituesit e momentit, por nga shoqëria në tërësi. Pasuria që po monetizohet nuk është një fabrikë që mund të rindërtohet, as një magazinë që mund të zëvendësohet apo rindërtohet diku tjetër. Një investitor mund të ngrejë një hotel për dy vjet, por asnjë investitor, asnjë qeveri dhe asnjë shumë parash nuk mund të rikrijojë një lagunë, një peizazh të paprekur apo një ekosistem që natyrës i janë dashur mijëra vjet për ta ndërtuar. Ajo që po humbet mund të ketë çmim shitjeje, por nuk ka çmim zëvendësimi.

Këtu duhet sqaruar se kjo nuk është një betejë estetike mes romantikëve të natyrës dhe pragmatistëve të zhvillimit, por është një çështje e pastër ekonomike. Nëse avantazhi konkurrues i Shqipërisë është pikërisht fakti që nuk i ngjan ende pjesëve më të urbanizuara të Mesdheut, atëherë modeli i zhvillimit duhet të mbrojë këtë diferencë dhe jo ta zhdukë atë. Nuk mund të marketosh njëkohësisht “Europën e fundit autentike” dhe të ndjekësh politika që rrezikojnë ta kthejnë bregdetin në një vazhdimësi resortesh, vilash, kullash dhe apartamentesh. Sepse në momentin që Shqipëria humbet peizazhin, hapësirën dhe natyrën që e bëjnë të veçantë, ajo humbet edhe vetë historinë që ka përdorur për t'u shitur në botë.

Në analizë të fundit, ky degradim i territorit dëshmon se pavarësisht rotacioneve politike nga Berisha tek Rama dhe retorikës së re estetike, Shqipëria mbetet e gozhduar në të njëjtin model primitiv të kanibalizimit të pasurisë publike. Makineria e sotme e 'statusit special' është varianti më pervers, më i sofistikuar dhe gjakftohtë i klientelizmit të vjetër tipik ballkanik. Kur buldozerët të kenë përfunduar punën e tyre mbi lagunën e Nartës, ishullin e Sazanit e grykëderdhjen e Vjosës, pas nesh nuk do të mbetet një model europian zhvillimi, por një monument i madh i hipokrizisë shtetërore; një bregdet i zhveshur nga autenticiteti, një natyrë e sakrifikuar për fitime afatshkurtra dhe një republikë ku i vetmja rregull që mbijeton është përjashtimi nga rregullat. Asokohe Kushneri s'do jetë më dhëndri i paprekshëm i presidentit amerikan të cilit i vardisen autokratët e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, por një personazh nën hetim, teksa banori i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë do të përpiqet të riparojë dëmet që la pas administrata Trump. Atëherë, Brukseli dhe Uashingtoni do ta shohin me përçmim të shtuar Ramën dhe lakenjtë e tjerë që shkelën çdo parim, ligj e vlerë, duke shpresuar se mund të blinin mbrojtje e favore personale përmes dritareve ekskluzive të Shtëpisë së Bardhë.

Suksesi i radhës i Qeverisë Kurti: Kampionë në inflacion, të fundit në perspektivë

18 May 2026 at 11:19


Ja edhe një “trofe” tjetër në duart e Kurtit, fiks në kohë për zgjedhjet e 7 qershorit. Mund të jemi të fundit në Ballkanin Perëndimor për integrim europian, për njohje, për investime serioze e për perspektivë të të rinjve ... por, të paktën diku jemi kampionë: në inflacion. Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se Kosova kryeson me 6.7%, dukshëm mbi Maqedoninë e Veriut me 4.9%, Bosnjën me 3.4%, Malin e Zi me 3.1%, Serbinë me 2.8% dhe Shqipërinë me 2.6%. Kjo është në tjetër “fitore historike” apo arritje që me siguro do të betonizojë triumfin elektoral të Kurtit në zgjedhjet që po afrojnë.

Ky inflacion nuk mund të justifikohet kurrsesi me “faktorë të jashtëm” sepse Eurozona e kishte rreth 2.4% më 2024 dhe 2.1% më 2025, ndërsa Kosova pothuajse trefish më lart. Madje, edhe Shqipëria, e cila prej vitesh kritikohet ndërkombëtarisht për korrupsion, klientelizëm dhe probleme serioze strukturore ekonomike, rezulton me inflacion dukshëm më të ulët se Kosova. Kjo e bën edhe më të vështirë justifikimin se problemi vjen vetëm nga krizat globale apo faktorët e jashtëm, sepse vendet e rajonit po përballen me të njëjtat sfida, por jo me të njëjtin nivel dështimi ekonomik.

Inflacioni i lartë padyshim që lidhet me probleme të brendshme strukturore, pra është prodhim vendor i keqqeverisjes Kurti. Ai shkaktohet prej varësisë ekstreme nga importet; prodhimit vendor të dobësuar; industrisë e bujqësisë me kosto të larta energjie e mungesë ujitjeje apo emigracionit galopant që ka rritur kostot dhe mungesat e fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, qeveria mbledh gjithnjë e më shumë taksa e ka buxhet më të madh, por në vend të investimeve serioze publike në prodhim, energji, ujitje apo industri, ekonomia ushqehet me subvencione dhe “lëmoshë” afatshkurtër elektorale që nuk zgjidhin asnjë problem strukturor. Qeverisja Kurti aktualisht është fokusuar më shumë te menaxhimi i perceptimit sesa te prodhimi ekonomik real. Pra, ka formësuar një ekonomi të bazuar te propaganda, konsumi dhe importi dhe jo te prodhimi, eksporti dhe investimi afatgjatë.

Për më tepër, inflacioni po ushqehet edhe nga mungesa e konkurrencës reale, sepse tregu në shumë sektorë po dominohet nga një grusht kompanish të mëdha me lidhje qeveritare, të cilat praktikisht po diktojnë çmime më të larta se në Bashkim Evropian. Kurti erdhi në pushtet para shtatë vjetësh duke denoncuar oligarkët e duke premtuar se do të luftonte kapjen e tregut. Sot, pas gjithë retorikës revolucionare opozitare, duket se partneriteti me ta i është bërë më i leverdishëm sesa përballja. Për sa kohë sigurohen fonde, mbështetje dhe vota, sytë mbyllen para karteleve, monopoleve, mungesës së konkurrencës dhe çmimeve që ngjiten çdo muaj mbi kurrizin e qytetarëve.

Për qytetarin, kjo nuk është statistikë apo term abstrakt, por momenti kur hyn në supermarket dhe kupton se paga nuk mjafton më si dikur për të mbushur shportën. Inflacioni është pensionisti që numëron centët te kasa, prindi që mendon dy herë para se të blejë diçka për fëmijën, dhe familja që pret me ankth paratë nga fëmijët në diasporë. Remitancat po përdoren si “anestezi ekonomike”. Sepse, po mbajnë konsumin gjallë dhe po fshehin krizën reale strukturore të ekonomisë. Pa diasporën, shumë nga dobësitë do të ishin shpërthyer shumë më herët. Mirëpo, edhe eurot e fituara me djersë në Gjermani apo Zvicër sot vlejnë më pak përballë çmimeve që rriten pa mëshirë. Për familjet e varura nga remitancat, kjo do të thotë më pak ushqime në tavolinë, më pak siguri, më pak cilësi jete e më pak shpresë. Po ashtu, shton ndjesinë e hidhur se pavarësisht sa punon apo sakrifikon, jeta në Kosovë po bëhet çdo muaj më e rëndë dhe kurbeti për më shumë njerëz.

Këtu duhet sqaruar se inflacioni në Kosovë është shumë më brutal sesa në vendet e pasura europiane, sepse godet një shoqëri me paga të ulëta dhe ekonomi pothuajse totalisht të varur nga importet. Në shtetet me paga të larta, shumica e njerëzve pasi paguajnë ushqimet, energjinë dhe qiranë, u mbeten ende para për kursime, pushime apo gjëra të tjera. Në Kosovë, shumë familje e harxhojnë pothuajse gjithë pagën vetëm për bukë, vaj, qumësht, karburant, energji, barna dhe qira. Në Gjermani apo Zvicër, edhe kur çmimet rriten, familjeve u mbetet ende boll hapësirë financiare për kursime, argëtim apo konsum tjetër. Ndërsa në Kosovë, një pjesë e madhe e qytetarëve i shpenzojnë pothuajse të gjitha të ardhurat vetëm për nevoja bazike. Kjo do të thotë se kur rriten çmimet, qytetari këtu nuk heq dorë nga luksi, por nga gjërat bazë të jetës. Inflacioni në Kosovë nuk prek rehatinë, por sofrën e familjes.

Prandaj, teksa makineria e propagandës po bëhet gati të ndezë motorët për 7 qershorin dhe të premtojë suksese të tjera imagjinare, realiteti në xhepat e qytetarëve flet vetë. Kosova sot nuk po garon me rajonin për zhvillim, por për shtrenjtim. Premtimi i madh për çlirimin e tregut nga oligarkët dhe për një jetë më të dinjitetshme përfundoi në një aleancë të heshtur që ushqen monopolet dhe zbraz frigoriferin e familjeve kosovare. Më 7 qershor, Kurti mund të kërkojë votën për "fitoren e radhës", por përballë tij do të jetë një popull që sakrificën e ka përditshmëri, ndërsa jetesën e papërballueshme e ka dhuratë nga pushteti i tij.

Nga inxhinier i elektros tek inxhinieri i kaosit politik

11 May 2026 at 11:46


Një ndër librat më mbresëlënës nga studiues italianë që kam lexuar kohëve të fundit ka qenë ai i Giuliano da Empoli titulluar Inxhinierët e kaosit: Teoria dhe teknika e lëvizjes ndërkombëtare populiste. Në të ai shpjegon më së miri duke ilustruar me raste konkrete se politika moderne nuk fitohet më vetëm me ide, programe apo rezultate por me algoritëm, emocion, zemërim dhe kaos të menaxhuar. Sipas tij, lideri modern populist nuk ka nevojë të bindë shumicën. Mjafton të mobilizojë një ushtri digjitale që dominon hapësirën publike, e deformon realitetin dhe krijon perceptimin se lideri është kurdoherë moralisht superior dhe gjithmonë “i vetmi kundër të gjithëve”. Në atë moment, perceptimi fillon të bëhet më i rëndësishëm se realiteti vetë. Da Empoli pikërisht paralajmëron se inxhinieria e kaosit shënon “braktisjen e të vërtetës objektive” apo “kapitullimin e logjikës së provave” përballë propagandës elektrizuese emocionale. Qytetari nxitet të mos u besojë më syve të tij, as asaj që prek e jeton çdo ditë, por versionit të realitetit që i shfaqet në ekran. Ky sistem funksionon duke e bërë faktin të duket si opinion ndërsa opinionin e liderit e shet si një ligj të shenjtë natyror apo qiellor.

Kosova sot është laboratori perfekt i këtij modeli dhe ironia është se tashmë kemi edhe “inxhinierin tonë elektrik” politik Albin Kurtin që është bërë mjeshtër i kaosit. Vetëm se në vend të qarkut elektrik klasik, ai duket se ka kuptuar instinktivisht qarkun emocional të populizmit modern. Po ashtu e ka kuptuar më mirë se shumica e elitës politike shqiptare se gara e sotme elektorale nuk fitohet më domosdoshmërisht me bilanc qeverisës, por me kontroll të algoritmit emocional: zemërim permanent, konflikt të vazhdueshëm, polarizim moral dhe mobilizim digjital. Sepse populizmi modern nuk funksionon si politika klasike, nuk ndërton stabilitet; por, ndërton tension e paqëndrueshmëri sikurse po e përjetojmë me zgjedhje e reja parlamentare të 7 qershorit. Prandaj, fenomeni Kurti nuk mund të kuptohet vetëm përmes politikës klasike, por si fenomen komunikimi masiv emocional. Një kombinim mes populizmit moralist, viktimizimit permanent dhe mobilizimit digjital agresiv.

Megjithatë, Da Empoli nuk është i vetmi që ka pikasur këtë rënie të arsyes në humnerën e emocioneve. Një tjetër mendimtar Italian, Antonio Gramsci, shumë më herët e kishte kuptuar se beteja kryesore politike nuk zhvillohet vetëm në institucione, por në kontrollin e hegjemonisë kulturore, narrativës dhe perceptimit publik. Populizmi modern digjital e aplikon këtë logjikë në version algoritmik: kush dominon emocionin kolektiv online, fillon të dominojë edhe realitetin politik offline.Diagnoza e Da Empolit gjithashtu përkon frikshëm edhe me paralajmërimet e Hannah Arendt, e cila na kujtonte se subjekti ideal i sundimit autoritar nuk është nazisti apo komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve nuk ekziston më. Ajo theksonte se masa e bombarduar vazhdimisht me propagandë, kontradikta dhe tension humbet aftësinë për të dalluar të vërtetën nga narrativa. Në një klimë të tillë, njerëzit nuk ndjekin më domosdoshmërisht faktet; ndjekin identitetin emocional dhe fisin politik ku ndihen të mbrojtur. Po ashtu, kjo 'inxhinieri e kaosit' është jetësimi teknologjik i asaj që Guy Debord e quante 'Shoqëria e spektaklit', ku imazhi dhe performanca e liderit gllabërojnë çdo përmbajtje substanciale. Në këtë linjë, edhe sociologu Zygmunt Bauman do ta shihte këtë si fazën më toksike të 'modernitetit lëngshëm', ku institucionet e qëndrueshme (si shteti, ligji, tradita) shkrihen për t'u zëvendësuar nga flukse zemërimi digjital që shpërbëjnë gjithçka që iu del para.

Për t’u kthyer tek rasti ynë; ironia kryesore e fenomenit Kurti është kontrasti brutal mes imazhit dhe rezultatit. U shit si inxhinier elektrik i aftë, ndërkohë që Kosova gjatë qeverisjes së tij vuajti pikërisht nga krizat e energjisë, skandale korruptive me importet, furnizim të parregullt dhe çmimet e larta të rrymës. U promovua si lider i “diturisë”, por në mandatin e tij Kosova pësoi një nga rëniet më dramatike në testin PISA, duke dëshmuar degradim serioz në arsim. U ngrit politikisht si patriot i madh i bashkimit kombëtar në opozitë, por në pushtet arriti të ftohë raportet me Tiranën, të tensionojë marrëdhëniet mes shqiptarëve të Maqedoninë e Veriut dhe ndërkohë Kosova vazhdon të zbrazet nga emigrimi masiv. Fliste çdo ditë për antikorrupsionin, por qeverisja e tij u mbush me skandale, nepotizëm, tenderë dhe afera që dikur vetë do t’i quante “kapje e shtetit”. Premtoi zhvillim ekonomik e transformim, por ende nuk po arrin të përfundojë as projekte rrugësh të nisura nga qeveri të tjera para më shumë se një dekade. Premtoi ulje çmimesh dhe mbrojtje të qytetarit, ndërsa qytetarët sot përballen me koston më të lartë të jetesës që kanë parë ndonjëherë. Dhe, pikërisht këtu hyn në lojë “inxhinieria e kaosit”: sa më shumë rritet kontrasti mes premtimeve dhe realitetit, aq më shumë duhet konflikt, dramë dhe polarizim për të zhvendosur vëmendjen nga bilanci real i qeverisjes.

Një tjetër element thelbësor është fakti që portalet, studiot televizive dhe analistët; edhe pse kanë qenë tejet kritikë dhe agresivë ndaj Kurtit, nuk i kanë lënë pothuajse asnjë shenjë elektorale viteve të fundit, sepse loja politike ka kaluar nga epoka e spin doctor-it tradicional (analistëve klasik të manipulimit mediatik, njeriu që përpiqej të kontrollonte mënyrën se si interpretohej lajmi në media tradicionale) në epokën e Big Data-s (të dhënat masive) , algoritmit dhe mobilizimit emocional digjital. “Big Data” nënkupton grumbullimin dhe analizimin masiv të të dhënave mbi sjelljen, emocionet, frikërat dhe preferencat e njerëzve për të ndikuar mbi ta politikisht dhe psikologjikisht.Sot beteja nuk fitohet më domosdoshmërisht në studio televizive, por në telefonin e qytetarit, në feed-in e rrjeteve sociale dhe në mikrodozat e përditshme të zemërimit, identitetit dhe konfliktit që algoritmet shpërndajnë pa pushim. Në këtë realitet të ri, u pa qartë se një ushtri digjitale militante shpesh ka më shumë ndikim sesa dhjetëra debate TV.

Madje, vetë teknikat e Big Data-s dhe mikro-targetimit politik nuk janë diçka abstrakte apo e re për Kosovën sepse politika jonë ka hyrë prej kohësh në epokën e algoritmit, profilizimit psikologjik dhe manipulimit digjital të emocioneve. Emri i Cambridge Analytica filloi të përmendej publikisht në raportet ndërkombëtare për aktivitete elektorale në Kosovë pas skandalit global të vitit 2018, kur dolën në dritë operimet e saj të dyshimta anekënd botës. Në epokën e Big Data-s e algoritmeve, arma kryesore janë “trollat”, të cilat janë profile (shpesh llogari të rreme) apo individë online që provokojnë, sulmojnë, shpërndajnë propagandë ose manipulojnë debatin publik për të krijuar zemërim, polarizim dhe për të mbrojtur apo promovuar një narrativë politike. Ky rrjet fanatikësh ia del të shpërndajë etiketime dhe zemërim me shpejtësi industriale, duke krijuar iluzionin e një revolte spontane popullore edhe kur kemi të bëjmë me mobilizim të koordinuar online nga selia e Vetëvendosjes.

Gjithashtu, duhet theksuar se, në çdo demokraci normale, pushteti kritikohet më së shumti. Në Kosovë sot shpesh ndodh e kundërta; pra kush kritikon pushtetin shpallet armik; gazetari bëhet “mercenar”, analisti “i shitur”, biznesmeni “oligark”, opozitari “tradhtar”, diplomati perëndimor “armik i Kosovës”. Nuk debatohet fare argumenti, por sulmohet menjëherë personi. Nuk kërkohet e vërteta, por kërkohet linçimi moral. Kjo është pikërisht ajo që studiuesi italian e quan momenti ku turma digjitale shndërrohet në polici ideologjike. Ushtria e trollave funksionon sipas një logjike të thjeshtë: përsëritje, agresivitet, polarizim. Një mesazh i thënë një mijë herë fillon të duket si e vërtetë. Një shpifje e shpërndarë masivisht krijon dyshim ndërsa një sulm kolektiv ndaj kujtdo që mendon ndryshe krijon frikë dhe autocensurë.

Përveç emocioneve dhe algoritmeve, elementi i tretë dhe vendimtar i formulës së shpjeguar nga autori në fjalë është kaosi. Nëse emocionet janë shkëndija dhe trollat me algoritmet janë kabllot që e shpërndajnë energjinë, atëherë kaosi është ambienti që e mban gjithë sistemin ndezur pa pushim. Sepse në klimë kaosi, njerëzit nuk kërkojnë më analiza të ndërlikuara apo rezultate konkrete, por figura që u japin siguri emocionale, zemërim të organizuar dhe përgjigje të thjeshta për probleme komplekse. Konflikti permanent e mban poashtu liderin tërë kohën në qendër të vëmendjes publike dhe mediatike. Është si një sistem elektrik që mbahet gjallë vetëm nga voltazhi i krizës konstante. Në një ambient konfuz, njerëzit nuk kërkojnë më domosdoshmërisht kompetencë, por siguri emocionale. Turma fillon të kërkojë “shpëtimtarin”, jo administratorin racional.

Madje, krizat e njëpasnjëshme e polarizojnë shoqërinë dhe e detyron qytetarin të zgjedhë “anë”, duke forcuar identitetin tribal politik. Në një gjendje kaosi të vazhdueshëm, askush nuk ka kohë ose qetësi të verifikojë vërtetësinë e asaj që dëgjon sepse zhurma e madhe mbyt sinjalin e së vërtetës. Në një klimë normale do flitej për ekonomi, investime, paga, arsim apo diplomaci, ndërsa në klimë kaosi flitet për tradhtarë, komplote, sabotime dhe “armiq të popullit”. Byung-Chul Han argumenton se epoka digjitale nuk prodhon më qytetarë racionalë, por turma emocionale të mbingarkuara nga reagimi i menjëhershëm. Në librat e tij për “psikopolitikën” dhe “infokracinë”, ai shpjegon se rrjetet sociale shpërblejnë impulsin, zemërimin dhe konfliktin, sepse emocionet ekstreme krijojnë më shumë angazhim sesa racionaliteti. Pikërisht për këtë arsye, kaosi bëhet aset politik e jo problem për t’u zgjidhur.

Dhe, ndoshta mekanizmi më cinik është se kaosi e lodh shoqërinë deri në pikën ku shumë njerëz dorëzohen intelektualisht. Kur çdo ditë është krizë, konflikt, dramë dhe histeri online, qytetari humbet energjinë për të analizuar racionalisht. Në atë moment, propaganda nuk ka më nevojë të bindë shumicën, mjafton që shumica të lodhet aq shumë sa të mos reagojë më dhe t’ia mundësojë Kurtit ta gjuajë penalltinë pa pasur portier para rrjetës.

Gabimi më i madh i opozitës ndaj Kurtit ka qenë se për shumë vite ka luftuar simptomën dhe jo patogjenin që ka shkaktuar problemin. E ka trajtuar atë si politikan tradicional, kur në fakt ai operon si figurë populiste postmoderne që ushqehet nga polarizimi, konflikti dhe dominimi emocional i hapësirës publike. Opozita shpesh është futur në kurthin emocional të populizmit të tij me reagim të përditshëm, nervozizëm, moralizim reciprok dhe konflikt permanent, duke e ndihmuar pa dashje arkitekti i tensioneve që të diktojë agjendën e të mbetet përherë në qendër të vëmendjes. Për vite, opozita ka lejuar që debati të sillet rreth patriotizmit, tradhtisë, veriut, moralit apo konflikteve permanente, në vend që ta detyrojë qeverinë të japë llogari për indikatorë konkretë si për shembull për rritjen e çmimeve, rënien në PISA, emigrimin, investimet e huaja, raportet me ShBA-në dhe BE-në, energjinë apo ngecjen infrastrukturore.

Opozita duhet të kuptojë se beteja nuk është vetëm politike, por psikologjike. Një pjesë e elektoratit të kryeministrit në detyrë nuk e mbështet domosdoshmërisht për rezultatet, por për identitet emocional sepse ai perceptohet si “njeriu kundër sistemit”, “anti-elitë”, “i vetmi që nuk trembet”. Nëse opozita sulmon vetëm me arrogancë apo moralizim, ajo vetëm sa e forcon këtë perceptim të persekutimit. Strategjia më efektive është “de-heroizimi gradual”; ta trajtosh jo si figurë mitike, por si administrator mesatar që duhet matur me rezultate konkrete. Jo si “diktator”, por si kryeministër me bilanc që lë për të dëshiruar. Sa kilometra rrugë? Sa investime? Sa vende pune? Sa rritje eksportesh? Sa përmirësim në arsim? Sa avancim diplomatik? Populizmi fillon të çahet kur figura emocionale detyrohet të zbresë nga miti në tabelën e rezultateve.

Gabimi tjetër fatal është kur opozita përpiqet ta mundë populistin duke konkurruar në të njëjtën lojë: “unë jap më shumë ndihma”, “unë jam më patriot”, “unë jam më i ndershëm”, “unë e bëj më mirë atë që bën ai”. Në momentin që hyn në këtë garë, ti vetëm e legjitimon terrenin ku populisti është natyrshëm dominant; sepse kopja emocionale pothuajse gjithmonë humbet ndaj origjinalit. Prandaj, opozita duhet ta kuptojë se nuk mjafton më vetëm anti-Kurtizmi sepse qytetarët nuk mobilizohen afatgjatë vetëm nga zemërimi ndaj pushtetit apo nga nostalgjia e epokës kur partitë aktuale të opozitës kishin në duar frerët e pushtetit. Qytetarët mobilizohen nga ideja se ekziston një alternativë më normale, më kompetente dhe më e qetë. Strategjia duhet të jetë “normalizimi” i politikës: kthimi i debatit te ekonomia familjare, çmimet, energjia, arsimi, infrastruktura, investimet, emigrimi dhe raportet me Perëndimin. Sa më shumë opozita e zhvendos diskursin nga drama te performanca konkrete, aq më shumë e zhvesh populizmin nga forca e tij emocionale. Nëse opozita nuk reformohet dhe vazhdon ta luftojë Kurtin në terrenin emocional ku ai dominon natyrshëm, atëherë Kosova rrezikon të mbetet gjatë në këtë qark të mbyllur kaosi politik, ku tensioni prodhon pushtet dhe pushteti prodhon më shumë polarizim e kaos. Sepse, në fund, tragjedia e kësaj inxhinierie qëndron në faktin se ndërsa “inxhinieri elektrik” ka arritur të ndezë me sukses qarkun emocional të turmës, ai ka lënë në errësirë nevojat reale dhe të ardhmen institucionale të Kosovës.

“Një popull s’i nënshtrohet një njeriu": Kur ish-revolucionari bëhet autokrat

30 April 2026 at 09:22


Kosova po përballet sërish me të njëjtin modelit politik manipulativ të Albin Kurtit i cili prodhimin e krizës e ka teknikë pushteti, sepse e ka përdorur rregullisht si mjet për të ruajtur dhe zgjeruar sundimin. Duke dashur të kontrollojë kalendarin zgjedhor, vitin e kaluar ai organizoi disa seanca parlamentare e vendime të kontestuara ligjërisht, me vetëdije të plotë se çështjet do të përfundonin në Gjykatën Kushtetuese. Qëllimi vjet ishte të fitohej kohë dhe të shtyheshin zgjedhjet. Ia doli, u zvarritën dhe më në fund u çuan më 28 dhjetor kur atij i leverdiste më së shumti.

Skema është tashmë lehtësisht e lexueshme edhe për veprimet e djeshme. Krijohet konflikt procedural, prodhohet përplasje juridike, çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, koha konsumohet dhe kalendari zgjedhor spostohet më vonë nga data 7 qershor, kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Kësisoj jemi dëshmitarë të rishfaqjes së të njëjtit mekanizëm manipulativ, duke ndërmarrë hapa me kosto të parashikueshme kushtetuese, duke e shtyrë opozitën drejt ankesës ligjore dhe duke futur procesin në një tjetër cikël vonesash. Efekti praktik është zhvendosja e zgjedhjeve drejt një periudhe më të favorshme për interesin elektoral të pushtetit personal të Kurtit.

Sikurse u vetë-denoncua edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, data e zgjedhjeve nuk është aspak çështje neutrale administrative, por skemë manipulimi elektoral. Data e përzgjedhur me kujdes përcakton nivelin e pjesëmarrjes dhe strukturën e trupës votuese. Në periudhën e verës duke, nisur nga korriku, diaspora hyn masivisht në Kosovë, ndërsa shumë qytetarë rezidentë largohen për pushime ose vizita familjare jashtë vendit (duke nisur nga mesi i qershorit kur fillojnë pushimet e fëmijëve të tyre).

Kjo ndryshon peshën relative të segmenteve elektorale dhe krijon terren të ri politik, sikurse u pa te dallimi mes zgjedhjeve të 9 shkurtit me ato të 28 dhjetorit kur Kurti e thelloi rezultatin. Aq më tepër kur diferenca mes elektorateve është e qartë, rreth 40 përqind mbështetje te banorët e përhershëm dhe 60 përqind te diaspora, pra mbi 20 përqind diferencë. Po ashtu, exit polli i UBO Consulting tregoi se 4.5 përqind e atyre që votuan në Kosovë në 9 shkurt 2025 kishin ardhur nga diaspora ndërsa në 28 dhjetor mërgimtarët përbënin 15,5 përqind të të anketuarve. Banorët e përhershëm kërkojnë rezultate konkrete, shërbime funksionale dhe janë lodhur nga krizat, dështimet e skandalet, ndërsa diaspora shpesh ushqehet më shumë me retorikë identitare e dogmatike dhe ka prirje të mbështesë figura populiste, një fenomen i njohur edhe në rajon ku vota e jashtme ka favorizuar shpesh liderë si Orbani, Vuçiqi, Tuxhmani apo Gruevski.

Pra, caktimi i datës është një inxhinieri elektorale e qëllimshme që përbën një nivel të ri të degradimit të standardit politik dhe kulturës demokratike. Studiuesit e përmendin shpesh që forma më e pandershme, cinike dhe vulgare e ushtrimit të pushtetit është përdorimi i institucioneve jo për të qeverisur, por për të manipuluar rrethanat e garës duke synuar ruajtjen dhe shtimin e kontrollit. Levitski dhe Daniel Ziblatt, autorë të librit Si vdesin demokracitë, theksojnë se “demokracitë moderne rrallë bien me tanke; ato dëmtohen gradualisht nga liderë të zgjedhur që gërryejnë institucionet nga brenda”. Francis Fukuyama, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se rënia politike nis atëherë kur institucionet pushojnë së shërbyeri interesit publik dhe kapen nga interesa personale ose partiake. Kur administrata, Parlamenti, Presidenca dhe ritmi kushtetues trajtohen si mjete taktike, shteti fillon të dobësohet ndjeshëm nga brenda ndonëse vazhdon ta mbajë pamjen formale të normalitetit. Pikërisht ky është rreziku kur procedurat përdoren si armë politike dhe shteti vihet në shërbim të një njeriu.

Dhe, posaçërisht këtu zbulohet thelbi i fenomenit Kurti, rrëshqitja graduale drejt nivelit më të ulët të politikës. Një njeri që e kërkoi pushtetin duke premtuar standarde të reja dhe po përfundon duke përdorur truket më të vjetra të Ballkanit. Erdhi në qeverisje para shtatë vjetësh si udhëheqës anti-sistem ndërsa po përfundon si kopja më e rëndomtë e tij. Ironia më therëse e politikës kosovare është se njeriu që më 29 shtator 2018 mobilizonte turmat me thirrjen “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” kundër Thaçit, sot është bërë vetë ai njeri që kërkon nënshtrimin e institucioneve ndaj vullnetit të tij. Albin Kurti dikur luftonte kultin e individit sot po e ushqen atë.

Më absurdja është se Kurti tashmë ka pushtet tejet të madh sikurse nuk e ka pasur ndonjëherë as Thaçi e as Rugova. Ka poste, vota, kontroll, ndikim dhe kapital politik si asnjë lider politik tjetër që nga epoka e Titos. Por, duket se nuk di çfarë të bëjë me to, përveçse të kërkojë edhe më shumë. Në vend që këtë fuqi ta kthente në reforma, zhvillim ekonomik dhe forcim shteti; i gjithë obsesioni i tij duket të jetë vetëm zgjerimi i hegjemonisë politike. Pushteti trajtohet si qëllim në vetvete, jo si instrument për vepra. Pra, Kurti kërkon më shumë pushtet për hir të pushtetit, pa vizion, pa projekt dhe pa rezultat.

Prandaj, është trishtuese ta shohësh Kosovën të katandiset në këtë nivel. Një vend që ka paguar aq shtrenjtë për liri, pavarësi, demokraci dhe pluralizëm nuk meriton të reduktohet në skena manovrash procedurale, kalkulimesh elektorale dhe etjes së një njeriu për dominim. Historia na ka mësuar se regjimet që vendosin veten mbi ligjin dhe interesin nacional, herët a vonë, shemben nën peshën e gabimeve të veta. Por, pyetja që mbetet është: sa do të jetë kostoja që do të paguajë ky popull derisa të kuptohet se liria në 1999 nuk u fitua për t’a zëvendësuar me një tjetër formë nënshtrimi? /Telegrafi/






Mali i Zi në finish, Shqipëria në aventura: si po ngushtohet dritarja e anëtarësimi

28 April 2026 at 09:35


Mali i Zi sapo ka hyrë në fillimin e fundit të procesit të integrimit në Bashkimin Europian me lajmin e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit, i cili është hapi i fundit para hyrjes formale. Kjo do të thotë se shumica e kapitujve të negociatave janë mbyllur ose janë drejt mbylljes dhe Brukseli e konsideron vendin të gatshëm për anëtarësim. Në praktikë, procesi kalon nga “a është gati?” në “si dhe kur do të hyjë?”

Pas hartimit të traktatit të anëtarësimit, ai finalizohet dhe nënshkruhet nga vendi kandidat dhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, më pas ratifikohet nga parlamentet përkatëse (dhe në disa raste me referendum), dhe në përfundim hyn në fuqi në një datë të caktuar duke e bërë vendin zyrtarisht anëtar me të drejta dhe detyrime të plota.

Kuptimi i këtij zhvillimi është më i gjerë se vetë Mali i Zi sepse demonstron që Bashkimi Europian ka vendosur realisht të zgjerohet, jo vetëm të premtojë zgjerim. Hyrja e Malit të Zi në këtë fazë hedh poshtë edhe pretendimin e Edi Ramës në artikullin e përbashkët me Aleksandar Vuçiqin në gazetën prestigjioze Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) se integrimi europian mund të zëvendësohet apo kompensohet përmes integrimit ekonomik rajonal. Në atë artikull ata shkruanin se “t’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të presin për kryerjen e reformave të kërkuara nga BE-ja përpara se të bashkohen, do të ishte e barabartë me mbylljen e derës”. Ky zhvillim me Malin e Zi sapo tregoi të kundërtën; dëshmoi se Bashkimi Europian e mban derën hapur dhe shpërblen reformat institucionale dhe shtetin ligjor e jo ujditë e shpejta ekonomike.

Po ashtu, tregon që integrimi kalon përmes standardeve, jo përmes tregjeve apo modeleve graduale të integrimit funksional hap pas hapi sikurse kërkoi dyshja Rama-Vuçiq. Me Malin e Zi që po i afrohet vijës së finishit; po tregohet se integrimi europian, është shndërruar nga një nocion abstrakt i Brukselit në një standard konkret dhe të pakundërshtueshëm për rajonin tone në përgjithësi dhe për Shqipërinë në veçanti. Kuptohet që kjo arritje e Malit të Zi duhet të na gëzojë, jo vetëm sepse po tregon që BE-ja e ka seriozisht zgjerimin dhe një tjetër vend fqinj është anëtar, por edhe sepse në këtë vend fqinj banojnë bashkëkombës të cilët do të gëzojnë më shumë të drejta e mirëqenie nën ombrellën e Brukselit. Prandaj, përtej gëzimit më shumë të evropianizuar janë disa leksione që vijnë për Shqipërinë nga ky avancim. Së pari, ajo që ndodhi me Malin e Zi nuk është thjesht progres; është sekuencim. BE-ja po jep sinjalin se zgjerimi do të bazohet te meritat, vend pas vendi, dhe jo në bllok rajonal sikurse ishte shpresuar apo sikurse kishte ndodhur me paketat e mëparshme të zgjerimit.

Gjithashtu, ky progres i drejtpërdrejtë në “lagjen” tonë e dobëson pozicionin negociues të Shqipërisë, pasi çdo justifikim bie përballë një fqinji me sfida të ngjashme që ecën përpara. Sot Shqipëria nuk matet më me premtimet e veta, por me performancën reale të Malit të Zi, gjë që e bën Tiranën të perceptohet si më pak serioze nëse nuk i përgjigjet këtij ritmi që po diktohet nga avancimi malazez. Megjithëse duhet theksuar se dritarja e mundësisë nuk është mbyllur ende, ajo është ngushtuar ndjeshëm, duke kërkuar një reagim të shpejtë për të mos mbetur jashtë procesit.

Për më tepër, ky realitet i ri rrit ndjeshëm ashpërsinë e kushteve dhe ul hapësirën për fleksibilitet politik nga ana e Bashkimit Europian. Kur një vend i rajonit vërteton se standardet mund të arrihen, BE-ja priret t’i zbatojë kriteret me rigorozitet maksimal, pa tolerancë ndaj vonesave. Për më tepër, zgjatja e procesit mbart rrezikun e shtimit të mekanizmave të rinj monitorues dhe kushteve shtesë, duke e bërë rrugëtimin e Shqipërisë akoma më të vështirë dhe teknikisht më kompleks brenda kësaj hapësire veprimi që po vjen duke u zvogëluar

Por, mbi të gjitha, ekziston rreziku kritik i humbjes së momentumit politik. Integrimi është çështje kohe dhe nëse Shqipëria nuk kap këtë valë zgjerimi, në një kohë kur BE-ja mund të kënaqet vetëm me anëtarësimin e Malit të Zi dhe potencialisht të Islandës (nëse voton pro hyrjes në BE në referendumin e gushtit), vendit tonë mund t’i duhet të presë një cikël tjetër që mund të zgjasë shumë vite. Diferencat në shtetin ligjor dhe funksionimin e institucioneve nuk fshihen dot më pas retorikës; ato janë tashmë të dukshme përballë standardit të ri rajonal.

Ajo që dihet me siguri, për shkak të raporteve dhe deklaratave zyrtare është se në sytë e BE-së zbatimi real i reformës në drejtësi është testi vendimtar i shtetit ligjor; çdo pengesë apo tentativë për t’i vënë shkopinj në rrota SPAK-ut përkthehet drejtpërdrejt si mungesë vullneti për llogaridhënie dhe minon besueshmërinë e gjithë procesit të integrimit. Në këtë kontekst, Tirana duket sikur po teston kufijtë e tolerancës së BE-së. Duke parë se Vuçiqi shpesh arrin të operojë në zona gri hibride pa pasoja të menjëhershme, Ramës i krijohet iluzioni se edhe Shqipëria mund të shtyjë kufijtë pa kosto reale. Por, ky është një lexim i gabuar i momentit sepse Serbia luan një rol tjetër gjeopolitik, ndërsa Shqipëria matet drejtpërdrejt me standardet e anëtarësimit.

Po ashtu, përtej pengesave ndaj SPAK-ut, dhe artikullit të çuditshëm të bërë me Vuçiqin në FAZ; një dimension i ri dhe shqetësues në ecjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit është devijimi nga rreshtimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së. Kjo gjë nuk po ndodh në letër, por në frymë dhe në veprime konkrete në politikën e jashtme ku Tirana zyrtare ka shfaqur tendenca për të luajtur një rol që i tejkalon përmasat e saj gjeopolitike përmes iniciativave që mund të cilësohen si "aventura". Zelli për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes në të cilin pranuan të merrnin pjesë kryesisht vende jo partnere të Perëndimit (nga BE-ja shkoi vetëm Hungaria dhe Bullgaria) ngjall pikëpyetje në kancelaritë evropiane. Për më tepër, entuziazmi për dërgimin e trupave si pjesë e forcës stabilizuese në Gaza pa një koordinim të qartë me partnerët kryesorë të BE-së e shton habinë. Përpos kësaj flirtimi i hapur me qeverinë e Netanyahut në kundërshtim me qëndrimet më të balancuara të Brukselit dhe në një kohë ku ai është i dyshuar për krime lufte, krijojnë një krisje në besueshmërinë tonë strategjike. Këto lëvizje shpesh duket se marrin frymëzim nga modeli i Beogradit i cili e ka traditë që nga epoka titiste e mos-angazhimit, që të luajë me disa porta në fushën e gjeopolitikës, duke kërkuar përfitime nga të gjitha anët.

Përveçse përbëjnë një dalje të pakuptimtë nga linjëzimi i politikës së jashtme të BE-së (që historikisht ka qenë një nga pikat tona më të forta në procesin e integrimit) këto tentativa ekspozojnë një mungesë shqetësuese fokusi dhe serioziteti për reformat e brendshme. Në një moment kaq kritik, ku nga vendet kandidate pritet një lobim intensiv dhe i përqendruar pranë kryeqyteteve tradicionalisht skeptike ndaj zgjerimit të ngutshëm (si Berlini, Parisi, Haga, Vjena apo Stokholmi ) "aventurat" diplomatike në Lindjen e Mesme apo koordinimet personale me Vuçiqin lexohen si shpërqendrime të panevojshme. Rreziku i këtij "ekspozimi të tepruar" diplomatik është se Tirana humbet mundësinë për të ndërtuar besueshmëri aty ku merren vendimet finale, duke u dukur më pak e përkushtuar ndaj "detyrave të shtëpisë" dhe më shumë e dhënë pas një roli global imagjinar, pikërisht kur dritarja e mundësisë kërkon qartësi, stabilitet dhe harmonizim të palëkundur me prioritetet europiane.

Parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria e kursit diplomatik janë vendimtare, sepse pa një vijë të qartë në politikën e jashtme çdo pretendim për besueshmëri strategjike dobësohet dhe çdo partneritet bëhet më i pasigurt, ndaj edhe Brukseli ngre supet përballë zhvendosjeve 180 gradë të timonit të qeverisë shqiptare. Në Forumin e Delfit në Greqi, kryeministri Edi Rama sapo kritikoi BE-në se, kinse, po tregohet tepër e ashpër me Rusinë dhe se duhen ndërtuar ura komunikimi me Putinin (të cilin Brukselin e refuzon se e konsideron kriminel lufte), ndërkohë që vetëm tri vjet më parë kur drejtonte mbledhjen e parë të Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hakërrehej ambasadorit rus me një ton më të fortë (sikur të ishte në parlamentin shqiptar të drejtuar prej Peleshit) dhe sillej si një nga mbështetësit më të flaktë të Ukrainës, madje më i zëshëm se vetë Zelenski. Njëjtë, nga votat e Shqipërisë për avancimin e statusit të Palestinës në OKB (ndryshe nga qëndrimi amerikan asokohe) dhe “muajt e zgjatur të mjaltit” me Ankaranë, po shohim një kërcim pindarik drejt një afrimiteti me Netanyahun.

Këtu duhet theksuar se ka disa parime bazë që sot na vendosin realisht në peshore dhe për të cilat BE-ja është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të përvojave të hidhura me rrëshqitjet e demokracisë, zmbrapsjet në sundimin e ligjit apo devijimet në politikën e jashtme që ka hasur me anëtarë rishtarë nga blloku lindor si Hungaria, Polonia, Bullgaria apo Rumania. Kur digjesh nga qumështi, i fryn edhe kosit, dhe në këtë aspekt po tregohen edhe më të rreptë me kandidatët si ne. Kjo do të thotë se sot integrimi europian nuk matet më me premtime pompoze apo me miratimin formal të reformave, por me cilësinë e zbatimit të tyre.. Këto elemente janë kthyer në filtrat realë të vlerësimit, sepse tregojnë nëse një shtet jo vetëm miraton rregulla, por i bën ato funksionale dhe të qëndrueshme në kohë. Në këtë kuptim, sfida nuk është më të ndryshosh ligje, por të ndërtosh një sistem që garanton stabilitet, koherencë dhe besim afatgjatë.

Në fund, gara e Shqipërisë nuk është më thjesht me kohën, por me një nivel të lartë performance që po diktohet nga fqinji ynë. Mali i Zi po na tregon se rruga është e hapur, por vetëm për ata që luajnë sipas rregullave dhe jo për ata që kërkojnë të shpikin e sugjerojnë rregulla të reja rrugës apo që hallakaten duke shtrirë këmbët përtej jorganit gjeopolitik që na takon. Shqipëria duhet të braktisë iluzionin se mund të jetë një "përjashtim" gjeopolitik apo se mund të hyjë në BE përmes marrëveshjeve politike në kurriz të kritereve teknike. Nëse nuk arrijmë të garantojmë besueshmërinë e zbatimit dhe pakthyeshmërinë e reformave, nëse nuk rrisim parashikueshmërinë e veprimeve tona dhe nëse nuk linjëzohemi plotësisht me familjen ku duam të hyjmë, rrezikojmë të mbetemi vendi që vetëm "flet" për Europën, ndërkohë që të tjerët na tejkalojnë e bëhen pjesë e saj. Për Tiranën sot nuk mjafton më të qenurit “në proces”, por kërkohet përputhje e plotë me ritmin e atij që po hyn përpara. Kur standardi i krahasimit është kaq i qartë dhe dritarja drejt anëtarësimit vjen e ngushtohet, çdo vonesë nuk interpretohet më si pengesë objektive, por si një mungesë e pastër vullneti ose kapaciteti për të përmbushur detyrimet europiane.

Legalizimi si industri evazioni: Kronika e një amnistie pa fund

14 April 2026 at 12:03


Sot, 20 vjet pas nisjes së procesit të legalizimit, hap gazetën dhe vazhdon të shohësh lista legalizimesh që botohen, çuditërisht më të shpeshta sa herë afrohen zgjedhjet. Ideja fillestare e legalizimit të ndërtimeve pa leje kishte një logjikë të qartë shtetformuese që synonte mbylljen e një kapitulli të trashëguar nga tranzicioni kaotik postkomunist, ku qindra-mijëra ndërtime informale ishin produkt i boshllëkut institucional, dhe njëkohësisht të vendosej një vijë e kuqe e tipit "deri sot legalizojmë, nga sot e tutje nuk tolerohet më". Logjika e amnistisë ishte një akt mëshire shtetërore për të mbyllur plagët e tranzicionit, duke i dhënë titull pronësie atij që kishte ndërtuar për mbijetesë, por me kushtin e prerë që pas kësaj vije të kuqe, ligji nuk do të njihte më tolerancë. Fatkeqësisht, një politikë që duhej të ishte njëherëshe, është kthyer në serial të pafund. pra nga instrument korrigjues është katandisur në mekanizëm elektoral klientelizmi.

Dhe, ironia është se dikur e kam mbështetur zëshëm këtë idenë e amnistisë që më pas u shpërfytyrua. Asokohe, i mahnitur nga teoritë e peruanit Hernando de Sotos (të cilin pata fatin ta takoj personalisht në ShBA) për potencialin e formalizimit të “kapitalit të vdekur”, kam qenë mbase i pari që kam shkruar për nevojën e formalizimit të ndërtimeve pa leje në Shqipëri. Ideja në thelb mbetet shumë e drejtë dhe ishte shumë e arsyeshme duke pasur për qëllim që të kthente një pasuri të madhe informale të investuar në ndërtim në kapital të gjallë i cili duke u futur në sistem, do të krijonte kredi, investim e zhvillim. Po ashtu, synonte të hidhte themelet e një disipline urbane duke kaluar nga faza e “amnistisë së detyruar” në fazën e “zbatimit të rreptë të rregullit”. Ishte një vizion që premtonte si shtetndërtim ashtu edhe zhvillim.

Këtu duhet rikujtuar edhe konteksti kohor dhe fakti që ata që ndërtuan pa leje në vitet ‘90-të të shekullit të kaluar, nuk ishin spekulantë strategë evazioni, por viktima të një ekonomie të centralizuar komuniste që u shemb brenda natës. Pra, legalizimi ishte për ata që, pas mbylljes së minierave dhe shkatërrimit të industrisë, nuk kishin as tokë, as shërbime publike bazë në periferi, as alternativë, përveçse të dyndeshin e të ndërtonin afër Tiranës apo Durrësit për të mbijetuar. Ishte një përgjigje ndaj një kolapsi social. Amnistia e legalizimit kishte kuptim atëherë si një akt korrigjues për një padrejtësi historike.

Por, ajo që ndodhi është e kundërta. Pa këtë tranzicionin e sipërpërmendur që nuk ndodhi kurrë, çdo listë e re, çdo afat i ri, çdo “listë e radhës” vetëm sa minon besueshmërinë e ligjit dhe krijon një cikël pritjeje ku qytetarët presin faljen e radhës. Në këtë mënyrë ideja fillestare e legalizimit ka vdekur si politikë publike dhe sot është kthyer në një manual praktik për evazion. Nuk kemi më një shtet që toleron përkohësisht një realitet të trashëguar, por një sistem që prodhon vetë shkeljen dhe pastaj e amniston për të siguruar mbështetje elektorale ose ryshfete të majme. Tashmë kemi një sistem që prodhon kapital të ri informal, sepse iu ka dhënë aktorëve një sinjal të qartë që mos të shqetësohen për rregullat se ai negociohet më vonë duke bërë që legalizimi mos të jetë më korrigjim i së shkuarës, por garanci për shkeljen e së ardhmes.

Në këtë realitet, ndërtimi pa leje është bërë strategji racionale për të shmangur taksën e rëndë të ndërtimit që përcaktohet bazuar në çmimet referencë të hamendësuara të shitjes ama që paguhet ende pa hedhur themelet. Kjo kosto marramendëse shmanget në këmbim të pagesës simbolike të legalizimit që paguhet pasi e ke ndërtuar. Pse të paguash sot koston e plotë të ligjshmërisë, kur mund të ndërtosh jashtë saj dhe të presësh legalizimin me kosto goxha më të ulët? Këtu nuk kemi të bëjmë me devijim sporadik por me arbitrazh fiskal të institucionalizuar nga shteti, i cili në vend që të ndëshkojë shkeljen, e nxit dhe e subvencionon atë.

Në terma ekonomikë dhe institucionalë, kjo gjendje prodhon pasoja të rënda pasi deformon tregun e pronës ku legalja dhe ilegalja bashkëjetojnë me kosto dhe pritshmëri të ndryshme, duke e kthyer pronën në një mjet negocimi politik e jo në një motor rritjeje ekonomike. Njëkohësisht, ky fenomen dobëson shtetin ligjor, sepse ligji fillon të perceptohet si një normë e lëkundshme, ndërsa penalizohen drejtpërdrejt qytetarët korrektë. Ata që kanë ndërtuar me leje, kanë paguar taksa dhe kanë respektuar çdo rregull, dalin si "humbësit" e një sistemi që favorizon shkelësit e përsëritur që kanë lidhje politike apo gadishmëri që të paguajnë ryshfete.

Paradoksi bëhet edhe më i rëndë e mizor për shkak të dimensionit selektiv. Nga njëra anë kemi zhvillues të mëdhenj që ndërtojnë informalisht në qendër të Tiranës ose bregdet (shpesh në tokë të dhënë nga shteti) duke anashkaluar rregullat dhe mos paguar taksën e ndërtimit për të përfituar mandej nga amnistimi i legalizimit. Ndërkaq, në të njëjtën kohë familjeve të varfra në Theth apo bregdet iu shemben bujtinat modeste të ndërtuara për mbijetesë. Një shtet me dy standarde që bëhet i fortë me të dobëtit dhe i butë me të fortët.

Ligji këtu nuk është më një normë që aplikohet me barazi, por një thikë që seleksionohet me kirurgji politike si mjet ndëshkimi për të pamundurit dhe mjet përfitimi për të pushtetshmit. Në këtë teatër të absurdit, drejtësia nuk është e verbër; ajo i ka sytë hapur mirë për të parë se cilin duhet të godasë dhe cilin duhet të amnistojë e subvencionojë.

Pjesa më cinike e kësaj historie mbetet dimensioni elektoral, ku listat e legalizimeve që shfaqen faqeve të gazetave nuk janë thjesht dokumente administrative, por janë "fletëvotimi" të kamufluara. Ato nuk shërbejnë për të rregulluar territorin, por për të mbajtur nën tension një elektorat të tërë që ushqehet me shpresën e radhës: “mos u shqetëso, radha jote po vjen”. Këtu, legalizimi zhvishet nga çdo petk ligjor dhe kthehet në monedhë të pistë këmbimi; një kontratë e heshtur dhe imorale ku shkelja e ligjit tolerohet sot, që të shpërblehet me votë nesër. Në këtë pikë, degjenerimi është total: shteti braktis rolin e tij si garant i rregullit dhe sovranitetit të ligjit, për t’u katandisur në një menaxher banal të devijimit dhe tregtar i paligjshmërisë.

Në fund, pas këtij rrugëtimi prej dy dekadash të përdaljes së emrit legalizim, mbetet vetëm një shije e hidhur zhgënjimi. Është dëshpëruese të shohësh se si një ide që premtonte shtetndërtim dhe emancipim ekonomik, u katandis në një mjet banal për mbijetesë politike të elitës së komprometuar shqiptare. Ndjen një lloj pafuqie personale kur kupton se vizioni i De Sotos për të nxjerrë kapitalin e shtresave të margjinalizuara nga errësira, në Shqipëri u përdor si dritë jeshile për të zhytur shtetin në informalitet të përjetshëm.

Në fund, pyetja që shtrohet nuk është më teknike apo administrative, por ekzistenciale: a kemi të bëjmë me një shtet që nuk mundet të vendosë rregull, apo me një kastë që nuk do sepse nuk i leverdis? Duke e lënë 'vijën e kuqe' të mbetet një mirazh që shtyhet pas çdo zgjedhjeje, ne nuk po mbyllim plagët e tranzicionit, por po kalbëzojmë themelet e së ardhmes. Për sa kohë që legalizimi mbetet një pazar elektoral dhe jo një akt final i sovranitetit të ligjit, Shqipëria do të mbetet peng i një padrejtësie tragjike ku ndershmëria është kosto e sforcim heroik, ndërsa shkelja e ligjit është investimi më i sigurt. Pa një prerje të thikës që i jep fund këtij seriali, ne nuk po ndërtojmë qytete, po institucionalizojmë kaos, nuk po ndërtojmë shtet të ligjit, por po betonizojmë sundimin e "Maliqit".

Luftërat e pashpallura hibride të Ballkanit

10 April 2026 at 11:23


Partitë filo-serbe të Malit të Zi, tentuan të rikthejnë flamurin historik me shiritat kuq-blu-bardhë; një simbol ky që lidhet drejtpërdrejt me identitetin serb. Ky akt i pasuksesshëm nuk ishte nostalgji estetike, por një lëvizje politike e llogaritur mirë për të rishkruar identitetin shtetëror dhe sfiduar orientimin gjeopolitik aktual të Podgoricës përmes një simbolike që artikulon nënshtrimin ndaj sferës së ndikimit serb.

Parlamenti malazez fatmirësisht nuk e futi në rendin e ditës këtë propozim. Megjithatë, tentativa e rikthimit të flamurit trengjyrësh nuk është një episod i izoluar, por një sinjal i qartë se shoqëria dhe politika atje janë ende thellësisht të përçara dhe polarizuara. Nga njëra anë, një Mal i Zi që kërkon të ruajë identitetin e vet shtetëror dhe kursin euroatlantik dhe nga ana tjetër ka forca që përpiqen të rikthejnë narrativat historike dhe simbolikat që e lidhin vendin me Serbinë dhe Rusinë.

Prandaj, duhet vënë në dukje se tentativa në fjalë nuk është vetëm çështje simbolesh e krenarie, por taktikë në kuadër të luftës hibride; është përpjekje për të krijuar tension të brendshëm, për të zvarritur reformat dhe për të sabotuar ose ngadalësuar integrimin në Bashkimin Europian. Thënë ndryshe, nuk kemi të bëjmë me një debat mbi dizajnin e pëlhurës, por një taktikë të sofistikuar në kuadër të luftës hibride. Mjeshtrit e këtyre lëvizjeve (që KGB-ja i quante "masa aktive") synojnë prodhimin e tensionit të brendshëm artificial për të paralizuar reformat jetike, për të parandaluar konsolidimin shtetëror dhe për të sabotuar integrimin në Bashkimin Europian.

Tentativa e ndryshimit të flamurit malazez përputhet me manualin klasik të "Luftës Hibride" ku shteti nuk goditet me tanke nga jashtë, por kalbet përmes përçarjes identitare nga brenda, duke e kthyer sovranitetin në një fushëbetejë emocionesh arkaike ciklike. Prandaj, vlen të analizohet kjo lloj lufte sepse nuk është aspak hera e parë. Një skenar i ngjashëm u përdor edhe dekadën e kaluar, në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO. Në vend që të përballeshin drejtpërdrejt me aleancën, aktorët që kundërshtonin zgjerimin e saj zgjodhën një rrugë më të zgjuar: atë të destabilizimit të brendshëm. Në Maqedoninë e Veriut, kjo u manifestua përmes krizave politike të thella politike dhe tensioneve etnike që kulmuan me rastin e Kumanovës. Në Mal të Zi, tentativa për grusht shteti në vitin 2016 ishte një shprehje më e hapur dhe e rrezikshme e të njëjtit model. Qëllimi në të dy rastet ishte qartazi që të krijohej një realitet i brendshëm kaotik që do ta bënte integrimin euroatlantik të pamundur ose të paktën të vonuar.

Ky model nuk po zhvillohet i izoluar në Mal të Zi, por e shohim anembanë rajonit sot; madje, me goxha sukses. Duhet kuptuar se kur politika zhvendoset nga ekonomia te simbolika dhe nga reformat te mitologjia, loja ruso-serbe korr suksesin e saj maksimal me vendet tona. E shohim këtë model në Kosovë, ku krizat e vazhdueshme në Veri dhe tensionet e prodhuara rreth strukturave paralele janë pjesë e të njëjtës logjikë destabilizimi. Po ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, ku debati politik devijohet larg nga ekonomia dhe reformat e integrimit drejt historisë dhe simbolikës - sikurse po shihet me protestat e studentëve. I njëjti model po vepron edhe në Bosnje Hercegovinë, por në një formë edhe më të institucionalizuar dhe të rrezikshme. Përmes krizave të vazhdueshme politike, kërcënimeve për shkëputje nga Republika Sërpska dhe bllokimit sistematik të institucioneve shtetërore, po prodhohet një paralizë e qëllimshme e shtetit. Edhe atje kemi të bëjmë me një luftë hibride në formën e saj më të pastër, sepse shteti nuk sulmohet nga jashtë, por mbahet peng nga brenda, përmes krizave të pafundme që e bëjnë funksionimin normal pothuajse të pamundur dhe integrimin euro-atlantik një iluzion gjithnjë e më të largët.

Ndërkohë që ne gëzohemi në Prishtinë apo Tiranë se kemi blerë raketa amerikane anti-tank Javelin, gjendemi krejt të paarmatosur në “luftën e zonës gri” apo në “luftën jolineare” siç e quan Valery Gerasimov, shefi i shtabit të ushtrisë ruse. Doktrina e tij nënkupton një strategji për të dobësuar dhe destabilizuar një vend pa hyrë në luftë të hapur, duke përdorur presion politik, propagandë, dezinformim, krim, shantazh, ekonomi, spiunazh, manipulim dhe mjete të tjera jo-ushtarake. Të gjitha këto janë veprime që nuk e tejkalojnë pragun e luftës së hapur, pra nuk hyjnë në konflikt direkt të armatosur, por lidhen me një realitet ku kufiri mes paqes dhe luftës bëhet i paqartë.

Dhe, këtu qëndron ironia më e madhe e kohës sonë. Ndërkohë që vendet e rajonit investojnë në mbrojtje klasike (armë, pajisje, trajnime ushtarake) ato shpesh mbeten të pambrojtura ndaj këtyre formave të reja të luftës. Është shumë më e lehtë të identifikosh një tank sesa një narrativë. Është shumë më e lehtë të mbrohesh nga një sulm fizik sesa nga një operacion i sofistikuar dezinformimi.

Kjo krijon një asimetri të rrezikshme ku shtetet tona janë të përgatitura për luftën e djeshme, por jo për luftën e sotme.

Synimi i kësaj lufte speciale të sotme është t’i kthejnë shtetet e reja të Ballkanit në vende që nuk merren më me reforma, por me flamuj e simbolika; nuk merret me ekonomi, por me histori. Dhe pikërisht këtu e arrin suksesin loja ruso-serbe; kur e zhyt një vend në labirintet e pafundme të debatit për të shkuarën, faktikisht ia ke bllokuar të ardhmen.

Parë në këtë prizëm, mund të thuhet se kjo strategji cinike, por efikase armiqësore, po korr sukses të madh në Kosovë sot. Ngërçi për formimin e qeverisë që patëm vjet, mos zgjedhja e presidentit dhe rreziku i zgjedhjeve të parakohshme krijojnë një vakum institucional ideal për ndërhyrje dhe destabilizim, duke e zhvendosur vëmendjen nga reformat dhe zhvillimi drejt krizave të pafundme politike që dëmtojnë rëndë pozicionin ndërkombëtar.

Të merremi vesh, kjo nuk është ftesë për konspiracion dhe për të thënë se çdo krizë është e orkestruar nga jashtë dhe për të nënkuptuar se përfaqësuesit e elitës politike janë vendosur në shërbim të agjenturave armiqësore. Mjafton të kuptosh se çdo krizë e brendshme krijon mundësi për ndikim të jashtëm. Këtu duhet gjithashtu sqaruar se shpesh lufta hibride nuk krijon probleme nga hiçi, por i gjen ato aty ku ekzistojnë dhe i amplifikon. Ajo nuk ndërton konflikte të reja, por ushqen e thellon ato ekzistuese duke synuar që shteti fillon të humbasë aftësinë për të funksionuar në mënyrë efektive.

Kjo është arsyeja pse kjo formë lufte e sofistikuar gri është kaq e rrezikshme; sepse ajo nuk perceptohet si luftë. Nuk ka një armik të dukshëm me uniformë, madje pa e kuptuar mund të jemi pikërisht ne armiqtë kryesorë të vetvetes. Kjo lloj lufte nuk ka një front të qartë, nuk ka një moment kur mund të thuash “lufta filloi” dhe vija e kuqe e kufirit u shkel. Mirëpo, efektet e saj janë reale, të rënda dhe afatgjata.

Me sa duket, në botën moderne ku po jetojmë, pushtimi është bërë disi i dalë mode dhe tejet i kushtueshëm, prandaj është shumë më efikase dhe e leverdishme ta bindësh një vend të vetësabotohet apo vetëparalizohet. Mjafton pak helm politik, pak përçarje dhe shumë zhurmë emocionale identitare, dhe sistemi fillon të bllokohet nga brenda, pa pasur nevojë për çizmen e ushtarëve. Sepse, kjo farë lufte nuk ka nevojë për fitore spektakolare, traktate kapitullimi apo aneksim territorial; mjafton që kundërshtari të mos kuptojë kurrë që ka humbur. Pse do kesh nevojë ta pushtosh një shtet kur ai është duke u rrëzuar vetë, gradualisht dhe pa e kuptuar.

Nga banditi te paraziti: Anatomia e shtetit shqiptar

1 April 2026 at 10:37


Mes shpjegimeve alternative që qarkullojnë për zanafillën e shtetit, spikat ajo e Mancur Olsonit i cili ka pas nxjerrë një teori që zhvesh çdo iluzion romantik mbi "kontratën sociale" për ta zëvendësuar me logjikën e ftohtë të grabitjes së "banditëve". Për mendimtarët klasikë, duke nisur nga Hobbes, Locke dhe Rousseau, shteti zakonisht tregohet si një histori morali që e sheh shtetin si produkt të arsyes dhe pëlqimit. Sipas tyre, njerëzit, duke dashur t’i japin fund kaosit të “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, vullnetarisht bëjnë një dorëzim të lirisë individuale te një mekanizëm kolektiv për të garantuar rend, siguri dhe drejtësi. Megjithatë, kjo linjë normative është sfiduar që herët nga skepticizmi i David Humeit dhe më pas nga qasja empirike e Olsonit, me argumentin se shteti nuk vjen nga ujdia, por krijohet si rezultat i forcës, interesit dhe organizimit të dominimit.

Sipas këtij të fundit, në territoret pa shtet kishte fshatra që grabiten herë pas here nga bandat që sorollateshin, prandaj edhe njerëzit prodhonin vetëm aq sa për të mbijetuar, sepse e dinin që gjithçka tepricë mund t’iu merret nesër nga “banditi shëtitës”. Në këtë kaos del një bandit dominues i cili vetëdijesohet se shkatërrimi i burimit e varfëron rrjedhimisht edhe vetë grabitësin. Por, në një moment ai ndalet dhe mendon që, nëse qëndron, eliminon rivalët dhe vendos njëfarë rregulli e stabiliteti, njerëzit do të prodhojnë më shumë dhe ai mund të marrë një pjesë të majme të këtij prodhimi të shtuar çdo vit. Kështu, ai ndalon së qenë një kusar që endet në kërkim të plaçkës dhe transformohet në një sundues të palëvizshëm që vendos rend e taksa, mbron minimalisht pronën, bën ca punë botore për komunitetin dhe ndëshkon dhunën e të tjerëve. Të gjitha këto nuk i bën sepse befas është bërë më i mirë, por thjesht sepse ka kuptuar që kështu është më e leverdishme për të. Pra, për Olsonin, shteti embrional nuk është asgjë tjetër veçse një optimizim i zhvatjes që vjen prej transformimit prej "banditit shëtitës" që vjedh dhe ikën, duke lënë pas shkretëtirë drejt "banditit të qëndrueshëm".

Por, kjo teori nuk është vetëm një shpjegim historik. Ajo është një lente për të kuptuar pse disa shtete funksionojnë dhe të tjerë ngecin në një gjendje të përhershme tranzicioni. Diferenca mes një shteti që lulëzon dhe një shteti që dështon varet edhe nga horizonti kohor i sunduesit. Nëse autokrati beson se do të qëndrojë gjatë, ai ka interes të rrisë produktivitetin e ekonomisë që kontrollon; dhe, enkas vjel më pak sot për të pasur më shumë nesër. Por, nëse ai e ndjen se karrigia i lëkundet, ai kthehet te logjika e grabitësit shëtitës: “merr çfarë të mundesh, sa më shpejt të mundesh, përpara se të vijë tjetri”. Ky është momenti ku teoria e Olsonit ndesh realitetin shqiptar, duke pësuar një mutacion që ai mbase nuk e parashikonte dhe që ka të bëjë me faktin që elitat që kontrollojnë vendin i bëjnë paratë këtu, por të ardhmen e projektojnë jashtë shtetit.

Shqipëria sot duket sikur është kapur pikërisht në këtë pikë: problemi nuk është mungesa e shtetit. Problemi është se ata që kanë më shumë pushtet dhe kapital kanë gjetur një mënyrë për të përfituar nga ai pa qenë të lidhur me të ardhmen e tij. Në letër, shteti funksionon sepse formalisht ka institucione, ka rregulla, ka një farë kontrolli mbi forcën dhe një sistem taksash, pra faza e “banditit shëtitës” duket sikur është lënë pas. Por, mënyra si mendojnë dhe veprojnë elitat nuk është plotësisht ajo e një pushteti afatgjatë që investon te vendi. Përkundrazi, kemi një elitë që po qëndron gjatë në pushtet, por sillet sikur është e përkohshme ndaj vetë Shqipërisë, që e sheh territorin jo si atdhe, por si aset në likuidim duke e grabitur në palcë ku, çfarë e sa të mundet.

Për ta kuptuar këtë, duhet parë mbi të gjitha, sjellja e elitës ekonomike. Ndryshe nga kapitalizmi prodhues klasik (ku fitohet përmes inovacionit e meritës), elita jonë shpesh operon përmes marrjes së licencave, tenderëve ose lejeve të ndërtimit, pra duke vjelë "rentë" nga asetet publike. Kjo shpjegon pse ata nuk kanë nevojë për institucione të forta, sepse dihet që renta kërkon afërsi me pushtetin, jo konkurrencë tregu.

Në vitet e fundit është bërë pothuajse një element identitar për sipërmarrësit më të mëdhenj shqiptarë të tregojnë për investimet e tyre në ShBA, Austri, Itali apo Greqi. Nuk është thjesht diversifikim; është një formë prestigji. Në të njëjtën kohë, familjet e tyre jetojnë gjithnjë e më shumë jashtë, fëmijët studiojnë në universitete perëndimore dhe shpesh nuk rikthehen, ndërsa shtetësitë e dyta janë kthyer në një aset strategjik.

Paralelisht "Exit”-i nuk është vetëm fizik (ikja jashtë), por edhe institucional. Kur elita krijon "ishuj" sigurie (lagje të rrethuara me roje, spitale private, shkolla private), ajo praktikisht ka dalë nga shteti pa u larguar nga territori. Ata jetojnë në një Shqipëri paralele që nuk ka lidhje me atë të qytetarit të thjeshtë.

Kur elita nuk përdor vetë sistemin publik të arsimit, nuk ka incentiva të forta për ta përmirësuar atë; kur nuk përdor sistemin shëndetësor vendas, nuk ka urgjencë për reforma. Po ashtu, kur jeton pjesërisht jashtë në Vjenë, Londër apo Dubai, lidhja e saj me hapësirën natyrore, urbane, dhe sociale të vendit dobësohet. Kështu krijohet një shkëputje e thellë midis atyre që marrin vendimet dhe atyre që përjetojnë pasojat e tyre. Kjo lidhet me konceptin e “rrezikut personal në lojë” (skin in the game), siç e thekson Nassim Taleb, që nënkupton se vendimmarrësit duhet të mbajnë edhe pasojat e vendimeve të tyre. Kur elitat nuk jetojnë me pasojat e sistemit (sepse kanë sigurinë, shërbimet cilësore dhe të ardhmen jashtë shtetit) ato humbasin interesin për ta ndërtuar Shqipërinë dhe fokusohen vetëm te shfrytëzimi i saj.

Këtu metafora e Olsonit transformohet në diçka më ogurzezë: nga banditi te paraziti. Banditi i qëndrueshëm, të paktën, donte që organizmi të jetonte gjatë, të rritej se ashtu edhe prodhonte më shumë. Paraziti modern ka një logjikë tjetër: maksimizo nxjerrjen e lëngut përpara se të migrosh te trupi tjetër. Shqipëria shërben për të gjeneruar para, ndërsa Perëndimi shërben për t'i kthyer ato para në siguri, luks e cilësi jete. Ky "ekuilibër zhvatës" i mban institucionet mjaftueshëm të forta sa për të ruajtur rendin që paraziti të ushqehet i qetë, por mjaftueshëm të dobëta sa për të mos penguar apo ndëshkuar abuzimet e tij.

Logjika e parazitit është, në thelb, një rikthim i rafinuar te banditi endacak. Ai nuk ka interes ta forcojë organizmin që e mban gjallë, por vetëm ta mbajë funksional aq sa të vazhdojë të ushqehet prej tij. Ndryshe nga modeli i "banditit të qëndrueshëm" ku sunduesi investon në rritjen e burimit për të përfituar më shumë në të ardhmen, paraziti operon me një horizont më të shkurtër dhe më oportunist, maksimizon nxjerrjen sot, pa u shqetësuar për qëndrueshmërinë nesër. Ai nuk investon në forcimin e “trupit” që e ushqen, por nxjerr maksimumin sot, ndërsa përgatit daljen nesër, duke transferuar kapitalin, familjen dhe sigurinë jashtë. Ai nuk ndërton institucione të forta, sepse ato kufizojnë abuzimin; nuk investon në zhvillim afatgjatë, sepse përfitimi i tij nuk është i lidhur me të ardhmen e vendit; dhe në momentin që organizmi dobësohet tej mase, ai është gati të zhvendoset diku tjetër, duke lënë pas një trup të shteruar. Në këtë mënyrë, territori nuk shndërrohet në një burim që zhvillohet, por në një hapësirë që zhvatet e konsumohet gradualisht, derisa të mos ketë më çfarë të ofrojë.

Skema piramidale e betonit: Si po i "burgos" Shqipëria kursimet në turizmin “low-cost”

24 March 2026 at 09:37


Administrata Tatimore e Shqipërisë sapo na dha, pa dashje, dëshminë më të qartë se turizmi shqiptar është më shumë një tullumbace propagandistike sesa një minierë ari sikurse po trumbetohet. Duke njoftuar se ka akses në të dhënat e Booking-ut për të kërcënuar pronarët që i kanë lëshuar pronat për qira turistike, tatimet zbuluan një realitet matematikor që dhemb. Faktikisht këtë lajmërim e kanë shoqëruar me një infografikë që tregon se 17 225 prona kanë pasur xhiro 80 122 524 euro me rezervime në nëntë muaj, nga të cilat 12 858 004 euro kanë shkuar në komisione për platformën Booking.

Pra, ironikisht, ky lajmërim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, më shumë sesa një denoncim ndaj evazionit fiskal të atyre që japin qira afatshkurtra turistike, në mënyrë të pavullnetshme shndërrohet në një denoncim të propagandës qeveritare për një “bum turistik”. Falë qeverisë dhe mediave të ndikuara nga ndërtuesit kryesorë në vend, në Shqipëri është krijuar një bindje e fortë se turizmi shqiptar është bërë pata me vezë të arta. Ky mit ka "infektuar" edhe bashkëkombësit tanë nga Kosova të cilët, sipas të dhënave bankare të Prishtinës, kanë marrë mbi gjysmë miliard euro kredi në vitet e fundit vetëm për të blerë prona në Shqipëri. Por, kur shohim matematikën reale të këtij tregu, diagnostikojmë qartazi një flluskë, sepse kemi si simptoma shumë kapital të shpërndarë, shumë ofertë të ngjashme dhe një rendiment që zvogëlohet sa më shumë që rritet konkurrenca.

Prandaj, le ta bëjmë një llogari të thjeshtë të të dhënave të ekspozuara. Në nëntë muajt e vitit të kaluar janë realizuar 80.1 milionë euro rezervime, nga të cilat rreth 12.86 milionë euro, afërsisht 16 përqind kanë shkuar direkt në komisione për platformën. Pra, të ardhurat reale për pronarët zbresin në rreth 67.26 milionë euro. Nëse heqim një kosto minimale operative prej rreth 20 përqind (pastrim, larje rrobash; mirëmbajtje, energji, ujë, amortizim bazë), atëherë të ardhurat efektive zbresin në rreth 51.24 milionë. Në rastin me te mire i bie përafërsisht 68.32 milionë si shifër vjetore edhe pse dihet që tre muajt e ngelur të vitit janë mesatarisht më keq për turizëm se mesatarja janar-shtator.

Kjo është shifra që duhet përllogaritur e cila e pjesëtuar mes rreth 17 225 pronash, rezulton se një pronë gjeneron mesatarisht rreth 3 966 euro në vit neto operative. Duke pasur parasysh se pronat janë kryesisht në Tiranë dhe në bregdet, një vlerë mesatare konservatore prej rreth 120, 000 euro për njësi është më e pakta që mund të merret si shembull për analizën tonë. Kjo përkthehet në një kthim real rreth 3.3 përqind në vit, në kushte evazioni fiskal dhe kjo në një vit të mirë turistik. Nëse aplikohet 15 përqind tatim fitimi, atëherë kthimi bie në rreth 2.8 përqind.

Domethënë, pas gjithë “bumit”, rezultati është një rendiment që mezi konkurron inflacionin dhe shkon është pothuaj sa bonot e thesarit të cilat janë me risk zero dhe pa punë fare. Kur marrim parasysh ankandet e fundit të Bankës së Shqipërisë, shohim se obligacionet shtatëvjeçare japin deri në 4.7 përqind kthim vjetor. Pra, shteti paguan më shumë për borxhin e tij sesa fiton një investitor nga prona e tij e përdorur për turizëm.

Ndërkohë, në gjithë këtë analizë, vetëm një akter del i qartë fitues dhe ai nuk flet shqip. Bëhet fjalë për platformën onlajn booking.com që ndërmjetëson rezervimet merr rreth 16 përqind të të ardhurave totale - e gjitha kjo pa investuar në pronë, pa pasur kosto mirëmbajtjeje dhe pa u përballur me rrezikun e boshllëqeve sezonale. Thënë ndryshe, i vetmi që ka leverdi është ndërmjetësi i cili fiton më shumë, në mënyrë më të sigurt dhe pa investuar gjë nga xhepi.

Kjo përllogaritje e thjeshtë nxjerr në pah thelbin e iluzionit. Shohim turistë me pak shpenzime (low-cost) dhe supozojmë fitim; shohim volum, prandaj supozojmë prosperitet dhe bëjmë investime të reja në patundshmëri. Pikërisht këto ethe të el dorado-s së turizmit shqiptar e kanë shpërthyer ofertën në treg duke e çuar ndërtimin në Shqipëri në përmasa kulminante. Së fundmi është raportuar për rreth 1.9 milionë metra katrorë leje të reja dhe rreth 14.5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto (duke zënë peshën më të madhe në Evropë në proporcion me ekonominë, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 5.5 përqind e PBB-së).

Nga ana tjetër, rritja e kërkesës nuk po ecën kurrsesi me të njëjtin hap. Nga rreth 7.5 milionë vizitorë që patëm më 2022 shkuam në 10.1 milionë më 2023 (plus 35 përqind), në 11.7 milionë më 2024 (plus 15 përqind) dhe rreth 12 milionë në 2025 (plus 2-3 përqind). Me pak fjalë, turizmi në Shqipëri vijon të rritet, por me një ritëm që po ngadalësohet ndjeshëm, duke sinjalizuar kalimin nga hovi drejt maturimit të tregut.

Të merremi vesh: për saktësim, ky shkrim shërben si një model i përafërt që jep një tablo të përgjithshme dhe jo një “llogari farmacie” për çdo apartament, pasi mungojnë të dhënat e plota mbi shfrytëzimin vjetor (occupancy) dhe çmimin mesatar ditor (ADR). Po flasim vetëm për Booking-un (i cili zë pjesën e luanit të prenotimeve); edhe po të shtojmë këtu rezervimet nga Airbnb, ato oflajn apo përmes agjencive, panorama nuk ndryshon shumë, sepse fitimi mbetet ende i ulët. Nëse një kredi bankare për pasuri të paluajtshme në Shqipëri ose Kosovë luhatet te 5-7 përqind, çdo rendiment nën tetë përqind dështon të justifikojë riskun e ndërmarrë, duke e shndërruar investimin nga një aktiv prodhues në një barrë financiare. Pra, nëse nuk kalon këtë përqindje, që në financë quhet norma minimale e pranueshme e kthimit (hurdle rate), ti faktikisht po paguan bankën më shumë sesa po të paguan prona ty. Praktikisht, po humb para çdo muaj, duke shpresuar vetëm te rritja e vlerës së pronës në të ardhmen (capital appreciation), gjë që është bixhoz, jo biznes.

Në sipërfaqe, Shqipëria po përjeton një dehje kolektive prej shifrave kakofonike të Rinasit që na del ngadhënjimtar “si shkëmb graniti në Adriatik”, dhe statistikave qeveritare të gatuara sipas qejfit për konsum elektoral. Por, në realitet, shifrat e fundit të tatimeve e shpojnë tullumbacen e madhe të suksesit turistik duke treguar se nuk kemi të bëjmë me "industri që po lulëzon", por me shndërrimin e bregdetit dhe qyteteve tona në konvikte gjigante për turistë me buxhet të ulët. Nuk ka dyshim që nëse fitimi yt pas gjithë atij investimi në prona të shtrenjta dhe mundi për të pritur turistë është më i ulët se interesi i një titulli shtetëror (ku rreziku është zero dhe puna konsiston vetëm në një nënshkrim), atëherë ti nuk po bën biznes, por po financon një iluzion.

Prandaj, sapo drita e projektorëve të propagandës fiket, mbetet një e vërtetë e pakëndshme që lë të kuptohet se turizmi shqiptar po shndërrohet në një "skemë piramidale" të kohëve moderne të mbushur me punë - shpresa, zhurmë, komisione e kosto operative, por me një fitimi real që është një tallje me investitorët dhe minë me sahat për të ardhmen ekonomike të vendit. /Telegrafi/

Miti i progresit dhe realiteti i zonës gri: Radiografia e V-Dem-it për Shqipërinë

19 March 2026 at 09:36


Hapësira publike shqiptare sot është e përmbytur nga kakofonia e komenteve politike; nga propaganda qeveritare dhe deklaratat e nxehta partiake, e deri te analizat sipërfaqësore televizive apo polemikat e zhurmshme në rrjetet sociale. Por, ka edhe një mënyrë shumë më të ftohtë, profesionale dhe të pakontestueshme për ta analizuar realitetin politik nëpërmjet studimeve akademike ndërkombëtare.

Në teatrin politik shqiptar, ku zhurma propagandistike zëvendëson llogaridhënien dhe mjegullon të vërtetat e pakëndshme, raporti i fundit i sapodalë i institutit Varieties of Democracy (V-Dem) vjen si një dush i ftohtë realiteti. Në këtë kuptim, raporti që nxjerr rregullisht V-Dem përbën ndoshta radiografinë më të plotë dhe më akademike që qarkullon sot për gjendjen e demokracisë në botë, duke u mbështetur në qindra indikatorë institucionalë dhe në mijëra ekspertë ndërkombëtarë.

Diagnoza për Shqipërinë është sa e qartë aq edhe shqetësuese duke treguar se vendi nuk po shënon progres, por është mbërthyer në një ngecje. Në planin empirik, Indeksi i Demokracisë Liberale (LDI) tregon se Shqipëria ka pësuar një rënie graduale gjatë dekadës së fundit (nga 0.56 në 2015, në 0.53 në 2025 kur niveli i demokracisë matet mes 0-1). Ndonëse statistikisht duket e papërfillshme, kjo lëvizje tregon një trend regresi dhe nënkupton koston e jashtëzakonshme oportune të një dekade të çuar dëm në vendnumëro. Institucionet demokratike pra nuk po konsolidohen; përkundrazi, ato po humbasin gradualisht substancën e tyre liberale. Prandaj, një rënie e tillë interpretohet nga studiuesit si indikator i stagnimit ose i fillimit të një procesi të butë autokratizimi institucional.

Më domethënëse se vetë shifra është klasifikimi tipologjik i raportit, ku Shqipëria nuk përfshihet as në kategorinë e demokracive liberale dhe as në atë të autokracive elektorale; por kategorizohet në atë që V-Dem e quan “zona gri e demokracisë”. Në literaturën e tranzicioneve kjo kategori përshkruan regjime ku pluralizmi dhe zgjedhjet ruhen si fasadë për të maskuar monopolizimin e pushtetit dhe ku dimensionet liberale të demokracisë si kontrolli institucional mbi ekzekutivin, sundimi i ligjit apo autonomia e medias, mbeten tejet të dobëta.

Pra, kemi zgjedhje, Parlament e gjykata; porse zgjedhjet janë procese administrative të dyshimta pa garë të barabartë; Parlamenti është shndërruar në noter të ekzekutivit; gjykatat, ndonëse me SPAK-un relativisht efikas, mbeten ende vulnerabël ndaj presionit politik dhe pengesave të ekzekutivit. Ky është një sistem ku institucionet ekzistojnë vetëm si dekor, ndërsa vendimmarrja reale është zhvendosur në zyra të mbyllura te qeverisë e ortakëve të saj, shumë larg kontrollit qytetar.

Ky pozicionim është i rëndësishëm sepse sugjeron që Shqipëria nuk ndodhet më në fazën klasike të tranzicionit demokratik, por në atë që politologët e quajnë “ekuilibri i reformave të pjesshme” si një gjendje ku institucionet demokratike ekzistojnë, por nuk zhvillohen më tutje. Politologu Joel Hellman e përshkruan këtë fenomen në vitin 1998 me teorinë “fituesit marrin gjithçka” ku thekson se pengesa më e madhe për reformat nuk janë ata që dëmtohen prej ndryshimit, por pikërisht përfituesit e reformave të pjesshme. Këta “fitues të tranzicionit” ndërtojnë pushtetin mbi reforma të papërfunduara dhe pastaj bëjnë gjithçka për t’i ndalur ato përpara se të bëhen plotësisht të vërteta. Kuptohet nëse ato thellohen, ata s'kanë mundësi të vazhdojnë me abuzimin e pushtetit.

Po ta bëjmë një retrospektivë historike ky mekanizëm bëhet edhe më e qartë në Shqipëri. Grafiku i shtrirë në kohë i V-Dem për Evropën Lindore tregon se Shqipëria pati përmirësim relativ të ndjeshëm gjatë dy dekadave pas rënies së komunizmit, por që prej mesit të viteve 2010 trajektorja është praktikisht e sheshtë. Në termat e teorisë së konsolidimit demokratik, kjo nënkupton se sistemi politik shqiptar nuk ka arritur të kalojë nga faza e demokracisë elektorale në atë të demokracisë liberale funksionale, por po betonizohet në një nivel të ndërmjetëm si limbo institucional.

Kontrasti bëhet edhe më i dukshëm kur Shqipëria krahasohet me Kosovën, e cila në të njëjtin raport, klasifikohet si “demokraci elektorale”, një kategori më e lartë në tipologjinë e regjimeve. Në vitin 2015 e kishte treguesin 0.58 ndërsa në 2025 ajo shënon 0.60, një rritje të zbehtë duke u vendosur në segmentin 30-40 përqind të vendeve më demokratike në botë. Kjo do të thotë se një shtet shumë më i ri, me të njëjtin komb por me sfida shumë herë më të mëdha strukturore arrin të ruajë një trajektore relativisht më pozitive demokratike sesa Shqipëria. Nëse Kosova rritet me gjithë sfidat e shtetformimit e sulmet nga jashtë, dështimi i Shqipërisë del qartazi se është i shkaktuar vullnetarisht dhe nuk është fatkeqësi e shkaktuar prej rrethanave tipike ballkanike.

Prandaj, ky ngërç apo kjo amulli, nuk është aspak aksident, por është një ekuilibër i qëllimshëm. Për elitën politike, një demokraci liberale funksionale është e rrezikshme. Prandaj, Shqipëria mbahet qëllimisht në këtë gjendje agonie; as autokraci e hapur që do të sillte sanksione, as demokraci liberale që do të kërkonte llogaridhënie e zbatim ligji. Thënë ndryshe, ne nuk kemi një tranzicion që po ecën përpara ngadalë, por kemi një "tranzicion permanent" që është ngrirë enkas për të mbrojtur status-quo-në e pushtetit. Rezultati i kësaj sjellje të elitës, nuk është domosdoshmërisht një autokraci klasike, por një demokraci hibride që po betonizohet në një nivel të ndërmjetëm si limbo institucional.

Por, dimensioni më kritik i kësaj diagnoze lidhet me një çështje strategjike e aspiratë mbarë-kombëtare, integrimin në Bashkimin Evropian. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është vetëm një proces teknik negociatash apo spektaklesh shumëngjyrëshe para liderëve evropian; ai është para së gjithash një proces i konsolidimit institucional. Kriteret e Kopenhagës për anëtarësim kërkojnë pikërisht atë që V-Dem mat: sundimin e ligjit, kontrollin mbi pushtetin ekzekutiv dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Në këtë kuptim, radiografia e V-Dem ekspozon hipokrizinë e kastës politike shqiptare. Ndërsa retorika zyrtare e qeverisë e paraqet integrimin evropian si një proces në progres të vazhdueshëm, të dhënat akademike demonstrojnë se institucionet demokratike nuk po konvergojnë me standardet evropiane me ritmin e pretenduar. Një vend që mbetet për një dekadë të tërë në “zonën gri” demokratike rrezikon të mbetet edhe në zonën gri të integrimit evropian. Prandaj, tragjedia sot nuk është se Shqipëria nuk e do Evropën; tragjedia është se elita e saj e konsumuar politike duket e gatshme ta mbajë vendin larg Evropës vetëm për të mbajtur pushtetin pranë vetes. /Telegrafi/

Integrimi Funksional: Një "Lazar" politik që ringjall hegjemoninë dhe izolon Kosovën

28 February 2026 at 16:10


Ballkani i Hapur ringjallet si Lazari; pasi ishte shpallur politikisht i konsumuar dhe ishte zhdukur nga konferencat rajonale dhe retorika e përditshme, po na kthehet tashmë me kostum të ri - gjermanisht në faqet e Frankfurter Allgemeine Zeitung. Në një shkrim të përbashkët, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkojnë një version të ri të zgjerimit të Bashkimit Europian që kërkon integrim funksional para anëtarësimit të plotë. Sipas tyre, nëse dera e BE-së është e ngadaltë dhe e ngushtë, atëherë le të hapet dritarja e tregut të përbashkët, e Shengenit, e harmonizimit gradual institucional pa pritur anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

Kjo është paraqitur si një rrugë “realiste” për të kapërcyer ngecjen e zgjerimit. Ideja është e thjeshtë në thelb që, përderisa BE-ja është “e lodhur” nga zgjerimi, le të ofrojë një “rrugë të shkurtër” me integrim funksional tranzitor që hap tregjet, lehtëson lëvizjen, rrit ndërvarësinë dhe integrimin ekonomik me idenë që integrimi politik të vijë në një kohë të dytë. Sipas tyre, Ballkani nuk mund të presë pafundësisht një BE ku lufta në Ukrainë e Lindje të Mesme, migracioni masiv, kriza energjetike apo tensionet e brendshme ia kanë zhvendosur prioritetet.

Në pamje të parë, ky propozim tingëllon si pragmatizëm i arsyeshëm, porse kur zhvishet nga retorika diplomatike dhe vendoset në kontekstin aktual të zhvillimeve të brendshme të këtyre dy vendeve si dhe në perspektivën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ky propozim nuk është thjesht diçka teknike, por një tentativë për rikonfigurim rrënjësor në Ballkan me kosto të pallogaritshme për të ardhmen e shqiptarëve ne veçanti dhe mbarë rajonit në përgjithësi.

Pikësëpari, ky propozim në vetvete përbën një përpjekje për të ofruar integrimin e pjesshëm si alternativë ndaj transformimit rrënjësor që kërkohet nga procesi i anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ata kanë anashkaluar me vetëdije faktin thelbësor që integrimi nuk ka qenë kurrë vetëm çështje tregu të përbashkët, por mbi të gjitha një projekt normativ ku në plan të parë janë arritja e një demokracie funksionale me zbatim të plotë të ligjit dhe me respektim të standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Të dyja qeverisjet e këtyre liderëve sot klasifikohen si "demokraci hibride", ku institucionet janë të kapura dhe hapësira demokratike po pëson regres dhe natyrshëm ky propozim tingëllon si një alibi e përsosur për të shtënë në dorë qasjen në fondet dhe tregjet e Europës, pa u dorëzuar para kontrollit të transparencës dhe llogaridhënies që kërkon anëtarësimi i plotë. Ky propozim vjen në një kohë kur të dy liderët përballen me protesta masive në sheshet e Tiranës dhe Beogradit; me afera të rënda korruptive që prekin majat e pushtetit dhe dihet që kanë ndërmarrë shkelje sistematike të ligjit dhe kanë kontroll mbi mediat dhe proceset zgjedhore (veprime që janë dokumentuar e raportuar tashmë ndërkombëtarisht).

Prandaj, duke zhvendosur fokusin te tregu, këta liderë kërkojnë të zbutin presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar për tatëpjetën e standardeve demokratike dhe abuzimet kolosale me pushtetin. Prapëseprapë, edhe pse Europa mund të jetë e lodhur nga zgjerimi, Ballkani kurrsesi nuk duhet të jetë i lodhur nga liberal- demokracia. Mirëpo, argumenti i binomit Rama-Vuçiq për një integrim funksional ekonomik si prioritet mbi atë politik, harron një leksion të madh të historisë të cilin e argumenton më së miri nobelisti Daron Acemoglu duke thënë se “ndërtimi i institucioneve të forta dhe gjithëpërfshirëse është garancia e vetme e begatisë”. Pra, përfitimet që iu vijnë shqiptarëve nga demokratizimi i mirëfilltë dhe sundimi i ligjit i tejkalojnë shumëfish ato që mund të sjellë çdo integrim i thjeshtë ekonomik apo futja në Shengen. Në fakt, ne tashmë gëzojmë një pjesë të mirë të këtyre përfitimeve ekonomike përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe liberalizimit të vizave.

Problemi në vendet tona nuk qëndron te mungesa e hapësirës ekonomike, por te mungesa e institucioneve që garantojnë drejtësinë dhe llogaridhënien. Pa këto institucione, çdo lloj tregu i përbashkët rrezikon të mbetet një mekanizëm që pasuron elitat e një demokracie hibride, duke lënë qytetarët në një amulli të përhershme ekonomike dhe politike. Pa këto institucione, tregu i përbashkët rrezikon të kthehet në një hapësirë ku vetëm elitat e lidhura me pushtetin "vjelin" përfitimet, ndërsa qytetari i thjeshtë mbetet i varfër dhe i pambrojtur nga korrupsioni dhe arbitrariteti.

Mirëpo, përtej llogarive ekonomike dhe tentativave për ta përdorur këtë propozim si gomone shpëtimi mbijetese politike, kjo iniciativë përbën një thikë pas shpine për Kosovën në rrafshin më jetik të interesit shtetëror dhe dinjitetit kombëtar. Rreziku më i madh në propozimin “realist” për një integrim funksional është se hiqet i vetmi presion real për njohjen e Kosovës duke e kthyer kapitulli 35 nga një kusht esencial në letër higjienike Për Serbinë, Kapitulli 35 i negociatave me BE-në nuk është thjesht një detyrë shtëpie; është "thembra e Akilit" dhe i vetmi litar që e mban Beogradin të lidhur pas detyrimit për të njohur realitetin e Kosovës. Ky kapitull është dizajnuar si një mekanizëm bllokues. Mirëpo, nëse Beogradi arrin të "shqyejë" përfitimet e tregut unik, lëvizjen e lirë dhe miliardat e fondeve europiane përmes këtij "integrimi funksional", pa u detyruar të bëjë asnjë koncesion për shtetësinë e Kosovës, atëherë Kapitulli 35 asgjësohet de facto.

Në këtë skenar, njohja e Kosovës pushon së qeni një kusht sine qua non (i domosdoshëm) dhe kthehet në një dëshirë fakultative të cilën Beogradi mund ta shtyjë në pafundësi. Ky është një akt i pastër tradhtie diplomatike nga ana e Tiranës: ndërsa flitet për "realizëm", në fakt po i hiqet Kosovës e vetmja armë që detyronte Serbinë të ulej në tryezë. Duke i dhënë Serbisë gjithçka që kërkon (ekonominë) pa i kërkuar asgjë nga ato që i dhimben (njohje dhe demokratizim), Tirana po e shndërron integrimin europian në një instrument që financon hegjemoninë serbe në rajon, duke e lënë Kosovën si një "mbetje gjeopolitike" në pritje të mëshirës së një agresori reciditiv të papendueshëm e të pakorrigjueshëm.

Këtu duhet theksuar që, edhe pa këtë propozim absurd, vetë flirtimi i zjarrtë 13 vjeçar i Tiranës zyrtare me Beogradin (ndërkohë që mbahen mure akulli me Prishtinën) i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Serbisë de facto një "certifikatë pafajësie" përballë botës. Mesazhi që ky afrim kaq i ngushtë me Beogradin përcjell në kancelaritë ndërkombëtare është që Serbia mund të pretendojë tashmë se nuk ka asnjë problem me shqiptarët (meqenëse me Shqipërinë po "ndërton" Ballkanin e hapur), dhe se i vetmi pengesë mbetet "kokëfortësia" e qeverisjes në Prishtinë. Kjo strategji e izolimit diplomatik të Kosovës, e ushqyer paradoksalisht nga Tirana, tenton ta kornizojë konfliktin jo si një çështje të pazgjidhur mes dy popujve, por si një tekë politike të një kryeministri apo një qeverie të caktuar në Prishtinë.

Në këtë pikë, hipokrizia politike arrin kulmin. Nuk mundet që nga njëra anë të kesh këtë lidhje organike interesash me Beogradin, dhe njëherazi të shprehësh solidaritet për krerët e UÇK-së në Hagë. Është një kontradiktë ulëritëse të vajtosh për një proces të dyshimtë e tendencioz gjyqësor që është gatuar, ushqyer dhe mirëmbajtur nga vetë strukturat e Beogradit, ndërkohë që u shtron tapetin e kuq autorëve të asaj strategjie. Ky "realizëm" i ri bëhet edhe më cinik kur sheh se, ndërkohë që flitet për tregje të përbashkëta dhe Shengen rajonal, siguria e Kosovës minohet drejtpërdrejt nga i njëjti Vuçiq Këtu nuk mund të injorohen sulmet në Banjskë dhe kanalin nevralgjik të Ibër-Lepencit, të cilat tashmë janë vërtetuar se janë orkestruar nga strukturat e Serbisë. Si mund të ketë "integrim funksional" rajonal me një shtet që, nga njëra anë, premton lehtësim të lëvizjes së mallrave dhe, nga ana tjetër, organizon operacione paramilitare dhe sabotime të infrastrukturës kritike të fqinjit të tij. Kjo kontradiktë nuk është thjesht një pengesë teknike, por dëshmi se projekti i Beogradit nuk synon paqen, por nënshtrimin e Kosovës përmes një izolimi të dyfishtë, qoftë diplomatik me bashkëpunim nga Tirana e qoftë fizik përmes veprimeve destruktive në terren. Ky dualizëm i Tiranës nuk është aspak një diplomaci, por një braktisje e parimeve që minon pozicionin e Kosovës në çdo tryezë negociatash, duke e lënë atë të vetme përballë një Serbie që reformohet në letër, por mbetet po ajo në projektin e saj shovinist për rajonin.

Si përfundim, ky propozim për një integrim funksional nuk është një zgjidhje kreative për ngadalësinë e Brukselit, por një pakt pragmatist që sakrifikon transformimin real demokratizues të vendeve tona për hir të mbijetesës së elitave hibride. Duke e shitur këtë model si "rrugën e vetme realiste", dyshja Rama-Vuçiq po kërkon të legalizojë një status quo ku tregu zëvendëson shtetin e së drejtës dhe ku lëvizja e lirë e mallrave fsheh paralizën e njohjes reciproke. Për Kosovën dhe interesat tona kombëtare, ky nuk është thjesht një eksperiment ekonomik, por një goditje asgjësuese ndaj Kapitullit 35; një mjet që e liron Serbinë nga detyrimi për njohje, duke e shpërblyer atë me akses në tregun europian ndërkohë që ajo vazhdon të orkestrojë destabilizimin.

Ky projekt rrezikon ta gozhdojë Ballkanin në një mesatare të përhershme gri, një periferi të shfrytëzueshme ku detyrimet ndaj BE-së janë reale, por fuqia vendimmarrëse mbetet zero. Këtu lidhemi edhe me problemin tjetër të deficitit demokratik, sepse vendet do të detyrohen të zbatojnë rregulla europiane pa pasur të drejtë të plotë vendimmarrjeje, duke marrë detyrime pa përfaqësim proporcional. Prandaj, duke braktisur procesin normativ të anëtarësimit për pazare ad hoc politike, Tirana zyrtare jo vetëm që po minon dinjitetin shtetëror të Kosovës, por po e lë mbarë rajonin të ekspozuar ndaj ndikimeve gjeopolitike të Lindjes. Ballkani nuk ka nevojë për një dritare tregu që riciklon autokracinë, por për derën e hapur të demokracisë liberale. Çdo rrugë e shkurtër që anashkalon drejtësinë, demokracinë, dhe njohjen reciproke, nuk të çon drejt Perëndimit por Lindjes dhe thjesht zgjat agoninë e një rajoni që po humb kohën, shanset, talentet dhe të ardhmen në emër të një stabiliteti të rremë.

Shqipëria dhe strategjia e re amerikane e sigurisë

22 December 2025 at 09:21


Zakonisht, dokumentet zyrtare që kalohen pa u vënë re, harrohen në rafte të pluhurosura institucionesh. Mirëpo, ky s’është rasti me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të sapopublikuar, e cila tregon se bota po ndryshon kurs. Jo sepse sjell risi konceptuale të panjohura, por sepse e thotë troç atë që prej kohësh kemi nuhatur në korridoret amerikane të pushtetit, që “daja Semi” po largohet nga universalizmi moral dhe po rikthehet te nacionalizmi pragmatik. Ditët kur ShBA-ja mbante peshën e rendit botëror, si “Atlasi i kërrusur”, duket se me Trumpin kanë marrë fund. Evropa aty përmendet me një ton të ftohtë, pothuajse teknik, duke u distancuar nga retorika e deritanishme për “vlerat e përbashkëta” apo “komunitetin transatlantik”. Përmes “Angazhimit të Hagës”, vendet e NATO-s duhet të shpenzojnë pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e industrisë ushtarake. Amerika nuk kërkon më vetëm shpërndarje të barrës, por zhvendosje të saj, duke pritur që aleatët të mbulojnë vetë rajonet e tyre.

Për vende të vogla si i yni, që ka përfituar bollshëm nga bujaria amerikane, ky ndryshim është ekzistencial dhe alarmues. Për tri dekada, Shqipëria ka jetuar me një avantazh të heshtur si aleat i vogël simpatik, i bindur, pa probleme, pa ambicie destabilizuese; një vend që votonte gjithmonë siç duhej, që ofronte mbështetje simbolike kurdoherë që i kërkohej dhe që nuk krijonte telashe. Në një botë liberale dhe idealiste kaq mjaftonte, por në botën e sotme kjo s’vlen më.

Strategjia amerikane është brutalisht e qartë: aleatët si Shqipëria duhet të kontribuojnë më shumë dhe në mënyrë të matshme në sigurinë kolektive; të mbrojnë vetë territorin dhe hapësirën e tyre strategjike; të mos funksionojnë më si barrë apo si nevojtarë të përhershëm të mbrojtjes amerikane; të mos tolerojnë që territori i tyre të kthehet në bazë të krimit të organizuar, korridore trafiku apo zona gri që minojnë stabilitetin rajonal dhe mbi të gjitha, të mos lejojnë që infrastruktura kritike, portet, energjia, komunikimet dhe asetet strategjike të bien nën ndikimin apo kontrollin e fuqive rivale që sfidojnë rendin euroatlantik dhe sigurinë e përbashkët.

Për ne, kjo do të thotë se retorika proamerikane nuk mjafton më dhe se politika e jashtme e Shqipërisë nuk mund të vazhdojë të sillet si një zgjatim i pushtetit personal. Për vite me radhë, diplomacia është përdorur për mbijetesë politike, për të mbuluar dështime të brendshme dhe për të shitur jashtë vendit një besnikëri të rreme, të kufizuar në deklarata e gjeste simbolike. Një diplomaci që kërkon imunitet, blen heshtje dhe prodhon avantazh elektoral duke shfrytëzuar ndjenjat proamerikane të shoqërisë shqiptare nuk është politikë e jashtme, por keqpërdorim i aleancës.

Dokumenti i ri amerikan e godet drejtpërdrejt këtë model, edhe kur nuk e përmend Shqipërinë me emër. Madje, reagon kundër praktikave që degradojnë institucionet demokratike, duke kërkuar përgjegjësi për ata që abuzojnë me pushtetin. Strategjia e bën të qartë se kompetenca dhe merita duhet të jenë udhërrëfyesit e bashkëpunimit, duke mos lënë hapësirë për liderë që kërkojnë “imunitet” apo “avantazh elektoral” në këmbim të lojalitetit sipërfaqësor e simbolik.

Në këtë kontekst, nga politika e jashtme shqiptare kërkohet një rikthim tek elementet themelore, që janë interesi i shtetit dhe i kombit. Ajo duhet të jetë e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e ndërtuar mbi logjikë strategjike, jo mbi nevoja personale kalimtare të udhëheqësit. Vetëm kështu marrëdhëniet ndërkombëtare nuk shndërrohen në instrument propagande, por në kapital real politik dhe kombëtar.

Për të qenë më konkret, s’mjafton të thuash se je “partneri më i mirë”, por kërkohet të shpenzojmë pesë përqind të PBB-së për mbrojtjen. Kjo është veçanërisht e vështirë te ne, ku dihet se të gjitha investimet publike për vitin 2024 ishin në masën 5.3 përqind të PBB-së, ndërkohë që buxheti është tejngarkuar nga fryrja e numrit të rrogëtarëve patronazhistë dhe nga kontratat abuzive PPP me biznesmenë oborrtarë të pushtetit. Për më tepër, në aspektin e rritjes së investimeve në mbrojtje, ato nuk duhet të orientohen nga babëzia se si fondet mund të vidhen më lehtë, as nga ambicie të tejkaluara për të pasur një ushtri të kompletuar si dikur, por nga synimi për të përmbushur nevojat imediate të vendit dhe për t’u bërë një aleat i vlefshëm për ShBA-në dhe NATO-n.

Siguria e kufijve, migracioni dhe krimi transnacional janë një tjetër shtyllë qendrore e Strategjisë dhe këtu dihet që Shqipëria është pjesë domethënëse e zinxhirit të trafikut dhe migracionit drejt Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se, kontrolli real i kufijve, çmontimi i rrjeteve kriminale dhe mbyllja e korridoreve të trafikantëve nuk janë thjesht detyra ndaj qytetarëve të saj dhe BE-së, por demonstrim besueshmërie ndaj ShBA-së.

Edhe pse Ballkani nuk merr vëmendje të drejtpërdrejtë në Strategji, është e nënkuptueshme logjika që rajonet “sekondare” duhet të stabilizohen vetë, pa konsumuar burime amerikane. ShBA-ja s’do më që të rikthehet në Ballkan si “menaxher krize”. Në këtë prizëm, Shqipëria nuk mund të mjaftohet me neutralitet pasiv, por duhet të jetë garantuese e stabilitetit. Tirana zyrtare duhet së pari të rikthejë ndikimin tek bashkëkombësit në shtetet fqinje përmes marrëdhënieve të qëndrueshme me lidershipin shqiptar atje, të bazuara në interesa kombëtare dhe jo në kimi apo kalkulime personale. Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në kampione rajonale të stabilitetit, pikërisht në një moment kur ShBA-ja kërkon partnerë që e parandalojnë krizën.

Një tjetër element me rëndësi në Strategji janë portet, që nuk trajtohen më si nyje tregtare, por si instrumente të fuqisë kombëtare, që lidhin sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Aty theksohet nevoja për mobilitet të shpejtë, shpërndarje të kapaciteteve dhe pika të sigurta mbështetjeje në Mesdhe. Në dritën e këtyre zhvillimeve, mosshfrytëzimi i plotë i pozicionit gjeografik të Shqipërisë për ndërtimin e një porti të thellë të klasit të parë përbën një dështim strategjik. Një port i tillë, me mbi 20 metra thellësi, do lejonte operimin pa kufizime të anijeve me zhytje të madhe, si anijet LNG (gaz natyror i lëngshëm), mega-anijet e kontejnerëve dhe luftanije të tonazhit të lartë, përfshirë aeroplanmbajtëset. Ky përcaktim nuk është çështje dëshire, por bazohet në batimetri dhe kapacitet natyror.

Çdo njeri që ka njohuri bazë mbi lundrimin ose zhytjen e di se vendi ynë ka një gji natyror jashtëzakonisht të thellë në Vlorë, ku thellësitë arrihen shumë pranë vijës bregdetare pa pasur nevojë për dragim apo dallgëthyes. Potenciali për thellësi të mëdha natyrore ekziston edhe në pjesën veriore të Shëngjinit. Megjithatë, Shqipëria po investon portin kryesor në moçalin e Porto Romanos, duke shpërdoruar një avantazh natyror që, në logjikën e re amerikane, do të përkthehej në fleksibilitet logjistik, mbështetje për NATO-n dhe peshë reale strategjike në Mesdhe.

Strategjia amerikane shkon përtej LNG-së dhe flet hapur për energjinë si armë gjeopolitike, si instrument për dobësimin e rivalëve dhe forcimin e aleatëve. Shqipëria këtu nuk duhet ta shohë veten thjeshtë si konsumator apo vend tranziti, por si platformë energjetike amerikane në Ballkan. Këtu ekziston potencial i madh për tërheqjen e investimeve strategjike amerikane në energji, si projekti i CWP Global për energji hibride në verilindje të vendit, i cili prej vitesh po zvarritet në labirinte burokratike. Projekte të tilla nuk janë thjesht çështje rryme, por instrumente ndikimi strategjik.

Në fushën e infrastrukturës, prioritet absolut duhet të ishte përshpejtimi i punimeve për përfundimin e Korridorit VIII, i cili, siç e kanë nxjerrë në pah edhe manovrat Defender, përfaqëson rrugën më të shkurtër dhe më të sigurt për mbështetjen e aleatëve lindorë në rast kërcënimi nga ekspansioni rus. Ky korridor nuk sjell vetëm zhvillim rajonal, por do shërbente si arterie strategjike e NATO-s, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe do ulte varësinë nga itinerare më të gjata apo më të ekspozuara. Për ShBA-në, funksionalizimi i Korridorit VIII nënkupton kohë reagimi më të shpejtë, kosto më të ulëta logjistike dhe siguri më të madhe operative; për Shqipërinë, ai përfaqëson kalimin nga periferi gjeografike në nyje të domosdoshme të arkitekturës euroatlantike të sigurisë.

Prioritete të tjera strategjike amerikane me implikime të drejtpërdrejta edhe për ne janë pengimi aktiv i ndikimit kinez dhe mbrojtja apo shtimi, i interesave amerikane në vendin tonë. Sot Kina është partnerja jonë e dytë tregtare, ndërsa shkëmbimet tregtare dhe investimet amerikane lënë për të dëshiruar. Përveç projektit të sipërpërmendur të CWP Global, nuk ka pothuajse asnjë prani serioze amerikane. Edhe projekti me Bechtel për hidrocentralin e Skavicës dështoi të gjejë financim real.

Në këto rrethana, qeveria duhet të mendojë më pragmatikisht, duke hequr dorë nga ambicia e një projekti gjigant të vetëm dhe duke kaluar drejt një zgjidhjeje më realiste me ndërtimin e dy ose tre hidrocentraleve të reja të mesëm në Drinin e Bardhë. Po ashtu, projektet madhore infrastrukturore (autostrada, hekurudha, aeroporte dhe korridore strategjike) nuk duhet të mbeten peng i bizneseve vendase të dyshimta me lidhje politike, por duhet t’u besohen kompanive amerikane me reputacion ndërkombëtar si Bechtel, të cilat për ShBA-në përfaqësojnë jo vetëm kapacitet teknik, por edhe garanci strategjike dhe besueshmëri politike.

Në vijim të infrastrukturës, doktrina amerikane e tregon qartë se teknologjitë e avancuara të komunikimit, inteligjenca artificiale dhe kibernetika nuk përbëjnë më një sektor dytësor, por një front të mirëfilltë sigurie. Duke pasur parasysh hakerimin iranian dhe skandalet e fundit të AKShI-t, këtu kërkohet angazhim serioz shtetëror, ndërtim real kapacitetesh dhe përgjegjshmëri institucionale. Nuk do të tolerohej vazhdimi i grabitjes së fondeve publike nën emra të rinj dhe “reforma” fiktive.

Si përmbledhje, epoka e aleatit simbolik ka mbaruar dhe Shqipëria ose kthehet në garantuese reale të stabilitetit dhe interesave amerikane në rajon, ose rrezikon të mbetet një emër pa peshë në hartën strategjike. Në një botë ku Amerika kërkon aleatë që sjellin vlerë dhe jo justifikime, Shqipëria duhet më në fund të sillet si shtet që meriton besim e jo si vend që pret mëshirë. Strategjia e bën të qartë se aleancat s’trashëgohen, por sprovohen çdo ditë, dhe për Shqipërinë ky testim tashmë ka filluar.

Në Hagë po gjykohet drejtësia dhe testohet Perëndimi

14 October 2025 at 09:21


Nëse një i huaj do të shikonte thjesht statistikat pa njohur kontekstin historik, do të mendonte se shqiptarët kanë qenë agresorët në luftën e Kosovës. Sot ka më shumë shqiptarë të dënuar sesa serbë, edhe pse bota ka parë me sytë e saj masakra, deportime masive dhe shkatërrime të organizuara nga aparati shtetëror serb. Madje, ata pak serbë që janë dënuar po dalin para kohe nga burgu, ndërsa ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë pothuajse pesë vjet që janë të privuar nga liria. Kemi të bëjmë me një përmbysje historike ku viktima gjykohet me më shumë zell se xhelati. Më e rënda është se ky transformim ka ndodhur nën autoritetin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, me vulën e Bashkimit Evropian.

Pra, në Hagë nuk është në bankën e të akuzuarve vetëm historia jonë, por edhe besueshmëria e Perëndimit. Fatkeqësisht, debati publik sot është përqendruar në pyetjen se “pse” u ngrit Gjykata Speciale dhe a mund të ishte evituar asokohe. Madje, disa dashakeqë, të verbuar nga lufta meskine partiake, shpesh thonë në mënyrë cinike: “Vetë e krijuat gjykatën, tani vuani pasojat”. Një qëndrim i tillë malinj jo vetëm që redukton një çështje komplekse në nivel të sulmit personal, por reflekton edhe një mosbesim të thellë ndaj pastërtisë së kauzës së luftës çlirimtare. Për sqarim, lidhur me origjinën e gjykatës, duhet theksuar se klasa politike kosovare pranoi krijimin e një gjykate “të veçantë” për të shmangur një tribunal të OKB-së i cili mund të vinte në pikëpyetje sovranitetin e shtetit të ri. Ajo u konceptua si një strukturë hibride: formalisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por fizikisht e vendosur në Hagë dhe e përbërë kryesisht nga staf ndërkombëtar.

Në vitin 2015 kjo dukej si rruga më e butë për të shmangur përplasjen me aleatët dhe për të mbyllur me dinjitet njëherë e mirë njollosjen që i bëhej luftës sonë çlirimtare. Vlen të theksohet se ky kompromis u bë në një kontekst ku çdo gur ishte kthyer përmbys nga hetimet ndaj UÇK-së. Ajo ishte tashmë forca guerile më e gjykuar ndonjëherë: nga proceset e Tribunalit të Hagës për Krimet në Ish-Jugosllavi (ICTY, 1999–2012), te UNMIK-u menjëherë pas luftës (1999–2008), te rindërtimi i dosjeve nga EULEX-i (2008–2018), si dhe me gjykimet në sallat vendore të Kosovës dhe proceset politike në mungesë në gjykatat serbe (por, edhe procese konkrete, siç është burgosja për 13 vjet e veteranit Anton Lekaj). Me fjalë të tjera, mbi luftën çlirimtare shqiptare ishin ndezur të gjitha reflektorët e mundshëm të drejtësisë dhe Gjykata Speciale, para 10 vjetësh, erdhi si një projekt i ri i drejtësisë mbi një terren tashmë të rraskapitur nga proceset e mëparshme. Problemi kryesor nuk është më tek origjina e krijimit, por te mënyra se si po zhvillohet ky proces. Synimi i deklaruar asokohe ishte që kjo gjykatë e re të vendoste drejtësi sipas standardit më të lartë ndërkombëtar, për të mbyllur një kapitull historik me dinjitet dhe ligjshmëri. Mirëpo, një dekadë pas themelimit, realiteti është krejt tjetër. Sot kemi të bëjmë me një gjykatë jotransparente, pa mbikëqyrje demokratike, që vepron si ishull në Hagë, si dhe me një proces gjyqësor që po shndërrohet në një precedent të rrezikshëm të devijimit nga standardet që vetë Perëndimi pretendon se përfaqëson.

Gjykata Speciale për Kosovën ilustron qartë dinamikën që përshkruhet nga teoria e burokracisë autonome, siç e kanë zhvilluar politologë si Niskanen, Downs apo neo-institucionalistët. Ata flasin për organizatat publike të cilat, me kalimin e kohës, fitojnë interesa të vetat institucionale, të ndara nga objektivat fillestare për të cilat janë krijuar. Ato veprojnë si korporata burokratike që synojnë të sigurojnë mbijetesën, të zgjerojnë kompetencat, të rrisin buxhetet dhe të ruajnë autonominë nga kontrolli politik. Në këtë kuptim, edhe Gjykata Speciale, e krijuar me një mandat të kufizuar për hetimin e krimeve të supozuara të UÇK-së, shfaq tiparet e një organizate që riprodhon vetveten, duke ndjekur logjikën e konsolidimit institucional më shumë sesa misionin fillestar të drejtësisë tranzicionale.

Kjo metamorfozë ka dëmtuar standardin e procesit, duke e larguar gjykatën nga ideali i një drejtësie të paanshme, profesionale dhe të besueshme. Vetë gjykata u ndërtua duke thyer dy parime kyçe të drejtësisë, të cilat, megjithatë, u gëlltitën në heshtje në momentin e themelimit. I pari lidhet me parimin ne bis in idem, që ndalon gjykimin e të njëjtës çështje disa herë, ndërkohë që ngjarjet janë trajtuar më parë nga disa gjykata të tjera. I dyti është mandati i paprecedentë monoetnik, duke u fokusuar vetëm te njëra palë e konfliktit.

Megjithatë, këto shkelje fillestare nuk mjaftuan, sepse vetë procesi është mbushur me të tjera anashkalime të të drejtave themelore të njeriut. Së pari, të akuzuarit po vuajnë një dënim pa vendim, në kundërshtim të hapur me parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, duke e kthyer paraburgimin nga përjashtimi në rregull. Ajo që në çdo vend tjetër të Evropës do të konsiderohej shkelje e rëndë procedurale, në Hagë po normalizohet me një gjakftohtësi burokratike. Për ta kuptuar absurdin e zvarritjes, mjafton të kujtohet se më 29 korrik 2014, Clint Williamson (Kryeprokuror i Task-Forcës Hetimore të BE-së për Kosovën, ngritur pas raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës) deklaroi publikisht se, pavarësisht se nuk kishte prova për trafik organesh, ekzistonin prova të mjaftueshme për të ngritur “menjëherë” aktakuza për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Mirëpo, arrestimi i liderëve kryesorë ndodhi më 4-5 nëntor 2020, dhe procesi nisi vetëm më 3 prill 2023; pra, kaluan rreth dy vjet e pesë muaj paraburgim pa nisur fare procesi gjyqësor dhe 9 vjet nga deklarata “menjëherë”.

Kur këto praktika analizohen në dritën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), dokumenti themelues i Këshillit të Evropës dhe referenca bazë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në gjithë kontinentin, tabloja bëhet edhe më tronditëse. Shkeljet janë të dokumentuara, sistematike dhe po ndodhin në disa nivele njëkohësisht. Kështu, Neni 5 i KEDNJ-së, që garanton të drejtën për liri dhe siguri, është cenuar përmes kthimit të paraburgimit në rregull dhe jo në përjashtim. Neni 8, që mbron të drejtën për jetën private dhe familjare, është shkelur nga izolimi i zgjatur i të akuzuarve në Hagë dhe kufizimi i kontakteve me familjarët. Neni 13, që garanton të drejtën për mjete juridike efektive, është shkelur për shkak të mungesës së një mekanizmi real apelimi. Refuzimi sistematik i kërkesave të mbrojtjes për apelim ka eliminuar çdo formë të kontrollit të pavarur gjyqësor. Zyra e Ombudsmanit, që në teori duhet të mbrojë të drejtat procedurale, është bërë njësh me Prokurorinë, duke e dobësuar ndjeshëm pozitën e mbrojtjes dhe barazinë e palëve në proces. Neni 14 kundër diskriminimit është shkelur si përmes juridiksionit monoetnik të sipërpërmendur, ashtu edhe përmes mungesës së barazisë procedurale të palëve në proces.

❌
❌