Normal view

Azemi: Dështimi është te shteti, kërkohet hetim për rolin e MINT-it në skandalin e njehsorëve

1 April 2026 at 14:03


Çështja e dyshimeve për manipulim të njehsorëve elektrikë në Kosovë po zhvendos fokusin nga kompanitë operative drejt përgjegjësisë së institucioneve shtetërore, përkatësisht Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka akuzuar drejtpërdrejt institucionet shtetërore për dështim në mbikëqyrjen e sektorit dhe mosveprim përballë një problemi që, sipas tij, ka prekur mijëra qytetarë.

Sipas Azemit, përgjegjësia kryesore bie mbi mekanizmat shtetërorë të kontrollit, konkretisht Agjencinë e Metrologjisë në kuadër të MINT-it, e cila është përgjegjëse për kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve matëse.

“Institucioni, qeveria, ministria… kanë dështu me mbikëqyrë dhe me mbrojt qytetarët. Ai institucion që duhet me i kry këto matje ka veç një njeri… me kontrollu 400 mijë njehsorë”, ka deklaruar, Azemi shkruan Telegrafi.

Ai shton se mungesa e kapaciteteve dhe e mekanizmave të pavarur të verifikimit ka krijuar hapësirë për abuzime.

“Nuk kanë licencu asnjë institucion të pavarur që kish mund me i bë verifikimet. Shteti ka dështuar me reaguar me kohë”, shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Azemi thekson se institucionet kanë reaguar vetëm pasi çështja është bërë publike, duke e cilësuar këtë si neglizhencë të rëndë.

Ai kritikon edhe thirrjen e fundit të institucioneve për ankesa nga qytetarët, duke thënë se roli i shtetit është proaktiv, jo reaktiv.

Duke e konsideruar çështjen si potencialisht me pasoja të mëdha financiare, Azemi paralajmëron se rasti do të dërgohet në organet e drejtësisë.


Ai kërkon hetim të plotë për të përcaktuar shkallën e dëmit dhe përgjegjësit konkretë.

“Jo qytetari me raportu, por shteti duhet me hetu çka ka ndodhë mbrapa. Kam me iu drejtu Prokurorisë Speciale dhe asaj Themelore… për këtë po i mbledh dëshmitë”

87 për qind e njehsorëve matin kohën gabimisht, Azemi tregon se si arriti te të dhënat

1 April 2026 at 11:55


Në një kohë kur çmimi i energjisë elektrike vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, dyshimet për saktësinë e njehsorëve elektrikë kanë ngritur shqetësime serioze në opinionin publik.

Në një diskutim në “Përballje Podcast”, Visar Azemi nga LDK ka ngritur akuza të forta lidhur me funksionimin e njehsorëve dhe ndikimin në faturimin e energjisë.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, një hulumtim i realizuar mbi qindra mostra tregon probleme të theksuara në matjen e kohës.

“I kam hulumtu 884 mostra… 87 për qind të tyre e masin kohën gabimisht dhe kjo ka qenë alarmi i parë”, ka deklaruar ai gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Visar Azemi nga LDK n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Dyshimet për faturim më të lartë

Azemi shpjegon se problemi lidhet drejtpërdrejt me tarifat e energjisë, pasi qytetarët besojnë se po shfrytëzojnë energji më të lirë gjatë natës, ndërsa në realitet mund të paguajnë më shtrenjtë.

“Kur ti ke mendu që je tu e shfrytëzu energjinë më të lirë… ti realisht je tu e shfrytëzu energjinë më të shtrenjtë, sepse njehsori ka matë gabimisht. Mua më ka duk që është një skemë skandaloze… për me i faturu qytetarët jashtëligjshëm”, ka deklaruar ai shkruan Telegrafi.


Reagimet dhe përgjegjësia institucionale

Pas publikimit të shqetësimeve, Azemi thotë se ka pasur reagim të madh nga qytetarët, me mijëra ankesa dhe dëshmi.

Ai kritikon edhe reagimin e kompanisë KEDS, e cila sipas tij e ka minimizuar problemin duke e quajtur “gabim teknik”.

“Mijëra mesazhe dhe fotografi më kanë ardhë… kjo i prek njerëzit drejtpërdrejt në xhep. Kur po flasim për 87 për qind të mostrës që është gabim, qysh është gabim teknik kjo?”, ka shtuar ai.

Në të njëjtën kohë, Azemi hedh përgjegjësi edhe mbi institucionet shtetërore për mungesë të mbikëqyrjes.

“Institucioni, qeveria, ministria… kanë dështu me mbikëqyrë dhe me mbrojt qytetarët”, shprehet Azemi.

Kërkesë për hetim dhe kthim të mjeteve

Azemi ka bërë të ditur se ka kërkuar hetim nga Zyra e Rregullatorit për Energji dhe paralajmëron veprime të mëtejshme ligjore.

“Qëllimi kryesor i imi është me insistu që këto mjete me iu kthy qytetarëve”

Ai shton se çështja duhet të trajtohet edhe në Kuvend dhe nuk duhet të mbetet vetëm në debat publik.

Kriza më e gjerë në sektorin e energjisë

Përtej çështjes së njehsorëve, Azemi vlerëson se sektori i energjisë në Kosovë po përballet me probleme strukturore dhe mungesë investimesh.

“Pa ndërtu kapacitete të reja gjeneruese, ti nuk mundesh me drejtu sektorin e energjisë. Kosova duhet me prodhu vetë energji… përndryshe rrezikon edhe sigurinë nacionale”, përfundon Azemi.

Në fund, ai thekson se pa vullnet politik dhe hetim të plotë, besimi i qytetarëve në sistemin energjetik do të vazhdojë të lëkundet.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë. /Telegrafi/


❌