Normal view

Rexha: Qeveria Kurti ka pasur e ka raport toksik me mediat, i sheh si armiq dhe i portretizon si fajtore

13 July 2026 at 14:54


Gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka kritikuar raportin e Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje me mediat, duke e cilësuar atë si “shumë toksik”.

I ftuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rexha tha se kjo qasje ndaj mediave është për keqardhje, sidomos për një parti politike e cila, sipas tij, është rritur në pushtet duke bashkëpunuar me mediat.

“Qeveria e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, që prej fillimit të mandatit dhe me kalimin e viteve, ka pasur dhe ka një relacion shumë toksik në raport me mediat, që është për keqardhje”, tha Rexha shkruan Telergafi.


Ai deklaroi se pushteti i sheh mediat si kundërshtarë dhe, sipas tij, i portretizon qëllimshëm si të tilla para elektoratit të vet.

“I sheh si armiq, i portretizon qëllimshëm në formë të tillë, në mënyrë që elektoratit të vet, votuesve të vet, t’u thotë që mediat i kanë fajet kur gjërat nuk shkojnë mirë në Kosovë”, u shpreh Rexha

Sipas tij, kjo qasje është problematike për një parti që, gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte përfituar nga hapësira mediale dhe nga raportimi i mediave.

“Kjo është për keqardhje për një parti politike e cila është rritur në opozitë duke bashkëpunuar me mediat”, tha ai.

Rexha foli edhe për atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në raportin e Vetëvendosjes me mediat, duke thënë se përfaqësuesit e saj i bojkotojnë apo i sulmojnë ato, por kthehen në të njëjtat media gjatë fushatave zgjedhore.

“Nëse po u thonë që nuk janë të mira, prapë në të njëjtat media dalin e flasin kur kanë nevojë gjatë zgjedhjeve. Është standard i dyfishtë”, deklaroi Rexha.

Ai shtoi se mediat kanë bërë punën e tyre si kur Vetëvendosje ishte në opozitë, ashtu edhe tani kur është në pushtet.

“Mediat e kanë bërë punën e tyre kur Vetëvendosje ka qenë në opozitë dhe e bëjnë punën e tyre kur Vetëvendosje është në pushtet”, tha Rexha.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Rexhës, përpjekjet për kontrollimin e informacionit dhe narrativës nuk janë të reja në Kosovë, por ai vlerëson se presioni ndaj mediave nuk ka qenë asnjëherë më i madh.

“Edhe qeveritë e tjera kanë provuar ta kontrollojnë informacionin, narrativën, po e bën edhe Vetëvendosje, por absolutisht asnjëherë nuk ka qenë më keq”, tha Rexha.

“Asnjëherë presioni nuk ka qenë më i madh. Asnjëherë denigrimi publik nuk ka qenë më i madh”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Rexha në Përballje: Samiti i NATO-s në Ankara me rëndësi historike, Turqia doli fituesja më e madhe

13 July 2026 at 09:00


Gazetari dhe kryetari i Asociacionit tëGazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka vlerësuar se Samiti i NATO-s në Ankaraishte një nga më të rëndësishmit në historinë e re të Aleancës Veriatlantike.

I ftuar në "Përballje Podcast" në Telegrafi, Rexha tha se pesha e këtij samiti lidhet me disa zhvillime kyçe: vendin ku u mbajt, rolin e Turqisë brenda NATO-s, praninë e presidentit amerikan Donald Trump, rikonfirmimin e Nenit 5 dhe identifikimin e Rusisë si kërcënimin kryesor për Aleancën.

“Absolutisht ndër më të rëndësishmit në historinë e re të NATO-s në dekadën e fundit”, tha Rexha, duke shtuar se samiti ishte historik edhe për faktin që u mbajt në Ankara, në një vend që ka rëndësi të jashtëzakonshme për Aleancën.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, Turqia ka një peshë të veçantë brenda NATO-s, si një nga fuqitë më të mëdha ushtarake të Aleancës në Evropë.

“Për rëndësinë kruciale që Turqia ka në NATO, si aleati më i fuqishëm në Evropë dhe i dyti menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket kapaciteteve ushtarake, madhësisë së ushtrisë së saj dhe kapaciteteve të armatimit, ka qenë absolutisht një samit historik”, deklaroi Rexha.

Ai theksoi se një nga elementet më të rëndësishme të deklaratës përfundimtare ishte ritheksimi i Nenit 5, sipas të cilit sulmi ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve.

“Ritheksimi kaq i fuqishëm i Nenit 5, që një sulm ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve, edhe fakti që Rusia është identifikuar në formë të qartë si armiku kryesor, e bën këtë takim të jashtëzakonshëm historik”, u shpreh Rexha.

Duke folur për rolin e Turqisë, Rexha tha se Ankaraja doli si fituesja më e madhe e këtij samiti, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të industrisë së mbrojtjes.

“Nëse ka diçka që mund të veçohet, Turqia ka fituar shumë me këtë samit për ta përforcuar pozicionin e vet ndërkombëtar si një prej shteteve më të rëndësishme të botës, pa diskutim të Aleancës, por edhe të botës”, tha ai.

Sipas Rexhës, Turqia e shfrytëzoi samitin edhe për të ekspozuar kapacitetet e saj në industrinë ushtarake, përfshirë dronët dhe pajisjet e reja të mbrojtjes.

“Me organizimin, me industrinë ku i ekspozoi dronët e rinj, me marrëveshjet që u arritën, Turqia do t’u shesë akoma më shumë armatim vendeve të tjera të NATO-s”, theksoi Rexha.

Ai shtoi se në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes u nënshkruan marrëveshje të shumta ndërmjet shteteve dhe se miliarda dollarë investime në armatim pritet të vijnë si rrjedhojë e këtij samiti.

“Turqia, duke e marrë përkrahjen e parezervë të presidentit Trump, e ka fituar këtë samit dhe është fituesi më i madh i këtij samiti”, deklaroi Rexha.

Sipas tij, Erdogan e përmendi Kosovën në hapje të samitit, duke folur për praninë dhe angazhimin e Turqisë në kuadër të misioneve të NATO-s, si dhe në konferencën për shtyp, ku përmendi komandën turke të KFOR-it.

“Zoti Erdogan e përmendi të parën Kosovën, kur tha se ka prani të rëndësishme turke në Kosovë, në Baltik dhe në Detin e Zi. Në fund, në konferencën për shtyp, tha se Turqia e ka komandën e KFOR-it”, tha Rexha.

Në fund, Rexha e cilësoi si historike edhe vendimin që Samiti i ardhshëm i NATO-s të mbahet në Tiranë, duke e parë këtë si moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin.

“Për Shqipërinë është absolutisht historik. Fakti që samiti do të mbahet në Tiranë është një arritje shumë e madhe ndërkombëtare”, përfundoi Rexha./Telegrafi/.

❌