Normal view

Orav: Nuk pres refuzim nga Kurti dhe Vuçiq për ftesën e Kaja Kallas – pa dialog s’ka zgjidhje

21 March 2026 at 21:53


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka komentuar edhe dialogun Kosovë – Serbi gjatë një takimi me një grup gazetarësh në Prishtinë në përfundim të misionit të tij në Kosovë.

Ai ka theksuar se një takim në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i domosdoshëm për të çuar përpara procesin e dialogut.

“Sigurisht, kjo duhet të ndodhë dhe për mua është shumë e vështirë të paramendoj që kur Kaja Kallas të ftojë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në takim, dhe përgjigja nga ndonjëri prej tyre të jetë: ‘Jo, më fal nuk do të vij në takim nga ndonjëri prej tyre... Sepse nëse nuk flasim me njëri-tjetrin, është e pamundur të zgjidhet ndonjë problem”, ka deklaruar Orav.



Sipas tij, ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian synon pikërisht organizimin e takimeve të tilla, për të prodhuar rezultate konkrete.

Orav vlerësoi se organizimi i një takimi të nivelit të lartë varet nga vullneti politik i të dyja palëve, duke lënë të kuptohet se refuzimi i pjesëmarrjes nuk do të ishte i arsyeshëm.

Ai shtoi se takimet e nivelit të lartë nuk janë thjesht simbolike, por kërkojnë përgatitje serioze nga diplomatët për të qenë të suksesshme.

Duke folur për çështjet e ndjeshme që e shoqërojnë dialogun, Orav theksoi se ato duhet të trajtohen në tryezë dhe jo të shërbejnë si pengesë.

“I kuptoj plotësisht problemet që i përmendët lidhur me sulmin në Banjskë, lidhur me mungesën e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, por këto çështje mund të diskutohen. Nëse nuk diskutohen, atëherë nuk arrijmë asgjë”, u shpreh ai në pyetjen e kryeredaktorit të Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

- YouTube www.youtube.com

Në përfundim, Orav ritheksoi se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këto çështje mund të diskutohen… por nëse nuk diskutohen, nuk mund të ketë zgjidhje”, përfundoi ai./Telegrafi/.

Orav: Marrëveshja për Ligjin për të huajt jashtëzakonshme, koha te ecet përpara edhe në dialog

21 March 2026 at 20:43


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një hap të rëndësishëm që dëshmon se është e mundur të arrihen rezultate konkrete përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

“Marrëveshja e katërmbëdhjetë marsit është e jashtëzakonshme… ajo tregoi se është e mundur të bisedohet dhe të arrihet diçka”, ka deklaruar Orav.

Sipas tij, kjo marrëveshje është rezultat i një procesi ku të dyja palët kanë bërë kompromise, duke mos fituar gjithçka, por duke arritur progres.


“Të dyja palët u desh të lëshojnë për diçka dhe të mos fitojnë çdo gjë”, theksoi ai.

Orav vlerësoi se kjo marrëveshje ka krijuar një momentum të ri për të ecur përpara, jo vetëm në raportet mes Kosovës dhe BE-së, por edhe në procesin më të gjerë të dialogut.

“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, u shpreh ambasadori.

Ai shtoi se tashmë fokusi duhet të jetë në zbatimin e saj, duke theksuar se ky është elementi kyç për suksesin e marrëveshjes.

“Tani është çështje e zbatimit – si palët do ta zbatojnë”, deklaroi Orav shkruan Telegrafi.


Ambasadori i BE-së bëri të ditur se marrëveshja e 14 marsit nuk është pjesë e dialogut klasik Kosovë–Serbi, por një proces i veçantë që megjithatë jep sinjale pozitive.

“Kjo marrëveshje nuk ka qenë marrëveshje e dialogut… por tregon se nëse ka vullnet të mirë, është e mundur të ecet përpara”, tha ai.

Orav shpjegoi se marrëveshja lidhet me zbatimin e ligjit për të huajt dhe çështje praktike në terren, përfshirë dokumentacionin dhe funksionimin e institucioneve në veri.

Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv që ndihmon në shmangien e tensioneve dhe krijon kushte për stabilitet.

“Tani edhe popullata në veri e sheh se është e mundur të ecet përpara dhe të zgjidhen problemet”, theksoi ai shkruan Telegrafi.

Intervista e plotë:

- YouTube www.youtube.com

Orav: Zgjedhja e Presidentit është çështje e Kosovës – BE nuk ndërhyn

21 March 2026 at 20:00


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit është një proces tërësisht i brendshëm dhe nuk i takon Bashkimit Evropian të ndërhyjë.


“Zgjedhja e presidentit apo presidentes suaj është zgjedhje juaj… e parlamentarëve tuaj, të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë dhe të propozojnë kandidatë”, ka thënë Orav për një grup gazetarësh në Prishtinë.


Ai theksoi se mungesa e konsensusit politik nuk mund të zgjidhet nga faktori ndërkombëtar.

“Nëse askush nuk propozon kandidat… nuk di çfarë të them, nuk di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast”, u shpreh ai shkruan Telergafi.

Orav shtoi se Bashkimi Evropian nuk ka rol në përcaktimin e procesit apo emrave për këtë pozitë.

“Ne nuk kemi qasje që t’u tregojmë se si ta zgjedhni Presidentin apo kënd ta zgjedhni”, deklaroi ambasadori.

Sipas tij, Kosova tashmë ka arritur një nivel të mjaftueshëm të pjekurisë institucionale për të menaxhuar procese të tilla vetë.

“Kosova është mjaft e pjekur”, theksoi Orav.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij viti i kaluar ka qenë vit i humbur.

"Shpresoj shumë që ky nuk do të jetë i njëjtë. Por tre muaj veç kanë kaluar. Bukur shumë është bërë, pra është mirë që Kuvendi ka pasur kohë të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pagesat e para mund të vijnë. Por tani ka afate të qarta kohore se kur duhet të realizohen disa reforma të caktuara, deri në qershor, dhe ka rrezik që Kosova të humbasë këto para. Dhe kjo nuk është në interes të Kosovës, nuk është në interes të qeverisë dhe as të opozitës apo të qytetarëve", u shpreh ai.

Shiko intervistën e plotë./Telegrafi.

Orav: Masat ndaj Kosovës janë kapitull i mbyllur – BE gati për hapa të rinj

21 March 2026 at 19:58


Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës tashmë i takojnë së kaluarës, duke theksuar se Brukseli është i gatshëm të angazhohet në fazë të re bashkëpunimi me institucionet e vendit.

“Masat kanë mbetur prapa nesh tani dhe duhet të fillojmë të ecim përpara”, ka thënë Orav, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të nisë programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.

- YouTube www.youtube.com

Ambasaadori Orav këto komente i ka bërë gjatë një takimi me një grup gazetarësh nga mediat në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në vend kanë krijuar një situatë më të favorshme për avancim, duke përmendur stabilizimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe.

“Problemet që kanë ekzistuar atëherë tani janë zhdukur… kjo na ka mundësuar të ecim përpara”, theksoi ai.

Dialogu me Serbinë mbetet kyç

Ambasadori i BE-së ka theksuar se procesi i integrimit evropian për Kosovën është i lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Dialogu është fjalë kyçe… procesi i normalizimit duhet të zhvillohet dhe kjo është e mundur”, u shpreh Orav shkruan Telegrafi.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një zhvillim të rëndësishëm që dëshmon se kompromiset janë të mundshme dhe se palët mund të ecin përpara.

“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, tha ai.



Integrimi në BE dhe pritjet nga Kosova

Orav ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka avancuar për shkak të masave të mëparshme, por tani pret dinamika të reja.

“Kur mund të themi se këto masa janë prapa nesh, shpresojmë se do ketë edhe dinamika të reja”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai ka theksuar se progresi varet edhe nga zhvillimet e brendshme politike në vend.

“Kosova duhet të bëjë më të mirën për të zgjidhur çështjet e brendshme sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav.

Ambasadori evropian ka vlerësuar organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se ato janë zhvilluar pa probleme të mëdha.

“Kosova tani ka pjekuri që të mbajë zgjedhje… nuk ka pasur probleme të mëdha në organizim”, u shpreh ai.

Mesazh për të ardhmen

Në përmbyllje të mandatit të tij, Orav ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në rrugën drejt integrimit.

“Ne duam që Kosova të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian dhe puna jonë është të heqim pengesat”, tha ai/Telegrafi.

❌