Normal view

Mustafa i përgjigjet Molliqajt: Bashkimi i Abdixhikut me Osmanin nuk është për interesa personale

8 May 2026 at 15:51


Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë kritikat e Partisë Socialdemokrate dhe të Dardan Molliqajt lidhur me afrimin politik mes LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani.

Molliqaj javën e kaluar në “Përballje Podcast”, tha se bashkimi Abdixhiku -Osmani po bëhet të të shpëtuar njëri-tjetrin.

Në anën tjetër zyrtari i LDK-së, Mustafa, tha se pretendimet se bashkimi mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit bëhet për interesa personale apo për “shpëtim politik” të individëve, janë të pavërteta dhe e zhvendosin debatin larg problemeve reale të qytetarëve.

Sipas Mustafës, si Vjosa Osmani ashtu edhe Lumir Abdixhiku kanë karrierë dhe profil politik që nuk varen nga mbajtja e posteve partiake.

“Unë veç e shpjegova qëllimin dhe arsyen e bashkimit… është ideja përtej individëve, përtej partive politike. Edhe zonja Osmani edhe zoti Abdixhiku kanë një bagazh profesional e politik që edhe nëse nuk udhëheqin parti politike, do të vazhdonin të ishin të suksesshëm edhe në jetën private, edhe në jetën publike e politike”, tha ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Mustafa theksoi se Osmani, pas përfundimit të mandatit presidencial, do të mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë jashtë politikës aktive, por sipas tij, zgjedhja për të vazhduar angazhimin politik tregon vullnet për të kontribuar në Kosovë.

“Vjosa Osmani kish pas një jetë shumë më të lehtë… ka mujt me themelu një fondacion, me shëtit botën, me ligjëru në universitete prestigjioze… por fakti që dëshiron me vazhdu jetën politike e publike në Kosovë është plus e jo aspekt negativ”, deklaroi Mustafa.

Mustafa i bëri thirrje PSD-së dhe partive tjera që debati politik të fokusohet në programet dhe ofertat për qytetarët, e jo në sulme individuale.

“Unë e ftoj edhe PSD-në dhe çdo parti tjetër politike të Kosovës: hajde flasim çka kemi me i ofru qytetarëve të Kosovës, mos flasim për individë e mos të krijojmë beteja individuale”, deklaroi ai.


Sipas Mustafës, qytetarët nuk votojnë mbi bazën e figurave personale, por mbi programet dhe ofertat politike.

“Qytetarët e Kosovës nuk na votojnë se kush është më i bukur apo më i fortë. Na votojnë kush kemi programe më të mira dhe kush punojmë më shumë për qytetarët e Kosovës”, përfundoi ai./Telegrafi/.

“Po bashkohet e djathta” – Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në

8 May 2026 at 10:59


Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.

Në “Përballje Podcast”, ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.


- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.

“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Besian Mustafa nga LDKFoto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.

“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa shkruan Telegrafi.


Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.

“Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Besian Mustafa nga LDK ne "Përballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova

Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.

“LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.

Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.

Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.

Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend. /Telegrafi/

❌