Normal view

Mehmeti: Mediat lokale në vështirësi financiare, rrezikohet pavarësia editoriale

25 February 2026 at 11:13



Ish-kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë financiare të mediave në Kosovë, duke theksuar se situata është veçanërisht e vështirë për mediat lokale.

Në “Përballje Podcast”, Mehmeti tha se shumë radio dhe televizione lokale operojnë me buxhete tepër modeste, të pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm.


“Kemi një situatë jo shumë të mirë të qëndrueshmërisë së mediave në vendin tonë. Mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest, me të cilin funksionojnë vetëm aty për aty”, tha ai shkruan Telegrafi.

Sipas tij, kjo situatë shpesh i detyron mediat lokale të hyjnë në kontrata me komuna për monitorimin dhe përcjelljen e aktiviteteve protokollare.


“Shpesh detyrohen të hyjnë në kontrata me komunat për të përcjellë aktivitetet e tyre protokollare, si një lloj zëdhënieje jozyrtare, gjë që mund të ndikojë në pavarësinë editoriale”, deklaron Mehmeti.

Mehmeti bëri dallimin mes mediave lokale dhe një kategorie tjetër biznesesh mediale që, sipas tij, kanë avantazh financiar – operatorët kabllorë apo operatorët e shpërndarjes.

“Këta operatorë marrin të hyra nga klientët, sepse ofrojnë pako televizive, dhe disa prej tyre kanë arritur të krijojnë edhe televizione të vetat.”

Ai theksoi se kjo situatë ka krijuar rrezik për koncentrim medial, pasi operatorët me fuqi financiare mund të blinin televizione të tjera dhe të dominonin tregun.

- YouTube www.youtube.com

Për të parandaluar këtë, Mehmeti tha se gjatë mandatit të tij në KPM është hartuar një rregullore që ndalon koncentrimin medial.

“Kemi ndaluar koncentrimin apo monopolin medial. Operatorët e shpërndarjes mund të kenë vetëm një televizion gjeneralistik.”

Sipas tij, ky kufizim është vendosur për të shmangur përqendrimin e tregut në duart e një grupi të caktuar biznesesh.

“E kemi thënë që në maksimum mund të kenë vetëm një licencë për një televizion gjeneralistik, në mënyrë që të mos koncentrohet tregu medial në duart e një grupi të caktuar njerëzish.”

Mehmeti theksoi se qëndrueshmëria financiare dhe pluralizmi medial janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me pavarësinë editoriale dhe me funksionimin e shëndetshëm të demokracisë në vend. /Telegrafi/.

Vetëm një muaj pas dhurimit, skaneri 3-milionësh i SHBA-ve jep rezultatin e parë të madh

25 February 2026 at 09:05


Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh, për të forcuar sigurinë kufitare.

Ambasada Amerikane në Kosovë kishte bërë të ditur se luftimi i trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më konkurruese.

“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane.


Nga fotografitë e publikuara nga Ambasada amerikane në ceremoninë e dhurimit të pajisjes ishin të pranishëm e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati; ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu.

Ceremonia e inaugurimit të skanerit mobil, investim në forcimin e kontrolleve doganore dhe rritjen e sigurisë kufitare, u mbajt në pikëkalimin kufitar në Merdar.

Ndërsa dje falë këtij skaneri, siç merr vesh Telegrafi, janë zbuluar rreth një milion euro të padeklaruara në pikë-kalimin kufitar “Merdar”, gjatë një kontrolli të detajuar të kryer nga zyrtarët e Doganës së Kosovës.


Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.

Dogana bëri të ditur se automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.


“Pas indikacioneve të para nga skaneri, është kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.

Siç merr vesh Telegrafi janë ndaluar tre persona, ndërsa automjeti ishte duke hyrë nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mesin e të arrestuarve sipas mediave në Shqipëri është një efektiv policie pranë komisariatit nr.5 në Tiranë.

Çfarë është skaneri Rapiscan?

Skanerët Rapiscan janë sisteme të avancuara të kontrollit të sigurisë, të prodhuara nga kompania amerikane Rapiscan Systems, e specializuar në teknologji zbulimi.

Ata përdoren gjerësisht në pikat kufitare dhe doganat, në porte dhe aeroporte, në objekte qeveritare dhe ushtarake, si dhe në infrastrukturë kritike.

Në varësi të modelit, skanerët Rapiscan mund të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese, drogë dhe kontrabandë, mallra të falsifikuara ose të padeklaruara, si dhe objekte të fshehura në automjete, kontejnerë apo bagazhe.

Shumica e skanerëve Rapiscan përdorin teknologji me rreze X (përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha) dhe softuer të avancuar analizues, i cili identifikon forma, dendësi dhe materiale. /Telegrafi/

❌