Normal view

Rashiq: I njoftova ambasadat për presionin e Beogradit ndaj serbëve që nuk e përkrahin Listën serbe, por nuk mora përgjigje

2 June 2026 at 16:00


Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se e ka informuar korin diplomatik në Kosovë për presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj serbëve që nuk e mbështesin Listën Serbe.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Rashiq tha se pas rasteve të largimeve nga puna dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë edhe nga partia e tij, ka dërguar informacione te përfaqësitë diplomatike në Kosovë.

Ai tha se i ka njoftuar ambasadat për atë që po ndodh në terren, duke përfshirë, siç u shpreh, represionin ndaj qytetarëve, largimet nga puna dhe presionin politik gjatë fushatës zgjedhore.

“Krejt këto i informova te kori diplomatik. I shkrova dy faqe, që t’i informoj sa më saktë se çfarë po ndodh”, tha Rashiq shkruan Telegrafi.

Sipas tij, në komunikimin drejtuar diplomatëve ka kërkuar që të dënohet çdo formë e diskriminimit dhe presionit ndaj qytetarëve serbë.

“Ju kisha lutur që ta keni në mend se kjo është e papranueshme në botën moderne. Besoj që edhe ju, sikur ne, besoni në vlerat demokratike evropiane për votime të lira”, deklaroi ai.

Rashiq tha se, pavarësisht alarmimit, reagimi nga ambasadat ka munguar.

“Asnjë ambasadë nuk ma ka kthyer përgjigjen, përveç njërës, ambasadës së Malit të Zi, që ma kanë kthy konfirmimin e emailit. Asnjë nuk ka reaguar”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai shtoi se pas vazhdimit të presionit ka dërguar edhe një letër tjetër më të shkurtër, ku ka kërkuar ndaljen dhe dënimin e kësaj forme të diskriminimit.

“U luta që të ndalet kjo formë e diskriminimit, sepse me të vërtetë është tepër. Nuk kam pasur asnjë përgjigje”, tha Rashiq.

Sipas tij, mungesa e reagimit nga përfaqësitë diplomatike është zhgënjyese.


“Për mua është jo vetëm shqetësuese, por edhe zhgënjyese. Besoj në vlerat evropiane, njerëzore dhe demokratike, por të mos ketë asnjë përgjigje në këtë email është dëshpëruese”, deklaroi Rashiq. /Telegrafi/

“Për një ‘like’ dhe një drekë me mua po ndalen në kufi”, Rashiq tregon presionin ndaj serbëve që nuk janë me Listën Serbe

2 June 2026 at 12:12


Kosova do të votojë të dielën, më 7 qershor. Akuzat dhe kundërakuzat mes partive politike shqiptare kanë lënë disi në hije vëmendjen ndaj komunitetit serb në vend.

Në qendër të kësaj teme është roli i Listës Serbe, ndikimi i Beogradit në politikën e serbëve të Kosovës, presioni mbi votuesit dhe hapësira për alternativa të tjera politike brenda komunitetit serb.

Për këto çështje në “Përballje Podcast” në Telegrafi ka folur Nenad Rashiq, politikan serb, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, si dhe kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

- YouTube www.youtube.com

Rashiq ka dhënë detaje për fushatën, të cilën e ka cilësuar shqetësuese, intimiduesе dhe të rrezikshme për të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe dhe me institucionet e Serbisë, të udhëhequra nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Rashiqit, te serbët në veri dhe në jug të Kosovës ekziston frika për të votuar ndryshe nga Lista Serbe.

Ai tha se presioni po ushtrohet ndaj qytetarëve serbë që nuk e mbështesin Listën Serbe dhe që identifikohen si përkrahës të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, të cilën ai e drejton.

Sipas tij, në këtë fushatë janë përdorur largimet nga puna, ndalimet në kufi, presioni ndaj familjarëve dhe forma të ndryshme të shantazhit politik.

“Po përjetojmë një veprim brutal. Një diktaturë që pa dyshim ekziston për momentin në Beograd, ndërsa ne jemi dëm kolateral”, ka deklaruar Rashiq.

Ai tha se disa persona janë larguar nga puna për shkak të përkatësisë politike, ndërsa, sipas tij, disa raste nuk janë raportuar fare nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve.

Rashiq përmendi edhe raste kur qytetarë serbë, të identifikuar si përkrahës të tij, janë ndalur në kufi dhe janë marrë në pyetje për disa orë.

“Secili prej njerëzve që është i identifikuar si votues i partisë sime ndalet në kufi për katër orë. Ose për një ‘like’ në Facebook dhe pse është ulur një herë në drekë me mua, kjo ka qenë arsyeja...Deri aty shkon”, tha ai.

Sipas Rashiqit, Lista Serbe dhe institucionet e Serbisë po veprojnë me qëllim që të mos lejojnë një zë tjetër politik brenda komunitetit serb në Kosovë.

“Ne jemi e vetmja parti politike që realisht garon kundër Listës Serbe. Institucionet e Serbisë janë të gjitha të angazhuara që Rashiqi të mos jetë deputet në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai e cilësoi qasjen e Listës Serbe si destruktive ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se kjo bëhet drejtpërdrejt brenda institucioneve ose në mënyrë indirekte përmes institucioneve të Serbisë.

Rashiq tha se për këtë situatë e ka informuar edhe korin diplomatik në Kosovë, por sipas tij nuk ka pasur reagim të mjaftueshëm.

“Për mua është jo vetëm shqetësuese, por edhe zhgënjyese. Besoj në vlerat evropiane, njerëzore dhe demokratike, por të mos ketë asnjë përgjigje është dëshpëruese”, tha ai.

Sipas tij, Beogradi po tenton që përmes Listës Serbe ta mbajë nën kontroll përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës dhe të mos lejojë pluralizëm real brenda këtij komuniteti.

“Janë të vendosur t’i përdorin të gjitha mjetet që kanë, qoftë zyrtare, qoftë jozyrtare”, deklaroi Rashiq.

Ai tha se, përkundër presioneve, qëllimi i partisë së tij është të fitojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe të ofrojë një qasje ndryshe nga ajo e Listës Serbe. /Telegrafi/

❌