Normal view

Ajvazi: Produktet “Made in Kosova” tashmë njihen ndërkombëtarisht, hapen mundësi të reja për eksport në Evropë

29 June 2026 at 15:35


Produktet e prodhuara në Kosovë tashmë njihen zyrtarisht me origjinën “Made in Kosova” dhe mund të identifikohen me barkod ndërkombëtar, një zhvillim që pritet t'ua lehtësojë prodhuesve vendorë depërtimin në tregjet evropiane dhe në rrjetet e mëdha të shitjes.

Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", me kryeredaktorin e Telergafit, Muhamet Hajrullahu, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet më të rëndësishme për industrinë prodhuese në vend.

Sipas tij, që nga shkurti i vitit 2026, Kosova është pjesë e sistemit ndërkombëtar të barkodeve GS1, duke bërë që produktet vendore të kenë identitet të njohur ndërkombëtarisht.


"Tash e ki barkodin ndërkombëtar 'Made in Kosovo'. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2026 dhe është rezultat i një angazhimi të madh të Odës Ekonomike të Kosovës", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se një tjetër zhvillim i rëndësishëm është njohja ndërkombëtare e origjinës së produkteve të prodhuara në Kosovë.

"Origjina e produktit që lëshohet sot në Kosovë, kudo që shkon, njihet ndërkombëtarisht si produkt i prodhuar në Kosovë. Këta janë dy hapa shumë të mirë dhe shumë pozitivë për prodhuesit vendorë", u shpreh Ajvazi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, këto arritje janë realizuar falë angazhimit të Odës Ekonomike të Kosovës, pa pasur nevojë për ndërhyrje politike apo subvencione shtetërore.

"Ne nuk po kërkojmë që dikush të na subvencionojë. Të paktën të na krijohen procedurat që na ndihmojnë të zhvillohemi. Këta dy hapa janë bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje politike", tha ai.

Ajvazi theksoi se njohja ndërkombëtare e barkodit dhe e origjinës së produkteve vendore u krijon kompanive kosovare mundësi të barabarta për të hyrë në tregjet evropiane.


"Produkti që prodhohet sot në Kosovë është i barabartë në raftin e Lidl-it në Gjermani me cilindo produkt tjetër në botë. Nëse sot dëshiron të depërtosh në tregun evropian, e ke shumë më të lehtë se më parë", deklaroi Ajvazi.

Sipas tij, ky zhvillim jo vetëm që rrit besueshmërinë e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare, por krijon edhe mundësi të reja për rritjen e eksporteve dhe promovimin e brendit "Made in Kosovo" në Evropë./Telegrafi/.

Ajvazi: Kosova importon deri në shtatë euro për çdo euro që eksporton – prodhuesit kërkojnë veprime, jo premtime

29 June 2026 at 09:46


Prodhuesit vendorë mbeten një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por përballen me sfida të shumta që po e vështirësojnë rritjen e industrisë dhe konkurrencën me tregjet rajonale e ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në një intervistë në podcastin "Përballje", ku foli për gjendjen e prodhimit vendor, sfidat me të cilat po përballen bizneset dhe pritjet nga institucionet e vendit.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, prodhuesit kosovarë kanë dëshmuar se mund të krijojnë produkte me standarde të larta, të afta për të konkurruar edhe në tregjet evropiane, por mungesa e politikave zhvillimore po pengon shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit.

"Është një ndjenjë krenarie kur flasim për ata që e zhvillojnë vendin tonë, që janë prodhuesit vendorë të Kosovës. Sot kemi kompani që prodhojnë produkte cilësore dhe konkurrojnë me kompani globale, madje kanë depërtuar edhe në tregjet evropiane. Por këto raste ende janë të pakta dhe duhet të kemi shumë më tepër", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.

Megjithatë, ai theksoi se Kosova vazhdon të mbetet një ekonomi e varur nga importi.

Sipas tij, për çdo euro që Kosova eksporton, importon rreth shtatë euro mallra, ndërsa industria përpunuese prej vitesh mbetet në të njëjtin nivel në raport me Bruto Produktin Vendor

"Për çdo një euro që prodhojmë dhe eksportojmë, importojmë rreth gjashtë euro e gjysmë deri në shtatë euro. Kjo tregon një hendek shumë të madh dhe dëshmon se duhet të punojmë shumë më tepër për ta zëvendësuar importin me prodhim vendor", u shpreh ai.

Ajvazi renditi një sërë sfidash që, sipas tij, po e rëndojnë sektorin e prodhimit. Ndër to janë rritja e kostove të energjisë elektrike, çmimet e lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore, inflacioni, qasja e vështirë në financim dhe mungesa e konsultimit të bizneseve gjatë hartimit të politikave publike.

Ai tha se dalja e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike ka krijuar barrë të konsiderueshme financiare për prodhuesit, ndërsa rritja e çmimeve të gazit dhe derivateve ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit.

"Kur rriten kostot e energjisë, gazit dhe transportit, ne bëhemi menjëherë më pak konkurrues, jo vetëm ndaj importeve, por edhe ndaj prodhuesve në rajon, sepse shtetet e tjera përdorin politika stimuluese për industrinë", tha Ajvazi.

Një tjetër problem që ai ngriti është mungesa e fuqisë punëtore, e cila, sipas tij, është përkeqësuar nga emigrimi i qytetarëve në vitet e fundit.

"Vështirësia për të gjetur punëtorë është bërë një nga problemet më serioze të prodhuesve. Edhe pse pagat në sektorin prodhues janë mbi mesataren në Kosovë, kompanitë vazhdojnë të kenë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore", deklaroi ai.

Ajvazi kritikoi edhe mungesën e një strategjie shtetërore për industrinë prodhuese, duke thënë se, ndonëse është hartuar një draft që në vitin 2023, ai ende nuk është miratuar.

"Kosova ende nuk ka strategji të miratuar për industrinë prodhuese. Ka vetëm një draft, ndërsa ne kemi nevojë për veprime konkrete dhe politika afatgjata që e bëjnë industrinë më konkurruese", tha ai.

Sipas tij, prodhuesit nuk kërkojnë trajtim preferencial apo subvencione të pakushtëzuara, por një partneritet të mirëfilltë me institucionet dhe përfshirje në procesin e vendimmarrjes.

"Ne nuk po kërkojmë që shteti të bëjë gjithçka për ne. Po kërkojmë bashkëpunim. Kur hartohen ligjet dhe politikat që prekin sektorin prodhues, ne duhet të jemi pjesë e procesit. Kërkojmë veprime konkrete, jo vetëm premtime", theksoi Ajvazi.

Ai shtoi se zhvillimi i prodhimit vendor mbetet mënyra më e mirë për të ulur deficitin tregtar dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme.

"E vetmja mënyrë për ta ulur deficitin tregtar është të prodhojmë më shumë. Për ta bërë këtë, na duhen politika që e mbështesin industrinë prodhuese dhe krijojnë kushte që bizneset të investojnë e të rriten", përfundoi Ajvazi./Telegrafi/.

NATO mblidhet në Ankara më 7-8 korrik: Rritja e shpenzimeve ushtarake, industria e mbrojtjes dhe Ukraina në krye të agjendës

29 June 2026 at 09:29



Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen më 7 dhe 8 korrik 2026 në Kompleksin Presidencial Beştepe në Ankara, në një samit që pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Aleancës në një periudhë të tensionuar të sigurisë globale.

Kjo është hera e dytë që Turqia organizon një Samit të NATO-s, pas atij të mbajtur në Stamboll në vitin 2004. Samiti zhvillohet në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon, situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe aleatët po kërkojnë që Evropa të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së saj.

Sipas NATO-s, në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i mbrojtjes kolektive, zbatimi i planit historik për rritjen e investimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si dhe mënyra se si këto investime do të përkthehen në rritje të prodhimit ushtarak, bashkëpunim industrial dhe prokurime të përbashkëta mes vendeve aleate.

Një tjetër temë kyçe do të jetë mbështetja afatgjatë për Ukrainën, me NATO-n që e konsideron sigurinë e Ukrainës të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Aleancës. Në rendin e ditës pritet të përfshihen gjithashtu planifikimi i mbrojtjes, objektivat e shpenzimeve ushtarake dhe ndarja e barrës mes vendeve anëtare.

Përveç takimit të liderëve, më 7 korrik do të mbahet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku përfaqësues të qeverive, NATO-s dhe kompanive të industrisë ushtarake do të diskutojnë investimet, inovacionin dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Motoja e forumit është: "Nuk ka mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes."

Samiti i Ankarasë pritet të shërbejë si një demonstrim i unitetit të aleatëve përballë sfidave të reja gjeopolitike dhe të përcaktojë drejtimin e politikave të NATO-s në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet në vijim.

Telegrafi do të përcjell nga afër këtë ngjarje të rëndësishme. /Telegrafi/.

Markus Delfs merr drejtimin e GIZ në Kosovë: Gjermania ka lidhje të forta me Kosovën, do t'i forcojmë edhe më tej

29 June 2026 at 08:32


Markus Delfs do të jetë drejtori i ri i GIZ për Kosovën, ndërsa njëkohësisht do të shërbejë edhe si Drejtor Rajonal për Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Qipron, duke filluar nga 1 korriku 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga GIZ, i cili njoftoi se Delfs sjell një përvojë të gjatë në bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjermanisë, pasi gjatë karrierës së tij ka mbajtur pozita të ndryshme në GIZ në Gjermani, Kinë, Indonezi, Belgjikë dhe Arabi Saudite.

Sipas GIZ-it, në detyrën e tij të re, Delfs do të fokusohet në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e partneriteteve rajonale.

Me rastin e marrjes së detyrës, ai tha se ky emërim përfaqëson më shumë sesa një hap të ri në karrierën e tij.

"Të përfaqësosh GIZ në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht një rol i ri profesional për mua, por një thirrje për detyrë. Mikëpritja jashtëzakonisht e ngrohtë nga bashkëpunëtorët, miqtë dhe ekipet në të dyja vendet më ka lënë shumë përshtypje dhe e përforcon edhe më shumë përkushtimin tim ndaj kësaj përgjegjësie", u shpreh Delfs.


Ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta që Gjermania ka ndërtuar ndër vite me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ato mbështeten në diasporën, afërsinë kulturore dhe bashkëpunimin ekonomik.

"Gjermania mban lidhje të forta me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes diasporës, afërsisë kulturore dhe marrëdhënieve të gjera afariste mes vendeve. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar më tej lidhjet mes vendeve tona, të bazuara në një Evropë të bashkuar", deklaroi ai.

Delfs shtoi se pret të punojë ngushtë me institucionet dhe partnerët në rajon për të thelluar bashkëpunimin dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.

"Me kënaqësi pres të punojmë së bashku për t'i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit tonë, për të forcuar besimin dhe për të krijuar mundësi që sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonomitë tona. Të dashur bashkëpunëtorë, me padurim pres të filloj punën dhe bashkëpunimin me ju", përfundoi ai.

Ndryshe në përfundim të mandatit të tij tetëvjeçar në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, drejtori i deritashme David Oberhuber, ka folur për transformimin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit, energjisë së ripërtëritshme dhe integrimit evropian.


Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber vlerësoi se Kosova është një shoqëri funksionale me institucione efektive dhe njerëz të aftë, megjithatë sipas tij, dy sfida strukturore vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e saj./Telegrafi/.

❌